2018-12-04

REXHEP QOSJA KUNDËR ÇMITIZIMIT TË SKËNDERBEUT



Akademik Prof.Dr. Rexhep Qosja në 550-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, ka thënë se miti i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut është mit fuqidhënës edhe në jetën, politikën, kulturën e qytetërimin, por edhe në etikën e popullit shqiptar sot.

Ai në një opinion të gjatë ka shkruar për pamjen e tij, pastaj si vishej, kushtet në të cilat u rrit, jetoi, sundoi dhe luftoi, politikën e tij të jashtme dhe qëndrimet ndaj fesë.

Qosja ka shkruar se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu është figurë historike, të cilën gojëdhëna, historiografia, letërsia e artet e tjera e kanë bërë figurë mitike.

“Për këtë arsye disa historianë, publicistë dhe krijues të tjerë janë shprehur sivjet: Skënderbeun duhet ta trajtojmë realisht e ta çmitizojmë. E them menjëherë: jam kundër këtij qëndrimi ndaj figurës historike të Skënderbeut. Dhe, jam kundër, përpos të tjerash, edhe sepse Skëndërbeun s’e kanë bërë mit trajtimet ndjenjore, zmadhuese, që nuk kanë munguar, po në radhë të parë trajtimet objektive, realiste, me të vërteta për karakterin e tij, për natyrën e tij, për politikën e tij, për luftërat e udhëhequra prej tij dhe për rolin e tij madhor në historinë e popullit shqiptar.

........................

GJERGJ KASTRIOTI-SKËNDERBEU DHE SHQIPTARËT SOT

Figura më e madhe historike

Gjergj Kastrioti-Skënderbeu është figura më e madhe historike në historinë e popullit shqiptar.

Gjatë, Skënderbeu ishte figura më e madhe e historisë shqiptare si organizues dhe si prijës ushtarak i luftërave njezët e pesëvjeçare kundër pushtimeve të Perandorisë Osmane.

Ajo rëndësi historike Gjergj Kastriotit-Skënderbeut do t’i njihet edhe prej shteteve më të njohura evropiane.

Rëndësia e Skënderbeut në historinë e popullit shqiptar, ndërkaq, nuk është vetëm ushtarake, por është më e gjerë: ajo është rëndësi, njëkohësisht, edhe politike, shtetkrijuese, shtetërore e qytetëruese.

Pikërisht pse ishte e tillë, madhore historike, figura e Gjergj Kastriotit Skënderbeut do të jetë: kur e kur e përvetësuar prej ndonjë shteti tjetër për shkaqe etnike; kur e kur e përvetësuar prej ndonjë bashkësie fetare për shkaqe fetare; kur e kur e keqshpjeguar prej ndonjë publicisti a kronisti të huaj apo madje edhe vendorë për shkaqe politike dhe ideologjike e kur e kur e thjeshtësuar në pikëpamje historike për shkaqe pseudoshkencore!

Por, edhe të gjitha këto trajtime, sado ndërsjellshëm kundërshtimore, deshën s’deshën autorët e tyre, do t’i shërbejnë mitit të Skënderbeut.

Sivjet kemi mësuar shumë për Skënderbeun, por, megjithatë, kjo nuk do të thotë se tani, në 550-vjetorin e vdekjes së tij, dihen të gjitha që do të duhej të dihen për jetën, për fëmijërinë, për pamjen, për veshjen, për luftërat, për strategjinë luftarake, për politikën e tij. Nuk dihet, sa do të duhej të dihej, sidomos për gjendjen shoqërore, ekonomike, shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve në kohën e Skëndërbeut. Rrjedhimisht nuk dihet ende sa do të duhej të dihej se si, përpos përmbajtjeve politike, jetën e Skëndërbeut e përcaktonin përmbajtjet praktike, sociale, fetare, etike, metafizike.

Nuk e dimë, sa do të duhej të dimë për ta kuptuar më tërësisht jetën e tij, se cila ishte fryma e kohës.

Pamja e tij

Si dukej Skënderbeu?

Si dukej Ai kanë shkruar historianët tonë dhe kronistë e historianë të huaj; por, edhe shumë shkrimtarë, piktorë, skulptorë e krijues të tjerë shqiptarë e të huaj.

Sipas të gjitha gjasave, portretin më të saktë, sado të solemnizuar, të Skënderbeut e ka bërë historianë i tij i parë i madh, Marin Barleti. Dëgjoni ç’thotë ai: ”Shtati i tij i lartë dhe i hedhur, krahët që s’ishin parë më të bukura te njeri; qafa e fuqishme dhe e përkulur si e atletëve; gjerësia e supeve e admirueshme; ngjyra e bardhë si e derdhur në të kuq të padukshëm; shikimi i syve as i egër, as i fjetur por shumë i këndshëm. Këto ia rritnin shumë virtytet e tjera dhe dukeshin se ia shtonin mirësinë shpirtërore”.

Kështu të pashëm, duke i shtuar edhe vija të reja hijeshisë së tij, Gjergj Kastriotin do ta shohin edhe historianë evropianë.

Megjithëse e akuzojnë pse kishte braktisur sulltanin, pamjen pamatshëm përshtypjebërëse të Skënderbeut e tregojnë edhe historianë e kronistë osmanë, disa prej tyre e tregojnë, madje, me gjuhë adhuruese.

Veshja e tij

Si vishej Skënderbeu?

Historiani Kristo Frashëri, padyshim historiani më i shquar e më i përkushtuar i tij, thotë se “për veshjen e tij të përditshme mund të thuhet fare pak... ai vishej me dolloma prej stofi skarlati, e cila lidhej me një bres të gjerë, siç e shohim në disa piktura të hershme dhe siç ishte veshja e qarqeve të kamura të shoqërisë italiane. Dollomaja ishte e gjatë deri në kyçet e këmbëve... veshjen që mbante Skënderbeu në fushën e betejës nuk e njohim...”

Prej disa autorëve ballkanikë, mund të mësohet, ndërkaq, se Skënderbeu, në luftë vishte një jelek, të leshtë, të zi, të shtruar përbrenda me zhgun të kuq, që i mbërrinte deri në bel, me mëngë që ia mbulonin krahët gati deri te bërrylat.

Përpos shpatës së madhe, Skënderbeu përdorte edhe një shpatë të shkurtër, me dy teha. Dhe, këto dy shpata e bënin edhe më të dukshme se që ishte veshjen e tij.

Njeri prej këtyre autorëve do të shfaqë edhe një mendim që nuk ka mundë të dëshmohet as për të gjallë të Skënderbeut e as pas vdekjes së tij. Dhe ky mendim imagjinar është: me dy shpatat e tij Skënderbeu kishte vrarë rreth dymijë armiq!

Kushtet në të cilat u rrit, jetoi, sundoi dhe luftoi

Kushtet në të cilat do të rritet, do të jetojë, do të sundojë dhe do të luftojë Skënderbeu ishin të rënda.

Bashkësitë krahinore dhe principatat shqiptare, cila më pak e cila më shumë, kishin prapambetur në krahasim me ato evropiane.

Numri i bashkësive krahinore dhe i principatave në hapësirën gjeografike, që më vonë do të quhej Ballkan, ishte vërtet i madh.

Kufijt mes tyre ishin shumë të paqëndrueshëm: ata mund të zgjeroheshin dhe mund të ngushtoheshin varësisht prej sunduesve dhe varësisht prej zhvillimit të tyre të përgjithshëm.

Dhe, këta kufij të tyre, leht, kaloheshin prej kaçakëve dhe plaçkitësve të shumtë.

Megjithëse shoqëri pak e diferencuar, shoqëria shqiptare, megjithatë, ishte shoqëri me një vetëdije shtetërore po thuaj të formuar.

Kjo vetëdije ishte formuar që nga fundi i shekullit XII kur krijohet shteti i 14 bashkësive krahinore i quajtur Arbëria, por edhe nën ndikimin e shteteve të huaja.

Mund të thuhet kështu sepse hapësira Ballkanike, si thonë historianët, kurrë s’kishte qenë pa pushtim të perandorive. Aty ishin përshtrirë Perandoria e Aleksandrit të Madh, Perandoria e Romës, Perandoria e Bizantit dhe Perandoria Osmane.

Krijimi i shtetit

Dëshmia kryesore se Skënderbeu prej Edrenesë, ku mbahej peng, kthehet në vendlindje me vetëdije të vendosur shtetkrijuese është Kuvendi i Lezhës dhe i Besëlidhjes, të krijuar në vitin 1444, që ishin themeli i Arbërisë së tij.

Besëlidhja, na thonë historianët, ishte një lidhje (aleancë) politike dhe ushtarake, që me kohë do të bëhet edhe lidhje administrative, diplomatike dhe shtetërore. Institucioni më i lartë, vendimmarrës, i kësaj Lidhjeje do të bëhet Kuvendi i anëtarëve të Besëlidhjes, kurse Skëndërbeu “i parë ndër të barabartët”!

Historianëve e të tjerëve, shqiptarë a të huaj, që kur e kur kishin thënë fjalë shpërfillëse për Skëndërbeun shtetkrijues mund t’u jipet përgjigja: Arbëria që krijoi ai ishte shtet, shtet në kuptimin e plotë të fjalës shtet. Ky shtet kishte tokën e vet, kishte popullsinë e shtetit, kishte administratën shtetërore, kishte forcën mbrojtëse shtetërore, kishte diplomacinë shtetërore, kishte simbolet shtetërore, kishte kryeqytetin dhe kishte sundimtarin atëherë të quajtur Zot i Arbërisë, që ishte Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Politika e tij e jashtme

Të dhënat jetëshkrimore për të na tregojnë se përpos strateg ushtarak, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu ishte edhe shtetar me prirje politike largpamëse.

I vetëdijshëm se luftërat e shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë ishin pjesë e luftërave ç’është e vërteta ende të pakta të disa vendeve evropiane kundër këtyre pushtuesve, ai kujdesej të mbante lidhje me ato vende. Dhe, me Vatikanin. Në sajë të këtyre lidhjeve ai shpresonte të siguronte përkrahje politike e ndihma ushtarake dhe materiale.

Mund të besohet se përmes politikës së jashtme, Skëndërbeut i vinin ndikime politike, shtetore e të tjera prej vendeve evropiane, por mund të besohej se me atë politikë të tij ai edhe ndikonte në to.

Qëndrimet ndaj fesë

Historianët dhe publicistët tanë sivjet kanë folur në mediet elektronike dhe kanë shkruar në gazeta , në revista e në libra për përkatësitë fetare të Skënderbeut shumë më tepër se ndonjë vit tjetër.

Disa prej tyre thonë se ai i kishte provuar tri fe: katolike, ortodokse dhe myslimane.

Disa të tjerë thonë se feja ortodokse ishte feja e besimit të tij.

Historianë e publicistë të tjerë thonë, ndërkaq, se feja e tij, në vitet e fundit të jetës, ishte feja katolike.

Cila është e vërteta për qëndrimin e Skënderbeut ndaj fesë?

Unë nuk mund të them me bindje të krijuar prej të dhënave të bëra botore deri sot se cilës fe ai i takonte shpirtërisht dhe zyrtarisht: asaj katolike apo asaj orotdokse.

Por, unë me bindje të krijuar prej disa veprave që kam lexuar për jetën, për politikën dhe për shtetin që kishte krijuar ai e, sidomos, me bindje të krijuar prej veprimeve të tij si kryekomandues i luftës 25 vjeçare kundërosmane edhe si prijës politik e shtetëror i shqiptarëve të Arbërisë mund të them se Gjergj Kastrioti –Skënderbeu ishte politikan, prijës, kryekomandant dhe shtetar, fetarisht tolerant, kur e kur ndoshta indiferent ndaj fesë.

Si ndodhi që Skënderbeu të bëhet ashtu tolerant, kur e kur ndoshta indiferent, ndaj fesë në një kohë kur Evropa s’dukej fetarisht shumë tolerante?

Një faktor i pamohueshëm që ndikon në qëndrimin e tij tolerant ndaj fesë është animizmi që, edhe në kohën e tij, gëzonte përkushtim të veçantë prej njerëzve, që në pjesën më të madhe ishin fshatarë.Animizmi ishte besim i shumëkohshëm i shqiptarëve.

Siç shkruajnë disa historianë evropianë, Perandoria Osmane, sidomos në shekujt e saj të parë dhe në kohën kur kishte jetuar Skënderbeu, ishte një perandori tolerante ndaj feve. Mund të besohet se kjo tolerancë do të jetë një mësim të cilin Skënderbeu nuk do ta harrojë kur të kthehet në Atdhe.

Skënderbeu në Perandorinë Osmane do ta provojë atë që për konvertimet në këtë Perandori do të thotë historiani anglez Mark Mazover: “Kalimi në fenë e re shpesh ishte vetëm shtim i besimeve të reja mbi të vjetrat e jo akt i mohimit të të vjetrave dhe kalim i tërësishëm në të rejat”.

Në jetën e në mendësinë e Skënderbeut, mund të hamendjesohet se do të ndikojë edhe një ngjarje e madhe: pushtimi i Konstantinopojës prej sulltan Mehmetit II. Historiani anglez që posacituam, Mark Mazover, do të shkruajë:”Rënien e Konstantinopojës më 1453 të krishtërët e shpjegonin si dëshmi të shpërfytyrimit të krishtërimit, si mosukses përfundimtar të Bizantit si sistem imperial dhe si dënim prej Perëndisë për mëkatat njerëzore”.

E ky mësim që ua kishte sjellë evropianëve rënia e Konstantinopojës, s’kishte sesi të mos ndikonte edhe në Skënderbeu dhe ta pajiste jo me bindjen se krishtërimi vërtet na ishte shpërfytyruar, por me bindjen se do të jetë më mirë për shqiptarët, për shtetin e tij dhe për të që të jetë jo katolik a ortodoks tepër i përkushtuar, por Gjergj Kastriot –Skënderbe tolerant deri në indiferencë ndaj feve.

Ta ruajmë si mit a ta çmitizojmë Skëndërbeun?

Gjergj Kastrioti-Skënderbeu është figurë historike, të cilën gojëdhëna, historiografia, letërsia e artet e tjera e kanë bërë figurë mitike.

Për këtë arsye disa historianë, publicistë dhe krijues të tjerë janë shprehur sivjet: Skënderbeun duhet ta trajtojmë realisht e ta çmitizojmë.

E them menjëherë: jam kundër këtij qëndrimi ndaj figurës historike të Skënderbeut.

Dhe, jam kundër, përpos të tjerash, edhe sepse Skëndërbeun s’e kanë bërë mit trajtimet ndjenjore, zmadhuese, që nuk kanë munguar, po në radhë të parë trajtimet objektive, realiste, me të vërteta për karakterin e tij, për natyrën e tij, për politikën e tij, për luftërat e udhëhequra prej tij dhe për Rolin e tij madhor në historinë e popullit shqiptar.

Nuk thuhet kot se nuk ka popull dhe nuk ka shoqëri pa mite.

Dhe, nuk thuhet kot se qenia e popujve, e identiteteve dhe e qytetërimeve të tyre gjithmonë e gjithkund është ndërtuar mbi mite.

Jo vetëm se ruhen mitet e mëparshme, por krijohen edhe mite të reja.

Identitetet kolektive kanë traditë të pasur e të gjatë, shpesh të ndërtuar në mite.

Historia na mëson se në qoftë se përmbysen mitet e derisotme, shoqëria do të krijojë mite të tjera. E ato mitet e tjera mund të jenë të gjithfarshme. Po të përmbysej miti i madhërishëm i Skëndërbeut në historinë mbi pesëshekullore shqiptare traditat tona historike e kulturore do të varfëroheshin pamasë!

Skënderbeu dhe Rilindja Kombëtare

Prej shtjellimit të sipërthënë mund të shihet, besoj, se miti i Skenderbeut kishte filluar të ndërtohej për të gjallë të tij.

Por, rolin më të madh në ndërtimin e këtij miti, pothuajse përcaktues për shpjegimet e pastajme, e ka luajtur Rilindja Kombëtare Shqipëtare.

Pse pikërisht Rilindja Kombëtare?

Epoka e Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe Epoka e Rilindjes Kombëtare janë dy epoka të mëdha, më të mëdhatë, në historinë shqiptare.

Epoka e Skënderbeut është epokë e madhe e veprimit për liri: të mbrojtjes së lirisë dhe të sendërtimit të saj politik e shtetëror.

Epoka e Rilindjes Kombëtare është epokë e madhe e mendimit për krijimin e kulturës kombëtare dhe politikës si segment i saj.

Siç dihet, epokat e mëdha historike, gjatë ndërtimit dhe sendërtimit të tyre, e thërrasin njëra tjetrën – epokat e pastajme, natyrisht, i thërrasin epokat e përparme.

Epoka e Rilindjes sonë Kombëtare e thërret, e kërkon, e bën nxitje, frymëzim të vetes Epokën e Skënderbeut.

E kuptueshme: sistemet e tyre qëllimore e vlerore në shumë pika janë të përputhshme.

Epoka e Skënderbeut është epokë me shumë veprime dhe me shumë etikë.

Epoka e Rilindjes Kombëtare është epokë me shumë ide dhe po ashtu me shumë etikë.

Në të janë përmbledhur shumë risi mendore e vlerësuese. Njëra prej tyre është, fjala vjen, vetëdija se krim nuk është vetëm vrasja e njeriut, por krim është edhe vrasja e lirisë, e të drejtës dhe e të vërtetës: kur vriten liria e drejta dhe e vërteta vritet lehtë jo vetëm trupërisht por edhe shpirtërisht njeriu; kur vriten liria, e drejta dhe e vërteta vritet lehtë sistemi i vlerave me vlerat e tij.

Epoka e Rilindjes Kombëtare këtë vetëdije e gjen të krijuar e të zbatuar në Epokën e Skënderbeut, siç e kishte gjetur edhe në Epokën e kulturës antike greke dhe në Epokën e Iluminizmit evropian, para së gjithash francez.

Në Epokën e Rilindjes Kombëtare njëkohësisht shquan vetëdija e krijuesve të saj se vepruesve politikë, shtetërorë, shoqërorë dhe krijuesve të ideve e të veprave të rëndësishme diturore, letrare, artistike në përgjithësi mund t’u bëhen përmendore në qoftë se personifikojnë ngjarje, bëma, procese, ide, vepra krijuese që duhet të kujtohen përgjithmonë e të ruhen në Mendimoren Kombëtare. Dhe, ato përmendore bëhen për të ndriçuar në të sotmen e në të ardhmen me mësime atdhetare, mendore e etike e për të frymëzuar brezat e ardhshëm.

Përfundimi

Gjergj Kastrioti – Skëndërbeu është figura më e madhe në historinë e popullit shqiptar për një varg arsyesh historike mbi të cilat është ndërtuar dhe qëndron pacenueshëm miti i tij. Dhe, këto arsyje janë:

1. Emri i tij qëndron gjerësisht e thellësisht në themelet e vetëdijes sonë kombëtare,

2. Ai e ndërtoi idealin e luftës për liri dhe pavarësi të popullit të cilit i takonte – të popullit shqiptar.

3. Ai e organizoi dhe e kryekomandoi luftën njëzetepesë vjeçare kundër Perandorisë Osmane, që po përshtrihej në gjithë Ballkanin dhe po rrezikonte Atdheun e tij,

4. Ai prej bashkësive krahinore dhe principatave krijoi shtetin e tyre të bashkuar shqiptar, të quajtur Arbëria,

5. Ai, i pari, i bashkoi në një shtet shqiptarët e përkatësive të ndryshme fetare,

6. Ai e shprehu me jetën e tij dhe e predikoi me politikën e tij tolerancën fetare që, kur e kur, sendërtohej si menjanëri (indiferencë) fetare, dhe e bëri historike idenë e njësisë së shqiptarëve,

7. Ai ndërtoi politikën e jashtme të shtetit që krijoi, që mbështetej në bashkëpunimin me mbretëritë dhe principatat evropiane dhe në përkrahjen e tyre,

8. Ai me Arbërinë e tij arriti të merrej me çështje botërore dhe të bëhet faktor me rëndësi të madhe evropiane në kohën në të cilën jetoi,

9. Ai idesë së shtetit dhe rëndësisë së tij për ata që e përbëjnë ia flijoi jetën e vet e fatin e pasardhësve të vet në kohën kur sundimtarë të tjerë ballkanikë kishin pranuar të bëhen vasalë të Sulltanit dhe ashtu Etikën politike e bëri thelb kuptimor të Shtetit.

Për këto arsye krijuesit e mëdhenjë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare do t’i shquajnë, duke i lartëvlerësuar, vlerat e tij mendore, morale, politike, shtetërore dhe përbashkuese në historinë shqiptare në përgjithësi. Mendësinë e tij, Veprën e tij heroike, Rolin e tij përbashkues në përpjekjet e tyre për krijimin e Shqipërisë dhe për krijimin e shqiptarit ata, rilindësit, do t’i bëjnë Shembullin madhështor, Mitik, për ndërtimin shpirtëror dhe atdhetar të shqiptarëve.

Ta privojmë historinë tonë prej këtij miti? Jo.

Ta privojmë Kombin shqiptar prej këtij miti? Jo.

Jo, jo, sepse ashtu do të pajtoheshim me përpjekjen për ndryshimin e vetëdijes dhe të kujtesës kolektive të popullit shqiptar.

Jo, jo, sepse ashtu do të varfëronim identitetin tonë kolektiv, sepse ashtu do të dobësonin fuqinë e përbashkësisë në historinë tonë, sepse ashtu do të privoheshim prej një Madhërie historike që e kishte filluar Epokën e Madhe të Humanizmit dhe Renesansës në Historinë tonë.

Miti i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut është Mit fuqidhënës edhe në jetën, edhe në politikën, edhe në kulturën e qytetërimin, edhe në etikën e popullit shqiptar sot.

Sot dhe gjithmonë.

'Trilogjia' e Rexhep Qosjes dhe simbolika e numrit tre


Proza e Rexhep Qosjes shënon një fazë të re në letërsinë shqipe, një fazë letrare që para prozës së tij mungonte në letrat shqipe. Fjala është për postmodernizmin, ky formacion letrar që dominon në letërsinë e pasluftës së Dytë Botërore, pavarësisht që burimin e përdorimit të tij si term e ka qysh në vitin 1870, ku paraqiste një fenomen që i kundërvihej modernizmit. Postmodernizmi shquhet për veçanti të ndryshme në tema, motive, rrëfim dhe aspekte të ndryshme, duke pasur në qendër kombinimin. Rexhep Qosja duke i vënë themelet e postmodernizmit në letërsinë shqipe shkruan tri vepra që ndërlidhen mes tyre, pra, një trilogji me titujt: "Vdekja më vjen prej syve të tillë", "Një dashuri dhe shtatë faje" dhe "Nata është dita jonë". Tek "Vdekja më vjen prej syve të tillë", tregimi i tretë në radhë është tregimi me titullin "Trilogjia".

Qosja jo rastësisht e bën këtë gjë. Ky tregim është de facto një tregim referencial pasi përmes personazhit kuptohet tendenca e autorit për të shkruar një trilogji të veten që do të jetë vepër madhore në krijimtarinë e tij. Tregimi na e jep qartë këtë konstatim, ku Qosja me stilin e tij unik, përmes alegorisë, paraqet unin e tij të pasqyruar me figurën e Nderimit të Musës, i cili në tregim, nga ana e narratorit, paraqitet si një prozator i njohur, që është anëtar i Shoqatës së shkrimtarëve që nga mosha njëzet e njëvjeçare. Për ta parë edhe më qartë referencën direkte që bart kjo me figurën e vetë autorit po citoj pjesën kur përshkruhet jeta, ambienti dhe qëllimi i personazhit.

“Ishte rritur në një familje së cilës i kishin munguar edhe qylymi në dysheme, edhe hallva e buka e grurit natën e madhe, por atëherë nuk ishte ankuar se as të tjerët s’i kishin të gjitha. Në qoftë se atëherë mund të jetohej edhe ashtu, se kurrkush s’e tregonte me gisht, në këtë kohë nuk ishte e thënë të vuante edhe për gjërat për të cilat nuk vuanin disa prej kolegëve të tij, që e kishin kaluar lumin edhe qeshnin në breg. Ia merrte mendja se veprat e rëndësishme artistike nuk i kishin bërë ata që kishin jetuar për gazep dhe nuk ngurronte të pohonte se Mikelangjeloja, Bethoveni, Gëteja, Tolstoi dhe Pikasoja, kishin bërë ç’kishin bërë pse s’e kishin lodhur kokën për ato për të cilat detyrohej ta lodhte ai. E Nderimi donte të krijonte një vepër të rëndësishme, të madhe, një vepër për krijimin e së cilës i duheshin edhe koha, edhe gjatësia, edhe hapësira, edhe mirëkuptimi i të tjerëve. Këtë vepër madhore, monumentale, jetësore, ai e quante trilogji”. (Rexhep Qosja, Vdekja më vjen prej syve të tillë, Rilindja, Prishtinë, 1980)

Qosja në këtë tregim përveç alegorisë luan me simbolika, veçanërisht me simbolikën e numrit tre. Përveç trilogjisë në domenin e tri veprave të lidhura njëra me tjetrën, përmenden tri personazhet, pra, në qendër të tri librave të Qosjes janë tri personazhe kryesorë në secilin prej tyre. Qosja luan me numrin tre duke e bërë simbolikën kryesore të tregimit. Përmend shtëpinë e vjetër me tri kate, familjen me tri anëtarë, tri kate, tri dhoma, tri pikturat, tri skulpturat etj. Përmes alegorisë së trilogjisë Qosja paraqet synimin e tij për të ndërtuar një vepër trilogjike që do të pasqyrojnë dukuritë e ndryshme të natyrës filozofiko-etike, me strukturë moderne psikologjike, duke vënë në shënjestër virtytet dhe veset e shoqërisë së kohës në të cilën jeton. Gjithë ambienti dhe shoqëria kamuflohet përmes rrëfimit të një narratori të gjithëdijshëm dhe sillet përreth personazhit të Nderimit të Musës (alteregoja e Qosjes), ndërsa papagalli është simbol tjetër, përmes të cilit Qosja pasqyron idenë. Në planin ideor, dy papagajt e shtëpisë janë dy narratorët e dy romaneve të parë, që bartin idetë përfaqësuese të romanit, kurse papagalli i tretë është zëdhënës i autorit. Kështu, papagalli i katit të pare thotë: Vuajtja. Pra, ai e thotë idenë kryesore të romanit të pare: Vuajtja nga okupatori. Papagalli i dytë thotë: dashuria është smirë. Fjalët e këtij papagalli pajtohen me idenë e romanit të dytë, ku dashuria shihet si faj. Ndërsa papagalli i tretë thotë: Në ndenjëse krijohen trilogjia dhe emri. Pra, papagalli i tretë nxjerr në shesh autorin dhe bindjen e tij për përkushtimin ndaj letërsisë (trilogjisë). Autori për të krijuar trilogjinë dhe emrin ka ndenjur në ndenjëse plot tridhjetë e tri vjet. (Ag Apolloni, Parabola postmoderne, Instituti Albanologjik, Prishtinë)


Këtë tregim e karakterizon figura e alegorisë, simboli, përsëritja si dhe enumeracioni që e shquan prozën e Qosjes në përgjithësi. Nuk mungojnë as figurat tjera përmes të cilave Qosja krijon një stil që e karakterizojnë rrëfimin për nga aspekti stilistik dhe narrative duke e bërë atë të jetë postmoderniste, ajo që theksova në fillim. Trilogjia e Nderimit të Musës është trilogjia reale e Qosjes. Ky tregim është vetëm një nga shembujt tipik, ku Qosja dëshmon për autenticitetin, kombinimin postmodern dhe vlerën e tij letrare. Meqë një nga parimet bazë të postmodernizmit është që gjërat e vogla t’i bëjë të mëdha, Qosja përmes një tregimi të shkurtër siç është Trilogjia pasqyron në formë alegorie një detaj të vogël nga jeta e tij, por që ka një vlerë madhore në jetën e tij si shkrimtar. Dhe jo rastësisht, shkrimtari i madh vërehet edhe në raste të tilla.

Akademiku, letrari e polemisti Rexhep Qosja


Nuk ka fije dyshimi, se prof. Rexhep Qosja është një nga intelektualët më të shquar të kohës sonë, me emrin e të cilit lidhen shumë aspekte të zhvillimit tonë në fushën e shkencave albanologjike, të arsimit tonë kombëtar dhe të jetës sonë kulturore dhe shoqërore. Mund të thuhet se ai, me veprën e tij paraqet një fenomen të veçantë në kohën tonë dhe se është një rilindës i mirëfilltë për kulturën shqiptare.

Në periudhën e tretë të pasluftës së vitit 1998-1999, krijimtarinë e tij e karakterizon shumëllojshmëria e shkrimeve, midis të cilëve shquhen shkrimet dokumentare në formën e ditarit, shkrimet letrare në prozë, studimet e letërsisë e sidomos shkrimet e karakterit polemik për çështje të rëndësishme shoqërore. Autori i këtyre shkrimeve bëhet dëshmitar i drejtpërdrejtë i ngjarjeve të mëdha, siç janë Konferenca e Rambujesë, që paraqitet në librin “Paqja e përgjakshme”.



Rexhep Qosja, studenti i gjeneratës së parë në katedrën e Albanologjisë në Prishtinë, u dallua si njeri me kërshëri të gjerë dhe etje të pashuar për dije e kulturë, me vullnet të madh në punë, me qëndresë e vendosmëri të rrallë. Intelektuali i ri Rexhep Qosja, me punën e tij të përkushtuar, me mençurinë e kultivuar, duke i zgjeruar kufijtë e lirisë krijuese, i hapi shtigjet e diturisë jo vetëm vetvetes, por edhe mbarë brezit të ri të Kosovës, që u krijuan në rrethana pak më të liberalizuara pas ngjarjeve të vitit 1966. Në ato vite, rihapjes së institucioneve kombëtare, të avancimit të studimeve albanologjike me hapjen e shkallës së tretë, me hapjen e studimeve pasuniversitare, falë punës së tij dhe aktivizimit të mbarë inteligjencës shqiptare, kultura shqiptare në Kosovë po i kthehej amës së burimit kombëtar dhe po i vinte lidhjet e veta të shkëputura me Rilindjen Kombëtare Shqiptare, ndërsa gjuha shqipe në veçanti po ecte e sigurt drejt njësimit të saj si gjuhë letrare e popullit të qytetëruar.



Puna e Rexhep Qosjes në Institutin Albanologjik, në Katedrën e Gjuhës dhe të Letërsisë, në redaksitë e revistave shkencore e letrare, më vonë edhe në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, vepra e tij shkencore e letrare duhej t’i përballonte sfidat e dy dogmave të rrezikshme; ideologjinë antishqiptare të titizmit jugosllav dhe skematizmit dogmatik, por edhe të realizmit socialit që e karakterizonte letërsinë dhe artet në Shqipëri. Sado që asnjë vepër nuk mund të qëndrojë jashtë kohës së vet historike, Rexhep Qosja në veprën e tij është njëri ndër intelektualët e paktë shqiptarë të trevës së Ballkanit, që i ka tejkaluar me sukses këto rreziqe, madje edhe në raste kur në mënyrë të drejtpërdrejtë është marrë me to. Duke u bërë sfidë kufizimeve ideologjike të cilat politika ia parashtronte shkencës dhe kulturës shqiptare, Rexhep Qosja ballafaqohet drejtpërsëdrejti me të gjitha format e akulturimit, qofshin ato provinciale e konservatore të mbështjella me përbërës të epigonizmit modernist, qoftë edhe me përbërës të shkëlqimit të rremë spiunor të skemave me të cilat bëhet përpjekje për të dëshmuar novatorizmin brenda metodës së realizmit socialist.



Jo vetëm me analizën kritike të veprave të dështuara, por edhe me veprën e vet letrare për prozë a dramë, ai do të provojë se cili është preokupimi estetik i tij dhe çfarë duhet të përmbajë vepra letrare me vlera të veçanta artistike. Kështu, vepra e tij letrare do t’i tejkalojë kufizimet ideologjike, qoftë edhe duke paraqitur estetikisht dhunën në përmasat e saj, si dhunë shtetërore ndaj një populli, qoftë duke krijuar antipodin e heroit të realizmit socialist, çfarë ishte jo vetëm Xhezairi i Gjikës i romanit, por edhe gati të gjithë heronjtë e dramës së tij. Duke vlerësuar me kritere të drejta shkencore letërsinë shqiptare të traditës, Qosja i ka hetuar me kujdes të gjitha arsyet pse kjo letërsi i ka veçantitë e saj të caktuara, pa pasur nevojë t’i arsyetojë në mënyrë subjektive të metat dhe mangësitë e saj. Në të gjitha rastet letërsia vlerësohet si vlerë estetike që ka mëvetësinë e vet.

Mirëpo kur është fjala për letërsinë e Rilindjes Kombëtare, nuk mbesim jashtë sferës së interesimit të autorit dhe funksionet arsimore, pedagogjike, politike e historike, mbi bazën e të cilave zhvillohet mbarë lëvizja për çlirimin kombëtar. Vepra e madhe e Rexhep Qosjes që nga fillimet shquhet për paraqitje të sakta gjuhësore, larg çdo mistifikimi që kritika jonë letrare e bënte në emër të veçantive terminologjike të studimit të letërsisë. Gjuha e veprës së tij në ecurinë e saj, në çdo vepër është pasuruar me elemente të reja burimore, ndërsa në veprat e tij të fundit kjo përkujdesje për pasurimin dhe pastërtinë e gjuhës shqipe ka arritur deri në shkallën e purizmit.



Edhe në këtë drejtim, ndryshe nga oksidentalistët tanë snobistë, ai ka ndjekur rrugën e pagabueshme të rilindësve tanë të mëdhenj. Duke filluar nga “Episodet letrare” në 1967, vijohet me “Dialogët me shkrimtarët” etj., më vonë korpusi krijues i Rexhep Qosjes do të pasurohet edhe me veprën “Panteoni i rralluar”, që parë nga largesa e sotme historike, ajo dëshmon largpamësinë e autorit për vlerësimin e drejtë kritik të letërsisë sonë, që rrallohej nga vlerat e njëmendta letrare. Duke u marrë me përkushtim të veçantë që nga fillimi me letërsinë e Rilindjes Kombëtare, prof. dr. Rexhep Qosja do të përmbushë ëndrrën e tij të kahershme me botimin e veprës madhore, “Letërsia shqipe - Romantizmi”, në tre vëllime. Dhe kurorë e plotë e këtij suksesi të papërsëritshëm në fushën e historisë së letërsisë është padyshim monografia për poetin kombëtar Naim Frashërin, me titullin kuptimplotë, “Porosia e madhe”. Fill pas “Porosisë së madhe”, ai do të botojë në vijimësi tri vepra, të cilat përfaqësojnë një tip tjetër të shkrimeve: “Populli i ndaluar”, “Strategjia e bashkimit kombëtar” dhe “Çështja shqiptare”, që trajtojnë aspekte të rëndësishme historiko-shoqërore, duke synuar shtigjet për të ardhmen e popullit tonë.



Po këto çështje janë trajtuar në veprën “Ligjërime paravajtëse”, si edhe veprën eseistike të kritikave shoqërore që titullohej “Fjalori demokratik”, me të cilën përfundon periudha e dytë e krijimtarisë së këtij autori. Ndërsa në periudhën e tretë të pasluftës së vitit 1898-1999, krijimtarinë e tij e karakterizon shumëllojshmëria e shkrimeve, midis të cilëve shquhen shkrimet dokumentare në formën e ditarit, shkrimet letrare në prozë, studimet e letërsisë e sidomos shkrimet e karakterit polemik për çështje të rëndësishme shoqërore.



Autori i këtyre shkrimeve bëhet dëshmitar i drejtpërdrejtë i ngjarjeve të mëdha, siç janë Konferenca e Rambujesë, që paraqitet në librin “Paqja e përgjakshme” dhe ndërhyrja e NATO-s për shkak të luftës në Kosovë dhe eksodi i madh i shqiptarëve në vitin 1999, në librin voluminoz “Tronditja e shekullit”. Këto dy vepra përveç vlerave dokumentare përmbajnë edhe përshkrime tronditëse për ngjarje, të cilat i karakterizon edhe paraqitja artistike e tyre. Edhe këtë fazë të krijimtarisë e karakterizojnë disa shkrime polemike, për të cilat Qosja iu kundërvihet disa qarqeve pseudointelektuale që veprojnë për të krijuar identitetin e ri, “kombin kosovar” dhe për të çintegruar gjuhën e përbashkët letrare.



Duke u marrë me çështje të identitetit, atij do t’i imponohet edhe polemika e fundit me shkrimtarin tonë të njohur Ismail Kadare, i cili mori rrjedhë të padëshirueshme me intimitet të panevojshme për njerëz të pafajshëm, e cila “trazoi” edhe shumë shpirtra në radhët e inteligjencës shqiptare, midis të cilëve pati edhe vlerësime të njëanshme jo vetëm për autorin, por edhe për mendësinë e përgjithshme të kosovarëve. Por fazën e fundit të krijimtarisë së tij e karakterizojnë edhe vepra të mirëfillta letrare, siç janë drama “Kukullat”, novela satirike “I ringjalluri i penduar” dhe romani “Një dashuri dhe shtatë faje”, që paraqesin vlera të veçanta për letërsinë e sotme shqipe. Por periudha produktive e këtij krijuesi është ende e hapur, prandaj lexuesi shqiptar pret ende nga ai, duke shpresuar se prof.



Qosja do të na befasojë me krijime të reja. E falënderoj edhe një herë për punën e tij të madhe për skenën tonë, për veprat e tij imagjinative dhe përgjithësisht për kulturën tonë kombëtare, duke i uruar shëndet të mirë dhe punë të mbarë në të mirën tonë të përgjithshme.



Prof.Dr.SADRI FETIU



Rexhep Qosja nuk aprovon fjalorin e Mehmet Krajës: Kundër kombit!


“Fjalori Enciklopedik i Kosovës – fjalor kundërkombëtar”, kështu shprehet shkrimtari Rexhep Qosja ndaj botimit më tē fundit të Akademisë së Shkencave të Kosovës nën kujdesin e Mehmet Krajës.

Rexhep Qosja nuk aprovon fjalorin e Mehmet Krajës: Kundër kombit!

“Fjalori i ashtuquajtur Enciklopedik i Kosovës është përmbledhje dyvëllimëshe që nuk i plotëson kriteret elementare për t’u quajtur vepër profesionale, shoqërore e kombëtare”, transmeton “Shqip” shkrimin e akademik Qosjes. “Fjalori në fjalën është vepër e konceptuar dhe e përgatitur prej diletantëve të punës shkencore e punës profesionale. Në këtë Fjalor nuk çmohen as masa, as kriteri, as parimi, as merita, as vlera, që janë parimet themelore të cilave duhet t’u përmbahen përpiluesit e enciklopedive. Do parë kush krejt është futur në të dhe do parë kush krejt është lënë jashtë tij për t’u bindur se çfarë injorance e ka konceptuar atë Fjalor. Do parë cilat institucione të përtashme e cilat institucione historike janë futur në të e cilat janë lënë jashtë tij për të parë çfarë fanatikësh politikë e partiakë e kanë konceptuar atë Fjalor! Fjalori Enciklopedik i Kosovës është përmbledhje njësish shkrimore, kur e kur shkarravinash, në të cilin cenohet plotësisht dhe qëllimisht njësia e historisë, e gjeografisë, e kulturës, e qytetërimit shqiptar: e historisë politike, e arteve, e shkencave, e traditës dhe e jetës kombëtare në përgjithësi në historinë dhe në të përtashmen e saj. Në këtë mënyrë Fjalori në fjalë është bërë përmbledhje e konceptit serb për ndarjen e Kombit shqiptar në dy kombe: në kombin e shqiptarëve të Shqipërisë të quajtur albanci dhe në kombin e shqiptarëve të Kosovës e të ish Jugosllavisë në përgjithësi të quajtur shiptari ose shiftari! Cenimi i këtillë i njësisë së Kombit shqiptar e bën Fjalorin në fjalë vepër kundërkombëtare që komprometon vetëdijen historike, shkencore dhe kombëtare të shqiptarëve në përgjithësi, kurse të shqiptarëve të Kosovës në veçanti! Fjalori Enciklopedik i Kosovës është fryt i zi i privatizimit partiak të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës! Fjalori Enciklopedik i Kosovës është fryt i zi i privatizimit të kësaj Akademie prej një Klani mafioz! Fjalori në fjalë është fryt i zi i korrupsionit të pandalshëm e të shumëllojshëm që e ka gllabëruar këtë institucion. Vizita e djeshme e tre pushtetarëve të lartë të Kosovës në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës tregon se sa janë fundosur dija, vetëdija, drejtësia, ligji, ndërgjegjshmëria në institucionet më të larta të Kosovës: në Presidencën dhe në Qeverinë! Me praninë e tyre aty ata në të vërtetë i shpallën të ligjshme edhe privatizimin partiak, edhe privatizimin klanor, edhe korrupsionin, edhe zhvatjet, edhe vjedhjet, edhe krimin në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës sot. Dhe, i shpallën të ligjshme në vend se t’i propozojnë Kuvendit të Kosovës, si finansues i asaj Akademie të shpërfytyruar, të degjeneruar, që të marrë masat ligjore për shërimin e për shpëtimin e saj sa më të shpejtë prej gjithë atyre të këqijave që e sundojnë sot! Deri kur do ta lejojë populli i Kosovës këtë analfabetizëm shkencor e profesional, këtë korruptim, këtë degjenerim, këtë shfrenim në Akademi dhe në politikën shtetërore të Kosovës?!”, shkruan Qosja.

Qosja mbrojti me guximin e tij intelektual pasurinë universale të qytetërimit shqiptar, pa dalluar prejardhjen Perëndimore apo Lindore të tij


Begzad Baliu.jpg

Prof.Dr. Begzad Baliu

Rexhep Qosja është njëri prej mendjeve të veçanta të kulturës shqiptare. Historian i letërsisë, estet, kritik letrar, publicist, prozator e dramaturg, Rexhep Qosja për më se 40 vjet shquhet për angazhimin e tij krijues në botën intelektuale që ka trashëguar shkollën evropiane.

Në fushë të mendimit shkencor dhe profesional Rexhep Qosja është i njohur për sintezat e mëdha shkencore “Historia e letërsisë shqipe” I-III (1984-1986), “Çështja shqiptare – historia dhe politika” (1994), “Porosia e madhe” (1986) etj.

Në fushë të letërsisë Rexhep Qosja shquhet për veprat letrare “Vdekja më vjen prej syve të tillë” (1974), “Një dashuri dhe shtatë faje” (2004), dramat “Mite të zhveshura” ( etj., për të cilat nga kritika e huaj është shquar si Kafka i Ballkanit, ndërsa për romanin “Një dashuri dhe shtatë faje” si sinteza e madhe e Kafkës dhe Xhojsit.

Veprat e tij shquhen për gjuhën e jashtëzakonshme dhe prurjet e saj jo vetëm të natyrës fonetike e morfologjike, por edhe sintaksore e stilistike, një arritje kjo e cila nuk është shënuar ndonjëherë në letrat shqipe.

Rexhep Qosja është shquar në mënyrë të veçantë me përpjekjet e tij integraliste në fushë të mendimit shkencor dhe për etikën e fjalës e të mendimit në kulturën shqiptare, në kohën kur ajo ndahej për shkaqe politike, ideologjike dhe ‘parimore’.

– Në vitet ’70 ai është shquar për përpjekjen e tij që kulturën shqiptare ta paraqes si pjesë integrale dhe të natyrshme të kulturës evropianë, sado kjo përpjekje e ka vënë në konflikt me regjimin e ideologjizuar të institucioneve politike dhe shkencore të Tiranës;
-në vitet ’80, Rexhep Qosja e ka mbrojtur me këmbëngulje përbërësin evropian të qytetërimit shqiptar, sado kjo e ka vënë në konflikt me institucionet politike dhe shkencore të Beogradit; ndërsa;

– në vitin 1981, ai u bë pjesë e lëvizjes së madhe kombëtare në mbrojtjen politike, fizike dhe qytetare të popullatës shqiptare në Kosovë nga gjenocidi i politikës së Beogradit, duke u bërë edhe bardi moral e intelektual i saj.

Në dekadën e fundit, kur zëra të caktuar filluan të shquajnë karakterin krahinor (të kulturës shqiptare), dialektor (të gjuhës shqipe) dhe përdallues (të religjionit të shqiptarëve), duke e shquar njërin më shumë së tjetrin dhe madje njërin kundër tjetrit, Rexhep Qosja mbrojti me guximin e tij intelektual pasurinë universale të qytetërimit shqiptar, pa dalluar prejardhjen Perëndimore apo Lindore të tij.


(Begzad Baliu u lind më 20. 11. 1966 në katundin Makresh i Poshtëm, komuna e Gjilanit. Pesë vjetët e para të shkollimit i kreu në shkollën fillore «Skënderbeu» në Makresh të Poshtëm, ndërsa tri të fundit në shkollën fillore «Liria» në Marec, komuna e Prishtinës. Shkollën e mesme, drejtimi: Bashkëpunëtor Teknik i Matematikës, e mbaroi në Gjimnazin «Zenel Hajdini» në Gjilan. Fakultetin e Filologjisë - Dega e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe e kreu në Universitetin e Prishtinës. Po këtu, në Degën e Gjuhës, mbaroi edhe studimet pasuniversitare. Nga viti 1996 punon në Institutin Albanologjik të Prishtinës, Dega e Gjuhësisë - Sektori i Onomastikës. Po në këtë institucion ka mbrojtur tezën e magjistraturës (2000) dhe tezën e doktoratës (2003). Nga viti 2004 është ligjërues në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Edukimit, dhe ka thirrjen: Prof. ass. dr. Ka qenë kryeredaktor i revistës për art, shkencë dhe kulturë «Shenjëzat»(1998-2000) dhe drejtues i po të njëjtës shtëpi botuese; gjithashtu, edhe redaktor i kulturës në të përjavshmen «Pasqyra» (Prishtinë). Në vitin 1994 ka themeluar Qerthullin e të Rinjve të Onomastikës «Eqrem Çabej» në kuadër të Shoqatës së të rinjve «Pjetër Bogdani» të Prishtinës. Nga viti 2001 është drejtor i shtëpisë botuese «Era» dhe i OJQ-ës «Qendra e Ndërlidhjes Arsimore dhe Shkencore» në Prishtinë. Është nënkryetar i Institutit Alb-Shkenca (Prishtinë) dhe udhëheqës i Seksionit të Albanologjisë në nivel ndërkombëtar. Prej vitit 1992 ka qenë pjesëmarrës, bashkorganizator, organizator dhe drejtues i disa aktiviteteve kulturore, letrare dhe shkencore në Prishtinë, Tiranë, Tetovë, Shkodër, Turun etj. Deri më tash është paraqitur në shtypin ditor dhe shkencor më me shumë se 200 artikuj nga fusha e kulturës, e gjuhësisë, e letërsisë, e folklorit dhe e historisë.)

Rexhep Qosja dhe kultura shqiptare

Foto agim vinca.JPG

Prof.Dr.Agim Vinca 

Vepra e Profesor Rexhep Qoses është e gjerë dhe e shumëllojshme; opusi i tij krijues impozant si sasi dhe i një niveli të lartë si cilësi, ndër më të mëdhenjtë dhe më cilësorët në letërsinë shqipe; i një rëndësie të veçantë për letërsinë dhe kulturën shqiptare.

Njeri i punës dhe i penës, që pjesën dërrmuese të ditës e kalon mbi libra, fletore, shënime, skeda e dorëshkrime dhe mbi makinën e tij të shkrimit; njeri që e shquan disiplina e rreptë në jetë dhe në punë, akademik Rexhep Qosja ka shkruar recensione, kritika, sprova, trajtesa, studime dhe monografi historiko-letrare; ka shkruar tregime dhe romane; drama dhe monodrama; artikuj publicistikë e polemikë, por edhe libra, me karakter shoqëror e politik, letrar, kulturor e artistik; ka shkruar e botuar, veçanërisht në vitet e fundit, edhe ditarë e kujtime; ka shkruar mbase edhe kushedi çka tjetër, që ende nuk ka dalë në publik dhe që mund të gjendet nesër në sirtarët e tij në Institutin Albanologjik ose në shtëpinë e tij në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, ku jeton e krijon. Sepse, shkrimtari që nuk lë diç pas vetes, e ka zakon të thotë shpesh, nuk është shkrimtar!

Ka shkruar dhe botuar Rexhep Qosja në vazhdimësi, prej vitit 1967, kur e botoi veprën e tij të parë, Episode letrare, e deri më sot; ka shkruar e botuar dhe vazhdon të shkruajë e të botojë pa ndërprerë, duke iu përmbajtur si rrallëkush tjetër parimit të njohur të Faradejit: «To work, to finish, to publish» (Të punosh, të përfundosh, të botosh). Dhe falë punës së tij të madhe, pa të cilën s’ka krijimtari të madhe, por edhe dhuntisë së rrallë krijuese me të cilën e ka pajisur nëna natyrë, ai ka arritur të shkruajë mijëra e mijëra faqe shkrimesh kritike, letrare, publicistike, eseistike, shkencore, polemike etj., që i ka përmbledhur dhe sistemuar në njëzet e nëntë vëllimet e Veprave të tij të plota, të botuara në Prishtinë në vitin 2010, aq sa njeriut i duket gati e pabesueshme se si është e mundur të bëhet e gjithë kjo punë gjatë një jete njerëzore.

***

Rexhep Qosja është në radhë të parë studiues i letërsisë – nga më të shquarit në letrat shqipe prej fillimi e deri më sot, aq sa mund të thuhet se ai, me shkrimet e tij të shumta teorike, kritike, eseistike dhe historiko-letrare, por edhe me punën e tij shumëvjeçare në organizimin e jetës shkencore dhe të studimeve letrare në Kosovë, është bërë themelues i një shkolle të studimit të letërsisë ndër ne, shkollë kjo, e cila, nga pikëpamje teorike dhe metodologjike mbështetet kryesisht në parimet e poetikës strukturale historike, ku kombinohen kriteri “i brendshëm” me atë “të jashtëm”, teksti me kontekstin.

Puna e tij në studimin e letërsisë shqipe është e gjerë dhe e shumanshme, por kontributi i tij më i madh në këtë fushë është studimi me themel i letërsisë së Rilindjes Kombëtare, përkatësisht të Romantizmit Shqiptar, që është fushë e specializimit të tij. Veprat e tij: “Kontinuitete” (1971), “Asdreni – jeta dhe vepra e tij” (1971), “Shkrimtarë dhe Periudha” (1975), “Prej tipologjisë deri te periodizimi” (1979), “Nocione të reja albanologjike” (1983) dhe sidomos vepra kapitale Historia e letërsisë shqipe-Romantizmi I, II, III (1984-1986) dhe monografia kushtuar Naim Frashërit, “Porosia e madhe”(1986), vepra “Tri mënyra të shkrimit shqip” (2004), që është tipologji e shkrimit shqip si tekst dhe manifest i modernitetit si koncept etj., paraqesin, secila në vete dhe të gjitha së bashku, sinteza të mëdha shkencore dhe si të tilla janë të pakalueshme për këdo që do të merret sot ose në të ardhmen me studimin e letërsisë shqipe.

Nuk mund të shkruash për asnjë autor të rëndësishëm të letërsisë shqipe, duke filluar prej De Radës e Naimit e gjer te Lasgushi e Migjeni dhe poetët e prozatorët bashkëkohorë në tërë arealin shqiptar, pa e konsultuar më parë veprën e Rexhep Qosjes. Nuk mund të shkruash për asnjë problem të rëndësishëm të letërsisë shqipe, përfshirë këtu edhe problemin kompleks të periodizimit të saj, pa iu referuar studimeve të thelluara e gjithëpërfshirëse dhe të bazuara në koncepte moderne teorike e estetike të këtij autori.

***

E shohim të udhës të ndalemi, qoftë dhe shkarazi, te çështja e metodës që përdor ky autor në studimet e tij për letërsinë. Deri vonë është thënë se metoda që aplikon Rexhep Qosja si kritik letrar, në kuptimin e gjerë të fjalës, është e ashtuquajtura metodë integrale. Dhe ky pohim, ç’është e vërteta, nuk mund të quhet i pabazuar. Krijues që është formuar në frymën e traditës së madhe humaniste të letërsisë evropiane; që ka lexuar veprat e Ipolit Tenit, të Sent-Bëvit, të De Sanktisit, të Bjelinskit, të Lansonit, të Plehanovit dhe të shumë kritikëve e historianëve të tjerë letrarë të shekujve të shkuar, ashtu siç ka lexuar edhe veprat e Hegelit, të Kantit, të Volterit, Paskalit, Montenjit, Vikos, Kroçes, Hartmanit, Ingardenit etj., Rexhep Qosja ka mësuar nga vepra e tyre dhe ka asimiluar atë që mund të quhet e gjallë e me vlerë në krijimtarinë e këtyre kolosëve të mendimit kritik, estetik e filozofik. Por, ai nuk ka mbetur aty. Ka ecur tutje, drejt së resë, modernes, bashkëkohores. Për të nuk janë të huaja as konceptet, metodat, mjetet dhe instrumentet e estetëve, kritikëve dhe teoricienëve bashkëkohorë francezë, anglezë, amerikanë, gjermanë, italianë, rusë, spanjollë e të tjerë, çfarë janë, fjala vjen: Henri Xhejmsi, Elioti, Riçardsi, Rene Uelleku, Nortrop Fraji, Rolan Barti, Jakobsoni, Bahtini, Llukaçi, Sartri, Adorno, Gadameri, Ortega i Gaset, Umberto Eko e shumë të tjerë, prej të cilëve ky autor ka asimiluar atë që ka konsideruar të nevojshme për mënyrën e tij të leximit të veprës letrare si strukturë gjuhësore artistike. Është i paqëndrueshëm, prandaj, mendimi se Rexhep Qosja si studiues i letërsisë “ka bërë studime sociologjike letrare” dhe se “u rri larg metodave moderne të studimit të letërsisë”.

Le të shohim se ç’thotë vetë autori lidhur me këtë çështje në parathënien e veprës së tij të madhe, Historia e letërsisë shqipe-Romantizmi. Duke ua paraqitur lexuesve metodën e tij të punës, ai shkruan: “Në këtë vepër të bazuar në parimet e poetikës strukturale historike letërsia e romantizmit shqiptar studiohet në rrafshin sikronik dhe diakronik, kurse hetimi i ligjësorive të zhvillimit të brendshëm të strukturës letrare përcillet me hetimin e marrëdhënieve të saj jashtëtekstore”, për të shtuar gjithashtu se “vetëm studimi i gërshetuar i rrafsheve tregon përpikmërisht stilin e epokës”.

Shumë kohë më parë, te vepra “Kontinuitete”, duke folur për “historinë e letërsisë mes dy frontesh”, mes pozitivizmit dhe formalizmit, ky studiues pohonte se “metoda më e mirë në historinë e letërsisë është ajo që në rastin konkret jep rezultatin më të mirë”. Qëndrimi i këtij studiuesi ndaj metodës së historisë së letërsisë dhe shkencave historike në përgjithësi bëhet edhe më i qartë në veprën “Prej tipologjisë deri te periodizimi”, ku autori citon mendimin brilant të Kurciusit, në të cilin thuhet se “Shkencat historike do të përparojnë kudo ku harmonizohen dhe gërshetohen specializmi dhe shikimi i tërësisë. Ato kërkohen reciprokisht, duke qëndruar në marrëdhënie komplementare. Specializimi pa universalizëm është i verbët. Universalizmi pa specializëm është flluskë sapuni”.

Shprehja e njohur: më trego me kë rri të të tregoj se kush je, do të mund të përkthehej në këtë rast në: më trego kë citon të të tregoj se çfarë mendon.

Në qoftë se detyrë e kritikës si “aktivitet intelektual” është të tregojë “se si, në ç’mënyrë, ekziston estetikisht vepra dhe çka ekziston në atë vepër”, postulat teorik dhe metodologjik i Profesor Qoses si historian i letërsisë del të jetë kombinimi i pjesës me tërësinë, i sinkronisë me diakroninë, i strukturës së brendshme letrare me rrethanat jashtëtekstore, por edhe kombinimi i dijes së gjerë universale me shkathtësitë e specializimit të ngushtë profesional.

Kjo tregon se vetëdija e Rexhep Qoses si kritik mbi domosdoshmërinë e gërshetimit të përvojave dhe pikëvështrimeve në hetimin e strukturës së tekstit letrar është relativisht e hershme, por edhe se ajo ka ardhur duke u kristalizuar dhe duke u bërë më racionale e më efikase në veprat e tij të mëvonshme, të fazës së pjekurisë së plotë krijuese. Dhe këtij parimi ai i përmbahet jo vetëm kur analizon veprat e Jeronim de Radës, të Naim Frashërit, të Zef Serembes, të Filip Shirokës, të Çajupit, të Asdrenit, të Ndre Mjedës, të Fan Nolit, të Gjergj Fishtës, të Zef Skiroit etj., që i takojnë periudhës së Romantizmit ose asaj që e quan: Romantizmi-Realizmi-Simbolizmi, por edhe kur merr në shqyrtim krijimtarinë e shkrimtarëve bashkëkohorë, poetë e prozatorë, krijimtarinë e të cilëve, në një studim të hershëm, e mbulon me togfjalëshin, pak a shumë të diskutueshëm, Realizëm integral.

Mjafton të lexohet me kujdes studimi për poezinë e poetit të njohur kosovar Rrahman Dedaj me titull “Poetika e risemantizimit”, të botuar fillimisht si parathënie e librit “Koha në unazë” (1980) dhe së fundi te vepra “Prej letërsisë romantike deri te letërsia moderne” (2006), punim ky në të cilin shfrytëzohen me invencion rezultatet e semiologjisë, të kritikës mitike e tematike, të teorisë së receptimit të Hans Robert Jausit dhe të metodave të tjera bashkëkohore të shkencës së letërsisë, për të ardhur në përfundim se pohimet e tipit “u rri larg metodave moderne” dhe “ka bërë studime sociologjike letrare” (hiq mbase fazën e hershme, fillestare, të veprimtarisë së tij si kritik letrar), s’janë tjetër veçse stereotipe, që s’e përfillin realitetin e përbërë e jo linear të veprës së këtij autori.

***

Natyrisht që Rexhep Qosja si studiues i letërsisë dhe si intelektual është ngritur kundër keqpërdorimit të metodave moderne të studimit të letërsisë në mjedisin tonë, ashtu siç është ngritur edhe kundër spekulimeve që janë bërë e vazhdojnë të bëhen me gjuhën dhe terminologjinë e saj dhe këto keqpërdorime e shtrembërime i ka dëshmuar më se një herë me analiza konkrete të teksteve të disa kritikëve kinse modernë, gjithnjë në mbrojtje të dinjitetit të kritikës letrare si aktivitet intelektual dhe të gjuhës së saj specifike, por edhe në mbrojtje të gjuhës shqipe prej shkelësve të saj të të gjitha llojeve, të cilët në mjedisin tonë provincial shfaqen jo rrallë me aureolën e xhokerëve të dijes dhe të qytetërimit modern evropian.

Rexhep Qosja e konsideron mision të kritikës letrare dhe të mendimit krijues e intelektual në përgjithësi mbrojtjen e vlerave dhe çmistifikimin e pseudovlerave, të cilat jo rrallë kritika mediokre e klanore i shpall vlera, herë-herë, madje, edhe kulmore. Ithtar i flakët i frymës kritike dhe kundërshtar i rreptë i dogmës në shkencë dhe në art, por edhe në marrëdhëniet shoqërore, ai ka shqiptuar shumë fjalë kritike në adresë të ideve retrograde (prapavajtëse) dhe dukurive frenuese e çintegtruese, aq të pranishme në jetën tonë të përtashme politike e kulturore, fenomen ky, të cilin, në një nga trajtesat e tij, e ka quajtur: “ideologji e shpërbërjes”. Shembull eklatant i kësaj ideologjie është qëndrimi gjithnjë e më negativ i qarqeve të caktuara ndaj gjuhës standarde shqipe dhe kërkesa absurde për rishikimin dhe, madje, edhe ndryshimin e normës gjuhësore të kodifikuar në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972, si dhe ideja e marrë e “krijimit të identitetit të ri kombëtar”, identitetit kosovar, që janë shprehje tipike të filozofisë provinciale dhe ideologjisë çintegruese, të cilat, si të tilla, e dëmtojnë rëndë jo vetëm imazhin e shqiptarëve si komb, por edhe procesin e integrimit të tyre shpirtëror dhe, krahas tij, edhe atë të integrimit të tyre në familjen evropiane.

I edukuar në frymën e ideve të Rilindjes dhe përfaqësuesve të saj më të spikatur, Rexhep Qosja nuk e ka aspak të largët mendimin e dy ideologëve të saj, Pashko Vasës dhe Sami Frashërit, të cilët, në një memorandum që i dërgonin ministrit të jashtëm të Austro-Hungarisë në vitin 1878, ndër të tjera, shkruanin: “Shqiptarët kërkojnë të drejtën e tyre të hyjnë në gjirin e familjes së madhe evropiane, pjesë e së cilës ata janë”.

Çfarë fjalie profetike e dy korifenjve rilindës për një aspiratë shekullore të shqiptarëve, e cila, sot, pas ndryshimeve të bëra në Evropë dhe në Ballkan, por edhe në shoqërinë shqiptare, ndryshime këto në të cilat shkrimtarët dhe intelektualët e shquar të kohës sonë kanë hisen e tyre, është më afër se kurdoherë tjetër për t’u bërë realitet. Por, në këtë pikë, sikurse edhe në shumë të tjera, nuk kanë munguar as keqkuptimet, të cilat, herë-herë, shkojnë aq larg sa e shpallin autorin e tezës së hyrjes së dinjitetshme të shqiptarëve në Evropë: kundërevropian! “Është e nevojshme që parullat për identitetin tonë evropian – shkruan Rexhep Qosja, duke kundërshtuar mimikrinë dhe vardisjen si mendësi robi – t’i zëvendësojmë me përpjekje të sinqerta, këmbëngulëse, të vazhdueshme që të sjellim Evropën në jetën tonë: shtetin e së drejtës, demokracinë e vërtetë, kulturën politike, gjedhen kulturore kritike, standardet dhe vlerat evropiane. Vetëm kështu do ta shpejtojmë integrimin tonë në Evropë”.

***

Vijmë kështu te një aspekt i rëndësishëm i opusit krijues të Profesor Qoses: publicistika, pa të cilën portreti i tij krijues nuk do të ishte i plotë, ashtu siç nuk mund të jetë i plotë kurrsesi ky portret pa krijimtarinë e tij letrare në prozë e dramaturgji, që paraqet një dimension shumë të rëndësishëm të veprës së tij, por edhe pa shkrimet për probleme të kulturës dhe, së fundi, edhe pa ditarin e tij në nëntë vëllime “Dëshmitar në kohë historike”, prej të cilave deri tani kanë dalë shtatë.

Duhet theksuar, ndërkaq, se vepra e akademik Rexhep Qosjes, pavarësisht nga forma në të cilën është shkruar: kritikë, eseistikë, histori letërsie, ditar, biografi, prozë, dramaturgji, publicistikë a polemikë, ka karakter kompakt dhe përfshin në vorbullën e saj një korpus temash, idesh e mesazhesh, që sillen rreth vlerave më sublime të jetës njerëzore: lirisë, të drejtës dhe të vërtetës. Të njësishme e bën këtë vepër edhe gjuha dhe stili i saj krejt i veçantë, që e shquajnë qartësia e shprehjes dhe e mendimit, thellësia e gjykimit, sistemi i fortë i argumentimit, erudicioni, por edhe shprehja e bukur e elokuente.

Rexhep Qosja është nga ata shkrimtarë, që, siç thoshte Hemingueji, i karakterizon prirja për të gjetur kurdoherë fjalën e vërtetë e jo motrën a kushërirën e saj.

Njeriu mund të pajtohet ose të mos pajtohet gjithmonë me mendimin e tij; mund të mos jemi, pra, gjithmonë në një mendje me qëndrimin e tij për ndonjë çështje të veçantë apo me vlerësimin për aksh vepër a autor, por nëse jemi të drejtë e parimorë dhe nëse veprës së tij i qasemi pa paragjykime, nuk mund të mos ushqejmë respekt e mirënjohje për punën e tij të madhe dhe për fjalën e tij të fuqishme, të pazëvendësueshme.

Dhe, krejt në fund. Megjithëse Rexhep Qosja i takon kategorisë së krijuesve që qysh për së gjalli hyjnë në lagjen e të pavdekshmëve, le të na lejohet t’i urojmë me këtë rast jetë të gjatë e shëndet të mirë për të mirën e letërsisë e të kulturës shqiptare, por edhe të jetës sonë kombëtare në përgjithësi.

Një shtesë e vogël në shkrimin e Prof. Vincës

Shkrimi i Prof. Agim Vincës për Profesor Rexhep Qosen  është i shkruar sa me kompetencë aq dhe me dashuri. Nuk ke çfarë t’i shtosh këtij shkrimi në aspektin analitik dhe shkencor, pavarësisht se në një shkrim nuk mund të thuhen të gjitha, për më tepër kur bëhet fjalë për një personalitet të madh si Rexhep Qosja.

Ajo që donim të shtonim dhe theksonim në këtë shkrim të Prof. Vincës është ky: Kontributi i jashtëzakonshëm i Akademikut Rexhep Qosja për çështjen kombëtare dhe posaçërisht për demokracinë në Shqipërinë londineze. Me të drejtë në mjediset e Tiranës dhe gjithandej nëpër Shqipëri thuhet shpesh se atë që ka bërë Prof. Rexhep Qosja për demokracinë shqiptare, për denoncimin dhe demaskimin e sjelljeve antidemokratike nën petkun e demokracisë, nuk e ka bërë askush tjetër si Ai. Madje as dhe partitë shqiptare të dëshiruara për demokracinë. Prandaj dhe përveç meritave të tjera që i rendit shumë mirë Prof. Vinca në shkrimin e tij, Profesor Qosja meriton një mirënjohje të madhe për këtë kontribut të tij të jashtëzakonshëm....

....


(Agim Vinca lindi më 22 maj 1947 në Veleshtë të Strugës (Maqedoni). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Strugë. Studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe i kreu në vitin 1970, në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku edhe magjistroi dhe doktoroi. Është profesor ordinar në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, ku ligjëron Letërsinë e sotme shqipe.

Agim Vinca është njëri nga poetët më të njohur bashkëkohorë shqiptarë dhe njëri ndër studiuesit më të dalluar të letërsisë shqipe. Agim Vinca merret edhe me përkthime letrare. Jeton dhe punon në Prishtinë.)

Vdekja më vjen prej syve të tillë

Akademik Prof.Dr. Rexhep Qosja.rrëfen jetën e banorëve të Vajazanit, në veçanti për Xhezairin Gjikën, rrëfimi mbi të është realizuar prej tre kënde të ndryshme këndvështrimi.

Xhezairi duke veçuar disa nga çastet kyçe të jetës së vet, hedh dritë të fuqishme mbi esencën e raporteve ndërnjerëzore dhe ambientit.

Rrëfimi bëhet në dy linja: Në përjetimet e drejtpërdrejta të tij dhe nga frymëzimi që merr nga soditjet që I bën ambientit dhe njerëzve.

Vdekja më vjen prej syve të tillë.jpg

Rexhep Qosja përshkruan me mjeshtëri anët negative të njeriut dhe është i shqetësuar për këtë çështje.

Kritika letrare e kohës për Rexhep Qosjen dhe vepren e tij

Ag Apolloni Rexhep Qosja (1936) si studiues i letërsisë, që i njeh të gjitha metodat letrare që janë aplikuar në letërsinë shqipe dhe, i cili, sipas Sabri Hamitit, ka meritën për përmbysjen e metodës së realizmit socialist në letërsinë shqipe,


) ndërsa, sipas Akademik Prof.Dr. Ibrahim Rugovës, ai "shpesh ka zgjidhur probleme vitale në letërsi",
) - aplikon metodën integrale në studimet dhe në romanet e tij, të cilat, në raport me prozën shqipe, duhen parë si një paradigmë, që nuk i ngjajnë askujt.

Për praktikën e parë postmoderne në letërsinë shqipe flet edhe një shkrim i  Akademik Prof. Dr. Ali Aliut, i cili qysh në vitin 1974 e vlerësonte prozën e Rexhep Qosjes si "një fenomen të ri dhe në vete", duke shtuar se ajo bën "trajtimin më të thellë dhe më kompleks deri më sot në prozën tonë".


) Sipas këtij kritiku, Akademik Prof.DR. Rexhep Qosja me romanin e tij të parë ishte bërë i pari i letërsisë shqipe. Aliu e kishte hetuar edhe poetikën e kombinimit,
) por pa mundur ta tipologjizojë.
"Vdekja më vjen prej syve të tillë", duke qenë një model i ri i shkrimit letrar shqip, është mirëpritur edhe nga komuniteti artistik frëng. “Ky libër na ra nga qielli si një meteor. Një objekt letrar jo i zakonshëm”,

) shkruan gazeta "Le Monde", kurse në "Le Journal de Seine et Loire" thuhet se Rexhep Qosja është një shkrimtar i jashtëzakonshëm, kurse romani i tij – një kryevepër.

)Ndërsa  Akademik Ismail Kadare shkruan: “Rexhep Qosja është shkrimtari më i madh ndër shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të vendit, të cilët përbëjnë më shumë se gjysmën e kombit shqiptar”,

) ndërsa "Vdekja më vjen prej syve të tillë" është një vepër "me inspirim kafkian";
) një "roman që prish qetësinë";

) një vepër që "profetizon apokalipsin"; 10) dhe "një nga veprat më të mëdha të letërsisë shqiptare".[7]11)(Nga libri "Parabola postmoderne", 2010) 

Ndërrimi i motmoteve, ripërtëritje e dashurisë vëllazërore

                   Kërko brenda në imazh                 Nga :  FLORI BRUQI  Për të festuar Viti i Ri 2025 , ja disa urime që mund të ndani ...