Agjencioni floripress.blogspot.com

2018/06/27

Guxo e vdis-Agim Gjakova


Agim Gjakova lind më 11 korrik 1935 në Kavajë. Shkollën fillore dhe të mesme, Normale, i kreu në Gjakovë. Punoi si mësues (1952-1954). Studioi në Beograd për gjuhë e letërsi frënge dhe letërsi botërore në Fakultetin Filozofik. Gjatë kohës që ishte në Beograd themeloi shoqatën e studentëve shqiptarë “Përpjekja”. U burgos tri herë dhe më në fund, më 1960, u dëbua në Shqipëri si person i padëshirueshëm për pushtetin jugosllav, duke mos i lënë shteg t’i mbaronte studimet.
Punoi si mësues në Kavajë (1960-1962). Më 1966 kreu studimet në Fakultetin Histori-Filologji për degën e anglishtes në Tiranã. U mor si redaktor-përkthyes në Agjencinë Telegrafike Shqiptare (1966-1970), kaloi në arsim (1970-1978), në Kinostudion “Shqipëria e Re” (1988-1990), si skenarist.
Në vitin 1999 erdhi në Kosovë. Punoi si redaktor për kulturë në gazetën “Bota sot” deri më 2006.
Më 1965 u martua me Naime Dacin (e mbetur jetime në moshën katërvjeçare se i ati i saj, Jahja Daci, u zhduk nga regjimi jugosllav më 1945).
Gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri është ndjekur gjatë gjithë kohës nga Sigurimi i Shtetit. Për krijimtarinë e tij me temë nga Kosova dhe për frymën demokratike që e përshkonte ka qenë gjysmë i injoruar dhe gjysmë i izoluar.
Në plenumin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë më 1967, diskutoi për trajtimin në letërsi të subjekteve nga jeta e dhunuar e shqiptarëve të Kosovës. U prit shumë keq nga “elita partiake drejtuese”. U akuzua se po ngrinte çështje në kundërshtim me vijën e Partisë, ose që nuk i kishte ngritur partia. Madje iu përgatit edhe internimi (apo edhe arrestimi), urdhri i të cilit nuk u ekzekutua falë atyre njerëzve objektivë që argumentuan se diskutimi nuk kishte qenë tendencioz.
Pas botimit të romanit “Në Kërkim të së vërtetës”, vepra u akuzua në plenumin e Lidhjes së Shkrimtarëve si ahistorike dhe që nxin realitetin. Në këtë vazhdë për përmbledhjen me poezi “Rrënjët përtërihen” (“I gjuaj ëndrrat me gurë”), së cilës iu ndalua botimi, me porosi të Plenumit të Komitetit të Partisë së Punës të Shqipërisë u akuzua se është kundër: Ideologjisë së Partisë, politikës së Partisë, ndërtimit të socializmit; si edhe për hermetizëm e luftënxitës (se paska dashur që Shqipërinë ta shtinte në sherr me Jugosllavinë).
Që atëherë emri i tij u vu i pari në listën prej shtatë a tetë vetash si “krijues që është i destinuar të gabojë ideologjikisht” dhe, pasi veprat e tij nuk qenë në përputhje me oreksin e regjimit diktatorial, jo vetëm që nuk mundi t’i botonte të gjitha, por edhe u mbajt nën vëzhgim dhe në një formë izolimi e injorimi gjatë gjithë kohës, i mbikëqyrur në mënyrë të egër deri më 1990 nga Sigurimi i Shtetit të Shqipërisë.


Krijimtaria:

Përmbledhjet poetike
1.Dhe thonë se paqe ka në botë,
2. Kangët e Dinit të Bardhë,
3. Perspektivë,
4. Obelisk,
5. I gjuaj ëndrrat me gurë,
6. Deti,
7. Guxo e vdis,
8. Kufiri imagjinar,
9. Saga flurore.

Proza
1. Dritëhijet e një qyteti (roman),
2. Në kërkim të së vërtetës (roman),
3. Herezi (roman),
4. A ka kund zot (roman),
5. Loja e kafkave (roman),
6. Korridoret e gjelbra (roman),
7. Mëhalla e kolegëve (roman),
8. Rrëfimet... (roman),
9. Nën hijen e pavdekësisë (tregime),
10. Shtëpia në udhëkryq (tregime),
11. Themelet e reja (roman për fëmijë),
12. Vjen përroi (tregime për fëmijë),
13. Përsiatje (ese filozofike-sociologjike), etj.

Drama e skenarë
1. Ishulli i argëtimit (dramë),
2. Nusja (skenari xhiruar).
3. Guri i besës (skenar i xhiruar),
4. Fundi i një gjakmarrjeje (skenar i xhiruar) etj.

Publicistikë
1. Kosova edhe e shkrumueme është e hijshme, 2. Publicistika I dhe II, etj.



AGIM GJAKOVA


Image result for agim gjakova

AGIM GJAKOVA : E BUKURA
(tregim)



Gruaja e re u ngrit në këmbë bashkë me të tjerët. Mjeku e përvodhi me bisht të syrit gjatë njëmbëdhjetë hapave sa kaloi paradhomën dhe kur u fut në sallën e vogël, vizioni i saj iu nde në pardesynë e bardhë. Tek po e vishte, sytë i kaluan nëpër të dy shtretërit dhe ai ndjeu cytjen të kthehej dhe t’i bënte me shenjë asaj: “Ju”,por atë çast u hap dera dhe infermierja thirri:
- Urdhëroni sipas radhës.
Ato ditë i ishte shtuar puna, sepse me këmbënguljen e tij, u qe mbushur mendja edhe eprorëve të rritnin çmimin për dhënien e gjakut. Mjekut të ri, i sapo ardhur nga jashtë, i qenë dhimbsur ta trupa të hajthëm. Ndonëse nuk qe ndonjë rritje e madhe e pagesës, përsëri u ndje efekti. Dhënësit qenë shtuar.
Në dhomë hyri një burrë. Mjeku e njihte se i kishte marrë gjak dy herë. Ndërsa infermierja përgatiti pacientin, ai shënoi emrin, të dhënat patologjike dhe grupin e gjakut. Para se të shkruante gramaturën, i hodhi një vështrim të shpejtë dhenta pamja e pacientit, gjallërinë e të cilës nuk i shkoi ndërmend ta lidhte me çmimin e ri, përcaktoi:
- Treqind gramë, Beti.
Sytë e pacientit shprehën gëzim.
Atë ditë nuk do t’i vinte infermierja tjetër dhe ai do të punonte vetëmve një shtrat. U kujtua se mund ta thërriste edhe një pacient tjetër e ta shtrinte në shtratin e dytë të qetësohej.
- Beti, thërrit tjetrit.
Përsëri hyrinë burrë. Edhe atë e njihte. Për një orë e një çerek ai mori dy litra e një]qind gramë. E kishte caktuar që për atë ditë të grumbullonte tri litra gjak. Kishte një rezervë prej më se dhjetë litrash dhe ajo sasi përballonte jo vetëm operacionet e mundshme brenda qytetit, por edhe të rrethinës. Spitali nuk përgjigjej për aksidentet që mund të ndodhnin. Në ato raste të sakatuarit i ushqenin me gjak të afërmit e tyre.
Sipas radhës u fut një grua. Përsëri mjekut i shkoi mendja te vizioni që përvodhi në paradhomë. Infermierja e zgjoi:
A t’u them të tjerëve të shkojnë?
Mjeku hezitoi një çast. Vizioni iu ngri diku dhe ai nuk mundi ta shkulte nga sytë e mendjes. Megjithatë ia preu:
Po. Mund të rrinë edhe katër. Të tjerët të shkojnë.
Ai përcaktoi grupin e gjakut të pacientes,pyeti për sëmundjet dhe i bëri një vizitë të shkurtër. Pastaj iu drejtua infermieres:
- Dyqind e pesëdhjetë gramë, Beti.
“Vizioni u duk i dhjeti. Dhjeta e kishte ndihmuar gjithmonë. Në anatomi dhe në sëmundjet infektive, ku kishte shkëlqyer, kishte tërhequr tezën numër dhjetë. Kishte lindur me dhjetë tetor, pra muajin e dhjetë dhe ky numër e kishte ndjekur deri në lotari. U afrua pranë gruas së re. Vizioni që kishte përvjedhur në dhomë u tret dhe vendin e tij e zuri qenia e gjallë. E shikoi gjatë. Gruaja e shmangu vështrimin.
- Shtrihuni këtu, - tha ai duke bërë me dorë nga shtrati. U hutua. Në vend që ta vizitonte e pastaj të përcaktonte nëse mund t’i merrej gjak, ai e kaloi drejt e në veprim. Gruaja e re u shtri, mblodhi këmbët, dhe i mbuloi me fundin e saj dy gishta nën gjunjë. Ajo hasi sytë e mjekut në të sajtë dhe u detyrua të vështronte tavanin, ndërsa ndjeu se hija e tyre po i shëtiste nëpër trup, në fillim flokëve, hundës, gojës, qafës, gjinjve të mbuluar me trikon e lehtë limon, të spërkatur me lule pjeshke, barkut, kofshëve që nuk kishin “formë”, nga që ishin mbuluar me fund, këmbëve me çorape “satapurë” ngjyrë kafe dhe këpucëve të zeza, pak të përdorura. Dhe ndërsa ajo vështronte tavanin, mjeku i ktheu prapë sytë tek sytë e saj.
- Keni dhënë gjak ndonjëherë?
Në përgjigjen mohuese ai tha me vete se “ishte gjynah të jepte gjak një grua e tillë”. E kishte afër. Do t’i thoshte të zhvishej, të shtrinte duart drejt trupit të saj, t’i prekte lëkurën, qafën, shpinën, gjoksin, t’ua dëgjonte zemrën, t’ia shtypte barkun. Por...?! Jo. Gjithçka do të zbehej, do të përhumbej në zanat dhe s’do të mbetej asgjë e fshehtë, joshëse. Papritur e pa veten të përkulur mbi. U largua një hap.
- Dyqind gramë, Beti.
Gruaja hapi sytë si të donte të thoshte “pak, doktor”, por ai bëri sikur s’kuptoi. Pothuajse të gjithë pacientët vinin të shitnin gjakun, se u duhej të jetonin.
Gjaku i gruas kaloi nga damari në shishe. Krahu i saj u mbulua me bluzë, pastaj me trikon limon me lule pjeshke.
Pas njëzetetetë ditëve ajo erdhi për herë të dytë. Përsëri mjeku e vëzhgoi me tundimin të prekte trupin e saj. Përsëri dyqind gramë. Por kësaj radhe, kur ajo u ngrit nga shtrati e po rregullonte veshjen, po atë bluzë, po atë triko, po atë fund, ai e pyeti:
- Përse jepni gjak, zonjë,ju që... – deshi të thoshte “që jeni kaq e bukur”, por ngeci.
- Jam e detyruar, zotni doktor.
Mjeku harroi për një çast motivet që i shtynin këta njerëz të vinin e të shitnin gjakun. Dhe kur ajo doli e ndoqi prapa deri te dera e jashtme dhe deshi t’i shtrinte dorën të ndahej, çka nuk e kishte bërë me asnjë pacient,por ajo ia priti:
- Ju lutem, mos më përcillni.
Diçka e pashpjegueshme shtyri të mos kthehej në klinikë. I la të dy infermieret të mbaronin punë me ata pacientë që njiheshin dhe zbriti në kafe “Kristal”.
Herën tjetër ajo erdhi pas tridhjetë ditësh. Ai ndjeu se atë ditë do të bënte një hap para, por gjatë kohës që ajo qe shtrirë dhe gjaku i saj kalonte nga damari në shishe, ai tundua me mendimin ed prekjes së trupit të saj. Vetëm kur krahu i saj i bardhë u mbulua me po atë bluzë e triko, ai u hodh nga karrigia e tha:
- Kush ju detyron të shitni gjakun, zonjë?!
- Jam e detyruar, zotni doktor.
- S’ka njeri në botë që mund të ju detyrojë pikërisht juve që të shitni gjakun. Ju s’keni...! Ju jeni...! Pastaj ju keni mundësi të tjera. Ju keni...! Ju keni...!
Goja i mbeti hapur. Gruaja e re hapi derën dhe doli. Ai i ra pas në paradhomë, nëpër shkallë dhe ndodh pranë saj.
- Ju lutem mos më përcillni, zotni doktor.
- Fundi i fundit ju mund të..., jo të shitni, por gjejeni vetë fjalën e përshtatshme, ndoshta...po them të manovroni qenien tuaj në mënyrë krejtësisht të padëmshme..., - ai s’po i ndahej.
Ajo u skuq flakë dhe ai ndjeu epërsinë që mund ta bënte të skuqej një grua e tillë, e cila nxitoi hapin dhe kthejnë qoshe. Por ai nuk ia pa lotët që i rrodhën. U kthye. Beti po bënte regjistrimet. U afrua pranë dritares dhe vështroi oborrin e spitalit. Pranvera kishte futur jetë edhe në shpirtrat e të sëmurëve. Që po rrinin nëpër stola.
Mjeku priti dhjetë ditë. U end nëpër rrugë se mos e haste papritur. Gruaja e re nuk u duk në klinikë. Kot që vuri kusht me dhjetë ditë. Në këtë rast nuk e ndihmoi numri i fatit të tij. U mundua të merrte me mend kushtet, rrethanat ku jetonte, të përcaktonte gjendjen familjare... Dhe ajo erdhi pikërisht kur nuk e priste. Një ditë të bukur vere hyri në klinikë dhe pa fjalë u shtri në shtrat e u bë gati. Ai vuri re se ajo ishte dobësuar edhe më.
- Ju nuk duhet të jepni gjak, - tha ai.
- Jam e detyruar, zotni doktor, - dhe ajo mbylli sytë. Ai e vështroi si herën e parë dhe pati po atë tundim. “Njeriu nuk mund të dalë jashtë natyrës së tij”, - tha me vete.
- Po ju them edhe një herë, se nuk është mirë për shëndetin tuaj të jepni gjak. Ju... ju mund të më përgjigjeni në ato fjalë që ju thashë atë ditë. – dhe pa ia vënë veshin Betit që po dëgjonte, ia preu: - Më pëlqeni.
- Ju lutem, zotni doktor, kam ardhur për të më marrë gjak, - tha ajo me një zë të dridhur dhe mbylli sytë e shtrëngoi qepallat.
Mjeku u step. Pastaj tha ngadalë:
- Dyqind gramë, Beti.
Krahu i bardhë i gruas që nuk po hapte sytë ndriti si brisk hëne. Ai nuk pati guximin ta shihte se si Beti shpoi damarin. Doli në oborr, pastaj rrugë dhe shkoi e zuri vend në qoshe pas një shtylle që ajo të mos e shihte kur të dilte.
Kur gruaja e re mori kthesën pas spitalit, ai i ra pas deri sa ajo kaloi rrugën e asfaltuar dhe ktheu në] një rrugicë të lagjes me shtëpi përdhese. Mendimi se mësoi ku banonte e qetësoi pak. Zbriti në kafe “Kristal”. Nuk ndenji shumë dh u nipër shtëpi.
Atë natë e shtyu gjumin deri vonë. Iu tek të lexonte një libër të vjetër për disa vrojtimi mbi psikikën. E hodhi me neveri. Qenia e tij i kundërshtoi të dhënat në atë libër. Iu duk se edhe vetëto bëhej objekt i vëzhgimeve.
Të nesërmen e bija e avokatit e thirri në telefon, por ai gënjeu se kishte punë dhe nuk shkoi. Tri ditë u end si nëpër një mjegull, pastaj iu resht punës si i ndërkryer në studimin që po bënte për disa ndryshime të gjakut të malarikëve. Por gjatë gjithë kohës nuk e la të qetë “vizioni i paradhomës”.
Pa qenë plotësisht i vetëdijshëm ai përshpejtoi procesin e marrjes së gjakut, sikur kjo ta ndihmonte që vizioni të dukej më shpejt, por vizioni ordhinë fund të verës, kur ai kishte kryer gjysmën e studimit. Numri i fatit të tij kishte zbritur në tetë. Gruaja e re hyri brenda dhe zuri vendin. Atë ditë i kishte vizituar të gjithë pacientët, të njohur e të panjohur.
- Ju lutem zhvishuni për vizitë, - i tha Beti gruas. Ajo u çua ulur. Mjeku u afrua dhe qëndroi disa çaste. Tundimit të dikurshëm i ishte zbehur diçka.
- Jo,nuk ka nevojë për vizitë. – tha ai dhe u ul në tavolinë të bënte vetë regjistrimin. Gruaja iu duk edhe më dobësuar. Kur “brisku i bardhë i hënës” u mbulua,ai tha prerë:
-Ju duhet të ushqeheni më mirë.
Gruaja e vështroi mjekun si me çudi. U takuan sytë. Të sajtë thanë: “Jo, ajo që mendon ti nuk mund të bëhet. Mjeku u çapit te dritarja. Vjeshta po përgatitej të vinte.
“Ajo po shet veten pikë për pikë e grimë për grimë!”, - tha ai me sytë në kupë të qiellit. Në kaltërsi iu duk se figura e tij nuk ishte më e mjekut, por e dikujt tjetër që pa kuptuar ishte futur në të. Por edhe ajo tjetra nuk ishte figura e gruas së re. Diçka kishte ndryshuar në mendimet e tij.
Ai u thyet atë natë edhe më në studimin e tij. Mostrat e gjakut, njerëzit që kishte vizituar, fëmijët e sëmurë, gratë shtatzëna me anemi Kule, shitësit e gjakut..., të gjitha e hodhën në vorbullën e gjerë të mendimeve. Gruaja e re e tundonte. “Njeriu nuk mund të dalë nga lëkura e vet”. Por ky mendim i solli tjetrin: “A mund të dalë jashtë mjedisit, jashtë natyrës së njerëzve që e rrethojnë?” Përfytyroi fytyrat e pacientëve, gjendjen e tyre familjare, ekonomike e shoqërore dhe u ndal te vizioni i gruas së re. Iu bë e qartë se ajo nuk mund të dilte më nga mëhalla me shtëpi përdhese. Pikërisht në ato çaste e kuptoi se ajo qe ligur dhe nuk mund të shite më gjak. Dhe disi iu duk se kishte bërë krim duke i marrë gjak asaj që nuk kishte për vete dhe përfytyroi se si do të lëngonte, të shtrihej në shtrat dhe të bëhej objekt i studimit të tij.
Vjeshta kishte shkelur një javë në shtratin e saj së bashku me erërat e shiun. Ai iu afrua spitalit. Vizioni i gruas ia mbushi perspektivën dhe ai deshi ta largonte, por e kotë. Gruaja qe atje. “Fantazma e mëhallës me shtëpi përdhese kishte mbirë aty!” Atë ditë kishte anuluar seancën e marrjes së gjakut. Kur u afrua zbehtësia e saj i ra në sy menjëherë. Iu duk se ajo po dridhej.
- Paske ardhur?! – tha ai pa kurrfarë kuptimi.
- Po, - zëri iu drodh, u skuq si atëherë kur tha “më merrni gjakun, zotni doktor”.
- Sot s’ka seancë për marrje gjaku, - tha mjeku dhe diçka zemërimtare e cyti.
- Isha e detyruar të vija, - tha ajo.
- Të shesësh gjakun edhe kur nuk ke?! – bërtiti mjeku
Ajo çoi sytë. Buza iu drodh, qepallat iu përpëlitën, të zbehtit e të skuqurit luftuan në fytyrën e saj. Mërmëriti:
- Kam nevojë, zotni doktor.
- Eja. – e urdhëroi ai me zë të stisur.
Mjeku e la gruan e re në paradhomë. Hyri brenda dhe iu afrua Betit që po merrej me klasifikime. Nxori nga xhepi disa bankënota.
- Të lutem Beti, thirre atë dhe jepja këto.
Ia lëshoi në dorë të hollat dhe u drejtua nga porta që shpinte në sallën e operacioneve, jo i bindur plotësisht se gruaja e re do t’i pranonte.
- Kujt, zotni doktor? Asaj së bukurës? – pyeti Beti, por ai nuk e pati mendjen kur Beti numëroi të hollat. Me ato blihej një’ litër gjak.
Kaloi prapa spitalit, andej nga morgu. Pa orën. Kishte kohë të zbriste deri në sallën e bashkisë, ku do të diskutohej për estetikën komplekse të njeriut modern në kërkesat e tij për rregullimin e qytetit. Ashtu i shpartalluar, i dërmuar, i goditur diku në thellësi, ndjeu nevojën të kishte pranë një shok që t’i bënte pak humor e ta fuqizonte shpirtërisht.
Në sallë zuri vend në rreshtin e fundit. Pothuajse tërë të pranishmit ishin të njohur. E bija e avokatit i hodhi një sy të shpejtë që nga presidiumi dhe i dha të kuptonte që ta priste kur të mbaronin. Kur filluan të flisnin,ai e humbi fillin, u zhyt diku në vete dhe nuk qe në gjendje të ndiqte bisedën. Ata po flisnin aq larg sa që atij iu duk se po thoshin gjëra të pakuptueshme. Papritur i erdhi një e qeshur dhe ai qeshi me zë, pa pasur fare turp nga të pranishmit që kthyen kokat. U ngrit e doli jashtë. U nis sheshit teposhtë rrugës duke shkelur nëpër gjethet e para të rëna të vjeshtës me një qeshje dehëse dhe me një vaj që iu dha në fillim në zemër, pastaj në sy e në buzë.


****

Poezi nga Agim Gjakova


MOTIVET E QYTETIT TIM

Janë gurët e lumit që kanë marrë ngjyrën e historisë
janë degët e manave ku janë thyer hovet e dashurisë
janë rrënjët e hardhive ku kanë rrjedhë pika djerse
janë kalldërmet dhe boshtet e grave tjerrëse
janë gjilpërat që kanë shpuar sytë e vajzave në gjergjef
janë lotët e derdhur dasmave me def
vetmia është gdhendur natën në ndonjë bankë
balli është gjakosur e ka mbetur me dangë
itarë janë mbështjellë qafe e plumbi vësh në kraharor
ka rënë shi, vetëtimë, kanë çelë lule edhe nëpër borë
ka dalë diell, kanë krisë këngë plot zjarr...
dhe unë kam mbetur një motiv në emrin e tij varë!



LETËR E PADËRGUAR

mos ma përbuz dashurinë
që ta dhuroj pa interes e pa kamatë
në daç kur dielli ta rrezit fytyrën
në daç në mesnatë,

mos m'iu përvish zemrës
që është e hapur e hapur përjetësisht
në daç ngjite tënden përgjithmonë
në daç miqësisht,

mos ma ftoh shpirtin
që të mbulon dymbëdhjet shekuj ngrohtësi,
se gjaku nuk bëhet ujë
e unë s'ndryshoj dot në tjetër njeri.


AKUAREL

Ndodhet ujë urë e rrëzuar me topa
pranë sajë një shtëpi e rrezbitur me gjoba
ndodhet një mur i shembur nga yrrfija
pranë tij një lis i prerë nga bashkia
ngrihet murana ku vranë një grua
pranë saj i argjendtë buron një krua
varë në trug të kohës nga nuk e rreh shiu
sharkisë i vringëllojnë telat kur fryn veriu.


THIRRJE

O zog, ma jep ëmbëlsinë e çerdhes maje peme
po të bëj roje syhapë kundër gjarpërinjve
po t'i tremb sqifterët, sorrat, gjeraqinat,
shkarpat po t'i lyej me dyll blete
po t'i vesh palë palë, me lesh të butë
rryezë trungu ditenatë po të rri zgjutë!...

Era tund degën e çerdhes së verdhë
ia lëkund dy fije kashtë,
ciu-ciu shpërndahet lugjeve të çabratit...
i buzëqesh jehonës me këtë dëshirë të lashtë.


HAKI TAHËS

Kur mundohem të zhbij të vërtetën e përfytyrimit
rrëmbehem, dridhem, shkrihem "krejt s'dlirtit",
po të më vënë një bashkë resh në plagën e shpirtit
nga sytë do të më rigojë shiu i përmallimit.


EDHE NJË HERË

Faleminderit, nënë,
më rrite të fortë përballë së vërtetës
nënë, faleminderit!

Ti ishe madhështia që më bëri burrë
më mësove të tëharr
gramin e jetës që ndërgjegjën të mos ma zërë,

nënë, faleminderit!

Dhe unë në piedestal
të vura më të fortin gur
një copë të zemrës.


ERDHE MOJ NËNË NGA GJAKOVA

Erdhe moj nënë nga Gjakova!
Rrudhat e tua
përrenjtë e lotëve dhe djersës
që rrodhën të rrëmbyer
nga malet e brengave
në lumin e jetës,
sytë e tu
burime të ngrohta të qëndresës
që gufuan pa u ndjerë
nga shpella e ngjarjeve
ende pa u rrëfyer.

Erdhe moj nënë nga Gjakova!
Hapi yt
gjëmim i tokës që s'heshti
as para kërcënimit të trefishtë të vdekjes,
duart e tua
mjeshtre që përkëdhelën djem të epokave
që u dogjën në diell të mesditës,
zëri yt
përmbledhje jehonash në këmbanë të kohës
që tingëlloi gjatë
si inçizim i sakrificave
në peshën e dashurisë së tokës.

Erdhe moj nënë nga Gjakova!
Flokët e thinjur si rreshta të rrallë
tezash të kësaj jete
paralele që sosën e zhyten në hemisferën-ballë
ku jetojnë tërë gëzimet e hidhërimet
që shekujve ka peshuar Kosova.


KUR VALVITET FLAMURI

Kur valvitet flamuri
hedhin valle të gjithë dëshmorët
me gëzim të mallëngjyer nënat qeshin
vajzat mëkojnë dashurinë e fortë si guri,
kur valvitet flamuri
petkun e luftëtarit burrat veshin
nuset lidhin shaminë e kuqe në kokë
fëmijëve sytë u xixillojnë
nën hijen e ti djemtë matin burrërinë.



BJESHKË, MORI BJESHKË


A thua vetëm për trimëri
keni zbardhur kokën me mjegull e borë
o Bjeshkë e mia!

A thua vetëm për këngë
keni çarë kurrizet me thepa madhështorë
o Bjeshkët e mia!

Sa shekuj mallkime
përplasen kohrat mbi majat tuaja
e ju nxorët nga brinjët vetëm urime
vetëm urime!

Sa shekuj tradhti
përplasen kohrat mbi shpinën tuaj
e ju nxorët nga gjokset vetëm freski,
vetëm freski!


Kur dua të hap zemrën
vij në gjirin tuaj
o Bjeshkët e mia,
besnike si heshtja
besnike si jeta...

dhe fjalën time e ktheni jehonë
e lëshoni ushtimë nën ato kreshta!

ODISEU IM : Më ike kaq papritur i dashur mik

Image result for avdullah zeneli


Abdullah Zeneli, lindi më 25 mars të vitit 1952, është poet, prozator dhe editor i shtëpisë botuese Buzuku, Prishtinë, Kosovë. Ka kryer studimet e larta në Fakultetin Filologjik të Prishtinës, dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe.

Nga viti 1973 ka punuar në shtëpinë botuese "Rilindja"

Shkrimin e parë letrar, poezinë 'Rrëfime kohe' e botoi në revistën letrare shqiptare 'Jeta e re' në kohën kur ishte nxënës i normales së Prishtinës (1967-1971).

Në shtypin dhe periodikun shqiptar i janë botuar rregullisht poezitë e Zenelit .

Botoi përmbledhjen me tregime 'Gryka e Drinit' - Rilindja, Prishtinë, 1990

Permbledhja e dytë me tregime Odiseu i Bjeshkëve të Nemuna - u botua nga ne Prishtinë më 1997
Më 2000 botoi një libër impresionesh nga jeta 100-ditëshe si refugjat në Korçë (prill-korrik 1999) me titull Toka shqiptare (Nositi - D.I.J.A. Poradeci, Pogradec, 2000) përkthyer edhe në rumanisht: Glia albaneză (Bukuresht, 2007).

Ka kontribuar shumë në veprimtarinë botuese shqiptare veçanërisht me shtëpinë e parë botuese postkomuniste Buzuku (themeluar më 1990), duke krijuar një klimë të re në fushë botimesh në gjithë hapësirën shqiptare. Poet ndijimesh të thella, kritik dhe polemist i pakursyer.

Ka në dorëshkrim dy romane (Zjarri i Marietës dhe Portreti i artistit në fluturim), dy drama (Nëna lutet për ne dhe Anabela), shumë tregime të shkurtra, poezi, vështrime kritike për libra të botuar tek Buzuku si dhe një mori artikujsh gazetaresk e intervistash në mediumet e shumta shqiptare.

Është  themelues i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, njëkohësisht koordinator i panairit të librit të Prishtinës, i cili që nga viti 1999 i ofron Kosovës dhe lexuesve të shumtë të saj të arriturat e fundit në fushë botimesh.

ODISEU IM - KUSHTUAR BEKIM FEHMIUT



Poezi nga ABDULLAH ZENELI



Më ike kaq papritur i dashur mik

Benedikti im plotni zgjuarsie

Aventurier i puplave të shpupurishura

Që zhdavarisin qiejt e pafundësisë



Fama s’është gjë para flijimit n’altarin e pleqërisë

Për kremator kemi kohë sa të duash

Mik i dashur qoftë ai edhe në Beograd

Rrugë e gjatë të ndoqi deri në frymën e fundit



Më flisje për Prizrenin Sarajevën Shkodrën

Prishtinën në kapërcim se qenë kohë të tjera

Nga Sartri në Kanë Romë e Nju-Jork

Metropole pa fund deri tek Saharaja përcëlluese



Po Itakën do ta ruaje për Fund Odiseu im

Ne si Penelopa po thurim e shthurim rezoluta shpallje dekrete

Sikur më thoje shpesh se në këtë botë s’mbetet asgjë sekrete

Ndaj i hyre shkrimit testament për rrugët e famës



"E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme" po është aventura

E artit të skenës e artit të celuloidit

Mik më ike mes kuqëlimit të qershive e aromës së blirit

Pak ditë pasi të nisa eletrën e mbramë



Nuk e dija se do të qe urimi i fundit miku im i shtrenjtë

Tani Lumbardhi pret urnën në paqe aty ku nise Lojën e Madhe

Nga hiri tek hiri miku im plot hire me atë deklamimin tënd mitik

"Kurrë më", "O flamur shkabë" dhe "Po, pasha bacën! Po!"

"Sikur të isha djalë"


Haki Stermilli (1895 - 1953)
shkrimtar patriot dhe demokrat. Lindi në Dibër të Madhe ku mori mësimet e para, kreu gjimnazin turk në Manastir. Në vitet 1920-1924 hyri në lëvizjen demokratike dhe u bë një ndër drejtuesit e shoqërisë "Bashkimi". Pas dështimit të Revolucionit Demokratiko-Borgjez të qershorit 1924 si emigrant politik në Bashkimin Sovjetik, Itali, Austri, Jugosllavi e gjetkë, e vijoi luftën kundër regjimit zogollian dhe bashkëpunoi në faqet e "Lirisë kombëtare" dhe "Federacioni Ballkanik". Më 1930 policia jugosllave ua dorëzoi autoriteteve të Ahmet Zogut që e dënoi me burgim. Haki Stërmilli mori pjesë si partizan në Luftën ANÇ, ishte anëtar i KANÇ-it.

Hapat e parë në letërsi i bëri në fillim të viteve 20, me drama ("Dibranja e mjerueshme", 1923, "Dashuni e besnikri"1923, etj.), në të cilat i bëhet jehonë luftës heroike të dibranëve kundër shovinistëve serbë. Shkroi edhe librin "Burgu" (1935). Vepra e tij më e shquar është romani "Sikur t'isha djalë" (1936), ku kritikohen rreptë despotizmi familjar, normat e moralit sundues që ndrydhnin personalitetin e femrës shqiptare. Romani u prit mirë nga shtresat demokratike dhe shpejt u bë një nga veprat më të lexuara të kohës. Më 1968 u botua romani "Kalorësi i Skënderbeut". Në të dy këto vepra autori ka bërë përpjekje për një pasqyrim me vërtetësi të jetës, por nuk i ka shpëtuar një fryme sentimentaliste. Problematika e re e gjeti pasqyrimin në dramën për fëmijë "Trashëgirntarët tanë" (1950), ku trajtohet pjesëmarrja e fëmijëve krahas të mëdhenjve në luftën kundër zgjedhës fashiste. Mbajti një ditar që u botua me titullin "Shtigjeve të lirisë" (1966), me vlera njohëse e letrare. Në të autori rrëfen për ngjarje të rëndësishme të historisë së Luftës ANÇ në vitet 1943-1944, për patriotizmin dhe heroizmin e popullit. Haki Stërmilli la të papërfunduara disa vepra letrare e historike.
Sikur t’isha djalë.jpg
Romani "Sikur të isha djalë" ishte një jehonë e kësaj lëvizjeje shoqërore dhe një nga veprat ku ajo u pasqyrua më gjerë e në mënyrë të drejtpërdrejtë. Romani ka formën e një ditari, të mbajtur nga personazhi kryesor i tij, vajza e re, Dija. Nëpërmjet shënimeve të saj lexuesi njihet me jetën e përditshme të një familjeje të zakonshme qytetare shqiptare, ku ndihet edhe prapambetja e theksuar shoqërore, edhe pozita e mjeruar e gruas në familje, e cila duhet të bëjë një jetë të mbyllur brenda mureve të shtëpisë e sipas ligjeve patriarkale.

Bota shpirtërore, ndjenjat dhe dëshirat e saj duhet të ndrydhen e të shuhen, ndryshe shfaqja e tyre shkakton skandal në familje dhe në shoqëri. Për sa kohë jeton në familjen e saj, duhet të vendosë për gjithçka babai, e kur të martohet, të vendosë burri. Kështu, ajo është një skllave, që duhet të lindë fëmijë të cilët do të bëhen përsëri viktimë e këtyre ligjeve të egra sunduese në shoqërinë shqiptare të viteve `30. Dija, ashtu si qindra e mijëra vajza, vuan nga këto ligje të egra, që nuk pyesin për ndjenjat, për dashurinë e për dinjitetin e saj. Por në dallim nga ato, ajo nuk do të nënshtrohet, nuk do të mbysë gjithçka që për të është e shenjtë dhe nis të kundërvihet. Kundërvënia ndaj rregullave e ligjeve patriarkale fillon që me dëshirën e saj për të vajtur në shkollë, me përpjekje për të zgjeruar kulturën nëpërmjet librave, me protestën për të mos u mbuluar me ferexhe etj.

Dashuria për Shpendin, të cilin e njohu rastësisht te shoqja e saj, megjithëse duket sikur ia zbukuron e ia pasuron jetën e mjerë prej jetimeje e prej vajze të mbuluar me ferexhe, kthehet në një tragjedi për të. Nga njëra anë dashuria e saj bëhet tepër dramatike për shkak të fanatizmit të egër, izolimit brenda mureve të shtëpisë, nga ana tjetër, mungesa e ndonjë shprese se mund të bashkohej ndonjëherë me Shpendin në kushtet kur për gjithçka duhet të vendoste i ati, i cili as që mendon se vajza mund dhe duhet të ketë ndjenjat dhe dëshirat e saj që duhen nderuar. Vendimi i tij për ta martuar Dijen me një burrë të moshuar, sepse është tregtar i pasur, e shkatërron përfundimisht jetën e saj. Gjithnjë e hajthme, e dobët, e trishtuar, e zhytur në mendime të zymta e munduar nga pamundësia për t'u takuar me të dashurin e saj Shpendin, dhe me parandjenja se gjithçka do të përfundonte keq, e fyer vazhdimisht nga njerka e saj, e fyer nga i ati, e papërfillur dhe e përbuzur nga shoqëria, ajo sëmuret rëndë nga tuberkulozi dhe vdes, pak kohë pasi e kanë martuar me përdhunë. Edhe përpjekjet e disa njerëzve me pikëpamje përparimtare të fisit të saj, edhe përpjekjet e Shpendit për ta rrëmbyer e për të kur nga Shqipëria dështojnë. Fati i çdo vajze ishte përcaktuar ; nënshtrimi dhe bindja ndaj ligjeve patriarkale, mbytja e dëshirave dhe e dashurisë, ndryshe e priste turpërimi dhe asgjësimi fizik. Por kjo kundërvënie tragjike e humbet, deri diku, forcën e saj për shkak të disa dobësive artistike të romanit siç janë p.sh. mendimet e zgjatura, arsyetimet moralizuese ; që janë dhënë nga pozita sentimentale e jo realiste, të cilat shpesh zëvendësojnë veprimin konkret të personazheve me ankime, psherëtima etj. Megjithatë vepra, sidomos në kohën kur doli, e tronditi opinionin publik dhe pati një jehonë të madhe te lexuesi shqiptar, pasi heroina e tij tregohet e vendosur në luftën e vet kundër botës së vjetër, kundër normave etiko-morale të saj, pavarësisht se nuk arrin dot dhe s'kishte se si, në mënyrë individuale, të gjentë një rrugëzgjidhje për një problem aq të rëndësishëm shoqëror. "Duhet të luftojmë në daçim të rrojmë si njerëz" - shkruan ajo në ditarin e saj. Por dihet që kundërvënia individuale ndaj shoqërisë është gjithmonë dramatike ose tragjike. Asnjë mjet, asnjë motiv që sjell autori në vepër, nuk e shpëton dot. As largimi nga vendi. Kritika ka pohuar disa herë që autori nuk arrin të sjellë një zgjidhje të drejtë me arratisjen e Dijes dhe Shpendit jashtë vendit. Po, në të vërtetë, ky nuk është një gjykim i saktë.

Autori pikërisht duke sjellë dështimin e kësaj përpjekjeje, i tregon lexuesit se s'mund kurrsesi që kjo të jetë zgjidhja. Ky motiv është ndoshta nga më realistët në roman. Jo ikja nga e keqja, po përplasja e lufta me të mund të sjellin ndryshime në ligjet dhe opinionin e egër e të prapambetur shoqëror. Dija është personazhi më i realizuar në roman, me një botë të bukur shpirtërore, me një psikologji të qartë dhe natyrë tërheqëse. Ajo i kundërvihet krejtësisht mjedisit ku u rrit dhe demaskon gjithë mënyrën e organizimit të jetës familjare e shoqërore shqiptare. Personazhet e tjera si Shpendi, Irena, babai, njerka etj., janë më tepër skicime.

Proza e Stërmillit ka tiparet e një proze sentimentale me meditime të shumta e përshkrime të imta të vuajtjeve e të dashurisë, po edhe me shprehje moralizuese e deklarime retorike, të cilat i japin asaj ngjyra pak artificiale dhe mangësi në zbërthimin psikologjik të personazheve. Megjithatë, aty ka mjaft ndjenjë e dhembje të sinqertë, gjë që e tërheq lexuesin. Këto tipare lidhen, në radhë të parë me natyrën artistike të Stërmillit si shkrimtar sentimental. Po, duke qenë se ato ndihen edhe në disa prozatorë të tjerë të viteve `20-`30 si Postoli, Grameno, deri diku edhe te Spase etj., mund të themi se janë edhe tipare të prozës sonë ende të dobët, e cila në këtë kohë megjithëse përpiqet të trajtojë probleme shoqërore të rëndësishme të realitetit shqiptar, mbeti sentimentale.(Flori Bruqi)

"Hoteli Spasse" i Sterjo Spasses

Fotoporteti
Sterjo Spasse (Gollomboç, 16 shtator 1914 - Tiranë, 1989) ka qenë arsimtar dhe shkrimtar shqiptar.

Spasse ishte me prejardhje maqedonase, i lindur në Gollomboç, njëri nga fshatrat maqedonishtfolës buzë liqenit të Prespës.

Sterjo shkollën fillore e kreu në Korçë, ndërsa shkollën Normale në Elbasan. Më pas nisi punë si mësues në fshatin Derviçan në jug të Gjirokastrës, ku nisi të shkruante romanin që njihet shkurt Pse!?. Më vonë nisi një kurs me korrespondencë për pedagogji në Firencë të Italisë, por nuk arriti të marrë provimet e fundit. Me Kutelin, Kokonën dhe Hakiun qe bashkëthemelues i të përkohshmes "Revista letrare" në Tiranë më 15 shkurt 1944.

Në fundin e vitit 1944, pak pas fitores komuniste, ai e kishte botuar veprën e tij të parë të realizmit socialist në organin partiak, gazetën "Përpara" të Korçës: Si e pashë Tiranën e porsaçliruar.

Po pas lufte punoi në Min. e Arsimit e Kulturës për hartimin e teksteve shkollore me Aleksandër Xhuvanin, Dhimitër Shuteriqin e Qemal Draçinin. Punoi gjithashtu në revistat pedagogjike dhe letrare: "Shkolla e re", "Arsimi popullor", "Literatura jonë", "Nëntori", etj. dhe pranë Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë. Ndërsa kohën e fundit e kaloi në Tiranë, si shkrimtar me profesion të lirë.

Vepra

Veprimtaria letrare e Sterjo Spasses është e shumëllojshme. Shkroi punime pedagogjike, tekste shkollore u muar me përkthime, shkroi artikuj të ndryshëm, monografi, tregime, romane etj.

Veprimtaria e tij, sidomos ajo letrare zë fill që nga vitet tridhjetë të shekullit të kaluar. Kjo ishte një periudhë në të cilën Sterjo Spasse u dallua me krijimet e veta, sidomos në fushën e tregimit dhe atë të romanit. Botoi katër përmbledhje tregimesh: "Kuror rinie" (1934), "Në krahët e një femre" (1934), "Nusja pa duvak" (1944) dhe "Të fala nga fshati" (1958) si dhe dhjetë romane: "Nga jeta në jetë - Pse!?" më 1935 - që mbahet si kryevepra e tij, "Afërdita" (1944), "Ata nuk ishin vetëm" (1952), "Afërdita përsëri në fshat" (1954), "Buzë liqenit" (1965), "Zjarre..." (1972), "Zgjimi" (1973), "Pishtarë" (1975), "Ja vdekje ja liri" (1978), dhe "Kryengritësit" (1983).

Sipas Trebeshinës, romani "Harbutët" që Spasse shkroi që më 1946 i cili nuk i botua për shkak të një preference të pandehur të parisë politike ndaj Dhimitër Shuteriqit[2].

Redaksia e Botimeve "Rilindja" i botoi më 1968 një komplet veprash në tetë vëllime, ndërsa herë pas here ka botuar vepra të ndryshme.[4] Më 1980-1985 iu botuan po ashtu në Tiranë botimi integral "Vepra" me nëntë vëllime. Më 1980 iu përkthye në anglisht romani "Zgjimi".

Veprat

Kurorë rinije. Biblioteka e të rinje Nr. 1. (Peppo & Marko, Korçë 1934, ribotim Prishtinë 1968) 29 ff.

Nga jeta në jetë - Pse!?, Me parathënie nga Vangjo Nirvana. (Drita, Korçë 1935, rebotim Prishtinë 1968, 1986, Tiranë 1995) 193 ff.

Afërdita. Roman (Luarasi, Tiranë 1944, rebotim Prishtinë 1956, 1968) 191 ff.

Nusja pa duvak. Novela. (Luarasi, Tiranë s.a. [1944]) 111 ff.

Ata nuk ishin vetëm, roman (Naim Frashëri, Tiranë 1952, rebotim Prishtinë 1968) 272 ff.
Afërdita përsëri në fshat. Roman (N.Sh.B., Tiranë 1954, rebotim Prishtinë 1968) 320 ff

Buzë liqenit, roman 1965

Sokolesha, 1966

Të fala nga fshati, 1968

Zjarret. Roman. (Naim Frashëri, Tiranë 1972) 356 ff

Ja vdekje, ja liri, roman 1978

Kryengritësit, roman 1983

O sot, o kurrë !, roman 1989

Letra nipit tim Arian në Tiranë nga Maqedonia dhe Kosova, 1975

Zgjimi. (Naim Frashëri, Tiranë 1974) 501 f

Pishtaret, roman

(Flori Bruqi)



Sterjo Spasse, asgjë s'ka ndryshuar pas vdekjes



Në rrugicën e përbaltur, të rrethuar nga ndërtimet gjigante një pllakë e mermertë tregon se në këtë rrugicë pa krye ka banuar shkrimtari i madh Sterjo Spasse. Shtëpia njëkatëshe ka një oborr të madh të mbjellë me portokalle.

Ndodhet në rrugën "Him Kolli", segment që lidh rrugën e Kavajës me "Myslym Shyrin". Derën na e hap Ilindeni, djali i vetëm i shkrimtarit të madh. Ka thuajse të njëjtën pamje. Flokët kanë nisur t'i bien, ndërsa në sy edhe gojë i ngjan shumë të atit. Ilinden ose dita e Shën Ilias. Kjo ditë festohet nga kombi maqedonas jo vetëm sepse është ditë e shenjtë, por përkon edhe me kryengritjen e tyre ndaj turqve. Ilideni na tregon studion e Sterjos. Një tryezë dërrase, portreti i një tjetër shkrimtari të madh dhe mik i Sterjos, Nonda Bulkës, ndërsa dorëshkrimet janë sistemuar dhe ruhen me kujdes. Në shtëpi nuk ka ndryshuar asgjë. Një biblotekë e lyer me hidromat të bardhë me rreth 2000 tituj rrethon atë dhomë të vogël që në kohët e sotme quhet "sogiorno", ndërsa sipër rafteve tavani i dërrasës ka nisur të bëjë bark. Këtë shtëpi shkrimtari i viteve '30 e ka blerë në 1954-n.


I lindur më 1912-n dhe i rritur në Gllomboç, fshat i vogël anë liqenit të Prespës, shija e shkrimtarit lidhej pikërisht me traditën e zonës: cironka të thara e të tymosura. E shoqja e Ilindenit tregon se Sterjo nuk kishte absolutisht pretendime për ushqimin. Sterjo "pinte pak cigare në ditë, por, kur u sëmur me zemër, e la fare". Ndërsa "raki pinte vetëm gjysmë gote në ditë" siç thotë i biri. Shkrimtari pëlqente më shumë t'u jepte shokëve për të pirë. "Nga ora 6 deri në 10 të mëngjesit babai lexonte, pastaj sërish lexonte, lexonte... Ndonjëherë i pëlqente të lante enët, të merrte pluhurat dhe të krasiste pemët në oborr. Më pas rrinte me shokët dhe miqtë hallexhinj që vinin nga fshati, na thotë Ilindeni. Kur e pyesim mbi ngjashmërinë me të atin, Ilindeni qesh, duke na thënë se nuk i ngjan fare. "Më shumë babait i ngjan Ariani, djali im, jo vetëm në paraqitje, por edhe si tip. Unë kur kam objekt pune jam si babai: punoj shumë, ndërsa ai, edhe kur nuk kishte objekt pune, lexonte shumë. Dhe ky është ndryshimi im me të", sqaron Ilindeni.



Në Maqedoni është traditë që gratë marrin emrat e burrave me një prapashtesë, thërrisnin Sterjovica. Komshinjtë edhe sot nuk e mbajnë mend emrin e vërtetë të gruas, e cila e fliste shumë pak shqipen. Sterjovica emrin e vet e kishte Nikolina apo, siç njihet në zonën e Prespës, Nikolina e Llazo Dudes. Gruaja e shkrimtari nuk kishte asnjë klasë shkollë. Ajo u fejua me Sterjon në 12 gusht 1928 kur ishte 15 vjeç e gjysmë, ndërsa Sterjo vetëm 16. "Prindërit kishin shumë diferencë kulturore, por megjithatë s'i kemi dëgjuar asnjëherë të grinden me njëri-tjetrin apo të shkëmbejnë ndonjë batutë", thotë gruaja e Ilindenit, Maria. Sterjo dhe Sterjovica bënë tre fëmijë, një djalë e dy vajza. Sterjovica u mësonte fëmijëve e më pas nipërve e mbesave, maqedonisht. Komshinjtë e mbajnë mend Sterjon tek përcillte në fund të rrugicës miqtë e largët, studentët e zonës së tij dhe hallexhinjtë e ky ishte vendi ku ata puqeshin thuajse çdo orë të ditës, ndërsa në dimër shkrimtari mbante supeve xhaketën e lëkurës. Shkrimtari i madh i romanit të rrallë filozofik "Pse" vdiq në 1989-n, por dera nuk iu mbyll asnjëherë. Gjuhëtari Mahir Domi, njëkohësisht edhe shok i tij i Normales, e vizitonte shpesh familjen e Sterjos. Ndërsa i madhi Mitrush Kulteli , kishte shkuar në shtëpinë e mikut të tij Sterjo sikur e parandiente ndarje.(Rezarta Delisula)





"Hoteli Spasse" i Sterjo Spasses




Miku i tij i shtrenjtë, Nonda Bulka, e quante me të drejtë "Hoteli Spasse". Dhjetëra vetë në ditë trokisnin në portën e shtëpisë private, aty në kthesinën e rrugës së Kavajës, ku banonte shkrimtari Sterjo Spasse. Në më të shumtën e rasteve, ishin nga Gllomboçi, fshati ku kishte lindur njeriu që shkroi romanin e parë filozofik shqiptar, "Pse?!". Spasse ishte larguar nga fshati buzë Prespës, që në moshën 10-vjeçare, e s'ishte kthyer më për të jetuar atje.
"Rekordi ka qenë kur njëherë ndenjën për të fjetur 16 vetë", tregon djali i shkrimtarit Ilindeni, duke kujtuar se atë natë të gjithë po vrisnin mendjen se ku t'i vendosnin mysafirët. Por si gjithmonë, në shtëpinë e Spasses do të kishte vend për të gjithë. Shtëpia edhe tani pas 52 vjetësh, është po ajo: Me një oborr të gjerë përpara dhe me një lulishte të bukur me portokalle për të cilën kujdeset bashkëshortja e Ilindenit, Maria. Së bashku me të shoqen Nikolina dhe me fëmijët e tij, Spasse ishte vendosur në këtë shtëpi në vitin 1954, pas 9 vitesh jetese me qira, që nga 1 janari i vitit 1946, kur ai kishte marrë në Tiranë edhe familjen. "Babai e zgjodhi këtë shtëpi me Mitrush Kutelin", kujton Ilindeni. Shkrimtari kishte vënë ca para mënjanë nga romani "Ata nuk ishin vetëm", por ato nuk mjaftonin. "Mitrush Kuteli dhe Mahir Domi i dhanë para borxh për ta blerë shtëpinë", tregon djali i shkrimtarit. Ndërkohë, Sterjo Spasse, kishte pasur mundësi të blinte një shtëpi më të lirë nga ato të të shpronësuarve, por asnjëherë nuk kishte pranuar të bënte një gjë të tillë. Shtëpia tip elbasanase dhe e ndërtuar me qerpiç kishte dy dhoma e një kuzhinë. "Ajo kushtoi 180 mijë lekë. Atëherë aq para janë sa 180 milionë sot", thotë Ilindeni.
"Pse do ta shisje ti", e pyet e shoqja, Maria, ndërsa ngre kokën mbi një vazo lulesh me të cilën po merret prej më shumë se gjysmë ore. Ilindeni buzëqesh, duke kthyer përgjigjen që ajo e dinte shumë mirë. Nuk mund ta shesë shtëpinë. Kujton se i ati e donte shumë këtë strehë. I pëlqente se kish diell, gjelbërim. "Ndonjëherë krasiste barin, sa të gjendej me punë", kujton ai. Aty kishte gjetur qetësinë që i mungonte që prej moshës 10-vjeçare, atëherë kur ishte larguar nga shtëpia për të studiuar dhe ku jetonte sa andej-këndej.
Fillimisht kishte shkuar në Korçë, më pas në Elbasan ku mbaroi edhe Normalen, ndërsa më vonë u transferua me punë në Gjirokastër. Atje ishte mësues i Gjuhës Shqipe. "Shtëpi" e tij ishin konviktet ose hanet. Në atë kohë, e gjente veten shumë herë më mirë sesa në shtëpinë e tij në Gllomboç, ku zienin fjalët për martesën e tij. E kishin fejuar me Nikolinën, vajzën me të cilën lozte kur ishte fëmijë. "Jam fejue me 12 gusht 1928. Atëherë unë ishjem 16 vjeç, kurse e fejuemja e eme 15 vjeç e gjysëm. Jam fejue më tepër me dashjen e prindërve se sa me dëshirën time", shkruan në kujtimet e tij shkrimtari i njohur ("Im atë Sterjo", fq. 35). "Babai im edhe e donte, edhe s'e donte nënën time", tregon Ilindeni. Në këtë dyzim dashurie, disa muaj para martesës, ai filloi të shkruante romanin që e përjetësoi si shkrimtar, "Nga jeta në jetë. Pse?!". Në shumë vepra të tij ai vendoste personazhe reale, dhe në "Pse?!", ky personazh ishte vetë ai. Me një ndryshim. Për Gjon Zaverin rezervoi një fund tragjik. Romanin e përfundoi në Korçë, ku fillimisht punoi si mësues, e më pas si drejtor i një shkolle filloreje. Ndërkohë në fillim të qershorit 1939, Sterjo Spassen e emëruan në Tiranë. Ishte sekretar i ministrit të Arsimit, Ernest Koliqi. Por vetëm për tri javë. Natyra e tij nuk përshtatej me këtë detyrë, e ai shkëputet për një kurs të italishtes në Peruxhia të Italisë. Kur kthehet në Tiranë punon pranë Komisionit Teknik të Arsimit e jeton në një dhomë me qira, në një shtëpi dykatëshe në Pazarin e Ri. Vitet kalonin ndërkohë. Ishte 20 vjeç kur u martua dhe tashmë kishte 12 vjet që jetonte me qira larg familjes. Me një letër drejtuar të atit, i kërkon lejen që të marrë edhe familjen me vete. Kështu në shtëpinë nr. 12, në rrugën "Him Kolli", futur thellë në Rrugën e Kavajës, ata jetuan gjithmonë me shtëpinë plot dhe të gëzuar.


Intervista/Flet Ilinden Spasse, djali i shkrimtarit

"Pse nuk u botua "Pse?!"-ja në kohën e monizmit"

Tek Ilinden Spasse nuk rrjedh vetëm gjaku i Sterjo Spasses, por edhe dëshira për të shkruar po si ai. Djalit të vetëm të shkrimtarit të njohur i është dashur ta sakrifikojë këtë bekim, për hir të dashurisë për të atin dhe veprën e tij. "Më duhet të punoja për të nxjerrë në dritën veprën e babait dhe kështu s'kisha kohë të punoja për vete", tregon ai. Por edhe në këtë mënyrë, s'i ka shpëtuar "bekimit". Më së miri këtë e tregon libri "Im atë Sterjo", i cili është cilësuar si një roman i mirëfilltë. Përveçse djalë i shkrimtarit, Ilindeni ishte edhe miku dhe bashkëpunëtori i tij më i ngushtë. Në një intervistë për gazetën "Tirana Observer", Ilindeni tregon marrëdhëniet me të atin. Si ishte Sterjo Spasse si prind, si punonte ai dhe përse nuk u botua gjatë kohës së monizmit romani "Pse?!". Kryevepra, të cilën Spasse e shkroi në moshën 20-vjeçare, u ribotua vetëm pas ardhjes së demokracisë.

Përse nuk u botua romani "Pse?!" në kohën e diktaturës?

"Pse?!" ishte i pari roman filozofik në Shqipëri. Ai u bë mjaft i njohur për kohën, saqë në popull qarkullonte dhe ajo shprehja "psenë s'e ka gjetur as Sterjo Spasse". Njerëzve u lindin mjaft pse në kokë dhe babai arriti që këto pse t'i hedhë në art. Por subjekti kishte fat tragjik. Në kohën e monizmit, "Pse?!"-ja nuk u botua sepse kishte frymë disfatiste.

Çfarë thoshte babai juaj për këtë?

Sigurisht që i vinte keq. Ajo ishte kryevepra e tij dhe këtë ai e dinte. Por nuk fliste për këtë gjë. Fatkeqësisht edhe kritika s'ka folur shumë për këtë roman. Në fakt, ai do kulturë shumë të madhe për ta studiuar. Është romani i parë filozofik në Shqipëri dhe të tillë, s'di të ketë shumë.

Po për miqtë e tij, pjesa më e madhe e të cilëve u burgos, çfarë thoshte?

Babai mërzitej shumë. Edhe për Mitrushin kur u arrestua, edhe për të tjerët... I donte shumë dhe bëhej shumë i mbyllur kur ndodhnin ngjarje të tilla.

Si e vlerësoni Sterjo Spassen si prind dhe si shkrimtar?

Babai ka qenë njeri shumë i veçantë. Me mua ishte si shok. Me të vjetrit sillej si plak, me fëmijët si fëmijë. Qeshte gjithmonë. Edhe me nënën, edhe pse kishin një disnivel shumë të madh kulturor, kishte një dashuri dhe harmoni që zor se e gjen tek çiftet e tjera. Në fakt, nëna diti t'i mbante familjen dhe këtë babai s'ia harroi kurrë. I donte shumë, nusen, nipërit dhe mbesat. Edhe kur shkruante dhe ata i bënin zhurmë, bërtisnin apo dhe i kapnin flokët, ai asnjëherë s'mërzitej. Vetëm qeshte. Ndërsa si shkrimtar mund të them se vepra e tij ka mbi 1 mijë personazhe të shtresave të ndryshme, të kombësive të ndryshme. Ndërkohë që Tolstoi ka 600. Dashuria dhe e thjeshta ishte në qendër të veprës së tij, dhe ndoshta për këtë ai mbijetoi në këtë sistem.

Kur e zbuluat veten se ishit shkrimtar?

Unë shkruaja, por babait nuk i tregoja. Shumë vonë, vendosa t'i them. Madje më kujtohet tregimi me titull "Duke kërkuar vajzën". Ia dhashë dhe ai s'tha asnjë fjalë. Një ditë Nonda Bulka vjen në shtëpi dhe më hidhet në qafë. U botua më tha. Unë nuk kisha mundësi të shkruaja për vete. Babai në vitet '60 u sëmur nga zemra dhe unë e ndihmoja me makinën e shkrimit. Më pas më duhet të botoja veprat e tij, por kam menduar se do ishte më e vlefshme kjo sesa të shkruaja vetë.

A ka Sterjo Spasse vepra të pabotuara?

Ka një roman që s'i kam hyrë. Ai flet për Tiranën e pasçlirimit dhe e ka titullin "Dafina". Gjithashtu është edhe një përmbledhje me tregime. Për t'u botuar duan shumë punë dhe financim.

Kur e morët iniciativën që të shkruanit një libër për babanë tuaj?

Ditën që vdiq. Atëherë vendosa që biografinë e tim ati do ta bëja unë. Kam punuar mbi 20 monografi, mbi arkivin e tij, me kujtimet dhe e kam botuar në vitin 1995.

Monumenti

Atë çfarë s'e bëri shteti shqiptar gjatë diktaturës, e bëri një mik i Sterjo Spasses, për 70-vjetorin e tij. Romanin "Pse?!", ai e mermerizoi duke i thënë se aty e kishte kryeveprën e tij të përjetshme, edhe pse nuk i botohej. "Babai u gëzua shumë për këtë dhuratë", tregon Ilindeni.(Dorina TOPOLLAJ)



Mihal Grameno(1871-1931)




Mihal Gramenoja është nga ata shkrimtarë të vitëve të fundit të Rilindjes që luftuan për çështjen kombëtare dhe me pushkë. Atdhetar i flaktë, ai solli në shkrimet e tij mbresa të drejtpërdrejta nga lufta e popullit tonë për pavarësi dhe, më vonë, për demokracie përparim. Lindi më 1871 në Korçë, në një familje me ndjenja atdhetare. Në vendlindje mori edhe mësimet e para. Ende i vogël, për nevoja ekonomike mori udhën e kurbetit, në Rumani. Aty u lidh me lëvizjen atdhetare dhe më 1889 u zgjodh sekretar i shoqërisë "Drita". Me vullnet dhe këmbëngulje punoi për të zgjeruar horizontin e tij kulturor. Botoi vjersha dhe artikuj në shtypin e kohës. Më 1907 ishte antar i çetës së Çerçiz Topullit dhe luftoi pothuajse në të gjithë Shqipërinë e Jugut. Xhonturqit e burgosën disa herë. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit dhe më 1912 në Shpalljen e Pavarësisë. Pas këtij viti mbrojti me forcë shtetin shqiptar.
Gjatë viteve 1915-1919 jetoi në Amerikë, ku bëri punë të palodhur në lëvizjen e atdhetarëve shqiptarë të atjeshëm. Përfaqësoi shqiptarët e Amerikës në Konferencën e Paqes në Paris.
Në vitet 1921-1924, si publiçist mbrojti idealet demokratike. Pas dështimit të Revolucionit të Qershorit, i sëmurë, e i dëshpëruar, u tërhoq nga lëvizja shoqërore.
Vdiq në Korçë më 1931. Për meritat e shquara në dobi të atdheut, i është dhënë titulli "Hero i Popullit".
Veprimtaria letrare e Gramenos kap një çerek shekulli (1900-1925). Mihal Gramenoja është një ndër novelistët e parë të letërsisë sonë. Novelat e tij u hapën rrugën romaneve të para shqiptare. Ai shkroi novelat "Oxhaku" (1909) dhe po atë vit "E puthura" dhe "Varri i Pagëzimit". Tek "Oxhaku" dhe "E puthura" trajton çështjen e pabarazisë shoqërore si burim fatkeqësish në jetë. "Varri i pagëzimit" paraqet luftën e pamëshirshme që bëri kleri reaksionar grek kundër mësimit të gjuhës shqipe.
Në përgjithësi novelat e tij kanë natyrë sentimentale. Tek ato gjejmë përpjekje për të krijuar mjedise të besueshme shqiptare dhe personazhe nga klasat e shtresat e ndryshme të shoqërisë sonë të asaj kohe. Libri me kujtime "Kryengritja shqiptare" (1925) zë vend të veçantë në krijimtarinë e Gramenos. Në pjesën e parë flet për çetat kryengritëse, për luftimet dhe punën propaganduese të çezës së Çerçiz Topullit, bën portrete të qëlluara luftëtarësh e njerëzish të thjeshtë të popullit. Në prozën e Gramenos nuk mungojnë edhe pjesë me nivel të kënaqshëm artistik, përshkrime dhe dialogje të gjalla.
M.Gramenoja ka botuar dy vepra dramatike: komedinë "Mallkimi i gjuhës shqipe" (1905) dhe dramën "Vdekja e Pirros" (1906), të dyja janë shkruar në vargje.
Komedia "Mallkimi i gjuhës shqipe" trajton luftën e atdhetarëve shqiptarë kundër klerit reaksionar grek dhe elementëve grekomanë; te "Vdekja e Pirros" trajtohet kthimi i Pirros fitimtar nga Italia dhe vrasja e tij me të pabesë. Veprat dramatike të Gramenos vuajnë nga fragmentizmi dhe mungesa e veprimit. Megjithatë së bashku me veprat dramtike të Çajupit e të Fan Nolit, ato i çelën rrugën dramaturgjisë shqiptare. M.Gramenoja shkroi edhe vjersha të cilat i botoi më 1912, të përmbledhura në librin me titull "Këngëtore shqipe - Plagët". Bien në sy vjershat atdhetare që i kushtohen lëvizjes kryengritëse. Disa prej tyre, si: "Për Mëmëdhenë", "Uratë për liri", "Lamtumirë", me patosin kushtrues, u përhapën mjaft dhe u kënduan edhe si këngë:

Për mëmëdhenë, për mëmëdhenë,
vraponi, burra, se s'ka me pritë!
Të vdesim sot me besa-besë
pranë flamurit të kuq që u ngrit,

Poezia atdhetare e Gramenos u bëri jehonë të drejtpërdrejtë ngjarjeve të vrullshme që do të sillnin Pavarësinë e Shqipërisë. M.Gramenoja është nga publiçistët në zë të Rilindjes e të periudhës që pasoi. Ai është cilësuar si një nga pamfletistët më të njohur të së kaluarës. Shkrimet e tij publiçistike u vunë drejtpërdrejtë në shërbim të çështjes kombëtare.
Drejtoi gazetat "Lidhja orthodhokse" (1909-1910) dhe "Koha" (1911-1926), me disa ndërprerje, dy nga gazetat më përparimtare të traditës. Bashkpunoi edhe me shtypin tjetër të kohës.
Në shkrimet e tij Gramenoja del si përfaqësues i anës më të vendosur e më demokratike të lëvizjes sonë kombëtare. Ai goditi ashpër jo vetëm pushtuesin osman, por dhe armiqtë e tjerë të çështjes kombëtare: klerin reaksionar grek e grekomanët, pseudoatdhetarët, feudalë të mëdhenj e borgjezë të pasur, të cilët i quan me tallje "syfete" e "honxho-bonxho". Nga na tjetër, ka besim vetëm tek vegjëlia, te populli dhe te roli i tij në fatet e kombit. Më 1912, ai shkruante: "Kemi besim te varfanjakët, dhe kjo opingë është shtylla dhe shpresa e kombit shqiptar".
Në fillim të viteve `20 zgjerohen pikpamjet politike të Gramenos. Në gazetën "Koha" ai boton artikuj me ide demokratike dhe propagandon ngjarjet e mëdha politike të kohës.
Një nga dokumentet më të shquara të gazetarisë e të lëvizjes demokratike të atyre viteve është artikulli "bashkim dhe përparim".
Shkrimet publiçistike të Mihal Gramenos shquhen për frymën popullore, për patosin luftarak, ironinë e sarkazëm therëse.
M.Gramenoja mbetet në letërsinë shqiptare, në radhë të parë, si publiçist. Shkrimet e tij dhanë ndihmesë në krijimin e novelës e të dramës. Është ndër autorët e parë që solli në letërsi në mënyrë të gjerë, personazhe nga shtresat e varfëra të shoqërisë shqiptare.

Veprat:


Mallkimi i gjuhës shqipe, komedia me tri akte, Bukuresht, 1905; rebotim Dh. Koti, Korçë 1921.
Vdekja e Piros, tragjedia historike me katër akte, Sofie, 1906.
Oxhaku, Roman dramatik, Selanik 1909, rebotim Dhori Koti, Korçë 1913, 1943
E puthura, Roman dramatik, Selanik 1909, rebotim Dhori Koti, Korçë 1943.
Varr' i pagëzimit, Roman dramatik, Korçë 1909.
Këngëtore shqipe: Plagët, poezi, Manastir, 1912.
Kryengritja shqiptare, G. Direttore, Vlorë, 1925.
Antikat kombëtare. Kujtime, pamflete, portrete. Mbledhur, pajisur me shënime dhe pregatitur për shtyp nga Piro Tako, Naim Frashëri, Tiranë, 1974) 215 ff.
Vepra 1-2. Rilindja, Prishtinë 1979).

Haki Stermilli (1895 - 1953)


Image result for Haki Stermilli (1895 - 1953)

Haki Stermilli (1895 - 1953) shkrimtar patriot dhe demokrat. Lindi në Dibër të Madhe ku mori mësimet e para, kreu gjimnazin turk në Manastir. Në vitet 1920-1924 hyri në lëvizjen demokratike dhe u bë një ndër drejtuesit e shoqërisë "Bashkimi". Pas dështimit të Revolucionit Demokratiko-Borgjez të qershorit 1924 si emigrant politik në Bashkimin Sovjetik, Itali, Austri, Jugosllavi e gjetkë, e vijoi luftën kundër regjimit zogollian dhe bashkëpunoi në faqet e "Lirisë kombëtare" dhe "Federacioni Ballkanik". Më 1930 policia jugosllave ua dorëzoi autoriteteve të Ahmet Zogut që e dënoi me burgim. Haki Stërmilli mori pjesë si partizan në Luftën ANÇ, ishte anëtar i KANÇ-it.

Hapat e parë në letërsi i bëri në fillim të viteve 20, me drama ("Dibranja e mjerueshme", 1923, "Dashuni e besnikri"1923, etj.), në të cilat i bëhet jehonë luftës heroike të dibranëve kundër shovinistëve serbë. Shkroi edhe librin "Burgu" (1935). Vepra e tij më e shquar është romani "Sikur t'isha djalë" (1936), ku kritikohen rreptë despotizmi familjar, normat e moralit sundues që ndrydhnin personalitetin e femrës shqiptare. Romani u prit mirë nga shtresat demokratike dhe shpejt u bë një nga veprat më të lexuara të kohës. Më 1968 u botua romani "Kalorësi i Skënderbeut". Në të dy këto vepra autori ka bërë përpjekje për një pasqyrim me vërtetësi të jetës, por nuk i ka shpëtuar një fryme sentimentaliste. Problematika e re e gjeti pasqyrimin në dramën për fëmijë "Trashëgirntarët tanë" (1950), ku trajtohet pjesëmarrja e fëmijëve krahas të mëdhenjve në luftën kundër zgjedhës fashiste. Mbajti një ditar që u botua me titullin "Shtigjeve të lirisë" (1966), me vlera njohëse e letrare. Në të autori rrëfen për ngjarje të rëndësishme të historisë së Luftës ANÇ në vitet 1943-1944, për patriotizmin dhe heroizmin e popullit. Haki Stërmilli la të papërfunduara disa vepra letrare e historike.



SIKUR T'ISHA DJALË


Automobili ikte me shpejti dhe tue bamë zhurmë. Herë ngjitesh në të përpjetat, herë djergesh në teposhtat dhe herë rrëshqiste ndër rrafshina. Shokët e mij bashkudhtarë herë kuvendojshin me njeni tjetrin, herë heshtëshin të rrëmbyem e të mahnitun nga bukurit e rralla që shfaqeshin gjatë rrugës. Boka, kodra, male, skuta, lugina, gryka dhe fusha të bukura dukeshin e shdukeshin mbrenda pak kohe tue dikue nji kënaqësi të paçansueshme ndër udhtarë, admiruesa të natyrës. Rrezet e farfurishme të Diellit pranveruer puthshin amblas faqet e gjelbërta të gjetheve dhe fletët e shumëngjyrta të luleve, ama e të cilave kundërmonte e kandshme, ndihej fort dhe dehëse. Me nji fjalë atë ditë natyra kremtonte ngadhnimin e bukuris së Prandverës.
Nj'aty, n'atë skutë blerimi e lulesh, të kisha pasë nji shtëpizë - tha njeni tue shique me një lakmi admiruese kah vendi që kishte stolisë me aq shije dora hyjnore.

- Nji shtëpizë që t'ishte si nji kuvli, por mbrenda të kishte edhe nji nga Zanat e malevet t'ona - plotsoi shoku me buzë në gaz.

Ndërsa ata po i argëtojshin fantazit e tyne me andrrime e dëshirime për nji jetë paradisore, un po mendohesha nën përshtypjen e hidhët që më kish lanë sëmundja e Dijes. Më dukej sikur nuk do t'a shifsha ma. Pakon që më kish dhanë ajo e kisha marrë me vetëhe. Dishka më nxitte me e hapë dhe me pamë se ç'ishte shkrue n'at defter që ajo më dorëzoi. Ma në fund më mundi kërshëria dhe e çela pakon. Mbrenda kishte nji defter, nji shami të bardhë dhe nji letër të drejtueme Zotni Shpend Rrëfes në Tiranë. Gati tri të katërtat e fletorit ishin të shkrueme Menjiherë e njofta shkrimin e imët të Dijës. Në faqen e parë ishte shkrue, me ngjyrë të kuqe, ky titull: Jeta e eme. Vendosa të këndoj disa pjesë sa për t'a kënaqë kërshërin.
Hudha nji sy në faqen e parë dhe lexova:
Më shkrepi t'a shkruej jetën t'eme. Ky mendim më leu tue i pamë fotografit e ndryshme që përfëtyrojne Xha Simonin qysh në kohen e fëminis. Përse të mos e shkruej? Jeta e eme për tjerët, ndoshta, nuk e vlen asnji dysh, por për mue ka randësi, se asht e emja, se mund të përshkohet nëpër faza të ndryshme interesante dhe dikur, tue i këndue në këto fletë gëzimet ase hidhnimet e mija, do të kënaqem ase do të pezmatohem. Sikurse pëson ndryshime trupi i njeriut tue u lakue nëpër rrathët e moshës, pa dyshim, ashtu edhe me jetën.
Mbasandaj kapërceva disa faqe e këndova:
Mbasandaj kush mund të pretendojë se nuk ka në mes të meshkujve djelm e burra të bukur? Mos kujton ndokush se nuk ka bukuri mashkullore? Sikur të mundesh me folë femna me atë liri gjuhe që kanë mashkujt, kush e di se sa poezi do të vargëzonte për me e përshkrue bukurin e shokut të vet jo gjini. Kush mundet me më sigurue se nuk ka me mija femna që, tue kundrue mbas kafazit të dritares ase nëpër mjet të peçes së hollë, nuk shprazin nga goja mija e mija tubza vjershash për ata që u kalojnë pranë pa dijtë se kanë plagosë randë disa zemra të strukuna mbrenda do krijesave ië dënueme me burgim të përgjitshëm?

...

Filip Shiroka (1859 – 1935)


Fotoporteti


Lindi ne Shkoder dhe u rrit ne nje mjedis te kulturuar. Qe i vogel ndoqi mesimet ne shkollen e franceskaneve, ku ka patur mesues poetin arberesh Leonardo De Martino, i cili do ti ushqente dashurine per artin poetik. Ashtu si miku i tij nga i njejti qytet Pashko Vasa, ai do te shkonte per per te ndjekur studimet e larta ne Itali. Ne vitet e Lidhjes Shqiptare te Prizrenit, kur fuqite e medha, pasi deshtuan t'i jepnin Malit te Zi, Hotin e Gruden, vendosen t'ia kompensojne me Ulqinin e Tivarin, Filip Shiroka shkruan ne italisht vjershen kushtrim "Shqiptare, tek armet, tek armet" botuar ne 1878 ne Milano, ne te cilen ben thirrje per mbrojtjen e dy qyteteve bregdetare shqiptare. Ai do te emigronte ne Egjypt e me pas ne Liban, ku e kaloi gjithe jeten e tij e ku punoi si inxhinjer per ndertimin e rrugeve hekurudhore. Shiroka ka botuar vjersha dhe artikuj te ndryshem, me pseudonimin Geg Postriba. Vellimin me vjersha “Zani i zemres” e botoi ne Tirane kur erdhi per here te fundit ne Atdhe. Vjershen “Shko dallendyshe” dhe “Dallendyshe eja” jane nga krijimet me te bukura dhe me te njohura te Rilindjes Kombetare. Pervec poezive, ku trajtoi temen e mallit per atdhe, vecanerisht vendlindjen e tij Shkodren; te natyres se bukur shqiptare…etj ai i kendoi edhe te kaluares heroike, sic jane poezite: “Burri”, “Gjergj Kastrioti”, “Shqypnija” etj Vdiq ne Liban ne 1935, dhe vetem pas 25 vjetesh eshtrat e tij u percollen ne qytetin e tij te lindjes.

Nji lules se vyshkun

Lulja e bukur – keput kush te ka,
Prej shoqesh tueja – kush te paska nda?…
M’je vyshke e thamun – lulja e shkrete
Qysh se te kane tret

Se ti dhe une – nda prej shoqenise
Larg prej qytetit – tim, prej Shqiperise
Si ti u dogja – lulja e shkrete
Ne dhe t’huejin tret

Ti, ne kopsht tandin – ku ke lulzue
T’ka ushqye vesa – dielli t’ka gzue
Por tash je veshkun – lulja e shkrete
Tash qi t’ka trete!

Edh’ un, n’dhe timin – gjith i gazmue
Prindet me knaqshin – isha i lumnue
Por tash po digjem lulja e shkrete
N’dhe t’huejin trete


Shko dallendyshe

Udha e mbarë se erdh pranvera,
shko, dallëndyshe tue fluturue,
prej Misirit n'dhena tjera,
fusha e male tue kërkue;
n'Shqipni shko, pra, fluturim,
shko në Shkodër, n'qytetin tim

Shëndet prej meje të m'i falësh
saj shpisë vjetër ku kam le,
me ato vende rreth t'përfalesh,
ku kam shkue kohën e re;
atje shko, pra, fluturim,
fal me shndet qytetit tim

Me ato male, me ato kodra
me ato prroje rreth t'përfalesh
n'ato fusha që m'ka Shkodra
të lulzueme, aty t'ndalesh;
tue kndue me ambëlcim,
fal me shndet qytetit tim.

T'mujsha dhe un' me fluturue
dojsha dhe un' me u nisë me ty,
dojsha n'Shkodër me kalue,
m'e pa prap at'vend me sy!
Por... ti shko atje... fluturim
ti qajma fatin tim.


Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...