Agjencioni floripress.blogspot.com

2021/10/06

Frano Kulli: Gjergj Fishta, moskuptime dhe keqkuptime

 Përdorimi i ledhatuar e me mjeshtrí i shqipes, në korpusin e veprës letrare e publicistike të Gjergj Fishtës, komunikimi me lexuesin e vet, ndalet përdhunshëm pa kaluar 5 vite nga ndarja e tij këso jete, në dhjetorin e 1940-ës. Gjithë ajo pasuri gjuhësore e përdorur aty, por edhe me plot prurje të reja prej tij, të panjohura e të palëvruara deri atëherë, u ngurtësua; ju vù një rrasë e rëndë varri, aq e rëndësa ç’peshon një gjysë shekulli.

Duke mos u përdorë, ajo nuk lëvizi e nuk gjalloi, por në mënyrë sfidante ndaj forcës ndaluese e dhunës për leximin e veprës, ndërkaq ajo ishte e “hipotekuar” aty nëshkrimtarínëe tij. Por edhe në mbamendjen e padëmtuar të lexuesve të saj, e mbamendësit e panumërt oral, të cilët mund të recitonin deri mijëra vargje përmendësh, nga “Lahuta…”prej kah kishte edhe burimin gjuha e tij, si pasuri e madhe e paluajtëshme.

Në veprën madhore të Fishtës, do tëshkruante Eqrem Çabejështë pra njësia shqiptare, shpeshherë e panjohur, e cila ndrit së poshtmi më çdo anë. Atëhere nuk duhet t’ia marrim poetit për të keq, por duhet t’ia dimë përkundrazi për të mirë, që mori e përvetësoi gjithë të thjeshtën, të moçmen, të paprishurën atje ku e gjeti të ruajtur më mirë dhe që e ngriti në sferën e poezisë… Fishta zë fill me njësinë e vogël të fisit për të mbaruar te njësia më e madhe e kombit, ia fillon me bariun e moçëm Marash Ucin dhe ia mbrin te Abdyl Frashëri në Lidhjen e Prizrenit.”[1]

Sado u pengua…, dikur vonë, fort vonë, i erdhi radha të hiqej ajo “rrasa e randë” e mbylljes së dhunëshme; vepra e Fishtës do të ribotohej e plotë, por tashma me ngërçin e madh të moskuptimit për shkakuna pretekstin e vjetërsisë së gjuhës së saj.Këtu buron nevoja që ajo kishte për spjegime të shumë e shumë fjalëve e shprehjeve, për të mënjanuar moskuptimet prej së vërteti tëatyre të dalave jashtë përdorimit tashma; në të folmen e nëtëshkruarën, po se po. Sidomos, të keqkuptimit të frazeologjisë aq të begatë të Fishtës.Vlera kulmore të tij këto, që e kishin kurorëzuar POET KOMBËTAR, qysh në gjallje, në bashkëkohësinë e vet. Gjë që vetëm njëherë dhe vetëm me Fishtën ka ndodhë në historinë e letërsisë shqipe. Poet Kombëtar pa asnjë mëdyshje e quan Eqrem Çabej, ky albanolog i pa qasje me të tjerë, i pakrahasueshëm, që rrezatonte kulturë evropiane. Jo vetëm për shkak të gjithë ciklit të studimeve të veta; të mesme, të larta dhe ata doktorale, që kishte kryer në Austri, porse gjithë jetën e vet studimore më pas e çoi në këtë frymë e në këtë rrugë. Ai shprehet:”Fishta arrititë ngrejë kështu veprën (“Lahuta e Malcis”) në sferën kombëtare… vepra e tij ka marrë karakterin e një eposi kombëtar. Te ky[Fishta] e kaluara dhe e ardhmja e këtij kombi janë pjekur fatalisht në një pikë simbolike me njëra-tjetrën.Ai madje shton se:“nuk mund ta përflasim poetin që ka marrë për lëndë të poemit të tij një trevë njerëzore gjeografikisht kaq të ngushtë; sepse te kjo botë e përshkruar prej tij njohin vetveten jo vetëm Malësorët e Veriut, por gjithë banorët e maleve shqiptare, ata të Verilindjes (Kosovë), të Lindjes (Dibër) e të jugperëndimit (Labëri)”[2]

Rrekja për mbushamendjen e moskuptimit për shkak të gjuhës. Shkaqe dhe pretekste:

Nëse me të vërtetë duhet ta pranonim vështirësi në kuptimin e gjuhës së Fishtës dhe të kërkonim një shkak, a më saktë ta konsideronim të tillë një ankesë që vjen prej s’andejmi, shkaku do të qe diku ndërmjet:pasurisë leksikore të autorit dhe “varfërisë” leksikore të lexuesit të tij të sotëm.  Shkëputja e gjatë shkrimtar-lexues padyshim që e ka krijuar një përthyerje, në mos në kuptimin, në shijimin e veprës së Fishtës.

Fishta është autori me fjalëformimin më të pasur ndër autorët shqiptarë. Nga më shumë se 12000 leksema e terma të spjeguara dhe të paraqitura në një fjalor që këto ditë del nga shtypi, (përgatitur: Frano Kulli) dominant është numri i fjalëve të krijuara prej tij; si fjalëformim i vetë autorit. Në veprën e një poeti mjeshtër dhe kaq të lëmuar të letërsisë shqipe të traditës si liriku i pashoq Ndre Mjeda, numrohen 5671 fjalë. Kaq është numri i saktë i fjalëve të “Fjalorit të plotë të nxjerrun nga shkrimet e Mjedës”[3], hartuar e përgatitur nga studiuesi Kolë Ashta qysh në vitin e largët 1964, i pabotuar, që ndodhet në arkivin e Akademisë Albanalogjike të Shqipërisë.

Kjo ndarja ndërmjet pasurisë leksikore kaq të madhe të poetëve tanë mjeshtra dhe varfërimit të leksikut të lexuesit, prej mospërdorimit të thesarit të tyre, ka qenë dhe është një dëm,vështirë i rikuperueshëm. Ka ndodhë fenomeni i një letargjie të gjatë, i një gjumi vdekatar në këtë rast, nëse gjuhën dhe procesin e leximit nëpërmjet saj i marrim si një organizëm të gjallë. Me shumicën e letërsisë së autorëve të veriut ka ndodhë kështu, janë anatemuar vetëm e vetëm që letërsia e tyre të mos të mund të vijonte konkordancën (pajtimin)me shpirtin e lexuesit të vet, duke e konsideruar si akt pengues për rregjimin politik të kohës, për shkak të ideve të papërputhëshme dhe veprës së tyre shkrimore. Po me Fishtën kjo ka ndodhë më hatashëm se me të gjithë…E megjithatë, pas një arsyetimi e hulumtimi të thelluar arrihet në pohimin se në moskuptimin e Fishtës për shkak të gjuhës, pretekstet i dominojnë shkaqet:

Fishtën ende nuk e duan poet ata që rëndom e barazojnë me “Lahuta e Malcis’ “Nuk e duan poet ata që thonë, qoftë edhe nën zë se Fishta është vetëm “Lahuta”. Edhe pse ajo është kryevepra e tij. “Lahuta …” nuk është Fishta. Fishta poet është shumë më shumë se “Lahuta…”. Na vjen në ndihmë të këtij pohimi, posë dhe tw tjerwve, prap liriku i shquar Lasgush Poradeci:”Vajta ta shoh rishtas në 1937, në Shkodër…Në librin tim të falur i kisha shkruar pjesën e njëqindtë nga ç’desha:”Njeriut të Zotit, meditans e militans, Burrit shqiptar përfaqësonjës, më të madhit epik të shekullit.”[4]Kurse në një analizë që bën mbi lirikën e Fishtës e quan poetin koleg “ shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar” dhe vazhdon: “Ky është, si të thesha monopolariteti gjenetik i artit të Fishtës, kështu do t’i thesha më dy krahasime paralele gjithë poezisë që na ka falur ky vigan i Kombit…”[5].

Është shfaqë edhe synimi shvleftësues, në ndonjë analizë stilistikore, po krejt të sipërfaqëshme, buruar prej ndjesive të xhelozisë, më shumë se prej arsyeve të tjera, besojmë. Arti i Fishtës është përçmuar si folklorizant. Duke i vënë përballë vargun e lirë e modernitetin e tij tek Migjeni; duke krahasuar të pakrahasueshmet. E duke mënjanuar faktin që vetë Fishta nuk qe aspak përjashtues por veçse vlersues e inkurajues për talentet e shkrimtarisë së kohës së vet. Sidomos për më të rinjtë. E jo veç i Koliqit, bie fjala, por edhe i Migjenit. Ai e  çmonte  “djaloshi i talentuem”, kur ndër biseda me të, bashkëvllazën françeskanë i shfaqnin mospranim për idetë a poezitëe tij e madje  e cytnin duke i thënë: :”Pader, duhet me ju pergjegjë këtij Migjenit..”. E poeti pati dhënë atëherë këtë përgjigje për bashkëvllaznit:”Lenie rahat djalin e Gjushit [Gjergjit] se asht  ende i ri. “, pohojnë bashkëkohës se u thoshte Fishta për të.[6]

Fishtën nuk e duan dramaturg…

Fishtën e citojnë dhe e përmendin rrallë si dramaturg. Ani pse ai është autor i 40 dramave e melodramave, të shkruara a të përshtatura. Me shkrimtarinë e vet në gjininë dramaturgjike(që kryesisht është e shkruar në vargje), por dhe me vënien në skenë, thuajse të shumicës së veprave të këtij zhanrri, Fishta u shenjua vetëdijshëm si themeluesi i teatri shqiptar. Dhe ndërmend të vjen e të rivjen autografi që Lasgushi i shkruan në librin dhuratë: meditans e militans[ëndërrimtar dhe luftarak].

Veprimi i tij për teatrin zë fill që më 1902. Asokohe, salloni në Kuvendin e Françeskanëve në Shkodër, ku ishte edhe “rezidenca krijuese e shkrimtarísë së Fishtës” u kthye edhe ndër sallat e para në atë qytet e më përtej, sallë shfaqjesh ku filloi të kumtohej shqip.(Pak më vonë, me 1919, në Gjuhadol, në oborrin e shkollës fretnore u ndërtua një sallë tjetër[7], një sallë me 300 ndenjëse për spektatorë)Dhe vetëm shqip. Këtë pati kurajë ta bënte Gjergj Fishta, i cili, edhe kur përdorimi i shqipes ende qe i ndaluar nga Perandoria Osmane e futi atë si gjuhë mësimi në shkollat françeskane (liceun françeskan “Illyricum” dhe në shkollën e motrave stigmatine) kur ishte drejtor i këtyre shkollave. Studiuesi Tonin Çobani[8] na kumton se: “ Aty [në sallonin e fretënve] mendohet se u shfaqën dy skeçet origjinale të Fishtës (“Autori, Shtypshkronjësi” dhe   “Përpara derës së Parrizit”), komeditë “Mjek përdhuni“(1905)  dhe “I ligu për mend” (1908), të dyja sipas Molierit, si dhe dy pjesë origjinale me karakter didaktik: “Gjuha e Mësimit” (1907) dhe “Nevoja e mësimit” (1907). Kurse Faik Konica, në esenë e tij të gjatë “Shqipëria, kopshti shkëmbor i Europës juglindore shkruan:”At Fishta është marrë me secilën gjini letrare dhe në të gjitha ka qenë i suksesshëm”[9] edhe pse në Europë e përtej, në fakt ai qe i njohur prej “Lahutës…” kryesisht dhe prej veprimit të tij , sidomos diplomatik…

Fishtën nuk e duan satirik, kur thonë se “Gomari i Babatasit” (1923) e kishte shkruar me mllef. Atë, poemën e gjatë(3880 vargje, siç shënon autori)me satirë shpartalluese për burokracinë e kalbur të shtetit të sapolindur shqiptar. E shijueshme dhe milituese (militans) edhe sot, gati njëqind vjet më mbas.Që ende “tremb” e trand fort, sa atëherë kur u shkrua. Me forcën fshikulluese të verbit të zgjedhur po dhe me aftësinë kreative, të fuqishme, po edhe elegante polemizuese.

Siç është vërejtur, “Gomari i Babatasit dhe “Visku i Babatasit”, janë shenja të larta emancipimi mendor e shoqëror të shqiptarëve, të cilët nuk na kanë lënë, për fat të mirë pa dëshmi dinjiteti për të përballuar të vërtetën. Në këtë pikpamje, kjo vepër mund të krahasohet, siç është krahasuar me “Udhëtimet e Guiliverit” tek anglezët, me “Shpirtrat e vdekur” tek rusët, me “Gjermania-një përrallë dimri” te gjermanët etj.-shkruan studiuesi Stefan Çapaliku.[10]

Edhe tani, para dy vjetësh, kur u vu në skenë “Gomari i Babatasit”, në Shkodër salla e teatrit qe plot për disa netë, po nga zyrat u patën shigjetuar me turivarje…

Fishtën e duan me patjetër profashist, proitalian e gati antishqiptar. Atë, hartuesin e fjalimit brilant në organizatën e kombeve:”Shqiptarët e të drejtat e tyne”, kryetarin e komisionit të alfabetit në kongresin e Manastirit, ku u konsakrua(shenjtërua) alfabeti i gjuhës shqipe.Të vetmin ndër shqiptarët e shquar që e shërbei çeshtjen kombëtare shqiptare, me të gjitha mënyrat e mjetet e mundshme, këtu, në Shqipëri. E jo mërguar. “Me aq zavalle[halle, telashe] krejet/sa me t’u ba me dalun fejet, siç ai vetë thotë e shkruan.

Nasho Jorgaqi, njëri prej tyre, shkruan[11]Për fat të keq, kleri katolik shqiptar, që trashëgoi një traditë të shkëlqyer në historinë tonë kombëtare, në prag dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk u gjend me ato forca që u hodhën në luftë kundër pushtuesve fashistë. Përkundrazi, kleri katolik, në një mënyrë a në një tjetër, i hapi rrugën pushtimit italian, e mirëpriti ushtrinë agresore, duke i cilësuar legjionet e saj “pëllumba të Krishtit”, e mbështeti “rendin e ri fashist” dhe u vu në rolin e bashkëpunëtorit të tij… Dhe në qendër të arsyetimeve, për të përmbushur idenë e paracaktuar, vihet Fishta: “Fishta, dashur pa dashur, flirtoi dhe u kthye ose u përdor si ithtar i pushtuesve”. Në të vërtetë, asnjë personalitet shqiptar i kulturës, rezident i përhershëm në truallin ku lindi, nuk ka marrë nderime e vlerësime të pafundme superiore sa At Gjergj Fishta, në gjallje të vet, i rrethuar me lavdi si askush deri atëherë në Shqipëri. Njëri syresh, Luigi Federzoni, shkrimtar, publicist dhe politikan i rëndësishëm i kohës,[Ministër i fashizmit] pas vdekjes së Fishtës shkruan: Në të [Fishten] kemi pa se gjallonte e rrahte zemra e shpirti i kombit fisnik shqiptar me të gjitha bukuritë e miteve origjinale, të traditave mistike e kalorse, të dokeve besnike të vjetërsisë, të ndjenjave heroike. Secili nesh ka kuptue se Gjergj Fishta kishte me të vërtetë lartësinë e Poetit Kombëtar. Tashti e dijmë se vepra ka për të mbetë në mende e në nderim të shqiptarëve[12].

E kush do të ishte më i interesuar se ai t’ia njihte Fishtës “meriten” e të qenit fashist ?

Kurse gazeta e parë e Italisë “Corriere della sera”[13], me 31 dhjetor 1940, lajmin e vdekjes së Fishtës, poetit kombëtar shqiptar (Il poeta nazionale albanese) e përcjell me një artikull të gjatë, ku ndër të tjera shkruan:…Mbasi u ba nji ndër eksponentët kryesorë të Shqipnisë së ringjallun, ai mori pjesë në Konferencën e Paqës në Paris dhe ma vonë u emnue deputet dhe zevendës-kryetar i parlamentit. Në shenj mirënjohje, si mik i sinqertë i Italisë, për meritat e tij ndaj vendit të vet dhe për vlerat e botimeve të tij, u ftue në majin e shkuem me marrë pjesë në Akademinë Mbretnore të Italisë…Dhe aspak e askund edhe këtu nuk përbashkohen Fishta me … fashist.

Ndërsa, italiani Enrico Grassi, që e kishte njohur nga afër poetin, duke folur për popullaritetin e tij në të gjitha shtresat e popullsisë, pohon se, prej disa të rinjve shkodranë kishte dëgjuar se fjalët e fundit të shenjta të Fishtës kishin qenë: Jo për tjetër, por sepse po lë armikun mbi truallin shqiptar, mua më vjen keq që më duhet të vdes.[14]

Ndërkohë, Lasgush Poradeci[15] ka shkruar se mesazhi i fundit i poetit Gjergj Fishta janë fjalët e tij, thënë një françeskani që i qëndronte te koka në çastet e fundit: “Po vdes. Ju tash keni me mendue për salikim, por, fundi i fundit, dhe kombi ka të drejtë mbi mua”, duke e përqasur kështu me Amanetin e Dante Aligherit: “del resto, anche la nazione ha dei diritti su di me”.

I mosmirëkuptuar edhe prej eprorëve të vet

Dashunia për Atdhenë këtu në Shqipni, po ishte nji faj, nji mëkat, nji delikt [krim]…dhe kjo kufomë e shkretë na dëshmon ne si ndëshkohet faji i atdhedashunisë”- janë dy rreshta të shkëputur nga fjalimi që vetë Fishta mban në varrimin e Avni Rrustemit. [16] Një fjalim , i cili edhe për rrethanat  e momentin kur u mbajt, pati jehonë të madhe. Me pranim e pëlqim po edhe me kundërshtí të forta. Madje pati qortime serioze prej “të vetëve”. Vetë Ministri i Përgjithshëm i Urdhërit Françeskan në Romë, Padre Benardino Klumper OFM, në letrën dërguar Provinçialit tëFretëve në Shkodër, At Pal Dodaj, me 2 qershor 1924[17], shkruan: “…Rregulltarët tanë [françeskanë] merren me politikë e kanë mbërrijt deri aty sa të mburrin të riun që ka vra Esat Pashën në Paris, qoftë në revistën “Hylli i Dritës”, si dhe duke e lavdërue në publik, mes popullit…Nëqoftëse nuk do ta ndreqin shpejt, Kongrecacioni i shejtë i Propagandës do të marrë masa të randa, si me ndalimin e botimit të revistës, si dhe ndëshkimin shembullor të rregulltarëve…” Dhe fjala është për Gjergj Fishten, kuptohet. Qortimi mbështetet në qëndrimin kategorik që Kisha  dhe feja ka mbi vrasjen. Arsyeshëm deri këtu.Mjafton të kujtojmë Urdhnin e 5-të (Mos vrit) të dhjetë Urdhnimeve (Dekalogut). Në përputhje me të është e ndaluar vrasja, madje edhe vetvrasja, pse jeta nuk është e jona , është e Zotit.

Mirëpo Fishta, me parimsinë që e karakterizon i përgjigjet Kongregatës së Propagandës Fide, pra eprorëve të vet me një letër-përgjigje, me dhjetë pika. Në thelb ai mbron gjithë veprën e françeskanëve shqiptarë në dobi të atdheut e të kombit  dhe thekson se ajo , asnjëherë nuk ka qenë përkundër parimeve të fesë e të Kishës. Edhe, për vrasjen në fjalë ai është konseguent në argumentin e vet. Sipas studiuesit Kolec Çefa: Ajo vrasje, sido e paligjëshme nga morali i fesë, ka vrarë faje të tjera në kokë të Esatit [që kishte tradhëtuar interesat e kombit] dhe ka qenë e dobishme për të mirë të popullit tonë. Shkurt, ajo vrasje, mendon poeti, do të sjellë punë të dobishme për të gjithë popullin e atdheun tonë.”

Keqkuptimet, si interpretim jashtë kontekstit:

Ka pasë një keqkuptimin shpartallues në dëm të autorit dhe të veprës, që ka vijuar gjatë me dekada, shkëputja nga konteksti logjik dhe satirik i poezisë Methamorfphosis, (1907) i  strofës:

Ta dijë Shqypnija

Pra, e sheklli mbarë,

Se mâ mbas sodit

Unë s’jam Shqyptar…

E shkëputur kështu dhe e injektuar, tek “njeriu i ri” i kohës së rregjimit, si element propagandistik, që shkonte i sinkronizuar me gjithë urdinë propagandistike në rroposjen e Fishtës, ajo shkëputje ka shërbyer si “argumenti” i “tradhëtisë së madhe” të Fishtës përgjatë gjithë kohëterrit gjysëshekullor që e shoqëroi autorin dhe veprën në diktaturë. Se, mjafton të bashkëlidhim fillin e poemthit satirik nga strofa e parë:

Qe besa, or burra

Nuk di kah t’çajë,

Mbasi do t’thirret

Sot derri dajë…

Me anmiq t’Shqipnisë

Unë, pa u frigue,

mjaft jam, i mjeri,

kacagjelue.

Pse kam pasë thanë

deri sivjet:

Lum ai qi shkrihet

Per Atme t’vet.

Edhe kam pritë,

Mbas k’tij mendimi,

Trimnisht për atme

Çfarëdo ndëshkimi….[18]

Rrëzohet kështu ajo “kështjella e ndërtuar mbi rërë”, që banalisht realizohet me shkëputjen kontekstuale, logjike e satirike  mbi të cilën është ndërtuar poemthi.

Në përmbyllje, një tjetër theks për t’u shënuar: keqkuptimi dhe moskuptimi ende vazhdon. Në të tjera forma e mënyra më të stërholluara. Kryesisht me harresë e shpërfillje. Prej kritikës, prej shkrimtarëve, prej shkollave, prej mediumeve…e prej zyrave po se po.


[1] Tonin Çobani, Ndue Ballabani:”Gjergj Fishta-vite, vende, vepra”, fq.332

[2] Gjergj Fishta, botim përkujtimuer nën drejtimin e revistës Shkëndia, Tiranë, 1941. fq.36.(Eqrem Çabej, “Epika e Gjergj Fishtës”).

[3]  Kolë Ashta, “Fjalor i plotë i nxjerrun nga shkrimet e Mjedës”, dorëshkrim.

[4] Tomorri i vogël: vjeti i II i datës 1 kallnor 1943

[5] Gjergj Fishta:Shkëndija, numër përkujtimuer, (L.Poradeci artikulli:”Gjergj Fishta lirik)1941, fq.24

[6] Pohim i dëgjuar  prej meje nga At Shtjefen Pistulli(1922-2008), ish nxënës në Liceun Illyricum, 1930-1938

[7] Lec Shllaku, Maskat shkodrane-Kur lindej teatri, fq.60

[8]  Tonin Çobani, Ndue Ballabani:”Teatri i Gjergj Fishtës”, fq.132

[9] Faik Konica:”Shqipëria, kopshti shkëmbor i Europës juglindore”, Tiranë 2006, fq.83

[10] Stefan Çapaliku: nga “Fishta satirik”, Pasthënia e “Gjergj Fishta-vepra 8, Satira” , fq.211

[11] “A flirtoi Gjergj Fishta me pushtuesit fashistë”, gazeta Dita, 2 tetor 2016

[12] “Gjergj Fishta” numër përkujtimuer, botuar nën kujdesin e revistës “Shkëndija”, Tiranë 1941, fq.6.

[13] “Corriere della sera”, 31 dhjetor 1940

[14] Enrico Grassi, “Giorgio Fishta, spirito di fiamma e di luce-fryma e flakës dhe e dritës ” në Gjergj Fishta,botim përkujtimuer, nën kujdesin e Shkëndisë, vepër e cituar, f.101.

[15] Lasgush Poradeci, Vepra 2, Onufri, Tiranë, 1999, f.68

[16] Gjergj Fishta, vepra 10, botime Fishta, Lezhë 2012,Fjalimi mbi varr të Avni Rrustemit, fq.250

[17] Kolec Çefa, “Nëpër gjurmët e Fishtës”, fq.11

[18]  “Methamorphosis”, Gjergj Fishta vepra 10, fq.35

Fjodor Dostojevski: “Ana Karenina” si fakt i një rëndësie të veçantë

 

Përgatiti dhe përktheu nga origjinali Bujar Hudhri

Dhe ja, pikërisht atëbotë, domethënë këtë pranverë, rastisi një mbrëmje të takoj në rrugë një nga shkrimtarët e mi më të dashur. Rrallë takohem me të, një herë në disa muaj, dhe gjithmonë rastësisht, pothuaj në rrugë. Është nga anëtarët më të shquar të atyre pesë apo gjashtë beletristëve tanë, të cilët së bashku është pranuar, s’di pse, të quhen “plejadë”. Të paktën, kritika, fill pas publikut, i ka ndarë veçan, para gjithë beletristëve të tjerë, – dhe kjo ndodh prej kaq kohësh, – megjithatë po kjo pesëshe, “plejada”, nuk po zgjerohet. Më pëlqen të takohem me këtë romancierin tim të këndshëm e të dashur dhe dua t’i provoj, mes të tjerash, se nuk e besoj dhe assesi nuk dua ta besoj që, siç thotë, është plakur dhe që s’ka për të shkruar më. Nga kuvendimi i shkurtër me të, kurdoherë marr me vete ndonjë fjalë cazë delikate dhe largshikuese. Këtë herë kishim se çfarë të bisedonim, tashmë kishte filluar lufta. Por ai në çast zuri të fliste drejt e për “Ana Kareninën”. Unë vetë po ashtu sapo e kisha lexuar pjesën e shtatë, me të cilën përfundonte romani i botuar në revistën “Russkij vjestnik”. Bashkëbiseduesi im në dukje nuk është ndonjë tip që entuziazmohet kollaj. Këtë herë më befasoi me forcën dhe këmbënguljen e zjarrtë të mendimit të tij për “Ana Kareninën”.

– Kjo është një gjë e padëgjuar, e klasit të parë. Cili nga shkrimtarët tanë mund të matet me të? Po në Europë, cili mund të paraqesë qoftë diçka që t’i ngjajë? A kanë pasur ata, në gjithë letërsitë e tyre, gjithë këto vitet e fundit, apo shumë kohë më përpara, një vepër e cila mund t’i rrijë në krah?

Ajo çka më habiste, kryesorja, në këtë verdikt, të cilin e ndaja edhe vetë krejtësisht, ishte aluzioni për Europën, çka u vinte për shtat pikërisht atyre problemeve dhe çoroditjeve, të cilat shfaqeshin vetiu atëherë për shumëkënd. Ky libër mori para syve të mi përmasat e një fakti, që mund t’i përgjigjej për ne Europës, atij fakti të kërkuar, me të cilin do të mund t’i tërhiqnim vëmendjen Europës. Kuptohet, t’i bërtasim duke qeshur, se kjo s’është veçse letërsi, një aksh roman, se është qesharake ta teprosh dhe me një roman të dalësh në Europë. E di që do të nisin të bërtasin dhe të qeshin, por mos u shqetësoni, nuk po e teproj dhe po e shoh esëll: e di edhe vetë, hëpërhë është veçse një roman, që kjo është veçse një pikë e asaj që duhet, por kryesorja këtu për mua, kjo pikë tashmë është, na është dhënë, ekziston vërtet, përnjëmend, dhe për këtë arsye, në qoftë se ajo ekziston tashmë, në qoftë se gjeniu rus mundi të lindte këtë fakt, atëherë kjo do të thotë se është i fuqishëm, mund të krijojë, mund të japë të tijën, mund të fillojë fjalën e vet vetjake dhe ta shpjerë deri në fund, kur të vijnë kohërat dhe stinët. Përveç kësaj, kjo është ku e ku më tepër se vetëm një pikë. Oh, as këtu nuk po e teproj: e di fare mirë që jo vetëm te ndonjë anëtar i kësaj plejade, por edhe në të gjithë plejadën nuk do të gjeni, le të flasim pa doreza, atë çka quhet forcë gjeniale, krijuese. Gjeni të padiskutueshëm, me “fjalë të re” të padiskutueshme në krejt letërsinë tonë, kanë qenë vetëm tre: Lomonosovi, Pushkini dhe pjesërisht Gogoli. E gjithë kjo plejadë (dhe autori i “Ana Kareninës”, po ashtu) doli drejt e nga Pushkini, një nga njerëzit më madhështorë rusë, por ende i pakuptuar dhe i pashpjeguar. Te Pushkini kemi dy mendime kryesore – dhe të dyja përmbajnë në vetvete prototipin e gjithë rolit të ardhshëm të Rusisë dhe gjithë qëllimit të ardhshëm të Rusisë, mbase dhe krejt fatit tonë të ardhshëm. Mendimi i parë: përbotshmëria e Rusisë, përgjegjshmëria e saj dhe afria e vërtetë, e padiskutueshme dhe e thellë, e gjeniut të saj me gjenitë e të gjitha kohërave dhe popujve të botës. Ky mendim është shprehur prej Pushkinit jo si një udhëzim, mësim apo teori, jo si një ëndërrim apo profeci, por është i realizuar prej tij me vepra, i fiksuar përjetësisht në krijimet e tij origjinale dhe i dëshmuar prej tyre. Ai është njeri i botës së lashtë, ai është edhe gjerman, ai është edhe anglez, që e ndien thellësisht gjeninë e tij, nostalgjinë e shpresës të tij (“Gosti në kohët e kolerës”), ai është edhe poet i Lindjes. Gjithë këtyre popujve ai u tregoi dhe u deklaroi se gjeniu rus i njeh ata, i ka kuptuar, i ka takuar si farefis i tyre, që ai mund të rimishërohet në ta me gjithë plotërinë, se vetëm shpirtit rus i është dhënë kjo përbotshmëri, i është dhënë përcaktimi në të ardhmen për të arritur dhe për të bashkuar gjithë dallimet e kombësive dhe t’ua heqë atyre kundërshtitë. Mendimi tjetër i Pushkinit është kthimi i tij te populli dhe shpresa unikalisht te forca e tij, amaneti i tij, se vetëm në popull dhe vetëm në popull do ta gjejmë pacenueshëm gjithë gjeniun tonë rus dhe vetëdijen e rolit të tij. Dhe këtë, po ashtu, Pushkini jo vetëm e udhëzoi, por ishte i pari që e kreu në të vërtetë. Vetëm prej tij ka nisur te ne kthesa e vetëdijshme te populli, e pamendueshme para tij me vetë reformat e Pjetrit. E gjithë plejada jonë e tanishme ka punuar vetëm sipas udhëzimeve të tij, asgjë të re nuk ka thënë pas Pushkinit. Të gjitha zanafillat ishin tek ai, udhëzuar prej tij. Por ama ajo e ka përpunuar vetë një pjesë të vogël të udhëzimeve të tij. Megjithatë, ajo çfarë kanë bërë është përpunuar prej tyre me të tillë pasuri forcash, me të tillë thellësi dhe qartësi, sa Pushkini, natyrisht, do t’i pranonte. “Ana Karenina”, natyrisht, nuk është diçka e re për nga idetë, nuk është e padëgjuar deri më tani te ne. Në vend të saj, natyrisht, mund ta çonim Europën drejt e te burimi, që do të thotë te vetë Pushkini si dëshmia më e qartë, më solide dhe më e padiskutueshme e pavarësisë së gjeniut rus dhe e së drejtës së tij që në të ardhmen të ketë rëndësinë më të madhe botërore, gjithënjerëzore dhe gjithëbashkuese. (Eh, sado t’u tregojmë ne atyre, për një kohë të gjatë tanët nuk kanë për t’i lexuar në Europë, por edhe nëse do të nisin t’i lexojnë, për një kohë të gjatë nuk kanë për t’i kuptuar apo për t’i vlerësuar. Por edhe për t’i vlerësuar jo se nuk munden, jo se u mungojnë aftësitë, por sepse për ata ne jemi një botë krejt tjetër, thua se kemi ardhur nga hëna, kështu që edhe ekzistencën tonë e kanë vështirë ta pranojnë. I di të gjitha këto dhe kur flas për “aludimin për Europën”, këtë e bëj vetëm në kuptimin e bindjes sonë në të drejtën tonë para Europës për pavarësinë tonë.) Aq më tepër që “Ana Karenina” është përkryerje si vepër arti, që pikërisht në kohën e duhur na thotë se asgjë nga letërsitë europiane të kohës sonë nuk ka të ngjarë që mund të krahasohet me të, dhe së dyti, edhe për nga idetë është diçka jona tashmë, e gjakut tonë dhe pikërisht ajo që përbën të veçantën tonë përballë botës europiane, që përbën tashmë “fjalën e re” kombëtare ose, të paktën, fillesën e saj – të tillë fjalë e cila pikërisht nuk dëgjohet në Europë dhe e cila është kaq e domosdoshme për të, pa marrë parasysh gjithë krenarinë e saj. Nuk po filloj të bëj kritikë letrare dhe po them vetëm një fjalë të shkurtër: “Tek ‘Ana Karenina’ nxirret në pah faji dhe krimi njerëzor. Njerëzit shfaqen në kushte jonormale. E keqja ekziston përpara tyre. Të përfshirë nga qerthulli i gënjeshtrës, njerëzit kryejnë krime dhe shkatërrohen pashmangshëm; siç duket, një mendim nga temat më të dashura dhe më të hershme europiane. Por, megjithatë, si zgjidhet ky problem në Europë? Gjithkund atje zgjidhet në dy mënyra. Zgjidhja e parë: ligji është i dhënë, i shkruar, i formuluar, i hartuar në mijëvjeçarë. E keqja dhe e mira është përcaktuar, peshuar, përmasat dhe shkallët janë përcaktuar historikisht nga të urtët e njerëzimit, me një punë të palodhur mbi shpirtin njerëzor dhe përpunimin e lartë shkencor mbi shkallën e forcës njëjtësuese të njerëzimit në bashkësi. Urdhërohen ta ndjekim verbërisht këtë kod të përpunuar. Kush nuk e ndjek, kush e shkel atë, e paguan me liri, pasuri, jetë, e paguan deri më një e çnjerëzisht. Unë e di, – thotë vetë qytetërimi i tyre, – që kjo është dhe verbëri, dhe çnjerëzore, dhe e pamundur, meqenëse është e pamundur që të përpunosh një formulë përfundimtare të njerëzimit në mes të rrugës së tij, por meqenëse mënyrë tjetër nuk ka, i duhet përmbajtur asaj që është shkruar dhe t’i mbahesh germë për germë dhe panjerëzishëm; në mos qoftë kjo, do të jetë edhe më keq. Me gjithë jonormalitetin dhe absurditetin e organizimit të atij që ne e quajmë civilizimin tonë të madh europian, aq më pak le të jenë shëndoshë e mirë forcat e shpirtit njerëzor, le të lëkundet besimi në shoqëri, që ajo po shkon drejt përsosjes, le të mos guxojë të mendojë që ideali i së bukurës dhe sublimes është zvetënuar, që po shtrembërohet dhe shkatërrohet koncepti i së mirës dhe së keqes, që normaliteti këmbehet pandërprerë me rregulla të ngurta. Që thjeshtësia dhe natyrshmëria zhduken, të mbytura nga gënjeshtra që zmadhohet pandërprerë!”

Zgjidhja tjetër është e kundërta: “Meqenëse shoqëria është organizuar anormalisht, atëherë është e pamundur të marrësh përgjigje nga njësi njerëzore për pasojat. Nga kjo del, krimineli është i papërgjegjshëm, dhe krimi sikur nuk ekziston. Që t’u japësh fund krimeve dhe fajësisë njerëzore, duhet t’i jepet fund anormalitetit të shoqërisë dhe mënyrës se si është organizuar ajo. Të shërosh rendin ekzistues të gjërave kërkon kohë, por nuk ka shpresë, as ilaçe gjenden, atëherë i bie të shkatërrosh gjithë shoqërinë dhe të zhdukësh rendin e vjetër si me fshesë. Pastaj të nisësh gjithçka të re, në fillesa të tjera, ende të panjohura, që gjithsesi nuk mund të jenë më keq se rendi i tanishëm, përkundrazi, ngërthen në vetvete shanse të tjera suksesi. Shpresa kryesore te shkenca.” Dhe ja, zgjidhja e dytë: presin mizërinë e ardhshme të turmave, ndërkohë mbulojnë botën me gjak. Zgjidhje të tjera për fajësinë dhe kriminalitetin e botës njerëzore europianoperëndimore nuk shfaqen.

Po ashtu në vështrimin e autorit rus të fajësisë dhe krimit të njerëzve shihet që asnjë mizëri, asnjë triumf i “shtresës së katërt”, kurrfarë zhdukjeje varfërie, asnjë organizim i punës nuk do ta shpëtojë njerëzimin nga anormaliteti dhe si rrjedhojë, nga faji apo krimi. Është shprehur kjo në përpunimin e fortë psikologjik të shpirtit njerëzor, me thellësi dhe forcë të tmerrshme, me realizimin e paraqitjes artistike si kurrë më parë te ne. Qartësisht dhe kuptueshëm deri në tejdukshmëri, se e keqja fshihet më thellë se hamendësojnë shëronjësit socialistë, se në asnjë organizim të shoqërisë nuk i shmangesh së keqes, që shpirti njerëzor mbetet po ai, se anormaliteti dhe mëkati burojnë prej atij vetë, se, më në fund, ligjet e shpirtit njerëzor ende janë kaq të panjohura, kaq të pastudiuara prej shkencës, kaq të papërcaktuara dhe kaq misterioze, se nuk ka dhe nuk mund të ketë ende as shëronjës, madje nuk mund të ketë edhe gjyqe  fundit, por është Ai, i cili thotë: “Për mua shpagimi dhe unë do të shpaguaj.” Vetëm Ai e di gjithë misterin e kësaj bote dhe fatin përfundimtar të njeriut. Njeriu hëpërhë nuk mund të zgjidhë asgjë me krenarinë e pagabueshmërisë së tij, ende nuk ka ardhur koha dhe ora. Vetë gjyqtari njeri duhet të dijë për veten, që ai nuk është gjyqtari përfundimtar, që ai vetë është mëkatar, që peshorja dhe masa në duart e tij do të jenë një absurditet, në qoftë se ai vetë, ndërkohë që mban në duar peshoren dhe masën, nuk gjunjëzohet para ligjit ende të pazgjidhur të misterit dhe nuk vrapon tek e vetmja dalje – Mëshira dhe Dashuria. Dhe që të mos bjerë në dëshpërim nga moskuptimi i rrugëve dhe fateve të tij, nga bindja në pashmangshmërinë misterioze dhe fatale të së keqes, pikërisht njeriut i tregohet rrugëdalja. Kjo është e shënuar në mënyrë gjeniale nga poeti në një skenë gjeniale në pjesën e parafundit, në skenën ku heroina e romanit është shtrirë e sëmurë për vdekje, kur kriminelët dhe armiqtë befas shndërrohen në qenie sublime, në vëllezër që falin njëri-tjetrin, në qenie të cilat me këtë falje reciproke heqin nga vetja gënjeshtrën, fajin dhe krimin, dhe ndërkaq edhe një herë justifikojnë veten me vetëdijen e plotë se e kishin këtë të drejtë. Por pastaj, në fund të romanit, në tablonë e zymtë dhe të tmerrshme të rënies së shpirtit njerëzor, të ndjekur hap pas hapi, në paraqitjen e asaj gjendjeje të tmerrshme, kur e keqja, pasi ka zotëruar qenien e njeriut, ngrin çdo lëvizje të tij, paralizon çdo forcë kundërshtimi, çdo mendim, çdo dëshirë për luftë me errësirën që i bie në shpirt dhe me vetëdije, me parapëlqim, me pasionin e shpagimit të pranuar prej shpirtit në vend të dritës – në këtë tablo – ka kaq këshilla për gjyqtarin njeri, për të mbajtur masën dhe peshoren, që, natyrisht, ai klith, i trembur dhe i çoroditur: “Jo, jo kurdoherë shpagimi më përket mua dhe jo kurdoherë unë do të shpaguhem”, dhe të mos e akuzojë çnjerëzisht kriminelin e zhytur në errësirë, pse ai shpërfilli daljen e treguar mot e jetë me dritë dhe tashmë me vetëdije nuk e ka pranuar.

Nëse kemi vepra letrare të kësaj force mendimi dhe këtij realizimi, atëherë përse të mos kemi si rrjedhojë edhe shkencën tonë dhe zgjidhjet tona ekonomike, sociale, përse nuk na e njeh Europa pavarësinë, në fjalën tonë vetjake, ja një pyetje që lind vetiu. E pamundur të mos hamendësosh mendimin qesharak, që natyra na paska pajisur vetëm me aftësi letrare. E gjithë tjetra është çështje historie, rrethane, kushtëzim kohe. Kështu do të duhej të kishin arsyetuar, të paktën, europianët tanë, derisa të arsyetojnë europianët europianë…


  1. Bëhet fjalë për shkrimtarin I. A. Gonçarov, me të cilin, në vitet shtatëdhjetë të shek. XIX, Dostojevski takohej rrallë por përzemërsisht.
  2. Në thelb, një mendim të tillë, analog me të Gonçarovit, për romanin e Tolstoit e kishte shprehur disa kohë më parë A. S. Suvorin, në artikullin e tij (““Ana Karenina” dhe rëndësia e saj shoqërore”: “Nga ne, pleqtë, vetëm një Tolsto ende mund të shkruajë” – më tha një ditë njëri nga shkrimtarët më të talentuar rusë, i cili padrejtësisht po e varros veten kaq herët” (Novoe vremja, 1877, 13 (25) maj, Nr. 432)
  3. Diçka të ngjashme, por në lidhje me “Lufta dhe paqja”, Dostojevski i pohonte në një letër N. N. Strahovit (24 mars (5 prill) 1870): “… Ju shpreheni, që Tolstoi është i barabartë me të gjithë ata që quhen letërsia jonë e madhe. Kjo nuk mund të thuhet assesi! Pushkini, Lomonosovi janë gjeni. Të dalësh me “Arapin e Pjetrit të Madh” dhe me Bjelkinin, do të thotë, padiskutim të dalësh me fjalën e re gjeniale, e cila deri në atë kohë nuk gjendej askund dhe nuk ishte thënë kurrë. Ndërsa të shfaqesh me “Lufta dhe paqja”, do të thotë, të shfaqesh pas kësaj fjale të re, të thënë nga Pushkini tashmë dhe kjo në çdo rast, sado larg dhe lart të shkojë Tolstoi në zhvillimin e asaj që është thënë për të parën herë, përpara tij, nga gjeniu i fjalës së re.”
  4. Kjo karakteristikë e Pushkinit rrjedh pjesërisht nga fjalët e Gogolit, i cili ka shkruar për poezinë e Pushkinit në artikullin “Ku është në fund të fundit thelbi i poezisë ruse…” “”Në Spanjë ai është spanjoll, me grekun-grek, në Kaukaz-një malësor i lirë, në kuptimin më të plotë kësaj fjale…” 
    5.Nënkuptohet, pasuesit e Pushkinit dhe vazhduesit e çështjes së tij: Turgeniev, Gonçarov, Ostrovskij, Tolstoi dhe Nekrasov.
    6.Bëhet fjalë për “përfundimin”, do me thënë “pajtimin” e Kareninit me Vronskin te krevati i Anës së sëmurë, që ndodh në pjesën e katërt të romanit “Ana Karenina”

Feride Papleka: Omer Kaleshi,të mbetesh shqiptar në metropolet e botës

 “Kokat  e prera” në pikturën e Omer Kaleshit tashmë janë bërë të famshme. Ato koka sido që t’i interpretosh mbeten simbol i fatit të njeriut, në të cilin përfshihen disa të vërteta universale të jetës si : lindja, ëndrra, dashuria, vetmia… Piktori  krijon një botë të gjallë imagjinare me fytyra të menduara duke dhënë nga afër se çfarë lexohet te sytë e njeriut e ç’mistere fshihen në mendjen e tij. « Piktura, thoshte Leonardo da Vinçi, është diçka mendore ». Si e tillë ajo është njëlloj ligjërimi me anë të ngjyrës, revoltë, optimizëm dhe dashuri përmes shijes së absolutes dhe një misticizmi qenësor.



Me këto piktura ai nuk eksperimenton, por shfaq një mënyrë origjinale vështrimi duke e kërkuar frymëzimin te vrojtimi i brendshëm dhe te mekanizmi imagjinar që është tharmi i artit të tij. Ka një brishtësi, gati-gati legjendare në pikturat e tij, të arritur me pak mjete shprehëse të jashtme, por me një ritëm të brendshëm të përkryer. Barinjtë e tij dallohen për një paraqitje idilike, symbyllur, sentimentalë, ëndërrues, besimtarë të një parajse, në kontrast me modernitetin. 

Piktura e kokës si pjesa më e rëndësishme dhe më sublime e trupit të njeriut interpretohet edhe si energjia, si e ardhmja, si bukuria e konkretizuar, por herë-herë jeta duket sikur lëngon në një agoni të vazhdueshme me kokëprerje, me moskuptim të madh të njeriut me kohën. Ky aspekt i pikturës së Kaleshit mbase nuk është vënë në dukje sa duhet e megjithatë në substancë ai është një qëndrim ideoemocional i përhershëm, një temë themelore që përcakton objektivin e tij, pushtetin e kohësisë e të ngjyrës. Ka heshtje, ëndërrim, por edhe vuajtje, ndalje, aq sa në disa raste kokat shndërrohen në simbol të vdekjes, sidomos kur i dorëzohen fatit të futura në një shportë të varur.

Në shikim të parë duket si absolutisht e pamundshme për piktorin ta mishërojë trupin njerëzor, sepse në realitetin e përditshëm trupi i njeriut është jo rrallë i çmishëruar, i capërluar, i dërrmuar nga luftërat klasore, ekonomike, atomike, fetare apo terroriste. Kjo gjëmë e realitetit tonë hyn si jehonë e historisë, si frymë e ngjizur pavarësisht nga vetë piktori. Njeriu i sotëm është i gatuar së bashku me dhimbjen, sidomos nga aktet e shumta të terrorizmit. Ky motiv me një vështrim sado të shkurtër nëpër tablotë e tij do të na tregojë se çdo të thotë dhimbje dhe të duket sikur piktori i bën gjithkujt një thirrje të heshtur të ndalet për ta vështruar. Bota e dhimbjes ka relief të thellë e tronditës në tablotë e tij. Mes shumë të tjerave dy tablotë monumentale « Dramë ballkanike II» dhe « Dramë ballkanike III (1994) e reflektojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë këtë përmbajtje. Me perspektivën e saj të shkurtër, drejt, përpara syve tanë, duke ruajtur kontrastin që krijon në imagjinatë realja dhe syrrealja, drama është pikturuar në kuptimin më të ngushtë të fjalës, domethënë lufta ka përherë viktimat e saj, por edhe në kuptimin universal : njeriu mbetet një gjah në duart e së Keqes.

Tablotë e Kaleshit në vështrim të parë mund t’i interpretosh si të papërfunduara, por ato fragmente trupash, të simbolizuar te koka, bartin ide të fuqishme. Fragmentares i kanë thurur lëvdatë shumë shkrimtarë dhe artistë në shekullin XX.  Madje efektin e saj e kanë krahasuar me vetëtimën apo me zbulimin e papritur. Fragmenti te Kaleshi është një arsye e thellë e ekzistencës së pikturës së tij, një histori e plotë.

Omer Kaleshi është mjeshtër i pikturës fragmentare. Pavarësisht nga punët e ndryshme që bëri si student në shkollën e Arteve të Bukura në Stamboll, ai nuk u ndahet « kokave » duke dhënë tërë pozicionet e mundshme të shtrirjes së mendimit e të ëndrrave, qofshin ato të lumtura, qofshin ato të vrara. « Bariu i ri XI » (1990) i tij është një shprehje e funksionit natyror të njeriut, përjetim i botës reale në brendësi. Duke soditur me vëmendje punët me figurat e barinjve të rinj apo të dervishëve të çuditshëm të titulluara « Dervishë dhe spektatorë » (1994), e ndien fuqinë meditative të kësaj pikture, e cila është thuajse si një spektakël madhështor i botës njerëzore. Fytyrat paraqesin tipare që të krijojnë herë përshtypjen e një ëndërrimi të fjetur e herë të një lëvizjeje të pandërprerë jetësore.

Personazhet « koka » përbëjnë tashmë repertorin më të rëndësishëm të pikturës omeriane. Kjo gjë, domethënë përqendrimi i psikologjisë pikturale te koka, vihej re edhe në pikturat dhe skulpturat e antikitetit Egjiptian, i cili e transformoi kokën në simbol me një domethënie epokale. Realizimet më të bukura të Kaleshit nënvizojnë dinjitetin e njeriut, shprehësinë e një fytyre, në një lëvizje poetike të brendshme, sikur t’i përkisnin një bote tjetër, të mbushur me një lloj nostalgjie që i lejon shikuesit të vëzhgojë diçka që gjithsesi mbetet e përjetshme : shpirti njerëzor i shqetësuar. Kjo njohje e brendshme, tregon edhe shtendosje nga rregullat e vendosura, një krijimtari e lirë që është shumë e rëndësishme për identitetin e tij të thellë si piktor. Prandaj, piktura e tij ka unicitet. Kokat vendosen përherë në plan të parë, në qendër të tablosë dhe thellësia e kompozimeve, arrihet me një thjeshtësi të mahnitshme, duke kombinuar ngjyrat. Në tablotë e quajtura thjesht « kokë » dallohet një punim « Kokë » (2002) që të kujton kokën e prerë të një shqiptari në Reçak në kohën e Luftës së Kosovës. Aty e kupton sesi rishpiket jeta në tërësinë e një kompozicioni pikturor, për t’u shfaqur paskëtaj plot sublimitet, me koka engjëllore, gati për të vdekur, si koka madhështore, pa jetë e Gjon Pagëzorit në tabaka. « Kuptohet, kjo kërkon të zbulosh jo vetëm çfarë del nga këto tablo, por çfarë dëshmojnë ato për botën nga vijnë », shkruan Jacques Lacarrière, në parathënien e albumit të tij më të ri. Lacarrière, u njoh me pikturën e Omer Kaleshit në Unesco më 1990, kur piktori ekspozoi dhjetë piktura së bashku me disa piktorë turq.

*

Por, cili është Omer Kaleshi ? “Piktor ballkanas”,- u përgjigjet ai qetësisht gazetarëve. Do të donim të thoshte : piktor shqiptar, por ai në atë përkatësi përfshin tri hapësira dashurie : Maqedoninë, ai u lind dhe u rrit në Kërçovë; Shqipërinë që e ka vendin e të parëve, në dejtë e tij rrjedh gjak shqiptari dhe Turqinë, e cila e bëri piktor e ku jeton edhe familja e tij.

Për mua ishte diçka sugjestionuese, pothuaj një mister, që një piktor jeton dhe punon në Paris që në vitet e rinisë së tij, si të thuash është parizian më shumë se de jure dhe i mbush tablotë me figura burrash qeleshebardhë që e tresin vështrimin larg në humbëtirat e kohërave, me njerëz shpatullgjerë si të dalë nga legjenda e Mujit dhe Halilit. Misterin e shtonte edhe më tepër teknika e tij e veçantë që mund të quhet teknikë omeriane. Mendja më shkonte pastaj te Homeri i Iliadës, te Omeri i Ciklit të Kreshnikëve, te Omer Khayami dhe krijoja në imagjinatë një personazh të ri të kohërave moderne, Omer Kaleshin, piktor. Rasti fatlum e solli që ta takoja një ditë vjeshte të vitit 2010, kur isha në Paris për kontroll mjekësor.

Omeri tregon se i ka hyrë rrugës së pikturës në një mënyrë të çuditshme, aq sa e ritreguar sot, ajo ngjan me një fiksion. Ndodhi kështu : Një ditë që kthehej nga puna, – kishte rreth një vit që kishte filluar punë në Centralin Elektrik të Shkupit, – atij i tërhoqi vëmendjen një grumbull njerëzish para një muzeu. U afrua kureshtar dhe e mori vesh se ishte hapur një ekspozitë me vepra të skulptorit dhe vizatuesit anglez Henry Moor. E vizitoi ekspozitën dhe e pëlqeu. Madje e dashuroi aq fort atë lloj arti, sa në mënyrë misterioze që atë ditë në zemrën e tij u skalit një mendim i fuqishëm : do të bëhej piktor. Ishte viti 1955. Deri atë çast ai s’kishte pasur ndonjë lidhje me artet pamore. Ishte hera e parë.

Kështu ai nisi të punonte fshehurazi pikturë e skulpturë në allçi e të vizitonte ekspozita. Kur e pa njëherë i ati, e këshilloi që të pikturonte lule, sepse në Kuran paraqitja e figurave njerëzore quhet mëkat. Omeri iu përgjigj : « Edhe zoti vetë, piktor është, përderisa ka bërë Adamin nga balta ». I ati, një njeri i fesë e vazhdoi bisedën : « Por ai e ka bërë vetëm sa t’i frynte e t’i jepte shpirt ». Sigurisht Omeri i ri heshti, sepse ai s’mund të matej me të atin që lexonte arabisht dhe ishte njeri me kulturë të madhe. I ati i tij qe i pari në Kërçovë që i çoi fëmijët në shkollë.

Pas një viti familja e tij si  e shumë shqiptarëve të tjerë të përndjekur nga Rankoviçi, u shpërngul në Turqi dhe u vendos në Stamboll. Për Omerin, sidoqoftë u hap rruga e artit. Ai mori pjesë në një konkurs pikture, fitoi dhe u regjistrua në Akademinë e Arteve të Stambollit. Por në fillim nuk punonte dot në klasë, sepse ishte i druajtur dhe me shumë emocione. Druajta dhe emocionet lidheshin së pari me moshën, ai ishte pak më i madh se studentët e tjerë dhe së dyti me gjuhën që nuk e kuptonte mirë. Gati një vit ai mbeti fare i bllokuar, nuk zuri penel me dorë në klasë. Bënte piktura në shtëpi pa model, përmendësh. 

Pas një viti kur kishte ecur mjaft me gjuhën dhe ishte çliruar disi nga kompleksi i moshës, si të gjithë studentët e tjerë ai mori detyrë të zgjidhte mjeshtrin dhe ngjyrën. Omeri zgjodhi piktorin Franisco Goya dhe si ngjyrë, të kuqen. Gjatë pushimeve të vitit të dytë erdhi në Europë dhe u njoh me pikturën perëndimore. Kur mbaroi vitin e tretë pati fatin të vizitonte Muzeun « Prado » në Madrid për të njohur nga afër punët e mjeshtrit të tij. Përse zgjodhi ai Francisko Goya-n si piktor është mister. Dhe pastaj ngjyrën e kuqe. Kjo është më e shpjegueshme: e kuqja është ngjyra e gjakut, e zemrës së dashuruar, e flijimit, e fitores. Kur i analizon në hollësi pikturat e tij mund t‘i afrohesh disi misterit.

Teknika e veçantë e punës së Omerit lidhet edhe kjo me një histori origjinale. Ai kaloi gati gjashtë muaj për të përftuar nuanca duke realizuar me dhjetëra kombinime gati magjike të së kuqes në gjithë spektrin e saj. Për të përzier ngjyrat i duhej një vegël e fortë; ishte e bukur, por e lodhshme të përftoje qoftë edhe një ngjyrë të re. Dhe ai krijoi një spatul të veçantë që u bë më vonë mjeti  kryesor i punës për pikturën e tij të ardhshme, e që i jep Omer Kaleshit titullin e piktorit shpikës, i vetmi në Ballkan gjer më sot që përdor një teknikë të tillë. Madje as në Europë nuk njihet ndonjë rast tjetër i ngjashëm. Te rrëmbimi për ngjyrën e kuqe i ka rrënjët edhe talenti i tij i fshehur për shumë vite.

Për Omerin piktura është aq jetësore, sa tani ai e vë në dyshim nëse mund të merrej me tjetër gjë. Bota e parasë nuk e tërheq dhe çdo punë për të jetuar, ai do ta bënte aq artistike, sa do ta çonte larg konsumit të përditshëm.

Në Shqipëri për herë të parë Omeri ka ardhur më 1989. Ashtu si e pohon vetë, atë e zbuloi që ishte shqiptar, ambasadori i Shqipërisë së asaj kohe në Turqi, Nesip Kaçi e më pas e ftoi Ramiz Alia. Vizitoi disa qytete, sidomos Beratin që i pëlqeu shumë. Shqipëria iu duk e bukur dhe ai vlerëson së tepërmi faktin se ajo është vendi ku bashkëjetojnë të gjitha fetë në liri e paqe. Ai thotë se ka pasur një dëshirë të hershme të ekspozonte si shqiptar, pavarësisht se kjo u realizua më 2003.

*

Omeri u bë piktor në Stamboll. Nga kujtesa dhe zemra e tij nuk mund të fshihet kurrë Turqia, e cila e trajtoi si të ishte bir i asaj toke. Në Paris ai njihet si piktor turk. Ne si shqiptarë ndihemi pak « xhelozë » për këtë gjë, por realiteti nuk duhet të marrë fytyrën e pasionit. Për të shmangur këto keqkuptime, kur e pyesin për përkatësinë kombëtare ai ka filluar të përgjigjet  në një mënyrë të re: Artist. Dhe nuk e fsheh se të vetmet lëvdata apo qortime që i pëlqejnë janë ato që lidhen me pikturën. Lufta e bën të vuajë. Mosmirënjohja e zemëron dhe  e trondit.

Kur kërkon të mësosh se cili mbetet momenti më i bukur i jetës së tij, ai të përgjigjet se kjo ka ndodhur në Stamboll, kur u pranua në Akademinë e Arteve. Atje ai ka hapur disa ekspozita. Ekspozita ka hapur edhe në Shkup, në Beograd, në Prishtinë dhe në Tiranë.

Duke folur nga lartësia e viteve të piktorit, mund të thuash se Omer Kaleshi ia ka kushtuar jetën pikturës në kuptimin e plotë të fjalës. Ai ka sakrifikuar familjen që e la në Stamboll dhe familjen që s’e krijoi në Paris, vetëm e vetëm që të ruante në mënyrë sa më të kulluar dashurinë për pikturën. Ky është një shembull i njohur në historinë e artit duke filluar nga Fidias në Antikitet dhe deri te William Turner e të tjerë në kohët moderne.

*

Shtëpia e tij në Paris është një dhomë e madhe në katin e shtatë të një pallati, në bulevardin Arago, në lagjen 13, shtëpi dhe atelie bashkë, tërë dritë nga xhamat që zënë një faqe të tërë muri. Atje poshtë në  Place des Gobelins atë ditë kur i bëra vizitë, hapej një peizazh vjeshtor, melankolik me një rrugë të qetë ku gjethonin ca gështenja të egra. Po t’i hidhje sytë më tej, dukej Sorbona dhe Panteoni. Në krahun e majtë çante qiellin Kulla Monparnas. Dhe tutje, larg në një hapësirë të madhe, nën rrezet e një dielli të ngrohtë për stinën, mund të shihje një pjesë të Parisit, me një bardhësi të dendur, kombinuar me grinë në blu të çative të pallateve të ndërtuara një shekull, dy, madje disa edhe tre shekuj më parë; një qytet aq piktorik, sa të dukej vetja sikur ishe një personazh që kishe dalë nga romanet baritore mesjetare. Kur gjendeshe  brenda në studion e tij, pareti i xhamtë fillimisht ngjante si mirazh. Madje mbi tryezë na priste edhe rakia. Në telefon para se të niseshim, ai i tha Orionit, tim biri: “Ejani se kam raki Shqipërie !»

*

Omerin dhe shtëpinë e tij atelie nuk mund të mos i shihja pa emocione gjatë gjithë kohës që isha aty. Kjo s’më kishte ndodhur kurrë herë tjetër. Qëkur u nisa, vërtet mendoja për një të papritur, por të tjetërllojtë. Omeri kishte një jetë të tërë në Paris dhe unë mendoja për vulën e « llahtarshme » që duhej të kishte lënë ai qytet te shqiptari ynë. Një vulë që nuk më pëlqen sado që e dua Parisin. Por, Omeri hapi derën e na dha dorën, duke thënë « urdhëroni », thjesht e me ngrohtësi, shqiptarçe. « Ah, – pëshpërita në heshtje,- kjo është e pabesueshme, një ëndërr e shndërruar në realitet shqiptar aty për aty». Dhe isha në zemër të Parisit ! Në një metropol që gllabëron në mënyrë të pamëshirshme imtësitë. Megjithatë Omeri qëndronte i palëkundur me pikturën e tij plot imazhe pakohësie dhe shqiptarie njëkohësisht. Ligjërimi në gjuhën e bukur shqipe (çdo gjuhë kur është gjuha jote është e bukur), e cila i shuan të gjitha pengesat në komunikim, na bëri që të ndiheshim si të njohur të hershëm.

*

Piktori ynë ka flokë të bardhë që ia shtojnë fisnikërinë e fjalës, sy të qeshur, të zinj që e gjallërojnë kur flet, zë të butë që e bën të thjeshtë e të dashur. Ka mbetur shqiptar, i pastër, si ata heretikët e lashtë që i dënonin të ecnin duke mbajtur prush të gjallë ndër duar dhe kur arrinin te vendi i caktuar, i kishin duart të pacenuara. Aty çdo gjë ishte shqiptare : tymtar muzeal i formës tradicionale, me vatër të rrumbullakët, i ndërtuar nga vetë Omeri, me çengel dhe me një kusi dekorative si dhe elemente të tjera të vatrës së dikurshme si: këmbja, luga e gacave, mangall bronzi në sofër druri etj. Pastaj një fron me tri këmbë pranë vatrës e që ishte i familjes së tij, këtu e njëqind vjet të shkuara; tryezë e ulët druri si « tërvezat » e dikurshme ; mindere me shtrojë tipike, një pëlhurë e endur në tezgjah me vija dhe me motive të tjera gjeometrike. Në mur, në mjedisin e ndenjjes, ishin varur një ikonë e shën Sebastianit dhe një syret kurani i të atit ; hoja të punuara nga e motra (në familjen e tij kanë qenë dhjetë fëmijë, pesë vajza e pesë djem, Omeri ishte i shtati); një tufë çibukësh të punuar nga vetë ai e shumë objekte të tjera tipike. Mjedisi shqiptar vihej re në çdo hollësi të asaj shtëpie studio. Ai kishte krijuar një univers të vogël shqiptar. Një palë shkallë të brendshme të ngjisnin te këndi i fjetjes. Dhe gjithçka ishte punuar nga duart e tij. Madje edhe një dollap i vogël ushqimesh si ata të hershmit, me tre-katër rafte e dy kanate me xhama ishte vendosur në mjedisin e quajtur kuzhinë. Mbi tryezë rrinte edhe një kuti shahu. 

Omeri ishte vërtet një mjeshtër ndërtimi e një mjeshtër i punës me dru. Por mjeshtëritë e dyta nuk mbaronin me kaq. Në murin përballë, midis paretit të madh me xhama që kishte një ndërprerje me hapësirë muri në mes, ishte vendosur një vepër elektrike. Them vepër se aty ishin me dhjetëra çelësa, priza, llamba që kur i vuri në punë u ndezën si një maket i një qyteti me arkitekturë dritash të shumëngjyrshme. Kjo dobësi flinte brenda tij në heshtje. Omeri ka mbaruar studime të mesme elektrike dhe aty ai kishte fiksuar një pjesë të atyre dijeve si të nguroste një dashuri të humbur, së cilës nuk mund t’i përgjigjemi.

*

Atelieja e Omerit ishte e mbushur me tablo që i kishte paketuar për një ekspozitë dhe punët e reja të tij ne i pamë në një album të botuar rishmëzi.  Te ai  shihet edh një lëvizje drejt figurës së plotë njerëzore. Duke pasur parasysh ato piktura që nuk lidhen me imazhet e tij, si Trung, seria Peshqit që i kërkoheshin kur ishte student si dhe një nudo à la Giaccometi, pa e njohur ende skulpturën syrrealiste, duket se Kaleshi është vazhdues brenda identitetit të tij të thellë si piktor. Ka njëlloj aureole te ato fytyra që të druajtura e në heshtje rrëfejnë për një të kaluar, për një histori të përjetshme. E shkarkuar nga baroku, nga sajimi i së vërtetës, për të cilën nuk është nevoja, sepse ajo ekziston dhe duhet zbuluar, tabloja e tij ndonjëherë thotë se njeriu duhet të luftojë edhe kur ia kanë rrëmbyer dëshirën për të luftuar. Kjo shprehet sidomos në elementin karakteristik si pozicioni i ngurosur, që është mungesë lirie, të cilën personazhi përpiqet ta fitojë, prandaj edhe karakteri i tyre jepet nëpërmjet shfaqjeve të dritës që triumfon mes errësirës. Ruskin-i thotë se edhe  mrekullia më e përsosur nuk mund të ekzistojë pa u përzier me pak mjegull. Sepse arti i vërtetë ka anën e tij të panjohur, anën misterioze që duhet të na nxitë për ta njohur më shumë vetveten. Domethënia e  jashtme e tablove të tij është simbolika e një brendësie ku ligjërimi ia ka lënë vendin heshtjes. Si çdo krijues këto histori ai i ka të gdhendura në identitetin e tij. 

*

Pikturat e Omer Kaleshit janë përsiatje filozofike, për një univers të rikrijuar, të ri, të panjollë. Pika orientuese, ajo që udhëheq vështrimin tonë janë sytë, shikimi i tyre i fshehtë. Dhe ky është në radhë të parë një raport me rëndësi jetësore. Është një përpjekje për të zhbiruar unin. Te vetvetja është rifillimi dhe vazhdimësia e jetës. Ato koka mbushin zbrazëtinë dhe flasin me memecërinë e tyre për vuajtje dhe dashuri të pashprehura, për fjalë të pathëna, për druajtje, për lot, për ëndrra. Është një realitet që ngrihet përtej imagjinatës. Tej këtij realiteti, ekziston edhe një realitet mitik, të cilin piktura e tij përpiqet ta japë me ngjyra të mbyllura që shprehin thellësi e trishtim.

Omer Kaleshi është vërtet një piktor i papërsëritshëm.

Paris-Tiranë, dhjetor 2011

_____________________

Shënim:

Ky ribotim mori shkas nga një e-mail i datës 19 gusht 2021 që shkëmbeva me Z. Luan Rama në Paris, në të cilin e pyesja për shëndetin e Omerit;  para disa kohësh, fillimisht qe lidhur im bir me telefon për të ditur diçka në situatën e re të krijuar nga COVID 19. Luani është njohës i thellë i pikturës dhe i personalitetit të Omer Kaleshit si dhe autor i një libri për të. Përveç kësaj, vitin e kaluar ai i ka shpëtuar jetën, si të thuash, nga që e shpuri menjëherë në spital se e gjeti midis jetës dhe vdekjes kur sapo i kishte rënë ishemi cerebrale. Ndër të tjera Luani më shkruan: “Une jam ne Normandi dhe neser kthehem ne Paris. Ne fakt te shtunen do te jem tek Omeri ta shoh. E pashe dhe para nje jave. Ka mbetur ne klinike qe nga ishemia cerebrale […]. Te shtunen do te bej nje lidhje me video me familjen ne Turqi qe te komunikojne permes telefonit … » 

 Në spital Omeri ka kaluar prova të tjera të vështira se u sëmur edhe me Covid.  Para dy vjetësh e ca unë e takova vetë Kaleshin në panairin e librit të Ballkanit. I dashur dhe energjik si përherë. Shqiptar i rrallë, thashë me vete duke e përqafuar kur u ndava. 

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...