2018-09-29

Më shumë se gjysma e banorëve të Serbisë mendon se Beogradi do të duhej të ndërhynte ushtarakisht në Kosovë, nëse forcat kosovare e marrin veriun e Kosovës

Serbët e duan shumë Kosovën, por nuk duan të vuajnë për të

Kështu thonë rezultatet e hulumtimit të opinionit publik bërë nga agjencia Faktor plus, përcjell FoNet.

Hulumtim i është bërë gjatë këtij muaji dhe nga 1.200 veta të marrë në pyetje, më shumë se tri të katërtat kanë emocione të fuqishme për Kosovën, porse nuk janë të gatshëm që ta vuajnë jetën në mënyrë që Kosova të mbetej pjesë e Serbisë.

Në pyetjen nëse Kosovën e konsiderojnë vend të vetin, çdo i pesti ka thënë jo. Dy e treta e të pyeturve është angazhuar të Kosova të mbetet konflikt ngrirë.

Gati gjysma e të pyeturve ka thënë se çështja e Kosovës nuk do të zgjidhet gjatë 5 – 10 vjetëve të ardhshëm.

Lista Serbe ka kumtuar se kryetarja e Lëvizjes evropiane të serbëve nga Kosova, Rada Trajkoviq, po vazhdon ta mbrojë tërësinë e Kosovës së pavarur dhe se “me paturpësi flet” edhe për “njëfarë shpërnguljeje të serbëve në rast të arritjes së marrëveshjes.


Në kumtesën e kësaj partie parlamentare, të cilën e përcjell FoNet, thuhet se Rada Trajkoviq është që të mos ndryshohet asgjë, “se e gjithë Kosova është e shqiptarëve, sepse për këtë kështu është më së miri”, transmeton Koha.net.
Rada Trajkoviq akuzohet se “tërë Kosovën e do vetëm për shqiptarët”
Lista Serbe ka shtuar se është e qartë se në njërën anë janë Rada Trajkoviqi dhe intelektualë të vetëshpallur të cilëve konflikti i ngrirë u shërben për pasurim e në anën tjetër gjenden ata që e duan paqen, marrëveshjen dhe të ardhmen.

"Të gjithë serbët e ndershëm nga Kosova do ta përkrahin çdo shans për paqe, marrëveshje dhe ardhmëri”, thotë kumtesa e Listës Serbe.

Plani i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM) u botua në vitin 2001 në një version jozyrtar në gazetën “Veçer” me një hartë, një mbititull:“Shkëmbim vullnetar i territoreve dhe i popullsisë ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë!

Si do të ndahej Maqedonia sipas planit të akademikëve të këtij vendi

“Akademikët e AMSHA mendojnë për zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-maqedonas pa gjakderdhje” dhe me titull: “Shkëmbim vullnetar i territoreve dhe i popullsisë ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë!

Akademia motivin për një mendim të tillë e ka marrë sipas shembullit përmes të cilit viteve të fundit janë zgjidhur krizat ndëretnike në Ballkan me krijimin e territoreve etnike. Thelbi i këtij plani të akademikëve maqedonas ishte ky: “Pas gjithë asaj që ndodhi në Tanushë, Tetovë e në rajonin e Kumanovës, jeta e përbashkët e shqiptarëve dhe maqedonasve nuk do të jetë e mundshme si më parë. Shqiptarët dhe maqedonasit janë dy civilizime diametralisht të kundërta, dallohen për nga feja, gjuha, zakonet, ndërsa mirëbesimi i krijuar me një mund të madh ndërmjet këtyre dy grupeve etnike gjatë dekadave të shkuara të bashkëjetesës, tani po rrënohet për disa muaj të luftës së ekstremistëve”. Sipas këtyre qëndrimeve, çështje është se a do të mundet në një të ardhme të afërt apo të largët të jetojnë fqinjtë shqiptarë e maqedonas rehat dhe njëri pranë tjetrit.Që të mos ketë luftë dhe gjakderdhje, më civilizuese është që të bëhet ndarje e qetë”, thuhej në arsyetimin e këtij projekti.

Sipas këtij plani, Maqedonia, siç pat propozuar dikur edhe Gligorovi, do të hiqte dorë nga një pjesë e Maqedonisë Perëndimore – Dibra (pa Mavrovën dhe rajonin e Rekës), një pjesë e Gostivarit që kap anën e rajonit të Sharrit dhe kufiri, pastaj do të shkonte për Vardar deri te vendkalimi kufitar i Jazhincës, që do të përfshinte Pollogun me Tetovë, ku është e koncentruar më së shumti popullata shqiptare.

Dhe, krejt këtë, maqedonasit do t’ia jepnin Shqipërisë, për çka e kanë informuar atëherë edhe kryetarin e atëhershëm të ASHA të Shqipërisë, akademikun Ylli Popa, ndërsa për këtë “të mirë”, po sipas këtij plani, Shqipëria do të duhej t’ia falte maqedonasve bregun e saj të liqejve të Ohrit e të Prespës bashkë me Pogradecin dhe Liqenasin, ku sipas tyre jetojnë shumicë e popullsisë maqedonase.

Po sipas atij plani, pastaj shqiptarët e Kumanovës, të Shkupit, të Strugës, Manastirit, Prilepit dhe të Kërçovës do të duhej të shpërnguleshin në Pollog, ndërsa do të lihej pastaj edhe një afat kohor për ndërrim të shtëpive e të pronave me maqedonasit që jetojnë aktualisht në Maqedoninë Perëndimore, të cilët do të dilnin pastaj në “pjesën e territorit maqedonas”.

Kryetari i Partisë Popullore Serbe, Vuk Jeremiq, deklaroi se Serbia nuk duhet të bëjë zgjedhjen në mes të Kosovës dhe BE-së

Jeremiq: Edhe pa Kosovën, Serbia vështirë të hyjë në BE
Kryetari i Partisë Popullore Serbe, Vuk Jeremiq, deklaroi se Serbia nuk duhet të bëjë zgjedhjen në mes të Kosovës dhe BE-së, sepse, siç vlerësoi ai, anëtarësimi në BE edhe ashtu nuk parashihet në një të ardhme të afërt, ngase në Bruksel nuk ka vullnet politik për zgjerim.

“Është e vështirë të mendohet anëtarësimi i Serbisë në BE pa zgjidhjen e çështjes së Kosovës, por edhe sikur të zgjidhet ky problem, vështirë të mendohet anëtarësimi i saj në BE, ngase duket qartë se Brukseli nuk ka vullnet politik për pranimin e vendeve të reja në BE, pavarësisht problemeve të tyre, qofshin ato territoriale etj.”, njoftojnë mediet serbe.

Sipas tij, “në Kosovë do të duhej të caktoheshin kushte për zgjidhjen e një varg problemeve, sikundër ato të pronës, etj., e pastaj të trajtohej çështja e statusit”, transmeton televizioni publik.

Ai më tej theksoi se “pala serbe të jetë e qartë dhe të punojë në kuadër të kushtetutës së Serbisë, sipas së cilës Kosova është definuar si pjesë e territorit të saj e që mbështetet në Rezolutën 1244 të OKB-së, që është e plotfuqishme derisa OKB të sjellë një rezolutë tjetër”.

Jeremiq nuk mendon se me nënshkrimin e disa marrëveshjeve me palën kosovare në Bruksel, Serbia ka hequr dorë nga Kosova, ndonëse ai thekson se “ka dëmtuar në masë të madhe”.

Ish ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, mendon se “duhet arritur kompromis, por që nuk do t’i hapte rrugën Kosovës në anëtarësimin e saj në OKB”.

Mediat serbe për vizitën e Thaçit në veri: Sulm i shqiptarëve

Mediat serbe për vizitën e Thaçit në veri: Sulm i shqiptarëve


Vizitën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe komandantit të Policisë së Kosovës, në veri, mediat serbe e kanë quajtur “sulm të shqiptarëve” në veri të Kosovës.

Ato madje kanë shkruar se forcat e sigurisë dhe të ushtrisë së Serbisë, si dhe të gjitha njësitë speciale të MPB-së serbe, janë në gjendje të lartë gatishmërie me rastin e ‘sulmit të shqiptarëve në veri të Kosovës dhe arrestimit të serbëve të cilët nuk kanë kryer asnjë vepër penale’.

Përndryshe, Presidenti i Serbisë, njëherësh komandanti suprem i ushtrisë së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka urdhëruar ngritjen e gjendjes së gatishmërisë luftarake të ushtrisë në shkallën më të lartë, shkruan KsP.

Lajmi është bërë i ditur nga kabineti presidentit Vuçiq, ndërsa urdhri i është dërguar menjëherë shefit të shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura të Serbisë.

Në mediat serbe, po ashtu thuhet se Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës janë shpërndarë sot paradite në afërsi të liqenit artificial të Ujmanit. Sipas tyre, ata janë të armatosur me tyta të gjata ndërsa një pjesë e tyre kanë fantomka.

***

KFOR-i është vënë nën vëzhgim të situatës në veri, pas vizitës së paparalajmëruar të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi atje.

KTV raporton se ka parë grumbull të qytetarëve përreth Ujmanit, pas vizitës së Thaçit atje.

Aty janë parë edhe vetura me targa të Beogradit, që shkojnë në drejtim të Ujmanit.

Në drejtim të Ujmanit janë nisur edhe disa vetura të KFOR-it.

Përmes një komunikate për media, KFOR-i pohon se nuk ishte i informuar lidhur me shkuarjen e ROSU-s në veri të Kosovës.

KFOR-i njoftoi se ky mision është duke i dërguar njësitet e veta në Zubin Potok ku do të hetojë situatën, ka thënë Vincenzo Grasso, zëdhënës i KFOR-it. Sipas tij, ROSU nuk ka arrestuar askënd.

Aleksandar Vuçiq që ka vënë ushtrinë në gjendje gatishmërie, e drejt NATO-s ka nisur notë proteste për këtë vizitë, ka paralajmëruar një adresim për media në orën 21:00.

Daçiqin e “tmerron” krahasimi i “pesë rusëve, katër serbëve dhe një qeni” me Kampin Bondsteel


Daçiqin e “tmerron” krahasimi i “pesë rusëve, katër serbëve dhe një qeni” me Kampin Bondsteel
Ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor thanë se përmirësimi i marrëdhënieve me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë thelbësore për stabilizimin e rajonit që disa ekspertë e përshkruajnë të ekspozuar ndaj influencave të huaja anti-perëndimore.

Në një konferencë në Uashington rreth strategjisë së Shteteve të Bashkuara në rajon, zyrtarët i thanë Zërit të Amerikës se zgjerimi i anëtarësimeve në Bashkimin Evropian dhe në NATO është thelbësor për sigurinë evropiane dhe ruajtjen e demokracisë.

Nikola Dimitrov, Ministër i Jashtëm i Maqedonisë, vend kandidat për në BE dhe NATO që në vitin 2005, tha se “nevojitet forcimi i demokracive të qeverisura nga shteti ligjor”.

“Rajoni ynë qarkohet nga vende anëtare të NATO-s dhe të BE-së. Duhet konsoliduar Evropa. Siç e provoi edhe kriza e emigrantëve, duhet të sigurohemi që rajoni të jetë pjesë integrale e sistemit të demokracive të kontinentit tonë. Është e vërtetë se kemi tensione të rritura në rajon si pasojë e ringjalljes së antagonizmit ndërmjet Perëndimit dhe Federatës Ruse. Nuk ka të bëjë me pyetjen nëse na pëlqen apo jo Rusia. Nuk mendoj se duhet të jetë kjo zgjedhja. Ka të bëjë me zërin e qytetarëve tanë që dëshirojnë ta shohin Maqedoninë pjesë të aleancës (së NATO-s). Ky është fati ynë. Ky është rrugëtimi ynë”, tha Dimitrov, raporton Zëri i Amerikës.

Anëtarësimi në BE

Pas 17 cikle planesh veprimi për anëtarësimin në BE, Maqedonia pritet të fillojë ciklin e radhës më 11 dhjetor.

Dimitrov i tha Zërit të Amerikës se “është momenti i duhur për ta përfunduar procesin. Do të jetë mirë për rajonin; do të jetë mirë për NATO-n dhe për çdo vend të cilit i intereson stabiliteti i rajonit; duhet që ta mbështesin anëtarësimin tonë në NATO”.

Një raport i ri i botuar nga Këshilli i Atlantikut e përshkruan Ballkanin Perëndimor “si punën e papërfunduar për një Evropë të plotë dhe të lirë”.

Konferenca u pasua nga takime mes ministrave të Ballkanit dhe zyrtarëve amerikanë, ndër ta A. Wess Mitchell, Ndihmës Sekretar Shteti për Evropën dhe Euroazinë, si dhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, H.R. McMaster.

Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Srdjan Darmanoviç, tha se “ McMaster foli shumë seriozisht për ato që SHBA-ja i konsideron si sfidat më të mëdha të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, dhe theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk po e humbasin interesin dhe se nuk kanë ndërmend të jenë joaktivë në Ballkanin Perëndimor. Përkundrazi, SHBA-ja është shumë e interesuar për arritjen e stabilitetit dhe demokracisë, si dhe ka vullnetin të mbështesë integrimin Euro-Atlantik të vendeve të Ballkanit që e dëshirojnë këtë gjë”.

Mali i Zi, vendi më i vogël i Ballkanit, filloi bisedimet për anëtarësimin në BE në vitin 2012 dhe u bë vendi i 29-të anëtar i NATO-s gjatë një ceremonie në muajin qershor në Departamentin e Shtetit, me gjithë kundërshtimet e forta të Rusisë.

Dikur pjesë e ish-Jugosllavisë, një bastion i Moskës, Mali i Zi u bë republikë e pavarur në vitin 2006, kur malazezët votuan në një referendum për ndarjen nga Serbia.

Gjatë fjalës së tij në konferencë, Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq tha se Beogradi synon ta vazhdojë rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE, ndërsa do të vazhdojë të ketë marrëveshje të tregtisë së lirë me Turqinë dhe Federatën Ruse. Daçiq e përshkroi BE-në si “partnerin parësor në politikën e jashtme” dhe vuri në dukje përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike me Shtetet e Bashkuara.

Duke folur për projektet e përbashkëta infrastrukturore, Daçiq tha se “në Ballkanin Perëndimor, ne jemi (me SHBA-në) partnerët më të rëndësishëm ekonomikë”.

Prania ushtarake

Raporti i Këshillit të Atlantikut propozon ruajtjen e përhershme të një pranie ushtarake amerikane në Kosovë, për të mbrojtur rajonin nga përpjekjet ruse për të ushtruar influencë politike. Daçiq u pyet nëse ky propozim vjen pas shqetësimeve të SHBA-së për një Qendër Humanitare Serbo-Ruse në qytetin serb Nish.

“Nëse pesë rusë, katër serbë dhe një qen perceptohen si të barabartë me Bondsteel-in, kjo më tmerron”, tha Daçiq, duke iu referuar Kampit Bondsteel, një bazë ushtarake e SHBA-së dhe NATO-s, e vendosur në Kosovë që në vitin 1999.

Departamenti Amerikan i Shtetit shprehu shqetësimin në muajin qershor për qendrën e re që Rusia menaxhon në Nish. Disa grupe perëndimore dhe analistë ushtarakë e shikojnë këtë qendër si kamuflazh për një bazë ushtarake, që synon survejimin e interesave amerikane në Ballkan.

Daçiq i tha Zërit të Amerikës se “dua ta theksoj këtë gjë: Kur elefantët dashurohen apo grinden, bari dëmtohet sido që të jetë. Serbia nuk dëshiron të jetë bari, pra me fjalë të tjera, në pozitat e të dobëtit. Prandaj, duhet të kujdesemi për interesat tona”.

Serbia, e cila ka filluar negociatat për anëtarësim në BE që në janar të vitit 2014, nuk planifikon të anëtarësohet në NATO, aleancën që bombardoi Jugosllavinë në vitin 1999.

Situata është e kundërta për Shqipërinë, e cila është vend anëtar i NATO-s që në vitin 2009, por, që është ende në pritje për çeljen e bisedimeve me BE-në, vendim i cili pritet të merret në fillim të vitit të ardhshëm.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, i tha Zërit të Amerikës se vendi po përparon drejt reformës në drejtësi dhe masave të tjera që do të lehtësojnë këtë bisedime.

Bushati u shpreh se “dua të theksoj luftën tonë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, progresin për konsolidimin e reformave në administratën publike dhe për respektimin e të drejtave të njeriut. Unë pres që, dhe mendoj se është krejtësisht e mundshme, që viti 2018 do të jetë viti që Shqipëria do të fillojë negociatat për anëtarësimin në BE dhe do të ulet në tryezën e negociatave me rezultate konkrete nga reforma në drejtësi dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

Garancitë e ofruara gjatë takimeve

Ministri i Jashtëm i Bosnjës, Igor Crnadak, tha se ndjehej më i garantuar pas takimeve me diplomatët amerikanë dhe zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë.

“Takimi me zotin Wess Mitchell ishte shumë i rëndësishëm, pasi pikasa vendosmërinë për të ndihmuar rajonin dhe Bosnjën, në rrugëtimin përpara dhe vazhdimin e zbatimit të reformave”, tha Crnadak, vendi i të cilit, me një shumicë myslimane, shikohet si jetësor për mbrojtjen e Evropës ndaj organizatave terroriste ndërkombëtare që synojnë kontinentin evropian.

Bosnja, një vend kandidat për në BE, synon gjithashtu të anëtarësohet në NATO që në prill të vitit 2010, kur përfitoi një Plan Veprimi për Anëtarësim, gjatë samitit në Tallinn.

Në një deklaratë për shtyp, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare McMaster vuri në dukje se “Ballkani Perëndimor vazhdon të jetë një përparësi e lartë për Shtetet e Bashkuara”, si dhe theksoi se administrata Trump “mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj aspiratave Euro-Atlantike të rajonit dhe përpjekjeve për integrimin evropian”.

Projekti i Hashim Thaçit për ndryshimin e kufijve nuk bllokohet as në zyrën e Sali Berishës, as të Edi Ramës, por në Parlamentin e Kosovës.

Tani kuptohet pse Hashim Thaçi sulmoi Berishën!

Disa udhëheqës politikë të Kosovës kanë mbërritur këto ditë në Tiranë, në përpjekje për t’u faktorizuar në debatin politik të Kosovës, rreth mundësisë së ndryshimit të kufijve, që po i prin presidenti Thaçi. Udhëheqësit në shumicë janë opozitarë, por dhe pjesëtarë të qeverisë “Haradinaj”.

Zbarkimi i tyre në Tiranë pason ardhjen e Albin Kurtit dhe takimin e tij me Sali Berishën, të cilin duket që Hashim Thaçi, përmes polemikës në distancë, e ktheu në zyrë pelegrinazhi për kundërshtarët e vet, shkruan Tema.

Nuk di nëse Hashim Thaçi ka qenë koshient kur e sulmoi në dukje pa shkak Sali Berishën, një muaj më parë, kur nisi historinë e ndryshimit të kufijve, por nëse ka pasur parasysh këtë që po ndodh, i duhet njohur një farë talenti politik dhe një dinakëri e pashoqe për t’i kanalizuar kundërshtarët e vet, tek dikush që është ndërkohë i defaktorizuar.

Kur ai sulmoi Sali Berishën me një fjalor aspak të nevojshëm për një president të Kosovës, për më tepër që vetë ka bashkëpunuar me të, të gjithë na u duk e tepruar, edhe pse nuk tha asnjë gënjeshtër kundër tij.

Por dukej se e kishte si hall sulmin ndaj tij.

Nëse ai ka llogaritur që kundërshtarët t’i identifikojë me Berishën, që ta ketë pastaj më të lehtë me faktorin ndërkombëtar, i duhet njohur merita që është më dinak se sa duket në lojën politike, jo vetëm në Kosovë.

Patetizmi i Berishës kundër tij, fjalori i vrazhdë si “argat i Serbisë”, qasja qesharake fillestare që ai po e bënte këtë nën ndikimin e Sorosit, pastaj heshtja kur u mësua se është nxitje e këshilltarit të sigurisë kombëtare të Trumpit, dhe e shoqëruar në sfond nga heshtja e pamëshirshme e Edi Ramës në këtë histori, në fakt kanë kanalizuar energjitë opozitare në Kosovë, në drejtimin e paduhur.

Projekti i Hashim Thaçit për ndryshimin e kufijve nuk bllokohet as në zyrën e Sali Berishës, as të Edi Ramës, por në Parlamentin e Kosovës.

Aty kundërshtohet, aty bllokohet, aty i hiqet Hashim Thaçit mandati i bisedimeve për kufijtë, dhe aty ruhet pavarësia e derisotme e Kosovës, të cilën procesi i rishikimit të kufijve, e anulon.

Pelegrinazhi drejt Sali Berishës, i nxitur nga Hashim Thaçi, është mënyra se si dobësohen energjitë opozitare në Kosovë dhe si Hashim Thaçi del më i qartë në projektin e tij.

Ai ka arritur ndërkohë të përçajë LDK-në, ku një prej kandidatëve për kryetar, Lutfi Haziri, ka nisur të besojë se po merr Luginën e Preshevës nën modelin e Thaçit, e tjetra, Vjosa Osmani, po e kundërshton fort.

Ai ka arritur të përçajë po ashtu qeverinë dhe partinë e tij, dhe çfarë është më e mira për të, po i bën bashkë gjithë kundërshtarët e po i çon në zyrë të Sali Berishës.

Ky i fundit është në atë pikë që nuk kundërshton dot as vendimet e Lulzim Bashës, dhe jo më të diktojë zhvillimet në Kosovë, ndërkohë që reputacioni i tij ndërkombëtar është nën zero.

Do të ishte e pashpirt nga ana e Hashim Thaçit sikur ta ketë të menduar gjithë këtë skemë ndaj opozitarëve të tij. Por do ishte budallallëk mizor sikur kundërshtarët ta bëjnë vetë këtë.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...