Agjencioni floripress.blogspot.com

2018/04/02

Në kujtim të një dashurie hyjnore...një buqetë orkidesh me aromë Shqipërie

Vilhelme Vrana Haxhiraj



“Legjendë…,apo e vërteta e një dashurie hyjnore!”

“Legjendë…, apo e vërteta e një dashurie hyjnore!”-është titulli i novelës sime të re, që sapo u botua nga Sh B “Nacional”, e cila vlen si një dhuratë e këtij marsi të egër, pse jo, edhe si një relike e një dashurie të rrallëndodhur dhe të pamundur. Në shikim të parë duket sikur ngjarja ka bërë një rrugëtim të gjatë e të lodhshëm nëpër shekuj. Si duket i erdhi fundi këtij udhëtimi të harruar që ka nisur qysh nga errësira e Mesjetës. Ndoshta ky rrëfim tronditës e rrëqethës i një dashurie të mohuar dhe të parealizuar erdhi për ta njohur brezat e kohës moderne. Ndaj sot kjo novelë nxjerr në pah të vërtetën e bukur, por të hidhur, duke na sjell në mes të ditës me diell, një ëndërr magjike, apo mrekullinë e një legjende dashurie të pavdekshme, se e tillë ka qenë, është e do të jetë kjo ndjenjë e sinqertë, e ëmbël, pasi rrezaton vetëm mirësinë dhe bukurinë që di e dhuron jeta. Për horizontet që hap kjo ndjenjë, në shekuj ka zilepsur, joshur dhe lumturuar njerëzimin si asnjë kënaqësi tjetër, duke i dhënë përparësi zhvillimit qytetërimeve me hapa galopante.
Si gjatë leximit dhe pasi e përfundon novelën cilido që ndeshet për herë të parë me brendinë e saj, si: redaktori, botuesi dhe më pas lexuesi, pas një heshtjeje paksa të gjatë, do të futet në mendime të dyzuara. Veç mbresave që i lë kjo dashuri e ndaluar, ndoshta më e madhja e kohës kur ajo u jetua, ai ndalet në hamendësimet e veta dhe tejet i befasuar pyet ndërgjegjen: “A ka ndodhur vërtet një marrëdhënie e tillë, apo mos vallë nuk është gjë tjetër, veçse një trill që u transmetua nga brezi në brez si gojdhënë dhe mbërriti deri në ditët tona?! “
Në këtë novelë shohim një dashuri të madhe që lindi, u rrit e u zhvillua në kushte të pabarabarta sociale, ku vepronin ligjet e egra drakoniane dhe despotike të xhunglës. Flitet për një dashuri, e cila ka ecur përmes dritë-hijeve të një kohe të
errët. Gjithsesi, duke lënë pas mentalitetin e kohës së sëmurë, e cila ishte e mbarsur me ambicje, me ethe të etura dhe egoizëm të pashoq për pushtet të pakufishëm, me një synim të vetëm, se cili do të jetë fitimtari. Gjithsesi, pas shumë betejave dhe traumave sociale apo morale dhe vrasjes shpirtërore që ka pësuar ajo ndjenjë vitale, kjo dashuri e jashtëzakonshme, për fat sot po troket edhe në veshët tanë. Një histori e bukur si në përralla vjen përmes shekujve duke dalë prej labirinteve pa diell të Mesjetës si një dritë verbuese, për t’i treguar botës së kohës moderne se, dashuria si ndjenjë ka lindur qysh në prehistori bashkë me lindjen e dy njerëzve të parë, burrit dhe gruas. Të dy, të befasuar, qysh në shikimin e parë, pasi spikatën bukurinë tërësore të kurmit, cilësitë fizike, pamjen e jashtme të secilit, kurse afërsia mes tyre, çoi në njohje, e cila solli një tërheqje emocionale ndaj njëri-tjetrit. Si pasojë të dy ndjen nevojën e mbështetjes tek secili prej tyre, si dhe kanë parë si të arsyeshme domosdoshmërinë e të qëndruarit bashkë për të përballuar padrejtësinë shoqërore të kohës së padijes. Qëndrimi bashkë i një çifti, për kohët antike, spjegohet për shkak të shumë arsyeve, që varen nga rrethana të ndryshme...apo faktorë të brendshëm, por veçanërisht ndikimeve negative të faktorëve të jashtëm, si nevojë e domosdoshme për sigurinë e jetës.
Shkencërisht, për shekuj me radhë, kjo ndjenjë që lindi mes dy sekseve, ende nuk përcaktohej si dashuri. Porse komunikimi me fjalë, më pas lindja e shkrimit, sidomos dalja e sofistëve (njerëzve të ditur), lindja e filozofisë si shkencë, e bënë të ditur dhe të njohur në shoqërinë njerëzore, dashurinë, si ndjenjë humane. Kurse ata që ditën t’i spjegojnë shkaqet e lindjes së joshjes mes dy sekseve, ose përgjigjen e mirëkuptimit në zhvillimin e kësaj ndjenje, ku loja nis me bukurinë femërore ose karakterin, apo forcën fizike të mashkullit, që vazhdon me pasojat e kësaj ndjenje që kanë qenë e vazhdojnë të jenë triumfi apo disfata të këtyre ndjesive, krijuan një nga zbulimet e veçanta shkencore, që u deklaruan në veprat letrare më të bukura të lashtësisë. Kurse nga pikëpamja e dijes, duke pasur parasysh kushtet e lindjes së dashurisë dhe zhvillimit të sa e sa rasteve në kohë e rrethana të ndryshme, dijetarët arritën t’i konceptojnë këto njohuri të reja më të avancuara për kohën dhe papritur i demonstruan nëpërmjet librave shkencorë. Kjo u quajt “Filozofia e Dashurisë”, që është një nga degët e shkencës së Filozofisë. Pra kjo ndjenjë e bukur tejet, personale mori formë, ngjyrë, trajtë dhe duke u bërë pjesë e pandashme e ekzistencës së qenieve njerëzore, dha të kuptohet, se pa të cilën jeta nuk ka kuptim. Qysh në ballafaqimin e hershëm antik, edhe pse pati, vazhdon të ketë e do të ketë kundërshti, përsëri u pranua si një ndjenjë e domosdoshme e cila krijon lidhje, besim, mirëkuptim dhe tolerancë jo vetëm mes çiftit por, është dashuria njerëzore ajo që forcon mbarë komunitetin. Këtu qëndron edhe bukuria e jetës. Një jetë pa dashuri, është e zbrazët, e zbehtë dhe aspak tërheqëse. Ku ka dashuri, ka mirësi dhe begati.



Janë të panumërta veprat që i janë kushtuar dashurisë, ku secili ka paraqitur këndvështrimin e tij. Porse shembullli më i mirë, i dhënë që në antikitet, është vepra filozofike e Platonit, “Bashkëpirja”, ku përmes një dialogu të ethshëm filozofik, autori trajton temën më njerëzore, erosin. Dijetari jetoi nga viti 427 deri në vitin 347 para erës sonë, i cili qysh në gjysmën e dytë të shekullit të V-të para Erës së Re, ka ndarë ndjenjën e vërtetë të dashurisë me seksin, të cilin e paraqet si akt kalimtar, brutal që shkaktohet prej veseve që lindin nga një jetë e shthurur, pa norma, veprim që nuk njeh rregullat dhe ligjet e shoqërisë. Platoni ballafaqoi ndjenjën e bukur të dashurisë me seksin, ky i fundit, jo si ndjenjë por si epsh i lindur nga mungese e kulturës së mjaftueshme të njeriut, gjatë të cilit përdoret dhuna, inferioriteti ndaj femrës si seks i dobët, ku gjykon dhe vendos vesi.
Le të ndjekim me vëmendje Platonin në këtë vepër, ku në çdo paragraf e frazë aq të goditur nga dijetari, ndeshim thënie filozofike tejet të vyera si: “Është pikërisht Erosi ai që e përndez njeriun, përmes një energjie që i buron fuqishëm nga vetvetja”… “Erosi, hyjnisht priret për nga virtyti”.... “jo çdo Eros është i hijshëm…i këtillë është vetëm ai që na përndez dëshirën për të dashuruar në një mënyrë sa më të hijshme”…“njerëzit s’e kanë haberin ndaj Erosit dhe gjithsa lidhet me fuqinë e tij”...“Erosi s’e njeh dhunën”… “ duke mos pasur në dorë as gjërat e bukura dhe as të mirat, Erosi dëshiron pikërisht këto gjëra që i mungojnë çdo truri që nuk njeh as arsyen dhe as logjikën.” Platoni ishte i pari që theksoi se, studimi i dashurisë i takon një dege të shkencës filozofike. Nëse ndalemi dhe e shohim në kahjen shkencore, dashuria nuk ka atdhe, kurse të dashuruarit kanë vendlindje, e cila ka nevojë për evolucion ashtu siç kërkon edhe jeta. Si rezultat i nevojës për të gjetur rrugë të reja në zhbirimin e të panjohurave të Universit, apo të jetës në tërësi, lindi shkenca. Nëse zbulimet e reja apo ligjet e shkencës nuk do të gjenin zbatim në jetën e përditshme, do të ngeleshin si kalliri bosh. Bazuar në ligjet e natyrës dhe marrëdhëniet që veprojnë në botë, dijetarët formuluan kodet zanore të këtij evolucioni përmes veprave letrare por sidomos të atyre shkencore.
Nëse paralelizojmë thëniet monumentale të Platonit me dashurinë e Arkitekt Sinanit dhe Sulltaneshës Mihrimahn, gjejmë se ata të dy kërkojnë nga jeta e nga koha në të cilën jetojnë, si dhe nga shoqëria, atë që u mungon dhe i plotëson si qenie humane, që është bukuria e dashurisë.
Një proverb latin thotë:*“E bukur nuk është ajo, që është e bukur, por e bukur është, ajo që më pëlqen mua!”*- meqënëse jam e një mendjeje me këtë thënie lapidar, shpreh mendimin tim lidhur me këtë cilësi: “Bukuri nuk është pamja fizike, sepse ajo është e përkohëshme. Bukuria gjendet brenda vetes, se si ndihesh ti me vetqenien, gjë që e reflekton përmes syve. Të jesh i/e bukur do të thotë se ke arritur të jesh vetvetja”.
Janë këto arsye, të cilat, dashurinë e pastër, të pasur e të virtytshme, si ajo e Sullatneshës Mihrimahn dhe Arkitekt Sinanit, mbështetur në bukurinë shpirtërore të të dyve, koha e ka ngritur në piedestal vlerash që meriton të kujtohet me nderim.
Ashtu si të rejat e shkencës, që i shërbejnë zhvillimit dhe jo shkatërrimit të qytetërimit, edhe dashuria, kjo ndjenjë fisnike duhet t’i shërbejë shoqërisë si hallk ndërmjetëse mes njerëzve në mirëkuptim dhe harmoni.
Në emër të dashurisë dhe në kujtim të kësaj ndjenje sublime, të më së bukurës, më të pafajshmes dashuri hyjnore...nga vendi ynë i bukur buzë deteve...le të rrugëtojë bashkë me kohën kjo buqetë orkidesa me aromë Shqipërie!


Një buqetë orkidea me aromë Shqipërie, në kujtim të bukurisë dhe dashurisë së Arkitekt Sinanit me vajzën e vetme të Sulltan Sulejmanit të Madhërishëm , të bukurën Mihrimahn!
Vivra
Vo.: Proverbin latin *këtë thënie e solli bashkëshorti im ,Fitim Haxhiraj.

“AJO QË KA NGJA NË SHQIPNI TË DASHTUN VLLAZEN E MOTRA, NUK ASHT PA KURRË NË HISTORINË E NJERZIMIT…”



Image result for fritz radovani

Nga Fritz RADOVANI:
1 PRILL 2018  Shqiptarve në Botë Ju urojmë:
Per shumë mot Pashkët!


25  PRILL 1993: PAPA  GJON  PALI  II,
PERBALLË  GJERGJ  KASTRIOTIT SKENDERBEUT  NË  TIRANË, KA THANË:

AJO QË KA NGJA NË SHQIPNI TË DASHTUN VLLAZEN E MOTRA, NUK ASHT PA KURRË NË HISTORINË E NJERZIMIT…

     M U E J    P R I L L    2 0 1 8:  K u j t o j m ë ...

1 PRILL 2018 PER SHUMË MOT PASHKËT !
2 Prill 1991: Masakra e terroristit Ramiz Alia në Shkoder.
Vritet Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Besnik Ceka e Bujar Bishanaku dhe, u plagosen 89 demostrues studentë të shkollës mesme “Jordan Misja”, qytetarë dhe pjesmarrës në atë protestë paqsore... Deri sot askush nuk u dënue per këte veper kriminale!..
***
●25 Prill 1893 Asht le At Serafin Koda O.F.M., i mbytun nga kriminelët me 11 Maji 1947.
4 Prill 1904 Shugurohet meshtar At Mati Prennushi O.F.M. U pushkatue në 1948.
5 Prill 1920 Asht le Don Ejëll Kovaçi, pushkatue me 10 Nandor 1958. Nuk pranoi Statutin e qeverisë komuniste të Tiranës, dhe u torturue në mënyrë shnjerzore nga sigurimi.
23 Prill 1925 Asht le Don Lazer Jubani, vdiq i helmatisun tradhtisht me 29 Korrik 1982... Ishte nder Klerikët ma të përgatitun në fushen e historisë dhe letersisë shqipe.
17 Prill 1935 Asht le Don Mikel Beltoja. E shkyen bishat e sigurimit me 10 Shkurt 1974.
●27 Prill 1946 Don Injac Gjoka dënohet me 10 vjet burg e punë të randë të detyrueme...
18 Prill 1947: Gazeta “Bashkimi” njofton se Gjykata e Garnizonit të Tiranës dënoi një grup klerikësh si “armiq të Popullit.” Në këte grup u dënue: Don Shtjefen Kurti 20 vjetë. At Pjeter Mëshkalla 15 vjet. Rrok Oboti 8 vjetë dhe Imz. Irene Banushi 5 vjetë.
●3 Prill 1948 pushkatohet Imzot Gjergj Volaj (1905), Ipeshkvi Shqiptar ma i ri i Pultit.
U pushkatue 43 vjeç. Pak kush asht torturue nga sigurimi komunist si Ky Ipeshkëv...
25 Prill 1948 Arrestohet per herë të dytë Don Mark Shllaku, prift  i Obotit. Don Lazer Dedi, dhe dënohet 15 vjetë burg... Lirohen per me firmue “Statutin e Kishës së 1951”...
30 Prill 1948 Vdes në tortura Don Dedë Plani, nder Martirët e Pathyeshem në hetuesi...
14 Prill 1950 Vdes në tortura At Gasper Suma O.F.M., nuk dishmon per shokët e vet.
4 Prill 1954 At Karlo Serreqi (1911) vdes i masakruem nga kriminelët në burgun Burrel.
●27 Prill 1959 Dënohet me vdekje Don Dedë Malaj se nuk firmoi “Statutin e qeverisë...”
Ndersa, At Konrrad Gjolaj dënohet me 20 vjet burg e punë të detyrueshme. Me Këta dy Klerikë u dënuen edhe vllaznit Lazer e Gjon Simon Parubaj, Gjeto Luc Budashi...
***
3 PRILL 1967 Në Komitetin Ekzekutiv të Shkodres i komunikohet Klerikëve Katolik që i ndalohen të gjitha llojet e sherbimeve fetare, dhe se do të lëshojnë qelat.
●5 Prill 1967 At Pjeter Mëshkalla S.J., i shkruen leter kryeministrit Mehmet Shehu.
7 Prill 1967 arrestohet Kleriuku i Parë Katolik Don Mark Hasi me “Revolucionin 1967”.
●29 Prill 1967 në Institutin Pedagogjik të Shkodres...Arrestohet At Pjeter Mëshkalla per letren që i ka dergue kryeministrit terrorist Mehmet Shehu. Në mbledhje ka thanë:
“Populli Shqiptar asht Popull besimtarë dhe nuk asht vullneti i Tij me prishë ate që ka ndertue ai vetë me ndergjegjen e tij. Kurrë nuk asht Populli shkatrrues i Kishës dhe i Xhamisë, kurrë nuk nxjerrë jashtë Populli priftin e hoxhen nga katundi. Ky veprim që bani ju sot asht vetem turp para Zotit e para Popullit, asht turpi i juej para gjithë vendeve t’ Europës, mbasi kjo që bani ju sot këtu, bahet në pragun e 500 vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombtar GjERGJ KASTRIOTIT – SKENDERBEUT, mbrojtësit të Krishtenimit... Vetem këte mendoni se çka ka me thanë Europa per ju?...”
●1 Prill 1969 Don Marin Shkurti (1933) e kthyen jugosllavët me e pushkatue “shqiptarët”.
Nga familja Shkurti u arrestuen: 1. Don Marin Kolë Shkurti, 2. Ndrekë Kolë Shkurti,         3. Jakë Kolë Shkurti, 4. Gasper Kolë Shkurti, Lazer Ndrekë Shkurti, 6. Prenda Kolë Shkurti, 7. Leze Simon Shkurti, 8. Liza Jakë Shkurti, 9. Ruke Lazer Shkurti. (Dosja 2312)
●29 Prill 1976 Imz. Errnesto Çoba asht dënue 25 vjet burg dhe e kanë mbytë në sigurimin e shtetit në Tiranë me 8 Janar 1980, Dosja 3359... U dënue dhe vdiq.., pa e pa njeri!
●4 Prill 1986 Vdiq Don Lec Sahatçija (1906), i masakruem në burgun e Tiranës...

25 PRILL 1993 PAPA GJON PALI II vjen në Shqipni...
(Pjesë nga Fjala e Papës në Sheshin Skenderbeu Tiranë, 25 vjet para vitit 2018...)
●Të dashtun Vllazën e Motra!
Sa herë në të kaluemen ju asht dashtë ta mbroni me forcë identitetin tuej.
Me një angazhim të tillë sikur edhe vetë ky shesh na e kujton u shque Figura e naltë e të Krishtenit Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, i respektuem nga Papët e Romës dhe përjetësisht i gjallë në kujtimin e Popullit Shqiptar...
Ju keni vuejtë për Kombin Tuej. Prandej dhe keni të drejtë ta doni kaq shumë.
Populli i juej kaloi një tragjedi me të vërtetë tronditëse nën shtypjen komuniste. Ishte vërtetë i tmershëm përftyrimi i jetës njerzore nën rregjimet totalitare si ai që ju keni njohë, ku njeriut i mohohej një nga të drejtat ma thelbësore: Liria e shfaqjes së mendimit dhe e besimit të tij si dhe liria e ndërgjegjës. Mohim ky, që shpesh merrte formën e një shtypjeje të tmershme. A ka gja ma të randë sësa mbyllja e Tempujve të çdo besimi dhe, a nuk u dënuen me vdekje priftërijtë, vetëm pse guxuen të ushtronin rritët fetare?
A nuk u përsekutuen besimtarët tue u burgosë ose tue u fye me të gjitha mënyrat? 
Në përpjekjen për rimëkamjen ekonomike asht e domosdoshme që të gjithëve t’ u garantohët puna e, ajo që asht ma esenciale për me jetue me dinjitet, lé ti bashkohët edhe vullneti për t’ a konsolidue demokracinë tuej të ré. 
Kjo nuk arrihët pa çmue si duhët disa vlera thelbësore tue fillue sëpari nga dinjiteti i jetës njerëzore. “Një demokraci pa vlera, -kam shkrue n’ Encilklikën Centesimus Annus-mund të shndërrohet lehtësisht në një totalitarizëm të hapun ose të fshehtë, si po na e tregon edhe historia... ”
●Dhe unë, po persëris: “Historia endè nuk e ka njohë até që ka ngja në Shqipni... 
Drama e Juej Shqiptarë të dashtun, zgjon interesin e mbarë Kontinentit Evropjan!..
Shqipni, qendro në naltësinë e kësaj beteje të madhe! »
            Melbourne, 30 Mars 2018.




Fritz Radovani u lind në Shkodër me 6 janar 1940. Në bombardimin e bamë nga Aleatët me 13 tetor 1943 në Tiranë, ìu vra i ati Kol Radovani, major i policisë shqiptare dhe u rrit me t'ëmën. Në vitin 1956, në Shkodër ka përfunduar shkollën e mesme Pedagogjike. U emënue nga Ministria e Arsimit në Burrel, në fshatin Macukull. Për nevoja shendetsore u kthye në Shkodër dhe u emënue disenjator në Kabinetin Pedagogjik, ku punoi 4 vjet. Mbas katër vjetësh,kaloi mësues në lagjen Liria po në Shkodër. Gjatë asaj kohë pra, në vitin 1965 ka përfunduar Liceun artistik me korrespondencë në Tiranë. Nuk ìu dha e drejta me vazhdue shkollë të lartë për arsye biografie. Në vitin 1968 në periudhën e Revolucionit Kultural, mbas arrestimit të dytë të vëllaut të madh, u transferua në fshatin Kosmaç, mësues në klasat fillore. Në vitin 1969, u largua nga arsimi dhe u emënue piktor në fabrikën e Tekstilit Shkodër. Aty nuk vazhdoi vetëm dy vjet me titull Piktor dhe kaloi në organikën e asaj fabrike si punëtor reparti stampimi deri me daljen në pension të parakohshëm në vitin 1992.

Që nga viti 1967 nuk ka pas të drejtë as me marrë pjesë në ekspozita pikture.

Që nga viti 1945 dhe deri në vitin 1998 (tue përjashtua vitet 1961–1964) ka pas vazhdimisht një njeri të familjes në burgjet e kampet e shfarosjes, prandej edhe ka qenë gjithmonë i përfshimë në “luftën e klasave” të pushtetit komunist. Në vitet 1945 janë arrestuar dy dajat Paulin e Mikel Prennushi. Paulini ka ba 5 vjet burg e 5 vjet internim. Mikeli ka ba 10 vjet burg. Në vitin 1946 është arrestuar axha i nënës At Mati Prennushi, Provincial i Françeskanëve të Shqipërisë, i cili është pushkatuar me 11 mars 1948. Në vitin 1948 është arrestuar daja tjetër prift Don Kolec Prennushi, i cili mbas hetuesisë ka vdekur në vitin 1950. Në vitin 1950 është arrestuar vëllau Alfonsi, dhe është dënue 8 vjet burg me grupin e studenteve të Gjimnazit Shkodër. Eshtë arrestuar prapë në vitin 1967 dhe është dënue me grupin e klerikëve të Tiranës, me 10 vjet burg për pikëpamje fetare tue u përfshi në nenin e “Agjitacionit e Propagandës kundër pushtetit”.

Në vitin 1991, në muajin janar u zgjedh Kryetar i Sindikatës së Fabrikës Pëlhurave të Shkodrës, në periudhën e lëvizjes antikomuniste në Shqipëri. Po këtë kohë u zgjedh edhe anëtar i Kryesisë BSPSh (Bashkimi i Sindikatave të Pavaruna Shqiptare) në Shkodër, për sektorin e propagandës dhe marrëdhënieve mes besimeve. Ka kontribuuar në përmbysjen e qeverisë komuniste të Ramiz Alisë, tue organizuar mbledhje, mitingje, greva dhe në radio “Shkodra” e gazeta, me artikuj kundër komunizmit. Nuk u pajtue asnjëherë me demagogët dhe komunistët e konvertuem në “demokrat” e “socialist”, për këtë arsye edhe nuk kam ba pjesë asnjëherë në asnjë parti politike të djathtë as të majtë. Kjo e ka shtye që në vitin 1997 me u larguar nga Shqipëria ilegalisht, mbasi u kercnue me vrasje. Në vitin 1998 u kthye në Tiranë dhe në vitin 2000 ka emigruar në Australi. Edhe këtu nuk kanë munguar veprimet kundër tij nga metastazat e Sigurimit famëkeq të komunistëve të Tiranës. Falë Shtetit Australian që i ka siguruar jetën.

Këtu ka përfunduar në vitin 2002 librin “Një monument nën dhe” dhe ka vazhduar punën për një botim të dytë të librit “At Pjetër Meshkalla S.J.”, i botuem për të parën herë në Shqipëri në vitin 1993. Në vitin 1992-1993 është bashkautor i librit “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944-1990”, libër i cili i është dhurue Papës Gjon Pali II, me rastin e vizitës në Shqipëri me 25 prill 1993. Kam përfundue edhe librin “Gurt’ e Parë” dhe është futë në “labirintet e demokracisë përparimtare”, me mujtë me i dhanë rinisë një punë tjetër modeste nga ana eme. Dy të fundit janë dorëshkrime. Përveç “publicistikës” tashti Radovani po punon mbi një libër të vogël (xhepi) për mësimin e bazave të para të GJUHËS SHQIPE (Gegërishtja e sotme), për nxënësit e rritun në Australi që kanë përfunduar shkollat e ulëta e nuk njohin Gegërishten.[

UNË JAM BARBARI, UNË JAM VANDALI


Image result for rexhep shahu

REXHEP SHAHU

UNË JAM BARBARI, UNË JAM VANDALI

Pas protestës së 31 marsit 2018 në Kukës të banorëve vendas, demokratë e socialistë, jo dilbera, pranë tunelit të Kalimashit, pas djegies së kioskave ku paguhet taksa, pronë private e kompanive koncensionare, pas ngjalljes së një entusiazmi popullor se u pohua që ende nuk ka vdekë protesta dhe as demokracia në Shqipëri, doli dhe volli plumba urrjetje kundër kuksianëve ministri i brendshëm duke i quajtur protestuesit, barbarë dhe kryeministri duke i quajtur, vandalë.
Unë nuk munda të hesht. Unë nuk jam trim. Por unë nuk dua konflikt mes njerzve të mi të gjakut dhe qeverisë së zgjedhur të vendit tim. Dua paqe.
Unë jam barbari, unë jam vandali z. Kryeministër, z. ministër!
Po, unë biri, vëllai, prindi, daja, nipi, miku, shoku i atyre protestuesve në Kukës jam barbari, jam vandali !
Unë jam barbari, unë jam vandali e ti z. Kryeministër duhet të krenohesh me mua barbarin, me mua vandalin që nuk rri si ai miku nën këmishë.
Sepse unë barbari, unë vandali, i dhashë dinjitet e krenari shqiptarit kudo ku është derdhë nëpër planet.
Unë barbari pohova e tregova faqe botës së madhe e të vogël, faqe miqve e armiqve, faqe ambasadorëve që u hutuan e ulën kokat e mbyllën sytë e gojët, se nuk ta kthej faqen tjetër nëse më godet në njërën faqe.
Unë barbari pohova se në këtë Shqipërinë tonë nuk ka vetëm lopë por ka edhe njerëz që ngrihen, njerëz që nuk janë si “ai miku” i kryeministrit që nuk ngrihet e as ta hedhë shurrën më larg se maja e këpucës së tij.
Unë barbari pohova e tregova shqiptarët që nuk pranojnë të fyhen tej çdo caku, që nuk dinë vetem të ikin me vrap, që nuk janë vetëm frikacakë.
Unë barbari e vandali pohova e tregova se këtu në këtë vend është vrarë frika njëherë e mirë, pohova e tregova se nuk ka më Enver e diktator që më vret a më var në litar siç ka vrarë qindra lumjanë, hasjanë, tropojanë, dibranë kur nuk kishte as italianë as gjermanë përballë.
Unë barbari e vandali pohova e tregova se nëse më shpërfill njëherë, do të shpërfillesh dy herë.
Ministri i rendit doli si trimi pas beteje duke lexuar trakt urrejtje kundër meje barbarit, trakt të shkruar në zyrat e Komitetit të dikurshëm qëndror, duke treguar dobësi, dhe më quajti barbar!
Barbar mund të jetë vetë ai ministër, unë nuk jam barbar. Unë jam qytetar i këtij vendi, jam rrënjë e këtij vendi, rrënjë e pashkulshme. Barbar mundet të jetë ai ministër.
Mua barbarin më ka lindë nëna nga vrima e shurrës, ndërsa ata që më urrejnë kaq shumë e më quajnë barbar mund t’i ketë pjellë nëna e tyre nga vrima e mutit.
Unë barbari, unë vandali reagova sepse më ftoi, më nxiti policia speciale me anë të gazit lotsjellës që të reagoj, që të mbroj sytë e mi. Po të mos më lëshonte policia gazlotsjellës, të jesh i bindur se nuk do ndodhte asgjë. Duhej ta provoje që të bindesh për këtë dhe që nuk e provove nuk është faji im por yti.
Se sa barbar e vandal jam unë, e dinë mirë ata që më njohin nga afër, ata që kanë ndenjur qoftë dhe njëherë me mua. Ndaj kur më quani ju barbar e vandal, ju shpikni urrejtje, nxisni urrejtje, nxisni përçarje e ndasi që nuk ekzistojnë mes shqiptarëve pa pushtet e karrige.
Dijeni të dy, kurrë kuksianët nuk kanë qenë njerëz të refuzuar, të përbuzur nga askush, përkundrazi janë nderuar e pse jo, janë admiruar nga të tjerët.
Sepse kuksianët janë vetja e tyre, gjithmonë vetja e tyre, nuk të tradhëtojnë, nuk të shesin, nuk dinë të përbuzin, dhe durojnë sa Pikëllima dhimbjen e Gjalica dimrat…
Unë barbari, unë vandali nuk do ta shaloj historinë se ju zhvlerësoj shumë me historinë time, por dua tu kujtoj se po bëni keq, po e menaxhoni keq situatën.
Hiqi policët z. kryeministër, mos i bëj kuaj urrejtje se nuk zgjidh asgjë me policë. Mos i burgos njerzit se ata dalin nga burgu sado i gjatë, pasi kanë dalë edhe nga burgjet e Enverit e të Ramizit. Mos bëj terror policor se mbjell hakmarrje e urrjetje të verbër. Urrejtja juaj nuk ngre ura. Mos përdor spiunë e bij spiunësh të hershëm e rishtarë se njerzit atje e dinë dhe njohin mirë njëri – tjetrin.
Mos e përbuzni kaq shumë Kukësin që e lidh vetëm një urë me Shqipërinë. A e keni parë urën mbi Drinin e Zi kur hyni në Kukës. Vetëm ajo urë na lidh me Shqipërinë. Mos i fusni policët në kurthin e urrejtjes, mos e armiqësoni Kukësin me policinë sepse çdo herë në Kukës ka dalë e humbur policia sado speciale që ka qenë e është. Sepse gjithmonë ka më pak policë se sa qytetarë.
Një Kukës është në Kukës, një është në Tiranë e Durrës, një është në Angli, një është në Gjermani, Belgjikë e Zvicër. Je qeveri shumë e vogël dhe shumë e përkohëshme të matesh me gjithë këto Kukësa. Ulu me njerzit sy më sy e mos mashtroni e kuvendoni me ta nga ekrani i televizionit. Mos mendo se do të kuvendosh me të pavarurit që nuk ekzistojnë askund. As me ata që e mendojnë se po bëhen të rëndësishm e po spikaten në këto protesta, mos shaloni kuajt e vegjël të inateve e konfliteve të vogla të njerzve të vegjël që gjenden dhe aty si kudo ku ka njerëz.
Po i josh barbarët e vandalët me abone, me mashtrime e privilegje që janë dyer e deriçka për vjedhje. Ato 120 mijë eurot që koncensionari do u japë atyre që kanë nevojë në bashkitë lokale, mbaji për vete e ha një drekë princërore me to.
Nëse don zgjidhje që ta pranojnë të gjithë, cakto taksë fikse më të ulët 200 lekë/ 2 euro, për çdo veturë, 500 lekë / 5 euro për çdo mikrobuz, 1000 lekë/ 10 euro për çdo autobuz e maune.
Nëse është pak për koncensionarin sot, le të bëje pak mirëmbajtje tani, e nesër kur të hyjnë makinat e Serbisë e më gjërë në atë udhë, e koncensionari të fitojë shumë, le të bëjë më shumë mirëmbajtje.
Kuptoji ato njerëz, mos ushtro forcë dhune se nuk je i fituar edhe pse të duket ashtu. Shtoje buxhetin për Kukësin sepse nga pasuritë që janë në atë rajon, bashkia nuk fiton asgjë.
Ja një shembull: 23 hidrocentrale lokale që ke dhenë me koncension në Kukës, që janë natyrisht me shumë fitim se ndryshe do mbylleshin, a duhet ta derdhin 1 përqind të fitimit të tyre në bashkinë Kukës ku ushtrojnë veprimtarinë e tyre.
Kukësi është ura mes tri kryeqendrave shqiptare, Shkup, Prishtinë, Tiranë. Është fat.
Këta barbarë e vandalë z. Kryeministër, kanë flijuar qytetin e fshatrat e tyre, kanë flijuar tokat e trojet e tyre, kane flijuar fëmijërinë, ëndrrat, që të ndërtohej hidrocentrali i Fierzës që prodhon energjinë elektrike për gjithë vendin.
Është e vështirë ta kuptoni flijimin e një qyteti.
Ne barbarët e vandalët e kemi bërë. Në emër të dritës e të zhvillimit.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...