Nga : Fatime Kulli
“…se zgjohem Ëndërroj”, poezi bashkëkohore, moderne
Duke lexuar poezinë e Miradije Maliqit, unë vërej gjendjen e patosit atdhetar e shpirtëror në kalimin e aktit poetik. Përdorimi i shprehjes poetike të autores me eksperiencë të gjatë në fushën e letrave, në këtë libër me poezi është impresionues, ku struktura e gjuhës poetike është e admirueshme në aspektin shoqëror e profesional. Ajo fuqizohet me aktin e gjendjes fizike dhe në lëvizje, dhe mendimin e menduar mirë, autorja i përdor me maturi e kujdes, si një akt urë-lidhjeje në logjikën poetike.
Të lexosh dhe ndjesh vargun elegant, veshur me stilime artistike, edhe pse i rënduar shpirtërisht, gjen subjektin më jetëdhënës në kreativitetin e ndjesisë lëvizëse, ëndrrën, “…se zgjohem Ëndërroj” që është edhe titulli i librit me poezi, i autores të mirënjohur, Miradije Maliqi, pushtohesh nën pushtetin e ëndrrave poetike të poetes, e pse jo, edhe të ëndrrave të parealizuar, të frikshme dhe të bukura, ku koshienca përplaset me inkoshencën, poetja vë në qendër të vëmendjes krijuese ndjesinë më kryesore, Atdheun dhe Kombin.
Pikërisht, në poezinë e parë që hap siparin me shpërthim shpirti prej poeteje, ulërin si një rilindëse e shekullit XXI: “Atdhe! -Mblidhi copat e tua/Burrërohu!
Dhe poetja udhëton nëpër kapilaret e dhimbjes në Gostivarin e viteve ‘’97, me “Vargu i gjatë i ëndrrave të mia/U fsheh pas qiellit të plagosur/Kur numëroheshin varret/Dhe koha heshte…”
Kur koha e ëndrrave të këqija heshtte, poetja nuk hesht, ajo kërkon të zgjohet, të komunikojë me Dardaninë: “Më dehe në sofrën e folesë /Me aromën e gjakut Shqip. /Erdha të të pyes/për plagën që kullon/ Për birin, për vëllaun, mikun që mungon.
……
Mbi plagët e tua, të përkulem, të falem, të bekoj/Për gjakun, për fisin, për trungun tonë.”
Pas nderimit që poetja i bën dheut amë, duke dashur të mjekoj plagët e tij me pakëz dashuri, shprehet: “Me ty, sy më sy të shihem pas kaq vite malli /Për tokën, për shqipen, për fjalën.”Dhe me fjalën e poetes udhëtojmë nëpër faqet e poezive që na imponojmë t’i lexojmë me dëshirë.
Simbolikat e dritë-shuarjes, përballë shpirtit të poetes (nënë) që lëngon, i jep poezisë madhështinë e artit delikat, por me gjuhën e amshimit e të dashurisë amësore, ndaj bijës së saj…., duke formuar portretin e gjallë plotë dritë, e herë piktura me dritë-hije, që kërkojnë kthjelltësinë e brendshme të njeriut…të nënës poete gjatë komunikimit me vajzën: “Dhemb shpirti i nënës”
Bijë, /lërmë të tradhtoj forcën prej nëneje/të mbledh hirin tim/n’peshore të mallit kryeneç/ ti… Zgjate dorën… zgjate…/mbulomë me durimin tënd/prej bije”
….
E ç’është bota kur dhemb/shpirti i nënës???
Kësaj pyetje poetike (që realisht ndodh në jetët njerëzore, siç ka ndodhur me nënën poete), vështirë t’i kthesh një përgjigje… por poetja Maliqi, me qetësinë që e karakterizon edhe në jetën e përditshme, vazhdon të rrëfejë në vargje dhe lexuesit i duket sikur sheh sekuenca të ndonjë filmi dramatik…
“Kur ike /koha shkëputi kornizën/deti e përpiu diellin/sekondat, minutat, orët/ mbetën në hapësirë…”/ Ti more sytë dhe ike/si guri nën ujë.” Poezia “Si guri nën ujë” fq.60
Dhe shqisat e poetes, “Në buzët e pritjes” e rënduar poetikisht, ndjen “Një mall që djeg” kur “ Kur klithin mëngjeset” vendosë si një mjeshtre e artit poetik, “Të qëndisë dhimbjen” që “askush mos ta dijë/ askujt, asnjë fjalë/sa bukur qëndis dhembjen…” pra, këto simbole poetike, dalë nga thellësia e shpirtit të poetes, tregojnë më së miri, botën e pasur të gruas intelektuale poete, që na mahnit me këtë qetësi poetike, ku dhe lotin e bën buzëqeshje dhe errësirën e bën dritë.
Poetja Maliqi lëviz nga poezia në poezi, nga gjendja në gjendje, në shtratin e qëndrueshëm estetik e artistik të poezisë, në tre akse letrare: Subjekti (që është ëndrra), mendimi në poezi dhe stili që e bën të dallueshme këtë poete nga të tjerat.
Në vazhdim të leximit hasim lirika me ndjeshmëri të hollë, pikante, vargjet lirike që poetja i ngjyen me penelin e shpirtit. , ka një episod poetik shumë interesant, ku poetja si një aktore e mirë e gjendjeve poetike, drejtohet kah “Pasqyrë e thyer” dhe me një akt shfajësues para saj, luan me fjalët, “Ti nuk ishe si dhembjet e tjera, që m’i morën vitet/ nuk kërkove stinët e pafjetura” dhe në vargun e fundit të poezisë, kalon në një gjendje akuzuese, “vrave vetëm trishtimin e syve të mi!” (Poezia “Pasqyrë e thyer” fq.47)
Pasi largohet nga “pasqyra e thyer” merr rrugën poetike “Me hapin e lehtë”, poetja “Rrokulliset nëpër kohë…”
“Koha më rrëshqet përmes gishtave…/Unë shikim kthej nga qielli/të kërkoj ngjyrën e bebëzave/por asgjë nuk mbeti…/ as frymë në ajër/as pamje në erë/as valë zëri/Rrokullisem nëpër kohë…/Errësira e vërtetë do të fillojë/kur të agojë dita…” (fq.70)
Duke pritur agimin e ditës, poetja pyet, sigurisht, lexuesin e vëmendshëm: “Si ta shëroj vetminë?”
“Jam fshehur nëpër rrëmuja /jam dehur me të panjohurën /jam lodhur me sajesa detyrash të reja për veten /kam provuar të iki, sa më larg nga ti/por ti gjithnjë je aty.. . si hije/…imazhi, që ma trullos të tashmen/ më trego, si ta shëroj vetminë? (fq.)
Kjo gjendje poetike mbart mbi supe shumë ngarkesa emocionale, është dashuria, dhimbje e thellë, e pamëshirshme, ku poetja di të dalë mirë nga situata të tilla me vargje të ftohta dhe siguri të plotë tek vetja, dhe derdhet hijshëm: “Mbi supin e tij”, aty ku “Dita lëshohet ngadalë/yjet nuk ndizen, terri i përpin…./ Gjithçka do nisë nga e para/frikës së marrë i sjell qetësi/t’i mbyll sytë, të marrë frymë thellë/të mbështesë kokën në supin e tij.” (fq.64)
Duke i kërkuar “Më përkund ëndrrёn” (fq.68) që vjen si ndjesi mendimi për dashurinë, poetja i drejtohet ëndrrës, “Ma zgjat dorën”. Më thuaj, “Cila plagë të solli të futesh mes kësaj heshtjeje/… Cila plagë të solli/’jep ëndje për jetën/ më shuan, më ringjall, më përkund natën/ më thua të shenjtat, të harruarat, të pathënat fjalë…./ Mor, po cila plagë të solli që thyen heshtjen / mbretërinë time besnike/ ma zgjat dorën, të përbuz, të shenjtëroj”. (fq.69)
Pas “shenjtërimit” që i bën poetja dhimbjes, që përjetohet nga dashuria njerëzore dhe humbjes së saj, ndryshon komplet gjendjen e leximit e atmosferën tek poezia e fundit e librit, “Kape ditën tënde”(fq. 98) (që për mua ka strukturën e një poeme të mirëfilltë).
“…se zgjohem Ëndërroj”, herë fluturon mendimi, herë përpëlitet në kthetrat e ndjenjës e herë qëndron stoike në karakterin e poezisë, të UNIT poetik të autores M.Maliqi. Mendimet poetike i lënë vend njëra tjetrës, ashtu si ëndrrat që vinë e ikin… herë si dallgë mjegullore, herë si dallgë të qeta e herë të rrëmbyera… duke lënë pas, poezinë e mirëfilltë plot emocione nga kjo autore, ku lexuesi (ashtu sikurse unë) ndjen dhimbje, shpresë, lëndim, dhe me vetëdije, bëhem personazhi i kësaj poezie, që kam bindjen, se hynë nën lëkurën e çdo nëne, e çdo gruaje, e çdo njeriu lexues.
“…se zgjohem ëndërroj”, i poetes Miradije Maliqi, është një vlerë e shtuar në poezinë shqipe. Ky libër plotëson të gjitha kriteret estetike, artistike për të qenë një libër me poezi bashkëkohore, moderne.