Agjencioni floripress.blogspot.com

2018/09/16

Të premten, Komisionerja Europiane për Transportin, Violeta Bulc njoftoi se BE-ja do të ndalet së ndryshuari akrepat e orës në mbarë kontinentin në tetor të vitit 2019.

Bashkimi Europian do të heqë dorë nga ndryshimi dy herë në vit i akrepave të orës, e për këtë u ka dhënë vendeve anëtare kohë deri në prill të vitit të ardhshëm për të vendosur nëse duan të qëndrojnë me orën verore apo atë dimërore.
Ky ishte një vendim i shumëpritur dhe i votuar nga shumë shtetas europianë në një sondazh të pak muajve më parë, duke marrë vlerësime edhe nga Presidenti i Komisionit Europian,  Jean-Claude Juncker.

Por pavarësisht mbështetjes së gjerë për vendimin, ende ekziston ende frika se Europa mund të përfshihet nga kaosi i zonave të ndryshme orare.
Të premten, Komisionerja Europiane për Transportin, Violeta Bulc njoftoi se BE-ja do të ndalet së ndryshuari akrepat e orës në mbarë kontinentin në tetor të vitit 2019. Praktika, e cila synonte të kursente energji që prej kohës së Luftrave Botërore dhe krizës së naftës së viteve ’70, u bë ligj anembanë bllokut në vitin 1996.
Të gjitha vendet e BE-së duhej të avanconin me 60 minuta akrepat në të dielën e fundit të marsit, e më pas të kthenin 60 minuta më herët të dielën e fundit të tetorit. Tashmë, Bulc ka thënë se shtetet anëtare kanë kohë deri në prill të vitit 2019 për të vendosur nëse do të qëndrojnë përfundimisht me orarin e marsit apo të tetorit.

Michael Bloomberg, tre herë kryebashkiak i Nju Jorkut dhe kreu i një perandorie mediatike, dëshiron të sfidojë Donald Trump.

Për këtë arsye ai po konsideron një zbritje në fushë për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 në radhët e demokratëve. Pezullimi është raportuar nga disa media amerikane. Bloomberg, 76 vjeç, u përpoq të kandidonte për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2008, 2012 dhe 2016, por gjithmonë si një i pavarur.

Në vitet e fundit, miliarderi dhe magnat informacionit ka ndarë shuma të mëdha në betejat anti-Trump, si në çështjen e klimës apo edhe atë kundër armëve. Ndërkohë, për Trump, vijnë lajme të këqija: ish-menaxheri i fushatës së tij të vitit 2016, Paul Manafort, ka arritur një marrëveshje me prokurorin special që heton “Russiagate”, Robert Mueller. Manafort ka deklaruar përgjegjësinë është gati të bashkëpunoojë me hetimet që synonin të konstatonin nëse Trump kishte kontakte me Moskën.

I vetëburgosuri i artit

Nga Durim Abdullahu


Që nga koha e regjimit ngjyrëkuq që e kishte burgosur, ai jeton në një bllok banesash të ndërtuara kaherë, në lagjen e Pazarit të Ri në Tiranë. Dy ditë më pas, ai do të bëhet 83 vjeç. Megjithëse njëri ndër artistët dhe intelektualët më aktiv shqiptar, deri tani, zëri i tij ka mbërritur në Prishtinë vetëm nëpërmjet ekranit të televizioneve nga Tirana.
Edhe kësaj radhe, Prishtinës do t’i flet po përmes ekranit televiziv, por siç vëren vetë ai që në krye të intervistës, kjo është hera e parë që intervistohet nga një media kosovare. Televizioni është KTV-ja (Kohavisioni), emisioni që do të transmetoj intervistën quhet CODEX, kurse gazetari është autori i këtyre rreshtave.
Sapo përshëndetemi, ai shpreh habi për saktësinë e ekipit televiziv. E kishim lënë të shkonim në ora 12:00 dhe ne kishim mbërritur një minutë para mesit të ditës. Shoqëruesja e ekipit tonë e cila edhe ka ndërmjetësuar intervistën, Alda Bardhyli, mundohet të më ndërgjegjësojë që janë të rralla rastet kur ai jep intervistë në banesën e tij ku edhe krijon. Ajo di shumçka nga jeta e tij, madje edhe ‘jetën e tij paralele’ siç sugjeron titulli i librit të sapobotuar prej saj “Maks Velo: Jetë paralele (Sipas raporteve të Sigurimit të Shtetit): Dokumentet sekrete të ndjekjes, hetimit, dënimit dhe burgut. Me parathënie dhe biseda me Alda Bardhylin”.
Ai është një libër që përmbledh 106 dokumente të përzgjedhura nga dosja e Sigurimit të Shtetit për Maks Velon gjatë viteve të regjimit komunist, kur ai ishte burgosur i akuzuar për agjitacion dhe propagandë.
Në të vërtetë, siç e kishte thënë vetë Velo, pak ditë para se të lirohej nga burgu më 1986, “unë për veten time e quaj dënimin tim të padrejtë, sepse jam i dënuar mbi bazë shpifjesh, por vetëm një gjë e kam pasur që kam qenë i pari pas artit modernist”, citohet Velo në një raport sekret të punëtorit operativ Pëllumb Sinoimeri dhe të shefit të seksionit I, Duro Sako.
Një i dënuar nga diktatura komuniste për pikturat e tij, gjithsej 249 vepra të konfiskuara dhe më pas të djegura në kaldajën e Gjykatës së Tiranës. Sipas formatit të emisionit, tre librat për të cilët ka zgjedhur të flas Velo, janë një roman artistik, një roman dokumentar dhe një vepër me kujtime. Por fillimisht, ai do na qeras me nga një gotë raki, të cilat i pijmë në këmbë, duke shëtitur në banesën e tij, në kërkim të këndit më të përshtatshëm për të xhiruar intervistën.
Të thuash se banesa e tij është kthyer në atelie, mbase nuk është përshkrimi më i saktë. Kjo pasi kur të gjendesh në të, vëren që më shumë se sa një banesë e shndërruar në atele, ke të bësh me një atele në të cilin jetohet. Shkallët që të ngjisin në të, e ndajnë atë në dy krahë, ku në të djathtin ka një dollap rrobash dhe një krevat poshtë mureve ngjyrëerrët që mbajnë disa nga piktuart e vetë Maksit, kurse në krahun e majtë, përveç një tavoline pune nga druri dhoma dominohet nga një raft i madh i mbushur dingas me libra dhe revista.
Ballkoni i banesës, është hapësira ku me sa duket ai pikturon. Nën dritën natyrale të diellit që ka bërë aq vapë në atë ambient disi të çrregullt, sheh dy kanavaca mbi të cilat qëndrojnë piktura me sa duket ende të papërfunduara. Veshjet e druvarëve kuksianë, më thotë ta kenë kthyer së fundmi te kubizmi. Maks Velo po i pikturon ata! Ai ka veshur një palë pantollona të bardha dhe një këmishë ngjyrëqielli, të dyja nga lini, për të përballuar vapën e ditës së fundit të gushtit. Ne ulemi në dy karrige të vjetra druri, kurse rafti me libra do të jetë sfondi i intervistës sonë. Të tre autorët e librave që ka përzgjedhur, ai i ka njohur dhe ka patur miqësi me ta.
I pari libër, mban dhe një shenjë prej vetë Velos pasi siç rrëfen që në fillim të intervistës, ai ishte bërë shkak për emërtimin e tij. Është një nga kryeveprat e letërsisë moderne shqipe: “Kronikë në gur”, romani i Ismail Kadaresë i botuar më 1971.
“Po ktheheshim të dy në mbrëmje, kur më thotë ‘Maksi prit një minut’. Shkoi lart, kthehet, kishte një gazetë ku kishte mbështjellë një libër të shtypur me makinë që ishte ende dorëshkrim. Dhe më thotë lexo dhe shiko ndonjë titull a ndonjë shtesë. Kështu që kam qenë lexuesi i parë i librit. E lexova dhe i sugjerova “Kronikë në gur” dhe ai pranoi.” Kështu rrëfen ai 47 vjet më pas historinë se si i kishte sugjeruar titullin “Kronikë në gur” mikut të tij, shkrimtarit Ismail Kadare atë kohë ende në ngritje e sipër si autor. Për Velon, “Kronikë në gur” është një kthesë në letërsinë shqipe ku në mënyrë instiktive, Kadare godet dy qytetet më të rëndësishme të kohës, Korçën dhe Shkodrën, me një qytet fantazmë, Gjirokastrën. Sipas tij, te ky roman, për herë të parë “Kadare i bën qejfin Enver Hoxhës”.
“Është gjeni i vërtetë” – vazhdon Velo teksa flet për Kadarenë, që nuk heziton ta quaj “shkrimtar të krimit”, duke e krahasuar me Agatha Christien, por me dallimin që ai “është shkrimtar i krimit botëror”. “I pëlqen që kontinentet të zihen, të vriten, të therren, të helmohen. Merret me krimin historik, me krimin e madh, i pëlqen Ismalit ta ndjek krimin, ku do të shkoj krimi në maksimum.” Në gjykimin e tij, asnjë shkrimtar – madje as turk – nuk e ka përshkruar më mirë Perandorinë Osmane se sa Kadare. Falë dy librave të tjerë për të cilët ka menduar të flas, pjesa tjetër e intervistës me Maks Velon, do të ketë për temë burgosjet e kohës së komunizmit. Janë kujtimet e At Zef Pllumit “Rrno vetëm për me tregue” dhe romani i Fatos Lubonjës “Ridënimi”.
I pari, një botim më i vjetër, i pari botim i kësaj vepre, të cilin mezi e kishim gjetur në bibliotekën e Maksit. Kurse i dyti, një ribotim i shtëpisë botuese KOHA, që unë e kasha marrë me vete nga Prishtina. Me Padër Zefin, priftin françeskan tashmë të ndjerë, Velo tregon të jetë njohur në burgun famëkeq të Spaçit, ku ai e kujton Zefin si shumë të tërhequr dhe të rezervuar. Në gjykimin e tij, rëndësia më e madhe e kujtimeve të Zef Pllumit, është pjesa e viteve të para të komunizmit dhe rrëfimet për klerin katolik. Teksa e kujton At Zefin, ai e kujton si një njeri të çuditshëm dhe shumë të qetë, që nuk linte përshtypjen që ishte aq i aftë. Letërsia e burgut, siç u referohet ai botimeve të librave me rrëfimet e të ish-të burgosurve të asaj epoke, është shumë e vështirë të shkruhet sipas Velos. Kjo pasi që sipas tij, secili mund të shkruaj kujtimet e tij, por është e vështirë të bësh letërsi.
Në historinë e librit të tretë, përveç autorit Fatos Lubonja, me të cilin ai kishte bashkëpunuar edhe te Komiteti i Helsinkit, Maks Velo kishte njohur edhe dy gazetarët që janë personazhe të romanit “Ridënimi”, Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani. Madje, ai kujton historinë e pushkatimit të tyre. “Isha aty kur i kanë ekzekutuar sepse po flija në katin e tretë dhe dëgjova, ishte ora dy e natës, bamm-bam dyert, i morën, ata bërtitën ‘shokë lamtumirë’ dhe në drake pastaj pamë nga dritarja që rrobat e tyre i dogjën.” Për të, romani dokumentar “Ridënimi” i Fatos Lubonjës, është një nga librat fundamental të letrsisë së burgut. Teksa i kthehemi librit me dokumente nga dosja e Sigurimit të Shtetit, ai thotë se këta lloj librash shpërfaqin një kompleks të shqiptarëve, pasi që sipas Velos, shqiptarët nuk duan të shohin vetën e tyre në pasqyrë asnjëherë. Kjo, si një problem me ndërgjegjën, ku njerëzit duan të marrin përfitimet e të keqes, por e keqja duan të mos merret vesh.
Me këtë gjykim etik për shoqërinë shqiptare, biseda jonë prej interviste merr fund, për të vazhduar në formën e një bisdede të lirshme, mes librave dhe pikturave që janë të vetmet mobilje dhe ‘takëme’ në banesën atele të Maks Velos. I kërkoj të më firmos librin e ‘jetës paralele’ të tij. Me një shkrim germëmadh dhe me një të shkruar të shpejtë e të shpenguar – krejt i natyrshëm për një piktor – ai shkruan: “Durimit, me respekt, Maks Velo, gusht 2018.” Ai kërkon nga kameramanët t’i heqin mikrofonin nga këmisha, teksa çohet në këmbë për të më treguar disa nga punimet e tij të fundit. Ikën diku për tu kthyer me katër piktura në dorë që i mbështet me radhë në karrige, për t’i flimuar kameramanët, teksa ai flet për to. Janë punë abstrakte, të bëra me tempera në një letër shumë kualitative të quajtur “Arsh” që ai thotë se prodhohet në Franacë nga pambuku dhe gjelatina e peshkut.
“Kam gjëra që më kanë ngelur Brenda me vite: 10 vjet, 50 vjet. Sikur kjo, që është abstragimi i natës së Shën Bartolemeut. Kurse, kjo është “Golgota”, ajo që Krishtit i vunë kryqin përsipër, dhe i thanë do ta çosh deri në majë të kodrës dhe do të mbërthejmë aty. Tani me këtë fantazon njeriu: vuajtja e njeriut, marrja e kryqit, rënia, ngritja, rënia përmbys. Me një fjalë, kjo është Golgota!” Kështu përfundon shpjegimi fjalëpak i Maks Velos për pikturat e tij të fundit, që ai nuk dëshiron t’i shpjegojë dhe aq shumë, pasi që siç e thotë dhe vetë, janë vepra abstrakte. Pas dy orësh bisedë largohemi nga banesa e këtij arkitetkti dhe piktori me një jetë aq të trazuar.
Përveç intervistës gjysmë orëshe dhe filmimeve të mëpastajme të veprave të tij, me vete kemi marrë edhe aromën e çuditshme të drurit të mobiljeve dhe bojërave të shtresuara në pikturat e vjetra dhe ato në bërje të Maks Velos. Përshëndetemi me shpresën për tu parë në Prishtinë, ku ai nuk ka pasur rast të ekspozojë ende pikturat e tij. Në makinë, rrugës për në Prishtinë, mendoj për intervistën, bisedën dhe në përgjithësi takimin me këtë njeri. Ç’fat?! I lindur në Paris, i burgosur për artin e tij, i kthyer në shkrimtar me krijimet letrare për burgun dhe i ‘burgosur’ në banesën e tij atele mes pikturave dhe librave të tij. Përballë fatalitetit të pashmangshëm të këtij fati, Maks Velo, më ngjau si një i ‘vetëburgosur’ i artirt të tij.

Babi i Ritës zbulon pse u detyrua të ndryshojë mbiemrin në Angli nga Sahatçiu në Ora


Rita Sahatçiu ka lindur në vitin 1990. Familja e saj u largua nga vendlindja një vit më vonë për shkak të gjendjes politike në Kosovë.
Rita, asokohe një vjeçe, u largua nga shtëpia e saj pa mbartur asnjë kujtim! Vitet kalonin, por prindërit nuk ndaluan kurrë së qëni krenar për vendin nga vinin e këtë dashuri ua përcollën dhe 3 fëmijëve Ritës, Elenës dhe Donit.
Nëse deri më tani nuk e keni kuptuar për kë po flasim, është një detaj i vetëm që ju konfuzon (mbiemri Sahtçiu). Kjo është historia e familjes së Besnik dhe Vera Sahtaçiut, por që në Britaninë e Bashkuar njihen si ORA.

Mbiemri i Ritës, një prej artisteve më të dashura me famë botërore vjen prej trashëgimisë së profesionit të të parëve të babait të saj, Sahatçiu, që do të thotë ‘orëndreqës’.
I ati vendosi ta ndryshonte mbiemrin e tyre në Ora, sepse ishte më e lehtë për t’u shqiptuar dhe për t’u mbajtur mend. Ndonëse asnjë fëmijë nuk mori zanatin e të parëve për të cilin shquheshin në Kosovë, Rita bëri të mundur që ky mbiemër të njihej në gjithë botën.

Historiani rrëzon “mitin” e Mësonjëtores së Korçës: Shkolla e parë shqipe u çel në Kurbin

Historiani rrëzon “mitin” e Mësonjëtores së Korçës: Shkolla e parë shqipe u çel në Kurbin
Pavarësisht njohjeve historike, të gjithë e dimë që shkolla e parë shqipe daton më 7 mars të vitit 1887, me mësues dhe drejtor të parë, Pandeli Sotirin. Por në Kurbin, një historian i zonës hedh idenë e guximshme që në Skuraj shkolla ka ekzistuar që në vitin 1632. Për historianin Kastriot Marku, shkolla e parë ka qenë në një ndërtesë që më pas funksionoi si një kishë që sot i kanë mbetur vetëm gërmadhat. “Tashmë me një hartë të vitit 1689 saktësohet se në vitin 1632 hapet një nga shkollat e para shqipe. Në relacionet e vitit 1641 dhe 1644 rrëfehet konkretisht se këtu funksiononte një shkollë në rangun e një kolegji, Kjo është një dëshmi tjetër kulturore me mjaft rëndësi e kësaj kohe që tregojnë për fillimet e shkollimit shqip”, shprehet Kastriot Marku. Nga dokumentet e kohës që historiani ka mundur të gjejë dhe faktojë, shkolla e Skurajt ka qenë laike dhe në të mësonin shqipen nxënës nga e gjithë malësia e Kurbinit. Mësues i parë i kësaj shkolle ka qenë Gjon Koleci.

Mësonjëtorja e Korçës

Mësonjëtorja e Korçës është shkolla e parë e gjuhës shqipe . Ajo u hap më 7 mars të vitit 1887 në Korçë në shtëpinë e ofruar për mësimdhënie nga Diamanti Terpo. Kjo ndërtesë është sot muzeum kombëtar i arsimit. Mësues dhe drejtor i parë i saj ishte Pandeli Sotiri. Ai e filloi mësimin në gjuhën shqipe fillimisht me 35 nxënës. Hapja e kësaj shkolle për nga karakteri kishte tipare demokratike, pasi në të mësonin fëmijët e të gjitha shtresave, të varfër e të pasur. Kjo shkollë kishte një klasë përgatitore si dhe katër klasa të rregullta. Lëndët mësimore ishin shkrimi, këndimi, gramatika e gjuhës shqipe, historia, gjeografia, aritmetika, dituria natyrore dhe edukimi fizik. Hapja e shkollës ishte një ngjarje dhe një fitore e madhe për gjithë lëvizjen kombëtare. Mësonjëtorja e Korçës ishte qendër e rëndësishme për formimin kulturor dhe ngritjen e ndërgjegjes dhe moralit në popull. Ajo nxiti edukimin patriotik të brezit të ri e të masave të gjera. Shkolla tërhoqi interesin dhe admirimin e shumë shqiptarëve, nën shembullin e saj u frymëzuan më vonë edhe banorë të viseve dhe trevave të tjera shqiptare. Veç tjerash kjo ngjarje ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar, pasi deri atëherë dhënia e mësimeve për shkak të pushtimit osman bëhej privatisht brenda shtëpive në mënyrë të fshehtë. Kështu që nga ajo ditë 7 marsi festohet në Shqipëri si dita e mësuesit për të përkujtuar atë ngjarje të rëndësishme kulturore dhe historike. Edhe pse në kushte të vështira, kur mësimi i gjuhës shqipe për shkak të kushteve të ndodhura nën sundimin osman ishte rreptësisht i ndaluar, mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për gati 15 vjet. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, etj. Kontributi i madh që këta atdhetarë dhe veprimtarë të shquar dhanë për kombin dëshmohet nga dëshira e zjarrtë që ata kishin për të përhapur dijen në popull. Me ato mundësi që kishin ata u bënë iniciatorët e krijimit të të teksteve të para shkollore të dokumentuara. Ata i përkushtuan një rëndësi të madhe pajisjes me mjetet e duhura të mësimdhënies për të bërë më tej dhe shpërndarjen e tyre te nxënësit e tyre. Të edukuar dhe me frymën e lartë të patriotizmit këta nxënës do të bëheshin në të ardhmen dhe pasuesit e denjë të ideologjisë së mësuesve të tyre dhe luftëtarë të devotshëm për luftën për liri dhe pavarësi.

SHKOLLAT E PARA SHQIPE TË MESJETËS


Nga Ndue Dedaj 


Këto kohë ka pasur zëra të shkruar e të pashkruar, për ta riparë datimin e së parës shkollë shqipe në vendin tonë, që sot për sot zyrtarisht e kemi në fundin e shekullit XIX, me Mësonjëtoren e Korçës të vitit 1887, natyrisht një gjurmë e shndritshme e veprës së Rilindësve tanë. Po a nuk janë rilindës dhe ata që i hapën ato shkolla dy shekuj e gjysmë para kësaj?



Shkolla e pare


Shkolla e parë shqipe” mund të kërkohet dhe në një tjetër gjeografi rajonale nga ajo e mësipërme, në Jug të vendit. Kronikat thonë se në vitet 1628–1661, shkolla shqipe me germa latine u hap në Dhërmi të Himarës dhe më vonë edhe në disa qendra të tjera të krahinës.

Një kapitull më vete përbën shkolla e parë shqipe në Kosovë, aq më tepër se ajo është e shekullit XVI, afro gjysmëshekulli para shkollës së Kurbinit e Velës. Shkolla shqipe e Stubllës ka një traditë pesëshekullore. Edhe atëherë kur persekutimi i arsimit shqip nga autoritetet osmane ishte i ngritur në sistem, në Stubëll, fshat i Malësisë së Karadakut, më 1584 fillon tradita e arsimit shqip, i pari dhe i vetmi rast atëherë në Kosovë, kur edhe kishte funksionuar shkolla e parë.

Duke marrë në analizë këtë traditë të vyer të katër shekujve më parë, shkencërisht dhe pa paragjykim, siç i ka hije një historiografie moderne, a nuk është me vend që “datëlindjen” e shkollës shqipe ta shtyjmë më përpara, në gjysmën e parë të shekullit XVII, te një shkollë në Velë, Kurbin a diku tjetër



HISTORI/ NDRYSHE

NDUE DEDAJ

(I përkasin “rilindjes arbënore”, që i parapriu asaj kombëtare)

Shkolla e pareKorrigjimi i parë historiografik do të ishte: Nuk kemi një shkollë të parë shqipe, por disa shkolla të tilla dhe kjo është lumni për një komb. Korrigjimi i dytë historiografik: Shkollën apo shkollat e para shqipe nuk i kemi në shekullin XIX, por në shekujt XVI – XVII, të paktën nga viti 1632, ose 255 vjet më herët se shkolla e Korçës, që njihet zyrtarisht si i para. Korrigjimi i tretë historiografik: nuk ka kuptim që katolicizmit t’i pranosh librat e parë shqip, por jo dhe shkollat e para shqipe, pasi ato janë një unitet kulturologjik shqiptar, thënë ndryshe, ngjizur nga e njëjta ABC. Duhet mbajtur fort e ngulitur në mendje ajo që thoshte Faik Konica, se katolikët shqiptarë janë shkaku që u mbajt gjallë kombësia jonë, të cilët i thoshin lutjet shqip në meshën e së dielës, shkruanin librat shqip e hapnin shkollat shqipe. Kisha Katolike, në ravën e mundimshme të krijimit të vlerave themelore në shumëfishin e kulturës, s’i rreshti përgjatë Mesjetës përpjekjet shqipnore në lëmin e gjuhës dhe shkollimit. Ipeshkvi i Arbnisë, Imzot Gjon Kolesi, françeskan shqiptar, në vitin 1625 shpall para Selisë së Shenjtë nevojën e “ngrehjes” së një a dy shkollave në malësitë e dioqezës së vet (ku mvareshin dhe kishat e Krujës, Kurbinit, Matit, Lurës, Dibrës, përfshiheshin famullitë mirditore të Kthellës, Selitës e Rranzës) “me nga 10-12 çuna secila”, ku nxënësit “të mësonin shkrim e këndim dhe themele të mira të besimit”. Pastaj, të shkolloheshin më tej jashtë vendit, në Loreto (Itali), “sepse kështu do të nxirrej fryt i mrekullueshëm n‘ato vende ku s’ka shkolla e as mësues”. Dhe më e rëndësishmja: “mbasi të kenë nxanë për vete, do të bahen mësues për të tjerët”. (Injac Zamputi, Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë Veriore dhe të Mesme në shekullin XVII, Vëllimi I, Tiranë 1963, f. 371.) Kërkesa të tilla të prelatëve të lartë shqiptarë të shekullit XVII, por dhe të një shekulli më parë, bënë që për nevoja të predikimit shqip dhe formimin e klerit katolik vendas të hapeshin disa shkolla shqipe. “Një rol të rëndësishëm për këtë qëllim luajtën priftërinjtë katolikë shqiptarë, të cilët gjatë shekullit XVII hapën shumë shkolla fillore e të mesme në gjuhën shqipe; hartuan tekste shkollore, bënë përkthime të librave fetarë dhe hodhën themelet e letërsisë së shkruar shqipe”. (Menduh Dërguti, dr. Sonila Boçi, dr. Ledia Dushku, Historia, Tiranë, 2010, f. 38.) Studiuesit kanë vërejtur se “përveç shkrimit e leximit, aty mësohej gramatika shqipe dhe përdoreshin librat e Bardhit, Budit e Bogdanit”. (Edwin Jasques, Shqiptarët, 1995, f. 313. Të dhënat për këto çerdhe të para të diturisë sigurisht që nuk janë të mjafta, për shkak të travlimeve politike që kalonte vendi, rrënimit të arkivave e bibliotekave. Por dihet se në Shqipërinë e Veriut në Mesjetë kemi një gjerdan shkollash dioqezane, ku dy më kryesoret ishin e Kurbinit dhe e Velës. Ndoshta ndër ato të dyja, asnjëra nuk ishte e para, por sipas një shprehje latine, secila ishte e parë ndër të para. Mundet të ketë qenë rastësi, por më shumë mund të ketë qenë marrëveshje mes ipeshkvnish që ato shkolla të hapeshin njëherësh, në një vit. Ato vijnë përgjatë shekullit të 17 si dy krenat e një shqiponje, sa në një kreshtë Kurbin-Kruje, në një tjetër Mirditë-Lezhe. Duhet mbajtur parasysh se ato shkolla ishin në male të thella, të fshehura, pasi nuk mund të ishin lirisht në qytete, që ishin nën sundimin otoman. Malet ishin më të lira dhe për vetë rrojtjen e Ipeshkvinjve. Kemi një lartësim shpirtëror, moral dhe kulturor në nismën për këto shkolla, për çka memoriali i tyre nuk duhet vonuar më tej në shekullin XXI. Shkollat më së shumti ishin “ngjitur” në male, në Shna Premte të Kurbinit (dikur abaci e Ipeshkvnisë së Krujës), në Velë-Mirditë (qendër ipeshkvnore e Lezhës) e Shën Llezhdër të Oroshit (abaci dhe rezidencë verore e Ipeshvit të Lezhës), ku institucionet e besimit herë pas here përtëriheshin, shekullare dhe rregulltare. Françeskanët u jepnin arsimin fillestar fëmijëve të shtresave të gjera të popullsisë, aq më tepër që në Urdhrin Françeskan kishte dhe shumë shqiptarë. Në vitin 1585 ata mbijetonin në kuvendin e Sebastes-Laç, atë të Lezhës, të Rubikut dhe të Kepit të Rodonit, me një numër të përgjithshëm prej 40 rregulltarësh. Edhe shekullarët i kishin shtuar e përmirësuar shkollat, dhe për faktin se Koncili i Trentos (1545-1563) kishte vendosur që çdo dioqezë të kishte seminare për përgatitjen e priftërinjve. (Nikollë Loka, zhvillimi i arsimit në Arbërinë mesjetare, “Dielli”, 2012.) Krijimi i këtyre seminareve u ndërmor për të garantuar një formim më të mirë fetar, kulturor e moral të klerit të ardhshëm, me qëllim që ta bënte atë të aftë në zhvillimin e veprimtarisë pastorale. (Gian Luca Potestà, Giovanni Vian, Historia e krishterimit, Bolonja 2010, Tiranë 2012, f. 334.)



Shkolla e Velës

Shkolla e Velës u hap nga ipeshkvi i Lezhës. “Aty nxënësve u mësohej gjuha shqipe.” (Historia e Letërsisë Shqiptare, Tiranë 1983, f. 14.) Dom Prend Suli shkruante se për shumë vjet, Ipeshkvia e Lezhës ka pasur në Velë një Gjakoni (shkollë fetare), ku priftnit u mësonin shkrim të rinjve. Më pas, djemtë kryenin mësimet pranë Ipeshkvit, i cili i shuguronte meshtarë. Historiani i njohur, Zef Mirdita, shkruan se qëllimi i kësaj shkolle ka qenë formimi i klerit, prandaj ajo mund të konsiderohet si seminar. Këtë shkollë e vlerëson në shkrimet e veta dhe profesor Jup Kastrati, kurse akademik Jorgo Bulo, duke pasur parasysh kryesisht ndihmesën e saj, shkruan se Mirdita është vendi ku shqipja u mësua të paktën nga shekulli XVII dhe ku u ruajtën trajta arkaike me vlerë për historinë dhe zhvillimin etimologjik të shqipes. (Gjon Marku, Mirdita-intervista I, 2002, f. 52.) Rëndësia e Shkollës së Velës dëshmohet dhe nga një Urdhëresë e Kuvendit të Arbërit (1703) që lëshohet posaçërisht për këtë shkollë dhe atë të Kurbinit, si dy shkollat kryesore të kohës. Kapitulli 5 i Koncilit Shqiptar “Mbi shkollën e Kurbinit dhe të Lezhës/Velës” porosit që nxënësit “pas përvetësimit të shkrim – këndimit, duhet të mësojnë njohuritë e para gramatikore (nënkupto: shqipe) dhe ato të gjuhës latine.” (P. Vinçens Malaj, Kuvendi i Arbënit 1703, Ulqin-Tuz, 1999, f.127-128.) Ka pasur datime të ndryshme për sa i përket Shkollës së Velës, ndonjëherë është thënë gabimisht (nga mosnjohja e dokumenteve) se i përket vitit 1692, apo se është hapur rreth vitit 1660, por tashmë kohëhapja e saj është përcaktuar. Studiuesi amerikan Edvin Zhak, në librin e tij “Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme”, shkruan: “Shkolla e parë, e dokumentuar, në gjuhën shqipe, u hap në Velë të Mirditës më 1632”. Por kjo nuk ishte e vetmja. Sipas tij, “një tjetër shkollë mjaft e hershme ishte hapur në Kurbin po më 1632.” (Shih dhe Mehmet Elezi, Shkolla e Parë Shqipe në Shkodër, “Bota sot”, 8 nëntor 2003; Safet Hyseni: Histori e shkurtër e arsimit shqip, 10.09.2012.) Pas vdekjes së ipeshkvit Gjergj Uldanji më 1690, shkolla vazhdoi të funksionojë, ndërkohë që ipeshkvi la me testament që nga të mirat (të ardhurat) e tij të ndihmoheshin dy nxënës, dëshirë që nuk u çua në vend nga të kushërinjtë. (Z. Mirdita, Krishtenizmi ndër shqiptarë, Zagreb 1998, f. 324.).



Shkolla e Kurbinit

Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar (1985) shkruhet: “Shkolla e Kurbinit. Një nga shkollat e para shqipe, e themeluar me 1632 në afërsi të Krujës, që i përkiste vilajetit të Shkodrës. Përveç leximit e shkrimit, aty jepej dhe mësimi i gramatikës. Përdoreshin si tekste mësimore edhe veprat e Frang Bardhit, Pjetër Budit, Pjetër Bogdanit e të ndonjë tjetri, në gjuhën shqipe. Pushtuesit osmanë e penguan veprimtarinë e saj derisa e mbyllën”. (Shefik Osmani – Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 1985, f. 1021.) Pak radhë, por thelbi është i qartë, shkollë shqipe, ku mësohej shkrimi shqip e ku përdoreshin librat e shkrimtarëve të vjetër shqiptarë. Shkolla e Shna Premtes së Kurbinit në Gallatë, u hap nga Ipeshkvi Gjon Kolesi dhe vazhdoi deri në vitin 1650, kur ipeshkvi i pasardhës i Arbnisë, Mark Skura, tashmë ishte mplakur dhe nuk mund ta mbronte nga sulmet dhe persekutimi otoman, siç i shkruan një kardinali të asaj kohe. Shkolla hapet përsëri dhe vazhdon gjatë, ajo kishte herë 10 e herë 12 xhakonj që Ipeshkvi i përgatiste meshtarë. Disa studiues, ndër ta dhe gjuhëtari David Luka e konsiderojnë atë si shkollën e parë shqipe. Por çudia është se ajo që pranohet si e mirëqenë në Enciklopedinë e vitit 1985, fshihet pa dhimbtë në Enciklopedinë e mangët të vitit 2008. Akademia e Shkencave, nëse me të vërtetë e meriton këtë emër, nuk duhet të lejojë lajthitje të tilla në botimet akademike. Vitet e fundit, bazuar në relacionet e vizitorëve apostolikë në dioqezën e Arbnisë e dokumente të ndryshëm arkivorë, kemi një profil të plotë të kësaj shkolle historike, bërë nga studiuesi i pasionuar i historiografisë kishtare dr. Kastriot Marku. (Kastriot Marku, Historiku i shkollës së Kurbinit, “Republika”, 30.10.2012.) Ndonëse drejtimi i këtyre dy shkollave (Kurbinit dhe Velës) ka qenë formimi intelektual i klerit, prapëseprapë qëllimi i tyre ka qenë më i gjerë – arsimimi i popullsisë në përgjithësi, thekson akademik Zef Mirdita në citim dhe të dr. Fra. Andria Nikiç. Gjatë mesjetës, arsimi ka qenë dyfarësh: arsimi klerikal, pra, në suazën e teologjisë së bashku me lëndë të tjera të karakterit linguistik dhe filozofik, si dhe të arteve të lira, por dhe arsim laik i llojit shekullar. (Moikom Zeqo, Ndihmesë për arsimin në Shqipëri gjatë shekujve, “Mësuesi”, 24 maj 2000.)



Shkolla e Pllanës dhe e Blinishtit

At Donat Kurti, në një studim të botuar në revistën “Hylli i Dritës”, më 1935, përmend disa nga shkollat e para, por me gjurmimet e mëvonshme, informacioni dokumentar rreth tyre është bërë më i plotë, sado që ende jo shterues e përfundimtar. Vargu i shkollave do të përfshinte: shkollën e Himarës (1628), shkollën e Pllanës (me 50 nxënës, hapur më 1638 nga Pater Karli i Mirandolës), shkollën e Shkodrës (1638), shkollën e Blinishtit të Zadrimës (hapur më 1639 nga Fra Kerubini, që më vonë do të ngrihej në nivelin e mesëm), shkollën e Oroshit (1657), shkollën e Janjevës në Kosovë (1671), shkollat e Durrësit, Pejës, Gjakovës, Prizrenit etj., shumë prej tyre të çelura nga françeskanët, përfshi dhe Kuvendin e Troshanit (1639), të Rubikut (1582) etj. Nuk kemi të bëjmë me një panoramë lokale, por me një arsimpërhapje strategjike, ani se kryesisht në arealin verior, nga ata misionarë që u kishin mësuar nxënësve për herë të parë shkrimin në gjuhën shqipe, po dhe që kishin përkthyer vetë nga latinishtja në shqipe. Shkollat shtohen pas dekretimit të misionit të Fretërve të Vegjël të Reformuar në Shqipëri më 1634. Në njërin nga relacionet e kohës thuhet se fretërit e Pëdhanës, Blinishtit e të tjerë i “stërvisnin fëmijët në punët e fesë, duke i mësuar të ishin të aftë në mësimin e shkronjave”, (shto faktin se “gjatë meshëve gjithnjë predikohej ndonjë gjë në gjuhën shqipe”), “ishin afërsisht pesëdhjetë fëmijë që mësonin me shkrue e me lexue… të cilët në pak kohë përparuen shumë në mësime… disa prej të cilëve, mbrëmjeve, në shtëpiat e tyre, u mësonin të vetëve shkrim e këndim. (P. Vinçens Malaj, Kuvendi i Arbënit 1703, Ulqin-Tuz, 1999.) Përndryshe, po vërtetohej ajo që ipeshkvi i Durrësit, Gjon Kolesi, kishte paralajmëruar dhjetë vjet më parë, se prej shkollave që do të hapeshin do të dilte fryt i mirë i dijes për popullin. Thuhet se në bibliotekën françeskane ka ekzistuar dhe një fletore e shkruar nga një ish-nxënës i shkollës së Blinishtit e vitit 1639.



Shkolla e Oroshit

Vizitori Apostolik Shtjefën Gaspri, gjatë vizitës së tij në Orosh në vitin 1671, ndër të tjera përmend dhe shkollën me nxënës që mbahej nga prifti Dom Nikollë Vladani, i afërt i ipeshkvit të Lezhës. Nuk jepen të dhëna se kur ishte çelur ajo shkollë, sa nxënës kishte etj., por sidoqoftë i rëndësishëm është fakti se në mesin e shekullit XVII Oroshi kishte një shkollë të veten me nxënës ku shkruhej gjuha shqipe. Në një tjetër dokument përmendet se, më herët, më 1657 në Mirditë kemi një seminar me 12 nxënës që përgatiten të vazhdojnë studimet e larta në kolegjet italiane, një praktikë e njohur e kohës. Nuk thuhet se ku është ky seminar, por të gjithë gjasat janë të jetë fjala për shkollën e sipërthënë të Oroshit, pasi asokohe shpesh ky identifikonte Mirditën, ngaqë aty ishte kryekisha abaciale dhe selia princërore e Gjomarkajve. Në të mirë të vendpërcaktimit të këtij seminari të Mirditës, në Orosh, vjen dhe fakti që Nikollë Vladani ishte një emër i spikatur mësuesi të shqipes, i cili më 1675, bashkë me Pjetër Perlatin dëshmohet si mësues i shqipes në dioqezën e Lezhës, nga ku varej Abacia e Mirditës. Ky misionar në kohën kur mbahet Kuvendi i Arbnit me 1703 ishte Ipeshkëv i Lezhës, sipas Viçens Zmajeviçit, “më i afti dhe më inteligjenti në ipeshkvinjtë e tjerë”. (Ndue Dedaj, “Toka e katedraleve”, Tiranë 2006.) Janë po misionarët katolikë, me Abat Prend Doçin në prije, që rihapin shkollën e Oroshit më 1899, me mësues famullitarin Dom Zef Marashi, për të vazhduar me shkollën e Spaçit, Rrëshenit, Kashnjetit, Milotit, Selitës, Kthellës, Rranzës, me mësues gjithashtu priftërinjtë.



Shkolla e Himarës

“Shkolla e parë shqipe” mund të kërkohet dhe në një tjetër gjeografi rajonale nga ajo e mësipërme, në Jug të vendit. Kronikat thonë se në vitet 1628–1661, shkolla shqipe me germa latine u hap në Dhërmi të Himarës dhe më vonë edhe në disa qendra të tjera të krahinës. Ato u ngritën nga misionarët bazilianë, shumica e të cilëve ishin arbëreshë të Italisë së Jugut, të vendosur atje në vitin 1482. Kjo shkollë ka të bëjë me ndihmesën e bazilianëve për shkollim andej dhe këndej Adriatikut. Më parë, prej tyre kemi shkollën shqipe të Arbëreshëve të Italisë, ku “katekizmi i Lekë Matrëngës “E mbësuame e krishterë” (1592) ishte shkruar qëllimisht për t’u përdorur si tekst didaktik për mësimin e shqipes dhe besimit njëherësh te arbëreshët e Siçelisë.” (Kastriot Marku, “Shkolla e parë shqip e arbëreshëve të shekullit XVI, “Standard”, 2 mars 2015.) Lidhur me këtë vepër akademike, Gjovalin Shkurtaj shkruan se qysh prej saj, “nëpër ngulimet arbëreshe kanë parë dritë shumë vepra e vepërza, origjinale ose të përkthyera, në shqipen e variantit arbëresh të ngulimeve përkatëse”. (Gjovalin Shkurtaj, Ligjërimet arbëreshe, Tiranë 2006, f. 39.) Por të vijmë te shkolla e Himarës. Petro Marko, një nga korifenjtë e letrave shqipe, duke qëndruar në Francë dhe Itali, kishte hulumtuar dhe gjetur dokumente që vërtetonin dëshmitë e mësipërme për këtë shkollë. Prandaj historia e shkollave shqipe besohet se fillon me këto shkolla mesjetare, më shumë se 250 vjet përpara asaj të Petro Ninit dhe Papa Kristo Negovanit në Korçë. (Shih: Himara, Enciklopedia e lirë.)



Shkolla e Stubllës së Karadakut

Një kapitull më vete përbën shkolla e parë shqipe në Kosovë, aq më tepër se ajo është e shekullit XVI, afro gjysmëshekulli para shkollës së Kurbinit e Velës. Shkolla shqipe e Stubllës ka një traditë pesëshekullore. Edhe atëherë kur persekutimi i arsimit shqip nga autoritetet osmane ishte i ngritur në sistem, në Stubëll, fshat i Malësisë së Karadakut, më 1584 fillon tradita e arsimit shqip, i pari dhe i vetmi rast atëherë në Kosovë, kur edhe kishte funksionuar shkolla e parë. (Isak Ahmeti, Stubëll, 11 maj 2004.) Kjo shkollë, siç shkruan edhe studiuesi i njohur Dhimitë S. Shuteriqi, ishte në formë kolegji, i rangut të një instituti të lartë, çfarë ishin zakonisht kolegjet fetare të asaj kohe në Europë, ku, përveç teologjisë, mësohej filozofia dhe studioheshin klasikët (shih: Dhimitër S. Shuteriqi, Marin Beçikemi dhe shkrime të tjera, “Naim Frashëri”, Tiranë 1987, fq. 92). …Dhe vazhda e dituripërhapjes nuk ndalet. Në vendin e një qytetërimi të rrallë ballkanas, më 1744 u themelua në Voskopojë “Akademia e re”, e cila pati një ndikim të madh në zhvillimin e gjuhës shqipe.



“MËSONJËTORJA E KORÇËS”, E PARA? APO SHKOLLA E VELËS DHE E KURBINIT? …


Duke marrë në analizë këtë traditë të vyer të katër shekujve më parë, shkencërisht dhe pa paragjykim, siç i ka hije një historiografie moderne, a nuk është me vend që “datëlindjen” e shkollës shqipe ta shtyjmë më përpara, në gjysmën e parë të shekullit XVII, te një shkollë në Velë, Kurbin a diku tjetër? A nuk përkon kjo jo vetëm me një të vërtetë historike të padiskutueshme, por përafrohet natyrshëm në kohë dhe me fillimet e letërsisë shqipe dhe të shqipes së shkruar? A nuk ishin të një rangu, të një lartësie historike, të një frymëzimi, të një misioni kishtar e kombëtar, si ata që shkruan librat e parë shqip, si ata që hapën shkollat e para shqipe në dioqezat e tyre? Të gjithë humanistë-ipeshkvij e meshtarë shqiptarë! A nuk është e udhës që një famulli malesh shqiptare, të shpallet në mënyrë simbolike si “akademia” e parë shqiptare e dijes? Le të jetë kjo në Tivar, Durrës, Tiranë, Vlorë, Mirditë, Shkodër, Elbasan, Ulqin, Karadak a Prizren. Duke shqyrtuar veprat e Matrëngës, Budit, Bardhit, Bogdanit (35 vepra, krejt a pjesërisht shqipe, të dala prej Propagandës Fide të Romës nga shkrimtarë shqiptarë) studiuesit kanë nënvizuar se kështu “ishte hedhur baza kulturore dhe ideore e një rilindjeje arbënore, e cila vërtet do të vononte të vinte, porse kishte të ardhme të sigurt. (Artan Shkreli, Propaganda Fide dhe Shqipëria, “Shqip”, 17 shtator 2006.)

Këto kohë ka pasur zëra të shkruar e të pashkruar, për ta riparë datimin e së parës shkollë shqipe në vendin tonë, që sot për sot zyrtarisht e kemi në fundin e shekullit XIX, me Mësonjëtoren e Korçës të vitit 1887, natyrisht një gjurmë e shndritshme e veprës së Rilindësve tanë. Po a nuk janë rilindës dhe ata që i hapën ato shkolla dy shekuj e gjysmë para kësaj? A nuk na thotë i vyeri profesor Namik Resuli, studiuesi i njohur i letërsisë shqiptare, se “për klerikët shqiptarë Rilindja Kombëtare kish zënë fill, ndonëse fshehurazi, që nga dita kur Shqipëria u robërua përfundimisht nga turqit.” (S. Çapaliku, Prijës për gjeografinë dhe sociologjinë e letërsisë shqiptare, Tiranë 1997, f. 35.) Ishte e kuptueshme që kisha katolike, i vetmi “institucion shqiptar i mbetur në këmbë”, në rend të parë të asaj rilindjeje, quaje po deshe dhe arbënore, të kishte punët e diturisë, arsimit dhe edukimit. Ndaj, sipas logjikës më të thjeshtë, do të pyetej: si mundet ta pranosh gjuhën dhe letërsinë shqipe të asaj kohe për të parë, kurse shkollën e bërë po prej tyre të mos e marrësh si të parë? Pa u nisur thjesht nga aritmetika e shifrave, cili komb nuk do të ishte i lumtur po ta kishte shkollën e vet të parë të paktën 255 vjet më përpara asaj që e mban për të tillë, d.m.th. jo në vitin 1887, por dy shekuj e gjysmë më parë, në vitin 1632! (Ndue Dedaj, Toka e katedraleve, Tiranë 2006.)

Kështu, “shkolla e parë shqipe”, në thelb s’ka të bëjë dhe aq me emrin Korçë apo Shkodër, Kurbin apo Velë, Stubëll apo Dhërmi, por me një koncept historik, atë të një Rilindjeje Shqiptare që fillon në shekullin XV dhe kulmon në shekullin XIX. Botimet dhe shkollat e para shqipe janë prirë e mbajtur gjallë nga ipeshkvijtë shqiptarë: Pal Engjëlli, Nikollë Mejkashi, Gjon Kolesi, Mark Skura, Frang Bardhi, Gjergj Bardhi, Pjetër Budi, Pjetër Bogdani, Gjergj Uldanji, Nikollë Vladani, Shtjefën Gaspri, si dhe mësuesit: Gjon Shqiptari, Filip Shkodrani, Dhimitër Dhërmiu, Fra Kerubini, Pater Karli, Dom Prenga i Troshanit, Dom Martin Bushalla i Durrësit, Dom Pjetër Perlati i Mirditës etj. Një traditë që vinte nga shekulli XV, me humanistët shqiptarë në Rilindjen Europiane, gjer profesorë në Universitetin e Padovas, si Gjon Gazulli etj. Por, pavarësisht shkrimeve sporadike të karakterit historik të autorëve të ndryshëm, me sa dimë askush ndër studiuesit nuk është ngulur me themel në ndriçimin e kësaj maratone shqiptare për diturinë.

Shkollat e para fuqizohen me Kuvendin e Arbënit që mbahet në Mërqi të Lezhës, në kishën e Shën Kollit, me 14-15 janar 1703, me bekimin e Papa Klementit XI, me origjinë shqiptare, përkundër asimilimit otoman. Deri në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, nga Durrësi në Shkodër e Kosovë, kishte 21 shkolla fillore me nga 30 nxënës e në Prishtinë deri në 80. Fakti që dokumentet e Kuvendit të Arbnit u botuan si në latinisht si në shqip 300 vjet më parë, dëshmon se ishin të shumtë ata njerëz që dinin të shkruanin e lexonin shqipen që e kishin mësuar në shkollat ku ata ishin shkolluar. (Mehmet Elezi, artikull i cituar.) Në këtë kontekst, Mësonjëtorja e Korçës nuk zbehet aspak, si një shkollë shqipe historike, kombëtare, martire, qytetare, laike, përkundrazi ajo del më fort në pah si rithemeluese e një tradite arsimore shqiptare paraardhëse, e një etape të dytë të arsimit rilindës në Shqipëri, si dhe vetë shkrimtarët e shquar të Rilindjes ishin pasardhës të shkrimtarëve të letërsisë së vjetër, misionarë të fesë dhe të qytetërimit.

Së fundi, a nuk ka ardhur koha që të ketë një qëndrim tjetër zyrtar ndaj këtyre shkollave të Mesjetës, jo vetëm nga njerëzit e letrave dhe të historisë, por dhe nga institucionet e shtetit shqiptar, posaçërisht Ministria e Arsimit dhe e Sportit? Nëse kisha katolike themeloi nëpër Europë universitetet e para si në Bolonja, Padova etj., këtu mundësitë ishin shumë më të kufizuara, por ama diçka e mirë ndodhi, një gjerdan shkollash të ulëta e deri të mesme u hapen. Por rrallë kemi vënë ndonjë pllakë aty ku ato kanë qenë. Ende në kokë kemi mendësinë ateiste se ato ishin “shkolla fetare”, lokale dhe si të tilla nuk ishin kombëtare?! Po kush mund të thotë se çfarë e bën më kombëtare “Mësonjëtoren e Korçës” se ato para saj? Në kuptimin e mësipërm, të ngushtë, a nuk ishte dhe ajo një shkollë Korçe? Por kombi kështu është bërë, me visarin kulturor, arsimor të të gjitha trevave shqiptare. Anatema “shkolla fetare” është e pakuptimtë, ajo i përket regjimit komunist, siç nuk qëndron dhe ndonjë kinse tjetër argument se atëherë nuk kishte alfabet shqip, por vetëm latinisht (?) E dinë dhe shkollarët fillestarë se alfabet shqip kishte të paktën qysh nga shekulli XV i Formulës së Pagëzimit.

___________

At Donat Kurti, “Hylli i Dritës”, Shkodër, 1935

Injac Zamputi, Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë Veriore e të Mesme, në shek. XVII, V. I, Tiranë 1963.

Shefik Osmani, Shkolla e Kurbinit, Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 1985.

Edwin Jasques, Shqiptarët, Tiranë 1995.

Stefan Çapaliku, Prijës për gjeografinë dhe sociologjinë e letërsisë shqiptare”, Tiranë 1997

Vinçens Malaj, Kuvendi i Arbënit 1703, Ulqin-Tuz, 1999.

Zef Mirdita, Krishtenizmi ndër shqiptare, Zagreb, 1998.

Gjovalin Shkurtaj, Ligjërimet arbëreshe, Tiranë 2006.

Ndue Dedaj, “Toka e katedraleve”, Tiranë 1999 & ribotim 2006.

Artan Shkreli, Propaganda Fide dhe Shqipëria, “Shqip”, 17 shtator 2006.

Aurel Plasari, “Fenomeni Voskopojë”, Tiranë 2000.

Mehmet Elezi, Shkolla e parë shqipe në Shkodër, “Bota sot”, 8 nëntor 2003.

Isak Ahmeti, Shkolla shqipe e Stubllës ka një traditë pesëshekullore, 11 maj 2004.

Gian Luca Potestà, Giovanni Vian, Historia e krishterimit, Bolonja 2010 dhe Tiranë 2012.

Dërguti, Dr. Sonila Boçi, Dr. Ledia Dushku, Historia, Tiranë, 2010.
Gjon Marku, Kisha katolike dhe arsimi në Mirditë, “Shkodra në shekuj”, Shkodër.

Kastriot Marku, Historiku i shkollës së Kurbinit, “Republika”, 30. 10. 2012.

Kastriot Marku, “Shkolla e parë shqip e arbëreshëve të shekullit XVI, “Standard”, 2 mars 2015.

Nikollë Loka, Zhvillimi i arsimit në Arbërinë mesjetare, “Dielli, 2012.

Himara, Enciklopedia e lirë (online).

Fletë nga historia e shkollave të para shqipe



Nga Skënder LUARASI


Kur flasim për shkollën e parë shqipe, nuk di se si, na vete mëndja menjëherë në shkollën e Korçës, e cila është thënë, gabimisht, se u hap më 7 Mars 1886. Më parë këtë datë të gabuar, e ka dhënë Kalendari Kombiar 1898 në shtyllën e tij “Ca vite të përmëndur” ku lexojmë këtë shënim: 1886. — Themelimi në Korçë i së parës shkollë shqipe. Dhe vjet, si tani, për të kremtuar “70 vjetorin” e kësaj ngjarje me rëndësi të madhe në historinë e Shqipërisë, u vu në qarkullim një pullë me fotografinë e ndërtesës dhe nje tjetër me të tre drejtorët e parë të shkollës: të Pandeli Sotirit, të Petro Luarasit e të Nuçi Naçit. ....
Le të gjurmojmë burimet


Që në verën e motit 1885 shoqeria “Drita” e Bukureshtit dërgoi në Korçë Thimi Markon të ndërmjetësonte pranë Mitropolisë së qytetit dhe kryepriftit Fillotheos Konstantinidhit nga Ksanthi, që te vihej edhe gjuha shqipe në skolitë e atjeshme. Pas kundërshtimit që i bëri kleri i lartë grek këtij propozimi, “tarafi i shqipes” në këshillin e Mitropolisë, i kryesuar nga Vani Cico Kosturi, u hoq nga d h i m o g j e r o n d i a dhe vendosi të hapte shkollë shqipe të pavarur. Një mot i tërë u desh të qërohej udha drejt këtij qëllimi të shenjtë. Vështirësitë e fundit ishin dy: a) të gjendej një ndërtesë e përshtatshme, dhe b) një mësonjës i cili të kishte lejen qeveritare për të mbajtur një shkollë shqipe. Ndërtesën e dhuroi Mandi Terpo, dhe mësonjësin e siguroi shoqëria “Drita” e Stambollit. Më 10 shkurt 1887 Sami dhe Naim Frashëri nga Stambolli i dërgojnë kryesisë së “Dritës” në Bukuresht letrën në të cilën i shkruajnë dhe këto: “Vivllatë që thoni se na dërgoi Gjeçoja me postë i muarmë q’ahere dhe ia dërguam në Sallonik Pandeli Sotirit, i cili u nis për në Korçë të bëhet mësonjëtor”.

Më 24 shkurt 1887 Thimi Markoja dërgon nga Korça në Bukuresht një letër në të cilën jep lajmin e rëndësishëm: “Mësoni se me fuqi të Zotit, që lavdi pastë, gjer sot dëshira tonë u mbarua; shkolla shqipe u hap, druri që vumë në dhe këto dy vjet sot lulëzoi dhe dha pemë të ëmbla. Gëzohuni se dje u hap, dhe u shkruan djem mësonjëtorë 35… Përkujdesi të na dërgoni sa me shpejt nga 200 abetare dhe këndimtore, për të cilat kemi të madhe nevojë, se mësonjësi Pandeli Sotiri nuk solli me shumë se 50 copë pe të trija sojet. Neve që die na erdhën 35 mësonjëtorë, shprehim (shpresojmë) që për një javë të kemi më tepër se 50, prandaj, si e shikoni është nevojë të dërgoni që të mos çalojmë”. Meqënëse viti administrativ në Turqi mbyllej në Mars, statistika turke e motit 1886 e përmend këtë shkollë shqipe, e cila nuk kishte më tepër se një muaj që ishte çelur; dhe s’është çudi që salinameja ka qenë burimi i gabimit që bën “Kalendari Kombiar” për vitin e themelimit të shkollës shqipe, në Korçë. Edhe një gabim tjetër spikat në këtë shënim të “Kalendarit” të Sofjes: shkolla e Korçës nuk është e para shkollë shqipe. Mund të jetë e tillë për Korçën; mund të jetë shkolla e parë shqipe që u njoh zyrtarisht prej guvernës së Stambollit; po shkolla shqipe ka pasur përpara vitit 1887 në Shqipëri. Po cilat kanë qënë këto shkolla shqipe? Për të zgjidhur këtë problem nuk janë bërë shumë përpjekje, megjithëse historia e shkollës shqipe ka rëndësi të madhe për historinë e kulturës sonë. Në këtë artikull nuk do të zëmë ngoje shkollat shqipe të urdhrave të ndryshëm fetare që kanë ekzistuar gjatë sundimit turk në gjithë Shqipërinë; as atë kategori “shkollash popullore”, të dhaskal Gjokës në Korçë, të dhaskal Than Xhekës në Trebickë ose të dhaskal Todrit në Elbasan, ku fëmijët dërgoheshin të mësonin pakë shkrim e këndim. Do të përmendim vetëm disa shkolla të Rilindjes sonë që kishin karakter edukativ politik; këto shkolla i themeluan patriotët shqiptarë me qëllim që të edukonin popullin shqiptar për të fituar lirinë e pavarësinë kombëtare. Rilindja shqiptare nis me shekullin XIX, dhe Naum Bredhi (Veqilharxhi) është flamurtari i saj. Me veprën e tij “Engjiklika” që më 1836 dhe me “Abetaren shqipe” më 1844 e 1845 ai u bë ideologu dhe mësonjësi i parë i lëvizjes sonë kombëtare. Më 1866 ky patriot i madh, sipas biografisë së tij prej Sevasti Qiriaz-Dakos, i paraqiti një memorandum Ali Pashës, sadrazemit të Sulltan Azizit, që t’u jepte lejë shqiptarëve të shtypnin libra shqipe dhe t’i përhapnin në Shqipëri. Pas këtij vjeti më s’dëgjojmë gjë për këtë rilindës të shquar. Thonë, që më parë se të nisej për në Shqipëri, më 1867, që të çelte shkolla shqipe, Patrikana, kuçedra që rroi nëpër shekuj me gjakun e bijve më të ndritur te Ballkanit, i dha fund jetës së vleftëshme të plakut 69-vjeçar, duke e farmakosur në selinë e saj. Po fara u mbuall. Një nga vendimet më të rëndësishme të lëvizjes së Miletit ishte të fuste gjuhën shqipe në shkollat e vëndit. Në këtë faze të dytë të Rilindjes sonë, shkolla u bë shesh lufte ku do të vendosej e arthmja e popullit tone. Më 1879, në vjeshtë, kur lëvizja po shtrihej tejpërtej Shqipërisë, Koto Hoxhi, një nga themelonjësit e shoqërisë në fshatin e tij Qestorat, mblodhi rreth tij nxënësit më të zotë të Normales greke “Zografion”, djem të vëndit, të cilët grekët i kishin edukuar ta shihnin gjuhën shqipe si një kolerë dhe u mësoi këndim e shkrim në gjuhë amtare. Dhaskali grek i Labovës, (i fshatit të Zhapës, bashkëpunëtorit të Veqilharxhit, që e la pasurinë për edukimin e popullit të tij shqiptar po që Patrikana dijti t’ja zhvatë për interesat e saj satanike), do ta ketë kënduar në shkollën greke këngën barbare:

Tu avllvanizmu i psora
Labovitas dhen molini,
Ute tus apomakrini
Apo ton elinizmon;
Alivanon opu tha evro
Tha tu paro tin psihi,
Qe to ema tu tha pino
Opos pino te krasi, 1)

1) Krroma e shqipëtarizmit — nuk i zë labovitasit — as do t’i mërgonjë prej helenizmit; — kudo që të gjenj shqipëtar kam per t’i marrë shpirtin — edhe gjakun do t’ia pi — ashtu si pi verën.

Kësaj kënge barbare një nga nxënësit më besnikë të Koto Hoxhit, Petro Luarasi, iu përgjegj me këngën e Pashko Vasë Shkodranit, e cila u bë hymni për gjithë shqiptarët patriotë të asaj kohe. Më 1882, pikërisht motin kur mytesarifi turk i Gjirokastrës ja dorëzoi qeverisë greke Anastas Kulluriotin që ta vriste në burg t’Athinës, Petro Luarasi u emërua mësonjës i greqishtes në Bezhan, ku dha mësimin e parë shqip me Abetaren e Stambollit dhe me Ungjillin e Kristoforidhit. Po kështu bën në shkollën e Katundit e të Treskës; dhe më në fund në shkollën e fshatit të tij Luaras, të parën herë që prej 1884-1886.

Për punën e Petro Luarasit gjer në motin 1886, lexojmë në librin e tij “Mallkimi i shkronjave shqipe”“ këto fjalë:
“I predikuar nga kujtimndrituri Koto Hoxhi në mendimet e të përhapurit të shkronjave shqipe nuk la kujdes të jape bashkë me mësimet greqisht edhe mësime shqipe, në nxënësit e tij, me ato libra që ndodheshin.” Nga këto fjalë kuptojmë se Petro Luarasi, me iniciativën e tij, pa kërkuar leje nga qeveria turke ose nga Patrikana greke, e realizoi që me 1882 atë qëllim, të cilit Thimi Markua, delegati i shoqërisë “Drita” të Bukureshtit dhe patriotët e Korçës u munduan 2 vjet rrjesht t’ia arrinin me hirin e Mitropolisë — qëllimit që të futnin gjuhën shqipe, qoftë edhe për disa orë në javë, në shkollën greke të Korçës shqiptare!

Në librin “MalIkimi” përsëri lexojmë: Më 1887, në muajin gusht, u kallëzua nga bashkëmëmëdhetarët e tij për predikimet shqipëtare të nxënësit të tij ne Mitropoliti i Kosturit, Qirilli; dhe me qënë që nuk u bind në këshillat dhe zotimet e Qirillit, ky për dënim e mallkoi dhe e çkishëroi Petron, duke dënuar me çvetëmtim (aforizmë) dhe jashtëkishje (ekskomunikim) në gjithë katundet e fshatrat e Kolonjës ëilindo që te zërë fill për të qasur Petron dhaskal (mësonjës) në katundin e tij. Po Petrua, kundër bindjes ndaj Qirillit, tek të pendohet, hapi mësonjëtore shqipe vetake (private) në Ersekë të Kolonjës, ku të vegjël e të mëdhenj nga dëshëronjësit, që kishin voli, vinin të dëgjonin e të mësonin këndim e shkrim të gjuhës shqipe. Kjo gjë motoi gjer dy vjet në të cilët Petrua ish i lirë të vizitonjë nëpër katundet e ndryshëm popullin e kryetarët e Kolonjës, duke u mësuar e predikuar të duhshmet për nevojën e të përhapurit të shkronjave shqipe.

Kështu filluan çelja e shkollave dhe perhapja e mësimit t’Abetares shqipe në vendin tonë.

(*) Në shkrimin argumentova që “në të vërtetë shkolla e parë shqipe në Korçë u hap më 23 shkurt 1887, allaturka , ose 7 mars 1887, sipas kalendarit të soçëm”. Ministria e Arsimit e hoqi pllakën përkujtimore të shkollës shqipe me motin ”1886” duke e zëvendësuar me një tjetër me motin ”1887”.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...