Agjencioni floripress.blogspot.com

2018/07/11

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ,i kërkon Medvedevit që të vendoset komunikimi fillestar mes dy vendeve

Thaçi i kërkon Medvedevit që të vendoset komunikimi fillestar mes dy vendeve
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar nga kryeministri rus Dmitry Medvedev, që të vendoset një komunikim fillestar mes dy vendeve.

Thaçi thotë se këtë ia kërkoi gjatë një takimi të shkurtër në kuadër të ceremonisë së inaugurimit të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.

Në një njoftim në Facebook, Thaçi ka thënë se e ka informuar Medvedevin për zhvillimet në Kosovë dhe rajon.

Thaçi thotë se janë pajtuar që marrëveshja eventuale Kosovë – Serbi do të sjellë paqe në Ballkanin Perëndimor.

“Me këtë rast, kërkova nga kryeministri Medvedev që të vendosim një komunikim fillestar midis dy vendeve tona.

Ne po ashtu biseduam edhe për fazën e fundit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe u pajtuam se marrëveshja eventuale do të sjell paqe afatgjatë në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Thaçi.

Studiuesi Piro Misha: E kaluara mes shqiptarëve e serbëve është aty, të mendojmë për të ardhmen

Piro Misha: E kaluara mes shqiptarëve e serbëve është aty, të mendojmë për të ardhmen
Studiuesi Piro Misha do të kishte dashur që në konferencën ndërkombëtare të zhvilluar dje në Beograd, me temë “Serbët dhe shqiptarët – Në cilin drejtim?” të kishte edhe të ftuar nga Prishtina.

Konferenca u organizua nga agjencia serbe e lajmeve Tanjug në bashkëpunim me Agjencinë Telegrafike Shqiptare, për të folur siç tha për shqiptarët dhe serbët dhe jo për Shqipërinë e Serbinë.

Duke marrë fjalën në këtë konferencë ndërkombëtare, studiuesi Misha vuri në dukje se ishte e pashmangshme që Kosova të zinte kaq shumë vend. “Por, gjithashtu ndihem keq që nuk ka asnjë këtu nga Kosova. Pra, unë flas nga Tirana për këndvështrimin e tyre. Do të kishte më shumë kuptim nëse do të flisnim për shqiptarët dhe serbët dhe jo për Shqipërinë, Serbinë… dikush duhej të ishte ftuar këtu nga Prishtina”, tha ai.

Misha duke vazhduar më tej theksoi se “është shqetësuese kur flitet kaq shumë për të kaluarën”.

“Sigurisht, e kaluara është aty, ne duhet të përballemi me atë. Por, duhet të mendojmë cili është interesi ynë tani dhe sigurisht për të ardhmen”, tha ai.

“Ndoshta brezi ynë është i pashpresë në këtë aspekt, besoj se jetojmë shumë në të kaluarën, por të paktën po shikojmë në të ardhmen”, tha ai.

“Por, më duhet të them se jam dëshmitar i një ndryshimi të madh. Mbaj mend emocionet që kisha kur erdha këtu, në një vend armik, si do të pritesha dhe tani, pas shumë vitesh kam shumë miq serbë dhe nuk jam i vetmi. Gjërat po ndryshojnë shumë, gjërat po ndryshojnë dhe duhet të them se jemi shumë kritikë me politikanët tanë. Por, në këtë aspekt, veçanërisht në vitet e fundit, besoj se po inkurajohet një lloji pragmatizmi dhe realizmi politik që po karakterizon në veçanti liderët tanë. Ajo që dua të them, është se ata e kuptojnë se duhen hapur kapituj të rinj në marrëdhëniet mes vendeve tona, pavarësisht ndasive”, theksoi Misha, duke shtuar se “mund të themi që pranojmë që të mos jemi dakord mbi çështjen e madhe të Kosovës”.

Sepse, tha ai, më parë Kosova ka qenë një bllok i madh në marrëdhëniet duke mos lejuar asgjë dhe sot shumë gjëra po ndodhin.

“Në fakt, kjo konferencë, ashtu si titulli i saj, tregon se njerëzit janë të ndërgjegjshëm tani se duhet të përballemi dhe të shohim se çfarë duhet të bëjmë për të vazhduar më tej në procesin e normalizimit. Ne ende jemi në procesin e normalizimit, gjërat janë shumë larg nga ajo që duhej të ishin sepse këto dy vende janë këtu, kanë qenë këtu prej shekujsh. Dua të them vetëm një gjë, kam qenë shumë herë këtu, dhe në Tiranë në konferenca që i dedikohen marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe serbëve, por kjo këtë herë është me një qëllim më të madh, serbët dhe shqiptarët. Të jem i ndershëm, marrëdhëniet mes Tiranës dhe Beogradit janë të rëndësishme që të kontribuojnë në këtë çështje. Por, kjo çështje nuk mund të debatohet realisht nëse nuk diskutojmë për nevojën për normalizim mes Prishtinës dhe Beogradit. Marrëdhënia mes Tiranës dhe Beogradit nuk mund të zëvendësojë në asnjë mënyrë këtë përbërës shumë të rëndësishëm të këtij problemi nëse do të flasim për marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve, që është një çështje shumë më e madhe. Mendoj se është një nevojë, një nevojë historike pavarësisht gjithë historisë që kemi pas”, theksoi studiuesi Misha.

“Ne kemi tendencën që të jemi gjithnjë pesimistë, në një rajon që kemi arsye përse. Por, që kur filloi procesi i Berlinit dhe terreni i përbashkët në të dy vendet, që mendoj se nuk është vetëm në nivel politik por gjithashtu në shqetësimet kombëtare, këto dy vende po bëhen të rëndësishme tani në strategjinë tonë të përbashkët për t’u bërë pjesë e Europës. Por duhet të jemi të ndërgjegjshëm se kjo nuk duhet vetëm sepse i pëlqen Brukselit apo Berlinit, por sepse na nevojitet neve, është në interesin tonë që të gjejmë mënyra për të bashkëpunuar, punuar së bashku. Shikoj se gjërat po ndryshojnë, gjërat po ndryshojnë, dy ditë më parë takova ambasadorin serb në Tiranë dhe e pyeta nëse ka shumë turistë serbë që vijnë në Shqipëri. Ai mu përgjigj, po! Kjo është mënyra më e mirë që njerëzit të njihen nëpërmjet kontaktit njerëzor. Kjo ka ndryshuar, në terren gjërat kanë ndryshuar, në nivelin politik sigurisht që gjithnjë do të jetë çështja e Kosovës, për problemet që kemi sepse ato janë aty. Por, në nivelin e jetës së përditshme gjërat kanë ndryshuar”, theksoi Misha.

Ai e mbylli fjalën e tij duke nënvizuar se media vazhdon të jetë një instrument i fuqishëm që përforcon stereotipet, klishetë, ndonjëherë persona gjithnjë nacionalist ose nacionalistë ekstremistë, si dhe ndan atmosferën e konfliktit.

“Kemi kujtimet e fundit të asaj që ndodhi në ndeshjen e futbollit që ishte shokuese për të gjithë sepse në fund të fundit ishte një ndeshje futbolli, por histeria që u shfaq në median e të dyja vendeve ishte habitëse, kështu që optimizmi ynë ndonjëherë është naiv. Por mendoj gjithashtu se ka arsye për të qenë optimistë”, përfundoi Misha.

Serbia anulon takimin e ardhshëm të dialogut teknik me Kosovën

Serbia anulon takimin e ardhshëm të dialogut teknik me Kosovën
Serbia ka anuluar pjesëmarrjen në dialogun teknik Kosovë –Serbi, i paraparë të mbahej në Bruksel më 13 korrik për të diskutuar për zbatimin e marrëveshjes për energji.

Shefi i ekipit negociator të Kosovës për dialogun, Avni Arifi, ka konfirmuar  se pala serbe ka anuluar pjesëmarrjen në këtë takim tre palësh.

“Anulimi i takimit është edhe një dëshmi i radhës dhe dëshmon se Serbia me çdo kusht po insiston të bllokojë zbatimin e marrëveshjes së Brukselit për energji”, ka thënë Arifi.

Ai ka shtuar se nuk e di arsyen e refuzimit të këtij takimi nga pala serbe, por ka thënë se pala serbe vazhdon të jetë destruktive në dialog.

Në ftesën e BE-së për këtë takim drejtuar të dyja palëve, thuhet se situata aktuale me devijime të përsëritura të frekuencave nga zona e kontrollit të Serbisë dhe Kosovës nuk është e qëndrueshme për stabilitetin e sistemit energjetik të Evropës.

Sasitë më të mëdha të marijuanës në Itali vijnë nga Shqipëria


“Shqipëria është vendi i origjinës së shumicës së sasive të marijuanës që kanë si destinacion tregjet italiane dhe evropiane”: pohimi vjen nga Drejtoria Qendrore për Shërbimet e Antidrogës në Itali, e cila sapo ka publikuar “Raportin Vjetor” në lidhje me vitin 2017. “Importet e marijuanës në Itali janë rritur ndjeshëm duke arritur në vitin 2017 në një rekord të konfiskimeve, mbi 90 ton nga rreth 41 tonë që ishin në vitin 2016”, vlerëson Raporti duke shtuar se “trendi i konfiskimeve në Itali, lidhet me kultivimin e marijuanës në Shqipëri. Raporti përmend rastin në 2017 “të konfiskimit më të madh të kryer ndonjëherë, në rajonin e Marche-ve, të barabartë me 8 ton marijuanë, të cilat kishin si destinacion Europën Veriore”.

Raporti i antidrogës italiane vlerëson se “ për më tepër klanet shqiptare kanë treguar se kanë një aftësi në rritje të menaxhimit në kultivimin e marijuanës dhe trafikimit të saj”. Sipas dokumentit, ato përdorin bimë me rendiment të lartë dhe metodat gjithnjë e më të larmishme të fshehjes, kultivimit dhe transportimit në brigjet italiane. Nisur nga përmasat e trafikut, sipas Raportit “grupet e krimit shqiptar konkurojnë me organizata të tjera kriminale për kontrollin e pjesëve të rrugëve të trafikimit që arrijnë në Itali, si dhe për menaxhimin e rrjeteve të shpërndarjes së drogës . Nga të dhënat e raportit shqiptarët zinin vendin e parë në rrjetet kriminale të huaja të narkotrafikut të përfshirë në trafikun e drogës me 25 nga 94 gjithësej. Pas tyre vijnë rrjetet nga Gambia dhe Maroku.

Raporti vlerëson se 94 rastet e raportuara në vitin 2017 të trafikimit të drogës janë më të lartat në dekadën e fundit ndërkohë që vlera më e ulët shënohej në vitin 2011, me 49 raste. Raporti i Antidrogës italiane vlerëson se “rrugët e trafikut të drogësqë çojnë drejt kufijve të shtetit italian mbetën të pandryshuara. Shumica e drogave të konfiskuara, afërsisht 95% u kapën jashtë vijës bregdetare, në ujërat territoriale dhe përgjatë kufijve detarë”, vlerëson raporti.

Në zonat kufitare lidhur me trafikun e marijuanës shënohet edhe numri më i madh i shqiptarëve të arrestuar, 41 persona nga 93 të huaj të ndaluar në kufijtë italianë përgjatë vitit 2017 me ngarkesa marijuane.

Por grupet shqiptare nuk e kanë kufizuar aktivitetin e tyre vetëm në trafikun e marijuanës. Raporti i Antidrogës italiane shpreh shqetësimin se “së bashku me ‘Ndrangheta’ në Kalabri, e cila falë një rrjeti kompleksish të lidhjeve ndërkombëtare ka ende një rol kyç në trafikimin e kokainës në Itali, gjatë vitit 2017, dolën në pah, disa grupe të ashpra të krimit të huaj, të përbërë nga shtetas marokene, nigerianë dhe shqiptarë. Veçanërisht këta të fundit, si dëshmi e një hopi cilësor në aftësitë e tyre operative, konkurrojnë me grupimet e tjera kriminale, kontrollin e segmenteve të rrugëve të trafikut në Itali dhe drejtimin e rrjeteve të shpërndarjes në territorin kombëtar të substancave kryesore narkotike”.

Sipas shifrave të publikuara në raport shtetasit shqiptarë vijnë të dytët në personat e huaj të arrestuar për trafik dhe shpërndarje të kokainës (me rreth 1.100 persona të arrestuar) . Raporti vlerëson se nga 14,000 persona të huaj që janë përfshirë në vepra të drogës në Itali përgjatë vitit 2017, nga të cilt janë arrestuar më shumë se 10 mijë, rreth 2.000 persona kanë qenë nga Shqipëria

Raporti i policisë italiane vë në dukje shtrirjen e aktivitetit edhe në Europë të grupeve shqiptare të cilat “renditen mes atyre më aktive, sa i përket mundësive operative, duke nisur nga aftësitë e kontrollit në fazën e zbarkimit dhe tërheqjes së furnizimit në portet hollandeze dhe belge, të përdorura për futjen në Europë të kokainës, duke shfrytëzuar aftësitë e infiltrimit në strukturat logjistike dhe portuale të lëvizjeve të kontenierëve. Hetimet – sipas Raportit – kanë dokumentuar organizimin kapilar të rrjetit të shpërndarjes së kokainë në territorin europiane që lidhet me organizata kriminale shqiptare, si dhe mundësitë e mëdha në mjete dhe persona që përdoren për këtë qëllim”.

Samiti i NATO-s/ Sa shpenzon Shqipëria për mbrojtjen? Greqia vendos rekord



Mbahet sot në Bruksel Samiti i Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), një bashkim ushtarak ndërqeveritar ndërmjet 29 vendeve të Europës dhe Amerikës së Veriut.NATO u themelua më 4 prill 1949, kur u nënshkrua Traktati i Atlantikut të Veriut në Uashington DC.Anëtarët themelues janë SHBA, Franca, Britania e Madhe, Belgjika, Kanadaja, Danimarka, Islanda, Luksemburgu, Italia, Hollanda, Norvegjia dhe Portugalia.

NATO u themelua në mënyrë që të krijonte një sistem të mbrojtjes së ndërsjellë nga një sulm i jashtëm.

Neni 5 i Traktatit të Atlantikut të Veriut kërkon që shtetet anëtare të pavarura të vijnë në mbrojtje të çdo shteti anëtar, nëse ndodh një sulm nga një palë e jashtme.

Kjo është vënë në zbatim të vetmen herë pas sulmit terrorist të 11 shtatorit.

29 anëtarët e NATO-s janë:

Shqipëria, Belgjika, Bullgaria, Kanadaja, Kroacia, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Islanda, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Mali i Zi, Hollanda, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia , Spanjë, Turqi, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara.

Shteteve anëtare u kërkohet të bëjnë pagesa për mirëmbajtjen ushtarake në NATO-s. Por janë vetëm katër shtete anëtare të cilat aktualisht po përmbushin udhëzimet e sugjeruara prej dy përqindësh.

Këto vende janë Shtetet e Bashkuara me 3.7 përqind, Greqia me 2.36 përqind, Britania e Madhe me 2.12 përqind dhe Estonia me 2.08 përqind.

Shqipëria është e shtata nga fundi dhe shpenzon vetëm 1.10 për qind të GDP-së për mbrojtjen.

Lista e plotë:

SHBA - 3.7

Greqia - 2.36

Mbretëria e Bashkuar - 2.12

Estonia - 2.08

Polonia - 1.99

Rumania - 1.80

Franca - 1.79

Letonia - 1.75

Lituania - 1.73

Norvegjia - 1.62

Mali i Zi - 1.58

Bullgaria - 1.53

Turqia - 1.48

Portugalia - 1.31

Kanadaja - 1.29

Kroacia - 1.26

Gjermania - 1.24

Sllovakia - 1.19

Danimarka - 1.17

Holanda - 1.15

Italia - 1.12

Shqipëria - 1.10

Hungaria - 1.06

Republika Çeke - 1.05

Sllovenia - 0.98

Spanja - 0.92

Belgjika - 0.90

Luxemburgu - 0.46

Kryeministri Edi Rama nga Brukseli: Besoj në një zgjidhje të shpejtë mes Serbisë dhe Kosovës



Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Bruksel për samitin e NATO-s dha një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug” ku ka shprehur pikëpamjet e tij në lidhje me ecurinë e negociatave mes Serbisë dhe Kosovës.“Unë mendoj se çdo gjë është në dorë të dy presidentëve dhe të dy palëve, sigurisht që Shqipëria është shumë e interesuar për të gjetur një zgjidhje dhe natyrisht që Shqipëria nuk flet kurrë në emër të Kosovës, por për Kosovën dhe sërish unë e di që këndvështrimi ynë nuk është se është i kënaqshëm, kur dëgjohet nga Beogradi, por opinioni ynë mbetet opinioni ynë me njohje të plotë dhe një zgjidhje përfundimtare do të ishte më e mira për fëmijët në Serbi, në Kosovë dhe në Ballkan”, thotë Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare ka vlerësuar përpjekjet e bëra në këtë drejtim nga të dyja vendet.

“Unë shpresoj shumë se do të përfundojë së shpejti, unë i vlerësoj shumë përpjekjet e presidentit serb, Vuçiç, përpjekjet e vështira për të vazhduar në këtë proces dhe për të arritur një zgjidhje dhe ndërkohë që të gjithë janë në dijeni se ne kemi pranuar për mos të rënë dakord për të, sepse sipas këndvështrimit tim njohja e plotë mbetet e vetmja alternativë për të zgjidhur këtë çështje që ka zgjatur për një kohë të gjatë dhe e vetmja mënyrë për të lënë pas vështirësitë e të kaluarës së përgjakshme dhe konfliktuale”, deklaroi kryeministri në këtë intervistë.

“Nga këndvështrimi juaj në Beograd, Prishtina bën një hap para dhe dy hapa mbrapa. Edhe nga këndvështrimi i njerëzve në Prishtinë, Serbia bën një hap para dhe dy hapa mbrapa, gjë që tregon se dialogu nuk është i lehtë sepse është një dialog i vërtetë dhe shumë i vështirë”, theksoi ai.

“Kështu që, unë mendoj se të gjitha këto që po ndodhin janë pjesë e rrugës ku asgjë nuk do të jetë e lehtë, por sërish shpreh besimin se atje ku ka vullnet do të ketë një zgjidhje dhe në të njëjtën kohë përsëris se, unë e di që nuk është e lehtë për mikun tim, presidentin e Serbisë por njëkohësisht unë e respektoj për përpjekjet e tij dhe gjithashtu e respektoj për faktin që ai e ka njohur atë përfundimisht, duke qenë se kjo është një çështje që nuk mund të qëndronte në këto kushte dhe se të vazhdohet në mënyrën e vjetër nuk do të çonte askënd në një horizont të ri”, vazhdoi kryeministri.

Në mbyllje të fjalës së tij, kreu i qeverisë shqiptare tha se:

“Sërish, unë do të doja të inkurajoja të dyja palët, për të vazhduar më tej dhe se ne e mbështesim dialogun dhe jemi në dijeni që nuk është i lehtë dhe shpresoj shumë që serbët në Kosovë dhe shqiptarët në Kosovë do të kenë një jetë më të mirë më vonë. Si dhe shpresoj shumë të shoh Shqipërinë të respektohet në Serbi ashtu siç serbët respektohen në Kosovë, që nuk është rasti, meqë ra fjala”.

Pas kritikave nga presidenti amerikan Donald Trump, aleatët në NATO vendosin të shpenzojnë më shumë për mbrojtje


NATO e ka punën pisk


Amerika ka bërë më shumë se çdo vend tjetër për të krijuar Europën e pas-luftës. Në vitet 1940-1950 luajti rolin e ndërmjetësit për një traktat që solli BE-në dhe NATO-n, aleancën ushtarake që fitoi Luftën e Ftohtë.

SHBA-të vepruan pjesërisht në formë bamirësie, por kryesisht për shkak të interesit të vet. Pasi ishin tërhequr nga të tjerë në dy luftëra botërore, SHBA-të donin të ndalonin rivalitetin franko-gjerman e të ndërtonin një mbrojtje kundër kërcënimit sovjetik. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, aleanca nisi të promovojë demokracinë në shtetet e sapo çliruara të Europës Lindore.

Por sot, Amerika dhe Europa janë të ndara nga një krisje që sa vjen e thellohet. Atmosfera përpara takimit dy-ditor të NATO-s në Bruksel, tani më 11-12 korrik, ka qenë vërtet helmatisës. Presidenti amerikan, Donald Trump, i akuzon udhëheqësit europianë si shkelës të besimit dhe të paaftë për të ushtruar pushtet aty ku duhet. Ata, nga ana tjetër, e akuzojnë për vandalizëm të pagdhendur. Një samit i dytë, që do të mbahet midis Trump-it dhe Putinit në Helsinki, më 16 Korrik, mund të prodhojë spektaklin e pamendueshëm të një presidenti amerikan që trajton kundërshtarin rus më mirë se ç’ka trajtuar aleatët.

Edhe sikur dy samitet të kalojnë të qeta, (siç priten, meqë Trump pëlqen t’i ngatërrojë ata që e kritikojnë), mosmarrëveshjet dhe përplasjet kulturore e politike do të mbeten aty. Aleanca e perëndimit e ka punën pisk, dhe kjo duhet të shqetësojë Europën, Amerikën dhe të gjithë botën mbarë.

Çdo aleancë ka tensionet e veta, por ajo e Perëndimit i ka të përhapura në fronte të ndryshme. Trump dhe gjeneralët e tij qortojnë pa pushim anëtarët e NATO-s që nuk respektojnë premtimin për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në 2% të PBB, deri në vitin 2024. E djathta amerikane qorton mbështetjen europiane të marrëveshjes bërthamore me Iranin, nga e cila Trump u tërhoq, dhe e sheh si një sjellje të njëanshme karshi Izraelit. Ligjvënësit nga të dy partitë amerikane mendojnë se teksa vëmendja e botës po kthehet në Azi, europianët e BE, që “dinë vetëm të ankohen e që marrin pamje shenjtori”, meritojnë më pak nga koha e tyre.

Sikur të mos mjaftonte kjo, Trump e ka akuzuar BE-në se po përpiqet të përfitojë nga SHBA-të nëpërmjet një tregtie të padrejtë. Europa, ndërkohë, mbetet e përçarë. Italia ka një koalicion populist që është pro Putinit. Turqia, që është anëtare e NATO-s, por jo në BE, mbetet armiqësore ndaj vlerave të demokracisë liberale që e mbajnë aleancën të bashkuar. E ardhmja mund të jetë edhe më keq se kaq. Një qeveri laburiste në Britani, nën drejtimin e Xheremi Korbinit, i cili ka vite që e kundërshton angazhimin ushtarak nga Perëndimi, mund ta shohë Amerikën me dyshime edhe më të mëdha, e madje mund të përpiqet ta nxjerrë Britaninë nga NATO.

Aleanca Perëndimore ia vlen të ruhet. Në një botë të rrezikshme, gjithnjë e më autoritare, NATO mund të shërbejë si burim jetik që ofron siguri dhe si bastion i demokracisë. Por Aleanca nuk e ka mbijetesën të garantuar nga Zoti. Duhet ta meritojë vendin e vet, vazhdimisht. Pyetja është se si.

Hapi i parë është të mos e bësh punën edhe më të vështirë. Europa duhet të bëjë gjithçka që mundet për t’i mbijetuar instinkteve të Trump-it për ta përzier tregtinë me sigurinë. Përzierja e këtyre dy fushave do ta bënte Perëndimin më pak të sigurt e më të varfër.

Mbështetësit e aleancës duhet të jenë praktikë. Kjo do të thotë që duhet të paguajnë. Trump ka të drejtë që ankohet për vende si Gjermania e Italia, të cilat shpenzojnë 1.22% dhe 1.13% të PBB për mbrojtjen. Në fakt, ai mund të shkojë edhe më tej. Shumë pak nga paratë që shpenzohen për mbrojtjen janë në fakt të dobishme. Një e treta e parave që shpenzon Belgjika shkojnë për pensione. Duhet të shpenzohet më shumë për kërkime shkencore, zhvillim dhe pajisje.

Për aleatët e Amerikës, të jesh praktik do të thotë gjithashtu të ruash ritmin e kohës. Bashkëpunimi në fusha si siguria kibernetike do ta bëjnë aleancën më të vlefshme për Amerikën. NATO-ja duhet të vazhdojë të japë një përgjigje më të mprehtë ndaj taktikave të dezinformimit e të infiltrimit që ka përdorur Rusia në Krime dhe në Ukrainë. Politika bën vetëm larje e lyerje. Është e vështirë të rikthehen e njohuritë ushtarake në një vend që i ka humbur me kohën. Manovrat që e mbajnë NATO-n të bashkuar janë më jetike se kurrë.

Të jesh praktik do të thotë të qëndrosh bashkë. Teksa negocion për Brexit, BE-ja është e vendosur ta mbajë Britaninë jashtë strukturave të sigurisë së bllokut, ngaqë nuk do të jetë më anëtare. Por me përvojën ushtarake që ka Britania, me industrinë e armëve dhe agjencitë e informimit që zotëron, kjo është një humbje për vetë BE-në. BE duhet të përpiqet ta afrojë Britaninë duke reklamuar Iniciativën e Ndërhyrjes Europiane, të propozuar nga Franca, e cila ka si qëllim të krijojë një forcë që mund të veprojë në kohë krize. Amerika do ta kishte parë një plan të tillë si kërcënim ndaj NATO-s. Sot duhet të shërbejë si garanci dhe si shenjë që Europa është e gatshme të ndërmarrë më shumë përgjegjësi.

Lufta për mendjen

Lufta e fundit është ajo e ideve. Po të mos kishin ekzistuar në kohë të tjera, NATO dhe BE nuk do të ishin krijuar në kohët e sotme. Që nga rënia e Bashkimit Sovjetik, ndjesia e kërcënimit është zbutur dhe janë shfaqur më shumë pengesa bashkëpunimi. Prapë, kjo nuk e bën NATO-n të panevojshme, siç deklaroi Trump dikur. Aleancat e Amerikës janë një vlerë që shihen me zili nga Rusia dhe Kina. NATO është një trashëgimi që bëhet më e çmuar duke qenë e pazëvendësueshme.

Nevoja për siguri mbetet. Rusia nuk është Bashkimi Sovjetik, por, si fuqi në rënie, ndihet e kërcënuar. Për këtë arsye ka modernizuar forcat ushtarake dhe është e përgatitur t’i vërë në veprim. Nevoja për të përdorur demokracinë europiane si pikë orientimi për vendet lindore, mbetet po ashtu e pranishme. Autoritarianizmi sa vjen e shtohet në Poloni e Hungari, ndaj NATO dhe BE mund të ndihmojnë që ta ndalojnë. Përfitimet e tjera janë te mënyra se si Europa e ndihmon Amerikën ta projektojë pushtetin e vet duke ofruar baza, trupa, dhe, zakonisht, mbështetje diplomatike.

NATO është më e brishtë se ç’mendon Trump. Thelbi i ekzistencës së saj është betimi për ta quajtur sulmin ndaj secilit prej vendeve anëtare si sulm ndaj gjithë të tjerëve. Pavendosmëria e tij dhe armiqësia ndaj Europës e ka zbutur atë premtim, si dhe zbulon pakënaqësinë që ka ai për faktin se vendet e vogla kanë të njëjtat të drejta si vendet e mëdha. Azia po vëzhgon, njësoj si Putini. Sa më shumë t’i ngacmojë Trump aleatët, aq më shumë bota do ta shohë me dyshim rolin e Amerikës si garantuese e sigurisë. Dhe ngaqë fuqitë e mëdha konkurrojnë në një zonë gri midis paqes dhe luftës, shtohet rreziku që të bëhen llogaritë gabim kur të jetë nevoja.

Trump beson se është mjeshtër për të bërë negociata, me synimin për të forcuar Amerikën. Me Europën, ashtu si me shumë gjëra të tjera, ai po nënvlerëson atë që po largon nga vetja.

Pas kritikave nga presidenti amerikan Donald Trump, aleatët në NATO vendosin të shpenzojnë më shumë për mbrojtje

Pas kritikave nga Trump, aleatët në NATO vendosin të shpenzojnë më shumë për mbrojtje


Krerët e NATO-s thanë të mërkurën se kanë rënë dakord të kontribuojnë më shumë para për buxhetin e tyre të mbrojtjes

"Ne jemi të përkushtuar për të përmirësuar ndarjen e kostove dhe përgjegjësive të anëtarësimit në aleancë," tha NATO-ja ushtarake në një deklaratë.




Njoftimi u bë vetëm disa orë pasi Presidenti i SHBA, Donald Trump përsëriti kritikat ndaj vendeve të NATO-s se nuk kontribuojnë sa duhet për të mbrojtur aleancën 70-vjeçare me 29 anëtarë.

Ndarjet e ashpra mbi atë se kush duhet të paguajë për mbrojtjen e Evropës hodhën hije mbi hapjen e takimit të NATO-s në Bruksel, pasi Presidenti i SHBA Donald Trump akuzoi aleatët evropianë se përfitojnë në kurriz të taksapaguesve amerikanë.

SHBA shpenzon rreth 3.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen, shumë më tepër se shtetet e tjera anëtare. Është parashikuar që tetë nga 29 anëtarët, përfshirë Shtetet e Bashkuara, do të përmbushin objektivin e NATO-s prej dy përqind të PBB-së këtë vit. SHBA siguron 70 për qind të buxhetit të NATO-s.

Por Presidenti Trump bëri thirrje që aleatët e NATO-s të angazhohen të shpenzojnë 4 për qind të PBB-së së tyre për mbrojtjen deri në vitin 2024. Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders konfirmoi se zoti Trump e hodhi idenë në një takim me dyer të mbyllura me udhëheqësit e tjerë të NATO-s.

"Presidenti Trump dëshiron që aleatët tanë të ndajnë më shumë barrën dhe minimalisht të përmbushin detyrimet e tyre tashmë të deklaruara", tha zonja Sanders.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg dha në Bruksel një mesazh të qartë: Samiti i këtij viti do të përqëndrohet në atë se kush e paguan faturën, ose në ndarjen e barrës.

"Ndarja e drejtë e barrës mbështet çdo gjë që bëjmë. Vetëm pak vite më parë ne shkurtonim buxhetet tona të mbrojtjes. Tani po shtojmë miliarda," tha zoti Stoltenberg.

Ndërkaq, Presidenti i SHBA i njohu vetes meritën për miliardat e shtuara në buxhetet e aleancës:

"Për shkakun tim, ata kanë shtuar rreth 40 miliardë dollarë gjatë vitit të kaluar. Prandaj mendoj se Sekretari i Përgjithshëm e pëlqen Trumpin. Ai mund të jetë i vetmi, por kjo për mua mjafton,” u tha zoti Trump gazetarëve ndërsa fillonte samiti.

Në takimin e udhëheqësve botërorë po vihen në provë aleancat dhe miqësitë. Presidenti Trump akuzoi Berlinin se është nën kontrollin e Moskës, duke cituar një projekt të ri tubacioni që do të sillte gazin rus drejtpërdrejt në Gjermani.

Pas një takimi dypalësh që dukej i tensionuar me homologun e saj amerikan, kancelarja gjermane Angela Merkel nënvizoi angazhimin e vendit të saj ndaj NATO-s.

"Është shumë e rëndësishme që të kemi këto shkëmbime së bashku, sepse ne jemi partnerë, jemi partnerë të mirë dhe dëshirojmë të vazhdojmë të bashkëpunojmë në të ardhmen", u tha ajo gazetarëve.

Të vësh në shënjestër Gjermaninë nuk është patjetër e drejtë, thotë analistja e mbrojtjes Sophia Besch e Qendrës për Reformën Evropiane.

"Kontributi i Gjermanisë në NATO e kalon së tepërmi atë që ajo shpenzon për mbrojtjen e vet. Gjermania po kontribuon me trupa si vendi kryesor në Lituani dhe në krahun pararojë të NATO-s në lindje," thotë analistja Besch.

Grindja mbi shpenzimet e mbrojtjes duket se do të hedhë hije mbi çështjet e tjera në samitin dy-ditor. Britania njoftoi se do të dyfishojë numrin e trupave të saj në Afganistan, ndërsa Kanadaja ofroi të drejtojë një mision trajnimi të NATO-s në Irak.

Një deklaratë e përbashkët e samitit e publikuar të mërkurën nënvizon mbështetjen e NATO-s për Ukrainën dhe aspiratat e saj për anëtarësimin në aleancë, në pritje të reformave të brendshme. Ukraina po merr pjesë në samitin e Brukselit dhe diskutimet e mëtejshme do të zhvillohen të enjten.

NATO-ja gjithashtu i dha zyrtarisht një ftesë ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë për t'u anëtarësuar, sapo të arrihet një zgjidhje e pranueshme me Greqinë për mosmarrëveshjen mbi emrin.

Të enjten do të diskutohet gjithashtu anëtarësimi i ardhshëm i Gjeorgjisë.


Image result for donald trump dhe nato

Presidenti amerikan Donald Trump dhe NATO

Në samitin e NATO-s, presidenti amerikan, Donald Trump u paraqit si i pakultivuar. Ai shtyu mënjanë kreun e shtetit të Malit të Zi për të dalë në radhë të parë. Fjalimin e tij të shkurtër ceremonial, ai e përdori për sulme disaminutëshe ndaj aleatëve. Trump kërkoi para imagjinare nga shtetet e NATO-s, para që nuk i takojnë. Ai provokoi, vulgarizoi. Mjaft nga krerët e shteteve dhe qeverive u shokuan. Madje as delegacioni amerikan i NATO-s nuk e kishte pritur, që Trump do ta ndiqte sërish kursin kokë më vete të tipit Trump – “Amerika first! Trump first!

Shqetësuese është që presidenti Trump, si të gjithë paraardhësit e tij, hoqi dorë nga shprehja e qartë e solidaritetit dhe mbështetja në rast nevoje për mbrojtje. E quan ai vërtet NATO-n për të tejkaluar? Dyshimet për këtë mbeten. A mund të mbështeten aleatët lindorë tek SHBA, në rast të një sulmi rus? Dyshimet për seriozitetin e SHBA e trondisin me themel strukturën e sigurisë të të gjithë aleancës. Udhëheqja ruse nën Vladimir Putinin do të gëzohej për këtë. Në fund të fundit, Trump me qëndrimet e tij kontribuon në këtë drejtim. Edhe qëndrimi i tij ndaj Rusisë në takimin e NATO-s (25.05) mbeti i paqartë.

Në botën e vet

Sigurisht një president amerikan mund të përpiqet të dirigjojë aleancën në drejtimin e dëshiruar. Por kjo bëhet vetëm me propozime të arsyeshme, dhe me argumente. Aleanca nuk është një shou personal e këtë nuk e kupton dot një njeri me karakterin e Donald Trumpit.

Reagimet e NATO-s dhe të kancelares gjermane të provokuar prej tij ishin shumë të përmbajtura. Merkel i mbetet besnike vendimeve të NATO-s për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes, por publikisht ajo heshti për akuzat e presidentit amerikan. Pas këtij samiti me Trump shtrohet edhe më shumë pyetja se si duhet vepruar me populistin në Shtëpinë e Bardhë? Në nivel profesional NATO e ka gjetur një zgjidhje: thjesht injoroje. Ndërsa në praktikë, NATO vazhdon t’i bëjë realitet vendimet e saj, madje me ndihmën e funksionarëve dhe diplomatëve amerikanë në vend. Presidenti i çuditshëm me qëndrimet skiç jeton me sa duket në botën e vet, por realiteti ka pamje tjetër.


Samiti i NATO në Bruksel, Edi Rama në krah të Merkel dhe Donald Trump




Kryeministri Edi Rama gjatë një cermonie të shkurtër të zhvilluar në Bruksel është fotografuar në krah të Merkel dhe të të Presidentit të SHBA Donald Trump.


Kjo është hera e parë që Edi Rama përballet me Donald Trump, pas zgjedhjes së këtij të fundit president i SHBA.

Edi Rama është shfaqur i buzëqeshur dhe me duar në xhepa teksa ecte krah tyre.

Ndërkohë gjatë punimeve të Samitit në Bruksel liderët e 28 vendeve kanë bërë edhe fotografinë zyrtare.

Mes udhëheqësve botërorë kryeministri Rama ndodhet në të njëjtin resht me Presidentin amerikan Donald Trump, atë të Turqisë, Ergodan dhe kryeministren britanike, May.

Në Samitin e NATO-s në Bruksel, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar takime me disa homologë dhe Presidentë të vendeve të ndryshme.




Rama është fotografuar duke biseduar me Presidentin e sapo zgjedhur të Francës dhe kryeministrin belg.

Kjo është hera e parë që Presidenti francez merr pjesë në Samitin e NATO-s, ndërsa kryeministri shqiptar doli publikisht në mbështetje të Macron gjatë zgjedhjeve.

Flori Bruqi

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...