2017-05-08

”Potpuria”letrare dhe shkencore e Flori Bruqit



Akademik Prof.Dr.Eshref Ymeri 

Para pak ditësh, Shtëpia Botuese “Klubi i poezisë”, Tiranë, nxori nga shtypi dhe hodhi në qarkullim librin me titull “Moderniteti në letrat shqipe”, të autorit Flori Bruqi, poet, shkrimtar, historian, hulumtues dhe kritik i talentuar, një libër ky, i 40-ti  në serinë e veprave të tij, të botuara deri tani. Recenzent i librit është Rexhep Shahu, kurse redaktor – Izet Duraku.

Libri përshkohet tejendanë nga interesimet, emocionet, joshat, dyshimet e autorit që e lidhin artin e fjalës me realitetet shumëngjyrëshe të jetës së përditshme. Analizat kritiko-letrare i adresohen një spektri të gjerë çështjesh etikomorale dhe lidhen drejtpërsëdrejti me kërkesat e përditshme të organizmit shoqëror. Si një kritik letrar i kompletuar, Flori Bruqi ka shpërfaqur aftësitë e tij për të zbuluar para lexuesit tablonë e të kuptuarit të plazmimeve artistike në indin e veprave të analizuara. Kësisoj ai ka marrë përsipër rolin e ndërmjetësit në shtegtimin e veprës letrare nga autori te lexuesi. Brenda penës së tij vjen e ravijëzohet edhe “reparti i punës” së shkrimtarit, edhe bota e larmishme e lexuesit. Shkrimtari, poeti, kritiku dhe gjuhëtari gjerman Frederik Shlegel (Friedrich Schlegel – 1772-1829) thotë:


“Kritiku është një lexues, i cili merret me “tretjen” e gjërave që ka lexuar. Prandaj ai duhet të ketë disa stomakë”.

Funksionin e kritikës letrare Flori e shikon të lidhur ngushtë me ndikimin që ajo duhet të ushtrojë mbi opinionin shoqëror, mbi vetë autorët e veprave artistike dhe mbi zhvillimin e përgjithshëm të letërsisë dhe të artit. Në mundin e tij kritikoletrar, ndihet prania e heshtur e frymës polemike, dialogu i heshtur me autorin, me lexuesit e hamendësuar, me kolegët-oponentë.

Në këtë vepër të re,Prof.Dr. Flori Bruqi,Ph.D i drejtohet analizës së krijimeve letrare, të kahershme për nga prejardhja e tyre, por që vazhdojnë të ndikojnë me autoritet mbi botën shpirtërore të lexuesve edhe në ditët tona. Të tilla janë krijimet letrare të Homerit shqiptar Gjegj Fishta. Vepra e Fishtës, e këtij korifeu të kulturës shqiptare, përherë do të jetë objekt studimi dhe analizash nga ana e kritikëve dhe e studiuesve të letërsisë shqipe. Ajo ka qenë, është dhe do të mbetet përjetësisht burim frymëzimi për brezat e sotëm dhe pasardhës për farkëtimin e vetëdijes kombëtare, në kundërshtim me vlerësimin armiqësor që i pati bërë Enver Hoxha Fishtës dhe vepërs së tij, simbol i nacionalizmit shqiptar. Lexuesi me vetëdije të lartë kombëtare, vë duart në kokë për mjerimin e palakmueshëm të figurës së Enver Hoxhës, kur sulmin e këtij të fundit kundër Fishtës, e krahason me vlerësimet që kanë bërë për të mjaft personalitete të shquara kombëtare dhe të huaja, të cilat Flori i ka cituar në faqet e këtij libri. Ёshtë e turpshme për Enver Hoxhën, i cili, si argat i regjur i Beogradit, nacionalizmin e pastër të Fishtës, e vë në një peshore me shovinizmin tribal të Vlladan Gjeorgjeviçit, kur deklaron:

“Fishta dhe Vlladan Gjeorgjeviçi janë njerëz të po një shkolle dhe shërbëtorë të një ideje skllavëruese” (Citohet sipas: Enver Hoxha për miqësinë me sllavët, sulmon Fishtën”. Marrë nga faqja e internetit “Peshku pa ujë”. 06 dhjetor 2012).

Këtu po ndalem vetëm në vlerësimin e Prof. dr. Norbert Joklit, të cilin Flori e citon në veprën në fjalë:

“…me At Gjergj Fishtën gjuha shqipe u rrit, u madhnue, u ba zojë. Me At Gjergjin, kryetar në Kongresin e Manastirit, u caktue njëherë e përgjithmonë një alfabet i vetëm për mbarë Shqipninë, vendim ky me dobi që nuk numrohen. Me At Gjergjin zuni fill shkolla me shqipen gjuhë mësimi…”

Këtë shkrim e titullova “Potpuria” letrare e Flori Bruqit”, sepse Flori, nga vargjet gjëmimtare të Fishtës, kalon te vargjet dhe përgjithësisht te vepra bubulluese e Arshi Pipës. Mandej “e mban vrapin” te josha magjiplote e krijimtarisë së Mira Meksit, në endjen e saj lirike mes Tiranës dhe Parisit, vazhdon me shtresëzimet e letërsisë shqiptare, duke analizuar zhvillimet e saj jo vetëm brenda trojeve etnike, por edhe në diasporë, si në Bullgari, Rumani, Greqi, Turqi e deri në Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për mendimin tim, Flori Bruqi, si një kritik erudit, është i pari në historinë e letërsisë shqipe, i cili ka nxjerrë si në një “parakalim festiv” të gjithë shkrimtarët dhe poetët e trojeve etnike shqiptare. Nga radhët e tyre në Perëndimin evropian dhe amerikan, ai përmend 54 syresh. Mes krijuesve të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dëshiroj të shtoj edhe emrin e eseistes dhe të shkrimtares sa të talentuar, aq edhe fjalëpakë, Nimfa Hakani, e cila, në nëntor të vitit 2015, botoi në Shqipëri tre libra: përmbledhjen me tregime me titull “Pacientja 101”, një përmbledhje fabulash dhe rrëfenjash për të rritur, të titulluar “Luani i fjetur”, dhe një përrallë për fëmijë, me protagonist Gjeto Basho Mujin.

Flori vijon me Rexhep Hoxhën, me këtë krijues të heshtur hijerëndë, që të mahnit me ca vargje plot aromë ëndërrimtare:

As vetë s’e dij pse kot rrugëvet po sillem

Pa kurrfarë qëllimi – pa drejtim askund!

Nër rrugë t’ qytetit m’ duket se po hidhem

Sikurse Kolombi n’ oqean t’ pafund.

Paskëtaj Flori ndalet te Kadrush Radogoshi dhe analizon veprën e tij “Semantika e bregut tjetër”, ku del në pah talenti i tij si eseist, studiues dhe shkrimtar. Prej këtej, hidhet te Prenk Jakova, themeluesi i artit operistik shqiptar, autor i sa e sa këngëve dhe romancave plot lirizëm marramendës, i cili e mbylli jetën në një mënyrë tragjike, me vetëvrasje, për shkak se diktatura komuniste enveriane jetën ia pati lënduar rëndë me pushkatimin mizor të të vëllait, për shkak të bindjeve të tij nacionaliste, çka ai e mbajti peng në zemër sa qe gjallë.

Prekëse janë faqet që Flori i kushton krijimtarisë së Ali Podrimjes që të rrëmben me vargjet e tij plot afsh lirik, aq të pasur me një figuracion emocionues. Me vdekjen e tij enigmatike dhe të parakohshme në Francë, Kosova dhe mbarë trojet etnike shqiptare sikur humbën njërën nga arteriet e tyre me gjak gurgullues.

Martim Camaj zë një vend nderi në historinë e kulturës sonë kombëtare, i njohur si studiues i gjuhës shqipe dhe i dialekteve të saj, si njohës i shquar i botës arbëreshe, të cilin autori ia prezanton lexuesit si një poet dhe prozator të talentuar, të respektuar për thjeshtësinë e madhështisë së tij, për pasurinë e pamatë të leksikut të tij.

“Potpuria” floriane vjen e bëhet edhe më emocionuaes kur ai e ndal “fluturimin” e shënimeve kritike te njëra nga krenaritë e kulturës shqiptare me prejardhje shkodrane, te Ndre Mjeda, te autori i poezive aq të dhembshura që ta ngrenë zemrën peshë me notat e tyre elegjiake.

“Potpuria” në fjalë vjen e pasurohet edhe më shumë me elementet e folklorit dhe të etnografisë. Flori, me përshkrimin e qeleshes së bardhë që sfidon popujt në shekuj, ka folur për historinë e saj. Kjo qeleshe, e quajtur ndryshe plisi shqiptar, si një simbol karakteristik i etnisë shqiptare, është përcjellë nga thellësitë e shekujve, plis ky, i papërsëritshëm në asnjë etni tjetër, jo vetëm në kontinentin tonë, por edhe në mbarë botën. Prandaj kjo është edhe arsyeja që, siç thotë Flori, plisi shqiptar (qeleshja) ndodhet i ekspozuar në muzeun e Luvrit (Louvre) në Paris.

Në kreun e librit me titull “Moderniteti në letrat shqipe”, që shërben edhe si titull i kësaj vepre, kritiku Flori Bruqi është ndalur në tre momente kryesore:

Së pari, në zhvillimin e letërsisë në Kosovë, e cila zë fill që në vitet ’30 të shekullit të kaluar, kur dalin në skenë penat emblematike të Esat Mekulit dhe të Hivzi Sulejmanit. Më tej autori vazhdon me krijimtarinë e poetëve dhe të shkrimtarëve të tjerë, të cilët, edhe në kushtet e terrorit serb, asnjëherë nuk hoqën dorë nga krijimtaria letrare, duke e vlerësuar atë si një armë të fuqishme të identitetit kombëtar.

Së dyti, në zhvillimin e letërsisë arbëreshe, e cila përbën një faqe të ndritur në historinë e kulturës së kombit shqiptar. Domosdo që nuk mund të mos shpërthenin “sythet” e letërsisë artistike arbëreshe, qoftë në prozë, qoftë në poezi, përderisa atje jeton një popullsi prej 90 mijë frymësh që vazhdojnë të flasin gjuhën shqipe.

Së treti, në lindjen në diasporë të një letërsie në gjuhë të huaj, por me tema shqiptare.

Në faqen e internetit “Agjencioni Floripress” të datës 03 shkurt 2014, Flori kishte botur një shkrim me titull “Shkrimtaret e ekzilit” dhe përmendte konkretisht shkrimtaret Anilda Ibrahimi, Elvira Dones dhe Ornela Vorpsi, të cilat, siç thekson në këtë libër, përbëjnë treshen shqiptare të mërgimit në Itali, që i boton librat e veta në italisht, në shtëpitë botuese “Feltrinelli” dhe “Einaudi”. Ai përmend edhe zonjën Besa Myftiu që jeton në Zvicër dhe librat e veta i boton në Francë, në shtëpinë botuese “Fayard”. Asokohe, po më 03 shkurt 2014, unë pata botuar në internet një shënim me titull “Katër burbuqet e magjisë shqiptare”. Me këtë rast, dëshiroj të shtoj edhe një tjetër “burbuqe” të talentuar. Kjo është zonja Nimfa Hakani, e cila, siç e përmenda më lart, jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Karolinën e Veriut. Këtë vit, dhe konkretisht më 25 prill, ajo botoi një përmbledhje me tri novela, me titull “Under The Orange Tree” (Nën hijen e portokallit), me një vëllim prej 362 faqesh. Tematika e tri novelave ka për objekt fshatin shqiptar në jug të vendit, në periudhën midis dy luftërave botërore

Flori i rikthehet kritikës letrare me analizën e krijimtarisë së Gani Xhafollit, një krijues ky me një individualitet mjaft të spikatur në lëmin e poezisë për fëmijë, i cili u nda nga jeta më 15 qershor 2015, në moshën 73-vjeçare

Studimi kritik i Flori Bruqit pasurohet me një analizë të dialekteve të gjuhës shqipe, ku theksohet se dallimet mes tyre nuk janë të mëdha, me përjashtim të disa ndryshimeve në sistemin fonetik, në strukturën granmatikore dhe në leksik. Mandej ai e vazhdon analizën për shqipen e njësuar, duke u ndalur në parahistorinë e saj që prej shek. XVI-XVIII, në hartimin e fjalorëve të parë, në kontributin që dhanë shumë figura të shquara të Rilindjes Kombëtare para dhe pas shpalljes së pavarësisë, derisa u arrit në Konsultën Gjuhësore të Prishtinës të vitit 1968, e cila u mbështet në parimin “Një komb, një gjuhë, një flamur”, çka krijoi parakushtet për thirrjen e Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972, që hodhi themelet e shqipes së njësuar në mbarë trojet tona etnike.

Në këtë pjesë të librit u është lënë hapësirë edhe studimeve shkencore për gjuhën shqipe që janë kryer nga shkencëtarë të huaj dhe shqiptarë, edhe në kuadrin e lindjes së gjuhësisë historike-krahasuese.

Disa faqe të librit të vet, Flori ia ka kushtuar Nënë Terezës, e cila përfaqëson simbolin e ngrohtësisë shpirtërore dhe të humanizmit botëror. Prandaj figura e saj ka shërbyer si objekt frymëzimi për shumë personalitete të njohura të kulturës sonë kombëtare dhe të kulturës botërore.

Pas një paraqitjeje panoramike të krijimtarisë së poeteshës, dramaturges dhe prozatores Shqipe Hasani, Flori zbret përsëri në truallin e folklorit dhe konkretisht në atë të artit rapsodik të Dervish Shaqa Kosovës, të cilin, me shumë të drejtë, ai e quan “gjeneral të folklorit shqiptar”. Aq përcëllues ishte mesazhi i këngëve rapsodike të Dervish Shaqas për kolonizatorët serbë, saqë ata filluan përndjekjen e tij. Prandaj ai, në vitin 1956, u detyrua të zhvendosej në Shqipëri, në Rashbull, ku pati themeluar grupin e famshëm rapsodik që ka lënë gjurmë të thella në traditën e folklorit shqiptar.

Emocionuese janë faqet e librit, kushtuar njërit nga personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare, Mitrush Kutelit, ekonomistit mendjendritur dhe shkrimtarit erudit, poetit dhe përkthyesit me shije të hollë, të cilin diktatura komuniste e trajtoi si njerka fëmijën e gjetur. Dhe s’mund ta trajtonte ndryshe, sepse intelektualët me dije enciklopedike përbënin rrezik për përmbysjen e saj. Prekëse, deri në lëndim të shpirtit, është letra e fundit e Mitrush Kutelit. Përmbajtja e saj është tronditëse. Me atë letër, Kuteli, tërthorazi, zbulon një realitet tragjik të kohës së diktaturës, kur ai intelektual i madh ishte katandisur në një gjendje aq të rënduar shpirtërore.

Në “potpurinë letrare” Flori  Bruqi nuk mund të linte mënjanë artet e bukura. Prandaj ai i kushton disa faqe jetës dhe krijimtarisë së skulptorit mjaft të talentuar Agim Çavdarbasha, i cili është i njohur për hapjen e shumë ekspozitave jo vetëm në trojet amtare, por edhe në disa vende evropiane.

Me analizën e veprës së Odise Grillos, të simbolit të letërsisë shqipe për fëmijë, me vlerësimin e krijimtarisë së Esat Mekulit, si shkencëtar në fushën e veterinarisë, si poet me një talent origjinal, si përkthyes me një prodhimtari të jashtëzakonshme, si publicist dhe si një aktivist politiko-shoqëror, i cili zë një vend të veçantë në historinë e kulturës sonë mbarëkombëtare, me pasqyrimin e veprimtarisë së Enver Gjerqekut, poet, studiues, përkthyes dhe historian i letërisë, profesor i letërsisë shqipe në fakultetin filologjik të Universitetit të Prishtinës prej vitit 1962 deri në vitin 1995, mbyllet vepra në fjalë e Flori Bruqit.

Në parathënien e librit, autori ka bërë një analizë kritike të botës letrare shqiptare, me të mirat dhe me dobësitë e saj. Ai ka cituar shkëndijëza të fjalës së çmuar të figurave të tilla, si Ismail Kadare, Ridvan Dibra, Arian Leka, Fatos Kongoli, Visar Zhiti dhe Zija Çela, si edhe të personaliteteve të huaja të lëmit të kritikës letrare. Në këtë parathënie shpërfaqet krtitika letrare profesionale brenda këndvështrimit edhe të krijuesit, edhe të lexuesit. Si një kritik-profesionist, Flori Bruqi bie në sy për thellësinë e kujtesës letrare dhe për trajtimin estetik të artit të fjalës së shkruar, çka buron nga përgatitja e tij si një intelektual erudit, i papërsëritshëm në lëmin e shkencës së kritikës letrare. Prandaj sa herë që lexoj shënime kritike të Flori Bruqit, menjëherë më vjen ndër mend një thënie e bukur e Oskar Uajldit (Oscar Wilde – 1854-1900).

*****

Ndërsa libri , me titull "Triumfi shqiptar", i zotit Flori Bruqi, nxjerr në spikamë natyrën shumëdimensionale të krijimtarisë së këtij personaliteti të shquar të kulturës shqiptare. Në universin e kulturës shqiptare është i rrallë fakti që një krijues të dalë para lexuesve me autoritetin e admirueshëm të një shkrimtari, poeti, përkthyesi, publicisti, historiani, gjeografi, analisti dhe kritiku të talentuar.

 Tek lexon këtë vepër kaq interesante, që të rrëmben me tematikën e vet bukur të larmishme, nuk mund të mos ndiesh njëherazi kënaqësi dhe krenari për faktin që krijimtarinë e zotit Flori e përshkon tejendanë një frymë mahnitëse objektiviteti, humanizmi dhe optimizmi të pakundshoq.


Mes rreshtave të kësaj vepre nuk është vështirë të kapësh tiparin më themelor të formimit intelektual të zotit Flori - dashurinë e tij të pastër për tokën amtare, respektin e lakmueshëm për këdo që është atdhetar dhe që e do me shpirt punën, si burim mirëqenieje dhe begatie për të gjithë.

Albert Kamy (Camus - 1913-1960) thotë:“Asgjë tjetër nuk mund ta frymëzojë kaq shumë njeriun, sesa vetëdijësimi për gjendjen e tij të pashpresë”.

Duke pasur parasysh këto fjalë të qëlluara të Kamysë, mendoj se të gjithë ata shqiptarë që popullojnë mbarë trojet tona etnike në Evropën Juglindore dhe që janë të kapluar nga pak nga ndjenja meskiniteti, smire, xhelozie, inferioriteti dhe zvetënimi të shpirtit njerëzor, pra, nga “vetëdijësimi për gjendjen e tyre të pashpresë”, është mirë ta lexojnë, me durim, veprën e zotit Flori, se nuk do të mbeten të zhgënjyer, nëse do të jenë në gjendje të zbulojnë brenda qenies së tyre një çikëz frymë objektiviteti.

Kam bindjen se do të dalin të fituar, se vepra e zotit Flori shërben si melhem për qetësimin e shpirtrave që janë të infektuar nga mikrobi djallëzor i përçarjes njerëzore. Ne, shqiptarët, kemi dhënë dhe vazhdojmë të japim prova boll të dhimbshme të përçarjes kombëtare, çka e kemi paguar shtrenjtë - me copëtimin e trojeve tona etnike. Evropa na e ka njohur mirë dhe na e ka “yshtur” po aq mirë këtë mikrob të mallkuar, prandaj edhe trojet etnike na i bëri çarçaf. 

Vepra e zotit Flori duhet të lexohet me shumë vëmendje sidomos në Kosovë, në mënyrë që njerëzit e infektuar nga mikrobi i përçarjes t’i thërrasin mendjes dhe të heqin dorë një herë e mirë nga sulmet që ndërmarrin kundër njëri-tjetrit nëpër faqet e internetit, ca sulme publike këto, me një fjalor të padenjë për stilin e komunikimit njerëzor, por edhe më shumë të padenjë për një komunikim intelektual.

Më gëzon shpirti dhe ndiej një kënaqësi të jashtëzakonshme kur lexoj këtë vepër të zotit Flori Bruqi, që të mëson dhe të frymëzon që ta duash dhe ta respektosh njeriun, pra, ta duash dhe ta respektosh shqiptarin. Sepse në analizat e veta shkencore zoti Flori  Bruqi , tërthorazi, zbulon anët më humane të shpirtit njerëzor, ndikimin e tyre në plazmimin e vlerave krijuese dhe rolin që ato duhet të luajnë në shëndoshjen e shpirtit shqiptar me dashurinë e njeriut për njeriun.

Në gjykimin tim, mbarë krijimtaria e zotit Flori Bruqi, për tematikën e gjërë që trajton dhe për objektivitetin e analizave shkencore që shpalosen në të, mund të vlerësohet pa drojë si modeli i një enciklopedie të mendimit shqiptar.

Mes shkulmave të ngrohtësisë së një shpirti humanist

“Një kirurg i mirë e di se kur thika e tij është duke prekur nervin. Edhe një kritik i mirë e ndien po ashtu lëvizjen e penës së vet”. Bernard Shou .

Me librin e ri “Diademë letrare”, autori Flori Bruqi, i mirënjohur për krijimtarinë e tij të begatë në shumë fusha të dijes, vë në dorën e lexuesve një tjetër vepër interesante, në të cilën pasqyrohen ngjarje të vrragshme në jetën e kombit shqiptar, probleme të gjuhës shqipe, përsiatje në fushën e kritikës letrare, vlerësime mjaft të gjetura për veprimtarinë krijuese të autorëve të ndryshëm, nisur gjithmonë nga objektiviteti shkencor që është produkt i formimit të tij të admirueshëm intelektual.

Ai bën interpretime dhe shpreh këndvështrime për vepra letrare nga pikëpamja e aktualitetit, duke i lidhur ato me problemet e mprehta të jetës shoqërore dhe shpirtërore të popullit shqiptar dhe duke nxjerrë në pah tërthorazi edhe bindjet e veta si kritik, të mbështetura mbi një truall të shëndoshë kombëtar.

Tek po e lexoja me kureshti çdo faqe të këtij libri mjaft tërheqës, më erdhi ndër mend një shprehje e bukur e Oskar Uajldit (Oscar Fingal O’Flahertie Wills Wilde - 1854-1900), filozof, estet, shkrimtar dhe poet anglez me origjinë irlandeze, njëri nga dramaturgët më të njohur të periudhës së vonë viktoriane, i cili thoshte: “Kritika kërkon më shumë kulturë sesa krijimtaria”. Dhe me të vërtetë: vlerësimi kritik i krijimtarisë artistike kërkon formim të gjerë kulturor, i cili përfaqëson në vetvete një “fletëhyrje”, një “lejekalim” për çdo vepër letrare, që kjo të çajë drejt zemrës së lexuesve.

Prandaj  Prof.Dr.Flori Bruqi,Ph.D , me formimin e tij, si një intelektual erudit, nxjerr në pah dhe konfirmon parimet krijuese që përvijohen në veprat e shumë autorëve në botën e letrave shqipe, ushtron ndikim të ndjeshëm mbi procesin letrar, si edhe mbi kristalizimin e drejtpërdrejtë të vetëdijes shoqërore.


Vlerësimet e tij herë-herë mbartin një karakter Flori Bruqi publicistik, duke u pleksur me gazetarinë, si edhe një natyrë të mprehtë nga sfera politikës së ditës. Por ato, në të njëjtën kohë, janë të lidhura ngushtë edhe me shkenca të pranëndodhura (fqinjësore), si historia, gjuhësia dhe politologjia. Shumë interesante janë përsiatjet e autorit për letërsinë dhe për psikologjinë.

Aty ai ndalet në figurën e Frojdit, i cili njeriun e vë në qendër të psikanalizës. Në qendër të doktrinës psikanalistike frojdiane për njeriun, qëndron fakti se njeriu përfaqëson në vetvete një sistem energjetik. Sipas Frojdit, njeriu, në këmbënguljen e tij të padiskutueshme për kënaqësi, hyn në konflikt me shoqërinë dhe me qytetërimin.

Njerëzit, sipas tij, veprojnë në përputhje me parimin e kënaqësisë, me pikësynimin për t’i përmbushur dëshirat e veta pa kurrfarë kufizimi.
Duke ballafaquar Frojdin me Marksin në vlerësimin e individit, autori ndalet në atë që mund të quhet antropologjia filozofike e Marksit.

Të mirën dhe të keqen në natyrën e njeriut, dashurinë apo egoizmin, në dallim nga Frojdi, Marksi e shpjegon jo me vetë natyrën në fjalë, jo me ndonjë sistem energjetik, por me rrethanat shoqërore.

Këtë ai e shpjegon me faktin se njeriu apo individët i krijojnë vetë rrethanat shoqërore në ecurinë e zëvendësimit të breznive.

Mjaft interes ngjallin ballafaqimet që bën autori për gjuhën shqipe dhe sidomos për lashtësinë e saj, duke sjellë brenda thurimës së lëndës pikëpamjet e mjaft shkencëtarëve të shquar të albanologjisë, nga hapësirat evropiane dhe nga trojet amtare.

Atë e dëshpëron fakti që historianët, përgjithësisht, i trajtojnë kulturat që kanë krijuar popuj të ndryshëm të periudhave parahistorike apo historike, por kur është fjala për etni konkrete, ata ose flasin pak ose heshtin fare për popujt që i kanë krijuar qytetërimet përkatëse.

Duhet pranuar se historianët e huaj kanë heshtur qëllimisht për etninë shqiptare se lashtësia e saj ka ngjallur xhelozinë e tyre, veçanërisht lashtësia e gjuhës shqipe. 

Fakti që Plini Plaku (Gaius Plinius Secundus (23-79 e.r.), nartyralist i shquar romak, në veprën me titull “Naturalis Historiae” (Historia e Natyrës), në vëllimin VII, shkruan : “Ilirët (arbërit) kanë krijuar të parin Diademë letrare  alfabet dhe romakët shkrimin e tyre e morën nga ilirët”, fakti që, pas Plini Prakut, historiani i lashtë romak Apiani (Аппиано́с Александре́ус - 95-170), me prejardhje greke dhe që ka shkruar në greqishten e vjetër, autor i veprës “Historia e Romës”, ka përsëritur të njëjtën gjë, fakti që profesori hungarez Imre Toth, specialist i sllavistikës, në librin e vet kushtuar Kirilit dhe Metodit, dy krijuesve të alfabetit të sllavishtes së vjetër, thotë se, ndër burimet që ata shfrytëzuan për krijimin e alfabetit në fjalë, ishte edhe shkrimi i vjetër shqip, janë dëshmi të pastra se gjuha shqipe qëndron në themelin e të gjitha gjuhëve evropiane. Madje Engelsi, për Apianin, në veprën “Ludvig Fojerbahu dhe fundit i filozofisë klasike gjermane”,shkruan: “Nga historianët e lashtë, të cilët kanë përshkruar luftën që është zhvilluar në gjirin e Republikës Romake, vetëm Apiani është ai që na flet qartë dhe shkoqur…”. 

Një hapësirë boll të mjaftueshme në librin në fjalë autori ia ka kushtuar shkrimtarit racist serb Dobrica Qosiq, filozofisë së urrejtjes të të cilit ndaj kombit shqiptar ai ia ka çjerrë maskën me vet fjalët e këtij shovinisti të regjur, sipas të cilit, në raport me etninë shqiptare, populli serb na qenka, demek, populli më demokratik, më i civilizuar dhe më i arsimuar i Ballkanit!

Me ditarin e vet me titull “Koha e gjarpërinjve”, të cilin e pati shkruar në periudhën 21 mars 1999 - 1 janar 2000, Dobrica Qosiq, në qëndrimin racist ndaj etnisë shqiptare, zë kryet e vendit, përkrah kryeministrit serb të vitit 1913 Vladan Gjorgjeviç, shkrimtarit Ivo Andriç, akademikut Çubrilloviç, kryepeshkopit Pavle që prehet në аtë botë dhe kryepeshkopit të tanishëm Irinej, si edhe të shumë …viçëve të tjerë antishqiptarë. 

Por Flori Bruqi, me elegancën intelektuale që e karakterizon, është sqimatar në leksikun që përdor për të nxjerrë në pah mllefet e Qosiqit kundër popullit shqiptar të Kosovës, mllefe këto që, në të vërtetë, zbulojnë antivlerat e tij intelektuale.

 “Ekranizimi” që Flori i bën në këtë vepër racizmit të Qosiqit, më kujton një letër shumë interesante që shkrimtari i shquar francez Romen Rolan (1866-1944), laureat i Çmimit Nobel në vitin 1915 për veprën me titull “Për idealizmin e lartë të veprave letrare, për simpatinë dhe për dashurinë për të vërtetën”, ia dërgonte Flori Bruqi një kolegu të tij gjerman në vitin 1914, edhe ky laureat i Çmimit Nobel për vitin 1912. Shkak për atë letër ishte bërë sulmi i trupave gjermane kundër Belgjikës. Letra në fjalë i drejtohej dramaturgut të njohur Gerhart Hauptman
(1862- 1946) më 29 gusht 1914 dhe qe botuar më 2 shtator 1914 në“Journal de Geneve”. Në të ai shkruante: “Lufta është fryt i dobësisë së popujve dhe i budallallëkut të tyre…

Unë… e pashë se si trupat tuaja po shkelin neutralitetin e Belgjikës fisnike. Ky është një veprim i pandershëm që ngjall përbuzje në çdo vetëdije të ndershme dhe është pjesë e traditës politike të mbretërve tuaj prusianë”.

 Pra, Flori Bruqi, në analizën e kthjellët që i bën racizmit të Dobrica Qosiqit, hedh dritë mbi një traditë tashmë të konsoliduar gjatë një periudhe mbinjëshekullore të një racizmi mbarëkombëtar serb, të cilin vargani i mbretërve, njerëzit e letrave, bota akademike dhe politika e ushqyer prej tyre, ia kanë kultivuar mbarë kombit serb në çdo pore të tij.

Kësisoj Flori Bruqi, me një qetësi “patriciane”, e zhvlerëson tërësisht deklaratën butaforike të Qosiqit për popullin serb, si më “demokratiku”, më “i civilizuari” dhe më i “arsimuari” i gadishullit tonë! 

Me taktin e një kritiku gjakftohtë, Flori Bruqi i lë të kuptojë lexuesit se kombi serb dhe mbarë intelektualët që e përfaqësojnë, pa qenë nevoja të hyjë në mendësinë e kampeve politike që nuk ia vlen të hetohet, vuajnë nga një sëmundje mbarëkombëtare, siç është mungesa e së vërtetës, e cila, që në zanafillë të zbritjes së tribuve sllave drejt Ballkanit, u përzu dhunshëm për gjetiu, meqenëse vendin e saj e zunë mitet dhe legjendat që u sajuan pa pasur kurrfarë trualli konkret.

Dhe subvensionimi për krijimin e tyre nuk ka njohur kurrfarë kufijsh. Madje ky subvensionim, që para nje shekulli, arriti deri aty, saqë kryeministri Vladan Gjorgjeviçi, në vitin 1913, botoi librin me titull “Shqipëria dhe Fuqitë e Mëdha”, në të cilin shqiptarët i paraqit si njerëz me bisht që i kujtuakeshin pararendësit gjysmë të egër të lashtësisë.

Pikërisht ky libër, i mbushur me mite dhe me shpifje serbe, u qe servirur në tryezë përfaqësuesve të gjashtë Fuqive të Mëdha në Konferencën famëkeqe të Londrës të vitit 1913 që kishin mprehur thikat për copëtimin e trojeve etnike shqiptare. Diademë letrare .

 Me analizën e vet intelektuale, Flori Bruqi argumenton tërthorazi se e vërteta mbetet një e mërguar e përjetshme e Serbisë, sepse mitologjia dhe shpifografia janë shndërruar për të në “shpendë grabitqarë” që nuk e lënë t’u afrohet absolutisht hapësirave serbe. 

Madje kulti i mitologjisë dhe i shpifografisë serbe ka arritur deri në atë pikë, saqë kohët e fundit edheKardinali Ëallter Kasper, për të përditshmen katolike Kathpress, deklaroi se Vatikani nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës se Kosova na qenka “djepi” i kishës ortodokse serbe!

Kjo deklaratë e këtij përfaqësuesi të lartë të Vatikanit të bën të hamendësosh se ai ose është një klerik me formim të mangët intelektual, ose ka marrë përsipër rolin e tellallit të Serbisë.

Sepse siç dihet tashmë, politeizmi ilir filloi t’ia lëshonte vendin me kohë krishterimit, i cili, që me Ediktin e Milanos, në vitin 313, u shpall fe zyrtare, institucionale, shtetërore. Për më tepër, kisha katolike shqiptare në Dardani është përhapur që në shekullin e parë pas Krishtit, ndërkohë që sllavët zbritën në gadishullin tonë në shek. VII.

Kur cek problemin e së vërtetës, Dekarti thotë: “Për të gjetur të vërtetën, gjithsekush duhet që, të paktën, një herë në jetën e tij, të çlirohet nga paragjykimet e grumbulluara me kohë dhe ta ndërtojë krejtësisht nga fillimi sitemin e bindjeve të veta”. 

Me sa duket, kjo thënie e artë nuk gjen kurrfarë trualli në hapësirat serbe.
 Në librin e vet Flori Bruqi është ndalur posaçërisht në krijimtarinë e mjaft autorëve shqiptarë, në veprat e të cilëve, në njërën ose tjetrën mënyrë, gjen pasqyrim çështja kombëtare shqiptare, një çështje që vazhdon të përcjellë rënkatën e një shekulli të tërë për një padrejtësi të rëndë që i është bërë etnisë shqiptare, në pritje për të gjetur zgjidhjen e vet përfundimtare. 

Në analizat e tij del në pah Flori  Bruqi kritik dhe Flori artist, krijues.

 Por në rastin konkret, forca gjykuese, forca analizuese merr sipërinë mbi forcën krijuese. Çështjet me rëndësi jetësore, jeta me të fshehtat e saj, plagët e saj të hapura janë më afër organizimit mbresëlënës të botës së kritikut që mbështetet mbi truallin e shëndetshëm të organizimit krijues të artistit. 

Në analizat e Flori Bruqit  që burojnë nga honet një shpirti të ngrohtë mes shkulmash dashamirësie për kolegët e tij krijues, qoftë caqet e një kritike thjesht estetike që përmblidhen Flori Bruqi  në kërkesën për një interpretim dhe takt poetik, qoftë caqet e kritikës historike, vijnë e përcaktohen nga ndjenja e fuqishme e atdhedashurisë.

Në vlerësimet e tij kritike kapen lehtë zërat e gjallë të jetës shqiptare në një përthyerje artistike, zbulohen të fshehtat e mëdha të shpirtit shqiptar dhe të organizimit të tij të brendshëm.

Në këtë mënyrë, në analizat kritike të Flori Bruqit, vetë jeta shqiptare përvijohet para lexuesit si një përndritje hyjnore.

 Në penën e Flori Bruqit , arti dhe kritika përbëjnë një tërësi organike në të kuptuarit e ideales.

Me këtë vepër, Flori Bruqi  ka ngritur një panteon amfiteatror në nderim të shumë figurave të nderuara të letrave shqipe, mes të cilave nuk mund të rri pa përmendur disidentin e shquar, poetin martir Havzi Nela, gurrës poetike të të cilit ia mbylli grykën litari i kriminelëve komunistë, pikërisht atëherë kur sistemi i tyre ishte në grahmat e fundit.


(Autori  Prof.Dr. Eshref Ymeri, është  anëtar i  Akademisë së Shkencave dhe Arteve Shqiptaro-Amerikane) 

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...