Agjencioni floripress.blogspot.com

2018/09/22

“Kërkesa e Izet Haxhisë dhe dekorimi i Gafurr Mazrekut”, flet vajza e Azem Hajdarit: Çështja le të rihapet, misteri i vrasjes së shekullit



JUXHIN MUSTAFARAJ



 Sot mbushen 20 vite nga vrasja e ish-deputetit dhe liderit të Lëvizjes së Dhjetorit, Azem Hajdari. E cilësuar si “Vrasja e Shekullit”, dy dekada më vonë, çështja “Hajdari” trazon jo pak herë politikën dhe opinionin publik. Vajza deputete e ish-themeluesit të Partisë Demokratike, Rudina Hajdari, dhe familja e saj kanë preferuar të qëndrojnë larg çdo zhvillimi që rikthen në kujtesë ngjarjen e 12 shtatorit 1998.

 Rudina Hajdari tregon ndjeshmëritë dhe përjetimet që ka pasur një ngjarje si dekorimi i Gafurr Mazrekut, atentatorit të babait të saj apo vendimi për rihapjen e “Çështjes Hajdari”.

Sipas deputetes demokrate, idetë për të cilat Azem Hajdari ëndërroi dhe u bë pjesë e politikës, janë ende në embrion. Rudina nuk e fsheh zhgënjimin ndaj politikës, që në këto 20 vite është përpjekur të anashkalojë vlerën e vërtetë dhe kontributin e Azemit, por thekson se te njerëzit e vërtetë që duan lirinë, çdo vit shtohet vlerësimi për figurën e tij.

Sot është 20-vjetori i vrasjes së liderit të dhjetorit Azem Hajdari. Ju sot jeni pjesë e Parlamentit të Shqipërisë, por sot, pas 20 vitesh nga ajo ngjarje, mendon se janë realizuar ëndrrat dhe vizioni që ai kishte për politikën?

Megjithëse kanë kaluar 20 vjet nga dita e ndarjes së tij, mund të them me të gjithë bindjen e qenies sime se të gjitha ato ide, për të cilat ai luftoi aq shumë, kanë ngelur vetëm në embrion. Sikur të marrim në analizë një nga të drejtat më të rëndësishme të luftës së tij, atë të së drejtës së lirisë së shprehjes e cila konsiston në faktin e të qenit i lejuar për të shprehur të vërtetën, mund të them me një keqardhje të madhe se akoma kemi një frikë të madhe nga e vërteta. Konformizmi, nënshtrimi dhe servilizmi, janë bërë mënyrë jetese në vendin tonë. Akoma nuk kemi arritur të themi të vërtetën mbi krimet e regjimit komunist në Shqipëri dhe pothuajse nuk kemi asnjë ndjesë për të gjithë krimet e kryera. Arsyeja që kemi arritur në këtë pikë është shumë e thjeshtë, sepse neokomunistët e rinj që qëndrojnë nën “fashon” e rilindjes as edhe në parim nuk e pranojnë vrasjen masive të njerëzve, madje as edhe privimin radikal të njerëzve nga liria e tyre. Natyrisht, këtu është dhe pika e tyre e dobët sepse ata që përpiqen të falsifikojnë të vërtetën ose gënjeshtarët nuk mund të jenë heronj, gënjeshtra shumë shpejt do t’i zhveshë nga autoriteti fals i politikës së korruptuar. Në këto 20 vite, shteti nuk arriti të mbrojë të drejtat qytetare të individëve të tij sepse nuk gëzon respektin e tyre për shkak të korrupsionit dhe të oligarkisë politike, që ka gllabëruar të gjithë jetën e vendit. Për këtë shkak, përgjatë gjithë kësaj periudhe, kemi një zhvillim të gabuar dhe të deformuar, si pasojë e të cilit akoma prona nuk ka shkuar tek i zoti, të persekutuarit dhe të përndjekurit e regjimit akoma nuk janë kompensuar dhe integruar, pasuritë publike të shqiptarëve ushqejnë korrupsionin e qeverisë nëpërmjet PPP-ve. Sot çdo njeri i ndershëm është eremit social dhe emigrant brenda vendit të vet. Për shkak të mosrespektimit të parimeve demokratike, për të cilat ai luftoi aq shumë, pushtetarët e sotëm e kanë kthyer vendin në vatër të kaosit ku ajo që dëgjojmë çdo ditë janë vrasjet, droga, hakmarrja korrupsioni dhe krimi i organizuar dhe ikjet masive nga vendi. Gjithsesi, Shqipëria gjatë këtyre viteve ka pasur edhe zhvillime pozitive, por kanë qenë me hap shumë të ngadaltë. Vizioni i tim ati ka qenë për një Shqipëri evropiane, por është për të ardhur keq, që për shkak të braktisjes së parimeve të shenjta demokratike dhe të tendencave të rikthimit tek e kaluara, të kemi mbetur shumë mbrapa dhe larg ëndrrës së tij europiane.

Mendoni se është vlerësuar sa duhet figura e tij në këto vite?

Sikurse ka ndodhur shpesh në të gjithë vendet me demokraci të cunguar, politika përpiqet të anashkalojë vlerën e vërtetë dhe kontributin e të gjithë individëve që me luftën e tyre i kanë dhënë të drejtën qytetare demokracisë, lirisë dhe të drejtave të njeriut. Gjithsesi, te njerëzit e vërtetë, tek ata që e kanë dashur dhe e duan lirinë çdo vit shtohet vlerësimi për figurën e tij. Sikurse thotë me shumë të drejtë Martin Hajdeger: “Intelektuali i vërtetë në dialog me shoqërinë behet si ylli i karvanit për shtetin”. Sidoqoftë është tjetër gjë vlerësimi që i bën shteti veprës së tij, i rëndësishëm është fakti që në zemrat e njerëzve të vërtetë të atyre që e duan lirinë ai simbolizon demokracinë e Shqipërisë dhe mendoj që të mëdhenj e të vegjël e falënderojnë në thellësi të shpirtit për atë çka ai bëri për popullin shqiptar, jo vetëm në atë kohë, por dhe për brezat e sotëm dhe për të ardhmen.

Në këtë vit ka pasur dy ngjarje që besoj kanë trazuar jo pak familjen tuaj. Fillimisht, dekorimi i Gafurr Mazrekut dhe më pas vendimi për rihapjen e çështjes “Hajdari”. Si jeni ndierë për këto dy zhvillime?

Dekorimin e të gjithë atyre që janë dënuar për vepra penale, e kam parë gjithmonë si një regres politik dhe si një përpjekje mjerane e të gjithë atyre që nuk kuptojnë dhe vlerësojnë kontributin historik të individëve për demokracinë. Në rastin konkret dekorimi i Gafurr Mazrekut ishte një akt i shëmtuar. Përgjigjen dhe reagimin e forcës intelektuale e shoqërore e mori vesh kushdo. Nuk dua t’i futem thellë shumë këtij debati, sepse i gjithë opinioni publik e di që ky është një akt shumë i shëmtuar për popullin shqiptar. Për vetë faktin, se ky njeri ishte i pari që bëri një akt kriminal në Parlament. Nuk ka hapësirë për të justifikuar këtë gjë. Por nga ana tjetër të mos harrojmë se ishte Azem Hajdari që e fali këtë njeri. Megjithatë, dekorimi i Gafurr Mazrekut ishte një akt i shëmtuar, jo vetëm kundrejt familjes Hajdari, po kundrejt demokracisë e popullit shqiptar.

Mendoni se duhet rihapur ajo çështje apo është kapitull i mbyllur?

Çdo njeri i përfshirë kërkon të hapë çështjen e tij dhe të shikojë interesat e tij/saj. Familja Hajdari është me drejtësinë. Një pafundësi me çështje le të hapen, ajo është dhe do mbetet gjithmonë “Vrasja e Shekullit” si nga misteri, por dhe përmasa e rëndësisë. Të mos harrojmë që ishte një nga vrasjet më me ndikim në epokën postkomuniste, që ndali demokratizimin e vendit nga ambiciet primitive të atyre, që nuk e shikonin të ardhmen e Shqipërisë në strukturat EuroAtlantike dhe që kishin prirjen perëndimore të hershme të Shqipërisë, të shkatërruar nga komunizmi. Në radhë të parë ata ishin armiqtë e demokracisë dhe të zhvillimit, shëmbëlltyra të krimit dhe të barbarisë.

Ju jeni përfshirë nga kjo e martë në komisionin që pritet të bëjë vetingun e politikës shqiptare? E shikoni të mundur këtë proces apo politika do ta zvarrisë?

Vetingu apo pastrimi i politikës duhet një herë e më parë, madje e shikoj si një proces të vonuar. Përderisa pretendojmë të hapim negociatat në qershor, atëherë duhet të mos na pyesin aleatët tani për skandalet e njëpasnjëshme. Kjo histori duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë. Përpjekjet për të pasur politikanë me figurë të pastër, që përfaqësojnë interesin e popullit, duhet të jenë të vazhdueshme dhe pa kthim mbrapa. Kur të kemi një pushtet legjislativ dhe gjyqësor të pastër, vetëm atëherë Shqipëria do të jetë gati për ëndrrën europiane, që, tani për tani, më duket shumë e largët, fatkeqësisht.

E shikoni të mundur zhvillimin e zgjedhjeve vitin e ardhshëm me këtë klimë politike dhe nëse do të keni propozim për të qenë ju një prej kandidatëve për Tiranën do ta pranonit?

Zgjedhjet në sistem demokratik janë esenciale dhe vetëm nëse kemi rënë në dorë të një sistemi tjetër, atëherë mund t’i dyshojmë që s’mund të zhvillohen. Detyra jonë si opozitë dhe si deputetë të zgjedhur, është që të përpiqemi të bëjmë të pamundurën për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, të çliruara nga bandat dhe kriminelët, si dhe të inkurajojmë e motivojmë shqiptarët të dalin në zgjedhje me alternativën tonë, kushdo të jetë ai/ajo.

Deputetja gjermane liberale Renata Alt kërkon nga qeveria gjermane që të bëjë më shumë presion për njohjen e Kosovës.


Ajo nuk e mbështet planin për ndryshimin e kufijve. “Unë mendoj se zhvendosja e kufijve nuk i zgjidh problemet nacionale”, ka thënë deputetja Renata Alt, në një intervistë për Deutsche Welle.

Raundi i fundit i dialogut mes Serbisë dhe Kosovës në Bruksel u ndërpre, megjithëse më parë u duk sikur do të gjenin një zgjidhje të konfliktit. Si e komentoni ju këtë?


Renata Alt: Ndërprerja e papritur e bisedimeve tregon se në ç’gjëndje të paqëndrueshme kishin filluar këto negociata. Nuk është e këshillueshme që në Ballkan të ketë ndryshime kufijsh mbi baza të pastra etnike. Është një lojë e rrezikshme që mund të ketë pasoja të paparashikueshme që nuk i merr dot me mend askush në këtë moment.

Çfarë keni parasysh?

Renata Alt: Për shembull, Republika Srpska mund të kërkonte bashkim me Serbinë. Por unë mendoj se zhvendosja e kufijve nuk i zgjidh problemet nacionale. Në planin afatgjatë nuk do të duhej të kishte kufij dhe pakicat etnike duhet të gëzojnë kudo të njëjtat të drejta. Këtë e ka mbështetur gjithmonë edhe BE.

Ju jeni kundër ndryshimit të kufijve. Por kështu ndodhi edhe me Kosovën dhe me vende të tjera në rajon. Përse shkëputja e Republika Srpskas përbën rrezik?

Renata Alt: Sepse ndryshime të tilla mbështesin vetëm tendencat nacionaliste. Ky nuk mund të jetë objektivi ynë. Vendet e Ballkanit kanë një rëndësi të madhe gjeostrategjike ndërmjet Europës dhe Azisë, prandaj duhet të jetë në interesin tonë që këtu të kemi një rajon të sigurt dhe njëkohësisht kandidatët të mendojnë se nëse një ditë prej ditësh duan të hyjnë në BE, të plotësojnë kriteret e Kopenhagës. E kjo nuk po ndodh.

Si do ta vlerësonit rolin e qeverisë gjermane në rajon në dhjetëvjeçarin e fundit?

Renata Alt: Gjermania i ka mbështetur gjithmonë zhvillimet mes dy vendeve. Edhe financiarisht, në kuadër të BE-së, në rajon kanë shkuar 9 milliardë euro në periudhën 2007-2017. Për vitin 2018 është parashikuar po aq. Prandaj ne duhet t’i mbështesim edhe më tej këto vende në transformimin e tyre në një sistem të mirëfilltë demokratik, në mbështetjen e shtetit të së drejtës dhe të të drejtave të njeriut. Qeveria gjermane duhet të apelojë edhe në të ardhmen për këtë dhe të ushtrojë ndikim te të gjithë anëtarët e BE-së që Kosova të njihet. Kjo për momentin nuk është ashtu, prandaj do të ishte mire që Gjermania të ushtrojë presion dhe të ndërmjetësojë që Kosova të njihet. /DW.

Vdiç shkrimtari Makensen Bungo

Ndarja e Veriut të Kosovës nuk ka “brirë”!


Nga Akademik Prof.Dr.Mehdi HYSENI,Ph.D


Barometri diplomatik



-JO Dialogu i Brukselit të dështuar, por NJË JALTË E RE EVROPIANE-AMERIKANE, do të mund t’i zgjidhte problemet ndërterritoriale të shteteve të Ballkanit, jo vetëm të Kosovës dhe Serbisë, të cilat nuk kanë asnjë shans teorik, që t’i zgjidhin mosmarrëveshjet ekzistuese me amti koloniale më se njëshekullore, pa ndërhyrjen dhe pa ndihmën konkrete të Amerikës dhe të BE-së.



De fakto Kosova është ndarë (1999-2018). Këtë ndarje dikush po bën përpjekje ta fshehë para popullit. Mirëpo, këtë e dëshmon gjendja në terren, ku mbi 50 mijë shqiptarë janë përzënë me dhunë, me terror dhe me plaçkë nga kolonët serbë, të cilët pa asnjë kompensim ua kanë uzurpuar dhe konfiskuar pronat e tyre të paluajtshme (banesa, shtëpia dhe troje).

Pra, që nga përfundimi i luftës (qershor 1999) territori verior është shkëputur nga Kosova. Kjo do të thotë se qe 19 vjet (1999-2018) de fakto është e ndarë nga Kosova. Tanimë, të gjithë e dinë këtë të vërtetë si qeveria e Kosovës, ashtu edhe faktorët e pranishëm ndërkombëtarë në Kosovë.

Duke konsideruar se një gjendje e tillë e “pat-pozicionit” nuk mund të ndryshohej, duke përdorur forcën qoftë nga serbët e mbështetur nga Serbia, qofta nga qeveria e Kosovës, e as nga forcat ndërkombëtare (NATO) të pranishme në Kosovë, atëherë “mentored” ndërkombëtarë kanë këshilluar lidershipin e Serbisë, që në vend të konfliktit të armatosur apo të luftës për të mbajtur Veriun e pushtuar me paqe, të hartojnë Planin e tyre 6-Pikësh për Kosovën, të cilin e pati miraturar edhe BE-je, edhe Asambleja e Përgjithshme e Kombëve të Bashkuara me sekretarin e Përgjithshëm të saj, Ban Ki Mun. Si rrjedhim, në saje të këtij plani, “polli” edhe Dialogu i Brukselit (2010-2018).

Mirëpo, edhe pse u zhvilluan 8 vjet bisedime mes pales serbe dhe asaj shqiptare nga Kosova nën monitorimin dhe me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të lartë të politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE-së ( së pari, nën drejtimin e Cathrine Ashtine dhe më pas të Frederica Mogherinit) nuk u arrit kurrfarë kompromosi politik, që Serbia në mënyrë paqësore të tërheqej nga veriu i Kosovës.

Pas këtij dështimi multilateral diplomatik, strategjistët e involvuar në këtë problem territorial të ndërkombëtarizuar mes Beogardit dhe Prishtinës, natyrisht se kanë filluar me kërkimin e “formulave” të reja për zgjidhjen e këtij problemi, por, fatkeqësisht me lojëtarë të vjetër të konsumuar dhe të dështuar siç janë Hashim Thaçi (presdient aktual i Kosovës) dhe Aleksandar Vuçiq (president i tanishëm i Serbisë), i cili fatbardhësisht nuk e ka mbështetjen as të qeverisë së Ramush Haradinajt (kryeministër), as të Kuvendit të Kosovës së Kadri Veselit (kryetar), as të Akademisë , të Universitetit, as të subjekteve të tjera politike të opozitës e as të sepktrit të organizatave joqeveritare-civile.

Me gjithë këtë dështim të Hashim Thaçit për shkak të keqmeanxhimit të politikës së brendshme dhe të jashtme të Kosovës, disa faktorë evropianë ndërkombëtarë po bëjnë përpjekje maksimale, që me çdo kusht ta mbajnë në pushtet, të paktën derisa Veriun t’ia “bëjnë teslim” Serbisë me pëlqimin dhe me nënshkrimin e presidentit Hashim Thaçi.

Kjo kombinatorikë politike dhe diplomatike ndërkombëtare fshihet pas kërkesës këmbëngulëse të Hashim Thaçit, i cili (natyrisht me mësimin dhe me lejen e të huajve) ka dalë haptazi në opinion për “korrigjimin” e kufijve të Kosovës me Serbinë.

Mirëpo, duhet kuptuar se ky opsion sfidues shumë i rrezikshëm për palën shqiptare, nuk është as ide, as tezë, as propozim i presidentit Hashim Thaçi, e as i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, por i “mentorëve” të tyre të jashtëm, që përmes këtij “opsioni” ta “testojnë pulsing” e politikës zrytare të Beogradit dhe të Prishtinës, si dhe të shohin se çfarë, do të jetë reagimi i opinionit serb në Serbi dhe ai i opinionit shqiptar në Kosovë, dhe më gjerë.

Me gjithë këto metoda dhe mjete taktizuese politike dhe diplomatike të disa faktorëve të bashkësisë ndërkombëtare gjoja për ta shpëtuar Veriun e Kosovës, Serbia nuk do të pranojë që, në mënyrë paqësore të tërheqet nga Veriu i Kosovës, as të bëjë kurrfarë këmbimi territorial, duke i dhënë Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën Hashim Thaçit dhe bashkëmbështetësve të tij të brendshëm dhe të jashtëm, sepse tashmë e ka “vizatuar” kufirin e Serbisë mbi lumin Iber, duke përfshirë “Treçen” dhe “Gazivodën” (Ujmanin).

Sa më sipër, veriun e Kosovës, Serbia nuk e dorëzon pa luftë (kush dhe, kur do e bëjë atë luftë për t’ia bashkëngjitur veriun Kosovës, këtë askush nuk e di, sepse Kosova dhe Shqipëria janë dakorduar, që vetëm me dialog paqësor të arrihet “kompromisi historik” me Beogradin zyrtar. Këtë opsion e mbështetin BE-ja, OKB-ja dhe Amerika.

Pra, me gjithë negociatat 8-vjeçare, që po i zhvillon Beogradi me palën shqiptare të Prishtinës në kuadrin e Dialogut të Brukselit (2010-2018), epilogu i tij nuk sjellë kurrfarë kompromosi për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.

-Atëherë shtrohet pyetja serioze, edhe sa vite, duhet të zhvillojë dialog pala shqiptare e Kosovës, që të arrijë ndonjë kompromis me palën serbe, që në mënyrë paqësore Serbia të braktisë territorin verior të Kosovës?

Përgjigjja, -derisa të mos organizohet NJË KONFERENCË NDËRKOMBËTARE-NJË JALTË E RE PËR SHQYRTIMIN E KUFIJVE TERRITORIALË KONTESTUES TË BALLKANIT (1878-2018). Ndryshe, nëse kjo çështje jetike lihet në “mëshirën” e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të nënkryeministrit dhe ministrit të jashtëm, Ivica Daçiq, të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta dhe të kryemnistrit Edi Rama, të presidentit të Greqisë, Prokopis Pavlopoulos dhe të kryeministrit Alexis Tsipras etj., konfliktet dhe luftërat ndërballkanike, do të jenë të pashmangshme dhe fatale.

Të gjithë këta liderë politikë të Ballkanit, nuk janë kurrfarë kuadri politik e as diplomatik për zgjidhjen e kontesteve territoriale mes shteteve të tyre pa ndihmën e drejtpërdrejtë dhe të fuqishme të personaliteteve aktuale të famshme politike dhe diplomatike evropiane dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me presidentin aktual në krye Donald Trump sipas paradigmës së dikurshme të personaliteteve të shquara historike siç ishin presidenti i SHBA-së, Franklin D. Roosevelt, kryeministri i Britanisë së Madhe, Winston Churchill dhe kryeministri i Bashkimit Sovjetik, Jozef Stalin, të cilët në Konferencën e Jaltës më 4 deri më 11 shkurt të vitit 1945, arritën disa traktate të rëndësishme historike, diplomatike dhe gjeopolitike për riorganizimin dhe për rregullimin e Evropës pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Prandaj, nëse BE-ja, OKB-ja dhe Amerika dëshirojnë që të ruajnë paqen dhe stabilitetin në Ballkan, tani, urgjentisht nevojitet të reagojë DIPLOMACIA PREVENTIVE e tyre e përbashkët, duke thirrur NJË JALTA TË RE PËR RIDEFINIMIN E KUFIJVE ARTIFICIALË DHE TË PADREJTË TË BALLKANIT.

2018/09/19

Urime Arta Hilmi Dautaj!



Fotografia e Arta Dauti

Me datën 10 Shtator 2018 në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës “ Hasan Prishtina “, ka mbrojtur me sukses disertacionin e doktoratës, dhe me këtë fitojë gradën shkencore “ Doktor i shkencave juridiko - civile “.Arta është edhe Farmaciste e diplomuar!


Tri tekste këngësh nga Odhise Grillo





Përgatiti për botim Vilhelme Vrana Haxhiraj


Një vlerë tjetër e Prof.Odhise Grillos janë poezitë lirike që janë edhe tekste këngësh, ku ka mjaft ndjenjë. Në vitet ’60-të kur lindi dhe mori hov muzika e lehtë shqiptare, kompozitori Agim Prodani u bë balsam për zemrat e shqiptarëve që e duan muzikën. Buçisnin radiot nga zëri i Anita Takes e cila debutonte këngët e bashkëshortit të saj, të kompozitorit, Agim Prodani. E shoqëronim këngën me vijën melodike, por kurrë nuk pyesnim se cili ishte poeti që kishte shkruar ato vargje magjike te kënga “Kujtimet e studentit” apo “Vajza me trëndafil” etje... Vetëm përmes një interviste, Anita Take, kujtoi me nderim autorin eteksteve Prof Odhise Grillo.


E këndonim me melankoli këngën shkodrane “Kur gjethet bijen në vjeshtë”, dhe admironim zërin e rrallë të Rudolf Stambollës, që e shoqëronte vet edhe me kitarr, një zë melodioz që na bënte e na bën për vete, i cili si këngëtar, që së bashku me Agim Prodanin( kompozitor) janë të parët që futën muzikën e lehtë moderne shqiptare..., e cila kishte hedhur hapat e parë qysh në vitet tridhjetë të shek XX-të. E këto këngë që na ngrinin peshë me fjalë që të nguliteshin në mendje dhe zemër, ishin tekste të krijuar nga “Mjeshtri i Madh i Penës”, Odhise Grillo...
Të tre këta artis, sot nuk jetojnë fizikisht, por vepra e tyre është po aq e freskët dhe joshëse, si në çastin e parë kur u shpërndanë tingujt e ëmbël muzikor...Kjo është ngushëlluese, se ata do të jetojnë në përjetësi!

1-Kujtimet e studentit
Muzika: Agim Prodani
Teksti: Odhise Grillo
Këndon: Anita Take



Kujtimet e studentit
“Për miqtë e mi studentë!!!!(A. Prodani(

Një ditë në bankë o mike,
dy emra i gdhëndëm dikur,
po ti nuk e di si më ike,
ndaj vura në zemër një gur.

Dashuria e parë nuk harrohet,
dëgjoje këtë fjalë që trondit,
veç mali me mal nuk takohet,
por njerëzit takohen një ditë.

Ne u ndamë në errësirë
jeta ndarje ka
por se zemra lamtumirë
zemrës nuk i tha.

U ndamë nga shkolla, mban mënd
por ne nuk u ndamë përjetë
ndaj tjetër se zu vëndin tënd
të dytë dashuri s'mund të ketë
***

-2: Vajza me trëndafil
Muzika: Agim Prodani
Teksti: Odhise Grillo
Këndon: Anita Take

*Vajza me trëndafil

Rrugës kur shkon duke qeshur,
një trëndafil mban në dorë,
flokët të thurur kurorë,
më e bukura për mua je.

(refren)
Natën do t’vij në bahçen tënde,
trëndafilat do t’i pres,
do të përgjoj un’ty me ëndje,
herët në mëngjes.

Kur do kalosh çapkëne
në rrugë e menduar,
se sot pa lule ke mbetur,
thuaj mos vallë e ke gjetur,
se trendafilat kush ti preu?

Lule mos mbaj nëpër duar,
Ato s’ta shtojnë bukurinë,
Ti ke për mua freskinë,
se trëndafil ti vetë je!

3-Kur gjethet bijen në vjeshtë
Teksti-Odhise Grillo,
Muzika: Ferdinand Deda
Këndon: Rudolf Stambolla

Kur gjethet bijn në vjeshtë

Kur gjethet bijn në vjeshtë dhe m'dukesh n'vaj natyr,
për ty s'mundem me hesht, si gjethja bahem n'ftyr.
E zverdhun dhe e ngrime, si barnat në Kallnur,
Po del kjo kanga ime ankuse thell n'krahnur.

Ti m'ke braktis, qofshin haram ndjenjat e mija,
se larg dashnis, të lindi n'zemër pabesia.
Ke me u pendue, por at'her ka me qen' von
dhe tuj lotue do t'vij nermen dashnia jon.

T'kujtohen ty pranverat, ah puthjet me pasion
dhe fjalt e tua nga hera kjo zemër si harron.
Nëqoftse gjethet ranë të vyshkuna mbi dhe,
at'her kam me besue se sa e pabesë je.

Ti m'ke braktis, qofshin haram ndjenjat e mija,
se larg dashnis, të lindi n'zemër pabesia.
Ke me u pendue, por at'her ka me qen' von
dhe tuj lotue do t'vij nermen dashnia jon.

Për mua lulet e verës nuk kan ma bukuri,
jan vyshk n'qoshe t'pinxheres, të mjerat në saksi,
As lot nuk kan t'i ngjallin,jan shterrur lot e rinis,
veç kur më merr mu malli, i knoj un dashuris.

Ti m'ke braktis, qofshin haram ndjenjat e mija,
se larg dashnis, të lindi n'zemër pabesia.
Ke me u pendue, por at'her ka me qen' von
dhe tuj lotue do t'vij nermen dashnia jon.

***

Odhise Grillo lindi në vitin 1932 në Vuno të Himarës dhe vdiq në Tiranë më 24 shtator të vitit 2003. Grillo ishte një shkrimtar i njohur shqiptar, i cili dha një kontribut të madh për letërsinë shqiptare. Ai studioi gjuhën dhe letërsinë shqipe në Universitetin e Tiranës në vitin 1962.

Shkrimtarit bashkëkohor të letërsisë për fëmije Odhise Grillo ju dha medalja "2000 Milenium" e institutit biografik ndërkombëtar të Amerikës (ABI). Medalja është mirënjohje që u jipet krijuesve të shquar të vendeve të ndryshme të botës, të cilët meritojnë të radhiten përkrah personave më të shquar në fushën e letërsisë. Shkrimtari Grillo ka botuar mbi 80 libra për fëmije ne proze, poezi, studime kritike dhe te tjera. Grillo është shpërblyer dhe mirënjohur nga qendra biografike e Cambridge-it në Angli (IBC), nga instituti ndërkombëtar i studimeve të letërsisë për fëmijë dhe të rinj në Mynih me romanin për fëmijë "Historia e Skënderbeut", sipas veprës së Naim Frashërit. Kjo vepër e Grillos hyn në fondin e librave më të mirë të dhjetëvjeçarit të fundit.(FLORI BRUQI)


****


Urime Kosovë-Urime Prof.Dr.Blerim Olluri!

KRYESHEFI EKZEKUTIV I FORENZIKES BLERIM OLLURI CERTIFIKOHET NGA UNIVERSITETI AMERIKAN WEST VIRGINIA-AKADEMIA PËR MENAXHIM FORENZIK

Fotografia e Agjencia e Kosovës për Forenzikë


Kryeshefi Ekzekutiv i AKF-së Dr. Sci. Blerim Olluri me ftesë të autoriteteve amerikane, mbështetur nga ICITAP certifikohet nga Qendra për Edukim Ekzekutiv “Akademia për Menagjim Forenzik” në Universitetin “West Virginia University’’ në temat: Si tw ndikohen ndryshimet si Lider i ri, Si të zhvillohen dhe menagjohen Grantete Federale, Përformanca e Menaxhmentit, Zhvillimi efektiv i stilit të menaxhimit, Bazat e buxhetimit, Menagjimi i konfliktit, Motivimi dhe retenca. etj.
Dr. Olluri ishte i ftuari i vetëm nga Evropa Juglindore që të marrë pjesë në Akademinë e Menaxhimit të Forenzikës të organizuar nga Universiteti publik në Pittsburg, Pennsylvania SHBA, “West Virginia University”.

Fotografia e Agjencia e Kosovës për Forenzikë
Dr Olluri gjithashtu zhvilloj takime të vecanta me përfaqësuesit e institucioneve forenzike, ku i njoftoj për arritjet e AKF-së në zhvillimin e shkencës dhe menaxhimin e mirëfillët të saj, si një organizatë model për Evropën Juglindore.

Dr. Olluri falenderoj edhe një herë autoritetet Amerikane për perkrahje të vazhdueshme për Agjencinë e Kosovës për Forenzikë.


Kush është Prof.Dr.Blerim Olluri?





Ka lindur  më  07 .12.1974, në Lipjan.Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në qytetin e lindjes, studimet universitare në Prishtinë në fakultetin e Kimisë, studimet e magjistraturës në Sarajevë në fakultetin e Kriminalistikës.

Ka marrë gradën shkencore “doktor i shkencave juridike” në Tiranë, fakulteti Juridik pranë Universitetit Evropian të Tiranës.

Menjëherë pas lufte ushtroi detyrën e profesorit në shkollën e mesme Ulpiana në Lipjan për një vit.

Në vitin 2000, duke qenë i vetëdijshëm për rëndësinë dhe peshën e vazhdimit të dhënies së kontributit, angazhohet në Policinë Kosovës. Pas përfundimit me sukses të dalluar të akademisë policore, angazhohet si oficerë patrullues dhe hetues në Stacionin policorë të Lipjanit.

Në vitin 2001 duke ditur për aftësitë dhe shkathtësitë e tij, ekspertët ndërkombëtarë e angazhojnë në Akademinë policore si ligjërues dhe menaxher për hetime të specializuara.

Në vitin 2003 emërohet Drejtor i Laboratorit të Forenzikës së Policisë së Kosovës deri në vitin 2010. Gjatë kësaj periudhe kohore ai dha një kontribut fundamental në themelimin dhe funksionalizimin e Laboratorit të Forenzikës të Policisë së Kosovës me përkrahjen e ICITAP nga SHBA.

Gjatë shërbimit 15 vjeçar në Policinë e Kosovës gradohet në Rreshter, Toger, Kapiten, Major dhe Nënkolonel policor.

Në vitin 2010 caktohet ushtrues detyre i Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë. Detyrë të cilën e ushtroi deri në vitin 2015. Në këtë cilësi dha një kontribut shumë të rëndësishëm në ngritjen e laboratorit të forenzikës në Agjenci shtetërore për Forenzikë, përfshirë hartimin e legjislacionit, transferimin e personelit, transferimin e kapitalit dhe logjistikës nga policia e Kosovës në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë.

Në vitin 2015 emërohet Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë. Menjëherë pas emërimit, Agjencia e Kosovës për Forenzikë nën drejtimin e tij shënoi suksesin e radhës: sipas normave ndërkombëtare u akredituan 5 laboratorë shkencore (laboratori për analiza kimike të narkotikëve, laboratori i ADN-së, Laboratori për ekzaminim të dokumenteve dhe laboratori i Balistikës); u zgjeruan kapacitetet forenzike me analizë shkencore të eksplozivëve, grimcave të barutit, analizës së zërit dhe audiove etj. Sot Agjencia e Kosovës për Forenzikë nën drejtimin 13 vjeçar të tij konsiderohet një prej Agjencive më të besueshme jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon dhe më gjer.


Nga viti 2008 është i angazhuar si profesor me angazhim pranë kolegjit AAB në lëndët e shkencës së kriminalistikës me forenzikë, taktikë kriminalistike dhe terrorizëm.

Z. Olluri po ashtu është i certifikuar si ekspert për analizë të eksplozivëve, ekspert i traseologjisë dhe këqyrjes së vendit të ngjarjes. Ka ndjekur me dhjetëra konferenca shkencore, trajnime të specializuara brenda vendit, SHBA, Evropë dhe Turqi etj. Ka të publikuara punime shkencore me karakter ndërkombëtarë me impact factor dhe punime kombëtare.

Z. Blerim Olluri ishte pjesëtarë i Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, dhe sot gëzon statusin e veteranit luftëtarë.


Flori Bruqi

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...