2017-07-09

Ju rini e dashur shqiptare askund nuk jeni



Sulejman Mehazi

Ju rini e dashur shqiptare askund nuk jeni me sjelljet tuaja, s’dini se pse jetoni, jeni duke e harxhuar kohën më të vlefshme të moshës suaj kot, pa farë angazhimesh rinore. Kulturë jo, punë jo, mësime jo, disciplinë jo, komb jo, fe jo, për ju vetëm bastore po, drogë po, alkohol po, prostitucion po, pandershmëri po, amoralitet po, moskujdesje po, mosrespekt po, thëniet e mësipërme janë më të dashura se sa jeta juaj e shenjtë rinore. Cilët janë fajtorët kryesore për mjegullosjen tuaj morale, intelektuale e kulturore? Të gjithë, ama të gjithë që nga prindërit e deri më lartë, deri te institucionet shtetërore.
Prindërit e shkretë kanë ngelur me ju, me padëgjueshmërinë dhe arrogancën tuaj të pakuptimtē, për ju më të vëmendshëm e më të rëndêsishëm janë miqtë rreth e për qark sesa prindërit tuaj. Në anën tjetër dhe prindërit se dinë veten se ku janë, çfarë roli e përgjegjësie kanë ndaj fëmijëve e ndaj familjes në përgjithësi. E keqja më e madhe është se të gjitha problemet familjare i fshehim duke folur e përgojuar të tjerët, në anën tjetër fshehim budallaqët e fëmijëve tanë. Shkurt e qartë, pse s’jemi të sinqertë e të themi troç, se nuk na bëjnë punët me fëmijët tanë, pse e fshehim këtë, pse veprojmë prapshtë, pse më shumë i lavdërojmë fëmijët tanë kur aspak se merritojnë, në asnjë bisedë me miqtë e mi nuk kam ndëgjuar që të ankohen ndaj fëmijëve, se më shumë ankohen ndaj resë apo nuses sesa ndaj vajzës e djalët. Pse vetëm nuset janë të këqia, kurse djemtë dhe vajzat tona të mira e të mençura.
Në anën tjetër pse institucionet shtetërore nuk marrin masa kundër këtyre vetive të keqia të fëmijëve tanë?
Ministria e Arsimit dështoi, kurrgjë s’ka bërë për edukatën e nxënësve, atëherë si t’ja bëjmë, ku është shpëtimi? Shpëtim është te Ministria e Mbrojtjes. Sistemet komuniste, socialiste nuk kanë qenë aspak të mira për shqiptarët, por një gjë është e vërtete se fëmijet edukoheshin shumë më mirë se sa tani. Edukoheshin me anë të zanateve e shkollimit. Sistemi i atëhërshëm komunist nuk i detyronte që gjithë nxënësit e shkollave fillore të vazhdojnë shkollimin e mesëm, ata që dëshironin e ishin nxënës të mirë vazhdonin shkollimin e mesëm, të dobëtit shkonin nëpër zanate apo punonin punë të ndryshme, kēshtu që rinia e atëhershme s’kishte shumë kohë për ahenge e qejfe të përditëshme. Pra, me anë të angazhimeve, zanateve edukohej rinia. Thënia popullore: “Edukata e sjellja më e mirë e të rinjve është puna”
Nē anën tjetër rininë e atëhershme komuniste e edukonte dhe Ministria e Mbrojtjes me anë të detyrimit ushtarak të çdo të riu. Me ligj, ishte e patjetërsueshme që çdo djalë i ri të kryente obligimin ushtarak. Aty rinia socializohej, shoqërohej, solidarizohej, mësohej e edukohej me disciplinën e regjimit të ashpër ushtarak, duke u mësuar të dëgjonte urdhërat e oficerëve ushtarak, me këtë disciplinë ushtarake të rijtë tanë bëheshin të kalitur e të regjur për jetë e për sfida të mëtutjeshme jetësore.
Do t’shte mirë që të gjitha Ministritë e Mbrojtjeve të shteteve shqiptare të bënin obliguese shërbimin ushtarak të rinisë sonë, e jo obliguese vazhdimin e shkollës së mesme, dhe në SHBA nuk është e obliguar shkolla e mesme, po sipas dëshirës së nxënësve.
Dhe një gjë interesante, në kohën tonë nuk mundej të martohej ai që se kishte të kryer ushtrinë jugosllave duke menduar të tjerët se është i sëmurë fizikisht apo psikikisht e është i pa aftë për t’u martuar e jetuar.

Rrjeti i krimit duhet të luftohet, jo të forcohet



Akademik Prof.Dr. Abdulla MEHMETI

(Kryetar i Akademisë së Shkencave Shqiptaro-Amerikane në Maqedoni)


Mediat e vendit, për aq sa ka të lira dhe të pavarura, duhet t’ia përkujtojnë qeverisë së re në Maqedoni, sidomos kryeministrit, se nuk mund të zbatohen reforma me njerëz të ,,vjetër”, seleksionim negativ të kuadrit të përfshirë në strukturat e saj, disa prej të cilëve kanë dosje të trasha krimesh, sidomos abuzime me pushtetin dhe krime financiare në të kaluarën.

Cili është institucioni kompetent në këtë shtet, i cili e vlerëson pastërtinë e figurave publike, veprimtarinë e kaluar të tyre në organet e pushtetit, arritjet në fushën profesionale, aftësitë menaxhuese dhe jetën e tyre publike në përgjithësi? Kush e këshillon kryetarin e qeverisë aktuale në Maqedoni, e cila dëshiron veten ta paraqesë si reformuese e pushtetit dhe shoqërisë?

Ky kryeministër edhe po ta kishte këshilltar personal Vuçiqin dhe Sheshelin serb nuk do ta kishin këshilluar kaq mbrapshtë, sidomos në lidhje me përzgjedhjen dhe emërimin e disa kuadrove nga radhët e subjekteve politike të shqiptarëve. A ka ky shtet organe të kontrollit, të hetuesisë, inspetorate, media të lira dhe opinion kritik?

Qeveria e re duhet të pushojë me praktikën e derisotme: Sa më keq për shqiptarët, aq më mirë për shtetin!

Respekt për disa kuadro shqiptarë në qeverinë e re, të cilët nuk ka pse të skuqen për të kaluarën e tyre, të cilët mjafton të jenë të vetëdijshëm se mes tyre secili pushtet në këtë vend, me apo pa vetëdije, mundohet ta ripërtërijë rrjetin e krimit, kontabandës dhe spiunazhit në radhët e shqiptarëve, për ta mbajtur gjallë frymën jodemokratike, antishqiptare, proserbe dhe proruse në Maqedoni.

Rrjeti i krimit dhe spiunazhit në Maqedoni duhet të luftohet fuqishëm, për çka na kanë paralajmëruar me kohë edhe institucionet ndërkombëtare, jo të ripërtërihet me kuadro të komprometuar, për veprimtarinë e të cilëve dinë aq shumë qytetarët e këtij vendi, edhe pse organet e pushtetit i kanë lënë në heshtje deri më sot, ndërsa organet e hetuesisë dhe ato gjyqësore nuk ua kanë dhënë dënimet e merituara për krimet e kryera deri më sot ndaj qytetarëve të këtij vendi dhe ndaj shtetit.

Pritëshmëria dhe zhgënjimi nga spitalet

Nga Alide Lloga

Në ditët e sotme më shumë se kurdoherë më parë vizita e pacientëve nëpër spitale është bërë tejet e domosdoshme. Ndodh që këto vizita të bëhen nga kureshtja për të parë gjendjen shëndetësore e për ta pasur në kontroll, por ndodh që shkuarja në spital mund të jetë edhe e papritur. Pikërisht në këtë pikë dua të ndalem, ngaqë në një moment të trishtë e tepër të dhimbshëm ke para vetes vetëm mantila të bardhë, nga të cilët varet shikimi ynë. Në ato momente dritë e shpëtimit është vetëm mjeku, pra te ai varen te gjitha shpresat, sepse takimi me të është i prekshëm. Në një moment ndodhesh në agoni dhe pret shpresën…
Ç’ndodh!?
Është tepër e çuditshme kur bëhet pranimi nga personeli mjeksor, i sëmuri ose nevojtari do ta çuaja dhe shoqëruesi i tij ballafaqohen me një situatë tepër të vështirë, të duket vetja sikur ke hyrë në një tunel e kërkon dritëzën në fund të tij. Në ato çaste askush s’merret me ty thjesht iu intereson se ku do të shpijen dhe a i kanë në rregull ato dreq dokumenta dhe se ç’do të ndodh me ty një Zot e di.
Ankth… ankth…traumë…pritje.
Më shumë informacione merr nga hallexhinjtë që ndodhen nëpër spitale në ato momente sesa nga vetë personeli. Është tepër e dhimbshme dhe për të ardhur keq, se si trajtohet njeriu i këtj shekulli jo vetëm në këtë drejtim, por edhe në shumë drejtime tjera. Gjithsesi mbetem në këtë drejtim. Mjekët e përkeqësojnë situatën edhe më shumë, bile ta shtojnë edhe më ankthin se si do të jetë fati i mëtejmë i të shtruarit në spital. Aq më keq kur vështrimi i shikimeve kryqëzohet dhe në të njejtën kohë të duket vetja se i detyrohesh shumë, që më pas ky të vazhdojë ndërhyrjen, ndërsa me nevojtarin as që merret kush dhe atë për një kohë të gjatë, kësisoj tortura vazhdon të shtohet.
Si një i huaj në ditët e para, s’ ke dhe aq kërkesa, bile sheh rreth e rrotull për të parë ndonjë që mund ta njohësh. Me kalimin e ditëve fillon pak a shumë të ankohesh, por edhe pastruesja ta “tregon vendin”, ndaj vazhdon në heshtje të presësh se ç’do të ndodh me ty dhe ngushëlluesi më i mirë në ato momente bëhet tavani, dyshemeja dhe muri i atij vendi, ku gjaté kohë, por edhe për gjithë jetën mund t’i regjistroj në tru…
Si është e mundur që paraprakisht askush nga personeli mos merret me pacientin për t’i sqaruar situatën ose rrjedhën e mëtejme, fatkeqësisht e njëjta gjë ndodh edhe pas ndonjë intervenimi që mund të ketë kaluar nevojtari ose i shtruari në spital.
Si është e mundur të trajtohet qenja njerëzore si robot, ku fare mirë e dimë se në botën e zhvilluar më mirë i trajtojnë kafshët, kështu që jo vetëm që zhgënjehesh nga ajo që pret, por edhe trefish më shumë të shtohet sëmundja nga e cila vuaje, shtuar këtu edhe sëmundjet e reja që mund të ta gllabërojnë jetën.

Uroj dhe shpresoj që sa më shpejt të zgjidhet kjo çështje, të paktën të punësohen disa psikologë, të cilët do të merren me pacientin, dhe paraprakisht ta përgatisin atë me gjithfarë rezultatesh që mund të ketë. Në këtë mënyrë vdes pritshmëria nga zhgënjimi!

Mehmeti i Gymyshit(Kivanç Tatlitug) : Jam krenar që jam nga Kosova

Mehmeti tregon se është shqiptar
Aktori Kivanc Tatlitug te ne u bë i njohur me interpretimin e rolit të “Mehmetit” në serialin “Gymysh” i cili është transmetuar në RTV21.

Ndonëse nuk e keni ditur, mirëpo aktori i bukur i cili konsiderohet si “Brad Pitti” i Turqisë është me origjinë nga Kosova.


Gjatë një interviste për CNN turk, Kivanç Tatlitug, ka treguar se babai i tij ka lindur në Prishtinë ndërsa më pas është shpërngulur në Turqi.
Pra aktori i bukur turk mban gjak shqiptari.

Mustafa Nano kritikon nervin antisllav të At Gjergj Fishtës


Mustafa Nano.jpg


Mustafa Nano - (lindur në Skrapar) është analist politik shqiptar nga Shqipëria.


Prej më shumë se dhjetë vitesh punon si gazetar në shtypin e në televizionet e Tiranës. 


Në qëndrimet dhe shkrimet e tij dallohet për pkëpamjet e majta liberal-progresiste dhe në disa raste për kritika me një gjuhë fyese dhe të një niveli të ulët intelektual ndaj politikanëve të djathtë. 

Ka bashkëpunuar në periudha të ndryshme me gazetat Shekulli, Korrieri e Shqip. 

Është autor i tre librave eseistikë.



Në libër trajtohet teza e nacionalizmit shqiptar dhe raportet me fqinjët në të gjitha kohërat. Parathënia e librit është shkruar nga historiani Pëllumb Xhufi, i cili tha se ky libër është një tentativë për të kuptuar çështjen e ndarjes së shqiptarëve mes veti dhe me fqinjët duke analizuar marrëdhëniet me fqinjët në të gjitha momentet e historisë. Botuesi Henri Çili tha se Nano ka potencialin për të provokuar intelektualisht një mendje kurioze dhe për të hapur debat.”

Nuk është hera e parë, që autori Mustafa Nano i largohet për një çast ujërave të ndenjura të gazetarisë e publicistikës shqiptare për të ndërmarrë udhëtimin e radhës nëpër kthinat e fshehta të historisë, kulturës e gjuhës shqipe. Albanologjia, me të vërtetat, dilemat, mitologjitë e me misteret e saj, duket se është pasioni i tij i viteve të pjekurisë. Sprovat e para të kësaj stine të re të krijimtarisë së tij Nano na i kishte dhënë që me botimin e librit “Unë jam gegë”, në vitin 2013 dhe të atij me titull “Pax Albanica”, më 2014. Jo pa qëllim, autori ka zgjedhur një titull libertin e provokativ për librin më të fundit të tij, “Sandwich (A është mirë me qenë shqiptar?)”.

Në fakt, mund të mos duket i gjetur titulli i këtij libri që rreket të trajtojë probleme të debatueshme të historisë, gjuhës e kulturës shqiptare, teksa bie në sy konfeksionimi i tij në një gjuhë dialektore anti-standard, fillimi i tij paradoksal me një fjalë të huaj të kulturës fast food dhe, mbi të gjitha, shtrimi në formën e një dileme shekspiriane i pyetjes “të jesh a të mos jesh… shqiptar”, thotë historiani Pëllumb Xhufi.

Ky titull, i zgjedhur qëllimisht nga autori, rrezikon t’i tingëllojë antipatik e irritues lexuesit tradicional, që do të ndihej i fyer në qenien e tij shqiptare dhe në ndjenjat e bindjet e veta puritane mbi historinë, kulturën e gjuhën e popullit shqiptar. Por, pavarësisht titullit ekstravagant, çdo lexues që e njeh krijimtarinë e Mustafa Nanos mund të rri i qetë, se në rastin e këtij libri të ri nuk kemi të bëjmë me një “rrëshqitje” të autorit në pozita renegate dhe as me një projekt të fshehtë për të çshenjtëruar a demontuar një lavdi kombëtare, siç është albanologjia.

Në fakt, qysh në faqet e para të librit bindesh se qëllimi i autorit nuk është edhe aq i keq. ”Ky ka zgjedhur të shpërfaqë përpara lexuesit faktet dhe ngjarjet më të rëndësishme e më gjurmëlënëse të historisë, gjuhës e kulturës shqiptare, duke ballafaquar dëshmitë dhe interpretimet e ndryshme e shpeshherë, nëpërmjet analizave të imëta, duke artikuluar një qëndrim e vlerësim të vetin mbi to.

Ah po, Nano e merr përsipër një mision “mohues”, madje edhe “destruktiv”, por ky është një mision fisnik, pasi ka të bëjë me demontimin e miteve, me rishikimin (revizionimin) e disa “të vërtetave të gjithëpranuara”, por që nuk i qëndrojnë kohës e i bëjnë dhunë të vërtetës. Sigurisht, shqyrtimi në mënyrë kritike i disa prej tezave kryesore të shkencave albanologjike, siç janë ato që kanë të bëjnë me origjinën e popullit shqiptar, me vazhdimësinë iliro-shqiptare, me marrëdhëniet e shqiptarëve me sllavët e me grekët, me gjuhën e kulturën e tyre, me procesin e islamizimit, me rolin e shqiptarëve në ngjarjet e mëdha politiko-ushtarake në rajonin e Ballkanit, etj., është një ndërmarrje që kërkon guxim, e guximi nuk i mungon opinionistit Mustafa Nano, njërit prej zërave të rrallë kritikë të gazetarisë shqiptare të periudhës së trazuar të tranzicionit post-komunist.

Por, të flasësh për historinë, gjuhën, kulturën e shqiptarëve dhe vendin e tyre në kontekstin ballkanik, kërkon edhe dije të thella dhe duhet thënë se shënimet e shumta në fund të faqeve të këtij libri janë aty për të dëshmuar se autori ka studiuar dhe është thelluar mjaft në problematikën rreth së cilës vërtiten hulumtimet, konstatimet dhe analizat e tij”, thotë Xhufi.

Sipas tij, Nano ka zgjedhur një gamë gjithëpërfshirëse të literaturës bazë, ku bëjnë pjesë si autorë të konsideruar “filo-shqiptarë” të llojit G. Hahn, Fallmerayer e Durham, ashtu edhe autorë të stigmatizuar si “albanofobë” e deri “albanofagë” të tipit Pouqueville, Gjorgjeviq, Wilkinson, Mackenzie etj. Autori kalon sipër kësaj ndarjeje skematike, duke lexuar e vlerësuar gjithsçka. Një qasje e tillë i mundëson në mjaft raste të japë vlerësime origjinale e të besueshme, sipas parimit të vjetër “e vërteta qëndron në mes” (in medium veritas).”Përsa i përket marrëdhënieve historike të shqiptarëve me fqinjët, Mustafa Nano është i bindur se një rishqyrtim objektiv do të sillte një çdramatizim e çtensionim të tyre në ditët e sotme.

Vërtet, ai nuk lë, e nuk mund të lërë pa komentuar platformat nacionaliste e antishqiptare të fqinjëve, si “Megali Idenë” greke, apo “Naçertanjen” serbe të Ilia Garashaninit dhe elaboratin albanocid të Vasa Çubrilloviqit. Këto, dihet, u kthyen në ushqimin kryesor të politikave të Greqisë e Serbisë kundrejt Shqipërisë e shqiptarëve, duke prodhuar në terren ngjarje të përgjakshme, masakra e operacione masive të spastrimit etnik, më i fundit prej të cilëve ishte ai i viteve 1998-1999 në Kosovë.

Nga ana tjetër, konstaton Nano, Greqia, vendi që para 200 vjetëve ishte më multietniku e multifetari në Ballkan, sot krenohet të paraqitet si vendi etnikisht e fetarisht “homogjen”. Kjo gjë nënkupton se në këta dy shekuj banorët shqiptarë, vllehë, turq, hebrej e sllavë të saj ose janë përzënë, ose janë greqizuar me dhunë, ose janë zhdukur”, thotë Xhufi.

Megjithatë, autori konsideron se në një mjedis inkandeshent e skizofren, si ai ballkanik, shfaqjet e nacionalizmit duhen mbytur që në vezë, e në këtë kuptim ai nuk heziton të trajtojë me po aq dorë të rëndë edhe shfaqjet e interpretimit nacionalist të historisë tek shqiptarët, siç ishte edhe ajo tentativë e ndrojtur e vitit 1998, kur Akademia e Shkencave të Shqipërisë kuturisi të hartojë një platformë mbi zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare.

Nisma është gjithsesi e kritikueshme, pavarësisht se platforma në fjalë e parashihte realizimin e idealit rilindas të bashkimit kombëtar në kuadrin e projektit europian të integrimit dhe aspak si një rezultat luftërash, dëbimesh e spastrimesh etnike. Kështu, qëndrimet nacionaliste e ksenofobe, që ngrenë krye herë pas here në ligjërimin politik, në shtypin e shkruar apo edhe në veprat akademike gjejnë tek Mustafa Nano një kritik vigjilent e të pamëshirshëm. Në fund të fundit nuk duhej pritur ky libër për të njohur këtë anë të credo-s së tij.

Në favor të saj flet edhe veprimtaria më se 20 vjeçare prej gazetari e opinionisti të radhës së parë në betejat për të drejtat e njeriut e të minoriteteve, shembjen e barrierave të dhunës e të urrejtjes, për një njohje e komunikim më të mirë, për paqe e mirëkuptim mes popujve ballkanikë. Nuk është pa domethënie fakti që Mustafa Nano distancohet prerazi nga kori i intelektualëve hipokritë, kur guxon, si askush tjetër në këta 25 vjet lirie akademike e intelektuale, të kritikojë nervin antisllav të At Gjergj Fishtës në “Lahutën e Malcis”.

Përballë vargjeve të poetit, vargje mjeshtërore, po ku janë tepër të ndezura tonet e ngjyrat e një armiqësie të hiperbolizuar e historikisht të papërligjur mes shqiptarëve e malazezëve, Mustafa Nano nuk përmbahet ta thotë açik mendimin e tij: “Vepra më e mirë e Fishtës meritonte një fabul më të denjë historike”. Në të kundërtën, ai ndjek një tjetër linjë marrëdhënieje me fqinjët, duke kërkuar e duke evidentuar atë çka është pozitive, posaçërisht në marrëdhëniet e tyre me shqiptarët. Momente të shumta të historisë, të rindërtuara nga autori me citim të bollshëm dokumentash, kronikash bashkëkohore e historianësh me emër, flasin për bashkëjetesë normale e bashkëpunim deri edhe me serbët. Tregues i saj është ekzistenca shumëshekullore e një brezi të gjerë të simbiozës shqiptaro-serbe, që fillonte nga Bosnja, në veri, e përfundonte në Mal të Zi e Kosovë, në jug.

Në enklava të veçanta të këtij brezi, vazhdojnë të ruhen edhe sot gjurmë të kësaj simbioze, pavarësisht politikave të homogjenizimit etnik të zbatuara me egërsi nga koha e krijimit të shtetit të pavarur serb. Në dy betejat e mëdha të Kosovës, atë të vitit 1389 e 1689, shqiptarët e serbët u ndodhën në një llogore kundër pushtuesit osman.

Që nga koha e princit Dhimitër të Arbërit, më 1210, midis shtëpisë mbretërore serbe të Nemanjiqëve dhe princërve shqiptarë nga familjet Balsha, Kastrioti, etj. dëshmohen aleanca ushtarake, të sanksionuara edhe me lidhje krushqie.

Akoma më të ngushta rezultojnë lidhjet mes shqiptarëve dhe malazezëve, të cilët autorë të ndryshëm, si kroati Milan Šufflay, anglezja Edith Durham e vetë malazezi Mark Milani, i nxjerrin me origjinë të përbashkët. Në të mirë e në të keq, në virtyt e në ves, shqiptarë e malazezë ngjajnë PARATHËNIE 5 si dy pika uji. Jo më kot historia, letërsia e folklori i dy popujve rezervon konsiderata e vlerësime për njëri-tjetrin. Nano na kujton se në “Kurorën e Maleve” të Petar Petroviq Njegoshit, për shqiptarët flitet përgjithësisht mirë.

Në një prej këngëve të tij, tregohet se si Ivan Crnojeviqi, në vend të djalit të tij fytyrëprishur, dërgoi në Venedik një sozia shqiptar nga Ulqini, Gjuron, për të kërkuar dorën e vajzës së dogjit. Edhe vet At Gjergj Fishta, që inatin me sllavët e ka të madh, ndërsa derdh gjithë artin e pezmin e vet kundër “shkjajve” të knjaz Nikollës, nuk mund të bëjë pa shpenzuar ndonjë fjalë të mirë për “cernagorasin trim” e për Mark Milanin, “pikë e djalit”.

Nën dritën e bashkëjetesës e të bashkëpunimit i sheh autori i këtij libri edhe marrëdhëniet historike me fqinjët e jugut, me grekët. Emblematike e vendimtare për nga rëndësia ishte përfshirja e shqiptarëve në kryengritjen e madhe çlirimtare të vitit 1821, ku dhanë kontributin e tyre nga heronjtë e krishterë si Marko Boçari, Odise Andruco e Teodor Kollokotroni, e deri tek dinjitarë të shquar myslimanë, si Ali Pashë Tepelena, Ali Farmaqi e Abas Çami. Duket se po shkojmë drejt pikturimit të një peizazhi thuajse idilik marrëdhëniesh, i ndërtuar plot mjeshtëri, por edhe me vërtetësi nga Mustafa Nano.

Por është po ky që, kur kujtohet se është duke kapërcyer cakun e së lejueshmes e të besueshmes, nxiton të saktësojë se marrëdhëniet mes shqiptarëve e fqinjëve të tyre janë shenjuar edhe nga periudha ngërçi e konflikti. Masakra e vitit 1703 e ushtruar nga vladika i Malit të Zi, Danilo Petroviq, mbi myslimanët shqiptarë, dëbimet e dhunshme të popullsive shqiptare nga viset e Sanxhakut e të Nishit më 1877 apo rrethimi i Shkodrës më 1912-1913 janë disa prej episodeve, që dëshmojnë edhe anën tjetër të këtyre marrëdhënieve. Ndërkohë në krahun jugor, iu përgjigjen dëshmitë lebetitëse të masakrave greke të vitit 1822 mbi ushtarët shqiptarë të garnizonit të Athinës, të vitit 1913 e 1914 mbi popullsitë shqiptare myslimanë të Janinës, Çamërisë e Toskërisë.

Megjithë bonizmin metodik të tij, autori Nano nuk mund t’i vidhet të vërtetave historike dhe prandaj nuk mund të rrijë dot pa kujtuar edhe gjëma e ploja të tilla, që rëndojnë jo pak në bilancin e marrëdhënieve të shqiptarëve me fqinjët e tyre, por që gjithsesi nuk e komprometojnë kuadrin e përgjithshëm dhe perspektivën e atyre marrëdhënieve.

Autori konstaton drejt se jo rastësisht, ballafaqime të tilla mes popujve të kësaj ane të Ballkanit përkojnë me periudhën e lindjes së ideologjive kombëtare dhe me përpjekjet për krijimin e shteteve kombëtare.

Dhe për popullin shqiptar rezultoi me pasoja fatale fakti që ai u paraqit në këtë fazë vendimtare të historisë së tij me një vonesë të theksuar historike, me ndarje të thella kulturore e fetare, pa unitetin e duhur moral e politik e pa aleatë të jashtëm.

Nën kërcënimin e fqinjve grabitqarë e të protektorëve të tyre të mëdhenj në Europë, shqiptarët u detyruan t’i bashkëngjiten Perandorisë Osmane e ta shoqërojnë atë në udhëtimin e mbramë, edhe pse kishin qenë ata që më shumë se çdo popull tjetër ishin përleshur e përgjakur me osmanët.

Pikërisht këtë bashkëpunim të orëve të fundit u munduan të shfrytëzojnë fqinjët ballkanikë për t’u kërkuar Fuqive të Mëdha njohjen e territoreve shqiptare të pushtuara. Pa çka se, kishin qenë vetë ata, serbët, bullgarët e grekët, që e kishin shtruar rrugën e bashkëpunimit me turqit osmanë PARATHËNIE 7 qysh kur këta u hodhën për herë të parë në kontinentin europian, në fund të shek. XIV.

Si për të rivendosur një ekuilibër, që ai e konsideron të prishur në lëmin e studimeve albanologjike, Nano gjen mjaft raste për të kritikuar qëndrimet “politikisht korrekte”, por “shkencërisht hipokrite” të studiuesve shqiptarë, që ndonjëherë ia nënshtrojnë të vërtetën shkencore një utilitarizmi kinse patriotik. Këtu përfshihen studiuesit, që, siç shprehet Nano, “nuk u rezistojnë dot ngasjeve për të nxjerrë në pah madhështinë putative të kombit apo për të provuar me hir a me pahir autoktoninë e tij”! Makar duke e shtyrë këtë autoktoni deri në kohët e mjegullta pellazgjike.

Me të njëjtin nerv kritik, autori fshikullon atë që ai e quan “garë qesharake e absurde mes historiografisë serbe e asaj shqiptare për të hipotekuar një personazh imagjinar”, siç është Milosh Kopiliqi, vrasësi i Sulltan Muratit i në Betejën e Kosovës, më 1389, që fanepset në këngët epike sa të serbëve aq edhe të shqiptarëve.

Jo shumë larg, por 2-3 dekada më parë, pikërisht kur çështja e statusit të Kosovës hyri në fazën e saj përmbyllëse, studiues serbë e shqiptarë u stërmunduan në konferenca e botime të posaçme, ku “përvetësimi” i figurës fantazmagorike të Milosh Kopiliqit mori vlerën e një hipoteke historike të shqiptarëve apo të serbëve mbi Kosovën. Me të njëjtin skepsis vlerëson Mustafa Nano edhe versionet serbe e shqiptare të një tjetër ngjarjeje historike, luftës austroturke të vitit 1689 në Kosovë.

Edhe kjo, falë artit të engineering-ut, u shndërrua nga këta historianë në arsyen e të qenit, serbe apo shqiptare, të Kosovës. Me një bezdi gati fiziologjike dhe duke u mbështetur në autorë të mirënjohur e “asnjanës” të kalibrit të Noel Malcolmit, Nano përpiqet 8 PARATHËNIE të ndërtojë të vërtetën e asaj ngjarjeje reale, e cila, sipas tij, nuk qëndron me historianët serbë, të cilët pretendojnë se në përfundim të luftërave austro-turke të atij viti, territori i Kosovës u zbraz nga popullsitë serbe, për t’u mbushur më vonë me popullsi shqiptare. Por po aq fantastik i duket Nanos edhe interpretimi i ngjarjeve në fjalë nga ndonjë studiues shqiptar, sipas të cilit e gjithë popullsia shqiptare e Kosovës, si ajo e krishterë, ashtu edhe ajo myslimane, u rreshtua gjatë atij konflikti në krahun e ushtrive austriake e, për rrjedhojë, pas thyerjes së këtyre të fundit, një pjesë shumë e madhe e saj e braktisi Kosovën.

Por, pavarësisht këtij eksodi, Kosova mbeti e banuar dendur nga shqiptarët, gjë që lë të nënkuptohet se ky vend ishte shqiptar deri në palcë! Duket qartë, pra, se me përjashtim të një autoriteti shkencor, si E. Çabej, të njohur e të vlerësuar ndërkombëtarisht për akribinë e integritetin e tij shkencor, Mustafa Nano nuk ushqen ndonjë konsideratë kushediçfarë për studiuesit shqiptarë. Kjo e bën të sikletshëm pozicionin e autorit të këtyre radhëve, të cilit i është dashur të komentojë një vepër, sigurisht të guximshme, të argumentuar e solide, duke pasur edhe ndonjë mendim a interpretim të ndryshëm mbi faktet e ngjarjet e përshkruara aty.

Por me Nanon është kënaqësi e pasurim intelektual të ballafaqohesh e këtë do ta bëjmë me kënaqësi edhe më tej. Për momentin do donim të nënvizonim edhe njëherë se me këtë “zhytje” të fundit në albanologji, Mustafa Nano i ka sjellë publikut të gjerë një paraqitje kritike të problematikës bazë të shkencave që trajtojnë historinë e kulturën e popullit shqiptar.

Faktet e shumta, të përzgjedhura posaçërisht për të lënë gjurmë tek lexuesi, si dhe stili dinamik, prodhojnë tek ky i fundit adrenalinën e nevojshme për të ndjekur syhapur e me interes shtjellimin e çështjeve të ndërlikuara, gjë që nuk arrin ta bëjë gjuha e ftohtë, e mbingarkuar dhe e lodhshme e një studiuesi të mirëfilltë.

Përcjellja e një problematike rigorozisht shkencore nga mjediset akademike tek lexuesi i zakonshëm është, edhe ky, një ushtrim i jashtëzakonshëm intelektual dhe një mision, që vetëm pena të ditura e të stërvitura, si ajo e Mustafa Nanos, mund ta kryejnë siç duhet.

Pasojat e Speciales, ja çfarë pritet të ndodh në Kosovë nëse Gjykata akuzon presidentin dhe kryeministrin


Gjykata Speciale e votuar në Kuvendin e Kosovës, pritet që së shpejti të fillojë me aktakuzat e para.

Në media janë përfolur emra të ndryshëm, sidomos emri i presidentit Hashim Thaçi dhe data se kur mund të fillojnë aktakuzat e para, mirëpo nga Gjykata Speciale ende nuk ka asgjë zyrtare në lidhje me këtë.

Por, sa është e mundur që nga Specialja të bëhen aktakuza për persona që mund tu lihet në gjysmë karriera politike, për shkak të angazhimeve të tyre në këtë fushë.

Gjoshi: Nëse presidentit apo kryeministrit i hiqet mandati, shkohet në zgjedhje

Duke komentuar në lidhje me këtë, avokati Adrian Gjoshi,  ka thënë se Specialja do të merret me ish-ushtarët e UÇK-së që kanë pozita në institucione, andaj sipas tij, do të ketë nevojë për zëvendësime.

Image
Adrian Gjoshi


Ai ka theksuar se të vetmit pozita që mund të përjashtohen nga Specialja, do të jetë ajo e presidentit dhe e kryeministrit.

Por, sipas tij, në rast se edhe këtyre të dyve do t’iu hiqej mandati, vendi do të shkonte pashmangshëm në zgjedhje të reja.

“Duke qenë që Gjykata Speciale është e dizajnuar në atë mënyrë që, ndër të tjera, për subjekt të aktakuzës t’i ketë ish-ushtarët e UÇK-së, e meqë këta të fundit kanë pasur pozita kyçe në institucione, sigurisht që mund të vijmë në situatën ku këto pozita do të kërkonin zëvendësime ose edhe vota të reja! Përjashtuar presidentin dhe kryeministrin, të gjitha pozitat tjera mund të zëvendësohen. Deputetët zëvendësohen nga deputetët tjerë të cilët janë në rend menjëherë pas humbësit të mandatit; ministrat zëvendësohen nga formatori i qeverisë. Ndërsa, për shkak se pozita e presidentit dhe kryeministrit nuk mund të zëvendësohet në mënyrë permanente, në rast se ndonjërës prej këtyre pozitave do t’i hiqej mandati – zgjedhjet e reja do të ishin të pashmangshme. Në këtë drejtim, aktivizimi i Gjykatës Speciale, sigurisht, do të ketë reperkusione politike dhe sociale”, është shprehur Gjoshi.

Se si mund të shihet kjo gjendje në Kosovë, kur vendi sapo ka dalë nga zgjedhjet, Gjoshi ka thënë se jopaarsyeshëm nga shumë komentues ky aktivizim shihet si ndryshim në strukturën politike të Kosovës dhe kërkohet maturi e gjakftohtësi qytetare.

Kryeministrja e re e Serbisë, Ana Brnabiq : Albin Kurti apo Ramush Haradinaj? Ja kush do të ishte më i mirë për Serbinë

Kryeministrja e re e Serbisë, Ana Brnabiq në një intervistë për gazetën serbe Blic ka folur edhe për situatën politike në Kosovë.

Ana Brnabiq

E pyetur se cili do të ishte kryeministër më i mirë për Serbinë,Ramush Haradinaj apo Albin Kurti, ajo tha se të gjithë janë të njejtë, dhe se me janë të gatshëm të bisedojnë me secilin që e përfaqëson Kosovën.

“Albin Kurti apo Ramush Haradinaj? Kosova është pjesë e Serbisë, dhe si partnerë të përgjegjshëm ne do të flasim me të gjithë që e përfaqësojnë palën tjetër”, tha kryeministrja serbe.

Ajo tutje foli edhe për dialogun në Bruksel, ku tha se është e gatshme të merr pjesë në negociata me Prishtinën.

“Në qoftë se ka nevojë që unë të shkojë në Bruksel, do ta bëj. Kjo është pjesë e punë sime. Por, sipas BE-së do të ishte më mirë për ta zhvilluar dialogun në nivel presidencial.

Presidenti kosovar Hashim Thaçi dhe Presidenti i tashëm serb Aleksandër Vuçiq deri më tani kanë marrë pjesë në dialog, dhe mendoj se kjo do të ishte zgjedhja e duhur”, shtoi Ana Brnabiq.

Kryeministrja serbe ditë më parë kishte deklaruar se qëndrimi i saj ndaj Kosovës do të vazhdojë të mbetet i njëjti, sikur ka qenë gjithmonë i udhëheqësve serb.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...