SHKRUAN AKADEMIK PROF.DR.ESHREF YMERI
Në personin e miliarderit Donald Tramp,
teleshikuesit kanë pasë njohur sipërmarrësin kryesisht në sferën e pasurive të
paluajtshme, si edhe në rolin e drejtuesit të emisioneve televizive, sidomos të
atyre me programe argëtuese. Në një sërë filmash dhe teleserialesh, ai ka pasë
luajtur role episodike. Prej vitit 1996 deri në vitin 2015, Trampi ka qenë
pronar i konkursit ”Miss Universi”. Ambiciet
e tij për postin e presidentit kanë pasë nisur pas zgjedhjeve të vitit 1988.
Por vetëm në tetorin e vitit 1999 e pati deklaruar veten si kandidat të
mundshëm të Partisë së Reformave (më 14 shkurt të vitit 2000 hoqi dorë nga
kandidimi), një parti kjo, të cilën, në vitin 1995, e pati themeluar Ros Pero (Ross Perot - 1930-2010), biznesmen,
filantropist, politikan konservator, kandidat i pavarur për postin e
presidentit në zgjedhjet e vitit 1992 dhe 1996.
Më 16 gusht të vitit 2015, Trampi
deklaroi se po hynte në garë për postin e presidentit në zgjedhjet e nëntorit
të vitit 2016. Asokohe, kur pata ndjekur disa nga emisionet e lartpërmendura
televizive, Trampi nuk më pati lënë përshtypje të mira, sepse jo rrallëherë nuk
mbante qëndrim serioz ndaj atyre që intervistonte. Por për dyshimet e mia për
mosseriozitetin e tij, u binda më vonë, pasi kishte shpallur kandidaturën për
president
Gazetarja e mediaportalit ndërkombëtar “BuzzFeed”, Miriam Elder, më 18 dhjetor 2015,
aty pati botuar artikullin me titull “Kjo është arsyeja e vërtetë se pse Putini e
ka qejf Donald Trampin”.
Sipas gazetares, Putini dhe Trampi kanë
ngjashmëri: të dy duken si “máço” (nga
spanjishtja “macho”, që do të thotë “mashkull”, në kuptimin “burrë agresiv, i
pushtuar së tepërmi nga josha seksuale) dhe janë të prirur për stil
autoritarist në ushtrimin e pushtetit. Ajo nënvizon:
“Trampi, ky tip i kuturisur, ky ksenofob, ky lojtar
cirku, në retorikën e vet ka arritur deri atje, saqë ka nxjerrë nga goja të
tilla deklarata absurde, të cilat e kanë bërë Vashingtonin objekt talljesh në të gjithë botën. Dhe kjo
klounadë vazhdon çdo javë. Të gjithë rrinë e hedhin fall se në çfarë katastrofe
do të na çojë një gjë e tillë. Ende nuk kanë arritur t’i bien në të, ndërkohë
që Putinit ia ka prerë mendja: nga kaosi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
duhet nxjerrë përfitim politik. Agai i Kremlinit e përkrah Trampin për të
vetmen arsye se Trampi paraqet kërcënim për vetë Shtetet e Bashkuara të
Amerikës”.
Një javë pas leximit të këtij informacioni, në një
tjetër portal, u njoha me një deklaratë të Trampit, krejtësisht antishqiptare. Por
për përmbajtjen e saj do të bëj fjalë pak më poshtë.
Kishte disa muaj që po vazhdonte fushata elektorale
dhe, më në fund, pasi Trampi i kishte lënë pas të gjithë rivalët gjatë garës,
partia republikane, më 16 maj 2016, e shpalli të vetmin kandidat për president,
çka u aprovua në kongresin e asaj partie që i zhvilloi punimet më 18-21
qershor. Është për t’u theksuar se Trampi ishte i pari president që kishte
fituar më pak vota se rivalja e ti Hilari
Klinton (Hillary Clinton - 1947), por
postin e presidentit ai e mori me votat e kolegjit zgjedhor, ku kishte fituar
306 vota (56,88%).
Nuk më takon mua të flas për Trampin se si e ka
drejtuar vendin me mënyrën e qeverisjes gjatë katër vjetëve të mandatit të tij
dhe nëse republikanët, me Trampin, bënë një eksperiment të suksesshshëm apo të
dështuar. Kjo është një zeje që e ushtrojnë analistët, opinionistët dhe
publicistët amerikanë. Por nëse Trampi e ka ngritur apo e ka ulur autoritetin e
Shteteve të Bashkuara në sytë e opinionit publik ndërkombëtar, po mundohem të
them dy fjalë, duke përfshirë edhe qëndrimin e tij ndaj shqiptarëve.
Së pari, Si president i një vendi të madh dhe me autoritet
në botë, Trampi, çuditërisht, u ngrit e shkoi, nga Vashingtoni në Singapor, për
të takuar, pothuajse në derën e shtëpisë, diktatorin e Koresë së Veriut, për t’i
mbushur mendjen të hiqte dorë nga armët bërthamore, udhëtim që përfundoi me një
vërë në ujë: sipas informacioneve më të fundit, Koreja e Veriut, gjatë
një parade ushtarake në Phenjan më 15 janar 2021, zbuloi një lloj të ri të
raketës balistike, që lëshohet nga nëndetësja, ndërkohë që diktatori Kim i cilësoi Shtetet e Bashkuara si “armikun më të
madh” të vendit të tij.
Së dyti, u ngrit e shkoi në kufirin e dy Koreve, për të
“pajtuar” kryediktatorin e Veriut me presidentin e Jugut, pra, shkoi në shtëpinë
e tyre dhe vizita i doli huq.
Së treti, pranoi të takohej me Putinin, “në derën e shtëpisë”
së këtij të fundit, në Helsinki, ku u përqafua ngrohtësisht me neocarin rus. Para
atij takimi, që u zhvillua më 16 korrik 2018, Trampi pati deklaruar se takimi i tij me Putinin do të ishte pjesa më e lehtë e
udhëtimit të tij në Evropë. Por pas kësaj deklarate, reagoi ashpër senatori
republikan Xhef Fleik (Jeff Flake), i
cili tha:
“Presidenti rus është
një njeri i shkolluar në tradhti dhe spiunim. Ai i burgos dhe i vret
kundërshtarët e tij, kryeson një shtet mafioz dhe është armik i demokracisë.
Përse takimi me Putinin do të ishte më i lehtë se takimi me aleatët?” (Citohet
sipas: Valona Tela. “Putini është armik i
Amerikës”. Faqja e internetit “Evropa
e Lirë”. 13 korrik 2018).
Me këto takime, Trampi
pati braktisur traditën dinjitoze të presidentëve paraardhës, të cilët, në takimet
me udhëheqës të huaj jashtë territorit amerikan, respektonin parimin e
baraslargësisë. Kështu, Bushi, i Madhi, qe takuar me Gorbaçovin në Maltë, kurse
Regani, po me Gorbaçovin, qe takuar në Islandë.
Gjatë fushatës
zgjedhore të Trampit për mandatin e dytë, ra në sy diçka shumë e çuditshme: për
herë të parë në historinë e fushatave zgjedhore në Shtetet e Bashkuara, duke
filluar nga zgjedhjet e para në vitin 1790, u dëgjua shprehja “vjedhje votash”, një dukuri
karakteristike kjo për vende diktatoriale dhe ish-komuniste. Shembullin më
domethënës për vjedhje votash e ka dhënë Putini, kur, për herë të parë, mori
postin e presidentit në zgjedhjet e 26 marsit të vitit 2000. Asokohe, një
gazetar i njohur në Tiranë më pati dhënë të lexoja një kopje të një gazete ruse
me titull “The Moscow Times”, në të
cilën përshkruhej mënyra e vjedhjes së votave nga taborret e Putinit, e cila
ishte e pamundur të zbulohej.
Këtu do të mjaftohem të ndalem edhe
në disa fakte që vërtetojnë se ajo çka shkruante
pesë vjet më parë gazetarja e lartpërmendur Miliam Elder për marrëdhëniet e
Trampit me Putinin, kishte tërhequr edhe vëmendjen e gazetarëve të tjerë që në
vitin 2016, deri edhe një vit apo disa muaj para përfundimit të mandatit të
tij.
Një gazetar
dhe shkrimtar anglez shkruan:
“Në dhjetor,
disa muaj para se Trampi të propozohej nga partia republikane si kandidat për
president, Putini e pati quajtur “njeri
të ndritur, të talentuar, pa as dyshimin më të vogël”… Trampi, nga ana e
vet, u shpreh për Putinin me simpati, duke e quajtur “udhëheqës të fortë”, me të cilin do të dëshironte të kishte
marrëdhënie shumë të mira… Mjetet ruse të informimit masiv janë kryesisht në
mbështetje të Trampit, i cili, në financimin e bizneseve të veta me pasuri të
paluajtshme, tradicionalisht, vazhdon t’i var shpresat te paratë ruse” (Citohet
sipas: Julian Borger. “Nuk ka dyshim që Putini përkrah Trampin”. Faqja
e internetit e gazetës “The Guardian”. 26
korrik 2016).
Autori
i një analize gjatë fushatës së Trampit, pati tërhequr vëmendjen për një
deklaratë të tij. Ai shkruan:
“Deklarata e
Trampit, sipas të cilit do të ishte më mirë që diktatorët gjakatarë, si Sadam
Huseini, Moamar Kadafi dhe Bashar Al Asadi të mbeteshin në pushtet, ndryshon
kaq shumë nga politika e sotme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe
përputhet plotësisht me pikëpamjet e Putinit, saqë jehona e saj në mjetet ruse
të informimit masiv vlerësohej si detyrë e dorës së parë”. (Citohet sipas: Rob
Garver. “Kjo është
arsyeja pse Putini dëshiron që Trampi të jetë në Zyrën Ovale”. Faqja e internetit “yahoo!news”. 27
korrik 2016).
Gazetari i gazetës angleze “Financial
Times” Eduard Lus (Edward Luce), në
numrin e datës 17 janar 2019, pati botuar një artikull, me titull “E
vërteta e pakëndshme për përqafimet e Trampit me ariun rus”. Aty ai
shkruan:
“Donald Trampi sillet në një mënyrë të
tillë, sikur i detyrohet diçka Vladimir Putinit”, dhe shtron pyetjen:
“A do të kishin votuar senatorët
republikanë për heqjen e sanksioneve kundër kompanive të oligarkut rus Oleg
Deripaski, sikur president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës të kishte qenë
dikush tjetër? Jo”.
Në revistën
javore amerikane“Newsweek” të datës 16 dhjetor 2019, gazetarja Melissa Lemieux shkruante:
“Media
shtetërore ruse e quan Trampin “agjent” të Moskës, duke rekomanduar me shaka se do t’i duhet të
arratiset nga vendi, pasi të lërë Zyrën Ovale”.
Reporteri
amerikan Tim Uiner (Tim Weiner), autor
i librit më të ri “Marrëzia dhe Lavdia: Amerika, Rusia dhe Lufta Politike, 1945-2020, në
një artikull me titull “Një pyetje pa
përgjigje e ditëve tona: A është Trampi agjent i Rusisë?”, të botuar në
gazetën “Washington Post” të datës 21
shtator 2020, shkruan:
“Bizneset e Trampit janë plot me para të pista
të Rusisë”.
Dhe më poshtë
vazhdon:
“Agjentët e
kundërzbulimit të Byrosë Federale të Hetimeve i shtronin vetes pyetjen: cila qe
arsyeja që Trampi pati ftuar ambasadorin rus dhe ministrin e jashtëm rus në
Zyrën Ovale të nesërmen e ditës kur i pati hequr një vërejtje të rëndë
Drejtorit të Byrosë Federale të Hetimeve Xheims B. Komei (James B. Comey) dhe u
mburr për një gjë të tillë? Trampi u tha atyre në intimitet:
“E shkarkova
kreun e Byrosë Federale të Hetimeve se kam pasur shumë presione për shkak të
Rusisë””.
Këto
qëndrime të Trampit, në këndvështrimin tim, e kanë ulur së tepërmi autoritetin
e Shteteve të Bashkuara në sytë e opinionit publik ndërkombëtar. Jo më kot, në
internet, dikush e pati vënë veten në rolin e Trampit në një koment shakatar,
si ato që shfaqen dhe zhduken nga ekrani i
kompjuterit si me magji, si ky në vijim:
“Thanks to
big Serbian community in the USA, I will win this elections! I have to give
thanks to Serbian president @avucic for making this favor to me. As promised I
will give back you Kosovo. And if you want a part of Croatia! I can’t touch
Slovenia because of my wife. Sorry” (Falënderime komunitetit të madh serb në
SHBA, unë do t’i fitoj këto zgjedhje. Më duhet të falënderoj presidentin serb
Vuçiç për nderin që më ka bërë. Siç kam premtuar, do t’jua kthej Kosovën. Dhe,
nëse dëshironi, edhe një pjesë të Kroacisë. Por Slloveninë nuk mund ta prek për
shkak të sime shoqeje. Të më falni).
Analisti Alon Ben-Meir është
profesor i Qendrës së Studimeve Globale të Universitetit të Nju Jorkut, ekspert
për çështjet e Lindjes së Mesme. Në njërën nga analizat e veta, Shtëpinë e
Bardhë nën qeverisjen e presidentit Tramp, ai e ka etiketuar “Shtëpia e Gënjeshtrave” (Citohet sipas:
Alon Ben-Meir. “Vizita e Kasapit të
Ankarasë në Shtëpinë e Gënjeshtrave”. Faqja e internetit “trojetshqiptare.net”. 08 nëntor 2019).
Historianit
izraelit Yuval Noah Harar, profesor i Universitetit Hebraik në Jerusalem, i
pati marrë një intervistë gazeta italiane“La Repubblica”. Në atë intervistë atij i është drejtuar edhe një pyetje, në të cilën
është vënë theksi se Amerika, për momentin, as nuk po përpiqet të ofrojë një lidership
global. Historiani pati dhënë përgjigjen në vijim:
“… gërryerja e besimit tek Amerika gjatë katër
viteve të fundit ka qenë kaq e thellë, saqë rikthimi i këtij besimi nuk do të
jetë as i thjeshtë dhe as i shpejtë” (Citohet sipas: “Profecia’ e historianit
izraelit: Furtuna e koronavirusit do të kalojë, por…”. Faqja e
internetit “Lapsi.al”. 15 prill 2020.
Prandaj Profesori
i historisë në Universitetin e Prinstonit (Princeton University) Harold Xheims ((Harold James), shkruan:
“…
Nën drejtimin e presidentit Donald Trump, Amerika është bërë një turp
ndërkombëtar“ (Citohet sipas: Harold Xheims “Amerika si Bashkimi Sovjetik”.
Faqja e internetit “Reporter.al”. 02 korrik 2020).
Kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Serbi, Sonja Biserko, në gazetën “Bota Sot“ të datës 06 korrik 2020, duke pasur parasysh zgjedhjen e
Trampit president në nëntor të vitit 2016, nëpërmjet pyetjes në vijim, nxjerr
në pah ngazëllimin e serbëve për Trampin:
“A
ju kujtohet posteri i madh “Trampe
Srbine” (Tramp, o serb), kur ishte zgjedhur presidenti i tanishëm amerikan?”.
Këto marrëdhënie të ngrohta të Trampit me Putinin, domosdo që do të
refletoheshin në mënyrë të padiskutueshme në qëndrimin e tij antishqiptar në
raport me Republikën e Kosovës. Sepse dihet që Rusia cariste dhe Rusia
neocariste putiniane ka qenë, është dhe do të vazhdojë të mbetet armike e
betuar e kombit shqiptar [Këtë qëndrim të saj antishqiptar e kam argumentuar me fakte konkrete në
një ese të gjatë me titull “Rusia, kjo
armike e betuar e kombit shqiptar”, të botuar për herë të parë në vitin
2008. Është botuar edhe në internet].
Por, çuditërisht,
analistët, gazetarët, opinionistët dhe moderatorët e kanaleve televizive në
Tiranë dhe në Prishtinë, me ndonjë përjashtim të rrallë (e kam fjalën për
analisten e talentuar dhe mjaft dinjitoze, me brumosje nacionaliste, zonjën
Kimete Berisha, të cilën e përshëndes përzemërsisht) e kanë pasë anashkaluar qëllimisht
qëndrimin antishqiptar të Trampit kundër mbarë kombit shqiptar, i konkretizuar
me fakte të pakundërshtueshme kundër popullit shqiptar të Kosovës. Nuk mund të
ndodhte ndryshe, sepse ata udhëhiqen nga filozofia e servilizmit ndaj kastës
politike shqiptare, e cila ka qenë dhe vazhdon të mbetet mercenare në shërbim
të grekoserbizmit dhe, në rastin konkret, për rrjedhojë, ndaj antishqiptarizmit
të Trampit, simpatizantit të Moskës dhe të Beogradit.
Por atë që s’e kanë bërë
të lartpërmendurit mjeranë, e kanë bërë figura të njohura nga radhët e
personaliteteve amerikane të fushës së dijes, të diplomacisë
Për rreshtimin e Trampit përkrah Putinit, pikësynimi
i të cilit ishte shpërbërja e NATO-s, shpëtimtares së Kosovës, është shprehur ish-Nënsekretari i Shtetit, Nikolas Burns. Gjatë fushatës zgjedhore të
vitit 2016, ai pati komentuar deklaratat e Trampit për NATO-n, sipas së cilave,
nëse ai zgjidhej president, nuk do të vendoste automatikisht për mbrojtjen e
vendeve aleate, nëse ato kërcënoheshin nga Rusia. Burns deklaroi:
“Ajo që zoti Trump tha
javën e kaluar për NATO-n, e dëmton krejt besueshmërinë e Aleancës”. (Citohet
sipas: “Dënohen
deklaratat e Trampit për Rusinë dhe Klintonin”. Faqja e internetit e gazetës “Shekulli”.
28 korrik 2016).
Dihet
që Trampi, në qëndrimin ndaj Republikës së Kosovës, për të kënaqur plotësisht
interesat shoviniste të Moskës së Putinit dhe të Beogradit, fillimisht, si të
dërguar special për Kosovën, pati emëruar këshilltarin e vet Xhon Bolton (John Bolton), armikun e pavarësisë së Kosovës. David L. Filips (Phillips), Drejtor i Programit për
Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Institutin për Studimin e të
Drejtave të Njeriut në Universitetin Kolumbia në Nju York, njëherësh njohës i
mirë i rrethanave politike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ka botuar sa e sa materiale në mbrojtje të
shtetit të Kosovës dhe përgjithësisht të shqiptarëve, për këtë këshilltar të Trampit, ka shkruar:
“Gjatë dhjetëvjeçarëve, Boltoni ka qenë i papërmbajtur në simpatinë e vet
parësore ndaj Serbisë. Ai është në përkrahje të planit të tanishëm të Beogradit
për ndarjen e Kosovës, në këmbim të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi”
(Citohet sipas: David L. Phillips. “Bolton's
Bias Against Kosovo - Paragjykimet e Boltonit kundër Kosovës”. Gazeta
“Dielli”. 18 shkurt 2019).
Pas Boltonit,
Trampi emëroi Metju Palmerin (Matthew
Palmer), dhëndrin e Serbisë, i cili pati deklaruar se kur të dilte në
pension, do të zhvendosej me banim në Serbi. Më në fund, siç themi ne në
Labëri, Trampi “e shtiu në hi” (në kuptimin: e “ndriti” me atë që bëri), si të
dërguar special emëroi Riçard Grenellin
(Richard Grenell), një njeri të pamoralshëm dhe aspak dashamirës ndaj
Kosovës.
Ish-diplomati amerikan Xheims
Perdju (James W. Pardew), njohës i mirë i Ballkanit, në një analizë të botuar
në fillim të muajit maj të vitit të kaluar, shkruan:
“Ambasadorja amerikane në OKB, Suzan Rajs (Susan Rice), e ka quajtur Grenellin “një nga njerëzit
më të këqij, më të pandershëm që kam hasur ndonjëherë”… Pse po mban Grenelli
një qëndrim proserb në bisedime? Pse SHBA-të po destabilizojnë një vend
proamerikan në një kohë kaq të ndjeshme? Diçka mban erë këtu. Si një luftëtar entuziast i dhënë pas Trampit, Grenelli mund të jetë
thjesht duke u përpjekur me gjithë forcat për të kënaqur shefin e vet. Por dyshoj se këtu bëhet fjalë për diçka më shqetësuese,
veçanërisht pas dyshimeve të thella që më mbeten për marrëdhënien mes Trampit
dhe Vladimir Putinit. Unë dyshoj - pa pasur prova - se Putini i ka paraqitur
Trampit pikëpamjet e tij proserbe, i ka theksuar se shqiptarët janë myslimanë
dhe më pas i ka kërkuar Trampit ndihmë për negociatat. Ashtu si me emërimet e
tjera të keqpeshuara, Trampi bëri shërbëtorin e tij besnik, agresivin dhe
antagonistin Grenell, njeriun kyç në Kosovë. Kjo do të ishte një dhuratë e
fituar lehtë për Putinin, i cili kënaqet kur shkakton telashe të
çfarëdollojshme në Evropë” (Citohet sipas: James W. Pardew. “Washingtoni ngatërrohet në Ballkan ndërkohë
që flakët e COVID-19 gllabërojnë botën”.
Uebfaqja amerikane e lajmeve “The
Hill”. 04 maj 2020).
David L. Phillips, me një guxim të admirueshëm intelektual, ka
deklaruar:
“Presidenti Donald J. Tramp ka
tradhtuar besimin e Kosovës në SHBA, duke mos mbështetur progresin e arritur
përgjatë dekadave… Kam pasur nderin të punoja për Kosovën me Ambasadorin
Richard C. Holbrooke. Unë nuk mund të flas për të, por mund ta imagjinoj
tmerrin për paragjykimet antishqiptare të Trampit… Trampi e ka tradhtuar
Kosovën. Kur të votojnë në nëntor, shqiptaro-amerikanët duhet të kërkojnë
ndryshimin e regjimit në Amerikë” (Citohet
sipas: David L. Phillips. “Trampi e
tradhëtoi Kosovën”. Faqja e
internetit “Front Online”.04 maj
2020).
Ndërsa në një tjetër analizë,
ka theksuar:
“Diplomacia e Trumpit dhe paragjykimi proserb
ka qenë një dështim. Ajo çnderon mijëra shqiptarë të Kosovës që vdiqën për
shkak të agresionit të Serbisë” (Citohet sipas: David L. Phillips. “Administrata
Tramp kërkon zgjidhje të shpejtë, por s’ka zgjidhje të tillë për krimet e
Serbisë”. Faqja e internetit “Zëri”, 25 gusht 2020).
Lidhur me të
ashtuquajturën “Marrëveshje e Vashingtonit” të 27 qershorit 2020, Trampi, në
mënyrën më cinike dhe më poshtëruese për popullin shqiptar të Kosovës, pati
deklaruar:
“Jam i sigurt se është një Çmim Nobel për
Paqe. Ne jemi duke ndaluar vrasjet masive midis Kosovës dhe Serbisë. Ata kanë
vrarë njëri-tjetrin për kaq shumë vite. Ata do të ndalojnë vrasjet...” (Citohet
sipas: “Trampi mendon se meriton çmimin Nobel pasi ‘po ndalon vrasjet masive’
mes Kosovës dhe Serbisë”. Faqja e internetit “Exit
News”. 20 shtator 2020).
Pas kësaj
deklarate absurde, vjen reagimi i analistit të njohur nacionalist Hafiz Shala,
qytetar amerikan me banim në Nju Jork, i cili shkruan:
“... i bashkoi në Shtëpinë e Bardhë
viktimën dhe agresorin, por pa bërë dallime se kush
ishte ai që vrau e masakroi popullatën civile të Republikës së Kosovës... Ishte manipulim shumë i ulët i
Presidentit Tramp kur e mashtroi popullin amerikan se gjoja
i ndërpreu vrasjet masive, sikur ato po ndodhnin tani” (Citohet sipas: Hafiz Shala. “Debat
kaotik dhe zhgënjyes për qytetarët amerikanë”. Faqja e internetit e gazetës “Bota Sot”. 01 tetor 2020).
Tani, siç premtova më lart, po u bëj
të njohur lexuesve atë deklaratën krejtësisht antishqiptare të Trampit të
dhjetorit të vitit 2015, e cila i vinte shumë në osh Putinit dhe Beogradit.
I kapluar keq nga afshet e fushatës
së ardhshme zgjedhore për postin e presidentit, ai shprehej se për të gjitha
fatkeqësitë e Serbisë, fajin e paskej
administrata e Klintonëve. Ai deklaronte:
“Pikërisht ata organizuan kaosin në
Ballkan dhe në Kosovë. Shikoni se çfarë bënë ata në Serbi me bonbardimet nga
lartësi të mëdha. Për mua personalisht, bombardimi i serbëve është një turp i
vërtetë. Ndërkohë, Klintonët këtë e vlerësojnë si një sukses të paparë. Kërkoj
ndjesë para popullit serb për të gjitha gabimet e politikës amerikane. Në qoftë
se unë do të vij në krye të Amerikës, atëherë ka për të ndryshuar kursi i
politikës së jashme, i cili deri tani shpeshherë ka qenë i gabuar” (Citohet
sipas“Trampi
i kërkoi falje Serbisë… për Klintonët”. Marrë
nga faqja e internetit “stihiya.org”. 25
dhjetor 2015).
Këtë
informacion e ka pasë transmetuar edhe Radiostacioni “Zëri i Amerikës”, në datën 13 tetor 2016.
Me këtë deklaratë, Trampi bashkohej me eurodeputetin
shovinist francez Aymeric Chauprade, i cili, në mars të vitit 2015, nga
tribuna e parlamentit evropian, sulmoi edhe NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të
Amerikës për bombardimin e Serbisë në pranverën e vitit 1999.
Trampit
“duhe t’i japim hakun”. Ai, në krahasim me administratën e Klintonit, e
ndryshoi tërësisht kursin e politikës së jashtme amerikane në qëndrimin ndaj
Republikës së Kosovës dhe, përgjithësisht, ndaj popullit shqiptar të Kosovës,
çka do të thotë edhe ndaj mbarë kombit shqiptar, sepse Kosova ka qenë dhe
mbetet mburoja e fuqishme e tij. Ky qëndrim i Trampit, që merrte në mbrojtje
Serbinë, këtë kryekriminele të Gadishullit Ilirik, e cila në themel të
strategjisë së saj ka pasur shfarosjen e popullit shqiptar të Kosovës, në
përputhje me platformën raciste të Vasa Çubrilloviçit dhe të Ivo Andriçit,
platformë që Milosheviçi kërkonte ta vinte në zbatim në vitet e fundit të
shekullit që kaloi, dëshmon pa mëdyshjen më të vogël se ai qe rreshtuar me
bindje të plotë në krah të politikës neocariste të Putinit, si armike e tërbuar
e kombit shqiptar, duke shkelur mbi gjakun e viktimave të pafajshme të
gjenocidit të egër serb dhe duke poshtëruar rëndë mbarë popullin shqiptar të
Kosovës. Pra, ai, me vetëdije të plotë, radhitej pranë politikës shoviniste
ruse ndaj kombit shqiptar, e cila, me një zell të jashtëzakonshëm, pati
mbrojtur krimet fashiste të Milosheviçit në Kosovë dhe madje, në Gjykatën
Ndërkombëtare të Hagës, pati dërguar dëshmitarë në mbrojtje të tij
kryeministrat Evgjeni Primakov, Viktor Çernomëjrdin, gjeneralin Leonid Ivashov
dhe të tjerë.
Më lart përmenda
reporterin amerikan Tim Uiner, i cili artikullin e vet e pati titulluar “Një pyetje
pa përgjigje e ditëve tona: A është Trampi agjent i Rusisë?”, të botuar në gazetën “Washington Post” të datës 21 shtator 2020.
Unë
po iu parashtroj lexuesve një fakt tepër domethënës dhe ata le ta nxjerrin
përfundimin vetë. Por para se ta parashtroj faktin në vijim, po shtroj pyetjen:
Çfarë
ndodhi në Moskë në mbrëmjen e vonshme të
08 nëntorit 2016, kur zgjedhjet presidenciale kishin përfunduar në
Shtetete Bashkuara dhe kishte dalë rezultati? Pra, kur Trampi ishte zgjedhur
president? Ja se çfarë ndodhi:
“Deputetët
e Dumës Shtetërore (parlamentit E.Y.), gjatë mbledhjes plenare, lajmin
për fitoren e Donald Trampit në zgjedhjet për president në SHBA, e pritën me
duartrokitje. Për këtë njofton “Interfaks”” (Citohet sipas: “Në Dumën Shtetërore duartrokitën për
fitoren e Trampit”. Faqja e internetit “Novosti”.
09 nëntor 2016).
Interfaks
quhet një agjenci informative në Rusi. Më poshtë vijon një tjetër fakt me jo më
pak interes. Të entuziazmuar nga lajmi që morën, deputetët shtruan banket dhe
shpenzimet i pati marrë përsipër udhëheqësi i partisë liberal-demokrate
Vladimir Zhirinovski. Ja informacioni më i hollësishëm:
“Udhëheqësi
i partisë liberal-demokrate ruse, Vladimir Zhirinovski, në Dumën Shtetërore
shtroi një banket me rastin e fitores së Trampit në zgjedhjet presidenciale në
SHBA. Gjatë pushimit të seancës, në tryeza u mblodhën deputetët dhe gazetarët.
Për qerasje u paguan 100 mijë rubla. Për gostitje u shtruan sallam, mish pule,
sallatë, çokollata, shampanjë. Zhirinovski ngriti dolli për politikën e re të
brendshme dhe të jashtme të SHBA dhe për përmirësimin e marrëdhënieve me
Rusinë”. (Citohet sipas: “Zhirinovski
shtroi banket në Dumën Shtetërore me rastin e fitores së Trampit në zgjedhje”. Faqja e internetit “RBK
Group”. 09 nëntor 2016).
Pra, entuziazmi i deputetëve rusë s’ka nevojë për koment.
Ai entuziazëm zbulonte simpatinë e madhe
të Putinit për Trampin. Dhe nënkuptohet vetvetiu që ajo simpati e ka pasur një
arsye me jo pak peshë. Se nuk mund të besohet që parlamenti rus po ngazëllonte
se në krye të Amerikës erdhi një përfaqësues i krahut konservator.
Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2016, për Trampin u tha e
çfarë nuk u tha. Por, besoj, lexuesve nuk duhet t’u jetë fshirë ende nga
kujtesa ai epiteti i famshëm që i pati vënë artisti i madh i Hollivudit Robert
Deniro. Për më tepër, vetë Trampi pati deklaruar asokohe se “të gjitha mediet janë kundër tij” (Citohet
sipas: “Donald Trump i kërkon ndjesë
Serbisë për bombardimet e NATO-s”. Faqja e internetit “zëriamerikës”. 13 tetor 2016).
Sigurisht
që ato medie i kishin ca arsye shumë të forta që ishin kundër tij, sepse e
njihnin fare mirë se kush ishte. Kurse për faktin se kush është Putini, simpatizanti i
Trampit, është shprehur shumë shkoqur në kujtimet e veta shoku i tij i klasës
në shkollën e zbulimit, Juri Shvec. Lexuesit që dëshirojnë të kenë më shumë
informacion, le t’i lexojnë në internet ato kujtime, me titull “Putini në kujtimet e shokut të klasës”.
Los Anxhelos, Kaliforni
20 janar 2021