Agjencioni floripress.blogspot.com

2019/02/02

Shënime për romanin “Vrasje në kornizë” të Florin Kelmendit, botuar nga Shtëpia Botuese “Buzuku”, 2018


ROMAN I DYKOHËSISË DHE NARRATIVËS SË PROTAGONISTËVE

Behar GJOKA



Romani “Vrasje në kornizë” i Florin Kelmendit, e rrok jetën në totalitetin romanor, ndonëse thelbi letrar, shqiptohet në dykohësinë e ndërthurur dhe narrativen e personazheve. Megjithatë, varësisht tekstit, projektohet një vepër shumështresore si thënie, përmes larmive shprehëse. Rrafshet e ligjërimit, në pamje të parë, shpalosin ngjyresat e një romani për dashurinë. Shenja e dashurisë së madhe, ndërlidhet me pikturën nudo, e cila shpesh ndërron vend me dy protagonistët, Artën dhe Dinin. 


Në këtë nivel leximi, ke përshtypjen se është një roman për dashurinë dhe artin, në kuptimin më të gjerë. Qenia njerëzore, në kohë dhe hapësirë, ka shtegtuar në qiejtë e dashurisë dhe artit. Ikjet e Dinit, për t’u kthyer në atmosferën e tekstit, në sipërfaqe duken enigmatike, ku madje në ikjen e dytë nuk kthehet më, diç më tepër sugjerojnë humbjen e dashurisë. Madje, nëpër sekuenca të librit, si një nëntekst i një aventure tragjike, që konturon tipin e romanit, gati policesk, ku fati i njeriut ka mbet në duart e pushtetit. Leximi brendatekstor, krijon rrethanën e prekjes së shtresave të tjera, pra të një vepre komplekse, në shumicën e shenjave shkrimore. Në tekst fanitet fati i qenies si individ, po kaq fati i shqiptarit në Kosovë dhe në gadishullin e trazuar të Ballkanit.

Retrospektiva, pra kthimi në kohë, si dhe prania e kujtesës/harresës, e zgjeron ca më tepër, shumëngjyrësinë që përçohet në atë gjendje shkrimi. Kohët e projektuara, të rrethanave të pushtimit serb, me kohën e lirisë, të fitores së luftës, e tash të përfshirë në betejën për ta fituar edhe paqen, përcjellin fatin e Kosovës, të qytetarëve të saj, në të dy kohët. Po kaq vlerë, ndonëse vjen përmes ironisë, bart edhe prania e një beteje me veten, të individit me shoqërinë dhe kohën, të një situimi tejet të ndërlikuar, ku fitorja çlirimit të atdheut, që e shpëton kombin, nuk mjafton, sepse njeriu duhet të lirohet nga vetja, nga sundimtarët e pushtetit, dje dhe sot, një betejë që shqiptarët gjer më tani, pothuajse e kanë humbur.
Të rënët, të humburit, plaga e hapur e Kosovës, kërkimi i eshtrave të tyre, sugjeron situatën e kujtesës si harrim, që vret ndërgjegjen e secilit njeri, nga ana tjetër, me gjithsej pushtetarët dhe politikanët, janë vënë në garën e hajnisë, e vjedhjes së pasurive dhe të popullit të vet, që e çliruan nga kthetrat e pushtuesit.

Prania e këtyre elementëve formëson tipin e romanit me gjerësi tematike dhe problematike, të një vështrim tërësor të jetës së qenies, që ndërkaq sendërgjohet më larmi formash ligjërimore. Karakteri shumështresor dhe kompleks, që në faqete librit, vjen si ironi kundërthënëse, të shpërfaq gjurmët e një letërsie postmoderne, që vetiu të sjellë në vëmendjen pohimin: Arti postmodern thjesht është dhe duhet të jetë i përjetuar. (Hans Bertens, 2015: 19, në librin Koncepti i postmodernes.) Megjithatë, forma mbizotëruese e shqiptimit artistik është ditari, që e grimcon realitetin letrar, në një shpalim fragmentar, që përçon një dinamikë të jetës e po kaq të fatit të personazheve. Fillet përbashkuese të larmisë së situatave dhe rrafsheve ligjërimore, lidhen me dy elementë të prozëshkrimit, me dykohësinë dhe narrativën e personazheve.

Kuptohet se dykohësia, nisur nga sot, për të zbritur në kohën e djeshme, por edhe si integrim i ndërsjellë, pikëvështruar në pasqyrën e përqasjes, me gjasë e shëmbëllimit ndërkohor, e shpalon të plotë hapësirën e kumteve, të mesazheve kundërthënëse dhe paradoksale, që rrokin gjithanshmërinë, e cila shenjon tipikën e zhanrit të gjatë të prozës. Dykohësia, me ndërlikesat në hapësirën tekstologjike, shqiptohet përmes narrativës së personazheve, të cilët janë edhe protagonistë të dy kohëve.



Rrafshet e kohës letrare



Materia e kësaj proze, pavarësisht pranisë së shtjellimit tepër të përthyer, gjurmëve të një fragmentariteti qëllimor, të grimcuar në episode dhe pasazhe të shumta, në rrëfimin dhe skicimin e personazheve, si vetëprotretizim, të cilët janë edhe protagonistë të ndodhive, megjithatë shpalon dy kohë:

A – Kohën e vështirë dhe tragjike të pushtimit serb, që nuk linte grimën e hapësirës për liri, kohën e dhunës dhe spiunimit, kur qytetari i Kosovës, shqiptari autotokton nuk ishte zot, anipse ishte në shtëpinë e vet, e cila kulmon me demonstratat e vitit 1981, të cilat zbulojnë para botës dhunën serbe dhe dramën e shqiptarëve të asaj krahine. Kuptohet se është një kohë shumë e zymtë, kohë e territ dhe gjenocidit të paimagjinueshëm, kur dinjiteti dhe jeta ishin në zgripin e vet ekzistencial. Ishte një kohë e vështirë, kur njeriu detyrohej të zvarritej e shpërfytyrohej, por në distancë kohore, kupton se ishte edhe harku kohor i sprovës së karaktereve njerëzore.

B – Koha e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, në përballje dhe paralelizim me të parën, pra kur është realizuar ëndrra shekullore. Megjithatë, siç e paraqet libri, jeta individuale dhe shoqërore nuk ia ka mbërritur ende që të përplotësojë përmasën e ëndrrës dhe shpresën për të nesërmen e sigurt, sepse në jetën e përditshme, ruhen mendësi të kohës tjetër, që fusin pengesa dhe stërkëmbsa në ritmin e kësaj kohe. Po kaq në këtë kohë, të lirisë së atdheut, pothuajse janë harruar të rënët, e sidomos të humburit e dhunës serbe, që shënon një akt përgjumje të vetëdijes humane. Pra, nëse është fituar lufta, ende nuk është fituar paqja, nuk është fituar dinjiteti, sepse politika e fitimtarëve, që të përkujton çlirimtarët e viteve ’45, të shekullit të kaluar, në Shqipëri, është kredhur në hajni dhe korrupsion, në amoralitet dhe monotoni sundimi.

Dy kohët e realitetit letrar, pushtimi serb dhe harku i lirisë, janë vendosur në dy gjendje letrare. E para, ndërmjet tyre është fokusuar marrëdhënia e kontrastit, që skicon tiparet e secilës kohë, por edhe të skicimit të vetë protagonistëve. Dykohësia, e dyta shenjë, gjendet edhe në pranvënie të ndërsjellë, gjë që mundëson të spikaten nuanca dhe dallime ndërkohore, po kaq evidenton dritëhijet e personazheve. Dykohësia e antitezës dhe pranëvënies, ka mundësuar shpalimin e kohës letrare, si një gjurmë e secilit rrafsh, por edhe si pikë reference e pranisë së qenies në rrathët ndërkohor.

Ditari si formë shkrimi

Forma e përveçme e ligjërimit, si organizim teksti, strukturë kompozicionale dhe narrative, herë të shpallur, e herë të nënkutpuar, është ditari. Në shumicën e episodeve të këtij romani, pavarësisht episodeve të pranishme, mbizotëron forma e ditarit, ku madje përcaktohet vendi dhe data. Në këtë mënyrë, të ligjërimit të ngrirë dhe subjektiv, në kuptimin e dëshmisë, jo të narrativës dinamike, ngjet edhe skicimi i personazheve, i vetë protagonistëve, të cilët në shumicën e herëve, në sekuencat e librit, vihen në situata reale të dykohësisë së integruar dhe të identifikuar, gjë që ndërkaq zgjeron dimensionet e jetës konkrete. Kjo formë e gjetur ligjërimi, ku fati i ndryshëm i personazheve, paraqet morinë e ngjarjeve, jashtë rrjedhes lineare, por në një shtjellim të kapërthyer, sendërton kontekstin, kundërvëniet dhe sprovat, është e shtrirë në gjithë hapësirën e tekstit. Ligjërimi me anë të ditarit, vizaton një kohë të ngrirë, gati-gati një kohë reale, që fiton atributin e dëshmisë si me thënë, skicimin e jetës konkrete. Po kaq, forma e shkrimit letrar si ditar, luan rol për skicimin e spektrit ekzistencial të personazheve, me dritëhije, madje duke shënuar një akt vetërrëfimor. Figurimi i kohës letrare, përmes ditarit, si dhe të gdhendjes së cilësive të personazheve, si formë e vetëdeklarimit, thekson ngjyresat e realizmit të gjallë, që shqipton, një përmasë konkrete në dy kohë, të cilat megjithatë ndahen dhe integrohen ndërmjetshëm. Në episodin e parë të prozës, që zë fill në faqen 11 dhe shkon deri në faqen 13, më tepër ndeshim ditarin hipotetik, ku theksohet vetëm një ditë. Kurse dy pjesët e tjera, më të zgjeruar, konceptohen si formë e qartë ditari. Kjo mënyrë e pasuron shkrimin letrar, përmes ligjërimit si ditar. Forma e ditarit, përpos shenjave reale, të fjalës dhe personazheve konkretë, skicon dhe shpalon botën e brendshme, e sidomos rrafshet psikologjike të qenies.

Narrativa si shenjë vetëprotretizimi

Tharmi i sendërgjimit të botës romanore, si ndërthurje e kohëve të ndryshme, ku prekim mjedise dhe karaktere të shumtë, është gjurma unike e rrëfimit, mjetit që mundëson prozëshkrimin. Veçanësia e thadrimit të prozës, gjithnjë në rrafsh rrëfimor, është organizimi i strukturës, me epiqendër rrëfimin e personazhit. Boshti kryesor narrativ, që shpalon ngjarjet dhe tipizon personazhet, është Arta.


Narrativa e saj, si pozicion dhe shprehësi, bart dy shenja të dëshmisë, si protagoniste e të dy kohëve, por edhe si rrëfimtare në hapësirën e tekstit. Përpos se kaq, pentagrami rrëfimor i Artës, pra i rrëfimtares-personazhi qëndror të romanit, ndërlidh dhe i vendos në një radhë të paqëndrueshme, madje që shprishet enkas, dhe me funksion estetik, personazhet e tjerë, të cilët mbartin të dy atributet, edhe si protagonistë, edhe si karaktere letrare. Në radhitjen dhe ndërrimin e vendit të personazheve-rrëfimtarë, mbizotëron edhe narrativa e Dinit, dashurisë së madhe të Artës, si dhe e Shpendit, vëllait të protagonistes epiqendër të realitetit letrar. Tre protagonistët, që shpalosin tri rrafshet ligjërimore dhe narrative të tekstit, me praninë dhe gjanësinë rrëfimore, ndërlidhin kohët, hapësirat, shqetësimet, veset dhe virtytet e personazheve të pranishëm. Duke qenë rrëfim i personazheve, përveç strukturës narrative të tekstit, sfumatura e tillë tregimtare, realizon karakterizimin e personazheve, si vetëprotretizim. Ligjërata narrative e shqiptuar si rrëfim i personazheve, veçon dhe tipizon protagonistët, si un shoqëror dhe individual, por edhe si karaktere të konteksteve dhe ndërkohësisë. Me penelime të shpejta, të stilizimeve të ngjeshura, që shpalojnë një gjuhë të laryshisë shprehëse, me ngjyresa subjektive, që buron nga vetëportretizimi, ku sidomos personazhet kryesorë, anësohen nga figurimi i personazheve bartës të idealit të lirisë. Duke qenë, jashtë dhe brenda kohës së dykohësisë, idealin e lirisë e paraqesin në ekuilibrin e lirisë kombëtare dhe lirisë individuale. Përqark tyre, megjithatë sillen personazhe hije, sharlatanë, pushtues dhe pushtetarë, që zbulohen përmes gjuhës së rrëfimit, dialogut dhe përshkrimit të mjediseve.

Struktura ciklike e tekstit

Përbërësit kryesorë të kompozimit, një strukturë e përmbysur dhe rindërtuar, po kaq një hapësirë e zgjeruar e ligjërimit letrar, të plasuara në tekst, janë:

– Situata paratekstuale fillimtar e romanit, që përbëhet vetëm nga dy poezi kushtuese, të cilat e zgjerojnë dukshëm natyrën sinkretike të tekstit të këtij romani.

– Pjesa e pikës së lidhjes, që ngre siparin e ndodhisë, e dramës dhe tragjedisë, e gëzimit dhe hidhërimit, e talljes dhe ironisë, ku vetëm sa prezantohet Arta dhe mëdyshjet e saj, si njeri dhe piktore.

– Bërthama kryesore e romanit, ku madje projektohet fati i dashurisë së dy protagonistëve, Arta dhe Dini, si dhe kalvari i zhdukjes përfundimtare të agronomit, që përkon me të humburit, pavarësisht se Arta nuk do që ta besojë. Po ashtu, fati i tyre, shpërndërrohet në fatum të qenies shqiptare, në Kosovë dhe më gjerë. Kjo pjesë përfaqëson episodet më të gjata romanore, i cili nis në faqen 15 dhe përfundon në faqen 180, pra duke ngërthyer në vetvete vatrën ligjërimore të tekstit. Aty shpalohet drita e dashurisë, si dhe tragjika e ndërprerjes së saj, që papritur shndërrohet në makth kërkimor të protagonistes.

– Kohët ngjajnë ndërmjet tyre, çka skicohet në pjesëne dytë të librit, ku tashmë fati i njeriut dhe dashurisë, dje nën pushtim, e sot në liri-pa liri personale, fare pak ndryshon. Ashtu siç plazmon romani, liria individuale, intime apo profesionale, liria e shprehjes dhe ekzistencës, është po kaq e rëndësishme për njeriun, po aq sa ç’është liria e atdheut. Maskarada e horrave, çlirimtarë dhe fitimtarë, pa grimën e mëshirës, ka lënë në harresë vuajtet dhe sakrificat, të rënët dhe të humburit, dhe është lëshuar me revan në vjedhje dhe korrupsion, moral dhe fitimprurës.

– Shtojca, që kryen funksionin e gjendjes pastekstuale, ofron dëshmi arkivore, të bjerrjes së qenies dhe trojeve shqiptare, në kohët e mbrame. Struktura ciklike, pasazheve të mbyllura në vetvete, në ndërlidhjen tërësore, ndërkohore dhe narrative, ka projektuar një libër të hapur për lexuesin. Hedhja matanë e “veladonit” të rrëfimtarit, nga kryerrëfimtarja dhe personazhet e tjerë, në disa pasazhe të romanit, përveçse e shpërngjum lexuesin, si funksion parësor, ka komunikimin e hapur me lexuesin, si pjesë e kumteve, si për të mbushur “hapësirat boshe” që mbeten në hije, në narrativën dinamike të personazheve.

Romani i personazheve

Varësisht rolit parësor të personazheve, të cilët janë dhe protagonistë të dy kohëve, po kaq të ndodhive ndërkohore, e sidomos të narrativës së tyre, proza “Vrasje në kornizë”, në tipologjinë shkrimore, është roman personazhesh. Rrethana e përcaktimit tipologjik të tillë, gjithsesi mbetet e hapur, por situata tekstologjike, të krijon një hapësirë të rrokshme të kësaj pranie, ku personazhet shpërfaqin universin e realitetit letrar. Tipologjia e shpalimit të veçantë, si roman personazhesh, projektohet në tre rrugë:

Së pari: Narrativa e këtij teksti, në pentagramin e vet shprehës, pavarësisht ngjyrës që i ka mveshur autori, në thelbin e vet është rrëfim i personazhit/personazheve.

Së dyti: Rrëfimtari qendror, me gjasë qendra e universit të kësaj proze, si dhe boshti kryesor i strukturës dhe narrativës, është Arta, një piktore që vë përballë artin dhe dashurinë, jetën dhe frymën ekzistenciale, madje duke i pranëvënë si dy pasqyra, që shëmbëllejnë njëra- tjetrën.

Së treti: Narrtiva e personazheve, që ndërrojnë radhën dhe tonet ligjërimore, zbulon përmasat e të dy kohëve, pavarësisht sendërtimit të ligjërimit letrar në formën e ditarit.

“Mungesa” e autorit, ose me gjasë prania e tij në hapësirën e shpalimit rrëfimor të personazheve, ndërkaq formëson veçanësinë e prozës. Paprania e autorit, një term i U. Eco-s, si rrëfimtar, pra mungesa formale e shkrimtarit, nga njëra anë ka rritur peshën specifike të personazheve, nga ana tjetër ndikon në evidentimin e botëperceptimit të autorit, të shmangies me vetëdije, si për ta shkrirë veten me narrativën e personazheve, të cilat tashmë dëshmojnë si protagonistë të dy kohëve.

Kujtesa si ndërlidhje

Një element tjetër sendërtues i botës romanore, të këtij teksti të ndërlikuar, është edhe kujtesa. Një ide e Kunderës, se po harrove të keqen, ajo përsëritet, përndizet në mendje, teksa lexon romanin Vrajse në kornizë, që në një kuptim, shpalos një roman kujtese, krahas rrafsheve të tjera, që i shtjelluam. Prania e kujtesës, si një simbolikë e pashmangshme, e fatit të qenies, e po kaq e fatit të qytetarit të Kosovës, hedh urat e komunikimit ndërkohor, e po kaq bart shenjën e dëshmisë faktike. Nërkohësia dhe faktet e dëshmuara të dy kohëve, ku vizatohen dhe zbulohen karakteret, janë kthyer në kamerë verifikuese e fatit të Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Dëshmia si kujtesë, që në tekstin e romanit kryen funksionin e kohës reale, por edhe të detajit artistik, lidhet ngushtësisht me formën e strukturës së tekstit, të shpalosur si një ditar rastësor. Funksionalizimi estetik, i dyfishtë i ditarit, si dëshmi konkrete, edhe si faktologji letrare, ndërkaq vetëm sa vulos shenjat e një realizmi pa cak dhe jashtë natyrës së ngurtësuar të shkrimit letrar. Duke sjellë në faqet e librit, figura të marra nga jeta, protagonistë që kanë fiksuar ekzistencën e tyre, me ditarin, pikturën dhe vepra të tjera arti, elemementë domethënës që gdhendin përmasën e realizmit pa cak dhe të shumëngjyrtë, autorit ka realizuar një prozë ndryshe. Kur themi realizëm pa cak, kemi parasyh ikjen prej skemave e klisheve të realizmit idoelogjik, që e projektoi njeriun si marionetë në duart e pushtetit. Braktisja e realizmit skematik, të kiç-realizmit, ka mundësuar funksionimin e përmasave kohore, si dhe u ka dhënë frymëmarrje tjetër personazheve, për ta shprehur botën e tyre, humane dhe profesionale, me të gjitha hijedritat, veçmas duke shpërfillur tabutë e moralitetit fiktiv.

Laryshia e sinkretikës artistike

Zanafilla e tekstit, ndonëse shenjon një detaj letrar rastësor, është piktura nudo e Artës, kryeprotagonistes së romanit. Adhurimi i pikturës nga Dini, pra i autoportretit të piktores, menjëherë të shpie në qiellin e dashurisë së dy të rinjëve. Nga ana tjetër, shëmbëllimi i pikturës, nga muri në fytyrën e vajzës, sikur në një lojë pasqyrash, me gjasë aty të jetë një zanë mali, shpërfaq bukurinë e kësaj dashurie. Po me kaq shumë forcë, dashuria e mban ndezur kandilen e artit, të lirisë ekzistenciale të njeriut, madje të portretizuar në të gjitha përmasat, në hapësirën tekstologjike. Kuptohet, në qerthullimin e shenjave të rrokshme artistike, është arti i pikturës, arti i fjalës dhe muzikës, madje në tekst mbërrihet deri te arti si mënyrë jetese. Dini, një figurë befasuese dhe karakter më vete, që duket dhe zhduket, e më tepër mungon, qenia e tij si agronom, nuk e ka penguar që jetën dhe formimin e vet ta shndërrojë në fuqi arti dhe fryme domethënëse. Po ashtu, Shpendi, vëllai i Artës, një protagonist i heshtur, i tmerrit të provuar në motet e sundimit serb, tashmë është një bletar shembullor, një veterineri që e dëshmon përjetimin artistik, në gjithçka, madje edhe në marrëdhnënie me motrën, që gjezditet shpirtrazuar. Jeta dhe letërsia, në motet e shekullit të njëzetenjë, në mënyrë të veçantë, kanë shembur mure dhe kështjella prej rëre, të ngritura nga pushtetet dhe idelogjitë e marrëzisë.

Letërsia në përgjithësi, e sidomos romani ose zhanri i hapur, gjithnjë e më tepër të ofron situata të papritura, të cilat vetvetiu i shkërmoqin strukturat klasike të prozës së gjatë. Gjendja letrare e një sinkretike të zgjeruar, të risjellin në vëmendje tipologjinë e shkrimit postmoderne, gjë që është analizuar nga Linda Hutcheon, në librin Poetika e Postmodernizmit, kur ndër të tjera, nënvizon: … unë e konsideroj postmodernizmin si proces aktual kulturor ose si aktivitet dhe mendoj se më tepër se definimi i caktuar ose përcaktues i tij, na duhet “poetika” e hapur, struktura teorike përherë e ndërrueshme, me ndihmën e së cilës do të vinim në rregull edhe dijen tonë kulturore, edhe procedimet kritike. (2013: 13). Faqet e romanit “Vrasje në kornizë”, dukshëm paraqesin një situim shkrimi, të një sinkretike të zgjeruar, ku ngjizet e brendashkruar dëshmia, eseistika dhe gjurmë ritmika publicistike. Ajo që pati pohuar dikur Lesingu, mbi marrëdhënien e poezisë me pikturën, një gjendje unike artistike, ku poezia është pikturë që flet, e piktura një poezi që hesht, tashmë vjen në ndërlidhjen e pikturës me prozën, me rrëfimin ose ajo që emërtohet si poetika e prozës, siç e projektoi T. Todorov. Në këtë tekst ndeshen vargje poezish, dëshmi arkivash, kronika të jetës së përditshme, një ligjërim i qartë eseistik dhe publicitik, si ritëm fraze, madje që formëson pjesën e sinkretikës së zgjeruar, është vetë jeta me profesionet e ndryshme dhe me çastet e vështira.

Këndvështrim nga Dr.Flora Brovina : (Bilall Maliqi, “Në prehrin e ëndrrës” (poezi), sh.b. “Lena” Prishtinë, 2019, faqe 88)

SHQETËSIMET POETIKE…



Sa herë që e takoj poetin Bilall Maliqi, kryetarin e Shoqatës së Shkrimtarëve të Luginës së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës “Feniks”, kujtoj mikun tim, krijuesin e po kësaj ane, kur në rininë tonë udhëhiqnim grupin letrar në shkollën normale dhe unë në gjimnazin e qytetit të Prishtinës, dhe këmbenim vizitat, orët letrare, poezitë, pra, kujtoj poetin e pavdekshëm të Luginës, Qerim Arifin, udhën e së cilit po e udhëheq edhe Bilall Maliqi.

Por edhe poeten e parë shqiptare të kësaj ane të atdheut, që botoi libër me poezi, mësuesen e mirënjohur Sadete Emrullahu Presheva.

Megjithatë ky shkrim i kushtohet Poetit (me shkronja të mëdha) Bilall Maliqi, sepse pata kënaqësinë ta lexoj si një libër i veçantë që më solli shumë emocione dhe emocione, jo vetëm artistike, por edhe emocione shumë mbresëlënëse prej poeti, që përcjell kohën reale të dhembjes dhe mos mundësisë.

E krahasova me një shkrim të lexuar, kur malli dhe etja krahasohen me dhembjen e gruas qe nuk ka lindur, e që këtë dhimbje e ndjen më shumë toka kur i afrohet shkretëtira.

Ai e ndjen, e sheh me sy këtë shkretëtirë afër Luginës, e ka pa që nga Molla e Kuqe, Nishi, Leskoci, Vraja, Pazari i Ri, Peshteri e viset të tjera, e sheh Medvegjën që po zbrazet edhe reagon me ethe.

Në prag të pesëdhjetë vjetorit të lindjes, është i shqetësuar, çfarë bëri e nuk bëri për ekzistencën e qenies së vet, për qëndrimin e vet, ku gaboi në pritje, pse nuk foli zëshëm ta ndalë këtë furtunë, këtë të keqe.

Unifikohet me tokën, se aty janë varret e të parëve, aty është harrimi i një kohe për të cilën nuk flitet, gjenocidi ndaj popullit, janë plagët e pashëruara dhe lotët e patharë, dhe kjo ndodhë edhe sot, pesëdhjetë vite jetë të autorit, kur prapë ka çizme e tela, trishtime e shpërngulje, kur ka matje kufijsh, dhimbja sa vjen e shtohet, është dhembje syshkyer, dhimbje anginoze, dhimbje e tokës së djerrë dhe të harruar.


Këtë situatë, këto emocione askush si Bilall Maliqi nuk i ndien, askush nuk t’i përcjell më mirë tek lexuesi. Bilalli vetë jeton në zgripcin e asaj toke, në vorbullën e këtij malli plot dhembje.

“Ndryshe ( e)( para) mendova shpëtimin

Por ëndrra në prite na u vra”

Ka dhembje për pamundësinë e ndërrimit të gjendjes në zgripc, për gjendjen me ndjenjat gri të çastit, në të cilin, ai, poeti është i pa fuqishëm dhe nuk mund ta ndryshoj:

“Koha zuri në cak

Perin tek e tërheqin andej dy hije”

Ose si në poezinë

“Në pikën zero”



“Nga ta gjejë udhën e humbur

Në mes të shkretëtirës së shkretë

Apo të kthehem në pikën zero

Të gjithësisë së udhëve

Që shtrihen kilometrave të harruara”

Kush tha se poeti nuk është Marigonë, që me lapsin e tij, të qëndisë Flamurin, kush tha se ai nuk di si një skulptor, të laton gur granitin e kësaj toke, kush tha se ai nuk ka aftësi t’i këput telat e ndarjes, t’i zgjidh nyjet e gjuhës së burgosur, kush tha se poeti nuk mundet ta vizatoj atdheun, plot dhembje e plagë, dhe t’ia falë gjysmëshekullin e jetës së vet, jetën që e jetoi.

Lexo poezitë: “Koha zuri në cak”, “Fati i shkërmoqur”
“Koka ime”, ”I dashuri atdhe”, dhe të gjitha të tjerat pa përjashtim, që janë në harmoni të strukturës poetike, dhe të përmbajtjes.

Është ky një libër origjinal dhe i veçantë artistikisht, një emblemë e kohës, në prurjet e shumta në letërsinë shqipe, të përvitshme.

Kjo përmbledhje që Bilall Maliqi i këndon Itakës së vet, të t’kurrur me plot dashuri dhe shpresë, se biri i saj do të vazhdojë t’i thërras Muzat edhe më tutje, për ta bërë poezinë dhe Itakën e tij të fortë, pa shkelur nga çizmja që i kërcënohet.

Mr. Shefki Stublla : MBRESA NGA LEXIMI I NJË LIBRI



(“Mbresa nga Stambolli dhe Bursa” (udhëtim studimor me studentë), Libri Shkollor, Prishtinë, 2018, të autorëve bashkëshortë: prof. dr. Tefik Basha & prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha)


Kjo vepër i kushtohet një udhëtimi studimor me studentët e Fakultetit të Edukimit në Gjilan e Prishtinë, në krye me prof. dr. Tefik Basha (gjeografi) dhe prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha (historiane). Qëllimi i vizitës ishte: njohja e studentëve me gjeografinë dhe historinë, fusha këto shumëfish të lidhura me trojet dhe me popullatën shqiptare.

Pas leximit të këtij libri studimor ndjeva një kënaqësi dhe nderim të veçantë, kur bashkëshortët Basha, këtë udhëtim, me këtë libër e bënë që të mos harrohet takimi njerëzor e prindëror me shqiptarët e shpërngulur me dhunë nga Kosova në Turqi, para e mbas LDB-së.

Kam përshtypjen se ky libër do të lexohet me ëndje jo vetëm nga studentët, protagonistët e këtij udhëtimi, por edhe nga të tjerët. Kjo trajtë e rrëfimit është “vek për yrnek”, siç do të thoshte Mehmet Halimi.

Personalisht më pëlqeu thurja e këtij teksti interesant me shembuj konkretë në këtë ditar udhëtimi në një vend të huaj, sidomos kënaq qasja pedagogjike e profesorëve – edukatorëve Basha, si model bashkëpunimi me studentë, të cilët në çdo çast konsiderohen si partnerë.

Tregimi nga kjo rrugë, ky ditar udhëtimi, edhe mua më bëri për vete. Sikur edhe unë isha student dhe udhëtoja për Turqi. Sidomos më pëlqeu motivi i inspiruar nga shkrimtari i njohur hebre, Amos Oz, për të shkruar këtë libër.

Ky libër, që nga hyrja e deri në mbarim, afron dhe josh lexuesin, e informon atë për shumë ngjarje që i ndodhën popullit tonë gjatë historisë dhe mbijetesës së tij nga shumë okupatorë.

Ky libër mund të merret ose të konsiderohet edhe si ciceron turistik për ata që vizitojnë Stambollin dhe Bursën në Turqi. Po ashtu, edhe si libër gjeografie dhe historie për këto dy qytetet. Është libër që freskon mendjen. Nga ky lexuesi nxjerr shumë mësime.

Më la përshtypje përshkrimi i qytetit Bursa, të cilin e kam vizituar edhe unë dikur, por pas njohjes me të rejat që më ofroi libri u kënaqa edhe më shumë: se ky ishte kryeqyteti i parë i shtetit osman, i pasur me shumë monumente kulture dhe arkitekture, sidomos ura Ingardi, me dyqane dhe me Jeshil Xhaminë.

Një mrekulli tjetër e këtij libri është takimi me shqiptarët e vendosur në Bursa si muhaxhirë të ndjekur me dhunë nga trojet e veta të Kosovës. Sidomos fakti kur këta ende e flasin gjuhën e nënës – shqip, sidomos kur ata dëshmojnë se janë shqiptarë. Po ashtu, më preku shumë rrëfimi i tyre në gjuhën shqipe, sidomos rrëfimi i Selimit, nga fshati Laçiq i Dardanës (ish-Kamenica) dhe shumë gjëra të tjera me këtë temë të dhimbshme dhe të ndjeshme.

Ky udhëtim juaji, përveç njohurive nga gjeografia dhe nga historia, është një punë e vlefshme bërë atyre shqiptarëve nga Kosova, të vendosur atje pa dëshirë, prej të cilëve ka ende që nën jastëk mbajnë një grusht dhe nga atdheu dhe të vetmet ëndrra që shohin janë për vendlindjen e tyre.

Po ashtu u gëzova shumë kur lexova se nga shqiptarët e vendosur atje ka shumë talent në fushën e kulturës dhe të artit. Dhe në fushat tjera të jetës. Madje, që Grupi i valltarëve shqiptarë nga Bursa,që shfaqen program për studentet nga në akademinë ushtarake studentët shqiptarë pranohen pa provim pranues.

Më preku shumë takimi me valltarin e mirënjohur në Turqi – Hakiut, me dajën e tij nga Karaqeva. Ose takimi me kryetarin e rinisë së partisë AK, që ishte me origjinë nga Doberçani, që enkas për studentët e Gjilanit ishte kthyer nga një udhëtim zyrtar vetëm të takohej me anasit e vet. E dhembshme ishte kur ai nuk dinte të fliste shqip, ama këngën “Oj Kosovë, oj nëna ime…” e këndoi duke qarë.

Nebih Bunjaku:Cikël poetik

Fotografia e profilit të Nebih Bunjaku

Nebih Bunjaku është nga Poliçka e dardanës. Ciklin e ulët të fillores e kreu në vendlindje, tetëvjeçaren në Malishevë të Gjilanit. Në Gjilan kreu shkollën e mesme, ndersa studimet për Gjuhë dhe letërsi shqipe i mbaroi në Prishtinë. Si student ka filluar karrierën e tij pedagogjike, duke punuar fillimisht në Shkollën fillore në Banjën e Sjarinës, pastaj në Gjimnazin e Dardanës, në Shkollën teknike të Gjilanit, në shkollën fillore në Banullë- Gllogofc, në Gjimnazin e Lypjanit, në Shkollën teknike të Kastriotit.
Që nga viti 1993 punojë në Gjimnazin “Eqrem Çabej” të Prishtinës, ku ishte drejtor i kësaj shkolle.


Ka botuar këto vëllime me poezi: 

“Dalje nga balada” (1994),
”Gramatikë zemre”(2004),
“Terapia e dashurisë” (2005),
 “Një samimt për një simit”(2007), 
“Prushimë buzësh (2008),
 Zemra nuk ka dimër (2009), 
“Testamenti i lotit” (2012) ,
 “Kopshti i shpirtit” 

Etj.

Nebih Bunjaku bashkëpunon me shumë gazeta dhe revista shqiptare, ku ka botuar edhe poezi të ndryshme.

 Disa poezi i janë shpërblyer me vendin e parë, të dytë dhe te tretë nëpër konkurset letrare. 

Cikle poezish i janë botuar edhe në turqisht, anglisht, polonisht.... 

Ky autor është i prezantuar edhe në disa libra të ndryshëm. Përpos poezi, Nebih Bunjaku ka botuar edhe shkrime publicistike për personalitete te ndryshme të shquara shqiptare: për Mulla Idriz Gjilanin, Lot Vakun etj.

Për krijimtarinë poetike të Nebih Bunjakut kanë shkruar disa nga penat e shquara të letërsisë: Rushit Ramabaja, dr. Faik Shkodra, Abdullah Konushevci, Spiro Xhavara, Zef Pergega, Shefik Shkodra, Xheladin Mjeku, Shefqet Dibrani, Pëllumb Gorica, Naim Kelmendi,Flori Bruqi, Spase Thanasi, Hasan Hasani, Shahbaze Vishaj, Vezir Ukaj, Reshat Sahitaj, Krishtaq Shabani, Selatin Novosella, Tefik Selimi,  Atdhe  Geci, Hysen Këqiku, Shaban Cakolli, Bilall Maliqi, Sinan Sadiku...etj.


Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

Jeton në Prishtinë.




RRUGËS PA KTHIM

(Ali Podrimjes)

“Të jesh shqiptar
e vdekja të mos gjejë
edhe në skaj të botës
e pamundur është”.
Ali Podrimja

N’Universin letrar perëndoi Ylli
Një javë ditë lotoi dhe Dielli

Fjala mbajti shtatë ditë zi
Vetëm për Ty Poet Ali

Dhembja e Lumit doli nga shtrati
U trondit Gjakova Çabrati

Ura e Shejt u përkul për Ty
S’rrodhi ujë por Lot Ali

Simorta e Mostarit s’t’harron dot
“Dallëndyshen” ktheu në lot

Nata e huaj për Ty sirenë
Shpejt misteri mori dhenë

As natës sonë s’i zihet besë
Është stërkequr të pret n’besë

Herët u nise rrugës pa kthim
T’u prehtë shpirti në amshim

Prishtinë, 26.72012


REÇAKU

Liria fshihet në një pikë gjaku
të një fëmije a të një plaku.1



Fundi i shekullit plot acar 
dyfish dimër në Reçak 
ditë e zezë pesëmbëdhjetë janar
Reçaku i trimave u la në gjak

ekraneve të shpirtit nëpër botë 
komunikon vetëm trishtimi 
zemrat tona grimë dhe copë 
veç nga ankthi e pikëllimi

n’gjuhën e dhimbjes njerëzore 
lajtmotiv kjo mizoria 
mbeti bota e nemitur 
vallë u kthyeka barbaria!

tok me engjëj Riza Beqiri 
ra dëshmor n’prag shtëpie 
mu pranë tij ra edhe i biri 
ku u fshihka ai gjak lirie?!

N’zemrën time u hap një shpellë 
plaga e shpirtit më kullon gjak 
midis dhimbjes një hon i thellë 
loti n’zemër për ty Reçak

a ka fashë që ma lidh dhembjen 
përveç Vokerit – Mikut Plak
a ilaç që shëron brengën 
krimit të hienës t’i vërë kapak


1) Martirin Riza Beqiri e njoha në Banjën e Kllokotit 
në fund të vitit 1998. Një javë banuam në të njëjtën 
dhomë. Për lotin tim ndaj masakrimeve barbare, 
Riza më qortoi me profecinë e tij që e shënova 
si moto të kësaj poezie. Vetëm dy javë më vonë, 
më 15 janar 1999, tok me të birin dhe me martirë 
të tjerë çetnikët i masakruan në Reçak!


SHTËPIA E LIDHJES


N’Prizren n’zemër Shqipërie
Besa dha Besën n’Kuvend
N’Sofër të madhe historie
Do të vdesim për këtë vend

Në Prizren u lidhën zemrat 
U mboll fara e Pavarësisë 
N’histori u gdhendën emrat 
Në ngjizje gjaku të lirisë

Sylejman Vokshi, Ymer Prizreni 
Abdyl Frashëri e Mic Sokoli
Krenaria e mbarë këtij populli 
Në Kuvend me një gojë foli

Ligjërojnë fjalë Perëndie 
Ky Atdhe gjithmonë ka Zot
Besa e Beses u lidh nyje 
N’vend të bukës – hamë barot

Gurthemel u vu Besa 
Armaturë e ardhmërisë 
N’Shtëpi të Lidhjes u bë fejesa 
Midis vdekjes dhe Lirisë

Në Prizren perëndoi hëna 
Lindi Dielli në Prizren 
Në Prizren na bekoi Nëna 
Kurdoherë ta mbrojmë këtë vend


TE RRAPI I PRIZRENIT

Nën hijen e Rrapit të Prizrenit 
midis sheshit – shpirti im 
së pari herë kur u takuam 
bëmë një foto në përqafim

unë t’harroj por zemra jo 
ajo digjet flakë për ty 
për mjaltin e buzëve tua 
dhe për sytë e tu qershi

aty është Shtëpia e Lidhjes 
Besa e shenjtë për ardhmëri
midis meje – midis teje 
– kurorëzim për dashuri

sa madhështor Lumbardhi sot 
rrjedh i qetë me kaltërsi 
zemrat tona i bashkon 
me dashuri në përjetësi

dhe Kalaja sa madhështore 
– relikt shpirti në histori 
me gjithë zemër na buzëqesh
sa herë lidh një dashuri



KUVENDI I XHUNGLËS

Midis xhunglës midis fushës
janë tubuar bishat e malit
si në shpellën e arushës
hingëllin mushku – djali i kalit

ca arinj, ujq dhe derra
hiena të natës grabitqare
zhvatin djersën e këtij vendi
katran të zeza-zullumqare

shahen rrihen në kuvend
të tillë janë dhe në qeveri
veç për copën më të madhe
vriten priten nxjerrin sy

të verbuar nga drita e diellit
s’shohin para hundës së vet
gjakun e derdhur kanë harruar
vjedhin me shumë marifet

lehin qen lehin zagarë
për një asht e lënë jetën
janë marrosur nga lakmia
nuk mërzitën për t’vërtetën

me katër këmbë shkelin ligjin
që n’kuvend e nxorën vetë
honxhobonxhot para botës
strofkën e tyre e bënë shkret

aty pëllasin gomarë e pela
që punojnë veç për të tjerë
s’u dhemb shpina nga samari
seç u mori koka erë



PORT DASHURIE

Unë jam port i çdo dashurie
ku mund të ndalet çdo anije
e ngarkuar me intimitete
n’ujëra t’ëmbla e në dete

për ty jam shumë kureshtar
mezi pres të ankorohesh
midis shpirti lësho spirancën
të pushosh të relaksohesh

valët e zemrës m’i trazon
në çdo stinë unë ty të pres
nëse s’ndalesh më kalon
për një puthje do të vdes
mos ngrit flamurin e bardhë



PRITJA

Në pritjen tënde u plak udha
edhe pritja ç’mu thinjosh
shpresa ime mbushur rrudha
e durimi kurrë s’m’u sos

në kujtesë të portretizova
nga korniza nuk del dot
në ngjyra zemre të fiksova
pikturë ndjenjash jetë e mot

unë e di se ti do vish
zemra zemrën s’e tradhton
atë kupë fati do ta pish
se vetë zemra ta kërkon




NË PORTËN E ZEMRËS

Në portë zemre kur trokita
në blerim prilli në pranverë
s’çave kokën për trokitjen
mbylle dritare mbylle derë

shpresën time e plagose
tani dergjem në spital
s’ka ilaç që ma shëron
shpirtin tim sentimental

kështjella jote prej çeliku
e mistershme krejt kallkan
si jeton në atë manastir
pa pikë dielli ti moj xhan

dil nga kështjella e Mesjetës
vetë buzëqeshjet do të çelin
në dashurinë tonë të zjarrtë
shpirtin n’shpirt do ta mbjellim

portën tënde me shtatë dryna
e ka ndryshkur koha vetë
gjysmën e shpirtit të burgosur
falja gjysmës së shpirtit të vet


KRYEFJALA

Në gramatikën e shpirtit
vetëm ti je kryefjala
nuk na duhet kallëzuesi
as në përqafime të rralla

emri më i dashur
në morfologjinë time
t’i dua buzëqeshjet
në rasa në zgjedhime

në sintaksën e syrit
periudhë në degëzime
në analiza zemre
ëndrra më intime


LULJA E SHPIRTIT

Lulja e shpirtit tim
rrënjët në zemrën time
pa ty nuk lind dielli
as nëpër vegime

lulëkuqja e prillit
çel vetëm n’blerim
lulëzo pa pushuar
fresku i vargut tim

zemra e kurorës
pengu i zemrës sime
vesa e mëngjesit
flladi i zemrës sime

t’i ujis petalet
veç me ledhatime
ti je vesë mëngjesi
flladi i zemrës sime

me ngjyra ylberi
ato gonxhet tua
nektar dashurie
që me dehin mua


PLAZHIT TË ZEMRËS

Plazhit të zemrës
shtrihu gjer e gjatë
çokollatë e thekur
hahesh ditë e natë

nëpër viset e tua
kur shtrihesh në plazh
notoj pa pushuar
nëpër çdo mesazh

sapo del nga uji
gjelb’ron n’syt’e mi
peng ëndrrat e tua
mbushur dashuri

shpirtin buzëqeshje
buzët plot magji
as më shfaqesh mike
thellë nëpër vetmi


MENY DASHURIE

Në shtëpinë artistike
në sofrën e shtruar
s’mungon asnjë gjellë
me zemër gatuar

në do bukë të bardhë
apo do bukë mrume
zgjidh e merr zemër
mos harro një brune

ka dhe bukë të zezë
si edhe bukë nore
disa me shumë tule
të tjerat veç me kore

një bionde e ëmbël
sipas kësaj menyje
shtruar tejendanë
në sofër dashurie

asnjë lule e vyshkur
s’ringjallet me ujë
kur shet dashuri
s’i takon askuj’


NË TAKIM TË PARË

Në takim të parë
lirshëm flet belbëzimi
fjalëve u dridhen buzët
buzëve vetë guximi

syve plot kureshtje
u dridh shikimi
nga buzëqeshja e parë
me lule gjelbërimi

duart e flakëruara
kudo hulumtojnë
gishtat ndezur flakë
ëmbël ledhatojnë

femrave buzëqeshjet
këmbëve u dridhen leqet
gjatë puthjeve të zjarrta
edhe burrave musteqet



DORDOLECI

Si roboti, bardh si bora,
hunda e tij e kuqe spec,
nuk e lëshon fshesën nga dora,
kot nuk quhet dordolec.

Një kapele ia vejmë në kokë,
sytë qymyr katran të zi,
n’vend vetullash - pendë korbi,
fëmijët e lagjes i kanë zili.

Në pikë t’ acari – lakuriq!
Për ngricë ai s’i jep pesë pare,
vetëm diellit ia ka drojën,
meqë vapë nuk duron fare.

Rroba dimri nuk vesh kurrë,
as të verës hiç se hiç,
serioz, gjithmonë si burrë,
fëmijët e botës i ka miq.

Nga lagështia bëhet akull,
trup e zemër krejt kristal,
vetëm një rreze e fortë dielli,
për një orë e shtron n’ spital!


Përgatiti:F.B.

Çfarë ndodhi më 1 nëntor 2025?

  Serbia ka heshtur lidhur me raportimet se një serb është plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria serbe në territorin e Leposaviqit, në veri...