Përse shkruaj?
Shkruaj, sepse s’mund të bëj ndryshe. Të shkruarit s’është një dëshirë; është një nevojë. Unë shkruaj për ata që kanë ndjerë atë çka kam ndjerë edhe unë, për ata që kanë ëndërruar ashtu si kam ëndërruar edhe unë, për ata që dinë emocionin e të hedhurit germa të nxituara në letrën plot korrigjime, për ata që lehtësohen kur dëgjojnë tingullin e faqes së kthyer me padurim, ndërkohë që prekin vazhdimisht butësinë e tyre të vjetëruar nga koha.
Shkruaj me shpresën se, ndoshta, dikush do të kuptojë çfarë fshihet pas këtyre rreshtave. Nuk fshihet ndonjë mesazh i veçantë, ndonjë këshillë apo dituri. Fshihen veç ndjenja. Por të pakët janë ata që kanë për të lexuar dhe, ndoshta, edhe më të pakët janë ata që kanë për të kuptuar; këtë e di.
Nganjëherë edhe unë pyes veten se përse vazhdoj të shkruaj. Shumë shkruajnë, por pak tregojnë për shkrimet e tyre. Sepse kur shkruajmë, kemi frikë për ata që do të lexojnë. Frikë se mos, ndoshta, askush s’do ta pëlqejë, se askush s’do ta vlerësojë historinë tënde, frika se mos edhe ty do të të trajtojnë ndryshe për shkak të kësaj. Por kam kuptuar se të shkruarit nuk do guxim. Do dashuri.
Nëse romanin e parë ua dedikova atyre që më duan dhe më mbështesin, këtë roman ua dedikoj atyre që s’e kuptojnë dashurinë që i rrethon. Nëse dikush të do, qoftë edhe një person i vetëm, shkruaj për të. Të shkruarit s’ka të bëjë me vullnetin, durimin apo dijen. Ka të bëjë me ty dhe me ata që të rrethojnë. Unë rrëfej botë që ekzistojnë në zemrat e atyre që prekin fjalët e hedhura në letër. Të shkruash do të thotë të shprehësh atë çka ndjen. Nëse frika të ndalon të shkruash, atëherë harro se çfarë është frika. Mos shkruaj për ata që do të lexojnë, shkruaj për ata që krijojnë, rrëfejnë, dhe ndryshojnë prej fjalëve të tua. Shkruaj për ata që janë të vetmuar, por plot dashuri, për ata që duken të varfër, por kanë një shpirt të pasur, për ata që kanë një vështrim të trishtuar, por dinë se ç’do të thotë të jesh i lumtur. Për të gjithë ata që ndjejnë.
Përse shkruaj? Shkruaj, sepse s’mund të bëj ndryshe. Unë shkruaj, sepse kjo jam unë.
No comments:
Post a Comment