Prestigji i individit si prestigj gjuhësor - Shënim për 100-vjetorin e botimit të parë dhe për ribotimin e tretë nga “Naimi” të librit të Kostë Çekrezit
Në vitin 1917, thuajse në të njëjtën kohë që shkruante monografinë e njohur Shqipëria: e shkruara dhe e tashmja, që i ishte porositur nga Harvard University, si pjesë e përpjekjeve amerikane për të njohur popujt e vegjël të Europës së vjetër, nga do ta kishte burimin parimi i vetëvendosjes, shpallur nga Woodrow Wilson në Konferencën e Versaille-s (1919), Konstantin Chekrezi, që njihet ndër ne (për aq sa njihet) si Kostë Çekrezi, përgatiti dhe botoi një prej librave më të pashoq në historinë e shkrimeve shqip, titulluar Letra, shkresa, fjalëtore.
Pas botimit nga autori në SHBA (Boston 1917) dhe botimit të dytë të përmirësuar (Tiranë 1927), libri vjen sërish tek lexuesi shqiptar, pikërisht në 100-vjetorin e daljes së parë në dritë, kësaj radhe me titullin Udhërrëfyes për komunikim nga shtëpia botuese Naimi. Kjo po ndodh jo vetëm për të plotësuar shkallë pas shkalle ndihmesat origjinale të një trinie të rrallë, që veproi e krijoi në SHBA, si F. Noli, F. Konica dhe ai vetë, por edhe për të njëjtin qëllim për të cilin u shkrua kryekrejet, si një lehtësi pune për të gjithë ata që duan të përcjellin kumte me shkrim tek njëri-tjetri: vetjake e familjare, formale e zyrtare, popullore e elitare, publike e të pashpallura.
Kostë Çekrezi e shkroi librin e tij në radhë të parë për t’u ardhur në ndihmë shqiptarëve të Amerikës, që të komunikonin me të afërmit, t’u shkruanin prindërve, grave, vëllezërve e motrave; të bënin një letër publike për një të përkohshme; të shkruanin një kartë-postale urimi; t’i kërkonin dikujt ndjesë, t’i drejtoheshin një zyre me një kërkesë, me një ankesë, me një lutje, me një padi, me një qortim, me një thirrje; shkurt, të shpreheshin me shkrim ashtu si e donte kultura e njeriut që jetonte në Perëndimin e Perëndimit, siç njihej kontinenti i ri, Bota e re. Në pjesën më të madhe të pashkolluar, punëtorë krahu si gjithë emigrantët në botë, shqiptarët e Amerikës s’kishin as formim dhe as kohë të shkruanin vetë letra të tilla, familjare e zyrtare, prandaj dikush duhej t’ua përgatiste për përdorim të gatshëm. padi, me një qortim, me një thirrje; shkurt, të shpreheshin me shkrim ashtu si e donte kultura e njeriut që jetonte në Perëndimin e Perëndimit, siç njihej kontinenti i ri, Bota e re. Në pjesën më të madhe të pashkolluar, punëtorë krahu si gjithë emigrantët në botë, shqiptarët e Amerikës s’kishin as formim dhe as kohë të shkruanin vetë letra të tilla, familjare e zyrtare, prandaj dikush duhej t’ua përgatiste për përdorim të gatshëm.
Ribotimi i librit të Kostë Çekrezit më 1927 erdhi prej një fakti të pabesueshëm, që e pati mahnitur edhe vetë autorin e librit: shumë prej blerësve e përdorën larminë e letrave të tij ashtu siç përdoret sot një formular. Nëse duhej t’u shkruanin një letër prindërve, ata shqitnin nga libri letrën e duhur për prindërit dhe thjesht shenjonin me dorë në krye emrat e tyre dhe në fund emrin e vet si nënshkrues. Këto letra, që në të vërtetë kishin për autor Kostë Çekrezin, kur vinin në Shqipëri shkonin nga një dorë në tjetrën, derisa gjendej një i kënduar që mund ta lexonte për të afërmit.
Nuk qenë vetëm emigrantët ata që e përdorën librin e Kostë Çekrezit si një këshilltar të pagabueshëm për letërkëmbimin e tyre. Kushdo që ka pasur mundësi, qoftë dhe kalimthi, të njihet me përvojën e korrespondencës zyrtare dhe institucionale shqiptare të periudhës midis dy luftërave, në të gjitha nivelet e saj, do të ketë vënë re se kultura e të shkruarit të zyrave dhe institucioneve të asaj kohe është krejt e ndikuar fort prej tij.
Mund të thuhet me siguri se Kostë Çekrezi është themeluesi i ndajshtimeve zyrtare të traditës shqiptare (duke përjashtuar ndajshtimin e rrallë Naltmadhni). Ai krijoi të parën hierarki zyrtare të shprehur si hierarki gjuhësore, pikërisht përmes përshkallëzimit të ndajshtimeve, duke analoguar me to në mënyrë të shkëlqyer formulat e apelimit dhe adresimit. Në fakt, kështu Kostë Çekrezi i dha të shtyrën e fundme titulaturës së vjetër osmane, e cila mori dhe një goditje të fortë juridike në vitin 1923, me miratimin për herë të parë prej ligjvënësve shqiptarë të kohës të detyrimit ligjor për të përdorur mbiemrin si gjeneralitet identifikues, pikërisht mbiemrin, që kishte qenë armiku më i madh i ish-perandorisë së selçukëve dhe kishte mbërritur gati-gati në pikën e vdekjes.
Gjuha shqipe kaloi nëpër një rrugë shumë të vështirë për të fituar virtyt si gjuhë zyrtare-shtetërore. Mungesa e traditës qeverisëse në njërën anë dhe provincializmi i shartuar me pak modernitet perëndimor, që F. Konica e quante thjesht levantinizëm, qenë vetëm dy nga pengesat. Konfuzioni dhe anarkia në raportet e shtetasit me shtetin e tyre merrte shprehjen më të padenjë në shqiptimin gjuhësor. Dhe kjo nuk qe çështje vetëm e njeriut të zakonshëm. Në një letër që F. Konica i drejtonte diplomatit të mbretërisë së pakmëhershme Dervish Duma 3 prill 1942, pasi mundohej t’i shpjegonte pse ai vetë, F. Noli dhe A. Zogu në atë kohë e shihnin njëri-tjetrin si aleatë, lutej: Unë do t’ju thosha të mbani lidhje me peshkopin Noli, por, ju lutem, mos bëni përsëri gabimin duke iu drejtuar Hirësisë së Tij me titullin “Atë”. Noli, mbi të gjitha, jo vetëm njihet si kryeprift dhe kryepeshkop i kishës sonë kombëtare, por është dhe themeluesi i kësaj kishe, madje ka qenë i njohur zyrtarisht si kryepeshkop kanonik i Durrësit nga Patriarkana e Kostandinopojës.
Kostë Çekrezi nuk shpiku gjithçka kur shkroi këtë libër. Ai njihte mirë korrespondencën e shqiptarëve gjatë Rilindjes dhe shfrytëzoi letra të botuara në shtypin e asaj kohe si modele komunikimi. Herë-herë të duket se ato modele janë zgjedhur nga ndonjë korrespondencë e Fan Nolit apo e Faik Konicës, e Jeronim de Radës apo e Dora d’Istrias, e Naim Frashërit apo e Andon Z. Çajupit, e Luigj Gurakuqit apo e Preng Doçit, e Thimi Mitkos apo e Mit’hat Frashërit, e Lef Nosit apo e Salih Butkës.
Megjithëse i shkruar si një libër shërbimi, prej të cilëve më së shumti çmohet vlera praktike dobiprurëse, Letra, shkresa, fjalëtore i Kostë Çekrezit në një anë bashkoi pragmatikën me stilistikën, duke paraqitur për herë të parë bashkë në një vepër gjithë tipologjinë e korrespondencës së njerëzve dhe zyrave; ndërsa në anën tjetër e oksidentalizoi përfundimisht atë, duke e çliruar rreptësisht prej shtampave të kadinjve dhe duke shqipëruar formulat europiane të politesës e mirësjelljes. Këtij qëllimi ai nuk iu nda gjithë jetën. Megjithëse Kostë Çekrezi ishte ndarë prej romantizmit, libri i tij i korrespondencës shqiptare u shërbeu shqiptarëve për t’i ndriçuar, për t’i shpëtuar prej gabimeve, ashtu siç kishin këmbëngulur me kryeneçësi enciklopedistët francezë gati dy shekuj më herët. Ai ka qenë dhe mbetet një libër që kishte si parim themelor atë që italianët e quajnë grammatica dei incontri, gjuha e takimeve, gjuha e dialogut. Në anën tjetër, me këtë libër Kostë Çekrezi pati si synim t’i japë virtyt gjuhësor kodeve të komunikimit mes njerëzve dhe zyrave dhe t’i japë prestigj fjale njeriut shqiptar në të gjitha format e shkruara të kumteve të tij. Kështu, libri i Kostë Çekrezit synoi të krijojë qytetarin shqiptar me prestigj gjuhësor.
Udhërrëfyes për komunikim është një libër i rrallë edhe në një kuptim tjetër. Ai mund të konsiderohet një katalog i vërtetë i idiomave të urimeve, ngushëllimeve, qortimeve, po të dëshironi dhe të lajkatimeve e të përvujtnisë. Regjistri i raporteve ndërnjerëzore, i raporteve të njeriut me autoritetin, me pushtetet, zyrat, gjykatat, ka në këtë libër pamjen më të imët e më të larmishme. Askund tjetër nuk gjenden gjuhësisht shprehur në marrëdhënien më të drejtë raportet e njeriut me ngjarjet themelore të jetës, me institucionet kryesore të shtetit, me avokatin dhe noterin, me gjendjen civile dhe me konsullatën, me bankën dhe me tregun, me vendësin dhe të huajin, me lajmësin e me zyrën e novullimit, me recepsionin e një hoteli dhe me zyrën e amzës të një shkolle. Kjo larmi e të shprehurit gjuhësisht të raporteve ndërnjerëzore është një thesar jo vetëm për studiuesit, por edhe për njerëzit e thjeshtë.
Sa u takon njerëzve të zakonshëm, do thënë se ky ribotim i librit të Kostë Çekrezit sipas të gjitha gjasave jo vetëm do të rikonfirmojë dobinë e vet, por njëherësh do të padisë gjendjen e mjeruar të kulturës së sotme të komunikimit, e cila vuan varfërimin gati-gati të pakthyeshëm dhe rehabilitimin e pashpresë stilistikor e njerëzor. Sot nuk ka më shprehje ndjenjash dashamirëse njerëzore, sepse të gjitha i ka zëvendësuar fjala urime. Sot nuk ka më shprehje delikate komunikimi me njerëzit, sepse të gjitha i ka zëvendësuar fjala përshëndetje. Sot madje nuk ka më as shprehje afërie njerëzore dhe pjesëmarrjeje të drejtshprehur gjuhësisht në dhimbjen e tjetrit, sepse të gjitha i ka zëvendësuar fjala ngushëllime. Dhe ky është rasti më i mirë, sepse në përgjithësi krejt këto bashkohen në një a dy shkurtesa: hi ose tung. Për të mos u shtyrë më tej, që, bie fjala, ftesat e martesës i koncepton studioja grafike ku porositen, kurse lajmërimet e vdekjes zyra e funeralit që merr përsipër shërbimin e fundmë. Dhe njeriut të ngratë, qoftë për të mirë, qoftë për të keq, nuk i bën zemra të ruajë një kopje të tyre si kujtim për pasardhësit, sepse, fundja, çfarë do t’u tregojë!
Nëse për njerëzit e zakonshëm, për ata që kanë ende një shije gjuhësore të mbijetuar (jo dhe për ata që gjuhën e kanë thjesht teknokraci kumtimi) libri Letra, shkresa, fjalëtore i Kostë Çekrezit do të jetë një arsye për t’u ndier keq, për zyrtarët shqiptarë do të jetë shkak që ta shohin veten si shembëllim të karaktereve të Katër përrallave të Zullulandit të F. Konicës. Zyrtari shqiptar nuk e di ende se kur dikujt i drejtohesh me ndajshtimin zonjë apo zotëri, detyrimisht duhet t’i drejtohesh në mbiemër. Jo, zyrtari shqiptar të drejtohet lirisht me zotëri apo zonjë dhe vijon lirisht me formën e shkurtuar të emrit: zoti Caci, zoti Lym, zonja Leta, zonja Lili, për shembull. Zyrtari shqiptar që përdor postën e numerizuar e shkruan tekstin e letrës së vet atje ku duhet të jetë titulli dhe nuk e kupton pse kjo postë ka dhe një kuti të madhe bosh! Zyrtari shqiptar kujton se komplimenti është një gjë e keqe, se nderimi është servilosje, se politesa është borgjeze. Zyrtari shqiptar thotë culiculum për curriculum; u thotë eprorëve o shefi, o njëshi, dhe nuk e ka problem se në ç’hierarki të saktë gjendet me të. Zyrtari shqiptar e nis shkresën me ju dhe e mbyll me ti; shkruan për porosinë shtetërore dhe pastaj bashkon po aty pa asnjë drojë edhe një lutje personale. Zyrtari shqiptar ngre në këmbë gjithë institucionin për të zbuluar nëse fjala stimë është shkruar gabim, sepse mund të ketë qenë stinë, dhe, nëse është shkruar drejt, a ka kuptim pozitiv apo negativ.
Zyrtari shqiptar, nëse sheh shkurtesën e post scriptum-it (P.S.) në fund të fletës pyet i habitur pse më ngatërrojnë me këtë parti.
Nëse dëshironi të shihni se cila është kultura gjuhësore zyrtare sot, që është e vetmja pasqyrë ku mund të shihet fytyra e administratës shtetërore, mjafton të këshilloni disa prej faqeve zyrtare të numerizuara të tyre. Natyrisht, jo komentet, por njoftimet, thirrjet për pjesëmarrje, shpalljet e rezultateve. Hierarkia gjuhësore që përmban libri i Kostë Çekrezit ka si përgjigje në gjendjen e sotme të komunikimit anarkinë gjuhësore, që, sido që të jetë, shpreh edhe një anarki të brendshme administrative.
Se deri ku ka mbërritur rrënimi i letërkëmbimit shqiptar, i letrave dhe shkresave bashkë, mjafton të shihni një deklaratë noteriale që ju mund të keni në shtëpi. Pikërisht në dokumentin që përmban fatin e pasurisë suaj, të shtëpisë suaj, të testamentit tuaj, do të gjeni aq shumë gabime, sa, në një vend tjetër, me stile ligjërimi të kodifikuara, jo më shumë se kodifikimi që u ka bërë këtyre stileve Kostë Çekrezi në librin e tij, askush nuk do t’ia njihte vlerën juridike.
Libri i Kostë Çekrezit është një pasqyrë ku administrata e sotme shqiptare, ndoshta, nuk do të ketë guximin të shihet dhe më mirë të mos shihet. Në vendostë të shihet, dhe në pastë aq mend sa të kuptojë ndryshimin, me siguri do të thyejë pasqyrën. Por në ndodhtë që të urdhërohet të marrë si model katalogun e shkresave të Kostë Çekrezit, tek e fundit nuk ka pse të ndihet keq, sepse të mësosh prej të parit harvardist shqiptar nuk është turp. Një gjë mund të thuhet me siguri: kushdo që bën me faj gjuhën shqipe, thjesht njofton padijen e tij. Libri i Kostë Çekrezit është një avokat i shkëlqyer i shqipes zyrtare.
Duke qenë se modelet e letërkëmbimit që përmban koleksioni i Kostë Çekrezit, si të atij vetjak e familjar, ashtu dhe të komunikimit zyrtar, edhe sot e kësaj dite shërbejnë për të ndihmuar individët dhe zyrat si të shkruajnë një letër private a një shkresë administrative, në këtë botim gjuha e autorit vjen e përshtatur me drejtshkrimin e shqipes së sotme, pa prekur leksikun, frazeologjinë dhe ndërtimin e fjalisë, që ruhen si në dy botimet e para. Për të gjithë ata që dëshirojnë të thellojnë njohjen e tyre në këtë koleksion si specialistë të korrespondencës, filologjisë së tekstit, shkencave të komunikimit, kulturës zyrtare dhe për qëllime të tjera, në botim përfshihen shumë faksimile të letrave të botimit të vetë autorit.
Prof. dr. Shaban Sinani

No comments:
Post a Comment