Agjencioni floripress.blogspot.com

2018/04/19

Të ndjesh dhe të mësosh të jetosh



Vjollca Tiku Pasku



Jetonte para shumë kohësh, në një fshat, buzë një mali, një djalë me zemër të artë. Ai shëronte njerëzit me bimë mjekësore. Ngrihej në mëngjes herët, lante sytë me vesë dhe shkonte atje, ku dielli hidhte rrezen e parë mbi pllajën malore. Ulej tek një shkëmb i moçëm dhe meditonte, duke e lënë shpirtin e lirë të lahej me dritën e bardhë. Aty hynte qetësisht në ëndrrat e luleve dhe ato me ngjyrën, aromën dhe pëshpëritje fërfërimash i thoshin: “Më këput mua sot” Ai i njihte më së miri të gjitha bimët dhe efektet e tyre tek të sëmurërt... E kështu ditët kalonin njëra pas tjetrës. Djali i gëzohej punës se tij, dashurisë së njerëzve, dritës së artë brenda shpirtit. Një ditë doli shumë herët nga shtëpia. Ishte një nga ato ditë të freskëta të majit, kur të gjitha aromat e mëngjesit formonin frymëmarrjen e lumturisë. Dielli nuk kishte lëshuar akoma një shkëndijë, kështu që meditimin e bënte bashkë me të. Atë ditë duhej të kërkonte në lëndinën e malit, për të gjetur “çanga” një kërpudhë parazitare, që rritej në lëvoret e mështeknës. Ajo quhej bimë e mbifuqishme. Papritur dëgjoi një zë të zgjatur me “Ooooooooooooooooo!”. Ëmbëlsia e zërit, ishte si ajo e bilbilit, e shkrirë në gojën më të ëmbël të njeriut. Për çudi atë çast rrezet e diellit, ranë si një unazë gjigante dhe ngjyrat e luleve morën zjarr. Dukej sikur nga jargavani qiellor kishin zbritur disa qenie të çuditshme. Por jo... Shpirti i tij kristal mundi t’i dallonte më qartë. Ishin mbledhur aty të gjitha vlerat e njeriut: vullneti, dëshira, durimi, ëndrra,shpresa, suksesi, vuajtja me lotin shoqërues, suksesi, pikëllimi etj. Por më e bukura mes tyre, ishte dashuria. Ajo rrezatonte një shkëlqim mahnitës, fytyra e saj dukej si një engjëllore, ku syve i lodronte buzëqeshja e sythave të pranverës dhe në duar mbante një harpë vezulluese. Nëse dy zemra dëgjonin tingujt e saj, ato binin në dashuri. Dashuria ndjeu se dikush ishte aty pranë. Zemra e djalit filloi të rrihte fort. Emocionet iu transformuan në fjalë:

-O Zot, çfarë bukurie!... Kush i ujit lulet e syve të tu, të çelin margaritarë, e të dashuruarit të pyesin petalet e bardha?...

Kush i kreh flokët e tu si katarakte, me fjongo të endur nga dritëza hëna? Trëndafilat e kuq ngjyrosin mollëzat e faqeve të tua, por nuk e di nëse ata kanë marrë nga rrjedha e venave të tua! Nga buzët e tua aromat e pranverës formojnë dy zemra që qeshin nga lumturia. Drita që lëshon ti, i jep shpresë ëndrrave dhe lumturisë të afrohet. Dua të qëndroj me ty, si ndjenja qe jeton në zjarrin e pashuar!

Dashuria iu përgjigj:

-Unë e di, ti je djali me shpirt të pastër si kristal, dhe zemrën e ke si ylli i parë i mëngjesit. Dashuria ime i përket mbarë njerëzimit. Po të rri me ty do të isha vlerë vetëm për ty. Vendi dhe detyra ime është të jem pranë vëllezërve dhe motrave të mia, ndërsa vendi yt është pranë njerëzve, ku ti do të gjesh dashurinë tënde... - i tha ëmbëlsisht ajo. Shpirti i djalit, i prekur nga vet harpa e dashurisë shpërtheu të gjithë dëshpërimin, si rrjedhat e shiut që bien me forcë mbi tokë... Atë çast vlerat e tjera erdhën të shohin se ç’farë ndodhi. Ai i zemëruar në kulm u tha:

-Ik dashuri, ikni të gjitha ju vlera, nuk dua asnjë prej jush, nuk dua të jem njeri e të ndjej trazimin tuaj. Këtë dhimbje nuk e duroj dot. Të ëndërrosh një jetë dhe të mos prekësh, të dëgjosh tingujt më të mrekullueshëm të zemrës dhe t’i stonosh, të shohësh vet Perëndinë dhe të verbohesh... Jo, jo, më mirë të jem një gur se sa njeri!

Atëherë të gjitha vlerat e braktisen atë. Zemra e tij e artë, u kthye në gur. Ai s'mund të ndiente më asgjë... U kthye në një njeri pa ndjenja, si një gjallesë që lëviz për inerci. Ishte krejtësisht bosh, si një hije mbi dhe. Energjia që e shoqëronte, kishte shterur dhe gjithçka në të, ishte venitur. Asgjë nuk kishte më kuptim, as dita, as nata. Asgjë mbi tokë dhe nën tokë, asgjë qiellore e zjarrtë, apo e ftohtë. Por pasi e pa veten në atë gjendje, djali mendoi: “Askush mos e provoftë ketë zbrazëti shpirti, më mirë të vuaja refuzimin e dashurisë se sa të katandisem si një erë e çmendur... Ngushëllimi im do te ishte puna dhe dashuria e njerëzve”. Me këto mendime u nis ti kërkonte përsëri vlerat e njeriut. I gjeti në majën e malit, Ai u afrua dhe u kërkoi të falur atyre. Ato e falën, sepse dinin që njeriu nuk mund të jetojë pa vlera. Dashuria i tha:

-Edhe nëse refuzohet një dashuri, e rëndësishme është të jesh njeri me vlera, more djalosh!

Xha Uani


Nga Përparim Hysi

Kishin ardhur nga Komiteti i veteranëve të rrethit që të hiqnin eshtrat e një partizani dhe kishin vendosur që,pasi të bënin në fshat një ceremoni funebre,me një grup të vogël,eshtrat të futura në një arkë të vogël mortore do varroseshin tek " Varret e dëshmorëve". Në këtë ceremoni,do fliste më plaku i fshatit se jovetëm qe (siç thoshte,jam nga koha e sulltanit) më i moshuari,por dhe kallausi që udhëhoqi grupin e kërkuesëve tek varri që veç xha Uani e dinte. Xha Uani qe,me të vërtetë, nga "koha e sulltanit",se,siç tregonte:"... mahere, në Hyrrjetin ishnjam 10-vjeç,po,kur u shpallti PAMVARËSIA plot 14-bukësh! 14-bukësh, or babam, po edhe ndonjë lakruar pjekur nën çerep e kam ngrënë una, dhe llogoriti vet se ti je me kalem. Fliste pa doganë dhe as nuk të kishte në hesap,se "fjala pa doganë", në kohën kur fliste, e kishte taksën të rëndë. Epo,- thoshte,- kjo radakja ime do e kishte ngrënë hapjen me kohë,nëse gavnjej. Puppu,- lëshonte kuje si gratë nga frika,kur fliste për gavnjeshtrën (gënjeshtrën). Gavnjeve je më i keqi i ropëve që ka toka. Se gavnjeshtra bën dhe më dëm edhe se lufta. E the fjalën në shesh të burrave, thuaje pa merak,se nuk të gjen gjëkafshë. Epo këtë që them, e kam me prova una.

* * *

Aty nja njëzet sene më parë, vjen në fshat tonë një delegacion turk. Epo me pëlqim të partisë erdhi. Si të gjithë,shkova dhe una. Una veshur ashtu myzeqarshe hesapi,por dhe ata nuk e kishin atë yrnekun e veshjes mahere. Veshur kassabasshe që thuaj ti dhe për t'i dhënë pak vazhdë muhabetit, brrita una:-Rroftë sulltani i Turqisë!!! Ke parë ti që ai,turku (opo do ketë qenë shqiptar ai se nga më kuptoi muana?), qeshi dhe tha:-Aferim! Turku tha"Aferim" dhe qeshi,por nga mrapa qe avazi i brritmës sime: më thirrën në zyrat e hyqymetit dhe ma zhulatën mirë fytyrën. Epo larg nga dynjallëku,larg dhe do vërvitësh popla. Opo mirë se Tili im ka qenë partizan se desh ma treguan zananë.Por nuk i ka ardhur radha punës së Tilit....

* * *

Xha Uani në fshat qe si ai,barometri, që mat klimën. Po shkonte 80-vjeç dhe nga goja qe brisk.Kishte një humor therës dhe ishte nga ata pleqtë e zgjuar që nuk ia hante qeni shkopin. Qe burrë i drejtë dhe kurrë të zezës nuk i tha e bardhë dhe as të bardhës, e zezë. Thoshte Xha Uani dhe nuk e luante topi. As që donte të dinte, në të kish mbetur hatëri ty apo dikujt tjetër. Ore,- thoshte,- ZOTI (kur thoshte Zoti,bënte kryq) e solli në këtë dynja ropin jo për të gavnjyer,por për të thënë të drejtën. Ti nuk e thua këtëna, të drejtën,aha ke dalë nga rruga e Zotit dhe me, muana,nuk ke punë. Sene për sene,xhëku më thërresin për ca"hesape të vjetra" nga koha e luftës. Se vërtet në luftë kundra taljanit dhe as kundra jermënit nuk mora pjesë,por nuk lëviza nga fshati dhe i kam parë me sy:ata që luftuan dhe ata që betohen se kanë luftuar.

Në më dëgjojnë muana dhe, në duan t'i japin hakën secilit, kësaj pune i jepte dum kështu:- Për hesapet e mia, një trim kemi patur në fshat. Dhe ky qe TARJA,-ndjesë pastë! Epo e pashë vet me këta dy sy: vinte një"koshadhe"(çetë) që matana; nga Mujallia dhe po hidhej në lumë,për në fshat. Këta që janë si"trima sot, me demek", e panë koshadhen,se,më atë kohë,ishin në Bajrak.Epo në Bajrak që përveç atij SADUSHIT nga Vërzhezha e Skraparit,u vrati dhe një cucë nga Mallakastra; Feride ia thoshin emrin kësaj cucës,se nuk është se i preva kërthizën asajta,po i ngritën këngë."Mu tek kodra në Vajkan/Lule,Feride, moj xhan". E kënga shkon gojë më gojë dhe rron më shumë se ropi. E, që thashë qenë në Bajrak, dhe,për këtë trok dheu,nuk zbrazën një pushkë që ta trembnin "koshadhen",por i bën "trragë bythës". I bën ata, por më të ngrihet TARJA (epo atij i them burrë una), që thuaj ti dhe mu tek "Rrapi i Kupes", zë pozicion dhe u brret atyre të koshadhes:-Kthehuni se këmbë nuk do bëni për në fshatin tim! Dhe ata,siç kërcen prifti nga belaja,u kthyen andej nga erdhën. U kthyen, or të keqen xha Uani tyja, por nuk e harruan pusinë e TARES. Një ditë futen "abasës"(fshehurazi a papritur) në fshat dhe një të lidhur TAREN e shkretë dhe e pushkatuan. Larg nga fshati, thonë andej afër Beratit. Po kush e pa,xhanëm? Po iku i shkreti Tare si naxhakja pa bisht.Por në e zë me gojë këtë delitrim una, nuk kam si mos u zemërohem këtyre komunistëve una. Shkuan këta të familjes dhe kërkuan që TARJA të shpallej dëshmor. E dini si i tha një piciruk që nuk kishte parë luftë me sy? Pse nuk luftoi TARJA,por e kapën të gjallë dhe zvarras e morën me vete? Epo kësaj,e di si i thonë këtu.në Myzeqe? "Kush "pordhi" dhe kush mori groshin"? Se luftoi Tarja,por atë paranë që jepet për luftë, e merr mysebeti që bënte sehir. Kjo dynja është kthyer përmbys. Ca rrojnë e bëjnë pallë, ca të"vdekur" si të gjallë.

* * *

Se dhe lufta është pakëz"han-bërdush". Kush di ta dredhi,jo vetëm shpëton,por të vjen dhe të kapërdiset si maçoku në thekër dhe më t'i numëron taljanët e jermënët e vrarë,sikur ka bërë qametin. Gorrica në shëndre! Ja çfarë di una. Vajti Todi i Nakës ( Naka,plakë dhe Nastua,ndjesë pastë, kish vdekur pa ardhur lufta) dhe shkoi me ata të Xhindoles, me Ballin. Vajti dhe, në fund të fundit, shqiptarë qenë dhe këta, pavarësisht damkës,por nuk ta paç aty fjalën. Ore luftoi Todi i Nakës a nuk luftoi,nuk e di una,se,po nuk ma pa syri, nuk e hap kamaren,por një gjë e pashë dhe nuk e harroj una:- I zinte dora,or tynjatjeta Todit, dhe m'u rregulluati nga dynjallëku dhe Naka. Bëri apo nuk bëri zullume Todi, nuk di gjëkafshë una,se në fshat nuk trazoi gjë. Kurse Tili im (epo komshinj me Todin) jo të vejë pas Todit,si më i madh qy, po yrysh dhe me partizanët, me këta Bozollarët e Kolonjës. Epo si apalla ka qenë Tili im dhe , në vend të bënte ndopak prokopi si Todi i Nakës, u kthyeti nga lufta me opinga qepur me tel. Epo teste- teste qo dynja: Todi me prokopi,Tili im me gjisht në gojë. Sado që qy,Todi, nuk hëngri me lugë floriri, e pagoi atë"luftën" pak si me"kamatë të rëndë".Mirë që vdiq dhe Naka se nuk i panë gjë sytë. Po as Tili im,nuk po ha me lugë floriri.Po,bereqarti vesën, e kanë bërë brigadierë në komprativë.

* * *

Ja ky është xha Uani që 80-vjeçar, sot do flas nja dyfjalë për atë partizanin që nuk i dihej varri.

NGaqë isha prezent në atë ceremoni funebër, gjithmonë më shfaqej frika, se Xha Uani do zbrazte ndonjë nga ato bumjet që sikur i mbante fshehur në xhep.

E dija,- foli ai,- që qy i shkreti qe groposur atje. Qeshë kullosja lopën dhe dy qetë atje afër. E varrosën shokët e tij se u bëhej barrë.Lanë një shenjë ( me demek,është këtu dhe do kthehemi ta gjejmë).Mirëpo nga e thëna,tek e bëra është një det i tërë në mes. U çliruati vatani, por "iksani" harron. E harruan dhe shkoi e vate. Nga lufta ka mbi 30 sene dhe nuk u kujtua për të njeri. Se, kur je mirë, harron ç'ke hequr. Po më mirë vonë se sa hiç. Është kush është,unë nuk e di.Po birnëne është dhe ZOTI t'ia bekojë atë "shtëpizën" e re. Pas tij, foli dhe i dërguari i Veteranëve të rrethit, që, pasi "gavnjeu",kur thotë xha Uani, e morën "arkëzën mortore" me eshtrat e atij partizanit që ishte vrrë nëafërsi të fshatit dhe larg nga shtëpitë. Vetëm Xha Uani e mbante mend "varrin" e panjohur.

Sejdi Berisha: Refugjat në atdheun tënd


Sejdi BERISHA:

E S E

KUR MBETESH REFUGJAT NË DHEUN E ATDHEUN TËND...!

(Ose kombinimi i durimit dhe i qëndrimit të babait me forcën dhe vullnetin e nënës për jetë)

...E nisa këtë shkrim kështu, ngase kur jam lindur, familja ime paska qenë e strehuar tek daja im. Dhe, si kishte ndodhur e rrjedhur ngjarja me rastin e lindjes sime, për të cilën gjë ishin gëzuar edhe çatitë e shtëpive, edhe rrugët, edhe gurët e bjeshkët, edhe fushat e malet! Kështu më pat thënë njëherë nëna ime, të cilën, o Zot, po aq shumë e kam dashur, edhe tash e dua.

...Por, ky gëzim nuk e di pse kishte qenë aq i madh për lindjen time?!...

...Që nga ajo kohë, nëna më kishte ëndërruar duke kalëruar me kali të bardhë dhe duke i pushtuar hapësirat qiellore. Kjo ëndërr dëshire e nënës, sikur menjëherë ishte futur në qenien dhe trupin tim, e cila për asnjë moment nuk më la të vetmuar por as të qetë, dhe u bëra ky që jam!...

...Kombinimi i durimit dhe i qëndrimit të babait me forcën dhe vullnetin e nënës për jetë, më kanë bezdisur shumë, gjithnjë e përherë, sa që kjo është reflektuar edhe tek babai, edhe tek nëna, edhe tek e tërë familja, tek i tërë gjaku im...

...Ndoshta, për këtë e ka fajin lindja ime nën çatinë e vjetër e jo në shtëpinë time, dhe që tërë jetën u përpoqa të mësoj për te dhe ta kam si të gjithë të tjerët, por më mungoi, dhe këtë e kam shkrumb...

...Të mbetesh refugjat në dheun e atdheun tënd”?!... Dramë, roman, tragjedi,... histori, të cilat së bashku, nuk kanë gojë, laps, letër as tekst!...

...Por, mirë është kur kënga të bëhet dhe mbetët shoqërues i përhershëm së bashku me lotin që përcëllon dhe që e shpon edhe tokën, i cili i rritë dhe e nxitë dashurinë dhe urrejtjen si binjakë...

...Edhe tash rrugëtim i zorshëm, i mundimshëm, por që vertikalisht më mbanë familja ime, nderi e puna, të cilën, mendoj se e kam bërë dhe e bëj gjithnjë skajshmërisht pastër, ndershëm dhe pa hile. Por, për të gjitha këto, shumë herë dhe shpesh, më kanë thënë se janë naivitet dhe vetëm naivitet!...

...Kur të takohem, apo kur të arrij në këtë fundin që po shihet, as nuk kisha dashtë, por as nuk kam guxim për ta zgjatur dorën e “lamtumirës”, sepse, një varg poezie më është fshehur diku thellë në mua, i cili po m’i dikton shumë gjëra dhe gjithnjë më kërcënohet për t’i mos i thënë lamtumirë askujt, e më së paku shkrimeve të mia!...

1.

Ka ndodhur e ndodhë shpeshherë që njeriu të lindet në rrugë, në fushë, në arë, në livadh, edhe në shtëpi të huaj, edhe në karrocë, në anije, në tren e më rrallë edhe në aeroplan. Është e vërtetë kjo, por edhe karakteristikë me domethënie gjithfare. Duke i interpretuar gjërat e tilla, thurën thashetheme, intriga, drama e romane, e, edhe poezi, të cilat nuk shprehin vetëm ndijimin dhe brendinë shpirtërore, por janë edhe pasqyrë më reale dhe provokative e rrjedhave historike.

E nisa këtë shkrim kështu, ngase kur jam lindur, familja ime paska qenë e strehuar tek daja im. Dhe, si kishte ndodhur e rrjedhur ngjarja me rastin e lindjes sime, për të cilën gjë ishin gëzuar edhe çatitë e shtëpive, edhe rrugët, edhe gurët e bjeshkët, edhe fushat e malet! Kështu më pat thënë njëherë nëna ime, të cilën, o Zot, po aq shumë e kam dashur, edhe tash e dua. Por, ky gëzim nuk e di pse kishte qenë aq i madh për lindjen time?! Ndoshta, më mirë të kishte qenë e kundërta. Por, nejse. Kjo, le të jetë për koment, për shkrime e mendime që do të vijnë dikur më vonë, apo, hiq fare të mos jetë asgjë.

Nëna, më kishte lindur, pra, tek i vëllai i saj, nën një çati të vjetër e të lodhur nga motet e ngjarjet, nën një trysni të jetës së babait tim, por edhe të forcës së nënës, e cila, duke qëndruar pip në këmbë më kishte nxjerrë në këtë botë. Në atë moment, sikur iu paska ndezur një dritë e fortë, e cila tërë ambientin për një çast e kishte shndërruar në lulishte parajse. Që nga ajo kohë, ajo më kishte ëndërruar duke kalëruar me kali të bardhë dhe duke i pushtuar hapësirat qiellore. Kjo ëndërr dëshire e nënës, sikur menjëherë ishte futur në qenien dhe trupin tim, e cila për asnjë moment nuk më la të vetmuar por as të qetë, dhe u bëra ky që jam!

Kombinimi i durimit dhe i qëndrimit të babait me forcën dhe vullnetin për jetë të nënës, më kanë bezdisur shumë, gjithnjë e përherë, sa që kjo është reflektuar edhe tek babai, edhe tek nëna, edhe tek e tërë familja, tek i tërë gjaku im. Ndoshta, për këtë e ka fajin lindja ime nën çatinë e vjetër e jo në shtëpinë time, dhe që tërë jetën u përpoqa të mësoj për te dhe ta kam si të gjithë të tjerët, por më mungoi, dhe këtë e kam shkrumb. Si të doni pedateni këtë problem, i cili mund t’iu provokojë e intrigojë për shumë gjëra, ndoshta edhe për të shkruar e për të hedhur diçka në letër edhe për shpirtin tuaj! Kjo, gjithnjë më ka frikësuar mbase edhe më ka bindur, se, nëse zogu nuk lindet në folenë e vet, atëherë, kjo do të shkaktojë dilema, indinjatë e probleme. Kështu, edhe pse asnjëherë nuk kam thënë dhe as nuk dua të them, por unë dhe familja ime kemi ngelur refugjatë në dheun e atdheun tonë...!

Prandaj, me njëfarë ironie, sepse edhe ironia është virtyt i njeriut, disa gjërave më të dashura, me indinjatë e dhembje dua t’u them,... Por, jo. Dot nuk e them fjalën e fundit. Thuajeni ju nëse doni...! Më bëni nderë, nëse këtë obligim ma hiqni ju nga mendja e qafa. Dua t’u them, se, sa herë e kam dëgjuar fjalën “lamtumirë”, më ka therë zemra, mendja e shpirti. Kështu ka qenë gjithnjë: në fëmijëri, në rini, dikur, edhe tash! Fjalë që shqetëson e trazon është “lamtumira”, prandaj, dot në fjalorin tim me një mendje nuk e kam pasur. Phi,... të mbetesh refugjat në dheun e atdheun tënd”?!... Dramë,... roman,... tragjedi,... histori, të cilat së bashku, nuk kanë gojë, laps, letër as tekst. Për këtë, kësaj pjese të shkrimit i them, ama përgjithmonë i them, “lamtumirë”...!

E di. Më kujtohet shumë mirë, kur isha shumë i vogël, dhe njëherë kur dola në rrugë me motrën time të madhe, kisha rastisur para një kamioni. Në vend që të skajohesha nga rruga, para tij vrapoja me sa fuqi që kisha dhe dot nuk ia lëshoja rrugën. Shoferi, tërë kohën e përdorte borinë, nuk ndalej me kamionin e tij dhe gjithnjë më afrohej por kujdesshëm. Dikur, vetvetiu, nuk di as si ta shpjegoj, u skajova dhe kamioni iku me një të qeshur idiotësie të shoferit. Pata thënë, si nuk më zuri ai far kamioni, që atëherë ishin makina të rralla, dhe kështu tërë jetën kisha udhëtuar me “tamabil”...!

2.

Vdekja e motrës së vogël këtu e pesëdhjetë e më shumë vjet më parë, si fëmijë, si duket ma ngacmoi talentin e lindur por ende të fjetur, për të menduar për shkrimin, për këndimin përmes vargut e poezisë, e cila gjë pastaj tërë jetën më rriti, më ngriti e më bëri të qëndrueshëm, më gëzoi e më rrënoi, më bëri rrugëtar e luftëtar të urtë e të butë, rebel e me plot dhembje, por edhe shumë të vendosur. Më bëri njeri, gjithnjë të shoqëruar dhe të dashuruar në rrugëtimin dhe dhembjen, të cilave gjëra ua di për faleminderit, sepse më kanë ushqyer me atë që jetën e ngacmojnë dhe i japin kuptim, por edhe krijojnë dilema, nebulozë, marri e tragjedi, mendim e filozofi, e që së bashku janë shkatërruesit e vet jetës dhe të vet njeriut.

Por, mirë është kur kënga të bëhet dhe mbetët shoqërues i përhershëm së bashku me lotin që përcëllon dhe që e shpon edhe tokën, që i rritë dhe e nxitë dashurinë dhe urrejtjen si binjakë. Shoqërues, që ëndrrën e bën përjetësi e përjetësinë ëndërr. Këto janë të gjitha ato, që, si të them, ia di për nderë vdekjes të sime motër. Edhe sot e kësaj dite e kam në shpirt motrën, të cilën atë botë sikur ma kishte vjedhur vdekja. Aq shumë e desha, aq shumë e dua edhe tani,... edhe pse, ndoshta e tërë kjo duket e pakuptimtë,... naive dhe bjerrakohësi.

Po, e tërë kjo, çfarë më solli?!! Më solli shumë ngacmime, për ta sfiduar jetën. Më dhuroi bekimin për ndershmërinë dhe sinqeritetin, dhe, nëse mund të thuhet, këto veti e thesar, s’janë gjë pos thjeshtë naivitet dhe bjerrje nëpër gjemba e baltë, në të cilat, shpeshherë kam hasur e hasi edhe në mjaltë! Po, po. Kështu e ka jeta...

Kështu, pas sa kohe, që më ka ikur motra; edhe përpara por edhe tash, ktheva tek varrezat që nuk ekzistojnë më, sepse, ne e kemi vergi të mos i ruajmë shenjat, gjurmët dhe dëshmitë tona ashtu si duhet, por, e di se pranë një lisi prej rrapi, atëherë e kishin shtrirë trupin e njomë të motrës sime për të fjetur përgjithmonë bashkë edhe me ëndrrat e saja fëmijërore. U drejtova kah lisi më i vjetër, të cilin e kishte vrarë koha dhe ishte plotë plasje e plasaritje, por që tani kishte një pamje madhështore, e cila komponohej me gungaçet e nyejve por edhe me shtrirjen e degëve të reja. U solla disa herë rreth tij, duke dashur ta bindi vetveten se aty do ta hasi frymën dhe së paku një shenjë të varrit të motrës, por, jo! Aty kishte vetëm shkurre dhe fier shtat hedhur, që sikur donin të më thoshin se me trupin e sime motër janë ushqyer dhe ushqehen edhe tani!

Në këtë rreth dhembjeje e kërkimi, tek këmbët, sikur m’u mbi një qen, bubulak i vogël, i cili m’u afrua dhe më shikonte ledhatueshëm duke ma lëvizur bishtin cubel, për të mu lutur për diçka, apo për të ma thënë ndonjë fjalë për vetveten e tij apo për lisin. Në atë ngarkesë, s’ia bëra mall fort tërë atë afërsi miqësore që ma ofroi qenushi, të cilën gjë ma shpërbleu me një të ngritur të këmbës dhe me shurrën që ia hodhi trungut të lisit plak.

Me vdekjen e motrës, m’u përzien dhe përthurën të gjitha, dhe ashtu m’u bë se duke u larguar nga vendi ku ishte varrosur motra, e shqiptova fjalën “lamtumirë”, por shkrimi i ri ma ngacmonte provokimin i cili nxjerrke zjarr nga brendia ime. “Lamtumirë”?!... Po, pse lamtumirë,... po, edhe pse jo, lamtumirë?! Lamtumirë dhe lamtumirë, pra! Ani pse, edhe kjo do shpjegim, sepse, përbrenda dot nuk e gjej lamtumirën. Hej,... lamtumirë motra ime...!

3.

E kisha ëndërr dhe dëshirë shkollën-shkollimin, për dy arsye. E para. Ngase, babai im i përvuajtur gati si më ishte përkulur me lutje që të shkollohem. Për këtë, ma kishte ofruar tërë atë mundësinë e vet: kafshatën e bukës do ta heq nga goja vetëm e vetëm që të arrish të bëhesh dikush për vetveten, për familjen dhe shoqërinë. Kështu më kishte thënë, sepse, mjaft e kishte djegur atë, e kishte përcëlluar dhe regjur djersa me punën fizike që bënte, e cila gjë, edhe mua qysh në fëmijërinë e hershme, kishte filluar të më rëndonte por edhe të ma lëndonte shpirtin. Dhe e dyta. Që të mësoj, e kështu t’i dhuroj diçka popullit tim të përvuajtur.

T’iu them të drejtën, e tërë kjo disi kaloi me telashe, me probleme e pengesa të natyrave të ndryshme, të cilat, sfidat m’i bënin barrikada, vetë njerëzit e kësaj toke! Gjatë tërë kësaj ecjeje, shkolla e mesme ishte kaptinë e veçantë. Krahas shkollimit, shpirti gjithnjë më rebelohej nga padrejtësitë të cilat m’u kishin bërë tunxh në zemër e zjarr në mendje. Pakëz e “tradhtova” babain për premtimet që i thashë më lartë, sepse, në shkollë çdo ditë një bust më dilte para dhe ma zinte frymën, kështu që një ditë e bëra copë e grimë. Këtë e bëra së bashku me shokun e bangës. Pasoi përjashtimi nga shkolla, pastaj lotët dhe dridhjet e babait për fatin tim, por edhe zotimi im sërish me betimin para plakut se do ta tejkaloj edhe këtë, e cila edhe u realizua ashtu.

Dhe, erdha ku erdha. Ku jam edhe tani. Punova dhe mendja më thotë se arrita diçka. Shkrova e botova diçka, të cilat gjëra tani, sikur më duket se janë një hiq nga ajo çfarë kam dëshiruar t’ia dhuroj njeriut dhe kësaj toke...! Andaj, ja ku jam tani! Edhe tash rrugëtim i zorshëm, i mundimshëm, por që vertikalisht më mbanë vetëm familja ime, nderi e puna, të cilën, mendoj se e kam bërë gjithnjë skajshmërisht pastër, ndershëm dhe pa hile. Por, që të gjitha këto, shumë herë dhe shpesh, më kanë thënë se janë naivitet dhe vetëm naivitet!

Oh, sa më shtrëngon dhe më bën të fortë ky “naivitet”. Dhe, tani nuk e di deri ku kam arritur, në cilin dhe në çfarë stacioni. Në cilën rrugë dhe në cilin drejtim?! Por, një gjë e di. E di se, diku po shihet një fund, ku, edhe atje më pret dhembja e loti, por më pret edhe dashuria dhe lumturia, ashtu siç di t’i bashkoj e përjetoj unë, dhe të cilat gjithnjë kanë qenë dhe janë besnikë dhe bashkudhëtarë të mi. Edhe diçka. Kur të takohem, apo kur të arrij në këtë fundin që po shihet, as nuk kisha dashtë, por as nuk kam guxim për ta zgjatur dorën e “lamtumirës”, sepse, një varg poezie më është fshehur diku thellë në mua, i cili po m’i dikton shumë gjëra dhe gjithnjë më kërcënohet për t’i mos i thënë lamtumirë askujt, e më së paku shkrimeve të mia!

Ky varg poezie, e ndjej, por edhe Zoti më thotë, qenka mbëltyer në mua si një lloj fidani, i cili gjithnjë do të mugullojë duke hedhur sythet e luleve, e,... luleve të pranverës... Për këtë arsye, i druaj kësaj se kurrë nuk do të ketë “lamtumirë”. Po që se mund të ndodhte kjo, atëherë vargu do të hidhërohet dhe do të më provokojë e do të më detyrojë për vazhdimin e këndimit...! Por, çfarë më duhet edhe ky shkrim. Thjeshtë, tash çfarë më nevojiten shkrimet e mia?! Nëse do kush, le t’i konsiderojë apo t’i trajtojë si kujtim lodrash të shkronjave, si dhembje, e ndonjëherë si gënjeshtër loti, si lumturi apo trillim i së bukurës, edhe pse, edhe kështu, dikend do ta kënaqin, dikujt do t’ia ndezin zemrën, dikujt do t’ia shkrumbojnë shpirtin, e dikujt do t’i sjellin disponim për t’u zbrazur në gaz për marrinë e këtij vrapimi të pakuptimtë. Pra, edhe kështu, nëse doni, thuani! Dhe. Lamtumirë e lamtumirë...

4.

Të them të drejtën dhe sinqerisht, kur u lind djali im, kisha një lloj freskie shpirti dhe më dukej se më janë hapur dyer e rrugë të reja dhe më të ndritura të jetës. Ashtu edhe doli. Sepse, siç thotë populli, u gëzuan edhe lisat në bjeshkë, edhe zogjtë e malit, sikurse edhe dikur për mua. Por, veç kësaj, djali tani më shoqëronte si përgjegjësi për ta ndërtuar shëndetin dhe vullnetin e gatishmërinë e mendjes. Më bëhej se kjo tablo jete i ngjante asaj të babit tim me mua, kur është fjala tek mesazhi për ndërgjegjen dhe mësimin. Sfidë pas sfide e deri tek kurorëzimi i pjesës intelektuale të tim bir.

Atë botë, në maturën e djalit më patën dalë nga brendia ca vargje për pjekurinë e tij, dhe pata thënë se tani e tutje rrobat kat dhe kravata i shkojnë për shtat djalit tim. Kështu u hapen rrugë edhe më të reja, të cilat më trokitnin në fjalën “lamtumirë”, por nuk e dija se kjo a kishte të bënte me mjerimin e mëtutjeshëm, me varfërinë, vuajtjet dhe me dhembjet, apo “lamtumira” më trokiste vetëm sa për të ma kujtuar për më vonë këtë fjalë, sa të dhembshme aq edhe të këndshme...!

Por, gjërat të përplasin, dhe ndonjëherë të plandosin. Pikërisht në ditëlindjen e vajzës sime, nipi, i biri i saj, fryti i parë i saj, e pëson në një fatkeqësi, tragjedi kjo e cila për disa muaj Yllin tim e solli në gjendje kome, mu atëherë kur përgatitej për t’i mësuar shkronjat e para. Prej atëherë, pasuan dilema dhe qëndresa, të cilat luftonin njëra-tjetrën, apo tentonin të bashkëjetonin. Çfarë kombinimi ky; rrëfimi për djalin dhe tregimi për nipin?! Sërish më troket fjala “lamtumirë”! Tash me frikën e ikjes së Yllit, i cili, më të vërtetë ishte Yll i familjes. Por, nganjëherë, kur e lexoja shpresën dhe bindjen e vajzës sime në fytyrën e saj për Yllin, atëherë fjala “lamtumirë” më trokiste në zemër e mendje për lamtumirën e vdekjes, për ikjen e saj nga ne...! Çfarë përzierje e “lamtumirës”... Ani,... lamtumirë dhe lamtumirë...!

5.

Disa miq të mi, me këmbëngulje kishin insistuar që të shënohet 40-vjetori i veprimtarisë sime krijuese. Dua t’u siguroj se nuk kisha dëshirë, sepse, një gjë e tillë do të më ngacmonte në shumë aspekte. Por, kjo u bë realitet, dhe ishte një perfomansë e eveniment që për një kohë të gjatë do të mbetet në kujtesën e gjithë atyre miqve dhe dashamirëve të mi e të kulturës që ishin prezent atë mbrëmje.

Ani. Nga zemra e shpirti u falënderohem të gjithëve, të gjithë atyre që janë në mua e me mua, e të tillë ka shumë, shumë, shumë. U falënderohem edhe atyre që më duan shumë e në mënyra të ndryshme, atyre që më respektojnë dhe më çmojnë. U falënderohem edhe atyre që pa asnjë shkas më kanë zili (tek e fundit nuk e besoj se ka shkase dhe asnjë arsye për zili). U falënderohem të gjithë atyre që flasin me zjarrmi për mua dhe krijimtarinë time, edhe atyre (nëse ka) që tmerrësisht dhe verbërisht merren me intriga, me inate e të paqenët. I falënderoj edhe ata, të cilët në mënyrën e vet dhe për qejfin e teket e tyre kanë thënë e kanë mundur të flasin, të gjithë ata të cilët kanë menduar, mendojnë edhe do të mendojnë për mua dhe krijimtarinë e veprat e mia (pa marrë parasysh se çfarë e si mendojnë). Sepse, të gjitha këto që i përmenda, për mua janë gjëra shumë të çmueshme dhe të mëdha, me vlerë dhe domethënie të veçantë, edhe atëherë kur janë trill dhe hiq gjë...!

Dhe, pas të gjitha këtyre, ai vargu im poetik, të cilin e kam përmendur disa herë edhe më lartë, e i cili është fshehur diku në qenien time e që dot nuk mund ta hasi, si larvë më shëtitë në mendje, për të më thënë diçka. Ani, le edhe të thotë lirisht çfarë të dojë, sepse, kam vendosur dhe kam vendosur për ta mos kënaqur kurrë vetveten, por, kësaj here, po,...! Do të them lamtumirë, sepse, edhe kjo fjalë, që pak kush e di dhe e vlerëson kështu, e ka vlerën, begatinë, mesazhin e madhështinë, por edhe dhembjen, e cila, as tash nuk dyshoj, ashtu sikurse edhe vargu im hajn apo i fshehur, nuk do të më zhgënjejë por do të më shoqërojë me dashurinë ndaj njeriut dhe të njeriut,... me dashurinë. Oh, sa kënaqësi!

Ani. Do të pres, sepse gjithmonë kam pritur,... Por, megjithatë, në mos paça unë mundësi të them: lamtumirë shkrimet e mia, këtë, ua preferoj dhe u jap leje që ju ta bëni, apo ta shkruani, Ju. Sepse, besoni, sapo e përgatisë mendimin se si të them lamtumirë, ai vargu im poetik s’më lë ta bëjë një gjë të tillë! Po, pse more i uruar nuk më lejon ta them këtë fjalë kaq të rëndë, ka të bukur, pasi që unë kam vendosur pa fije hidhërimi, por me një porosi të them: lamtumirë shkrimet e mia...! Dhe shih, prapë: për lamtumirë jam unë këtu, e jo ti, më thotë vargu poetik, me të cilin, për herë të parë nuk u pajtova! Në këtë fund shkrimi, m’u kujtua dhe dot nuk më hiqet nga mendja një mik imi, është mjek i syve me profesion (me qëllim e thash, i syve e jo oftamolog), i cili njëherë më pat thënë: ia ke parë sherrin diturisë sate!

Haj, more Zot, po ç’është kjo punë...?! Hajt, lam-tu,...! Pa e përfunduar mirë këtë fjalë, sërish dëgjoj zërin qortues të vargut poetik, i cili edhe tash më ka lënë kështu, zvarrë...

Ujku qimën e ndërron por zanatin kurrë se harron !

Secilin vit e më pak serb po ka në Kosovë




Të mbledhurve, Vuçiq u ka thënë se shteti serb dëshiron që serbët në Kosovë të jetojnë të pasur, më mirë dhe të sigurt.

“Dua t’ju falemnderoj të gjithëve që me gjithë këtë kiamet (borë e madhe) keni ardhur në këtë numër kaq të madh. Dua që në këtë momente pas vrasjes mizore të Oliver Ivanoviqit, t’ju them se nuk jeni vetëm dhe se sonte do të bisedojë me të gjithë juve që keni ardhur nga pjesë të ndryshme të Kosovës dhe të shohim se si ta ndihmojmë popullin tonë në Kosovë”, ka thënë ai, transmeton lajmi.net.

“Siç e dini, Serbia në mënyra të ndryshme jo vetëm që mund të ndihmoj, por të ndikoj edhe në jetën tuaj në Kosovë. Kjo jetë është e vështirë, askush nga ju nuk është mjaftueshëm i pasur, por për fat të keq, ka edhe të atillë që i marrin nga tri ose katër rroga. Do t’i kontrollojmë të gjitha këto, që t’i ndihmojmë ata që kanë nevojë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se nuk i frikësohen askujt dhe se është në interesin e tyre që në dialog me shqiptarët të ruhet paqja dhe stabiliteti.

“Nuk i frikësohemi askujt, por mendoj se ka ardhur koha që qëllimet tona t’i arrijmë në mënyrë tjetër”, ka thënë Vuçiq.

“Ju duhet të jeni mjaftueshëm të fortë, të guximshëm dhe të fuqishëm që të mbesni në shtëpitë tuaja, trojet tuaja, e ne sa më shpejt t’ju ndihmojmë.

Sipas tij, gjithnjë e më pak ka serb në Ranillugë, Partesh dhe Kosovën Qendrore.

“Serbia do t’ju ndihmoj aq sa mundet, por në fund megjithatë varet prej juve nëse dëshironi të qëndroni këtu ose jo”, tha tutje ai.

Vuçiq ka ardhur në Llapnasellë pasi vizitoi Manastirin e Graçanicës dhe Mitrovicën. Ai po shoqërohet nga shefi i zyrës për Kosovë, Marko Gjuriq dhe shefi i BIA-s (Shërbimi informativ serb), Bratisllav Gashiq.






Serbët kërkojnë armë dhe kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë, ja si iu përgjigjet Vuçiq?


Presidenti i Serbisë u ka thënë sot serbëve në Kosovë se nuk ka asgjë më të rëndësishme se qëndrimi në Kosovë, pasi që sipas tij shteti i Serbisë do të ndihmojë në këtë aspekt, para se gjithash me paqe politike, politikën e mbrojtjes së serbëve dhe investime në zhvillim.
Aleksandar Vuçiq, kur bëhet fjalë për sigurinë e qytetarëve në veri të Kosovës, ka thënë se shpreson që askush as mos të mendoj që t’i largoj serbët nga shtëpitë e tyre, vendlindja e tyre.
“Dua të besoj në këtë, por ne do të zhvillojmë politikë në mënyrë që t’i mbrojmë serbët”, ka thënë Vuçiq, transmeton lajmi.net.

Presidenti i Serbisë pas takimit me përfaqësuesit politik të serbëve dhe biznesmen, ka thënë se ka pasur kërkesa që lidhen me respektimin e Rezolutës 1244, por edhe kërkesa që Serbia t’i armatos serbët, por se përgjigjja e tij ka qenë se shpreson që Serbia të ndihmoj në dhënien e parave për kopshte, shkolla dhe shëndetësi.

Kërkesa për të tilla për Vuçiqin ka pasur edhe para se ai t’ju drejtohet serbëve.

“I kuptoj njerëzit, por nuk mundem të gjithëve t’u përgjigjem”, ka thënë ai.

Kjo përgjigje ka ardhur pasi që serbët e mbledhur kanë brohoritur “president, na ndihmo”, “Mitrovica është qytet i unitetit”, “ndihmo”, “ktheje ushtrinë dhe policinë në Kosovë”, “me jetë do ta mbrojmë Mitrovicën”…

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj: Ultimatumi i serbëve për Asociacionin nuk vlen më


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha sot se ultimatumi i Listës Serbe për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është jovalid për shkak të nismës së institucioneve të Kosovës për hartimin e Statutit të këtij organi që mbledh komunat me shumicë serbe, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2013 në Bruksel.

“Ka ndyshu gjendja, Kosova është në rrugën e hartimit të Statutit të Asociacionit. Ultimatumi bie poshtë”, tha Haradinaj të enjten në një konferencë për shtyp pas mbledhjes së qeverisë.

Institucionet e Kosovës kanë themeluar një grup punues i cili do të merret me hartimin e Statutit të Asociacionit ndërsa dje në Beograd, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar se Serbia do ta presë këtë ekip që ta kryejë punën e vet brenda afatit prej 3 muaj e gjysmë.

Nga ana tjetër, sot në Zveçan përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës do të mbajnë një takim me anëtarët e ekipit drejtues për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

Sipas një njoftimi për media, takimi do të mbahet nesër në ora 13:00 në sallën e Kuvendit të Zveçanit.

Në këtë takim pritet të vijë edhe një zyrtar i lartë i Qeverisë së Serbisë.

Bëhet fjalë për ndihmës-drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Për pjesëmarrjen e Petkoviqit ka njoftuar Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe.

Jahja LLuka: Mos eja në ëndërr


Keshilltari i kryeministrit të Kosovës ,Z.Jahja Lluka i cili është edhe shkrimtar ka treguar se  kanë dalë nga shtypi dy librat e tij më të ri kësaj radhe me poezi.



Ai për lexuesit e tij vjen me dy tituj të librave poetik: “Mos eja në ëndërr” dhe “Dehja e dashurisë”.

Kohë më parë dolën nga shtypi dy librat e  zt.Jahja Lluka , kësaj radhe me poezi: "Dehja e dashurisë"me redaktor Remzi Limani dhe "Mos eja në ëndërr" me redaktor Asllan Qyqalla. Shpresoj që së shpejti do t'u ftoj në përurimin e tyre.Nje falenderim per piktorin Agron Mulliqi dhe piktoren e talentume.

Në faqën e facebokut : https://web.facebook.com/jahja.lluka.16,mund ta lexoni njoftimin :

Fotografia e Lan Qyqalla
F T E S Ë

Ju Ftojmë të gjithë të interesuarit, që të merrni pjesë në përurimin e librit me poezi 
“ Mos eja në ëndërr” , të poetit Jahja LLUKA. 

Përurimi do të mbahet më 25 prill 2018, në orën 16:00 në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë.

Kumtesë për librin do të paraqesin: Reshat Sahitaj, Lan Qyqalla, Isuf Heba dhe Hasan Selimi. Do të ketë deklamime të poezive nga libri.

Ardhja Juaj është nder e respekt për librin dhe autorin!
Këshilli Organizativ

Kritikë – Për librin e Jahja Llukës “Mos Eja në Ëndërr”

Image result for Isuf Heba

 Nga prof.Isuf Heba

Libri “Mos Eja në Ëndërr”, i poetit Jahja Lluka, vjen për lexuesin si një vlerë e shtuar, në fondin e artë të letërsisë.


Image result for Isuf Heba


Ky libër sapo ka nisur rrugëtimin e tij për tek lexuesit dhe mendoj se do të jetë një vepër mjaft interesante dhe befasuese. Jam i këtij mendimi, pasi unë vetë, si një i tillë, jam befasuar mjaft, duke jetuar çastin e asaj bote reale, që autori, na e servir nëpërmjet këtij vëllimi poetik, vargut të bardh lirik, mjaft të veçantë, dhe gjithashtu, letrare-artistik dhe filozofik njëkohësisht. Kompozimi i veprës është mjeshtëror. Libri “Mos eja në ëndërr”, është një apologji filozofike. Autori, nëpërmjet virtuozitetit dhe ëmbëlsisë së vargut, larmisë së frymëzimit, idesë dhe figurës letrare, si dhe elementeve përbërës të rëndësishëm tjerë. Siç janë metafora, aliteracioni, anafora, inversioni, metanomia, eksklamacioni, enumeracioni si dhe similituda, depërton lirshëm në ndjesitë dhe përjetimet tona.




Gjithë këtë fond të artë të letërsisë si terminologji, morfologjia e së cilës i jep jetë dhe kuptim gjithë veprës, lexuesi i gjen përmes vjershës së tij, vjen tek lexuesi me një larmi tipesh dhe karakteresh. E gjithë kjo, na krijon një ansambël të vërtetë ndjesie psiko-emocionale dhe artistike, si në aspektin artistik dhe filozofik të veprës, ashtu dhe formës kompozicionale. Libri është një triptik, që përmbledh në vetvete të tre pjesët e librit të titulluara “flas”, “larg” dhe “vargje për ty”. Ato kanë mes vete një lidhje organike gati të njëjte, por me një bukuri ndërtimi dhe kompozimi të veçantë, të dalluar jo me lehtësi, prej lexuesit.
Fotografia e Lan Qyqalla
Titulli i librit është intrigues dhe të rrëmben si lexues, është mjaft domethënës, pra shumë kuptimplotë dhe shpreh dhe përfaqëson më së miri, brendësinë dhe botën shpirtërore të poetit. Autori, pa dyshim që vështron disi më ndryshe, ka një këndvështrim më të gjetur, pa u lodhur dhe aq, për ta hulumtuar, apo sajuar atë. Ai hyn në detaje, dhe i bën një apologji të vërtetë momentit lirik ku gjendet. Të duket se ndonjëherë, s’ka më se çfarë të thotë, por në të vërtetë nuk ndodh ashtu, sa hap faqen tjetër, ti stepesh duke lexuar një poezi edhe më interesante. Të gjithë titujt e vjershave, të duket sikur i ka skalitur dhe vendosur në radhë, në murin e vargut të gllendur, për ta pasur më të lehtë që ta lexosh dhe komentosh. Ai është futur natyrshëm rrjedhshmërisë së jetës, duke përdorur veten e parë, pra duke qenë vetë protagonisti dhe herë bëhet lodërtar me të, e herë i rri vrenjtur asaj. Këtë, si një dukuri e vërejtur më së miri tek të gjitha poezitë e tij, ku syri bie në kontakt, si me titullin e vjershës, formën kompozocionale, brendësinë dhe metrin e vargut. Tek ky libër, gjithçka na vjen natyrshëm, nëpërmjet kronologjisë së ngjarjes së paraqitur në vargje, ku autori, në kuptimin metaforik lot me të bukurën, e përkëdhel atë, në mënyrë shumë mjeshtërorevirtualisht dhe të kujton, mjeshtrin e pianos, kur luan mbi tastierë, me notat e muzikës, duke ndezur ndjenjën tënde shpirtërore.

Vargu është i lirë, i bukur dhe i mbërthyer mirë mbas murit, që mban në vetvete ndërtimin e vjershës. Ky varg është sa i thjeshtë dhe filozofik. Ajo që të bie në sy menjëherë, është mënyra e këndvështrimit të tij, prej një mendjeje të sprovuar dhe praktikuar, lëvrues i këtij vargu, që duke aluduar dhe kapur fort mbas së bukurës dhe hireve të saj, arrin të depërtojë në brendësinë e ndjenjës sonë sentimentale, shpirtërore. Për ta ilustruar, nga vjersha “Kaçurrelja” shkëputa në kontekst këto vargje:- Shikimi i saj më verboi… Ajo ish më e bukur se pikturat… Ose tek vjersha “I marrë”- I marrë jam pas teje, bota le ta di, le të qeshin, nuk mërzitem… Nuk është aq interesante, që autori është shumë i qartë, praktik dhe di t’i shmanget momentit tragjik sentimental. Tek vjersha “Harromë”, ja si e shpreh atë:- Më mirë më harro, nuk ndjej më asgjë… Ndonëse ka raste kur e lakmon prehrin e saj të ngrohtë, duke kërkuar me çmos paqen e shpirtit të trazuar, duke i thënë: Tërë natën po të ëndërroj. Zemra ime e pambrojtur, askund nuk gjen qetësi. Për t’ju shmangur monotonisë dhe drojës për bezdisje të lexuesit, aty këtu, në harmoni të plotë, ai e ndërthur veprën e tij me vargje të tjera jashtë kontekstit të dashurisë, por në pjesën më të madhe e ka vështirë t’i shmanget asaj, pasi gjithë librin, toni lirik, ndonëse nuk vjen i rimuar, e bën një të tërë. Në momentet që ia del, vjen i veçantë, si tek vjersha “Rojtari i natës”, ku autori tregon se është Muza poetike, që e bën të jetë ky rojtari i natës. Agimi është gati të zbardhë, unë nuk fle. Ca m’ duhet gjumi, shpesh më duket i lodhshëm, gjysmë vdekje.

Në këtë lirishtë të lirikës së autorit Jahja Lluka, pavarësisht tendencës për t’ju shmangur kthetrave sentimentale, poeti na vë në lëvizje që të përzgjedhim çastin e duhur që t’i shmangemi mundësisë së tepruar. Hera-herës autori e reflekton atë, për ta përcjell edhe si një mesazh të pa pretenduar, ose të kujton se e bukura nga ndonjëherë është dhe e shëmtuar. Në një analizë më të plotë, do të thoja se autori vjen në sinkron me të përditshmen, me jetën tonë reale. Tek ky libër, morfologjia e së cilit e fut në një analizë të plotë veprën, ngandonjëherëna bën të jemi edhe retro me kohën dhe vlerësimin e saj… Fjalët si turpi, frika dhe hija e të tjera, patjetër që na sjellin në mendje, doket e zakonet tona, prej së cilave domosdo që kemi një lloj ndikimi, si në kulturë dhe psikologjinë tonë, dhe praktikish pavarësisht, identiteteve tona kombëtare, pavarësisht ndryshimeve të mëdha, si në aspektin kulturor në përgjithësi, të globalizimit, ekonomisë së tregut dhe infrastrukturës së përmirësuar veç e veç, tendenca e një qytetërimi kozmopolit sa vjen dhe rritet çdo ditë dhe është vështirë t’i shmangesh kësaj qasjeje, a trendi modern. Nuk është se autori na ka lodhur, apo na ka strapacuar me vargun e tij, duke mos pasur një fonologji të mirëfilltë rime, përkundrazi ai mbahet fort tek sintaksa e librit, e sistemit gjuhësor dhe në harmoni të plotë me komponentët e tjerë gjuhësorë, e bën librin intrigues dhe tërheqës. Autori tenton të hapë dritare të re, prej nga ku njeriu edhe duhet të shikojë dhe ndërtojë të ardhmen. A nuk është se, kur ai na tërheq për aty, nëpërmjet përkëdhelisë së vargut, na duket se na lodh, ose stërmundon dhe pastaj, ashtu të drobitur, na jep dorën për të mos qëndruar gjatë, duke dashtë teprimin? Vetë atij i pëlqen e bukura, por në asnjë rast, ai nuk i jepet asaj dhe bëhet tregues dhe udhërrëfyes, duke e shmangur vetë kompromisin. Ky moment, i cili vjen i kuptimtë, në rrafshin filozofik, është dhe një mesazh, gjë për të cilin autori, siç thamë, nuk është se pretendon dhe aq, por nëpërmjet poezisë së tij, të ngacmon si pa dashje, duke të thënë: Ej kujdes, jeta nuk është një vjershë.. Kjo e shtrirë, në rrafshin poetiko-artistik dhe filozofik.

Në rrafshin tjetër, psiko-sentimental-emocional, autori është mjeshtër i fjalës dhe e përdor atë shumë bukur dhe në harmoni të plotë me ngjarjen. Një vlerësim i veçantë për autorin, është përdorimi gjuhës së njësuar letrare. Lexuesi, jam i bindur se do të përhumbet në similitudën e jetës reale. Libri shpreh në vetvete një metamorfozëtë re, sentimentale, por dhe të asaj reale në tërësinë e vet, ndaj dhe e quajtëm një metamorfozë. Në vjershën “Flas”, në pjesën e parë, autori thotë bukur: Sogjetare jam, i ëndrrës së perënduar. Më dëgjo fjalën e pathënë, e të humbas në doravate e pajës sate. Autori këto plot bukur me fjalën, ai rrëshqet ëmbël mbi trukun filozofik të ndërtimit të vargut dhe na e servir me një lloj eposi lirik lasgushjan, dhe mos u çudit. Tek vjersha similitude e titulluar “Ty”, në kapitullin “Larg” të këtij libri autori thotë, pra i drejtohet muzës në këtë rast, një metaforë e fjetur, që lexuesin e zgjon kur përballet me të, “Ty që shfaqesh rrallë, si një vizion që më rrëshqet nga dora, s’di si ta shfaq këtë ndjesi. Në këtë rast, përtej asaj që perifrazon poeti në vargjet e tij, duke iu drejtuar natyrshëm ndjenjës për të bukurën, përveç sentimentit në formën me elakuente të shprehjes, ai dron edhe se mos do ta lëndojë, dhe e mbështjell me një metaforë përkëdhelëse mjaft të goditur. Ne jemi engjëj, me trupa njeriu, me krahët e shpirtit fluturojmë lartë.

Tek ky libër, autori na krijon mundësinë që ta shikojmë edhe ndryshe, rebelimin e poetit, shpirtin rebel të tij, që në këtë rrëfenje, (le të quajmë kështu) ai merr përsipër, të jetë vetë protagonisti, personazhi i parë që e udhëheq gjithë ngjarjen që zhvillohet brenda vargjeve, brenda gjithë poezive të tij. “Mos eja në ëndërr”, thotë diku poeti, “As në mendime nuk më duhesh, gjej rrugën, unë s’jam më me ty”. Tek ky libër, poeti, na i jep të dy mundësitë, të parën, mundësinë të ndjejmë dhe të dytën, mundësinë kur kërkohet të ndahesh prej saj, duke na lënë që të kuptojmë filozofinë e të jetuarit në raport me shoqërinë. Tek ky libër, lexuesi ka fatin e mirë të njihet me poetin, me gjithë horizontin dhe gjeografinë e mendimit dhe të eksklamacionit të tij, në një sentiment tjetër, me identifikues, në dashurinë që ai ka për vendin dhe atdheun e tij. “ Të falëm Kosova ime, o dritë e botës, gjaku i Dardanëve, strehë e perëndive”, duke na sjellë ndërmend një poezi shumë të njohur të poetit të madh AliPodrimja. Kjo dëshmon se poeti është mjaft i lidhur me vendin dhe fatin e vendit të tij. Me këtë eksklamacion, ai duket se nuk do të rreshtë kurrë në obligimin, që vendin të tij i ka borxh, jo vetëm dashurinë, por edhe jetën. Mendoj se kjo vepër e poetit Jahja Lluka, jo vetëm se është një vlerë e shtuar, por ai na ka sjellë edhe diçka të re, si stilin e të shkruarit, ashtu dhe kompozimin e saj. Në brendësinë e librit, kjo e re mendoj se është vargu, me të cilën ai e paraqet lirikën e tij, para mendjes dhe syve të lexuesve. Poeti ndonjëherë, pasi lodhet dhe bezdiset nga jeta e trazuar, i drejtohet muzës: një metaforë e fjetur, ku siç thamë më lartë, e zgjojmë kur duam: “Të ikim larg nga këtu, eja ma zgjat dorën dhe më beso, do të thurim magjinë me shpresë, e ardhmja është për ne”… Këtu poeti na mëson se nuk duhet të humbasim për asnjë çast shpresat tona, të biem në batakun e zollumit që politika lë pas. Poeti të udhëheq dhe tregon, gjithmonë ka një rrugë, gjithmonë ka një zgjidhje. Edhe këtë rrugë, edhe këtë zgjidhje poeti na tregon me nota dashurie dhe sjelljes së mirë. Vetë poeti konfirmohet se është një elitar dhe se i përket një qytetërimi kozmopolit. Ky libër pa dyshim që do të jetë një hark i shtuar mbi urën që lidh kufijtë tanë që ia vendosën trupit, por jo zemrave tona. Shpresoj gjithashtu që ky libër, e shumë e shumë të tjerë në dy anët e kufirit, do të përkundin ëndrrën e parealizuar deri tani për një Shqipëri pa kufij dhe një letërsi vetëm shqiptare.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...