Forcat serbe, kishin dëbuar kosovarët me forcë nga shtëpitë e tyre, ndërsa vala më e madhe e refugjatëve ishte në Shqipëri.E shqiptarët atje, ishin mjaft mikëpritës me kosovarët që po iknin nga lufta, duke i hapur edhe shtëpitë e tyre e duke ndarë gjithçka bashkë.
“Bukë e kripë e zemër” ishte tradita e shqiptarëve e familjes Asllani nga Kukësi, e cila pavarësishtë vështirësive, kishte pranuar 43 refugjatë nga Kosova.
Në kohën e luftës, kjo familje nga Kukësi ishte bërë edhe lajm i mediave të huaja, se si në shtëpinë e tyre modeste kishin pranuar kaq shumë refugjatë nga Kosova, duke ndarë veshjet e ushqimet dhe gjithçka që kishin.
Edhe sot pas 19 viteve, shumë familje kosovarë mbajnë lidhje me familjes strehuese në Shqipëri, për të cilat padyshim se të gjithë janë falenderues.(Floripress,Flori Bruqi)
Xhevdet Hoxha - kryetar i rrethit Tropojë:
O sot, o kurrë për Kosovën
nga Rexhep Shahu
Kryebashkiaku Sadri Isufi:
Të dëbuarit e Kosovës i ndjeja tropojanë
(Fragment nga libri im në dorëshkrim Lufta ime për Kosovën)
Ishte kudo emri i tij, e dëgjoja nga shumë njerëz por nuk e intervistova ato ditë. As nuk këmbëngula që ta intervistoja. Ishte plot ngjarje çasti, dita, nata dhe duke synuar që të merresha me të gjitha gjërat, mbeten shumë gjëra pa u bërë, siç më mbeti pa realizuar një intervistë në ato ditë të fillim qershorit 1998 me kryetarin e bashkisë së Bajram Currit, Sadri Isufi.
Natyrisht që e kam njohur, e kam parë ato ditë në takime dhe e kam takuar më vonë.
Një tropojan që ka një ndryshim në dukje nga shumica e tropojanëve, ai flet të vogël, flet me zë të ulët, nuk imponohet me lartësinë e zërit por nga nga ajo çfarë thotë me fjalët e tij. Fuqia e tij është urtësia, forca e argumentit, aftësia për të dëgjuar tjetrin dhe këmbëngulja për të realizuar atë për të cilën është i bindur.
Ishte dhe është e jashtëzakonshme për të huajt ajo që ndodhi në Tropojë në fillim qershor 1998, ku familja tropojane priti dhe strehoi nëpër shtepi mbi 20 mijë shqiptarë të Kosovës të dëbuar nga dhuna e verbër serbe, fëmijë, gra, pleq të rajonit të Deçanit, Pejës, Gjakovës.
Ishte e jashtëzakonshme se në Tropojë nuk u ngritën kampe pritje për refugjatë a të dëbuar, nuk u ngritën çadra, por gjithçka e mbuloi familja tropojane, me strehim, me ujë, bukë e ushqim, tesha, duke ndarë me të vërtetë kafshatën e gojës përgjysmë, duke i dhënë për herë të parë botës dhe gjithë njerzimit një leksion të jashtëzakonshëm se çfarë e si është mikpritja si institucion, çfarë është mikpritja shqiptare, një virtyt i rrallë dhe jo aq në modë në vende të tjera të botës sa në Tropojë, Has, Kukës e në Shqipëri.
Në Tropojë madhështia e shpirtit njerzor u shfaq madhështore me të gjitha përmasat e saj, me gjithë epizmin e saj. Asnjë vogëlsi nuk gjendej as shihej atë fillim qershori 1998 në Tropojë. Madhështia e bujaria tropojane ishin sa malet.
Në këtë klimë mikpritje kryetari i bashkisë Sadri Isufi nuk kishte nevojë të luste kënd për të ndihmuar të ardhurit, nuk kishte nevojë të mësonte fisnikët si të fisnikërojnë sepse gjithë populli në Tropojë ishte në këmbë, “se jena vllazën burrë me të ardhurit”, “paj jena të ndamë një zjarmi burrë me to”, “jena dajë e nipa mes veti”, “ po janë njerzit tonë, janë fisi jonë mor gazetar, qysh mos me dalë me i pritë e me i marrë nëpër shpiat tona”, “çfarë të hanë fëmijët tanë do të hanë edhe vllaznit tonë të Deçanit”…
Siç demonstrohej madhërishëm mikpritja e fisnikëria tropojane edhe sherret shkëlqenin deri në kupë të qiellit. Nuk donte dikush që Tropoja vetëm të shkëlqente në mirësi, por duhej të kishte edhe shëmti.
Ato shtatë ditët e para që qëndrova në Tropojë dhe raportova kryesisht për Radio Tiranën, Radio Kukësin, Radio Shkodrën etj, dhe raportet i bëja direkt nga centrali i Bajram Currit, jo nga kabinat por direkt nga centrali, ndodhi atentati ndaj Azem Hajdarit, ku mbeti i plagosur Bardhyl Pollo. Atë natë gazetarët që po qëndronim në hotel turizmi morëm një si porosi që asnjeri të mos guxonte ta jepte lajmin. Unë nuk e dhashë edhe se nuk kisha ku ta jepja atë natë, por doli më guximtar e trim gazetari i BBC që e përcolli lajmin e atentatit ndaj Azemit. Nuk kishte celularë atë kohë, ishte fatlum kush përdorte ndonjëherë telefon satelitor të ndonjë organizate të huaj ose të UÇK.
Ato ditë e atë kohë nuk e mësova se Azemin e kishte marrë dhe strehuar atë natë të atentatit Sadri Isufi tek njerzit e tij, te shtëpia e tij dhe se për këtë kishte dije vetëm Sali Berisha, i cili ishte në kontakt permanent me Sadriun e Azemin. Sadriu nuk mburret për këtë, e ndjen se ka bërë natyrshëm detyrën e mikut e shokut, detyrën e malsorit, të shqiptarit edhe pse kjo gjë nuk ishte me leverdi ato kohë...
Ato ditë në Tropojë nuk kishte njeri “të madh”, zyrtar të madh, autoritet të madh, askush nuk binte dot në sy sepse i madh ishte individi i thjeshtë, ai që mikpriste e ai që vinte i dëbuar nga dhuna serbe. Vinin deputetë, ministra të Shqipërisë e të Kosovës, por askush nuk ua fërshëllente prej posteve që kishin por vetëm nëse shfaqnin mirësi e solidaritet. Në Tropojë nuk kishte dot “të madh” sepse ishin të gjithë të mëdhenj me atë që bënin e si e bënin aq thjeshtë e aq natyrshëm.
Natyrisht që vendasit dinin të nderonin të huajt e mëdhenjt që mbërrinin aty nga shtete të mëdha të botës.
E jetova frikën e panikun edhe unë, por e vërteta është se asnjë lloj ngjarje tjetër, asnjë lloj atentati nuk arrinte ta zbehte ngjarjen që prodhonte ardhja e të dëbuarve, mikpritja që bënin tropojanët që dilnin e i merrnin në shesh të ardhurit për të mos thënë që u dilnin përpara edhe pa mbërri në shesh.
Sadri Isufin që mund ta akuzoje vetëm se ishte i urtë, nuk e dëgjova asnjëherë nëpër mbledhjet e shtabit në Tropojë që të përlahej, ku zakonisht ka zyrtarë që e kanë zhurmën e të përlamen si punë me ra në sy e me u dukë se po punojnë. Jo Sadri Isufi fliste pak, me zë të ulët, qartë dhe nuk merrej asnjëherë më vogëlsi.
Ja edhe një histori e pashlyeshme që Sadri Isufit nuk i hiqet nga mendja veç atentatit ndaj Azem Hajdarit dhe atentatit ndaj Mus Rexhës, përfaqësues i Qeverisë së Kosovës, makinën e të cilit e bënë shoshë me plumba.
“Në cilën këmbë don të ta bëj një vrimë me plumb”, e pyeti një njeri me maskë Sally Beckerin, engjëllin e Mostarit një ditë në qytetin Bajram Curr dhe e qëlloi me plumb në këmbë. Sally Becker që kishte shpëtuar 250 fëmijë të Mostarit dhe që ishte shndërruar në engjëll në botë deklaroi se nuk më kanë qëlluar shqiptarët. Kryetari i Bashkisë Sadri Isufi që e ka njohur dhe pritur Sally Beckerin më tregon me detaje atë ngjarje, vendin ku ka ndodhë në qytet dhe trishtimin që ka ndjerë në atë rast. Sally Becker ëshët gjallë, është misionare e madhe, e rrallë dhe meriton nderim e mirënjohjje të pakufishme nga Tropoja e Shqipëria sepse ajo ia lartësoi emrin Tropojës e shqiptarëve dhe diti ta bëjë qartë dallimin e amdh mes agresorit dhe viktimës.
Rupert Neudeck
Sadri Isufi më flet me nderim të veçantë për misionarët e huaj që shërbyen në Tropojë, për drejtuesit e organizatave të huaja, për anglezin e OSBE, Bill Foxton, Rupert Neudeck të Kap Anamurit, për ndihmat e para që kanë mbërritë në Tropojë, për nga Radio Kontaktin me Agron Balën e shokët e tij.
Sally Becker dhe majori Major Foxton
Ato ditë qershori të 1998 e në vazhdim në Tropojë vinin shumë zyrtarë vendas e të huaj por Sadri Isufi nuk zvarritej pas tyre, nuk zvarritej pas kamerave e gazetarëve, atij gjithmonë i dilte e mjaftonte vetja e tij.
Për ato kohë heroike kur shqiptarët u ripanë me njëri – tjetrin, u rigjetën me njëri – tjetrin, kur nisi rinjohja e madhe e vëllezërve e motrave, nëse flitet për merita, ndere e lavdi, merita e parë, nderi e lavdia më e madhe i takon familjes tropojane. E nëse flitet për individë meritorë që meritojnë nderim e mirënjohje të pakufishme, sipas meje që kam qëndruar 19 ditë në Tropojë si gazetar nga qershori deri në dhjetor 1998, të parët janë Sadri Isufi kryetar i bashkisë Bajram Curr, Xhevdet Hoxha kryetar i rrethit Topojë, Isa Memia, kryetar i komunës Tropojë i cili ka përballuar shumë më shumë se sa mundej një individ në ato kohë e atë vend. buzë kufirit ku hynin e delnin ushtarë, civilë në kushte e rrethana të vështira dhe kërkonin ndihmë e mbrojtje.
Shoqëria jonë, vendasit në Tropojë, Has e Kukës e të ardhurit në këto tri rrethe të prefekturës së dikurshme të Kosovës, duhet t’i veçojnë me shumë mirënjohje emrat e kryetarëve të tri bashkive të asaj kohe, Sadri Isufi, i Bajram Currit, Zenel Kastrati i Krumës, Safet Sula, i Kukësit, të tre rretheve të asaj kohe, Xhevdet Hoxha, i Tropojës, Hysni Alia i Hasit, Shefqet Bruka, i Kukësit dhe të prefektit Qemal Elezi. Këto janë aktorë që duhen nderuar gjithmonë si misionarë të paqes.
Në Tropojë ato kohë, veç të tjerave, veç madhështisë e mirësisë së familjes e individit bëhej edhe tregti armësh, shiteshin armët si makarona a tesha gabi në shesh.
Por tregtarët e armëve, tregtarët e luftës kishin punën e tyre, familja tropojane kishte punën e saj, bashkia e Sadri Isufi kishin punën e tyre bashkë me familjen tropojane – të mikprisnin sa më bujarisht vëllezërit e dëbuar nga Kosova.
Shumë ngjarje e detaje më ka rrëfyer Sadri Isufi, por mua vazhdon të më mbetet në mendje ajo që, ai asnjëherë të ardhurit nga Kosova nuk i konsideroi të ardhur, të huaj, miq, mysafirë, por i ndjeu, i llogariti dhe i konsideroi si banorë vendas të Tropojës, banorë që kishin munguar disa kohë e po ktheheshin në vatrën e tyre.
Xhevdet Hoxha - kryetar i rrethit Tropojë:
O sot, o kurrë për Kosovën
(Intervistë, fragment nga libri im në dorëshkrim Lufta ime për Kosovën)
Kryetarin e Këshillit të Rrethit të Tropojës, Xhevdet Hoxhën e njoha si njeri mjaft i informuar për çfarë po ndodhte dhe të angazhuar për zgjidhjen e problemeve të transportit dhe strehimit të të ardhurve nga Kosova. Ishte kooperues me organizatat e huaja dhe kompetent në diskutimet që bënte në mbledhjet e shtabit të emergjencës.
E kam takuar edhe herë të tjera më vonë, gjithmonë njeri serioz, i aftë, kopetent që të ngjall besim. Xhevdet Hoxha ishte një pushtetar i ri shumë idealist dhe ngjallte respekt e besim.
- Z. kryetar, një fluks i madh të ardhurish nga Kosova në këtë javë të parë të qershorit gjendën në Tropojë.
- Me shtimin e numrit të shqiptarëve të Kosovës që vijnë në drejtim të Tropojës, situata është mjaft problematike. Spastrimi etnik i Kosovës është qëllimi të cilit Serbia po i sherbën tash sa kohë. Vëllezërit tanë të Kosovës i gjetën dyert e hapura në Malsinë e Gjakovës. Gjej rastin dhe i falenderoj gjithë malsorët e Tropojës, për mikpritjën që treguan për vëllezrit tanë të anës tjeter të kufirit. Për gadishmërinë që treguan për t'i sistemuar ato në banesat ku jetojnë vetë, për atë që ndanë edhe kafshatën e bukës me ta, që i ndihmuan për të lehtësuar sado pak dhimbjet e tyre të shkaktuara nga lufta që po zhvillohet në Kosove, nga vrasjet e shumta të më të dashurve të tyre, nga represioni që ka ushtruar vazhdimisht Millosheviçi mbi popullsinë etnike shqiptare të Kosovës.
- Nga organizmat nderkombëtare, paraprakisht, na është premtuar shumë. Por në fillim të kësaj levizje, ndihma që na është ofruar ka qënë e pamjaftueshme për t’i pritur këto qytetarë, e për t’i strehuar. Kohët e fundit kanë filluar të vijnë ndihma nga shoqatat jo qeveritare, nga rezerva shtetërore, nga Radio Kontakti, por nuk janë të mjaftueshme për të përballur nevojat që kanë të ardhurit, si për ushqime, medikamente.
- Ç’farë mund të thonit për njerëzit në Kosovë, që t'u lehtësohet dhimbja për ata që kanë mbërritë në rrethin e Tropojës?
- Do t’ju thoja vëllezërve tanë që janë në anën tjetër të kufirit, pra në Kosovë, që për qytetarët që kanë ardhë në Tropojë të mos shqetësohen. Ato po pritën e po përcillen dhe po ju plotësohen ato kushte që kemi ne edhe për femijët dhe për njerzit tanë. Dyert e familjeve tropojane kanë qenë të hapura për ta. Por duhet t’ju kujtoj dhe t'ju bëj thirje atyre që janë në Kosovë se duhet të insistojnë maksimalisht që mos i lëshojnë trojet etnike. Të bëjnë çmos që mos t’i lëshojnë hapsirë Millosheviçit për të bërë spastrimin etnik të Kosovës.
Gjej rastin t‘ju bëj thirrje edhe bashkëkombasve tanë kudo që ndodhën në diasporë, që, o sot o kurrë, të japin ndihmën e tyre të gjithanshme. Sot ka shumë nevojë popullsia shqiptare. O sot o kurrë për çeshtjën kombëtare shqiptare, për këtë çeshtje të pazgjidhur ende. Për çeshtjen tonë që sot ka dalë më në pah ndoshta se kurrë më parë. Kërkohet me insistim një përgatitje e gjithanshme, një koordinim me të gjitha organizmat ndërkombëtare, një koordinim i të gjitha forcave dhe faktorëve shqiptarë të Shqipërisë e të Kosovës. Me qëllim që njëherë e mirë të marrë udhë e zgjidhje çeshtja e pazgjidhur shqiptare. Që shqiptarët të jenë të lirë dhe ta gëzojnë hapsirën e tyre etnike.
*****
Intervista e rrallë me Sali Çekaj:
Lufta ka shpërthyer dhe ne jemi në luftë
Sali Çekaj(Intervistë me heroin Sali Çekaj, me 8 qershor 1998, në Tropojë)
Me 8 qershor 1998, përsëri e takova zotin Sali Çekaj duke u afruar tek hotel turizmi në Bajram Curr, rreth orës 6 të mëngjesit. Pasi u përshëndetëm, e pyeta se a kishte ndonjë të re gjatë natës ose gjatë dy ditëve që s’ishim parë. Ndonjë të re që të ma thoshte ai, pasi çdo çast kishte të reja në ato ditë kur eksodi vazhdonte, kur mikpritja e tropojanëve demonstrohej mrekullisht dhe të huajt në Tropojë habiteshin me atë që po ndodhte sepse kjo që po bënin shqiptarët për njëri-tjetrin ishte diçka e harruar dhe e pabesueshme në dhera të tjera.
Ka plot të reja, filloi të fliste ai. Më futi krahun dhe dolëm nga sipër godinës së hotelit ku kishte më pak njerëz dhe ishte më qetësi. Por unë kam një merak, vazhdoi Saliu. Po due me shpreh me gjithë fuqinë e shpirtit e të zemrës mirënjohjën për tropojanët dhe krejt shqiptarët për mikpritjen që po u bëjnë të dëbuarve që vijnë prej Kosove…
Ishte shumë i impresionuar.
Dhe keshtu dalëngadalë, si pa kuptuar, ne filluam t’ia plotesojmë nevojat njëri-tjetrit, unë ta intervistoja përsëri e ai të mund të shprehte mirënjohjen për tropojanët e gjithe shqiptaret. Dukej sikur ishim në vijim të intervistës së realizuar para dy ditësh bashkë me Izeti Durakun. Dhe lirshëm e krejt shpengueshëm, në atë mëngjez të 8 qershorit 1998 realizova bisedën e mëposhtme me Sali Çeken :
Pyetje: - Megjithëse kemi folë para dy ditëve, unë do të doja të bënim edhe sot një bisedë me ju zoti Sali. Banorët e rajonit më të varfër të Shqipërisë që është Tropoja, po ndajnë kafshatën e gojës përgjysmë me vëllezërit e dëbuar që vijnë nga Kosova. Ju keni disa ditë këtu dhe po shihni vetë se ç’po ndodh…
Përgjigje: - Para së gjithash, në këto situata është e vështirë me gjetë fjalë të mençme e fjalë miradije, fjalë që kishin me shprehë gjithë atë që njeriu deshiron me shprehë. E them këtë sepse gjenerata jonë nuk është mësuar të ballafaqohet me situata të këtilla. Gjeneratat e mëparshme e kanë përjetue edhe këtë gjë, por ne jo. Prandaj për ne ka qenë më e vështirë ta përjetojmë një eksod, një tërheqje në masë të madhe të popullsisë shqiptare nga Kosova, nëpër një rrugë aq të vështirë për tu vendosë në Tropojë.
Mirëpo është kënaqësi e veçantë që të shohësh gadishmërinë e vëllezërve, motrave dhe gjithë bashkëkombasve tanë nga Tropoja e vise të tjera shqiptare. Një gadishmëri për ta ndarë bashkë edhe kafshatën e bukës, edhe pse të vetëdishëm se ndoshta pas tri ditëve nuk do të kenë çka të hanë më. Por sot po e ndajnë kafshatën përgjysmë. Kjo tregon se shqiptarët e Kosovës kanë se ku të mbështetën. Dhe edhe sot e nesër do të kenë mbështetjen e popullit shqiptar të Shqipërisë e të viseve shqiptare rreth kufirit. Kjo do të thotë që populli i Kosovës, pavarësisht situatave që do të krijohen, do të ketë një mbështetje reale.
Në anën tjetër, kjo afirmon një ndjenjë të madhe të popullit shqiptar të të dyja anëve të kufirit – atë që janë të një gjaku dhe që janë të pandashëm.
Kjo hedh poshtë gjithë atë që është proklamue dhe propogandue ditëve të fundit, sikur shqiptarë nga Shqipëria po sulmojnë fshatrat rreth kufirit në Kosovë.
Kjo do të thotë se ata të cilët kanë sulmuar fshatrat rreth kufirit në Kosovë, kanë qenë banda të cilat kanë bashkëpunuar me sigurimin serb dhe sigurime të tjera, dhe nuk është populli i Tropojës dhe i viseve të tjera të kufirit. Kjo ka një rëndësi të veçantë tani për tani dhe për të ardhmen, që të gjithë ata të cilët kanë qenë të luhatshëm, të gjejnë vijën e bashkimit dhe të bashkëveprimit.
Pyetje: - Dje dhe mbrëmë u njoftua se ata që janë aktualisht në Kosovë po bëjnë qëndresë. Nga njoftimet mësohet se dy pleq në dy fshatra të ndryshme kanë vrarë me bomba nga tre policë serbë sejcili në momentin që policët po tentonin tu hynim forcërisht nëpër banesa. Ata pleq po mbrojnë pragjet e shtëpive të tyre. Çfarë mëndon Sali Çeka kur tashmë lufta s’është në prag por është ndezë dhe po vazhdon dhe serbët po vritën, po i vritka plumbi edhe serbët.
Sa më tepër që subjekti politik dhe subjektet shtetërore do të mendojnë se kjo çeshtje do të shtyhet, do të zgjidhet pa luftë, sigurisht që kjo gjendje do të jetë më e rëndë.
Populli po vetëorganizohet dhe do të vetëorganizohet, mirëpo kjo duhet të kordinohet në masën më të madhe me subjektet politike dhe institucionet shtetërore të republikës së Kosovës.
Serbët nuk janë të pavdekshëm. Ata duhet ta kuptojnë se në fshatrat e rrethit të Deçanit e më gjërë nga ku janë shperngulë njerëz, serbët kanë patur të bëjnë me gra, fëmijë e pleq. Por në momentin që serbët do të ballafaqohen me forcat reale ushtarake të Kosovës, ata me turp do ta lëshojnë Kosovën. Dhe kjo ditë nuk është e largët.
Shpresoj se të gjithë këta që kanë ardhë nga Kosova në Shqipëri, një ditë shpejt do të kthehen në trojet e tyre etnike, në vatrat e tyre. Pavarësisht se edhe këtu janë në tokë shqiptare dhe këtë kufi ndërshqiptar e konsiderojmë artificial, ata do të kthehen aty ku kanë lindë e rritë, aty do të kthehen patjetër.
Na vjen shumë keq që disa pleq e plaka kanë rënë viktimë e terrorit serb. Asnjë ushtri në botë nuk e bën atë që po bën ushtria serbe. Edhe ushtri të tjera kanë sulmuar dhe kanë marrë teritore në vende të ndryshme, por në momentin kur ka kaluar ushtria, nuk është marrë kund me pleq e me plaka. Vetëm një ushtri që nuk ka besë në vetvete, që nuk ka forcë, vetëm ajo merret me pleq e me plaka. Sikur të ishte një ushtri e rregullt e një shteti, atyre pleqve e plakave do të duhej tu jepte ndihmë, ti strehonte ose ti mbante robë. Por serbët janë aq të dobtë, aq të ligj saqë merren me pleq e me plaka. Ende nuk janë ndeshë me forcat e mirfillta ushtarake të Kosovës. Sepse serbët nuk do të mund të silleshin kështu. Kam shumë shpresë se nuk do të lejohën serbët të përsërisin masakra. Lufta që ka nisë do të marrë përmasa shumë të mëdha. Serbia, dashtë e pa dashtë, do të largohet prej Kosove. Sepse në Kosovë kanë qenë e do të jenë shqiptarët.
Përgjigje: - Për mua kjo është më e vështira. Të gjithëve atyre që janë në Kosovë, të gjithëve atyre që po luftojnë në front ballë për ballë me ushtarët serbë, të gjithëve atyre që janë vendosë në Shqipëri, kisha me ju thanë të mos ta ndjejnë vetën të vetmuar. Sepse shqiptarët kudo që janë po bëjnë përpjëkje për një organizim të mirëfilltë.
Ju them atyre që janë në front se nuk do të jenë të vetmuar. Do të kenë çdo ditë e më tepër njerëz krah për krah. Do të jenë krah për krah me të gjithë shqiptarët e tjerë. Dhe ushtria e policia serbe do të detyrohen me turp ta lëshojnë Kosovën.
Kurse bashkëvendasve të mi të Deçanit, rrethinave e viseve të tjera, do tu them se nuk janë të vetmuar. Sepse qindra e mijëra shqiptarë janë të gatshëm dhe po bëjnë përpjëkje bashkë me organet e institucionet e Kosovës të organizohën mirëfilli për ta përballuar këtë gjendje.
Ndersa shqiptarëve që kanë ikë prej dhunës serbe e janë vendosë në Shqipëri, ju premtojmë dhe garantojmë se një ditë shpejt do t’ua krijojmë kushtet që të kthehën në Kosovë, në vatrat e tyre. Do t’i rindërtojmë ato dhe do të bëjnë një jëtë tjetër në vendin e tyre.
Gjithë atyre që këto ditë hapën shpirtin e tyre, zemrat e tyre, që të pranojnë shqiptarët e Kosovës, i falenderojmë nga zemra.
Përgjigje: - Kjo është një e vërtetë që qëndron. Sepse shqetësimi i kosovarëve është i arsyeshëm. Mjetet e informimit po e përcjellin gjendjen tragjike të krijuar në Kosovë. Shqiptarët e Kosovës edhe pse kanë qenë të larguar e të vendosur në vendet më të mira të perendimit, ata janë të vetëdishëm se ato vende nuk janë vendet e tyre. Ndaj ata po kthehen e duhet të kthehen përkrah vëllezërve e motrave të tyre.
Pyetje: - Dhe ky kthim për të hyrë në luftë, kjo ardhje për të hyrë në luftë është vlerë dhe vitalitet i shqiptarëve, apo jo z. Sali.
Faleminderit zoti Sali.