Agjencioni floripress.blogspot.com

2019/08/15

Pjetër Bogdani ( 1625 - 1689 )


Nga Flori Bruqi 


Kendonj birrë madh



Kendonj Birrë madh mbë Diellt' të lumit Atë,
Qi dergoj gjiut se vet për të shelbuem;
Veshunë ndë Mish,e gjak bam i begatë,
Ndë dy natyrë ngjeshun e fort shterguem,
Me pushtet të madhë,sa për mot të gjatë
Rreth shekullit të shelbon tui besuem,
Se ky i verteti Krisht Hyj,e Nieri
Ashtë,e si leu ndër ne Virgjinet Mri,
Xihariq me dhanë nji Pëllumb derguem,
Qiellsit kur vo bashkë ndë Iordant' të bardhë
Me të Shë Gjonë lum meu pagëzuem
Ashtu Sibila thotë,se ka për t'ardhë
Fajtërorët me grisem,e me shelbuem.
Posi vjollëxa ndë dimënë pa mardhë
Ndërshen: e si Njegullatë palë,palë,
Reza n'Dielli përzë,tue dhanë Malë,
Të Dërejtë jete,e udhë të pamashtri
Shekullit,qi shpie mbë Qiellt ka me mspuem
Gjyq t'amëshuem pa me kallëzuem.
Shelbues yt Rëshit kur plot memeni,
Ka me dalë ende Kryqa ndrykë nalxuem,
Lum,o Dru,e bukura,pa ndonji leqe,
Ku mplaki u çrish,e s'mbet as nonji e keqe.


(1685)




Sibila delfika

Vajtonj unë e mjera nji të madhe gjamë,
se Krishnë mbë Kryqt rrafun e keq shëmtuem,
shuplaka,grushta,helm'e uthull dhanë:
përgjegjun shtatnë plagësh e irënuem
Izraeli mbë dhe keq nuk la pa i banë;
patërshanë ende mbë Kryqt depëruem:
vdekun s"amësë mbë prehënë ia dhanë,
zemërën tu' i shituem anë a pr'anë.


(1685)

Sibila persika

Kumbon zani malesh e këlthet ndë shkretëti,
zihariq me dhanë e udhë të drejtë
shekullit me çelë,e fajevet për mengji
pagëzimnë predikon,mbë këtë jetë
kuj do me shelbuem pa rrenë e sherregji,
ndë Parrisit vend të gjanje si do vetë,
tue trusun kryet e asaj bishë,
mirë t'u bamë e shpesh tu votë n'Kishë.


(1685)

Sibila samia

Sion se Peshtriku Mal Prisrend mai nalti
Falemi s nteje Ligja ka me dalë,
Kur Apostuitë Krisht' ambl'i përmjalti,
Me të dashunë Kungim,e Shenjtë fjalë.
Ende Vajza ngiat ty derguem se nalti,
Leu Djalinë Kërthi,qi neve na mpsoj:
Jevrejt' e marrë Hyjnë tand derguem,
Kryetë ja deperton Ferrash rethuem.


(1685)




U1 PjeterBogdani.jpg



Pjetër Bogdani (Gur i Hasit, 1625 - Prishtinë, 1689) njohur në italisht si Pietro Bogdano, ka qenë prift, ipeshkëv i Shkodrës, arqipeshkëv i Shkupit, shqiptar nga Hasi. 

Është autori i parë origjinal i letërsisë shqiptare, autor i Çetës së Profetëve (lat. Cuneus Prophetarum), 1685, e para vepër në prozë e shkruar në gjuhën shqipe.


Lindi në Gur të Hasit, afër Prizrenit, i biri i Tadé Bogdanit dhe i një bije Mazrekësh

Vendndodhja e fshatit nuk dihet, por Elsie ka propozuar fshatrat Gjonaj dhe Breg Drini në rrethinat e Prizrenit.


Sipas njoftimeve të lënga nga nipi i tij, Dom Gjon Bogdani merret vesh se ungji André e kishte zgjedhur Pjetrin qysh të vogël, si djalë të vitin që të shërbente në meshë, në kishën e Hasit.


 Më pas qysh në moshë të njomë ungji e çoi nipin e tij te kolegji i françeskanëve në Çiprovec, sot në Bullgarinë veri-perëndimore. Dihet me siguri që më 1642 u përcoll nga ungji André në Romë.


 Vijoi studimet e larta në kolegjin e Loretos, ku gjeti edhe bashkëkombas të tjerë si Martin Kryeziu, Gjurë Gallata, Kolë Vladanji e Marin Spica. 


Më 1650 kreu studimet dhe u shugurua meshtar në Bazilikën e Loretos. Pranverën e 1651 mori doktoratën në teologji me brohoritje të të gjithëve.


Pas një qëndrimi rreth nëntë vitesh në Itali, Bogdani u kthye në atdhe dhe pati si fushë veprimi misionin e Gashit në Ipeshkvinë e Pultit.



Më 1656 u emërua ipeshkëv i Shkodrës, ku shërbeu për njëzetenjë vite, u emërua gjithashtu administrator i Arqipshkvisë së Tivarit deri më 1671.


Gjatë viteve të trazuara të luftës Austro-Osmane, 1664-1669, u strehua në fshatrat e Rrjollit dhe Barbullushit në rrethinat e Shkodrës. Një shpellë në Rrjoll ku ka qëndruar, mban ende sot emrin e tij. 


U zu nga osmanët dhe u burgos në kalanë e Shkodrës. Ipeshkvi i Durrësit, Shtjefën Gaspri, i raportoi më vonë Propagandës Fide që Bogdanin e shpëtuan vëllezërit Nikollë e Pepë Kastori.


Më 1677 pasoi të ungjin në drejtimin e Arqipshkvisë së Shkupit, ku emërtohet. Pas fërkimeve me autoritetet osmane, arratiset dhe strehohet në në Dubrovnik. 


Në pjesën e parë të vitit 1685 shkon në Venedik e në Padova ku u prit prej Kardinalit Barbarigo, të cilit i kishte shërbyer në Romë. 


Barbarigo ishte përgjegjës i kishës për çështjet lindore, kësodore tejet i interesuar për Lindjen dhe ndër të tjera Arbërinë. Kardinali kishte hapur gjithashtu një shtypshkronjë në Padova, Tipografia del Seminario, që vihej në shërbim të gjuhëve të lindjes dhe kishte kallëpet për hebraishten, armenishten e arabishten. Në këtë mënyrë kardinali ishte shumë vullnetmirë ndaj sipërmarrjeve të Bogdanit.


Pasi shestoi punët për botimin e Çetës së profetëve, Bogdani u kthye në Ballkan në mars të 1686 dhe kaloi vitet në vijim duke përhapur idenë e një qëndrese të armatosur kundrejt ushtrisë osmane, kjo sidomos në viset e Kosovës së sotme. Së bashku me vikar Toma Raspasani luajti rol kyç në lëvizjen pro-austriake në Kosovë përgjatë Luftës së Madhe Turke. 


Kontribuoi në mobilizimin e një force 6,000 vetëshe që iu bashkangjitën trupave austriake kur hynë në Prishtinë dhe i shoqëruan në marrjen e Prizrenit. 


Këtu, Bogdani me ushtrinë e tij u hasën me një tjetër armik, murtajën. Ktheu në Prishtinë, por ndërroi jetë prej sëmundjes në fillim të dhjetorit 1689 në Prishtinë.


Nipi i tij Gjon Bogdani, njoftonte se menjëherë pas thyerjes së ushtrisë austriake ato ditë, tatarët dhe turqit i çvarrosën eshtrat e tij dhe ia hodhën qenve në shesh.


Vepra


Ballina e librit Çeta e profetëve, botim i Rilindjes, Prishtinë, 1989

Vepra e ipeshkvit Pjetër Bogdani "Çeta e profetëve" (Cuneus prophetarum) u botua më 1685 në Padovë, u rishtyp më 1691 dhe 1702 në Venedik me titull të ndryshëm. Libri “Cuneus Prophetarum”, apo sipas përkthimit të Justin Rrotës “Çeta e profetëve”, është një nga veprat më të rëndësishme të trashëgimisë letrare shqiptare.

Fakti që është e para vepër origjinale në gjuhën shqipe, në krahasim me veprat e autorëve paraardhës që ishin kryesisht përkthime, e bën tepër të rëndësishëm këtë libër. Tematika e larmishme i shton rëndësinë veprës. 


Aty gjejmë që nga tematika fetare, historiografike, të shkencave të natyrës, por edhe letërsi artistike, poezi. 


Kjo larmishmëri temash çon edhe në larmishmëri stilesh, që është një tregues i shkallës së lartë të përpunimit të gjuhës për atë kohë. Dhe padyshim ky është një gur i rëndësishëm në themelin e gjuhës së sotme shqipe.


Autori ka gjetur mundësi të shtjerë elemente të jetës shqiptare të kohës e të historisë së popullit tonë, si është rasti i qëndresës burrërore të kelmendasve kundër ekspeditës turke më 1639. 


Mendimet e njohuritë e Bogdanit shpalosen më shkoqur në parathënien e librit dhe në relacionet e shumta, që hartoi pas vizitave në viset e ipeshkvive që drejtoi. 


Shkroi me dashuri të madhe për gjuhën shqipe, për Shqipërinë e për popullin shqiptar, shprehu dhembje për gjendjen e mjeruar e padijen në të cilat i kishte hedhur robëria bashkëatdhetarët e tij dhe urrejtje të thellë për pushtuesin osman.


 Pjetër Bogdani kërkonte që t'i jepeshin popullit libra në gjuhën amtare, punoi për mëkëmbjen e zhvillimin e kulturës kombëtare dhe çlirimin e vendit.


Vepra ka në krye një seri kushtimesh e poezish shqip, latinisht, italisht, sllavisht, shkruar për nder të Pjetër Bogdani nga miq e të njohur të tij. Dy vjershat shqipe të Llukë Bogdanit e të L. Sumës dhe ato të vetë autorit të shpërndara në kapituj të ndryshëm të librit, me teknikën poetike përgjithësisht të sigurt janë tregues të lëvrimit të mbarë të vjershërimit shqip në këtë kohë.


Bogdani krijoi me vetëdije të plotë për ta pasuruar e përpunuar gjuhën shqipe, gjurmoi dhe vuri në qarkullim fjalë e shprehje të vjetra të lëna në harresë, krijoi edhe fjalë të reja, duke bërë përpjekjet e para për krijimin e termave në ndonjë degë të shkencës. Ligjërimi i tij dallohet mjaft herë edhe për zhdërvjelltësi e ndërtime sintaksore të një arkitektonie të sigurt. Me veprat e Pjetër Bogdani letërsia dhe gjuha letrare shqipe shënuan hapa të rëndësishëm përpara.


Për veprën e Pjetër Bogdanit kanë shkruar studiues e shkrimtarë të njohur shqiptarë e të huaj si Gaetano Petrotta, Eqrem Çabej, Faik Konica, Filip Fishta, Alberto Straticò, Mario Roques, Justin Rrota, Matteo Sciambra, Injac Zamputti, Idriz Ajeti, Ibrahim Rugova, Sabri Hamiti etj.


Në vitin 1982, studiuesi e kritiku i njohur Ibrahim Rugova botoi te Rililindja e Prishtinës librin Vepra e Bogdanit 1675–1685, që konsiderohet një nga studimet më të mira të veprës së Pjetër Bogdanit.


Në vitin 2006, studiuesja Anila Omari botoi një studim të plotë të "Çeta e profetëve" të Pjetër Bogdanit. Ka sjellë të parin studim filologjik të veprës së Bogdanit, duke tentuar edhe një publik pak më të gjerë se ai me përgatitje shkencore. Sipas Omarit, "Çeta e Profetëve" përfshin riprodhim anastatik të tekstit origjinal dhe në faqen përbri, një transkriptim fonetik shoqëruar me aparatin kritik, ku sqarohen fjalë të rralla apo shndërrime morfologjike të gjuhës së Bogdanit. Seit Mancaku, shef i departamentit të Historisë së Gjuhës, është shprehur se "ky botim përbën të parin studim filologjik për veprën e Bogdanit, duke u vënë në përdorim të një publiku më të gjerë. Një nga punët më të vështira që ka bërë Omari, është transkriptimi i tekstit".


Për sa i përket alfabetit, në përgjithësi Bogdani ka përdorur alfabetin latin, por meqë shqipja ka disa tinguj që nuk gjenden në këtë alfabet, Bogdani ka përdorur disa shenja të veçanta. Këto shenja i kanë përdorur edhe autorë të tjerë paraardhës të tij. P.sh për grafikën e Y-së e ka marrë nga një shenjë e glagolitishtes, një shkrimi të vjetër sllav - boshnjak, ndërsa fonema të tjera të shqipes Bogdani i mori nga greqishtja.



Tituj të veprave

Çeta e profetëve (Cuneus prophetarum)

Jeta e Jezu Krishtit, shëlbuesit të botës (De vita Iesu Christi, salvatoris mundi)

Këngët e Sibilave



Literatura:

^ Marlekaj, Jak (2008). Pjetër Bogdani dhe Shqipnia e kohës së tij. Shkodër: Botime Françeskane. f. 9. 978-99943-863-7-6. ... dikush thotë të ketë lé ndërmjet 1618-s e 1626-s; dikush tjetër, me arsyetime mâ të vlefshme, e saktëson vjetin, tue e mbajtë për të sigurtë 1625-n; tjetërkush, mâ në fund, beson të ketë lé më 1630, por pa sjellë në mprojtje të tezës së vet argumenta bindës. Ndër të gjitha këto data, ajo mâ e besueshmja mbahej, para disa vjetësh, ajo e 1625-n, sepse ishte e përforcueme prej nji dishmie të vetë Bogdanit, simbas së cilës ai, më 1655, na e paska pasë moshën te të tridhetat.
^ Pasho Baku: Enciklopedia universale e ilustruar. Shtëpia Botuese Bacchus, Tiranë, 2011, fq. 146 - 147
^ Marlekaj 2008, p. 11.
^ Marlekaj 2008, pp. 16-17.
^ Marlekaj 2008, pp. 24-30.
^ Shkurtaj Gj. & Hysa E., Gjuha Shqipe - Për të huaj dhe shqiptarët jashtë atdheut, Tiranë: Toena, 2001. ISBN 99927-1-454-9

Frang Bardhi ( 1606 - 1643 )


Parathënia e "Fjalorit" të Frangut të Bardhë ( 1606 - 1643 ) :

(Fragment)

Tue pasunë ditë e përditë, të dashunitë e mij, mbassi hina ndë Kolexhë, kujtuem(1) me qish(2)copë librë keshë me ndihmuem mbënjaanë gjuhënë tanë, qi po bdaretë e po bastardhohetë saa
maa parë të ve(3); e maa fort me ndimuem gjithë atyne qi janë nd'urdhënitë Tinëzot e të shintesë kishë katolike, e s'dijnë gjuhënë latine, paa të sijët askush s'munë shërbenjë si duhetë paa të madh
error(4) e faj hesaapetë(5), zakonetë ë çeremoniatë e shintesë kishësë Romësë; më ndy(6) jo pak mirë me marrë e me nkëthyesë n'gjuhët cë lëtine mbë gjuhët t'arbëneshë një dicionar, qi tjetër s'ashtë veçëse nja librë, qi kaa ndë vetëhe saa fjalë e saa emëna janë e gjindenë ndë këte pjesë shekulli(7)posikuur me thanë të nierëzet e të shtazëvet e ujënavet e të malevet e të fushavet e të saa tjerakafshëve(8), qi gjindenë ndënë qiellt, ende mbë qiellt, posikuur të Tinëzot, të engjiet e të shintënet...

I silli librë më pëlqei e m'u duk se kishte me u qenë për ndoonja ndimë, ndoonëse të pakë e të moritunë(9).

Prashtu, mbassi u daashë Kolexhiet cë Zonjësë ndë Lurijt e ershë mb'Romë pr'urdhënit të Kuvendit Shint(10)e të ndriçmit nderueshimit zot upeshkëpit Sadrimësë, tim ungjë, pr'emënë Gjeçi i Bardhë(11), fisit sinë e ndoret sonë, shumë i urtë e i vëjyeshim, i cilli, prej së dashunit të Tinëzot e së shintit Atë Papë Urbanit VIII, ashtë tash krijuem e baam argjupeshkëpi i Tivarit; e hina në Kolexhë te janë shkollarëtë, oo ata qi xanë, me vonë mbasandaj ndër të paafeet me çtuem shintenë e të vërtetënë feenë tanë,zunafijll tue këthyem këtë dicionaar mbë gjuhët tanë, e këtheva nsi(12) gjithë qish mujta; e mbassi e solla(13), m'u duk i pakë e i vogëlë, prashtu hina tue kujtuem(14) e shkrova mbe gjuhët tanë maa parë do të falunazë(15), qi kanë zakon e banjënë t'Arbëneshëtë kuur, së largu oo s'të këtje(16), mb'udhë mpiqenë, tue vumë përngjat(17) tyne ende mbë gjuhët të Latinjet; ashtu ende do proverbia oo të thana, ncë sijashit disa kanë zakon e i thonë Latinjtë e disa Taliantë; do adverbia ende, e gjithë saa kafshë janë në këtë copëzë librë, i vuna fjalë për fjalë, e maa parë mbë disa vuna latinisht, ani(18) përngjat oo përfundit vuna arbënisht, e mbë të tjera vuuna maa parë fjalënë e rieshtnë arbënisht, ani përfundit latinisht, ashtu qi ata qi të fëdigenë(19) e të duenë më xanë gjuhënë latine maa mirë e maaudob(20) t'u vinjë ...

... Prej Rome, dit ndë maaj 30, ndë vietëtë Krishti 1635. Shërbëtori i zotënijsë saaj, unë D.Frangu i Bardhë, shkollaar ndë Kolexhë të Shintesë Fee.

Shënim :

"Parathënia ..." është nxjerrë nga origjinali, që ruhet në Bibliotekën Kombëtare. Në këtë parathënie gjejmë disa
te dhëna kryesore mbi jetën e Bardhit.



Sqarime :

( 1) Kujtuem, sjellur ndër mend,menduar.
( 2) Qish, çfarë.
( 3) Saa maa parë të ve, sa më shumë shkon koha.
( 4) Error, it. gabim,
( 5) Hesaapetë, tq. konceptet.
( 6) Mëndy, m'u duk.
( 7) Në këte pjesë shekulli, në këtë pjesë të botës, në këtë vend.
( 8) Kafshëve, sendeve.
( 9) Të moritunë, të pakë,të dobët.Lurij,(Loreto),qytet në Itali, ku ishte një kolegj, me emër "Kolegji Ilirian", që pergadiste priftërinj e misionarë edhe për Shqipërinë. Punën për fjalorin,B. e filloi duke qenë akoma nxënës.
(10) Kuvendit Shint, Kuvendi i Propagandës së Shenjtë, një si organizatë e Vatikanit për propagandën fetare në vendet e
ndryshme. Mbasi kreu studimet në Loreto, B. i vazhdoi ato në një seminar të Propagandës së Shenjtë ("Propaganda Fide").
(11) Gjeçi i Bardhë, vdiq më 1647. Familja e Bardhajve duket se ishte një familje priftërinjësh, që lojtën rol me rëndësi në
kishën katolike të vendit tonë, veçanërisht që nga pjesa e dytë e shekullit XVI e gjer në pjesën e parë të shekullit XVII.
Daja i Gjeçit, Nikolla, dhe Gjeçi vetë, patën marrë pjesë në lëvizjet kryengritëse të vendit kundër Turqisë.
(12) Nsi, prej tij.
(13) E solla, s përktheva.
(14) Hina tue kujtuem, u vura të mendoj.
(15) Të falunazë, përdhëndetje.
(16) S'të këtje, së afërmi.
(17) Përgjat, pranë,përkrah.
(18) Ani, pastaj.
(19) Fëdigenë, lodhen,përpiqen.
(20) Udob, lehtë.



Frang Bardhi ose Frangu i Bardhë (lat. Franciscus Blanchus, it. Francesco Bianchi; Kallmet, 1606 - Romë, 1643) ka qenë prelat kishtar dhe shkrimtar shqiptar.

 Shquhet ndër autorët e hershëm të letërsisë shqipe, si hartuesi i të parit fjalor të shqipes (Dictionarum latino-epiroticum), botuar në Romë më 1635.

 Shërbeu si ipeshkëv i Sapës në vitet 1635-1644.


Bardhi vinte prej një familjeje që i kishte dhënë klerikë e ipeshkvinj Kishës Katolike si dhe ushtarë për Republikën e Venedikut. Studjoi në Kolegjin e Loretos dhe në Propagandën Fide në Romë. Pasi u doktorua në teologji u emërua ipeshkëv i Sapës, pa qenë më parë famullitar  në kohën e papatit të Urbanit VIII.

Më 1635 botoi në Romë fjalorin e parë të gjuhës shqipe, Dictionarum latino-epiroticum (Fjalor latinisht-epirotisht/shqip) me 5640 zëra. Në apendiksin e vet ka 113 proverba, shprehje dhe fjalë të urta, disa prej të cilave janë përkthyer prej gjuhëve të tjera në shqipe, por shumica e tyre janë vjelur nga folklori shqiptar.Më 1636 iu botua në Venedik një biografi për Gjergj Kastriot Skënderbeun, me titullin Apologjia e Skënderbeut. Vepra ishte një polemikë ndaj priftit katolik sllav Ivan Tomko Mrnavić që mëtonte se Kastrioti kishte prejardhje sllave.

Më 1636-37 vizitoi si misionar apostolik dioqezat shqiptaroveriore, ku në relacionet që i bënte Selisë Shenjte radhit të dhëna të shumta mbi historinë, gjeografinë dhe etnografinë e atyre viseve.
Relacionet me titullin Descrittione et informatione del stato del vescouato et chiese parochiali della Diocese Sappatense u përkthyen nga Injac Zamputti dhe u botuan më 1956 me titullin Relacioni i Frang Bardhi mbi Zadrimën, drejtue Kongregacionit të Propagandës në Romë në shek. XVII.

Vepra

Gjuhëtari Kolë Ashta thotë se ka 2544 fjalë si dhe numërorë, emra vendesh dhe një sasi fjalësh të urta e shprehjesh të mbledhura nga krahina të ndryshme të Shqipërisë. Kjo e bënë që Bardhi të jetë leksikografi i parë i gjuhës shqipe dhe folkloristi e etnografi i parë shqiptar i njohur deri më tani.


Flori Bruqi

Pjetër Budi ( 1566 - 1623 )


I madhi zot,qofsh lëvduom



I madhi Zot,qofsh lëvduom

për gjithë kaqë të mirë
që së kam u' merituom
me ndoonjë shërbetyrë;



qi më dhee kaqë hijr

këtë kafshë me mbaruom,
si q paçë zanë fijll,
gjithëherë tue shkruom.



Posi mendja më përcijll

nd'Arbënë me ua dërguom,
për kishë e për munështjir
pak ndë mend me i trazuom.



Ata merrë mbë dëshijr

mkatit me u peenduom,
posi pemëtë ndë prijll
ndë shpijrt me lulëzuom;



e si zogzitë ndë pyyllt,

Zoti im me të lëvduom,
ndjerë vetë nata mbyyllt,
me një zaa t'amblëtuom.





(1618)


Madhështi e njerëzve

Ku janë ata pleq bujarë,
që qenë përpara ne,
e ata trima sqimatarë,
të shpejtëtë si rrufe?

Ku janë ata djelm të ri,
të bukur e të lulzuom,
që pate pamë me sy,
me ta folë e ligjëruom?

Ku janë ata zotëninj,
që dojin me zotënuom
ndë sqimë e ndë madhështi,
këte jatë tue shkuom?

Ku janë ata perandorë
gjithë shekulli nalcuom,
në krye me një kunorë
gurëshi cë paçëmuom?

Ku janë ata letërorë
t'urtë e dijes të ndëgjuom,
të bardhatë posi borë
letëra tue kënduom?

Ku janë ato gra e vasha
ndë sqimë e ndë madhështi,
me petëkat të mëndafshta
nalcuom mbë zotëni?

Gjithë mortja i rrëzoi,
sikur i pret me shpatë,
për të ri s'i shikoi,
as të vobegë,as të begatë.


(1618)


PJETËR BUDI, VEPRA E TIJ THELB I HUMANIZMIT SHQIPTAR TË SHEKUJVE XVI - XVII

Nga Prof. Dr. Albert Frashëri

Këtë përsiatje mbi Pjetër Budin ia kushtoj Matit dhe matjanëve, këtij trualli të lashtë të shqiptarizmës, që ndikoi thelbin e formimit tim si njeri. Që në rini e kam ndjerë Matin dhe traditën kulturore të tij si pjesë të qënies sime... Më pas mësova për historinë dhe shpirtin krijues të njerëzve të kësaj krahine. Kuptova që këto ishin një shëmbëlltyrë e përkryer e historisë krahinore dhe një nga pamjet më interesante të kulturës shqiptare, që matjanët patën krijuar dhe ruajtur me përunjësi. Më pas mësova që përunjësia buron nga urtësia dhe që urtësia e ban të pavdekshëm kombin, të lirë Njeriun dhe të vetëdijshme ekzistencën e tij.

Duke shkruar mbi Rilindjen Kombëtare si univers kulturor e filozofik për sot dhe të ardhmen e kombit, më duhej të kuptoja mirë veprën e humanistëve shqiptarë. Kjo, sepse Rilindja jonë nuk lulëzoi në një mjedis të shkretë, por buroi nga tradita kulturore dhe historia e kombit. Nga ana tjetër edhe vepra e humanistëve ashtë ndikuar nga prirjet, ndjeshmëria dhe botëkuptimi i popullit shqiptar të rrënjosura në shekuj në qënien e tij. Ky burim i përbashkët i dy lëvizjeve të mëdha kulturore e patriotike shpjegon shumë ngjashmëri mes humanistëve dhe rilindasve shqiptarë, megjithë ndryshesat që rrjedhin nga rrethanat historike përkatëse.

Rilindja Kombёtare nuk ishte një rastësi e kohës, por përgjigjja logjike e botës kulturore të kombit në rrethanat historike që njohim. Kjo përgjigje ishte koherente me epopenë e Gjergj Kastriotit, me traditën kulturore të popullit dhe me veprën e humanistëve të shekujve XVI, XVII. Heroi legjendar Gjergj Kastrioti u shndёrrua nё një mit të Europës mbarë. Në Itali dhe në Europë e quajtën figurë heroike më të madhe se vetë jeta.

Ai nuk qe thjesht një prijës i madh ushtarak, por edhe nje mendimtar i hollё që e shihte krishtërimin si një nga themelet e përbashkëta të popujve europianë dhe mbrojtjen e tij si themel pёr të ardhmen e Europës. Kёtё ide e thekson me vendosmёri studiuesi italian Giorgio Otranto, profesor i Historisë së Krishtërimit Antik në Universitetin e Barit:

"Historiografia duhet të thellojë studimin e rolit që Gjergj Kastrioti ka pasur në krijimin e një ndërgjegje eurokrishtere moderne. Vepra e dyfishtë për të bashkuar vendin politikisht e për ta lidhur në mënyrë të qëndrueshme me sistemin e vendeve perëndimore, ishte një ide e projekt i ndritur dhe modern; do të thoja dramatikisht modern, një lloj intuite që e tejkalonte epokën e për të cilën Europa është ende debitore ndaj Skënderbeut dhe Shqipërisë."

Ajo epope natyrshёm forcoi vetёdijen kombёtare qё tashmё kishte njё thelb ma tё qartё: nevojёn pёr liri, traditёn kulturore, fenё dhe nё radhё tё parё gjuhёn si limfё jetёsore e identitetit kombёtar. Por pushtimi otoman e tjetёrsoi, e dёmtoi randё kёtё prirje qё u vёrejt gjatё asaj epopeje dhe pas saj. Ishte thjesht një reaksion hakmarrës i otomanëve për të shkombëtarizuar shqiptarët duke goditur gjuhën dhe fenë e tyre. Kjo, sepse tek shqiptarët kishte gjetur pengesën që e bëri të pamundur dyndjen otomane në Europën perëndimore. Islamizimi ishte proçesi qё e komprometoi mbijetesёn e vetёdijes kombëtare nё botёn shqiptare. Pikёrisht nё kёto rrethana lind vepra e humanistёve të shquar të shekujve XVI e XVII.

Nё horizontin e kulturёs shqiptare formohet dhe çfaqet vepra e njё plejade humanistёsh, nga Marin Barleti (1450 - 1512), Gjon Buzuku (1499 - 1577) e Pjetёr Budi (1566 - 1622 ), Frang Bardhi ( 1606 - 1643 ) e Pjetёr Bogdani (1625 - 1689) e shumë të tjerë. Epopeja e Skёnderbeut ndikoi thellёsisht botëkuptimin dhe veprën e tyre. Nёse nё krah tё Kastriotit veproi mendja e shquar e peshkopit dhe diplomatit Pal Engjёlli, tani nё shёrbim tё nevojave tё kombit u vunё këta intelektualë patriotё, qё nё njё essè tё mёparshme kam quajtur Plejada 5B. Cila ashtё merita kolosale e tyre?

1.Pavdekёsuan epopenё e Skёnderbeut me veprat e Marin Barletit e më pas të Dhimitër Frangut. Dy veprat e Barletit, njëra për Gjergj Kastriotin dhe tjetra mbi rrethimin e Shkodrёs, ku ai ende i ri mori pjesё, dokumentuan qёndresёn dhe heroizmin e kombit. Barleti shkruan historinë përmes mendimit humanist të tij dhe jo si klerik, sepse në rrëfimin e tij, ngjarjet historike janë vepër e njeriut dhe jo e forcave te mbinatyrshme. Pra, thellësisht humaniste pikëpamja e Barletit për historinë.

2.Pёrkthyen veprat kryesore tё liturgjisё sё krishterё nё gjuhёn shqipe. Meshari i Buzukut, pёrmban lutjet fetare qё shpejt shndrrohen nё njё shkollё, ku njeriu i thjeshtё ruan dhe pasuron gjuhёn amtare.

3.Me veprat e Budit dhe Bogdanit shqipja krijon e tregon mundёsitё shprehёse edhe nё fushёn e mendimit filozofik. Gjuha shqipe kalon sprovёn e pёrkthimeve letrare, edhe nё prozё e poezi origjinale. Mund tё citojmё veprat e Budit, pёrkthimet Doktrina e Krishtenë (1618) e Rituali Roman (1621) dhe veprёn kryesisht origjinale Pasqyra e të rrëfyemit (1621); veprat e Bogdanit, Jeta e Iezu Krishtit, kryesisht pёrkthim dhe veprёn origjinale Çeta e profetёve.

4.Nёn ndikimin e veprёs sё Plejadёs 5B pёrhapet pёrvoja e mёsimit tё gjuhёs amtare nёn kujdesin e famulltarёve patriotё. Nё thelb, shkolla shqiptare lind pikёrisht nё atё periudhё e nё forma tё fshehta, mes vështirësish të patreguara krijuar nga pushtuesi dhe forcat e errëta të shovinizmit ballkanik. Ndërsa populli vuante në një darë që e ndrydhte nga të katër anët, kujtesa e tij ruante të patjetërsuar gjuhën, këngët e trimave, legjendat, vallet e veshjet që karakterizonin identitetin e tij. Këtë thesar të madh ai e ruajti si prushin jetëdhanës nën hirin e vatrës.

Kjo frymё humaniste u shpreh nga figura tё mёdha tё botёs shqiptare, qё e tejkaluan pamjen thjesht fetare tё veprёs sё tyre. Ata ishin patriotё dhe intelektualё tё ndritur qё nuk pёrdorёn shqiptarizmёn pёr tё mbrojtur fenё. Pёrkundrazi, ata si edhe Gjergj Kastrioti, pёrdorёn fenё pёr tё mbrojtur shqiptarizmёn.

Ne sot kemi një morì të dhënash që dokumentojnë përkatësinë e plotë të traditës kulturore shqiptare në familjen e popujve europianë. Edhe pse i shtypur mes lindjes dhe perëndimit, luftrat nuk mundën të tjetërsojnë origjinalitetin e traditës kulturore popullore. Shqiptari nga hera ka kënduar këngët e tij, ka hedhur vallet e ka jetuar sipas dokeve të veta, ka tejçuar nga ati në bir legjendat në prozë e në poezi, në majat e Alpeve e në luginat e panumërta të vendit. Ai ka folur gjuhën e etërve edhe kur errësina shekullore i verbonte pamjen, por jo mëndjen. Janë zhdukur dokumenta që vështirësojnë hulumtimin e specialistave, por thelbi i kombit, folklori dhe të tjera ngjyra tipike të identitetit shqiptar nuk mund të fshiheshin nga kujtesa e kombit.

Humanistët e shquar të botës shqiptare, përputhen në kohë me Rilindjen Europiane. Shqipërimi i liturgjisë, nuk mund të mos e vërejmë, paraprin përfundimin e punimeve të Kuvendit të Trentos, (1545 – 1563). Ky kuvend ishte kundërveprimi i kishës katolike ndaj reformave luterane e kalviniste. Thelbi iluminist i humanistëve shqiptarë të asaj plejade shfaqet në shqetësimin e tyre për paditurinë e popullit dhe në përpjekjen për ta kufizuar atë sadopak. Sipas historianit Pëllumb Xhufi, gjuha shqipe ashtë mësuar shume ma parë nga kjo datë, të paktën nga shekulli XVI, falë rolit të kishës, që në veri pati Austro-Hungarinë si mbrojtës të komunitetit katolik. Kjo ndodhi edhe në komunitetet ortodokse të jugut të Shqipërisë, ku kushtet ishin më të vështira se në veri.

Duke filluar nga Budi e deri te Bogdani, veprat e tyre dёshmojnё humanizёm dhe elemente bindёs tё njё iluminizmi qё shfaqej nё botёkuptimin e tyre pёr jetёn e individit e tё shoqёrisё dhe pёr çeshtjen kombёtare.

Dua të përqëndroj këto mendime, në veprën e Pjetër Budit. Kjo, sipas mendimit tim, shpreh në mënyrën mё të plotë e mё laike një botëkuptim të qartë për çështjen kombëtare dhe thelbin iluminist që shfaqet në veprën e humanistëve shqiptarë duke filluar nga vetё Budi. Nga ana tjetër vepra e tij, një epope njerëzore e vërtetë, dëshmon ma së miri që kjo prirje humaniste në trojet shqiptare buron nga natyra e traditave kulturore të kombit.

Pёr kombin ashtё jetike tё thellohet njohja e pamjeve filozofike e kulturore qё karakterizojnё veprёn e humanistёve dhe tё Rilindjes Kombёtare. Sё dyti, nga njohja mё e thellё e pamjeve tё masipёrme do tё mund tё kuptojmё se si nё evolucionin e tyre, ato kanё pirё ujё nё gurrёn e krijimtarisё kulturore tё kombit duke shprehur shumё pamje tё identitetit tё tij. Kёshtu do tё kuptohej qartё origjinaliteti i platformёs filozofike, niveli i lartё i laiçizmit dhe karakteri thellёsisht europian i tyre.

Nuk ashtë aspak qëllimi im të radhis veprat e Budit. Dua thjesht t’i shoh ato nga pikëpamja e rolit që duhet t’i japim kësaj figure madhore e tragjike të kulturës shqiptare dhe pikërisht vendi që ai meriton ndërmjet humanistëve dhe rilindasve shqiptarë.

Budi lindi në Mat në vitin 1566, pra shumë afër me epokën e Kastriotëve, lavdia e të cilëve ishte ende e freskët përgjatë luginës dhe maleve të Matit. Budi, autodidakt, nuk mund të arrinte rastësisht ato maja të kulturës së kohës. Kjo ka qenë e mundur falë virtyteve dhe urtësisë së popullit matjan, thelb i mjedisit që formoi Budin. Kjo dhe mosfrekuentimi i shkollave të huaja sollën pavarësinë e lartë tё tij dhe origjinalitetin e formimit vetiak intelektual, si gjuhëtar, shkrimtar e luftëtar i çështjes kombëtare.

Dimë që Budi, falë përgatitjes individuale dhe studimit të italishtes e latinishtes, shërbeu si famulltar në Kosovë duke filluar nga 1587 deri në 1599. U afirmua për cilësitë e rralla njerëzore e intelektuale, pra u emërua ipeshkëv dhe zavendës i përgjithshëm i dioqezave katolike të Serbisë, ku qëndroi për 17 vjet. Nga 1616 deri në 1622 u mor me përfundimin e 3 librave të tij dhe botimin e tyre. Për këtë qëllim bëri disa udhëtime në Itali dhe arriti të botojë tre librat :



Doktrina e Krishtenë (Dottrina Cristiana), 1618

Rituali roman, 1621

Pasqyra e të rrëfyemit (Speculum Confessionis) 1621



Ne vitin 1621 Budi i shkruajti një letër të gjatë kardinalit Gozzadino, kryesisht për situatën e vendit dhe nevojën për të ndihmuar organizimin e një kryengritjeje të përgjithëshme kundër pushtimit otoman. Budi sigurisht e dinte mirë kontributin e shqiptarëve me Gjergj Kastriotin në luftën kundër hordhive osmane dhe që gjaku i bashkëatdhetarëve të tij kishte bllokuar për 25 vjet vërshimin e turkut në Europë. Ai mbeti i zhgënjyer nga indiferenca e qarqeve klerikale tё Vatikanit ndaj çështjes shqiptare. “Myslimanë e të krishterë, të gjithë duan të dalin një herë e mirë prej kësaj gjendjeje të mjeruar ose të vdesin me armë në dorë.„ - shkruante më kot Budi në letrën e tij. Klerikёt vatikanas kishin harruar qё Gjergjin e shqiptarёve, Papa Callisto III e kishte mbiquajtur Atleta di Cristo dhe Difensore della Fede.

Në këto rrethana, Budit iu desh të luftonte në disa fronte: kundër pushtimit otoman, por edhe kundër klerit të huaj në Shqipëri. Në 1622 ai organizoi një kuvend të klerikëve katolikë të zonës së Shkodrës, Ai u foli për mjerimin e kombit, për problemet e fesë e të lirisë. Zoti kërkon që besimtarëve tu flitet në gjuhën amtare, porositi ai. Tashmë ata kishin liturgji të botuar në shqip nga Buzuku dhe vetë Budi. Së dyti, ai u kërkoi klerikëve të mos pranonin famulltarë të huaj që Vatikani dërgonte në dioqezat shqiptare, pasi ata nuk e kuptonin mire gjendjen e popullit dhe nuk respektonin traditat kulturore të tij.

Në dhjetor 1622 mbytet duke kaluar lumin Drin. Mendohet që vdekja e tij të mos ketë qenë e rastit. Atë e shkaktuan qarqet antishqiptare, që shikonin tek ai një atdhetar dhe organizator të luftës për liri. Në këtë mënyrë Budi është një nga martirët e parë të kulturës shqiptare, që më pas do tё ndiqet nga shumë të tjerë. Bogdanin serbët e nxorёn nga varri e ia hodhёn qenve trupin e tij. Papa Kristo Negovanin e vranë andartët e shovinistëve grekë, sepse bënte meshë në gjuhën shqipe, Petro Nini Luarasin e helmuan pse hapi shkolla të gjuhës amtare në vendin e tij.

Shqiptarët janë ndoshta i vetmi komb që ka martirë të gjuhës amtare. Kjo dëshmon një nivel tё lartë qytetërimi. Ndjeshmëria pёr gjuhёn e kombit shqiptar ashtë e tillë në të gjithë historinë e tij. Nëse këta patriotë u bënë martirë te gjuhës, Migjeni i lutej Perëndisë t’i jepte një sinfonì. Të japësh jetën për gjuhën amtare apo t’i lutesh Zotit për tingujt e një sinfonie, tregojne ndjeshmëri artistike të rallë, humanizёm e patriotizëm të lartë.

Pjetër Budi nuk mund të interpretohet jashtë një kuadri gjeokulturor dhe as shkëputur nga tradita të vyera të krahinës që e lindi. Ai, një mendimtar humanist i formuar në rrugë autodidakte, u gjend pikërisht në një krahine të kultivuar në shekuj e me botëkuptim të hapur, sikundër njohim Matin e elegancës shpirtërore, zgjuarsisë natyrore dhe përunjësisë që karakterizon njerëzit e saj.

Nga dokumentat që njihen deri më sot, del që Budi ashtë i pari autor i prozës originale në gjuhën shqipe e që vlerësohet në rreth 170 faqe, përveç faktit që ai çfaqet edhe si poeti i parë i letrave shqipe. Po aq i rëndësishëm ashtë botëkuptimi që shpreh vepra e tij, me humanizmin dhe elemente të iluminizmit, për mënyrën si e ka shtruar dhe përballuar problemin kombëtar.



Humanizmi i Budit

Në faqet e fundit të veprës Pasqyra e të rrëfyemit, Budi ka shkruar një letër të gjatë, prej afro 70 faqesh. Në to ai jep të dhëna historike dhe, si një etnograf i kulluar, përshkruan elemente të jetës shqiptare, të cilat janë krijime origjinale në prozë. Doke dhe tradita kulturore të popullit përshkruhen me hollësi e krahas me historinë e vendit të tij. Ky koncept i Budit për historinë ashtë thellësisht humanist sepse sheh njeriun në plan të parë, së bashku me problemet jetësore të tij. Shpesh herë historia rrëfehet përmes ngjarjeve të mëdha e prej këtej lexuesi duhet të deduktojë njeriun. Përkundrazi, evolucioni i shoqërisë, në botëkuptimin e Pjetër Budit siç del nga sa shkruan ai, nuk ashtë një kronikë abstrakte ngjarjesh, por rrëfimi i njeriut dhe botës shpirtërore të tij. Për Budin pushtimi i vendit nuk ashtë thjesht prania e dhunëshme e te huajit të padëshiruar, por edhe mjerimi që rrjedh prej tij. Këtë përfundim duhet të nxjerrim duke lexuar prozën e këtij biri të madh të Matit. Ai flet për gjendjen e mjeruar që solli pushtimi i huaj dhe për paditurinë e popullit. Për këtë gjendje ai fajëson edhe bashkëatdhetarët e vet, djesitë dhe leterotetë, pra dijetarët e letrarët.

Botëkuptimi i Budit u ndikua thellë nga tradita kulturore e njerëzve që e patën rrethuar e ushqyer mendërisht. Një gjenì i tillë mbeti më i pavarur se të tjerë humanistë në zgjedhjet e tija. Perceptimi i problemit kombëtar në thelbin laik të tij e mbikaloi natyrën dhe besimin fetar të njeriut. E njëjta gjë mund të thuhet për rilindasit e shquar si vëllezërit Frashëri, Hoxha Tahsini, Papa Kristo Negovani, Ndre Mjeda, Fishta e shumë të tjerë.

Ne disponojmë 2300 vargje të dokumentuara nё botime, por asnjë nuk di me saktësi numrin e poezive që ka mundur të shkruajë e të botojë Budi dhe jo vetëm ai. Pra nuk mund te flasim me siguri për hapësirën tematike të prozës dhe poezisë budiane. Duke konsideruar vёshtirёsitё e mёdha qё sillte botimi i njё vepre nё shtypshkronjat e gadishullit italik, duhet tё hamendësojmë si shumё tё mundёshme qё veprat e botuara prej humanistёve shqiptarё tё jenё vetёm njё pjesё e vogёl e dorëshkrimeve qё ata kanё lanё. Krahas kёsaj hipoteze tё natyrёshme duhet tё kujtojmё edhe politikёn armiqёsore ndaj gjuhёs shqipe nga ana e otomanёve dhe shovinsitёve qё ligështonin dhe kufizonin jetёn kulturore tё kombit shqiptar nga jugu dhe veriu i tij.

Në poezinë e Budit shohim thelbin e dijetarit dhe patriotit humanist. Mos harrojmë që ai ashtë një ipeshkëv n’atë agim të trishtuar të shekullit XVII. Duke trajtuar problemin kombëtar ai shkruan këto vargje:



Ku janë ata pleq bujarë,

që qenë përpara ne,

e ata trima sqimatarë,

të shpejtë si rrufe?



Gjeta një koment të këtyre vargjeve, sipas të cilit: “...Në formën e një pyetje retorike, poeti shpreh ndjenjën e trishtimit dhe të kotësisë që e pushton kur mendon se të gjithë njerëzit i rrëmben vdekja.”

Komenti i vjershës mendoj që nuk interpreton drejt rrethanat kur u shkrua kjo poezi. Ne e nënkuptojmë atë sipas lirive e botëkuptimit tonë, madje jo gjithmonë arrijmë të zbulojmë mesazhin e vërtetë të artistit. Vargjet, piktura e çdo vepër arti, për vetë natyrën trascendentale të tyre, mund të interpretohen në mënyra shumë të ndryshme e të pajtueshme me pamjen formale të veprës. Prandaj, mendoj, që ato nuk mund të lexohen, kuptohen jashtë botëkuptimit të autorit dhe rrethanave historike.

Budi poet, i shqetësuar për fatin e popullit, vajton mungesën e trimave të dikurshëm për të cilët vatani kishte nevojë. Edhe ato vargje që përmendëm më lart tregojnë njёkohёsisht realizёm dhe humanizёm nё botёkuptimin e Budit. Ai nuk i drejtohet Perëndisë për çlirimin e vendit, por kërkon ata trima që kanë forcën dhe guximin për të luftuar për lirinë. Ai e njeh të drejtën natyrore të kombit të tij për të jetuar në liri ekzistencën e tij. Por krahas të drejtës duhet edhe forca. Mё vonё, Sami Frashëri, thotë që e drejta për të dalë në shesh ka nevojë edhe për forcën. Vetëm njëra nuk mjafton. A mund të fluturojë zogu vetëm me një krah? – pyet ai.

Ashtë interesant të kujtojmë qё rreth 50 vjet pas Budit, iluministat englezë përpunojnë dhe shpallin të drejtën e popullit për të kundërshtuar me forcë despotizmin, tiraninë, absolutizmin. Lëvizjet e mëdha të popujve perëndimorë kundër despotizmit apo pushtimit nga i huaji, gjejnë bazën teorike dhe të drejtën për të kundërshtuar me forcë tiraninë, në veprën e filozofit John Locke (1632 – 1704). Nën ndikimin e kësaj ideje revolucioni anglez miratoi Kartën e të Drejtave në 1689. Revolucioni amerikan, kundër pushtimit dhe despotizmit të Anglisë, në 1776 miraton Deklaratën e Pavarësisë që fillon me të drejtën natyrore për të luftuar kundër absolutizmit. Në 1789 revolucioni francez miraton Deklaratën e të Drejtave të Njeriut duke vendosur në plan të parë pikërisht atë të drejtë.

Mendoj që këtë të drejtë natyrore gjejmë në botëkuptimin dhe veprimtarinë e Budit, që dhe pse klerik i lartë, e shihte lirinë si frut të veprës njerëzore. Në formimin e këtij njeriu aq kompleks, klerik e laik njëkohësisht, mendoj që kishte zanë rranjë ideja sipas të cilës Perëndia e ka krijuar të lirë Njeriun. Vetëm me një botëkuptim të tillë ai do të kërkonte dritën e lirisë nga vepra njerëzore. Shkrimet e Budit mbi historinë e njerëzve të tij, mbi besimin fetar, doket dhe elemente të shumta të jetës së tyre, dëshmojnë pikëpamjen shumë të pasur të tij mbi ekzistencën e njeriut. Ky nuk ishte një kafshë pune, por një krijesë me botë të pasur, edhe pse i mjerë e pa liri. Botëkuptimi i tij mbi Njeriun shpreh thelbin humanist të Pjetër Budit, bir i Matit dhe Shqipërisë.

Në tre vitet e fundit të jetës ai u end midis trojeve shqiptare dhe gadishullit italik me shpresën e një ndihme për kryengritjen çlirimtare të armatosur që kishte përgatitur e për të cilën gjejmë konfirmim në letrën që ai i shkruante kardinalit Gozzadino. Pati vetëm zhgënjime të thella nga këto përpjekje të vetmuara.

Gjon Buzuku përktheu Mesharin dhe jo Ungjillin, sikundër bëri Martin Luteri në Gjermani. Kjo vepër e Buzukut ia besoi gjuhës amtare meshën e besimtarëve duke e shndërruar kishën në një shkollë të vërtetë të shqipes. Budi, nga ana e tij, me veprën e vet zhvilloi më tej aftësitë e gjuhës shqipe jo vetëm me përkthime, por kryesisht me vepra letrare originale, të denja për traditën kulturore të kombit të tij. Vepra e Budit hap një faqe të re në evolucionin e shqipes. Pёrparimi i gjuhës kombëtare, për të gjitha vendet, i hap rrugën emancipimit të shoqërisë në të gjitha pamjet e saj. Me kёto cilёsi dhe patriotizmin e pakompromis tё tij, vepra e dokumentuar e Pjetёr Budit do konsideruar monumentale.

Humanizmi i thellë i veprës së Budit përkon në kohë me Rilindjen europiane, edhe pse ashtë ende shumë herët. Ai nuk ka studjuar në auditoret e vendeve perëndimore. Kjo na jep të drejtë të mendojmë që botëkuptimi i këtij qytetari të madh të Arbërit, të jetë shprehje e humanizmit të popullit të tij.



Dy fjalë për Iluminizmin

Për të kuptuar komponenten iluministe të botëkuptimit të Budit, le të shohim me dy fjalë se si lind iluminizmi në Europë dhe cili ashtë kuptimi themelor i tij.

Krahas lindjes dhe zhvillimit tё marrёdhёnieve kapitaliste nё Angli, Francё e Gjermani sistemet filozofike qё mbizotёronin Europёn, pёsuan ndryshime tё ndjeshme. Prirja kah njё botёkuptim i lirё, jo dogmatik, ishte njё nevojё e shoqёrisё qё linte pas feudalizmin. Pikёrisht kjo liri do tё sillte, si njё nga frutet e saj, idenё e njё qytetari ma tё emancipuar e ma të vetëdijshëm për jetën e vet.

Iluminizmi nё format e ndryshme (kryesisht anglez, gjerman e francez) ka udhёhequr formimin spontan të identitetit tё shoqёrisё europiane moderne. Idetё e tij gradualisht shndrrohen nё njё thelb tё pёrbashkёt tё kodit gjenetik tё popujve perёndimorё pavarёsisht nga ndryshesat qё kёta popuj kanё patur e kanё midis tyre.

Nё kulturёn iluministe europiane nё fushёn e teorive filozofike e shkencore shquhen dy mendimtarё, Isaac Newton (1642 – 1727) dhe John Locke (1632 – 1704). I pari ashtë themelues i filozofisё natyrore moderne, pra i njohjes shkencore tё Natyrёs. Tek i dyti iluminizmi njeh mjeshtrin e filozofisё politike, të teorisё sё njohjes dhe të liberalizmit klasik. Newton themeloi mekanikёn klasike qё na jep mundёsinё tё kuptojmё e shpjegojmё nё mёnyrё tё arsyetuar Universin dhe arkitekturёn e tij. Pёr herё tё parё njeriu kuptoi qartё dhe drejt strukturёn e sistemit diellor dhe arsyen e lёvizjes sё planeteve rreth Diellit. Locke me studimet mbi kriticizmin, intelektin, teorinё e njohjes dhe tolerancёn fetare i hap rrugёn rolit tё Njeriut nё krijimin e dijes duke dobёsuar prirjen kah dogma qё deri nё atё kohё mbizotёronte. Gjithashtu Locke sjell kontribute tё randёsishme edhe nё teorinë e organizimit tё shtetit modern, veçanёrisht me teorinё e ndarjes sё pushtetit nё zbatues, ligjvёnёs dhe tё drejtёsisё, tre hallka kёto qё duhet tё jenё tё pavarura.

Sikundёr pohon edhe filozofi i madh francez, Voltaire, iluminizmi ze fill nё Angli dhe pёrhapet nё Europё me kontributin e figurave ma tё shquara tё kulturёs. Nё Angli kjo pёrputhet me periudhёn pas Revolucionit tё shek. XVII, qё nё thelb u drejtua kundёr absolutizmit. Figura tё shquara tё iluminizmit europian gjejmё nё tё gjitha vendet kryesore. Nё Gjermani, Gottfried W. Leibniz (1646 – 1716), Immanuel Kant (1724 –1804); nё Francё, Voltaire (1694 – 1778), Diderot (1713 – 1784); nё Angli, John Toland (1670 – 1722), Samuel Clark (1675 – 1729). Anthony Collins (1676 – 1729), etj.

Kёshtu iluminizmi europian shfaqet me ngjyra kombёtare, por krijon edhe njё botёkuptim tё pёrbashkёt qё sendёrtohet nё lirinё e njeriut (falё pёrdorimit tё arsyes, inteligjencёs vetiake), nё refuzimin e absolutizmit dhe nё tolerancёn. Idetё e iluminizmit europian ndikuan dhe frymёzuan shumё mendimtarё tё tё ashtuquajturit Revolucion Amerikan, si Thomas Jefferson (1743 - 1826), Benjamin Franklin (1706 - 1790) qё luajtёn njё rol tё madh nё kulturёn dhe jetёn politike tё kolonive angleze nё kontinentin e ri dhe mё pas nё shtetin e porsaformuar amerikan.

Ndёr mendimtarёt iluministё englezё spikatin idetё e Deizmit, njё rrymё sipas sё cilёs botëkuptimi fetar nё tёrёsinё e vet duhet dhe mund tё jetё racional, i arsyeshёm. Sipas tyre ky racionalizëm do tё jetё nё gjendje tё refuzojё ato pamje tё doktrinës fetare qё nuk gjejnё njё shpjegim nga arsyeja e thjeshtё. Tё tilla do tё ishin mrekullitё, dogmat, ekzistenca e njё Zoti personal, etj. Disa mendimtarё tё ilumnizmit anglez, si Toland, Collins, etj., u pёrpoqёn tё shpjegojnё kёto aspekte tё doktrinёs dhe praktikёs fetare, si njё realitet trashendent, irracional, pra tё pranueshёm nga njё arsye trascendentale e pakapshme nga qёnia njerёzore. Deizmi anglez, tregon ekzistencёn e njё tёrёsie tё vёrtetash qё janё tё pёrbashkёta pёr tё gjitha besimet fetare. Kjo do tё ndihmonte nё krijimin e njё fryme tolerance reciproke ndёrmjet tyre. Vlera e veçantё e kёsaj ideje lidhet me numrin e madh tё besimeve tё sferёs sё krishterё qё ishin e janё tё pranishme nё vendet veriore tё Europёs.



Thelbi iluminist i botëkuptimit të Budit

Figurat e cituara më lart fillojnë nga gjysma e dytë e shekullit XVII, pra pas Budit. Nga ana tjetër ato ide të njeriut të emancipuar me anën e dijes dhe kërkimit të së vërtetës, lidhen edhe me spiritualitetin. Ato ide lindin në lashtësi me Sokratin, Platonin, Demokritin e të tjerë. Botëkuptimi i tyre kishte humbur në errësirën mesjetare që mbuloi Europën pas ungjillizimit të popujve perëndimorë. Në shekullin XVII fillon të ringjallet ai botëkuptim i lashtësisë që do të bëhet thelb i iluminizmit europian. Nga ana tjetër humanizmi dhe fryma iluministe në kuptimin e masipërm, ashtë në natyrën e mirëfilltë të njeriut dhe përfaqëson thelbin e urtësisë së tij. Të tillë e nxori në dritë Sokrati pikërisht si një mendimtar popullor e që Platoni e formalizoi në veprat e veta, por si botëkuptim të Sokratit.

Intelektualë të vendeve europiane shkruajtën me qindra vepra mbi këto probleme dhe krijuan një kuadër shumë të qartë të filozofisë dhe botëkuptimit iluminist. Kjo vepër u krijua në një hark kohor prej jo më pak se 200 vjet.

Kur thashë që Budi e parapriu iluminizmin europian, nuk nënkuptoj filozofinë e formalizuar në traktate të shkruara në ato vende të lira dhe të emancipuara që nuk njohën pushtimin otoman. Pjetër Budi ashtë njeri i urtë si Sokrati. Ai tregoi plagët e kombit të tij pa i përzjerë ato me fenë edhe pse ishte një fetar i bindur. Mjerimi dhe padituria, mungesa e shkollave dhe problemi i gjuhës. Kjo ashtë diagnoza e Budit për vendin e tij.

Së pari, Budi vuri në themel të botëkuptimit të tij rolin e gjuhës në jetën dhe emancipimin e kombit. E çfaqi këtë bindje edhe kur u kërkonte klerikëve të ndihmonin më shumë për të mësuar fëmijët, sidomos në shkrimin e gjuhës amtare.

Së dyti, pohimi i tij mbi Zotin që lyp gjuhën amtare si mjet të komunikimit me besimtarin, përbën një hap të madh në jetën fetare të popullit. Ai do të lutej në gjuhën e vet e jo në latinishten që edhe besimtarët italianë nuk njihnin. Duke u kërkuar klerikëve që të bënin meshat në shqip, ai i jep liturgjisë së zbatuar një karakter më njerëzor, pikërisht sepse bëhet më e kuptueshme, pra minimizon natyrën dogmatike të saj. Do të jetë ky një parim i madh iluminist që zen fill në Angli tej gjysmës së dytë të shekullit XVII. Budi, pra, duke pёrdorur gjuhёn amtare nё tё gjitha shёrbimet liturgjike, krijon mundёsinё qё ajo tё mos vyshket, por tё pasurohet edhe me pamjen fetare tё jetёs sё njeriut. Gjuha, mjeti universal i marrëveshjes njerëzore, ndriçon edhe tё kuptuarit dhe pёrvetёsimin e dijes. Pёr kёtё arsye, edhe nё kёtё kandvёshtrim ai na shfaqet njëherësh si humanist i madh dhe iluminist shumё i hershёm e thellësisht kombëtar.

Sё treti, Kisha predikonte pёrparёsinё e saj nё njohjen e botёs duke zavendёsuar dijen qё buron nga arsyeja dhe pёrvoja, me dogmёn fetare. Ky botёkuptim e linte nё errёsirё popullin. Budi shpall botёrisht shqetёsimin e vet pёr paditurinё e njerёzve. Ai shihte pikёrisht te dija dritёn e shpёtimit nga robёria, sepse dija e ndёrgjegjёson njeriun pёr nevojёn e emancipimit, prej nga vjen natyrshёm kuptimi pёr lirinё si kush thelbёsor i ekzistencёs sё Njeriut. Ky ashtё parimi mё i randёsishёm i iluminizmit europian. Eshtё ai parim qё e shndёrron njeriun nga i urdhёruar, nё qytetar tё lirё. Pra ashtё dija ajo qё i jep dinjitetin njeriut dhe pamjen e qytetarit tё shoqёrive demokratike tё ardhshme.

Në këtë çeshtje Pjetër Budi ashtë një qytetar i madh i kombit që e lindi. E shoh si qytetar sepse ai u orientua qartë ndërmjet teologjisë dhe filozofisë apo urtësisë popullore. Urtësia e njerëzve që e rrethonin i thoshte që dija ashtë forca e Njeriut. Ka një fjalë të urtë të bashkatdhetarëve të Budit: Kur njeriu me penë ndesh njeriun me pushkë, ky i fundit ashtë një qënie e vdekur. Më pas Sami Frashëri do të thoshte: Në do të korrësh mbas një viti, mbill grurë; në do të korrësh mbas një shekulli, ndërto shkolla.

Gjeniale mënyra se si evindentohet forca e diturisë në këto dy fjalë të urta.

Budi, nga një anë bart parimin e lashtë të kërkimit të së Vërtetës, si çlirim të Njeriut, sikundër vjen nga qytetërimet antike mesdhetare të parakrishtërimit. Nga ana tjetër edhe Ungjilli i jep po atë vlerë kërkimit të së Vërtetës. Ndryshimi mes tyre qëndron ne faktin që teologjia pretendon primatin e dijes, që në këtë mënyrë çfaqet si një farë dogme. Në botëkuptimin e Pjetër Budit, Liria ashtë e Vërteta. Kërkimi i saj do të kishte kuptimin e luftës me armë kundër pushtuesit. Ndërmjet tyre Budi zgjodhi rrugën e laikut edhe pse ishte një ipeshkëv i kishës katolike. Pra kemi të gjitha arsyet për ta quajtur një Qytetar Laik të pashoq, n’atë agim të largët të shekullit XVII.

Ai nuk shpresoi në mrekullitë që mund të sillnin lutjet drejtuar Zotit, por mendoi dhe veproi si iluminist i vërtetë në krah të së drejtës për të luftuar kundër pushtuesit dhe despotizmit të tij. Ai vdiq në 1622, pra të paktën gjysëm shekulli para veprave të para të iluminizmit të hershëm anglez.



Ndikimi i Budit në veprën e humanistëve në trevat shqiptare

Për fat të keq dihet shumë pak për jetën e Gjon Buzukut dhe vepra të tjera të mundëshme të tij. Në arkivat e Vatikanit fshihen shumë të vërteta të kësaj lëvizje të ndritur që zen fill nga gjysma e dytë e shek. XV e vazhdon pa ndërprerje të paktën deri në fund të shek. XVII. Sigurisht nuk disponojmë gjerdanin e plotë të veprave të humanistëve të asaj kohe. Drejtuesit e shtetit shqiptar nuk kanë treguar kujdes për ta mbështetur kërkimin në arkivat e huaja dhe as për të joshur studjues të huaj në këto hulumtime.

Buzuku ndrit vitin 1555 me botimin e Mesharit. Jeta dhe vepra e Budit shkon nga viti 1566 deri më 1622 e, pas tij, Frang Bardhi e Bogdani.

Le të shohim shpërndarjen kohore të veprave kryesore të humanistëve të asaj kohe:



1504 dhe 1508 Marin Barleti boton veprat për epopenë e Skënderbeut

1555 Gjon Buzuku botoi Mesharin

1616 – 1621 Budi boton: Doktrina e Krishtenë (1618), Rituali roman (1621) dhe Pasqyra e të rrëfyemit (1621)

1635 Frang Bardhi botoi fjalorin latinisht – shqip

1680 – 1688 Pjetër Bogdani botoi veprat e tij, ipeshkëv i Shkodrës nga viti 1657 deri në 1677.



Nga diagrama duket se si me veprat që ne njohim deri më sot, do të mjaftonte epopeja e Kastriotëve dhe Plejada 5B për të mbuluar harkun kohor nga 1400 deri ne hyrje të shek.XVIII. Barleti botoi dy veprat monumentale të tij në latinisht. Buzuku i madh shqipëroi librin themelor të liturgjisë duke e kthyer kishën në një shkollë të gjuhës amtare dhe këtë e bëri para se të përfundonte punimet Kuvendi i Trentos. Deri këtu njohim një vepër në shqip, përkthimin e Buzukut. Le të shohim gjeokronikën që tregon rolin e veçantë të Matit dhe Budit.

Epopeja e humanizmit fillon me veprën e Kastriotëve. Duhet të shohim si një të vërtetë të madhe faktin që kjo ashtë e para ngjarje e madhe që shpreh një vitalitet, jo të princave të veçantë, por të mbarë shqiptarëve. Këtë mundi ta sendërtojë në një luftë titanike një bir i Matit, fisnik, diplomat, strateg i madh e patriot laik. Asnjë hero i asaj periudhe nuk gjendet i pavdekësuar në portrete që hijeshojnë muret e qindra kështjellave të Europës. Përmes kësaj epopeje Europa për herë të parë perceptoi realisht ekzistencën e një kombi të njësuar në gjuhën shqipe dhe në traditën kulturore të krishterë.

Budi jetoi dhe veproi si patriot dhe krijues i të parës prozë dhe poezi në gjuhën shqipe. Ashtë pak e besueshme që Budi të mos e ketë njohur Mesharin e Buzukut. Ndershmëria intelektuale na e lyp ta bëjmë këtë hipotezë ma se të natyrëshme. Nga ana tjetër duhet të kuptojmë që të gjitha veprat e humanistëve, me ndikimet reciproke mes tyre, përbajnë një lëvizje unitare e logjike, kombëtare e patriotike, shkencore dhe thellësisht humanitare.

Frang Bardhi (1606 – 1643) erdhi si ipeshkëv i Sapës dhe Sardës në vitin 1636, pra vetëm 14 vjet pas botimit të tre veprave të Budit dhe fundit tragjik të tij. Ishte Frang Bardhi që kërkoi me ngulm të gjykohej ai që mendohej të kishte mbytur Budin. Gjyqi u bë dhe të akuzuarin e nxorën të larë duke zhgënjyer Bardhin. Konflikti që Budi pati krijuar me hierarkinë klerikale buronte nga pavarësia e atij njeriu të madh e kjo i solli vdekjen fizike dhe shenjtërimin në gjirin e kombit të vet.

Sapa dhe Sarda jane një vrap pele nga Shkodra, Zadrima dhe Lezha, ku Budi kishte mbledhur në kuvend klerikët e atyre krahinave, pikërisht porsa kishte botuar tre veprat e tija ne Romë. Në vitin 1658 Bogdani emërohet ipeshkëv i Shkodrës dhe administrator i Tivarit, ku qëndroi deri në vitin 1677 kur u emërua arqipeshkëv i Shkupit.

Pra, nga kjo gjeokronikë del e qartë që në një krahinë të vogël e nga më të zhvilluarat e trojeve shqiptare, tre klerikë të lartë kanë jetuar, vepruar e botuar veprat e tyre. Del shumë i qartë ndikimi i madh që duhet të ketë patur vepra e mjeshtrit të fjalës shqipe dhe patriotit Pjetër Budi në jetën e Bardhit e Bogdanit. Kjo del qartë edhe nga botëkuptimi dhe vepra jetësore e tyre.

Bogdani shpreh pikërisht pikëpamjen e Budit mbi gjendjen e mjeruar të vendit. Budi në krye e më pas Bogdani e quajtën paditurinë si plagën më të randë. Mëkati dhe padija, sipas Bogdanit ishin problemi i kohës. Kur fliste për mëkatin në nivel kombëtar, Bogdani sigurisht kishte parasysh ata që i kthyen krahët krishtërimit. Në këtë çështje, mendoj që Budi të ketë qenë më objektiv e diplomat si dhe njeri i urtë. Kjo për dy arësye.

Së pari, shqiptarët u martirizuan nga otomanët si pasojë e luftrave dhe kryengritjeve duke filluar nga shek. XV, gjë që popuj të tjerë nuk kishin bërë. Në Perandorinë Otomane, shqiptarët ishin të vetmit që nuk kishin të drejtë të hapnin shkolla në gjuhën amtare. Dhe kjo si mallkim e hakmarrje për veprën monumentale të Gjergj Kastriotit. Pra islamizimi i një pjese të mirë të popullit u bë në kushte që kombet e tjera të Ballkanit nuk kishin njohur.

Së dyti, duke mos e quajtur mëkat konvertimin në fenë e pushtuesit, Budi ashtë treguar diplomat realist që e njihte mirë natyrën e shqiptarit dhe dinjitetin e tij. Konvertimi nuk duhej quajtur mëkat, për të mos rrezikuar unitetin e kombit jo vetëm në lidhje me luftën për liri, por edhe për të ardhmen e tij.

Nga kjo pikëpamje, mendoj që Pjetër Budi, me veprën tërësore të tij, shprehu pamjet më të mira të traditës kulturore e patriotike të krahinës matjane që e lindi dhe e formoi si njeri. Kjo ka dhe nje arësye të fortë në gjurmën ngahera të freskët që pati lanë vepra e Gjergj Kastriotit në vendorigjinën e tij. Mendoj, që ekzistenca intelektuale e Budit, si bir i Matit të lashtë, jo vetëm ashtë ndikuar fort nga vepra e Gjergjit, por së bashku ato plotësojnë njëra tjetrën, nga rrafshi i luftrave dhe përpjekjeve diplomatike të heroit kombëtar deri në veprën intelektuale të Budit. Nëse Gjergj Kastrioti, theksoi faktorin e krishterë në luftën që udhëhoqi, Budi i dha rolin e patjetërsueshëm e thelbësor gjuhës shqipe, edhe pse ishte një prelat i kishës katolike.

Konsideroj të natyrëshme ta shohim Budin si mjeshtër e prijës të humanizmit shqiptar. Ky pohim do të shprehte mirënjohjen tonë ndaj tij, por edhe një nevojë për t’i dhanë kuptim ma të qartë evolucionit të humanizmit në botën shqiptare. Kjo lëvizje e madhe kulturore e patriotike nuk ishte një rastësi, por bijë e traditave kombëtare dhe veprës së mirëfilltë të intelektualëve shqiptarë.



Rilindja Kombëtare dhe humanistët tanë kanë një thelb të përbashkët, që buron nga gurra e urtësisë popullore

Kërkova të thelloj njohjen e veprës së Budit nga ana ime, në kuadrin e një studimi për universin filozofik e kulturor të Rilindjes Kombëtare. Duhej të tregoja që Rilindja ishte lëvizja më e madhe e këtij lloji në historinë e kombit shqiptar. Nga ana tjetër, problemi im i mirëfilltë ishte të kuptoja arësyet pse kjo lëvizje nuk ishte një krijesë në shkretëtirë, por shprehu dhe zhvilloi më tej traditën e humanistëve të shekujve XVI e XVII, mes të cilëve prin e ndrit ylli i Pjetër Budit. Pse pikërisht Budi?

Sepse vetëm te ai, edhe pse prelat i kishës, gjejme një formë të qartë të një iluminizmi të hershëm dhe patriotizmi të flakët. Budi nuk e konceptoi dhe as e mbështeti shqiptarizmёn mbi fenё, por mbi gjuhёn dhe traditat, mbi elemente karakterizues tё jetёs, sikundёr pёrshkruan nё 70 faqet e fundit të librit Paqyra e të rrëfyemit. Pra Budi paraprin njё koncept modern tё shqiptarizmёs, pikёrisht pse niset nga traditat e kombit dhe jo nga feja si element karakterizues i tij.

Në se qëndron kuptimi mbi Shqiptarizmën ?

Termi shqiptarizëm ashtë përdorur nga rilindasit. Por kuptimi për shqiptarizmën shpesh herë mbetet intuitiv. Rilindasit na mësojnë që intuita mund të gabojë dhe nuk ashtë e mjaftueshme për të bindur njerëzit. Intuita na ndihmon të bëjmë hipoteza të arsyeshme, që më pas kanë nevojë për verifikime në përvojën njerëzore apo edhe të vërtetohen teorikisht, sikundër vjen nga agimi i iluministëve të Anglisë, shkencëtarë e filozofë të shekujve XVII, XVIII.

Shembulli i punës kolosale që rilindasit kanë bërë për vetëdijën kombëtare, art e shkencë njëherësh, na bind që edhe ato ndjenja të thjeshta e të natyrëshme, kanë nevojë tu jepet kuptim e përmbajtje të qarta. Në lidhje me shqiptarizmën, une po kufizohem të tregoj vetëm se sa i ndërlikuar ashtë ai kuptim, pra që ka nevojë të studjohet e kuptohet në tërësinë poliedrike të tij.

Periudha e kalimit nga ilirët në shqiptarët përputhet pjesërisht edhe me kohën e dyndjeve sllave në trojet ilire. Në ata shekuj ilirishtja shndrrohet dhe merr formën e shqipes. Trojet e të folmes shqip ngushtohen në favor të fiseve sllave që dyndën në rajon: një pjesë nën mbrojtjen e kishës së Romës, të tjerë të joshur e përkrahur nga kisha bizantine. Të parët gradualisht u konvertuan në katolikë, të tjerët pas shiizmës u kthyen në ortodoksë. Principatat shqiptare, pas shekullit X rigjenden me një gjuhë të përbashkët, pra me shqipen, bija e vetme e ilirishtes. Ndërkohë, deri në momentin e shiizmës, këto principata janë shqipfolëse dhe të krishtera (ende nuk ka katolikë e ortodoksë). Pas ndarjes (shek. XI) këto krahina bashkëjetojnë, (me gjithë luftrat mes tyre si në të gjitha principatat e krishtera të Europës), me të nëjtën gjuhë dhe me dy besime fetare, tashmë të ndryshme. Me pushtimin otoman dhe epopenë e Gjergj Kastriotit, motivi që i mban bashkuar ato principata nuk ёshtë feja. Tashmë dy besime fetare të ngjashme, por njëra me kryet kah perëndimi e tjetra kah lindja. Me këtë mund të interpretohet flamuri i Kastriotëve me shkabën dykrenare që sheh kah lindja e perëndimi. Janë të pandërprera qëndrimet armiqësore të shovinizmave greke e serbe ndaj trevave shqipfolëse e të kombit më të vjetër të gadishullit, siç shkruan Marin Sirdani në studimin Vepra atdhetare e françeskanve në Shqypni.

Ashtë e natyrëshme të mendojmë që pikërisht ato qëndrime armiqësore bënë që në ndërgjegjen kolektive të zotërojë faktori gjuhë mbi atë fetar. Mbizotërimi i faktorit gjuhësor, fillimisht spontan, përcaktoi de facto gjuhën si karakterizues të kombit dhe jo fenë. Ky ishte një gjenialitet i kombit, shprehur në forma spontane e intuitive, pastaj edhe i princave dhe intelektualëve të të gjitha kohëve. Kjo e vërtetë shpreh një thelb iluminist në natyrën e shqiptarëve, që e konceptuan ekzistencën e tyre rreth gjuhës së përbashkët dhe jo mbi besimet fetare, sikundër kanë bërë popuj të tjerë. Motivi kryesor ishte realiteti i një kombi shqipfolës që i bashkoi nën Skënderbeun ato krahina. Natyrisht, nga pikëpamja politike, Gjergj Kastrioti përdori edhe krishtërimin si armë të tij, dhe këtë e bëri duke mbajtur shikimin kah perëndimi. Po të kishte qenë feja në plan të parë, atëhere ortodoksët do luftonin në krah të grekëve apo serbëve, që nuk bënë një luftë të vërtetë kundër sulltanit, madje Serbët me krushqira deshën të hiqeshin si miq e aleatë të Turqisë.

Pra epopeja e Kastriotit sanksionoi të qënurit shqiptar si thelb të kombit. Ky thelb, natyrisht nuk përmban vetëm gjuhën, por edhe historinë dhe traditën kulturore të tij. Ajo pasurohet me veprën e humanistëve e më tej me kontributin e madh të Naim Frashërit e poetëve të tjerë dhe me eksperiencën e Lidhjes së Prizrenit që bashkoi rreth çeshtjes kombëtare të gjithë pa dallim feje o krahine.

Vepra e rilindasve dhe jeta e tyre personale harmonizojnë pikëpamjen politike me atë filozofike e historike si dhe me veprën letrare madhore të Naim Frashërit, që pasqyron, hulumton e shpreh me mjeshtëri artistike të rrallë të gjitha idetë e mësipërme.

Pra gjuha ashtë vetë thelbi i shqiptarizmës dhe gjaku i saj. Ekzistenca e kombit endet rreth shqiptarizmës, si ind gjithformues i një krijese të paqme e me zemër të madhe, që ushqen çdo qelizë të saj me pamjet e shumta të kulturës dhe historisë, ndjenjave dhe idealeve të tij.

Gjuha si thelb i shqiptarizmës dhe ideja e dijes si kusht themelor i çlirimit të Njeriut dhe emancipimit të kombit, çfaqen me qartësi ndër humanistët dhe rilindasit tanë, edhe pse të ndarë nga një errësirë kohore më se dyshekullore. Ashtë shumë e mundur që rilindasit të mos e kenë njohur veprën e humanistëve, sepse librat e tyre nuk ishin të disponueshme në ate kohë. Atëherë si ashtë e mundur që ato dy lëvizje të kenë patur atë thelb të përbashkët?

Fakti që ato kanë një thelb të përbashkët ka vetëm një shpjegim: ato lëvizje apo ma mirë, botëkuptimi që ato shprehën, e kanë burimin në traditën kulturore të kombit, në identitetin dhe natyrën thellësisht paqësore të tij. Ato lëvizje lindën në rrethanat tragjike të pushtimit otoman. Ura për të kaluar nga humanizmi shqiptar i shek. XVI e XVII në Rilindjen Kombëtare të shek. XIX, ashtë sigurisht gurra e kulturës së popullit dhe botëkuptimi thellësisht laik i tij. Si humanistët ashtu edhe rilindasit shprehën natyrshëm këto tradita e në forma te pajtueshme me rrethanat historike, prandaj janë aq të mëdhenj e harmonizohen magjishëm me njëri tjetrin. I pari që ka perceptuar e, më pas, tejçuar në universin kulturor kombëtar këto prirje humaniste e iluministe, ashtë padyshim Pjetër Budi, ky bir i ndritun i Arbërit, zemër e të folmes shqip, vendorigjina e Kastriotëve dhe djep i vetëdijes kombëtare.





Botuar në revistën Emathia, viti 2014 n.1

Botuar në blogun Dars (Klos), Mat – Albania, më 13 janar 2017





Bibliografia :

1.Edwin E. Jacques, The Albanians: An Ethnic History from Pre-Historic Times to the Present, Mc.Farlands & Company, Inc. Publishers, Jefferson, Nord Carolina, 1995

2.Giorgio Otranto, Dagli Illiri agli Albanesi, Konferenca e Komisionit të BE mbi edukimin ndërkulturor, në Puglia, vëllimi përmbledhës i kumtesave botuar nga IRRSAE Puglia, 1992, Bari (pag. 31- 48)

3.Albert Frashëri, Valori e problemi della cultura albanese nei riflessi sulla scuola, Konferenca e Komisionit të BE mbi edukimin ndërkulturor, në Puglia, 1992, vëllimi përmbledhës i kumtesave botuar nga IRRSAE Puglia, 1992, Bari (pag. 260 - 279)

4.Albert Frashëri, Spiritualiteti në hapësirën mes shkencës e artit, Kontrapunkt (insert për artet, në Gazeta 55), 29.04.2013

5.Albert Frasheri, Sulla definizione impossibile della creatività umana, “Spiritualità e arte”, Umbria 2010

6.Albert Frashëri, Pavarësia e Shqipërisë – bijë e Rilindjes Kombëtare, Gazeta Koha Jonë, 11 qershor 2012, Tiranë

7.Albert Frashëri, Idetë e Rilindjes Kombëtare dhe shkolla si themel i demokracisë, Gazeta Koha Jonë, 17 maj 2013, Tiranë

8.Albert Frasheri, Idete e Rilindjes Kombetare si Univers filozofik e kulturor per te ardhmen e kombit, Shtepia Botuese e Librit shkollor, Tirane 2014

9.Hannah Arendt, The Origins of Totalitarism, 1951, New York

10.Àt Marin Sirdani, Vepra atdhetare e françeskanve në Shqypni, Revista Hylli i Dritës, n. 12, 1940, Shkodër

11.Kuvende Shkencore në Frashër (2004 - 2010), botim i komunës së Frashërit, 2010

12.L. Tornatore, G. Polizzi, E. Ruffaldi, Filosofia, testi e argomenti, Vol.1, 2, 3, 4 Loescher Editore, 2000 , Torino

13.Immanuel Kant, Risposta alla domanda: che cos’è l’illuminismo?, 1784

14.Bertrand Russell, Sceptical Essays, Routledge Classic 2004, Oxford

15.Alfred Frashëri, Shqipëria që të përparojë duhet të vërë në jetë mësimet që rilindasit na i dhanë 135 vjet më parë, Botuar në Gazetën Dita, 11 Korrik 2013 dhe në Gazetën Telegraf, 22 Tetor 2013

16.La Bibbia, Edizioni Paoline [Vangelo secondo Giovanni, Cap.8], Milano, 1990

17.Mauro Maggio, “Buddha, la serenità”, di Liberamente Editore, Trento 2008

18.Luciano Zamperini, “Platone”, di Giunti Gruppo Editoriale, Firenze (Demetra), 2006

19.Giovanni Reale, “Saggezza antica”, Raffaello Cortina Editore, Milano, 1998

20.Albert Einstein, Come io vedo il mondo, Grandi tascabili Economici Newton, Roma 1988

21.Albert Einstein, Pensieri, idee, opinioni, Grandi tascabili Economici Newton, Roma 2004

22.Confucio, Massime (La Religiosità Laica), Newton Compton Editori s.r.l, Roma, 1995

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...