Agjencioni floripress.blogspot.com

2018/03/12

Udhëtim në veri të Shqipërisë


Luan Rama është kineast, studjues arti, publiçist, shkrimtar, dhe ka lobuar si ambasador (1991-1992) në Paris, Francë dhe diplomat kulturor i Shqipërisë (1997-2001), duke e përfaqësuar vendin edhe në UNESCO.


Autori krijon e punon në Universitetin INALCO (Institut des Langues et Civilisations Orientales) Paris, Francë. I diplomuar për Gazetari në Universiteti i Tiranës, dhe i profilizuar për Audiovizual e Kinematografi në Universitetin e Parisit Denis Diderot. Si skenarist i katër filmave në Kinostudio Shqipëria e Re njihet në gazetarinë ose prozën filmike dhe për kontributin në filmin Vajzat me kordele të kuqe.


Aktualisht studjuesi Luan Rama është autor i shumë studimeve mbi pikë takimet e kulturave franko-shqiptare, në vijim të zbulimit të personaliteteve të botës shqiptare në Evropë duke ndriçuar nga arkivat franceze shenjtorët ilir, fisnikët arbër, artistët dhe poetët shqiptar më me ndikim në qytetërimin Perëndimor. Promovues i vlerave të artit bashkohor publikon dhe studimin për kuartetin e piktorëve shqiptarë Omer Kaleshi, Artur Muharremi,Zamir Mati e Bujar Luca në Francë.

Vepra letrare&studimore

Disa nga veprat më të zëshme kohët e fundit janë studimet në rrafshin kulturor :

Dorëshkrimet e purpurta - studim ku shtjellohen edhe Kodikët e Shqipërisë shikuar si vlera botërore që nga kodikët e Beratit, Vlorës, Korçës, apo Voskopojës.

Parisi letrar -studim ku shpaloset jeta e panjohur njerëzore dhe itinerari artistik i shkrimtarëve të shquar francezë.

Pikëtakim me Jean Cocteau(Zhan Kokto) -jeta pasionale dhe vepra poliedrike e poetit francez,
Jean Moréas, Jani nga Moréa- studim mbi poetin simbolist arvanistas,

Kalorësit e Stuhisë – normandët, frankët dhe shqiptarët -studim ku dëshmohet roli i stratiotëve dhe lidhjeve të aristokracive anzhuine dhe arbërore,

Santa Quaranta -Romani trajton historinë e qëndrimit të balerinës Isadora Duncan në Sarandë,
Shkëlqimet e Meteorëve - Libri sjell përvojën e aktoreve franceze në sheshin e xhirimit,
Origjina e Botës - Romani intrigohet tek historia e nudos së piktorit Courbet e porositur nga Halil beu, ambasadori shqiptar në Paris i Perandorisë Osmane.

Dino - Shtegtari i Portës Sublime –Monografi e piktorit Abedin Dino dhe saga e familjes shqiptare Dino nga Çamëria.

Krushq të largët -Libri i parë i autorit ngritur mbi pikëtakimet franko-shqiptare, Pont entre deux rive (Ura midis dy brigjeve).




Nga Luan Rama*



… Më 18 tetor të vitit 1938, çifti Benezech i ishte drejtuar Hanit të Hotit e më pas Tamarës e Lëpushës në lartësitë e mbi 2000 metrave. Ata shoqëroheshin nga interpreti i tyre shkodran, B., një njeri i sprovuar në udhëtime të tilla dhe njohës i gjuhëve të huaja si dhe dy qeraxhinj, Asllani dhe Ismaili, bashkë me kuajt e tyre ku janë ngarkuar dhe bagazhet. Gjatë rrugës, midis shkëmbenjve, ata ndeshen me ngrehina të braktisura, meqë barinjtë janë larguar nga verimi i bagëtive, duke hequr dhe çatitë e vathëve, qê ato têm os shkatërroheshin nga rrebeshet e stuhitë e dimrit. Natën, për të fjetur, shtrojnë ku munden në dyshekë pneumatikë që kanë marrë nga Parisi dhe të nesërmen vazhdojnë udhën sërrish. Një natë ndalojnë në shtëpinë e malsorit të quajtur Kol Petrushi, duke hyrë në një dhomë ku reja e tymit nderet mbi kokat e njerëzve, pasi në atë dhomë, si në shumë kulla malsore nuk ka oxhak. «Të varfër, por me një pritje bujare», shkruante Jacqueline. Ndërkohë René fotografon si Kol Petrushin ashtu dhe kullën e tyre, njerëzit e familjes, atje në dekorin e maleve.




(Foto të veçanta të Preng Calit që shohim per herë të parë. Dhe nje foto e Kol Petrushit me vajzen, e panjohur gjithashtu. 1200 foto te Shqipërisë së veriut, Kosoves dhe Shqiperise se jugut

Të nesërmen ishte plaka e Petrushit që me shkop në dorë, nëpër dëborë, u printe përpara si një dhi e egër për tu treguar rrugën drejt Ranza e Shënikut. Shpesh plakës i duhet të ndalojë dhe të presë afrimin e karvanit që ngjitet ngadalë. Etnografes franceze ajo i duket si «një personazh përralle», siç e shkruan ajo në ditarin e saj. Më pas, pas shkëmbenjsh e kataraktesh, karvani ndalon në një shtëpi tjetër ku jetojnë brenda një dhome të madhe e disi të ndarë 26 persona të së njëjtës familje. Atje pjekin patate dhe rreth zjarrit, siç është zakoni, ai që i bie lahutës ia merr një kënge të gjatë nga eposi kreshnik, duke i kënduar një bote të largët e mitike, heronjve të këtyre maleve. Jacqueline mendon se gjithçka përreth asaj shtëpie, orenditë, veglat e punës, kostumet, instrumentat, objektet e përditshme e të kuzhinës, gjithçka atje është një muze i vërtetë etnografik. Dhe për më tepër në një vend që shpesh ata e krahasojnë me Zvicrën.


Pikërisht atje, gjatë natës, të shtrirë midis turmës, ku disa janë ngjeshur anash zjarrit në mes të dhomës, gjatë natës, René ndjen se një «kafshë» e çuditshme i ngjeshej prapa veshit. Por vetëm në mëngjes ata pikasën se nuk ishte gjë tjetër veçse gishtat e këmbëve të asaj plake të shtrirë më tej që ishte në agoninë e saj. Po kështu, Jacqueline ishte habitur tek flinte gjatë natës me atë lloj «jastëku» të butë që merrte forma të ndryshme, por vetëm ajo në mëngjes konstatoi se ishte një plënc lope. Udhëtimi i tyre vazhdon, ditët ndjekin njëra-tjetrën dhe ja ku gjenden në një situatë dramatike, të humbur mes asaj humbëtire, në mes të stuhisë, pa ditur nga të shkojnë, gjithnjë në kërkim të Qafës së Pejës. «Situata po bëhej tragjike, – shkruan Jacqueline, – gjersa më së fundi lodhja do të na detyronte ta linim pa Zot fatin e jetës sonë.». Dhe ja, dy djem të rinj, fatmirësisht si të rënë nga qielli, u gjenden aty dhe i ftojnë në vatrën e tyre duke u prirë përpara.

 Por padyshim, në këtë udhëtim një mbresë të veçantë çifti francez ka gjatë qëndrimit në kullën e Preng Calit, figura e të cilit duket se i tërheq ata në mënyrë të veçantë. «Preng Cali, – shënonte në ditarin e saj Jacqueline, – erdhi drejt nesh duke zgjatur duart, me një fytyrë energjike dhe një buzëqeshje të mrekullueshme. Që me shikimin e parë ishte shumë simpatik. Një gjigand i vërtetë. Ishte i gjatë të paktën 2 metra. Ishte i veshur shumë pastër, me kostumin e Malsisë së Madhe, një kostum me një elegancë të veçantë. Flokët i kishte të bardha dhe mustaqet të shkurtra që spikasnin në figurën e tij të gjatë e të dobët. Natyrish, brezi i tij ishte i zbukuruar me një revolver të madh, një tjetër me një dorezë fildishi apo prej kocke, një model si ato që mbreti u jepte atyre që donte t’i shpërblente e t’i nderonte…” Preng Calin, ashtu si dhe Fran Zefin më pas, dy etnografët e shohin si një personazh që më shumë i afrohet mitit sesa realitetit të përditshëm të jetës në këto male. Ky malsor, që jepte dhe jetën për mbrojtjen e kufijve, në fillim ishte zemëruar me mbretin për shkak se ai ishte gati t’i linte kufijtë e veriut, e madje e kishte internuar në kalanë e Gjirokastrës, por më pas, vetë mbreti e kishte liruar atë e madje i kishte dhuruar dhe një kobure të zbukuruar në argjend, meqë mbretëria kishte nevojë për prijësat e bajraktarët e veriut.


Por të veçanta për etnografët ishin dhe marrëdhëniet e tyre, veçanërisht të Jacqueline-s me Pashkën, gruan e Prengës, e cila që kur francezja hyri në kullën e tyre e puthi drejt e në gojë. E habitshme për një grua që vinte nga Parisi midis këtyre maleve. Vallë a do ta mësonte kjo franceze historinë e mëpasme të kësaj familje pas luftës, kur Prenga do të rrethohej në një shpellë, do të kapej dhe do të varej? A do ta mësonte ajo fatin e Pashkës, e asaj gruaje të mirë që i shkonte mbrapa si e si ta kënaqte dhe që shpesh e godiste me dorën e saj mbi shpinë për t’i shprehur dashurinë? Pashka do të përjetonte një kalvar më vete në jetën e saj pas vrasjes së Prengës, ku disa njerëz të familjes u kujdesën për të deri sa ajo vdiq në vitin 1967. Jo, askush nuk do t’i tregonte francezes se çfarë kishte ndodhur me gruan e Prengës… Megjithatë René nuk kishte harruar t’i fotografonte të dy, siç i shohim sot në disa fotografi para kullës së Preng Calit: Prenga i gjatë veshur me shajak dhe Pashka e vogël me kostumin e saj të Malësisë së Këlmendit. Një çift i çuditshëm, por me një zemër të madhe!

Pas thuajse një muaj nëpër malet dhe vatrat bujare të veriut, karvani me dy etnologët francezë u kthye në Shkodër. Qëndrimi i tyre i fundit kishte qenë te frati i kishës së Thethit, At Antonio. Njerëzit e Fran Zefit i shoqërojnë deri sa ata dalin në rrugë të madhe. Më së fundi mund të nisen drejt Koplikut e të zbresin poshtë drejt Shkodrës. Por djaloshi malësor u kërkon ta njoftojnë më parë kur të vijnë herës tjetër, pasi ai do t’i presë që në kufi e s’ka nevojë për shkresa qeverie sepse ata do të jenë në dorë të tyre, në mikpritjen bujare të malsorëve shqiptarë. Kur karvani mbërriti në Shkodër, siç shkruan Jacqueline Benezech, “njerëzit na shikonin me habi, ndërkohë që Asllani u thoshte: “Janë francezë!»… në hotel, shërbyesja e dhomës nuk arriti të na njohë. E kuptuam këtë kur u shikuam në pasqyrë. Kopshtet që shikonim përreth ishin me lule dhe qielli ishte blu. E hënë, 7 nëntor 1938. Ka tre muaj që ne kemi lënë Parisin…”

Çfarë fshihet pas vardisjes së BE-së ndaj Ballkanit


Michael Winfrey


Nga Michael Winfrey
Në hartën e vendeve anëtare të Bashkimit Europian ekziston një hapësirë e madhe, qartësisht e dukshme ku ndodhen pesë shtetet e ish-Jugosllavisë dhe Shqipëria. Liderët e këtyre shteteve janë entuziastë se do të bëhen pjesë e këtij Bashkimi. Të shqetësuar për ruajtjen e stabilitetit dhe sidomos për ndikimin në rritje të Rusisë në këtë rajon, edhe zyrtarët e BE-së dëshirojnë që këto vende të jenë pjesë e tij, por jo menjëherë dhe jo në gjendjen që këto shtete janë aktualisht.

1. Cili dëshiron të bëhet pjesë e BE-së?

Pas pranimit të Sllovenisë në vitin 2004 dhe Kroacisë në vitin 2013, BE-ja “ia ka vënë syrin” edhe gjashtë vendeve të tjera në Europën Juglindore që të bëhen pjesë e saj. Këto shtete, të cilat njihen edhe si vendet e Ballkanit Perëndimor janë: Bosnjë-Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Kosova, Republika e Maqedonisë dhe Shqipëria. Referuar një raporti të rëndësishëm që u bë publik në fillim të muajit shkurt, liderët e BE-së kanë përcaktuar vitin 2025, si periudhën e pranimit kur këto vende mund të gëzojnë nga përfitimet e të qenët pjesë e tregut të përbashkët më të madh në botë. Po në këtë raport specifikohej edhe se secili nga këto shtete duhet të forcojë sundimin e shtetit ligjor, të zgjidhë mosmarrëveshjet kufitare dhe të përmirësojnë ekonomitë e tyre, për të qenë të denja përballë konkurrentëve të tjerë të këtij blloku.

2. Pse të zgjerohet më tej BE-ja?

Shtetet e BE-së e shohin zgjerimin si një mënyrë për të përmirësuar stabilitetin dhe sundimin e ligjit në epiqendrën e konflikteve më të përgjakshme të kontinentit që nga Lufta e Dytë Botërore, si dhe për të stabilizuar edhe volatilitetin. Nëse shtetet e BE-së do të arrijnë që ta rrisin ndikimin në mesin e 18 milionë njerëzve në rajon, do të jenë më pak të shqetësuar për pasiguritë e së ardhmes. Përveç kësaj, zgjerimi i bashkimit është një mënyrë për të kundërshtuar ndikimin në rritje të një Rusie gjithnjë e më ekspansioniste nën drejtimin e Presidentit Vladimir Putin dhe përpjekjet e Kinës dhe Turqisë që duan të rrisin ndikimin në Ballkanin Perëndimor, nëpërmjet investimeve dhe nismave të ndërmarra aty.

3. A mundet që 6 prej tyre të bëhen pjesë e BE-së në 2025?

Në draftin fillestar për Strategjinë e saj për Ballkanin Perëndimor, Komisioni Europian, organi ekzekutiv i BE-së, veçoi vetëm Malin e Zi dhe Serbinë, si dy prej shteteve më potenciale për t’u bërë pjesë e BE-së deri në vitin 2025. Referuar po të njëjtit draft, bisedimet e anëtarësimit mund të kenë filluar edhe për Shqipërinë dhe Republikën e Maqedonisë deri në atë periudhë kohore, ndërsa Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina mund të kenë kaluar në statusin e vendeve kandidate. Por vetëm një ditë më pas, Komisioni bëri disa ndryshime të rëndësishme të draftit fillestar. Sipas tij, deri në mesin e dekadës së ardhshme, të gjashta këto shtete mund të bëheshin pjesë e BE-së, por me kusht që secili të bënte punën e tij ashtu siç duhej. Ai e krahasoi këtë proces me “një karvan” dhe jo me një “garë varkash”, edhe pse realiteti është disi ndryshe, sepse disa vende janë më përpara se të tjerat.

4. Cila është pengesa më e madhe?

Ndoshta sundimi i shtetit ligjor, dhe Mali i Zi është shembulli më konkret që mund të merret në këtë drejtim. Edhe pse ai i ka filluar bisedimet për t’u bashkuar me BE-në që në vitin 2012, është një prej shteteve që ka mbetur më mbrapa në rrugën drejt anëtarësimit. Por si asaj ashtu edhe shteteve të saj fqinje i është kërkuar nga Komisioni Europian që të ulë nivelin e krimit të organizuar dhe ndikimin e politikës në gjykata dhe në media. Por duhet thënë se sipas raportit të fundit të 2016-s të Komisionit Europian, ky shtet ka bërë përparime në drejtim të uljes së nivelit të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

5. Si ndikojnë mosmarrëveshjet rajonale në këtë drejtim?

Mosmarrëveshjet e tejzgjatura mbi kufijtë, si dhe armiqësia nga luftërat e viteve 1990, janë një pengesë tjetër. Rasti më tipik në këtë drejtim është refuzimi i Serbisë për të njohur sovranitetin e Kosovës si shtet i pavarur që nga viti 2008. Por teksa Serbia është shteti kandidat i dytë që ka ecur më shumë në anëtarësimin drejt BE-së, Komisioni i ka vënë si kusht pranimi, normalizimin e lidhjeve me shtetin fqinj, Kosovën. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se do të përpiqet që deri në muajin prill do të ketë gjetur një zgjidhje. Por Serbia ka edhe mbështetjen më të ulët publike për anëtarësimin në BE, në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

ballkani-be-3

6. Cilat janë konsideratat ekonomike?

Komisioni arriti në përfundimin se asnjë nga shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk ka një “ekonomi tregu funksionale” dhe as aftësinë për të përballuar “presionin konkurrues të forcave të tregut” në BE. Shqipërisë, për shembull, i është dhënë statusi i shtetit kandidatit, gjë që i paraprin fillimit të bisedimeve. Brukseli po kërkon që vendi të ulë borxhin publik, që është më shumë se 70% e prodhimit ekonomik vjetor, të ulë deficitin buxhetor, të rrisë konkurrencën në treg dhe të përmirësojë infrastrukturën në një vend që ka vetëm 1.4 kilometra rrugë për çdo 1.000 banorë, vetëm 1/7 e mesatares së BE-së.

7. A ka pengesa të tjera?
Po. Rasti i fundit është mosmarrëveshja e Maqedonisë me Greqinë fqinje. Ndërsa Republika e Maqedonisë ka qenë e para në rajon që të merrte statusin e shtetit kandidat, përparimi i saj në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe NATO ka hasur në pengesa të shumta nga Greqia. Të dy vendet janë në bisedime për të gjetur një zgjidhje, sepse vetëm pas saj, Republika e Maqedonisë mund të nisë zyrtarisht negociatat e pranimit në BE.

8.Pse Bosnjë-Hercegovina është më mbrapa se shtetet e tjera?
Bosnjë-Hercegovina është më mbrapa se shtetet e tjera për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Faktorë të tillë nuk gjenden vetëm në këtë shtet, por ajo është edhe burim paqëndrueshmërie, duke pasur parasysh se dy komponentët e saj kryesorë, Republika e madhe etnike Srpska dhe Federata Kroato-Boshnjake, akuzojnë njëra-tjetrën se po nxisin realizimin e objektivave të kundërta të njëra-tjetrës. Sipas KE-së, ajo mund të bëhet një shtet kandidat me anë të përpjekjeve të nevojshme dhe një angazhimi të qëndrueshëm. Kosova është ajo që po përballet me pengesa edhe më të mëdha në krahasim me të tjerat, sepse 5 prej 28 shteteve anëtare të Bashkimit Europian nuk e kanë njohur atë ende si shtet i pavarur. Ajo ka qenë gjithashtu pjesë e tensioneve politike midis qeverisë dhe opozitës, situatë e cila ka shkuar edhe në përleshje të shpeshta në Parlament, ku janë hedhur granata gazi lotsjellës.

9. Cili është pozicioni i Rusisë?
Rusia gjithnjë ka dashur dhe është përpjekur vazhdimisht që të rrisë ndikimin në rajon. Mali i Zi akuzoi Kremlinin për nxitjen e një grushti shteti në 2016-n, përpara se vendi të bëhej pjesë e NATO-s. Por Moska e mohon akuzën. Rusia gjithashtu mbështet refuzimin e Serbisë për të njohur Kosovën në forumet ndërkombëtare, si edhe shitjen e tankeve, aeroplanëve të luftës dhe ofrimin e investimeve të shumta në këtë shtet. Në mbështetje të të gjitha këtyre veprimeve, Serbia ka refuzuar të bashkohet me vendet e BE-së në vendosjen e sanksioneve ndaj qeverisë së Putinit. /Burimi Bloomberg QuickTake -Monitor/

Sinadinovski flet për mediat: “Më rrahën sepse doja të hap kishë ortodokse shqiptare”

Me lëndime në kokë dhe trup, me fytyrë të ënjtur dhe 6 dhëmbë të thyer. Kështu kaloj Branko Sinadinovski pas rrahjes brutale të dy personave afër banesës së tij një ditë më parë. Ai ka qenë edhe katër herë fizikisht i sulmuar por deri tash siç thotë, asnjëherë policia nuk i ka kapur sulmuesit.

“Mu vërsulën si qen. Asnjë fjalë nuk ma thanë, askush asgjë nuk fliste. Kjo ishte e tëra me gjak. Më goditën në kokë”, u shpreh Brank Sinadinovski.

G: A keni mundur t’i identifikoni personat?

B.S: Jo, jo.

G: Kush mendoni se mund të ketë dashur t’ju lëndojë? A dyshoni te dikush?

“Nuk mund të akuzoj askënd. Nuk mundem pasi që është vështirë ta akuzoni dikë”, shtoi ai.

Dëshmitari i rastit thotë se personat ishin me maska dhe nuk ka mundur t’i identifikojë. Ai mendon se personat kanë qenë rreth moshës 30 vjeçare. Ndërsa shton se njëri prej sulmuesve ka qenë me pallto të gjelbër.

“Unë njërin e godita dhe ra këtu poshtë. Tjetri menjëhrë iku, unë vrapova pas por nuk kam mundur ta kap. Këtu ka gjurmë që i ka marrë teknika për krime. Njërin e godita por njëri menjëherë iku. Brankoja ishte i shtrirë në gjak dhe kjo ishte e tëra me gjak”, tha dëshmitari.

Sinadinovski thotë se si shkak për sulmin e fundit ndaj tij ka qenë vendimi i gjykatës se mund të ndërtohet kishë ortodokse shqiptare.

“Më sulmojnë fizikisht pasi që u pengon hapje eventuale e një kishe ortodokse shqiptare. E cila do të jetë e hapur për të gjithë. Priftërit nuk do të bëjnë pagesë 100 euro kur do të vdes dikush. Gjitchka do të jetë pa pagesë. Konkurrenca u pengon”, tha Sinadinovski.

MPB-ja ende po punon për zbardhjen e rastit dhe për gjetjen e personave. Sinadinovski është shqiptar ortodoks me prejardhje nga Reka e Epërme. Ai është themelues i Bashkësisë Fetare të Shqiptarëve Ortodoks në Maqedoni, kurse me profesion është profesor universitar. (Tv21)

Historitë e vajzave shqiptare që prostituojnë në Perëndim

Në një ditë plot diell të shtatorit të vitit 2014, trupi i një gruaje u gjet në kanalin Lunel, një rrjedhë uji që kalon mes pallateve në Montpelje. Policia franceze në fillim pati dyshime se ajo ishte mbytur. Nuk kishte shenja lëndimesh, por fakti që ishte zhveshur shtoi dyshimet për ngjarjen.

Trupi ishte i Silvana Beqirajt, një shqiptare. Silvana vinte nga fshati Ndërmenas, i Fierit, një qytet industrial, rreth 100 km nga Tirana. Nënë e divorcuar, ajo i kishte lënë fëmijët me prindërit e saj dhe kishte emigruar në Francë.

Një grua tjetër, Bukurie Elmazi, edhe kjo nga Fieri kishte qenë me Silvanën në Francë në vitin 2011, dhe e kishte bindur të emigronte për një jetë më të mirë, sipas familjes së Silvanës.

Kishte qenë Elmazi që kishte identifikuar trupin. “Ajo na tha se kujdesej për një grua të moshuar” thotë babai i Silvanës për The Guardian, Mehmet Beqiraj, që jeton në një shtëpi të vogël në fshat. “Por ne të gjithë kishim dyshime”.

Në Francë nisën hetimet. U zbulua se Silvana ishte e përfshirë në prostitucion në Montpelje, por familja e saj nuk ka asnjë ide se çfarë ndodhi me të. Shkaku i vdekjes nuk u përcaktua kurrë nga policia apo nga mjekët dhe askush nuk u arrestua.

Familja e Silvanës refuzon ta pranojë se vajza e tyre u trafikua, duke preferuar të besojnë se përfshirja e saj në prostitucion ishte zgjedhje e saj. “Nëse ke një tutor, apo një trafikant mbi kokë nuk sjell shumë para në shtëpi” thotë vëllati i saj (që nuk pranoi të identifikohet), një njeri që ende vuan humbjes e të motrës. “Ajo dërgoi shumë para. Nëse do ishte trafikuar, ai nuk do ta lejonte të na dërgonte para”.

Provat, gjithsesi, thonë të kundërtën.

I vëllai thotë se njerëzit që “çuan Silvanën në Francë” ende jetojnë në fshat, ndërsa Mehmeti thotë se Silvana dërgonte shuma të vogla parash, kur kishte mundësi. Sigurisht që nuk pati më shumë mirqënie në shtëpi pas ikjes së saj.

Disa ditë pasi e lajmëruan për vdekjen e së bijës, Mehmeti udhëtoi për në Montpelje, ku u takua me policinë.
“Shqiptarët (në konsullatë) të ndihmonin vetëm me një përkthyes dhe asgjë tjetër. Më trajtuan keq, ishin arrogantë dhe më injoronin” thotë ai.

Trupi i Silvanës u mbajt nga prokuroria për 7 muaj. Kur mbaruan punë me hetimet, familja duhej të paguante rreth 6 mijë euro për ta kthyer në Shqipëri. “Nuk kishim para” thotë Mehmeti. “Por i gjetëm ashtu…”

Jeta në fshat nuk kishte qenë e lehtë për Silvanën. Si shumë femra të tjera u martua në moshën 20 vjeçare, një martesë me mblesëri. Pas pesë vitesh, kërkoi divorcin dhe u kthye në shtëpinë e prindërve bashkë me fëmijët.

Brenda vitit, Silvana takoi Nuri Çelën, një burrë nga fshati aty pranë. Nuk kaloi shumë kohë dhe të dy nisën të bashkëjetonin, por Çela u qëllua për vdekje ndërsa ktheheshin bashkë në shtëpi.

“Bëhej fjalë për një borxh” thotë nëna e Silvanës, Yllka, “Ata i kishin borxh Silvanës 3500 euro dhe Çela u vra vetëm se kërkonte paratë”.

Sipas një gazetareje, Laureta Rroshi, Silvana ia kishte dhënë paratë një grupi kriminal që do ta çonte në Francë për t’u prostituuar. Por më pas, ndryshoi mendje dhe kërkoi t’i ktheheshin paratë.

Është praktikisht e pamundur të gjesh arsyet e vërteta se përse Silvana kërkoi të shkonte në Francë. Por ajo që dihet nga vajzat e trafikuara nga fshatrat e Shqipërisë, është se atyre iu premtohet një jetë më e mirë dhe se përfundojnë të zhytura në borxhe për pagesën e udhëtimit dhe qëndrimin në Francë. Familjet e tyre në Shqipëri kërcënohen të heshtin. “Edhe fëmijët e Silvanës e dinin se nëna e tyre ishte trafikuar në Francë” tregon Rroshi.

Bandat që trafikojnë femrat janë brutale

Në fund të viteve 90, qeveria shqiptare nisi ta pranojë se trafikimi i vajzave për prostitucion ishte kthyer në një problem serioz. Ekspertët nisën punën për identifikimin e viktimave dhe dënimin e tutorëve.
Pavarësisht këtyre përpjekjeve dhe miliona dollarëve për forcimin e ligjeve kundër trafikut, mbetet një fenomen shqetësues në Ballkan në përgjithësi dhe në Shqipëri, në veçanti.
Agjensia Kombëtare e Krimeve në Britaninë e Madhe tregon se fund të vitit 2017, shumica e vajzave të trafikuara në këtë vend, janë nga Shqipëria.

Udhëtimi nga Vlora në Brindizi është gati një orë e gjysëm me gomone, ndaj Vlora njihet si pikë kryesore e kalimit në Itali. Sot, Fieri është më i njohur për fenomentin e femrave të trafikuara, por edhe Vlora ka problemet e saj.
“Mendoj se trafikimi po bie” thotë Balida, një vajzë police nga qendra e antitrafikut në Vlorë. “Nuk ka më banda, vetëm burra që ofrohen për t’u martuar me femrat. Shkojnë vetë në Itali, apo ku të duan”.

Balida thotë se dënimet për trafikantët janë të rralla sepse viktimar “refuzojnë bashkëpunimin”. “Kur ne marrim në pyetje një prostitutë, ajo thotë: E bëj si profesion. Ky është profesioni im. Pra, nëse ajo nuk mendon se është viktimë, pse ta mendojmë ne?

“Unë mendoj se më shumë sesa klientët, ne duhet të kriminalizojmë vajzat. Sepse vajzat që kam njohur unë e bëjnë këtë punë se u pëlqen. Nuk janë në presion, të paktën ato që kam njohur unë”
E pyetur se sa trafikantë ka arrestuar apo ka marrë në pyetje ajo dhe skuadra e saj, Balida përgjigjet pa asnjë hezitim: “Asnjë”.

“Ne kemi grupe të përfshira në trafik, por nuk kemi prova për t’i arrestuar ata. Vetëm sa i mbajmë nën vëzhgim, por nuk kemi prova se merren me trafik”. A e njihte ajo rastin e Beqirajt? “Po, por askush nuk del të flasë” thotë ajo. “Ndoshta ajo bëri shumë armiq, dhe të gjithë i kanë frikë ata”.

Në Shqipëri, raprezaljet kundër viktimave të trafikut janë sa të dhunshme, aq edhe të zakonshme. Organizatat kundër trafikut dhe policët tregojnë histori të shkëputura të torturave ndaj grave dhe vajzave që tentojnë të arratisen.
Një 20 vjeçare që u arratis nga trafikantët pasi zbuloi se ishte shtatzënë me një nga njerëzit që e blenë, u gjet në një kantier ndërtimi. Në sy të femrave të tjera, që ishin sjellë për të parë, vajza u rrah keq para se të betonohej në mur, akoma e gjallë, shkruan The Guardian.

Femrat e tjera detyrohen të qëndrojnë me trafikantët, sepse ato e dinë ku banojnë familjet e tyre dhe iu është thënë se këta do të vriten nëse vajzat largohen.

Disa prej vajzave në Vlorë kanë pasur fatin të strehohen në qendrën Vatra, për viktimat e trafikut. Në një ambjent të rehatshëm të qendrës, rreth 20 veta nga stafi dhe vajzat qëndrojnë ulur, ndërsa fëmijët luajnë qetësisht.

Një nga vajzat, Sara, tregon se u trafikua nga një djalë në lagjen e saj kur ishte vetëm 13 vjeç. “Atë njeri e dija se e kisha të dashur, por ai më shiti tek tre vetë nga Tirana dhe ata më çuan në Itali” thotë Sara, që jeton bashkë me fëmijën e saj në qendër. “Rrugës jam përdhunuar, rrahur, poshtëruar, madje edhe më kontrollonin si të isha një kafshë, për të parë sa vleja”. Sara u arratis kur i thanë se do të zhvendosej në një shtëpi tjetër në një qytezë pranë Torinos.

“Shkova në polici dhe falë Zotit, më besuan” tha ajo. “Më dërguan që të merrja ndihmë (në zyrat e Organizatës Botërore të Emigracionit) dhe më ndihmuan të marr një shtëpi. Por policia e Vlorës nuk më besoi. Thanë se po gënjeja se kisha qenë prostitutë në Itali dhe se kjo kishte qenë zgjedhja ime. Thanë se do më arrestonin po t’i shkoja t’i shqetësoja prapë”.

Katër vjet pasi u gjet trupi i Silvanës, policët nuk kanë bërë asnjë zbulim në lidhje me këtë rast. “Është një kujtim i keq se sa i rrezikshëm është prostitucioni për femrat e Shqipërisë” thotë një polic i Europol, aktualisht me shërbim në Shqipëri.

“Bandat që trafikojnë femra për këtë qëllim janë nga më brutalet që kemi hasur ndonjëherë. Edhe rusët i kanë frikë” shprehet ai për The Guardian.

Gazetarët në Tiranë dhe Fier thonë se për Silvana Beqirajn nuk ka pasur lajme nga Franca. Policia e Montpelje konfirmon se nuk ka asnjë informacion për të dhënë.

Varri i Silvanës është mbi një rrip toke të thatë pranë tokave të familjes së saj në Fier. Familjarë të tjerë janë varrosur atje, thotë Yllka. Nis të qajë dhe kërkon ndihmë për të zbuluar çfarë ndodhi me vajzën e saj. “Policia nuk do t’ia dijë” thotë duke qarë, “sepse mendojnë se të gjitha vajzat janë prostituta. Po dikush e ka një faj…”.
Mbi varr është një pllakë që ngrihet mbi tokën e fortë, me foton e Silvanës. “As një varr nuk e blejmë dot për të”, thotë Mehmeti, ndërsa prek foton e së bijës.

Në pllakë është emri i Silvanës dhe data e lindjes. S’ka një datë për vdekjen e saj, sikur familja të refuzonte atë që ka ndodhur, deri ditën kur të kenë një përgjigje se si vdiq vajza e tyre.

11 MARS 1948, ORA 05.00; TEK ZALLI I KIRIT, SHKODER

Image result for fritz radovani

Fritz Radovani 


Fritz Radovani u lind në Shkodër me 6 janar 1940. Në bombardimin e bamë nga Aleatët me 13 tetor 1943 në Tiranë, ìu vra i ati Kol Radovani, major i policisë shqiptare dhe u rrit me t'ëmën. Në vitin 1956, në Shkodër ka përfunduar shkollën e mesme Pedagogjike. U emënue nga Ministria e Arsimit në Burrel, në fshatin Macukull. Për nevoja shendetsore u kthye në Shkodër dhe u emënue disenjator në Kabinetin Pedagogjik, ku punoi 4 vjet. Mbas katër vjetësh,kaloi mësues në lagjen Liria po në Shkodër. Gjatë asaj kohë pra, në vitin 1965 ka përfunduar Liceun artistik me korrespondencë në Tiranë. Nuk ìu dha e drejta me vazhdue shkollë të lartë për arsye biografie. Në vitin 1968 në periudhën e Revolucionit Kultural, mbas arrestimit të dytë të vëllaut të madh, u transferua në fshatin Kosmaç, mësues në klasat fillore. Në vitin 1969, u largua nga arsimi dhe u emënue piktor në fabrikën e Tekstilit Shkodër. Aty nuk vazhdoi vetëm dy vjet me titull Piktor dhe kaloi në organikën e asaj fabrike si punëtor reparti stampimi deri me daljen në pension të parakohshëm në vitin 1992.

Që nga viti 1967 nuk ka pas të drejtë as me marrë pjesë në ekspozita pikture.

Që nga viti 1945 dhe deri në vitin 1998 (tue përjashtua vitet 1961–1964) ka pas vazhdimisht një njeri të familjes në burgjet e kampet e shfarosjes, prandej edhe ka qenë gjithmonë i përfshimë në “luftën e klasave” të pushtetit komunist. Në vitet 1945 janë arrestuar dy dajat Paulin e Mikel Prennushi. Paulini ka ba 5 vjet burg e 5 vjet internim. Mikeli ka ba 10 vjet burg. Në vitin 1946 është arrestuar axha i nënës At Mati Prennushi, Provincial i Françeskanëve të Shqipërisë, i cili është pushkatuar me 11 mars 1948. Në vitin 1948 është arrestuar daja tjetër prift Don Kolec Prennushi, i cili mbas hetuesisë ka vdekur në vitin 1950. Në vitin 1950 është arrestuar vëllau Alfonsi, dhe është dënue 8 vjet burg me grupin e studenteve të Gjimnazit Shkodër. Eshtë arrestuar prapë në vitin 1967 dhe është dënue me grupin e klerikëve të Tiranës, me 10 vjet burg për pikëpamje fetare tue u përfshi në nenin e “Agjitacionit e Propagandës kundër pushtetit”.

Në vitin 1991, në muajin janar u zgjedh Kryetar i Sindikatës së Fabrikës Pëlhurave të Shkodrës, në periudhën e lëvizjes antikomuniste në Shqipëri. Po këtë kohë u zgjedh edhe anëtar i Kryesisë BSPSh (Bashkimi i Sindikatave të Pavaruna Shqiptare) në Shkodër, për sektorin e propagandës dhe marrëdhënieve mes besimeve. Ka kontribuuar në përmbysjen e qeverisë komuniste të Ramiz Alisë, tue organizuar mbledhje, mitingje, greva dhe në radio “Shkodra” e gazeta, me artikuj kundër komunizmit. Nuk u pajtue asnjëherë me demagogët dhe komunistët e konvertuem në “demokrat” e “socialist”, për këtë arsye edhe nuk kam ba pjesë asnjëherë në asnjë parti politike të djathtë as të majtë. Kjo e ka shtye që në vitin 1997 me u larguar nga Shqipëria ilegalisht, mbasi u kercnue me vrasje. Në vitin 1998 u kthye në Tiranë dhe në vitin 2000 ka emigruar në Australi. Edhe këtu nuk kanë munguar veprimet kundër tij nga metastazat e Sigurimit famëkeq të komunistëve të Tiranës. Falë Shtetit Australian që i ka siguruar jetën.

Këtu ka përfunduar në vitin 2002 librin “Një monument nën dhe” dhe ka vazhduar punën për një botim të dytë të librit “At Pjetër Meshkalla S.J.”, i botuem për të parën herë në Shqipëri në vitin 1993. Në vitin 1992-1993 është bashkautor i librit “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944-1990”, libër i cili i është dhurue Papës Gjon Pali II, me rastin e vizitës në Shqipëri me 25 prill 1993. Kam përfundue edhe librin “Gurt’ e Parë” dhe është futë në “labirintet e demokracisë përparimtare”, me mujtë me i dhanë rinisë një punë tjetër modeste nga ana eme. Dy të fundit janë dorëshkrime. Përveç “publicistikës” tashti Radovani po punon mbi një libër të vogël (xhepi) për mësimin e bazave të para të GJUHËS SHQIPE (Gegërishtja e sotme), për nxënësit e rritun në Australi që kanë përfunduar shkollat e ulëta e nuk njohin Gegërishten.




Nga Fritz RADOVANI:

Image result for KUVENDI I FRETENVE NË GJUHADOL I KTHYEM NË BURG...

KUVENDI I FRETENVE NË GJUHADOL I KTHYEM NË BURG...

25 BURGJEVE NË SHKODER ME 17 NANDOR 1946, I SHTOHET EDHE BURGU I KISHËS SË FRETENVE KU DO TË FILLOJNË HETIMET, TORTURAT, GJYQET E MBYLLUNA DHE VRASJET E PUSHKATIMET MBI 700 VETË...

Në Nandorin e 1946 nder disa Kisha Katolike të Shqipnisë së Veriut Sigurimi i Shtetit komunist, me urdhen të kriminelit Enver Hoxha futi armatime, tue fillue nga kjo Kishë si dhe të tjera në Dukagjin, Mirditë dhe Lezhë ku, akuzoi Klerikët e pafajshem...

Hetimet dhe torturat kanë vazhdue deri nga Janari i vitit 1948. Atëherë filluen edhe disa nga gjyqet e mbylluna në mensen e Kuvendit të kthyem në burg... Shumë nga Klerikët Katolik janë pushkatue pa i pa dhe ndigjue njeri në gjyqe, mbasi nuk pranonin akuzat.

Prelatët e Klerit Katolik Shqiptar janë dënue me daten 8 Janar 1948. U mbajtën të lidhun duersh e kambësh, pa ju dhanë asgja me u ushqye madje, as ujë, deri me 11 Mars 1948.

Me 11 Mars 1948, rreth orës 4.00 të mengjesit bashkë me 12 persona të dënuem perpara per Lëvizjen e Postribës, u hypne në dy kamjona... Dhe, u derguen në Zallin e Kirit, tek Muri i Gjakut i Rrëmajit, në Token e Zef Sylës dhe, mbasi janë vendosë tek gropa e hapun, u asht marrë Fjala e Fundit dhe, po aty janë pushkatue... (Dosja 1302/II-A)

1. MONSINJOR FRANO P. GJINI tha se: Rroftë Krishti Mbret, Feja Katolike dhe Katolikët në botë, Rroftë Papa, gjaku dhe trupi i em mbetët këtu, por Shpirti dhe zemra është tek Papa. Rroftë Shqipnija!

2. PADËR MATI KOL PRENNUSHI tha se: Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s’eme. Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Papa, Rrofshin Katolikët, Rroftë Shqipnija!

U bëj hallallë gjyqit dhe ato që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!

3. DON NIKOLL ZEF DEDA tha se: Rroftë Shqipnija, po vritem në punën teme. Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Populli Shqiptar!

P. Kryetar i Gjykatës Kapiten i I-rë (Misto Bllaci) d.v.”

Të dënuemit me vdekje që janë pushkatue atë ditë ishin:

1. Imzot Frano Gjini,
 2. At Mati Prennushi,
3. Don Nikoll Deda,
4. At Çiprian Nika,

5. Cin Serreqi,
6. Dulo Kali,
7. Caf Dragusha,
 8. Guljelm Suma,
9. Ing. Fahri Rusi,

10. Murat Hysen Haxhija,
 11. Bilbil Hajmi,
12. Pjetër Prendush Pali,
13. Gaspër Simon Gaspri,
14. Xhelal Hardolli,
15. Zef Kol Prela,
16. Rasim Gjyrezi...

Fjalët e Fundit të Tyne nuk janë në Dosjen e pushkatimit.

1993 MJEKU LIGJOR DR. PAPAVRAMI MË KA TREGUE:

Atëditë me 11 mars, rreth orës 04.30 të mëngjezit kur po i lidhnin në Zallin e Kirit për t’i pushkatuar, në mes të At Matisë dhe At Çiprianit kanë lidhur ingj. Fahri Rusin, 28 vjeç.

At Matia, i thotë Fahriut: “Fahri, je më i riu, qëndro si burrat dhe mos i turpëro të Parët e familjes s’ate!”
- Fahriu i përgjigjet: “Nuk besoj se kush nga fisi im ka pasë këtë fat, me dhenë jetën mjedis dy Shejtënve, për çfarë me u tremb?”

Burrërisht u ngjitën tek stomi i një gropës 4X2 ml.

 E hapur mbas Pendës së Kirit, drejt me çinarin e dytë, vërtikalisht me Pendën, në drejtim Lindje-Perëndim,” shpjegonte doktori, i thirrun si mjek ligjor në pushkatimin e këtyne 16 vetëve.

 “Mbasi i lidhën edhe ndër brryla me vargonj me drynjë, aty maje atij stomi, i kërkuan “fjalën e fundit”.

Nuk më harrohet kurrë, edhe pse kanë kaluar 50 vjet, qëndrimi burrëror i klerikëve katholikë.

 Atyre nuk iu trembej syri nga vdekja, sëpse mbi jetën e këtueshme kishte triumfuar Ideali i lartë i fitorës së Parajsës me vuajtjët e tyre, që nuk mund të tregohën, madje, ato vuajtje nuk krahasohën as me Kalvarin. Shtinë me armë mbi ata gjokse burrash që dukeshin si lisa ...

Ranë andej stomit ... kur u afrova per të vërtetuar vdekjën nuk arrijta të vizitoj asnjërin, kishin rënë në gropë dhe ishin mbuluar nga gjaku i tyre.

Nuk dukëj se jetonte ndonjëri .., asnjë lëvizje në atë pellg gjaku. Mbas gjysëm ore i mbuluan me dhé.
.....Atëherë, nuk dija të kuptoj si falët gjykatësi dhe toga e pushkatimit kur je i pafajshëm ...

Krishti, Papa dhe Shqipëria ishin Ideali i tyre!” (Shpjegim gojor i Doktorit në vitin 1993, në Shkodër).

***
11 MARS 1948 “SHTINË ME ARMË MBI ATA GJOKSE BURRASH QË

DUKESHIN SI LISA...” E LISAT RANË ANDEJ STOMIT... PLOT 70 VJET...

Që, bashkë me Ata Lisa u shemben shkollat e Tyne, u shemb historia e gjuha e të gjitha Atyne Fidanishtave Europjane, nder të cilat, lulzonte Rinia Shqiptare...

 Bash aty ku, nuk u shue 500 vjet Formula “Atdhe e Fe” e Pasuesve të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut...

2018 Këte vit asht detyrë Atdhetare me kujtue Figura të Këtilla që kanë dhanë jeten!

Fatkeqsisht, asht tue u veprue në të kunderten e asaj që duhet të bante Shqiptari...

Kriminelët dhe terroristët nuk po ngopen me vjedhje, mashtrime dhe shperdorime...

Nder dritarët e Akademisë, arkivave dhe universiteteve shihet vetem “tym...”!

Melbourne, 10 Mars 2018.

Lirika të shkruara në moshë të vonë



Image result for perparim hysi

Nga Përparim Hysi

1. Vogëlushe

Vogëlushe, syulli!
Pse s'shikon nga unë?
A e sheh që po"mbërdhi"
Po më zë me shkumë?!

Vogëlushe,syulli
Hidhi sytë mbu mua!
Nuk e sheh që jam bërë"finjë"
Veç për sytë e tua?

Vogëlushe,syulli
Falmi sytë e zesë!
Se,sado pleqëri,
Ende unë kam shpresë

Nëmi sytë,daç Perëndinë!
Nëmi se po tretem
Nepsi s'pyet për pelëqërinë
Hiç pa ata sy,s'dua veten.

2.Puthja jote

Puthja jote,sa e zjarrtë!
Pse m'u duk si llavë vullkani?
Gati zunë e më pushtojnë"djajtë"
Aq,moj, aq m'u ndez xhani.

Xhani im kish rënë në gjumë
Puthja jote erdh e zgjoi
Po ç'kërkoja unë më shumë
Se sa puthjen tënde,moj?

Puthja jote si kapak
E puthiti buzën time
U rinova, më s'jam plak
Rrofsh, moj, rrofsh! O mikja ime!

3.Tundimi

Dhe një shkëlqim i tillë sysh
Tash, dihet që më mjafton
Është mosha që s'merr dot yrysh
Mjerisht, është von.

Reflekset e tundimit i njoh
Di të lexoj mbi "horoskop"
Regëtij dhe nga dhimbja bëj"oh"
Jam kthyer në sahat "rroskop"

Syri,mjerisht zë e "kullot"
"Çaire" të njohura dikur
Në këtë moshë, bëhesh DON KISHOT
Dhe bën sikur... sikur.

4. Çast

Erdhe me një penjuar mjegulle
Si të kishe dalë nga një banjoqumështi
Dhe trupi si prej vjedulle
Më futi ethe gushti.

Gjasme diçka kërkoje
Ashtu si gjysmëlakuriq
E kuptoj se çfarë doje
Dhe "KRISHTI" u vu në kryq.

Se sapunin unë s'e ha për djathë
Mbi supe nuk e mbaj dot atë "faj"
Dhe sa herë e kujtoj atë çast,
Pranoj që prapë ashtu ta"shplaj"

5. X...

Mu si lot që bie nga pema
Loti të ra dhe mori faqet
Unë zë mbushem me pandeha
Dua të di për lotin shkaqet.

Loti bie dhe ka një shkak
Në mos shkak,por ka një hall
Mbushur jam unë në merak
Ç'ta bie lotin ty, vallë?

Sidoqoftë, hiç nuk duroj
Tek vështroj që të bie loti
Me dy duarët të pushtoj
Se unë jam zemërdobti.

Me dy duarët të pushtoj
Loti? Tak... dhe u ndal!
Për më tej as që shikoj
Më puth mikja me mall.

Tiranë, 11 mars 2018

Përparim Hysi ka lindur më 21 janar të vitit 1943, në fshatin Petovë të Fierit. Për një periudhë të gjatë kohe ka punuar si mësues në fshatrat e Fierit dhe ne vitet 1996-2000 inspektor arësimi për gjuhë dhe letërsi shqipe pranë Drejtorisë Arësimore në Fier. Ka kryer studimet pedagogjike në Elbasan dhe më vonë pa shkëputje nga puna ka përfunduar studimet e arësimit të lartë për gjuhë letërsi. Ka botuar katër libra me poezi: “Rektimat e dashurisë”, “Prushi i dashurisë”, “Më piku dashuria”, ““Luftë” me dashurinë”. Është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptarë-Amerikanë. Ka botuar librat në prozë: "Tregime","Faji" i Isakovskit, "Një meshë për "Rrobaqepsin" e Konti Monte Kristos", "Lotët e Kumurisë" dhe librat me poezi:"Eh,si qenka dashuria!","Kurthi i mallit","Kot s'jam i vdekshëm", "Njerëz që dua" dhe "Mbeta dashurive".Veç këtyre në "makzazinën" e tij krijuese janë në pritje për botim qindra poezi dhe dhjetra tregime. Në pritje për botim është një libër me esse dhe përshtypje të autorit për libra të autorëve shqiptarë. Në pirtmëni për një libër më vete, është dhe libri me përshtypjet e autorëve të tjerë për të.

KRYQI I ANËS, PROFESORI TRAGJIK PETRONINAS, UNË DHE TË TJERË


Image result for SOTHIR ATHANASI

SOTIR ATHANASI


PJESA E DYTË


Atë natë bëra një gjumë të trazuar e me ëndrra të pakuptimta. Vetëm nga mëngjesi gjërat nisën të kthjellohen e mbase të ndërlikohen edhe më. Se u ndodha në studion e shokut tim piktor.
- Ti bën shtatore nudo? - e pyeta unë befas dhe I pataksur nga ajo që më shihnin sytë.
- Po, - tha ai, - ç'ka këtu për t'u çuditur? Aq më pak të ngrish e bëhesh statujë, siç ke marrë ti pamjen. Madje, dukesh I tronditur sikur po sheh trupin e EVËS. . . Pastaj, pse paske ardhur deri këtu me të mbathura?
Unë u befasova dhe u skuqa kur pashë veten dhe u binda që kjo ishte plotësisht e vërtetë. Më kot u rreka për të përimtuar trupëzimin e punimit, kur ai tha:
- Ti e di se unë në shkollë përherë kam shfaqur dhunti e dëshira femrore..
- Është e vërtetë.
- Prandaj edhe shoqërohesha me vajza.
- Edhe kjo është po ashtu: e vërtetë.
- Unë më vonë, shumë më vonë, në Akademi, do të kuptoja se kisha atë që quhet "energji pozitive". Mendimi im, s'i linte hapsirë për kundërshtim nga ana e shokëve të grupit.
Unë nuk e kisha fare mëndjen. Ai vazhdoi: - Po Kasemin, ç'e shtynte të grindje me të gjithë e për çdo gjë? A nuk vërehej tek ai, një lloj paudhësie djallëzore, që fillon me sherr e përfundon me grushte? Dhe a nuk mund të quhet kjo " energji negative "?
- Më mirë të mos flasim për 'të. Ai, tashmë është nisur në atë udhëtimin e gjatë për te Zoti.
- Ku s'ka për të mbërritur kurrë . Në ferr mbase po. Në skëterrë se për atje ia preu biletën një hundëlesh. Gjeti atë që kërkoi: katranin.
E vërteta ishte se Kasemi gjithmonë u binte më qafë binjakëve. I tillë qe edhe Borani me vëllanë e tij, Arjanin. Për këtë arsye shoku im, Borani, fliste me mllëf kundër tij. Por, ajo që më tronditi ishte fakti se sapo ai përmendi fjalën FERR, menjëherë m'u shfaq tabela e dyqanit: VIA DEI.
Hapa sytë me një dridhërimë skandaloze. Ç'të ishte kjo vallë?
Aty nga ora dymbëdhjetë e gjysëm, tek po shkumoheshin me derën e banjës hapur, ndjeva ardhjen e tim eti nga jashtë.
Qe I ngrysur në fytyrë se i kishte dështuar edhe një tjetër m'undësi punësimi. Në këto raste, vetullat i vareshin mbi sy dhe zymtësia e tregonte edhe më të plakur. Veç kësaj, flokët i qenë zbardhur plotësisht, karakteristikë kjo, për shumicën e moshatarëve të tij tiranas. Gjë që, e tregonte më fisnik, por edhe më të moshuar e aspak të përshtatshëm për tregun e egër të punës në kapitalizëm.
Mbase do të qe më mirë t'i lyente flokët, ashtu siç bëjnë gratë. Por edhe siç kishin vepruar shumë vërsnik të tij.bashkatdhetarë. Tok me 'ta, edhe njëri nga xhaxhallarët e mi që, vetëm pas kësaj, gjeti një vend pune.
Por, tim eti, nuk mund t'i flisje vetëm për dy gjëra: lyerjen e flokëve dhe heqjen e kollaros..
Nëna I kujtonte shpesh shprehjen e Hygoit: "Institucionet në shembje, fillojnë e zbukurohen".. Bëje dhe ti, - e nxiste ajo.
Por ai, e gjente shtegun e daljes nga ky "rrethim", madje po me ato mjete: - Ai thoshte: - dakort me restaurimet, por po ky Hygo ka thënë: "Ndërron guacka, ndërron molusku". Se këtu bëhet fjalë për Institucionin e Mëndësisë. Ti kërkon që unë të tjetërsohem?
Atë kohë, gabimisht, mua më dukej se s'kishte të drejtë ai. Për këtë do të bindesha një dekadë më vonë. Thjesht se, një djalë i dajës sim oficer në repartet e kimisë, vuante nga zemra dhe se ajo, I qe dëmtuar aq shumë nga kimikatet me të cilat edhe punonte, sa I këshilluan transplantin, të cilën, po të mos e bënte, jetën e kishte, në mos me javë, me disa muaj. Por ai kishte tre fëmijë, dy nga të cilat vajza dhe këto qenë meraku i tij. Ky ishte shkaku i vetëm që fundin e priti me stoicizëm. Ai kishte frikë nga TJETËRSIMI. Zemra e huaj mund të rrihte ndryshe për vajzat e tij të bukura, SI ATO.
Këto, unë do t'i mësoja një dekadë më vonë...

Babai hyri në shtëpi tejet i dëshpëruar me një heshtje që nxinte. Tërhoqi një karike nga nëntrapeza dhe u shëmb mbi 'të si të donte të zbrazte barrën e mërrisë që po ia ulte përherë e më shumë supet. Se jetonim te ungji im i cili kishte shkuar për dhjetë ditë në plazh. Ata do të ktheheshin dhe duhet t'ua lironim shtëpinë e cila, s'kishte më shumë se dy dhoma e një guzhinë. Kësisoj, ne mund të mbëlidheshim vëllazërisht, secila familje nga një dhomë. Veçse, që të ndodhte kjo, duhej jo vetëm të ishte dakort xhaxhai. Madje familjarisht me xhaxheshën dhe tre fëmijët thuajse vërsnik të mi, por edhe I zoti I shtëpisë.
Ne, nuk ishim të sigurt as për njërën palë e as për tjetrën: domethënë, të zotërve të shtëpisë. Se mund të ndodhte të binte dakort burri, por s'qe e këtij mendimi e shoqja e tij. Kjo, siç po dëgjonim, mund të kërkonte nga im ungj, rritjen e qerasë, për të cilën, nuk e besoja kurrë se do t'a pranonte si zgjidhje. Nga ana tjetër: im atë nuk i lejonte vetes që familja e tij, të kishte detyrime të kësaj natyre, qoftë edhe nga vëllai i vet. Domethënë im ungj. Kjo nuk duhet të ndodhte Kurrësesi. Por edhe që të paguante ai qeranë, do të thoshte të mos dilnin të hollat për shpenzimet e ushqimit. Kjo mëdyshje e ky udhëkryq e kishin rrëzuar shumë tim atë. Ja pse qe urgjente zgjidhja e shtëpisë.
Ktheva kryet se im atë ndezi një cigare, flaka e shkrepjes reflektoi në pasqyrë. Qe një shkëlqim që, vetëm për të tillë s'mund të merrej. Për ogur të mirë, jo se jo. Atë çast u preva dhe si bestyt që jam, kisha bindjen që dita ime e parë e punës, nuk do të shkonte mbrodh.
Mamaja iu afrua tim eti dhe nisi t'i flasë zëëmbël:
- Mos u mërzit, mor burrë! Kush e di se ku do të dalë një vënd pune edhe për ty. Të të bëj një kafe?
Ai nxorri një tjetër cigare nga kutia DS që kishte lënë mbi trapezë dhe me kapuçin e së parës, ndezi tjetrën. Atëhere kuptova se sa shpejt e piu atë. Paketat I kishim sjellë nga Tirana dhe ai i kishte llogaritur që me 'to, t'a shtynte deri në janar. Ishim ende në shtator. Dhe ai kishte pirë vetëm për një javë, të gjithë kuotën e muajit pasardhës.
Mamaja e përsëriti pyetjen me një ton më të ëmbël e me një formulim të ri: - Ka mbetur edhe ca kafe e bluar në mulli. T'a vë xhezvenë e të ulem edhe unë pranë, o burrë? Se bashkë do të tiganisemi e do t'ia dalim edhe këtë rradhë. Neve s'na rrëzoi e s'na vuri poshtë diktatura. Të na gremisi tani demokracia?
Ai pohoi me krye dhe vuri pak, po fare pak, po ju them, buzën në gaz. E njihja mirë atë grimasë. Ngjasonte me qesëndisje. E mbase edhe e tillë, mund të qe. Por jo për nënën time. Aspak! Se atë e respektonte si të qe e shenjtë. Ateizmi i tij më jep të drejtën t'a përcaktoj ndofta edhe kështu. Ai ato çaste tallej kësisoj me problemin. Ku I dihej? LUFTA E KLASAVE e kishte vënë në pozicione të ngjajshme me të tanishmen, disa herë. Dhe e përbashkëta qe se, ajo niste me zbërthimin e kollares.
Se isha I vogël dhe kur vërreja këtë veprim tek im atë, e dija që atë natë, ai do t'a gdhinte së toku me time më. Bashkë me 'ta, edhe unë pas derës së dhomës së gjumit. Përgjoja bisedat e tyre dhe gëlltisja lotët e dhimbjes për sedrën e vrarë të tim eti. Se kështu niste zhgradimi civil e qytetar. Dhe kishte filluar atje, ditën për diell, në atë zyrën e errët të kuadrit. Aty ku, PËRIMTËSOHESHIN BIOGRAFITË, siç I quante babai. Në ato OBSERVATOR GJIGAND. Nuk kishte në 'to shkencëtarë. Jo. Por ca nëpunësa përbindësha e ciklopë arshivash. Aty ku Ia kishin deklaruar shkurt, prerë e në sy. Se " partia flet hapët .
Kjo thënie kishte vërtetësi, ashtu siç qe e mbrujtur me paciptësi dhe pashpirtësi. Se thuhej nga një surrat që rrëzëllente nga kënaqësia e këtij kumti e ngjajshme me çehren e atyre kryetarëve të kooperativave, kur raportonin në zyrat e Partisë, rendimentin e lartë të grurit, ndërsa për vete, hanin bukë misri.
Të gjitha këto cilësime, veçanti e xhevahire për kohën e shkuar të LUFTËS SË KLASAVE, më kujtoheshin tani, kur im atë, me një lëvizje vendimtare, e flaku tutje kollaren po me atë neveri siç do të bënte po të qenë vendosur në 'të poshtërsitë e gjithë botës:
- Sot, kur të zbresish për bukë, shko në market, moj grua dhe shih të gjesh bojë të përshtatshme për këto cullufet e mia.
Pra: ai kishte arritur në dy përfundime të skajshme për secilën në vetvete. Braktisjen e kollaros dhe ngjyerjen e flokëve.
Për kollaren ai nuk qe tërhequr edhe kur e kishin qesëndisur se " nuk kemi nevojë për ARKITEKTË. Njeriut që kishte dashur t'a përcjellë, në këtë mënyrë, një tip GEI, im atë I qe përgjigjur: keni të drejtë, zotri. Ju mbase kërkoni GJENOKOLOGË.
Dhe qe penduar. Duhet të tregohej më i duruar. Ndryshe nuk do të gjente asnjëherë punë. Me pak fjalë: me ardhjen në Greqi, vënd me demokraci funksionale, brënda javës, atij I qe thyer një nga kollonat, që diktatura nuk kishte mundur as t'ia lëkundte.
Gjithsesi e parë kësisoj, është dëshpëruese të mendohet. Por njerëzit, nga mungesa e orientimit, kanë pësuar edhe ngjarje më dramatike se sa heqja e një kollaroje. Prandaj, nuk duheshin hedhur armët e as të shuheshin shpresat.
- Si thua? - e pyeti sërish nëna babanë.
Shikimet tona për një sekondë u takuan dhe të dy, tashmë, shihnim në drejtim të tim eti. Për sytë e nënës, isha zënë disa herë me Kasemin. Se ai, kur më shante, do të thoshte: "Atë sybukurën ku t'a kesh!" Dhe unë, edhe pse krenohesh me një të tillë sharje, përsëri kërciste grushti. Herë fitoja dhe herë humbisja. Por tani, te syzeze e sybukura nëna ime, kishte ca rrudha rreth tyre. Për këto, jo vetëm që shpërfilleshin në sharjet e Kasemit, por edhe s'kishe me kë të zihesha me grushte. Cili është ai që nuk e do nënën e tij të jetë përherë e bukur?
Ndjeva dhimbje dhe nga kjo më shkëputi zëri nanuritës I saj që I drejtohej tim eti:
- Prit, mor burrë, prit një herë!
- Prit baba!, - përsërita dhe unë. Mbase më ecën mbarë puna dhe I marr ato para. Me aq të holla që do të sjell dhe me ekonominë e mamasë, do të shtyjmë sa të bëhet diçka edhe për ty. Pastaj...
Nëna ndërhyri. Diç donte të thoshte, por unë s'e lashë. Dhe për t'ia ngrijtur disi moralin IDHULLIT tim, BABAIT, shtova:
- Ja vuri një herë në përdorim ato simbolet e tua dhe deshifroje një ëndërr që pashë.
- Pa hë, po të dëgjoj, - tha ai, sa shpërfillës, aq edhe mëdyshas për të mos ma prishur, se sa për të dëgjuar se çfarë kisha parë unë në gjumë.
Ia tregova atë dhe prisja me ankth spjegimin. Ai ndenji gjatë pa folur. Kështu ndodhte "kur problemi ishte serioz". Në këto raste, mendimi I tij, kërkonte një lloj ballafaqimi me njerëzit dhe kohën. Për mua, tek e shih-ja, ashtu si të përgjumur, herë - herë më ngjante si i nemitur.
- Pa ma thuaj edhe një herë, - tha dhe sërish ndezi një cigare.
Unë e ritregova ëndrrën fill e për pe. Kësaj here më me hov, e gëzim që e kisha nxjerrë tim atë nga ajo gjëndje dëshpërimi.
- Sublimim ! - thirri. - Sublimim! - përsëriti dhe mundohej të tregohej sa më i qetë, se së brëndëshmi, e ndjeja që kishte shqetësim.
- Që do të thotë?
- Mbulim.
- Të kujt?
- Të sjelljes, të karakterit, të impulseve, shoqërish të papranueshme, por aspak të dëmshme dhe ky është shoku yt piktor. Atij I pëlqen shoqëria me femra dhe ju, me siguri, e keni tallur.
- E gjete, për kokën e mamasë. Dhe...?
- Dhe, ai I vizaton ato nudo. E bën këtë se ua njeh shpirtin dhe i idealizon si subjektet që pikturon. Ai kërkon të harmonizojë bukurinë shpirtërore edhe nëpërmjet linjave të tyre trupore. Këtu, s'ka asgjë të keqe. Ajo qëndron gjetiu. Te Kasemi.
- Po ai ka vdekur?
- Ashtu është. Por shoku yt piktor, të paralajmëron për të bërë kujdes. Mund të ndeshesh me KASEMIZMA edhe më të këqinj dhe që e lënë ku e ku, për nga ligësia KASEMIN. Se veprimet e tyre të papranueshme, ata i mbulojnë me sjellje të mirëpritura për shoqërinë. Hap sytë! Ëndrra të thotë se do të vihet në provë karakteri yt!
- Mos e frikso djalin! - I tha nëna me një ton qortues. - Po shih se do të derdhin kafenë që ke përpara. Atë bëj! Pa ëndrrat, ëndrra janë.
Ajo kishte të drejtë. Unë njëmend u trëmba. Se fjalët dhe këshillat e tim eti, i vlerësoja gjithënjë. Edhe për ëndrrat.
- Mos harro! - më tërhoqi ai vëmëndjen! Jemi në Greqi dhe këtu e ka burimin ajo fjala e urtë:
KARAVI I MIRË, DUKET NË FURTUNË?
- 2 -
DHE FURTUNA, KISHTE FILLUAR. . .
VAZHDON NË PJESËN E TRETË

SOTIR ATHANASI
Athinë, 2, Mars, 2018!

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...