Agjencioni floripress.blogspot.com

2021/05/20

Gërvalla dhe Çeku i dërgojnë letër Presidentit të Europa Nostra për Manastirin e Deçanit

Zv. Kryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, dhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i kanë dërguar letër Presidentit Ekzekutiv të Europa Nostra në lidhje me përfshirjen e Manastirit të Deçanit në listën e monumenteve më të rrezikuara në Europë. Vendimi i Europa Nostra është i padrejtë dhe i ndikuar politikisht. Gjatë procesit, Europa Nostra nuk e ka vizituar Kosovën e Manastirin, dhe nuk është konsultuar me palët e interesit. Manastiri i Deçanit dhe çdo kishë ortodokse në Kosovë gëzojnë nivelin më të lartë të sigurisë. Me këtë letër, Ministrat ftuan organizatën Europa Nostra në Kosovë për ta parë nga afër monumentin dhe për të biseduar me banorët e zonës, klerikët e Manastirit, organizatat e shoqërisë civile, profesionistët, institucionet e sigurisë, organizatat ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, zyrtarët e shtetit dhe të tjerët. Dëmi që iu shkaktua reputacionit të Kosovës me këtë vendim të pabazuar duhet të kompensohet pa vonesë. Më poshtë ju ftojmë të lexoni letrën e plotë në gjuhën shqipe: — I nderuari z. Hermann Parzinger, President Ekzekutiv i Europa Nostra, Në emër të qeverisë së Republikës së Kosovës shprehim shqetësimin tonë për vendimin e Europa Nostra për të përfshirë Manastirin e Deçanit në listën e “Shtatë monumenteve më të rrezikuara në Evropë”. Jemi të bindur që ky vendim është i pabazuar, pasi nuk përkon me faktet në terren. Për më shumë, vendimi është qartësisht i ndikuar politikisht, një praktikë e paprecedentë në historinë me reputacion të lartë të Europa Nostra. Ne ju ftojmë të vizitoni Kosovën dhe shihni nga afër gjendjen e Manastirit të Deçanit. Gjatë marrjes së këtij vendimi keni neglizhuar një dimension esencial, konsultimet me palët e interesit, ndërsa keni marrë për bazë një tekst tendencioz dhe joprofesional të organizatës nominuese. Prandaj, ju ftojmë të vini dhe të bisedoni me banorët e zonës, klerikët e Manastirit, organizatat e shoqërisë civile, profesionistët, institucionet vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë, organizatat ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, zyrtarët e shtetit dhe të tjerët. Është vlerësim i pavarur dhe profesional i institucioneve vendore dhe ndërkombëtare të rendit dhe sigurisë që kishat ortodokse në Kosovë gëzojnë nivel të lartë sigurie dhe nuk janë të rrezikuara. Me shpalljen e pavarësisë, shteti i Kosovës ka miratuar të gjitha garancitë kushtetuese, ligjore, institucionale dhe politike për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve joshumicë në vendin tonë. Republika e Kosovës është plotësisht e përkushtuar për mbrojtjen e të gjitha aseteve të trashëgimisë kulturore të vendit, e në veçanti të kishave dhe manastireve ortodokse, klerit ortodoks, praktikuesve të fesë e komuniteteve joshumicë. Institucionet e Republikës së Kosovës janë instanca më e lartë e mbrojtjes së aseteve të trashëgimisë kulturore në vend. Ne e mbrojmë trashëgiminë tonë. Trashëgimia jonë është universale, ajo i takon krejt njerëzimit, brezave të kaluar, të tashëm dhe të ardhshëm. Në këtë frymë, ju ftojmë për bashkëpunim parimor me synim mbrojtjen sa më efektive të trashëgimisë kulturore. Jemi kundër instrumentalizimit të trashëgimisë kulturore për përfitimet politike të njërit shtet apo tjetrit. Vizita e delegacionit tuaj në Kosovë propozojmë të realizohet sa më shpejtë. Dëmin që ia keni shkaktuar reputacionit të Kosovës me vendimin tuaj të padrejtë dhe të pabazuar, duhet ta kompensoni pa vonesë. Jemi të prirur të besojmë që rezultati i vizitës dhe vlerësimit tuaj të gjendjes do të rezultojë me rishikimin e listës tuaj duke e larguar Manastirin e Deçanit. Me respekt, Donika Gërvalla-Schwarz Zv. Kryeministre Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Hajrulla Çeku Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Kameleonët abstraksionist

Me bindje të plotë i pranoj thëniet dhe faktet e të moçmëve tanë të nderuar që: “Natyra njerëzore njihet nga veprimet që bëjnë dhe jo nga fjalët, pasi fjalët shkojnë dhe i merr era.” Unë, nëse duhet të krijoj, shpesh ndaloj mes ankthesh dhe mendimesh që më lodhin, e bëj këtë me një analizë kronologjike, dhe më befason më shumë fakti se si i kam lënë tërë këto vite të shkojnë në rrjedhën e kësaj monotonie absurde. Konkretisht dua të sjell disa fakte shqetësuese, se çfarë po bëjnë për artin njerëzit e pushtetit drejtues në vendin tim… Arti ka marrë një formë aisbergu që të sjell drithmën me rënkimet të shkuarës dhe pasthirmat e të nesërmes pa rrugë dalje… Artistët të hallakakatur, të pa vlerësuar dhe pa përkrahje nga institucionet përkatëse shteterore janë përballë një pasqyre gjigande që aktron vetveten, dhe ku roli pret venitjen me moshat tona që zënë ulërijnë me komedinë që nuk mund qeshë kurrë… Aktorët humbën skenat që gjëmonin nga duartrokitjet artdashëse. Sot, këta aktorë edhe pse janë pensionistë, rolet e pafund nuk mund t’ia kompesojnë këtë shpërblim qesharak mediokër dhe poshtërues pushtetar. Një artist në opera, koncertist, apo instrumentist që akoma deputon dhe shpalos talentin me dinjitet, sot kanë një vlerësim qesharak në vlerë materiale monetare, pasi talentet vihen në raport me vlerësimin minimal jetësor të mbarë vendit… Por ulkonjat numërojnë paratë në natën pa hënë si në përrallat me Ali babanë me 40 hajdutë… Krim, krim që as Homeri vetë nuk mund t’ia lejojë vetes ta verë në skenë këtë akt poshtërues… Këta pushtetarë, ne vetë i kemi zgjedhur edhe votuar, ky si një gabim fatal nga pabesia dhe mos njohja e ngjyrave të vërteta që ata fshehin nën lëkurë… Por përsëri dua të kthehem tek senset e mia, dhe pyes; “A ka ndonjë sekret, apo truk jo të dukshëm në këto kolltukë ku ulen këta pushtetarë, dhe që na shndërohen në përbindsha dhe në kllounë modernë të pallateve mbretërore…?! Kollarexhinjtë, që sot po bëjnë politikën e vendit manifestojnë, trumpetojnë dhe premtojnë një ton, por shpërblimi që japin është një notë të vetme muzikore të pa jetë, ku vetëm klithmat dhe qeshjet e tyre histerike bëjnë një koncert abstraksionist të tërë premtimesh… Oh çmenduri… dhe ju me këto bla… bla… blatë e kohëve destruktive… !!!! Pra, vetëm fjalë, premtime boshe, artikuj gazetash që publikojnë genjeshtra magjepse të cilat marrin jehonë në mediat televizive apo edicionet speciale, ku rolet “aktoreske” luhen nga politikanët tanë “të supër talentuar”. Këta, të vetëquajtur “aktorë”, krekosen duke zaptuar shpesh e më shpesh ekranet televizive përmes çarmeve të lukut pompoz, të pantallonave të kuqe, këmishës së verdhë, dhe çorapeve të bardha si një dominim të një kameleoni abstraksionist, por le ta quajmë “modern”… Rëndësia e sfidës së problemit real kohor, është futur shpesh si butafori me një valixhe parash apo dokumentash “të rëndësishme” për jetën dhe fatin e kombit tonë, dhe ky politikan “aktor” i ruante dhe i mbante me fanatizëm pranë vetes gjatë pjesëmarrjes në këto edicione televizive. Por, mua si Dianë më lindëte pyetja përsëri: “Çfarë të ketë brenda në këtë valixhe ky bisnesmen politikan, me siguri mban hipokrizinë stoike të mos sinqeritetit, apo … kush e di çfarë ?!” Me xhestikulacionet e duareve të ndotura nga krimet politike, këta individë duan të na e bëjnë personalitetin e tyre më tërhëqës në medjat… ndoshta jo pa qëllim dua ti quaj truke televizive dhe si një pasqyrë e dukshme e bllofeve, e injorancës të vetëquajturit “aktor” politikan, por ata kurrë nuk mund të përfaqësojë kulturën e një kombi. Pushtetarët japin imazhin e hidhur të shtetit tonë, nëpërmjet servilosjes ndaj të shteteve të huaja matanë oqeanit, duke kërkuar ndihma apo “ projekte” për të “mirën” e kombit… Ky nuk është shtet që ecën me këmbët e veta, por një shtet çalaman që ecën me paterica, dhe korrupsioni zvarritet të kapë majat e Himalajës… Mendoj që askush nuk e ndërton shtëpinë pa qenë vetë i zoti i shtëpisë, sepse siç thotë populli: “Ne vetë e dimë ku na pikon çatia e shtëpisë…” Ne si komb duhet t’i dalim për zot vendit tonë, dhe çdo gjë duhet ta ndërtojmë vetë, pasi nuk mbahet shtëpia me miell hua gjithë kohën. Sigurisht që politikat e huaja si dhe ambasadat diplomatike kanë rëndësinë e tyre të pa diskutueshme në mbarëvajtjen politike të vendit. Shpesh herë nuk më zë gjumi duke menduar se si tërë këto politikanë, sharlatanë parlamentarë, dhe një pjesë e tyre që janë komplet injorantë, e jetojnë jetën e tyre pas tërë këtyre “lodhjeve të mëdha” duke “punuar” vazhdimisht për kombin…?! A mos vallë një pjesë simfonike muzikore, apo një nga këngët e kompozuar nga unë dhe që kurrë nuk është shpërblyer apo e vlerësuar materialisht, ju çlodh dhe relakson në kohën e lirë…?! Në ditët e sotme, vlerësimet e artistëve me tituj të ndryshëm janë korruptuar dhe manipuluar sipas çmimeve të mundshme individuale materiale, dhe kjo për të siguruar një pension të posaçëm të pa merituar. Krijimi është jeta ime e vërtetë në kompozicion, ai është një bashkëbisedues i pazëvendësueshëm, dhe do të mbetet shprehja më e sinqertë rrëfyese e vetvetes. Unë marr shkas nga krijuesi dhe kompozitori i mirënjohur Miron Kotani, ku me shumë kujdes nëpërmjet mediave vlerëson dhe nuk harron të na sjellë në kujtesë të paharruarit dhe gjigandët muzikës shqiptare si të nderuarit Fehim Ibrahimi, Çesk Zadeja, Tonin Harrapi, por pa harruar dhe shumë e shumë artistë të tjerë që nuk i kam përmendur këtu, por që kanë skalitur gjurmë të thella në krijimtarinë tonë artistike. Unë, si e vetmja kompozitore shqiptare që nuk pushoj së konkuruari, dhe të marr pjesë në çdo pistë artistike të Festivaleve kombëtare për vite me rradhë, por që sot po personalizohen, tjetërsohen, dhunohen nga shoqja Vera Grabocka qëllimisht. Pjekuria dhe maturia ime nuk ma shuan aftësinë time krijuese në fushën e kompozicionit, edhe kur këto regjisorë apo regjizore vetëvendosin në përzgjedhjet e “duhura” për të lenë gjurmë të shëmtuara. Por, pikërisht në këto konfrontime të padrejta muzika ime merr përmasa galopante në mbarë mediat lokale dhe ato ndërkombëtare. Lumturia ime kap majat e lumturisë vetëm kur dëgjuesit dhe populli im më vlerëson dhe kritikon me sinqeritetin e pafiltruar. Thjeshtësia ime është virtyt i modestisë personale, dhe kjo më bën të mos ndalem kurrë në krijimtarinë time. Unë gjithmonë mbetem me shpresë që një ditë këto vepra muzikore të skaliten në kulturën artistike, dhe të bëhen pjesë e kulturës së popullit tim. Sot ndihem më shumë krenare pasi krijimtaria, aftësia dhe talenti im është trashëguar në brezat që kam edukuar për vite me rradhë në Liceun Artistik, por edhe tek fëmijët e mi të talentuar që për edukatë kanë punën dhe dashurinë për artin. Shija e hidhur që ne të gjithë mbartim me vete është emigrimin i kësaj plejade talentesh në mbarë botën. Dua t’ua bëj të ditur, dhe jam e sigurt që jehona e duartrokitjeve tona të sinqerta është pjesëmarrëse në çdo sukses që ata ndërtojnë në vite. Gjithashtu vlerësimi material i aftësive të këtyre talenteve është në vlerat minimale, qesharake nga institucionet kulturore të atdheut që i solli në jetë. I vetmi refren që mësojmë përmendësh ne artistët është: “S’kemi para… S’kemi fonde…” . Shpesh herë kam dashur të ndërtoj një projekt dhe duke ngjitur shkallët e Ministrisë së Kulturës jam përballur vazhdimisht me shprehjen: “ Ministrija nuk është këtu, është jashtë vendit…” . Pra, sipas kësaj fraze ndërtova frazën time: “ Ministrja e Kulturës punët e vendit i bën jashtë vendit…” . Pra, gjithmonë jemi përcjellë me një lugë bosh pa më të voglin ndryshim si dje, por edhe sot… Gjithmonë mendoj, çfarë duhet të bëjmë?…, dhe se si mund të lëvizë arti nga ky ngërç i shëmtuar… Dhe cilat janë mundësitë për gjetjen e formave të reja për zhvillimin në art, për këtë krizë të përgjithshme të fushave të artit. Unë nuk mund ta konceptoj një komb pa art, kjo do të ishte një jetë pa frymëmarrje… Me respekt D. Ziu 13/06/2020… Burimi/Facebook – Diana Ziu

Si u torturuan barbarisht shqiptarët, për të ndërruar fenë!

Në vitin 1843, kur porta e lartë, e proklamoi “Hatisherifin e Gjylhanes” në Kosovë, kjo nuk u prit mirë nga popullata shqiptare, menjëherë filluan trazirat dhe popullata u ngrit në kryengritje. Në fillim qendrat e kryengritjes u bënë sanxhaku i Shkupit dhe ai i Prizrenit. Zemërimi i madh i shqiptarëve ishte shtuar, kur përveç shtimit të madh të taksës, regrutimit të dhunshëm në ushtrinë osmane, porta e lartë filloi zëvendësimin e feudalëve shqiptarë, me funksionar osman dhe, shtimin e masave represive për islamizimin e popullatës dhe osmanizmin e administratës. Ushtria e rregullt e sulltanit, e dërguar në trojet shqiptare, ndërmerrte masa çnjerëzore, dhe bëte presion shumë të madh ndaj kriptkatolikëve shqiptar në Shqipërinë veriore, me qëllim që të shtoj zhvillimin e procesit të islamizimit të popullatës shqiptare. Në vijim po ofroj disa nga shembujt e mbledhur në ditarët e mi, gjatë punës time në terren: Një numër i madh i popullatës shqiptare në viset veriore, edhe pas shumë sakrificave deri në këtë periudhë, ju kishte përballuar të gjitha presioneve të pushtetit osman, që kishte ndërmarrë për islamizimin e dhunshëm të shqiptarëve. Pas shpalljes së reformave të reja, ku identifikimi i kombit bëhej sipas religjionit, shqiptarët e islamizuar detyroheshin të regjistrohen si osmanlinj. Pjesa dërmuese e shqiptarëve për t’i shpëtuar këtij procesi, u detyruan të regjistrohen si bullgar, serbë dhe kroat. Numër i madh i shqiptarëve të besimit ortodoks shkuan në drejtim të Beogradit dhe atje u serbizuan, ndërsa një numër që mbeti rreth qyteteve dhe fushave në Kosovën e sotme, pas dy dekadave, me hapjen e shkollave laike serbe dhe kishtare në Kosovë, këta shqiptarë u serbizuan. Gjatë viteve 1843-1846, u shtuan masa të posaçme ndaj shqiptarëve që paraqiteshin si myslimanë të rrejshëm (kriptokatolikë të fshehtë). Këtë dhunë në familjet shqiptare për ta pranuar procesin e islamizimit mund ta vërtetojmë me shumë argumente dhe përmes kujtimeve të popullatës për gjenezën familjare në shumë fshatra të Kosovës. Masa të ashpra u zbatuan sidomos ndaj popullatës kriptokatolike në fshatrat e Malit të Zi, në anën jugore të Gjilanit. Për shkak të rezistencës që ta pranojnë me dhunë procesin e myslimanizmit, banorët e këtyre fshatrave malore, u arrestuan nga feudalët shqiptarë me ndihmën e ushtrisë së sulltanit. Feudalët shqiptarë i mbushën burgjet me të burgosur, i torturuan dhe të lidhur në pranga e s’inxhire i dorëzuan tek ushtria osmane, të cilët u internuan si kundërshtar të islamizimit në Filadorë të Azisë së Vogël. Në internim u dërguan 207 shqiptarë, të cilët gjatë rrugës pësuan torturat më barbare që njeh historia nga ushtria e sulltanit. Nga torturat e shumta shumë prej këtyre shqiptarëve të arrestuar vdiqën rrugës për në Filador dhe në burgjet osmane. Pas tri viteve të qëndrimit në burgjet e P. Osmane, me ndërhyrjen e diplomacisë franceze, arritën që të kthehen në vendlindje vetëm 102 shqiptarë. Në këto rrethana të procesit të dhunshëm për islamizimin e shqiptarëve, diplomacia evropiane dhe françeskanët nuk patën mundësi, që ta përcjellin gjendjen e popullatës shqiptare kriptokatolike në zonat e thella malore. Gjatë fushatës së arrestimeve të kryengritësve shqiptarë në anën veriore të Prishtinës, zonën e Kurshumlisë, Krushecit, Prrokuplës, Nishit, Leskocit, dhe Vrajës, françeskanët nuk mund të kishin ndonjë informatë për fatin e shqiptarëve në ato treva. Popullata shqiptare kriptokatolike në zonat në mes të këtyre qyteteve, nga masat represive të ushtrisë së rregullt osmane, përfundimisht u detyrua që ta pranonte islamizimin në familjet e tyre. Një pjesë e popullatës shqiptare e këtyre anëve, duke mos mundur ta pranojnë islamizimin u detyruan që të shpërngulen në zonën e Nishit, Aleksincit, Qyprisë dhe qyteteve tjera ku presioni i ushtrisë osmane ishte më i vogël. Sipas njoftimeve të Tihomir Gjorgjeviqit, i cili shkruante, numrin më të madh të osmanlinjve në Beograd e përbënin arnautët. Ai po ashtu shkruan se edhe në Aleksinc dhe në Qypëri, shqiptarët kanë jetuar shumë kohë më përpara. Mes tjerash Tihomiri njofton se në vitin 1821, në Qypëri vijnë për të jetuar edhe 15 familje shqiptare nga malësia e Galabit. Kjo ndjekje e shqiptarëve nga malet e Galabit, kishte ndodhur për shkak të pjesëmarrjeve në kryengritje, dhe represalieve të ashpra të ushtrisë osmane, ndaj tyre. Po ashtu një numër i madh, i familjeve shqiptare ortodokse, nga fshatrat e Artanës, Dardanës, Gjilanit dhe viseve tjera shqiptare, gjatë kryengritjeve të viteve të dyzeta të shekullit XIX, u shpërngulën në zonën në mes të Nishit, Prokuples dhe Leskocit, ku presioni i ushtrisë osmanë ishte pak më i vogël. Në anën tjetër serbët të shtyrë nga politika ruse, stimuloheshin që të lëvizin në drejtim të Krushecit, Qyprisë, Aleksincit me qëllim që të shtojnë ndikimin e tyre në qytetin e Nishit. Shqiptarët e zonës së Krushecit, Prokuples, e të cilët që nga fillimi i kishin përkrahur, lëvizjet e kryengritjeve shqiptare, nën udhëheqjen e Mustafa Pashë Bushatliut, e kundërshtonin lëvizjen e serbëve drejt vendbanimeve të tyre. Bazuar në dokumentet arkivore serbe, Sadullah Brestovci shkruan se, në fshati Gërgur të Arnautllukut, agjentët serbë e kishin vrarë një spahi shqiptar. Si reagim ndaj kësaj vrasje në Krushec, ishin mbledhur për të kundërshtuar 5000 shqiptar. Është me rëndësi të ceket se, gjatë gjithë kryengritjeve shqiptare, që u zhvilluan gjatë shekullit XIX, popullata shqiptare, kriptokatolike e zonave më të thella veriore shqiptare, u bashkuan me kryengritësit, pa marrë parasysh se kush i udhëhiqte kryengritjet, pashallarët apo klerikët mysliman shqiptar. Kjo u dëshmua edhe gjatë kryengritjes së Mustafa Pash Bushatliut dhe Dervish Carës. Popullata shqiptare ortodokse që u serbizua, në gjysmën e dytë të shekullit XIX, dhe gjatë shekullit XX, me ndikimin e politikës dhe kishës ortodokse serbe, i përvesuan të gjitha objektet e kultit, dhe përmes procesit të konservimit e restaurimit, më qëllim të falsifikimit të historisë së tyre u dëmtuan. Si shembull, po ofrojë të dhënat, sipas qytetarëve serbë për bartjen e gurëve, prej manastirit të Moçarës, në kishën e Reçanit (Hajnocit), në komunën e Dardanës. Nga: Dr. Qazim Namani

Palestina duhet të kërkojë zgjidhjen dhe paqen në Washington

Popujt dhe luftërat Populli palestinez, që nga viti 1948 dhe deri tash, nuk e ka ndalur luftën për shtetin e vet dhe në këtë pjesë të Lindjes së Mesme. Në këtë tokë të shejtë boll është derdhur gjak dhe, nëpër kronikat e kohës kemi parë tmerret e luftës, në mes të popullit hebre dhe palestinez. Udhëheqësit e krahut të luftës Hamas dhe të tjerët, duhet të ndërtojnë platformën e përbashkët kombëtare palastineze dhe të drejtohen në Washington, ku çështja e pazgjidhur në mes të popujve në këtë tokë të shejtë (Jerusalemi) dhe çëshjtja e shtetit të Palestinës do të përfundonte me rrugën e paqes. Udhëheqësit palastinezë (Hamas dhe presidenti Mahmud Abaz), duhet sa më parë të dalin nga vetja dhe nga qasjet e përçarjeve dhe të nisin rrugën e paqes dhe për shtetin e vet në këto hapësira të (tokës së shejtë) në Jerusalem dhe zgjidhja e konfliktit në mes Israelit dhe Palestinës, përmes ndërmjetësimit të Washingtonit. Boll janë bërë luftëra që nga viti 1948 e deri sot, në këto hapësira për “tokën e shejtë” dhe në fillim të shekullit të ri të nis rruga e paqes dhe të vlerave të lirisë dhe të demokracisë në këtë pjesë të botës së trazuar. Thirrje për Paqe në mes të dy popujve hebrejë dhe palestinezë! Çikago, 11 maj 2021 Skënder Karaçica Executive Director Albanian-American Association of Intellectuals Businessmen and Activists Phone: +1 (708) 983-5394 | Email: S_Karaqica99@Hotmail.Com

Olga Schweizer, gruaja daneze që shpëtoi nga pushkatimi 100 burra Shqiptarë!

Nga Luigj Shkodrani Historia e rrallë e gruas daneze, e rritur në mondanitetin parisien, e dashuruar në Stamboll me shqiptarin Myfit Libohova, ish-ministrin e Brendshëm të qeverisë së parë të Ismail Qemalit, përfundon në Shqipëri e përndjekur nga persekutimi, internimi brez pas brezi. Olga Schweizer, edhe pas vdekjes së të shoqit, nuk braktis Libohovën, fshati ku u vendos të jetonte duke ngritur një prej ngjarjeve të rralla, si shpëtoi 100 burra nga pushkatimi gjerman në vitin 1944. Nëse ka një histori që duhej të rrëmbente nervin e ndonjë shkrimtari këtu, pa dyshim do të ishte ajo e gruas së lindur në Danimarkë, me emrin Olga Schweizer. Një vajzë e re, e rritur në mondanitetin e Parisit, por që fati e solli rrotull: nga Stambolli në Tiranë, në këtë të fundit, duke prehur eshtrat përgjithmonë me një sakrificë sublime, më shumë se histori dashurie. Olga e re, një vajzë e talentuar në piano, dashurohet me shqiptarin Myfit Libohova, një nga firmëtarët e pavarësisë së Shqipërisë. Është e rrallë kjo histori. Gjatë studimeve në Stamboll, Olga takon shqiptarin dhe dashuria për të e bëri të vinte në Shqipëri, në vitin 1909. Myfit Libohova u emërua në qeverinë e parë të Ismail Qemalit si ministër i Brendshëm dhe më vonë ministër i Jashtëm dhe i Financave. Edhe pse Libohova “e ndërpreu” historinë e dashurisë më 1927, vit kur ndahet nga jeta, Olga nuk u largua nga Shqipëria. Ajo qëndroi në Libohovë, ku u nderua dhe u respektua nga i gjithë fshati. Ndërsa pas kësaj gruaje, Fatbardha Saraçi në librin e saj “Kalvari i grave në burgjet e komunizmit”, – ku janë të mbledhura jetët e grave që vuajtën dhe si i rezistuan ato torturave të diktaturës, – na rrëfen një episod të panjohur, të rrallë për nga vetëmohimi. Ne i kushtojmë një dedikim të veçantë për të rizgjuar jo thjesht ndjeshmëritë e grave të huaja, si zonja të dashuruara me burrat e tyre apo që shpesh atribuohen kujtimet si zonja të edukuara e mondane, – ky lloj impresioni përmbys ngjarjet kur historia vjen e pamëshirshme në cilëndo anë qoftë. Kjo histori lidhet me vitin 1944, kur gjermanët rrethuan fshatin Libohovë dhe tërhoqën për të pushkatuar 100 burra. Olga, tashmë një libohovite, hyn midis tyre, të cilët gjermanët donin t’i pushkatonin tek rrapi i madh, në qendër të fshatit. Ajo e kërcënoi oficerin se nëse do t’i vriste burrat, më parë do t’i duhej të qëllonte mbi të. “Si pasojë e ndërhyrjes së danezes, që i foli gjermanisht, u shpëtuan nga vdekja 100 burra, ndërsa dënimi pse kishin strehuar partizanë, ishte djegia e fshatit, por konsideruar më e rëndësishme jeta”. Më pas, me vendosjen e regjimit të komunizmit, për Olgën dhe familjen e saj, në paradoks të historisë, nis kalvari i vuajtjeve, dënimeve e persekutimit deri në vitin 1990, kur pinjolli i fundit Myfiti i ri tregon se si nuk pushoi së përndjekuri nga sigurimi.

Amerika dhe Shqipëria: Nga armiq të papajtueshëm te partnerë strategjikë

Nga Dr. Elez Biberaj Drejtor i Drejtorisë së Euroazisë Zëri i Amerikës Pjesë nga Fjala në Konferencën për 30 Vjetorin e Rivendosjes së Marrëdhënieve SHBA-Shqipëri, organizuar nga Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare31 mars 2021Administratat e njëpasnjëshme amerikane kanë ndjekur një politikë të pandryshueshme ndaj Shqipërisë. Vizioni i Amerikës për Shqipërinë ka qenë që ajo të jetë një vend i qëndrueshëm, i begatë dhe demokratik ku të respektohen plotësisht normat dhe proceset demokratike. Shqipëria është trajtuar si pjesë e rëndësishme e konceptit të Uashingtonit për ndërtimin e një Evrope të pandarë dhe të lirë. Hartuesit e politikave amerikane e kanë bërë të qartë se është në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara ta shohin Shqipërinë pjesë të komunitetit Euro-Atlantik.Shtetet e Bashkuara kanë qenë nxitësi më i rëndësishëm dhe më me ndikim për demokratizimin e Shqipërisë, duke dhënë mbështetje të konsiderueshme diplomatike, politike, ekonomike dhe ushtarake. Uashingtoni ishte forca kryesore shtytëse për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës nga Serbia dhe për pranimin e Shqipërisë në NATO. SHBA luajtën gjithashtu një rol kryesor në zgjidhjen e konfliktit etnik në Maqedoninë e Veriut, çka ka çuar në një përmirësim të dukshëm të statusit të shqiptarëve atje. Po ashtu, gjatë tre dekadave të fundit, Shqipëria, si dhe shqiptarët në Kosovë, Maqedoni dhe Serbi, kanë qenë në qendër të një vëmendjeje të konsiderueshme nga ana e Uashingtonit. Përfaqësuesit shqiptarë kanë pasur qasje relativisht të lehtë te politikanët amerikanë. Ata kanë gëzuar mbështetje dypartiake në Kongresin amerikan dhe senatorë e kongresistë të shquar kanë qenë mbështetës të çështjeve shqiptare. Presidenti Joe Biden ka pasur kontakte të shumta personale me udhëheqësit shqiptarë dhe është njohes i mire i çështjeve shqiptare, veçanërisht i çështjes së Kosovës.Ndërsa kanë ofruar mbështetje për forcimin e qëndrueshmërisë dhe begatisë së Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara nuk kanë ngurruar të vënë në dukje hapur dështimet e procesit të demokratizimit – shkelja e normave demoratike, përpjekjet e ekzekutivit për të kontrolluar institucionet e pavarura, sulmet ndaj medias, parregullsitë zgjedhore dhe dështimi për të luftuar korrupsionin e përhapur. Politikëbërësit dhe përfaqësuesit amerikanë shpesh janë zhgënjyer me paaftësinë ose mosgatishmërinë e politikanëve shqiptarë për të gjetur gjuhë të përbashkët në çështjet e mëdha, për të respektuar zotimet e tyre dhe për t’i mbështetur deklaratat me veprime konkrete. Ekziston një hendek i madh midis deklaratave retorike të mbështetjes për reformat thelbësore tepër të nevojshme dhe angazhimit aktual ndaj reformave. Shtetet e Bashkuara kanë bërë kritika të sinqerta ndaj rrëshqitjes prapa, e megjithatë kanë qenë të angazhuara fort për ta ndihmuar Shqipërinë të përballet me këto sfida.Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë krijuar një marrëdhënie të fortë dhe të gjallë.Është e natyrshme që në raste të tilla si 30 vjetori i rivendosjes së lidhjeve, vemendja të përqendrohet tek aspektet pozitive të tyre. Por është gjithashtu e rëndësishme të theksohen disa çështje që, nëse nuk trajtohen nga shqiptarët, mund t’i vënë në provë serioze këto marrëdhënie.Si çdo marrëdhënie dypalëshe, edhe ato mes Amerikës dhe Shqipërisë duhet të ushqehen vazhdimisht dhe jo të merren si të mirëqena apo të shihen si diçka statike dhe të përhershme. Mbi të gjitha, mbështetja e Amerikës nuk është një e drejtë e natyrshme e shqiptarëve. Në themel të marrëdhënieve janë vlerat e përbashkëta demokratike dhe angazhimi i Shqipërisë për demokracinë, sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë. Ndërtimi i një demokracie funksionale në Shqipëri mbetet një objektiv i rëndësishëm i politikës së jashtme amerikane. Veprimet që minojnë praktikat demokratike jo vetëm që mund të minojnë marrëdhëniet, por mund të sjellin një ndryshim në qëndrimet e SHBA dhe, në rastin më të keq, një rishikim thelbësor të lidhjeve mes dy vendeve.Vitet e fundit, Shqipëria ka përjetuar një rrëshqitje të konsiderueshme prapa në rrugën e demokracisë dhe një autoritarizëm në rritje, duke e bërë atë një nga vendet më jofunksionale dhe më të korruptuara në Evropë. Sistemi politik i Shqipërisë në thelb është prishur dhe vendi është shndërruar në një shtet njëpartiak, autoritar, me Partinë Socialiste në fuqi që kontrollon pushtetin në të gjitha nivelet.Polarizimi politik, korrupsioni i përhapur në radhët e zyrtarëve publikë dhe atyre në poste të larta, krimi i organizuar dhe kultura e mosndëshkimit kanë pasur një kosto të madhe dhe vazhdojnë të paraqesin një kërcënim ekzistencial për demokracinë e Shqipërisë. Pikërisht institucionet që kanë rëndësi të dorës së parë për të luftuar korrupsionin – zyrtarët qeveritarë, anëtarët e parlamentit, politikanët, gjykatat dhe gjyqtarët, prokurorët dhe policia – janë ato që po e minojnë fushatën kundër korrupsionit.Politikanët dhe biznesmenët e fuqishëm kanë kapur shtetin dhe, si rrjedhojë, pasuria dhe qasja tek pushteti janë përqendruar në duart e një grupi të vogël. Natyra gërryese e modelit kleptokratik të qeverisjes së Shqipërisë është tepër serioze.Prishja e bashkëpunimit midis qeverisë dhe opozitës dhe mosgjetja e gjuhës së përbashkët për çështjet e rëndësishme është thjesht e papranueshme për një anëtar të denjë të NATO-s dhe për një vend që synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.Presidenti Joe Biden ka deklaruar se nxitja e demokracisë do të jetë një përparësi kryesore për administratën e tij. Qendrimet dhe veprimet e qeverisë dhe të opozitës ka të ngjarë të bëhen objekt i një vëzhgimi të shtuar nga ana e Shteteve të Bashkuara. Vështirë që administrata amerikane të mbetet e pavëmendshme ndaj politikave dhe veprimeve të cilat minojnë normat, vlerat dhe institucionet demokratike.Në vitin 2016, forcat kryesore politike shqiptare pranuan që sistemi i drejtësisë ishte jofunksional dhe ranë dakord për një reformim thelbësor të këtij sistemi, më rrënjësori në ndonjë vend ish-komunist. Por shqiptarët kurrë nuk u dolën për zot reformave. Ata bënë përpjekje të përbashkëta për të minuar, manipuluar dhe zvarritur ndryshimet për sa kohë të ishte e mundur. Shqipëria po hyn në vitin e pestë të këtyre reformave. Ndërsa skalionet më të larta të sistemit gjyqësor janë hequr si rezultat i procesit të verifikimit, zbatimi i reformave ka qenë i ngadaltë dhe selektiv, duke çuar praktikisht në një kolaps institucional dhe duke kërcënuar parimin themelor të sistemit juridik – qasjen tek drejtësia. Mund të thuhet se operacioni kirurgjikal i drejtësisë mbase ka qenë i suksesshëm, por pacienti mbetet në komë.Shqipëria ka nevojë për një përmbyllje. Kostoja e dështimit për të zbatuar plotësisht këto reforma themelore është thjesht tepër e madhe për shoqërinë shqiptare. Shtetet e Bashkuara u kanë kushtuar burime të mëdha këtyre përpjekjeve të reformës dhe presin që Shqipëria të bëjë pjesën e vet.Zgjedhjet e prillit 2021 janë një provë për pjekurinë demokratike të Shqipërisë dhe për marrëdhëniet SHBA-Shqipëri. Ky është një moment historik dhe dështimi mund të ketë me pasoja të rënda.Edhe pse hapja e fushatës është shoqëruar me një retorikë të ashpër, shqiptarët kanë një mundësi për ta kthyer vendin e tyre në një rrugë të qartë demokratike. Nëse zgjedhjet janë të besueshme, me rezultate të pranueshme nga lojtarët kryesorë, ato do të hapnin mundësi të reja dhe do të shpalosnin potencialin e madh që kanë shqiptarët. Përkundrazi, një proces zgjedhor sërish me të meta dhe i manipuluar ka të ngjarë të pengojë stabilitetin politik të vendit, të sinjalizojë një përkeqësim të mëtejshëm të praktikave demokratike dhe të ndërlikojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe me Bashkimin Evropian. Pamundësia për të mbajtur zgjedhje të pastra do të forconte dyshimet për besueshmërinë dhe angazhimet demokratike të elitave shqiptare.Por vetëm zgjedhjet nuk janë shpëtimi për sfidat e mëdha të Shqipërisë, edhe nëse ato mbahen në përputhje të plotë me standardet më të larta ndërkombëtare. Periudha paszgjedhore duhet të pasohet nga një konsensus patriotik, një marrëveshje ndërpartiake veprimesh konkrete dhe të qëndrueshme për të trajtuar deficitin demokratik të Shqipërisë, për të kapërcyer hendekun e tanishëm politik dhe për të përcaktuar një rrugë të qartë të ecjes përpara.Shtetet e Bashkuara kanë qenë të drejtpërdrejta në mbështetjen e tyre për demokracinë e Shqipërisë dhe në kritikat ndaj dështimeve demokratike. Duke pasur parasysh marrëdhëniet e veçanta midis dy vendeve dhe mendimin tepër të favorshëm që shqiptarët kanë për Amerikën, asnjë vend tjetër më mirë se sa Shtetet e Bashkuara nuk do të mund ta ndihmonte Shqipërinë në rrugën e saj demokratike. Amerika ka fuqinë, besueshmërinë dhe aftësinë për të ushtruar ndikim pozitiv dhe për të ndihmuar shqiptarët të krijojnë një të ardhme që ushqen një proces politik gjithëpërfshirës, sundimin e ligjit dhe një qeverisje efektive dhe të përgjegjshme.Por edhe pse mbështetja amerikane mbetet me rëndësi kritike, shtysa për ndryshim të vërtetë duhet të vijë nga brenda. Në fund të fundit, varet nga udhëheqësit shqiptarë se sa do të jenë në gjendje të marrin përgjegjësinë dhe të zhvillojnë një strategji të qartë për të ndërtuar një demokraci funksionale, për të cilën kombi shqiptar ka ëndërruar aq shumë.

Edhe dy fjalë më tepër për katër dragonjtë e Dardanisë

Prof.dr. Eshref Ymeri Edhe dy fjalë më tepër për katër dragonjtë e Dardanisë Në disa faqe interneti të ditës së djeshme, publicisti i njohur nacionalist Skënder Kapiti, kishte botuar artikullin mbresëlënës me titull “Katër Dragonjtë e Epokës së Re të Kosovës”. E kishte fjalën për Vjosa Osmanin, Albin Kurtin, Glauk Konjufcën dhe Donika Gërvallën. Le të shpresojmë që këta katër dragonj nuk do të lejojnë më kurrë që turpi i Perëndimit evropian me emrin Serbi, shteti më fashist i kontinentit tonë, pas shtetit nazist gjerman, të vazhdojë të tallet me Dardaninë, siç është tallur sidomos pas vitit 1913 dhe veçanërisht këto 20 vjetët e fundit, kur në krye të saj ka qenë një kalbësirë politike, një bandë tradhtarësh, me kryetradhtarin Thaçi në ballë. Le të shpresojmë që këta katër dragonj nuk do t’i lejojnë vetes të ulen në dialog me një shtet kriminal që drejtohet nga një bandë kriminale, me kriminelin Vuçiç në krye, bashkautorin e platfomës për spastrimin etnik të Dardanisë, pa ndëshkimin paraprak të Serbisë me dëmshpërblimin e të gjitha krimeve dhe shkatërrimeve që kreu në Dardani gjatë viteve ’90. Le të shpresojmë që këta katër dragonj, dinjitetin e Dardanisë do ta vënë në vend përfundimisht. Pas kryerjes së detyrave madhore për ndëshkimin e Serbisë me dëmshpërblimet përkatëse dhe sekuestrimin e pasurive të paligjshme të bandës së kryetradhtarit Thaçi, katër dragonjtë duhet t’i hedhin sytë edhe nga trojet e tjera etnike, ku punët kanë ecur zi e më zi, sidomos në Shqipëri, ku, sipas një deklarate të paradokohshme të një përfaqësueseje të INSTAT-it në televizionin shtetëror, nga viti 2013 deri në shtator të vitit 2020, vendin e kanë braktisur zyrtarisht (sipas statistikave në pikat kufitare) 610 mijë qytetarë, çka është rezultat i sundimit të vendit nga banda e Ramës. Le të shpresojmë që katër dragonjtë e Dardanisë do të binden përfundimisht dhe do ta kenë parasysh se Shqipëria, faktikisht, është koloni e pavarur e Greqisë. Kjo për arsye se në Tiranë ligjin e bën guvernatori faktik i Greqisë me emrin Janullatos, të cilit Rama dhe Meta ia përjetësuan pushtetin në Shqipëri. Le të shpresojmë se katër dragonjtë e Dardanisë do ta kenë parasysh faktin që Presidenti Meta, si një President pa dinjitet kombëtar, i dha shtetësinë shqiptare Janullatosit jo rastësisht më 24 dhjetor 2017, pikërisht në atë datë, kur 100 vjet më parë, më 24 dhjetor 1917, kisha shoviniste greke e Janullatosit pati masakruar barbarisht njërin nga simbolet e ortodoksisë fanoliane – Atë Stath Melanin. Pra, në vend që atë ditë ai të përkujtonte dhe të nderonte atë figurë të shquar të kombit shqiptar dhe ortodoksinë shqiptare të formatit fanolian, ai e poshtëroi publikisht, duke dëshmuar se është kokë e këmbë në shërbim të shovinizmit grekokriminal dhe të kishës kriminale greke, ashtu si Kryeministri Rama, për të cilin “para pak kohe në Jerusalem, një grup priftërinjsh grekë deklaruan me madhështi e krenari fetare greke se Kryeministri Rama është kalorës i ortodoksisë helene (greke)” (Citohet sipas: Sali Bollati. “25 prill – zgjedhje apo referendum”. Faqja e internetit e gazetës “Illyriapress”. 22 shkurt 2021). Le të shpresojmë se katër dragonjtë e Dardanisë do ta kenë parasysh se çfarë ka shkruar historiani grek Nikolas Stavros për kishën tonë ortodokse fanoliane. Ja deklarata e tij publike në vijim: “Futja në dorë e kishës shqiptare është fitorja më e madhe e jona në Shqipëri në shek. XX” (Citohet sipas deklaratës së zotit Petrit Bidoshi, Kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e Autoqefalisë, në emisionin “Shqip” të zonjës Rudina Xhunga në kanalin TV “Top Channel” të datës 04 dhjetor 2004. Citatin e mësipërm zoti Bidoshi e kishte nxjerrë nga libri me titull “Grekët dhe ballkanasit e rinj” të historianit të lartpërmendur). Presidenti Meta, në bashkëpunim të ngushtë me Kryeministrin Rama, që të dy të zhveshur tërësisht nga dinjiteti kombëtar, me dekretin e 24 dhjetorit 2017 për dhënien e shtetësisë shqiptare Janullatosit, e ligjëroi përfundimisht pushtimin e kishës ortodokse, dikur fanoliane, nga shovinizmi grekokriminal dhe nga kisha shoviniste greke. Le të shpresojmë që katër dragonjtë e Dardanisë, me shtimin e radhëve dhe fuqizimin e Degës së Vetëvendosjes në Shqipëri, ku intelektualët e kësaj të fundit dhe sidomos intelektualët e universiteteve, janë krejtësisht kufoma mbi dhé, të vdekur dhe të pakallur, do të mendojnë për vënien në vend të dinjitetit të kishës ortodokse që themeloi Noli i Madh (portretet e të cilit Janullatosi i ka flakur me kohë nga mjediset e kishës ortodokse që nga gushti i vitit 1992, kur e pushtoi me lejen e autoriteteve tradhtare të Tiranës dhe e ktheu në një filial të kishës shoviniste greke), për zgjedhjen në krye të saj të një kleriku ortodoks me gjak, me prejardhje, me kombësi dhe me shtetësi shqiptare. Le të shpresojmë se katër dragonjtë e Dardanisë do të mendojnë seriozisht se që prej periudhës së Pirros së Epirit dhe sidomos të Skënderbeut, nuk ka dalë kurrë në skenë ndonjë strukturë me pikësynim organizimin mbarëkombëtar dhe arritjen e rezultateve konkrete në mbarë trojet tona etnike. Jemi i vetmi komb në kontinentin tonë, i copëtuar kashtë e koqe (për pazotësinë dhe përçarjen tonë tragjike tradicionale) sipas orekseve të shovinizmit të Perëndimit evropian, nën diktatin e shovinizmit rusomadh, armikut të betuar të kombit shqiptar. Edhe sa kohë do të vazhdojë kombi ynë të jetë i copëtuar dhe të mbetet objekt talljesh nga ana e dy shteteve kriminale grekosllave, çka doli më së miri në pah edhe në takimin e 05 prillit 2021 në Beograd, mes ministrave të jashtëm të Serbisë dhe të Greqisë, të cilët, me arrogancën dhe me paturpësinë që i karakterizon, diskutuan edhe për kufijtë e Shqipërisë? Po Presidenti Meta, po Kryeministri Rama, po Ministria e Jashme dhe përgjithësisht diplomacia shqiptare në Tiranë, si nuk u bënë të gjallë dhe të thoshnin qoftë edhe një fjalë të vetme për atë takim mafiozësh politikë në Beograd? Nuk u ndien fare, se, në bashkëpunim të ngushtë me grekosllavizmin, janë duke punuar për vënien në jetë të strategjisë së tij të kahershme për shpopullimin e Shqipërisë, me pikësynim shpërbërjen shkallë-shkallë të krejt kombit shqiptar. Le të shpresojmë që katër dragonjtë e Dardanisë të jenë një dhuraë hyjnore për mbarë trojet tona etnike, në mënyrë që t’i jepet fund një ditë përçarjes sonë tragjike, e cila na ka karakterizuar që nga lashtësia pellazgoiliriane, paçka se kemi qenë etnia më e madhe në Gadishullin Ilirik, dhe të vijë ora për ribashkimin tonë kombëtar në një shtet të vetëm, që nga Preveza deri në Tivar, sç bënte thirrje Fishta i Madh, me një stemë dhe me një flamur. Los Anxhelos, Kaliforni

Akademik Prof.dr.PhD. Rexhep Qosja mbi çthurjet ideologjike në shoqërinë shqiptare dhe eksperimentin proserb të ashtuquajtur “kombi kosovar”.

AKADEMIK REXHEP QOSJA Ideologjia e shpërbërjes – trajtesë mbi idetë çintegruese në shoqërinë e sotme shqiptare Argumente të shpikura për “k...