Agjencioni floripress.blogspot.com

2018/07/22

Deputetja britanike, Karen Lamli: Serbia e detyruar ta njohë pavarësinë e Kosovës


697440_karen-lumley-foto-promo


“Serbia pak para anëtarësimit në Bashkimin Evropian, do të detyrohet ta pranojë pavarësinë e Kosovës”. Kështu deklaroi për gazetën serbe Blic, deputetja e parlamentit britanik, Karen Lamli.

“Ju them se kjo do të ndodhë, me siguri pak para përfundimit të rrugës së integrimit të Serbisë në BE. Pavarësia e Kosovës është e panegociueshme”, ka thënë Lamli, e cila është shefe e grupit parlamentar për miqësi me Serbinë në Parlamentin e Britanisë së Madhe.

“Serbia- ka thënë deputetja britanike Lamli- ka kohë që dëshiron t’i bashkohet Bashkimit Evropian, por kusht për këtë është zgjidhja e problemit me Kosovën dhe njohja e pavarësisë së saj”.

“Kjo në fakt po ndodh”, ka thënë deputetja britanike ndërsa ka shtuar se “është e kënaqur që gjërat po ndryshojnë ngadalë”.

“Serbia nuk ka rrugë tjetër përveç atë të Bashkimit Evropian. Zgjedhje tjetër nuk ka”, ka thënë në intervistën për gazetën Blic deputetja britanike. “Nëse Serbia nuk arrin të bëhet pjesë e BE-së, do të mbetet prapa të gjitha vendeve në rajon”, tha kohë më parë duke e paralajmruar Serbinë ,deputetja britanike  Karen Lamli.

A e dini si u ndërtua dhe çka do ndodh me Kosovën nëse Serbia e merr liqenin e Ujmanit?

Nehat Shaqiri
Nehat Shaqiri

Liqeni i UjmanitNëse Serbia përmes Asociacionit apo Komunës së Zubin Potokut e futë në dorë këtë resurs atëherë ka përfitime miliardësh nëse qoftë edhe 1 cent e shet metrin kubik të ujit.
Liqeni i Ujmanit shtrihet në dy shtete; atë të Kosovës dhe Serbisë, por serbëve nuk ju mjafton vetëm pjesa që ju takon, ata kërkojnë hise edhe për pjesën tjetër të Kosovës.

Për këtë arsye Serbia insiston që Liqeni i Ujmanit të bëjnë për vete. Ky liqen me një sipërfaqe prej 11.9 km², cilësohet si një pasuri e madhe që ka Kosova. Dikur ai ofronte mundësi për të gjithë, por tash janë vetëm serbët ata që e shfrytëzojnë. Megjithatë, Ujmani ruan bukuritë që i ka. Njëra ndër arsyet kryesore pse serbët kërkojnë ta marrin Ujmanin është pasuria e madhe që bartë në vete ky liqen.
Liqeni i Ujmani nuk është që ka ndonjë rëndësi të madhe për Serbinë, pasi Serbia vetë nuk ka investuar asgjë në akumulimin e as në hidrocentralin e Ujmanit, pasi është ndërtuar me hua ndërkombëtare dhe me kredi, si dhe me fondet në disponim të Bankës së Bashkuar të Kosovës.

Serbia as që ka qenë, e as që ka mundur të jetë e involvuar kur është ndërtuar objekti. Ky tentim për involvim tash është një lloj blofi që përdoret për zgjedhje e edhe për të bërë propagandë jashtë, se gjoja ata kanë pasuri këtu. Është fakt se ky liqen në një pjesë të vogël prek territorin e Serbisë pas akumulimit të ujit, por për këtë ekzistojnë praktika dhe konvente ndërkombëtare, për mënyrën se si adresohen çështjet në këto raste. Ndaj kjo çështje në aspektin e pronësisë dhe disponimit është praktikisht një çështje e mbyllur.

Liqeni i Ujmanit shtrihet në veriperëndim të Kosovës dhe andej kufirit me Serbinë. Me një sipërfaqe prej 11,9 km² dhe thellësinë maksimale prej 105 metrash, ky liqen është më i madhi në Kosovë.

Ujmani që ndodhet në Komunën e Zubin Potokut, Hidrocentrali dhe Trafostacioni në Vallaç, aktualisht kontrollohen nga serbët e veriut të Mitrovicës.

Liqeni furnizon me ujë më shumë se gjysmën e Kosovës dhe ujit 20 mijë hektarë tokë, e gjithashtu ofron mundësi të mira për not, ecje si dhe për plazhe. Por kushtet për të vizituar tani këtë vend dhe bukuritë që ofron janë të kufizuara për shkak të mungesë së sigurisë. Ndër bukuritë që ka kjo pjesë është edhe vendi i quajtur Veli Bregu. Aty ende ekzistojnë vilat në të cilat më herët janë shfrytëzuar për pushime.

Ky liqen është pasuria më e madhe e Kosovës. Nga Ujmani furnizohen me ujë gati gjysma e qyteteve të Kosovës dhe Termoelekrana e Obiliqit. Nëse Serbia përmes Asociacionit apo Komunës së Zubin Potokut e futë në dorë këtë resurs atëherë ka përfitime miliardësh nëse qoftë edhe 1 cent e shet metrin kubik të ujit.

Vetëm 8 orë mund të punojë Korporata Energjetike e Kosovës pa ujin që e merr nga Ujmani. Në rast të ndërprerjes së ujit, i cili shërben për sistemet e ftohjes dhe avullimit në termocentralet elektrike, vendi do të përballet me një kolaps energjetik.

Ish-presidenti i Serbisë Boris Tadiq, kohë më parë ka deklaruar se “Serbia është e interesuar të ketë një shtet brenda shteti të Kosovës”. Pra, një shtet që i shërben interesave të popullit serb të Serbisë. Pretendimet e Serbisë në Ujmanin, Trepçën, Brezovicën, KEK…, duhet shikuar në aspektin ekonomik nga ky këndvështrim, kurse Zajdenicën në aspektin politik.

Bashkimi Evropian ka kthyer dialogun e Kosovës dhe Serbisë, përmes shantazhit ndaj Beogradit të shkëmbimit të Liqenit të Gazivodës, Trepçës dhe Obiliqit në mënyrë që të formohet Asociacioni i komunave serbe në Kosovë. Kështu shkruan gazeta serbe ‘Sputnik’, ku sipas saj ky kusht është kërkuar nga shqiptarët në vitin 2015, ndërsa këtë vit me afrimin e përfundimit të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit kjo çështje është kthyer në tavolinën e diskutimit.

‘Sputnik’ thotë se kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kërkon nga Beogradi që të dorëzojë Gazivodën. Gazeta thekson se presionet ndaj Serbisë rreth kësaj çështje janë rritur dukshëm kohëve të fundit dhe duket se do të jenë shkak që të bie marrëveshje e Brukselit.

Akumulimi i Ujmanit është ndërtuar nga viti 1973 deri më 1977, duke iu zënë gryka lumit Ibër. Më 29 prill të vitit 2013 Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjin për ujërat në të cilin thuhet se resurset ujore janë interes i përgjithshëm dhe janë pasuri të Republikës së Kosovës që ruhen e mbrohen me ligj.

Qeveria e Republikës së Kosovës duhet që me çdo kusht ta mbajë Gazivodën, sepse Prishtina dhe disa komuna tjera të Kosovës furnizohen me ujë nga ky liqen.

Do të ishte mëkati më i madh i Kosovës, pas vrasjeve politike të cilat janë kryer gjatë dhe pasluftës së fundit, nëse qeveritarët tanë ia “falin” liqenin e Ujmanit Serbisë.

Politika kosovare dhe dialogu me Serbinë


Image result for blerim shala

Nëse politika kosovare nuk vjen në vete së shpejti dhe nuk organizohet për fazën finale të dialogut me Serbinë, Kosova do të jetë përgjegjëse për dështimin e këtyre bisedimeve.
Analizë nga Blerim Shala:

Pezullimi i vetvetes

Nëse politika kosovare nuk vjen në vete së shpejti dhe nuk organizohet për fazën finale të dialogut me Serbinë, Kosova do të jetë përgjegjëse për dështimin e këtyre bisedimeve.

Institucionet e tanishme të Kosovës nuk kanë legjitimitet për të zhvilluar bisedimet me Serbinë, për arritjen e Marrëveshjes ligjësisht obligative.

Sigurimi i këtij legjitimiteti kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të reja, dhe krijimin e institucioneve të reja, gjegjësisht të Kuvendit dhe të Qeverisë me mandat të ri.

Vetëm pas përfundimit të këtij procesi, Kosova do të mund të zhvillonte bisedimet me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve.

Këto tri fjali janë përpjekje për të qartësuar sa më shumë që është e mundur, porositë që ditëve të fundit Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, dhe kjo parti, i kanë dhënë për opinionin publik të Kosovës, për skenën politike kosovare, dhe për diplomatët perëndimorë që shërbejnë në Prishtinë.

Në fakt tash e sa kohë LDK-së si parti i ka munguar qartësia në raport me detyrimin e Kosovës që ta përmbyllë dialogun me Serbinë. Deklaratat e zyrtarëve të saj, jorrallë janë shquar me porosi dhe vlerësime kundërshtuese dhe përjashtuese (njëra me tjetrën). Tani duket që ish-Kryeministri Mustafa ka marrë vendimin që dialogu me Beogradin nuk mund të bëhet pa i sqaruar hesapet e brendshme politike, në një proces të ri zgjedhor, i cili, sipas supozimeve të udhëheqësisë së LDK-së do të duhej të mbahej në muajtë vijues që njohin vjeshtën si stinë të sërishme zgjedhore.

Nuk është aspak e qartë se si do të mund të përqafohej kjo agjendë zgjedhore e LDK-së, nëse nuk do të ketë në ndërkohë një Mocion të suksesshëm të votëbesimit të Qeverisë së Kryeministrit Haradinaj (pra, që të grumbullohen së paku 61 vota të deputetëve për rrëzimin e saj), apo, nëse vetë deputetët e Kuvendit të Kosovës, ashtu siç bënë në majin e vitit 2004, nuk do të vendosin ta shpërbëjnë Kuvendin, me votat e së paku 80 prej tyre, dhe t’i hapin udhë zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme, të katërtave prej se ky vend u bë shtet i pavarur.

Ne, si shtet, asnjëherë nuk kemi pasë zgjedhje të rregullta parlamentare.

Në realitet, çështja e legjitimitetit të një Qeverie, për ta udhëhequr vendin, dhe e legalitetit dhe legjitimitetit për t’i bërë bisedimet me Serbinë, janë çështje që nuk kanë gjë të përbashkët. Këtë zatën e kanë konstatuar të thuash të gjithë politikanët relevantë të Kosovës, si ata qeveritarë, ashtu edhe ata opozitarë. Numrat e Kuvendit të Kosovës, qofshin ata edhe impresiv, nuk shihen si pikënisje e mirë për të bërë dialog me Serbinë. Për këtë shkak, nuk ka mbetur politikan dhe analist e publicist shqiptar në Kosovë, i cili nuk ka thirrë në konsensusin si vlerë themelore të një legjitimiteti politik që duhet siguruar për ta kryer një herë e mirë temën e bisedimeve me Serbinë.

Pra, kemi të bëjmë me një ekstra-legjitimitet, legjitimitet shumë të veçantë, i cili është instaluar në Kosovë që nga Konferenca paqësore e Rambouilletit (1999), pastaj, ka vazhduar edhe në Procesin e Vjenës (2006-2007), dhe që tani do të duhej të ishte identiteti kryesor i Delegacionit të Kosovës, apo të një tjetër Ekipi të Unitetit, në formimin e të cilit tash e sa kohë ka këmbëngulur Presidenti Thaçi.

Nga ky pikëshikim pra, nuk është aspak e qartë se çfarë do të ndryshojë edhe nëse arrihet një dakordim në politikën kosovare që të shkohet së shpejti në zgjedhje të reja, dhe që më pas, Qeveria dhe Kuvendi i ri (Presidenti Thaçi do të mbetet aty ku është sot, ai nuk është pjesë e zgjedhjeve të reja), do të përpiqeshin të adresonin çështjen e bisedimeve të fazës finale, konkluduese me Serbinë.

Le të supozojmë që LDK, në këto zgjedhjet e reja të përgjithshme, do të dilte partia më e madhe në vend, dhe do të ishte në ballë të Qeverisë, së bashku me ndonjë partner të koalicionit të ri qeverisës.

Pa marrë parasyshë numrat eventualë që kjo Qeveri do t’i kishte në Kuvendin e Kosovës, sërish Kryeministri dhe Presidenti, për shkak të natyrës së bisedimeve me Serbinë, do të detyroheshin të kërkonin një konsensus sa më të gjërë të mundshëm për t’i

dhënë epilog negociatave me Serbinë, që në një formë apo tjetrën, po zhvillohen tash e 21 vjet, apo që nga vitit 1998 e këndej.

Edhe atëherë do të kishte pra qeveri dhe opozitë, siç ka sot. Ndoshta Qeveria e re e Kosovës do ta kishte një shumicë më stabile parlamentare për ta udhëhequr Kosovën, se sa që është rasti me Qeverinë aktuale, por ky fakt, nuk do të kishte fare rëndësi në adresimin e çështjes së dialogut me Serbinë.

Në anën tjetër, nëse hulumtimet e disponimit/ vullnetit të opinionit publik që u bënë të ditura kohëve të fundit, janë të qëndrueshme, megjithëse tek ne ende nuk kemi adresa stabile në ushtrimin e kësaj zeje shumë të veçantë, del që LDK, që ka gjasa të mira të dalë partia e parë në zgjedhje po të mbaheshin ato së shpejti. Megjithatë, gjithnjë sipas këtyre hulumtimeve, për të pasë Qeveri të qëndrueshme, LDK do të detyrohet të bëjë koalicion me PDK-në e Kadri Veselit, ose me Lëvizjen ‘Vetëvendosje’ të Albin Kurtit.

Lidershipi i LDK-së, tash e sa kohë, gjithë orientimin e vet politik e ka bazuar në përplasjen e vazhdueshme me PDK-në, por dhe me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, raporti ndaj të cilit, duket që po bëhet një ‘busollë’ politike për ‘luftën për pushtet’ brenda vet LDK-së, dhe në qasjen e LDK-së në politikën kosovare në përgjithësi. Për këtë shkak, mbetet çështje e diskutueshme sa do të ishte LDK e gatshme për një tjetër ‘Koalicion të madh’, çfarë ishte ai i viteve 2008-2010 dhe 2014-2017.

Partneriteti eventual me Lëvizjen ‘Vetëvendosje’ të Albin Kurtit, do të mund t’i siguronte LDK-së një Qeveri që me gjasë do të mbërrinte tek një shumicë stabile në Kuvendin e Kosovës, (së bashku me deputetët e komuniteteve), por ky fakt nuk do të kishte kurfarë vlere në adresimin e temës së dialogut.

Së pari, Kurti dhe Lëvizja ‘Vetëvendosje’ me siguri do ta kushtëzonin partneritetin me LDK-në me një rol vendimmarrës në çështjen e dialogut, dhe këtu nuk ka kurfarë të panjohure sa i përket qëndrimit të Kurtit për dialogun. Ai, sipas Kurtit, duhet të rishqyrtohet, të rishikohet dhe të riformatizohet. Vështirë që LDK do ta përqafonte këtë mendim të Kurtit. Nëse po, atëherë në realitet, për një kohë së paku, do të ndodhte bllokimi i bisedimeve në Bruksel, apo nuk do të dihej se çka do të ndodhte me këto bisedime.

Së dyti, edhe poqëse do të ndodhte farë mrekullie në bashkërenditjen e qëndrimeve të LDK-së dhe të Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ në çështjen e dialogut, do të ishte joreale të pritej që deputetët shqiptarë të PDK-së, AAK-së dhe të ‘Nismës për Socialdemokraci’, do të ishin përkrahës të këtij partneriteti në mes të LDK-së dhe ‘Vetëvendosjes’, të cilit megjithatë do t’i mungonin votat e mjaftueshme për të pasë mbështetjen e dy të tretave në Kuvendin e Kosovës për ratifikimin e një Marrëveshjeje eventuale në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Do të ishte në anën tjetër befasi nëse PDK, AAK dhe ‘Nisma për Socialmokraci’, nuk do t’ia kthenin me të njejtën ‘letër’ Qeverisë së prirë nga LDK, duke mëdyshur legjitimitetin politik për të bërë bisedimet me Beogradin dhe duke refuzuar që të bëhen pjesë e këtij dialogu.

Nuk është aspak e vështirë të supozohet se çfarë fuqie negociatore do ta kishte në Bruksel Qeveria e re e Kosovës në këtë rast, nëse kjo Qeveri do ta merrte përgjegjësinë e plotë për këtë dialog.

Më në fund, këtu nuk duhet harruar faktin që poqëse do të organizohen zgjedhjet e reja të përgjithshme në Kosovë, në muajtë e ardhshëm, do të ndodhë, si pasojë e pashmangshme, pezullimi i dialogut në Bruksel, në variantin më të mirë së paku deri në fillim të vitit 2019 (apo derisa të betohet Qeveria e re e Kosovës), duke njohur si adresë të vetme të përgjegjësisë për këtë pezullim Prishtinën zyrtare. Apo, në këtë mënyrë, do të humben muajtë që tani, nga pikëshimi aktual në Bruksel, Washington dhe Berlin, llogariten si vendimtarë për suksesin apo edhe dështimin e këtyre bisedimeve.

Tashmë dihet prej të gjithë faktorëve vendorë dhe ndërkombëtarë që korniza kohore për arritjen e Marrëveshjes ligjësisht obligative njeh tetë muaj (në variantin më të mirë), duke nisë numërimin nga tash. Nëse pjesa më e madhe e kësaj kohe do të harxhohet në Kosovë për zgjedhje të reja parlamentare, qysh tani mund të parashihet dështimi i tyre, me një përgjegjësi të qartë kosovare, për herë të parë qysh se zhvillohen bisedimet në mes të autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa kush nuk mund ta dijë në Bruksel dhe në BE, cili do të jetë Komisioni i ardhshëm evropian (pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian që do të mbahen vitin e ardhshëm), dhe sa do të jenë ai Komision dhe Përfaqësuesi i ri i lartë i BE-së (apo trashëgimtari i Zonjës Mogherini), të interesuar të vazhdojnë lehtësimin/ ndërmjetësimin në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, në këtë mënyrë, ne, si politikë kosovare do t’ia ofronim justifikimin më të mirë të mundshëm për shfajësimin e tij për dështimin e këtyre bisedimeve, teksa po kuptohet përditë e më shumë që ai dhe politika zyrtare e Serbisë janë zënë ngusht me domosdoshmërinë e përmbylljes së këtyre bisedimeve dhe arritjen e një Marrëveshje ligjësisht obligative për normalizimin e marrëdhënive në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Fatkeqësisht, kjo Analizë në masë të madhe është e sakt dhe e qëndrueshme, dhe atë mund ta bëjë secili që ka një njohuri fare mesatare për rrjedhat në Kosovë dhe për procesin e dialogut në Bruksel.

*****

Blerim Shala është publicist dhe politikan shqiptar nga Kosova. Shala është deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, anëtar i Komisionit për Integrime Evropiane.

Ka lindur në Prishtinë dhe ka studiuar filozofi dhe sociologji në Universitetin e Prishtinës. Ai është i njohur si botues i gazetës së përditshme kosovare Zëri i ditës. Në vitin 1991 ai u shpall si gazetari i vitit në gazetën Rilindja.

Shala ka qenë njëri nga themeluesit (së bashku me Halil Matoshin, Mufail Limanin, Pal Shtufin, Astrit Salihun etj) e Parlamentit Rinor (më vonë Partia Parlamentare e Kosovës) dhe një nga organizatorët e demonstratave të viteve 1990-1991. Për shkak të aktiviteti politik ai u arrestua nga autoritetet serbe në vitin 1991. Ai do të arrestohet edhe dy herë të tjera nga policia serbe gjatë periudhës 1991-1999.

Në vitin 1999 Blerim Shala ishte pjesëtar i delegacionit shqiptar të Kosovës në bisedimet e Rambujesë në Francë dhe një nga nënshkruesit e Marrëveshjes së Rambujesë. Për shkak të pjesëmarrjes së tij në këto bisedime ai pas kthimit ishte nën vëzhgim të UDB dhe në prill 1999 do të ketë fatin sikur të gjithë shqiptarët e tjerë të dëbohet nga shtëpia e tij.

Pas luftës pritej që ai do të themelonte dhe të drejtonte një parti të re politike. Në të kundërt, ai vazhdoi punën e tij si gazetar, botues dhe i përmbahet fjalës së tij "sot kritikoj pozitën, e nesër opozitën".

Me fillimin e bisedimeve për statusin përfundimtar të Kosovës ai u emërua nga Presidenti Ibrahim Rugova me detyrën e koordinatorit të bisedimeve. Rreth emërimit të tij ka pasur mjaft polemika lidhur me spekulimet se ai është i afërt me LDK.

Shala që nga fillimi i bisedimeve ka qënë anëtar i çdo delegacioni që ka marrë pjesë bisedimet në Vjenë me palën serbe nën ndërmjetësimin ndërkombëtar të udhëhequr nga diplomati finlandez, presidenti Marti Ahtisari.

Më 2009 Shala iu bashkua Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

(Flori Bruqi)

Kosova dhe Serbia të ‘shtrënguara’ të përmbyllin demarkacionin e kufirit




Demarkacioni apo shënjimi i vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë një proces i domosdoshëm për të dyja vendet. Përveç si nevojë për normalizimin e raporteve, demarkacioni pritet të jetë kusht i BE-së edhe në proceset integruese për Kosovën dhe Serbinë.
Bashkimi Evropian ua ka bërë të qartë të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor më strategjinë e re të zgjerimit se nuk mund t’i bartin problemet dhe konfliktet e tyre brenda BE-së, dhe se ato duhet t’i zgjidhin para se të pretendojnë anëtarësimin gjatë viteve të ardhshme.

Kryetari i Komisionit Shtetëror për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e kufirit të Kosovës, Shpejtim Bulliqi, tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka potenciale të mjaftueshme për t’iu qasur çështjes së demarkimit të kufirit me shtetin e Serbisë.

“Nevojitet një përkrahje institucionale dhe një bashkëpunim i mirëfilltë ndërinstitucional për arsye se ekipi i cili do të jetë pjesë e këtyre bisedimeve, sigurisht që ka nevojë për të dhëna dhe materiale të ndryshme hartografike të cilat do të ndihmojnë në kurorëzimin me suksese të kësaj pune”, tha Bulliqi.

Sipas ekspertëve, Kosova deri në dhjetor të vitit 1988 i ka pasur kufijtë administrativ, kufij këta që i ka njohur edhe plani i Presidentit Ahtisaari në bazë të cilit edhe ishte shpallur pavarësia e Kosovës i cili respektonte kufijtë e Kushtetutës së vitit 1974 (kur Kosova ishte krahinë autonome në kuadër të ish-Jugosllavisë).

Shpejtim Bulliqi, thekson se çështja e shënjimit të kufirit, duhet të zgjidhet pas diskutimeve të cilat duhet të behën nga komisionet përkatëse të Kosovës dhe Serbisë.

Ai thotë se ekzistojnë të dhëna të mjaftueshme të për të punuar rreth shtrirjes së vijave kufitare mes dy vendeve.

“Kosova duhet ta ruajë kufirin administrativ të dikurshëm dhe besoj se ky proces do të ishte përmbyllur në formën më të mirë po që se arrihet të ruhet ky kufi administrativ i cili ka ekzistuar”.

“Është një fat i madh që edhe disa ndryshime të cilat kanë ndodhur në vijën administrative midis Kosovës dhe Serbisë në periudha të caktuara kohore, të gjitha janë të mbuluara me vendime të qarta politike të periudhave dhe kohës së caktuar dhe kësisoj mendoj që nuk ishte dashtë të kishte ndonjë kontest dhe asnjë problem në kuptimin e përcaktimit të vijës kufitare”, tha Bulliqi.

Ish-zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se në bazë të çështjeve kadastrale me të cilat është punuar edhe për shënjimin e vijave kufitare me shtetet tjera, Kosova duhet të veprojë njësojë edhe për shënjimin e kufirit me Serbinë.

“Ne i kemi të gjitha të dhënat kadastrale sikur i kemi pasur me Maqedoninë, me Malin e Zi, i kemi edhe me Serbinë. Pra, duhet edhe këtu që të koncentrohemi në elementin kadastral. Nëse këtë e bëjmë, unë besoj se nuk do të ketë fare problem”, tha Gecaj.

Përcaktimi i kufijve është çështje e rëndësishme e sovranitetit shtetëror, thotë Gecaj, që sipas tij, nëse arrihet një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, edhe çështja e vijës kufitare duhet të jetë e rregulluar me atë marrëveshje.

“Unë më shumë besoj se problemi me Serbinë është më tepër politik. Pra, fakti që Serbia nuk e njeh realitetin e krijuar në Kosovë se sa që është problemi teknik. Mendoj se nuk do të ketë probleme të aspektit teknik, nëse ata pajtohen që në këto diskutimet përfundimtare ta njohin realitetin e shtetit të Kosovës”, tha Gecaj.

Pas ratifikimit të Marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi, proces ky që kishte zgjatur tre vjet, tani Kosovës i mbetet të rrumbullakojë edhe shënjimin e vijës kufitare me Serbinë.

Feja e shqiptarit është shqiptaria : Profesori i shkencave islame , prof.dr.Xhabir Hamiti: Mos bëni gara në ndërtimin e faltoreve, ndërtoni fabrika

                                                    Shkruan Flori Bruqi


Dy figura të rëndësishme të dy feve, Islame dhe Krishtere, janë takuar kohë më parë në rrugë.(7.11.2016).

 Xhabir Hamiti dhe Don Lush Gjergji, teksa po kalonin rrugën në semafor janë takuar dhe janë përshëndetur.

Përveç që biseduan, ata bënë edhe një fotografi së bashku, të cilën e ka publikuar Hamiti në facebook.

“Nje takim i sotem i pa planifikuar me Don.Lush Gjergjin ne rruget e Prishtines. I respektuam edhe shenjat e komunikacionit. Jemi krenar qe jemi shiptare. Besimi eshte zgjedhje e lire e njeriut. Ndajme nje gjuhe nje kulture dhe nje dhe te perbashket”, ka shkruar Hamiti.

Fotografia ka marr komente me fjalët më të mira duke shprehur respektin për të dy.




Një nga profesorët e Fakultetit të Studimeve Islame, Xhabir Hamiti ka bërë një thirrje të hapur lidhur me ndërtimet e faltoreve në Kosovë.

Sipas tij kombi ynë sot, krahas faltoreve të domosdoshme për besimtarët, ka më shumë nevojë për hapjen e ndonjë laboratori shkencor apo fabrika të prodhimit të cilat ndihmojnë përmirësimin e mirëqenies sociale për qytetarët, transmeton Indeksonline.

Hamiti ka thënë se faltoret na duhen si të domosdoshme, por jo edhe nga dy brenda dy lagjeve të një fshati.



Postimi i plotë i  prof. Xhabir Hamitit:

A bënë t’i lusim “humanitarët” e vendeve islame, por edhe të krishtera të ndalojnë që edhe më tutje të bëjnë garime në ndërtimin e faltoreve në mesin tonë.
Trojet tona dhe kombi ynë sot, krahas faltoreve të domosdoshme për besimtarët, është më se i nevojshëm për hapjen e ndonjë laboratori shkencor, instituti të hulumtimit apo fabrika prodhimi të cilat do të ndihmonin në përmirësimin e mirëqenies sociale për qytetarët tanë.
Varfëria dhe mungesa e përspektivës zbehë dhe vë në rrezik edhe lidhjen e besimit me Zotin.
Fjala e urtë arabe thotë: “ Varfëria pothuajse të shpie në mosbesim”.
Ndërsa ne shqiptarët themi: “Varfëria të qonë në derë armikut”.
Faltoret na duhen si të domosdoshme, por jo edhe nga dy brenda dy lagjeve të një fshati, e të cilat nuk mbushen asnjëherë me besimtarë, qoftë edhe në ditët e shënuara festive.

Xhabir Hamiti,  thotë  se Bashkësia Islame e Kosovës, kohët e fundit, ka ndërmarrë disa hapa për vetëdijesimin e imamëve, në mënyrë që të mos bien në grackat e individëve dhe grupeve, që kanë qëllime ideologjike dhe politike në emër të fesë.

“Ka pasur dhe ka interpretime dhe qasje të ndryshme ndaj fesë. Këtë duhet pasur parasysh dhe të mbahen seminare intensive me imamët, në mënyrë që t’iu bëhet me dije se në çfarë vendi jetojnë, në çfarë rrethanash jetojnë, në çfarë pozicioni gjeografik dhe gjeopolitik jetojnë”.

“Shumë prej tyre nuk janë të vetëdijshëm as për rrymat politike fetare, të cilat janë aktive në botën arabe. Pra, kjo është imediate dhe duhet të veprohet me hapa sa më shpejt të mundshëm. Një hap të tillë, nuk e kam vërejtur të jetë intensiv brenda udhëheqjes ose liderëve të tanishëm të Bashkësisë Islame të Kosovës”, shprehet Hamiti.


Poashtu Prof.dr.Xhabir Hamiti, ka folur për organizatat, të cilat po thirrën në emër të fesë islame dhe po kryejnë krime më brutale në emër të kësaj.

Ai ka përmendur Shtetin Islamik (ISIS), si njërin nga grupet ekstremiste më famëkeqe, i cila kryen krimet më të tmerrshme dhe po krijon destabilizim jo vetëm në vendet arabe, por edhe në qendrat kryesore evropiane.

Ai ka thënë se e gjithë lufta në Siri zhvillohet për shkak të marrjes së pushtetit nga sektet që gjendën në këtë vend.

Sipas tij, kjo është edhe arsyeja pse u krijua ISIS – për të marrë pushtetin nga duart e presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad.

Hamiti në “Komiteti” ka treguar se fillimisht kundër Assadit ishin forcat opozitare pa përmbajtje radikale, mirëpo më vonë ai ka thënë se ka dalë situata jashtë kontrollit.

Image result for isis


Produkt i kësaj, sipas teologut ishte edhe ISIS, që përdor çdo mënyrë për të marrë pushtetin nga forcat qeveritare siriane.

Në një shkrim të tij ai ka reaguar sërish për keqinterpretimet fetare që po bëhen në Kosovë.
Përmes shkrimit të tij, ai fajëson çdo person që lejoi të bëhen keqkuptimet e tilla, që janë të dëmshme jo vetëm për fenë po edhe për shqiptarët si komb. Dhe, ç’është më e keqja, kur pasojat vijnë nga këto keqinterpretime, askush nuk po merr përgjegjësi. Shkrimin e tij mund ta lexoni të plotë më poshtë.

“Vajtimi i ekstremizmit fetar në Kosovë

Shoqëria e jo, në vend që të merret me çështje të rëndësishme jetike dhe madhore të saj, ajo sot po detyrohet që të merret me fenomenin ekstremizmit të dhunshëm fetar, i cili sigurisht se më së paku do duhej të ishte pjesë e agjendës së saj ditore!.

Gazetarë dhe analistë të ndryshëm, përfshirë edhe ata të përmasave botërore, së fundi u morën me neve, duke na paraqitur e portretizuar si shoqëri dhe vend të pëlleshëm, i cili po bënë vaditjen dhe rritjen e ekstremistëve të dhunshëm fetar!.

Një gabim i pafalshëm për neve?

Është shumë e papranueshme që ne sot të përzgjidhemi në disa nga mediat botërore si një vend dhe shoqëri e cila kultivon ekstremizmin fetar dhe që prodhon terrorist potencial! Mendoj se një cilësim kaq gjeneral është i tepruar. Vogëlsia dhe pafuqia e jonë si vend i vogël dhe në konsolidimi e sipër nuk duhet të shërbejë si target për agjenda globale.


Image result for kisha dhe xhamia ne kosove


Ndërsa,a në anën tjetër, çdo njëri i cili ka pasur përgjegjësi publike në këtë vend , sidomos që nga paslufta e deri më sot, duhet të ndihet përgjegjës dhe i turpëruar për neglizhencën dhe mos reagimin në kohë.

Në fakt, ajo që duhet të thuhet është se elementet e ngjyrosura me ekstremizëm në emër të fesë, në përgjithësi, erdhën tek ne gjatë dy dekadave të fundit. Më herët ato nuk ishin në mesin tonë. I sollën të tjerët në kohën me të ligë kur ne ende gjëmonim nga plagët e luftës shkatërrimtare.

Por, a i ndihmuam edhe ne sadopak zgjerimit të një interpretimi dhe predikimi të ngurtë në emër të fesë pas luftës në vendin tonë?

Përgjigjja është: Po i ndihmuam!

A ishim të vetëdijshëm për pasojat e mëvonshme që mund t`i kemi, kur vet toleruam mendimin fetar rigid të shtyrë nga agjenda politike të jashtme që të zë vend në shoqërinë tonë?.

Edhe për këtë përgjigjja është negative: Nuk ishim sa duhej të ishim!

Ne gjithashtu nuk arritëm as të mbyllim derën për predikuesit e jashtëm dhe as të atyre të brendshëm, të cilët në Kosovën e pasluftës mendonin se Zotin e kanë më afër se të gjithë të tjerët, dhe se vetëm ata janë të thirrur që të flasin në emër të Tij.

Gjithashtu nuk e patëm as kapacitet teknik dhe logjistikë për të ndaluar propagandën e dhunshme në emër të fesë, të zhvilluar përmes mjeteve kibernetike, mirëpo për këtë sigurisht nuk jemi fajtor.

Por, cila është forma e parandalimit të mëtutjeshëm të një fenomeni të tillë?

Aq sa po shihet deri më sot, ende nuk ka ndonjë hap konkret në parandalimin e ideologjisë fetare e cila qonë në ekstremizëm dhe radikalizëm të dhunshëm.

Sipas të dhënave të sakta, çdo vit nga Kosova mbi 40-50 studentë regjistrohen në universitete të ndryshme të botës, të cilat shumica e tyre me përjashtime të vogla janë të njohura për interpretimin dogmatikë dhe të verbër të fesë.

Nëse këta studentë mbesin vetëm brenda domenit të universiteteve dhe të kurrikulave të tyre, çalimi dhe mangësia e tyre në raport me ambientin dhe rrethin tonë do të mbesin permanente.

Kthimi i tyre në vitet në vijim si dhe inkuadrimi i tyre në faltoret tona pa ndonjë parapërgatitje institucionale vendore, vetëm sa do ta rrisë problemin interpretimit të verbër të fesë, i cili pa asnjë dyshim se do të shtojë hutinë si dhe do jetë shkaktarë i luhatjes së tolerancës konfesionale, ndërkonfesionale dhe transkonfesionale.

Ne sot kemi aq shumë kuadro fetare vendore që më herët nuk i kishim, sa që fare nuk kemi nevojë të ikim jashtë vendit për të studiuar mësimet fetare.

Mjafton të përforcohen kriterët në institucionet tona edukative fetare dhe nga to të nxirren kuadro të mjaftueshme për vendin dhe ambientin në të cilin jetojmë.

Vajtimi është vesë i njeriut të dobët, jo vigjilent dhe jo vizionar për të ardhmen e tij.

Preventiva e sëmundjes është shumë më e lehtë sesa shërimi i saj.

Predikimet fetare të cilat nuk i kontribuojnë të mirës së individit, vendit tonë dhe shoqërisë në përgjithësi, nuk duhet duhet toleruar që të jenë pjesë e jona”, ka thënë Hamiti.

Presidenti i Kosovës,Hashim Thaçi, në 8-vjetorin e vendimit të GJND: Të bashkohemi për të siguruar fitoret e radhës së shtetit tonë


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke komentuar vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila tetë vjet më parë dha mendimin këshillues mbi legalitetin e Deklaratës së pavarësisë së Kosovës, ka shkruar se ishte ndër fitorët më të mëdha ndërkombëtare.


Thaçi, përmes një postimi në Facebook, tha se ky vendim i parapriu shumë proceseve politike, në të cilat ishim të bashkuar, duke ia siguruar Kosovës ndër fitoret më të mëdha ndërkombëtare.

Postimi i  presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit:

“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) tetë vjet më parë dha mendimin këshillues mbi legalitetin e deklaratës së pavarësisë së Kosovës. Ky vendim i parapriu shumë proceseve politike, në të cilat ishim të bashkuar, duke ia siguruar Kosovës ndër fitoret më të mëdha ndërkombëtare. Edhe sot, na presin shumë sfida, e për tejkalimin e tyre duhet të japim kontribut të gjithë, për t’i siguruar fitoret e radhës së shtetit tonë, anëtarësimet në BE, NATO dhe OKB”, ka shkruar  presidenti i Kosovës,Hashim Thaçi.

Interpretimi i Deklaratës së Pavarësisë nga GJND, pjesë e bibliotekës së kongresit amerikan


Libri Interpretimi i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) i autorit Bujar Desku, është bërë pjesë e Bibliotekës së Kongresit Amerikan e poashtu në të njëjtën kohë edhe e Bibliotekës së Universitetit prestigjioz Columbia University dhe Bibliotekës Shtetërore të Bavarisë-(Bayerische Staatsbibliothek).


Katalogimin e librit të autorit Desku në librarinë e Kongresit si dhe në dy libraritë tjera prestigjioze e ka konfirmuar Albana Pronja ri, specialiste e përzgjedhjes se librave për bibliotekat kombëtare në Agjencinë për publikime “Botimpex” nga Tirana.

Sipas Pornjarit, përzgjedhja e librave nga ana e Bibliotekës së Kongresit bëhet sipas relevances së temës së trajtuar në një profil të caktuar, dhe libri në fjalë është vlerësuar se ka një përmbajtje të rëndësishme dhe aktuale.

“Në kundër të bashkëpunimit me Librarinë e Kongresit Amerikan, dhe si kërkesë e tyre e posaçme për botime të fushës juridike nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, specialistët e Agjencisë “Botimpex”, e kanë përzgjedhur këtë libër për të qenë pjesë e fondit dhe katalogut të tyre”, ka deklruar Pornjari.

Libri është publikuar në vitin 2013 nga shtëpia botuese “Faik Konica”, dhe përmbajtja e saj përshkohet nga një përmbledhje kronologjike historike si dhe një analizë të gjatë të gjithë procesit që ka përshkuar Kosovën që nga periudha e pasluftës, Administrimi Ndërkombëtar, shpallja e Pavarësisë së Kosovës dhe si rrjedhojë kontestimi i saj nga ana e Serbisë, e deri tek mendimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Biblioteka e Kongresit Amerikan, njihet si institucioni i parë kulturor federal në SHBA dhe aktualisht është libraria më e madhe në botë e themeluar në vitin 1800, ndërsa e vendosur në Capitoll Hill në vitin 1814.

“Library of Congress”, është degë e Kongresit Amerikan, në të cilën janë të koleksionuara mbi 160 milionë libra, periodikë, dorëshkrime, harta, muzikë, regjistrime, imazhe dhe resurse elektronike, derisa Katalogu Online LC përmban 17 milionë rekorde që përshkruajnë këto koleksione.

Vlen të theksohet se pikërisht subjekti që trajton ky libër u dha 8 vjet më parë i njohur si Opinioni Këshillëdhënës i GJND-së ( 22 korrik 2010) i cili konfirmoi në mënyrë të qartë dhe shprehës se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka cenuar asnjë normë ligjore të së drejtës ndërkombëtare.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...