2017-07-05

LUFTË PËR JETË A VDEKJE

Dokumenti sekret i Byrosë Politike: më 14 korrik ’90. Akuza Vatikanit se kishte agjenturë në Shkodër. Frika e regjimit nga përhapja e revoltës të nisur në kryeqytet dhe që u pasua nga ajo e Kavajës

Mbajtur në mbledhjen e Byrosë Politike të KQ të Partisë

Më 14 korrik 1990

Byroja Politike, në mbledhjen e datës 14 korrik 1990, mori në shqyrtim këtë çështje:

1. “Analizë për ngjarjet e 2 korrikut dhe të Kavajës e disa konkluzione për punën e Partisë”.

Në mbledhje marrin pjesë anëtarët e kandidatët e Byrosë Politike të KQ të Partisë, shokët: Ramiz Alia, Adil Çarçani, Besnik Bekteshi, Hekuran Isai, Lenka Çuko, Muho Asllani, Pali Miska, Simon Stefani, Xhelil Gjoni, Hajredin Çeliku, Pirro Kondi, Qirjako Mihali, Kiço Mustaqi, Llambi Gegprifti, Niko Gjyzari, Xhemal Dymylja.

Mbledhjen e Byrosë Politike e drejton shoku Ramiz Alia, Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë.

Zhvillimi i mbledhjes

Shoku Ramiz Alia: Në këtë mbledhje, shokë, mendoj të shkëmbejmë mendime lidhur me ngjarjet e kohëve të fundit e sidomos të datës 2 korrik kur u futën në ambasadat e huaja rreth 4700 veta. Ngjarja e 2 korrikut i zuri në befasi organizmat tona dhe pas saj u krijua një situatë e rëndë.

Në një pushim ndërmjet seancave të Plenumit të 11-të të Komitetit Qendror, Presidiumi i Kuvendit Popullor nxori dekretin për pajisjen me pasaporta për jashtë të të gjithë atyre që u futën nëpër ambasada. Para dy ditësh, siç e dini, u bë evakuimi i plotë i tyre.

Mbrëmë janë larguar ata që u strehuan në ambasadën hungareze dhe sot ikin të fundit, ata që gjenden në ambasadën turke.

E rëndësishme është se rreth 4400 veta prej tyre ishin të zënë në punë, pra jo si shpifin disa që thonë se kanë ikur të papunët. Veç fëmijëve, 20 përqind janë gra, ky është një veprim tepër i ulët. Nga pikëpamja e nivelit arsimor me shkollë të lartë ishin relativisht pak, rreth 70-80 veta, por edhe këta janë tipa pa karakter.

Në këto ngjarje, padyshim, pasqyrohet puna e dobët e organeve të punëve të brendshme, veçanërisht e Sigurimit të Shtetit, të cilat u zunë në befasi, si dhe puna e dobët e Komitetit të Partisë të Rrethit të Tiranës. Është e çuditshme që organet tona emrat e atyre që ishin futur në ambasada nuk i dinin, kështu që u detyruan t’i merrnin nga kërkesat për pasaportat!

Jam i bindur se edhe sot e kësaj dite qendrat e punës nuk dinë se kush u është futur në ambasada. Kur këtu në Tiranë administratat e ndërmarrjeve nuk njohin mirë punëtorët e tyre dhe nuk dinë kë paguajnë, merrni me mend se ç’mund të bëhet me ndërmarrjet që kanë punëtorë sezonalë si në sharrat e Pukës, në Vermosh, në Bushtricë apo gjetkë?!

Organizata e Partisë e Tiranës nuk e tregoi veten në nivelin e duhur, nuk tregoi militantizëm, nuk ishte në rolin udhëheqës, ndërsa komunistët e Tiranës u tulatën. Duhej të organizonim dje mitingun që të ngrihej morali i tyre, se në përgjithësi morali i njerëzve, por dhe i komunistëve kishte rënë shumë. Natyrisht, pas ngjarjeve të 2 korrikut u bënë disa përpjekje, u ngritën disa njësi a detashmente, siç u quajtën, për të forcuar vigjilencën. Mirëpo duhet patur parasysh se në Tiranë militojnë 25 mijë komunistë, por forca e tyre nuk u ndie fare, përkundrazi, dominonin parullat e armikut, të reaksionit të kolonës së pestë, që janë nga më ekstravagantet.

Në ngjarjet e 2 korrikut ka patur ndikim edhe veprimtaria armiqësore e huliganëve të rretheve të tjera. U bënë tentativë për të hyrë në ambasada ose për të bërë ndonjë rrëmujë nga grupe huliganësh që erdhën nga Shkodra apo nga Durrësi. Forcat e policisë janë detyruar t’i largojnë.

Ngjarje të shëmtuara kanë ndodhur edhe në Kavajë, ku gjendja mund të themi edhe sot e kësaj dite është e rëndë. Veç faktit që atje ka një fermentim armiqësor, ndodhi dhe një ngjarje shumë e hidhur: u vra një njeri kur forcat e Policisë e të Sigurimit vajtën me “teorinë e krehjes”. Kanë dalë në skenë dhe teori tani. Dhe “krehën” bukur! Vrasja e këtij njeriu shkaktoi turbullim në tërë qytetin. U lëshuan njerëzit e thyen tërë xhamat e vitrinave të qytetit. Jo vetëm kaq, por të nesërmen në varrim morën pjesë mijëra vetë. Kjo mori njerëzish, e irrituar me t’u kthyer nga varrimi dogjën makinën e Sekretarit të parë të Komitetit të Partisë të Rajonit të Kavajës. Kavaja faktikisht ishte në duart e tyre. Dhamë urdhër që të mos ndërhynte policia se me ato nerva të tendosura e atë irritim nga të dyja palët çdo gjë mund të ndodhte.

Komunistët e Kavajës nuk u ndien fare. Parullat që u hodhën ishin nga më reaksionarët, më armiqësoret kundër Partisë e pushtetit si “Enver-Hitler”, “Muho Asllani-Sllobodan”, “Hekuran-Sllobodan”.

Natyrisht, ne dërguam forca ushtarake në Kavajë të gatshme për çdo eventualitet, por urdhëruam të qëndronin brenda në gazermë dhe ato në fakt, nuk bënë asnjë veprim. Megjithatë, situata në Kavajë vazhdon të mos jetë e mirë. Elementët e këqinj tani dalin në rrugë e gjuajnë me gurë dhe para vetes vënë gratë e fëmijët për t’u mbrojtur. Te vendi ku ndodhi vrasja vendosin lule çdo ditë.

Ngjarja e fundit e Kavajës nuk është e re. Gjatë 3-4 muajve të fundit janë përsëritur ngjarje të tilla. Shoku Muho është paralajmëruar të ketë kujdes. Të paktën, 2-3 herë e kam thirrur unë. Pavarësisht nga kjo, duke qenë se ngjarjet ishin të rënda ai duhet t’u kishte kushtuar më tepër vëmendje. Mirëpo shoku Muho vazhdon të punojë me metodën dhe stilin e vjetër, nuk përdor dialogun e debatin, por vazhdon të japë urdhëra e komanda. Në Kavajë, është krijuar një situatë e papëlqyeshme. Ta themi hapur, kavajasit nuk e shohin dot me sy Muho Asllanin. Deri tani Komiteti i Partisë i Rrethit nuk ka marrë asnjë masë për të qetësuar situatën në Kavajë. Sot, unë kam dërguar në Kavajë shokun Foto, kjo jo për të bërë mbledhje me njerëzit, por për të parë nga afër gjendjen e për të ndihmuar. Agron Tafa, për mendimin tim, duhet hequr si Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së Rajonit të Kavajës. Ne gabuam, ta themi hapur, që nga kryetar dege e vumë sekretar partie, por morëm parasysh ndërhyrjet e konsideratat e mira për të, të shokut Muho e të shokut Hekuran. Shokë të mirë e të aftë ka plot, por duhet t’i dojë dhe populli, por populli nuk e donte Agron Tafën. Ai mund të punonte shumë mirë në një vend tjetër, por nuk ishte për sekretar partie në Kavajë.

Para se të futem në disa gjëra konkrete dua të theksoj, megjithëse fola dhe nq Plenumin e 11-të të KQ, se sot zhvillohet një luftë e rreptë për jetë a vdekje midis pushtetit popullor e socializmit, nga njëra anë dhe reaksionit botëror nga ana tjetër, i cili kërkon shkatërrimin e pushtetit popullor, zhdukjen e socializmit, eliminimin e komunistëve. Kjo duhet kuptuar mirë nga të gjithë ne. Ne luftojmë për të forcuar pozitat e pushtetit popullor, pozitat e socializmit, për të forcuar e për të shtuar fitoret e revolucionit. Rruga për t’i arritur këto që përmenda e për të forcuar pozitat e lirisë e të pavarësisë së Atdheut është ajo rrugë që kemi përcaktuar nëpër plenumet e ndryshme të KQ, domethënë rruga nëpërmjet demokratizimit të mëtejshëm të jetës së vendit e të Partisë, nëpërmjet forcimit të lidhjeve të Partisë me masat, nxitjes së iniciativës dhe rritjes së rolit të tyre, shkatërrimit të çdo pengese burokratike që pengon iniciativën e masave dhe frenon zhvillimin e vendit.

Këto ne i kemi sintetizuar në reformën ekonomike, në ligjet e ndryshme, në forcimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve shoqërore, në fushën e politikës së jashtme etj. Askush nuk duhet të mendojë se këto janë veprime taktike për t’ia hedhur ndokujt, por duhet të kuptojmë që janë masa, korrigjime, plotësime, rregullime e krijime për të forcuar pozitat e socializmit, të pushtetit të popullit. Pa këto masa nuk mund të zhvillohet ekonomia, nuk mund të forcohet liria dhe pavarësia, nuk mund të shkojë përpara socializmi.

Kjo është pozita dhe vija jonë. Kundër kësaj vije e kundër këtyre pozitave lufton armiku, veçanërisht armiku i jashtëm. Armiku lufton me parulla të njëjta me tonat. “Për demokraci”, “Për liri të individit”, “Për pluralizëm politik” etj. Por, nëse synimi ynë është të forcojmë pushtetin e popullit, synimi i armiqve është të likuidojnë pushtetin popullor, të likuidojnë socializmin, të zhdukin komunistët. Parrullat e tyre “Të demokratizojmë jetën”, “Të pluralizojmë veprimtarinë politike”, “Të zhvillojmë tregun, pronën private, kapitalet e huaja”, “Të zhvillojmë fenë”, kanë për qëllim të zhdukin pushtetin popullor dhe socializmin. Këtë të mos e harrojmë. Pse e them këtë? Sepse ka shumë njerëz te ne që kanë rënë e po bien viktimë e propagandës së armiqve. Jo rastësisht dëgjohen fjalët: “Pse nuk marrim kredi”? Po cili vend i ka hapur kasafortat dhe vetëm të zgjatësh dorën të marrësh para? Këta njerëz e të tjerë, nuk e kuptojnë që qëllimi i reaksionit është më larg – krijimi i shoqërive private në Shqipëri. Por dhe për këtë pyesin: “Pse nuk krijohet kapitali privat në Shqipëri?” T’i hapet rruga kapitalit privat do të thotë të zhduket pavarësia dhe socializmi në Shqipëri!

“Pse nuk eksportojmë fuqi punëtore?” Është një parullë tjetër. Po cili shtet ka kërkuar fuqi punëtore? Askush. Atëherë pse e ngrenë këtë çështje? Qëllimi është i qartë: të diskretitojnë socializmin, të largojnë njerëzit nga rruga e drejtë, t’i vënë kundër pushtetit.

Këta njerëz nuk e kuptojnë se parullat për “demokracinë, për lirinë e individit ose për pluralizmin”, kanë synim të zhdukin Partinë, të zhdukin komunistët.

A nuk mjaftojnë disa shembuj, shokë që t’i kemi parasysh?

A ka komunistë që i kanë bërë shërbime më të mëdha imperializmit se komunistët jugosllavë? Nuk ka. Por çfarë po ndodh sot? Edhe ata imperializmi po i heq nga pushteti, po i zhduk. Çfarë bën imperializmi.

Si mendoni, a ta caktojmë në ndonjë nga komitetet e Partisë së rajoneve të Tiranës për propagandën? Sidoqoftë ta diskutojmë këtë.

Shoku Pali Miska: Më mirë le të qëndrojë në Tiranë.

Shoku Ramiz Alia: Kam marrë dhe mendimin e shokëve që Mehmet Elezin mund ta çojmë Sekretar Partie në Vlorë për çështjet e propagandës. Këta shokë janë të rinj, prandaj është mirë që të kaliten me punën e Partisë. Atij nuk i kam thënë ende asgjë, por jam i mendjes që tani nuk ka kohë për më shumë biseda. Çështja është që secili duhet të bëjë punën e Partisë, të shkojë ku ta çojë Partia, sot lipset tjetër militantizëm, ky është mendimi im, por sidoqoftë shokët le të shprehin mendime.

Jam i mendimit që të dy zv/ministrat e Punëve të Brendshme, Zylyftar Ramizi dhe Ilir Mustafaraj, të shkarkohen nga detyra. Qeveria le t’i vendosë pastaj ku ta shohë të arsyeshme.

Zylyftari kishte Sigurimin në dorë, apo jo Simon (Shoku Simon pohon). Çfarë na dha Sigurimi? Ilir Mustafaraj kishte tërë policinë në dorë. Policia jo vetëm që nuk e tregoi veten në ngjarjet e fundit, por tani na rezulton që policët kanë marrë para për të futur njerëz nëpër ambasada. Çfarë kontrolli kishte mbi policinë?

Koha nuk pret për masa gjysmake. Sidoqoftë ky është mendimi im dhe po e shtroj ta diskutojmë.

Në Kavajë duhet ndryshuar udhëheqja e Komitetit të Partisë të Rajonit, unë do të shtroja çështjen dhe për shokun Muho. Mua më duket se shoku Muho nuk iu përgjigj rolit, detyrës, që iu ngarkua si Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së Rrethit të Durësit. Me këto dobësi, me këto të meta unë nuk mendoj që partia do ta përkrahë. Ia kam thënë dhe veças, por detyrohem ta them dhe këtu, në mbledhjen e Byrosë Politike që edhe për djalin e shokut Muho ka shumë fjalë. Ai gati sa nuk bën ligjin nëpër kafenetë e Tiranës dhe të Durrësit. Do të thoni ju që çlidhje ka djali me këtë?

E kam thënë edhe herë tjetër që fëmijët tanë dhe njerëzit tanë të familjes duhet të sillen korrektë. Populli kaq shumë vë re, sa në ndonjë Komitet Partie Rajoni, duke u nisur jo vetëm nga mosha po edhe nga përvoja. Më mirë të emërohet në ndonjë organizëm shtypi.

Shoku Ramiz Alia: Ne këtu vendosim shkarkimin, ndërsa emërimet janë nomenklaturë e Sekretariatit.

Shoku Pirro Kondi: Jam plotësisht dakord për shkarkimin e zv/ministrave të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Nga ana e tyre është treguar miopi, në një kohë që të dhëna, sinjale duhet të kishin me siguri.

Për Mehmet Elezin shpreh propozimin në qoftë se mund të caktohej sekretar për propagandën në Tiranë.

Shoku Ramiz Alia: A e kryen dot këtë detyre? Inteligjencia e Tiranës do një njeri tjetër.

Shoku Xhelil Gjoni: Mund të vejë në Shkodër.

Shoku Ramiz Alia: Jo, nuk duhet as për në Shkodër. Në Vlorë do të ishte më mirë të vente.

Shoku Pirro Kondi: Unë u nisa ngaqë është shok që ka fituar një farë autoriteti, ka qenë dhe Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Rinisë.

Shoku Ramiz Alia: Ka pak paragjykime.

Shoku Pirro Kondi: Tërhiqem, jam dakord me propozimin.

Shoku Ramiz Alia: Për në Tiranë të shikojmë ndonjë shok tjetër. Mirë, tjetër kush do të flasë?

Shoku Adil Çarçani: Kryesore, mendoj, janë kuptimi i situatës dhe i qëllimeve të armiqve të jashtëm dhe të brendshëm. Mobilizimi dhe aktivizimi i kuadrove dhe i komunistëve në Tiranë dhe Kavajë nuk ka qenë në nivelin që duhej. Sot në Kavajë gjendja është qetësuar, tha shoku Muho, po a i dëgjojnë komunistët? Po dhe në Tiranë nuk duhet të mjaftohemi me këtë qetësi.

Unë jam dakord me masat që propozini ju dhe të tjera po të jetë nevoja se çdo gjë e justifikon karshi këtij qëllimi të egër të armiqve, të cilët kërkojnë të rrëzojnë pushtetin. Borgjezia kërkon të vendosi sa më shpejt kapitalizmin këtu. Dhe ato lajka për qëllimet e tyre i kanë.

Shoku Ramiz Alia: Kërkojnë pushtetin.

Shoku Adil Çarçani: Po. Kur dëgjojnë për socializmin, pale për komunizmin, kanë urrejtje.

Shoku Ramiz Alia: Gazeta gjermane thoshte që duhet bërë presion politik dhe ekonomik. Tregu i Përbashkët Evropian e ka theksuar që duhet pluralizëm politik.

Shoku Adil Çarçani: Po ndryshe ne nuk mund të marrim pjesë në asnjë organizatë evropiane.

Shoku Ramiz Alia: Është e qartë ajo çfarë kërkohet.

Shoku Adil Çarçani: Prandaj është e justifikuar çdo masë organizative ndaj kujtdo qoftë.

Shoku Ramiz Alia: Duhet t’u vëmë gjoksin punëve.

Shoku Adil Çarçani: Muhoja shprehu mendimin e tij këtu, por ty Muho të ka ikur nga duart Partia atje në Kavajë, po dhe për në Durrës nuk duhet fjetur mendja.

Në vend që ta krijojnë komunistët dhe kuadrot opinionin në popull, janë të tjerët që e bëjnë këtë punë.

Unë jam dakord me masat që propozohen, po kjo duhet kuptuar nga të tërë njerëzit.

Shoku Pali Miska: Dhe unë jam plotësisht dakord me konkluzionin tuaj, që shokëve të Komiteteve të Partisë të rretheve Tiranë dhe Durrës u ka ikur situata nga dora. Unë kam mendimin që me këta shokë zor se normalizohet situata si më parë. Ta kemi të qartë këtë punë. Dëmi që iu shkaktua Partisë së vendit, socializmit nuk është i vogël, qoftë me të 5000 vetat që ikën nëpërmjet ambasadave, qoftë me veprimet e tjera që u bënë në Tiranë, Durrës, sidomos në Kavajë.

Këtë të vërtetë duhet ta shikojmë në sy. Populli është shumë-shumë i shqetësuar për këtë çështje. Qyteti i Tiranës vërtet është i madh, por ka dhe shumë kuadro, komunistë, ka shumë organizma, pra ka më shumë mundësi të jetë situata në dorë.

Kjo tregon, ashtu siç e përcaktuat dhe ju, shoku Ramiz, që puna e Partisë me njerëzit në ndërmarrje, në institucione e kudo nuk ka qenë në nivelin e duhur, është bërë një punë e dobët. Shembuj kemi plot. Shkodra është më e predispozuar për ngjarje të tilla, për këtë u përhapën dhe shumë fjalë, po gjendja është dominuar.

Shoku Ramiz Alia: Rreth 300-400 veta vijnë çdo ditë nga Shkodra në Tiranë.

Shoku Pali Miska: Përpjekjet për të rregulluar gjendjen duhet të jenë shumë të mëdha. Dua të them që situata në Kavajë nuk zotërohet nga Partia dhe po e lamë kështu, situata mund të keqësohet. Le të venë në Kavajë kuadro e njerëz nga Tirana, por po nuk e morën në dorë çështjen komunistët e Kavajës, nuk do të ketë rezultat.

Jam plotësisht dakord me mendimet tuaja, shoku Ramiz, këto janë në të mirën e punës së Partisë.

Asnjë njeri nuk të akuzon, shoku Muho, se nuk ke bërë përpjekje, nuk të akuzon për ndërgjegje, por ama, kjo situatë duhet dominuar. Ti je në krye të Komitetit të Partisë së Rrethit dhe duhej t’u dilje zot punëve. Sa e sa herë të ka dhënë porosi shoku Ramiz për të rregulluar gjendjen në rrethin e Durrësit, se ç’është e vërteta situata të kishte shkarë nga dora.

Shoku Ramiz Alia: Nuk ka qytet tjetër ku vepron më tepër agjentura e armikut se sa Shkodra. Në Shkodër agjentura vepron shumë e organizuar, e ndërthurur. Atje ka agjentura serbe, italiane, gjermano-perëndimore dhe franceze. Vatikani ka hedhur agjenturën e vet, prandaj duhet ndenjur gjithmonë në tension dhe të rritet vigjilenca.

Shoku Pali Miska: Po të rritet e të forcohet puna e Partisë, gjendja stabilizohet. Sigurisht në këtë situatë që është armiku.

Lajmi që tronditi kupolën e lartë të Partisë së Punës: “Udhëheqësi shqiptar, Enver Hoxha, ishte një homoseksual, një paranojak dhe vrasës…”


30 vjet më parë, arratisja e një përkthyesi të ATSH-së tronditi sistemin komunist dhe kupolën e lartë të Partisë së Punës. Ajo që bëri bujë nuk ishte arratisja e tij, pasi arratisje ndodhnin thuajse çdo vit e çdo muaj, në të katër anët e vendit, por më shumë bënë bujë deklaratat e të arratisurit, që mbushi shtypin grek fillimisht, dhe më pas atë italian, deklarata që kishin të bënin me jetën private të ish – diktatorit: “Udhëheqësi shqiptar Enver Hoxha ishte një homoseksua, një paranojak dhe vrasës…”

Shtypi grek u mbush me këto deklarata në fillim të muajit nëntor 1987. Njëra pas tjetrës gazetat greke “Akropolis”, e datës 14 nëntor 1987, “Vradhini”, e 15 nëntorit 1987, etj. dhe më pas ato italiane “Il Mesaxhero”, “La Stampa”, “Corriere della sera”, “La Republika” etj. shqetësuan seriozisht Tiranën.

Ja si qëndronte ngjarja:

Ilir Bulka, punonjës në ATSH, përkthyes i telegrameve e agjencive të huaja, që i dedikoheshin personalisht Enver Hoxhës, ishte arratisur nga Shqipëria më 26 shtator 1987, kur po shoqëronte ekipin e “Vllaznisë”, në rolin e përkthyesit. Me 26 shtator ai po udhëtonte me ekipin e futbollit “Vllaznia” nga Tirana për në Maltë, ku do të zhvillohej ndeshja me ekipin vendas. Në kthim, aeroplani u ul në Athinë dhe ekipi u vendos në hotel “Albatros”. Mbasdite përkthyesi 38-vjeçar, që e fliste anglishten dhe frëngjishten në mënyrë të shkëlqyer, iku me kujdes nga hoteli, u fut në një taksi dhe u drejtua në polici ku kërkoi strehim politik.

Gjatë nëntorit 1987 Ilir Bulka, me një guxim të admirueshëm, do të zbërthente figurën e Enver Hoxhës, ashtu siç e konceptonte ai, në disa artikuj që janë botuar në Greqi dhe Itali. Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë si dhe Komiteti Qendror i PPSH-së kanë qenë të alarmuar nga informacionet që vinin nga përfaqësuesit e tyre. Ngaqë nuk kishin çfarë t’i bënin Ilirit, u mendua të internonin familjen e Ilir Bulkës në Tiranë.

“Kisha 10 vjet që planifikoja të ikja, por nuk gjeja rastin. Thashë të pres sa të vdesë Hoxha e të shoh se mos ndryshon situata, por e pashë se nuk ekziston as edhe një fije lirie. Ekonomia është në gjendje shumë të keqe. Në treg mungojnë të gjitha. Në janar – vjet – pashë se nuk ka asnjë shprese dhe mora vendimin që të arratisem. Hoxha ishte homoseksual. Këtë e dinë mirë njerëzit e oborrit të tij, por edhe shumë të tjerë që e patën njohur qysh kur ishte për studime në Paris.

Është sikur të kemi dalë nga burgu. Preferojmë më mirë të vrasim veten se sa të kthehemi mbrapsht. Ju lutemi të na jepni strehim politik në Greqi”, kishte deklaruar Bulka.

Pak e shumë ishin tënjëjtat deklarata që kishte bërë Bulka dhe që gazetat i kishin marrë e rimarrë. Botimet italiane ju referoheshin atyre greke. Ja për çfarë e akuzonte Bulka diktatorin Hoxha. Për lexuesin paraqesim vetëm një pjesë nga shkrimi i gazetës “Il Mesaxhero”, e datës 11.11.1987.

Gazeta boton një artikull me titull: “Zbulimet/ Enver Hoxha ishte homoseksual, paranojak dhe vrasës’” dhe me nëntitull: “Ish-sekretari personal i udhëheqësit të ndjerë të Tiranës, i arratisur në Athinë, akuzon: i vrau vetë ministrat – dashnorë të tij’”, pa emër autori.

Athinë – Udhëheqësi i ndjerë shqiptar, Enver Hoxha, ishte një homoseksua1 që i fshihte prirjet e tij, dhe për këtë arsye u bë paranojak dhe vrasës; ai vrau me duart e tij shumë nga viktimat e tij.

Këtë e pohoi dje, në një intervistë dhënë agjencisë amerikane UPI, Ilir Bulka, 38 vjeç, i cili për shumë vjet ishte bashkëpunëtor i Hoxhës, për të cilin çdo ditë përgatiste një përmbledhje të lajmeve kryesore nga bota. Bulka kërkoi strehim politik në Athinë, në shtator të këtij viti, ndërkohë që po kalonte tranzit në aeroportin e Athinës bashkë me një skuadër shqiptare futbolli që do të zhvillonte një ndeshje jashtë shtetit.

Duke folur për Hoxhën, Bulka tha se paranoja e tij u shtua sa më shumë që ai plakej dhe e çoi atë deri aty sa te ndalonte këngët e dashurisë, poezitë popullore dhe kërcimet e balerinëve meshkuj e femra në televizionin shqiptar. Bulka pohoi me pas se “homoseksualiteti i Hoxhës, për të cilin e shoqja ishte në dijeni, ishte një sekret që e dinin zyrtarët më të lartë komunistë të vendit. Të kundërshtoje marrëdhëniet me Hoxhën ishte njëlloj si të dënoheshe me vdekje. Paranoja e tij u shtua me moshën bashkë, duke bërë që ai të vriste shumë nga dashnorët e tij pasi i kishte detyruar të hynte në marrëdhënie seksuale me ta”.

Bulka pohoi pastaj se Hoxha insistonte personalisht që të njihej me të gjithë shkrimtarët, poetet dhe kompozitorët e rinj shqiptarë meshkuj në apartamentin e tij luksoz në Tiranë. Dëshironte që të bisedonte me të gjithë intelektualët e rinj meshkuj shqiptarë për t’u siguruar se ata nuk përbenin kërcënim ndaj autoritetit të tij, por edhe sepse kërkonte dashnorë.

Në intervistë, Bulka i bëri elozhe me pas udhëheqjes së tanishme komuniste shqiptare, duke thënë se udhëheqësi i ri Ramiz Alia “po kërkon të pakësojë me ngadalë influencën e pasueseve të Hoxhës në vend, por, ashtu si udhëheqësi sovjetik Gorbaçov, ka shumë armiq të rrezikshëm”.

Enver Hoxha vdiq në prill 1985 në moshën 76-vjeçare, pasi kishte udhëhequr për 40 vjet vendin më të varfër e më të izoluar te Evropës me metoda të ashpra staliniste dhe duke e mbajtur atë rreptësisht të izoluar. Sipas Bulkës, “vrasjet e miqve të tij në qeveri, që i kryente me gjakftohtësi, dhe spastrimet e tmerrshme vinin për shkak te grindjeve midis dashnorëve me huqe ose ishin krime ne bazë të të cilëve ishte pasioni”. Hoxha bënte rregullisht spastrime në gjirin e udhëheqjes komuniste shqiptare dhe “vrau vetë Ministrin e Mbrojtjes Beqir Balluku dhe kryeministrin e tij Mehmet Shehun, përfundoi Bulka.

***

Deklaratat se Nexhmija ishte në dijeni të homoseksualitetit të Enver Hoxhës dhe se ky ‘ves’ i këtij të fundit kishte ndikuar në të gjitha zhvillimet e vendit, u hodhën edhe më vonë, pas vitit 1991. Por askush nuk provoi apo solli ndonjë dëshmi. Nuk dihet se çfarë ndodhi me këtë emigrant, i cili, pas vitit 1991, kur ra sistemi komunist, nuk u “bë i gjallë, as në media e as me ndonjë libër për të vërtetuar akuzat e tij. Thjesht kjo ka ngelur një ngjarje e largët, e 30 viteve më parë, por që tronditi seriozisht sistemin komunist.

Politiko.al

Sërish tërmete në Ohër, hapet kampi ushtarak për qytetarët



Sot në mëngjes është ndier tërmeti më i fuqishëm prej katër tërmeteve në thellësi prej 1 kilometri

SHKUP – Katër tërmete ku më i fuqishmi ishte me 4.1 ballë sipas Rihterit janë regjistruar mbrëmë në rajonin e Ohrit.

Sot në mëngjes është ndier tërmeti më i fuqishëm prej katër tërmeteve në thellësi prej 1 kilometri.

Mbrëmë pas mesnate është regjistruar tërmeti me magnitudë prej 3 ballë të cilit i paraprinë dy dridhje me fuqi prej 3.2 dhe 3.1 ballë.

Nga mesi i muajit të kaluar deri më sot në rajonin e Ohrit janë regjistruar mbi 1.000 tërmete.

Më i fuqishmi ishte pardje me magnitudë prej 5 ballë sipas shkallës së Rihterit, që shkaktoi shqetësim tek banorët dhe turistët, ndërsa janë lajmëruar edhe dëme më të vogla.

Ndërkohë Ministria e Mbrojtjes (MM) doli me një njoftim ku ofron kapacitetet e kampit ushtarak “Vasko Karangelski” në Shën Naum, Ohër, për vendosjen e qytetarëve të shqetësuar nga seria e tërmeteve që përfshinë qytetin dhe rrethinën.

“Ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska në këtë mënyrë iu përgjigj thirrjeve të qytetarëve drejtuar asaj përmes rrjeteve sociale, që të hapen dyert e kampit ushtarak, meqë qytetarët do të ndiheshin më të sigurtë”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.

Dyert e kampit, theksojnë nga MM-ja, janë të hapura për qytetarët të cilët kanë dëme nga dridhjet e deritanishme dhe ndiejnë nevojë që të strehohen në kampin ushtarak derisa toka në Ohër të qetësohet.

Skandal, urrejtja sllavo-enveriste nuk lejon rindërtimin e shtëpisë së Gjergj Fishtës, poetit kombëtar


 voal.ch 

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka shpjeguar në studion e “Tonight Ilva Tare” arsyen se përse nuk është bërë rikonstruksioni i shtëpisë së At Gjergj Fishtës.

Në një debat me Drejtuesin e Departamentit të Kulturës në PD, Arben Skënderi, Kumbaro tha se ajo që aktualisht thuhet se shtëpia e Fishtës është gabim, pasi sipas saj Fishta aty ka kaluar vetëm një pjesë të jetës.

Në lidhje me këtë problem, Kumbaro shpjegoi se ajo që quhet shtëpia e Fishtës ka pronarët legjitimë.

“Kjo shtëpi në të cilën Fishta ka kaluar një pjesë të jetës dhe që ka disa pronarë të tjerë të cilët janë edhe sot pronarë privatë të asaj banese ka pasur një interes nga ministria e Kulturës diku në vitet 2008 për të bërë ndoshta një restaurim për ta kthyer në muze. Ka pasur një kontestim shumë të madh nga pronarët sepse pikërisht nuk bihej dakord. Ata janë pronarë dhe njërën nga dhomat e asaj shtëpie që ka banuar për një farë periudhe Fishta dhe kjo e bën interesante sepse ka kaluar, por as ka lindur aty. Aty ku në fakt Fishta ka lindur sot nuk ekziston më, për fat të keq ajo në vitin 1994 është rrafshuar dhe aty ndodhet vetëm një objekt. Unë e shikoj me interes që aty ku ai vërtet ka lindur të mund të ndërtohej një memorial dhe më duket një projekt që mund të krijohej. Ndërsa në atë që quhet gabimisht shtëpia e Fishtës është një shtëpi, ku ai ka kaluar një pjesë të jetës së tij ku pronarët legjitimë janë aty, marrëdhënia me ta është shumë e vështirë”, ka thënë ajo.

Harta më e përgjakshme e Europës


Jam një djalë atdhetar i rritur në fshatin Janjevë të komunës së Lipjanit që për momentin jetoj në Fushë Kosovë . Betohem tek zoti i madh se do t'i shërbej atdheun në mënyrën më të mirë të mundshme . Do ju shoqëroj me shkrimet e mia për historinë e popullit shqiptar deri në fund të jetës(Brilant Gashi)



Nga Brilant Gashi 


Harta që tregon coptimin e Shqipërisë, nga Greqia, dhe Serbia në vitin 1912. Territori shqiptar ishte shumë here më i madh së sa Serbia dhe Greqia, pjesa me ngjyrë të #gjelbë

Harta që tregon coptimin e Shqipërisë, nga Greqia, dhe Serbia në vitin 1912. Territori shqiptar ishte shumë here më i madh së sa Serbia dhe Greqia, pjesa me ngjyrë të #gjelbë

E vëzhgoj me kujdes atë hartë dhe e shoh se si është copëtuar në 6 pjesë gjë që kurrë nuk duhet të kishte ndodhur me Shqipërinë time , që e ndanë në 6 pjesë të mëdha .

Kujt i’a merrte mendja që do të ndodhë kjo ngjarje kaq tragjike e jona e që më vonë do të shkruhej edhe në histori se si e ndanë Shqipërinë e Bashkuar , djajtë që quheshin Ambasadorë e Londrës . Nuk e kam pritur dhe nuk do e kisha pritur edhe po të isha i gjallë në atë kohë , copëtimin e kombit tim . Me të vërtet rrënqethëse kur e mendoj se jemi të ndarë .

Por edhe më rrënqethëse kur në mendjen time qëndron mendimi se do të bashkohen tokat e mija një ditë . Toka shqiptare , toka të përgjakura , të lara me gjakun e dëshmorëve dhe të atyre që kanë vdekur për ideal dhe bashkim kombëtar . Këtë mision të shenjtë , që çdo shqiptar e ka për obligim që t’a përmbush . Edhe unë jam gati , që të jem ai shqiptar për t’a përmbushur këtë mision , Mision i shenjtë për mua .

Një detyrë e shenjtë duhet të përmbushet nga cdo shqiptar etnik dhe krenar sepse kjo është detyra e jetës për cdo shqiptar . Kjo është zgjidhja jetësore e çdo shqiptari për jetësimin e së lumes Shqipëri etnike dhe nuk duhet të lihet në harresë nga asnjë bir shqiptari .

Harta më e përgjakur e Europës pa dyshim është populli im dhe harta e Shqipërisë etnike e që në realitet , kjo hartë është e copëtuar në mënyrën më djallëzore nga djajtë e Europës .

E cfarë na qenka Shqipëria ?

Një shtet që është i kufizuar nga të katër anët me vetveten e tij . Një shtet që nuk e ka të drejtën e bashkimit të saj . Nënë Shqipërisë i’a bëj një pyetje : Oj nënë , më thuaj pak … Edhe sa ditë ka mbetur nga bashkimi ynë shpirtëror dhe fizik , sepse nuk po mundem më , që të qëndroj kombi im i ndarë në 6 pjesë , ca të vogla dhe ca të mëdha ?
-Nuk e di o bir , as vet nuk e di nëse ka ardhur koha jonë që të bashkohemi . Por një gjë e di : se ne aspak nuk jemi gati që të bëhemi bashkë në një trung . Ndjej dicka të keqe në veten time , e po më lëndon në zemër .

Në atë moment e mora vesh , atë që e tha Nëna Shqipëri . Atëherë e mora vesh që ne dhe bashkimi ynë , jemi shumë larg . Ndonjëherë edhe them se kurrë në jetën tonë nuk kemi për t’u bashkuar sepse me këta tradhëtarë tradhëtarë dhe kriminelë ordinerë , ne nuk do të mund të bashkohemi .

Dhimbja që kemi ne në zemër , akoma nuk është shuar . Shqiptari mendon se kjo dhimbje është akoma e njëjtë për 1 shekull .
Jo Shqipe , kjo dhimbje është më shumë se 1 shekull dhe akoma është duke u bërë më e madhe . Plaga e kësaj dhimbjeje nuk do të shërohet kurrë , nuk ka ilaç për këtë dhimbje , derisa të vijë një ditë e lavdishme kur do të marrim vesh se Shqipëria , e cila ishte e ndarë në 6 pjesë , më në fund është bashkuar .

“Shqipëria është bashkuar përsëri” – do të thotë ai ose ajo , dhe përsëri do të bëjnë tentativ për të na ndarë . Të gjitha kufijtë do të thyhen dhe në atë moment mund të themi se tani ka një rend të ri botëror , pa plane hegjemoniste dhe pa urrejtje ndaj shqiptarëve .

Por a do të jetë e mundur kjo ? Mund t’a themi kur nëna loke , të gjejë djemtë e saj , që janë shpërndarë në shumë anë të globit tokësor dhe në atë pikë mund të themi se askush nuk do të jetë edhe aq i fortë që të na gjykojë , sepse nuk do të kenë fjalë më të na gjykojnë për bashkimin tonë . Koha gjithmonë është flori i pastër për ne .

Si e “shitën” Shqipërinë ata që i njohim si nacionalistë


Një bisedë me Pëllumb Xhufin: Si e “shitën” Shqipërinë ata që i njohim si nacionalistë


Monika-Stafa
Nga : Monika-Stafa

Studimi i çfarëdo aspekti të Luftës së Dytë Botërore mbetet ende një sfidë për këdo që i kushtohet kësaj pjese të historisë shqiptare. Shumica e kërkimeve të kryera dhe interesi në përgjithësi mbetet akoma te skenat e mëdha të luftës, si dhe mbi figurat kryesore që morën pjesë në të. Shqipëria është ende në planin botëror një skenë e harruar, ku lufta dhe çdo gjë tjetër u zhvillua në një shkallë më të vogël, ndonëse vetë shqiptarëve ajo nuk iu duk e tillë.

foto

Për ta ajo ishte e gjatë dhe e ashpër dhe aspak një ngjarje e zakontë. Të mësuar me luftëra, më së shumti të pushtuar, fundi i nëntorit të 1944-s, për herë të parë e gjeti atë të çliruar nga çdo okupator i huaj që e kish mpakur ndër shekuj.

Dhe si një mrekulli e bukur, në një Shqipëri më shumë se primitive në mendësinë e saj, ku edhe një pikëpamje oksidentale ishte një tabu, lind nga kalbësirat e një sistemi të tillë, “viola femërore”, forca dhe energjia e një gjinie tjetër që, në mos e drejton, shtyn përpara makinën e shpëtimit nga okupatori i huaj, prej të cilit Shqipëria kish vuajtur prej shekujsh. Një mrekulli e padëgjuar ndonjëherë më parë.

foto1

Si u gjet Shqipëria e pas shpalljes së pavarësisë në luftë? A kishte grupime politike gjatë kësaj kohë në Shqipëri, që të mund të përballeshin me një tjetër pushtues të huaj? Cilët ishin emrat që spikasnin në radhët e tyre? Lufta civile, pjesë e luftës apo vetëm një segment i saj? Si lindi ky shkëlqimi “mashtrues” i Shqipërisë etnike edhe gjatë luftës, kush premtoi dhe si u shua ai? Gruaja shqiptare në luftë, një fenomen logjik ngjarjesh, një mrekulli e përkohshme apo çfarë? Këtyre pyetjeve u përgjigjet historiani Pëllumb Xhufi.


pellumb_xhufi


Zoti Xhufi, çfarë grupesh politike ishin në Shqipërinë e pragluftës? Cili qe qëndrimi i tyre në aspektin politik e ushtarak gjatë Luftës së Dytë Botërore?

Do të mund të dallonim dy grupime kryesore politike e ushtarake në Shqipërinë e viteve të luftës. Në grupimin e parë bënin pjesë përfaqësuesit e Shqipërisë së vjetër, me të mirat e të këqijat që ky term nënkupton. Kishte mes tyre veteranë të Rilindjes Kombëtare e të luftërave për pavarësi e për shtet kombëtar, si Mit’hat Frashëri, Lef Nosi, Qazim Koculi, Mehdi Frashëri, Bahri Omari etj. Ishin personalitete me formim liberal e konservator, që bërjen e Shqipërisë e kishin parë më shumë si rezultat të tratativave e të ujdive politike e diplomatike. Një linjë e tillë, edhe në fillimet e shek. XX, ishte kundërshtuar nga të tjera personalitete të shquara të Lëvizjes Kombëtare, përfaqësues të krahut “revolucionar”, me Ismail Qemalin, Dervish Himën, Mihal Gramenon, Luigj Gurakuqin, Ibrahim Temon, Hilë Mosin, të cilët çlirimin nga sundimi osman e kishin parë si rezultat të një shkundjeje të madhe popullore, të një kryengritjeje të përgjithshme.

foto2
Përveç personaliteteve të tilla, në grupimin e parë bënin pjesë edhe përfaqësues të klasës së vjetër të bejlerëve, të bajraktarëve e të krerëve të fiseve, që i kishin mbijetuar kohës dhe që ishin dëshmia e gjallë e stanjacionit politik e shoqëror të Shqipërisë. Të tillë ishin Shefqet Verlaci, Eqerem Libohova, Eqerem bej Vlora, Fuat Dibra, Ali bej Këlcyra, Abaz Kupi, Selim e Dan Kaloshi, Muharrem Bajraktari, Mustafa Kruja, Gjon Marka Gjoni etj. Kush më shumë e kush më pak, personazhet e këtij grupimi formuan klasën e kuislingëve dhe të kolaboracionistëve, të cilët nëpërmjet një politike anakronike e miope, gjykuan se mund t’i fitonin të gjitha, edhe pushtetin, edhe privilegjet për veten, edhe “Shqipërinë etnike”, edhe luftën me “të kuqtë”, duke u bërë njësh me pushtuesit. Nëse fundi i luftës do të kishte gjetur në pushtet këtë klasë politikanësh, pavarësia dhe integriteti i Shqipërisë me siguri do të ishin cenuar rëndë.

Grupimi tjetër, ai që e kuptoi frymën e kohës dhe që u hodh në luftë kundër pushtuesit, duke u shkrirë me frontin e madh antifashist botëror, përfaqësohej nga intelektualë, ushtarakë, klerikë, nëpunës e krerë patriotë, të dalluar në betejat për krijimin, forcimin e demokratizimin e shtetit shqiptar, si Mujo Ulqinaku, Omer Nishani, Myslym Peza, Haxhi Lleshi, Spiro Moisiu, Ismail Strazimiri, Shefqet Peçi, Mustafa Gjinishi, Ymer Dishnica, Riza Kodheli etj. Por, ky grupim u përfaqësua para së gjithash nga rinia e qyteteve dhe e shkollave, e cila me një idealizëm e patriotizëm të pashembullt, zgjodhi pa mëdyshje luftën pa kompromis me pushtuesin italian e gjerman.

Me rënien e tyre heroike, Qemal Stafa, Vojo Kushi, Margarita e Kristaq Tutulani, Manush Alimani, Perlat Rexhepi e plot të tjerë përfaqësues të brezit më të ri e më të përparuar të Shqipërisë, elektrizuan të gjithë rininë shqiptare, të fshatit e të qytetit, duke i dhënë jetë një rezistence që Shqipëria nuk e kishte njohur kurrë. Një qëndresë, që për herë të parë theu kufijtë krahinorë dhe përfshiu të gjitha krahinat e vendit dhe që si asnjëherë më parë tërhoqi në mënyrë masive femrën shqiptare. Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare ishte njëherësh e para ngjarje e madhe e kombit, që e vuri femrën shqiptare në piedestalin e historisë.

Në kushtet e një ndarjeje kaq të thellë, që u konfirmua edhe me dështimin e Mukjes, a mendoni se lufta civile mund të ishte shmangur? A duhej që brigadat partizane të kalonin në veri të vendit, ku siç dihet drejtonin krerët e fiseve e të krahinave?

Në fakt, nuk mund të flitet për luftë civile, përderisa aktorët kryesorë të ngjarjeve ishin dy: pushtuesit nazistë dhe Fronti Antifashist Nacionalçlirimtar. Qeveria kuislinge e Tiranës, Balli Kombëtar dhe krerët zogistë të veriut ishin, kush më shumë e shumë më pak, instrumente të pushtuesit. Kushtet e Shqipërisë nuk ishin të ndryshme nga ato të vendeve të tjera, si Franca, Italia, Jugosllavia, Greqia. Edhe në këto vende kishte lëvizje partizane që luftonte njëherësh si kundër gjermanëve, ashtu edhe kundër forcave kuislinge e kolaboracioniste. Por në asnjë nga këto vende nuk është folur ndonjëherë për “luftë civile”. Në Greqi ka pasur përpjekje midis forcave partizane të EAM-it dhe forcave të qeverisë kuislinge të Rallisit edhe përpara se ushtria gjermane të largohej nga territoret greke. Por vetëm pas këtij largimi, kur në fushën e betejës mbetën të vetme përballë njëra-tjetrës forcat e majta të EAM-it dhe ato të djathta të ELAS-it, përplasja mes tyre u kthye në një luftë civile të mirëfilltë.

Kështu edhe në Shqipëri, nuk mund të flitet kurrsesi për një luftë civile në një kohë kur vendi ishte i pushtuar nga gjermanët dhe kur forcat e Ballit dhe ato të qeverisë kuislinge merrnin pjesë rregullisht në operacionet e forcave gjermane kundër forcave partizane. Nga ana e tyre, forcat e Abaz Kupit dhe të krerëve të tjerë zogistë, ndërsa refuzonin të luftonin kundër gjermanëve, furnizoheshin me armë, me municione e me veshje nga depot e tyre. Këshillave dashamirëse të oficerëve anglezë për “të hedhur ndonjë pushkë” kundër gjermanëve, sa për t’i dhënë vetes një të drejtë për të pretenduar pushtetin pas çlirimit të vendit, Abaz Kupi iu përgjigj se ai nuk kishte ndërmend t’i dobësonte forcat e tij në përpjekje me gjermanët, pasi ato i duheshin për të luftuar “komunistët” kur gjermanët do të largoheshin. Ky justifikim ngjiti tek ushtarakë të caktuar të misionit anglez, si B.McLean, J.Amery e D.Smiley, të cilët, siç pohon kolegu i tyre J.Naar, “kishin një axhendë të tyre personale, që drejtohej kundër partizanëve dhe kundër komunistëve”.

Pavarësisht inaktivitetit të Kupit e të krerëve të tjerë zogistë, anglezët u munduan me çdo mënyrë ta promovojnë e ta ngrenë në Londër figurën e Kupit, si një alternativë e ardhshme qeverisëse ndaj Frontit Nacionalçlirimtar. Ishin pikërisht këta oficerë që përdorën në mënyrë tendencioze termin “luftë civile”. Nuk ka dyshim, që midis njësive partizane dhe forcave të disa krerëve të veriut, të lidhur me qeverinë kuislinge të Tiranës, pati përpjekje të armatosura kur të parat ndërmorën marshimin për të goditur forcat gjermane të përqendruara në Mat, Dibër e Kukës. Shumë njësi partizane u goditën prapa krahëve nga forcat mercenare të Kupit e të krerëve të tjerë, të cilët pretendonin se ato krahina ishin “mbretëri” e tyre, ku nuk mund të futeshin brigadat partizane. Në këtë kuptim, përfshirja e krahinave të kontrolluara nga të ashtuquajturit krerë nacionalistë në operacionet luftarake të Ushtrisë Nacionalçlirimtare patën edhe një rezultat të rëndësishëm historik. Ato ndikuan për të shthurur autoritetin e rremë të krerëve bajraktarë të atyre krahinave, që kishin qenë historikisht baza e partikularizmit, e antiligjit dhe e konflikteve krahinore, duke i bashkuar ato në luftën çlirimtare me pjesët e tjera të vendit dhe duke afirmuar, kështu, parimin unitarist, që krijuesit e shtetit shqiptar e kishin përcaktuar si jetik për Shqipërinë.

Cili ishte qëndrimi i organizatave të BK, Legalitetit e të PK ndaj pavarësisë apo integritetit territorial në vitet e luftës? Po ndaj Kosovës?

Fakti që përfaqësuesit e grupimit të parë pranuan të bëhen pjesë e regjimit të pushtimit ose bashkëpunuan me të, tregon se ata mund të bashkëjetonin shumë mirë me një Shqipëri të pushtuar nga nazifashistët. Ata vetë nuk kishin një projekt të tyre për Shqipërinë e pasluftës. Kënaqeshin me çdo projekt të hartuar në ofiçinat e huaja, mjafton që ai të garantonte pushtetin dhe privilegjet e tyre tradicionale. Kështu, pasi e panë se shkëlqimi mashtrues i “Shqipërisë etnike” të realizuar nga pushtuesit italianë e gjermanë u shua, si zogistët ashtu edhe ballistët vrapuan të përqafojnë projektin e një federate ballkanike greko-jugosllavo-shqiptare, sapo morën vesh që ky projekt po skicohej në Ministrinë e Jashtme Britanike. Zogistët, gjithashtu, u treguan të gatshëm të nënshkruanin me nacionalistin serb Drazha Mihajloviç një marrëveshje për krijimin e një bashkimi federativ jugosllavo-shqiptar, me kusht që Jugosllavia të ndihmonte “rilindjen Zogiste”, d.m.th. rikthimin e Zogut në pushtet me bajonetat serbe, si në vitin 1924. Për një projekt të tillë u përpoq edhe Muharrem Bajraktari, i cili pati disa takime me përfaqësues të Drazha Mihajloviçit.

Dhe kur e pa se Mihajloviçi e kishte humbur davanë dhe se në Jugosllavi po fitonin komunistët e Titos, Muharrem Bajraktari kërkoi ndihmën e anglezëve për të krijuar një “bashkim pellazgjik” mes Greqisë e Shqipërisë (mars 1944). Në maj 1944, në pozita të tilla të katandisjes së Shqipërisë në një shtet vasal, ra edhe vetë drejtuesi i Ballit Kombëtar, Mit’hat Frashëri. Ai u propozoi përfaqësuesve të së djathtës greke, që gëzonin mbështetjen e Londrës dhe që bëheshin gati të vinin në pushtet, krijimin e një federate greko-shqiptare, ku ushtria dhe diplomacia duhet të ishin në duart e grekëve. Marrëveshja nuk u nënshkrua, pasi përfaqësuesit grekë pretendonin shumë më tepër nga ç’u ofroi Mit’hati. Ata donin që Shqipëria e Jugut (“Vorio-Epiri”) të mbetej jashtë kufijve “administrativë” të Shqipërisë e të bashkohej me Greqinë, që Shqipëria të mos kishte ushtri, por vetëm xhandarmëri për ruajtjen e rendit dhe që në krye të administratës shqiptare të ishte një guvernator i zgjedhur nga Athina! Vetë fakti që për të zgjidhur problemet kombëtare të shqiptarëve të ashtuquajturit “nacionalistë” shqiptarë zgjodhën bashkëbisedues të tillë, si Mihajlloviç, Rallis e Zerva, nacionalistë, shovinistë e antishqiptarë të deklaruar, flet shumë për degradimin moral e politik të tyre.

Në të kundërtën, ndryshe nga kuislingët dhe kolaboracionistët, Fronti Antifashist Nacionalçlirimtar ndoqi një politikë që synonte rikthimin e pavarësisë e të sovranitetit të shtetit shqiptar, duke ruajtur me fanatizëm kufijtë e tij ndërkombëtarë, të njohur në Londër më 1913-n e të rikonfirmuar në Paris, më 1919-n, por që rrezikonin të ndryshoheshin përsëri në favor të Greqisë së përkrahur nga Britania e Madhe. Në emër të Frontit Nacionalçlirimtar, në korrik 1944, E.Hoxha i denoncoi me forcë projektet për një federatë ballkanike, ashtu siç denoncoi edhe marrëveshjen e Ballit Kombëtar me Rallis e Zervën për një federatë greko-shqiptare, ku ushtria shqiptare do të vihej nën urdhrat e shtabit të ushtrisë greke. Ende pa u çliruar vendi, në tetor 1944, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇL, Brigada XIV dhe ajo XIX u dislokuan përgjatë kufirit shqiptaro-grek për të ndalur çdo përpjekje të trupave greke për të depërtuar në tokën shqiptare. Në fjalimin e vet në Tiranë, më 28 nëntor 1944, E.Hoxha paralajmëroi Greqinë se Shqipëria ishte gati të bënte një luftë të dytë në rast se ajo do të guxonte të tentonte aneksimin e Shqipërisë së Jugut.

Edhe për sa i përket çështjes së Kosovës, qeveritë kuislinge të Tiranës dhe organizatat kolaboracioniste mbajnë një përgjegjësi të madhe historike, sepse në vend të propagandonin bashkimin e Kosovës me Shqipërinë nëpërmjet luftës kundër pushtuesit nazifashist, gjë që përputhej edhe me Kartën e Atlantikut, ushqyen iluzionin e rrezikshëm të realizimit të “Shqipërisë etnike” si dhuratë e pushtuesit nazifashist. Nëse në Kosovë nuk pati një lëvizje çlirimtare antifashiste masive, gjë që do ta kishte forcuar pozitën e popullit të Kosovës pas luftës, kjo erdhi edhe për faj të ndikimit të dëmshëm që ushtruan aty rrethet kuislinge e kolaboracioniste të Tiranës.

Në të kundërtën, Fronti NÇL dhe Partia Komuniste që e drejtonte atë, zgjodhën të vetmen rrugë të mundshme që i jepte një shans bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Sipas tyre, bashkimi mund të bëhej realitet vetëm në frymën e Kartës së Atlantikut, pra, nëpërmjet zbatimit të parimit të vetëvendosjes pas kontributit që shqiptarët e Kosovës do të jepnin në luftën antifashiste. Fronti NÇL dhe PKK bënë përpjekje serioze për të inkurajuar luftën partizane në Kosovë. Ato organizuan edhe Konferencën e Bujanit, ku komunistët shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria, në prani edhe të përfaqësuesve serbë të PK jugosllave për Kosovën, artikuluan shkoqur vullnetin e popullit të Kosovës për bashkim kombëtar mbi bazën e kontributit në luftën e madhe antifashiste.



Cili ishte qëndrimi i Aleatëve ndaj forcave të Frontit Antifashist të drejtuar nga komunistët dhe ndaj forcave nacionaliste, Ballit Kombëtar e Legalitetit?



Qëndrimi i Aleatëve ndaj forcave protagoniste në Shqipëri artikulohet në disa plane, ku nuk mungojnë ndryshime dhe shpeshherë edhe inkoherenca. Për sa u përket amerikanëve, këta me të kuptuar se e vetmja forcë ushtarake që luftonte kundër italianëve e gjermanëve ishte Fronti Nacionalçlirimtar, i vendosën misionet e tyre ushtarake ekskluzivisht pranë ushtrisë partizane dhe i mbajtën kontaktet vetëm me Frontin Nacionalçlirimtar.

Nga ana e tyre, misionet angleze u vendosën si pranë partizanëve, ashtu edhe pranë forcave të Abaz Kupit, të Muharrem Bajraktarit e të krerëve të tjerë “nacionalistë”. Anglezët nga njëra anë mbështesnin luftën e frontit me armë e pajime, por nga ana tjetër mbanin lidhje me BK, Kupin e legalistët e tjerë, pavarësisht se këta nuk dëgjonin të angazhoheshin në luftime me gjermanët. Siç shkruante majori Philip Leak, lidhjet me BK dhe zogistët nuk duheshin prerë, pasi përndryshe do të dëmtoheshin shpresat “për një kryengritje të përgjithshme në fund të luftës”. Fjala ishte për një kryengritje të “nacionalistëve”, të mbështetur nga aleatët anglo-amerikanë, e cila do të shmangte ardhjen e frontit dhe të komunistëve në pushtet, për të cilën Abaz Kupi, Skënder Muço e të tjerë flisnin hapur me përfaqësuesit e misioneve angleze. Sigurisht, E.Hoxha me shokë ishin të mirinformuar për këto lëvizje, që synonin eliminimin e tyre nga pushteti i ardhshëm. Kjo shpjegon acarimin e tyre me misionet angleze, i cili arriti kulmin kur në gusht 1944, Hoxha kërcënoi se do t’i arrestonte oficerët britanikë që ishin atashuar pranë Kupit e të tjerëve, në rast se nuk largoheshin përfundimisht prej tyre. Nga ana tjetër, një arsye tjetër e mosbesimit që ekzistonte mes komunistëve dhe ushtarakëve britanikë, ishte edhe lidhja që qeveria britanike mbante me qeverinë greke në mërgim dhe premtimi që i ishte dhënë kësaj nga Londra për një rishikim të kufijve me Shqipërinë pas luftës, në favor të Athinës.

Në fillim të kësaj interviste, ju thoni se Lufta Nacionalçlirimtare ngriti për herë të parë femrën shqiptare në piedestalin e historisë. Si arriti gruaja të merrte pjesë në luftë në një Shqipëri shumë më të prapambetur se vendet e tjera ballkanike?

Pikërisht gruaja ishte elementi më i dukshëm që bëri diferencën midis grupimit të parë (qeveri kuislinge e forca kolaboracioniste) dhe grupimit të dytë (fronti i qëndresës antifashiste). Mund të bësh përpjekje titanike, të shtrydhësh kujtesën, të lexosh libra e gazeta të kohës, e megjithatë në radhët e BK, të Legalitetit apo edhe të vetë qeverive kuislinge nuk do të mund të gjesh qoftë edhe emrin e një gruaje të vetme. Dëshmi kjo, se forca të tilla përfaqësonin grahmën e fundit të një Shqipërie krepuskolare, orientale e obskurantiste, që po jepte shpirt. Në të kundërtën, rreth tetë mijë vajza e gra mbushën radhët e njësiteve guerile e të brigadave partizane. Shumë prej tyre u ngjitën në pozicione drejtuese në organizatat e frontit, të partisë e të rinisë komuniste, të brigadave e të njësive të tjera partizane. Këtë revolucion të madh të femrës shqiptare e filluan të parat nxënëset e gjimnazeve të Tiranës, Shkodrës, Elbasanit, Durrësit, Vlorës, Korçës e Gjirokastrës. Shembulli i tyre tërhoqi qindra e mijëra vajza të tjera nga fshati i mjeruar e i prapambetur shqiptar, duke paralajmëruar triumfin e pashmangshëm të Luftës Antifashiste dhe duke i dhënë kësaj të fundit një karakter europian e progresiv.

Që në nëntor të vitit 1943, shefi i misionit ushtarak britanik, gjenerali Edmund Davies, e konstaton i befasuar këtë shpërthim të papritur të fenomenit grua. Gruaja partizane që drejtonte e urdhëronte, gruaja që luftonte njëlloj si burrat dhe binte në vijën e parë të frontit, gruaja që duronte mizoritë e qelive fashiste e nuk tutej përpara torturave dhe vdekjes, që përballonte vështirësitë e marshimeve të gjata, rreziqet dhe privacionet e një jete në qiell të hapur, gruaja që edukonte, qytetëronte e mësonte masat analfabete të fshatit të prapambetur shqiptar: e gjitha kjo ishte një “mrekulli”, që ndodhte për herë të parë në Shqipëri. Ishte edhe shenja më domethënëse e një shoqërie që po ndryshonte. Përfshirja e femrës shqiptare në Luftën Antifashiste demaskoi e zhvleftësoi përfundimisht rendin e vjetër, të bazuar në injorancën, shtypjen dhe pabarazinë, rend që kërkohej të mbahej në këmbë pikërisht nga grupimi i kuislingëve dhe kolaboracionistëve.

Urime Amerikë Pavarësia



Amerikanët dje e festuan  ditëlindjen e vendit të tyre, 4 korrkun,në mënyrë tradicionale me fishekzjarre, parada të vogla në qytete dhe me gara ushqimore jo të zakonshme.

Në Nju Jork  që turmat e njerëzve  shikuan shoun me fishekzjarre të kompanisë, Macy’s, një manifestim tradicional në ishullin Coney, e ngjarje të tjera.

Në Uashinggton DC, presidenti amerikan, Donald Trump, për të parën herë e feston Ditën e Pavarësisë në Shtëpinë e Bardhë, duke i pritur në piknik familjet ushtarake.

Në një muze në Boston u ekspozuat njëra prej 14 kopjeve origjinale të Deklaratës së Pavarësisë, ndërsa  qindra mijëra njerëz shikuan  shoun me fishekzjarre në këtë qytet.

Po ashtu, afro 15 mijë njerëz fituan  statusin e shtetasit të naturalizuar në gjithë Shtetet e Bashkuara.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...