Historiani i respektuar Prof. Dr. Jahja Drançolli shkruan se rrënjët e shtetit të Kosovës duhet kërkuar edhe në antikitet, te Mbretëria e Dardanisë dhe gjatë mesjetës së hershme, në Shtetin e Arbërit.
Në një shkrim të postuar në Facabook, me rastin e 9 Prillit, Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Drançolli sjell si argument Kartën e Dhimtrit të vitit 1210, e cila provon marrëveshjen e Arbërisë me Raguzën, gjetur në Arkivin Shtetëror të Raguzës.
9 Prilli, Dita e Kushtetutës së Republikës Kosovës, në mbështetje të Historisë së Shtetit, rrënjët e veta duhet kërkuar edhe në antikitet te Mbretëria e Dardanisë dhe gjatë mesjetës së hershme në Shtetin e Arbërit, kufiri i të cilit (nga kapërcyelli i shek. XII) është shtrirë deri te Labi në veri (Llapi i sotëm)!
Nga mesi i shek. XI, nisi procesi i krijimit të formacionit të parë shtetëror i Arbërisë mesjetare. Më vonë, burimet historike nga kapërcyelli i shek. XII, nxorën në dritë shtetin e Arbërit me seli në Krujë. Sundimtari i parë ishte Progoni (1190-1198), dhe më pas bijtë: Gjini (1198-1206) dhe Dhimitri (1206-1216). Principata e Arbërit e arriti fuqizimin më të madh në kohën e sundimit të Dhimitër Progonit. Në një akt të marrëveshjes tregtare të Shtetit të Arbërit me Raguzën, të nënshkruar nga Dhimitri më 1210, konisderohet si marrëveshje e parë ndërkombëtare e principatës së Arbërit, Dhimitri e quan veten “Panhipersebast” dhe “Arkont i Madh” (“Demetrius Die gratia panypersebastos et magnus archon”). Akti i marrëveshjës është realizuar në kancelarinë shtetërore të Principatës së Arbërit (“de la chancellarie d’Arbanon”), dhe është nënshkruar nga Dhimitri e nga vasalet e tij: Jonema, Markeni, Serneli, Peltus, Len, e ndonjë tjetër. Titulli i parë ka në rrënjë fjalën sevast (σεβαστὁς), titull ky i përhapur nga Aleks Komneni I (1081-1118). Në Arbëri atë titull e zotëronte edhe sevasti i Skurjes, sevasti i Misjes, sevasti i Kurbinit, e ndonjë tjetër. Titullin në fjalë zakonisht e mbanin funksionarët që kishin lidhje farefisnie me familjen perandorake bizantine. Titulli dytë megas arhond (arkont i madh) ishte i afërt me titullin e ndonjë sunduesi fqinjë të kohës. Të dy këta tituj (panhipersevast dhe arkont i madh), në diplomatiken lindore ishin ekuivalente me titullin princ sipas diplomatikës Perëndimore. Dhimitri përmendet edhe me një titull të tretë – me titullin “princ” (princeps) dhe “gjykatës” (iudex), me të cilin titull, Dhimitrin e quante Papa Inoçenti III (1208). Titulli princ si sovran i Principatës së Arbërit, e kishte legjitimuar Dhimitrin edhe sipas terminologjisë zyrtare Perëndimore, por edhe të asaj Lindore.
Karta e Dhimtrit nga viti 1210, e cila provon marrëveshjen e Arbërisë me Raguzën!
Burimi: Arkivi Shtetëror i Raguzës!