Agjencioni floripress.blogspot.com

2021/10/18

SHBA, ulen rastet e infektimit ndërsa hyjnë në fuqi rregullat për vaksinim të detyruar

 Ndërsa më shumë rregulla të vaksinimit të detyruar po futen në efekt, numri i rasteve të infektimeve në shkallë kombëtare vazhdon të ulet. Por kundërshtimi ndaj vaksinimit vazhdon të jetë problem.

Në Çikago po ashpërsohet beteja gjyqësore mes organeve drejtuese të qytetit dhe sindikatës së policisë, me rreth gjysmën e këtyre të fundit të pavaksinuar. Lori Lightfoot është kryetare e bashkisë së Çikagos.

SHBA, ulen rastet e infektimit ndërsa hyjnë në fuqi rregullat për vaksinim të detyruar

No media source currently available

0:000:01:340:12
 Direct link 

“Kemi vënë re shumë dezinformata me sindikatën e policisë dhe kryesisht me udhëheqjen e saj. Gjysëm të vërteta dhe sinqerisht gënjeshtra të pasta për të nxitur kundërshtime.”

Qyteti ka njoftuar se atyre që nuk vaksinohen do t’u ndërpritet rroga. Sindikata e policisë ka ngritur padi kundër urdhërit të kryebashkiakes.

Në qytetin Seattle departamenti i policisë po bën përgatitje para afatit të vaksinimit të detyruar të hënën, ku të gjithë policët e vaksinuar duhet të provojnë se janë imunizuar, pasi ka shqetësime se departamenti do të humbasë qindra policë që nuk duan të vaksinohen.

Në Everett të shtetit Uashington, rreth 200 punonjës të kompanisë Boeing protestuan kundër urdhërit për vaksinim të detyruar i cili futet në efekt me 8 dhjetor.

Ndërkohë në San Françsiko janë zbutur rregullat për mbajtjen e maskës. Në disa mjedise nuk kërkohet mbajtja e tyre nëse të gjithë janë të vaksinuar plotësisht dhe nuk ka më shumë se 100 njerëz.

“Është ndjesi e mirë që qyteti mori këtë vendim që ne të heqim maskat dhe të komunikojmë me kolegët tanë si më parë”, thotë një punonjëse.

Ndërkohë një panel i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve do të shqyrtojë rekomandimet për doza përforcuese të vaksinave Moderna dhe Johnson and Johnson.

Popullariteti i Presidentit amerikan Joe Biden, i lidhur me gjendjen e pandemisë

 Presidenti Joe Biden shprehu optimizëm të enjten në lidhje me përparimin që kanë bërë Shtetet e Bashkuara kundër COVID-19. Sondazhet e fundit kanë treguar se opinioni i publikut amerikan për të është i ndërthurur me gjendjen e pandemisë në vend.

SHBA: Popullariteti i Presidentit Biden, i lidhur me gjendjen e pandemisë

No media source currently available

0:000:02:530:00

Ndërsa programi i tij legjislativ mbi infrastrukturën dhe shpenzimet sociale ka ngecur, të enjten Presidenti Joe Biden foli për përparim në luftën kundër pandemisë.

"Në shkallë vendi, rastet ditore kanë rënë me 47%. Shtrimet në spitale gjatë gjashtë javëve të fundit.janë ulur 38% dhe gjatë dy javëve të fundit, gjendja në pjesën më të madhe të vendit është përmirësuar. Ritmi i rasteve është në rënie në 39 shtete dhe normat e spitaleve janë në rënie në 38 shtete", tha presidenti Biden.

Bindja e amerikanëve se administrata e tij po arrin sukses në luftën kundër pandemisë , është e rëndësishme për pozitën politike të zotit Biden.

"Gjatë suksesit të fushatës së vaksinimit në pranverë, mbështetja ndaj tij ishte mjaft e lartë. Por me mbizotërimin e variantit delta, rritjen e konsiderueshme të rasteve dhe rigjallërimin e COVID-it gjatë dy muajve të fundit, kemi parë që zoti Biden ka humbur terren", thotë për Zërin e Amerikës Chris Johnson i kompanisë së sondazheve Ipsus.

Tërheqja nga Afganistani, rritja e çmimeve të gazit, inflacioni, si edhe rritja e fluksit të imigrantëve në kufirin SHBA-Meksikë të gjitha kontribuojnë në rënien e mbështetjes për zotin Biden.

Por sipas të anketuarve, pandemia është faktori kryesor; 49.7 për qind e amerikanëve nuk e miratojnë punën që po bën zoti Biden, krahasuar me 44.7 për qind që e mbështesin, sipas organizatës “FiveThirtyEight” që monitoron anketat për presidentin. Mbështetja për të ka qenë nën 50% për një farë kohe: Që nga 30 gushti, numri i amerikanëve që nuk e kanë miratuar punën e tij është më i madh, sesa i atyre që e miratojnë.

Ky është një sinjal negativ për demokratët ndërsa afrohen zgjedhjet për Kongresin në vitin 2022.

"Këto zgjedhje që përkojnë me mesin e mandatit të presidentit, janë zakonisht një referendum mbi administratën aktuale. Për republikanët ka një ndryshim të madh nëse mbështetja për presidentin është 55 apo 35 për qind", thotë anketuesi republikan Whit Ayres.

Shtëpia e Bardhë ka bërë përgjegjëse pjesërisht rezistencën e republikanëve ndaj masave të shëndetit publik për rritjen e rasteve me COVID-19, përfshirë refuzimin e guvernatorëve republikanë për të zbatuar urdhrat për vaksinimin e detyruar, ose testim javor për punonjësit e kompanive të mëdha dhe për punonjësit e qeverisë federale.

"Urdhri ekzekutiv i Guvernatorit (të Teksasit) Abbott që ndalon vaksinimin e detyruar, si edhe vendimin e Guvernatorit (të Floridës) DeSantis që në thelb ndalon të njëjtën gjë, ndjekin një model që tashmë është i ditur, për të vënë politikën përpara shëndetit publik ", tha Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Anketuesit thonë se votuesve nuk u intereson se kush e ka fajin.

"Shumë amerikanë nuk mendojnë se COVID është nën kontroll. Arsyeja nuk është domosdoshmërisht e rëndësishme - Biden është presidenti, Biden është përgjegjës, në fund të fundit”, thotë zoti Jackson.

Presidenti Biden u bëri përsëri thirrje të enjten 66 milionë amerikanëve të pavaksinuar që të vaksinohen, si edhe bizneseve që të mbështesin udhëzimet e tij për vaksinim të detyruar.

Ish-presidenti Bill Clinton del i shëruar nga spitali

 Ish-Presidenti Bill Clinton doli të dielën nga një spital i Kalifornisë Jugore ku ishte shtruar pas diagnostikimit me një infeksion në gjak, njohur ndryshe si helmim i gjakut, që mjekët besojnë se ka nisur fillimisht si një infeksion i traktit urinar.

Një zëdhës i tij tha se zoti Clinton tha se pjesën tjetër të trajtimit zoti Clinton do ta marrë në shtëpinë e tij në Nju Jork.





Ish-presidenti u largua nga Qendra Mjekësore Irvine e Universitetit të Kalifornisë rreth orës 8 të mëngjesit I shoqëruar nga bashkëshortja e tij Hillary Clinton.

Pyetjes së gazetarëve se si ndihej, ish-presidenti u përgjigj duke ngritur lart gishtin e madh të dorës, si shenjë për të treguar se ishte mirë.

"Temperatura dhe numri i rruazave të bardha të gjakut janë normalizuar dhe ai do të kthehet në shtëpi në Nju Jork për të përfunduar ciklin me antibiotikë", thuhej në një deklaratë të Dr. Alpesh N. Amin të shpërndarë në Twitter nga një zëdhënës i zotit Clinton.

Ish-Presidenti 75 vjeçar, u shtrua të martën në spital me një infeksion që nuk kishte lidhje me COVID-19. Një ndihmës i ish-presidentit tha se Bill Clinton kishte patur një infeksion të traktit urinar që ishte bërë shkak për helmim të gjakut, por në asnjë rast gjendja e tij shëndetësore nuk paraqiste rrezik për jetën.

Zoti Clinton, i cili ka shërbyer si president nga vitet 1993-2001, ka pasur edhe më parë probleme shëndetësore. Ai ka kryer dy operacione në zemër në vitet 2004 dhe 2010, për të hapur një arterie të bllokuar.

Ish-Sekretari i Shtetit Colin Powell humb jetën nga COVID-19

 




Colin Powell, Sekretari i parë afrikano-amerikan i Shtetit dhe një ushtarak i lartë amerikan, vdiq të hënën (18 tetor) në moshën 84 vjeçare si pasojë e ndërlikimeve të shkaktuara nga sëmundja e COVID-19-s. Në një deklaratë në Facebook, ku njoftohej lajmi i vdekjes së zotit Powell, familjarë të tij shkruanin se ai ishte plotësisht i vaksinuar.

"Kemi humbur një burrë, baba, gjysh dhe një amerikan të mrekullueshëm e të dashur", shkruanin familjarët e tij.

Për dekada të tëra zoti Powell ishte një nga figurat më të shquara që përfaqësonin komunitetin afrikano-amerikan në vend. Ai u emërua në poste të larta nga tre presidentë republikanë dhe arriti majat e karrierës në ushtrinë amerikane, në një kohë kur ajo po rimëkëmbej nga trauma e luftës së Vietnamit. Vetë zoti Powell ishte plagosur në atë luftë.

Zoti Powell, një ish-gjeneral me katër yje i ushtrisë , ka shërbyer në detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë nën Presidentin George H.W. Bush gjatë Luftës së Gjirit në vitit 1991, gjatë së cilës forcat e drejtuara nga SHBA-ja dëbuan trupat irakiane nga Kuvajti fqinj.

Në vitin 1996, zoti Powell, një republikan i moderuar dhe pragmatist, po shihte mundësitë për të kandiduar për Shtëpinë e Bardhë, çka do ta bënte atë nëse fitonte, presidentin e parë me ngjyrë të vendit. Por shqetësimet e bashkëshortes së tij Alma, lidhur me sigurinë e tij, bënë që ai të ndyshonte mendje.

Në vitin 2008, zoti Powell doli kundër partisë së tij duke mbështetur demokratin Barack Obama, i cili u bë i pari president afrikano-amerikan në historinë e vendit.

Zoti Powell do të mbahet mend ndër të tjera për fjalimin e tij të diskutueshëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së më 5 shkurt 2003, në mbështetje të qëndrimeve të Presidentit George W. Bush, se Presidenti irakian Saddam Hussein përbënte një kërcënim urgjent për botën për shkak të rezervave me armë kimike e biologjike.

Por më vonë zoti Powell e pranoi se fjalimi i tij ishte i mbushur me pasaktësi dhe informacione zbulimi shtrembëruara, duke e quajtur atë "një njollë" që "do të ishte gjithmonë pjesë e historikut të tij".

2021/10/14

Tradita e politikës armiqësore ruse ndaj kombit shqiptar

 



Akademik Eshref Ymeri, PH.D.

 

(Nuk është as e re, as e papritur)

 

       Kanë kaluar 143 vjet që asokohe kur Rusia u pozicionua haptas kundër kombit shqiptar dhe qëndrimin e vet armiqësor ndaj tij e vuri në themel të politikës së saj të jashme, një politikë arrogante kjo që vazhdon me intensitet deri në ditët tona. Prandaj nuk ka asgjë për t’u habitur nga zërat e çjerrë, që, si krrokama korbash, ushtojnë kohë pas kohe brenda mureve të ministrisë së jashtme ruse sa herë që del në skenë Çështja Kombëtare Shqiptare. Një krrokamë e tillë ushtoi si një teneqe e shpuar edhe këto ditët e fundit pas një deklarate karagjoze të Ramës të datës 08 tetor për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Menjëherë MPJ të Rusisë filloi t’u binte kambanave në të gjitha udhëkryqet e botës. Zëdhënësja e asaj ministrie, Maria Zaharova, në deklaratën e saj reaguese të 10 tetorit, dha alarmin për “rrezikun e madh” që “vjen” nga krijimi i “Shqipërisë së Madhe”.

       Nuk kam ndër mend të merremn absolutisht me thelbin e deklaratës së Ramës, i cili s’është gjë tjetër, veçse një argat i regjur i serbosllavizmit, që ndjek me besnikëri piketat e mësuesit të vet shpirtëror, kryeargatit të Beogradit Enver Hoxha. Thelbin e asaj deklarate e ka analizuar në mënyrë shteruese Profesori i nderuar i formatit nacionalist Enver Bytyçi (shih materialin me titull Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë / Bytyçi tregon me kë u harmonizua Rama për deklaratën dhe kujt i shërben ajo”. Faqja e internetit e gazetës “Bota Sot”. 11 tetor 2021).

       Këtu do të ndalem shkurtimisht në disa fakte mjaft demaskuese, të cilat zbulojnë lakuriq qëndrimin tradicionalisht armiqësor të politikës ruse ndaj kombit shqiptar. Po iu rikthehem këtyre fakteve pas reagimit të MPJ të Rusisë kundër deklaratës së lartpërmendur të Ramës (e theksoj po u rikthehem, sepse këtë temë e kam pasë trajtuar gjerësisht në një ese të gjatë, të botuar në internet 13 vjet më parë, pikërisht në dhjetor të vitit 2008).

       1. Në Kongresin e Berlinit të vitit 1878, përfaqësuesit e disa shteteve pjesëmarrëse, si Gjermania, Franca, Austria, Hungaria dhe Italia, i patën rekomanduar Stambollit krijimin e një shteti autonom shqiptar brenda territoreveve të tij etnike. Por i dërguari i carit të Rusisë, Hitrovo, kundërshtoi në mënyrë të prerë. Pikërisht në atë Kongres, me këmbënguljen e përfaqësuesit të shovinizmit rusomadh, filloi copëtimi i parë i trojeve tona etnike.

       2. Në Konferencën e ambasadorëve në Londër të vitit 1913, ku vazhdoi copëtimi i mëtejshëm i trojeve tona etnike, ambasadori rus ishte ai që shfaqi zelli më të madh për një copëtim të till. Madje në hartën që ai i propozonte Konferencës për miratim, jashtë kufijve të tanishëm të Shqipërisë, mbeteshin edhe Shkodra, edhe Tropoja, edhe Kukësi, edhe Dibra, edhe Pogradeci, edhe Korça, edhe Erseka, edhe Delvina, edhe Saranda.

       3. Moris Paleologu, ish-ambasador i Francës në Rusi prej korrikut të vitit 1914 deri në maj të vitit 1917, në kujtimet e veta ka rrëfyer se cari Nikollaj II (1868-1918) e kishte pritur në takim dhe me hartën e Ballkanit mbi tryezë i kishte thënë se Shqipëria duhej të copëtohej midis Serbisë dhe Greqisë, me përjashtim të Vlorës, e cila duhej t’i lihej Italisë 

       4. Sergej Sazonov, ish-ministër i jashtëm i Rusisë në vitet 1910-1916, në kujtimet e veta, duke cituar  fjalët e ambasadorit rus në Beograd, Hartvig, shkruan se copëtimi i Shqipërisë mes vendeve ballkanike nuk mund të haste kurrfarë kundërshtimesh nga ana e Peterburgut.

            5. Në Traktatin e fshehtë të Londrës të 26 prillit 1915, çka përbën një njollë turpi në ballin e diplomacisë evropianoperëndimore dhe të Rusisë, me këmbënguljen e përfaqësuesit të shovinizmit rusomadh, u kërkua që Shqipëria të zhdukej fare nga harta.

       6. Gjatë takimit në Moskë me delegacionin  e partisë komuniste jugosllave në shkurt të vitit 1948, i cili përbëhej nga M. Gjilasi, K. Popoviçi dhe V. Tempoja, Stalini, duke ndjekur traditën e carëve të Rusisë, u ka thënë që ta gjëlltisin Shqipërinë, meqenëse Bashkimi Sovjetik nuk kishte interesa të veçanta në vendin tonë.

       7. Më 05 qershor të vitit 1960, Hrushovi pranoi kërkesën e kryeshovinistit grek Venizellos për autonominë e Epirit të Veriut, duke i premtuar se do ta bisedonte me Enver Hoxhën.

8. Politikën edhe më armiqësor ndaj kombit shqiptar, Rusia e manifestoi dhe vazhdon  ta manifestojë me një zell të patreguar me qëndrimin që ka mbajtur dhe po mban ndaj Kosovës. Atë e ka pasqyruar ish-kryeministri dhe ish-ministri i jashtëm Evgjeni Primakov në një libër që pati botuar në vitin 1999. Në atë libër ai deklaronte se Kosova na qenkej çështje e brendshme e Jugosllavisë dhe se për shkëputjen e krahinës nga Jugosllavia as që mund të bëhej fjalë.

9. Ish-Presidenti rus Boris Jelcin, në kujtimet e veta ka rrëfyer për një bisedë telefonike që ka pasur asokohe me Presidentin Klinton, të cilit i kërkonte ndërprerjen e bombardimeve kundër Serbisë.

       10. Histeria antishqitare e opinionit publik rus kundër kombit shqiptar arriti përmasa të papara gjatë bombardimeve të NATO-s. Në kujtimet e veta, ish-Presidenti Jelcin përshkruante situatën asokohe në Moskë, e cila ishte bërë me të vërtetë shqetësuese, sepse pranë mureve të ambasadës amerikane turmat e njerëzve nuk përmbaheshin dot, dritaret qëlloheshin me shishe dhe me gurë, pati filluar rekrutimi i vullnetarëve për luftë në përkrahje të serbëve.

11. Politika dhe diplomacia ruse, për të qenë në të njëjtën gjatësi vale me Beogradin, nxiti mjetet e informimit masiv për të shpifur sa më shumë kundër Kosovës. Kështu, organi “Njezavisimaja gazeta” e datës 25 gusht të vitit 2000 do të shkruante se “kurrfarë vrasjesh nuk ka pasur në Raçak…”. Po kështu, simotra e saj, “Rossijskaja gazeta”, në numrin e saj të datës 21 shkurt 2001, i mban avazin po së njëjtës shpifjeje, duke dalë me një deklaratë edhe më të turpshme kur shkruante se “ngjarja e Raçakut ishte një provokacion i përbindshëm i shqiptarëve dhe i shërbimeve të fshehta të NATO-s, ku serbët nuk kishin fare gisht”.

       12. Kryetari i komisionit të jashtëm të parlamentit rus K. Kosaçov, më 21 gusht 2007, deklaroi me një vetëbesim të mahnitshëm se “Rusia nuk do të lejojë kurrë që Kosova të bëhet shtet…”.

       13. Kryetari i Dumës Shtetërore Ruse, G. Seleznjov, asokohe pati lëshuar një deklaratë paradoksale, në të cilën, sips tij, “kur flitet për gjenocid, nënkuptohet dhënia e urdhrave për të vrarë njerëz, por as Millosheviçi dhe askush tjetër nuk kanë dhënë ndonjë urdhër të tillë”.

       14. Ish-ministri i jashtëm, Igor Ivanov, asokohe kërkonte likuidimin e Gjykatës Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, e cila, sipas tij, “nga mekanizëm juridik është shndërruar në një instrument politik presioni ndaj Beogradit”.

15. Këshilli i Federatës së Kuvendit të Rusisë, në maj të vitit 2001 doli me një deklaratë në mbrojtje të Millosheviçit, ku theksohej se e konsideronin detyrë qytetare të mbështesnin Deklaratën e Grupit të politikanëve, shkencëtarëve, përfaqësuesve të inteligjencies mbi krijimin e Komitetit Shoqëror Rus në mbrojtje të Sllobodan Millosheviçit. Këtij Këshilli, mbarë intelektualëve rusë, mbarë opinionit publik rus, mbarë shkencëtarëve-historianë rusë, mbarë mjeteve të informimit masiv, për turpin e tyre, e theksoj përsëri - për turpin e tyre - nuk u bëri absolutisht përshtypje qëndrimi egërsisht armiqësor i kriminelit me damkë Sheshel ndaj Kosovës, i cili, gjatë vizitës në Moskë më 30 tetor 1998, bëri një deklaratë publike, ku theksonte se “…problemi i Kosovës mund të zgjidhet lehtë: duke vrarë një milion shqiptarë dhe duke përzënë nga Kosova një milion të tjerë?”

16. Politika dhe diplomacia ruse, si edhe mjetet e informimit masiv, e kishin indoktrinuar deri në pore mbarë opinionin publik rus, duke e edukuar atë me ndjenjën e urrejtjes kundër kombit shqiptar. Dhe shprehja më e koncentruar e urrejtjes kundër kombit shqiptar përmblidhet në pak rreshta të njërit prej mesazheve anonime kërcënuese që asokohe i janë dërguar me faks ambasadës sonë në Moskë. Në të shkruhej: “Shqiptarë të ndyrë! Ju duheni mbyllur në Shqipëri si në kafaz dhe në rast se doni të dilni, duheni vrarë si qen të tërbuar. Gratë tuaja duhen sterilizuar, që të mos mund të lindin më si lepujt. Dhe në qoftë se ju do të vendosni të vini në Kosovën serbe, do të ngrordhni. Toka do t’ju helmojë. Kombi juaj duhet zhdukur. Le t’ju marrin amerikanët atje, në Amerikë. Ngordhni sa më shpejt në Rusi. Juve do t’ju therim” [Citohet sipas: Shaqir Vukaj. “Rusia dhe Kosova. (Shënime të një diplomati)”. Tiranë 2007, f. 415].

17. Një fakt i thjeshtë, në shikim të parë, mund të përmbajë në vetvete një mesazh tepër domethënës për dashamirësinë apo urrejtjen që mund të përcillet në adresë të një populli. Kështu, fjala vjen, vetëm një ndeshje futbolli që skuadra përfaqësuese e Rusisë zhvilloi më 29 mars 2003 me përfaqësuesen tonë në qytetin e Shkodrës, në kuadrin e eliminatoreve të kampionatit evropian të futbollit të vitit 2004, mund të shërbente në njëfarë mënyre për përcjelljen e ndonjë mesazhi sadopak dashamirës për popullin shqiptar, përmes mjeteve ruse të informimit pamor dhe të shtypit të shkruar. Por meqenëse përfaqësuesja ruse e humbi ndeshjen me rezultatin 3:1, mjetet në fjalë dhe shtypi i shkruar folën dhe shkruan keq për shqiptarët. Për më tepër, të nesërmen e ndeshjes, më 30 mars 2003, gazetat “Komsomolskaja Pravda” dhe “Moskovskij komsomolec”, në faqet e para shkruanin me shkronja të mëdha”: “Ndeshja përfundoi me rezultatin 3:1 në favor të varfanjakëve”! Siç më njoftonte nga Moska një ish-studentja ime, që asokohe po i vazhdonte studimet atje, gjatë kohës që komentatori sportiv transmetonte ndeshjen në televizion, fliste keq për Shqipërinë.

18. Presidenti Putin, për t’i vënë “vulën e Kremlinit” moszgjidhjes asnjëherë të çështjes së Kosovës përmes pavarësimit të saj, pati bërë një deklaratë të tillë, thelbi i së cilës zbulon lakuriq mendësinë cariste të politikës së sotme ruse në raport me çështjet ballkanike dhe rolin negativ të Rusisë në trajtimin e tyre, ashtu siç manifestohej ky rol edhe pak para fillimit të Luftës së Parë Botërore. Në një konferencë shtypi me kancelaren gjermane Anxhela Merkel, të mbajtur në Soçi më 21 janar 2007, Putini pati deklaruar: “…ne jemi për zgjidhje të tilla që të kënaqin si Beogradin, ashtu edhe Prishtinën”. Pra, sipas presidentit Putin, zgjidhja e çështjes së Kosovës duhej të lihej për ditën e moskurrit.

Kur nga Moska u vura në dijeni për ato që qenë thënë e shkruar  kundër shqiptarëve dhe Shqipërisë, pas asaj ndeshjeje futbolli që përmenda më lart, më erdhën ndër mend fjalët e avokatit të shquar rus Vasilij Maklakov, të thëna në një fjalim që ka mbajtur në Dumën Ruse në gusht të vitit 1915 dhe të cituara nga ambasadori francez Moris Paleologu në kujtimet e lartpërmendura: “Rusia është modeli i shtetit, ku njerëzit nuk janë në vendin që u takon”.

Duhet pranuar publikisht se klasa politike ruse, që kryeherazi në periudhën e carizmit, gjatë sistemit komunist dhe tani në pluralizëm, populli rus e ka edukuar dhe vazhdon ta edukojë me frymën e shovinizmit rusomadh, me etjen për pushtime territoresh të huaja. Me këtë fryme e kanë edukuar atë popull edhe disa shkrimtarë të mëdhenj rusë. Këtu po ndalem vetëm në tre prej tyre.

I pari është Pushkini (1799-1837). Në vitin 1830 pati shpërthyer një kryengritje nacionalçlirimtare në Poloni, në Letoni dhe pjesërisht në Bjellorusi dhe në Ukrainë. Pas betejash të përgjakshme, në vitin 1831, ushtria ruse e shtypi kryengritjen me egërsi, kurse territoret e këtyre vendeve u shpallën pjesë e perandorisë ruse. Disa deputetë të parlamentit francez bënë thirrje asokohe për t’u shkuar në ndihmë kryengritësve të lirisë. Pushkini, në poezinë me titull “Shpifësve kundër Rusisë” u përgjigjet atyre, duke deklaruar se nuk kanë të drejtë të futin hundët në një debat “familjar”.

I dyti është Dostojevski (1821-1881). Në prill të vitit 1877, kur në krye të fronit ishte car Aleksandri II (1818-1881), pati filluar lufta ruso-turke. Asokohe Dostojevski pati bërë thirrje për pushtimin e Konstantinopojës. Në veprën “Ditari i shkrimtarit”, të mbajtur në periudhën janar-gusht të vitit 1877, është botuar një artikull i tij me titull:“Po e përsëris edhe një herë që Konstatinopoja, herët ose vonë, duhet të jetë jona”.

I treti është Sollzhenjicini (1818-2008). korrik të vitit 1990, Sollzhenjicini pati shkruar një broshurë me titull “Si ta rregullojmë Rusinë”, e cila u botua në gazetën “Komsomolskaja pravda” më 18 shtator të po atij viti. Në atë broshurë, Sollzhenjicini shpreh pikëpamjet e veta për Kazakistanin dhe për Ukrainën. Sipas tij, pjesa më e madhe e Kazakistanit i takon Rusisë, kurse Ukrainën ai e vlerëson si pjesë të Rusisë.

Formimi psikologjik i popullit rus, i mbrujtur me frymën e shovinizmit rusomadh, del më së miri në pah përmes hyjnizimit që ai i bëri figurës së Putinit pas pushtimit të Krimesë. Pas atij pushtimi, përkrahja e popullit rus për Putinin arriti majat: u ngrit deri në 86%. Por natyrën e dyzuar të popullit rus, brenda të cilit prehet edhe psikologjia skllavit, edhe edhe psikogjia e shovinistit, e ka zbuluar mrekullisht shkrimtari dhe publicisti rus Ivan Sergejeviç Shmelov (1873-1950), në librin me titull “Dielli i të vdekurve”, të botuar për herë të parë në vitin 1923. Aty ai shkruan: “Rusët janë një popull      që e urren lirinë dhe hyjnizon skllavërinë, i ka qejf prangat në duart dhe në këmbët e veta, i do despotët e vet gjakatarë,.. por ama gjithmonë është i gatshëm  t’i skllavërojë, t’i shtypë të gjithë pa përjashtim, mbarë botën. Ky nuk është popull, por një mallkim historik i njerëzimit”.

Duke ardhur drejt fundit të këtyre shënimeve, dëshiroj të theksoj se politika shoviniste ruse do të bënte mirë që ta kthjellonte sadopak trurin, në mënyrë që në sytë e opinionit publik mbarëshqiptar të formatit nacionalist të mos bëhet qesharake me klithmat e veta të pështira kundër Çështjes Kombëtare Shqiptare, ende të pazgjidhur në Gadishullin e Ilirisë. Dhe, që të mos vazhdojë të mbetet qesharake në vijimësi, ajo duhet ta ketë të qartë një herë e mirë se në Gadishullin e Ilirisë bëhet fjalë jo për Shqipëri të Madhe, por për Shqipëri Etnike. Prandaj, për t’ia siguruar vetes kthjellimin e trurit, ajo le të shfletojë dhe të lexojë një burim shkencor rus të fundit të shek. XIX. Ja çfarë thuhet për Shqipërinë në atë burim:

“… Duke përfshirë krahinat e Epirit të lashtë dhe të Ilirisë së lashtë, ajo vazhdon përgjatë brigjeve të Detit Jon dhe  të Detit  Adriatik, që nga Gjiri i Artës, deri në zonën që shtrihet matanë lumit Buna, nga 39 deri në 42 gradë të gjerësisë veriore. Në veri kufirin e saj e formon krahina që i është aneksuar Malit të Zi (Dulqinja) dhe Sanxhaku i Novipazarit që i ka kaluar Austrisë, në jug kufizohet me Gjirin e Artës dhe me mbretërinë e Greqisë, me të cilën Shqipërinë, që nga viti 1881, kur iu shkëputën ca territore, e ndan lumi i Artës. Në lindje… Shqipërisë i takojnë një pjesë e Thesalisë dhe e Maqedonisë… (Citohet sipas: “Fjalor Enciklopedik Rus”. Sankt-Peterburg, 1896, f. 359).

Në fund ia vlen të theksohet se Kremlini dhe diplomacia e tij, meqenëse nuk e kanë absolutisht aftësinë për t’u penduar ndonjëherë publikisht për politikën tradicionalisht armiqësore që kanë ndjekur ndaj kombit shqiptar gjatë gati një shekulli e gjysmë, do të bënin më mirë të shikonin punët brenda “oborrit” të vet, dhe, të paktën, të hiqnin dorë nga politika antishqiptare. Të shikojnë të mbajnë fort Siberinë, së cilës Pekini, urtë e butë, ka kohë që ia ka vënë syrin, për të dalë në shpatet e maleve Ural. Sepse ata e dinë shumë mirë faktin mjaft domethënës, të botuar në një faqe interneti disa vjet më parë. Në atë faqe shkruhet:

“Pekini i ka propozuar zyrtarisht Putinit për t’ia dhënë Siberinë Pekinit. Zëvendëskryeministri kinez Li Juanjçao, në forumin ekonomik që u zhvillua në Shën Peterburg, propozoi që Siberia të popullohet me kinezë”  (Citohet sipas: “Vojna: Кitaj vs Rosija, kto pobjedit?” (Lufta: Kina vs Rusia, kush do të fitojë?). Faqja e internetit “oblicomorale.blogspot.com. 11 nëntor 2014).

Meqenëse kjo kërkesë zyrtare e Pekinit është bërë publike, atëherë duhet menduar se ajo ka kaluar nëpër një periudhë të gjatë “inkubacioni”.

San Diego Kaliforni

12 tetor 2021

 

 

 

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...