MAG LawyersShtabi i Brigades 'Agim ramadani'
Beteja e Kosharës dhe luftimet e atyre ditëve atje, kanë hyrë në pjesën më të lavdishme të historisë së Kosovës.
Sot, 18 vjet më pas, kujtohen dëshmorët e asaj vije të frontit, shumë prej tyre të rinj dhe ushtarakë të përgatitur, të ardhur nga mërgimi. Ata u mblodhën në Brigadën 138 të drejtuar nga komandanti Agim Ramadani. Ajo brigadë kishte disa njësi të drejtuar nga eprorë të përgatitur.
Ndër ta, ishte Musa Gjakova, epror, Komandant i Njësitit të Xhenios, Komandant i stafit komandues, në kuadër të Brigadës 138 “Agim Ramadani”. Ai ishte oficer karriere, i cili kishte ardhur nga Sllovenia për t’iu bashkuar UÇK-së, që nga qershori i vitit 1998.
Në një rrëfim për Radio Kosovën, Musa Gjakova tregon se në Kosovë kishte hyrë bashkë me 24 eprorë ushtarakë, të cilit ishin përgatitur në vende tjera. Fillmisht me një angazhim në zonën Operative të Dukagjinit e pastaj në Koshare.
“Veprimtaria ime në Dukagjin ishte në fillim të organizimit të luftës në Zonën Operative të Dukagjinit ku komandant ishte Ramush Haradinaj. Unë isha komandant i Brigadës së II ‘Myrtë Zeneli’, zonën e përgjegjësisë e kisha në Dushkajë. Në ofensivën e shtatorit armiku arriti të shpërndajë njësitet, por Zona e Dukagjinit asnjëherë nuk u shua. Mbetëm UÇK e pastaj filluam përsëri një riorganizim, ku rezistenca ishte e paparë, edhe pse kishim humbje. Dhe me atë rast unë kalova kufirin në Vlahën, me detyrë, me urdhër të Ramush Haradinjat, për organizimin dhe bartjen e armatimit, për të cilin kishim shumë nevojë. E atje u bashkova rastësisht me kolegë të mi dhe aty fillon historia ime me Kosharen”, thotë Gjakova.
Në Koshare, në takimin me ushtarët të cilët po bëheshin gati për një formacion më të madh ushtarak, për t’u shndërruar më vonë në Brigadën 138, ai ishte befasuar, kur ishte marrë në pyetje nga Agim Ramadani për situatën në Kosovë.
“ Unë isha përqendruar më shumë rreth situatës. Në qendrën stërvitore në Papaj kishim filluar. Më pranoi mua Agim Ramadani, edhepse njiheshim më herët. Një intervistë, diku rreth 3 orë, për krejt situatën në Kosovë. E mua më bëri përshtypje se ajo bisedë ishte shumë zyrtare ndonëse ne ishim shokë dhe shpesh e ndërprisja duke i thënë ‘hej, çfarë ke o djalë?’. Por, ai ishte epror, i cili dinte të konsumonte të dhëna dhe t’i orientonte në vendin e duhur. Atij i shërbente çdo informacion në planin për thyerjen e kufirit, edhe pse ishte shumë mirë i informuar”, tregon Gjakova.
Ai tregon se ato ditë ishte një mobilizim intesiv dhe zhvilloheshin trajnime, përgatitje e kompletim i njësiteve ushtarake. Po krijohej një strukturë e tërë që nevojitej për thyrjen e kufirit. Ai tregon gjithashtu se hapësira brenda Kosovës vëzhgohej 24 orë, për të marrë sa më shumë të dhëna për lëvizjet e armikut.
Gjakova e kujton me ndjenja të përziera 9 Prillin, “Ditën D”, siç e quan ai.
“Urdhri është kumtuar në mëngjes, në datën 8 prill. Ushtarët nuk e kanë ditur deri atëherë. Ne eprorët nuk kishim fjetur fare. Ishte një krenari e përzier me shumë emocion, edhepse kishim një plan të menduar mirë, deri në thellësi prej 6 km në brendi të Kosovës. Më tutje jo. Do të shikonim e vendoisnim sipas rrjedhës së zhvillimeve. Pas alarmit, me rreshtimin që u bë aty, ishte një ndjenjë e papërshkrueshme, sepse po bënim një hap në historinë tonë. Më bënte shumë të fortë vullneti I ushtarëve që kishin, disiplina e tyre, përgatitja e mirë e tyre. Dhe kjo u tregua ditën e parë, më 9 prill se ne korrëm sukses”, tregon Gjakova.
Brigada 138, në krye me komandantin Agim Ramadanin, kishte arritur ta thente kufirin me vetëm 136 ushtarë në njësitë e veta. Njësiti i Xhenios, i drejtuar nga komandanti Musa Gjakova, ishte i përqendruar në zonën kufitare, në drejtim të Batushës, dhe kishte arritur të hynte thellë brenda territorit të Kosovës.
Gjatë luftimeve të ashpëra të atyre ditëve, forcat serbe po ndërmerrnin ofensiva të mëdha për ta rimarrë Kosharen. Në ato luftime ishin vrarë e plagosur shumë pjesëtarë të UCK-së. Ndër të tjerë, Musa Gjakova veçon humbjen e Driton Veliut dhe 6 ushtarëve të tjerë, të cilët kishin hyrë në një fyt të ngushtë për ta tërhequr njësitin e Gjakovës nga Batusha, ku ishte rrethuar nga forcat e armikut.
“Dritoni nuk ishte pjesëtar i Njësitit tim. Ai ishte një djalë nga Polaci i Drenicës, ishte në policinë ushtarake. Më 9 prill, njësiti im kishte depërtuar në thellësi, gati në Batushë, dhe vlerësimi i qendrës, i komandës, ishte se unë isha i rrethuar dhe nuk kisha komunikim me qendrën, për shkak të konfiguracionit të terrenit. Atje ishte organizuar një skuadër që të vinte dhe të më tërhiqte. Ajo duhej të depërtonte dy rrathë të armikut. Kishte ardhur Dritoni, bashkë me 6 ushtarë të tjerë, që të na tërhiqnin dhe të ktheheshim në qendër. Dhe i them që të kthehet me urdhër, siç ka ardhur… Por, ai më shikoi dhe më tha: ‘Komandant, a mund ta thej urdhrin… Unë me ju mbetem derisa nuk tërhiqemi së bashku’. Më 9 prill, Dritoni vritet. Nga e njëjta predhë unë plagosem, kurse ai ndërron jetë me një shikim…”.
Emocioni për Dritonin e mbush me vaj dhe ia ndërpret rrëfimin Musa Gjakovës.
Ai i kujton me dhembje humbjet që kishin pësuar më 11 prill, në një ofensivë të forcave serbe, të organizuar në shenjë hakmarrjeje.
“Ajo ditë e 11 prillit ka qenë shumë e vështirë. Kemi pasur humbje të mëdha… Atë ditë, më 11 prill, vritet edhe Agimi (Agim Ramadani)”, tregon Gjakova.
Ai tregon se në radhët e forcave të armikut ka pasur edhe mercenarë rusë dhe pjesëtarë të njësive elite, që përpiqeshin ta rimerrnin me çdo kusht pikën e Koshares. Por, nuk ia kanë dalë, me gjithë humbjet e mëdha që kanë pësuar pjesëtarë të Brigadës 138 Agim Ramadani.
Ushtarët dhe eprorët e plagosur më 11 prill ishin dërguar për trajtim në spitalin e Bajram Currit, e më pas edhe në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Edhe pse me kushte shumë të dobëta të trajtimit mjekësor, Musa Gjakova është mirënjohës gjithmonë për gatishmërinë e personelit mjekësor të Shqipërisë, që të trajtonin të plagosurit që dërgoheshin nga frontet e luftës.
Ai tregon se për rënien e Agim Ramadanit kishte mësuar derisa po trajtohej në Spitalin Ushtarak të Tiranës.
“Vinin ushtarët të më vizitonin. E shihja shqetësimin e tyre, por nuk dija gjë për vrasjen e Agimit… Të nesërmën hyn në dhomë një grua dhe më drejtohet mua me emër e mbiemër. Më tha se ishte gruaja e Agimit. Në atë moment e pyeta menjëherë se çfarë kishte ndodhur me Agimin. Më tha se Agimi ishte vrarë. Ajo na jepte kurajo dhe kishte qëndrim të cilin e admiroja, se si ajo e duronte atë humbje të madhe për të, por edhe për një njeri të madh të Kosovës”, thotë ai.
Musa Gjakova thotë se vrasja e Agim Ramadanit ishte një humbje e madhe. Ai i kujton me nostalgji çastet që i kishte kaluar bashkë me Agimin.
“Mua më lidhi më shumë me Agimin hyrja në Kosovë me grupin e eprorëve, më 1998. Unë isha në njësitin e Rrustem Berishës, Agimi e kishte njësitin e vet, Tahiri e kishte të tijin. Do të thotë ishim bërë gati me strukturën bërthamë për të hyrë në Hoxhaj, një fshat kufitar në afërsi me Kosovën”, tregon ai.
Musa Gjakova e kujton me shumë nostalgji një prej momenteve me humor.
“Një detaj do të më kujtohet gjithmonë. Unë e kisha marrë një letër nga familja… dhe unë po bëja përpjekje për ta mbyllur një çantë me libra dhe një tjetër me armatim. Dhe Agimi, si më shaka, po i thotë Rrustemit: ‘Musa po mendon me hapë një akademi në Kosovë’…”, kujton ai.
(Hyrë Tejeci, RTK)