
(Parathënie e Fjalorit)
Fjalorët japin tablo të ndryshme të gjuhës dhe, kur janë dygjuhësh, japin tablo të gjuhëve që ballafaqohen. Për pasojë, nëse një fjalor leksemor dygjuhësh është ndërkombëtar, sepse ka dy gjuhë, dy struktura gjuhësh, dy semantika dhe dy barasvlerës, një fjalor frazeologjik dygjuhësh është dyfish ndërkombëtar, për shkak të shtresës social-kulturore specifike. I tillë është edhe “Fjalori frazeologjik anglisht-shqip” i prof. dr. Eshref Ymerit, që jep një tablo të gjuhës angleze dhe të gjuhës shqipe. Është një tablo mjaft e gjerë sepse, siç dihet, njësitë frazeologjike (dhe fjalët e urta) janë jo vetëm mjet komunikimi, por edhe burim të dhënash për jetën social-kulturore (dhe materiale) të një populli. Edhe nga një vështrim i pjesshëm i këtij Fjalori shihet shtresa social-kulturore specifike e botës anglosaksone po edhe e jetës shqiptare, që e sjell barasvlerësi në gjuhën shqipe.
Fjalorët frazeologjikë hyjnë te fjalorët specialë (kësisoj, janë diferencues). Dhe sa më gjerë të konceptohet detyra e fjalorit frazeologjik, aq më i rëndësishëm është roli i tij si mjet i kulturës së gjuhës. Por, po kaq i vështirë është hartimi i tij. Në fjalorët frazeologjikë dygjuhësh, vështirësia më e parë është barasvlerësia. Sepse barasvlerësia nuk vjen me përkthim, por, siç do ta themi më tej, me gjetje.
Por te fjalorët frazeologjikë, në dallim nga fjalorët e përgjithshëm, ka edhe një vështirësi tjetër. Ajo lidhet, më së pari, me natyrën e njësisë frazeologjike. Autori i njeh mirë konceptin njësi frazeologjike dhe kufijtë e fondit frazeologjik të gjuhës angleze dhe të gjuhës shqipe – veçoritë strukturore tipologjike dhe përmbajtjesore figurative të njësive frazeologjike dhe variantet e tyre, funksionet e tyre gramatikore dhe kushtet e tyre përdorimore, pra, rolin e tyre komunikues-funksional.
Në këtë Fjalor, përveç shprehjeve frazeologjike të mirëfillta, përfshihen edhe fjalë të urta, proverba e fjalë fluturake, çka është në përputhje me konceptin mjaft të gjerë për frazeologjinë në leksikografinë angleze. P.sh., në Fjalor gjejmë proverba, si: long absent, soon forgotten larg syve, larg zemrës; when it is not of your business, keep your nose of it kur s’ke pula, mos bëj “ish!”!(kur s’ke pula, pse hahesh me dhelprat?); fool’s haste is no speed kush nxitohet, pengohet(kush e mban hapin shtruar, më larg ka për të shkuar); strain at a gnat and swallow a camel lë miellin e merret me krundet(i lirë në miell dhe i shtrenjtë në krunde); who keeps company with the wolves, will learn to howl kush fle me qenin (qentë), ngrihet me pleshta(kush shkon pas brumbullit, te plehu do ta shpjerë, më thuaj me kë rri, të të them se cili je), etj.
Proverbat, janë mjete gjuhësore që afrohen me frazeologjinë, ngaqë kanë përdorim të qëndrueshëm (për të karakterizuar ngjarje e ndodhi jetësore), kanë kuptim të figurshëm dhe shprehësi emocionale. Nga proverbat mund të vijnë fjalë të urta. Si për fjalët e urta, edhe për proverbat, përdoruesi e ka më të lehtë t’i kërkojë e t’i gjejë në një fjalor frazeologjik sesa në një fjalor të përgjithshëm gjuhësor.
Duke përfshirë në Fjalor edhe fjalë fluturake (p.sh., there is but one step from the sublime to the ridiculous (“madhështoren një hap e ndan nga qesharakja”, madhështia me absurditetin janë pranë e pranë), me origjinë nga frëngjishtja, me autor Napoleon Bonapartin), mendojmë se është vepruar drejt, sepse, duke u frazeologjizuar, fjalët fluturake e humbasin lidhjen e drejtpërdrejtë me tekstin nga janë formuar. Tashmë, janë me karakter të figurshëm dhe, si citate, janë modele të njohura letrare.
Sa i përket cilësisë së Fjalorit, për këtë mund të gjykohet nga: 1. zgjedhja e fjalësit. 2. gramatika e fjalësit. 3. barasvlerësia; 4. përveçimi i dallimeve kulturore. 5. shembullsimi.
Fjalori frazeologjik anglisht-shqip i prof. dr. Eshref Ymerit i ka zgjidhur të gjitha shkencërisht drejt e leksikografikisht qartë.
Fjalori është diferencues (Ai është fjalor frazeologjik dhe jo fjalor i përgjithshëm leksemor.) Dhe detyra e tij ka qenë përzgjedhja e njësi frazeologjike, gramatikisht dhe leksikografikisht drejt. Ato janë të gjuhës standarde (vetëkuptohet, bashkë me gramatikën e tyre) – edhe në anglishte, edhe në shqipe; kanë kuptim të mbartur e të figurshëm. Çfarë u tha më sipër, besojmë se e plotëson këtë vlerësim. Një krahasim i thjeshtë i disa njësive më poshtë në anglishte e në disa gjuhë të tjera, besojmë se e vërtetëson këtë: Ariadne’s clew (thread) /fil d’Ariadne (frëngjisht) /filli i Arianës; the heel of Achiles /talon d’Achile (frëngjisht) /thembra e Akilit; appetite comes with eating (nga frëngjishtja) oreksi vjen duke ngrënë; look for a needle in a haystak (stack of hay) kërkon gjilpërën në kashtë etj.
Në një fjalor dygjuhësh, barasvlerësia është një ndër vështirësitë më të para. Mund të vendoset, thuajse gjithnjë barasvlerësí përkthimore midis fjalive – gjuhë burimore – gjuhë përkthimore. Jo gjithnjë është e mundshme barasvlerësia midis njësive leksikore. Arsyeja? Dallimet gjuhësore dhe kulturore (p.sh., fjalët e përbëra ekzocentrike). Te shprehjet ekzocentrike (pra, tek idiomat), te njësitë frazeologjike, te fjalët e urta e te proverbat, dallimet gjuhësore (strukturore e semantike) e kulturore (kulturore-gjeografike, kulturore-historike etj.) janë edhe shumë më të mëdha. Atëherë, barasvlerësit idiomatikë, frazeologjikë etj. duhet të vijnë jo për nga tipologjia strukturore e thënies (sigurisht, kjo ka vlerën e vet), por për nga koncepti (si mjet leksiko-semantik) që përcjellin. Krahaso, p.sh., dy konceptet: make hay while the sun shines dhe rrihe hekurin sa është i nxehtë. Atëherë, barasvlerësia në një fjalor frazeologjik dygjuhësh është onomasiologjike dhe jo semasiologjike, është gjetje barasvlerësish konceptorë dhe jo thjesht transferim simbolesh, kuptimesh e motivimesh. Por, përveçse përmbajtjesore, barasvlerësia idiomatike, frazeologjike, proverbore etj. duhet të jetë edhe funksionale. Nuk mund të vlerësohet shkëputurazi përmbajtja e njësisë nga funksionimi i saj në gjuhë. Kjo do të thotë atëherë që barasvlerësit përkthimor i duhen krijuar kushte identike përdorimi me ata në mjedisin e saj të mëparshëm. Ky është përkthim frazeologjik ndërgjuhësor. Ky është përkthim i vërtetë. Dhe ky është përkthimi në “Fjalorin frazeologjik anglisht-shqip” të prof. dr. Eshref Ymerit. Aty ka gjetje barasvlerësish. Aty ka ndërkëmbim frazeologjik ndërgjuhësor. Kësisoj, ai është krejt i besueshëm. Shih, p.sh.:be between two fires është midis dy zjarreve; better late than never më mirë vonë se kurrë; fish in troubled waters peshkon në ujëra të turbullt; set the wolf to keep the sheep vë ujkun bari; thread breaks where it is the weakest peri këputet ku është më i hollë; with a stone kill two birds me një gur vret dy zogj. Shih barasvlerësit (fjalë të urta) e gjetur për fool wants his cloak in a rainy day: guna nuk qepet kur ka filluar lloha [langoi s’ushqehet ditën që del për gjah, s’shëndoshet (s’majmet) kau (pata) ditën që do të theret, ushqeji qetë para se t’i mbrehësh] etj.
Para barasvlerësit, autori jep në thonjëzamotivimin strukturor ose kuptimor të njësisë së huaj. Është një lloj kalkimi në gjuhën shqipe. Kjo është shumë ndihmuese për përdoruesin e Fjalorit. Te njësia frazeologjike në origjinë janë dy kuptime: kuptimi aktual dhe kuptimi etimologjik (forma e brendshme, motivimi). Në aktin e ligjërimit, në plan të parë del kuptimi aktual. Kjo rrethanë bën, siç e përmendëm më parë, që të çsemantizohen gjymtyrët e saj përbërëse dhe shkallë-shkallë të harrohet forma e brendshme. Por në shumë njësi frazeologjike mund të njihet a të kuptohet forma e brendshme, sepse ajo mbështetet në togfjalëshin që e përbën atë. Forma e brendshme e njësisë frazeologjike (edhe e fjalës së urtë), domethënë, struktura e saj semantike është vetë përmbajtja konkrete. Dhe kjo përmbajtje i tregohet përdoruesit për t’i thënë: ja barasvlerësi, ja si motivohet ky barasvlerës. Nga pikëpamja psiko-linguistike, shpjegimi a kalkimi në thonjëza shton shumë në njohjen dhe përvetësimin e të dy shënuesve ndërgjuhësorë.
Si në “Fjalorin frazeologjik rusisht-shqip” (2015)të prof. dr. Eshref Ymerit, edhe këtu, në shtyllën e gjuhës shqipe kemi një fjalor të vërtetë sinonimikfrazeologjik. Sinonimet – barasvlerëse të njësisë së huaj – në shqipe janë edhe përmbajtjesore, edhe funksionale. Për shembull, te gaunt (as gaunt) as bone: e ka qafën me një dell (është bërë bark e shpinë bashkë, është bërë për në plasë të derës, është bërë cipë e kockë, është bërë kockë e lëkurë, është me dy fije brinjë, i është bërë qafa fije peri, i ka hyrë shtati në shtat, i numërohen brinjët). Dhe te throw a mist before smb’s eyes: i hedh hi (pluhur, kashtë) syve, i hedh trutë e gomarit, e hedh kodër më kodër, ia shet sapunin për djathë, ia shet shkumën për ajkë,ia shet ujin e pusit për verë, e nis me shoshë për ujë, e vë në bisht të lugës) etj.; te fly on the wheel mbi dhjetë sinonime të tjera frazeologjike: e ka hundën të gjatë, e mban bishtin cakërr, i duket hunda dyfek, i kullot hunda lart, kapardiset si maçoku në thekër (si qeni në qerre, si gjeli majë plehut) etj.
Vargu sinonimik në gjuhën shqipe shkon deri mbi 40 njësi. Së pari, kjo tregon zhvillimin e vrullshëm të frazeologjisë shqipe; së dyti, tregon shkallën e zhvillimit të letërsisë artistike, publicistike etj.; së treti, tregon mundësitë për përdorimin stilistik të njësive frazeologjike; së katërti, tregon njohjen e thellë të sinonimisë frazeologjike të gjuhës shqipe nga autori. Në vargun sinonimik te kolona e shqipes, njësia e parë është barasvlerësi më i parë i njësisë së huaj. Sinonimet që e ndjekin atë, janë relative. Zgjedhja e tyre i takon përdoruesit të Fjalorit (le të themi, përkthyesit nga gjuha burimore) për kontekstin, që e kërkon ai.
3.Frazeologjia, në masë, i përket ligjërimit bisedor. Prandaj të gjitha njësitë frazeologjike mund të etiketohen si bisedore. Por ato përdoren në stile të ndryshme. Ka frazeologji me ngjyrim mospëlqyes; ka frazeologji të ligjërimit të shkujdesur; ka edhe frazeologji me burim ose me përdorim libror. Frazeologjitë kufizohen edhe nga figurshmëria. Atëherë, duhet njëfarë kujdesi në punë të ngjyrimit shprehës-emocional, kohësor-historik etj. Autori i ka shenjuar stilistikisht aty ku është dashur. Janë përdorur dy lloje shënimesh: a) gjuhësore: bisedore, librore, e vjetruar etj.; b) sociale: përçmuese, përbuzëse etj.
Fjalori është filologjik. Çdo njësi frazeologjike është glosë më vete. Kur janë variante, bashkohen në një glosë. Përbërja leksikore e njësisë frazeologjike, e fjalës së urtë etj. jepet e plotë (sipas fjalorëve të anglishtes standarde).
Renditja ka të bëjë me vendosjen e lidhjeve ndërmjet aksh frazeologjie me frazeologjitë e tjera në sistemin e gjuhës. Njësia (frazeologjike) mund të pasqyrohet aq herë, sa gjymtyrë ka (përveç fjalëve shërbyese). Vendosja sipas gjymtyrëve përbërëse na e sjell njëherësh të njëjtën frazeologji në grupe të ndryshme. Por kjo kërkon shumë hapësirë. Në një fjalor dygjuhësh, njohja e grupeve nuk vlen edhe aq shumë. Prandaj në këtë Fjalor renditja është bërë vetëm një herë: a) sipas boshtit semantik (shih, p.sh., te fjala battle); b) sipas gjymtyrës së parë (kur nuk është fakultative dhe kur nuk ka variant leksikor); c) sipas vokabulit, d.m.th. vetë njësisë frazeologjike.
Duke i përmbushur të gjitha kriteret e mësipërme, “Fjalori frazeologjik anglisht-shqip” i prof. dr. Eshref Ymerit, u përgjigjet më së miri kërkesave të përdoruesit, qoftë ky lexues i thjeshtë apo përkthyes. Kushdo që lexon, rilexon, përkthen e ripërkthen letërsi artistike, publicistike, fetare etj. nga anglishtja, do ta ketë tashmë në tryezën e tij të punës këtë fjalor si një ndihmëtar të veçantë.
Leksikografia lidhet ngushtë me zhvillimin e gjuhësisë dhe, para së gjithash, me zhvillimin e leksikologjisë, si shkenca për leksikun e gjuhës. Fjalorët frazeologjikë dygjuhësh të botuar deri tani, pasqyrojnë bindshëm arritjet në fushën e leksikografisë e veçmas, të frazeologjisë si disiplinë gjuhësore. Në këto arritje një vend të veçantë zënë tre fjalorët frazeologjikë të prof. dr. Eshref Ymeri, në një si bashkautor dhe në dy si autor i vetëm.
Në “Fjalorin frazeologjik anglisht-shqip” të tij studiuesve të frazeologjisë u jepen zgjidhje të caktuara shkencore në ballafaqimin anglisht-shqip. Etnolinguistët kanë përpara fushat konceptore e grupet tematike të frazeologjisë (edhe të leksikut) së gjuhës angleze e të gjuhës shqipe. Leksikografët shqiptarë kanë përpara një fjalor sinonimik frazeologjik te kolona e shqipes. Etnografët kanë përpara doket e zakonet angleze, të materializuara gjuhësisht. (shih, p.sh., të ashtuquajturën privacy). Kushdo që dëshiron të njihet me histori frazeologjizmash, fjalësh të urta, fjalësh fluturake etj., mund ta lexojë me ëndje në këtë Fjalor. Fjalorët janë zakonisht libra referimi dhe nuk lexohen. Por ky Fjalor mund të lexohet mu për këto histori, shpjegime e motivime jashtëgjuhësore. Shih, p.sh., te: Teddi boy qejfli huqesh (rrebesh, trillesh). Shpjegimi e motivimi jashtëgjuhësor: Teddy është shkurtim i emrit Edward. Shprehja e ka prejardhjen nga emri i mbretit anglez Eduardi VII (Edward VII –1841-1910), i cili dallohej për mënyrën origjinale të të veshurit. Teddy boys kanë qenë imituesit e tij në radhët e rinisë së viteve ’50 të shekullit të kaluar. Shih edhe te punic faith; Knights of the Round Table; There is but one step from the sublime to the ridiculous; Fortune’s wheel; put on the buskin(s); fools rush in where angels fear to tread; strain at a gnat and swallow a camel etj.
Anglishtja është gjuha e huaj nga e cila përkthehet më shumë në shqip dhe e cila mësohet më shumë në Shqipëri. Rrjedhimisht, fjalorët me anglishten janë më të përdorurit. Ky fjalor u vjen në ndihmë të gjithë përkthyesve, pedagogëve e mësuesve të gjuhës angleze dhe të gjithë studentëve dhe nxënësve që duan ta thellojnë njohjen e saj. Në mësim, edhe për të krahasuar, për të njohur ose për të gjetur universale frazeologjike (tipi hekuri rrihet sa është i nxehtë / strike while the iron is hot) ose universale kuptimore, p.sh. përdorimin mbiemëror të emrave për të shënuar një njeri të dobësuar në trup te gaunt (as gaunt) as bone: është bërë fshikull [furde, furkë, gisht, grep, gjethe, kërrabë, kufomë, labot, lapër,laskar,lëkurë maceje, liktyrë, lipsanë, një dorë, një grusht, pe, petë, qiri, (si) bisht luge, shirit, shkarpë, (si) shkop, trëndelinë]. Si do të ishin korresponduesit e tyre në anglishte ose në një gjuhë tjetër?
Dhe në fund, nuk mund të rrimë pa vënë në dukje edhe përmasat e këtij Fjalori. Me rreth 1300 faqe, mijëra njësi frazeologjike, fjalë të urta e proverba angleze e mijëra barasvlerës shqip, “Fjalori frazeologjik anglisht-shqip” është një vepër madhore, që mund ta bënte vetëm dija e gjerë dhe vullneti i paepur i prof.dr. Eshref Ymerit. Me këtë Fjalor frazeologjia shqipe dhe leksikografia shqipe barabiten denjësisht me frazeologjinë angleze dhe leksikografinë angleze.
Tiranë, 12 korrik 2019
(Një personalitet i heshtur i gjuhësisë shqiptare:Kush është Prof.dr. Hajri Shehu
Ka lindur më 10 qershor 1942 në fshatin Vlosh të qarkut të Dibrës. Ka mbaruar shkollën e mesme pedagogjike në qytetin e Peshkopisë. Gjatë vitit 1961 ka qenë student i Istitutit të gjuhëve lindore në Moskë. Pasi Hrushovi i ndërpreu të gjitha marrëdhëniet me vendin tonë, ai u kthye në atdhe dhe në vitin 1965 i përfundoi studimet e larta në degën e gjuhës angleze të Fakultetit të historisë dhe të filologjisë të Universitetit të Tiranës. Në periudhën mes viteve 1965-1966 dhe 1968-1970, ushtroi detyrën e mësuesit të gjuhës angleze në qytetin e Peshkopisë. Meqenëse gjatë kësaj periudhe kishte shfaqur interesim të veçantë në lëmin e studimeve gjuhësore, drejtori i Institutit të gjuhësisë dhe të letërsisë, prof. Androkli Kostallari, u interesua në strukturat përkatëse shtetërore për ta tërhequr në Institutin në fjalë. Kjo u bë e mundur në vitin 1971, kur ai filloi punën në sektorin e leksikografisë të Institutit të gjuhësisë dhe të letërsisë pranë Akademisë së Shkencave. Në këtë Institut ai punoi vite të tëra (1971-1993, 1997-2010), deri sa doli në pension.
Është për t’u përmendur fakti që prof.dr. Hajri Shehu është marrë intensivisht edhe me përkthime nga anglishtja në shqip dhe me redaktime përkthimesh nga arabishtja në shqip në Organizatën Ndërkombëtare Islamike të Ndihmës (International Islamic Relief Organization), e cila e ka rezidencën në Arabinë Saudite dhe një zyrë në Shqipëri. Këtë lloj aktiviteti e ka ushtruar në vitet 1993-1995. Si një specialist i shkëlqyer i gjuhës angleze, prof.dr. Hajri Shehu pati tërhequr edhe vëmendjen e katedrës së gjuhës angleze të Universitetit të Tiranës, e cila e ftoi në detyrën e pedagogut të anglishtes në vitet 1995-1997.
Gjatë viteve të punës në Institutin e gjuhësisë dhe të letërsisë, prof. dr. Hajri Shehu vendosi lidhje me Shtëpinë botuese të Oksfordit (Oxford University Press). Ai është anëtar i Euroaleksit (Shoqata Evropiane e Leksikografëve), si edhe i “Alex Nash Fellowship of Albanian Studies” pranë Universitetit të Londrës.
Prof. dr. Hajri Shehu ka një aktivitet mjaft të pasur shkencor. Ai është bashkautor dhe autor i 22 fjalorëve të gjuhës shqipe dhe të fjalorëve anglish-shqip, shumica të botuar dhe ca në dorëshkrim që po përgatiten për në shtyp. Është autor i disa monografive dhe i më shumë se 40 artikujve shkencorë, kushtuar problemeve të gjuhës së sotme letrare shqipe, të leksikologjisë, të leksikografisë dhe të fjalëformimit, të botuar në revista të tilla shkencore, si “Studime filologjike”, “Studia albanica”, “Gjuha jonë”, “Gjuha shqipe”, “Lexicography” (Oxford).
Prof.dr. Hajri Shehu është autor i disa zërave për Fjalorin enciklopedik shqiptar, si edhe i më shumë se 30 referateve shkencore që i ka mbajtur në Institutin e gjuhësisë dhe të letërsisë, në Katedrën e gjuhës shqipe të Fakultetit të historisë dhe të filologjisë të Universitetit të Tiranës dhe në sektorin shkencor të Akademisë ushtarake.
Ai është autor i disa kumtesave shkencore, të cilat i ka mbajtur në konferenca dhe kongrese kombëtare dhe ndërkombëtare që janë zhvilluar në Tiranë, në Prishtinë, në Ohër, në Oksford, në Teheran etj.
Duhet theksuar fakti që Prof.dr. Hajri Shehu ka skeduar fjalë të gjuhës shqipe nga 100 mijë faqe librash të ndryshme për pasurimin e fondit leksikor të gjuhës shqipe pranë Institutit të gjuhësisë dhe të letërsisë. Në të njëjtën kohë, ai ka drejtuar dhjetra ekspedita gjuhësore në shumë qëndra banimi të vendit tonë për vjeljen e fjalëve të panjohura nga thesari i gjuhës së popullit.
Meqenëse në vitet e para të punës së tij pati ushtruar detyrën e mësuesit të gjuhës angleze, ai i ka kushtuar vëmendje punës për përgatitjen e teksteve mësimore. Ai është autor i disa teksteve të gjuhës angleze për shkolën fillore. Në shumë organe ai ka botuar një sërë artikujsh studimorë, kushtuar mësimdhënies në shkollë. Në shtypin e përditshëm dhe periodik ai, gjithashtu, ka pasë botuar shumë artikuj popullorë-shkencorë, kushtuar përsëri mësimdhënies në shkollë.
Puna përkthimore dhe redaktoriale ka qenë një pasion i përhershëm në veprimtarinë shkencore të Prof.dr. Hajri Shehut. Ai ka përkthyer dhe redaktuar 10 mijë faqe nga letërsia islame. Në disa revista ka botuar “Treguesin e Kuranit”, artikuj studimorë dhe parathënie për librat që i kushtohen Kuranit. Ai, po ashtu, është autor artikujsh publicistikë dhe reportazhesh, të botuar në disa organe shtypi.
Për të kënaqur kërshërinë e lexuesve, nga aktiviteti shkencor i prof.dr. Hajri Shehut, të pasqyruar në jetëshkrimin e tij, këtu poshtë po rendis vetëm listën e fjalorëve, të përgatitur si autor dhe si bashkautor, që përbëjnë një kontribut të jashtëzakonshëm në leksikografinë shqipe dhe në leksikografinë dygjuhëshe.
“Fjalor shumëvëllimësh i gjuhës shqipe”, vëllimet II, III (vepër në dorëshkrim) (bashkautor)
“Fjalor i gjuhës së sotme shqipe”, Tiranë, 1980 (nderuar me çmimin e Republikës) (bashkautor / shkronjat D (pjesërisht), E, Ë, F, P / pjepër / prridhje, V / 270 f.)
“Fjalor i shqipes së sotme”, Tiranë 1984 (bashkautor / 165 f.)
“Fjalor i shqipes së sotme”, Tiranë 1984 (sistemim e përpunim i frazeologjisë së gjithë Fjalorit / mbi 4000 njësi)
“Fjalor i shqipes së sotme”, Tiranë, 2002 (bashkautor / 216 f.)
“Fjalor sinonimik i gjuhës shqipe”, Tiranë, 2004 (bashkautor / 314 f.)
“Fjalor i gjuhës shqipe”, Tiranë, 2006 (bashkautor / 179 f.)
“Fjalor i gjuhës shqipe” (për shkollën) (vepër për shtyp) (bashkautor)
“Fjalor i gjuhës shqipe” (për shkollarë të vegjël) (vepër për shtyp) (bashkautor)
“Fjalor i termave të artilerisë (shqip-anglisht-rusisht)”, Tiranë, 1987 (bashkautor dhe bashkëredaktor)
“Fjalor i termave të prapavijës (shqip-anglisht-rusisht)”, Tiranë, 1987 (bashkautor dhe bashkëredaktor)
“Fjalor themelor i termave të bujqësisë”, Tiranë, 2006 (bashkëredaktor)
“Fjalor anglisht-shqip i fjalëve të urta” (vepër në dorëshkrim) (redaktor)
“Fjalor frazeologjik sinonimik anglisht-shqip” (vepër në dorëshkrim) (autor)
“Fjalor anglisht-shqip” me rreth 400 emërtime bimësh (vepër në dorëshkrim) (autor)
“Fjalor arabisht-shqip”, Tiranë, 2009 (bashkëredaktor)
“Fjalor anglisht-shqip”, Tiranë, 2010 (autor / 834 f.)
“Fjalor persisht-shqip”, Tiranë, 2010 (bashkëredaktor)
“Fjalor me fjalë e shprehje popullore nga Ujemuja”, Tiranë, 2014 (autor / vepër për shtyp)
“Fjalor tematik bashkëbisedimor anglisht-shqip (vepër në dorëshkrim)
“Fjalor anglisht-shqip i thënieve dhe i njësive frazeologjike” (bashkautor me të birin, Bledarin; vepër për shtyp)
“Fjalor xhepi anglisht-shqip dhe shqip-anglisht” (bashkautor me të birin, Bledarin; vepër për shtyp)
Gjatë kohës që ka punuar në Institutin e gjuhësisë dhe të letërsisë, prof.dr. Hajri Shehu ka gëzuar respektin e të gjithë kolegëve-gjuhëtarw. Respekt të veçantë ushqente ndaj tij drejtori i Institutit të gjuhësisë dhe të letërsisë, prof. Androkli Kostallari, i cili e vlerësonte së tepërmi për punën e tij këmbëngulëse, të heshtur dhe me cilësi të lartë.
E kam njohur profesor Hajriun që gjatë viteve studentore. Takimet tona kanë qenë dhe janë mjaft të shpeshta që kur ai vazhdonte punën në sektorin e leksikografisë të Insitutit të gjuhësisë dhe të letërsisë. Më bënte shumë përshtypje, ashtu si edhe deri tani, natyra e tij e heshtur, modestia shembullore, ngohtësia e shpirtit. Me vite kisha krijuar bindjen e patundur se ai i përket sërës së njerëzve që quhen “heronj të heshtur”. Dijet e tij në lëmin e gjuhë shqipe dhe në gjuhën angleze janë me të vërtetë enciklopedike.
Vitin e kaluar, Prof.dr. Hajri Shehu botoi një vepër shkencore mjaft të rëndësishme, që përbën një tjetër kontribut me shumë vlerë në fushën e studimit të leksikut dhe të leksikografisë së gjuhës shqipe. Vepra titullohet: “Studime për leksikun dhe leksikografinë e sotme shqipe”. Librin e ka botuar Qendra e studimeve albanologjike, Instituti i gjuhësisë dhe i letërsisë. Shtypshkronja “Kaltrina”. Tiranë, 2015. Vepra ka një vëllim prej 364 faqesh. Recezent i librit është prof.dr. Thanas Feka.
Në vijim i ftoj lexuesit të njihen me përmbajtjen e recensionit.
Sinsinati, Ohajo
24 mars 2016
Prof.dr. Thanas Feka
Qendra e Studimeve Albanologjike
Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë
Hajri Shehu
Studime për leksikun dhe leksikografinë
Tiranë, 2015
Përmbledhja “Studime për leksikun dhe për leksikografinë e sotme shqipe” e prof. dr. Hajri Shehut përfshin mbi pesëdhjetë artikuj, pothuajse të gjithë të botuar në revistat shkencore “Studime filologjike”, “Gjuha jonë”, “Gjuha shqipe” etj. Tematika e saj është: I. Çështje të leksikut popullor me vlerë letrare potenciale; II. Çështje të fjalëformimit në gjuhën shqipe; III. Çështje të sintagmatikës; IV. Çështje të kulturës së gjuhës; V. Kritikë leksiko-logjike; VI. Kritikë leksikografike etj. Siç shihet, studimet dhe artikujt mbulojnë një tematikë të gjerë e të larmishme.
Çështjet e shtruara në këto studime e artikuj analizohen e shqyrtohen me kompetencë shkencore. Përmendim, p.sh., studimin për sindajshtesat në gjuhën e sotme shqipe, tek i cili, nëpërmjet analizës së një lënde konkrete, autori jep mendimin e vet për pyetje të tilla themelore, me karakter teorik, si: “A janë të ashtuquajturat sindajshtesa fjalë të plotkuptimshme jashtë njësisë së njëfjalëzuar, apo janë larguar nga sistemi i njësive leksikore të gjuhës, domethënë janë kthyer në morfema me semantikë abstrakte deri në rrafshin fjalëformues të ndajshtesave? A jemi të vetëdijshëm për kuptimin e tyre përgjithësues (karakteristik për ndajshtesat), apo për kuptimet e tyre leksikore si tema motivuese në njësinë e njëfjalëzuar? Në këtë studim ai mban qëndrimin e vet për njësi të caktuara, si bashkë-, brenda-, jashtë-, para-, krye-, shumë- etj., duke hyrë në diskutim me qëndrimin e shprehur se “ato janë shndërruar e po shndërrohen në parashtesa në të gjitha formimet me to”, se “paraqesin më shumë një lëvizje me drejtim nga kompozimi në parashtesim, por, pa u larguar shumë nga burimi”. Më konkretisht, ai pohon se “këto elemente nuk janë gramatikalizuar e as nuk po gramatikalizohen, domethënë, nuk kemi të bëjmë me fjalë shënuese që janë kthyer ose që po kthehen në formant; përkundrazi, semantikisht ato ruajnë mëvetësinë”. Po ashtu, i njëjti qëndrim mbahet për këtë problem edhe në studimin “Formimet me gjymtyrë të parë temën vetë- në gjuhën e sotme shqipe”. Në studim shqyrtohet gjerësisht nga pikëpamja leksiko-semantike grupimi më i madh paradigmatik i formime-ve me vetë-. Rritjen e numrit të këtyre formimeve në krahasim me periudhat e mëparshme të zhvillimit të gjuhës letrare, autori e lidh jo vetëm me faktorë brendagjuhësorë, por edhe me ata jashtëgjuhësorë. “Vetë zhvillimi i sotëm i prodhimit, mekanizimi dhe automatizimi i tij sjellin nocione të reja. Nga ana tjetër, dihet që shoqëria ushtron ndikim rregullues mbi gjuhën letrare nëpërmjet përpjekjesh sistematike e të vetëdijshme jo vetëm për pasurimin e saj, por edhe për pastrimin e saj të mëtejshëm nga ndikimet e huaja të panevojshme. Formimet me vetë- e përmbushin këtë synim, pasi shumë njësi të huaja, madje edhe ndërkombëtarizma me elementin auto- janë kalkuar për të mbuluar emërtime nga fusha të ndryshme të shkencës e sidomos të teknikës”. Në punim dallohen e analizohen ndarazi formimet me vetë-, kur ky përbërës zbërthehet me emrin e gjinisë femërore vet / e, -ja (vetëqortim) dhe me përemrin vetvetor vetë (vetëveproj). Një analizë e detajuar bëhet për rastet e mundshme e të pamundshme të bashkimit të vetë- me foljet sipas diatezave përkatëse, të cilat shërbejnë në këtë rast edhe si kritere për të dalluar formime e kalkime të parregullta foljore.
Për vëzhgimet dhe përfundimet me interes të veçantë shkencor mund të përmendim midis të tjerave, edhe studimin “Rreth shtimit të fjalëve të përbëra në gjuhën e sotme shqipe”. Shtimi i këtyre njësive analizohet mbi bazën e valencave të brendshme e të jashtme. Më konkretisht, nënvizohet qartë se mundësia për të formuar fjalë të përbëra kushtëzohet nga valenca e të dyja temave që hyjnë në kompozitë, por, në radhë të parë, nga tema e përsëritshme, që është gjymtyrë e parë e njësisë: sa ajo hyn në lidhje me gjymtyrë të tjera, cila është mundësia për të formuar vargje leksiko-semantike.
Nisur nga pasqyrat e nxjerra nëpërmjet analizës statistikore të fjalëve të përbëra në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe” (1980), të krahasuara me ato që janë nxjerrë nga “Fjalori i gjuhës shqipe” (1954), autori pohon se shtim më të madh kanë pasur kompozitat mbiemërore e pas tyre, ato emërore, sepse edhe temat emërore e mbiemërore në përbërje të këtyre kompozitave kanë valencë më të lartë në krahasim me temat e tjera që u përkasin pjesëve të tjera të ligjëratës. Mbi bazën e krahasimit të të dhënave të pasqyrave të hartuara për kompozitat e Fjalorit sipas pjesëve të ligjëratës, nxirret edhe një përfundim tjetër: “Valenca e lartë e temave emërore dhe mbiemërore përcakton edhe prirjet e zhvillimit të mëtejshëm të fjalëve të përbëra në gjuhën e sotme shqipe. Kjo do të thotë, – thekson ai, – që edhe në të ardhmen klasa e mbiemra-ve dhe e emrave do të ketë prirje për t’u shtuar më shumë me njësi të përbëra. Është, gjithashtu, e rëndësishme të theksohet, – shton më tej autori, – se ky shtim i mbiemrave dhe i emrave të përbërë sjell në tërësi rritjen e kategorisë leksikore të emrit dhe të mbiemrit në gjuhën e sotme letrare shqipe, madje jo vetëm për etapën e tanishme të zhvillimit të saj, por edhe për të ardhmen”.
Një tjetër trajtim shkencor me interes i është bërë leksikut me burim popullor me vlerë letrare potenciale për gjuhën e sotme shqipe në disa artikuj studimorë: “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” (1980) dhe leksiku popullor me vlerë letrare potenciale”, “Rreth disa vlerave letrare potenciale të leksikut popullor për gjuhën e sotme shqipe” etj.
Në artikullin e parë nënvizohet fakti se një ndër veçoritë dalluese të këtij Fjalori është se ka përfshirë në fjalësin e tij një numër të konsiderueshëm njësish leksikore popullore me prejardhje krahinore, të panjohura ose pak të njohura deri atëherë në gjuhën letrare. Është një zgjidhje krejt e ndryshme nga ajo e shumë fjalorëve shpjegues të gjuhëve të tjera, si të rusishtes, të bullgarishtes, të rumanishtes etj., të cilët leksikun popullor me burim krahinor e pasqyrojnë vetëm mbi bazën e përhapjes së tij të gjerë, tej kufijve vendësorë, ose mbi bazën e përdorimit të tij mjaft të gjerë në gjuhën letrare, sidomos në letërsinë artistike. Kjo zgjidhje origjinale është mbështetur në parimin udhëheqës më të përgjithshëm për zgjedhjen e fjalësit, sipas të cilit “vlerësimi i çdo fjale-leksemë (për ta futur ose jo në Fjalor) duhet bërë, në radhë të parë, jo sipas burimit dialektor, as sipas burimit letrar, por sipas vlerës së saj objektive në strukturën leksikore të shqipes së sotme letrare”.
Në artikullin e dytë autori është ndalur në fushat leksikore që kanë gjetur mjaft vend në këtë Fjalor, si: leksiku etnografik, leksiku profesional (emërtime për vegla, mjeshtëri e zeje të ndryshme popullore, procese pune me këto vegla e pajisje, pjesë të tyre etj.), leksiku etnobotanik dhe etnozoologjik etj.
Një analizë e imët leksiko-semantike e fjalëformuese u bëhet edhe njësive leksikore që emërtojnë ngjyrat në studimin “Rreth emërtimeve të ngjyrave në gjuhën shqipe”. Në studim sillet e shqyrtohet një pasuri e madhe e këtyre emërtimeve në shqipe. Ai mund të futet ndër studimet e rralla në literaturën gjuhësore, që analizon këtë pasuri leksikore të shqipes në përbërje të fushës konceptore të ngjyrave.
Për kulturën e gjuhës janë disa artikuj: “Rreth fjalëve angleze ose me prejardhje nga anglishtja në gjuhën e sotme shqipe”, “Për anglicizmat në mjetet e sotme të informimit masiv”, “Disa probleme të gjuhës së folur të mjeteve të informimit masiv”, “Për fjalët e huaja të panevojshme në mjetet e informimit masiv”, “Edhe një herë për gjuhën e televizioneve dhe të radiove tona” etj. Autori analizon shkencërisht qëndrimin ndaj anglicizmave. Për të përcaktuar gjuhësisht në mënyrë objektive vendin që huazimet angleze zënë a mund të zënë në gjuhën e sotme shqipe, autori shtron disa kritere, të cilat mund të vlejnë njëherazi për të gjitha huazimet: 1 – a jepet fjala e huazuar angleze a me prejardhje nga anglishtja me mjetet fonetike të shqipes e sipas drejtshkrimit të saj; 2 – a mund të sillet në kategorinë leksiko-gramatikore përkatëse të shqipes; 3 – a është aktive fjala e huaj, domethënë, a bën pjesë ajo në shtresën aktive, pak aktive apo pasive të leksikut e të terminologjisë; 4 – ç’jep më tej nga pikëpamja fjalëformuese, domethënë ç’valencë të brendshme ka: a shërben si temë për formime të reja, a vijnë prej saj kalke, gjymëkalke etj.; 5 – ç’sjell nga pikëpamja kuptimore: ç’semantikë zgjeron; a rikuptimësohet në gjuhën shqipe, domethënë, a zhvillon kuptime të reja; a krijon varg sinonimik me fjalë të tjera të gjuhës ose a i zgjeron më tej të tilla vargje; a kemi ndikim semantik në sinoniminë vendëse, domethënë, a lind ndonjë kuptim i ri ose ngjyresë e re kuptimore, stilistikore si rrjedhojë e induksionit semantik; 6 – cila është valenca e jashtme e fjalës së huazuar a me prejardhje të huaj, cila është mundësia e bashkëlidhjes së kësaj fjale në ligjërim etj. Bazuar mbi këto kritere, autori jep në artikujt e vet edhe një pasqyrë të gjerë me anglicizma të nevojshëm e të panevojshëm për gjuhën shqipe.
Artikujt për leksikografinë janë të shumtë. Ata mund të klasifikohen në dy grupe: 1 – artikuj problemorë, si: “A duhet të përfshihen dialektalizma e krahinorizma në një fjalor shqip – gjuhë e huaj?”, “Për një fjalor të përgjith-shëm dialektor të gjuhës shqipe”, “Fjala bashkë me fjalën”, “Për një fjalor drejtligjërimor të gjuhës shqipe”, “A duhet botuar një fjalor shkollor i gjuhës shqipe?” etj.; 2 – disa artikuj recensionues për disa vepra leksikografike, si “Fjalor i antonimeve në gjuhën shqipe” i M. Samarës, “Fjalor shqip-anglisht i Oksfordit (Oxford Albanian-English Dictionary) i L. Njumarkut, i botuar në një variant më të shkurtuar edhe në Revistën Ndërkombëtare për Leksiko-grafinë (International Journal of Lexicography), “Fjalor arabisht-shqip” i S. Tomçinit, “Fjalor persisht-shqip”, hartuar nga një grup autorësh etj. Veçanërisht në artikullin “Fjalor shqip-anglisht i Oksfordit” të L. Njumarkut bëhet një analizë e imët leksikografike e shqyrtohen objektivisht arritjet dhe mangësitë e këtij Fjalori dygjuhësh.
Një vend të rëndësishëm zënë edhe artikujt recensionues për disa monografi me karakter leksikologjik, si: “Leksiku dialektor e krahinor në shqipen e sotme” e J. Thomait, “Parafjalët në shqipen e sotme” e M. Samarës, “Termi dhe fjala në gjuhën shqipe” e A. Duros, “Tradita bujqësore nëpërmjet thesarit gjuhësor në viset veriore të Shqipërisë (në përqasje me të folmet e tjera të gjuhës shqipe)” e S. Pepës etj.
Një shkrim më i veçantë, por, sigurisht brenda tematikës së përgjithshme të kësaj përmbledhjeje është “Profesor Androkli Kostallari – personalitet i shquar i shkencës dhe i arsimit”. Është një vlerësim i merituar për veprën e tij studimore në nivel europian, për udhëheqësinë e tij shkencore në krye të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë e brenda tij, të Sektorit të leksikologjisë e të leksikografisë, për punën e tij dinjitare në shërbim të studimeve shqiptare.
Studimet dhe artikujt janë strukturuar logjikshëm sipas tematikës që mbulojnë.)
No comments:
Post a Comment