Agjencioni floripress.blogspot.com

2020/04/24

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump propozoi metoda të pazakonta për trajtimin e koronavirusit të ri (COVID-19) në një konferencë në Shtëpinë e Bardhë, përfshirë rrezet ultravjollcë dhe injektimin e dezinfektuesve.

Rezultate imazhesh për donald trump
“Pra, duke supozuar se e godasim trupin me një dritë të jashtëzakonshme, qoftë ultravjollcë apo një dritë shumë e fuqishme. Dhe unë mendoj se ju do të thuani se kjo nuk është kontrolluar, por ju do ta provoni atë. Duke supozuar se hodhët dritën brenda trupit, e cila mund të bëhet përmes lëkurës ose me ndonjë mënyrë tjetër. Tingëllon interesante”, u tha Trump gazetarëve.

Vërejtjet e tij erdhën disa minuta pasi William Bryan, ushtrues i detyrës së Drejtorisë së Shkencës dhe Teknologjisë në Departamentin e Sigurisë së vendit, tha se drita diellore ka të ngjarë se vret virusin si në sipërfaqe ashtu edhe në ajër.

“Kemi parë efekt të ngjashëm me temperaturën dhe lagështinë ku rritja e temperaturës dhe lagështisë, ose të dyjat, në përgjithësi janë më pak të favorshme për virusin”, tha Bryan.

Më vonë, Trump doli me një trajtim tjetër, këtë herë duke sugjeruar përdorimin e dezinfektuesve.

“Dhe pastaj e shoh dezinfektuesin se si e nokauton atë brenda një minute. Një minutë. Dhe a ka ndonjë mënyrë që ne mund të bëjmë diçka të tillë me injeksion brenda ose me pastrim? Siç e shihni, ajo futet në mushkëri dhe bën një varg të jashtëzakonshëm në mushkëri, kështu që do të ishte interesante ta kontrolloni këtë. Do të duhet të bëni këtë me mjekët, por kjo më duket interesante”, tha Trump.

“Dhe kështu do ta shohim. Por, i gjithë koncepti i dritës, mënyra se si e vret atë në një minutë, është shumë i fuqishëm”, shtoi ai.

Trump e pyeti mjeken e Shtëpisë së Bardhë që drejton ekipin kundër koronavirusit, Deborah Birx, nëse ajo kishte dëgjuar për përdorimin e dritës diellore në trajtimin e sëmundjes.

“Jo si trajtim. Unë nuk kam parë nxehtësi ose dritë”, u përgjigj ajo.

“Ju lutemi mos injektoni ose mos konsumoni dezinfektues”, shkroi në Tweeter, Chris Hayes, moderatorja e një emisioni lajmesh dhe opinionesh në kanalin televiziv amerikan MSNBC.

Që nga mbrëmja e së enjtes, SHBA pati më shumë se 867.000 raste dhe mbi 49.000 vdekje nga COVID-19. Gati 80.000 janë shëruar.

Virusi është përhapur në të gjithë botën, duke infektuar mbi 2.7 milionë njerëz dhe duke vrarë më shumë se 190 mijë që kur u shfaq në qytetin kinez Wuhan në fund të vitit të kaluar.

Protesta e veçantë që ka paralajmëruar për sot Kosova: Qeveria në detyrë ta vazhdojë punën. Nuk jemi dele




Grupi i aktivistëve ‘Replikë’ ka paralajmëruar për një protestë të veçantë, kundër zhvillimeve politike në Kosovë.

Por duke qenë se vendi është i izoluar përballë pandemisë së COVID-19, protesta do të zhvillohet sot nga ballkonet, ndaj edhe ka marrë cilësimin “N ‘ballkon”. Përmes një njoftimi në ‘Facebook’ ky grup bën me dije se protesta do të mbahet nga ora 20:00 deri në ora 20:10.

Postimi i plotë:


Të gjithë qytetarët e Kosovës më 24 prill 2020 në ora 20:00 përmes zhurmës me tenxhere do të kërkojmë zgjedhje të reja parlamentare pas përfundimit të pandemisë COVID-19.

Zhurma e tenxhereve le të jetë kerkesë e jona për vazhdim të punës të qeverisë në detyrë deri në përfundimin e pandemisë dhe pastaj shpalljes së zgjedhjeve.

Zhurma e tenxhereve le të jetë kerkesë e jona për qeveri legjitime dhe respektim të vullnetit të votuesve.

Zhurma e tenxhereve le të jetë revoltë e jona kundër një kryeministri i cili nuk ka qenë kandidat për kryeministër gjatë zgjedhjeve, kështu duke mos u respektuar vullneti qytetar.

Zhurma e tenxhereve le të jetë revoltë e jona për fokusin e politkanëve gjatë kësaj kohe në lojëra politike e jo në ruajtjen e shëndetit të përgjithshëm nga COVID-19.

Zhurma nga ballkonet le të jetë përgjigje e qytetarëve të Kosovës që #NukJemiDele

Nga ora 20:00 deri në ora 20:10 po bëjmë zhurmë me mjete metalike jo të rrezikshme nga ballkonet dhe dritaret e shtëpive dhe banesave tona.

Zhduken tre gazetarë kinezë, njëri vizitoi laboratorin e Wuhanit


Tre gazetarë që kërkonin të tregonin të vërtetën mbi epideminë ne Wuhan nuk janë parë prej dy muajsh. Chen Qiushi, Fang Bin dhe Li Zehua kishin shpërndarë foto e video dramatike të gjendjes nga Wuhan nën karantinë, ish-epiqendër e koronavirusit të ri.

Por vendndodhja e tyre është tashmë mister prej dy muajsh, raportojnë mediat perëndimore. Llogaritë e tyre të ndjekura në YouTube- të cilat janë të ndaluara në Kinë por mund të kontrollohen me kodues VPN, janë tashmë të qeta.

Biznesmeni nga Wuhan, Fang u zhduk pas publikimit të videos ku shihej një pirg me trupa njerëzish në një furgon jashtë një spitali. Video e tij e shkurtër tregon mjekë në veshje të plota mbrojtëse që tentojnë të kujdesen për pacientët teksa të tjerë presin me psherëtima. Ai më pas pyet një nga mjekët: “Këta njerëz sapo kanë vdekur? Kur ndodhi kjo? Dje?”

Fang Bin (në foto), një banor i Wuhan, u zhduk më 9 shkurt pasi publikoi një seri video, duke përfshirë një që tregon grumbuj trupash të ngarkuar në një autobus (poshtë)

Pamjet u bënë virale kur u publikuan nga gazetarja kineze Jennifer Zeng. Fang thotë se policia erdhi në shtëpinë e tij më 1 shkurt. Ai u arrestua dhe u lirua më datë 9 shkurt por llogaria e tij u bë e heshtur prej kësaj date, pas një publikimi me fjalët ‘të gjithë të revoltohen – pushteti t’i kthehet popullit’.

Ndërsa aktivisti Chen, 34 vjeç, është aktivist të drejtash i kthyer në video-gaetar. Ai erdhi në Vuhan para nisjes së bllokadës së koronavirusit, por kishte qenë aktiv në protestat anti-qeveritare në Hong Kong prandaj njihej nga autoritetet. Në videon e tij të parë në YouTube nga Vuhan, thotë: “Me kameran time do të dokumentoj atë që po ndodh”. Më tej ai pretendon se një grua që duket në video po rri pranë të afërmit të saj të vdekur në një karrige me rrota, teksa ajo përpiqet të kontaktojë në telefon me familjarët. Në postimin e tij të fundit, për të cilin rrjeti BBC thotë se është bërë nga një miku i tij, bëhet thirrje për kthimin e tij: “Ku është Chen Qiushi tani? A do të flasë më një njeri me të? Chen Qiushi nuk kontakton prej 68 ditësh, pasi kishte raportuar për koroanvirusin në Vuhan. Ju lutem shpëtojeni!!!’

Chen, 34 vjeç, i cili shkoi në Wuhan për të raportuar në lidhje me shpërthimin e koronavirusit në mënyrë të pavarur, nuk është dëgjuar që nga ora 7 pas orës lokale, më 6 shkurt, sipas postimeve në llogarinë e tij në Twitter

Ndërsa gazetari Li Zehua, 25 vjeç, ka punuar më parë për transmetuesin shtetëror kinez ÇTV. Li duket se u shënjestrua nga autoritetet pas një vizite që bëri në laboratorin famëkeq të virologjisë në Wuhan dhe nuk është parë që prej 26 shkurtit.

Li Zehua është një ish reporter i CCTV dhe thuhet se do të dëgjohet për herë të fundit më 26 shkurt. Li ishte gjasa të ishte në shënjestër të policisë sekrete pasi vizitoi Institutin Wuhan të Virologjisë, thuhet në një raport

Në fillim të muajit kongresmeni amerikane Jim Banks i bëri thirrje Kinës të hetojë zhdukjen e tre gazetarëve, duke sugjeruar se qeveria kineze i ka burgosur ose ndoshta diçka më e keqe u ka ndodhur.

Nobeli i Mjekësisë 2008 Luc Montagnier plas bombën: Koronavirusi është manipuluar për një vaksinë të AIDS


 Coronavirus thuhet se është një virus i manipuluar, i lëshuar aksidentalisht nga një laborator kinez në Wuhan, ku po studiohej vaksina e AIDS. 

Këtë e theksoi profesori Luc Montagnier, Nobel për Mjekësinë 2008, në mikrofonat e podcast francez, në emisionin e specializuar për mjekësi dhe shëndet, “Pourquoi Doctor”.

Sipas profesorit Montagnier, i cili së bashku me Francois Barré-Sinoussi në vitin 2008 zbuloi HIV-in si shkakun e epidemisë së AIDS-it, SARS-CoV-2 është një virus që është përpunuar aksidentalisht dhe lëshuar nga një laborator në Wuhan, i specializuar në kërkimin e koronavirusit, në tremujorin e fundit të 2019-ës.

“Me kolegun tim, biomatematikanin Jean-Claude Perez, kemi analizuar me kujdes përshkrimin e genomit të këtij virusi Rna”, shpjegoi fituesi i Nobelit në intervistën e tij me doktor Jean-Francois Lemoine. “Ne nuk ishim të parët, ishte edhe një grup studiuesish indiane që u përpoqën të botonim një studim i cili tregon se genomi i plotë i këtij virusi ka brenda sekuenca të një virusi tjetër, atë të SIDA-s. Grupi Indian e tërhoqi më pas botimin. Por e vërteta shkencore gjithmonë del në pah. Sekuenca e AIDS-it u fut në genomin e koronavirusit në përpjekje për të bërë vaksinën “, tha Profesor Luc Montagnier.

Sipas shkencëtarit, elementët e ndryshuar të këtij virusi do të vijë një moment që do të eleminohen ndërsa po vazhdon të përhapet: “Natyra nuk pranon asnjë manipulim molekular, do t’i eliminojë këto ndryshime të panatyrshme dhe madje edhe nëse nuk bëhet asgjë, gjërat do të përmirësohen, por fatkeqësisht pas shumë vdekjeve” . Përveç kësaj, tha Montagnier kemi gjithashtu edhe zgjidhjen: “Me ndihmën e valëve interferuese (malëve elektromanjetike), ne mund t’i eliminonojmë këto sekuenca – shpjegoi ai – dhe rrjedhimisht të ndalojë pandemia. Por do të duheshin shumë mjete në dispozicion”.

“Kështu – shtoi Montagnier – historia e tregut të peshkut është një legjendë e bukur, por nuk është e mundur që është vetëm një virus i transmetuar nga një lakuriq nate, ose ndoshta nga kjo e filluan, pastaj e modifikuan atë. Ndoshta kanë dashur të bëjnë një vaksinë kundër SIDA duke përdorur një koronavirus si bartës të antigenit. Mund të thuhet një punë si e nxënësve të magjistarëve. Sepse nuk duhet të harrojmë se jemi në botën e natyrës, ka ekuilibrat që duhen respektuar. Natyra e eliminon sekuencën e genomit koronavirus “.

A mund të jetë komplot ? “Jo – përgjigjet profesori – komploti është ai që fsheh të vërtetën. Por unë besoj se në këtë rast është qeveria e Pekinit që i ka fshehur gjërat. Por e vërteta, sidoqoftë, del ashtu siç thashë.

Por ‘errare humanum est’, mendoj se është një gabim njerëzor dhe nuk ka nevojë të bëhen akuza tani dhe as të hapen hetime. Kina është një vend i madh dhe shpresoj se është në gjendje ta njohë një gabim “, përfundoi ai./afp/pourquoidocteur.fr

Shaban Murati: “Në kohë pandemie, nga Moska një virus diversionist antishqiptar” “Në kohë pandemie, nga Moska një virus diversionist antishqiptar”


“Në kohë pandemie, nga Moska një virus diversionist antishqiptar”

Nga Shaban Murati

Tingëllon e habitshme që në kohën e pandemisë së koronavirusit, kur doli si instrument i ri i influencës gjeopolitike në Ballkan ajo që po quhet “diplomacia e maskave mbrojtëse”, nga Moska ka vërshuar për Shqipërinë një ofensivë propagandistike e përhapjes së virusit diversionist antishqiptar. Në datën 19 prill gazeta proqeveritare ruse “Izvestia” nën titullin provokativ “Shqipëria dhe Turqia bashkohen kundër Greqisë” shkruante se Shqipëria dhe Turqia kanë nënshkruar një marrëveshje të fshehtë për vendosjen e 30 mijë refugjatëve sirianë në rajonin e “Vorio Epirit”. Në 15 prill “Gazeta.ru” shkruante se “megjithë që informacioni mbi këtë marrëveshje midis Shqipërisë dhe Turqisë nuk ka konfirmim zyrtar, në Athinë janë shqetësuar seriozisht”. Ajo shkonte dhe më tej me fantazinë e saj, duke shkruar se Turqia do të vendosë xhihadistë dhe agjentë të saj me refugjatët sirianë në rajonin e “Vorio Epirit”. Më përpara kishin hyrë në këtë fushatë “regnum.ru” dhe shumë media e portale ruse.

Nuk mund të mos lindë vërtet pyetja se me çfarë qëllimi qeveria dhe diplomacia ruse, në vend që të ofrojnë ndihma humanitare për pandeminë e koronavirusit në një shtet ballkanik si Shqipëria, me të cilin kanë edhe marrëdhënie diplomatike dhe të cilit po i bëjnë presion të nënshkruajë me Rusinë një Traktat Miqësie e Bashkëpunimi, zgjedhin të ngrejnë një stuhi virusi të urrejtjes antishqiptare. Është një fushatë e organizuar diplomatiko-propagandistike, jo vetëm se në të janë angazhuar njëkohësisht një numur i madh mediash e portalesh proqeveritare. Është zyrtare, sepse është një aksiomë ruse, që në një shtet autoritar dhe me kontroll të hekurt të rrjeteve mediatike sot njësoj si në kohën e Stalinit, është vështirë të bëhet pa miratimin dhe pa leje një fushatë e organizuar mediatike kundër një shteti me të cilin Rusisë, sipas pohimit të ambasadorit rus në Tiranë, Shkëlqesisë së Tij Mikhail Afanasiev, iu bë e mundur vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë në vitin 1934, pra në kohën e qeverisë së Ahmet Zogut. Nga ana tjetër vetëm shteti rus mund të vinte në dispozicion të kësaj fushate antishqiptare profesorët e Akademisë Ruse të Shkencave, të cilët u përfshinë në fushatë me tezat e deformimeve të historisë së Shqipërisë. Profesori i Institutit të Ekonomisë Botërore dhe të Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë Akademisë se Shkencave të Rusisë, Viktor Nadeina-Rajevskij, deklaron me këtë rast me seriozitet shkencor se “ mund të besohet se ekzistojnë marrëveshje të tilla midis Ankarasë dhe Tiranës”.

Cilat janë piketat e kësaj fushate diplomatiko-propagandistike kundër Shqipërisë?

Së pari, duhet thënë se fushata ndërtohet mbi një spekullim banal rus që një marrëveshje të nivelit teknik e nënshkruar në 27 shkurt në Tiranë midis një drejtori në ministrinë shqiptare të mbrojtjes dhe atasheut ushtarak në ambasadën e Turqisë në Tiranë lidhur me planin e bashkëpunimit teknik midis dy dikastereve për vititin 2020, i serviret publikut me bujë sikur është nënshkruar midis ministrave të mbrojtjes, siç thotë një organ rus, apo midis presidentit turk Erdogan dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama, siç thotë një organ tjetër rus. Njoftimi për nënshkrimin e planit të vitit 2020 në nivelin më të ulët të mundshëm zyrtar në Tiranë është në faqen e ministrisë shqiptare të mbrojtjes që në 27 shkurt.

Së dyti, provokohet në mënyrë të qëllimëshme integriteti dhe sovraniteti i shtetit shqiptar, kur mediat ruse marrin në mbrojtje të ashtuquajturin “Vorio Epir”. Mediat ruse thërrasin në ndihmë shpifjet historike të shovinistëve grekë, kur “Izvestia” me gojën e profesorëve të Akademisë së Shkencave të Rusisë fantazon se “rajonin e “Vorio Epirit” Greqia e çliroi në luftën e parë ballkanike në vitin 1912-1913, por fuqitë e mëdha vendosën t’ia japin atë Shqipërisë. E njëjta histori u përsërit edhe pas Luftës së Dytë Botërore”. Me një fjalë zëdhënësja proqeveritare ruse merr përsipër të revizionojë historinë e Shqipërisë dhe Jugun e vendit tonë t’ia atashojë oreksit aneksionist të Greqisë. Gazeta ruse i merr pa doganë këto thagma, ndonëse duhet ta dijë se Rusia e ka njohur Shqipërinë si shtet me hartën e dalë nga Konferenca e Londrës e vitit 1913, ku mori pjesë edhe Rusia. Rusia e ka mbrojtur integritetin shtetëror të Shqipërisë përballë pretendimeve absurde për “Vorio Epirin” të qeverisë shoviniste greke në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1946. Sipas logjikës së fushatës së tanishme antihistorike ruse i ashtuquajturi çlirim grek në jug të Shqipërisë në luftën e parë ballkanike i bie që Rusia, e cila çliroi Bullgarinë, Hungarinë, Çekosllovakinë dhe Poloninë e pushtuar nga Gjermania në luftën e dytë botërore, ka të drejtë të konsiderojë ato shtete si territore ruse. Bën vërtet përshtypje se si mediat proqeveritare ruse kanë ndërmarrë tani një fushatë në mbrojtje të të ashtuquajturit “Vorio Epir”, duke u përjekur t’i shpikin një bazë historike ruse pretendimit të dalëboje grek. Me sa duket Rusia, duke mos qenë në gjendje që të kontribuojë me ndihma mjekësore për përballimin e epidemisë së koronavirusit në Ballkan, mendon të fitojë pikë në Athinë duke zhurmuar me fantazmën e “Vorio Epirit”.

Së treti, fushata antishqiptare ruse synon të nxisë një betejë të stisur ndarjesh dhe konfliktesh etnike dhe fetare në Shqipëri. Sipas mendjeve të çakorduara, që drejtojnë propagandën proqeveritare ruse, Shqipëria do të vendosë 30 mijë refugjatë sirianë në jugë për të ndryshuar demografinë fetare të rajonit jugor të vendit, i cili sipas saj qenka ortodoks grek dhe ta kthejë në favor të popullsisë myslimane. Gazetat e mësipërme ruse nuk respektojnë regjistrimin zyrtar të popullsisë në Shqipëri në vitin 2011, sipas të cilit minoriteti grek me zor mbushi shifrën 24 mijë vetë, megjithë kujdesin qeveritar grek për të sjellë në atë kohë me autobuzë nga Greqia homogjenë dhe shqiptarë të greqizuar për të shtuar artificialisht numurin e minoritetit. Mediave ruse u duhet spekullimi dhe në unison të gjitha japin shifrën hiperbolë se në jug të Shqipërisë jetokan gjoja 120 mijë minoritarë grekë. Është një deformim i fakteve, që gjithashu kërkon të fitojë mbështetjen e qarqeve më shoviniste politike dhe fetare greke në funksion të lidhjeve fondamentaliste me Rusinë.

Së katërti, fushata antishqiptare e propagandës ruse synon që të ngrejë në shkallë rajonale një konflikt ndërballkanik, duke yshtur shtetet fqinj të kombit shqiptar kundër shqiptarëve. Për këtë thirren në ndihmë edhe autoritetet shkencore ruse, anëtarët e Akademisë së Shkencave të Rusisë, të cilët shpallin si mëkate të Turqisë se “ka mbështet aktivisht separatistët shqiptarë për shkëputjen e Kosovës, se Turqia ka mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO”, etj.

Nuk është e qartë se çfarë llogarish gjeopolitike po bëhen në Moskë në këtë periudhë pandemie, duke shpërthyer një fushatë me virusin anshtishqiptar të urrejtjes. Është e lehtë të merret me mend se me këto metoda vështirë të përfitojë ndonjë shkallë më të madhe influence në Shqipëri jo e jo, por as në Ballkan. Diplomati dhe propagandisti më fillestar e kupton se nuk konsolidohet pozita diplomatike ruse në Shqipëri duke sulmuar historinë e Shqipërisë dhe duke cënuar integritetin dhe sovranitetin e saj shtetëror dhe kombëtar. Nuk e di nëse do të mund të guxojë ende pas kësaj diplomacia ruse që të vazhdojë t’i kërkojë përsëri Shqipërisë nënshkrimin e Traktatit dypalësh të Miqësisë dhe të Bashkëpunimit, i cili edhe pa këtë fushatë të re antishqiptare meriton të flaket në kosh. Madje mund të thuhet që nuk çon as në fitimin e ndonjë influence të re ruse në minoritetin grek në Shqipëri, perveç llogarisë së kuptueshme diversioniste ruse për të shkaktuar trazira etnike në një shtet ballkanik anëtar i NATO-s. Nuk duket as se Rusia do të fitojë ndonjë shkallë të re influence në Greqi dhe në Serbi me këtë fushatë antishqiptare. Këto dy shtete, si dhe shtetet e tjera të Ballkanit, janë në mes të tallazeve të luftës kundër epidemisë së koronavirusit, dhe kanë nevojë për ndihma mjekësore ruse dhe jo për konflikte të reja me fqinjët. Rusia nuk ka kapacitete të ndihmojë dot sa duhet as Serbinë, aleatin e vetëm strategjik të saj në Ballkan, së cilës ndihmat mjekësore ia dërgoi dy javë më vonë se sa Kina. Vështirë të mendohet se mungesa e ndihmës mjekësore do të kompensohet me fushatat e nxitjes së diversioneve etnike dhe fetare ruse në vendet e Ballkanit.

Është e pakuptueshme se si virusi i urrejtjes antishqiptare ka errësuar në masë aq e madhe logjikën e fushatës diplomatiko-propagandistike ruse kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve. Sepse janë disa çeshtje të thjeshta, që i kupton edhe një fillorist e jo më diplomatë dhe propagandistë rusë të angazhuar në këtë fushatë. Ata 30 mijë refugjatë sirianë, që do vikan në Shqipëri dhe do t’u vendoskan në jug për të prishur demografinë etnike dhe fetare të të ashtuquajturit “Vorio Epir”, nuk kanë rrugë tjetër të vijnë përveç se t’u hapë Greqia kufirin me Shqipërinë. Refugjatët sirianë kanë nevojën e lejes nga Greqia që të hyjnë në Shqipëri, kështu që as Athina dhe as Moska nuk kanë arsye reale të jenë të shqetësuar.

Rusia nuk duhet të harrojë se është e drejta sovrane e çdo shteti dhe në bazë të të gjitha ligjeve ndërkombëtare që të gjykojë se ku t’i vendosë refugjatët apo imigrantët e ardhur nga shtete të tjera. Territori i vendit është sovranitet i shtetit të pavarur, që i pret, dhe nuk mund të jetë as Moska dhe as Athina që të caktojnë se ku duhet t’i vendosë Tirana refugjatët, që mund të hyjnë në Shqipëri. Nuk është shqetësuar kurrë diplomacia, historiografia dhe propaganda ruse për dëbimin masiv me dhunë të shqiptarëve nga Çamëria në periudhën midis dy luftrave botërore dhe pas Luftës së Dytë Botëore, kur Athina ndryshoi me gjak dhe me hekur demografinë kombëtare dhe fetare të shqiptarëve në Çamëri.

Është rasti për theksuar gabimet e mëdha strategjike kombëtare, që ka bërë Shqipëria edhe në regjimin e Ahmet Zogut, edhe në regjimin e Enver Hoxhës, që nuk vendosën një pjesë të popullsisë së dëbuar çame përgjatë territorit shqiptar në kufirin me Greqinë, pranë tokave nga ku u dëbuan. Nuk është kuptuar dhe as nuk është sqaruar sa duhet nga historiografia jonë e ideologjizuar kjo shmangie strategjike e qeverive shqiptare, megjithëse ka patur propozime zyrtare të diplomatëve të shquar shqiptarë të periudhës midis dy luftrave për vendosjen e shqiptarëve të dëbuar në territorin përgjatë kufirit me Greqinë. Po ashtu nuk janë ndriçuar arsyet e gabimit strategjik të Shqipërisë postkomuniste me miratimin nga dy partitë kryesore politike të ligjit famëkeq antikombëtar 7501, që i bëri minoritarët grekë pronarë tokash shqiptare.

Viruset e urrejtjes diplomatike dhe propagandistike nuk janë instrumente të përshtatëshme as për marrëdhëniet midis shteteve dhe as për marrëdhëniet midis popujve. Nëse diplomacia dhe propaganda ruse vazhdojnë në këtë rrugë të gabuar diplomatike, propagandistike, shkencore dhe etike, është e qartë se imazhi i Rusisë në Shqipëri dhe në kombin shqiptar do të ulet edhe më shumë dhe do të forcohet dhe më shumë bindja historike që Rusia zyrtare në të gjitha kohrat, cariste, komuniste dhe postkomuniste, nuk e ka dashur kurrë kombin shqiptar.

Prof.dr. Hajri Shehu : Mbi fjalorin frazeologjik anglisht-shqip të prof. dr. Eshref Ymerit





(Parathënie e Fjalorit)

Fjalorët japin tablo të ndryshme të gjuhës dhe, kur janë dygjuhësh, japin tablo të gjuhëve që ballafaqohen. Për pasojë, nëse një fjalor leksemor dygjuhësh është ndërkombëtar, sepse ka dy gjuhë, dy struktura gjuhësh, dy semantika dhe dy barasvlerës, një fjalor frazeologjik dygjuhësh është dyfish ndërkombëtar, për shkak të shtresës social-kulturore specifike. I tillë është edhe “Fjalori frazeologjik anglisht-shqip” i prof. dr. Eshref Ymerit, që jep një tablo të gjuhës angleze dhe të gjuhës shqipe. Është një tablo mjaft e gjerë sepse, siç dihet, njësitë frazeologjike (dhe fjalët e urta) janë jo vetëm mjet komunikimi, por edhe burim të dhënash për jetën social-kulturore (dhe materiale) të një populli. Edhe nga një vështrim i pjesshëm i këtij Fjalori shihet shtresa social-kulturore specifike e botës anglosaksone po edhe e jetës shqiptare, që e sjell barasvlerësi në gjuhën shqipe.

Fjalorët frazeologjikë hyjnë te fjalorët specialë (kësisoj, janë diferencues). Dhe sa më gjerë të konceptohet detyra e fjalorit frazeologjik, aq më i rëndësishëm është roli i tij si mjet i kulturës së gjuhës. Por, po kaq i vështirë është hartimi i tij. Në fjalorët frazeologjikë dygjuhësh, vështirësia më e parë është barasvlerësia. Sepse barasvlerësia nuk vjen me përkthim, por, siç do ta themi më tej, me gjetje.

Por te fjalorët frazeologjikë, në dallim nga fjalorët e përgjithshëm, ka edhe një vështirësi tjetër. Ajo lidhet, më së pari, me natyrën e njësisë frazeologjike. Autori i njeh mirë konceptin njësi frazeologjike dhe kufijtë e fondit frazeologjik të gjuhës angleze dhe të gjuhës shqipe – veçoritë strukturore tipologjike dhe përmbajtjesore figurative të njësive frazeologjike dhe variantet e tyre, funksionet e tyre gramatikore dhe kushtet e tyre përdorimore, pra, rolin e tyre komunikues-funksional.

Në këtë Fjalor, përveç shprehjeve frazeologjike të mirëfillta, përfshihen edhe fjalë të urta, proverba e fjalë fluturake, çka është në përputhje me konceptin mjaft të gjerë për frazeologjinë në leksikografinë angleze. P.sh., në Fjalor gjejmë proverba, si: long absent, soon forgotten larg syve, larg zemrës; when it is not of your business, keep your nose of it kur s’ke pula, mos bëj “ish!”!(kur s’ke pula, pse hahesh me dhelprat?); fool’s haste is no speed kush nxitohet, pengohet(kush e mban hapin shtruar, më larg ka për të shkuar); strain at a gnat and swallow a camel lë miellin e merret me krundet(i lirë në miell dhe i shtrenjtë në krunde); who keeps company with the wolves, will learn to howl kush fle me qenin (qentë), ngrihet me pleshta(kush shkon pas brumbullit, te plehu do ta shpjerë, më thuaj me kë rri, të të them se cili je), etj.

Proverbat, janë mjete gjuhësore që afrohen me frazeologjinë, ngaqë kanë përdorim të qëndrueshëm (për të karakterizuar ngjarje e ndodhi jetësore), kanë kuptim të figurshëm dhe shprehësi emocionale. Nga proverbat mund të vijnë fjalë të urta. Si për fjalët e urta, edhe për proverbat, përdoruesi e ka më të lehtë t’i kërkojë e t’i gjejë në një fjalor frazeologjik sesa në një fjalor të përgjithshëm gjuhësor.

Duke përfshirë në Fjalor edhe fjalë fluturake (p.sh., there is but one step from the sublime to the ridiculous (“madhështoren një hap e ndan nga qesharakja”, madhështia me absurditetin janë pranë e pranë), me origjinë nga frëngjishtja, me autor Napoleon Bonapartin), mendojmë se është vepruar drejt, sepse, duke u frazeologjizuar, fjalët fluturake e humbasin lidhjen e drejtpërdrejtë me tekstin nga janë formuar. Tashmë, janë me karakter të figurshëm dhe, si citate, janë modele të njohura letrare.

Sa i përket cilësisë së Fjalorit, për këtë mund të gjykohet nga: 1. zgjedhja e fjalësit. 2. gramatika e fjalësit. 3. barasvlerësia; 4. përveçimi i dallimeve kulturore. 5. shembullsimi.

Fjalori frazeologjik anglisht-shqip i prof. dr. Eshref Ymerit i ka zgjidhur të gjitha shkencërisht drejt e leksikografikisht qartë.

Fjalori është diferencues (Ai është fjalor frazeologjik dhe jo fjalor i përgjithshëm leksemor.) Dhe detyra e tij ka qenë përzgjedhja e njësi frazeologjike, gramatikisht dhe leksikografikisht drejt. Ato janë të gjuhës standarde (vetëkuptohet, bashkë me gramatikën e tyre) – edhe në anglishte, edhe në shqipe; kanë kuptim të mbartur e të figurshëm. Çfarë u tha më sipër, besojmë se e plotëson këtë vlerësim. Një krahasim i thjeshtë i disa njësive më poshtë në anglishte e në disa gjuhë të tjera, besojmë se e vërtetëson këtë: Ariadne’s clew (thread) /fil d’Ariadne (frëngjisht) /filli i Arianës; the heel of Achiles /talon d’Achile (frëngjisht) /thembra e Akilit; appetite comes with eating (nga frëngjishtja) oreksi vjen duke ngrënë; look for a needle in a haystak (stack of hay) kërkon gjilpërën në kashtë etj.
Në një fjalor dygjuhësh, barasvlerësia është një ndër vështirësitë më të para. Mund të vendoset, thuajse gjithnjë barasvlerësí përkthimore midis fjalive – gjuhë burimore – gjuhë përkthimore. Jo gjithnjë është e mundshme barasvlerësia midis njësive leksikore. Arsyeja? Dallimet gjuhësore dhe kulturore (p.sh., fjalët e përbëra ekzocentrike). Te shprehjet ekzocentrike (pra, tek idiomat), te njësitë frazeologjike, te fjalët e urta e te proverbat, dallimet gjuhësore (strukturore e semantike) e kulturore (kulturore-gjeografike, kulturore-historike etj.) janë edhe shumë më të mëdha. Atëherë, barasvlerësit idiomatikë, frazeologjikë etj. duhet të vijnë jo për nga tipologjia strukturore e thënies (sigurisht, kjo ka vlerën e vet), por për nga koncepti (si mjet leksiko-semantik) që përcjellin. Krahaso, p.sh., dy konceptet: make hay while the sun shines dhe rrihe hekurin sa është i nxehtë. Atëherë, barasvlerësia në një fjalor frazeologjik dygjuhësh është onomasiologjike dhe jo semasiologjike, është gjetje barasvlerësish konceptorë dhe jo thjesht transferim simbolesh, kuptimesh e motivimesh. Por, përveçse përmbajtjesore, barasvlerësia idiomatike, frazeologjike, proverbore etj. duhet të jetë edhe funksionale. Nuk mund të vlerësohet shkëputurazi përmbajtja e njësisë nga funksionimi i saj në gjuhë. Kjo do të thotë atëherë që barasvlerësit përkthimor i duhen krijuar kushte identike përdorimi me ata në mjedisin e saj të mëparshëm. Ky është përkthim frazeologjik ndërgjuhësor. Ky është përkthim i vërtetë. Dhe ky është përkthimi në “Fjalorin frazeologjik anglisht-shqip” të prof. dr. Eshref Ymerit. Aty ka gjetje barasvlerësish. Aty ka ndërkëmbim frazeologjik ndërgjuhësor. Kësisoj, ai është krejt i besueshëm. Shih, p.sh.:be between two fires është midis dy zjarreve; better late than never më mirë vonë se kurrë; fish in troubled waters peshkon në ujëra të turbullt; set the wolf to keep the sheep vë ujkun bari; thread breaks where it is the weakest peri këputet ku është më i hollë; with a stone kill two birds me një gur vret dy zogj. Shih barasvlerësit (fjalë të urta) e gjetur për fool wants his cloak in a rainy day: guna nuk qepet kur ka filluar lloha [langoi s’ushqehet ditën që del për gjah, s’shëndoshet (s’majmet) kau (pata) ditën që do të theret, ushqeji qetë para se t’i mbrehësh] etj.
Para barasvlerësit, autori jep në thonjëzamotivimin strukturor ose kuptimor të njësisë së huaj. Është një lloj kalkimi në gjuhën shqipe. Kjo është shumë ndihmuese për përdoruesin e Fjalorit. Te njësia frazeologjike në origjinë janë dy kuptime: kuptimi aktual dhe kuptimi etimologjik (forma e brendshme, motivimi). Në aktin e ligjërimit, në plan të parë del kuptimi aktual. Kjo rrethanë bën, siç e përmendëm më parë, që të çsemantizohen gjymtyrët e saj përbërëse dhe shkallë-shkallë të harrohet forma e brendshme. Por në shumë njësi frazeologjike mund të njihet a të kuptohet forma e brendshme, sepse ajo mbështetet në togfjalëshin që e përbën atë. Forma e brendshme e njësisë frazeologjike (edhe e fjalës së urtë), domethënë, struktura e saj semantike është vetë përmbajtja konkrete. Dhe kjo përmbajtje i tregohet përdoruesit për t’i thënë: ja barasvlerësi, ja si motivohet ky barasvlerës. Nga pikëpamja psiko-linguistike, shpjegimi a kalkimi në thonjëza shton shumë në njohjen dhe përvetësimin e të dy shënuesve ndërgjuhësorë.

Si në “Fjalorin frazeologjik rusisht-shqip” (2015)të prof. dr. Eshref Ymerit, edhe këtu, në shtyllën e gjuhës shqipe kemi një fjalor të vërtetë sinonimikfrazeologjik. Sinonimet – barasvlerëse të njësisë së huaj – në shqipe janë edhe përmbajtjesore, edhe funksionale. Për shembull, te gaunt (as gaunt) as bone: e ka qafën me një dell (është bërë bark e shpinë bashkë, është bërë për në plasë të derës, është bërë cipë e kockë, është bërë kockë e lëkurë, është me dy fije brinjë, i është bërë qafa fije peri, i ka hyrë shtati në shtat, i numërohen brinjët). Dhe te throw a mist before smb’s eyes: i hedh hi (pluhur, kashtë) syve, i hedh trutë e gomarit, e hedh kodër më kodër, ia shet sapunin për djathë, ia shet shkumën për ajkë,ia shet ujin e pusit për verë, e nis me shoshë për ujë, e vë në bisht të lugës) etj.; te fly on the wheel mbi dhjetë sinonime të tjera frazeologjike: e ka hundën të gjatë, e mban bishtin cakërr, i duket hunda dyfek, i kullot hunda lart, kapardiset si maçoku në thekër (si qeni në qerre, si gjeli majë plehut) etj.

Vargu sinonimik në gjuhën shqipe shkon deri mbi 40 njësi. Së pari, kjo tregon zhvillimin e vrullshëm të frazeologjisë shqipe; së dyti, tregon shkallën e zhvillimit të letërsisë artistike, publicistike etj.; së treti, tregon mundësitë për përdorimin stilistik të njësive frazeologjike; së katërti, tregon njohjen e thellë të sinonimisë frazeologjike të gjuhës shqipe nga autori. Në vargun sinonimik te kolona e shqipes, njësia e parë është barasvlerësi më i parë i njësisë së huaj. Sinonimet që e ndjekin atë, janë relative. Zgjedhja e tyre i takon përdoruesit të Fjalorit (le të themi, përkthyesit nga gjuha burimore) për kontekstin, që e kërkon ai.

3.Frazeologjia, në masë, i përket ligjërimit bisedor. Prandaj të gjitha njësitë frazeologjike mund të etiketohen si bisedore. Por ato përdoren në stile të ndryshme. Ka frazeologji me ngjyrim mospëlqyes; ka frazeologji të ligjërimit të shkujdesur; ka edhe frazeologji me burim ose me përdorim libror. Frazeologjitë kufizohen edhe nga figurshmëria. Atëherë, duhet njëfarë kujdesi në punë të ngjyrimit shprehës-emocional, kohësor-historik etj. Autori i ka shenjuar stilistikisht aty ku është dashur. Janë përdorur dy lloje shënimesh: a) gjuhësore: bisedore, librore, e vjetruar etj.; b) sociale: përçmuese, përbuzëse etj.

Fjalori është filologjik. Çdo njësi frazeologjike është glosë më vete. Kur janë variante, bashkohen në një glosë. Përbërja leksikore e njësisë frazeologjike, e fjalës së urtë etj. jepet e plotë (sipas fjalorëve të anglishtes standarde).

Renditja ka të bëjë me vendosjen e lidhjeve ndërmjet aksh frazeologjie me frazeologjitë e tjera në sistemin e gjuhës. Njësia (frazeologjike) mund të pasqyrohet aq herë, sa gjymtyrë ka (përveç fjalëve shërbyese). Vendosja sipas gjymtyrëve përbërëse na e sjell njëherësh të njëjtën frazeologji në grupe të ndryshme. Por kjo kërkon shumë hapësirë. Në një fjalor dygjuhësh, njohja e grupeve nuk vlen edhe aq shumë. Prandaj në këtë Fjalor renditja është bërë vetëm një herë: a) sipas boshtit semantik (shih, p.sh., te fjala battle); b) sipas gjymtyrës së parë (kur nuk është fakultative dhe kur nuk ka variant leksikor); c) sipas vokabulit, d.m.th. vetë njësisë frazeologjike.

Duke i përmbushur të gjitha kriteret e mësipërme, “Fjalori frazeologjik anglisht-shqip” i prof. dr. Eshref Ymerit, u përgjigjet më së miri kërkesave të përdoruesit, qoftë ky lexues i thjeshtë apo përkthyes. Kushdo që lexon, rilexon, përkthen e ripërkthen letërsi artistike, publicistike, fetare etj. nga anglishtja, do ta ketë tashmë në tryezën e tij të punës këtë fjalor si një ndihmëtar të veçantë.

Leksikografia lidhet ngushtë me zhvillimin e gjuhësisë dhe, para së gjithash, me zhvillimin e leksikologjisë, si shkenca për leksikun e gjuhës. Fjalorët frazeologjikë dygjuhësh të botuar deri tani, pasqyrojnë bindshëm arritjet në fushën e leksikografisë e veçmas, të frazeologjisë si disiplinë gjuhësore. Në këto arritje një vend të veçantë zënë tre fjalorët frazeologjikë të prof. dr. Eshref Ymeri, në një si bashkautor dhe në dy si autor i vetëm.

Në “Fjalorin frazeologjik anglisht-shqip” të tij studiuesve të frazeologjisë u jepen zgjidhje të caktuara shkencore në ballafaqimin anglisht-shqip. Etnolinguistët kanë përpara fushat konceptore e grupet tematike të frazeologjisë (edhe të leksikut) së gjuhës angleze e të gjuhës shqipe. Leksikografët shqiptarë kanë përpara një fjalor sinonimik frazeologjik te kolona e shqipes. Etnografët kanë përpara doket e zakonet angleze, të materializuara gjuhësisht. (shih, p.sh., të ashtuquajturën privacy). Kushdo që dëshiron të njihet me histori frazeologjizmash, fjalësh të urta, fjalësh fluturake etj., mund ta lexojë me ëndje në këtë Fjalor. Fjalorët janë zakonisht libra referimi dhe nuk lexohen. Por ky Fjalor mund të lexohet mu për këto histori, shpjegime e motivime jashtëgjuhësore. Shih, p.sh., te: Teddi boy qejfli huqesh (rrebesh, trillesh). Shpjegimi e motivimi jashtëgjuhësor: Teddy është shkurtim i emrit Edward. Shprehja e ka prejardhjen nga emri i mbretit anglez Eduardi VII (Edward VII –1841-1910), i cili dallohej për mënyrën origjinale të të veshurit. Teddy boys kanë qenë imituesit e tij në radhët e rinisë së viteve ’50 të shekullit të kaluar. Shih edhe te punic faith; Knights of the Round Table; There is but one step from the sublime to the ridiculous; Fortune’s wheel; put on the buskin(s); fools rush in where angels fear to tread; strain at a gnat and swallow a camel etj.

Anglishtja është gjuha e huaj nga e cila përkthehet më shumë në shqip dhe e cila mësohet më shumë në Shqipëri. Rrjedhimisht, fjalorët me anglishten janë më të përdorurit. Ky fjalor u vjen në ndihmë të gjithë përkthyesve, pedagogëve e mësuesve të gjuhës angleze dhe të gjithë studentëve dhe nxënësve që duan ta thellojnë njohjen e saj. Në mësim, edhe për të krahasuar, për të njohur ose për të gjetur universale frazeologjike (tipi hekuri rrihet sa është i nxehtë / strike while the iron is hot) ose universale kuptimore, p.sh. përdorimin mbiemëror të emrave për të shënuar një njeri të dobësuar në trup te gaunt (as gaunt) as bone: është bërë fshikull [furde, furkë, gisht, grep, gjethe, kërrabë, kufomë, labot, lapër,laskar,lëkurë maceje, liktyrë, lipsanë, një dorë, një grusht, pe, petë, qiri, (si) bisht luge, shirit, shkarpë, (si) shkop, trëndelinë]. Si do të ishin korresponduesit e tyre në anglishte ose në një gjuhë tjetër?

Dhe në fund, nuk mund të rrimë pa vënë në dukje edhe përmasat e këtij Fjalori. Me rreth 1300 faqe, mijëra njësi frazeologjike, fjalë të urta e proverba angleze e mijëra barasvlerës shqip, “Fjalori frazeologjik anglisht-shqip” është një vepër madhore, që mund ta bënte vetëm dija e gjerë dhe vullneti i paepur i prof.dr. Eshref Ymerit. Me këtë Fjalor frazeologjia shqipe dhe leksikografia shqipe barabiten denjësisht me frazeologjinë angleze dhe leksikografinë angleze.

Tiranë, 12 korrik 2019


(Një personalitet i heshtur i gjuhësisë shqiptare:Kush është Prof.dr. Hajri Shehu

Ka lindur më 10 qershor 1942 në fshatin Vlosh të qarkut të Dibrës. Ka mbaruar shkollën e mesme pedagogjike në qytetin e Peshkopisë. Gjatë vitit 1961 ka qenë student i Istitutit të gjuhëve lindore në Moskë. Pasi Hrushovi i ndërpreu të gjitha marrëdhëniet me vendin tonë, ai u kthye në atdhe dhe në vitin 1965 i përfundoi studimet e larta në degën e gjuhës angleze të Fakultetit të historisë dhe të filologjisë të Universitetit të Tiranës. Në periudhën mes viteve 1965-1966 dhe 1968-1970, ushtroi detyrën e mësuesit të gjuhës angleze në qytetin e Peshkopisë. Meqenëse gjatë kësaj periudhe kishte shfaqur interesim të veçantë në lëmin e studimeve gjuhësore, drejtori i Institutit të gjuhësisë dhe të letërsisë, prof. Androkli Kostallari, u interesua në strukturat përkatëse shtetërore për ta tërhequr në Institutin në fjalë. Kjo u bë e mundur në vitin 1971, kur ai filloi punën në sektorin e leksikografisë të Institutit të gjuhësisë dhe të letërsisë pranë Akademisë së Shkencave. Në këtë Institut ai punoi vite të tëra (1971-1993, 1997-2010), deri sa doli në pension.
Është për t’u përmendur fakti që prof.dr. Hajri Shehu është marrë intensivisht edhe me përkthime nga anglishtja në shqip dhe me redaktime përkthimesh nga arabishtja në shqip në Organizatën Ndërkombëtare Islamike të Ndihmës (International Islamic Relief Organization), e cila e ka rezidencën në Arabinë Saudite dhe një zyrë në Shqipëri. Këtë lloj aktiviteti e ka ushtruar në vitet 1993-1995. Si një specialist i shkëlqyer i gjuhës angleze, prof.dr. Hajri Shehu pati tërhequr edhe vëmendjen e katedrës së gjuhës angleze të Universitetit të Tiranës, e cila e ftoi në detyrën e pedagogut të anglishtes në vitet 1995-1997.
Gjatë viteve të punës në Institutin e gjuhësisë dhe të letërsisë, prof. dr. Hajri Shehu vendosi lidhje me Shtëpinë botuese të Oksfordit (Oxford University Press). Ai është anëtar i Euroaleksit (Shoqata Evropiane e Leksikografëve), si edhe i “Alex Nash Fellowship of Albanian Studies” pranë Universitetit të Londrës.
Prof. dr. Hajri Shehu ka një aktivitet mjaft të pasur shkencor. Ai është bashkautor dhe autor i 22 fjalorëve të gjuhës shqipe dhe të fjalorëve anglish-shqip, shumica të botuar dhe ca në dorëshkrim që po përgatiten për në shtyp. Është autor i disa monografive dhe i më shumë se 40 artikujve shkencorë, kushtuar problemeve të gjuhës së sotme letrare shqipe, të leksikologjisë, të leksikografisë dhe të fjalëformimit, të botuar në revista të tilla shkencore, si “Studime filologjike”, “Studia albanica”, “Gjuha jonë”, “Gjuha shqipe”, “Lexicography” (Oxford).
Prof.dr. Hajri Shehu është autor i disa zërave për Fjalorin enciklopedik shqiptar, si edhe i më shumë se 30 referateve shkencore që i ka mbajtur në Institutin e gjuhësisë dhe të letërsisë, në Katedrën e gjuhës shqipe të Fakultetit të historisë dhe të filologjisë të Universitetit të Tiranës dhe në sektorin shkencor të Akademisë ushtarake.
Ai është autor i disa kumtesave shkencore, të cilat i ka mbajtur në konferenca dhe kongrese kombëtare dhe ndërkombëtare që janë zhvilluar në Tiranë, në Prishtinë, në Ohër, në Oksford, në Teheran etj.
Duhet theksuar fakti që Prof.dr. Hajri Shehu ka skeduar fjalë të gjuhës shqipe nga 100 mijë faqe librash të ndryshme për pasurimin e fondit leksikor të gjuhës shqipe pranë Institutit të gjuhësisë dhe të letërsisë. Në të njëjtën kohë, ai ka drejtuar dhjetra ekspedita gjuhësore në shumë qëndra banimi të vendit tonë për vjeljen e fjalëve të panjohura nga thesari i gjuhës së popullit.
Meqenëse në vitet e para të punës së tij pati ushtruar detyrën e mësuesit të gjuhës angleze, ai i ka kushtuar vëmendje punës për përgatitjen e teksteve mësimore. Ai është autor i disa teksteve të gjuhës angleze për shkolën fillore. Në shumë organe ai ka botuar një sërë artikujsh studimorë, kushtuar mësimdhënies në shkollë. Në shtypin e përditshëm dhe periodik ai, gjithashtu, ka pasë botuar shumë artikuj popullorë-shkencorë, kushtuar përsëri mësimdhënies në shkollë.
Puna përkthimore dhe redaktoriale ka qenë një pasion i përhershëm në veprimtarinë shkencore të Prof.dr. Hajri Shehut. Ai ka përkthyer dhe redaktuar 10 mijë faqe nga letërsia islame. Në disa revista ka botuar “Treguesin e Kuranit”, artikuj studimorë dhe parathënie për librat që i kushtohen Kuranit. Ai, po ashtu, është autor artikujsh publicistikë dhe reportazhesh, të botuar në disa organe shtypi.
Për të kënaqur kërshërinë e lexuesve, nga aktiviteti shkencor i prof.dr. Hajri Shehut, të pasqyruar në jetëshkrimin e tij, këtu poshtë po rendis vetëm listën e fjalorëve, të përgatitur si autor dhe si bashkautor, që përbëjnë një kontribut të jashtëzakonshëm në leksikografinë shqipe dhe në leksikografinë dygjuhëshe.

“Fjalor shumëvëllimësh i gjuhës shqipe”, vëllimet II, III (vepër në dorëshkrim) (bashkautor)

“Fjalor i gjuhës së sotme shqipe”, Tiranë, 1980 (nderuar me çmimin e Republikës) (bashkautor / shkronjat D (pjesërisht), E, Ë, F, P / pjepër / prridhje, V / 270 f.)
“Fjalor i shqipes së sotme”, Tiranë 1984 (bashkautor / 165 f.)
“Fjalor i shqipes së sotme”, Tiranë 1984 (sistemim e përpunim i frazeologjisë së gjithë Fjalorit / mbi 4000 njësi)
“Fjalor i shqipes së sotme”, Tiranë, 2002 (bashkautor / 216 f.)
“Fjalor sinonimik i gjuhës shqipe”, Tiranë, 2004 (bashkautor / 314 f.)
“Fjalor i gjuhës shqipe”, Tiranë, 2006 (bashkautor / 179 f.)
“Fjalor i gjuhës shqipe” (për shkollën) (vepër për shtyp) (bashkautor)
“Fjalor i gjuhës shqipe” (për shkollarë të vegjël) (vepër për shtyp) (bashkautor)
“Fjalor i termave të artilerisë (shqip-anglisht-rusisht)”, Tiranë, 1987 (bashkautor dhe bashkëredaktor)
“Fjalor i termave të prapavijës (shqip-anglisht-rusisht)”, Tiranë, 1987 (bashkautor dhe bashkëredaktor)
“Fjalor themelor i termave të bujqësisë”, Tiranë, 2006 (bashkëredaktor)
“Fjalor anglisht-shqip i fjalëve të urta” (vepër në dorëshkrim) (redaktor)
“Fjalor frazeologjik sinonimik anglisht-shqip” (vepër në dorëshkrim) (autor)
“Fjalor anglisht-shqip” me rreth 400 emërtime bimësh (vepër në dorëshkrim) (autor)
“Fjalor arabisht-shqip”, Tiranë, 2009 (bashkëredaktor)
“Fjalor anglisht-shqip”, Tiranë, 2010 (autor / 834 f.)
“Fjalor persisht-shqip”, Tiranë, 2010 (bashkëredaktor)
“Fjalor me fjalë e shprehje popullore nga Ujemuja”, Tiranë, 2014 (autor / vepër për shtyp)
“Fjalor tematik bashkëbisedimor anglisht-shqip (vepër në dorëshkrim)
“Fjalor anglisht-shqip i thënieve dhe i njësive frazeologjike” (bashkautor me të birin, Bledarin; vepër për shtyp)
“Fjalor xhepi anglisht-shqip dhe shqip-anglisht” (bashkautor me të birin, Bledarin; vepër për shtyp)

Gjatë kohës që ka punuar në Institutin e gjuhësisë dhe të letërsisë, prof.dr. Hajri Shehu ka gëzuar respektin e të gjithë kolegëve-gjuhëtarw. Respekt të veçantë ushqente ndaj tij drejtori i Institutit të gjuhësisë dhe të letërsisë, prof. Androkli Kostallari, i cili e vlerësonte së tepërmi për punën e tij këmbëngulëse, të heshtur dhe me cilësi të lartë.
E kam njohur profesor Hajriun që gjatë viteve studentore. Takimet tona kanë qenë dhe janë mjaft të shpeshta që kur ai vazhdonte punën në sektorin e leksikografisë të Insitutit të gjuhësisë dhe të letërsisë. Më bënte shumë përshtypje, ashtu si edhe deri tani, natyra e tij e heshtur, modestia shembullore, ngohtësia e shpirtit. Me vite kisha krijuar bindjen e patundur se ai i përket sërës së njerëzve që quhen “heronj të heshtur”. Dijet e tij në lëmin e gjuhë shqipe dhe në gjuhën angleze janë me të vërtetë enciklopedike.
Vitin e kaluar, Prof.dr. Hajri Shehu botoi një vepër shkencore mjaft të rëndësishme, që përbën një tjetër kontribut me shumë vlerë në fushën e studimit të leksikut dhe të leksikografisë së gjuhës shqipe. Vepra titullohet: “Studime për leksikun dhe leksikografinë e sotme shqipe”. Librin e ka botuar Qendra e studimeve albanologjike, Instituti i gjuhësisë dhe i letërsisë. Shtypshkronja “Kaltrina”. Tiranë, 2015. Vepra ka një vëllim prej 364 faqesh. Recezent i librit është prof.dr. Thanas Feka.
Në vijim i ftoj lexuesit të njihen me përmbajtjen e recensionit.
Sinsinati, Ohajo
24 mars 2016
Prof.dr. Thanas Feka

Qendra e Studimeve Albanologjike
Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë
Hajri Shehu
Studime për leksikun dhe leksikografinë
Tiranë, 2015

Përmbledhja “Studime për leksikun dhe për leksikografinë e sotme shqipe” e prof. dr. Hajri Shehut përfshin mbi pesëdhjetë artikuj, pothuajse të gjithë të botuar në revistat shkencore “Studime filologjike”, “Gjuha jonë”, “Gjuha shqipe” etj. Tematika e saj është: I. Çështje të leksikut popullor me vlerë letrare potenciale; II. Çështje të fjalëformimit në gjuhën shqipe; III. Çështje të sintagmatikës; IV. Çështje të kulturës së gjuhës; V. Kritikë leksiko-logjike; VI. Kritikë leksikografike etj. Siç shihet, studimet dhe artikujt mbulojnë një tematikë të gjerë e të larmishme.
Çështjet e shtruara në këto studime e artikuj analizohen e shqyrtohen me kompetencë shkencore. Përmendim, p.sh., studimin për sindajshtesat në gjuhën e sotme shqipe, tek i cili, nëpërmjet analizës së një lënde konkrete, autori jep mendimin e vet për pyetje të tilla themelore, me karakter teorik, si: “A janë të ashtuquajturat sindajshtesa fjalë të plotkuptimshme jashtë njësisë së njëfjalëzuar, apo janë larguar nga sistemi i njësive leksikore të gjuhës, domethënë janë kthyer në morfema me semantikë abstrakte deri në rrafshin fjalëformues të ndajshtesave? A jemi të vetëdijshëm për kuptimin e tyre përgjithësues (karakteristik për ndajshtesat), apo për kuptimet e tyre leksikore si tema motivuese në njësinë e njëfjalëzuar? Në këtë studim ai mban qëndrimin e vet për njësi të caktuara, si bashkë-, brenda-, jashtë-, para-, krye-, shumë- etj., duke hyrë në diskutim me qëndrimin e shprehur se “ato janë shndërruar e po shndërrohen në parashtesa në të gjitha formimet me to”, se “paraqesin më shumë një lëvizje me drejtim nga kompozimi në parashtesim, por, pa u larguar shumë nga burimi”. Më konkretisht, ai pohon se “këto elemente nuk janë gramatikalizuar e as nuk po gramatikalizohen, domethënë, nuk kemi të bëjmë me fjalë shënuese që janë kthyer ose që po kthehen në formant; përkundrazi, semantikisht ato ruajnë mëvetësinë”. Po ashtu, i njëjti qëndrim mbahet për këtë problem edhe në studimin “Formimet me gjymtyrë të parë temën vetë- në gjuhën e sotme shqipe”. Në studim shqyrtohet gjerësisht nga pikëpamja leksiko-semantike grupimi më i madh paradigmatik i formime-ve me vetë-. Rritjen e numrit të këtyre formimeve në krahasim me periudhat e mëparshme të zhvillimit të gjuhës letrare, autori e lidh jo vetëm me faktorë brendagjuhësorë, por edhe me ata jashtëgjuhësorë. “Vetë zhvillimi i sotëm i prodhimit, mekanizimi dhe automatizimi i tij sjellin nocione të reja. Nga ana tjetër, dihet që shoqëria ushtron ndikim rregullues mbi gjuhën letrare nëpërmjet përpjekjesh sistematike e të vetëdijshme jo vetëm për pasurimin e saj, por edhe për pastrimin e saj të mëtejshëm nga ndikimet e huaja të panevojshme. Formimet me vetë- e përmbushin këtë synim, pasi shumë njësi të huaja, madje edhe ndërkombëtarizma me elementin auto- janë kalkuar për të mbuluar emërtime nga fusha të ndryshme të shkencës e sidomos të teknikës”. Në punim dallohen e analizohen ndarazi formimet me vetë-, kur ky përbërës zbërthehet me emrin e gjinisë femërore vet / e, -ja (vetëqortim) dhe me përemrin vetvetor vetë (vetëveproj). Një analizë e detajuar bëhet për rastet e mundshme e të pamundshme të bashkimit të vetë- me foljet sipas diatezave përkatëse, të cilat shërbejnë në këtë rast edhe si kritere për të dalluar formime e kalkime të parregullta foljore.
Për vëzhgimet dhe përfundimet me interes të veçantë shkencor mund të përmendim midis të tjerave, edhe studimin “Rreth shtimit të fjalëve të përbëra në gjuhën e sotme shqipe”. Shtimi i këtyre njësive analizohet mbi bazën e valencave të brendshme e të jashtme. Më konkretisht, nënvizohet qartë se mundësia për të formuar fjalë të përbëra kushtëzohet nga valenca e të dyja temave që hyjnë në kompozitë, por, në radhë të parë, nga tema e përsëritshme, që është gjymtyrë e parë e njësisë: sa ajo hyn në lidhje me gjymtyrë të tjera, cila është mundësia për të formuar vargje leksiko-semantike.
Nisur nga pasqyrat e nxjerra nëpërmjet analizës statistikore të fjalëve të përbëra në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe” (1980), të krahasuara me ato që janë nxjerrë nga “Fjalori i gjuhës shqipe” (1954), autori pohon se shtim më të madh kanë pasur kompozitat mbiemërore e pas tyre, ato emërore, sepse edhe temat emërore e mbiemërore në përbërje të këtyre kompozitave kanë valencë më të lartë në krahasim me temat e tjera që u përkasin pjesëve të tjera të ligjëratës. Mbi bazën e krahasimit të të dhënave të pasqyrave të hartuara për kompozitat e Fjalorit sipas pjesëve të ligjëratës, nxirret edhe një përfundim tjetër: “Valenca e lartë e temave emërore dhe mbiemërore përcakton edhe prirjet e zhvillimit të mëtejshëm të fjalëve të përbëra në gjuhën e sotme shqipe. Kjo do të thotë, – thekson ai, – që edhe në të ardhmen klasa e mbiemra-ve dhe e emrave do të ketë prirje për t’u shtuar më shumë me njësi të përbëra. Është, gjithashtu, e rëndësishme të theksohet, – shton më tej autori, – se ky shtim i mbiemrave dhe i emrave të përbërë sjell në tërësi rritjen e kategorisë leksikore të emrit dhe të mbiemrit në gjuhën e sotme letrare shqipe, madje jo vetëm për etapën e tanishme të zhvillimit të saj, por edhe për të ardhmen”.
Një tjetër trajtim shkencor me interes i është bërë leksikut me burim popullor me vlerë letrare potenciale për gjuhën e sotme shqipe në disa artikuj studimorë: “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” (1980) dhe leksiku popullor me vlerë letrare potenciale”, “Rreth disa vlerave letrare potenciale të leksikut popullor për gjuhën e sotme shqipe” etj.
Në artikullin e parë nënvizohet fakti se një ndër veçoritë dalluese të këtij Fjalori është se ka përfshirë në fjalësin e tij një numër të konsiderueshëm njësish leksikore popullore me prejardhje krahinore, të panjohura ose pak të njohura deri atëherë në gjuhën letrare. Është një zgjidhje krejt e ndryshme nga ajo e shumë fjalorëve shpjegues të gjuhëve të tjera, si të rusishtes, të bullgarishtes, të rumanishtes etj., të cilët leksikun popullor me burim krahinor e pasqyrojnë vetëm mbi bazën e përhapjes së tij të gjerë, tej kufijve vendësorë, ose mbi bazën e përdorimit të tij mjaft të gjerë në gjuhën letrare, sidomos në letërsinë artistike. Kjo zgjidhje origjinale është mbështetur në parimin udhëheqës më të përgjithshëm për zgjedhjen e fjalësit, sipas të cilit “vlerësimi i çdo fjale-leksemë (për ta futur ose jo në Fjalor) duhet bërë, në radhë të parë, jo sipas burimit dialektor, as sipas burimit letrar, por sipas vlerës së saj objektive në strukturën leksikore të shqipes së sotme letrare”.
Në artikullin e dytë autori është ndalur në fushat leksikore që kanë gjetur mjaft vend në këtë Fjalor, si: leksiku etnografik, leksiku profesional (emërtime për vegla, mjeshtëri e zeje të ndryshme popullore, procese pune me këto vegla e pajisje, pjesë të tyre etj.), leksiku etnobotanik dhe etnozoologjik etj.
Një analizë e imët leksiko-semantike e fjalëformuese u bëhet edhe njësive leksikore që emërtojnë ngjyrat në studimin “Rreth emërtimeve të ngjyrave në gjuhën shqipe”. Në studim sillet e shqyrtohet një pasuri e madhe e këtyre emërtimeve në shqipe. Ai mund të futet ndër studimet e rralla në literaturën gjuhësore, që analizon këtë pasuri leksikore të shqipes në përbërje të fushës konceptore të ngjyrave.
Për kulturën e gjuhës janë disa artikuj: “Rreth fjalëve angleze ose me prejardhje nga anglishtja në gjuhën e sotme shqipe”, “Për anglicizmat në mjetet e sotme të informimit masiv”, “Disa probleme të gjuhës së folur të mjeteve të informimit masiv”, “Për fjalët e huaja të panevojshme në mjetet e informimit masiv”, “Edhe një herë për gjuhën e televizioneve dhe të radiove tona” etj. Autori analizon shkencërisht qëndrimin ndaj anglicizmave. Për të përcaktuar gjuhësisht në mënyrë objektive vendin që huazimet angleze zënë a mund të zënë në gjuhën e sotme shqipe, autori shtron disa kritere, të cilat mund të vlejnë njëherazi për të gjitha huazimet: 1 – a jepet fjala e huazuar angleze a me prejardhje nga anglishtja me mjetet fonetike të shqipes e sipas drejtshkrimit të saj; 2 – a mund të sillet në kategorinë leksiko-gramatikore përkatëse të shqipes; 3 – a është aktive fjala e huaj, domethënë, a bën pjesë ajo në shtresën aktive, pak aktive apo pasive të leksikut e të terminologjisë; 4 – ç’jep më tej nga pikëpamja fjalëformuese, domethënë ç’valencë të brendshme ka: a shërben si temë për formime të reja, a vijnë prej saj kalke, gjymëkalke etj.; 5 – ç’sjell nga pikëpamja kuptimore: ç’semantikë zgjeron; a rikuptimësohet në gjuhën shqipe, domethënë, a zhvillon kuptime të reja; a krijon varg sinonimik me fjalë të tjera të gjuhës ose a i zgjeron më tej të tilla vargje; a kemi ndikim semantik në sinoniminë vendëse, domethënë, a lind ndonjë kuptim i ri ose ngjyresë e re kuptimore, stilistikore si rrjedhojë e induksionit semantik; 6 – cila është valenca e jashtme e fjalës së huazuar a me prejardhje të huaj, cila është mundësia e bashkëlidhjes së kësaj fjale në ligjërim etj. Bazuar mbi këto kritere, autori jep në artikujt e vet edhe një pasqyrë të gjerë me anglicizma të nevojshëm e të panevojshëm për gjuhën shqipe.
Artikujt për leksikografinë janë të shumtë. Ata mund të klasifikohen në dy grupe: 1 – artikuj problemorë, si: “A duhet të përfshihen dialektalizma e krahinorizma në një fjalor shqip – gjuhë e huaj?”, “Për një fjalor të përgjith-shëm dialektor të gjuhës shqipe”, “Fjala bashkë me fjalën”, “Për një fjalor drejtligjërimor të gjuhës shqipe”, “A duhet botuar një fjalor shkollor i gjuhës shqipe?” etj.; 2 – disa artikuj recensionues për disa vepra leksikografike, si “Fjalor i antonimeve në gjuhën shqipe” i M. Samarës, “Fjalor shqip-anglisht i Oksfordit (Oxford Albanian-English Dictionary) i L. Njumarkut, i botuar në një variant më të shkurtuar edhe në Revistën Ndërkombëtare për Leksiko-grafinë (International Journal of Lexicography), “Fjalor arabisht-shqip” i S. Tomçinit, “Fjalor persisht-shqip”, hartuar nga një grup autorësh etj. Veçanërisht në artikullin “Fjalor shqip-anglisht i Oksfordit” të L. Njumarkut bëhet një analizë e imët leksikografike e shqyrtohen objektivisht arritjet dhe mangësitë e këtij Fjalori dygjuhësh.
Një vend të rëndësishëm zënë edhe artikujt recensionues për disa monografi me karakter leksikologjik, si: “Leksiku dialektor e krahinor në shqipen e sotme” e J. Thomait, “Parafjalët në shqipen e sotme” e M. Samarës, “Termi dhe fjala në gjuhën shqipe” e A. Duros, “Tradita bujqësore nëpërmjet thesarit gjuhësor në viset veriore të Shqipërisë (në përqasje me të folmet e tjera të gjuhës shqipe)” e S. Pepës etj.
Një shkrim më i veçantë, por, sigurisht brenda tematikës së përgjithshme të kësaj përmbledhjeje është “Profesor Androkli Kostallari – personalitet i shquar i shkencës dhe i arsimit”. Është një vlerësim i merituar për veprën e tij studimore në nivel europian, për udhëheqësinë e tij shkencore në krye të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë e brenda tij, të Sektorit të leksikologjisë e të leksikografisë, për punën e tij dinjitare në shërbim të studimeve shqiptare.
Studimet dhe artikujt janë strukturuar logjikshëm sipas tematikës që mbulojnë.)

Prof. dr. Rami Memushaj : “Fjalori frazeologjik anglisht-shqip” i prof.dr. Eshref Ymerit - vepër madhore e leksikografisë sonë dygjuhëshe

Rami Memushaj.jpg




Pasthënie e Fjalorit

Frazeologjia është ajo pjesë e thesarit të një gjuhe që ndihmon të kuptohen karakteristikat psikosociale të bartësve të saj, mënyra se si ata e konceptojnë botën e jashtme që i rrethon dhe se si e pasqyrojnë botën e tyre të brendshme në gjuhën e vet. Pikërisht studimi i krahasuar i frazeologjisë së gjuhëve përbën një fushë me shumë interes, po edhe shumë të vështirë të gjuhësisë përqasëse, që lejon të zbulohen tiparet specifike të popujve që i flasin gjuhët e zgjedhura për t’u përqasur dhe të kuptohet ajo që V. Humboldi e quante “forma e brendshme” e gjuhës, e cila i dallon popujt nga njëri-tjetri, duke qenë se të njëjtat dukuri çdo popull i pasqyron në gjuhë në mënyrë origjinale. Ky origjinalitet i formës së brendshme të çdo gjuhe shfaqet edhe më dukshëm në fushën e frazeologjisë, që nuk ka aq natyrë emërtuese, sesa shpreh qëndrimin dhe vlerësimin emocional të njerëzve, dukurive, sjelljeve e ngjarjeve, saqë vështirë të gjenden përputhje midis shprehjeve frazeologjike të dy gjuhëve, po të përjashtojmë frazeologjizmat me burim biblën ose ato me natyrë ndërkombëtare që shpesh përputhen.
Kësaj fushe të vështirë të gjuhësisë i është përkushtuar qysh gjysmë shekulli më parë prof. dr. Eshref Ymeri. Si njohës i shkëlqyer i gjuhës ruse ai, që në vitet e para të punës si pedagog i kësaj gjuhe në Universitetin e Tiranës, iu vu punës për hartimin e një studimi të krahasuar të frazeologjisë së rusishtes me frazeologjinë e gjuhës shqipe. Për këtë qëllim zuri të grumbullonte shprehje frazeologjike të gjuhës shqipe, duke filluar me “Fjalorin e gjuhës shqipe” të vitit 1954. Autori i kësaj pasthënieje e ruan ende në bibliotekën e vet këtë fjalor - që në vitet ’70 të shekullit të shkuar gjendej me vështirësi - të cilin prof. Eshref Ymeri e ka mbushur me shprehje frazeologjike ruse të shkruara me bojë blu përbri shprehjeve shqipe. Por fjalori i 1954-s ishte i varfër dhe lënda që skedoi prej tij ishte e pamjaftueshme për studimin e synuar. Kështu që, me vullnetin e hekurt dhe me skrupolozitetin që e ka karakterizuar, vijoi mbledhjen e shprehjeve frazeologjike nga botimet letrare duke lexuar për këtë qëllim 472 vepra (përmbledhje me tregime, novela, romane etj.) dhe duke hedhur në skeda gjithë lëndën frazeologjike të tyre. Në këtë mënyrë, krijoi një korpus të pasur shprehjesh frazeologjike e proverbash të gjuhës shqipe, që ia mundësoi përfundimin me sukses të studimit, që e paraqiti si disertacion në kërkim të gradës “Doktor i shkencave”. Gjatë punës së mëtejshme si pedagog i përkthimit dhe sidomos si përkthyes nga gjuha shqipe në gjuhën ruse dhe anasjelltas e pasuroi edhe më tej këtë korpus. Lëndën shqipe të këtij korpusi frazemash (shprehjesh frazeologjike) e shtiu në punë gjatë hartimit të fjalorëve frazeologjikë dygjuhësh, në fillim të “Fjalorit frazeologjik italisht-shqip” (2007) si bashkautor, pastaj, si autor i vetëm, i “Fjalorit frazeologjik rusisht-shqip” (2015) dhe i “Fjalorit frazeologjik anglisht-shqip”, që po i paraqitet lexuesit.
Ashtu si dy fjalorët e parë, edhe ky fjalor i ri përmban një lëndë të pasur gjuhësore nga të dyja gjuhët. Në anglishte kjo pasuri arrin në mbi 25 mijë frazema - më saktë, 25 440 frazema - kurse frazemat e shqipes është e vështirë të numërohen, megjithatë mund të thuhet me siguri se kemi të bëjmë me një pasuri që mund të shërbente fare mirë si lëndë për një fjalor të madh frazeologjik të gjuhës sonë. Për vjeljen e kësaj lënde është shfrytëzuar një literaturë e pasur në të dyja gjuhët, që për anglishten përfshin rreth 30 fjalorë, nga të cilët 25 fjalorë shprehjesh frazeologjike e proverbash; kurse për shqipen, përveç kartotekës së pasur vetjake të autorit, edhe 13 burime të tjera - fjalorë shpjegues, fjalorë sinonimesh e fjalorë anglisht-shqip - nga të cilat pesë fjalorë frazeologjikë anglisht-shqip ose vetëm shqip.
Hartimi i një fjalori frazeologjik me përmasa të tilla në të cilin gjuha shqipe ballafaqohet me një gjuhë si anglishtja, leksiku i së cilës ka qenë gjithmonë i hapur ndaj prurjeve prej gjuhëve të tjera, ka qenë një sipërmarrje e vështirë e prof. dr. Eshref Ymerit. Këtë provë ai e ka përballuar me sukses, duke dëshmuar jo vetëm njohjen e thellë të frazeologjisë së shqipes, por edhe se kjo ka një pasuri të madhe frazeologjike dhe se në këtë aspekt ajo është e aftë të ballafaqohet me një gjuhë të një kulture të madhe, siç është anglishtja. Kësaj autori nuk do t’ia kishte arritur, në qoftë se nuk do të kishte punuar me përkushtim për disa dhjetëvjeçarë për të krijuar një korpus aq të pasur frazemash të shqipes.
Si i tillë, ky fjalor përbën një vepër tjetër madhore të leksikografisë dygjuhëshe që prof. Eshref Ymeri u dhuron përdoruesve, në radhë të parë përkthyesve nga gjuha angleze. Hartimi nga një autor i vetëm i dy fjalorëve të fundit në harkun e 12 vjetëve ka qenë një punë e stërmundimshme, të cilën edhe një ekip leksikografësh do ta kishte të vështirë ta përballonte. Pavarësisht nga modestia e autorit, lejohemi të pohojmë pa mëdyshje se këto ndihmesa e bëjnë atë kontribuesin më të madh në fushë të fjalorëve frazeologjikë dygjuhësh dhe një ndër frazeografët më të shquar shqiptarë.
* * *
Fjalori paraprihet nga një hyrje, në të cilën autori shtjellon vlerësimet e veta për frazeologjinë e gjuhës dhe për rolin e saj në njohjen e veçorive etnopsikike të një bashkësie gjuhësore, duke qenë se ato “në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi, mbartin në vetvete informacion kulturor për botën, për jetën ekonomike dhe për problemet shoqërore” të popullit që flet një gjuhë të dhënë. Si të tilla, ato përbëjnë pjesën më të vështirë të leksikut të një gjuhe, duke qenë se nuk mund të kuptohen pa njohur kushtet historike, ekonomike, politike e kulturore të jetës së një populli.
Në hyrje autori vë në dukje pasurinë e madhe frazeologjike të gjuhës angleze, duke theksuar se burimet e kësaj pasurie janë të brendshme (urtësia popullore anglosaksone, folklori, letërsia artistike, sidomos veprat e Shekspirit etj.) dhe të jashtme - bibla dhe huazime ndërgjuhësore, sidomos nga latinishtja, frëngjishtja, etj. Më tej, duke u ndalur në strukturën e shprehjeve frazeologjike, theksohet se Fjalori përfshin frazema dy- e shumëfjalëshe dhe vetëm në pak raste raste fjalë të vetme të cilave në shqipe u përgjigjen shprehje frazeologjike (si p.sh. nicely! “të lumtë” etj.). Sa i përket natyrës së frazemave të anglishtes, në përputhje me konceptin për to në frazeografinë anglo-saksone, autori shpjegon se lënda frazeologjike e këtij Fjalori përfshin njësi frazeologjike të mirëfillta, shprehje-kalke fluturake, që lidhen me mite të lashtësisë, gojëdhëna ose fakte historike, si: Ariadne's clew (thread) “filli i Arianës”, a Pyrrhic victory “fitore si e Pirros”, an apple of discord “mollë sherri”, I came, I saw, I conquered “erdha, pashë, fitova”, horn of plenty “briri i begatisë”, Open Sesame! “Sezam hapu!”, the fifth column “kolona e pestë”,the promised land- “tokë e (vend i) premtuar”etj., por në masë të kufizuar edhe fjalë të urta e maksima, sidomos pjesë të tyre që janë kthyer në frazema, si p.sh.:
every miller draws water to his own mill - “mullisi e çon ujin në mullirin e vet”, gjithsecili (gjithsekush, secili) kërkon të vaditë arën e vet (mendon për veten e vet), është më afër dera se qilari.
WEALTHY ■ early to bed and early to rise makes a man healthy, wealthy and wise - kush mëngoi, bloi; shpejtfjete dhe shpejt u çove, shëndet, pasuri dhe mendje fitove; u shtrive herët dhe herët je çuar, shëndet, pasuri dhe mendke fituar.
thirty pieces - tridhjetë aspra, çmimi i tradhtisë.
Përkthimi i shprehjeve frazeologjike është një punë e vështirë, për arsye se në to përzihen kuptimet e figurshme të fjalëve me aspekte jashtëgjuhësore që lidhen me kushtet në të cilat kanë lindur. Por gjetja e përgjegjëses shqip të frazemës angleze, është edhe më e vështirë, për shkak të natyrës idiomatike të kësaj gjuhe. Kësaj pune fort të mundimshme autori ia ka dalë mbanë duke i gjetur barasvlerësit shqip për një pjesë të frazemave që kanë të njëjtën vatër kuptimore në të dy gjuhët, si p.sh.: a closed chapter “kapitull i mbyllur”, better late than never më mirë vonë se kurrë”, break one’s oath “shkel benë”, in the flower of life “në lulen e jetës”, feel at home “ndihet si në shtëpinë e vet”, man is a wolf to men “njeriu për njeriun është ujk”, on foot “më këmbë” etj.
Në rastet e tjera kur frazemës angleze nuk ka qenë e mundur t’i gjendej përgjegjësja shqip, sidomos shprehjet frazeologjike që “përcjellin tradita gojëdhënore, që lidhen me doket e vjetra dhe me fakte nga mënyra e jetesës së popullit anglez”, autori thotë se ka përdorur kalkimin ose thjesht përshtatjen, duke dhënë disa variante, me qëllim për t’iu afruar sa më shumë kuptimit të frazemës, çka përbën edhe një ndihmë për përdoruesin e fjalorit, sidomos për përkthyesin nga anglishtja në shqip. Si frazema të tilla të vështira për t’u përkthyer ai përmend:

let the world wag (as it will)-“lëri njerëzit të dërdëllitin (si të kenë qejf)”, gojës së botës s’i vë dot peshqir, fjalët e hallkut e vrimat e gardhit s’mbyllen kurrë;
live on borrowed time- jeton me kohë (me ditë) “borxh”, i ka ditët të numëruara;
saw woodzharg- “sharron pyllin”,bën gjumin e ariut, e bën gjumin top, gërhet për shtatë palë qejfe;
the old woman is picking her geese- “plakushja u shkul pendët patokëve të vet”, po bie borë.
Në raste të tilla, autori ka dhënë në fillim në thonjëza përkthimin e fjalëpërfjalshëm të frazemës angleze, të ndjekur nga frazema ose frazemat shqipe që i përgjigjen më mirë asaj.
* * *
Lënda e këtij fjalori, ashtu si dhe në dy fjalorët e mëparshëm, është organizuar duke i grumbulluar shprehjet frazeologjike sipas fjalës që shërben si vatër e tyre kuptimore, e cila në të shumtën e rasteve është një emër ose një pjesë tjetër emërtuese e ligjëratës (folje, mbiemër a ndajfolje). Fjalët që shërbejnë si vatër kuptimore e frazemës - 4883 të tilla - janë renditur alfabetikisht dhe janë dalluar edhe grafikisht, duke i dhënë me shkronja të mëdha, ndërsa frazemat që lidhen me një vatër kuptimore janë renditur poshtë saj gjithashtu alfabetikisht. Kjo gjë e bën shumë të lehtë kërkimin e një shprehjeje frazeologjike në fjalor, mjaft që përdoruesi i tij të jetë në gjendje të dallojë vatrën kuptimore të frazemës.
Për t’u ardhur në ndihmë përdoruesve, zërat e Fjalorit janë pajisur edhe me shkurtime që shënojnë fushën e veprimtarisë shoqërore të përdorimit të një frazeme të anglishtes (anat, gjeol, muz, treg,etj.), ngjyrimet shprehëse-emocionale (iron, keq, përb, shak, etj.) dhe rrafshet ligjërimore të përdorimit të saj (krahin, libr, thjesht, zyrt, zharg, etj.). Pajisja me këto shkurtime ia shton edhe më tepër vlerat fjalorit, duke qenë se e ndihmon përdoruesin të zgjedhë barasvlerësen shqipe që i përgjigjet më mirë një shprehje të caktuar të anglishtes që ka këta tregues. Për më tepër, përdoruesit i vjen në ndihmë edhe dallimi i kuptimeve të frazemave polisemike të anglishtes, duke dhënë për çdo kuptim përgjegjëset shqipe, p.sh.:
all right - 1. në rregull, jam në një mendje me ju, ashtu qoftë, s’po jua prish, kështu ka lezet, mos kini dyshim, të jenii sigurt. 2. në mënyrë të kënaqshme, është e pranueshme. 3. në një masë të plotë. 4. me siguri, patjetër, pa pikëdyshimi. 5. ashtu edhe siç pritej, gjë normale (e zakonshme), gjëra që ndodhin, s’ka gjë për t’u çuditur, kuptohetvetvetiu, s’do mend, ta pret mendja. 6. me sukses, me mbarësi. 7. shëndoshë e mirë. 8. ta mbush syrin, i kënaqshëm,i pranueshëm, i mirë, i përshtatshëm. 9. i shëndetshëm, i ardhur në formë, i përtërirë. 10. zharg me moral tëshëndoshë, i ndershëm. 11. zharg s’e ka shokun, i mrekullueshëm, i shkëlqyer.
Dhënia e frazemave sinonime përbën një vlerë tjetër të Fjalorit, që i lejon autorit të shpalosë pasurinë e madhe frazeologjike të shqipes. Vargu i këtyre frazemave sinonime, të vendosura dhe ato në rend alfabetik, është mjaft i madh, duke arritur për zëra të veçantë në disa dhjetëra.
Por, ashtu si edhe në fjalorët e mëparshëm frazeologjikë ku është bashkautor ose autor i vetëm, prof. Eshref Ymeri për pjesën shqipe të Fjalorit nuk i ka vënë vetes si detyrë të japë të dhëna për fushën, ngjyrimet dhe stilin e përdorimit të frazemave. I mbetet përdoruesit që ndër variantet e shumta të zgjedhë atë që duhet, gjë që ky mund ta bëjë duke iu referuar kontekstit ku përdoret një shprehje e caktuar.
Një veçori tjetër dalluese e këtij Fjalori janë edhe shënimet e karakterit etimologjik e kulturor për burimin e frazemave të anglishtes, duke treguar për disa shprehje se nga ç’gjuhë janë marrë, burimin historik për shprehjet e botës anglishtfolëse dhe për huazimet nga gjuhë si latinishtja, frëngjishtja, gjermanishtja, etj., si edhe burimin mitologjik për shprehje të huazuara nga bibla ose nga mitet e lashta. Këto shpjegime, ndonëse në shikim të parë mund të duken të tepërta, vlejnë, në radhë të parë, për zgjerimin e horizontit kulturor të përdoruesit; por ato vlejnë edhe për ta ndihmuar atë në zgjedhjen e frazemës së duhur shqipe.
“Fjalori frazeologjik anglisht-shqip” është fjalori më i mirë i shkruar deri më sot në fushën e frazeologjisë dygjuhëshe anglisht-shqip, ashtu si “Fjalori frazeologjik rusisht-shqip”, i botuar para tij, i cili, me gjithë vlerat që ka, për shkak të rënies së interesit për gjuhën ruse dhe pakësimit për këtë shkak të numrit të rusishtfolësve, ra në pak duar dhe mori vlerësimin që meritonte. Ndryshe nga rusishtja, anglishtja është sot gjuha e parë e huaj në hapësirat shqiptare dhe prandaj, ky Fjalor, si vepra më e re dhe më e plotë, duhet të shërbejë si një libër tryeze, në radhë të parë, për studentët, mësuesit dhe pedagogët e anglishtes, për përkthyesit nga anglishtja në shqip dhe anasjelltas, po edhe për anglishtfolësit shqiptarë që duan ta thellojnë njohjen e gjuhës angleze.
Përtej këtyre vlerave utilitare, ky Fjalor, duke ballafaquar shqipen me një gjuhë të një kulture të madhe, siç është kultura e botës anglosaksone, nxjerr në pah pasurinë frazeologjike të gjuhës shqipe, përkthyeshmërinë e lartë të saj. Për këtë arsye, ai u duhet edhe leksikografëve e frazeografëve, të cilëve mund t’u shërbejë si model për hartimin e fjalorëve frazeologjikë gjuhë e huaj - shqip edhe për gjuhë të tjera. Do të ishte me një vlerë të madhe për frazeografinë shqiptare, nëse lënda shumë e pasur shqip e këtij Fjalori do të shërbente për hartimin e një fjalori tjetër frazeologjik të gjuhës shqipe, gjë që, në pamundësi të autorit, mund ta kryente dikush tjetër si bashkautor.

Tiranë, 07 qershor 2019




(Rami Memushaj gjuhëtar shqiptar, ka lindur në Kallarat të rrethit të Vlorës më 28 shkurt 1943. Katër klasat e para të 7-vjeçares i ka kryer në vendlindje, klasën e pestë dhe të gjashtë në shkollën 7-vjeçare "1 maj" në Skelë të Vlorës dhe të shtatën në Vranisht. Studimet e mesme i ka bërë në Vlorë, në shkollën pedagogjike "Jani Minga" gjatë viteve 1957–1961, kurse të lartat në degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe të Universitetit të Tiranës gjatë periudhës 1964–1968. Gjatë viteve 1961–1964 ka punuar si arsimtar në rrethin e Vlorës, dy vitet e para si mësues matematike në Gjorm e Vranisht dhe vitin e fundit si drejtor i shkollës 7–vjeçare në Bolenë. Pas diplomimit në shkollën e lartë, ka punuar përsëri në rrethin e Vlorës si drejtor shkolle fillimisht në fshatin Vajzë (1969–1971), pastaj në Vranisht (1971–1973) dhe në Llakatund (1973–1974). Prej vitit 1974 e deri sot punon si pedagog pranë katedrës së gjuhës shqipe të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Përveç mësimdhënies në degën e gjuhës së gjuhës dhe të letërsisë shqipe, ka mbuluar disa lëndë gjuhësore, është marrë edhe me veprimtari kërkimore në fushën e gjuhësisë. Fryt i kësaj pune janë një varg botimesh, monografi e tekste mësimore universitare e për shkollën e mesme, si dhe artikuj gjuhësorë e shkrime në shtypin shkencor dhe në shtypin e përditshëm. Veç fushës së gjuhësisë, e kanë tërhequr edhe çështje të historisë së krahinës së Labërisë dhe të Kurveleshit.

Botime

•Fonetika e shqipes standarde, Tiranë, 2009.

•Bukuria e gjuhës III, tekst i gjuhës shqipe për shkollat e mesme të përgjithshme të Malit të Zi, Podgoricë, 2009.

•Bukuria e gjuhës II, tekst i gjuhës shqipe për shkollat e mesme të përgjithshme të Malit të Zi, Podgoricë, 2008.

•Bukuria e gjuhës I, tekst i gjuhës shqipe për shkollat e mesme të përgjithshme të Malit të Zi, Podgoricë, 2007.

•Himara, Tirana, 2004.

•Histori e Kurveleshit, I, Tiranë, 2004.

•Teste gjuhësore, Vlorë, 2003 (me bashkautorësi).

•Gjuhësia gjenerative, Tiranë, 2003, 2008 (e ripunuar).

•Shqipja standarde, Tiranë, 2002, 2004, 2005, 2006, 2008.

•Hyrje në gjuhësi, Tiranë, 2002, 2004, 2006, 2008.

•Hyrje në gjuhësi, 1986, 1990, Tiranë (bashkautor).

•Morfonologji e eptimit të gjuhës së sotme shqipe, Tiranë, 1989)

Floripress,24.04.2020.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...