Agjencioni floripress.blogspot.com

2018/10/01

Ibrahim Hajdarmataj, mësuesi që u dashurua me profesionin e tij



Sejdo Harka & Murat Gecaj

Ibrahim Hajdarmataj është një nga mësuesit që u dashurua me profesionin e tij në një moshë tepër të re. Dëshirën e tij të zjarrtë, për të zgjedhur si profesion të përjetshëm punën e mësuesit, e ka thelluar sentenca e bukur filozofike me vlera universale: “Dija ndriçon mendjen, ndërsa mendja ndriçon botën”, të cilën mësues Ibrahimi e përdor shpesh edhe sot në bisedat e përditshme. Dhe ustai i parë, që i përçon dijet ndër breza, është mësuesi. Që ta meritosh përjetësisht këtë emër të madh, njëkohësisht dhe privilegj, nuk mjafton të mbarosh një shkollë mësuesie, qoftë dhe me rezultate të larta. Rëndësi të veçantë ka pasioni dhe përkushtimi për të ngulitur thellë në mendjen e nxënësve dije të qëndrueshme, me të cilat ata do të ndryshojnë botën. Vetëm kështu mësuesit e apasionuar kanë mundur të gdhendin në kujtesën e nxënësve dhe prindërve këtë emër sa të bukur, aq dhe të vështirë. Me këtë pasion dhe dashuri për dijet dhe nxënësit, ka punuar një jetrë të tërë edhe mësuesi Ibrahim Hajdarmataj, i cili lindi dhe u thinj mes banorëve dhe nxënësve të shkollave të zonave më të thella të Tropojës. Edhe pse ka shumë vite që ka dalë në pension, nuk ndahet për asnjë çast nga kolegët, fëmijët dhe ish-nxënësit e tij. Është kjo arsyeja që, edhe pse ata sot kryejnë detyra të rëndësishme, brenda dhe jashtë vendit, i drejtohen me respekt:”Eja ta pimë një kafe, o mësues Ibrahimi”!Dhe ai kurrë s’ja u bën fjalën dy. Këtë emër të bukur ai e ka ruajtur dhe ushqyer me respekt e dashuri dhe, me punë të palodhur me nxënësit dhe njerëzit e këtyre anëve. Ai, tërë jetën ka synuar që nxënësit e tij t’i bëjë jo vetëm njerëz të aftë, por dhe qytetarë të mirë dhe atdhetarë e njerëz të lirë. I frymëzuar nga filozofia e pedagogut të madh Vv. Vvuard, gjatë punës si mësues, nuk është mjaftuar me tregimin dhe shpjegimin e thjeshtë të mësimit, por rëndësi të veçantë i ka kushtuar demonstrimit, motivimit dhe frymëzimit të nxënësve. Për të, përvetësimi i dijeve të qëndrueshme nga nxënësit, është një zinxhir i pandërprerë. Ajo fillon me dëgjimin dhe përfundon me vetëveprimin e nxënësve për zbatimin dhe përçimin e tyre te njerëzit. -Fëmijët –thotë mësues Ibrahimi-nuk mund të rriten si fidanët në kubikë. Ata duhen trajtuar jo thjesht si objekt, por si subjekt i mësimit dhe edukimit. Fëmijët u ngjajnë fidanëve të njomë. Si të tillë, po nuk i “kalite” në fushat e gjera të jetës reale dhe po nuk i ushqeve me”ajrin dhe ujin e pastër”, nuk do të rriten mendërisht dhe fizikisht të shëndetshëm, por do të zvarriten si “shkurret dhe barërat e këqija”. Ashtu si bujku punëtor dhe i mençur, që rrit bimë të shëndetshme dhe plot bereqet, ashtu dhe mësuesi i ditur e me përkushtim, në bashkëveprim me familjen dhe shoqërinë, përgatit njerëz të aftë dhe të dobishëm për vete dhe për shoqërinë.

Ibrahim Hajdarmataj u lind në mars të vitit 1947, në fshatin Zogaj të krahinës së Bytyçit, në Malësinë e Madhe të Gjakovës të rrethit të Tropojës, në një familje arsimdashëse dhe me tradita patriotike. Gjyshi i tij, për një kohë të gjatë ka qenë shok dhe bashkëluftëtar me Bajram Currin. Është ai, që bashkë me disa shokë të tjerë, e ngritën të parët trupin pa jetë të plakut të maleve, ku ra heroikisht në Shpellën e Dragobisë, për ta përcjellë me nderime në banesën e fundit. Mësimet e para I. Hajdarmataj i mori në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme pedagogjike e kreu në Shkodër. Më vonë ai ka mbaruar Universitetin e Tiranës për gjuhë dhe letërsi shqipe. Prej këtej, ai nisi rrugën e gjatë mbi 40-vjeçare, duke u rënë kryq e tërthor shkollave të zonës së Bytyçit të Tropojës, pa iu ndarë për asnjë çast, deri sa doli në pension. Me dijet dhe vullnetin e tij, ai u mësoi nxënësve dhe banorëve të këtyre anëve si të vrasin analfabetizmin dhe varfërinë, gjakmarrjen dhe egërsinë, pesimizmin dhe pasigurinë dhe u dhuroi atyre përkushtimin dhe gatishmërinë për t’u qëndruar pranë edhe në momentet më të vështira të jetës.

Ibrahim Hajdarmataj, nuk është vetëm një mësues i mirë, por dhe një drejtues i zoti . Shkollat që ai drejtoi, u dalluan për rezultate të larta. Sekreti i performancës së mirë të këtyre shkollave, qëndron tek përkushtimi dhe kompetenca me të cilën ai drejtonte. Ai drejtonte duke udhëhequr me shembullin e një lideri të vërtetë. Në procesin e kontrollit, në plan të parë vinte ndihmën. Është kjo arsyeja që mësuesit dhe kolegët e duan dhe respektojnë edhe sot e kësaj dite. Mësues Ibrahimi, për disa vite me radhë, punoi edhe si punonjës e drejtues kulture, në zonat e thella të vendlindjes së tij. Veprimtaritë e gjera dhe të shumëllojshme kulturore, puna me traditat, lufta kundër gjakmarrjes dhe puna me librin, kanë qenë disa nga drejtimet parësore të punës së tij, në fushën e kulturës. Në veprimtaritë e tij kulturore, ai s’e ka shkëputur për asnjë çast bashkëpunimin dhe marrëdhëniet me shkollat dhe nxënësit. Me ndihmën e tyre organizoi estrada dhe shfaqje teatrale, festival folklorike dhe ekspedita për të mbledhur dhe studiuar traditat dhe traditat më të mira të këtyre anëve. Për zhvillimin e një pune të mirë me librin atë e ka ndihmuar dhe specializimi që ai bëri pranë Bibliotekës Kombëtare në Tiranë. Njohja me thesarin dhe vlerat e librit dhe rrugët për propagandimin e tij, ka bërë që Ibrahimi, edhe sot, që ka vite që ka dalë në pension, bën një punë të lavdërueshme me librin. Sa herë vjen në Tiranë, mbush çamtën me libra, të cilat ja dhurojnë miqtë dhe shokët e shumtë krijues, për t’ja u falur me kënaqësi lexuesve dhe bibliotekave në zonat përreth Tropojës dhe Kosovës.

Ibrahimi, është dhe një publicist i njohur në ato anë. Ai ka një jetë të tërë që shkruan dhe boton në shtypin e ditës. Sot ai kujton me nostalgji gëzimin e veçantë, që ai ndjeu kur pa të botuar në gazetën “Pionieri”, shkrimin e tij të parë. Pas këtij shkrimi, dora e tij s’pushoi së shkruari kurrë. Këto shkrime, të cilët janë me qindra, ai do t’i botonte në gazetat dhe revistat e kohërave të ndryshme si, “Zëri i Rinisë”, “Bashkimi”, “Puna”, “Mësuesi”, “Tirana Observër”, “Nacional”, “Nëntori”, “Revista Pedagogjike”… dhe në disa faqe elektronike. Ka mbi gjysmë shekulli që bashkëpunon me shumë gazeta dhe revista, që botohen brenda dhe jashtë vendit . Ndërsa, që nga viti 1990, ai drejton gazetën lokale të vendlindjes së tij, të cilën e ka pagëzuar me titullin “Ylberi i Zogajve”. Në krijimtarinë e tij publicistike, vend të rëndësishëm zënë reportazhet dhe skicat, opinionet dhe analizat, por veçanërisht temat me përmbajtje pedagogjike e kualifikuese, të cilat i ka referuar në konferenca shkencore, që janë zhvilluar në Tiranë dhe Kosovë, në Fier dhe Shkodër, në Kukës dhe Tropojë. Vitet e fundit ai botoi përmbledhjen me analiza, për krijimtarinë artistike të shkrimtarit Viron Kona me titullin “Blerimi i një fushe, me krijime të bukura”. Ka në proces botimi dy libra të rinj, me shkrime nga përvoja e punës së tij shumëvjeçare si mësues dhe drejtues shkolle. I. Hajdarmataj është dhe një bashkëshort dhe prind shembullor. Edhe pse me vështirësi, ai ka rritur dhe edukuar 5 fëmijë të mirë, të cilët me kujdesin dhe ndihmesën e tij të pakursyer, ata sot kanë përfunduar të gjithë arsimin e lartë dhe punojnë në sektorë të ndryshëm të jetës dhe ekonomisë së vendit. Figurën e mësuesit dhe publicistit Ibrahim Hajdarmataj, e lartësojnë shumë cilësi, por ato që shfaqen më dukshëm, janë sinqeriteti dhe bujaria, mikpritja dhe dashuria që ushqen për të gjithë njerëzit. Kur ai vjen në Tiranë bëhet iniciator i takimeve dhe bisedave të ngrohta me shumë miq dhe shokë. Kur kalon me të rrugëve të Tiranës apo Tropojës, janë të shumtë njerëzit që e përshëndesin dhe ftojnë për kafe. Jo vetëm që askujt s’ja bën fjalën dy, por dhe nuk lejon askënd, që të fus duart në xhep. -Ibrahimi –thotë shkrimtari dhe “Mësuesi i Merituar Bardhyl Xhama -me shpirtbardhësinë e tij të rrallë, të fal edhe shpirtin. Për këto cilësi të rralla dhe veçanërisht, për punë të shquar në fushën e arsimit, kulturës dhe edukimit të brezit të ri, Ibrahim Hajdarmataj është dekoruar 4 herë me Urdhra dhe Medalje.

Bashkudhëtarë në fushën e letrave ( Skicë kushtuar gazetarit të talentuar Fran Gjoka nga Lezha)


Ibrahim Hajdarmataj

Image result for Ibrahim Hajdarmataj


Kryetar i OJF   “Mësuesi”,

          Tropojë

              Bashkudhëtarë në fushën e letrave
  Skicë kushtuar gazetarit të talentuar Fran Gjoka nga Lezha

…Në fillim të dhjetorit të vitit 1974, nga shefi i arsimit dhe i kulturës së rrethit të Tropojës na vjen një qarkore ku shkruhet: “Të punohet me të gjithë Këshillat Pedagogjike të shkollave, me mësues, nxënës e prindër artikulli i shkruar nga Fran Gjoka, botuar në gazetën “Mësuesi”, që bënë fjalë për aktivitetet e larmishme kulturore-patriotike të zhvilluara nga nxënësit në qytetin e  Lezhës. Aktivitetet e zhvilluara në Lezhë, të jenë shembull dhe nxitje edhe për gjallërimin e mëtejshëm të aktiviteteve në shkollat tona.” (Aso kohe gazeta “Mësuesi” dilte katër faqe me format të madh, çdo ditë të mërkurë).
Në atë kohë, Kabinetin pedagogjik e  drejtonte profesori i psikologjisë Kol Tahiri, i ardhur nga Universiteti i Tiranës, i cili ishte shumë i pasionuar për shtypin. Me ardhjen e tij në “Bajram Curi” u rrit numri i drejtuesve të shkollave dhe mësuesve që abonoheshin në gazetën “Mësuesi” apo dhe në “Revistën Pedagogjike.…
Më 15 dhjetor, më erdhi një lajmërim nga Kryeredaktori i gazetës “Mësuesi”, i cili më shkruante: “Ibrahim! Më datën 20 dhjetor duhet të jesh në redaksinë e gazetës, pasi do të organizohet një takim me të gjithë bashkëpunëtorët e gazetës. Ju do të vinin me Riza Çelën e Tropojës. Pjesëmarrës të atij takimi ishin dhe: një kolegë nga Kukësi, - Isa Halili; nga Mirdita, - Mark Lazri dhe Bardhok Sulejmani; nga Vlora-Pandeli Pano; nga Puka, - Sabah Sinani e Preng Ukaj; nga Shkodra, - Ramiz Likaj, Njazi Kazazi, Idriz Kali;  nga Lezha, - Fran Gjoka, Veli Brahimi; nga Peshkopia, - Mevlud Buci;  nga Durrësi, - Kadri Tarelli; nga Berati, - Sami Starova, Namik Selmani, Xhevahir Lleshi; nga Tirana- Dhimiter Xhoga, Fadil Kepi, Dr. Emil Cimbi, Ferhat Cakaj, Loni Prifti, Mesud Abule, Bashkim Saliasi, Ali Tuci-ATSH; nga Fieri-Mihal Krimce; nga Gjirokastra-Engjell Fino; nga Skrapari, - Enver Cakaj; nga Leskoviku-Maksim Rushi; nga Elbasani-Sami Domni; nga Burreli-Hamdi Hysuka; nga Përmeti Sejdo Harka (i cili pas shumë viteve u bë kryeredaktor i gazetës “Mësuesi”)...
 Image result for fran gjoka

               
U gëzova shumë nga ky lajmërim. Atë kohë kisha përgatitur një letër, që ia drejtoja Fran Gjokës, të cilin e njihja vetëm nëpërmjet artikujve dhe veçanërisht atij artikulli për aktivitetet kulturore-patriotike, që citova më sipër. Midis të tjerash në atë letër drejtuar Franit, shkruaja:
Përshëndetje nga monopatet e Zogajve -Tropojë!
Duke ju uruar shëndet dhe suksese në detyrën tuaj si gazetar dhe redaktor i   “Mësuesit”, (të më falni për kohën që po ju marrë), artikulli juaj për aktivitetet kulturore dhe patriotike, jo vetëm që u punua në kolektivin tonë, por ai artikull do të jetë busull orientuese për aktivitetet tona edhe në atë ardhmen. Përfitoj nga rasti t`ju nis shkrimin për gazetën tonë të dashur ”Mësuesi” në lidhje me veprimtarinë e mësuesve vullnetarë të ardhur nga Tirana, Gjirokastra dhe Fieri në rrethin tonë, me shpresë se do ta botoni në numrin e  ardhshëm. Edhe një herë më falni për shqetësimin. Me konsideratë të lartë, bashkëpunëtori i gazetës “Mësuesi”, Ibrahim Hajdarmataj”.
Artikullin bashkë me këtë letër e kisha mbyllur në një zarf dhe  e kisha bërë gati ta nisja me postë. Ndërkaq, mbërriti  telefonata tjetër  e Kryeredaktorit, i cili pas përshëndetjes më pyeti:
-Mos e neglizhoni ardhjen në mbledhjen me bashkëpunëtorët e gazetës. Ata të seksionit të arsimit e kanë marrë udhëzimin për të mos ju penguar...
-Po,-i thashë,-ne po përgatitemi të vijmë, - dhe nisa t`i tregoj se i kisha shkruar një letër redaktorit të gazetës Fran Gjokës...
Ai kushedi pse qeshi dhe tha:
-Më vjen mirë që e ke këtë mendim për Franin, por ai nuk është redaktor i gazetës, por njëri nga bashkëpunëtorët siç je edhe ti Ibrahim. Dëshiroj të  them se, ne këtu, jemi krenar me Franin dhe se ai e bënë punën si të ishte një redaktor definitiv i gazetës...
Kryeredaktori fliste, kurse unë ndjeja një valë të brendshme respekti për kolegun tim Fran Gjoka, për punën e tij të madhe e të rrallë, edhe për nga sasia, por  edhe cilësia e shkrimeve. Edhe unë edhe kolegë të tjerë, të them të drejtën, çuditeshim me aftësitë dhe energjitë e tij, pasionin dhe përkushtimin e rrallë....
Ditën tjetër, me një “skodë” hipur prapa me Riza Çelën e  Tropojës, më 19 dhjetor morëm rrugën për në Tiranë. Rruga, jo vetëm ishte e paasfaltuar por edhe tërë gropa, me kthesa të mëdha të Gomsiqes. Pas 9 orëve udhëtim, arritëm në Tiranë, të lodhur  e të rraskapitur, zumë vend në hotel ”Tirana” (Tani Ministria e Drejtësisë) dhe, në mëngjes, shkuam në Ministrinë e Arsimit. Meqenëse shkuam më përpara, trokitëm te zyra e Kryeredaktorit të gazetës “Mësuesi”. Një zë  i panjohur na u përgjigj: ”Urdhëroni!” dhe ndërkaq u hap dera dhe u shfaq një burrë i ri, i gjatë dhe me fytyrë të qeshur. Nuk e njihja personin që na priti, kurse Kryeredaktorin dhe Sekretarin e Kolegjiumit (Bardhyl Xhama) dhe redaktorin (Murat Gecaj) i njihja mirë pasi ata kishin ardhur edhe në Tropojë, por edhe në Zogaj, madje i kisha pasur edhe miq një natë në shtëpinë time. Por ata nuk ndodheshin në zyrë.
-Më falni,-i thashë burrit të ri që na priti, -kemi ardhur që të takojmë Kryeredaktorin e  gazetës apo Sekretarin e Kolegjiumit. Vijmë nga Tropoja...
-Gëzohem shumë që po njihemi, - tha ai, - Kryeredaktori dhe Sekretari i Kolegjiumit nuk ndodhen për momentin, kurse unë jam si edhe ju, bashkëpunëtor i gazetës nga Lezha, Fran Gjoka më quajnë...
-Kurse unë jam Ibrahim, Ibrahim Hajdarmataj, nga Zogaj i Tropojë dhe shoku im është Riza Çela....
Dhe që nga ajo kohë e për dhjetëra vite me radhë, me Franin jemi jo vetëm kolegë, por edhe miq të mirë, që ndajmë shqetësime të përbashkëta, përfitojmë nga njëri-tjetri, këmbejmë përvoja të shkollave dhe të rrethit dhe u gëzohemi shkrimeve tona..Shpesh herë, vetëm ose me miq e shokë, por edhe kur bisedoj me Franin, kujtojmë kohën kur Fran Gjoka shkruante me ritmin e tij të pandërprerë ashtu si dhe sot, duke rrokur një tematikë mjaftë të gjerë, me thellësi problemesh dhe idesh, me mesazhe të qarta dhe mbresëlënëse. Pastaj, ato portrete mësuesish dhe drejtuesish, aq të realizuar, shkollat që përshkruheshin aq mirë dhe me të gjitha problematikat e tyre, pa fshehur asgjë, edhe duke vlerësuar, por edhe duke ballafaquar apo kritikuar mangësitë...Unë kisha të drejtë atëherë kur kisha menduar se ai ishte një redaktor i gazetës, madje, për të qenë i sinqertë duhej të pohojë se Frani shkruante dhe botonte edhe më shumë se një redaktor gazete, ndonëse punonte mësues, dhe dallohej ndër mësuesit më të mirë dhe më profesional të rrethit..Shkolla ishte zemra e tij, ashtu sikurse gazeta ishte shpirti  tij. Asnjëherë nuk e mendova Fran Gjokën të shkëputur prej këtij binomi të mrekullueshëm: Shkollë-Gazetë dhe anasjelltas....
Duke qenë bashkë shpesh herë në takime apo me shërbime në rrethe të ndryshme të vendit, kam njohur te Frani cilësi të rralla dhe tepër humane, ndërkohë që e vlerësoja ndër miqtë e çiltër e të sinqertë, që jepte pa kursim ndihmën dhe përvojën e tij. I kemi shkuar për vizita njëri-tjetrit, kemi ndenjur orë të tëra duke bashkëbiseduar për artikujt dhe teknikat e realizimit sa më mirë të tyre dhe, gjithnjë kam parë te Frani kolegun e përkushtuar dhe të palodhur, serioz, të aftë e plotë kulturë. Gjithnjë biseda jona ka qenë e lidhur ngushtë me gazetën “Mësuesi”, dhe gjithnjë Frani dallonte, madje na habiste me vrullin dhe ato energji ta jashtëzakonshme për të shkruar aq shumë dhe aq mirë, si një gazetar profesionist. Ai jo vetëm bënte po aq mirë edhe punën e  mësuesit dhe edukatorit, por, ndërkohë edhe  aktivizohej me shpërndarjen e gazetës së dashur në shkolla dhe zyra të arsimit apo individë të veçantë që ishin të abonuar te gazeta. Madje, zhvillonte edhe takime dhe biseda në shkolla ku tërhiqte mendime për përmirësimin e  nivelit të artikujve për gazetën dhe për rubrikat e saj,ndërkohë që aktivizonte edhe gazetarë të rinj...Mbaj mend dhembjen e  Franit kur u mbyll gazeta “Mësuesi”, artikujt e tij drejtuar institucionit të MASH, që gazeta të rihapej, sepse mësuesit e vendit e donin, u nevojitej shumë ajo gazetë. Ndonëse kërkesat e Franit dhe të shumë të tjerëve kanë rënë në veshtë shurdhër, ai nuk është tërhequr as atëherë dhe as tani që është në pension.
Artikujt e Fran Gjokës, që botohen në gazetat apo revistat e vendit apo dhe në mërgatë, asnjëherë nuk kanë reshtur, ata shprehin jetë, gjallëri dhe profesionalizëm, veçanërisht për shkollën. Gjithkush mund t`i lexojë ata artikuj i ka lexuar apo dhe i lexon ata te “Koha Jonë”, “Republika”, “Tirana Observer”, “Nacional”, “Lisalba”, por edhe në dhjetëra portale, që botohen sot nëpër botë e ku emri i Fran Gjokës është kurdoherë i dukshëm, teksa artikujt e tij tërheqin vëmendjen dhe lexohen me interesim...
Nëpërmjet  artikujve të tij, unë, por besoj edhe shumë të tjerë, kanë njohur më mirë historinë dhe traditat e Lezhës, kanë njohur emrat  e mëdhenj të këtij qyteti që nga lashtësia e deri sot në kohët moderne, dimë shumë gjëra për Lezhën sepse na i ka rrëfyer Frani në artikujt e tij mbresëlënës, ndaj them me bindje se rrethi i Lezhës dhe sidomos shkollat e  tij, janë bërë shumë të njohura mes të tjerash, edhe nga puna e jashtëzakonshme shkrimore e mësuesit dhe gazetarit të talentuar Fran Gjoka...



https://docs.google.com/viewer?a=v&pid=sites&srcid=dWJ0LmVkdS5hbHxmcmFuLWdqb2thfGd4OjYyNGI3N2UxZTRjMWRiMg

Flori Bruqi “Dëshmi të krimit të pandëshkuar”,Prishtinë-Tiranë 2017

Image result for dibran fylli

Akademik Prof.Dibran Fylli 

Para pak ditësh, Shtëpia Botuese “Klubi i poezisë”, Tiranë, nxori nga shtypi dhe hodhi në qarkullim librin me titull “Dëshmi të krimit të pandëshkuar të autorit Flori Bruqi, poet, shkrimtar, historian, hulumtues dhe kritik i talentuar, një libër ky, i 42-ti në serinë e veprave të tij, të botuara deri tani.

Flori Bruqi me krijimtarinë e tij është një kronikan skrupuloz, i cili me penën e tij i rrëzon mitet dhe legjendat prej balte të ngritura në histori nga arkitektura sllave për tokën tonë, thotë për këtë libër shkrimtari shqiptar Zef Pergega.

Flori Bruqi është një kineast i mrekullueshëm qe ngjarjet dhe faktet e tragjizmit, të cilat me shekuj luheshin me zjarr e hekur në kurriz të kosovarit, nuk i shikon nga llogorja me flamur të bardhë, por ai ka filmuar lakuriqsisnë e krimit sllav pa bëre shumë komente e ilustrime por ashtu cubullak siç janë e siç vijnë në sekuencat e krimit politik e paramilitar.

Kasaphana është aty në brinjë, në mal, në shesh, në familje në pranga e në burgje, si llavë zifti mbi shpirtëra të etur për liri e për pragun e tokën që trashëgim ua lanë te parët…ështe aty në shpirtin e revoltës studentore e intelektuale mbi zërin e fjalës së lirë…

Ne librin e tij akademik Bruqi përshkuan skena të varreve masive, fëmijë të prerë gjymtyrësh dhe të hedhur në vorben e ushqimit, nëna me bark të çarë me foshnje palindur e therur me bajonete…tmerre pafund si në prehistori para një bote që quhet Evropë e që vazhdimisht luan poker më fatkeqësinë e kosovarëve.

Bruqi, në ketë libër nuk e harron Ushtrinë e lavdishme çlirimtare , si dhe rolin e SHBA-ve në ushtrimin e të drejtave ndërkombëtare për ta shpetuar popullin e Kosovës, siç në fakt e shpëtoi nga kthetrat e arushës se zezë..

Akademik Porf .Dr.Eshref Ymeri citon se mediokriteti është një tokë pjellore për lulëzimin e djallësisë dhe gënjeshtres, hajdutërisë, hipokrizisë e mediokritetit, karrierizmit dhe mashtrimit, grabitjes së pasurise se tjetrit…tradhëtise!”

Flori Bruqi është kënga, zjarri, gjuha dhe gjaku i bashkimit ! A ëeshtë flamuri edhe nuri, për të cilin me të drejtë prof Eshref Ymeri shkruan:

“Flori Bruqi është një figurë e shquar më përgatitje enciklopedike, si një intelektual erodit, i cili e ka kryer e do të vazhdojë ta kryej detyrën e shenjtëruar para kombit shqiptar!”

Me njëe shkrimtar dhe njeri si Flori Bruqi,fytyra e krimbit të pandeshkuar bie nga froni i perandorit…!

Për mendimin tim, Flori Bruqi, si një kritik erudit, është i pari në historinë e letërsisë shqipe, i cili ka nxjerrë si në një “parakalim festiv” të gjithë shkrimtarët dhe poetët e trojeve etnike shqiptare. Nga radhët e tyre në Perëndimin evropian dhe amerikan, ai përmend 54 syresh. Mes krijuesve të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dëshiroj të shtoj edhe emrin e eseistes dhe të shkrimtares sa të talentuar, aq edhe fjalëpakë, Nimfa Hakani, e cila, në nëntor të vitit 2015, botoi në Shqipëri tre libra: përmbledhjen me tregime me titull “Pacientja 101”, një përmbledhje fabulash dhe rrëfenjash për të rritur, të titulluar “Luani i fjetur”, dhe një përrallë për fëmijë, me protagonist Gjeto Basho Mujin.(Cituar nga shkrimi i zgjëruar i Akademik Prof.Dr. Eshref Ymerit i botuar kohë më parë me titull : ”Potpuria”letrare dhe shkencore e Flori Bruqit”).

(LSHK: Kumtesa  është  lexuar nga shkrimtari Bedri Halimi .Kumtesa është shkruar nga Dibran Fylli për Festivalin ndërkombëtar  të poezisë ( FN )të "Drinit poetik ",Prishtinë,  më dt.09.06.2018).

2018/09/29

KUSH ËSHTË PROKURORI REXHEP MAQEDONCI ?

Image result for KUSH ESHTE REXHEP MAQEDONCI


Rexhep Maqedonci i lindur në Mars 1956 në Prishtinë nga Nëna Sabile (amvise) dhe Babai Nazifi (punëtor). Shkollën fillore e kreu në Prishtinë pranë Shkollës fillore “EMIN DURAKU” dhe të mesmen pranë Gjimnazi “SAMI FRASHERI” në Prishtinë.


E kreu Fakultetin Juridik në Prishtinë. Rexhep Maqedonci rrjedh nga një familje patriotike qytetare që i takonte vegjëlisë së qytetit të Prishtinës. Babai Nazifi ka prejardhje nga fshati Maqedonc i cili u robërua nga Serbia pas Kongresit të Berlinit kur kufijtë e Shqipërisë u shtynë nga Nishi në drejtim të jugut. Nazif Maqedonci lëvizte në ato rrethe të punëtorëve të Prishtinës të cilët e përkrahnin Adem Demaqin edhe në kohën e regjimit rankoviqian.


Nazif Maqedonci ia dha Kosovës 4 djemtë e vet pa i bërë syri vërr për as një çast, edhe pse i kishte rritë me mundime të mëdha. Tre nga ata u dënuan me burgje të rënda për pjesëmarrje në organizimin e daljes me kërkesën për Republikën e Kosovës në demonstratat e vitit 1981!

I edukuar në frymë patriotike Rexhep Maqedonci merr pjesë si shumë i ri në Demonstratat e 27 dhe 28 Nëntorit 1968 në Prishtinë.

Në shenjë falënderimi ndaj kujdesit të Nazif Maqedoncit, Adem Demaçi e vizitoi këtë familje pas daljes nga burgu i dytë në vitet e shtatëdhjeta. Kjo vizitë ishte edhe orientim për Rexhep Maqedoncin dhe vëllezërit e tij, Osmanin, Lutfiun dhe Qamilin të cilët do të kyçen në detyra të ndryshme brenda PKMLSHJ duke filluar qysh nga viti 1975 – organizatë kjo që i organizoi demonstratat me kërkesën për Republikën e Kosovës.


Rexhep Maqedonci u zbulua në vitin 1982 si pjesëtar i ilegales sëbashku me Osmanin e Lutfiun dhe dënohen me 14 vjet, me 7 dhe me 5 vjet ( këta tre vëllezër dënohen me 26 vjet burg) dhe lirohen dikush më herët e dikush më vonë, por as njeri pa kaluar gjysma e dënimit – sipas rregullave të asaj kohe. Vëllai u vogël Qamili nuk u burgos, sepse ishte tepër i ri edhe pse edhe ai kishte qenë i angazhuar në disa veprime ilegale.

Rexhep Maqedonci u dënua në krye të grupit më të madh të gjykuar në atë kohë prej 23 vetave. Gjykimi i tij do të mbahen në mend me atë se, Rexhep Maqedonci si absolvent i Fakultetit Juridik në Prishtinë e kishte përgatitë mbrojtjen e vet vetë dhe nuk e la avokatin e tij zyrtar të e thotë as një fjalë në mbrojtjen e tij.

Ai e arsyetoi kërkesën për bashkimin e viseve shqiptare nën sundimin e ish RSFJ dhe për krijimin e Republikës Shqiptare të Kosovës, me të drejtë në vetëvendosje deri në shkëputje.
Autoriteti i tij dhe i familjes Maqedonci bëhet pengesë për regjimin titist dhe UDB-a nuk mjaftohen, e dënimin pre 26 vjetëve që u kanë dhënë tre vëllezërve Maqedonci, por vazhdon me thurjen e komploteve të ndryshme ndaj kësaj familje.

Nën torturat çnjerëzore dhe nën kërcënim me jetën e tij dhe të vëllezërve, UDB-a atë e detyrojnë të bëhet dëshmitar në një gjykim të montuar ndaj një njeriu të pafajshëm në një gjykim të montuar politik. Dhe kur ai del në gjyq për të dëshmuar, ai edhe pranë rrezikut me jetë, tregon para gjyqit se është detyruar me dhunë të dëshmoi dhe gjykimi prishet dhe rimontohet sërish.

Nga frika se Rexhep Maqednci mund të bëhet lider i të burgosurve politik brenda burgjeve, UDB-a përhap intriga brenda të burgosurve politik për Rexhep Maqedoncin dhe për organizatën të cilës ai i takonte. Burgjet jugosllave ishin fundi i ferrit për Rexhep Maqedoncin, për vëllezërit dhe shokët e tij. Në fund të atij ferri fillonte edhe një ferr tjetër, autorët të cilit ishin disa të burgosur shqiptarë që mbi plagët e shkaktuara nga UDB-a hapnin plagë të reja, në vend se tua lehtësonin ato që ua shkaktonte armiku. Nuk thonë kotë se më i rënd se burgu janë vet të burgosurit!

Ky diferencim dhe izolim brenda burgjeve shkoi paralelisht me diferencimin e Azem Vllasit që ai e bënte kundër organizatorëve dhe pjesëmarrësve të Lëvizjes për Republikën e Kosovës jashtë burgjeve.

Jashtë burgjeve fillonin vuajtjet e familjeve të tyre duke filluar prej prindërve, vëllezërve, motrave, bashkëshortëve e deri te fëmija. Ata përveç se detyroheshin të përballeshin me terrorin fizik e psikologjik të UDB-es, përveç që përballeshin me skamjen e mjerimin social, iu duhej të duronin edhe intriga e thashetheme nga më të poshtrat që mund të sajojnë mendjet e sëmura të njerëzve të panjerëzishëm! Për disa nga familjarët e tyre kjo përfundoi me pasoja tragjike për shëndetin e për jetën e tyre.

Fronti i tretë i komploteve të tilla ndaj Rexhep Maqedoncit dhe ndaj PKMLSHJ zhvillohej përmes veglave të UDB- edhe në emigracionin politik shqiptar. Rexhep Maqedonci dhe PKMLSHJ u vuan mes dy zjarreve.

Luhej loja që Rexhep Maqedonci dhe PKMLSHJ të komprimitohen e të nxjerrën nga “loja” në frontin politik si një njeri shumë inteligjent që mund t'i konkurronte dikujt në skenën politike, dhe si një organizatë shumë e përparuar në krahasim me pjesët tjera të ilegales në atë kohë. Përpara ishin masat brutale të regjimit e pas shpine thikat e intrigave të veglave të regjimit dhe të maskarenjve e hiçave që kishin hyrë edhe brenda ilegales.

Ishte kjo një luftë fizike e psikike e cila nuk mund të kalonte pa pasoja të dukshme dhe të padukshme fizike e shpirtërore as për Rexhep Maqedoncin e familjen e tij, as për pjesëtarët e organizatës së cilës ai i ka takua. Vuajtjet e prindërve, (nëna dhe daja i vdiqën disa muaj pasi u burgosen tre vëllezërit Maqedonci, dhe pastaj edhe babai i tyre, nga dhimbjet e streset psikike). Ishte kjo një luftë nervash që ata u dashtë t'i përballonin.

Dhe si u pa këto ditë nga këto komentet e reja, komplotet rreth tij në gazetat e verdha, akoma nuk paskan përfunduar edhe tani kur u nisë me u jetësua Republika e Kosovës! Nga ky shembull i rënd mund të mësohet edhe arsyeja pse Atë Gjergj

Fishta në një moment të zhgënjimit e tha atë fjalën e famshme kapitale “ Le ta dijë bota mbarë....”! Procesi historik në të cilët Rexhep Maqedonci ishte njeri nga liderët kryesor ende nuk ka përfunduar, prandaj derisa disa rrahin gjoks për punët që i kanë bërë të tjerët, Rexhep Maqedonci vazhdon të heshtë.

Image result for KUSH ESHTE REXHEP MAQEDONCI


Vet armiqtë sllavë kanë pas më shumë respekt për Rexhep Maqedoncin, sepse ata e dinë se ai ishte njeriu nga të rrallët që Jugosllavisë i shkaktoi aq plagë të rëndë sa ajo nga ato, nuk u ngritë më në këmbë të veta.

Nga karakteri që ka dhe nga përvoja në të cilën ka kaluar Rexhep Maqedonci, ai ka dëshmuar se munde t'u përballojë fushatave të tilla të ndyra dhe të dalë fitimtar edhe mbi vet djallin e shegertët e tij të vjetër e të rinj! Nëse edhe ndodh të thyhet, atëherë janë shqiptarët injorantë, ata që rrënuan një nga shtyllat më të forta të kombit të vet të kësaj gjenerate! Por, besoj se përpara do të thyhen ata njerëz të lig që qëndrojnë pas këtyre komploteve.

Mos t'i shkoj askujt mendja se mund të kalojnë pa dhanë përgjegjësi për këto krime monstruoze ndaj ish të burgosurve politik që flijuan jetën e vet e të familjeve të veta për Komb e për Atdhe! Posa të fitohet përfundimisht lufta ndaj armiqve sllavë, do t'u vie radha edhe veglave të verbëta të tyre që të japin llogari përpara drejtësisë dhe para popullit!

ÇKA BISEDOI PRESIDENTI AMERIKAN DONALD TRUMP DHE PRESIDENTI I KOSOVËS ZT.HASHIM THAÇI

Presidenti Thaçi tregon çka bisedoi me Donald Trump-in
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka vlerësuar si të suksesshëm përfaqësimin e Kosovës gjatë vizitës në SHBA, gjithashtu është në selinë e Kombeve te Bashkuara.

Në emisionin Info Magazine, në Klan Kosova, Thaçi ka thënë se delegacioni që qëndroi në SHBA shfrytëzoi këtë kohë maksimalisht për të zhvilluar takime të ndryshme me ç’rast edhe janë diskutuar tema të ndryshme.

“E rëndësishme është që Kosova ka qenë prezente në SHBA. Tashmë është krijuar një traditë e pjesëmarrjes së Kosovës gjatë punimeve të OKB-së”.


“Temat që kam diskutuar gjatë qëndrimit tim në SHBA kanë qenë fillimisht për anëtarësimin e Kosovës në Interpol, së dyti kam zhvilluar diskutime për mundësitë e përshpejtimit të liberalizimit të vizave. E treta, diskutimet në lidhje me transformimin e FSK-së, dhe së fundmi procesi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, me mundësi të një marrëveshje ligjërisht të obligueshme”.

Hashim Thaçi është takuar edhe me presidentin amerikan Donald Trump, me të cilin tha se ka diskutuar për proceset në Kosovë.

“Ishte një pritje tradicionale nga Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump. Edhe këtë takim të shkurtër e kam shfrytëzuar të bisedoj për Kosovën. Për progresin, suksesin e Kosovës dhe për atë që Kosova vazhdon të mbetet miku më i mirë i SHBA-ve”.


“Presidenti amerikan ka vlerësuar Kosovën si vend të mrekullueshëm dhe një popull të mrekullueshëm. Definitivisht, Trump e ndjen dhe e përshëndet vazhdimisht procesin e Kosovës”.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani është pjesë e protestës e cila është organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se një numër jashtëzakonisht i madh i qytetarëve janë mbledhur te Biblioteka Kombëtare për të protestuar idenë e korrigjimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë.


“Jashtëzakonisht i madh numri i protestuesve që janë mbledhur tek Biblioteka Kombëtare për të protestuar kundër pazareve me Serbinë”, shkruan në llogarinë e Vetëvendosjes në Facebook.

Përkundër faktit që protesta është organizuar nga lëvizja Vetëvendosje, asaj i janë bashkangjitur edhe deputeti i pavarur, Korab Sejdiu, si dhe deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani.




Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani është pjesë e protestës e cila është organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje.


Ajo ka thënë se po merr pjesë në protestë si qytetare dhe jo si deputete e Kuvendit të Kosovës.

Po ashtu Osmani ka thënë se protestës i është bashkuar së bashku me bashkëvendësit të saj nga Mitrovica dhe familjen nga Presheva.

Deputeja Osmani, e cila ka dal kundër vendimit të partisë së saj të cilët kanë refuzuar thirrjen e VV-së për protestë, thotë se vazhdon të mbetet LDK, dhe se arsyeja e daljes në protestë është kundërshtimi i saj për ndarjen e Kosovës.

“Përkthimi – një histori pasioni” i Prof.Dr. Eshref Ymerit


NGA: NGA DR. ANDON DEDE, NJU YORK

Në një cikël emisionesh për historinë e Kinematografisë, që e pata ndjekur vite më parë, jepej një detaj tepër interesant e domethënës. Duke bërë fjalë për një dokumentar për peshkatarët, autori theksonte se ”ai peshk që ju hani në restorant apo në shtëpi, në një mjedis komod dhe e shijoni për shtatë palë qejfe, ndofta as që ju shkon në mëndje se sa mund e djersë është derdhur, për të përfundar ai peshk tek pjata juaj…”. Dhe autori, përmes një retrospektive, kthehej tek gjuetia e peshkut në një ditë jo të zakonshme, por në një det me dallgë e stuhi që e bënte peshkimin aq të vështirë sa që të rrezikonte dhe jetën e peshkatarëve. Më pas ai tregonte rrugën që bënte peshku i zënë deri sa përfundonte tek pjata jonë.

M’u kujtua kjo histori tek po lexoja librin e Prof. Dr. Eshref Ymerit, botuar tani vonë, me një titull tepër tërheqës: ”Përkthimi, një histori pasioni”.


Lexuesi, me të drejtë, mund të habitet nga kjo përqasje: e ç’lidhje ka peshkimi me përkthimin? Në vështrim të parë edhe unë bashkohem me të. Por, më lejoni ta shpalos deri në fund idenë që më lindi nga përqasja e mësipërme. A nuk kënaqemi dhe ne, tek lexojmë një roman, përmbledhje me poezi apo tregime, në mos dhe çdo libër të ndonjë fushe tjetër dhe, ndofta, jo për fajin tonë, as që na shkon ndër mend se atë kënaqësi po na e jep jo vetëm autori por dhe ai që e ka sjellë aq bukur, natyrshëm në gjuhën tonë sa ne jo vetëm që e kuptojmë plotësisht por dhe e shijojmë estetikisht. Për hir të së vërtetës duhet thënë se jo gjithmonë i jemi mirënjohës edhe përkthyesit krahas autorit, ndonëse ai, për të na e sjellë në gjuhën tonë, ka derdhur mund e djersë, në mos sa ai peshkatari në dallgë e stuhi, por shpirtërisht e mendërisht, është lodhur e cfilitur jo më pak se ai. E, pra, me punën krijuese por dhe të vështirë e të mundimëshme të përkthyesve, pse jo dhe me heroizmin e heshtur të tyre, na njeh libri i sipërcituar.

Autori shkruan diku se : “njëlloj siç njohim arrtistin e madh në secilin prej roleve që ai luan, po ashtu edhe në çdo vepër të përkthyer gjejmë se cili është përkthyesi i shquar që domosdoshmëisht duhet të jetë një mjeshtër i vërtetë i fjalës artistike me artin që prodhon pena e vet.” Më tej ai shtjellon bindshëm idenë se për një përkthim cilësor është e domosdoshme jo vetëm zotërimi mjeshtëror i gjuhës burimore por dhe i shqipes, çka nënkupton njohjen me themel jo vetëm të pasurisë leksikore por dhe të strukturës gramatikore të të dyja gjuhëve, të cilat mund të mos kenë përputhje me njera tjetrën.Ajo çka mund të shprehet me mjete morfologjike në një gjuhë, në tjetrën mund të kompensohet me mjete leksikore.



Por, ky aspekt i përkthimtarisë është vetëm njera nga trajtesat e shumta që përmban libri. Autori e ka parë këtë veprimtari intelektuale në shumë plane e prerje, horizontale e vertikale. Ai e nis shtjellimin e kësaj teme që nga orgjina e lashtë, si lindi vetë termi përkthim, si një nga llojet e hershme të veprimtarisë së njeriut dhe, kapitull pas kapitulli, vjen deri në ditët tona. Ndërkohë që je duke lexuar librin, ti iu je përgjigjur një sërë pyetjeve që edhe mund t’i kesh pasur që më parë në mëndje apo që t’i ofron vetë autori si fjala vjen, pse lindi nevoja e përkthimit; sa lloj përkthimesh kemi; a ka dallim midis përkthimit të një vepre artistike dhe të një tjetre tekniko-shkencore, të biznesit e të tregëtisë, diplomacisë apo të gazetarisë e të publicistikës.

Po në vetë letërsinë artistike, a përdoren të njëjtat mjete e rrugë për të sjellë në gjuhën tonë prozën e poezinë? A e vlen të ripërkthehen veprat e përkthyera tashmë, qoftë dhe nga mjeshtër të shquar të fjalës shqipe, si Fan Noli, Mitrush Kuteli, Skënder Luarasi e plot të tjerë? Parë në këtë prizëm libri, krahas kënaqësisë që të jep të pasuron edhe me një informacion të bollshëm. Për të qënë sa më bindës autori nuk mjaftohet thjesht me shpalosjen e mendimevet të veta por iu hap derën dhe krijuesve e përkthyesve të tjerë për të plotësuar sa më gjerë e sa më thellë përgjigjet për pyetjet që shtruam më sipër e për shumë të tjera që gjallojnë në faqet e këtij libri.

Do të mjaftonte gjithë sa thamë më lart për të përligjur botimin apo dhe leximin e tij. Por, po ta linim me kaq do të bënim një mëkat të madh se libri përmban dhe shumë e shumë informacione e trajtesa të tjera, njera më interesante se tjetra. Autori përveç shtjellimit teoriko-shkencor të kësaj veprimtarie të vyer intelektuale e sheh atë edhe në një sërë planesh psiko-sociale. Ai ndalet gjerësisht tek puna kolosale, po, po e përsëris, kolosale e një brezi të tërë përkthyesish që kanë sjellë në gjuhën tonë kryevepra botërore, jo vetëm të letersisë artistike por dhe politiko-shkencore-shoqërore dhe që jo vetëm nuk u shpërblyen materialisht për atë stërmundim prej sizifi por, për arsyet që merren me mënd nga ne që e kemi jetuar atë kohë, emri i tyre nuk është vënë as në ballinën e shumë e shumë botimeve voluminoze. Le të përmendim, fjala vjen përktheysit e veprave të klasikëve të Marksizëm-Leninizmit.

Mos e paragjykoni nga përmbajtja apo konotacioni i keq që mori kjo rrymë e shkencave shoqërore me dështimin e utopisë komuniste. Por, a e merrni dot me mend se ç’punë e madhe është bërë për të sjellë në gjuhën tonë vepra të tilla si “Kapitali”, “Teoritë e Mbivlerës” e plot të tjera, kur edhe terminologjia e përdorur në to thuajse mungonte fare.

Parë në këtë prizëm, autori, që është edhe vetë një përkthyes i njohur, i bën një homazh të shkëlqyer atij brezi që punoi pa u lodhur, me sakrifica të mëdha, për të pasuruar fondin e literaturës tonë politiko-shoqërore, apo dhe atë të terminologjisë përkatëse. Është kjo arsyeja që autori, këtë libër, siç e pohon vetë që në faqet e para të tij, ua blaton “të gjithë atyre Njerëzve të Shquar të Kombit Shqiptar, që ia kushtuan jetën artit të përkthimit, duke dhënë një kontribut të paçmueshëm për pasurimin e kulturës sonë kombëtare me thesare të kulturës botërore, paçka se disave prej tyre, si pasojë e luftës së klasave që e ushtroi me aq dhunë diktatura komuniste, ose thjesht për tekat autoritariste të kësaj të fundit, emrat nuk u figurojnë në ballinat e veprave të përkthyera dhe ata mbetën heronj të heshtur.” S’ka si të mos ndjesh dhimbje në shpirt kur lexon një nga rrëfimet e sjella në libër të një koleges së tyre, Violanda Canko: “Fatkeqësia është se ndokënd nga përkthyesit e përkryer të asaj kohe, e ndesh rrugës, të katandisur mos më keq, në një pleqëri të mjerë ekonomikisht dhe të mbaruar shpirtërisht.”

Me shumë interes janë dhënë nga autori apo dhe nga ata që ia kanë përcjellë atij mbrest e tyre, portretet e shumë përkthyesve të shquar, duke nisur me Gjon Shllakun që solli në shqip “Iliadën” e Homerit, e deri tek Isuf Vrioni që përktheu në frengjisht Kadarenë.

Por, edhe me këtë parantezë që bëmë nuk i treguam gjithë shtigjet që ka çarë autori për të plotësuar tablonë e përkthimtarisë në vendin tonë. Jo pa qëllim e theksojmë këtë aspekt se ne, ndryshe nga tërë bota, edhe në këtë fushë kemi specifikën tonë. Brezi im nuk e ka vështirë ta marrë me mend se përse e kemi fjalën. A ju kujtohen veprat “madhore” të diktatorit që përktheheshin e botoheshin në tërë ato gjuhë të botës? Me siguri që iu kujtohet por jo të gjithë e dinë se si është punuar për to dhe sa kanë kushtuar. Në libër jepet një tablo e saktë dhe e plotë e tërë asaj pune të jashtzakonshme që kanë bërë përktheysit e Shtëpisë Botuese “8 nëntori” për t’i përkthyer ato jo më nga një gjuhë e huaj në shqip por në drejtim të kundërt. Vetëm kush është marrë sadopak me të tilla punë mund ta kuptojë se sa e mundimëshme ka qënë ajo. Jo vetëm kaq, por siç vë në dukje autori, mjaft prej atyre “veprave të shquara”, duhet të përktheheshin shumë shpejt se “mezi i priste proletariati botëror e marksist-leninistët në tërë rruzullin për t’u njohur me përvojën e shkëlqyer shqiptare dhe me mendimin teorik të udhëheqësit të shquar ku i pat drejtuar sytë gjithë bota”. Ato vepra, thekson autori, duhet të përfundonin në duart e antarëve të grupeve dhe të partive M-L, të cilat kishin për mision të “zgjonin proletariatin botëror për tu çuar peshë në këmbë që të hidhej në revolucion, për të marrë pushtetin me grykën e pushkës.” Pohime të tilla janë njëkohësisht tragjike e komike kur mendon se sa mund e djersë është derdhur për to e, bashkë me to dhe paret e një populli ekstremisht të varfër që s’ngopej as me bukë. Kujtojmë me këtë rast, se ato libra u botuan me letër shumë të shtrenjtë, me kapak të fortë e me lidhje speciale, pra bëhet fjalë për miliona e miliona dollarë. Tragjizmi merr përmasa edhe më të mëdha kur njihesh me fatin e tyre, shumica e të cilave, në mos të gjitha, përfundonin në koshin e plehrave.

Duke qënë shef i asaj redaksije, autori ndjen keqardhje për atë punë që i qe ngarkuar. Ja si shprehet ai: “Më vjen keq për kolektivin e redaksisë që punonte duke gogësitur mbi makinat e shkrimit, që raskapitej me orar aq të stërzgjatur dhe në fund të pesëmbëdhjetëditëshit, (siç paguheshin rrogat asokohe), nuk merrte asnjë shtesë mbi rrogën. Ajo ishte një grabitje e pastër e punës intelektuale, të cilën, përveç mohimit të mbishpërblimit material, shteti e shoqëroi edhe me mohimin e pronës intelektuale, duke mos lejuar shënimin e emrave të përkthyesve dhe të redaktorëve në ballinat e librave të përkthyer.”

Por autori nuk bije në pozita qaramane, por sheh me objektivitet dhe anën tjetër të medaljes se, siç thotë një fjalë e urtë, çdo e keqe e ka dhe një të mirë. Mund të them me bindje të plotë, - pohon ai, - se puna në atë Redaksi ka qënë një “kudhër” e vërtetë, një “universitet i dytë”, siç e quan me shumë të drejtë përkthyesi i njohur Edmond Tupja. Pra, ajo djersë e derdhur atje për gati dy dhjetvjeçarë, nuk shkoi dëm për përgatitjen e gjithanshme shkencore të përkthyesve, të cilët, pas shpërbërjes së Shtëpisë Botuese, u larguan me disa gjuhë të përvetësuara dhe me një bagazh të admirueshëm kulturor e profesional, çka bëri të mundur që ata të gjenin veten pa vështirësi në kushtet e reja të ekonomisë së tregut.

Në libër është pasqyruar edhe puna e vëllimshme që është bërë jo vetëm në atë shtëpi botuese por dhe në Radion e Jashtëme e në ATSH.

Libri nuk është vetëm një pasqyrë e përkthimtarisë tek ne dhe as një paradë e sukseseve të saj por, në të njëjtën kohë, edhe një vështrim kritik për të meta e dobësi që vërehen në këtë fushë, veçanërisht të theksuara këto pas ndryshimit të sistemit. Me të drejtë autori vë në dukje se shumë shtëpi botuese, që mbas ’90-ës mbinë si kërpudhat pas shiut, tashmë janë të lira të përkthejnë e të botojnë ç’të duan, mjafton që të tërheqin vëmëndjen e lexuesve e të shesin libra, duke shkelur me këmbë parimet aq të domosdoshme për një përkthim dinjitoz, siç e vumë në dukje më lart. Ne të gjithë jemi dëshmitarë të kësaj të vërtete të thjeshtë. Të më falë lexuesi që po rrëfej një përjetim timin: sa herë që shkoj në Shqipëri, mbushem me libra të autorëve të ndryshëm. Pa ekzagjerim mund të them se më ka ndodhur disa herë që librat e përkthyer nga ato gjuhë që nuk i zotëroj, të botuara në shqip, nuk i kam marrë vesh, jo më fraza e paragrafe por jo rrallë edhe pjesë të tëra të librit. Ndaj, me të drejtë në veprën që po diskutojmë, tërhiqet vëmëndja se përkthime të tilla jo vetëm që i bëjnë një shërbim të keq autorit të përkthyer por dhe vetë lexuesve me shijen e keqe që iu lënë. Gjuha shqipe, - shprehet në një intervistë autori i librit, - është shpirti dhe zemra e kombit shqiptar, “dritarja” përmes së cilës, nëpërmjet përkthimit, thesaret e kulturës botërore, në lëmin e letërsisës artistike, vijnë e bëhen pjesë e pandarë e thesarit të kulturës sonë kombëtare se, siç thotë një nga teoricienët e shquar të praktikës dhe të teorisë së përkthimit, J.I.Recker, “ Përkthyesi ka për detyrë të përcjellë me mjetet e një gjuhe tjetër, në mënyrë tërësore dhe të përpiktë, përmbajtjen e orgjinalit, duke respektuar veçoritë e tij stilistikore dhe shprehëse”.

Për të evidentuar bukurinë e Shqipes autori ka paraqitur tre fragmente veprash artistike, nga tre autorë të ndryshëm, të sjella në gjuhën tonë nga tre përkthyes të njohur. Këtu, thekson ai, kemi të bëjmë me një lidhje të goditur martesore të gjuhës së huaj me atë amtare.

Edhe pse voluminoz, libri me atë mozaik formash e polifoni zërash që përmban, paraqitet tepër i larmishëm dhe si i tillë lexohet me një frymë, nga fillimi në fund. Autori ka kombinuar bukur memoristikën e përsiatjet e veta me intervista të të tjerëve, me kuriozitete nga tërë bota që lidhen me këtë temë. Aty këtu, në funksion të ideve që hedh, ka futur citate e aforizma që të ngelen në mëndje për nga forca përgjithësuese e tyre. Ai ka shpalosur në të edhe përvojën e tij të pasur, jo vetëm si përkthyes por dhe si pedagog i përkthimit në Universitetin e Tiranës. Pa e tepëruar, mund të themi se ai është si një enciklopedi që hedh vështrimin në tërë aspektet që lidhen me përkthimtarinë.

Ne e pamë këtë libër nga këndvështrimi i lexuesit por ai është në të njëjtën kohë dhe një manual i vyer për përkthyesit e rinj, nëse duan t’i përkushtohen kësaj veprimtarie sa të vlertë aq dhe të bukur e të vështirë njëkohësusht. Siç vë në dukje Mira Meksi, në parathënien e librit, ky libër i Prof.Dr. Eshref Ymerit përmban një informacion shkencor tejet të pasur të nivelit erudit për problemet e përkthimit dhe bart vlera të jashtazakonshme njohëse. Kam bindjen, përfundon ajo, që kjo vepër e përmasave encikopedike do të jetë një traktat plot vlerë për studentët e degëve të gjuhëve të huaja”.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...