Agjencioni floripress.blogspot.com

2021/09/30

SHBA rreth marrëveshjes së targave: Është bërë përparim, por puna vazhdon. Inkurajojmë palët për dialog

 I ngarkuari me punë, në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Nicholas J. Giacobbe, ka thënë se pavarësisht raportimeve në media për arritjen e një ujdie ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për targat, negociatat në Bruksel do të vazhdojnë.

Duke lënë kështu të kuptohet se kjo “marrëveshje” mbetet ende vetëm dëshirë e palës kosovare.

Përmes një postimi në Twiter, Giacobbe ka thënë se inkurajojnë Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë të angazhohen seriozisht për të arritur një marrëveshje për të ulur tensionet në veri.

“Pavarësisht raportimeve në media, negociatat në Bruksel vazhdojnë. Është bërë përparim, por puna vazhdon. Ne inkurajojmë Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë të angazhohen hapur dhe seriozisht”, ka shkruar Giacobbe, duke shpërndarë lajmin e zëdhënësit të BE-së Peter Stano.

 Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka dhënë detaje shtesë rreth takimi të sotëm me palën serbe në Bruksel, në përpjekje për të arritur marrëveshje për qetësimin e situatës në veri.



Përmes një statusi në Facebook, Bislimi ka prezantuar draft-marrëveshjen 4-pikëshe për të cilën thotë se pala kosovare është pajtuar, por jo edhe ajo serbe.

Madje ai ka bërë të ditur se sipas kësaj marrëveshje të shtunën forcat e KFOR do të vendosen në vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak dhe disa orë pas vendosjes së tyre, do të fillohet me largimin e barrikadave dhe njëkohësisht edhe me zhvendosjen e njësisë speciale të policisë së Kosovës.y është postimi i tij i plotë:

Sot përgjatë gjithë ditës, ekipi yne dhe ai i Serbise kishim takime bilaterale me z. Miroslav Lajçak, me synim gjetjen e një zgjidhjeje përmes së cilës do të qetësohej situata në vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak dhe njëkohësisht Qeveria e Republikës së Kosovës të garantojë trajtimin e barabartë të qytetarëve të të dy vendeve në sferën e lëvizjes së lirë. Natyrsht se synimi primar i Republikës së Kosovës ka qenë dhe vazhdon të mbetet promovimi i lëvizjes së lirë, andaj edhe vendimi i fundit për përdorimin e tabelave të përkohshme ka qenë i imponuar nga padrejtësia dhjetëvjeqare e autoriteteve në Serbi kundrejt qytetarëve të Kosovës që kanë udhëtuar drejt apo nëpër territorin e Serbisë.

Ne jemi treguar të gatshëm që të mbështesim përpjekjet e përfaqësuesit të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, zotit Lajçak drejt gjetjes së një zgjidhje të pranueshme dhe pas përfarimeve të vazhdueshme kemi arritur tek një draft final me të cilin pala kosovare jemi dakorduar. Pikat kryesore të këtij drafti final janë sa vijon:

1.Të shtunën me datën 2 tetor, forcat e KFOR do të vendosen në vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak dhe disa orë pas vendosjes së tyre, do të fillohet me largimin e barrikadave dhe njëkohësisht edhe me zhvendosjen e njësisë speciale të policisë së Kosovës. Njësitë e KFOR do të qëndrojnë në vendkalimet kufitare afërsisht dy javë dhe mund të largohen nga vendkalimet pastaj në rast të qetësimit komplet të situatës.

2.Me datën 4 tetor, në ora 08 të mëngjesit do të filloj zbatimi i përkohshëm i sistemit të afisheve me të cilat si Kosova ashtu edhe Serbia do të mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra tjetrës. Rrjedhimisht nga dita e hënë parashihet që asnjë qytetarë i Kosovës dhe Serbisë nuk do ketë më nevojë të vendosë tabela të përkohshme gjatë kalimit në territorin e shtetit tjetër.

3.Do të krijohet një grup punues me objektiv gjetjen e zgjidhjes përfundimtare rreth targave, bazuar në standarded dhe praktikat e BE-së. ky grup do ketë 6 muaj kohë për të mundësuar kalimin në zgjidhjen e përhershme, me çka edhe kufizohet afati i zbatimit të sistemit me afishe.

Për momentin, kjo marrëveshje ka mbetur të pranohet edhe nga pala serbe e cila ka vërejtje në mënyrën e trajtimit të veturave me KM, për të cilat ka besuar apo kërkuar se do duhej trajtim i privilegjuar. Ne shpresojmë që delegacioni i Serbisë do të bindet për tekstin e marrëveshjes pa asnjë ndryshim të mëtejmë dhe në momentin e dakordimit, mund të themi se kami një marrëveshje valide.

​Tensionet në veri, Kurti akuzon Vuçiçin: Po flet me gjuhën e shekullit të kaluar

 Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po shpreson që të gjendet një zgjidhje sot në Bruksel për çështjen e targave të automjeteve.



Unë uroj dhe shpresoj që të gjendet zgjidhja aty. Gatishmërinë e kemi treguar edhe të hënën në takim me komandantin e KFOR-it. Ku nënkuptohet largimi i barrikadave për liri të lëvizjes dhe largimin e Njësive Speciale me zëvendësim të trupave të KFOR-it. Kështu policia kufitare do të qëndronte dhe reciprociteti po ashtu. Serbët lokalë e kanë pranuar vendimin, por ka një individ në Serbi, që është edhe kryetar që flet me gjuhën e viteve ‘90-ta të shekullit të kaluar”, shtoi ai.

‘Dosjen për Bashën do e çojmë në Kongres’/ PD: Shpifje, do e padisim që nesër Evi Kokalarin

 Menjëherë pasi aktivistja republikane, tha se Basha e përjashtoi Berishën në këmbim të mbylljes së dosjes në SHBA, ka reaguar selia blu.




Partia Demokratike njofton se do të padisë nesër penalisht për shpifje znj. Evi Kokalari.

Evi Kokalari tha në takimin e Berishës në Durrës se: “ Dua të flas pak për dosjen e Lul Bashës që ka ekzistuar në Amerikë edhe Shqipëri. Secili nga ju mund të shkojë te fara, që është agjencia ku regjistrohen agjentët e huaj, që janë grupet lobiste. Basha nuk kishte Në një periudhë të shkurtër kohe, çfarë më ka bërë përshtypje, është që brenda 3-4 muajsh PD ka paguar 750 mijë dollarë për të lobuar në Amerikë”, u shpreh aktivistja Kokalari.

Është shumë. Një pjesë e këtyre parave, sepse Lulzim Basha nuk donte që të merrej vesh në Shqipëri se nga kishin ardhur, vendosi të përdori një kompani me origjinë rusë, që bëri kontratë me një firmë lobimi në Amerikë, sikur ata po bënin një konsulencë për organizatat shqiptaro-amerikane që do investonin në Shqipëri. Kjo është ilegale në Amerikë.
Fillimisht kjo nuk doli, por kompania që Lulzim Basha po përdorte në Amerikë pati disa probleme me ligjin. Lulzim Bashës iu hoq e drejta e vizës për 2-3 vjet. Në këtë moment kjo dosje është mbyllur me kushtin që ai të nxirrte nga Grupi Parlamentar Sali Berishën. Me gjithë frikën që Lul Basha ka pasur, se unë mund të bëhesha kryetare e PD-së, do kthehem në Amerikë dhe bashkë me shqiptarë të diasporës do kontrollojmë nëse Basha guxon të futet në Amerikë, që do të thotë ka marrë vizë, ne do e bëjmë problem dhe do ta çojmë këtë dosje në Kongres“, tha ajo.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE

Një spekulante politike, Evi Kokalari, guxoi sot të përsëriste përpara shqiptarëve shpifjet e Edi Ramës dhe Taulant Ballës ndaj Kryetarit të Partisë Demokratike z. Lulzim Basha. Autoritetet përgjegjëse me kërkesë të vetë Partisë Demokratike hetuan për 2 vite lidhur me shpifjen e Edi Ramës dhe Taulant Ballës, duke provuar në mënyrë ligjore dhe përfundimtare se ato ishin vetëm shpifje.

Ricikimi i të njëjtave shpifje, bëhet për të njëjtin qëllim, atë të mbajtjes në këmbë të regjimit kriminal të Edi Ramës. Për këtë arsye, Partia Demokratike do të padisë nesër penalisht për shpifje znj. Evi Kokalari, e cila mund të paraqitet në gjykatë për të provuar akuzat e rreme me dëshmitarët e saj të rremë Edi Ramën dhe Taulant Ballën.

“Vendosje e hegjemonisë serbe në rajon”/ Ballkani i Hapur, Berisha: Rama bën aleancë me kriminelin Vuçiç

 Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar Ballkanin e Hapur gjatë takimit me demokratët në Durrës.





Ai ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit, Edi Rama, pasi sipas tij ai po bashkëpunon me kriminelin Vuçiç.

“Ca ndodh me kët Ballkanin e Hapur? Evropa ka vendosur nismën e Berlinit, ruan vokalicionin tonë perëndimor, i jep fund hegjemonisë serbe dhe i vendos shtetet e rajonit, kurse ky me një fanatizëm skllavi kalon nga novisadi, tek hegjemonia serbe në rajon. I udhëhequr nga një kriminel, ai tha do vriten 100 myslimanë nëse vritet një serb ai është Aleksander Vucic, ku u bën thirrje serbëve që të fshehin kriminelin e luftës. Ç’mund të bëjë ky njeri të bësh aleancë siç bën Edi Rama. Ai dërgon tanket në veri të Kosovës”, tha Berisha.

Prof.dr. Rami Memushaj:Fjalori frazeologjik frëngjisht-shqip*, një tjetër vepër madhore e leksikografisë sonë dygjuhëshe


 




Parathënie

 

Ky fjalor frazeologjik frëngjisht-shqip që po i jepet në dorë lexuesit, është i katërti fjalor dygjuhësh i këtij lloji që ka dalë nga pena e prof. Eshref Ymerit. I botuar vetëm dy vjet pas daljes së “Fjalorit frazeologjik anglisht-shqip”, ai është dëshmi e intensitetit me të cilin është punuar për hartimin e tij. Siç e kemi vënë në dukje në një rast tjetër, lëndën e shqipes profesori e ka nxjerrë nga korpusi i pasur i frazeologjizmave, i krijuar prej tij duke vjelë shprehjet frazeologjike (frazemat) nga fjalorët shpjegues e frazeologjikë të shqipes dhe nga rreth 500 vepra artistike e publicistike. Edhe masën më të madhe të frazemave të frëngjishtes ai e ka nxjerrë gjatë viteve kur punonte për hartimin e “Fjalorit frazeologjik rusisht-shqip”, kohë gjatë së cilës - në mungesë të fjalorëve shpjegues e frazeologjikë shqip ose të fjalorëve frazeologjikë gjuhë e huaj - shqip  - për t’u gjetur frazemave të rusishtes barasvlerës sa më të afërt shqip, qe i detyruar të qëmtonte fjalorët e anglishtes, të italishtes e të frëngjishtes për të parë ç’frazema të këtyre gjuhëve u përgjigjeshin frazemave të rusishtes. Ka qenë një punë fort e mundimshme e cila ka zgjatur disa dhjetëvjeçarë, por që ia lehtësoi autorit barrën e hartimit të fjalorëve frezeologjikë italisht-shqip, rusisht-shqip, anglisht-shqip dhe, më në fund, edhe të “Fjalorit frazeologjik frëngjisht-shqip”. Inventarin e shprehjeve frënge e ka pasuruar më tej z. Sefulla Kata, specialist i frëngjishtes, bashkautor i Fjalorit, i cili, veç kësaj, ka verifikuar e saktësuar zë për zë barasvlerësit apo përshtatjet shqip të frazemave frënge. Si rrjedhim i këtij bashkëpunimi të një frazeologu me një specialist të frëngjishtes, ka dalë një vepër e vëllimshme dhe mjaft e arritur, e cila shënon një sukses të ri të gjuhësisë shqiptare.

 


 




                                                   Prof. dr. Rami Memushaj

Për ndërtimin e korpusit të Fjalorit autorët kanë shfrytëzuar një literaturë të pasur në të dy gjuhët, që për frëngjishten përfshin rreth 18 fjalorë, nga të cilët 6 fjalorë shprehjesh frazeologjike e proverbash; kurse për shqipen, përveç kartotekës së pasur vetjake të prof. Eshref Ymerit, edhe 16 burime të tjera: fjalorët shpjegues të shqipes, dy fjalorë sinonimesh, Fjalorin frëngjisht-shqip të V. Kokonës, 7 fjalorë frazeologjikë, nga të cilët dy fjalorë frazeologjikë të shqipes dhe pesë fjalorë frazeologjikë gjuhë e huaj - shqip. Veç këtyre, është shfrytëzuar edhe korpusi i fjalëve të urta të shqipes, i nxjerrë nga botimi i Institutit të Kulturës Popullore “Fjalë të urta të popullit shqiptar” (1983).

Ashtu si tre fjalorët e parë frazeologjikë, edhe ky fjalor i ri përmban një lëndë të pasur gjuhësore nga të dyja gjuhët. Në frëngjishte kjo pasuri arrin në 40.200 frazema të frëngjishtes, të ngritura mbi 7440 vatra kuptimore në 1526 faqe. Ky numër frazemash është gati dy herë më i madh nga ai i fjalorëve të mëparshëm frazeologjikë të këtij autori, çka e bën këtë vepër një fjalor frazeologjik të tipit të madh. Frazemat e shqipes është e vështirë të numërohen, megjithatë mund të themi se kemi të bëjmë me një korpus shumë të pasur.

Hartimi i një fjalori frazeologjik me përmasa të tilla, në të cilin gjuha shqipe ballafaqohet me një gjuhë kulture të madhe dhe me një leksik shumë të pasur, siç është frëngjishtja, ka qenë një sipërmarrje e vështirë për autorët. Por ata e kanë përballuar me sukses këtë sprovë, duke dëshmuar jo vetëm njohjen e thellë prej tyre të pasurisë frazeologjike të shqipes, që e bën atë të aftë të ballafaqohet me një gjuhë letrare me një traditë lëvrimi gati mijëvjeçare. Kësaj autorët ia kanë arritur falë lëndës së pasur frazeologjike të shqipes dhe të frëngjishtes të grumbulluar gjatë një gjysmë shekulli nga prof. Eshref Ymeri dhe përkushtimit të z. Sefulla Kata, që me vullnet e durim e ka pasuruar më tej lëndën e fjalorit dhe ka saktësuar barasvlerëset shqipe të frazemave frënge.

Ky fjalor i ri përbën një vepër tjetër madhore të leksikografisë dygjuhëshe që autorët ua dhurojnë përdoruesve, në radhë të parë përkthyesve prej frëngjishtes ose në frëngjishte. Botimi në harkun e më pak se 14 vjetëve i katër fjalorëve të mëdhenj dygjuhësh me autor të vetëm ose kryesor prof. Eshref Ymerin, është dëshmi e gjallë e një pune që vetëm një studiues i palodhur e me vullnet të hekurt mund ta përballonte. Pa e tepruar aspak, mund të themi se këto ndihmesa e bëjnë atë kontribuesin më të madh në fushë të fjalorëve frazeologjikë dygjuhësh dhe një ndër frazeografët më të shquar shqiptarë.

“Fjalori frazeologjik frëngjisht-shqip” paraprihet nga Hyrja, në të cilën autorët shtjellojnë hapat e hedhur prej tyre për hartimin veprës, burimet e shfrytëzuara dhe vështirësitë që paraqet hartimi i një fjalori të tillë. Më tej ata vënë në dukje pasurinë e madhe frazeologjike të gjuhës frënge, duke theksuar se burimet e kësaj pasurie janë të brendshme (urtësia popullore, historia, folklori, letërsia artistike etj.) dhe të jashtme, si bibla dhe huazime ndërgjuhësore, sidomos nga latinishtja, greqishtja e vjetër, anglishtja, italishtja etj.

Në një syth të veçantë, autorët shpjegojnë se zërat e këtij fjalori janë organizuar duke u mbështetur në fjalët që shërbejnë si vatër kuptimore e frazemave, të cilat janë kryesisht emra dhe, më rrallë, një pjesë tjetër emërtuese e ligjëratës (folje, mbiemër a ndajfolje). Vatrat kuptimore, të renditura alfabetikisht, janë dalluar grafikisht, duke i dhënë me shkronja të mëdha të trasha, ndërsa frazemat që lidhen me një vatër kuptimore janë renditur poshtë saj gjithashtu alfabetikisht. Kjo mënyrë renditjeje e lehtëson shumë gjetjen e një shprehjeje frazeologjike në fjalor, mjaft që përdoruesi i tij të jetë në gjendje të dallojë vatrën e saj kuptimore. Për shembull, të gjitha frazemat që kanë si vatër kuptimore fjalën ouvragei “punë”, janë renditur alfabetikisht poshtë saj sipas shkronjës së parë me të cilën fillojnë frazemat:

 

OUVRAGEI ■ ouvrage de fée - punë me shije të hollë.

ouvrage de patience - punë e mundimshme me shumë kujdes.

ouvrage frappé (marqué) au bon coin - 1. artikull (produkt) i shkëlqyer. 2. krijim i (vepër e) klasës së parë.

abattre (de) l’ouvrage (de l’ouvrage) - bën lloj-lloj punësh, bie copë (copa, copash) në punë, punon pa e ditur ç’është lodhja (pa e njohur lodhjen, pa u lodhur).

avoir un ouvrage en portefeuille - ia del në krye (në fund, në skaj) punës, i vë majën (pikë, kapak, kapakun, vulën) punës, i jep fund punës, e qit mbanë punën.

c’est du (un) bel ouvrage - puna është bërë (është kryer) mirë (për bukuri).

caresser un ouvrage - e bën (e kryen) punën me merak.

débiter de l’ouvrage - punon vendçe.

......

Fjalori përfshin njësi frazeologjike të mirëfillta dy-ose shumëfjalëshe, rrallë edhe njëfjalëshe (si p.sh., illico “aty për aty, fët e fët, në vend, pa e bërë të gjatë”; pedibus “më këmbë”; pic “1. drejt, pingul. 2. pikërisht në kohën e duhur”); shprehje-kalke fluturake, që lidhen me mite të lashtësisë, gojëdhëna ose fakte historike, si: épée (glaive) de Damoclès “shpata e Damokleut”, langue d’Esope gjuha e Ezopit”, nœud gordien “nyjë gordiane”, tonneau des Danaїdes voza e Danaidave”, victoire à la Pyrrhus “fitore si e Pirros”, Sésame, ouvre-toi! “Sezam, hapu!”, entente cordiale “miratim i përzemërt”, cinquième colonne “kolona e pestë”, le Nouveau Monde “Bota e Re, Amerika”, Mur des Fédérés “muri i komunarëve”, latin de cuisine (de sacristie)  “latinishte e shpërfytyruar” etj.

Në një masë më të kufizuar ka edhe fjalë të urta e maksima, sidomos pjesë të tyre që janë kthyer në frazema, si p.sh.: il faut laisser les morts en paix “për të vdekurit nuk duhet folur keq”; monnaie fait tout “paraja e hedh (e kthen) ujin përpjetë, paraja hap çdo portë”; tout le monde peut se tromper “kushdo mund të gabojë”; de longues terres, longues nouvelles “kush vjen nga larg, ka se ç'të tregojë”; quand le loup est pris, tous les chiens lui lardent les fesses “kur ujku bie në lak, çdo langua kërkon ta kafshojë; kur luanit i mbetet këmba (kur luanin e lënë këmbët), edhe gomari kërkon ta shkelmojë” etj.; Paris vaut bien une messe! “Parisi e meriton një meshë, ia vlen të bësh një kompromis (të hysh në një kompromis) për hir të një leverdie të dukshme”, si përshtatje e shprehjes Sire, sire, la couronne vaut bien une messe! “Sovran, sovran, kurora e meriton një meshë”; en huit “pas një jave” si shkurtim i shprehjes d’aujourd’hui en huit “nga sot një javë” etj.

Për t'u ardhur në ndihmë përdoruesve, zërat e Fjalorit janë pajisur edhe me shënime që shënojnë fushën e veprimtarisë shoqërore të përdorimit të një frazeme të frëngjishtes (anat, gjeol, muz, treg etj.), ngjyrimet shprehëse-emocionale (iron, keq, përb, shak etj.) dhe rrafshet ligjërimore të përdorimit të saj (krahin, libr, thjesht, zyrt, zharg etj ). Pajisja me këto shënime ia shton edhe më tepër vlerat fjalorit, duke qenë se e ndihmon përdoruesin të zgjedhë frazemën barasvlerëse shqipe që i përgjigjet më mirë një frazeme të caktuar të frëngjishtes që ka këta tregues. Për më tepër, përdoruesit i vjen në ndihmë edhe dallimi i kuptimeve të frazemave homonimike, që janë shënuar me shifra romake, dhe të frazemave polisemike që janë shënuar me shifra arabe.

Veçori tjetër e këtij Fjalori, ashtu si e fjalorëve të tjerë frazeologjikë të prof. E. Ymerit, është se si barasvlerës të frazemave frënge në shumicën e rasteve jepet jo një frazemë e vetme e shqipes, po një varg i gjatë sinonimik frazemash. Dhënia e frazemave sinonime i lejon autorit të shpalosë pasurinë e madhe frazeologjike të shqipes. Vargu i këtyre frazemave sinonime, është mjaft i madh, duke arritur për zëra të veçantë në disa dhjetëra, p.sh.:

en servir de dures à qqn - e bën brashnjë (helaq, horr, leckë, për një lek, për ujë të ftohtë, për vaj e për uthull, qepaze, rezil, rreckë, qyqe, rregëzinë), ia shtrëngon dhëmbët nganjëherë, e fut (e kalon, e shkon) në vrimë të gjilpërës, ia numëron të shtata, i bie me havan në kokë, i heq një dajak (një dredhë), i jep një dajak (një dru, një kopaçe, një dhëmb), ia bën samarin copë, i tërheq vërejtjen (vëmendjen), i nxjerr ujë të zi, i heq (i tërheq, i shkul, i zgjat) veshët, e zë (e kap) nga (për) veshi, ia jep nderin në dorë (në grusht), i jep një mësim të mirë dikujt.

Ashtu si edhe në fjalorët e mëparshëm frazeologjikë ku është bashkautor ose autor i vetëm, prof. Eshref Ymeri për pjesën shqipe të Fjalorit nuk i ka vënë vetes detyrë të japë të dhëna për fushën, ngjyrimet dhe stilin e përdorimit të frazemave. I mbetet përdoruesit që ndër sinonimet e shumta të zgjedhë atë që duhet, gjë që mund ta bëjë duke iu referuar kontekstit ku përdoret një shprehje e caktuar. Për shembull, ai që përkthen nga frëngjishtja në shqipe, për të gjetur barasvlerësin e duhur në një varg frazemash sinonime, duhet që, së pari, të shohë në fjalor shënimin për stilin  apo rrafshin e ligjërimit të cilit i përket frazema frënge, pastaj kontekstin në të cilin ajo është përdorur në tekstin frëngjisht dhe, më në fund, të kërkojë në fjalorët frazeologjikë të shqipes se cila nga shprehjet e ofruara në këtë fjalor i përgjigjet më mirë stilit të ligjërimit në të cilin është përdorur shprehja frënge.

Përkthimi i shprehjeve frazeologjike është një punë e vështirë, për arsye se në to përzihen kuptimet e figurshme të fjalëve me aspekte jashtëgjuhësore, që lidhen me kushtet në të cilat kanë lindur. Kësaj pune fort të mundimshme autorët ia kanë dalë mbanë duke gjetur barasvlerësit shqip për një pjesë të frazemave që kanë të njëjtën vatër kuptimore në të dy gjuhët, si p.sh.: être sur des chardons “është tamam si mbi gjemba”, traiter comme un chien “e trajton si qen, sillet si me ndonjë qen”, clair comme en plein jour “ka dritë si në mes të ditës (si ditën me diell)”, au plus tard… “jo më vonë se…”, l’homme est un loup pour l’homme “njeriu për njeriun është ujk, njeriu ha njeriun, njeriu në shoqëri është egoist në skajshmëri”, de pied en cap “që nga këmbët deri te koka, që nga koka deri te këmbët, kokë e këmbë, fund e krye, tërësisht” etj.

Kur frazemës frënge nuk ka qenë e mundur t'i gjendej barasvlerësi shqip, sidomos për shprehjet frazeologjike që përcjellin tradita gojëdhënore që lidhen me doket e vjetra dhe me fakte nga mënyra e jetesës së popullit francez, autorët kanë përdorur kalkimin ose thjesht kanë dhënë përkthimin e fjalëpërfjalshëm të frazemës frënge të vendosur në thonjëza, të ndjekur nga frazema ose frazemat shqipe që i përgjigjen më mirë asaj, me qëllim për t'iu afruar sa më shumë kuptimit të origjinalit, çka përbën edhe një ndihmë për përdoruesin e fjalorit, sidomos për përkthyesin nga frëngjishtja në shqip. Sa për ilustrim, po japim këtu disa frazema të tilla të vështira për t'u përkthyer, në rast se nuk njihet konteksti historik ose kulturor i përdorimit të tyre:

abbaye de Thélème “abacia e Telemit”, organizim ideal i shoqërisë.

accorder vos flûtes, vos violons “akordoni flautet, violinat”, merruni vesh, bini në një mendje, bini në ujdi.

brûler ses vaisseaux “u vë zjarrin anijeve të veta”, e fillon nga e para, fillon radhë të re, i ndërpret lidhjet me të kaluarën, i vë vizë së kaluarës, s’ka më kthim prapa, këput urat, hyn në një rrugë të re.

cavalerie de Saint-Georges “kavaleria e shën Gjergjit”, monedhat e florinjta angleze, ari anglez.

le repos du guerrier “çlodhja e luftëtarit”, bashkëshorte e kujdesshme dhe mirëkuptuese e një njeriu aktiv.

serpent monétaire (européen) ek vjet - “nepërka valutore”. Ka qenë fjala për ndryshimin përpjesëtimor të kursit të valutës të vendeve të Tregut të Përbashkët.

Një veçori tjetër edhe e këtij Fjalori janë shënimet me karakter etimologjik e kulturor për burimin e frazemave me karakter historik të frëngjishtes, të frazemave të marra nga latinishtja, greqishtja e vjetër, anglishtja, italishtja etj., si edhe burimin mitologjik për shprehje të huazuara nga bibla ose nga mitet e lashta. Këto shpjegime vlejnë, në radhë të parë, për zgjerimin e horizontit kulturor të përdoruesit; por, më shumë, ato vlejnë për ta ndihmuar atë të zgjedhë e frazemën e duhur përgjegjëse të shqipes.

"Fjalori frazeologjik frëngjisht-shqip" plotëson një zbrazëti në fushën e fjalorëve dygjuhësh për frëngjishten, një gjuhë me traditë të hershme në Shqipëri, për të cilën, fatkeqësisht, ka pak fjalorë frëngjisht-shqip, edhe këta të tipit të vogël. Në fushën e frazeologjisë, këtë zbrazëti po e plotëson "Fjalori frazeologjik frëngjisht-shqip i autorëve Eshref Ymeri e Sefulla Kata, i cili, pa dyshim, është fjalori më i madh dhe më i mirë i botuar deri më sot në fushën e frazeologjisë dygjuhëshe me gjuhë të dytë shqipen.

Jemi të bindur se ky Fjalor, si vepra më e re dhe më e plotë për frazeologjinë frënge, do të shërbejë si një libër tryeze në radhë të parë për përkthyesit nga frëngjishtja në shqip e anasjelltas, për mësuesit dhe për pedagogët e studentët e frëngjishtes, po edhe për frëngjishtfolësit shqiptarë që duan ta thellojnë njohjen e gjuhës frënge.

Përtej këtyre vlerave, ky Fjalor - ashtu si fjalorët e tjerë me autor të vetëm ose kryesor prof. Eshref Ymerin - duke ballafaquar shqipen me një gjuhë të një kulture të madhe, siç është frëngjishtja, nxjerr në pah jo vetëm pasurinë frazeologjike të gjuhës shqipe, por edhe përkthyeshmërinë e saj të lartë. Për këtë arsye, ai u duhet edhe leksikografëve e frazeografëve, të cilëve mund t'u shërbejë si model për hartimin e fjalorëve frazeologjikë gjuhë e huaj - shqip edhe për gjuhë të tjera.

Do të ishte një ndihmesë e çmuar për frazeografinë shqiptare, nëse profesori do të arrinte që lëndën shumë të pasur shqip të këtyre fjalorëve frazeologjikë dygjuhësh ta përdorte si bazë për hartimin e një fjalori të madh frazeologjik të gjuhës shqipes. Ky fjalor do të shënonte kurorëzimin e punës së tij prej më shumë se një gjysmë shekulli dhe do të përbënte një vepër monumentale për frazeologjinë e gjuhës shqipe.                  Tiranë, 15 maj 2021

----------------------------------

          *Fjalori ka dalë nga shtypi në gusht 2021. Është botim i Shtëpisë Botuese “Bota Shqiptare”, me drejtor zotërinë Genti Gjonaj. Është shtypur si botim luksoz  në Studion  e njohur Intergrafika, me drejtor zotërinë Eduard Shima. 

 

 

 

                                                                                                                               

 



 

 

 

 

Akademik Prof.dr. Eshref Ymeri : Mashtrimi i radhës i hipokritit Rama

 




 

Gjatë parashtrimit të programit të qeverisë, Rama deklaroi se një nga synimet kryesore të qeverisë është rritja e pagës minimale nga 30 mijë lekë të reja në 40 mijë lekë të reja deri në fund të mandatit” (Citohet sipas: “Rama: Deri në fund të mandatit, paga minimale do të shkojë nga 30 në 40 mijë lekë të reja”. Faqja e internetit “Lapsi.al”. 16 shtator 2021).

Sa i lezetshëm ky Rama! Se nuk e dimë nëse e ka me të vërtetë kur bën premtime të tilla, apo ka qejf të bëjë shaka për të mashtruar me marifet. Lexuesit e nderuar le të kthehen prapa në kohë dhe të kujtojnë premtimin e Ramës gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2013, kur ai vuri në lëvizje të gjithë armatën e jeniçerëve të vet dhe poshtë derës së familjeve shqiptare rrasi një fletëpalosje me premtime të  bujshme. Po ndalem vetëm në premtimin për uljen e tvsh-së së energjisë elektrike. Në atë fletëpalosje Rama premtonte se tvsh-në e energjisë elektrike do ta ulte nga 20% në 06%. Rrjedha e ngjarjeve vërtetoi se Rama mashtroi pa iu dridhur qerpiku: ai jo vetëm që nuk e uli absolutisht tvsh-në në fjalë, por, përkundrazi, më 01 shkurt 2015, çmimin e energjisë elektrike e rriti nga 7,5 lekë në 9,5 lekë për kwh. Po a e dinte Rama se pas rritjes së çmimit të energjisë elektrike cilat do të ishin pasojat që do të binin mbi pensionistët e varfër me një pension prej 7000 lekësh të reja në muaj? Ja një rast me pasoja tragjike:

“E moshuara 91 vjeçare nga fshati i Mirditës, Barbulla Pepa, e cila jetonte në kushte të varfërisë ekstreme, krejt e vetme dhe pa energji elektrike, është ndarë sot nga jeta… Ajo, që rreth një muaj më parë i kishte apeluar Qeverisë që ta bënin me energji elektrike, nuk mundi që ta përballojë këtë dimër krejt e vetme. Kanë qenë fqinjët që e kanë gjetur atë pa shenja jete brenda banesës së saj, që vetëm emrin e kishte të tillë. Institucionet nuk i kishin dalur asaj në ndihmë, bile ia kishin këputur energjinë elektrike, duke e lënë plakën  në terr” (Citohet sipas: “Vdes nga të ftohtit plaka në Mirditë, që institucionet e kishin lënë në terr”. Faqja e internetit “portalionline”. 10 dhjetor 2015).

Gjatë këtyre tetë vjetëve në pushtet, Rama e shtoi varfërinë deri në atë shkallë, saqë më shumë se gjysmë milioni njerëz u detyruan të braktisin vendin. Në televizionin kombëtar RTSH, drejtoresha e INSTAT-it pati deklaruar se “nga 2013 e deri në shtator 2020 janë larguar zyrtarisht 610 mijë shtetas” (Citohet sipas: Flamur Hoxha. “Të prekësh me dorë dëshpërimin në Kukës”. Faqja e internetit “Fjala e Lirë”. 01 prill 2021).

 Sot, për shkak të politikës varfëruese të Ramës, një qytetari të thjeshtë, sikur të mjaftohej vetëm me dy vakte ushqimi përshesh me kos në ditë, i duhet të shpenzojë 6000 lekë të reja në muaj.

Sikur Rama të ishte i sinqertë në premtimet e veta, pagën minimale prej 40 mijë lekësh le ta ngrinte para zgjedhjeve të 25 prillit, duke ndjekur shembullin e Kryeministrit Berisha, i cili, gjatë fushatës për zgjedhjet politike të 28 qershorit 2009, rrogat dhe pensionet i rriti me 10% që më 1 maj. Rama s’mund ta bënte dot një gjë të tillë se yll karvani ka psikologjinë e mashtrimit. Për pensionistët, të cilëve Kryeministri Berisha ua shtonte pensionin jo më pak se 4% në vit, Rama s’e tha absolutisht as edhe një fjalë të vetme para Kuvendit.

Po çfarë premtimesh të tjera bëri Rama gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2013, premtime që rezultuan mashtrime të kulluara? Në një material, të botuar rreth pesë muaj më parë, thuhet:

“Premtime të tjera të vitit 2013 ishin:Do të heqim taksën 20% për bukën, do ta heqim taksën për qumështin, do ta heqim taksën 20% për vezën, për miellin, për vajin, për sheqerin, dhe orizin”. Sot e kësaj dite, kjo gjë nuk ka ndodhur dhe tvsh-ja e ushqimeve është 20%” (Citohet sipas: Eljona Ballhysa. “Premtimet e reja të Partisë Socialiste dhe një rrugëtim në premtimet e parealizuara të 8 viteve”. Faqja e internetit “portvendore.al”. 05 maj 2021).

Para Kuvendit, Rama bëri edhe një tjetër premtim prej kryeministri hipokrit. Ai deklaroi:

“Qershorin e vitit tjetër do të hyjë në fuqi ndalimi i përdorimit të qeseve plastike që janë kthyer në një makth” (Citohet sipas faqes së mësipërme të portalit “Lapsi.al” të datës 16 shtator 2021).

Si nuk i vjen zor këtij Ramës, xhanëm, që deklaron gënjeshtra të tilla nga njëri mandat te tjetri. A nuk ishte vallë ky Rama, i cili, me gojën e ministrit të turizmit  Blendi Klosi, në mandatin që kaloi pati deklaruar se ndalohej prodhimi i qeseve plastike? Në njërën nga faqet e internetit të qeverisë gjatë atij mandati, thuhej:

“Nga korriku i këtij viti do të ndëshkohet çdo biznes që prodhon, importon apo tregton qese plastike. Vendimi i Këshillit të Ministrave është prezantuar nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, gjatë takimit me grupe interesi, prodhues dhe importues të qeseve plastike” (Citohet sipas: “Shqipëria ndalon prodhimin, importimin, tregtimin e qeseve plastike”. Faqja e internetit “turizmi.gov.al”. 09 maj 2018).

Me sa duket, Rama ka krijuar bindjen e patundur se ose populli shqiptar e ka kujtesën të shkurtër, prandaj e gënjen, e mashtron si pa gjë të keqe, ose populli shqiptar atë e do edhe më shumë kur e gënjen dhe e mashtron më shumë. Se cila është e vërteta, këtë duhet ta sqarojnë analistët-psikologë, edhe me ndihmën e specialistëve të neuropsikiatrisë. Se të premtosh më shumë se tre vjet e gjysmë më parë për ndalimin e prodhimit dhe të importimit të qeseve plastike dhe një premtim të tillë ta përsëritësh edhe në fillim të mandatit të tretë, ky është një mashtrim skandaloz që i bëhet mbarë opinionit publik. Por s’kemi ç’bëjmë. Elektorati socialist, që përbën shumicën e votuesve, e ka qejf mashtrimin e Ramës, prandaj edhe Ramën vazhdon ta mbajë në krye të partisë. Sepse varfëria i është bërë pjesë përbërëse e jetës së përditshme, se udhëhiqet nga parimi “i varfër, por me Ramën në krye”. Le ta gëzojnë. Elektorati socialist është trashëgimtar i pararendësve të vet komunistë, të cilëve kryekrimineli Enver Hoxha u pati premtuar në fillim se do të hanin me lugë floriri dhe në vitet ’80 e panë me sytë e tyre se në ç’varfëri të tmerrshme i katandisi.

 

 

 

         

 

 

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...