Agjencioni floripress.blogspot.com

2020/04/25

Shaban Sinani - Letërsia në totalitarizëm dhe "Dossier K."


Picture



“Letërsia në totalitarizëm dhe “Dossier K.”, botimet “Naimi”, Tiranë 2011,  është  botimi i ri i plotësuar me dokumente e analiza të reja për veprën e shkrimtarit më të madh shqiptar  I. Kadare, pasi kaluan afro 10 vjet nga botimi i vjetër nën titullin “Një dosje për Kadarenë” (Tiranë 2005).
Ky botim i ri u bë i nevojshëm për shkak se kishin dalë disa dokumente të reja dhe nga lexuesit e opinioni pati kërkesa që dokumentet të botoheshin të plota. Në gjendjen e re libri përmban dy pjesë. Në pjesën e parë botohet monografia “Letërsia në totalitarizëm: I. Kadare”, një studim i nisur dhe i kryer si projekt shkencor, që ka për qëllim të paraqesë kushtëzimin kontekstual të letërsisë në shoqëritë e mbyllura, përmes rastit më të diskutueshëm gjatë dy dekadave të fundme, letërsisë së Ismail Kadaresë.
Në këtë diskutim janë përfshirë dhe studiues të huaj, historianë të “luftës së ftohtë” dhe të totalitarizmit, përkthyes të veprës së shkrimtarit, albanologë. Studimet letrare, sido që për nga natyra dhe metodat bashkëkohore janë gjithnjë e më tekstocentriste, kur është fjala për letërsinë e gjysmës së dytë të shekullit të 20-të, qoftë në Shqipërinë shtetërore, qoftë në Kosovë, nuk i shmangen dot kontekstit historik.
Në pjesën e dytë botohen dokumentet, të pajisura me shenjime informuese të saktësuara e të plotësuara, si dhe me referencat e burimit arkivistik, që lejojnë e lehtësojnë shfrytëzimin e tyre prej cilitdo që është i interesuar për një njohje të drejtpërdrejtë të tyre. Në këtë botim janë shtuar afërsisht 15 dokumente të reja, të cilat në kohën e botimit të parë e të dytë ishin ende nën kufizimet e Ligjit 9154 “Për Arkivat” ose nuk ishin identifikuar në procesin kërkimor.
Nga dokumentet, nuk është hequr a shkurtuar asnjë prej atyre që kishin koleksionit të dy botimeve të para. Midis dokumenteve të shtuara, dy letra të M. Shehut për E. Hoxhën, që botohen në këtë libër për herë të parë, janë me rëndësi parësore për të kuptuar raportet e shkrimtarit me pushtetet dhe sidomos për të verifikuar konceptin për letërsinë si çështje shtetërore.
Duke qenë një botim i llojit dossier, nuk është përzgjedhur a përjashtuar asnjë dokument i zbuluar dhe ndonjëherë botimi i tyre përmban edhe fragmente që s’lidhen drejtpërdrejt me argumentin e këtij libri, por thjesht përjashtojnë paragjykimet. Po ashtu, duke qenë se gjatë dy dekadave të fundme janë bërë shumë debate për vërtetësinë a pavërtetësinë e paraqitjes publike të bashkëbisedimit / debatit të intelektualëve shqiptarë në takimin me R. Alinë në gusht të vitit 1990 (në atë kohë kryetar i shtetit shqiptar), në përbërje të këtij libri botohet për herë të parë në tërësi pjesa e debateve Kadare-Alia, shoqëruar me referenca të sakta kronografike në fonodokumentin origjinal që ruhet në dy pjesë në formatimin CD në rrjetin arkivor kombëtar.
Në botimin e ri u gjykua me vend që të vihen emrat e plotë të hartuesve dhe nënshkruesve të dokumenteve, për atë pjesë që në botimet e mëpërparshme kishin mbetur të identifikuar vetëm me nistore (iniciale), kryesisht për arsye etike. Në dy botimet e mëhershme u quajt me vend “kursimi” i tyre, si një e drejtë e fundme morale që hartuesit të dokumentit t’i jepet një kohë dhe mundësi ta shpallë vetë autorësinë dhe të përligjë qëndrimet e mbajtura ose të përgjigjet për to.
Botimi i dokumenteve me nënshkrimet e plota të autorëve do të dëshmojë shkallën e paimagjinueshme të demonizimit të shkrimtarit prej shkrimtarit gjatë periudhës totalitare; si dhe mund të ndikojë për mirë në debatet që hapen e rihapen në formë fushatash për qëndrimin ndaj fshehtësive të arkivave dhe sidomos ndaj dosjeve të policisë së fshehtë politike.

    Titulli: Letërsia në totalitarizëm dhe “Dossier K.”
    Autori: Shaban Sinani
    ISBN: 978-9928-109-09-5
    Faqe: 480

Shaban Sinani - Midis dy rilindjesh


Picture

Teza themelore që bashkon studimet e këtij vëllimi është se midis kultit dhe kulturës, midis klerit dhe letërsisë, nuk ka dhe nuk mund të ketë ndarje, deri në epokën moderne të shekullarizimit. Pikërisht kjo sjellje metodologjike parimore shkencërisht e provuar për frytshmërinë e saj e ka nxitur autorin të bashkojë në një vëllim studime që shtrojnë një pyetje themelore për dijet albanologjike:
A ishin shqiptarët e periudhës arbërore pjesë e Rilindjes Europiane dhe a ka lidhje Rilindja e tyre Kombëtare me idetë e këtij “tërmeti të madh epokal”, sikurse e quan autori?
A ka një vazhdimësi midis periudhës humaniste europiane dhe ideve romantike kombëtare?
Në mos më shumë, autori ka identifikuar disa prej kryemiteve të përbashkët të dy periudhave: mitin e origjinës, mitin e hershmërisë, mitin e vendlindjes, mitin e gjuhës amtare, mitin e heroit, mitin e Arbërit - diku si realitet parësor historik e diku si kujtim i të parëve në “Motin e madh”. Prandaj, “Midis dy Rilindjesh” mund të kuptohet edhe si një përpjekje për të provuar se humanizmi europian dhe humanizmi shqiptar i shekullit të 19-të, ndonëse kronologjikisht me shekuj ndërmjet, në frymë ishin evokim dhe rikthim i njëri-tjetrit.
Kanë shumë interes për lexuesin ato studime që vështrojnë raportet e fenomeneve kulturore ndërkombëtare, perandorake, të shfaqura për shkak të një fryme të përbashkët apo të një politike kulturore të përbashkët. Libri “Midis dy Rilindjesh” është origjinal në llojin e vet. Ai do t’u shërbejë studiuesve të historisë, të qytetërimit, të kulturës, të letrave shqipe, të gjuhës amtare.
“Midis dy Rilindjesh” është një studim që kap në vështrim disa çështje të rëndësishme të lidhura me historinë, kulturën dhe letërsinë shqiptare. Me shumë interes kreu ku autori sjell në vështrim gjendjen kishtare në Shqipërinë e shekullit të 14-të -  15-të, duke e parë atë si rrjedhojë e një tradite, që bën lidhjen nga një periudhë ku krishterimi ishte në kulmin e vet të sundimit në këtë vend dhe të asaj periudhe, kur kishte filluar jo vetëm ndarja e kishës romane nga ajo bizantine, por kur edhe trysnia e islamizimit po ndihej e fortë.
Po ashtu, nëpërmjet dokumenteve të ndryshëm autori argumenton faktin që shoqëria shqiptare e kohës ishte e organizuar si ajo e të gjitha vendeve të tjera europiane dhe jeta e qyteteve bashkë me marrëdhëniet në to rregulloheshin me statute dhe rregullore, të cilat janë të dokumentuara dhe ruhen në arkiva të ndryshme, në dallim nga jeta e rrethinave, ku marrëdhëniet mes njerëzve rregulloheshin nëpërmjet kanuneve dhe të cilët janë ruajtur si pasuri zakonore gojore.
Statutet e qyteteve shqiptare duket se kanë qenë të një niveli të lartë dhe kjo tregon dhe nivelin e lartë të zhvillimit të kësaj shoqërie të krahasueshme me vendet e tjera të kohës.Në funksion të argumentimit të kësaj ideje autori vëren se jeta e fisnikërisë së kohës: heraldika, titujt, emblemat, stemat, vulat etj., por dhe marrëdhëniet diplomatike, tregtare, ekonomike, fetare etj. me vendet e tjera, të cilat analizohen me hollësi (kemi parasysh lidhje të tilla si Topiajt me anzhuinët, paria e Himarës me Papatin, Kastriotët me Mbretin e Napolit etj.) janë të një niveli të lartë.
Dokumentacioni i gjerë që shoqëron arsyetimin e autorit është shumë i vlefshëm në këtë rast dhe burim për teza të ndryshme shkencore në kuadër të idesë që kjo pjesë e botës ka qenë e mirintegruar në atë sistem të madh vlerash të asaj kohe a më mire epoke që quhet Rilindje Europiane. 

Shaban Sinani - Mitologji në eposin e kreshnikëve


Picture

Për eposin shqiptar është shkruar mjaft. Dijetarë jashtë vendit kanë botuar monografi për të, ose për motive të krahasuar të epikës legjendare. Por “Mitologji në eposin e kreshnikëve” është e para monografi për eposin që bëhet gati për botim këtu, në Shqipëri.
Gjithë tradita e studimeve, brenda dhe jashtë vendit, nga autori shihet me prirje integruese, duke synuar emancipimin e mendimit shkencor dhe çlirimin e dijes prej idesh fikse e kompleksesh.“Mitologji në eposin e kreshnikëve” është shkruar mbi bazën e një formimi kulturor dhe teorik shumë të gjerë. Ky nivel shënon një hap përpara.
Forcimi i prirjes për një metodologji perëndimore do të ndihmojë që të tejkalohet empirizmi që është trashëguar. Autori ka një njohje të shumanshme për lëndën folklorike shqiptare dhe e ka kapërcyer plagën e etno-folkloristikës sonë, karakterin përshkrues. Në këtë kuptim, studimi dëshmon një nivel shumë më të lartë se ai që është trashëguar. “Mitologji në eposin e kreshnikëve” nuk është një temë krejtësisht e re. Por është bërë një hap i ri përpara për të sintetizuar arritjet pozitive të deritashme.
Autori ka mundur ta përfshijë këtë temë në kontekstet e problematikës aktuale të albanologjisë në përgjithësi. Kjo ka bërë që në monografi të shtrohen disa nga problemet më të mprehtë të albanologjisë. Në monografinë “Mitologji në eposin e kreshnikëve” të  Shaban Sinanit eposi shqiptar është trajtuar nga të gjitha anët: historike (rruga e formimit), diakronike (prej formulimit të tezave të para shkencore deri tek debatet e sotme), mitologjike (shtresimi i vlerave letrare të tij prej fazave më të hershme të mendimit të figurshëm), hapësinore (trajtohet më vete çështja e vendformimit të eposit dhe e kuptimit të hapësirës në përfytyrimin mitologjik), krahasuese (ka disa përqasje në rrafsh ballkanik), strukturore (një vend të rëndësishëm zë në punim trajtesa rreth mekanizmit të qarkullimit gojor të eposit nëpër breza).
Ky vështrim i shumanshëm e bën monografinë e Shaban Sinanit një ndër më të arrirat, në mos më të arrirën, ndër studimet që janë shkruar deri tani për eposin legjendar. Ajo është një arritje e shkencës etno-folklorike shqiptare. Aparati konceptual i autorit është befasues për plotninë e tij, për aftësinë e mprehtë kritike. Meritë e veçantë e kësaj monografie është se autori ka kombinuar me sukses metoda të ndryshme: historike, etnologjike, etnopsikologjike, gjuhësore, strukturaliste, krahasimtare, duke shfrytëzuar për të forcuar argumentin shkencor avantazhet e secilës prej tyre.

Danja Sinani - Përkufizimi juridik i vdekjes: Eutanazia


Picture

Danja Sinani, autore e studimit “Përkufizimi juridik i vdekjes: Eutanazia”, që tashmë i paraqitet publikut si libër, na sjell një varg argumentesh të rrafshit europian dhe botëror, për të formuar bindjen se e drejta për të vdekur nuk është një atentat ndaj jetës, por plotësim përfundimtar i saj. Me parashtrimin e temës, të historikut të debatit mbi të drejtën e vdekjes; me pasurinë e citimeve dhe referencave të larmishme; me renditjen e fakteve e argumenteve të shumta, duke i përqasur ato me realitetet sociale e juridike në nivel europian, por edhe shqiptar, autorja ka realizuar një monografi unike, të parën monografi në gjuhën shqipe mbi eutanazinë. Shkurt, nga pikëpamja profesionale, tashmë lexuesi ka në dorë jo vetëm një monografi për një argument europian, por edhe një dije të standardit, metodologjisë dhe të frymës europiane.
Autorja e librit, Danja Sinani, ka kryer studimet në Universitetin “Lumière, Lyon 2” në Francë, studime universitare për të drejtë private. Më pas thelloi me rezultate të shkëlqyera studimet e shkallës Master në Universitetin Europian të Tiranës duke realizuar dhe studimin monografik “Përkufizimi juridik i vdekjes: Eutanazia”, të cilin, më pas, e ktheu në një studim monografik për lexuesin e gjerë.

Laureta Petoshati - Rikthim në Ventotene


Picture



Personazhe reale si Llazar Fundo, Isuf Luzaj, Stavro Skëndi, Skënder Muco, pastaj Enver Hoxha, Hysni Kapo te shndërruar pastaj në personazhe letrare... Histori, letërsi apo masoneri politike... Kjo është “kurthi” që i ngre me mjeshtëri lexuesit autorja e romani “Rikthim në Ventotene”, Valbona Petoshati. Të përpiqesh të rindërtosh historinë e një kombi nëpërmjet letërsisë është padyshim një akt sa i lartë, po aq dhe tepër i ndërlikuar. Laureta Petoshati ka ditur ta realizojë në mënyrë mjeshtërore të gjithë këtë proces.
Romani “Rikthim në Ventotene” është fryt i një pune të palodhshme hulumtuese disavjeçare në lëmin e historisë dhe për më tepër në hulumtimin dhe gjurmimin e përpjekjeve të intelektualëve shqiptarë të periudhës së Luftës së Dytë Botërore, kryesisht atyre të internuar nga fashizmi në ishujt e Italisë, si pjesë e debatit për përpilimin e dokumentit historik si Manifesti i Ventotenes që do të ishte bërthama e realizimit të ëndrrës së Europës së Bashkuar.

    Titulli: Rikthim në Ventotene
    Autori: Laureta Petoshati
    ISBN: 978-9928-109-39-2
    Faqe: 590

Korab Hoxha - Shenja të munguara në letrat shqipe


Picture

Një manual të pazëvendësueshëm për shkollën shqipe të përkthimit. Kështu është vlerësuar libri “Shenja të munguara në letrat shqipe” i autorit Korab Hoxha, pedagog në fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Tiranë. Libri synon të rreh të shqyrtojë e të vlerësojë prurjet e përvojës sonë më të mirë përkthimore prej  poezisë ruse si dhe të analizojë përcjelljen e saj në letrat shqipe në dy harqe të mëdha kohorë: në vitet ’60 dhe në vitet’90, sepse, për vetë rrethanat historike të krijuara, ky proces nuk ka qenë drejtvizor e i vazhdueshëm, por i ndërprerë dhe, për më tepër, i gjymtuar.
Kështu, nëse deri në vitet '60 të qindvjetëshit të kaluar, pavarësisht nga kriteret politike që u ndoqën, procesi rrodhi, le të themi, normalisht, pas këtyre viteve shfaqet një hendek rreth tridhjetë vjeçar. Letrat shqipe i humbasin lidhjet e drejtpërdrejta më poezinë ruse, përkthimet rreshtin dhe studiuesit nuk mund ta ndjekin dot nga afër procesin poetik. Procesi i përcjelljes së poezisë ruse në shenjat shqipe rifilloi së bashku me zhvillimet demokratike të viteve ’90, kur, ndërkohë, vetë poezia ruse kish shpërfaqur tashmë pjesën më problematike të saj, pjesën e errët, të panjohur për ne.
Ndërkohë, ky libër synon të vërë në dukje edhe ato të meta që erdhën si pasojë e dëmtimit të vetë poezisë ruse, në radhë të parë prej kufizimeve ideore të kohës, por, dhe pse jo, edhe prej koncepteve përkthimore artistike shpesh të gabuara, sepse jo vetëm poezia ruse, por dhe gjykimi për të do të vinte i dëmtuar. Kështu, kriteri ideologjik do ta zhvendoste shkallë shkallshëm kriterin artistik. Pro apo kundër do të ishte parimi bazë i krejt vlerësimit të poezisë ruse.
Kjo, në aspektin formal, do të sillte humbjen e një pike referimi në sistemin e vlerave çka, në rrafshin artistik, do të ndihej dukshëm edhe në modelet përkthimore, që do të përcilleshin drejt nesh, të cilët, shpesh, nuk do të ngriheshin mbi truallin e tyre zanafillor filozofik.  Libri “Shenja të munguara në letrat shqipe” është bazuar mbi një literaturë gjithëpërfshirëse artistike dhe shkencore, por përfundimet, praktikisht, janë arritur prej qëmtimesh të imta të modeleve përkthimore shqipe të krahasuara me gjuhën e origjinalit, por dhe me disa modele nga më të mirat të traditës anglo-saksone dhe amerikane.
Këto analiza janë bërë, më së shumti, nën optikën e  arritjeve semiotike, ku tekstura poetike është parë dhe interpretuar si njësi tredimensionale, pra, si një ndërthurje rrafshesh semantikë, morfosintaksorë, fono dhe morfonologjikë, duke u dhënë, në të njëjtën kohë, përgjigje pyetjeve si dhe pse është përcjellë në këtë mënyrë kjo lëndë poetike prej përvojës sonë përkthimore dhe se cilat janë prirjet e saj në këtë drejtim.Libri “Shenja të munguara në letrat shqipe” është një studim monografik i munguar prej kohësh, që rreh të shqyrtojë e të vlerësojë prurjet e përvojës sonë më të mirë përkthimore për sa i përket poezisë ruse.
Ajo që të bie në sy është analiza moderne e strukturës poetike, çka sjell për pasojë dhe shkeljen  e disa tabuve, deri më tani krejt të paprekura dhe kjo padyshim përbën një risi për mendimin tonë estetik. Përsa i përket mënyrës së shtjellimit, do të vija në dukje ndërthurjen e përjetimeve poetike me përfundimet shkencore, që vijnë pas qëmtimesh të shumta modelesh përkthimorë e që grupohen rreth një metafore të gjetur, që autori e quan dukuria e hënës, prej së cilës deri vonë ne kishim njohur vetëm anën e saj të ndritshme. Mendoj se paskëtaj hëna e poezisë ruse shpërfaqet e plotë në shenjat shqipe.
Libri “Shenja të munguara në letrat shqipe” është shkruar me ndjenjën e një poeti dhe saktësinë e një studiuesi. Ajo çka më lë mbresa më shumë është përkujdesja me të cilën është përzgjedhur materiali letrar që merret në shqyrtim, si dhe analiza që i bëhet atij, prej së cilës përftohen përfundime shpesh krejt befasuese. 

Arjetë Luani - Sylvia Plath: arti i lindjes, vdekjes dhe rilindjes


Picture

Silvia Plath ishte dhe do të mbetet një “luaneshë” e poezisë amerikane të shekullit XX, e cila, me kthetrat e saj, preku aspektet më pikante që kishin të bënin me femrёn në veçanti. Ajo ishte: “një nga ato heroinat e mëdha klasike”, siç do të shprehej Robert Lowell, në hyrjen e Ariel (1965). Silvia Plath ishte autore e “një prej librave poetikë më tronditës, mallëngjyes dhe universal të publikuar në shekullin XX”, do të shkruante gazeta “Time”.
Ajo ka dhënë një kontribut të madh në thyerjen e tabuve ne vitet 1960. Ajo solli një stil krejt të ri në të shkruar dhe në tematikë. Kjo do ta bënte atë të radhitej ndër autoret më të veçanta, duke marrë parasysh edhe tiparet rrëfimtare, që bëri që të tërhiqej më shumë vëmendja drejt jetës së saj.Studiuesja Arjete Luani ka tërhequr vetëm një aspekt të veçanësisë së saj që janë imazhet.
Imazhet janë një nga armët e saj më të forta dhe që e dallon poezinë e saj: “Unë duartrokas përdorimin e fjalëve si mjete për të skalitur imazhe nga ajri i hollë dhe për t’iu dhënë atyre substancë”, ka thënë Silvia Plath. Ky libër ka të bëjë me gruan dhe me kalvarin e saj në një shoqëri maskiliste.


Fitorja e LVV-së në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 sipas Exipolit.-

 LVV (Levizja Vetëvendosje) 43.3% 7,535 PDK (Partia Demokratike e Kosovës) 18.4% 3,204 LDK (Lidhja Demokratike e Kosovës) 12.9% 2,256   AAK...