Zbarkimi i tyre në Tiranë pason ardhjen e Albin Kurtit dhe takimin e tij me Sali Berishën, të cilin duket që Hashim Thaçi, përmes polemikës në distancë, e ktheu në zyrë pelegrinazhi për kundërshtarët e vet, shkruan Tema.
Nuk di nëse Hashim Thaçi ka qenë koshient kur e sulmoi në dukje pa shkak Sali Berishën, një muaj më parë, kur nisi historinë e ndryshimit të kufijve, por nëse ka pasur parasysh këtë që po ndodh, i duhet njohur një farë talenti politik dhe një dinakëri e pashoqe për t’i kanalizuar kundërshtarët e vet, tek dikush që është ndërkohë i defaktorizuar.
Kur ai sulmoi Sali Berishën me një fjalor aspak të nevojshëm për një president të Kosovës, për më tepër që vetë ka bashkëpunuar me të, të gjithë na u duk e tepruar, edhe pse nuk tha asnjë gënjeshtër kundër tij.
Por dukej se e kishte si hall sulmin ndaj tij.
Nëse ai ka llogaritur që kundërshtarët t’i identifikojë me Berishën, që ta ketë pastaj më të lehtë me faktorin ndërkombëtar, i duhet njohur merita që është më dinak se sa duket në lojën politike, jo vetëm në Kosovë.
Patetizmi i Berishës kundër tij, fjalori i vrazhdë si “argat i Serbisë”, qasja qesharake fillestare që ai po e bënte këtë nën ndikimin e Sorosit, pastaj heshtja kur u mësua se është nxitje e këshilltarit të sigurisë kombëtare të Trumpit, dhe e shoqëruar në sfond nga heshtja e pamëshirshme e Edi Ramës në këtë histori, në fakt kanë kanalizuar energjitë opozitare në Kosovë, në drejtimin e paduhur.
Projekti i Hashim Thaçit për ndryshimin e kufijve nuk bllokohet as në zyrën e Sali Berishës, as të Edi Ramës, por në Parlamentin e Kosovës.
Aty kundërshtohet, aty bllokohet, aty i hiqet Hashim Thaçit mandati i bisedimeve për kufijtë, dhe aty ruhet pavarësia e derisotme e Kosovës, të cilën procesi i rishikimit të kufijve, e anulon.
Pelegrinazhi drejt Sali Berishës, i nxitur nga Hashim Thaçi, është mënyra se si dobësohen energjitë opozitare në Kosovë dhe si Hashim Thaçi del më i qartë në projektin e tij.
Ai ka arritur ndërkohë të përçajë LDK-në, ku një prej kandidatëve për kryetar, Lutfi Haziri, ka nisur të besojë se po merr Luginën e Preshevës nën modelin e Thaçit, e tjetra, Vjosa Osmani, po e kundërshton fort.
Ai ka arritur të përçajë po ashtu qeverinë dhe partinë e tij, dhe çfarë është më e mira për të, po i bën bashkë gjithë kundërshtarët e po i çon në zyrë të Sali Berishës.
Ky i fundit është në atë pikë që nuk kundërshton dot as vendimet e Lulzim Bashës, dhe jo më të diktojë zhvillimet në Kosovë, ndërkohë që reputacioni i tij ndërkombëtar është nën zero.
Do të ishte e pashpirt nga ana e Hashim Thaçit sikur ta ketë të menduar gjithë këtë skemë ndaj opozitarëve të tij. Por do ishte budallallëk mizor sikur kundërshtarët ta bëjnë vetë këtë.