Agjencioni floripress.blogspot.com

2020/04/25

Lekë Imeraj: Dhuna - Burimi, kuptimi, parandalimi


Picture
Libri i Lekë Imerajt, një anatomi për dhunën

“Vetëm atëherë kur populli nuk do të ketë më frikë nga dhuna, qeveria do ta braktisë dhunën si një send të pavlerë. Vetëm ata që janë përfundimisht të vendosur për të mos e përdorur dhunën, do të çlirohen nga frika e dhunës”. Me këto fjalë të liderit indian Mahatma Gandhi, ideolog i urtësisë politike dhe sociale nis libri më i ri i Lekë Imeraj i titulluar "Dhuna-burimet, kuptimi, parandalimi", i sapopublikuar nën siglën e botimeve “Naimi”. Duke iu referuar fenomenit të dhunës në realitetin shqiptar, recensentja e librit, dr. Zamira Çavo thotë në parathënie të librit: “Shqiptarët e vumë në qendër të modelit funksional dhunën dhe mikun! Nëse nuk e zgjidhnim një problem me “mikun”, e zgjidhnim me dhunën! Nëse shikojmë gjuhën politike të artikuluar në vitet e para të demokracisë bindesh se “dhuna” tek koncepti ynë është dhunë fizike, është gati-gati luftë e shpallur! E ngjizur brenda ADN-së elementi i dhunës, i “të fortit”, u përkthye dhe në kuptimin e demokracisë. Dhuna ndaj tjetrit u konsiderua sërish si një domosdoshmëri për mbijetesën e një populli ku politika ka po të njëjtën filozofi! Dhuna e “kapërceu” kuptimin e saj historik duke u ridimensionuar si dhunë ndaj ligjit, si mosbindje ndaj rregullit. Në këtë kuptim dhuna sot ka të gjithë dimensionin e saj për tu shfaqur në shoqërinë shqiptare. Nga ana tjetër, ajo që ka munguar, ose dhe kur e kemi patur ka qenë në periferi të vëmendjes, ka qenë edukimi me punën, me tolerancën dhe mirëkuptimin. Pikërisht për të gjitha këto e vlerësoj shumë punën që autori Lekë Imeraj ka bërë në librin "Dhuna”, një lloj anatomie për këtë fenomen që ka shoqëruar historinë njerëzore. Libri sjell me shumë detaje, me shumë zbërthime dhe shembuj gjithçka favorizon, ngurtëson dhe degradon  në dhunë një individ e një shoqëri. Me një pasion prej njeriu të urtë e që vlon nga dëshira për ta parë vendin të ndryshuar pozitivisht, me idealizmin e një njeriu që beson në modelin e moralit dhe mençurisë njerëzore, me bindjen se gjithkush duhet të bëjë çka në dorë për ta bërë, autori sjell një vepër që do duhej të ishte në çdo familje. Madje, do duhej të përbënte një material për çdo njeri që natyra apo puna e ka sjellë të luajë rolin e edukatorit. Pra, ky libër duhet lexuar nga prindërit, për të kuptuar fëmijët e tyre, duhet lexuar nga mësuesit për të orientuar edukimin e nxënësve të tyre, duhet lexuar nga të rinjtë për të besuar se vetëm dija, dhe jo forca, e çon përpara mirëqenien, duhet lexuar nga studentët dhe pedagogët, veçanërisht ata të shkencave sociale.
Ndonëse nuk lë mënjanë shfaqjet e dhunës në Shqipëri, në fakt, libri është një libër që e kundron dhunën në një këndvështrim më kompleks, duke e parë si fenomen universal jo vetëm në pikëpamje të fakteve, por sidomos për të zbuluar rrënjët e saj, burimet, përhapjen. Janë me qindra referencat nga literatura botërore duke i dhënë lexuesit shqiptar një trajtim në aspektin filozofik, social dhe psikologjik të këtij fenomeni.
Për këto vlera dhe të tjera u fol gjatë promovimit të librit në mjediset e Universitetit “Marin Barleti”, Tiranë, ku folën mes të tjerësh edhe shkrimtari Fadil Kraja, prof. dr. Lush Susaj, prof. dr. Ndue Gjoka.

No comments:

Post a Comment

Flori Bruqi, e pasqyruar në shtatëdhjetë libra të botuar deri tani, për çka ai duhej nderuar me medaljen më të lart “Nderi i Kombit”.

  Akademik Prof.dr.Eshref Ymeri, PHD Prof. dr. Flori Bruqi, me “Diademë Letrare V” Akademik PHD, Eshref Ymeri Vitin e kaluar, Shtëpia Bo...