Agjencioni floripress.blogspot.com

2021/10/06

Akademik Prof.dr. Eshref Ymeri: Kur shqipja në përkthim çalon

 Shembja e diktaturës komuniste dhe  vendosja e pluralizmit në vendin tonë, domosdo që do të sillnin ndryshime edhe në fushën e përkthimtarisë. Edhe këtu do të viheshin re dukuri të tilla, të panjohura më parë, si fitimi, komercializmi, konkurrenca etj. Kjo bëri që të hapeshin shumë shtëpi botuese dhe përkthimi, në krahasim me botimin e veprave origjinale, të zinte hapësira shumë më të mëdha në ushtrimin e biznesit të tyre.

Në këto kushte, etja e shtëpive botuese për përkthime ishte jashtëzakonisht e madhe. Po ashtu edhe e përkthyesve, qoftë të atyre me nivel të lartë përgatitjeje shkencore që në periudhën e diktaturës komuniste, qoftë edhe të atyre më të rinjve, mes të cilëve disa syresh  nivelin e një përgatitjeje të tillë e kishin të diskutueshëm. Tani publiku shqiptar nuk do të mjaftohej më vetëm me leximin e veprave të përkthyera apo të ripërkthyera të autorëve klasikë amerikanë, anglezë, francezë, gjermanë, italianë,  japonezë, rusë, spanjollë etj., por do të kishte në dispozicion edhe vepra të autorëve të ndaluar nga diktatura komuniste, si Beketi, Borhesi, Folkneri, Jonesko, Kafka, Kamy, Kortasari, Prusti, Uajldi, Xhojsi etj., etj.

Në këtë turr të papërmbajtur për të përkthyer sa më shumë, disa shtëpi botuese, të kapluara nga etja për fitim, i lejuan vetes gabime të pafalshme, duke nxjerrë nga shtypi përkthime me nivel të dobët, në të cilat aty-këtu nuk figuron as emri i redaktorit, as emri i korrektorit letrar e le më pastaj emri i korrektorit teknik. Në këtë mes kishim të bënim me mungesë të theksuar respekti qoftë ndaj autorit të veprës origjinale, qoftë ndaj shijes së lexuesit.

Mes librave që më kanë bërë përshtypje për nivel të dobët përkthimi, jam ndalur në dy prej tyre. Këto janë dy romane. Njëri ka për autor një klasik të shquar të letërsisë botërore, siç është Balzaku, kurse tjetri i përket penës së një shkrimtareje të talentuar të ditëve tona. Romani i Balzakut titullohet “Kushërira Betë”.

Që në faqen 5 të romanit, lexuesit i bie në sy kjo fjali që vazhdon pas një fraze që mbyllet me dy pika:

“…: disa gjeste kanë një rëndesë të padiskutueshme e pa takt, njësoj si një akt lindjeje”.

Hajde ta marrë vesh lexuesi i gjorë se çfarë ka dashur të thotë përkthyesja me këtë farë përkthimi.

Aty nga fundi i faqes 6 të romanit, pason një tjetër fjali që lexuesin e shkretë e çudit fare:

“Pasi përshëndeti hijshëm kapitenin, Hortensa Hylo doli nga dera-dritare…

Mos vallë përkthyesja e ka fjalën për derë ballkoni, se si u dashka kuptuar shprehja derë-dritare?!

Diku më poshtë, në faqen 8, haset shprehja mobilie pa dekorime. Si u dashka kuptuar fqinjësia e fjalëve mobilie dhe dekorime? Këtu s’po ndalem në gabimin drejtshkrimor të fjalës mobilie, të cilën përkthyesja e shkruan gabimisht mobilje. Mos vallë përkthyesja ka dashur të thotë mobilie pa zbukurime?!

Vazhdojmë më poshtë me një tjetër fjali:

“ – Dëgjoni, zoti Krevel, – e ndërpreu baronesha, tepër e shqetësuar për të qeshur…”.

Ç’është kjo shprehje e stisur “tepër e shqetësuar për të qeshur”?!

Në një fjali të faqes 18, fqinjësia e fjalëve lexuesin e lë pa mend se s’i bie dot në të se çfarë ka dashur të thotë përkthyesja:

“Tridhjetë e dy vjet ndershmëri, besnikëri femërore nuk do të bien nga goditjet e zotit Krevel…”

Se në ç’mënyrë dashkan të bien vitet nga goditjet e zotit Krevel, këtë vetëm përkthyesja mund ta marrë vesh, se lexuesi i hutuar s’është në gjendje të kuptojë asgjë.

“Kurrë një njeri i guximshëm nuk do të vdiste nëse kishte me vete një farë kapitali me durim” (f. 57).

Mos ndoshta përkthyesja ka dashur të thotë … nëse kishte vënë njëfarë kapitali me durim?! Veç kësaj, fjalën njëfarë e ka shkruar gabim: një farë. Kjo fjalë nuk shkruhet e ndarë, sepse ajo përdoret së bashku me një emër për të shënuar vend, kohë, veprim a diçka tjetër të papërcaktuar mirë, që nuk dihet a nuk saktësohet me përpikëri, si p.sh.:  në njëfarë kohe, në njëfarë vendi, në njëfarë mënyre, në njëfarë mase, me njëfarë krenarie. 

Për emrat e huaj që hasen në roman, përkthyesja nuk e njeh sistemin e lakimit të gjuhës shqipe, ndërkohë që sipas rregullave të drejtshkrimit, emrat e huaj i nënshtrohen sistemit të lakimit. Ja një rast konkret se si përkthyesja vepron gabim: 

“Një ditë më pas… zonjusha Fisher u informua mbi profesionin e skulptorit. Nga pyetjet e shumta, arriti të zbulonte laboratorin e Florent dhe Shanor (f. 58). 

Me ç’të drejtë përkthyesja nuk i vendos këta dy emra në rasën gjinore: …laboratorin e Florentit dhe të Shanorit. Veç kësaj, në vend të parafjalës mbi duhet përdorur parafjala për dhë në vend të shprehjes nga pyetjet e shumta duhet përdorur shprehja pas pyetjeve të shumta.

Gratë e asaj kategorie kanë sedrën e tyre, duan ta shohin të realizuar pushtetin e tyre, nuk e falin virtytin që nuk i ka frikë, ose që lufton kundër këtyre grave” (f. 203)

Si u dashka kuptuar fjalia … nuk e falin virtytin që nuk i ka frikë..?. A është në gjendje përkthyesja t’ia shpjegojë lexuesit se në ç’mënyrë virtyti luftuaka kundër grave?!

“Megjithëse e kishte marrë me qira gjithë pallatin, ai banonte vetëm katin e nëndheshëm” (f. 261).

Në këtë fjali, foljen banoj përkthyesja e përdor si folje kalimtare, e cila në gjuhën shqipe s’përdoret kurrë si e tillë.

Këto ishin vetëm disa nga sondazhet që i bëra përkthimit të romanit të Balzakut që është njëra nga veprat e korpusit të famshëm të krijimtarisë së këtij gjeniu të letërsisë botërore. Përkthimi i kësaj vepre që kam në dorë, është botuar në vitin 2002. Nuk figuron emri i korrektorit letrar. Përkthimi e ka emrin e një redaktoreje, e cila, ashtu si edhe përkthyesja, nuk ka punuar me seriozitetin e duhur për të mos lejuar lajthitje kaq serioze që nuk e nderojnë emrin e tyre, si edhe emrin e shtëpisë botuese që e ka hedhur në qarkullim. Prandaj është e domosdoshme që ky roman duhet të ripërkthehet në respekt të padiskutueshëm të autorit të tij të madh.

Romani i dytë ka për autore një shkrimtare të talentuar dhe shumë të njohur në tregun ndërkombëtar të librit. Kjo është shkrimtaria e re irlandeze Sesilia Ahern (Cecelia Ahern – 1981), autore romanesh me temë dashurie. Para se t’i hynte krijimtarisë letrare, ajo pati përfunduar fakultetin e gazetarisë. Në moshën 21 vjeçare, shkroi romanin e parë me titull “PS, I love you” (P.S.  Unë të dashuroj). Vepra e njëmbëdhjetë e saj me titull “How to fall in love” (Si të biesh në dashuri) është botuar në vitin 2013.

Unë jam ndalur në përkthimin e një romani të saj, të cilin ajo e ka botuar në vitin 2008. Romani titullohet “Dhurata” (The Gift). Nuk figuron as emri i redaktorit, as emri i korrektorit të përkthimit. Përkthimi ka dalë nga shtypi po në të njëjtin vit. Që në fillim nuk më pëlqeu niveli i përkthimit. Këtu jam ndalur vetëm në disa shembuj që janë më domethënës për cilësinë e dobët të tij:

“Ai thuajse prishi përqafimin të grushtonte ajrin dhe të thërriste me hare, sepse për të parën herë në një kohë të gjatë ai ndjeu se ajo la luftën me të” (f. 184).

Një frazë kjo me përmbajtje “të shushatur” që hajde ta marrësh vesh se çfarë ka dashur të thotë përkthyesi. Se si u prishka përqafimi, këtë vetëm përkthyesi mund të jetë në gjendje të kuptojë. Me shprehjen la luftën me të mundet që përkthyesi ka dashur të thotë hoqi dorë nga lufta me të, në kuptimin nga përplasjet (nga sherret, nga zënkat) me të.

Ja edhe një tjetër frazë, e cila lexuesit i krijon përshtypjen sikur ndodhet në një pyll të errët ku nuk di se si të orientohet:

“Ishte sikur ata ishin edhe një herë në Krishtlindjen e parë që kishin kaluar bashkë, ulur pranë pemës së Krishtlindjeve në shtëpinë e prindërve të saj në Galuej, maçoku i mbledhur kutullaç në jastëkun e tij të preferuar ndanë zjarrit, qeni i marrosur disavjeçar, shumë në këtë botë, jashtë në oborrin e prapmë, që i lehte çdo gjëje që lëvizte ose jo” (f. 185).

Do të ishte shumë interesante sikur përkthyesit të këtij libri t’i drejtohej pyetja:

 – Ore zotëri, pas përkthimit të çdo fjalie, a e ke marrë mundimin t’i kthehesh e ta lexosh se si tingëllon në gjuhën shqipe?

Se, normalisht, edhe ata që përkthejnë një rregullore ushtarake, me siguri që i rikthehen materialit për ta lexuar se si tingëllon në gjuhën amtare.

“Ai mendoi për pjesën tjetër të vetes, përjashta dhe të dehur, ka të ngjarë duke shkatërruar këtë marrëdhënie të rikrijuar me të shoqen, duke shkatërruar ndreqjet që u desh atyre të dyve kaq shumë kohë t’i bënin” (186).

Lexuesi i nderuar, për të cilin përkthyesi duhet të ketë shumë respekt, pa përmendur autorin që po e po, si mund të orientohet në këtë frazë kur ajo tingëllon si një mishmash i vërtetë?

“Në kundërshtim me filxhanin e kafes që në atë çast qe vënë pak centimetra larg nga hunda e tij, ai ishte më i mësuar me tingullin e një shkarkimi tualeti që vepronte si thirrje zgjimi” (193).

A mund të ketë durim lexuesi të vazhdojë të ndjekë më tej  shtjellimin e ngjarjeve të romanit kur fraza të tilla ia bëjnë mendjen dhallë?

“Iu kthye ecja me hap të zhdërvjellët, dora e tij e majtë rastësisht e vënë në xhep, dora e tij e djathtë duke u lëkundur lirshëm anash në sinkroni me hapin dhe gati t’i përgjigjej telefonit ose të shtrëngonte një dorë në çdo çast të mundshëm” (199).

Këtë frazë përkthyesi e ka lënë pezull.

“Nga një libër i përkthyer, – thotë Vedat Kokona, – në poezi apo në prozë – lexuesi pret që ky libër t’i interesojë, ta tërheqë, ta prekë, t’i flasë për të vërtetën që ngërthen vepra në brendinë e saj. Kjo fjali duket e thjeshtë, si të thuash, sheshit; megjithatë, është si një aksiomë që nuk mund të provohet; prapa saj qëndron sekreti i artit dhe i mjeshtërisë, i artit të origjinalit dhe i mjeshtërisë së përkthimit” (Vedat Kokona. “Mbi përkthimin”. Mehr Liht! Nr. 3. 1997, f.58).

Arsyet e hedhjes në qarkullim të përkthimeve që masakrojnë origjinalin deri në nivele të tilla, i nxjerr bukur në pah Dritan Çela, të cilin vdekja e parakohshme e shkëputi nga pasioni i tij i jashtëzakonshëm për të nxjerrë nga dora përkthime me cilësi të lartë:

“Në përgjithësi, komercializmi dëmton çdo gjini të artit, por njëkohësisht është edhe dukuri e pashmangshme e tij. Ai, në njëfarë mënyre, gjen mbështetje në shijet mesatare masive, si dhe në strategjitë spekulative të menaxhimit të artit.  fushën e përkthimit shfaqet kryesisht në dy forma. Së pari, botime librash me nivel të ulët artistik, por që, për arsye nga më të ndryshmet, janë kthyer në bestseller. Së dyti, përkthime vlerash të vërteta artistike nga njerëz, që, ndoshta, s’kanë kurrfarë lidhjeje me artin. Ndodh që për nevoja humane, në kushtet e vështira ekonomike, përkthyes të mirë, të cilët kanë sjellë në shqip një varg kryeveprash të fondit botëror letrar, të ulen e të përkthejnë edhe ndonjë paçavure që, për fat të keq, gjithsesi arrin të shitet shumë, qoftë se përputhet me shije të cekëta kolektive, qoftë edhe për publicitetin dhe reklamën e fortë që mund t’i bëjë botuesi e shtypi. Por është e pafalshme që vepra, nga ato që vërtet e meritojnë të quhen të rralla, na jepen nën përkthimin e një njeriu që pretendon se ditka një gjuhë të huaj, por që mjerisht nuk di më shumë se dy mijë fjalë të gjuhës amë. Merreni me mend zhgënjimin e lexuesit kur, në vend që të mrekullohet nga bukuria e fjalës, nga forca e shprehjes dhe e mendimit, nga origjinaliteti i strukturës së një kryevepre, zë kokën me duar nga ajo katrahurë mospërputhjesh, i rikthehet dy, tri, katër, pesë herë një fjale, e prapë s’merr vesh gjë prej gjëje, pyet disa herë me vete: “Vallë kjo na qenka kryevepra e lavdëruar?!”  Këta përkthyes mostra pjellin në shqip monstra. Le pastaj kur botuesi koprrac, përveç këtij “investimi”, ka menduar të kursejë edhe ca, duke e botuar librin me letër gazete, me kopertinë që sa ta prekësh, të mbetet në dorë si lule mos më prek, me tekstin e shtypur me gërma mikroskopike etj.” (Dritan Çela. “Nuk di çfarë fati më pret”. Intervista e parë dhe e fundit, 1998. Dritan Çeladuke biseduar me Luljeta Leshanakun. “Leka-Rilindja”. 08 nëntor 1998. Citohet sipas: Zija Çela. “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes”. Botimet “IDEART”. Tiranë 2007, f. 241).

Kur një vepër e përkthyer nuk na tërheq, domosdo që fajtor nuk është autori. Faji duhet kërkuar te përkthyesi. Pikërisht nga ky varet nëse vepra e përkthyer i ngjall emocione lexuesit ose jo. Nëse ajo i ngjall emocione, atëhere lexuesit i shtohet simpatia për autorin. Ka shumë të drejtë Saimir Strati kur thotë:

“Dino Buzzati-n unë kam filluar ta dua nga Dritan Çela. Dhe për këtë e kisha falënderuar në heshtje. Në përkthimet e tij tashmë më bënte trysni edhe ajo e veçanta, ajo që s’më shqitej, pjesa e dy dashurive. Dy dashuri për gjuhën, shqipen dhe italishten. Dy dashuri për tekstin, origjinalin dhe përkthimin. Dy dashuri humane, për autorin dhe lexuesin. Sepse, dhe këtë e kam dëgjuar ta pohojnë shumë të tjerë, ato nuk ishin përkthime mekanike, por shpirtërore” (Saimir Strati.“Enigma e një portreti”. Citohet sipas: “In Memoriam për Dritan Çelën. Përgjigje për dashurinë”. Shtëpia e librit “OMBRA GVG”. Tiranë, 2011, f. 49).

 Nuk e quajta të arsyeshme të vazhdoj me shembuj të tjerë, meqenëse krejt romani është një masakrim i vërtetë i origjinalit. Të vjen keq që kjo shkrimtare mjaft e njohur t’i prezantohet lexuesit shqiptar me një përkthim kaq të dobët të romanit të saj, kur dihet që romani i parë i saj që u përmend më lart, është shitur në më shumë se 40 vende dhe kompanitë “Warner Bros” dhe “Wendy Finerman Productions”, në vitin 2007, vendosën që atë ta ekranizonin. Romani zuri vendin e parë në listën e librave më të shitur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në  Angli, në Irlandë dhe në Gjermani, kurse libri i saj i dytë “Where Rainbows Ends”  (Atje ku mbaron ylberi) arriti kulmin në listën e librave më të shitur në Irlandë dhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Ky përkthyes nuk është marrë kurrë me gjuhën shqipe, e megjithatë ka kuturisur t’i hyjë përkthimit të një vepre të një shkrimtareje të njohur të letërsisë botërore

Po a është vallë i vetëdijshëm ky përkthyes se para se ta sjellë një vepër në gjuhën shqipe, ai, fillimisht, duhet të bëjë një punë përgatitore mjaft intensive? Në qoftë se ai ka ndër mend të merret me përkthime në të ardhmen, le të mësojë se çfarë rekomandon Mira Meksi, si një përkthyese dhe shkrimtare e talentuar me një përvojë mjaft të pasur:

“Përkthimi artistik nënkupton ndërmbartje e metabolizëm, besnikëri e rilëvrim të lëndës artistike; është humbje dhe përtëritje në të njëjtën kohë. Në thelbin e tij, përkthimi artistik s’është aspak një veprimtari, por një proces, një proces i larmishëm, plot ekuivoke dhe zigzage; është tejet e vështirë ta vendosësh nën “hyqmin” dhe “trysninë” e një tërësie normash a gjykimesh të qëndrueshme. Përkthyesi ka për detyrë të ndërmbartë në gjuhën pritëse sa më tepër që të mundet prej tekstit në gjuhën ardhëse, një tërësi karakteristikash e fizionomish që i kapërcejnë katërçipërisht përmasën ad letteram e tërë sa qëndron pas saj. Përkthimi artistik është një operacion kompleks gjuhësor, estetik dhe kulturor, që fare pak mund të mbështetet te një referent i jashtëm apo te një kumt abstrakt. Vepra artistike është grishëse qoftë për atë çka shpreh, qoftë për mënyrën se si e shpreh. “Çfarë” dhe “si” janë dy thelbet që përkthyesi duhet të përpiqet t’i ruajë sa më pranë veprës në gjuhën ardhëse dhe sa më me besnikëri. Përpara se ta rikodojë në gjuhën pritëse, përkthyesit i duhet më së pari ta dekodojë tërësisht veprën në gjuhën ardhëse, në tërë planet e nivelet analitike, përmes një leximi hermeneutik të pasur, formal e kulturor. Vetëm pasi ka kryer një proces të tillë paraprak dhe vetëm pas tij, përkthyesi mund të fillojë ndërkodimin përmes përshtatjes homologjike për lexuesin e gjuhës pritëse, duke vënë në lëvizje një sërë strategjish, që rrahin të zvogëlojnë sa më tepër humbjet që mund të zënë vend gjatë procesit të kalimit nga një kod gjuhësor në tjetrin” (Mira Meksi. “Gjuetia e lejlekut : në atelienë e përkthimit të “Bashkëpirjes” së Platonit. Gazeta “Shqip”. 4 janar 2007, f. 14).

A ka menduar ndonjëherë ky përkthyes, që, në procesin e përkthimit, fillimisht, duhet të provojë vetë kënaqësi estetike, duke nxjerrë në pah botën intelektuale të autorit, që mandej të jetë në gjendje që atë t’ia përcjellë edhe lexuesit me një shqipe të kulluar? Por që ta zbulojë botën intelektuale të autorit të huaj, përkthyesi duhet të ketë aftësinë të vendosë lidhje shpirtërore me të. Ja çfarë thotë përkthyesi Urim Nerguti për vendosjen e një lidhjeje të tillë:

“Lidhja mes autorit dhe përkthyesit është mirëfilli një lidhje dashurie. Nuk është e mundur që dikush t’i kushtojë tjetrit aq kohë dhe energji, dhe aty të mos ketë dashuri. Qoftë i vdekur e qoftë i gjallë, mendoj se përkthyesi është gjithmonë një bashkëbisedues i autorit, madje sikur është duke e shkruar aty, në atë çast, këtë libër bashkë me autorin. Debatet “fantazmë” që bën përkthyesi me një autor të vdekur, janë të tipit që përkthyesi luan rolin e fëmijës së bezdisshëm, i cili pyet një më të rritur përse kështu e përse ashtu. Edhe përkthyesi hyn në një lojë të tillë me autorin, duke e ngacmuar atë, ndërkohë që ky i fundit e dërgon te veprat e tjera të tij, ose te mjeshtrit e vet. Gjithçka sillet në një lloj qerthulli apo labirinthi ku përkthyesit i duhet të njohë jo vetëm ç’është shkruar aty në letër, por edhe të kapë drithërimat e brendshme të shpirtit të autorit kur ai vendos një pikë apo presje apo tjetër” (Drita Klosi. Intervistë me përkthyesin Urim Nerguti. Marrë nga faqja e internetit “Tiranacalling”. 16 nëntor 2011).

Përkthimin e veprave artistike të autorëve të shquar, qofshin këta klasikë apo bashkëkohorë, nuk mund ta përballojë çdokush. Për këtë, siç është theksuar më lart, kërkohet talent i veçantë që natyra ia dhuron jo dokujtdo.

Edmond Tupja thotë:

“… përkthyesi letrar ka një dhunti të lindur, të cilën e nxjerr në pah dhe e pasuron falë formimit të tij të gjithanshëm. Këto dy të dhëna e pajisin atë me atë që disa traduktologë e quajnë “refleks përkthyesor”. Ky refleks, në fakt, e dallon përkthyesin e mirëfilltë nga nënpërkthyesi dhe pseudopërkthyesi, sepse, siç sapo e thamë, nuk bazohet vetëm te formimi i fituar, por edhe te dhuntia e lindur e përkthimit” (Edmond Tupja. “Pro translatore. Shtjellime kritike për përkthyesin dhe përkthimin”. Shtëpia Botuese “OMBRA GVG”. Tiranë 2004, f.101).

Pëkthyesit e patalentuar që domosdo nuk mund të kenë aftësi krijuese, e përkthejnë origjinalin fjalë për fjalë, prandaj edhe sintaksa në përkthim tingëllon e pazakontë, si në shembujt që u sollën më lart.

Elvira Çernjenko, përkthyese ruse, e cila ka përfunduar Universitetin Shtetëror të Gjuhësisë “Moris Torez” (Maurice Thorez) në Moskë, degën e përkthimtarisë, ja se si shprehet për dëmin që i sjell autorit një përkthim i dobët:

“Në vitet e pararinisë pata lexuar librin e Emil Zolasë me titull “Një faqe dashurie” (Une Page d’amour) dhe qesh befasuar keq për faktin se me çfarë gjuhe primitive, pa lidhje logjike dhe, të më falni, varfanjake, qe shkruar ai roman. Pata lënë mendjen se si kishte qenë e mundur që një shkrimtar kaq i paaftë t’i kishte hyrë në zemër mbarë botës. Tani po e kuptoj që Zola është gjenial. I paaftë paskej qenë përkthyesi, e bashkë me të redaktori dhe botuesi, të cilët patën lejuar që një përkthim i atillë të shihte dritën e botimit” (Elvira Çernjenko. “Professija: pjerevodçik hudozhestvjennoj literaturëj”. Faqja e internetit “molparlam.ru”. 14 tetor 2014).

Në përkthimin e këtyre dy librave është prekur autoriteti i autorëve të tyre, nuk është treguar kurrfarë respekti ndaj djersës së tyre. Si është e mundur që përkthyesit të tregojnë kaq papërgjegjshmëri ndaj një pune aq të lodhshme, siç është krijimi i një vepre të letërsisë artistike. Përkthyesi, kur vendos t’i hyjë përkthimit të një vepre letare, në qoftë se e ka përgatitjen e duhur shkencore dhe dhuntinë e lindur, duhet të derdhë po aq djersë, në mos edhe më shumë, për të nxjerrë nga dora një përkthim, mundësisht, po me të njëjtat vlera artistike, sa edhe origjinali. Pra, ai duhet të ketë parasysh punën e Sizifit që përballon autori.

 Shkrimtari Aleksej Tolstoi (1883-1945) thotë :

“Më kujtohet se kur fillova të shkruaja tregime, i punoja nga dy, ndonjëherë nga tri dhe katër herë. Dhe gjatë çdo ripunimi, gjuha ndryshonte. Dhe ja, unë i bëra vetes pyetjen, përse duhet ta them frazën kështu dhe jo ndryshe, përse duhet t’i vendos fjalët kështu dhe jo ndryshe ? Cilat janë ligjet e gjuhës ? Këtë unë nuk e dija dhe nuk e kuptoja. Në fillim, që të zhdukja këtë ndryshim të shpeshtë, me qëllim që të forcoja gjuhën time, imitoja gjuhën e Gogolit dhe të Turgenjevit. Më parë gjuhën e Turgenjevit, pastaj të Gogolit. Këtë e bëja me zë, duke e dëgjuar”(Aleksej Tolstoi. “Me tërë seriozitetin e çështjes së gjuhës”. Bisedë me shkrimtarë dhe me artistë të rinj. 07 nëntor 1935. Gazeta “Drita”. 15 gusht 1976, f. 14).  

 Nga sa u citua më sipër nga përkthimi i dy romaneve të lartpërmendura, rezulton se përkthyesit kanë mangësi të theksuara në sintaksën e gjuhës shqipe. Prandaj është e domosdoshme që edhe ky roman të ripërkthehet që të vihet në vend respekti ndaj autores dhe ndaj lexuesit shqiptar.

Vështrim rreth monografisë “Carrabregu në gjurmët e historisë dhe traditës”, të autorit Arton Loshaj

 MSc. Adem Lushaj

       Monografia “Carrabregu-në gjurmët e historisë dhe traditës” të autorit, Arton Loshaj, është ndër të rrallat të shkruara deri më tash në Komuën e Deçanit. Kjo monografi, krahas asaj “Lluka nëpër shekuj” e Arif Molliqit, duhet të jetë shtytëse edhe për fshatrat tjera të kësaj komune, që do ishin ndër dokumentet më të rëndësishme të historisë, kulturës, lashtësisë, trashëgimisë, arsimimit dhe qendresës, ndaj çdo pushtue


 Në këtë monografi, autori e përshkruan historinë e fshatit Carrabreg, bazuar në dokumentet historike dhe arkeologjike, por edhe në gojëdhënat popullore. Loshaj në mënyrë të argumentuar ka bërë përshkrim të historisë, arsimimit dhe të zhvillimit, të kulturës dhe sportit, etnografisë, luftës dhe qëndresës kombëtare, të banorëve të fshatit të tij.

      Gjithashtu, Loshaj ka përshkruar relievin e Carrabregut, përbërjen e tokës, klimën, ujërat, botën bimore dhe shtazore. Ka bërë shpjegime për toponimet dhe mikrotoponimet që gjenden në Carrabreg, gjë që nxjerrë edhe vjetërsinë e fshatit të tij.

      Autori, fillimisht ka treguar për etimologjinë e emrit të fshatit Carrabreg, duke e përshkruar si një vend të lashtë në të cilin ka dominuar druri qarri. Etimologjia e emrit vjen nga fjalët “Qarri në breg apo Qarri n’breg”, që gradualisht ka ardhur deri te emërtimi “CARRABREG”.

     Sipas dëshmive të prezantuara në këtë monografi, Carrabregu del të jetë një nga vendbanimet më të vjetra në territorin e Deçanit, së bashku me Lloçanin.

     Profesori i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, autori i kësaj monografie, Arton Loshaj, ka punuar gjatë në hulumtimin dhe grumbullimin e të dhënave dhe dëshmive nëpër çdo periudhë dhe në të gjitha fushat e jetës, ku zënë vend edhe kulti i pritjes dhe bujarisë, traditës së mikpritjes dhe aspektet kanunore, deri te sporti, arsimimi dhe ngritja profesionale nëpër breza, aktivitetet politike e kombëtare të bashkëvendësve të tij dhe lëmitë tjera shoqërore. Këtë më së miri e përshkruajnë recenzentët e librit, të cilët i japin vlerësim të lartë punës dhe arritjes së dëshmimit të historisë dhe traditës së banorërve të këtij fshati nëpër shekuj, të autorit Arton Loshaj.

      Në këtë monografi mësojmë për djemtë e Carrabregut që treguan trimëri kur e veshën uniformën e UÇK-së, kur u armatosën, kur luftuan përballë serbëve me atë pak armatim që e merrnin në Shqipëri.  Këtu shkruhet për dëshmorët, për të gjallët, për të rinjtë, për të moshuarit. Shkruhet për jetën e re, për ndërtimet e reja të ndërtuara mbi gërmadhat që ishin cak i sulmeve serbe.  

E veçanta e autorit është se nuk e harron as të tashmen, kur fshati i tij ka arritur zhvillime të mëdha, si në aspektin e infrastrukturës, ashtu edhe në jetën kulturore, biznesore, arsimimit, pluralizmit politik dhe në fushat e tjera që ndikojnë në mirëqenien qytetare dhe demokratizimin e shoqërisë.  

Rrugën e Llukes dhe të Carrabregut, duhet ndjekur edhe fshatrat thera, duke lënë dëshmi të autoktonisë sonë në këto treva, të zhvillimeve nëpër kohë dhe historinë e vërtetë të Deçanit, duke mos ua lënë në dorë që historinë tonë ta shkruajnë të tjerët.

E vlerësimin më të mirë për punën e çmuar të Arton Loshaj, e jep redaktori i këtij libri, Esat Loshaj, ku thotë:

Autori nuk sajon, por analizon dhe verifikon të dhënat mbështetur në ballafaqimin e dëshmive kryesisht shkencore dhe të arkivave, në caqet e supozimeve. Është si bleta e mirë që ka kërkuar, gjetur, grumbulluar me zell e kompetencë një fond të konsiderueshëm të dhënash.

Mediat mercenare në Shqipëri helmojnë opinionin dhe prishin shoqërinë




                                             Nga Skënder Sadri KAPITI

Pothuajse të gjitha mediat e shkruara, ato vizive dhe portalet në Shqipëri janë institucione informative mercenare, servile, të korruptuara nga pushteti dhe paraja, pa marrë parasysh se nga vijnë paratë dhe nga kush financohen ato.  Shumica por kryesisht mediat “famoze e të mëdhatë” janë media gënjshtare dhe mashtruese, manipulatore dhe të paskrupullta që helmojnë dhe verbojnë qytetarët, dhe qytetari shqiptar i mëson, e sheh dhe informohet për  të vërtetat dhe realitetin shqiptar, për të vërtetat e politikës shqiptare  nga mediat e huaja.

Shumica janë medie të njëanshme dhe që flasin  e propagandojnë atë të cilën ua do interesi i tyre dhe duke bërë “marketingun”politik me anë të administrimit të lajmeve në favor të politikës dhe të pushtetit që rastisin që të qeverisin., duke paraqitur vetëm “pozitiven” e dëshiriuar të pushtetit .

Dhe ky është pra mercenarizmi mediatik.

Media të cilat nxjerrin lajme të këqija dhe ordinre me qëllim për ta larguar opinionin dhe publikun nga problematikat kyesore. Media të cilat manipulojnë opinionin . Kjo krijon një marrëdhënie simbiotike qeveri-media, pasi qeveria ka nevojë për mediat, për mbështejen reciproke, duke manipluar me lajmet për interesin e të dyja palëve

Mediat në Shqipëri, shumica e tyre,  janë dhe shërbejnë si biznese që mbijetojnë nga lëmoshat që marrin nga bizneset dhe monopolet biznesore të politikës dhe të politikanëve me lidhje krimi, hajnije e korrupsioni, e deri madje edhe duke marrë paranë e atyre të cilët paguajnë që mediat, gazetat, televizionet dhe gazetarët, analistët dhe opinionistët për shërbimin që ato u bëjnë  kauzave antishqiptare, sic dhe e kanë pranuar dhe pohuar p.sh. këtë edhe politika dhe politikanë të vëndit fqinj me Shqipërinë, Greqia.

Në asnjë vënd të botës nuk e gjen atë “gadishmëri” dhe atë zell e “dëshirë” të zjarrtë se sa mediat në Shqipëri që në një kohë rekord të japin dhe të paraqesin në konkurencë të fortë mes tyre: lajmet e zeza, skandalet,  vrasjet, krimet, grabitjet, vjedhjet, trafiqet e droges e qënieve njerëzore, divorcet,dhe imoralitetet  dhe turpet seksuale, duke i ripërsëritur dhe zmadhuar ato në faqet e para të gazetave dhe në gjysmën e parë   të kohës së lajmeve nëpër televizione, duke na i paraqitur si telenovela informative dhe edukative.

Me kësi lloj  “lajmesh bombastike”, mediat në Shqipëri po u shërbejnë strategjive  antishqiptare të qarqeve europiane por sidomos aty greko-serbe, të cilat sot punojnë me mjaft finesë që të përhapin në Shqipëri kulturën, sjelljet  dhe imazhin e korrupsionit, gënjeshtrave, vjedhjes, imoralitetit, pasigurisë  dhe antiligjit me qëllim që ta prishin shoqërinë shqiptare, dhe realizimin e  strategjisë së tyre të përkeqësimit të imazhit të Shqipërisë dhe të shqiptarëve në Europë dhe botë.

Nuk është aspak e vështirë për të kuptuar anshmëritë e tejskajshme politike të mediave, televizioneve dhe të gazetave në Shqipëri, madje më të varura dhe shërbëtore të politikës dhe të pushtetit janë mediat e televizionet të cilët pretendojnë se janë të pavarura, se sa vetë gazetat politike të partive politike.

Nuk është e vështirë  për të konstatuar që televizionet dhe gazetat  shqiptare, pothuajse të gjitha  mbysin dhe nëpërkëmbin, injorojnë dhe me presion e kërcënim për largim nga puna  ua imponojnë gazetarëve të vertetë, profesionistë dhe me dinjitet që ata të shkruajnë, të thonë e të lexojnë ato cfarë dëshiron vullneti, dëshirimi, korrupsioni dhe interesi personal i pronarëve të mediave dhe politika.

Të gjitha llojet e programeve duhet të kalojnë në filtrin dhe brënda kornizës që imponon pronari i medias në shërbim të interesit te ngushte të tij dhe të mercenarizmit politik të cilit ai i shërben.

Mediat në Shqipëri, informacioni dhe programet që ato japin e promovojnë janë manipulative dhe të orientuara e të “urdhëruara” nga interesat e padronit, politikës, korrupsionit dhe të parasë . Amoralitetin e tyre nuk është vështirë për ta kostatuar  edhe nga “tradhëtia” dhe ndërrimi i padronëve politiko-korruptiv në rastin më të parë sapo ndërrohen qeverisjet dhe pushtetet.

Kjo vihet re te mediat shqiptare servile, puthadore dhe mercenare  të cilat “braktisin” politikën qeverisëse të një partie e kualicioni sapo ajo kalon në opozitë, dhe shndërrohet në servile dhe mercenare e politikës që merr dhe fiton pushtetin duke u bërë “armike” e ishpadronit të politikës kur ai sapo  bie nga pushteti.

Ky fakt tregon karakterin e ulët , amoralitetin dhe mercenarizmin që i karakterizon mediat, shumicën e tyre , dhe sidomos ato të mëdhatë, që quhen e pretendojnë se janë kombëtare.

Mediave në Shqipëri më shumë u interesojnë se kush zgjidhet president, kryeministr e kush  fiton zgjedhjet  në Amerikë,Francë, Itali e Gjermani por edhe në Serbi, në Iran, Irak etj., se sa  në  Kosovë.

Madje pati edhe gazetarucë  si puna e ndonjerit që nuk po ia përmend emrin se i duket vetja pastaj si i  rëndësishëm se pyet në një shkrinm të tij se:

kujt i intereson se kush zgjidhet kryeministër në Kosovë?!

Apo dikush halabak tjetër i cili i quan kandidatët kosovarë për kryeministra si frikacakë , pasi  ata nuk tregohen injorante, pse nuk shajnë , nuk fyejnë,nuk konfliktohen dhe pse nuk nxisin përplasje e ngatërresa mes simpatizanëve të tyre.

Madje  mediat vizive,  TV-të e gazetat  informative nga Shqipëria edhe për zgjedhjet e 6 Tetort 2019 në Kosovë, gjatë fushatës elektorale atje, më shumë ishin të interesuara për të gjuajtur e gjetur apo edhe për të shpikur  ndonjë thashethem për ndonjë shkelje e parregullsi zgjedhore se sa për mbarëvajtjen e tyre, që t’i amplifikonin e starzmadhonin ato me qëllim  që  sadopak përpiqeshin për t’i përbaltur zgjedhjet në Kosovë, të cilat realisht  realizuan më së miri të gjitha cilësitë dhe standardet moderne e demokratike ku  u vu re maturia, pjekuria politike, morale, demokratike, qetësia dhe pjesmarrja e konsiderueshme, dalja në kohë rekord e rezultatit të zgjedhjeve dhe pranimi i tyre po në një kohë rekord nga të gjitha subjektet që morën pjesë në garën elektorale.

Antikosovarizmi i mediave shqiptare është edhe shumë i rafinuar dhe ka një finesë djallëzie , sa që edhe kur bën e duket se e duan Kosovën , ato djallëzisht intrigojnë kundër saj, ekspozojnë emisione të parapërgatitura me objektiv afatmesëm dhe afatgjatë antiKosovë.

Kështu bëjnë në emisionet e tyre kur edhe ftojnë personalitete nga Kosova, të cilët mundohen  që t’i fusin në kurthet që i ngrenë  gazetarucët ,opinionistët dhe analistët nga ata që drejtojnë emisionet opinion në  Shqipëri, por edhe lajmet e informacionet që japin gazetat i shkruajnë të deformuara, dhe shkruajnë ato të cilat cfarë u parapëlqen atyre.

Që mediat në Shqipëri janë në lidhje të ngushtë me politikën në Shqipëri e tregoi edhe fakti i “indiferentizmit” apo “territ” informativ të mediave të Tiranës për fushatën elektorale në Kosovë, ku përjashtohet p.sh.gazeta “bulevard” që  del në Durrës e botuesit Artur Llana, e cila është e rralla dhe ndër të paktat media në Shqipëri e cila ka pasqyruar dhe informuar publikun në Shqipëri për  fushatën elektorale në Kosovë, për mbarëvajtjen dhe kulturën demokratike të Partive politike, të elektoratit të tyre dhe të  votuesve në Kosovë, por edhe për rezultatet ,arritjet e fitoret e sportit kosovar.

Ky “indiferentizëm”mediatik për zgjedhjet në Kosovë shpjegohet me faktin se:  fushatën në Kosovë e dominonin si më të preferuarit dhe më të admirueshmit publikisht e mediatikisht dy personazhet kryesore, Albin Kurti i VV dhe   Vjosa Osmani e LDK , por që të dy këta nuk ishin të dëshirueshëm  nga elita  dhe as nga establishment politik as ai i Majte (PS-Rilndja) dhe as nga ai i Djathtë, (PD me aleate) në Shqipëri ,  të cilët   e kanë  kapur dhe e mbajnë  peng politikën,pushtetin, shtetin shqiptar, drejtësinë, shoqërinë dhe integrimin në BE të Shqipërisë.

Pra politika e Tiranës dhe mediat politike në shërbim të saj nuk e donin fitoren e Albinit e të VETVENDOSJES , dhe as të Vjosës pasi kishin frikë për një reaksion të tillë antiestablishment politik në Tiranë, kishin frikë për një ndëshkim edhe të tyre ashtu sikurse u ndëshkua politika  që kishte kapur shtetin , ligjin dhe demokracinë në Kosovë.

Pra ashtu si gjithcka negative që ka Shqipëria si: politikën , drejtësinë, keqeverisjen, diplomacinë, problematikat demokratike, integruese dhe korrupsionin ,problem tjetër i madh e negativ  në Shqipëri janë edhe ato media mercenare edhe ato të kriminalizuara, të korruptuara, antikulturë dhe sidomos mercenare.  Pra në Shqipëri duhet  VETTING edhe për mediat

Lexoni leksionet e Prof. Eshref Ymeri

                                      





          

                                                 Nga Skënder Sadri KAPITI 

Lexoni dhe merrni leksione e mësime historie, politike, demokratike, filozofike dhe sidomos , sidomos mesoni leksione patriotizmi nga prof. Eshref Ymeri, lexojeni edhe shkrimin më të fundit të tij :”Në pritje të aktit të tretë të tradhtisë së lartë” i cili më motivoi për të shkruar këtë konsideratë të shkurtër ndaj tij .

Është fat i madh që kemi intelektualë të tillë, por që fatkeqësisht janë jasht Shqipërisë, por që shqiptarët kanë aq shumë nevojë e domosdoshmëri për ta.

Unë këtu nuk do të ndalem që të bëj analizën apo komentin për shkrimin e tij , jo vetëm për këtë më të fundit por edhe të atyre të tjerëve para këtij. Por unë edhe si studiues i politikës, historisë kombëtare dhe asaj botërore por edhe si eseist, opinionist e shkrimtar mësoj shumë nga Profesorët dhe akademikët si Eshref Ymeri, kundrejt të cilit vendosa qw t’i përcjell atij respektin dhe mirënjohjen time të thellë për atë kontribut të tij të jashtëzakonshëm për ndërgjegjsimin dhe edukimin e brezit të ri dhe të shqiptarëve kudo që ata janë me ndjenjën e patriotizmit dhe të shërbimit për atdheun.

Te profesor Ymeri gjen të mishëruar erudicionin e lartë akademiko-shkencor dhe guximin e përkushtimin maksimal të tij me mish e me shpirt për t’i shërbyer atdheut dhe cështjes kombëtare shqiptare akoma të pazgjidhur.

I lutem lexuesve që të  shpenzojnë  kohë  dhe t’i përkushtohen leximeve e leksioneve të Prof. Eshref Ymerit mbi kombin , atdheun , shqiptarizmën dhe mbi të vërtetat, mbi historinë dhe për vizionin edukativ që mbartin leksionet e tij aq të duhura e të vyera për edukimin patriotik, heroik e kombëtar shqiptar.

Lexoni leksionet e Prof. Ymerit se ato kanë edhe modestinë, edhe guximin, edhe filozofinë por edhe thjeshtësinë akademike mjeshtërore të një gjuhe dhe komunikimi të kuptueshëm për të gjithë njerëzit si ata të thjeshtë ashtu edhe për intelektualët.

Një ese që të ngjall emocione të fuqishme

 




Akademik Eshref   Ymeri,PHD

 

       Prof.dr. Fatmir Terziu, Mjeshtër i Madh, meriton përgëzimet më të sinqerta dhe falënderimet më të përzemërta për botimin në numrin e sotëm (04 tetor 2021) të Portalit “Fjala e Lirë” të Esesë shumë prekëse, me titull“Udhëtim në pyjet e këngëve çame”, të poetit  të talentuar Agim Mato. Në shënimin hyrës, Prof.dr. Fatmir

Terziu shkruan:

“Shkruar 1986. Hyn në shtyp në revistën “Nëntori” dhe hequr nga shtypi me porosi të KQ të PPSH”.

Nuk e kam informacionin e duhur nëse kjo Ese është botuar në ndonjë organ tjetër pas zëvendësimit të sistemit komunist me një sistem neokomunist që po “gëzojmë” sot pas demoshëmtisë dhjetoriste. Sidoqoftë, botimi i kësaj Eseje në Portalin “Fjala e Lirë” 35 vjet pas krijimit të saj, është një nderim i veçantë që Prof.dr. Fatmir Terziu i bën poetit Agim Mato, i cili u largua për në botën e përtejme më 10 maj 2021

Eseja më emocionoi tej mase, prandaj e hodha në rojtinën e kompjuterit për ta lexuar kohë pas kohe, jo vetëm në nderim të autorit të talentuar, por edhe në nderim të Çamërisë, të cilën e dashuroj si vendlindjen time. Heroina kryesore e asaj eseje është Çamëria, trualli ynë amtar, të cilin banditët-shovinistë evropianë, për pazotësin tonë, si komb, ia rrëmbyen trungut amtar dhe ia bënë dhuratë Greqisë. Tragjedia e Çamërisë, vepër e përbindshmne e shovinizmit grekokriminal, zbulon tradhtinë e partisë komuniste, me në krye argatin e regjur të grekosllavizmit Enver Hoxha, i cili e pati soditur me gjakftohtësi kasaphanën e bishës së tërbuar Napolon Zerva kundër vëllezërve dhe motrave tona çame. Argati i Beogradit dhe i Athinës Enver Hoxha, atje, në jug të vendit, kishte trupa partizane, por tradhtia ndaj atdheut amë nuk e lejoi që t’i fuste në truallin e Çamërisë për t’i dhënë dajakun që meritonte kryekriminelit Zerva dhe të shmangte atë masakër të lemerishme. Nuk e bëri një gjë të tillë, sepse zbatonte me rreptësi të madhe porositë e prera që i jepnin dy emisarët e Beogradit, Dushani dhe Miladini, dy komisarët e Titos në Shqipëri, të cilët, faktikisht, drejtonin partinë komuniste dhe ushtrinë. Partia komuniste dhe kryetradhtari i saj Enver Hoxha, ashtu siç tradhtuan Çamërinë më 27 qershor 1944, po ashtu patën tradhtuar Dardaninë që gjatë viteve të luftës, kur u bënë bashkëpunëtorë të serbosllavizmit në kryerjen e masakrës së Tivarit. Qëndrimin tradhtar ndaj Dardanisë dhe trojeve të tjera shqiptare në Jugosllavi, ata e vazhduan edhe pas luftës, kur Beogradi, në vitet ’50, nëshkruante marrëveshje me Ankaranë për shërnguljen me dhunë të shqiptarëve rrënjës drejt Turqisë. Po ashtu, nuk u bënë të gjallë për mbrojtjen e vëllezërve tanë dardanë gjatë dhunës së egër që serbosllavizmi ushtroi në Prishtinë kur patën shpërthyer demonstratat e fuqishme të vitit 1981. Të njëjtin qëndrim tradhtar mbajtën partia komuniste dhe pasardhësi i Enver Hoxhës, krimineli Ramiz Alia, edhe në ngjarjet e vitit 1989, kur Beogradi e shfuqizoi autonominë e Dardanisë, duke e shndërruar atë në koloni të Serbisë. Pasardhësit e veteranëve komunistë, neokomunistët që dolën në skenë pas demoshëmtisë dhjetoriste, e vazhduan tradhtinë e etërve të tyre në qëndrimin ndaj Dardanisë. Kur Millosheviçi, kryebanditi i gadishullit tonë, në vitin 1998 dhe në fillim të vitit 1999, pati nisur masakrimin e Dardanisë, partia neomuniste dhe udhëheqja e saj nuk ndërhynë ushtarakisht absolutisht, paçka se në Veri të vendit, siç më ka rrëfyer një ushtarak i lartë i forcave të armatosura, asokohe ishin të pozicionuar 400 tanke. Ky ishte një qëndrim i turpshëm nga ana e udhëheqjes tradhtare të atdheut amë ndaj bashkatdhetarëve tanë dardanë. Prandaj edhe ndalimi i botimit në revistën “Nëntori” të vitit 1986 i esesë së shkëlqyer të poetit Agim Mato, dëshmon për vazhdimësinë traditës së tradhtisë së partisë komuniste dhe të udhëheqjes së saj ndaj bashkëkombasve tanë çamë. Fakti që Tirana zyrtare nuk ngriti kurrë padi në gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për masakrën e Tivarit, për masakrimin  Çamërisë dhe për masakrimin e Dardanisë, flet fare qartë se udhëheqja shqiptare e atdheut amë ka qenë, është dhe vazhdon të mbetet kështjella e tradhtisë kombëtare, me kryekështjellarin Rama majë saj, i cili flirton me afsh të nxehtë me kriminelin Vuçiç, trashëgimtarin e veprës së Millosheviçit.

San Diego, Kaliforni

04 tetor 2021

 

2021/10/02

“Një Grua midis dy Burrave” – “A Woman Between Two Man”, Romani, që përmban dramë, frikë, dhe shpresë……

 Nga Beqir Sina

I dashur Flori,
Te falenderoj shume per publikimin e kesaj interviste rreth romanit 'Nje grua midis dy burrave', qe e kam shkruar se bashku me shkrimtaren amerikane, Kerri  Huper.

Perzemersisht,
Skifteri
Boston, SHBA




Carrie Hooper, është amerikania që jep mësime private të gjermanishtes, spanjishtes, pianos, dhe kantos në Elmira, Nju Jork, e cila ka një histori shumë të veçantë : ajo është e verbër, por kjo nuk e ka penguar të zotërojë gjashtë gjuhë të huaja, mes tyre edhe shqipen, të përfundojë studimet universitare për muzikë, të këndojë dhe interpretojë në disa vegla muzikore, të shkruajë poezi dhe të jetë një admiruese e historisë dhe zakoneve shqiptare.

 Mirë po ajo që edhe tërhoqi vemendjen tone, dhe po zhvillojmë këtë intervistë është fakti që për here, të pare një shkrimtare amerikane Carrie Hooper dhe një shkrimtar shqiptar në Amerikë, sjellin për lexuesin amerikan,  shqiptar dhe të huaj librin “Një Grua midis dy Burrave” – “A Woman Between Two Man”.

 “Një Grua midis dy Burrave” – “A Woman Between Two Man”, me temë amerikanoshqiptare, është botuar në Amerikë nga Enti Botues dhe ka bashkëautorë dy shkrimtarë, një amerikane dhe një shqiptar, Carrie Hooper dhe Skifter Kellici Dhe është hera e parë që në Amerikë botohet një roman me temë amerikano-shqiptare, shkruar nga një autore amerikane, Carrie Hooper, (Kerri Huper), dhe një autor shqiptar, Skifter Këlliçi, i cili prej 22 vjetësh jeton në Boston dhe veç shumë veprave letrare të botuara edhe vitet e fundit në Shqiperi, njihet gjithashtu për punime publicistike të botuara gjerësisht në mediat shqiptare dhe shqiptaro-amerikane, ”Bota sot”, “Illyria” dhe “Dielli” dhe portale e media sociale. 

Për më shumë flet bashkëautoria e librit “Një Grua midis dy Burrave” – “A Woman Between Two Man”, Harrie Cooper

 Harrie Cooper :   Së pari, ju falënderoj, Zoti Sina për mundësinë që më dhatë të bisedoja me ju rreth romanit, Një grua midis dy burrash. U njoha me Zotin Këlliçi në telefon në vitin 2018 nëpërmjet shkrimtares shqiptare, Sabije Veseli kur qëndroja te ajo dhe familja e saj. Atëherë Shoqata e shkrimtarëve shqiptaroamerikanë organizoi një promovim të volymit tim poetik, Piktura në fjalë. Që nga ajo kohë, unë dhe Zoti Këlliçi vazhdonim të shkëmbenim emaile dhe të bisedonim në telefon. Më tregoi për romanin e tij në dorëshkrim, Një grua midis dy burrash, më dërgoi përmbledhjen e tij, dhe më ftoi të bashkëpunoja me të në këtë roman sepse donte ta botonte në Amerikë dhe i pëlqeu ideja e një bashkëpunimi shqiptaroamerikan. Unë lexova romanin, bëra disa ndryshime të vogla në variantin shqip, dhe e përktheva në anglisht, duke bërë më shumë ndryshime. Pastaj një shoku im më ndihmoi ta futja në faqen e Internetit të vetëbotimit, Lulu.

Çfarë përmban libri “Një Grua midis dy burrash: dramë, frikë apo shpresë për jetë?

Harrie Cooper :     Romani Një grua midis dy burrash përmban dramë, frikë, dhe shpresë. Tregon historinë e infermieres, Mary Davenport, e cila fejohet me shkencëtarin Charlie smith. Ndërkohë dashurohet me Kreshnik Gërmenin, birin e një shqiptari, Lonit, të arratisur nga Shqipëria komuniste dhe të emigruar në Amerikë. Për fat të keq, disa grabitës e vrasin Babain e Kreshnikut kur përpiqet ta shpëtojë jetën e një polici. Pas vrasjes së babait, Kreshniku rritet nga shoku i Lonit, James Clemens, i cili është alkoolist dhe luan lojrat fati. Për të paguar një borxh të babait të tij, Kreshniku detyrohet të bëhet trafikues droge por faktikisht ka aftësi si poet dhe i pëlqen muzika klasike. Kur Mary njihet me të, e nxit ta lërë jetën e felliqtë të shitjes së drogës.

Veç faktit që është roman me temë amerikano-shqiptare, a mendoni  se ai sjell diçka të re në letërsinë amerikane?

Cilat janë disa nga veçorite e këtij romani?

Harrie Cooper :     Një grua midis dy burrash tregon anën njerëzore të një keqbërësi. Kreshniku nuk trafikon drogat sepse e dëshiron por sepse rrethanat e detyrojnë ta bëjë. Nuk është një histori e thjeshtë dashurie por është një histori të njerëzve komplekse që udhëtojnë në rrugën e ndërlikuar të dashurisë.

A gjykoni se romani “Një Grua midis dy burrash me një autor amerikane dhe një autor shqiptar, do të pritet mirë nga lexuesit shqiptarë, amerikanë dhe të huaj?

Ju shkruani në mos gabohem në gjashtë gjuhë . Ndjenja juaj kur shkruani Shqip, dhe kur veprat tuaja filluan të shkruhen edhe në gjuhën Shqipe?

Harrie Cooper :    Ndihem të çliruar në një farë mënyre kur shkruaj në çfarëdo gjuhë të huaj. Mund të shpreh idetë për të cilat nuk i gjej fjalët për t'i shprehur në anglisht, gjuhën time amtare. Për mua të shkruaj në gjuhë të huaja është si të përdorja ngjyrë të ndryshme për të pikturuar mendimet e mia. Meqë shkruaj në brail, çdo gjuhë ka texturën e saj të veçantë.

Çfarë lexon Carrie Hooper? Çfarë përzgjedh për lexim? Nga autorët Shqiptar?

Çfarë keni mësuar nga veprat që keni lexuar të autorëve Shqiptarë?

Harrie Cooper :    Leximi i veprave të shkrimtarëve shqiptarë më ka ndihmuar ta përmirësoj shqipen dhe ta kuptoj më mirë historinë shqiptare, dhe më ka afruar me Shqipërinë, një vend që do ta doja ta vizitoja një ditë.

Sipas jush, Çfarë është letërsia shqipe dhe çfarë do të donit të ishte?

Harrie Cooper :  Do të thoja se letërsia në çdo gjuhë duhet ta pasqyrojë përvojën njerëzore me fjalë hyjnore. Veprat letrare nuk duhen shkruar vetëm për të fituar para por për ta sjellë kulturën njerëzve. Kemi nevojë për më shumë fjalë shëruese dhe kuptimplote. 

Ju faleminderit, që gjetët kohë!

Harrie Cooper :  Ju faleminderit, Suksese! Ju

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...