Agjencioni floripress.blogspot.com

2018/02/16

Burgu i Spaçit, një memorie që s’mund të fshihet kurrë


Nga Preng Cara

Burgu i Spaçit, një nga shëmbëlltyrat më të urryera të regjimit të egër që ka parë njerëzimi në diktaturë, u ndërtua në vitin 1968, në krahinën e Mirditës, vetëm një orë larg Milotit, përgjatë Rrugës së Kombit. Sot është i shpallur muze. I vendosur përqark një miniere të viteve 30-të, e hapur nga italianët, në një luginë të rrethuar mes malesh të larta për shfrytëzimin e mineralit të bakrit, u bë gjatë diktaturës varri e persekutimi çnjerëzor i të burgosurve politikë, të cilët jo vetëm se ishin të izoluar e të privuar nga liria, “kavje’’, por edhe të detyruar të punonin si skllevër të kohërave moderne në galeritë e vdekjes të një shteti burg në zemër të Europës.
Burgu i Spaçit
Në vitet 1970, numri i të burgosurve në atë burg arriti deri në 1 400 vetë. Është me vend të përmendet Revolta e famshme e Spaçit, ku më 21 maj të vitit 1973, të burgosurit politikë, të dërrmuar nga punët e rënda, kushtet e këqija, ushqimi i mangët, dhuna fizike, psikologjike dhe shkatërrimi i orientuar e i komanduar i personalitetit njerëzor, shpërthyen në një revoltë të paparë masive, e cila do të jetojë gjatë në memorien kolektive se gjunjëzoi përkohësisht shtetin ideologjik të asaj kohe. Të burgosurit në kampin pothuaj të braktisur ato ditë nga rojat e frikësuar të burgut, dolën hapur me parulla të fuqishme kundër regjimit të Hoxhës, diktaturës së egër komuniste dhe ideologjisë marksiste-leniniste. Në atë revoltë dinjitoze u hodh për herë të parë parulla “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa’’, në kulmin e së cilës u ngrit flamuri kombëtar, i improvizuar me mjete të rastit pa yllin komunist.

Pas tre ditë përpjekjesh, revolta e Spaçit u shtyp me dhunë e gjak nga trupat dhe falangat ushtarake të një shteti nga më të egrit që ka njohur historia e diktaturës komuniste. Nxitësit e saj, organizatorët dhe pjesëmarrësit kryesorë, u ndëshkuan me tortura e rritje të dënimit në birucat e burgut, dhe 4 prej tyre, si Hajro Pashai, Dervish Bejko, Pal Zefi dhe Skënder Daja u dënuan me pushkatim. Është rrëqethëse kur viziton burgun e Spaçit, pasi aty kupton se edhe pas 25 vitesh demokraci nuk mund të harrohet lehtë kalvari i vuajtjeve që kaluan të burgosurit e të persekutuarit politikë gjatë 32 viteve të dënimit në minierën e vdekjes. “Të persekutuarit politikë janë diamantet e një kombi. Ruajini në unaza zanash’’ [Oskar]. Kështu, ata, përveç privimit të lirisë bënin edhe punë të detyruar në minierën e bakrit.

Në galeritë e errëta e të lagështa të dënuarit punonim me turne, pa ndërprerje 24 orë, duke nxjerrë me krahë 7 tonë mineral. Kush nuk realizonte normën dënohej i lidhur këmbë-e-duar në qelitë e ftohta, në borë e acar. Në çdo rast ata ishin të survejuar, të censuruar, të përndjekur dhe të provokuar nga elementë të infiltruar për t’i mbajtur nën kontroll të plotë nga shkelësit e rregullave të kampit. Të afërmit që vinin për të takuar njerëzit e tyre bënin 7 km rrugë në këmbë, që nga Repsi në Spaç, sepse kamionët e transportit të mineralit e kishin të ndaluar t’i merrnin se konsideroheshin familje armike të popullit.

Në kodrën përballë burgut ka ende trupa të burgosurish që vdiqën gjatë vuajtjes së dënimit dhe u varrosën si kafshë, fshehurazi, për të mos u gjetur kurrë. Vuajtja e të dënuarve në burgun e Spaçit ishte rezultat i akuzave të rënda të ngritura nga regjimi i Hoxhës, si agjitacion e propagandë kundër pushtetit, armëmbajtje pa leje, spiun e përkrahës i pushtimit fashist, kundër luftës Nac-çlirimtare, pjesëmarrës në grupazhe kundër regjimit, strehim diversantësh e lidhje me reaksionin e jashtëm. Një pjesë e të dënuarve politikë ishin intelektualë të kalibrit të parë, si shkrimtarë, ekonomistë, studiues, klerikë etj., si At Pjetër Mëshkalla [klerik], Hafiz Sabri Koçi [klerik], Fatos Lubonja [publicist, analist] etj.

Siç dihet, mbas viteve 90-të e deri në vitin 2012, burgu u la qëllimisht për t’u fshirë nga memoria kolektive, pa mbrojtjen e shtetit, dhe u shkatërrua pothuajse totalisht nga njerëzit e agjentët atmosferikë. Fatkeqësisht sot kanë mbetur disa rrënoja, gërmadha e ngrehina të përçudnuara, të zhveshura e të parrethuara, vetëm me disa tabela orientuese, por që mjaftojnë në qoftë se do të kishim përkrahjen shtetërore e respektin për atë shtresë të vuajtur gjer në palcë, për t’u përcjellë gjeneratave të reja ndjesinë emocionale të persekutimit komunist gjatë diktaturës në Shqipëri. Duke parë rëndësinë që ka ky burg për të transmetuar këtë pjesë të dhunshme të historisë, që ajo të mos përsëritët dhe ish-të burgosurit e ndërgjegjes të rehabilitohen nga shoqëria shqiptare, “Komisioni Drejtësi dhe Paqe i Shqipërisë” në bashkëpunim me organizatat gjermane “Renovabis” dhe “Maximilian Kolbe”, të cilave duhet t’u jemi mirënjohës, kanë marrë përsipër ruajtjen dhe kthimin e tij në muzeum.

Por siç dihet, shoqëria shqiptare pas kaq vitesh demokraci, fatkeqësisht ende ka mbetur mes demokracisë jofunksionale dhe një diktature të re. Varfëria në kulm, përballë një kaste që pasurohet çdo ditë. Burgu, çimkat dhe videoregjistrimet të kujtojnë kohën e hidhur të diktaturës. Të persekutuarit politikë ende nuk janë integruar plotësisht në shoqëri e as të përfaqësuar sa duhet në organet ligjvënëse a në strukturat shtetërore. Ata nuk kanë marrë të gjitha pronat dhe dëmshpërblimet e kohës së vuajtjes së dënimit, bile as statusin e minatorit të galerive të nëntokës, përballë organeve të drejtësisë, të prokurorisë e të gjykatave që drejtësinë ta shesin me para. Ku spiunllëku, maskarallëku , poshtërsitë, pengmarrjet, vrasjet me pagesë dhe grabitjet e bankave janë ngritur në institucion.

Ky është realiteti i hidhur shqiptar. Ndërsa shqiptaret vuajnë për bukën e gojës e mjerimi i tyre është këmbëkryq ulur, largimi i tyre nga sytë këmbët ka marrë përmasa apokaliptike. Kërkohet që të gjithë të jenë spiunë të njëri tjetrit për të qenë të nënshtruar, a thua se ky është shteti ligjor? Spiunllëkun e kemi në parlament, ku videot dhe përgjuesit kanë plasur skandalet e shekullit. Ato i kemi në organet e drejtësisë e të prokurorisë ku survejohemi non-stop të gjithë. Janë vendosur në makinat e ministrave, vip-ave dhe shtetarëve për të ditur së çfarë bëjnë e me kë flenë. Bisneseve u vihet këmba në fyt. Falë taksave të larta që s’i mbartin dot, u vihen edhe spiunë me pagesë që rëndojnë në xhepin e shqiptarëve. Kamerat kanë mbërthyer rrugët, bizneset, bile kontrollojnë edhe familjet tona non-stop, duke shkelur edhe të drejtat më elementare të lirive të njeriut, pavarësisht se ato mbrohen nga konventat ndërkombëtare të këtij lloji.

Ej, Shqiptarë, hapni sytë, diktatura nuk ka brirë, ajo është prezentë në çdo qelizë të jetës e ngjallet sa herë harrohet. Terrori, krimi i organizuar, trafiqet njerëzore e shpërthimet me telekomandë përveçse marrin jetë njerëzish, ato ngjallin frikë e panik në masën e gjerë qytetare. Burgjet janë kthyer në kryefjalën e ditës. Mbi 38 mijë qytetarë varfanjakë janë proceduar e burgosur për shkak të energjisë elektrike, shumë të tjerë edhe për shkak të ujit, ku paraburgimi është kthyer në mbipopullim, fatura financiare rëndon mbi pabukësit dhe skandalet e qeverisjeve, peshqit e mëdhenj e korrupsioni i paparë në historinë e këtyre viteve nuk zhbirohet as nga ndërkombëtarët. Le t’i kthehemi edhe një herë të shkuarës, për të parë se çdo të ndodhë me të ardhshmen.

Jemi dëshmitarë të një kohe më të errët e të dhunshme që kanë parë sytë e shqiptarëve në 46 vjet diktaturë. Fatkeqësisht, Shqipëria mbas çlirimit nuk mori rrugën e perëndimit por zgjodhi atë të lindjes e të diktaturës më të egër që ka njohur historia. Sipas statistikave të “Institutit të të Përndjekurve Politikë”, në shkallë vendi , që nga viti 1993 e në vazhdim, kemi 42 772 persona që kanë vuajtur në burgjet dhe kampet e internimi dhe që kanë pasur të drejtën e përfitimit të statusit të të përndjekurit politik. Janë 5 548 të pushkatuar, 273 të sëmurë mendorë në qelitë e errëta të hetuesisë, 14 563 të burgosur politikë, 987 të vdekur nëpër burgje dhe 21 401 të internuar e të vdekur nëpër burgje. Vetëm Mirdita kishte 1 360 vetë të goditur nga diktatura, nga të cilët 754 të internuar, 606 të burgosur, 77 shtëpi të djegura nga forcat e ndjekjes, 38 familje të shpallura kulak e 40 vetë të planifikuar të zhdukeshin pa gjyqe.

Jemi në shekullin e njëzetenjë dhe fatkeqësisht pas 25 vitesh, Shqipëria ende nuk ka një demokraci funksionale, sepse informaliteti ka mbytur gjithçka e shtetarët notojnë në pasuri marramendëse me llogaritë e tyre të mbyllura në bankat jashtë vendit. Populli është varfëruar në kulm, për shkak të politikave qorre të qeverisjes së radhës, e cila përmes një euforie të paparë fsheh çdo ditë realitetin objektiv, që është informaliteti më i madh i cili duhet dënuar me gjithë forcën e shpirtit. Siç shihet, vendi po shkon drejt një varfërie, kaosi të pakthyeshëm dhe të një diktature të re. Kush do ta ndalë atë? Kjo do të varet nëse shoqëria shqiptare në tërësi do të jetë e aftë për t’i dalë zot vetes e për të stopuar një neodiktaturë. Vetëm kështu do të realizohet aspirata e shqiptarëve, për t’u bashkuar si komb plot dinjitet me familjen e madhe Europiane.

“Komunistët lanë të vdisnin nga uria 300 fëmijë të kundërshtarëve politikë”



Bisedoi Nebil Çika

Agim Musta rrëfen për kampet e internimit dhe luftëtarët e lirisë “bandave diversante” në diktaturën komuniste

Burrat në internim në kampin e Tepelenës

Në emisionin “Rrno për me tregue” këtë javë ka qenë i ftuar studiuesi dhe ish-i përndjekuri i regjimit komunist Agim Musta. “Ngjarja që do të trajtojmë është shumë e dhimbshme për historinë e vendit. Bëhet fjalë për një nga krimet më të rënda që ka kryer diktatura komuniste në Shqipëri, madje mund të jetë e vetmja diktaturë komuniste në Europën Lindore që ka kryer të tilla krime: internimi, vrasja e fëmijëve dhe moshave të vjetra. Unë do ta përkufizoja si “holokausti shqiptar”. Krimet që ka kryer diktatura komuniste në Shqipëri mund të quhen të barasvlershme me krimet që ka kryer nazizmi në Gjermani. Në kampet e internimit, si ai i Tepelenës dhe i Porto-Palermos, kanë ndodhur vrasje makabre. Treqind fëmijë të vrarë, shumë djem të moshës së re të verbuar dhe varrosje e kufomave të të dënuarve politikë. Për të trajtuar këtë ngjarje tragjike që i ka ndodhur kombit, kam të ftuar zotin Agim Musta, një studiues i krimeve të komunizmit dhe një ish-i burgosur politik”, – tha në hyrjen e emisionit gazetari Çika.

– Zoti Musta, ç’mund të na thoni për këtë ngjarje të rëndë që i ka ndodhur vendit?

– Internimet e diktaturës në Shqipëri filluan në 22 dhjetorin e vitit 1944, sidomos në pjesën veriore të Shqipërisë. Me qindra familje nga Veriu i vendit u dhunuan dhe u plaçkitën. Komunistët u vodhën atyre çdo gjë, deri te pulat që kishin në kotec. Mundën të shpëtonin vetëm disa para që kishin fshehur në pjesët intime të trupit. Këtë gjë e pohon edhe ish-oficeri i Sigurimit Lekë Mëlyshi, vëllai i Pal Mëlyshit, Heroi i Popullit në diktaturën komuniste. Familja e Abaz Kupit ka bërë 51 vjet internim. Këto familje meritojnë të futen në librin “Gines”. Vajza e tij, Lirie Kupi, ka vuajtur 51 vjet internim: 4 vjet gjatë kohës së pushtimi fashist dhe 47 vjet gjatë kohës së diktaturës komuniste në Porto-Palermo.

– Nuk është vetëm familja Kupi, ka edhe shumë familje të tjera që janë internuar në këto kampe përqendrimi, të cilat i kanë përjetuar të dyja llojet e internimit: ato të fashizmit dhe të komunizmit. Në librin tuaj ju keni trajtuar disa lloje internimesh që janë bërë në Shqipëri. Flisni për Perandorinë Otomane, kohën e Zogut, pushtimin e Italisë dhe komunizmin. Cili është ndryshimi ndërmjet këtyre?

– Kampet italiane dhe komuniste ndryshojnë si nata me ditën. Ali Kelmendi, ish-kapter, agjent i KOMINTERN-it, që nisej me shërbim. Ai kishte ardhur në Shqipëri për misionet e tij dhe u diktua nga forcat e Sigurimit. Atë e çuan në internim në Gjirokastër. Po çfarë internimi ishte ai i Ali Kelmendit? Atë e caktuan nga prefektura e Gjirokastrës që të ushqehej në një restorant të klasit të mirë dhe të rrinte në një dhomë komode, të flinte aty. I vetmi kusht që i vunë ishte të paraqitej një herë në dit në komandën ushtarake të Gjirokastrës. Kjo gjë i bën shumë historianë dhe studiues të çuditen nga toleranca që kishte regjimi i Zogut.

Në kohën e Zogut ishte me rregull që personat internoheshin vetëm me vendim të Këshillit të Ministrave, duke bërë një analizë shumë të thellë. Dhe jo si në kohën e diktaturës, që edhe një kapter i thjesht i policisë kishte të drejtë të internonte njerëz. I tillë ka qenë përfaqësuesi i minoritetit grek Vasil Shahini, që e vranë komunistët në Gjirokastër më 1943. As në sasi nuk mund të krahasohet periudha e Zogut me atë komuniste. Në kohë e mbretërisë të internuarit numëroheshin më gishta, ndërsa në periudhën komuniste ishin me shumicë njerëzit e internuar. Gjithashtu kishte ndryshim rrënjësor edhe në trajtimin që u bëhej të internuarve. Trajtimi komunist ishte për shfarosje, gjë që e pohon Kadri Hazbiu në gjyqin që iu bë më 1983-shin. “Në mënyrë të paligjshme ne sekuestruam dhe përvetësuam së bashku me pushtetin lokal pasurinë e personave”, thotë ai.

– Zoti Agim, të qëndrojmë në kampet e përqendrimit. Sipas librit tuaj, por dhe sipas dokumenteve të arkivave të komunizmit, në shumë fshatra të thella të Shqipërisë kishte njerëz të internuar, por ju keni veçuar disa kampe, që mund të quhen “kampe të shfarosjes”. Bëhet fjalë për kampin e Tepelenës dhe kampin e Porto-Palermos. Më kanë bërë përshtypje një shifër që ju keni publikuar: 400 persona të vdekur, 300 prej tyre ishin fëmijë. Cilat ishin arsyet që kanë ndodhur këto vdekje? Cilat ishin shkaqet?

– Unë do t’ju tregoj një fakt, të cilin ma kanë thënë në burg. Vetë djali i Qazim Mulletit, të cilit i bëhej parodi, më ka thënë se brenda një periudhe 6-mujore ka varrosur dhe shfarosur rreth 350 fëmijë. Shumica e fëmijëve kanë vdekur nga uria. Gratë që ishin të internuara i çonin në malin e Luzatit për të prerë dru ose për të mbledhur gurë dhe i linin fëmijët pa ngrënë. Edhe ndërkombëtarët habiten tej mase kur dëgjojnë këto gjëra. As në Rusinë staliniste, që është pjella e komunizmit botëror, nuk kanë ndodhur të tilla krime makabre.

– Në libër thuhet se kampi ishte i ndërtuar në një fushë të minuar he shumë fëmijë kanë vdekur duke luajtur në fushat e minuara. Ishte e qëllimshme ngritja kampit në këtë fushë të minuar?

– Gjatë luftës italo-greke, që filloi në tetor të vitit 1940 dhe përfundoi në maj të vitit 1941, këto fusha u minuan ngaqë aty ishte një repart i madh ushtarak. Kazermat e repartit u përdorën për internimin e njerëzve nga komunistët. Pikërisht me tërheqjen italiane kishin mbetur shumë municione ushtarake të paplasura.

– Një nga detajet për kampin e Tepelenës ishte dhe zhvarrosja e kufomave të fëmijëve, të cilët i varrosën në breg të lumit. A gjenden sot gjurmë të këtyre krimeve?

– Kjo ishte metodë e komunistëve. Këtë në burg ma ka thënë vetë gjenerali i sigurimit. Në fillim kufomat i varrosnim me gëlqere të pashuar, më pas i varrosnin buzë lumenjve dhe përrenjve, me qëllim që, kur ata të vërshonin, t’i merrnin kufomat dhe t’i çonin në det. Nga këto metoda nuk janë gjetur as 20% e kufomave, pasi pjesa tjetër ka përfunduar në det.

– Zoti Musta, të qëndrojnë edhe pak në problemet që hasën edhe shqiptarët e Kosovës. Shumë prej tyre erdhën në Shqipëri për t’i shpëtuar regjimit jugosllav. Mund të na thoni diçka lidhur më këtë gjë, pasi është një histori ku thuhet se diktatura në Shqipëri ishte e mirë për kosovarët dhe e keqe për shqiptarët?

– Dihet se shumë Kosovarë kanë vuajtur nëpër burgjet e Shqipërisë. Shumë djem të rinj kosovarë kanë vuajtur në kampet e përqendrimit dhe në burgjet në Shqipëri. Shumë djem kosovarë të mirarsimuar, të etur për të mësuar gjuhën shqipe, erdhën në Shqipëri për të mësuar kulturën shqiptare. Komunistët kishin disa shtëpi sekrete sigurimi. Një në Shijak dhe një në Krujë. Aty bëhej filtrimi i tyre. Një pjesë shumë e vogël e tyre merreshin dhe bëheshin agjent të Sigurimit, ndërsa të tjerët internoheshin e burgoseshin vetëm pse nuk pranonin të bëheshin agjentë të Sigurimit. Unë kam pasur disa kosovarë në burg. Shumë prej tyre janë ekzekutuar.

– Do të kalojmë në një pjesë tjetër të librit tuaj, atë ku luftëtarët e lirisë quhen “Desantët apo diversantët” . Në insertin që unë kam përgatitur flitet për një gjyq dhe pamjet janë marrë nga një film i vitit 1952, në të cilin ishin të ftuar edhe gazetarë nga blloku lindor. Çfarë mund të na thoni për këtë ngjarje?

– Janë gënjeshtra dhe mashtrime dhe unë dua të faktoj një gënjeshtër të madhe që ka shkruar Ramiz Alia në librin e tij. Ai thotë se Zenel Shehu bashkëpunoi me komunistët dhe se ata e kishin falur. Ky është mashtrimi më i madh që ata kanë thënë, pasi Zenel Shehu është ekzekutuar nga komunistët. Gazetarët që ishin aty ishin të tërë komunistë. Vetëm një gazetar polak i gazetës “Tribuna” dallonte nga të tjerët. Kur u kthye në Poloni, ai ka thënë se “gjyqet që bëhen në Shqipëri janë kostume të zeza të qepura me pe të bardhë”. Ato gjyqe ishin komplet të manipuluara. Aranit Çela, i cili sot bredh bulevardeve dhe ndërron kostumet angleze, u ka marrë lekët dhe florinjtë diversantëve. Është mbi 90 vjeç dhe nuk i ka hyrë gjemb në këmbë. Bëri dy vjet burg kur erdhi demokracia dhe mori qindra milionë lekë si dëmshpërblim.

– Zoti Musta, të kalojmë në një pikë tjetër të librit tuaj. Është një fakt i pamohueshëm se, ndryshe nga vendet e tjera të Lindjes, rezistenca e armatosur në Shqipëri vazhdoi deri nga vitet ’60.

– Lufta ndaj diversantëve mbaroi më 1954. Madje vetë Alan Dalles, që ishte kryetari i CIA-s, tha se të ndalohej çdo veprimtari. Mjafton që ne fituam një eksperiencë për lutën e tretë. Nuk rrëzoheshin regjimet komuniste me tre veta, me dhjetë veta. Gënjeshtra e madhe qëndron edhe sot. Përpara disa ditëve një ish-oficer i Sigurimit shkroi në një nga gazetat shqiptare se diversantët kanë vrarë me mijëra njerëz. Kjo është gënjeshtër e madhe. Në pak raste që ka ndodhur kjo gjë, ka ndodhur për shkak vetëmbrojtjeje, pasi ka qenë duke luftuar.

– Zoti Musta, si nisi kjo ardhja e desantëve për të përmbysur udhëheqjen nëpërmjet grupeve guerile? Si u organizua ajo?

– Shumë udhëheqës të botës thanë në atë kohë se ata u kujtuan për Shqipërinë në kohën kur Stalini bëri diversion në Greqi për të marrë pushtetin. Grupi i parë që ka ardhur këtu ishte ai i Hetem Çakut më 1949, i cili përbëhej nga katër veta. U dërguan këtu nga Italia. Ata ishin Hetem Çaku, Kasem Zhupa, Zyber Lika dhe Lumadh Lutfiu. Këta i nisi zbulimi Italian, pasi do të ndodhnin ngjarjet në gushtin e 1949-s, në rast se Greqia do të avanconte në brendësi të territorit shqiptar. Gjatë veprimtarisë Zyber Lika u vra, ndërsa dy anëtarët e tjerë të grupit u dorëzuan.

Kasem Xhuma pranoi të bashkëpunonte me Sigurimin dhe u la i lirë. Po me urdhër të Mehmet Shehut, që ishte ministër i Brendshëm në atë kohë atë e kanë vrarë brenda burgut. Kjo është një shkelje flagrante e ligjshmërisë. Më pas u krijua grupi i Maltës. Ai udhëhiqej nga Dejvid Smaili, i cili kishte qenë më parë në Shqipëri. Ai ka pasur kontradikta të mëdha me Enver Hoxhën, madje thoshte se Enveri donte ta vriste mbrapa krahëve. Ky grup u zhvendos në Gjermani më 1949. Në kampet e Gjermanisë u mblodhëm 179 veta. Këta persona janë kapur nga forcat ruse dhe janë internuar në Siberi dhe në vende të tjera të Lindjes.

– Të qëndrojmë pak te libri juaj. Ju u jeni referuar studiuesve anglezë dhe amerikanë dhe thoni se dështimi i kësaj organizate për të marrë pushtetin erdhi nga tradhtia e një oficeri, Kim Filbi. Sa e vërtetë është kjo?

– Kjo është e vërtetë. Kim Filbi ishte caktuar nga zbulimi anglez për të marrë pjesë në organizatën e diversantëve. Në fillim ishte në Stamboll, më 1945. Erdhi në kontakt me të arratisur shqiptarë për të marrë informacione. Kim Filbi ishte agjent sovjetik që nga viti 1932. Kur u dyshua, ai u arratis. Informacionet që ai merrte nuk i dërgonte në Shqipëri, por ia dërgonte qendrës komuniste në Rusi. Zbulimi rus pastaj ua dërgonte njerëzve të tij në Shqipëri, që ishin në poste të larta. Në Ministrinë e Brendshme ishin 40 këshilltarë të zbulimit rus. Ata përcaktonin planin e veprimit që do të bënin shqiptarët. Helmimin e Mithat Frashërit e bënë agjentët rusë nëpërmjet vrimës së çelësit. Nga vrima e çelësit ata futën gaz helmues. Në këto mënyra ata kanë zhdukur shumë persona.

– Zoti Musta, të qëndrojmë prapë këtu. Ju i quani këta persona “trima të dëshpërimit”, pse i keni emëruar me një term të tillë?

– Ata e dinin se si ishte gjendja në Shqipëri. Ata më kanë thënë se atyre u vinin materialet me informacione se çfarë ndodhte këtu. Populli këtu ishte i frikësuar. Madje, një anglez ka thënë se “shqiptarët nuk janë këta që janë sot (referuar kohës së komunizmit), por janë njerëz të besës”. Ai thotë se besa e shqiptarëve është kthyer në tradhti.

Dhe këtë ai ia dedikon sistemit komunist, që i tjetërsoi shqiptarët. Ali Branica, që u përmend në insert, ka qenë kapiten në gardën e Zogut. Mbas përfundimit të luftës ai u këtyre në shtëpinë e tij. Kur ai u kthye në shtëpi, gruaja i tha që të dorëzohej te komunistët, përndryshe do ta denonconte vetë ajo. Këtë veprim do ta bënte pasi në të kundërt do t’i shkatërronin të gjithë familjen. Dhe ashtu ndodhi: i shkatërruan të gjithë fisin, prandaj ata krijuan atë që quhet “grupi i rezistencës”. Shumë anëtar të sistemit komunist u bashkuan me këta me qëllim marrjen e informacionit. Anëtar të tillë si Kadri Hazbiu, i cili bënte rolin e doktorit. Të infiltruarit morën informacione për të gjitha familjet shqiptare se cilat do të pranonin diversantë dhe cilët jo. Ata i merrnin kryefamiljarët dhe i internonin. Më 1954 u shkatërruan të gjitha familjet diversante të Shqipërisë. Por kanë ardhur edhe grupe të tjera në rrugë tokësore nga Greqia dhe Jugosllavia.

– Kush i sillte këta persona? Si vinin në Shqipëri këta persona?

– Këta diversantë vinin me avion pa pika dalluese. Pilotët që drejtonin avionët ishin polakë. Dhe ata kishin një dashuri të veçantë për Shqipërinë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore u dërguan 50 avionë polakë në Rusi. Këta ishin ata individë që sillnin diversantë në Shqipëri me një zgjuarsi të madhe, duke mos rrëzuar asnjë avion.

– Doja të flisnim edhe për një grup tjetër, grup të cilin shumë komunistë e kanë përdorur si provë. Kjo ka bërë bujë në Shqipëri, pasi u përdor si argument i luftës brenda vendit ndërmjet komunistëve dhe diversantëve. Bëhet fjalë për bandën e Xhevdet Mustafës. Ju në libër thoni se ishte e dyshimtë dhe e organizuar. Mund të na jepni një shpjegim më të detajuar?

– Shpjegimi është shumë i qartë, pasi në prill të 1981 ndodhën ngjarjet në Jugosllavi. Kosovarët dolën me parullën “Kosova Republikë”. Jugosllavët morën tanket dhe janë vrarë mbi 100 veta. Është bërë një masakër. Qeveria jugosllave u trondit, prandaj donin të bënin një kundërgoditje në Shqipëri. Ata menduan se i vetmi njeri i fortë fizikisht që mund ta bënte këtë ishte Xhevdet Mustafa. Por ai ishte i dënuar në Amerikë për trafikim lëndësh narkotike. Në atë kohë UDB-ja Jugosllave bashkëpunon me Ali Bajramin, që e kishte dërguar Sigurimi i Shtetit në Zelandën e Re, dhe i thonë se do t’i jepnin 1 milion dollarë garanci që ai të lironte Xhevdet Mustafën dhe të organizonin kryengritje në Shqipëri. Ail Bajrami pagoi garancinë prej 1 milion dollarësh dhe e liroi Xhevedet Mustafën nga burgu. Ali Bajrami ishte bashkëpunëtor me të dyja palët: me Sigurimin shqiptar dhe me UDB-në jugosllave.

– A kishte Sigurimi shqiptar dijeni për grupin e krijuar?

– Kishin dijeni, sepse brenda grupit të Xhevdet Mustafës ishin dy anëtarë të Sigurimit: ishte Ali Bajrami, që ishte koka krijuese e grupit, dhe Fadil Kaceli, ish-mësues. Ata shkojnë në Zelandën e Re dhe përgatiten me grupin që do të vinte në Shqipëri. Nga Zelanda e Re ata shkojnë në Leçe të Italisë, me qëllim që të niseshin për në Shqipëri. Ditën që do të niseshin, ai rrëzohet me qëllim dhe nuk hipën në skafin për në Shqipëri. Përgjegjës i këtij grupi ishte Sabaudin Haznedari nga Përlepi i Jugosllavisë.

– Ishte i rekrutuar Haznedari nga forcat e Sigurimit?

– Jo, nuk ishte i rekrutuar nga forcat e Sigurimit. Nga Sigurimi kanë qenë të rekrutuar Ali Bajrami dhe Fadil Kaceli. Kohë më pas Fadil Kaceli ka ardhur dhe në Shqipëri, por nuk e ka hapur gojën. Tani të gjithë këta kanë vdekur. Ndërsa Ali Bajramit hetuesia iu bë te 15-katëshi.

Komplet ndryshe nga çka u është bërë të tjerëve në qelitë e burgut të lidhur këmbë e duar.

– Si u përdor ky grup nga qeveria shqiptare në atë kohë?

– Enver Hoxha ishte në dijeni dhe ishte shumë i alarmuar.

– Ishte në dijeni që grupin e përdorte Sigurimi shqiptar, apo sepse e kishin dërguar jugosllavët për ta eliminuar?

– Qeveria shqiptare ishte në dijeni. Fotografitë e anëtarëve të grupit u ishin dhënë inspektorëve të Sigurimit. Gjashtë muaj përpara se të zbarkonin ata në Shqipëri, inspektorët e Sigurimit bënin patrullimin që nga Hamallaj deri në Divjakë, me qëllim që të parandaloheshin ata, pasi vetëm vendi i zbarkimit të tyre nuk dihej. Anëtarët e grupit të krijuar nga Jugosllavia morën në Belgjikë armë të precizionit të lartë për të eliminuar çdo vështirësi që do të hasnin. Më pas ata bën një stërvitje në Leçe dhe u nisën për në Shqipëri. Sabaudini dhe Xhevdeti nuk kanë qenë.

Gënjejnë kur thonë se ata kanë qenë këtu. Më ka thënë vetë vëllai i Sabaudinit se, kur i kishin marrë në morg për të bërë identifikimin e kufomës, Sabaudini kishte vetëm një shenjë në kokë. Kur u rrethua në bunkerin në Rrogozhinë, ai vrau veten. E njëjta gjë i ndodhi edhe Xhevdetit.

– Zoti Musta, nuk duket se ka një nderim për këta të burgosur politikë. Nëse për të tjerët brenda vendit ka një lloj nderimi aq sa për t’i kujtuar, për desantët nuk ka asnjë lloj përkujtimi. Ka ende një ngërç në histori për t’u sqaruar, çfarë mendoni për këtë?

– Ata që janë dënuar më vdekje nuk do të kenë as një lloj dëmshpërblimi financiar. Ata që kanë vuajtur burgun do të marrin dëmshpërblim. Për desantët ka një lloj heshtjeje. Këta “luftëtar të lirisë” i dërgonte bota perëndimore. I dërgonte Anglia, Amerika, Italia, Gjermania etj., me qëllimin e vetëm që Shqipëria të shkëputej nga zinxhirët e komunizmit.

– Pse mendoni se ndodh ky neglizhim?

– Janë akoma ato celula të komunizmit që nuk i lejojnë këto gjëra. Ende vazhdohet dhe thuhet se ata vinin të digjnin shkolla e spitale, të vrisnin pleq e fëmijë. Janë spekulime që ende vazhdojnë të bëhen pa as një bazë faktike. Vazhdon ende ai mentalitet që ka qenë në komunizëm. Nuk duhet të mbeten ende thëniet e Enver Hoxhës, thëniet e Nexhmije Hoxhës, e cila me paturpësinë më të madhe vazhdon ende të bëjë deklarata të pavërteta.

Shqiptarët e Kosovës: Na u nxi jeta në burgje e kampe


Nga Kastriot Dervishi

Një njollë e zezë mbetet për shtetin komunist të Enver Hoxhës, keqtrajtimi që i ka bërë emigrantëve kosovarë që vinin në Shqipëri gjatë diktaturës. Duke e menduar Shqipërinë si vendin e shtetin e tyre, ata gjenin këtu një trajtim edhe më të keq nga vendi i tyre që ishte i pushtuar nga jugosllavët.

Qëndrimi i shtetit komunist, gjatë gjithë ekzistencës së tij, mbeti shumë armiqësor ndaj shqiptarëve të Kosovës e Çamërisë. Në letrat e tyre drejtuar udhëheqjes së lartë komuniste, ata kërkonin kryesisht të shpëtonin nga e keqja që i kishte gjetur. Shumë shqiptarë nga Kosova banonin këtë kohë në Seman të Fierit.

Mark Gjolaj

Mes një diskriminimi të paparë, ata ishin përditë pre jo vetëm e urrejtjes komuniste, por edhe ndaj një persekutimi politik që nuk e kuptonin pse u vinte. Në letrat e tyre shihet shumë dhimbje. Nuk i përfillin si njerëz, as te mjeku nuk i çojnë, i mbajnë të izoluar e të kontrolluar. Përveç rasteve të poshtëshënuara, theksojmë atë të Seit Vukajt nga Kosova, i ardhur në vitin 1957 për të kërkuar strehim politik. Është internuar në Seman, por kërkon të kthehet në Llakatund. Në shkurt 1958 ishte përpjekur të arratisej e shfaqte sërish tendencë të tillë, thuhej në raportin e datës 7.2.1959.


Mark Gjolaj
Shokut Enver Hoxha

Sekretar i parë i KQ të PPSH-së

Tiranë

I nënshkruari Mark Gjolaj me kombësi shqiptare, tani emigrant, nga Jugosllavia, me qëndrim në N.B.Sh. “Çlirimi” sektori Seman në Fier, ju paraqes sa vijon:

Më datë 12.3.1953 kam emigruar në RP të Shqipërisë, me qenë se si shqiptar kam dëshiruar dhe dëshiroj të jetoj këtu. Qysh nga dita e ardhjes sime në Shqipëri, kam qenë vetëm nëpër burgje dhe kampe duke mos qenë kurrë i lirë, megjithëse kam një të kaluar të mirë patriotike shqiptare.

Për këtë arsye ju drejtohem juve dhe ju lus që të më ndihmoni duke urdhëruar lirimin tim nga Semani.

Seman, më 15.12.1957

Me nderime

(Mark Gjolaj)

N.B.Sh. “Çlirimi” – Sektori

Seman

Fier

Letra trajtohet më 14.3.1959 nga drejtori i Drejtorisë së Jashtme të KQ, Mihal Prifti, i cili ia bashkëlidhur atë së bashku me letrat e shtetasve të tjerë jugosllavë, pavarësisht nga kombësia.
Ramush Maxhari
Të njëjtën gjë kishin kërkuar edhe emigrantët: Hajdar Gashi, Nikolla Shoq, Mustafa Kollari, Dushan Vukiç, Shabam Kllobçishta, Ramush Maxhari, Bozho Vujosheviç, Hajdar Qetkaj, Hadi Gashi, Hilmi Duraku, Nazmi Sulejmani. Midis të tjerash, Prifti udhëzon:

“Të njoftohen të lartpërmendurit se nuk ka mundësi që të lirohen, por ata do ta bëjnë jetën e emigracionit si gjithë emigrantët e tjerë. Atyre që kanë kërkuar për t’u riatdhesuar t’u thuhet se çështja do të shqyrtohet, por ata që kanë shtetësinë shqiptare, më parë duhet t’i drejtohen Presidiumit të Kuvendit Popullor për heqjen e shtetësisë. Atyre që kanë kërkuar për të vazhduar studimet me bursë t’u thuhet se këtë çështje do ta shohim dhe do t’u japim përgjigje më vonë”.

Ramush Maxhari

Biros Politike të PP të Shqipnis

Tiranë

I nënshkruari Ramush Maxhari, emigrant jugosllav me qëndrim në sektorin e Semanit Fier.

Paraqes lutjen sa vijon. Simbas kërkesës dhe dëshirës time m’u dha viza për riatdhesim në Jugosllavi. Më datën 19.12.1956, sipas rregullores, unë i dorëzova vizën në Drejtorinë e Pasaportizimit Tiranë. Po në atë ditë, për nënshkrim. Qysh nga ajo ditë e deri sot, kaloj një vit e plotë e sa ditë që nuk m’u dha përgjigja e vizës.

I lutem titullit të naltpërmendur, kini mirësinë si pranë meje, më njoftoni daljen e vizës sime. Mbasi ndjej dëshirë që të riatdhesohem pranë familjes tue bazue në moshën që jam i ri.

Qëndroj me plot shpresë se lutja ime do të merret parasysh, kjo është shprehja jonë.

Pres përgjigjen

Me nderime

Ramush Maxhari

Seman

më 8.11.1958

Unë Eshref Dauti, emigrant jugosllav me banim në Seman Fier, paraqes lutjen time me sa vijon:
Ibish Draga
Meqenëse me shëndet jam dobët, mund të them se kam sëmundje të madhe, ju drejtohej me këtë lutje dhe kërkoj ndihmë nga ana juaj. Si organi më i lartë i partisë, ju lutem që të më jepni një ndihmë duke më liruar të shkoj te mjeku, sepse nuk më kanë lirue organet tona të shkoj te mjeku të vizitohem. Me këtë nuk dua të ankohem kundër organeve që merren me neve, sepse disa emigrantë nuk kanë sjellje të mira, prandaj dhe unë së bashku me ta po jetoj dhe s’më jepet mundësia të shërohem. Mbetem me shpresë se do të ma plotësoni dëshirën e kërkuar.

Seman

7 maj 1958

Me nderime e respekt

Eshref Dauti

Sektori Seman, Fier

(Për këtë jepet leja vetëm për t’u vizituar)

Ibish Draga

Sekretarit të parë të KQ të PPSH-së, shokut Enver Hoxha, Tiranë

Lutje

Unë i nënshkruari Ibish Draga, emigrant jugosllav i emigruar në tetor 1956, lindur më 1936 në Katundin
e Ri të Pejës, tash me qëndrim në Seman, kam nderin me ju paraqit këtë lutje që ma poshtë vijon:

Më datë 31 janar 1957 kam ba kërkesën për riatdhesim në vendlindjen time, qeverisë jugosllave dhe nëpërmjet legatës jugosllave në Tiranë më është komunikuar se kërkesa ime është aprovuar dhe të paraqiten në legatën jugosllave në Tiranë për nënshkrimin e vizës dhe tërheqjen e pasaranit për riatdhesim. Meqenëse jam shtetas jugosllav, nga vendqëndrimi ku ndodhem, duhet të pajisem me leje për vajtjen në Tiranë, prandaj, ju lutem juve drejtpërdrejt shoku Enver që të ndërmjetësoni pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme për dhënien e lejes së duhur për tërheqjen e pasaranit nga legata jugosllave në Tiranë.

Mbasi u plotësua plot një vit e gjysmë dhe nuk m’asht dhanë mundësia për tërheqjen e pasaranit, prandaj ju lutem personalisht juve shoku Enver që të keni mirësinë dhe të ndërmjetësoni organet kompetente dhe të më jepni mundësinë për t’u riatdhesuar pranë familjes sime. Ju lutem më njoftoni me shkrim mbi lutjen time. Mbes me shpresë se lutja ime do të merret parasysh.

Me nderime

Ibish Draga

N.B.Sh. “Çlirimi”sektori

Sektori Seman

Fier

Më 31.5.1958

Tri vaktet e të dënuarve, në burgjet e komunizmit



Nga Valeria Dedaj.

Ish- i burgosuri politik, Gjeto Vocaj, rrëfen vuajtjet që ka kaluar në burgjet e komunizmit, pasi takoi Enver Hoxhën. Mësuesi i matematikës dëshiron, që t’u kushtohet më tepër vëmendje objekteve të komunizmit, që brezi i ri të mësojë të vërtetën për atë periudhë.

Kësaj here dëshmia për brezin e ri erdhi nga një mësues, jeta e të cilit do të ndryshonte plotësisht në vitin 1962. Bëhet fjalë për Gjeto Vocaj, autorin e librit “Takim fatal me diktatorin”. Ai rrëfeu në ambientet e COD në kryeministri kujtimet e tij, pas takimit që bëri me diktatorin Enver Hoxha, pasi kishte shkruar shkrimin “Fëmijë jo i zakonshëm” në gazetën “Mësuesi” për aftësitë matematikore të një fëmije 6-vjeçar nga Dukagjini. Takimi u moderua nga Fatmira Nikolli (gazetare). Të pranishëm në diskutimin që bëri paneli, i cili u dëgjua me vëmendje edhe nga brezi i ri ishin Luigj Martini (studiues) dhe Simon Mirakaj (anëtar i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Sigurimit të Shtetit).

Mësuesi i matematikës, i cili mban edhe Urdhërin “Naim Frashëri” rrëfeu ndër të tjera dje, se si trajtoheshin të burgosurit. Sot, thotë ai, çdo objekt kujtese, është zhdukur. “Unë isha në të njëjtin kapanon me 180 veta. Shtretërit ishin dykatësh dhe dita-ditës ne ngjisheshim me njëri-tjetrin. Përgjegjësi i kapanonit na përcaktonte vizën se deri ku duhet të shtriheshim, derisa nisëm që të flinim në brinjë”. Kjo gjë ka qenë shumë e tmerrshme tregon mësuesi.

Ndërsa, shton më tej se ushqimi ishte i përcaktuar. “Ka qenë gjenocid më vete kjo pjesë. Përditë vdisnin njerëz. Ndërsa, ata mendonin: Një armik më pak”. Ushqimi ndahej në mënyrë të tillë, që të burgosurve t’ua merrte shpirtin dalëngadalë. “Burgje ka pasur dhe ka në të gjithë botën, por burgu komunist dhe kampet e përnderimit në Shqipëri kanë thyer rekorde në shfarosje. Atë pjesë, që kishte pak forcë fizike i fusnin nëpër miniera që të punonin. Ndërsa, pjesa tjetër që ishin më të fuqishëm i çonin në vende të tjetra.

“Për mëngjes kishim lëngë më ujë të nxehtë; që i hidhnin brenda bishta qepësh. Ndërsa, të gjithë kazanit i hidhnin një dorë oriz dhe krip. Në drekë ishte njëjta gjë, vetëm se nuk i hidhnin oriz, por makarona. Për në darkë vetëm çajë pa sheqer”.

Mësuesi, i shpallur armik i popullit, me hetim, spiunim, dërgim të familjarëve në kampet e punës së detyruar, dënim me burg e internim sot pas 25 vitesh rrëfen se edhe pse ai mundi që t’i indetifikonte informatorët e sigurimit, kundrejt tyre nuk ka asnjë mllef, përkundrazi hakmarrja më e madhe e tij për ta ishte një libër dhuratë për secilin.

Studiuesi Luigj Martini dje gjatë takimit u shpreh se në këtë libër flitet për një tmerr, që ka ndodhur realisht. “Libri flet për një periudhë të tmerrshme për popullin, që zor se brezat do ta kuptojnë. Autori bën një autopsi regjimit të kohës, se çfarë do të thotë që të jetosh i përgjuar dhe që t’i kesh të gjithë njerëzit të përgjuar. Brezi i ri duhet që të mësojnë historinë siç ka qenë. Ndryshe rreziku është që diktaturat të harrohen dhe të përsëriten”.

Ndërsa, Simon Mirakaj (anëtar i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Sigurimit të Shteti) thotë se, edhe në burg kërkohej që të bëhej lufta e klasave. “Ajo që të vret dhe të irriton sot, (ky duhet të jetë irritim i përbashkët), është se në rast se ne nuk e kuptojmë se çfarë ka qenë Enver Hoxha dhe kasta e tij e komunizmit, e keqja nuk do të zhduket kurrë! Nuk është puna që të luftohet komunizmi, që t’u bëhet qejfi të përndjekurve, por që të njihet brezi i ri me atë periudhë siç ka qenë dhe demokracia të konsolidohet”.

Ndërsa, për rëndësinë që ka ruajtja e këtyre objekteve të komunizmit Mirkaj thotë se, jeta ka fillim dhe fund. Ato që do “të flasin” janë objektet! Por, për fat të keq këto janë duke u shkatërruar, sepse politika nuk ka interes për to. “Kemi 25 vite që i përmendim këto objekte, por politikanët tanë nuk i shtynë kureshtja, të shkojnë në Spaç për t’i parë. Fillimisht shkoi që t’i shihte ambasadori amerikan, pra shkoi Presidenti i vendit”, thotë Mirakaj

Hakmarrjet politike në Shqipëri

Fundi i luftës (1944) përkoi edhe në Shqipëri me periudhën e hakmarrjeve politike, që më pas u transformuan nga regjimi komunist në një sistem të vërtetë qeverisjeje bazuar në arrestimin dhe persekutimin e kundërshtarëve politikë duke filluar me ish-krerët, intelektualët, tregtarët dhe pronarët e tokave. Kjo valë e dhunës e cila zgjati 45 vite u transformua në ekzekutime, në arrestime, internime apo dëbime të dhjetra mijëra shqiptarëve. Ky database (bazë të dhënash) përfshinë emrat e të gjithë personave të pushkatuar për motive politike, të dënuar që kanë humbur jetën në burg, të burgosur dhe të internuar politikë të dënuar me më shumë se 10 vite dhe që kanë marrë tashmë statusin e të perndjekur politik. (Duke klikuar butonin ne fund të kësaj faqeje mund të kontribuoni që të plotësojmë database-in tonë dhe të korrigjojmë gabimet e mundshme).
Nga viti 1946 deri 1950 kampet e punës ishin 20, por në periudhën e viteve 1950-1990 u ndërtuan edhe 90 të tjerë. Në arkivin e Ministrisë së Brendshme deri në vitin 1990 rezultojnë të dënuar 25 mijë të burgosurit politikë, por duke qënë se mungojnë statistikat e të dënuarve të periudhës nga 1945 në 1946 dhe të dënuarve me dënime të vogla, besohet se të burgosurit politikë në Shqipëri kanë qenë mes 30.000 dhe 34.000. Sipas një raporti të publikuar në 2016 nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) në Shqipëri, të burgosurit politikë ishin 26.768 burra dhe 7.367 gra. Të burgosurit e vdekur në burg për shkak të kushteve të burgjeve ishin 984, dhe 308 të tjerët humbën aftësinë e tyre mendore. Sipas të njëjtit burim 5.577 burra dhe 450 gra u dënuan me vdekje dhe u vranë. Trupat e të burgosurve që ekzekutoheshin ose vdisnin në burg gjatë punës së detyruar apo nga sëmundje, nuk iu ktheheshin të afërmve.
Në periudhën 1944 – 1991, mbi 6.000 jane persona te ekzekutuar në Shqipëri me ose pa urdhër të gjykatës (kryesisht me pushkatim ose varje) dhe trupat e tyre nuk iu kthyen pothuajse asnjëherë familjeve të tyre për varrim. Sipas informacioneve të marra nga dëshmitarë dhe dokumente, në Shqipëri janë identifikuar deri më tani 29 vende (hot-spot) ku dyshohet se ndodhen trupa të tjerë të burgosurve politikë, të vrarë në periudhën e regjimit komunist. Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (ICMP) dhe autoritetet shqiptare janë angazhuar publikisht për të nisur një fushatë identifikimi dhe kërkimi të të zhdukurve duke ndërmarrë hetime serioze në mënyrë që të paraqesin të dhëna të besueshme mbi ekzistencën e këtyre vendeve.
Sipas shifrave zyrtare të hartuara së fundmi nga institucionet qeveritare përgjegjëse për dhënie kompensimi për dëmet e shkaktuara gjatë periudhës së diktaturës, intenrnimet me vendim ishin 12,500, një shifër kjo që nuk konsideron të miturit, fëmijët e të burgosurve. Sipas një raporti të publikuar në 2016 nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) në Shqipëri, në periudhën 1944 – 1990 të burgosurit ishin 59.009. Sipas të njëjtit raport të vdekurit për shkak të kushteve të internimit ishin 7022.

Paradhoma dhe dhoma e Ministrit te Brendshem

Ekspozita Muzeale

Zona e bunkerit ku ndodhej zyra e Ministrit të Brendshëm është e përbërë nga një paradhomë që nevojitej për sekretari, një zyrë, një dhomë gjumi dhe një banjo.

Që nga përfundimi i bunkerit (1986) kjo dhomë (edhe pse ishte e kompletuar dhe e gatshme për t’u përdorur), nuk është përdorur kurrë nga asnje ministër në detyrë, qoftë edhe për të kryer ushtrime.

Ka pasur vetëm tri rrethana që kanë shkaktuar planin e emergjencës në bunker: për herë të parë në shkurt të vitit 1991 gjatë protestave në shesh që çuan në shembjen e statujës së Enver Hoxhës.

Herën e dytë në shtator 1998 gjatë kryengritjes e cila u pasua me vrasjen e politikanit të opozitës Azem Hajdari.

Dhe herën e fundit në mars 1999, kur si pasojë e bombardimeve të NATO-s mbi Beograd për të liruar Kosovën nga pushtimi serb, ishte frika se Serbia mund të shkaktonte një sulm hakmarrës mbi Tiranën.

Edhe në këto tre kushte, pavarsisht gjendjes së gatishmërisë së lartë, bunkeri nuk u përdor.

Çdo qytetar i thjeshtë apo politikan gjatë regjimit komunist mund të hetohej për të vërtetuar nëse kishte kryer apo jo një krim.


Ndryshe nga hetimet mbi krimet e zakonshme (që i besoheshin ekskluzivisht policisë), hetimet e krimeve që klasifikoheshin si “krime kundër shtetit” kryheshin nga Sigurimi dhe shoqëroheshin pothuajse gjithmonë me arrestimin parandalues të të dyshuarit: në raste të tilla “faktet” mblidheshin më pas, shpesh ishin të rreme, të manipuluara ose të marra nëpërmjet torturës. “Krimet kundër Shtetit” parashikoheshin në Kodin Penal apo nga ligje të veçanta për çdo kundërvënie ndaj regjimit, ndaj sistemit komunist dhe drejtuesëve të tij. “Armiqtë e popullit” (konsideroheshin të tillë edhe ish-anëtarë të partive jo-komuniste), akuzoheshin normalisht për krime si “agjitacion dhe propagandë”, krjimin e organizatave kundër pushteti, tentativa arratisje nga shteti, etj.

Hetuesia ka qenë pjesë funksionale e Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit në vitet 1950 – 1974. Nga viti 1974 deri 1983 hetuesi ishte një oficer i Ministrisë së Brendshme, kurse pas 1983 ai ishte një civil. Edhe kur hetuesi nuk ishte më zyrtarisht pjesë e Sigurimit, ai ishte gjithmonë një person besnik i partisë dhe i lidhur me Sigurimin. Hetuesia zhvillohej në ambjentet e degëve të punëve të brendshme, vende të errëta dhe larg syve kureshtarë, ku të pandehurit i nënshtroheshin herë pas here pyetsorëve të ashpra gjatë të cilëve përdorej rregullisht tortura.

Në periudha te ndryshme, gjate viteve te regjimit perveç torturave, gjate procesit hetimor, kanë ndodhur edhe abuzime seksuale me femrat. Aq sa ne vitet ‘60 kishin dale edhe urdhëresa për t’i parandaluar rastet. Nje prej ketyre urdhëresave me nr. 01-15, datë 1.8.1966, pika 2, ndalonte marrjen në pyetje të femrave pa qenë prezent edhe një person i tretë në zyrën e hetuesit. Rastet e dhunimit të femrave vërtetohen me dokumentat që ndodhen në këtë dhomë.

Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) në Shqipëri duke dëgjuar historitë e të mbijetuarve, ka përpiluar një listë me 35 lloje të ndryshme torturash (kjo listë është e ekspozuar në këtë dhomë). Për të kryer hetime dhe për të mbledhur “fakte” hetuesi kishte gjithashtu të drejtën të kryente përgjime dhe të merrte në pyetje, nëpërmjet çdo metode që konsideronte të nevojshme, miqtë dhe të afërmit e të akuzuarit.

Pas marrjes së “dëshmisë” nëpërmjet përdorimit të forcës, i akuzuari detyrohej shpesh të lexonte një proces verbal të gjatë, në të cilin përfshiheshin pyetjet e hetuesit dhe përgjigjet e dhëna dhe ky lexim që regjistrohej kthehej në “dëshminë spontane” të të akuzuarit në provat kryesore kundër tij gjatë gjykimit. Asnjë fazë e marrjes në pyetje nga hetuesi nuk ndodhte në praninë e një avokati. Hetimi mund të zgjaste nga 3 deri në 24 muaj dhe përfundonte vetëm pas vendimit të dënimit nga gjykata.



H

Akademik Prof.dr.PhD. Rexhep Qosja mbi çthurjet ideologjike në shoqërinë shqiptare dhe eksperimentin proserb të ashtuquajtur “kombi kosovar”.

AKADEMIK REXHEP QOSJA Ideologjia e shpërbërjes – trajtesë mbi idetë çintegruese në shoqërinë e sotme shqiptare Argumente të shpikura për “k...