Agjencioni floripress.blogspot.com

2021/09/01

Pse i kanë harruar televizionet tona rilindasit tanë të mëdhenj

 

Pse i kanë harruar televizionet tona rilindasit tanë të

 “Një epokë quhet e errët, jo se drita nuk shkëlqen, pohonte Jemes A. Michener                            (Anëtar i misionit britanik), por sepse njerëzit refuzojnë ta shikojnë atë”. Kjo sentencë merr një vlerë të madhe, veçanërisht për ne shqiptarët, kur, duke kujtuar faqet e historisë sonë, sjellim ndërmend epokën e Rilindjes Kombëtare, që pati lindur si lëvizje kombëtare për çlirimin nga robëria turke dhe si lëvizje e madhe kulturore, që do ta frymëzonte luftën e shqiptarëve për liri, që nga fillimi i shekullit XIX deri në ditën e shpalljes së pavarësisë. Kjo kishte të bënte me parullën lapidare të rilindasve tanë të mëdhenj, me thirrjen e tyre: “Me pushkë e penë për mëmëdhenë”. Ky ishte zëri i rilindasve tanë të mëdhenj Jeronim De Radës, Gavril Dara i Riu, Zef Serembe, Naim Frashërit, Andon Zako Çajupi, Ndre Mjeda, Aleksandër Stavre Drenova (Asdreni), Risto Siliqi e të tjerë, zë që gjëmoi fort krahas krismave të armëve të shqiptarëve në vitet e rënda të robërisë turke. Ky zë jehonte si krismat e pushkëve të atdhetarëve shqiptarë, kur Naim Frashëri thërriste nga thellësia e shpirtit të tij: “Ti, Shqipëri, më ep nder, më ep emrin shqiptar/ Zemrën ti ma gatove plot me dëshirë e me zjarr”. Ky zë jehonte kur Naimi ynë i madh, këndonte për “malet e lartë”, që përpinin “qiejt e retë” për “çuka, kodra dhe pyje të gjelbëruar” e kur Çajupi, pasi thërriste se “Shqipërinë e mori turku, i vu zjarr”, lëshonte kushtrimin:

        “Merrni pushkët në duar

        Edhe bëni besa-besë:

        Shqipëria do shpëtuar

        Këmbë turku të mos mbesë”!

                (“Historia e Letërsisë së Rilindjes”, v. II, f. 440)

   Ky zë do të dëgjohej fort gjatë gjithë gjysmës së dytë të shekullit XIX. Do të dëgjohej ky zë edhe kur ideologu i shquar i rilindjes kombëtar, Sami Frashëri, u tregonte bashkatdhetarëve të vet se “Liria është thelbi i shpirtit dhe i mendjes”; se “aty ku s`ka liri, mendja dhe shpirti thahen si bima pa ujë”. Ky zë do të ngrihej edhe më lart në vitet e para të shekullit XX, kur rilindasi i shquar Mihal Grameno lëshonte zërin kushtrim për gjithë shqiptarët:

     “Poshtë rob`rija! Posht` errësira,

     Që po përdorin armikët sot!

     Njëri me kisha, tjetri me xhamia;

     Jemi vëllezër, s`na ndajnë dot”!       

   Këtë zë do ta përcillte edhe Asdreni ynë i madh, jo vetëm kur do të shkruante tekstin e Himnit tonë Kombëtar, të cilin ka rrezik të mos e njohin shumë nxënës të shkollave të mesme, po edhe kur, si Mihal Grameno, do t`u drejtohej bashkëkombasve të tij me vargjet, që tingëllojnë aktualë edhe në ditët tona:                        

     “Gegë e toskë, vëllazën jemi,

     Te dy bashkë një emër kemi

     Dhe një fat në këtë botë:

     Shqiptarë jemi, fjala thotë”.

                             (“Vepra”, f. 277)

   Dhe duket se i paharruari Naim Frashëri nuk u fliste vetëm bashkëkohësve të vet, por gjithë pasardhësve, kur shkruante: 

     “S`jemi as turq as kaurrë,

     Mos e thoni këtë kurrë!

     S`jemi grekër as bullgarë,

     Jemi të gjithë shqipëtarë”!                                                          

                            (Vepra të zgjedhura, I, f. 227)

   Sikur televizionet shqiptare, në vend të reklamave të stërpërsëritura e, shpesh herë edhe bajate, të përcillnin në programet e tyre emisione të ndryshme për veprat e rilindasve tanë, si veprat “Shqipëria ç`ka qenë, ç`është e ç`do të bëhet” të Sami Frashërit, “Historia e Skënderbeut” e Naimit a nga sonetet e famshme të rilindasit Ndre Mjeda në vëllimin poetik “Juvenilja”, do t`u servirnin shqiptarëve të ditëve tona jo vetëm të vërteta të mëdha historike, por edhe vlera të mëdha artistike, që do të ndikonin fuqishëm në botën e tyre shpirtërore të tyre. Se kishte të drejtë shkrimtari Ismail Kadare i viteve të socializmit, kur shkruante me zemërim:           

     “Pështyj mbi sensacionet e përtej detit,

     Mbi yj e supëryj e gjithë ç`janë;

     Të gjitha këto dinjitetin

     E një are me grurë nuk e kanë”

   Se, për fat të keq, rrallë po i dëgjojmë në ditët tona zërat e rilindasve tanë për bashkim kombëtar; rrallë po i dëgjojmë vargjet e Ndre Mjedës: “Geg`e toskë, malci, jallia,/ Janë nji komb, m`u da s`duron!/ Fund e majë nji asht Shqipnia/ E nji gjuhë t`gjithë na bashkon”, e kur Gjergj Fishta lëshonte kushtrimin: “Mblidhi bashkë si kokrra n`shegë”! Por ja që disa nga televizionet tona nuk para i pëlqejnë ca ide demokratike dhe emancipuese të rilindasve tanë të mëdhenj. Se duket si pabesueshme, por është një e vërtetë e hidhur, që, “për qefin” e ndonjë prej televizioneve tona, Artisti i Popullit Reshat Arbana, duke recituar fragmente nga vjersha madhore “O moj Shqipni” të Pashko Vasës, jo vetëm kalon pa e recituar distikun “Priftët e hoxhët u kanë hutue,/ Për me u da, me u vorfnue”, por, çuditërisht, shmang strofën lapidare:

   “Çoniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,

   Të gjithë si vllazën në nji besë shtrëngoniu,

   Dhe mos shikoni kisha e xhamia,

   Feja e Shqiptarit asht Shqiptaria”.  

                                         (Vepra letrare 1, f. 39)

   Se nuk kanë qënë komunistët ateistët e parë të kësaj bote, po filozofët e mëdhenj të epokave të ndryshme, përpara se të lindte doktrina komuniste. Se nuk ishte komunist as Rilindasi ynë Sami Frashëri, kur u kishte folur gjithë shqiptarëve të kohës kur jeto: “Shqiptar i vërtetë e i mirë është ai që vë gjithnjë kombërinë përpara fesë. Nuk ka vëllezër ata që ka në besën (besimin) e tij, por ata që ka në kombëri të tij”. Se komunist nuk ishte as matematikani e poeti i famshëm arab Omar Khajam, i cili në Rubairat e tij, të përkthyera nga kryeprifti ynë, Fan S. Noli, shkruante:

     “Xhami e kish` e tempull: Robëri!

     Këmban` e minare: Një batërdi

     Dërvish e prift e hoxh` e kryq e hënë,

     Pengesa që të gjitha për Liri”!

                                (“Rubairat”, f. 50)

   Gjithsesi, duke e lënë mënjanë fenë, çdo televizion shqiptar do t`i bënte nder vetës, po edhe kombit tonë, po të përcillte në ndonjë nga emisionet e tij fjalët lapidare të rilindasit tonë të madh Jeronim De Rada, që janë shënuar në faqen 3 të librit të tij “Flamuri i Arbrit”, ku ai thotë : “Unë do të rroj gjersa të shoh të bukurën, të dashurën, Shqipërinë të lirë dhe të madhe e pastaj me gëzim le të më vijë vdekja”.

*Autor i 23 librave poetikë, publicistikë, historikë e gjuhësorë

OBSH përhap panik, njofton zbulimin e një varianti të ri të koronavirusit: Është rezistent ndaj vaksinës dhe më agresiv! Po vjen edhe në...

 Organizata Botërore e Shëndetësisë po shkakton panik tek qytetarët me deklaratat e saj të njëpasnjëshme në lidhje me variantet e koronavirusit që po qarkullojnë.

OBSH ka dale me njoftimin se është duke verifikuar të dhënat nga terreni, të cilat konfirmojnë një variant të ri të koronavirusit, i shfaqur fillimisht në Kolumbi dhe më pas në Amerikën Latine dhe sëfundmi në Europë.

I emërtuar si mutacioni “B.1.621” apo varianti “M”, sipas “The Guardian” ai është më rezistent ndaj vaksinave dhe më agresiv krahasuar me variantin “Beta”. Megjithatë, sipas njoftimit nga OBSH, do të duhen edhe më tepër studime për të arritur në një përfundim të mirëfilltë mbi natyrën e këtij varianti të ri.“Që prej rastit të parë të variantit “M” të shfaqur në Kolumbi në janar të vitit 2021, ka patur edhe shpërthime të tjera të këtij mutacioni edhe në vende të tjera të Amerikës Latine dhe Europë. Megjithatë, prevalencë e këtij mutacioni në botë tani është 0.1 për qind, në Kolumbi 39 për qind dhe në Ekuador, 13 për qind”, raporton OBSH.

Mutacioni “M” i koronavirusit është i pesti prej varianteve të ndryshme të tij të shfaqura deri më tani. Më herët, bota u njoh me variantet “Alfa”, që u shfaq në Belgjikë dhe Britani të Madhe; “Beta” që u shtri në një total prej 141 shtetesh; “Gama” në 91 shtete dhe varianti indian “Delta” që po përhapet në 170 shtete.

“Nuk e di a iu lumturon ky sqarim”, Nora Istrefi sqaron marrëdhënien që ka me Robert Berishën:

 


Prej më shumë se dy vitesh, Këngëtarja Nora istrefi dhe këngëtari Robert Berisha i kanë dhënë fund martesës së tyre .

Gjatë kësaj kohe, dyshja janë përfolur shumë për lidhje dashurie por asnjëri prej tyre nuk ka konfirmuar asgjë.

Së fundi në media qarkulloi një foto e Robertit me Norën, ku shiheshin në aeroport dhe u aludua se mund të kishte një rikthim mes tyre.



Por jo. Nora ka sqaruar njëherë e mirë marrëdhënien me Robertin duke thënë se nuk ka ndryshuar asgjë mes tyre. Ajo tregon se me ish bashkëshortin ruan thjesht një raport të mirë miqësie, për shkak se është babai i vajzës së saj Renee.

“Nuk e di sa eshte e rruges te sqarohem per heren e 1oo-të, por ne fakt me shume me shqeteson mendesia sesa shkrimet per raportet tona me Robertin. E kam thene, do ta them dhe do vazhdoj te mbroje cdo ndarje kur femijet jane ne mes , lumturia e tyre eshte primare (hiq anash inatet ballkanike, thashethemet dhe paragjykimet )…..

Une do vazhdoj te kaloj kohe me babin e Renees perderisa ajo eshte e lumtur, ndersa ne raportet tona personale s’ka ndryshu asgje pervec nje miqesie korrekte…. Nuk e di a ju lumturon ky sqarim, por do doja me shume te ishte vedijesues”, shkruan Nora.

“Nuk e di a iu lumturon ky sqarim”, Nora Istrefi sqaron


iSH DEPUTETI Mark Marku si personazhet e librave të harruar

 Do të ishte e pavlerë të kujtosh sa herë i kanë dalë ballazi kritikët Partisë Demokratike dhe veçanërisht lidershipit të saj të vjetër e të ri, brenda radhëve të deputetëve të saj. Kjo parti e ka në gen historinë e përballjes me njerëzit që nuk i shkojnë pas avazit të kryetarit real të saj, z. Berisha. Po t’u referohesh qoftë edhe librave që nuk janë edhe pak deri tek numri 80 e ca e sjell në vëmendje fenomenin, që çdo kritiku i është vënë epiteti spiun, tradhëtar, bukëshkalë e mosmirënjohës, bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, a thua se je në ndonjë besëlidhje mesianike e jo në një parti ku shprehet mendimi i lirë. Por në rastin e zotit Mark Marku, i cili sikur të mos e kishte njohur këtë parti e po vinte si prurje e re e saj, më në fund e konstatoi, se partia ishte e një grupi interesi Berisha – Basha e nuk respektohej fjala e lirë dhe çdo forme për mendimin ndryshe i ishte vënë dryni. Mark Marku në gjithë diskursin e tij politik ishte një altoparlant i zhurmshëm (i revolucionit dhe promovonte dhe justifikonte dhunën ndaj institucioneveve shtetërore) qysh prej tetë vjetësh dhe falë këtij kontributi fitoi të drejtën e njeriut që do të përfaqësonte zonën elektorale të Lezhës. Revani i këtij profesori të medias ishte si i një kali pa kapistall e përloti elektoratin e “djathtë” me të vërtetat absolute të dala nga goja e tija, por edhe në median e shkruar. Dikur po të shaje Partinë Demokratike e të ishe në opozitë shpalleshe trim e si asnjëherë, kur haje dhe dru apo të vihej pas pushteti i Berishës me metodat fashiste të lloj-lloj policie dhe enti shtetëror të elektrikut dhe ujësjellësit me gjoba fantazmagorike, shpalleshe martiri opozitës derisa syrgjynoseshe jashtë kufijve të Atdheut. Për këto sjellje e fenomene asnjë fije letër nuk shkruajti qoftë edhe demokrati më i thjeshtë, sepse opozitarin e trajtonin si armik, spiun e tradhëtar të vendit, stigmatizim i tipit komunist. E për habi të të gjithëve doli Marku e tha atë që është thënë e stërthënë, që ajo parti është pronë e një njeriu të vetëm, S. Berisha me aksioner L. Bashën. Kjo lojë fiasko e z. Marku më kujton ata personazhet e librave të harruar si p.sh.: “Tradhtia e Lartë”, “Sekreti Ushtarak”, “Dhe i vetëm trim në luftë”, “Qielli i Baltikut”, “Operacioni Përgjegjës” e padyshim “Mërgata e qyqeve”. Ti, z. Marku i ngjan personazheve të këtyre librave, të cilët për të fituar kredo e besimin e “në radhët e armikut”, Lidershipit demokrat ishit nga më të zjarrtët analistë, sa edhe vetë ata nuk kishin guxuar të thonin gjëra të padëgjuara kundër qeverisë Rama. Mark Marku sa herë telespektatori socialist të shihte ty në televizion e thellonte bindjen që për qeverinë Rama duhej votuar edhe për mandatin e tretë, (se mendo të vijë ky Mark Marku në pushtet “ky nuk të lejon të flasësh në opozitë e jo më pastaj në pushtet), thoshin ata. Ti punove për emrin tënd edhe me ndihmën e medias,e cila nuk t’i mbylli asnjëherë dyert, siç bënte dikur ish-lideri yt S. Berisha. Dorëheqja juaj nuk ka asnjë simbolikë në kohën e sotme, sepse ajo parti për të cilën gjoja t’i hidheshe në zjarr e kishte mbaruar misionin qysh kur kishte lindur dhe asnjë patericë ose thirrje për një rikrijim nuk kishte asnjë vlerë, ishte e panevojshme sepse nuk ngjiti e ndoshta edhe fajin duhet ta kërkosh tek vetja si njohës i politikës dhe medias (mos vallë dikush të dogji si personazhet e “librave të harruar””. Më e dhimbshme duket se pse u investua për ju kaq shumë në mbështetjen e një kauze boshe për tetë vjet prej një antyrazhi njerëzish të lloj-lloj interesave e sot kanë futur kokën si struci e nuk të mbështetën apo si nëpër “librat e harruar” nuk duhet të digjen të gjithë lojtarët në këtë moment. Ti mbetesh në fundin e folesë së grerëzave dhe si fenomen që do tejkaloheni me të qeshur, të paktën mbaroi kjo shkollë e ndyrë e të bërit politikë qysh prej tridhjetë vjetësh me të tillë model politik. Do t’i ndërroni rrugën njerëzve, të cilët për tetë vjet mirë që nuk iu fute në shtrat të gjumit, alergologët natyrisht do të kenë më pak punë se do t’u bjerë numri i pacientëve të alergjisë që krijonit ju në median shqiptare.

Akademia e Shkencave, akademikët në takim për tre projektet në albanologji

 Në Akademinë e Shkencave u bë një takim pune i kryesisë së Akademisë së Shkencave dhe këshillit shkencor të QBAE (qendër e botimeve albanologjike dhe enciklopedike). Në rend të ditës ishte gjendja e përgatitjeve dhe rezultatet e arritura për tre projektet madhore në albanologji (Fjalori i madh i shqipes, Enciklopedia shqiptare dhe Histori e popullit shqiptar); relacione e raportim për përgatitjen e kuvendit ndërkombëtar të studimeve albanologjike (24-28 nëntor 2021-). Për tri projektet u raportua gjegjësisht nga prof. Valter Memisha, prof. Neritan Ceka e akad. Pëllumb Xhufi dhe akad. Ilirjan Malollari. ASH bën me dije se u vërejt se projektet po realizohen sipas kalendarit. “U kërkua kontraktimi i punonjësve ndihmës dhe sigurimi i logjistikës. Për të dyja kërkesat kryesia kërkoi propozime dhe relacione argumentues sa më shpejt, për të kaluar në miratim e veprim. Po kështu edhe për shpërblimin e së drejtës së autorit”, shprehet ASH. Për përgatitjet e kuvendit ndërkombëtar të studimeve albanologjike paraqiti raport me shkrim akad. Shaban Sinani, sekretar shkencor i akademisë. Mbi 100 janë albanologët e huaj që kanë konfirmuar pjesëmarrjen në kuvend. Afërsisht 50 është numri i studiuesve shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, qendrat kërkimore europiane e amerikane. Kryesia miratoi përbërjen e jurisë ndërkombëtare të çmimit të madh "Meyer-Pedersen-Jokli", e njohur si "trinia e albanologjisë", që do të jepet për herë parë sivjet gjatë ditëve të kuvendit. U miratuan gjithashtu programet e veprimtarive për përvjetorët jubilarë kushtuar figurave të mëdha të kulturës kombëtare, si Fishta, Migjeni, Starova e Agolli. Gjatë shtatorit do të organizohet dhe një konferencë për ruajtjen dhe kultivimin e fidanëve autoktonë në agrokulturë. Ky takim vjen në vijim dhe të atyre që janë zhvilluar më parë në ASH për tre projektet madhore në albanologji.

Mbijetesa e shqiptarëve gjatë kolonizimit serb më 1878


Mbijetesa e shqiptarëve gjatë kolonizimit serb më 1878

Nga Dr. Lavdosh AHMETAJ* 


Koncepti “KOSOVA: SERBI E VJETËR” - i shprehur dhe i elaboruar nga një prej studiuesve më në zë serbë, pikërisht historiani dhe etnografi Jovan Cvijiç , i pasuar dhe i veshur me argumente të sajuar hartografikë, etnografikë, demografikë etj., në punimet e tyre edhe nga shumë teoricienë të tjerë po serbë, si V. Gjorgjeviç2, I. Tomiç3, V. Çubrilloviq4, e të tjerë të mëvonshëm si B. Nukshiq, I. Andriq, S. Moleviq - është boshti mbi të cilin është ngritur e gjithë doktrina pansllaviste e “Serbisë së Madhe”. Dhe, duke qenë se ajo është artikuluar dhe është përpunuar nga autoritete të tilla serbe të fushës së dijes, ka marrë dhe vazhdon të ketë një jehonë, ndikim dhe rëndësi të posaçme në lëmin e doktrinave politike të gadishullit dhe më gjerë. Cvijiçi dhe të tjerë kanë shtjelluar dhe manipuluar argumente historikë dhe etnografikë për ta paraqitur Kosovën dhe shqiptarët në Kosovë si një “trup i huaj”5 në hapësirën etnografike ku ata jetojnë.
Pra, duke e parë njëherësh edhe nga pikëpamja politike, koha në të cilën është shpallur dhe ngritur në rrafsh teorik si pikëpamje nga ky studiues serb (në dy dekadat e para të shekullit 20) është pikërisht koha e ngjizjes së shtetit të ri shqiptar dhe më tej kur zhvilloheshin konferencat e mëdha europiane dhe vendosej për ekzistencën politike të shtetit shqiptar, pra ekzistencën e subjektit politik shqiptar në shtrirjen natyrore të tij; nga ana tjetër, kjo teori me pretendime shkencore prezantohet në një nga momentet më të vështira të historisë politike të shtetit shqiptar6.

Por, ku janë rrënjët e kësaj teorie? Duke hulumtuar në kohën e krijimit të shtetit politik serb, duket se origjina e saj gjendet në idetë politike të elaboruara nga Garashanini, pikërisht në vitet ‘40 të shekullit 19, kur shteti serb kishte vetëm dy dekada që ishte krijuar dhe kërkonte të zgjerohej territorialisht më në lindje dhe në jug të tij7. Por një pjesë e konsiderueshme e territorit të synuar kontrollohej ushtarakisht prej shtetit otoman. Me sa duket ishte pikërisht kjo arsye, që një nga drejtimet e politikës serbe ishte orientuar në çlirimin e këtyre territoreve dhe bashkimi me shtetin serb të Karagjorgjëve. Por njëkohësisht me këtë orientim, në politikën serbe ishte shfaqur tendenca shovene, e cila më pas u shndërrua në një vijë themelore të politikës shtetërore ose zyrtare: Në vitin 1844 ministri i shtetit serb I. Garashanin shpalli programin që do të vihej në themel të politikës serbe, e që më tej do të njihet në historinë politike europiane si “NAÇERTANIA”. Në thelb kjo teori pasqyronte këto ide:
1. Çlirimin e tokave të sllavëve të jugut nga kontrolli politik dhe ushtarak otoman, me synimin për të krijuar një shtet sipas modelit të perandorisë së Stefan Dushanit8.
 2. Në kufijtë e këtij modeli shtetëror do të përfshiheshin, sipas këtij programi, edhe territore me popullsi shqiptare9, duke mos lënë jashtë edhe territorin etnik të Kosovës, që Garashanini do ta quante “Serbi e Vjetër” 10.
3. Mosnjohjen e ekzistencës së një shteti shqiptar.
4. Duke mos pranuar nevojën e krijimit të shtetit shqiptar, treva e Kosovës konsiderohej si “djepi i shtetit serb” 11, i cili vishej me dy simbole:
a. Patriarkati serb i Pejës - 1346;12
b. Beteja e Fushë-Kosovës13, e rrethuar me legjendë, në të cilën ishte shfaqur qëndresa serbe ndaj Turqisë. Ndërsa shqiptarët në sytë e Serbisë ishin një trup i huaj14; ata, sipas politikës serbe, nuk kishin kurrfarë të drejte historike dhe kulturore.
Të gjitha këto ide u bënë një politikë e përhershme zyrtare me pasoja politike për shqiptarët. Pra, ambicja serbe për krijimin e një shteti thjeshtë serb, gjë që ishte reflektuar me idenë “një shtet, një mbret, një popull” 15, nuk arrinte të merrte parasysh simbiozën e gjatë shumëshekullore të evoluimit të etnisë shqiptare dhe asaj serbe, e për pasojë kjo politikë zyrtare mund të funksiononte vetëm përmes ndryshimit të strukturës etnike. Ndërkohë, në anën tjetër gjendej një fuqi e madhe shtetërore si Rusia, e cila frymëzonte krijimin e Lidhjes Ballkanike, që përfshinte politikisht Serbinë, Bullgarinë, Greqinë, Malin e Zi, për dy arsye:    
    së pari, likuidimin e sundimit të Portës së Lartë.
    së dyti, aneksimin e Maqedonisë, Thrakisë e Shqipërisë.
Këto u shoqëruan me deklaratën e kryeministrit Nikolla Pashiç në vitet 1919-1926 për asimilimin e shqiptarëve nga pikëpamja kulturore dhe kombëtare, e pasuar më tej nga reforma agrare e ndërmarrë nga shteti serb për të likuiduar marrëdhëniet feudale, në vitet 1932-1941. Me këtë u synua gjithashtu të dobësohej sa të ishte e mundur ekzistenca e pronës tokësore të shqiptarëve, të cilët ndiheshin pa mbrojtje dhe kujdesje shtetërore. Ndërsa pikëpamjet e Vukosavljeviqit dhe Balozoviqit shprehen në vitin 1922 në revistën “Policia” me artikullin “Kolonizimi i Kosovës”, i cili e vlerësonte kolonizimin e Kosovës si një faktor të rëndësishëm për shkombëtarizimin e trevave shqiptare; madje jepte orientimin se vetëm me një kolonizim me plan e në përputhje të plotë me dispozitat ligjore, mund të kishte një sukses të përhershëm. Me këto pikëpamje afrohej edhe Gjorgje Kërstiqi, në punimin e tij Kolonizimi i Serbisë Jugore, ku vlerësohet çështja e kolonizimit si çështje shtetërore e dorës së parë, duke zbatuar në mënyrë korrekte nacionalizimin dhe asimilizimin e trevave problematike. Kërstiqi propozonte miratimin e një ligji, i cili të krijonte mundësinë e përmbushjes së interesave të pakicës serbe; një ligj i tillë do të krijonte një lidhje të ngushtë dhe marrëdhënie intime të kolonëve serbë me elementin vendas.

Ky orientim pasohej nga orientime të tilla, si: të mos ndërhyhej në punën e autoriteteve agraro-kolonizuese dhe aktiviteti i tyre të motivohej vetëm nga arsyet shtetërore, në mënyrë që vendosja e kolonëve të bëhej e mundur në viset në kufi  me Shqipërinë, duke ndërprerë kështu lidhjen me etninë mëmë, dhe asimilimi i shqiptarëve në Jugosllavi të ishte sa më i lehtë. Por e gjithë kjo teori do të ishte pa efektivitet, nëse nuk do të institucionalizohej; kështu u angazhuan Ministria e Reformës Agrare dhe organet vartëse, si Drejtoria e Lartë Agrare e Shkupit. Ajo që është më e rëndësishme, duke e parë nga pikëpamja e teorisë së shtetit, është fakti se këto ide dhe orientime të Gjorgje Kërstiqit u përvetësuan në të gjitha instancat nga aparati shtetëror, i cili, me ndihmën e mjeteve të informimit publik, ndikoi edhe në opinionin e gjerë jugosllav.
Ndërsa sipas Çubrilloviqit16, problemi shqiptar në jetën etnike dhe shtetërore serbe nuk ishte çështje e kohëve moderne, por ky problem ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm qysh gjatë mesjetës dhe mori rëndësi vendimtare nga fundi i shekullit 17, në kohën kur masat serbe u zhvendosën në drejtim të veriut nga tokat e dikurshme të vjetra të Rashkës, dhe në vend të tyre u vendosën malësorët shqiptarë17. Po sipas tij, shqiptarët gradualisht kanë zbritur nga malet e tyre dhe janë vendosur në fushën pjellore të Metohisë e Kosovës, duke depërtuar në veri dhe duke u përhapur në drejtim të Moravës Jugore e Perëndimore; ata nëpërmjet Sharrit zbresin në drejtim të Pollogut dhe prej andej në drejtim të Vardarit. Sipas Çubrilloviqit, kjo ishte mënyra e lëvizjes kolonizuese shqiptare deri në shekullin 20 dhe, për pasojë, “ata kishin arritur të krijonin trekëndëshin shqiptar, i cili, duke u mbështetur në boshtin e vet Dibër-Rogozna në prapavijën e vet etnike, duke u futur thellë deri në Nish, ndau tokat tona të vjetra të Rashës nga Maqedonia dhe Lugina e Vardarit”18. Kjo pykë shqiptare, vijon ai, me elementë anarkistë shqiptarë19, ishte pikërisht faktori që përgjatë shekullit 20 arriti të ndërpriste komunikimin kulturor dhe etnik serb midis tokave të veriut dhe jugut. Kjo ishte arsyeja kryesore pse Serbia vetëm në vitin 1878, nëpërmjet Vranjës e Malit të Zi të Shkupit, krijoi dhe mundi të mbajë lidhje të vazhdueshme me Maqedoninë, e për pasojë të ketë ndikim kulturor e politik në Luginën e Vardarit, për shkak të lidhjeve gjeografike-rrugore e traditave historike në ato treva. Pikërisht këtë pykë etnike shqiptare filloi ta copëtonte shteti serb20 qysh në kryengritjen e parë, duke dëbuar banorët shqiptarë.

Me interes është pikëpamja e Çubrilloviqit në lidhje me ambicjen e politikës serbe në shërbim të kolonizimit, e cila shoqërohet me një kritikë të ashpër ndaj metodave të ndjekura deri më atë kohë. Sipas tij, nuk kishin dhënë rezultatet e duhura “metodat e deritanishme të politikës sonë të kolonizimit në jug nuk kanë dhënë ato rezultate të cilat në të vërtetë duhej t’i arrinin dhe që tani qëndron si detyrë e jona e madhe shtetërore” 21.
Kolonizimi i trevave të Kosovës merrte një rëndësi jetike nga pikëpamja shtetërore për teoricienët akademikë serbë, e kjo duket edhe më mirë në kohën kur akademiku i mirënjohur Çubrilloviq i konsideronte trevat e veriut dhe të jugut të Malit të Sharrit si diçka jo të rastit. Ky bllok, sipas tij, ishte i një rëndësie të veçantë nacional-shtetërore e strategjike për shtetin serb. Duke iu referuar po atij, duket se politika kolonizuese nuk ishte një politikë afatshkurtër, por përkundrazi, ajo në thelb ishte e vazhdueshme, për më tepër referimi i origjinës së krijimit të shtetit serb, duke filluar që nga shekulli 9, është mbështetur gjithnjë në kontinuitetin e atij ekspansioni, si dhe të tokave të vjetra të Rashës, në të gjitha drejtimet, madje edhe në drejtim të jugut.

Pra, ajo që përbën njëherash edhe demagogjinë e teorisë kolonizuese të shtetit serb është se kjo vazhdimësi ishte ndërprerë nga shqiptarët dhe, përderisa të rivihet lidhja e vjetër e pandërprerë midis Serbisë e Malit të Zi me Maqedoninë në gjerësinë e saj nga Drini deri në Moravën Jugore, politikisht shteti i Serbisë nuk do të ishte i qetë dhe i sigurt në posedimin e kësaj toke. Kjo bëhej për të arritur mundësinë e lidhjeve etnike midis Maqedonisë dhe kjo do të realizohej kur të kishte mundësi lidhëse nga pikëpamja etnike me tokën amë serbe, të cilat nuk i kishin arritur ende. Kjo do të realizohet nëse do të shkatërrohet blloku etnik shqiptar, i cili sipas studimeve të tyre kishte disa favore dhe disfavore për politikës shtetërore serbe:
së pari: pjelloria e grave shqiptare,
së dyti: ndjeshmëria e shqiptarëve ndaj çështjes së tyre,
së treti: kjo racë është e rrënjësuar me gjuhën dhe pronat,  
së katërti: shqiptarët janë të aklimatizuar.
Por cilat janë problemet që do të lindin përgjatë kolonizimit?
1. Vëmendja e doktrinës kolonizuese është përqendruar në trevat jugore dhe pikërisht në malet e Sharrit, për shkak se, pikërisht përqark këtij mali, ose blloku etnik shqiptar, teorikisht dhe praktikisht shikohet nga pikëpamja ushtarake-strategjike, për shkak se zinte një pozitë nga më të rëndësishmet për ekspansionin serb, për “vendshpërndarjen e lumenjve ballkanikë në drejtim të detit Adriatik, Detit të Zi e të Egjeut” 22.
2. Ishte pikërisht mbajtja e kësaj pozite strategjike, ajo që vendoste në një masë të konsiderueshme fatin e Ballkanit Qendror, por për më tepër fatin e komunikacionit shumë të rëndësishëm ballkanik Moravë-Vardar23.
3. Nacionalizimi i krahinës përreth maleve të Sharrit konsiderohej varrosja përgjithnjë e çdo lloj irredentizmi dhe njëherësh realizimi përgjithnjë i pushtetit në tokat në fjalë, e kjo konsiderohet e realizuar nga pikëpamja kolonizuese në rastin kur kolonitë serbe që do të zbrisnin nga tokat e veriut, do të takoheshin me njëra-tjetrën në Kosovë dhe në Metohi, pra rreth maleve të Sharrit, të Pollogut, në mënyrë që të mos kishte hapësira deri në trevat e banuara nga popullsi maqedonase.
Por ajo që ishte më e rëndësishme, sipas Çubrilloviqit, ishte shpërngulja në masë e shqiptarëve, që do të thoshte ndërprerja e lidhjeve të fundit midis muslimanëve të Bosnjes dhe të Novi Pazarit, si dhe botës tjetër muslimane24. Por ajo çka i shqetësonte teoricienët akademikë ishte fakti se ajo që do t’i shpëtonte këto shpërngulje masive, ishte fakti se ato shndërrohen në pakica fetare, e vetmja pakicë në Ballkan do të shpejtojë nacionalizimin e tyre25.
Por shpërngulja graduale (kolonizimi gradual) dukej se nuk ishte shumë me efikasitet, për shkak se shqiptarët ishin i vetmi popull që kishte arritur që përgjatë mijëvjeçarit të fundit, jo vetëm kishte rezistuar në bërthamën e shtetit serb të Rashës e Zetës26, por mbi të gjitha kjo epiqendër etnike sillte pasoja të tjera; kështu dëmi më i madh që mund t’i sillte shtetit serb ishte fakti se kjo masë etnike shumë vitale bënte të mundur shtyrjen e kufijve etnikë në drejtim të veriut dhe lindjes. Pra, duke e studiuar në këtë pikëpamje kolonizimin e trevave shqiptare, mendohej se mjeti më i mirë gjendej tek përdorimi i brutalitetit shtetëror, përmes një organizimi shtetëror i cili nuk ishte përdorur në mënyrë efikase mbi etnitë problematike për politikën shtetërore serbe.

Teorikisht të bën përshtypje kritika ndaj shtetit, i cili, sipas Çubrilloviqit, nuk kishte qenë i suksesshëm për shkak se, duke filluar që nga viti 1912, nuk kishte një sukses të dukshëm mbi arnautët ose mbi shqiptarhanen, sikundër theksojnë teoricienët e kolonizimit serb. Kjo mënyrë trajtimi duket se e ka shqetësimin tek fakti i një lidhjeje organike shqiptare midis etnive shqiptare në territorin politik jugosllav, me Shqipërinë politike, sidomos pas shpalljes së pavarësisë politike shqiptare27, e cila nuk bënte gjë tjetër veçse arrinte të zgjonte ndjenjat nacionale; gjë kjo që e vinte politikën serbe në një pozicion tërësisht ultranacionalist, e kjo duket në atë që theksonte Çubrilloviqi se, “nëse nuk do të qëronin hesapet me shqiptarët në kufi, atëhere për 20 deri në 30 vjet do të kishte një lëvizje irredentiste të tmerrshme, gjurmët e së cilës ishin duke u dukur përgjatë fillimit të shekullit të njëzet, gjurmët e së cilës tashmë po duken dhe në mënyrë të pashmangshme do t’i vënë në pikëpyetje të gjitha zotërimet tona në jug” 28. *Rektor i Universitetit “Pavarësia”, Vlorë

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...