2017-08-13

Nga Kastriot Myftaraj : Kush është vajza serbe në kabinetin e Ilir Metës

Kush është vajza serbe në kabinetin e Ilir Metës
Dejana Bozho Kallugjeroviç, militantja 21 vjeçare e LSI, kryetare e Rinisë Studentore të kësaj partie, njëkohësisht studente e gazetarisë, e cila në 2015, në moshën 19 vjeçare, u zgjodh anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës nga lista e LSI, në shtator pritet të hyjë në kabinetin e Presidentit Meta, si këshilltare e tij për minoritetet etnike. Zonjusha Kallugjeroviç është me origjinë sllave, malazeze, dhe i përket një fisi që në censuset e fundit të popullsisë në Mal të Zi janë deklaruar serbë.

Dejana këtë vit diplomohet për gazetari dhe komunikim në Universitetin Publik të Tiranës dhe mund të quhet me fat që do të gjejë punë madje që para se të marrë diplomën. Dhe punë të mirë pasi si asistente e Presidentit do të paguhet si të ishte deputete, rreth 150 mijë lektë rinj në muaj pa llogaritur pagesat për telefon, karburant, dietat për shërbimet e shpeshta, udhëtimet jashtë vendit.


Dejana e cila është vajzë me temperament të fortë, u bë e njohur para një viti kur me rastin e një deklarate të Ilir Metës, i cili tha se po të ishte nevoja për të mirën e Shqipërisë, shkonte e bënte burgun në Washington ose në Bruksel, duke lënë të kuptohej se qëllimi i reformës në drejtësi ishte arrestimi i tij dhe Sali Berishës. Me rastin e deklaratës së Metës, zonjusha Kallogjeroviç tha:
“Ilir Meta na ke gati, me ty jemi të gjithë Mujo Ulqinaku.”

A thua, se të parët e saj Kallogjeroviçë kanë luftuar në krah të Mujo Ulqinakut në Durrës, në 7 prill 1939!

Zonjusha Kallugjeroviç disa vite më parë nisur edhe një karrierë në art, si pjesëmarrëse në videoclipe këngëtaresh. Në një nga takimet me studentë që thërret shpesh Zonjusha Kallugjeroviç për të rekrutuar anëtarë për partinë e saj, u krijua një situatë komike, kur një vajzë e ndërpreu duke i thënë:
-Më fal, unë ty të kam parë në një videoclip!
Image result for Dejana Bozho Kallugjeroviç,
Zonjusha Kallugjeroviç në fillim e mohoi, por pastaj kur të gjithë të ftuarit gjetën videoclipin në youtube në telefonat e tyre, u detyrua ta pohonte se kjo ishte e vërtetë, por do t’ i kishte pëlqyer të mos kishte ndodhur.

Në të vërtetë, edhe në detyrën e saj të re në Presidencë Zonjusha Kallugjeroviç, nuk do të bëjë gjë tjetër veçse videoclipe politike. Nejse, Dejana së paku do ta zbukurojë stafin e Presidencës

Skenari i Ramiz Alisë për ikjen e të burgosurve politikë drejt Francës?!

Image result for enver hoxha

Historia e peticionit që shkoi në burgun e Burrelit për t’u firmosur, përmes së cilës të burgosurit politikë duhej të ngushëllonin gruan e diktatorit, Nexhmijen. Provokimi me të burgosurit politikë nga komisarët e sigurimit. Rrëfimi vjen në vëllimin e dytë të botimit të Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, “Zërat e kujtesës” me cikël intervistash, shënimesh memuaristike, me të mbijetuarit e diktaturës komuniste në Shqipëri, me të cilët biseduan Agron Tufa dhe Luljeta Lleshanaku

Rrëfimi/ Korrik 1990

ramiz alia



Lavdosh Beqo, nga Vlora, të cilin kur e dënuan qe përfshirë në “Grupin e gjimnazit Ali Demi”, ishte 17 vjeç dhe bëhet fjalë për vitin 1950. Atë vit të arrestimit të tij, ishin lëshuar provokacionet greke apo hedhjet e bandave të diversantëve, kështu dhe këta djem të rinj krijuan “aktivitetin” e tyre duke shpërndarë trakte derisa u zbuluan, u arrestuan dhe më pas u dënuan. Beqo u dënua me 18 vjet heqje lirie.
Image result for enver hoxha
Në ciklin “Zërat e kujtesës” me intervista, shënime memuaristike me të mbijetuarit e diktaturës, me të cilët biseduan Agron Tufa dhe Luljeta Lleshanaku, Beqo kujton torturat në burg, jetën në kampet e punët e rënda. Fillimisht dënuar në kampin e punës në Maliq, Beqo pas një varg vuajtjesh përfundon në burgun e Burrelit, ku ka një situatë kujtese mjaft komplekse, jo vetëm në njohjen me personalitetet politikë të dënuar, që kishin refuzuar regjimin e Enverit, por edhe njohja dhe sjellja e dëshmive tronditëse të disa emrave të priftërinjve të dënuar. Është ndër rrëfimet më të gjata, që përshkruan me detaje gjithë kalvarin e 20 viteve burg, ndërsa jemi ndalur në disa momente që lidhen me ngjarje të panjohura, anë të errëta, dhe dëshmi të drejtpërdrejta që Beqo ka jetuar vetë. Një nga këto raste është se si arritën të burgosurit të arratiseshin, dhe cilët ishin të parët që “shpërthyen” dyert e ambasadave! Lavdosh Beqo rrëfen një anë tjetër të historisë së errët nga diktatura, në momentet më delikate të saj: Kur u hapën ambasadat, unë erdha, menjëherë në Tiranë, se kisha dy motra të martuara, këtu. Dhe mora vesh që kishin hyrë më shumë ata të Tororvicës, të kampit të Torovicës që ishte një kamp i tmerrshëm ordinerësh, ku të burgosurit janë trajtuar mizorisht. Aty në kamp mbaheshin kryesisht minorenët, që kishin bërë vjedhje. Në kampin e Torovicës kishin çuar policët më të këqinj dhe brigadier; njerëzit më të degjeneruar. Futja e tyre në ambasadë më bëri të hezitoj për të hyrë vetë, sepse mendova që trupi diplomatik nuk do t’i merrte seriozisht. Dhe pjesa më e madhe prej nesh nuk hymë në ambasadë, sepse gjykuam që do t’i nxirrnin me forcë, dhe pastaj do të na bënin ne, si organizatorë, e do të na dënonin për herë të tretë. Por, pasi pashë që ata i morën, fillova të interesohem. Dhe gjeta një rrugë tjetër që të ikja; andej nga kishte ikur nipi im, nga Kalaja e Dodës”.

Image result for enver hoxha

Ndërsa ka rrëfyer torturat në hetuesi, si ishte afër vdekjes kur duart e tij ishin lidhur jo vetëm me pranga por edhe tela. “Kur më merrnin në pyetje natën më mbanin në këmbë të lidhur dhe hetuesi pyeste e unë s’përgjigjesha se më merrte gjumi e bija top në shesh, në çimento. Edhe në hetuesinë e dytë kështu më ka ndodhur ndërkohë që hetuesi lexonte libra. Me merrnin natën sepse hetuesit i paguanin orë jashtë orarit kur punonin në orë të vona”.

I vendosur fillimisht në kampin e Maliqit, ja çfarë kujton Beqo: “ajo që ishte më interesante në atë kamp, pa llogaritur punën e tmerrshme në ujë deri në gjoks, pa llogaritur urinë, ishin policët e brendshëm. Pra në kamp kishte dy kategori policësh: të jashtëm dhe të brendshëm, megjithëse ne, nga puna në kamp, ktheheshim kur perëndonte dielli. Në atë kamp kishin sjellë edhe një kriminel që kishte qenë oficer madhor, me luftën, por kishte bërë një vrasje e s’kishin si t’ia bënin, dhe e dënuan dhe e prunë aty. Ai ishte komunist, quhej Hamdi Lemo. Në kamp ndihmonte policinë. Më kujtohet fare mirë, në kazermë, kur përdorte një shkop, të cilit i kishte vënë gozhdë në fund. Një mëngjes na zgjonte që në katër të mëngjesit, kur ishim të vdekur, dhe ai na qëllonte me të sa mundej. E ka qëlluar aq fort në kupë të gjurit Balto Vlashin nga Durrësi, aq sa e la sakat. Polici i brendshëm që quhej Njazi Sala, ishte i çmendur. I çmendur me plot kuptimin e fjalës. Mendoje që një i çmendur trajtonte 1500 të burgosur. Një polic tjetër i binte bilbilit që të zgjoheshim…kur ky Njaziu futej në kazermë e na qëllonte barbarisht. Më ka qëlluar njëherë në këmbën e djathtë sa nuk u thye, prej saj edhe sot unë mezi eci.”
Image result for enver hoxha
Lavdoshi tregon se i ka provuar pothuaj të gjitha kampet e Shqipërisë. Nga Maliqi në Gosë të Kavajës, Ura Vajgurore, e me radhë në burgun e Burrelit…..

Në këtë burg ai ka rrëfimet më të gjata, duke kujtuar personalitetet shqiptare të persekutuara, intelektualë e priftërinj. Në këtë rast ai kujton dënimin e Dom Shtjefën Kurtit duke treguar nga rastet e rralla se si u vinte vdekja atyre që kishin marrë dënimin kapital, me heqjen e jetës. Ja si sjell në memorie këtë personazh: “Komunistët ndiqnin një taktikë: pasi të kishin arrestuar, të kishin torturuar, të kishin dënuar, në fund të thoshin: Na thuaj fjalën e fundit. Ç’ishte kjo fjalë e fundit? Sigurisht të dënuarve me vdekje u dhimbsej jeta. Por, ata e kishin bërë zakon: ia kërkonin kujtdo këtë. Dhe po të thoshe kërkoj mëshirë, ti e kishë pranuar automatikisht fajin. Disa nganjëherë tregoheshin të dobët, dhe e kërkonin mëshirën. Të njëjtën gjë bënë edhe me Dom Shtjefën Kurtin- I kërkuan fjalën e fundit. Ai u ngrit e tha: “Zotëri, unë e falënderoj Zotin që më thërret pranë vetes së tij, pikërisht nga kjo sallë e nga kjo kishë, që unë e kam ndërtuar bashkë me këta që keni mbledhur këtu, e ku unë kam shërbyer”. Dhe u ul. Nuk është aq e lehtë ta bësh këtë.. Nuk e di nëse do e kisha bërë unë, po të isha në vendin e tij…”

Skenari i Alisë për ikjen e të burgosurve politikë drejt Francës?!

***

Por çfarë ndodhi? Për fat të mirë, duke bredhur nëpër Tiranë, pashë që ne na mungonin dy nga shokët tanë, që kishin ardhur edhe ata nga Vlora. Pyeta për ta dhe më treguan që “kanë ikur me aeroplan”, Si kanë ikur”? –pyeta unë i habitur. Po shesin bileta pa vizë, -më thanë.

Unë njihja një kameriere që punonte në një ëmbëltore që quhej “Besa” më dukej, që ndodhej m’u afër vendit ku shiteshin biletat, dhe shkova e takova, me një shokun tim. Ajo shkoi e foli me drejtorin, dhe drejtori më tha: “Rroni në rresht që të prisni biletën”. Ne ndenjëm në radhë dhe premë biletën. Por kishte një kusht: që po të kthenin, këta nuk mbanin përgjegjësi. Dhe pas dy orëve duhet të niseshim prej atyre të shkonim në Rinas. Ika me vrap të takoja nënën…Këtë herë e kisha lejen e nënës dhe të motrës për të ikur, sepse kam pasur edhe raste të tjera të sigurta, por, që ato të dyja nuk donin, sepse e dinin që do t’i kthenin prapë në internim.

Shkuam me autobus në aeroport, dhe bashkë me në erdhën edhe dy djem tiranas, me të cilët kisha shumë muhabet dhe të cilët më kishin kërkuar që t’i ndihmoja kur të mbërrinin atje, në Francë….

Image result for enver hoxha

…..Pasi ndenjëm 15 ditë në atë hotel, na çuan në një qendër, ku këta që kishin marrë azilin politik, mund të bënin komplet, dhe prej aty shpërndaheshin. Mua me këtë shokun, na mbajtën në Paris; na çuan në një hotel tjetër, një hotel shumë të mirë dhe na dhanë nga një dhomë secilit. Kemi ndenjur dy vjet atje. Pas dy vjetësh drejtoresha na tha: Nuk na japin më fonde për ju. Meqë kam përshtypje shumë të mira jam interesuar, që t’ju çoj në një nga azilet më të mira që ka Franca. Për fat të mirë, ata kanë pranuar t’ju marrin. Unë i thashë: Mirë ky (për shokun tim) që është i moshuar, por unë, nuk kam mbushur akoma gjashtëdhjetë vjetët”. Atëherë ajo tha: Do ta rregulloj unë punën tënde.
Image result for enver hoxha
Dhe të nesërmen, vjen një mjek, gjoja për të vizituar. Dhe ai bëri një raport, ku thuhej që “ky nuk është i aftë për asnjë punë”. Raporti ishte i shkruar mirë, i firmosur dhe vulosur. Dhe raportin ma dha mua në dorë, dhe më tha: “Me këtë raport do të të pranojnë atje”. Mirëpo ne, kishim zënë një mik atje, një mësues të gjuhës angleze, që ishte në pension. Ia tregova atij raportin dhe pasi e lexoi më tha: Nesër që në mëngjes, që në orën tetë, takohemi për kafe.

Të nesërmen, po më priste në kafe dhe ikëm të dy. Ai përpara unë mbrapa, nëpër Paris, që ishte një botë tjetër. Përfundimisht, ai më çoi në zyrën ku jepeshin pensionet. Ky i njohuri im, me sa duket, e njihte atë zonjën që ishte shefe aty. Dhe ajo e pyeti: pse jeni munduar?. Kam një mik shqiptar për pension – e sqaroi ai. Ajo më pa mua, dhe dalloi se isha i ri akoma për pension 58 vjeç. Po mirë e ka mbushur moshën ky, e pyeti. Jo, nuk e ka mbushur. Është emigrant politik, por ka këtë – i tha dhe i dha raportin në dorë asaj zonjës. Ajo e mori dhe e pa. Atje ishte shkruar: ky ka bërë 20 vjet burg dhe është i paaftë për punë. E vuri letrën mbi tavolinë (e kam parasysh si sot) i vuri menjëherë firmën, vulën dhe m’u drejtua mua. “Keni librezë banke”? Nxora dhe i dhashë librezën. E mori numrin e librezës dhe më tha: Ik se do të të vijë pensioni në shtëpi. Pra, vendosi aty për aty; nuk më kaloi fare në komision. Prej asaj dite, mua më filloi pensioni. Bile, dhe sot e kësaj dite, e kam ruajtur atë librezën e parë.
Image result for enver hoxha
Pastaj unë pata edhe një shans tjetër: ndër gazetarët e parë të huaj që hyjnë në Shqipëri ishin dy francezë, një profesor universiteti, historian, gazetat bashkë me një profesoreshë. Ata shkuan në Gradisht për të vizituar kampin e internimit dhe kanë marrë si shoqërues Fatos Lubonjën. Kanë filmuar kampin, nevojtoret përjashta, kazermat, dhe aty kanë njohur edhe të internuarit duke filluar nga Kurt Kola, familja Dosti, familja Kupi e të gjithë të tjerët me radhë…Ishte duke perënduar, kur Fatosi dallon një korçar, i cili kishte qenë dy herë i burgosur me mua, dhe e fton që të japë intervistë për gazetarët e huaj. Ai heziton: Ik ore, prapë do të shkoj unë në burg?! Ishte fillimi; nuk kishin dalë akoma këta “trimat” që rrëzuan komunizmin. Pastaj i thotë Fatosit: Po këta kanë Lavdoshin në Francë, që i di të gjitha. Dhe Fatosi ua përcjell gazetarëve.
Image result for enver hoxha
Kur kthehen gazetarët në Francë, shkojnë në Ministrinë e Emigracionit kërkojnë dhe gjejnë kontaktin me mua, dhe kanë 25 vjet që ata njerëz mua nuk më ndahen. Jemi bërë miq. Pastaj kanë ardhur herë pas here në Shqipëri, kanë shkuar edhe në Burrel, siç jua thashë më parë, kanë parë burjet në Korçë, Vlorë, dhe bashkë kemi qenë edhe kur takoi Nexhmijen Hoxhën, për intervistë, gjatë kohës që ajo ishte në burg.
Image result for enver hoxha
Si mendoni ju pse e lejoi Ramiz Alia ikjen tuaj dhe shumë të tjerëve në atë kohë?

Unë kam të plotë deklaratën e bërë nga Ramiz Alia. Kam ndjekur me vëmendje, edhe lëvizjen e studentëve këtu në Shqipëri. Dhe më ka bërë përshtypje, jo ajo që shfaqin këtu, por ajo që kam parë në Francë, sepse disa nga ata të nomenklaturës kanë sjellë atje gazetat që i kanë mbajtur të fshehta dhe në atë gazetë që kam parë unë atje, në lidhje me mbledhjen që ka bërë Ramiz Alia me studentët, një natë, njëra nga vajzat student të grevës, në momentin që po dilnim i hodhi dorën në qafë Ramizit dhe i tha: “Ne nuk jemi me ata reaksionarët. Ne jemi me partinë. Por duam ca kushte të tjera. Pra bëhej fjalë për kushte ekonomike, dhe jo për kushte politike. Dhe me ngeli peng që nuk e mora vesh, se kush ishte ajo vajzë. Por, nuk kam ndërmend të merrem me këtë temë më, sepse kam vuajtur në atë vend që përputhet me idealet e mia. Cili ishte qëllimi? Këto punë nuk është se ndodhën atë ditë. Më kujtohet një zviceran që unë e kam njohur rastësisht, në një familje angleze, i cili kur i thashë që kam ikur nga Shqipëria, më tha: Ke bërë shumë mirë. Në atë vend, çështjet do të jenë shumë të komplikuara. Ai më tha që përveç marrëveshjes së Jaltës, është bërë edhe një marrëveshje tjetër në Maltë, midis Rusisë dhe Amerikës, ku SHBA ka pranuar që rusët të tërhiqen nga Europa Lindore, por me kusht, që në këto vende, do të vinin vetëm qeverisja të majta. Kjo është kontrata.

Ramiz Alia kur deklaronte që ne nuk jemi Evropa Lindore d.m.th. nuk jemi si Rumania, se s’kemi punë me ta, kishte gjashtë a shtatë muaj që kishte marrë urdhër: “bëj përgatitjet për ta dorëzuar!

Nga kush?
Image result for enver hoxha
Nga ruset. Nga kush tjetër?! Sepse rusët e kishin bërë marrëveshjen. Edhe Nexhmije Hoxha kështu tha, kur e pyeti ky gazetari francez. “Mirë moj motër, – i tha francezi, i keni pasur armiq, dhe i internuat. Po me fëmijët ç’patët?

“Jo, i tha Nexhmija, – nuk i kemi internuar fëmijët.

“Po si nuk i keni internuar?!! Ti i internojë babanë, dhe nënën dhe i merrje edhe shtëpinë. Ku do të rrinin fëmijët?

Ajo s’u përgjigj dot.

Më në fund i tha: Ne kemi vepruar ashtu si gjithë porositë e tjera. Ne njëlloj i merrnim urdhrat nga Rusia.
Image result for enver hoxha

Tamam kështu tha Nexhmije Hoxha?

Po po, këtë e tha hapur. Bile, jo vetëm një herë. E tha disa herë në disa raste. Ata e parashikuan këtë që po ndodh sot. Jo se ishin të mençur. Dhe asgjësimin e grupeve të diversantëve nuk e bënë vetëm komunistet shqiptarë, po e bënë me ndihmën e KGB-së. Ishte KGB që i lajmëronte me saktësi, disa ditë para se të hidheshin me kuadrate se ku do të ndodheshin dhe këta i asgjësonin pa vënë këmbët në tokë akoma. Dhe ikja jonë, si edhe me eksodet masive, bënte të mundur të largoheshin njerëz që kanë një farë influence, që më në fund, pushteti të ishte i qetë në duart e tyre.

Skënderbeu ishte shqiptar me nënë serbe. Ç’ka këtu për t’u tërbuar?

 Kush mund ta ndalë në Shqipëri dhe Kosovë 
antikombëtarin Muço -Mustafa Nano(Floripress)



Nga Mustafa Nano

U bë shumë zhurmë lidhur me një thënie timen në një takim me ca studentë të UET-it mbi nënën serbe të Gjergj Kastriotit, alias Skënderbeut. U bë zhurmë, a thua se kjo gjë po thuhej për herë të parë. Në fakt, e kanë thënë edhe të tjerë para meje, pas vitit 1990. E le ta saktësojmë një herë e mirë: nuk kanë bërë ndonjë të pabërë. Kanë thënë një të vërtetë. Nëna e Skënderbeut ka qenë serbe. Kjo është një tezë që mbrohet nga të gjithë studiuesit, tanimë. Ndër të parët që e ka pohuar këtë gjë ka qenë një shqiptar. Quhet Marin Barleti. Dhe e ka shkruar pak kohë pas vdekjes së Skënderbeut. Nja 30-40 vjet më pas. Tridhjetë-dyzet vjet nuk janë aq shumë sa të komprometojnë besueshmërinë e rrëfimit. Bibla e Kurani, dy librat që besohen më shumë në historinë e njerëzimit, janë “printuar” teksa kish kaluar një kohë pak a shumë e njëjtë prej ngjarjeve që ato rrëfejnë. Me këtë standard, Marin Barleti si burim historik nuk ka të sharë. Pastaj, pse do duhej të dyshonim ne te Marin Barleti? Ky ka qenë një prift shkodran, e si i tillë “nuk ka pasur asnjë interes” ta nxirrte të papastër origjinën e bashkatdhetarit të vet.





Marin Barleti nuk ka shkruar në gjuhën shqipe. Ka shkruar, megjithatë, për ngjarje e personazhe të historisë së Shqipërisë, sidozot për Skënderbeun. Madje, vepra e tij më e mirë është “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”, që, siç merret vesh nga titulli, i kushtohet heroit tonë kombëtar. Të gjithë ata që kanë dashur të merren me heroin kombëtar të shqiptarëve nuk kanë mundur të mos i referohen Barletit. Libri i tij është një nga dëshmitë më të hershme mbi Skënderbeun. Në versionin shqip, të përkthyer nga Stefan I. Prifti, në faqen 2, paragrafi i parë (këto të dhëna me saktësi milimetrike po i jap me shpresën se mund t’u mbyll gojën të gjithë marrokëve që duan të flasin për gjëra që nuk i dinë. Por a u mbyllet goja vallë? Kam frikë se është e kundërta, më shumë u hapet): “Gruaja e Gjonit quhej Vojsava, dhe këtë të fundit e bënin jo të padenjë për atë burrë, më një anë i ati i saj shumë fisnik, princi i tribalëve, më anë tjetër bukuria, sjellja e shpirti i saj i lartë përmbi natyrën e femrës”. Emërtimi “tribalë” është i lashtë, parasllav. Është përdorur nga bizantinët, por edhe nga të tjerë, deri pas mesjetës, për të thirrur serbët. Pretendimi i ndonjë studiuesi shqiptar se fjala “tribal” vjen nga “tri-ballë”, me fjalë të tjera vjen nga shqipja, me fjalë të tjera akoma është përdorur për të thirrur shqiptarët, është krejt i ngritur në havá.

Të kuptohemi, fakti që Skënderbeu ka pasur nënën serbe nuk do të thotë se Skënderbeu ka qenë serb, apo se serbët kanë të drejtë të pretendojnë se Skënderbeu është i tyre. Jo, Skënderbeu është shqiptar. Çështja e origjinës së Skënderbeut është një muhabet i mbyllur, tanimë. Edhe vetë serbët e kanë pranuar, pavarësisht ndonjë zëri që është dëgjuar, apo ende dëgjohet, se Skënderbeu është i tyre. Të shumtët e studiuesve serbë (ata të huaj, po se po) janë pajtuar pa një, pa dy me faktin që Skënderbeu është i shqiptarëve. Vladan Gjorgjeviqi, që nuk mund të thuhet se i kishte xhan shqiptarët, përkundrazi, i përbuzte, ka mbrojtur tezën e damarit serb të Skënderbeut (dhe mirë ka bërë, pasi kjo është e vërtetë), por në fund e ka njohur Skënderbeun si të shqiptarëve. “I vetmi fatos kombtar i shqiptarëvet, Skënderbegu, ka qenë i farës serbe”, ka thënë ai. Do duhej të thoshte “ka qenë edhe i farës serbe”, duke shtuar një “edhe” pra, por ani, nga Gjorgjeviqi mund të pritej edhe më keq. Pastaj, më shumë rëndësi ka pohimi i tij se Skënderbeu është “fatosi kombëtar i shqiptarëve”. E përderisa e ka pranuar këtë gjë Vladan Gjorgjeviqi, kjo do të thotë se në këtë mes çdo diskutim është i tepërt.

Fakti që nëna e tij ka qenë serbe nuk i heq asgjë pohimit se Skënderbeu është shqiptar. Ashtu si ky pohim nuk e zhbën dot faktin që nëna e Skënderbeut ka qenë serbe. Kjo është historia. Të gjitha mund t’i bëjmë sipas qejfit, por jo historinë. Historia është ajo që është. “Për inat” të shumë idiotëve e marrokëve që do donin të ishte ndryshe. Dhe kjo histori na thotë se nëna e Skënderbeut ka qenë serbe, e që vetë Skënderbeu ka hyrë, e ka mbetur, në histori si shqiptar 24 karatësh. Nuk është vetëm babai me origjinë shqiptare që e bën shqiptar. Është më shumë se kaq, është jeta e tij prej shqiptari, mes shqiptarëve, në troje që më së shumti banoheshin prej shqiptarëve. Janosh Huniadi ishte i tëri rumun në origjinë, e megjithatë ai ka mbetur si hero i hungarezëve, sepse luftoi më së shumti me hungarezët, për hungarezët, s’ka gjë se në thelb luftërat e tij, ashtu si edhe ato të Skënderbeut, ishin kryesisht në mbrojtje të Krishterimit.

Figura e Skënderbeut mbeti prore (me ndonjë zbehje në periudha të caktuara) në kujtesën e shqiptarëve. Marino Bizzi, arqipeshkvi i Tivarit në fillim të shekullit XVII hartoi një raport mbi vizitën që ai bëri në viset turke, shqiptare e serbe në vitin 1610, dhe në atë raport nxjerr në pah faktin që “shqiptarët nuk e kanë harruar heroin e tyre kombëtar, Skënderbeun” (marrë nga “The history of Servia, and the servian revolution….”, faqja 368, paragrafi i parë, me autor Leopold Ranke; dhe nuk është pa gjasa që gjuhëtari apo folkloristi serb, Vuk Karaxhiqi, t’ia ketë lexuar në dorëshkrim këtë libër, pa nxjerrë ndonjë objeksion kundër raportit të Bizzit; gjuhëtari i famshëm serb e historiani i famshëm gjerman ishin shokë të ngushtë).

Vijmë tani te pohimi tjetër i imi në takimin me studentët e UET-it: Skënderbeu ishte më shumë i krishterë sesa shqiptar. Nuk ka ndonjë gjë të çuditshme në këtë mes. Ballkanasit e shekullit XV nuk kanë qenë shumë të fiksuar pas identitetit etnik. Se mos vetëm ballkanasit! Kudo nëpër Europë që atëbotë ishte vetë bota, ishte e njëjta gjë. Principatat e mbretëritë ishin multietnike. Njerëz të etnive të ndryshme jetonin pa të keq, e pa asnjë problem, pranë njëri-tjetrit. Ndërsa për njerëzit e besimeve të ndryshme fetare nuk mund të thuhet e njëjta gjë. Kishte plot martesa ndëretnike, por rrallë mund të ndodhnin martesa ndërfetare. Pikërisht për këtë shkak, edhe princërit e feudalët ishin me origjinë të ngatërruar. Balshajt, fjala vjen, nuk dihej nga cila degë t’i kapje, sido që rrënjët e tyre – kështu duket – kanë qenë shqiptare.

Përzierja sllavo-shqiptare nuk ka qenë një gjë e padëgjuar gjatë shekujve XV-XVI, por edhe më herët e më pas. Të dhënat antroponimike të defterit të regjistrimit të popullsisë për Kosovën e vitit 1455 (marrë nga Historia e Kosovës e Jusuf Buxhovit, Kosova III, faqja 27-29) na japin një panoramë antroponimike të dy etnive të shkrira me njëra-tjetrën edhe brenda familjeve: “Radonja, i biri i Berishës, Kojica, i biri i Gjonit, Radisllavi, i biri i Gjonit, Radivoja, i biri i Gjoneshit, Radica Arbanasi, Milloshi, i vëllai i Berishës, Branisllavi, i biri i Arbanasit, Novaku, i biri i Arnaudit, Radihna, i biri i Arbanasit, Radac, i biri i Arbanasit, Petko Arbanasi, Mihal Arbanasi e Radko, vëllai i tij, Radovani, i biri i Gjinit, Vëlkosllavi, i biri i Medunasit, Gjini, i biri i Vukut, Gjergji, i biri Radiçit, Gjoni, i vëllai i Andrijës, Gjoni, i biri i Popit etj. etj. Për të ilustruar edhe më mirë këtë peizazh antroponimik multi-etnik, apo sllavo-shqiptar, brenda familjeve, na shërben familja e vetë Skënderbeut. Ju kujtohen emrat e vëllezërve e motrave të tij? Jua risjell unë në mendje: vëllezërit quheshin Reposh, Stanisha, Konstantin, Gjergj (Skënderbeu). Ndërsa motrat quheshin Mara, Jella, Angjelima, Vllaica e Mamica (nuk kuptohet pse të shumtit e studiuesve kanë adaptuar trajtat Maria e Angjelina, në një kohë që në veprën origjinale të Barletit, në latinisht, janë Mara e Angjelima, saktësisht Angelimā). Siç shihet, një pjesë e emrave janë sllavë: Vllaica, Mamica, Stanisha…

Ne të sotshmit, sa herë që flasim për perandorë, mbretër, princër, prijës të atyre kohëve, nënvizojmë identitetin etnik të tyre, madje akademitë e vendeve të Ballkanit hahen pafund në mbrojtje të këtyre etiketave identitare të vëna aposteriori, por kjo, për ata vetë, ka qenë më pak e rëndësishme se sa mendohet. Pretendimet e shumë udhëtarëve e studiuesve mbi prejardhjen e përzier të fiseve e klaneve shqiptare e sllave në zonat ndërkufitare nuk duhet të jenë pa gjë. Krerët i lidhnin martesat me synimin për të fuqizuar pushtetin e ndikimin, dhe “etnia” tjetër nuk ishte pengesë për këtë gjë. Përkundrazi, ishte garanci. Në fillim të shekullit XIII, shqiptari Demetrios, djali i Progonit, që ishte princ i Arbanumit në Krujë, i kishte marrë vajzën për grua zhupanit të madh, Stefanit (këtë e kam marrë nga Konstandin Jireçeku, Historia e serbëve, pjesa e parë, faqet 327-328). Djali i Gjergj Topias u martua me Teodorën, një nga motrat e Vuk Brankoviqit, i cili nga ana e vet u martua me të bijën e Llazarit, Marën, dhe kështu u bë kunati i Gjergj Balshës, pasi ky i fundit mori motrën e Marës, Jelenën (Marrë sërish nga Jireçeku në shqip, faqe 137 e 142).

Edhe shtabet e luftës, oborret etj., (për të mos folur për ushtritë) ishin të karakterit multietnik. Ndonjë ndihmës i Skënderbeut ishte sllav, si fjala vjen Ninac Vukosaliqi. E ky kishte si sekretar të vetin një sllav tjetër me emrin Radiq (marrë nga “Skënderbeu” i Schmitt-it, faqe 140). E meqë jemi këtu, duhet thënë se Kuvendi i Lezhës i mbledhur prej Skënderbeut më 1444, e që ne shqiptarët e kemi të regjistruar në histori si një ngjarje të madhe tonën, dhe me të drejtë kështu, ka qenë sadopak një summit ballkanik a mesdhetar, ngaqë në katedralen e Shën Kollit, në Lezhë, përveç Arianit Golem Topias, Gjergj Stresit, të birit të Balshës që kish ardhur pa vëllezërit Gjon e Bojko, Nikollë e Pal Dukagjinit, Lekë Zaharias, Pjetër Spanit, Lekë Dushmanit, ishin të pranishëm edhe Stefan Cernojeviqi me të bijtë Gjergjin e Gjonin, e disa princër venedikas. Stefan Cernojeviqi, që ishte me origjinë të përzier shqiptaro-sllave, ishte edhe në takimin e parë që Skënderbeu bëri në Krujë me aleatët e mundshëm në luftën kundër osmanëve.

Ballkani ka qenë, dhe është, i ngatërruar, gjë që na ka bërë ne me komplekse, makthe e paranoja. Në momentin që një personazh është i madh, drejt tij zgjaten të gjitha duart. Ja, shikoni atë që ngjan me Nënë Terezën. Shqiptarët e maqedonasit janë në garë për ta “përvetësuar” të tërën. Sikur të ish në dorën e tyre, do ta kishin shqyer copash, për të rrëmbyer prej saj ç’të mundnin, ndonjë krahë, a mollaqe, a gjí, a ku di unë se çfarë tjetër. Historia e ka thënë të vetën, megjithatë. Ajo ka qenë shqiptare në origjinë, dhe kjo gjë është pranuar nga të gjitha burimet (dhe nga ajo vetë, mbi të gjitha), por beteja nuk ka të sosur. Shqiptarët nuk e lëshojnë nga duart, e quajnë të tyren, vetëm të tyren, e kanë shndërruar në një ikonë e krenari kombëtare, sido që ajo nuk jetoi asnjë ditë mes tyre e nuk diti të fliste shqip. Identiteti etnik ishte gjëja më e parëndësishme për të. Por maqedonasit nuk dorëzohen. Pse? Sepse, me standardin ballkanik, edhe ata kanë të drejtë ta pretendojnë. Ajo ka lindur në Shkup, që sot është i tyre. Ky nuk është argument? Punë e madhe! Në Ballkan çdo pretendim kështu është. Si me Aleksandrin e madh. Historiani i shekullit XX, Leften Stavros Stavrianos shkruan: “Grekët thonë se Aleksandri i Madh është i tyre; shqiptarët pretendojnë të njëjtën gjë, madje kanë bërë edhe një monedhë me fytyrën e Aleksandrit të Madh të stampuar në të; por edhe bullgarët nuk rrinë prapa; ata i inkurajonin ushtarët e tyre gjatë luftës I botërore me thirrjet në nderim të bullgarit të famshëm, Aleksandrit të Madh”, (shih librin “The Balkans since 1453”, faqe 14, paragrafi 1). Ndërsa Edith Durhami dëshmon se maqedonasit, në kryengritjet e tyre antiturke në vitet e para të shekullit XX, këndonin një këngë, ku tregohej se një shqiponjë që fluturonte në qiell, hedh shikimin poshtë, sheh maqedonasit që po luftonin, e pyet: Cilët janë ata që po luftojnë? Përgjigja ishte: Janë bijtë e Aleksandrit të Madh që po rizgjohen. (Shih “The burden of the Balkans”, faqe 6, paragrafi 2).

Përsëris: Nuk ka asgjë për t’u çuditur në këtë mes. Ah, po, e vetmja gjë për t’u çuditur është kjo histeri e tërë që ka lindur rreth një fraze simes gjatë një bisede, të zgjedhur për titull nga portalet e gazetat: Nëna e Skënderbeut ishte sllave. Kam bërë një libër të tërë ku merrem me çështje të ndryshme të historisë së Shqipërisë, edhe me origjinën e Skënderbeut (është fjala për Sandwich-in), por njerëzit e kanë më të lehtë të ndalen te raportimi i një bisede të shkujdesur që unë kam patur në Vlorë me disa dhjetëra maturantë e studentë të UET-it. Më mirë kështu, sidoqoftë, sepse ja, më bënë të ulem e të bëj ca sqarime shtesë. Me shpresën e mekur se dikujt mund t’i kenë vlejtur.

Moikom Zeqo: Është fatkeqësi të jesh shkrimtar në Shqipëri

Moikom Zeqo: Është fatkeqësi të jesh shkrimtar në Shqipëri

Shkrimtari dhe arkeologu i njohur Moikom Zeqo i bën thirrje klasës politike të kthejë sytë nga arti e kultura.
I njohur si autor i qindra veprave letrare e studimore Moikom Zeqo vjen me librin e tij më të ri “Plagosja e kujtesës”. Mes një vargu të pafundmë të veprave, Moikom Zeqo, arkeolog i njohur, studiues, shkrimtar dhe poet vjen sfidues në terrenin e munguar të letërsisë së mirë shqipe.

Në një intervistë për Report TV me shkak librin e ri, shkrimtari flet për problemet e letërsisë shqipe dhe të arkeologjisë, ku kjo e fundit sipas tij është në kolaps. Edhe pse ka qenë ish deputet i Partisë Socialiste pas viteve ’90 dhe ish Ministër i Kulturës, Moikom Zeqo vitet e fundit është ndarë arbitrarisht nga politika, duke u marrë vetëm me krijimtari, ese, studime dhe pikturë.

Madje në këtë intervistë ai shprehet se në Shqipëri nuk ka klasë politike, por vetëm parapolitike. “Politikanët e egër, me mangësi kulturore dhe të korruptuar, po e dëmtojnë rëndë letërsinë dhe trashëgiminë tonë kulturore”, deklaron Moikom Zeqo. “Plagosja e kujtesës” Vëllimi i ri poetik “Plagosja e kujtesës” i Moikom Zeqos e merr këtë titull nga ndjesia që ka shkrimtari se shoqëria shqiptare ka marrë shumë plagë në kujtesën e saj.

“Moikom Zeqo është një mendje e fuqishme që mediton për mënyrën sesi historia njerëzore letrare politike dhe sociale ekziston njëherazi me vet vdekshmërinë tonë”. Këto janë fjalët që shkrimtari i njohur amerikan Kevin Prufer shkruan për Zeqon, duke shtuar më tej se “Unë shkatërroj veten pohon Zeqo në një moment “me përgjërim për historinë”, -por ky është një shkatërrim i bukur, i jashtëzakonshëm, transcendental dhe tronditës”, nënvizon Prufer. Mes një vargu të pafundmë të veprave, Moikom Zeqo, arkeolog i njohur, studiues, shkrimtar dhe poet vjen sfidues në terrenin e munguar të letërsisë së mirë shqipe. Vetë shkrimtari i njohur ka pasur shpresa se brezi i ri viteve ‘90 do të shpërthente me një letërsi të re, por nuk ndodhi kështu. “Kam qenë entuziastë shumë në vitet ‘92 dhe mendoja që këta mbas 5 vjetësh e 10 vjetësh do të bënin vepra të shquara.

Disa poetë që kishin një emër për t’u bërë dikush besoj që nuk arritën dot. As Mimoza Ahmeti nuk arriti, as Ervin Hatibi ose poetët më të rinj që kemi sot, që disa janë funksionalë, por nuk kanë libra të shquar, imitojnë librat e mëparshëm", shprehet Zeqo. Mungesën e zhvillimit të letërsisë shqipe dhe fabrikimin e shkrimtarëve pa vlerë, shkrimtari e konsideron si një pasojë të politikës.

"Kjo klasë politike e pangopur, e korruptuar, e pashpirt me një zhvlerësim të madh të vlerave të vërteta që mund të ketë një shoqëri. Duhet të duash Shqipërinë që mund të bësh diçka për kulturën. As ministrat e kulturës as kryeministrat dhe kur hiqen sikur kanë ndonjë lidhje më kulturën janë akoma më keq, janë akoma më zi sepse imponojnë shijet e tyre gjysmake që kanë për kulturën i bëjnë si gjeneralizuese për të gjithë", u shpreh shkrimtari.

Moikom Zeqo i bën një apel klasës politike për vëmendje ndaj dy vlerave të trashëgimisë, letërsisë dhe arkeologjisë. "Mendoj se ne nuk kemi klasë politike deri tani, kemi një klasë parapolitike. Në të gjitha arritjet këto 25 vjet po marr vetëm dy arritje. Arritja e parë është futja në NATO, arritja tjetër është ajo e vizës "Schengen" dhe janë arritje më shumë të stimuluara nga të huajt sesa të merituara nga ne vetë.

Nuk besoj se do bëjnë gjë kjo klasë politike ose parapolitike.Përsa i përket arkeologjisë unë mendoj që arkeologjia është në një kolaps. Së pari njëherë format organizative të punës dhe institutin arkeologjik ne e kemi të paralizuar", shprehet shkrimtari dhe arkeologu i njohur Moikom Zeqo.


Moikom Zeqo: Fan Noli për Monteverdin

Moikom Zeqo Fan Noli për Monteverdin

(Në 450-vjetorin e lindjes së Monteverdit)

http://www.pamfleti.com

Në 15 gusht 2017 mbushen plot 450 vjet, që nga lindja e gjeniut të muzikës botërore Klaudio Juan Antonio Monteverdi (1567-1643). Nga një dorëshkrim, i nxjerrë nga fondi i F. S. Nolit në AQSH, që mban shënimin e autorit (Muzic. 2, F. S. Noli, Doc. 20.1937), pra në 370 vjetorin e lindjes së Monteverdit, Noli ka shkruar në anglisht një syth monografik të posaçëm, plot erudicion dhe vërejtje të mprehta, sqimatare, të mençura dhe lakonike për këtë muzikant.

Fan Noli është një nga korifejtë e kulturës shqiptare. Ai është i tillë edhe për një arsye universale, se është i sinkronizuar me kulturën botërore. Kufijtë etnikë dhe linguistikë, përmasat kohore të hapësirës, fragmentet apo pikat që ndajnë, vijat që kufizojnë, janë të parëndësishme në fjalën krijuese të Fan Nolit të madh. Njihet pasioni i tij i patjetërsueshëm për t’u thelluar në disiplinat shkencore, apo në llojet e pafundme të artit.

Fan Noli përfaqëson një rekord të paarritshëm deri më sot në kulturën tonë. Ai mbaroi universitetin e Havardit, mbasi kish kaluar të 60-tat. Ai u doktorua dhe botoi kryeveprën e tij historike për Skënderbeun në tipografinë e Universitetit të Bostonit.

Nuk u mjaftua me kaq. Ai mbaroi studimet e larta për muzikë. Ai shkroi një nga librat më të rëndësishëm për muzikologjinë botërore, librin “Bethoveni dhe Revolucioni Francez”. Për këtë libër të pazakontë që zgjidh një nga problemet më të ndërlikuara të estetikës, të ndikimeve ideologjike të Revolucionit Francez dhe të muzikës shpërthyese që paralajmëron një epokë globale të lirisë dhe të së bukurës, Bethoveni mori vlerësime të larta, komente të epërme nga Xhorxh Bernard Shou, Zhan Sibelius, Tomas Man, Ernest Njumen, Kenest Kenant, Uolter Piston, Norin Robarts, Çarls Hjuz, Alfred Mejer, Keneth Seton, Frank Novak, Maks Meinard, Karl Geringer, Klajd Klakon etj.

Sidomos Bernard Shou e quan librin e Nolit për Bethovenin si diçka që dha një kontribut, gati si një sintezë të një biblioteke të tërë.

Por Fan Noli nuk mjaftohet me kaq përsëri. Ai ka lënë disa shënime që mund të quhen themeluese për disiplinën e kritikës muzikologjike. Ai ka bërë shënime për muzikën e grekëve të lashtë, romakëve, për muzikën e krishterimit të hershëm, për këngët ambroziane, për muzikën hebraike, madje edhe për muzikën e Lindjes, muzikën e Babilonisë etj., por edhe për muzikën e kishës protestante të Martin Luterit.

Fan Noli ka shkruar edhe për muzikantë të veçantë si Rikard Shtrausi apo Shuberti.

Vetvetiu në këtë hulli studimore, tejet specifike dhe që kërkon një përvojë dhe një talent mahnitës për t’u perceptuar pikërisht estetika më e hollë, më e çuditshme që është estetika muzikore, Fan Noli e ka bërë një subjekt më vete, studimin e Monteverdit, këtij muzikanti të muzikës barok, që na çon në kufijtë e muzikës klasike.

Për Fan Nolin Monteverdi është pjellë e tre qyteteve të famshme të Rilindjes Italiane, Kromonës, ku ai lindi, Montovës, ku arriti famën, Venedikut, ku u hyjnizua dhe vdiq.

Kremona, qendër e madhe e industrisë dhe e kulturës kishte një universitet të pajisur nga perandori Sigismund, me statute dhe të drejta të ngjashme, me ato të universiteteve të Parisit dhe të Bolonjës. Në Kromona ishte katedralja ku ruheshin reliket e më shumë se 160 shenjtëve. Kromona u bë e njohur për endjen e copave të holla prej mëndafshi, por dhe për prodhimin e violinave të përsosura dhe të instrumenteve të tjera muzikore. E famshmja familje e violinbërësish, familja Amati, ishte bashkëkohëse e Monteverdit, por dhe e mjeshtrit Stradivari i madh ,që lindi fare pak kohë sesa Monteverdi të vdiste. Ishte krejt e natyrshme që Monteverdi të bëhej një ekspert për shumë instrumente, por të shkëlqente si një violinist virtuoz, ndaj Duka i Mantovës e merr në orkestrën e tij të oborrit. Montova qe gjithashtu nj nga qendrat më të mëdha të Rilindjes.

Patroni i Monteverdit, Vincenco Gonzaga, Duka i Mantovës ishte mishërimi i princërve të Rilindjes Italiane. Ai i donte shfaqjet, festat, dramat, ballot dhe baletet, ishet bujar por dhe shumë mizor, ishte vetë poet, por ishte dhe vrasës, ai i vriste artistët që i zhgënjenin, por i mbulonte me dhurata ata që i shërbenin. Ai kujdesej njëlloj, si për martesën e një këngëtareje të re, qoftë ajo edhe prostitutë, apo blerjen e një pikture të famshme, ashtu dhe për të shtënë në dorë një krahinë të re. Ai ofroi një feud dhe një pronë markezi, si shkëmbim për “Madonna Delle Perle” të Rafaelit. Ai e kish porositur ambasadorin e tij në Spanjë që t’i dërgonte të gjitha Madonat e mrekullueshme dhe portretet e zonjave të bukura. Ai ishte protektori i Tasos dhe Rubensit. Pikërisht Monteverdi u bë mjeshtër i kapelës së Gonzagës. Aty Monteverdi bëri operat e tij të para, “Orfeu” dhe “Ariana”, që e bënë shumë të famshëm.

Më pas Monteverdi shkoi në Venedik, në “Mbretëreshën e Adriatikut”, në qytetin e kënaqësive, karnavaleve dhe romancës, që tërhoqi dhe muzikantë të tjerë, që nga Vilajerti deri te Vagneri. Aty Monteverdi u bë kapelmaester. Në 1631 pas murtajës ai u dorëzua prift, siç kishin bërë para tij dhe shumë mjeshtra muzikantë, por kjo nuk ndikoi aspak në veprimtarinë e tij operistike

Në operat e tij Monteverdi i ngrinte lëvdata trilleve të dashurisë. Sot tingëllon disi e pakuptueshme, që në atë kohë një priftë të shkruante muzikë me tekste dashurie. Por kjo qe krejt e zakonshme në Venedik, qytetin e teatrove të para të operas, ku murgjit merrnin pjesë me pasion në procesionet e karnavaleve dhe luanin si aktorë në teatër. Madje dhe Papa Klementi XI kish dhënë shembullin e tij, duke shkruar librete operistike me subjekte erotike për kardinalët Barberini. Republika e Venedikut u tregua shumë bujare me Monteverdin. I paguante një rrogë princash prej 300 dukatësh. Vetë në veprat e tij Monteverdi shkruan se e ndjente veten shumë të dashur dhe të vlerësuar në Venedik.

Dihet që biografia e një gjeniu, brenda kufijve kronologjikë, mund të ketë edhe nj rëndësi rastësore, ku e tëra mund të formulohet nga fragmente që mund të jenë edhe kontradiktorë.

Në fund të fundit Monteverdi kishte shumë bashkëkohës, kishte shkrimtarë dhe piktorë të mëdhenj, të cilët ishin edhe më të famshëm në të njëjtin shekull.

Vlera artistike e Monteverdit duken më e qetë për të shpërthyer dhe për t’u përjetësuar në një strukturë fame të së ardhmes. Është shumë e rëndësishme të konceptohet nj epokë siç është epoka e muzikës së stilit barok. Për njerëzit e paditur dhe pa shije estetike muzika barok ngjan si një muzikë ku ende mesjeta strukturon meloditë e një përvujtërie, të një përkushtimi biblik, në kundërshtim me jetën tokësore dhe me një përkushtim marramednës për jetën qiellore.

Pikërisht në muzikën baroke, ku duken elementët e rinj, që shpërthejnë rutinat e harmonisë dhe të polifonisë muzikore, është Monteverdi i cili merr rolin e një Paraprijësi, ose një Marathomonaku të muzikës.

Ka qenë një periudhë, kur unë i grumbulloja CD-të me muzikën e Monteverdit, duke i dëgjuar për një kohë të gjatë. Aq më tepër që njihja dhe letërsinë e stilit barok. Edhe letërsia shqipe e ka të dokumentuar stilin barok, madje me një talent të madh dhe erudit të shkëlqyer, siç është Pjetër Bogdani, i cili në vitin 1685 botoi në Padova të Italisë kryeveprën e tij “Çeta e Profetëve”.

Jam mëse i bindur se Pjetër Bogdani ynë ka dëgjuar muzikë nga Monteverdi.

Libri i Bogdanit është ilustruar me gravura të stilit barok. Le të mos harrojmë edhe një piktor gjigant të stilit barok, që është Rubens.

Pa dyshim që sot epoka e stilit barok ngjan e kapërcyer. Stile, konceptime të reja kanë ndryshuar dhe revolucionarizuar edhe muzikën ,edhe artin dhe përgjithësisht mendimin njerëzor. Po pse Noli ka interes të shkruajë për Monteverdin? Midis Monteverdit dhe Bethovenit Noli konstrukton një sintezë. Sado magjike dhe të amshuara që ngjanë madrigalet e Monteverdit, njeriu i sotëm në epokën postmoderne nuk mundet të fosilizohet vetëm në traditën, duke shprehur qartë se zhvillimet e brendshme të artit janë shumë enigmatike, por njëkohësisht dhe të pandalshme. Monteverdi sot mund të ngjajë si një muzikant i harruar.

Mendimtari i madh amerikan George Steiner ka folur ironikisht për muzikën banale të spektakleve të mëdha. Por ne mund të rikthehemi te Monteverdi jo vetëm për hir të kujtesës. Por edhe për të kuptuar historinë e identitetit të njeriut evropian, për të kuptuar diçka inkandeshente dhe komplementare për artin në përgjithësi dhe karakterin e tij të simbiozës.

Benedeto Kroçe është filozofi që ka thënë se të gjitha artet e tjera në këtë botë, siç është arti i fjalës, i pikturës, i skulpturës etj, synojnë drejt një estetike më të epërme, që është estetika muzikore. Mendoj që në harmoninë e përgjithshme të kompozimeve, në të gjitha artet, ka vërtetë një botë kuantike muzikore, të padukshme, por të pashkatërrueshme dot.

Shikoni se si Fan Noli, si një muzikant profesionist di t’i shtjellojë analizat e tij, krej të veçanta për Monteverdin. Ja ç’shkruan ai:“Vitet e fundit të jetës pati kënaqësinë të admirohej prej të gjithëve. Emri i tij u bë i njohur në Itali dhe jashtë.Shyti (Schutz) erdhi e vizitoi në Venedik, Pretori (Practrius) nëGjermani, Hyigensi (Huyghens) dhe Bau në Hollandë, Thomas Gobat dhe Mersenne në Francë studionin veprt e tij, në Angli si kishte dishepuj si Tomkins dhe Valter Porter, tek të cilët duket ndikimi që patën prej tij; violinisti francez Maugars e shpalli atë si një ndër kompozitorët e parë të botës.

Monteverdi shkroi madrigale dhe mesha në stilin e vjetër strikt polifonik, si dhe në stilin e vet kromatik e dramatik. Ai kompozoi kantata, kanconeta dhe opera që bënë epokë.

Me këto të fundit ai, sikurse Vagneri shekuj më vonë, dhe para këtij, kamerat fiorentinase, mendonte se po ringjallte tragjedinë e vjetër greke.

Të gjithë artistët e mëdhenj të Rilindjes patën pak a shumë të njëjtin iluzion. Kishin bindjen se po u rijepnin jetë modeleve të vjetra klasike, ndërsa në të vërtetë ata krijuan forma të reja arti në fushat e tyre përkatëse.

Tokej (Tovey), në zërin për Momnteverdin (Encyclopedia Britanica) na thotë se ky arrin majat me madrigale dhe se partiturat e tij operistike duken kaq të varfra, sa është teprim i madh ta quash atë Vagnerin e shek.XVII.

Sesil Grej (Cecil Gray) në Historinë e muzikës na thotë me diplomaci se “interesi muzikor për madrigalet dhe meshën e tij madhështore gjashtëkohëshe ”In Ilo Tempore”, është i njëjtë, në mos më i madh, si për atë të veprave të tij dramatike dhe eksperimenteve të reja”.

Romen Rolani në kapitullin mbi Monteverdin (Historie de l’Opera en Europe), na thotë se ato të pakta faqe të “Ankimit” të famshëm – gjithçka që na ka mbetur nga opera e tij “Ariana” – janë më të mirat që ai ka shkruar: “Les plus vrais qu’il ait ecrites et que Gluck n’a pas surpasees. Marveilleux effet de genie, dont toute le douleur concentree fans ces pages passa pa la voix d’Ariane fans le cofur de son auditoire qui eclata en sanglots.”

Cezar Sercinger (Cesar Saerchinger) tek “Arti i muzikës”, botim i Oksfordit, citon një pasazh nga “Ankimi” dhe e analizon atë.

Ai gjen në masën e dytë “një septimë të papërgatitur që është më e ashpër se një shtatëshe dominonte”, gjen një septimë të ngjashme në masën e pestë, pastaj dy septima të papërgatitura në një masë të vetme, më tej një çift kuinte të njëpasnjëshme në masën vijuese, dhe në masën e trembëdhjetë një “disonancë e një përshkrimi shumë të ashpër” thotë po atë gjë e zgjatet aq sa krijon një efekt të mprehtë”. Pastaj ai përfundon: “Grumbullimi i kaq shumë tipareve krejt të ndryshme nga njëri’tjetri në një pasazh kaq të shkurterë, ishte si një manifest sfidues”.

Po më i fortë se “Manifesti komunist” i Karl Marksit. Ai shënonte fillimin e një revolucioni në historinë e harmonisë. Stili kromatik i praktikuar prej muzikantëve, si Ciprian de Roze dhe Gesouldo “lidhej me përdorimin e aksidenteve që ishin krejt të huaja për mënyrën se si këndohej madrigali në atë kohë. Këto s’përmbanin mirëfilli modulime.”

Fan Noli shton :” Arritja e madhe e Monteverdit ishte se ky transformoi përdorimin inkoherent të këtyre aksidenteve në një metodë të qartë kalimi, nga një çelës tek tjetri (Henry Pruniers, Monteverdi). Sercigeri i quan septimat e notat e papërgatitura të Monteverdit “pasurim më të madh muzikor të shprehësisë dramatike deri te Vagneri”.

Skot Godard (Scott Godard) në zërin për Monteverdin (Grove’s Dictinary of music) thotë se “Incoranazione di Poppea” vuri bazat e atij stili operistik që do të mbizotëronte në Itali, duke kaluar që këtej më pas në gjithë Evropën.

Sipas A. Kars (A. Carse, Historia e orkestrimit), Monteverdi “dallohet si krijuesi i parë i efektit dhe ngjyrimit orkestral”. Ai është i pari që përdori picikaton dhe tremolin me ndarje primitive si përbërës orkestrorë.

Ai jep këto udhëzime për picikaton në “Combattimeti di Tencredi” dhe “Clorinda”: “Qui si lasa l’arco e si strappano le corde con duoi diti… Qui si ripiglia l’arco.” (Këtu lihet harku dhe kapen telat me dy gishta… Këtu merret përsëri harku.) Ai e organizoi orkestrën e kohës së tij duke hequr instrumentet e vjetra. Ishte i pari që u largua nga stili vokal i të shkruarit për instrumente dhe nisi orkestrimin e vërtetë. Ai vuri të ashtuquajturin recitativ “cocitato” ose deklarimin dramatik e shprehës. Pjesa e parë vokale në formë treshe tipike për arien si dhe duetet e para dramatike, gjenden në “Orfeun” e tij.

E fundit, po jo më e pakta, preludi orkestral i “ballo delle Ingrate” është uvertura e parë operistike. Pas kësaj liste të gjatë krijimesh e novacionesh, nuk e teprojmë po ta quajmë Monteverdin – “toutes propartions gardees” (pa e tepruar), siç thonë me diplomaci francezët – Vagnerin e shekullit të tij, dhe për faktin se vendi i tij në historinë e harmonisë është me të vërtetë unik.”

Nga forma ikonografike Fan Noli interesohet rreth portretit te Monteverdit:“Portreti i vetëm që kemi nga Monteverdi është frontescipi i “Fiori Poetici”, botuar për nder të tij më 1644 dhe që e tregon atë si do të jetë dukur në moshën 60 vjeçare. Të jep përshtypjen se ka një trishtim të pashpresë dhe ngashërues. Sikurse Edgar Alan Poe (Poe), shekuj më pas, ai s’mundi të gjente asnjë gëzim në jetë, pas vdekjes të së shoqes. Republika Veneciane organizoi një funeral mbretëror me një radhë të shkëlqyer gondolash mbuluar me kurora përgjatë gjithë Kanalit të Madh, një spektakël unik për kohën e sotme, dhe vetëm për hir të kësaj ia vlen një udhëtim i posaçëm në Venecia, margaritari i detit Adriatik.”

***

Eseja e Fan Nolit për Monteverdin bazohet mbi një bibliografi substanciale, kryesore.

Fan Noli di të kapë me syrin e tij prej Polifemi thelbin e risive, që solli Monteverdi, pa dyshim duke ditur qetësisht edhe elementët retrogradë, apo rutinorë që i ka çdo lloj arti në të gjitha epokat. Shpjegimi që ka bërë për Monteverdin, lidhte me një harmoni referuese edhe me elementët e muzikës shpërthyese të Bethovenit apo dhe të rikrijimit të eposit muzikor të Vagnerit. Edhe Vagnerin Fan Noli e njeh shumë mirë.

Për sa i përket Rikard Shtrausit, kompozitor poemash simfonike, në shekullin XIX Fan Noli ka gjithashtu konsiderata shumë të larta. Rikard Shtrausi për Fan Nolin nuk është kuptuar siç duhet, ndonëse është një kompozitor virtuoz i shkëlqyer dhe një furnizues i madh i muzikës simfonike.

Noli e njeh shumë mirë se ç’ka shkruar Romen Rolani për muzikën e Shtrausit. Madje mund të thuhet që Rome Rolani ka qenë si një homo duplex, pra si shkrimtar dhe muzikolog një lloj shëmbëlltyre frymëzuese për Fan Nolin. Këtë Fan noli e thotë edhe vetë, kur i referohet veprës së Rome Rolanit për Bethovenin. Shkrimet muzikologjike të Fan Nolit janë një punë pionieri për kulturën shqiptare. Për Fan nolin nuk mund të ketë qytetërim artistik pa qytetërimin letrar, por sidomos pa qytetërimin pikturim, në mënyrë më absolute pa qytetërimin muzikor.

Ka kaluar kaq kohë dhe askush tjetër nuk e ka zëvendësuar Fan Nolin për të bërë analiza të ngjashme muzikologjike.

Kush i afrohet Fan Nolit në këtë pikë? Pothuaj askush nga shqiptarët. Fan Noli e kuptoi se qytetërimi muzikor është krejt i domosdoshëm sidomos për shqiptarët. Por kjo kauzë e tij sot duket tmerruese në kohën kur muzika shqiptare ka degraduar në një banalitet të frikshëm, në tallave (shihni çfarë emri i tmerrshëm!). Muzika e vërtetë na çon në qytetërim të vërtetë. E kundërta në degradim.

Të mos harrojmë edhe një rekord tjetër të Fan Nolit. Ka shkrimtarë shqiptarë të cilët janë marrë me arte të tjera, fjala vjen me pikturë. Po kush nga shkrimtarët shqiptarë është marrë me muzikë? Për të mos thënë që kultura muzikore gati nuk përmendet, apo është një motiv sipërfaqësor në librat e letërsisë shqipe.

Fan Noli është i famshëm, i papërsëritshëm, pa një të dytë në kulturën shqiptare, sepse ai është dhe kompozitor. Ai është një kompozitor i shkëlqyer. Uvertura e tij me motive bizantine është gjithashtu e patjetërsueshme. Muzika e tij për Gjergj Kastriot Skënderbeun është një meditim muzikor, i thelë dhe tejet i ndjeshëm. Ai ka bërë muzikë edhe duke patur parasysh vargjet e poetit francez Pol Verlen.

Fan Noli, e thënë haptaz, pa asnjë mëdyshje është njëkohësisht dhe një kompozitor origjinal, i mëvetshëm, i habitshëm shqiptar i shekullit XX.

Ai ndërlidh epokat muzikore jo thjesht si një histori.

Ai bën ndërlidhje si konceptualitet. Si estetikë dhe përjetësi. Amen!


****

Amoz Oz: “Lufta e 6 Ditëve? Pas 50 vjetësh, ende s’ka përfunduar”

Amoz Oz: “Lufta e 6 Ditëve? Pas 50 vjetësh, ende s’ka përfunduar”
“Në 1967 ka ndryshuar gjithçka. Nuk kemi lindur nga historia, por si pasojë e një ëndërre. Dhe ëndërrat, kur vërtetohen, janë zhgënjim”. Shkrimtari i madh rrëfen konfliktin e 1967, pasojat e tij dhe, pavarësisht gjithçkaje, shpresat e tij”

Në qershor të 1967 Amos Oz sapo kishte mbushur të 28-at, banonte në kibucin Hulda dhe ishte ushtar rezervist në Sinai. Izraeli po fitonte një luftë, të quajtur më pas Lufta e 6 Ditëve, kundër fqinjëve të tij arabë: Egjiptit, Jordanisë dhe Sirisë. Për tri vendet e mundura, rezultati i këtij konflikti qe shkatërrimtar: Egjipti, forcat ajrore e të cilit u shkatërruan brenda pak orësh, simbol i nacionalizmit panarab dhe i frymës antikolonialiste të Abdel Gamal Nasser nuk arriti kurrë ta rikuperojë prestigjin dhe karizmën e tij. Siria doli nga lufta e gjymtuar nga Lartësitë Golan, një lloj ballkoni që dominon veriun e Izraelit dhe nga ku ishte e lehtë tq qëllohej mbi kibucet poshtë në brigjet e Liqenit të Tiberiadës. Jordanisë ju desh që të hiqte dorë nga bregu perëndimor i lumit Jordan, nga qytetet e tij, nga Hebroni dhe Betlehemi, si edhe nga ana lindore e Jeruzalemit, përfshi vendet e shenjta për të tri besimeve monoteiste. Po Izraeli? Izraeli që në 1967 kishte frikën e një shoahu të dytë, asgjësimin e të gjithë popullsisë (të kërcënuar nga Nasser në diskutimet e mbajtura në Radio Kajron), u përfshi nga një valë euforie. Gjeneralët e rinj, të lindur në pjesën më të madhe në Tokën e Izraelit, larg nga ujditë dhe nga poshtërimet e Diasporës, ditën të fitojnë. Por mbi të gjitha vendet bazike të imagjinatës hebraike: Muri i Qarjes, Varri i Rakelës, varret e Patriarkëve të hebronit përfunduan nën kontrollin e izraelianëve. Ja, 50 vjet më parë, po përfundonte historia e një vendi të vogël socialist, paksa i varfër që gëzonte simpatitë e të majtave europiane dhe niste në fakt ajo e një shteti që dominon një popull tjetër (palestinezët), të nënshtruar ndaj hegjemonisë kulturore të kolonëve dhe që nuk është në gjendje të fiksojë kufijtë e veta. Kemi shkuar në shtëpinë e Amos Oz që të flasim për këto 50 vitet e fundit dhe domethënien e tyre.

Çfarë ka ndryshuar në këto 50 vjet?

«Gjithçka. Në 1967 Shteti i Izraelit ishte një lloj eksperimenti. Sot jo më. Por më bren diçka tjetër. Shiko, normalisht shtetet lindin si pasojë e historisë apo e demografisë. Kurse Izraeli u lind si rezultat i një ëndërre. Çdo gjë që lind nga ëndërrat, në momentin në të cilin ëndërra bëhet realitet, bëhet zhgënjim. Mënyra e vetme për ta ruajtur ëndrrën e pastër, për të mos e bërë pis, është të mos e realizosh. Vlen për të gjitha aspektet e jetës njerëzore. Vlen për shkrimin e një romani, për një udhëtim ekzotik, për një fantazi seksuale. Zhgënjimi që provojmë për fytyrën e Izraelit nuk qëndron në natyrën e Izraelit, porn ë natyrën e ëndrrave».

Domethënë një makth?

«Varet për kë. Për mbi 3 milion palestinezë Izraeli është një makth, por jo vetëm për ta. Pushtimi korrupton. Korrupton si pushtuesin, ashtu edhe të pushtuarin. Merr një djalë të zotin, me një arsimim liberal e socialdemokrat dhe vendose të bëjë mbretin e një fshati arab. Besoji detyrën që të vendosë kujt t’i japë ose jo lejen për të shkuar në spital, të hapë një farmaci, të mund të gjejë një vend pune. Besoj se jam i pari që e kam thënë, pak javë pas luftës. Pastaj po citoj Yeshayahu Leibovitz (një filozof i madh, hebre ortodoks, kundërshtar i pushtimit dhe i adhurimit të vendeve të shenjta, shënimi im.). Por ndoshta nuk ka rëndësi se kush qe i pari».

Në fakt ka, pasi në mungesë të ideologjive marrin peshë biografitë.

«Lrë fare. E rëndësishme që 50 vite pushtim kanë nxjerrë nga njerëzit të keqen: urrejtje, racizëm, përbuzje, brutalitet. Ama kujdes, edhe pse po flasim për Izraelin, kjo që po them është një rregull universal, vlen për të gjithë në të gjithë botën».

Le të kthehemi në vitin 1967. Në Izrael jetojnë 2 milion e gjysmë hebrenj. Vendi është i dominuar nga lëvizja laburiste, laike, për të cilën simbolet fetare, në dukje, nuk janë të rëndësishëm. Dëshirohet të ndërtohet një njeri i ri, ushtar dhe bujk, që të mos qahet e të lutet në Jeruzalem në pritje të Mesisë. Shpëtimi qëndron tek puna e krahut, tek plumbi i armëve, jo tek sinagogat dhe vendet e shenjta. Pastaj gurët e shenjtë pushtohen dhe papritmas imagjinata fetare bëhet dominuese: Muri i Qarjes bëhet qendra e e përvojës ekzistenciale dhe kombëtare. Çfarë ka ndodhur?

«Pyetja juaj është e gabuar ose, më mirë, është e gabuar fjala “papritmas”. Imagjinata fetare ishte gjithmonë e pranishme në diskutimim laburist sionist. Qysh në vitet ’20, Gershom Scholem, studiuesi i madh i Kabalës, paralajmëronte socialistët për përdorimin e leksikut mesianik. Shkroi se po luanin me zjarrin. Flisnin për “Shpëtim”, “Epokë të Mesias”. “Tempull të Tretë”. Qenë fjalë dhe fjalorë të dobishëm për të bërë propagandë tek njerëzit e thjeshtë. Fjalë që çdo hebre i kishte mësuar në sinagogë apo në shtëpinë e prindërve dhe që të çonin në lutjet dhe në ëndërrat e “Tempullit pas Kohës”. Problem është se fjalët dhe fjalorët kanë një dinamikë autonome. Ja çfarë ka ndodhur».

Po thoni se një ëndërr, një urim 2000 vjeçar: Vitin tjetër në Jeruzalem, që nënkuptonte vitin tjetër Shpëtimi dhe nuk ishte një program ndërtimi apo pushtimi ushtarak imediat, ka marrë një jetë të veten?

«Fondamentalizmat po rriten kudo: midis kristianëve, muslimanëve, por edhe midis nesh. Ka një sëmundje të re dhe besoj se e kam zbuluar. Kushedi mos meritoj Nobelin për Mjekësinëa. Këto sëmundje e quaj në hebraisht “shakhzeret”, në latinishte të vjetër “reconstructivitis”».

Simptomat?

«Një ditë takoj një intelektual palestinez në Paris. Ka 50 vjet që jep mësim në universitet. Më thotë se është nga Lifta, një fshat afër Jeruzalemit. E pyes: si ka mundësi të jesh nga Lifta, nëse fshati yt është rrafshuar në 1948? Gjyshi dhe babai im qenë nga aty, mu përgjigj. Dua të kthehem në Lifta dhe nuk ka rëndësi as nëse presidenti im do të jetë një hebre, as nuk më intereson ngjyra e flamurit. Aty ishin shtëpitë prej guri, pusi, dhitë, ullinjtë, 300 banorët».

Morali?
«Nuk ka kthim në Lifta, as sikur të gjithë hebrenjtë ta kishin lënë Tokën e Izraelit. Sikur të rindërtohej Lifta, do të kishte 25000 trashëgimtarë të banorëve; një qytet me semaforë, palate 5 katëshe, dy supermarket dhe problem parkimi. Ati intelektual dëshiron të rindërtojë në hapësirë diçka që ka humbur në kohë ».

Vërtet mendoni se mund të hiqet dorë nga nostalgjia?

«Nostalgjia shërben për të shkruar romane, bërë filma, jo për t’u përdorur sikur të ishte bankomat».

Po për sa i përket Izraelit?

«Le të supozojmë se nesër në mëngjes Abu Mazen dhe Ismail Haniye, kreu i Hamasit në Gaza, paraqiten tek Netanyahu me çelësin e Sheshit të Xhamive në Jeruzalem (është vendi ku ngrihej dikur Tempulli, shënimi im.) në dorë dhe i thonë: “E kemi kuptuar se sheshi është juaji. Na jepni kohë për të spostuar xhamitë tona dhe ndërtoni tempullin tuaj”. Mirë po në kohën e Mbretit David në atë vend vinin 25000 pelegrinë. Sot do të vinin miliona. Ku do t’i vendosnim banjot? Po parkimet? Edhe fondamentalistët tanë që ëndërrojnë Tempullin e Tretë janë të sëmurë me reconstructivitis».

Më parë keni thënë se në planin e leksikut sionizmi ka vuajtur gjithmonë nga kjo sëmundje.

«Interpretim i gabuar. Prindërit e mi kanë ardhur këtu të drejtuar nga thënia “Vitin tjetër në Jeruzalem”. Do të kishin mbetur me vullnet në Poloni, Pituani, Rusi, për ta përsëritur edhe 2000 vite të tjera këtë shprehje ritual. Kanë ardhur këtu sepse në Europë kanë nisur të vrasin hebrenjtë. “Reconstructivitis” ishte vetëm kostumi që i është veshur nevojës së gjetjes të një vendi ku të jetohej».

Bauman e quante retrotopi, një utopi e drejtuar nga e kaluara.

«Një intelektual nga Ramallah më tha: “Shikonim dritat nga larg, mendonim se qenë të Xhafës. Pastaj zbuluam se qenë në fakt të Tel Avivit të Madh”».

Le të flasim atëhere për palestinezët. Kur viziton qytetin e Cisjordanisë të krijohet përshtypja e një normaliteti të caktuar. Sikur pushtimi të mos ishte më traumë.

«Shiko dorën time të djathtë. 60 vite më parë kjo dorë lëshonte gurë mbi ushtarët britanikë në Jeruzalem. Tani, nga pikëpamja ekonomike, kishte begati. Britanikët kanë ndërtuar rrugë, spitale, kanë ngritur në këmbë një rrjet shkollash. Qenë pushtues shumë më të mirë nga sa jemi ne me palestinezët. Por çdo herë që kaloja me tim aatë përkrah një ushtari britanik, jo një anglez, por neozelandez 19 vjeçar të veshur me pantallona të shkurtëra, im atë instiktivisht përkulte kokën. Mua më vinte turp dhe për këtë gjuaja gurët».

Të jesh sovran për të pasur dinjitet?

«Në 1948 në Jeruzalem erdhi monedha e parë izraeliane e prerë në Tel Aviv. Ishte shumë e shëmtuar po ta shikoje. Im gjysh e mori në dorë, kishte lot në sy, e puthi dhe e bekoi, megjithëse duke qenë njeri laik. Unë nuk i puth monedha dhe e di se pse? Sepse im gjysh e bëri për mua. Ja, palestinezët kanë nevojë për një gjysh që t’u puthë monedhën dhe një nip që nuk e ka më nevojën për një gjë të tillë».

Kështu keni shpjeguar se sovraniteti kombëtar është kushti për t’u çliruar nga nacionalizmi. Le të kthehemi atëhere në vitin 1967. Pak javë pas Luftës së 6 Ditëve, në një vend të kapur nga një eufori nacionaliste dhe me një sovranitet akoma të pasigurtë, ju me disa intelektualë kibucesh, botoni një libër të titulluar “Siakh lokhamim” (Bashkëbisedim luftëtarësh). Janë dëshmi fëmijësh të kibuceve, që rrëfejnë tmerret e luftës dhe problemet etike me të cilat janë ndeshur ushtarët, të eduktuar në shpirtin e së majtës.

«Kanë qenë muaj të një lloj religjioni militarist me gjeneralët si priftërinj të mëdhenj. Një popull që për 2000 vjet është rrahur, papritmas rroku në dorë një hu dhe mund të rrihte të tjerët: e imagjinoni orgjinë shoviniste? E kuptoni sesa gëzohet në faktin e të qënit të fortë dhe të mund të poshtërosh tjetrin? Ne donim të tregonim në fakt se edhe një luftë e drejtë (sepse ajo e 1967 qe një luftë e drejtë) është mizore».

Libri është sakatuar nga censura ushtarake. I janë hequr të gjitha tregimet mbi pushkatimet e robërve të luftës egjiptianë, mbi shkatërrimin e 3 fshatrave palestineze, mbi djemtë izraelianë që krahasoheshin (në mënyrë të padrejtë) me ushtarët nazistë…

«Censorët kishin një argument të fortë. Konflikti nuk kishte mbaruar. Do të kishte luftëra luftëra të tjera. Djemtë tanë do të kapeshin robër. Unë nuk e ndjeja të merrja përgjegjësinë për një situatë hipotetike në të cilën një prej djemve tanë të pushkatohej nga egjiptianët, sepse unë kisha zbuluar se ne kemi vrarë robër egjiptianë».

Si e mendoni sot?

«Sot nuk e mbroj atë pozicion të atëëhershëm dhe nuk e di se çfarë do të kisha bërë përballë censurës».

Ju ishit ushtar në Sinai…

«Po jë rrëfej diçka të panjohur. Ditën e parë të luftës qëndroja i ulur mbi rërën e një dune. Papritmas na bien bomba mbi kokë. Kthej kokën dhe shikoj se 200 metra më larg ka njerëz që nuk i njoh dhe që po kërkojnë të më vrasin. Nuk kam kërkuar të fshihem, edhe pse kisha frikë. Në të vërtetë doja të lajmëroja policinë… Ja, ky ishte reagimi i vetëm instinktiv normal në luftë. Gjithçka tjetër nuk ishte normale».

Në 1967 të gjithë në Izrael i frikësoheshin një shoahu të dytë…

«Unë nuk mendoja për shoahun, përveçse në kuptimin se duhej luftuar si luanë. Dija në fakt se sikur ushtria egjiptiane të hynte në kibucin tim nuk do të kishte mëshirë për asnjërin prej nesh. E kemi parë në 1948, gjatë luftës së pavarësisë. Ishte ky kujtimi».

Kurse për palestinezët 1948 nënkupton Naqba-n, shkatërrimin e fshatrave; 700000 refugjatët…

«E vërtetë, në 1948 kemi kryer një spastrim etnik: 70% të palestinezëve u është dashur që të lënë territoret të kontrolluara prej nesh. Por ata kanë bërë një spastrim etnik më të kufizuar në numër, por më radikale në thelb: në Jeruzalemin lindor dhe në Cisjordani nuk mbeti as edhe një hebre».

Si e shikoni të ardhmen? Në Cisjordani ka pothuajse 400000 kolonë….

«të lutem, mos më flit për një situatë të “pathyeshme”. E pakthyeshme është një fjalë që më irriton. E përdor si e djathta ekstreme, ashtu edhe e majta radikale për të thënë se izraelianë dhe palestinezë nuk mund të ndahen më dhe se kështu alternativat e vetme janë aparteidi ose shteti dykombësh. Kurse unë jam aq i moshuar sa duhet për të ditur se nuk ka gjëra të pakthyeshme. Nga ana tjetër, Izraeli ka lindur 3 vjet pas mbylljes së Aushvicit, një mrekulli. Kam parë Ariel Sharonin, njeri i djathtë, idhull i kolonëve të shembë vendbanimet në Rripin e Gazës; kam parë De Gaulle të evakuojë 800000 kolonë francezë nga Algjeria dhe Churchill të çmontojë perandorinë britanike. E pakthyeshme është vetëm vdekja, por edhe atë më duhet ta eksperimentoj për të qenë i sigurtë».

Polemika/ Mimoza Ahmeti kundër "Kadaresë"; Henri Çili: S’jua ka ai fajin për mediokritetin letrar

Polemika/ Mimoza Ahmeti kundër
Pas kritikave të shkrimtares Mimoza Ahmeti për “Çmimin Kadare” dhe cilësimit me ironi për shkrimtarin e madh, Kadare, si “Shkrimtari Perëndi”, që duhet t’u hapë rrugë të rinjve, reagon botuesi Henri Çili.


Në një shkrim publikuar po në “Mapo”, pas atij të shkrimtares Ahmeti, botuesi Çili thekson se shkrimtari i madh nuk ka asnjë ndikim në vendimet e jurisë dhe se pas 27 vitesh Shqipëria ende nuk ka arritur të prodhojë një autor ndërkombëtarisht të njohur.
Shkrimi i Mimoza Ahmetit për çmimin Kadare:

Me ose pa dije, bota ku jetojmë është ende një ego e fortifikuar, muret e së cilës janë në mendje, por jo vetëm: ato janë edhe te fuqia e cila është pushtet. Kjo ndërtesë e egos (Bildung) u transformua në shekuj duke kaluar nga kapital diktati në një referencë sa vjen e më e vetjake njerëzore.

ramadani

Letërsia e gjelbër e vë njeriun në përmasën e vetëmjaftueshmërisë. Romani i gjelbër, poezia e gjelbër nuk është vetëm ai/ajo që flet për natyrën dhe njeriun, por gjithë çfarë minimizon shkallën e mitit në kuptimin e botës dhe e përgatit njeriun për një jetë pa komplikime sociale, është ekologji, gjelbërim.

Reduktimi i egos, ky proces i pashmangshëm për vetë natyrën e numërueshme të materialit fals me të cilin është endur, të ndarjes së botës më dysh: pozitive – negative, partizan – ballist, “shef i shërbimit sekret të Shqipërisë në kohën e Zogut” apo shërbëtor i Pallatit të ëndrrave në kohën e Xhaxhit, si të gjitha llojet e gjërave që ekzistojnë prej cilësie kundërvënieje, tregon artificën me të cilin ego ngre e mban diferencë.

mimoza_ahmeti_1

Kjo nuk ia heq, përkundrazi ia shton nevojshmërinë reduktimit, domethënë shprehjes së fjalës së lirë, njohjes e prezantimit në rastin e autorëve të rinj të romanit a poezisë, po dhe arteve të tjera, që janë në gjendje ta bëjnë dhe po e bëjnë këtë ndryshim cilësor me mjete arti e teknike aq mirë.

Romani është pikërisht gjinia letrare që zhvillon konceptin, duke hapur rrugë për tjetrin, veçanërisht me ndryshimin moral-ndjesor në qëndrim ndaj objektit, që është njëherësh riformulim i objektit për të gjithë. Ky proces sjell informacion të shtresave të padukshme për shtresat e dukshme dhe shndërron vetë lëndën e dimensionimit përgjatë përqafimit libër- lexues.

Ka pastaj dhe ego të rralla, që përgjithësojnë në rrallësi, po në të përgjithshmen, algoritmi narrativ lëviz në një problem që ka një vlerë të përbashkët për të ndarë, të një grupi, apo të një njeriu të vetëm, kushedi.

Të jetuarit në një botë të cilën modernët e quajnë e Tjetërsimit, nuk është një ngushëllim për romancierët e rinj e të vjetër ndaj lexuesit mungues të tyre të humbur prej diktatesh, por është një tregues për abundancën si evazion të lexuesve që dikush tjetër, me mjete pushteti, mund të sigurojë, të cilin thjesht për rimë me emrin roman, po e quaj Rahman.

Le të supozojmë se Rahmani ka korrur dy mijë për qind signifikancë totale te një shoqëri lexuesish në vite, me hir e me pahir. Ky evazion, përveç krefjes së egos së Rahmanit, është provë e mbulimit me kast të të gjithë variablave të tjerë artistikë që shoqëria prodhon në formë veprash letrare prej autorësh, për të dhuruar ndërgjegje me art me anë të leximit. Sistemet sociale dhe ato letrare me sa duket kanë një mekanizëm ndërlidhës, i cili bëhet më i vështirë për krijuesin, në vendet me liri të kufizuar.

henri-ramadan

Tautologjia e vazhdueshme e një vetëmandatimi: Rahmani që ndërhyn herë pas here në opinione letrare me politikë, duke siguruar me to vazhdimësinë absolutiste të veprës së vet e uzurpuar tërë hapësirën e publikimit e reklamimit, ku i përkushtohet: kritika, distribucioni, përkthimi i librit në gjuhë të huaja, deri në panaire ndërkombëtare, tregon për censurën selektive të këtij mekanizmi.

Kjo krijon më pas një precedent tjetër të dëmshëm: zvordhjen e dëshirës së autorëve për të hyrë e signifikuar në një arenë- rrenë, ku të gjithë tundin kokën se është e vërtetë, e duartrokasin, por dinë se është një gënjeshtër.

Letërsia Shqipe nuk ka pasur asnjëherë, madje, aq më tepër, nuk ka, vetëm një romancier. Le ta themi hapur se gjenia e prozës shqipe është kaq e larmishme dhe e një dimensioni kaq kompleks, sa mund të habiste edhe një shoqëri me kulturë fuqie.

Po në vazhdim ndodh frustrimi i autorësisë letrare, prej një egoje të universalizuar me mjete pushteti – një fenomen po aq tiranik sa edhe frustrimi i së drejtës së fjalës në regjimin totalitar të shkuar. Duket e pabesueshme por kemi prodhuar shkrimtarin Perëndi që tani prodhon veten duke na bërë politikë për art, madje edhe kur i drejtohet artit; le të shohim në intervistën e fundit të tij te Mapo, për konkursin e romanit, me emrin e tij, se si shprehet.

Nga njëra anë pohon se nuk ua njihkemi mirë jetën shkrimtarëve të shquar shqiptarë të së kaluar për arsye të regjimit (thua se nuk patën njerëz e familje për të treguar për ta edhe pas çerek shekulli demokraci), nga ana tjetër akuzon mbi të kaluarën e jetës së tyre me informata të dyshimta, të paverifikuara. Kështu e quan kuriozitet që nuk u dënua një shkrimtar, dhe “duhet t´i zbulojmë këto kuriozitete”. Flet për individualitetin e një autori, që nuk e kuptoj përse i duhet gjindur ceni biografik në vend që të vlerësohet vepra. Përmend për të fjalën “dënim” që as regjimit, si duket, nuk i vajti mëndja t´ia adresonte. Kërkon luftë klase në letërsi. Thotë: “…ne që e kishim aq të lehtë për të dënuar gjithkënd”. Kush ne?! Dhe fut si pa dashje emrin e Kutelit në këto kontekste , dhe me një gur qëllon shumë zogj.

Për fituesin e çmimit me emrin e tij, të sivjetmë, thotë se është shkrimtar serioz. Ky term nuk përdoret në kritikën letrare. Fituesi i çmimit lidhka trevat shqiptare me shqipen dhe kjo është e rëndësishme, po nëse romani paska vlerë artistike plus, aq më mirë. Nuk mund ta kuptoj këtë shkujdesje deri në arrogancë ndaj principit letrar: zëvendësimin me politizime të opinioneve letrare. Do të doja që këto lajthitje të ishin naivitet i pasionit kombëtar, por ai e përdor pasionin kombëtar të shqiptarëve për të forcuar poltronën e vjetër.

Ndryshe foli përkthyesi Gjerman, Hans Joachim Lanksch, të njëjtën ditë, në MAPO, për letërsinë shqipe, në shkrimin me titull: “Ne përpiqemi të përhapim letërsinë shqipe, por…”

Me altruizëm dhe patriotizëm shpirtëror ai u lutet shqiptarëve ( ndërsa kulturat e tjera u luten përkthyesve të huaj) që: “Fakti se me përjashtim të veprës kadareane letërsia shqipe është një terra inconita në Gjermani, Austri dhe Zvicër, është një pengesë e madhe për ne përkthyesit” dhe më pas, sikur të qe ai shqiptar e ne gjermanë, na drejtohet: “Të dashur miq, falmani për ca fjalë shqipe troç, nuk dua të jem mësuesi i Shqipërisë, mirëpo institucionet përkatëse duhet ta kuptojnë se kultura, sidomos letërsia, është pjesë e përpjekjeve për përmirësimin e imazhit të vendit tonë në botën e jashtme”.

Do t’i përgjigjem zotit Lanksch se shumë autorë këtu e ndiejnë frustrimin dhe shtypjen direkte apo të tërthortë të shkrimtarit që amalgohet me pushtetin, dhe të pushtetit që ia shpërblen, siç e ndjej edhe unë, edhe në rastin kur u përpoqa të përktheja me çdo kusht një nga veprat e mia “Gruaja Halucinante” (Roman, OMBRA GVG, 2006), në Gjermanisht, në vitin 2007, vepër e cila në shqip rrëshqiti pa ndonjë qëndrim të kritikës. Joachim Roem, përkthyesi i mrekullueshëm i poezive të mia të dikurshme të sapo-hapjes së Shqipërisë në nëntëdhjetën, më la në baltë. Rahmani e kishte përvetësuar përkthyesin dhe ai nuk mund të bënte pa lejen e tij. Këtë mund të them edhe për Jusuf Vrionin, të cilin e pati ekskluzivisht të vetin; Jusufi më kërkoi vetë të përkthente librin tim me poezi ”Delirium” e pastaj u tërhoq.

E botova Romanin Gruaja Halucinante dy vjet më pas, me ndihmën e Kultur- Kontaktit, në Austri, me shumë sakrifica, e pengime nga Rahmani. Por në katalogun e Panairit Ndërkombëtar të librit në Messe të Austrisë,( jemi në vitin 2009 tani), isha e vetmja autore që poshtë fotos kisha një reklamë në vend të librit. Dhe kjo nuk ishte rastësi. Kjo pengonte kalimin e librit tim në një gjuhë tjetër, në anglisht, frëngjisht, pasi botuesit që kishin ardhur nga bota e Perëndimit nuk do ta gjenin librin të kataloguar. E shoqja e Rahmanit kishte edhe ajo një libër në të njëjtin panair me mua, të kataloguar bukuri. Aty kuptova se pushteti i Rahmanit për të penguar ishte transnacional!

Romani i gjelbër shqiptar ka një lëvizje kaq të gjerë e të pasur dhe ende nuk ka një adresë ku të korelojë dhe jo të censurojë vlerën. Sepse ai është spontan dhe jo i programuar për kopjim politik. Për romanin modern shqiptar nuk mund të mos përmend kryeveprën e shkrimtarit Henrik S. Gjoka “Simfonia e fundit në ishullin Simon” që më pati tronditur me artin e shkrimit dhe domethënien, që e lexova para disa vitesh. Jeta dhe vepra e këtij autori lidhen pashmangshmërisht me njëra-tjetrën te romani “Gjuetia e Pëllumbave”. Modele të reja perceptimi. Me qendër njeriun. Por edhe te fillestarët: si romani “Bërthama”, e autores Eir Plasari, që fitoi çmimin Migjeni, që ende ka mbetur vetëm në shqip dhe një seri autorësh të tjerë, plot rijësi, që i takova në botimet e “Mapo”, por dhe gjetkë.

Shkrimtarë si Kuteli, Poradeci, Fishta, Ballanca, Trebeshina, e të tjerë, që shkolla e realsocit i brryloi, që çdo letërsi tjetër do t’i kthente në muza të një identiteti letrar dhe jo vetëm aq, edhe më të vonët autorë të tjerë, tregojnë variacione narrative autentike, por nuk stimulohen, përkundrazi.

Ndërkohë Rahmani iu thotë lexuesve se Marksi nuk e ka mirë kur propozon se shkrimtarët duhen përkëdhelur. Për veten e tij i mori maksimalisht përkëdheljet e regjimit, i shiti për disidencë në Perëndim dhe nuk po le gjë pa bërë të mos ngrenë krye krijuesit!

Ka ardhur koha të zbythet e të lërë vend edhe për autorët e tjerë, madje duhej me kohë ta kish bërë, edhe për bashkëmoshatarët e tij, të cilëve padrejtësisht iu absorboi krejt mjedisin e lexuesve, në vite, me talent dhe makiavelizëm; por edhe më të rinjve fare le t´u hapë udhë. Të mos zgjedhë e propozojë për përkthime në gjuhë të huaja autorë që nuk ia përcikin hijen.

“Tutori” quhet romani që paraqita në konkurs sivjet, një vepër e vogël por e madhe për nga dimensioni letrar dhe sublimimi i viteve që m´u deshën për ta përftuar duke e jetuar, por u habita kur më thanë se ishte e ndaluar pjesëmarrja e autorëve në Razëm, ku deklarohej çmimi!

Jam fituesja e Festivalit të parë Ndërkombëtar të Poezisë, San Remo, Itali, organizuar nga RAI, ku m’u dorëzua Palma e Artë në transmetim direkt, por as edhe një televizion i yni nuk mori mundimin një herë të marrë atë segment filmimi të fitores që e panë italianët, e t’ua tregojë shqiptarëve, pasi është dhe e tyrja.

I them Rahmanit se shkrimtari i madh mbahet mend, para së gjithash, nga bonsensi, nga mënyra se si e pranon tjetrin dhe veten te tjetri! Taktikave që përdor për posedim letrar me politika ka kohë që u ka dalë era…Do të ishte mjerim për çdo lloj arti dhe artisti që të përdorte truket e pushtetit për t’u bërë tërheqës!

Shkrimi nga botuesi Çili:

E dashur Moza, duke qenë një nga poetet e mia të preferuara, dhe një nga bashkëpunëtoret në rubrikën e rrjetit të kritikës shqip në gazetën “Mapo”, u befasova kur lexova shkrimin tënd për çmimin “Kadare” dhe, në përgjithësi rreth debatit që ka shkaktuar edicioni i tretë i këtij çmimi.

Fillimisht, do të doja të thosha që befasia, në fakt nuk është vetëm e jotja, është përfaqësuese nga konstatimi i mungesës së përgjithshme të emancipimit në mjedisit letrar shqiptar. Unë sapo jam futur në kuadrin e iniciativës letrare të Universitetit Europian të Tiranës gjatë këtyre viteve për të strukturuar, për të ndërtuar, për të bërë funksional e legjitimuar për nga cilësia çmimin letrar “Kadare”, një çmim që jepet tashmë për herë të tretë, dhe besoj që po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje. Mungesa e emancipimit është befasuese. Shkrimtarë të njohur të cilët refuzojnë të jenë në juri sepse nuk duan të kenë belara, votime jurish të cilët zihen e përpëliten me njëri tjetrin, pjesëmarrës të çmimit të cilët, pas kësaj, as denjojë të vijnë e të përfillin ceremoninë e honorifikimit të një kolegu të tyre, që gjithsesi njëri do ishte fitues dhe nuk do ishin 40 apo 50 shqiptarë.
henri-ramadan
Por mbi të gjitha, këtë vit, jam befasuar nga reagimet shumë të ashpra të dy prej favoritëve të këtij çmimi, të Virion Graçit dhe tëndin, pasi ishit në short listën e pesë finalistëve. Tamam-tamam është një gjë e ditur banaliteti, meskiniteti apo ligësia e mjediseve letrare kudo në botë. Mirëpo mendoja se kjo ligësi iu përkiste shkrimtarëve periferikë, të parealizuar apo shkrimtarëve të cilët mekanizmin e dështimit përpiqen t’ia projektojnë mjedisit letrar, kohës, epokës, komploteve apo ndonjë gjëje tjetër.

Por, personalisht jam shumë i zhgënjyer që përfaqësues tipik i këtij fenomeni jeni ju dhe Virion Graçi, dy autorë që personalisht ju njoh dhe ju respektoj.

Përtej momentit personal, mendoj që teprimi i madh në lidhje me këtë temë, ia vlen të ndalemi, të analizojmë e të shkojmë më tej.

Së pari, kohët kanë ndryshuar e dashur Moza. Jetojmë në kohë lirie, dhe askush nuk ka detyrim ndaj askujt, dhe askush nuk i jep llogari askujt mbi ndërtimin e një çmimi, një jurie, mënyrën si voton apo mënyrën si akordohet një çmim. Aq më tepër sikurse thashë, se ekzistojnë qendra të mëdha, personazhe të mëdha që kushtëzojnë çmimet, eksportin letrar shqiptar për 27 vjet pas një hyrjeje në botën e lirë, ku liria e qarkullimit të ideve, përkthimeve është e plotë. Madje-madje kaotike. Si të tillë ne kemi marrë iniciativën letrare për të ndërtuar çmimin Kadare si një mënyrë për të inkurajuar autorin shqiptar, që shkruan shqip, letërsinë shqipe, jo vetëm nëpërmjet një çmimi, me një vlerë monetare shumë të mirë, prej 10 mijë eurosh, por edhe përmes botimit dhe marrëdhënieve publike, reklamimit të këtij autori në harkun e një viti pas botimit të fituesit. Kështu kemi bërë me fituesit: Rudolf Markun, Shkëlqim Çelën dhe kështu do të bëjmë edhe me Musa Ramadanin.

Në vend që kjo iniciativë të meritojë një përshëndetje ose të paktën indiferencë, paranoja deri në marrëzira ngrihen në qarkullim në lidhje me skema, kundërskema apo kontrolle të këtij çmimi, për të cilin unë dhe juria, janë dhjetë emra, që çdo vit kemi qenë dhe jemi dëshmitarë.

Së dyti, Ismail Kadare, shkrimtari ynë i shquar i cili pati mirëkuptimin të na lejonte emërtimin e çmimit “Kadare”, pikërisht për inkurajim të autorit shqiptar, për të rritur reputacionin e autorit shqiptar, për të rritur reputacionin e këtij çmimi, që është në bazë të qëllimit, më sjell në vëmendje një fjali të tij. Para tre vjetësh kur Kadare pas shumë hezitimesh (sepse mund të lindnin debate të kësaj natyre) na dha leje për emërtimin e çmimit, duke na thënë: “Nëse ju mendoni se kjo i shërben letërsisë shqipe dhe promovimit të saj, pse jo. Por unë nuk dua, për asnjë arsye të kem lidhje me procesin, fituesin, me emrat”. Dhe, në fakt kështu ka ndodhur. Juritë e çmimit Kadare kanë votuar lirshëm, gjatë këtyre tre vjetëve, për autorin që kanë menduar, duke kryer një proces transparent.

Një gjykim që gjithsesi mbetet subjektiv, por të tilla janë çmimet, që nga dita që janë krijuar e deri sa të perëndojë bota.

E treta dhe më e rëndësishmja, kontributi i Kadaresë nëpërmjet këtij çmimi për autorët shqiptarë, i cili ndryshon kryekëput nga çmimi ndërkombëtar Kadare, nga mesi i viteve ’90, ka diçka shtesë për të theksuar: Kadare nëpërmjet parathënieve, rekomandimeve, diskutimeve, eseve të tij ka nxitur sa më s’ka letërsinë shqipe, autorin e ri apo autorin shqiptar këtu dhe jashtë vendit.

Kujtoj disa parathënie, shënime letrare, intervista apo pjesë nga libri “Mëngjese në kafe Rostand”, ku ai përmend e promovon autorët shqiptarë që kanë botuar jashtë, zonjat e letërsisë shqipe apo autorin shqiptar në përgjithësi i cili del jashtë. Si i tillë Kadare meriton të quhet një promovues sui generis i letrave shqipe.

Nuk duhet të harrojmë e dashur Moza, që Ismail Kadare është e vetmja markë publicitare e letërsisë shqipe e kulturës shqiptare që ne kemi në qarkullim dhe që mund të potencojmë në botën e qytetëruar ku lufta, konkurrenca e veprave cilësore është absolutisht e ashpër, e pamëshirshme.

Fakt është që në këto 27 vjet ku liria e botimeve ka qenë e garantuar, liria e qarkullimit të ideve dhe shkëmbimit kulturor me botën e jashtme ka qenë e garantuar po ashtu, ne nuk kemi arritur të prodhojmë, esencialisht, një autor apo një brez autorësh shqiptarë ndërkombëtarisht të njohur. Dhe për këtë, jo vetëm që Ismail Kadare nuk ka faj, e ka fajin vetëm mediokriteti letrar, apo për ta thënë në mënyrë më të sjellshme, cilësia e munguar e letërsisë apo autorëve shqiptarë për t’u bërë ndërkombëtarisht të përfillshëm.

Me gjithë ndihmën e Kadaresë, duke promovuar përmes parathënieve, shënimeve, rekomandimeve për shumë e shumë autorë shqiptarë, përsëri njohja ndërkombëtare nuk ka qenë e mundur.

Të shohim, nëse në të ardhmen, ndonjë përfaqësues apo fitues i çmimit “Kadare” do të bëjë thyerjen. Pra, do të thyejë premisat për një famë ndërkombëtare të një shkrimtari tjetër shqiptar.

E fundit, por jo më pak e rëndësishmja. Kohët kanë ndryshuar rrënjësisht. Iniciativat kulturore dhe letrare nuk janë më pronë e askujt. Ato janë pronë e të gjithëve. Përbashkimi konstruktiv rreth këtyre iniciativave, çmimeve, dhe eventeve kulturore e letrare, është ndoshta shtrati letrar ku mund të lindin apo kultivohen talentet e mëdha. Të cilat ndoshta një ditë mund të kishim një cilësi të re për të kapërcyer kufijtë e kulturës shqiptare dhe për të hyrë në mjedisin letrar ndërkombëtar.

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...