Agjencioni floripress.blogspot.com

2021/10/18

SHBA, ulen rastet e infektimit ndërsa hyjnë në fuqi rregullat për vaksinim të detyruar

 Ndërsa më shumë rregulla të vaksinimit të detyruar po futen në efekt, numri i rasteve të infektimeve në shkallë kombëtare vazhdon të ulet. Por kundërshtimi ndaj vaksinimit vazhdon të jetë problem.

Në Çikago po ashpërsohet beteja gjyqësore mes organeve drejtuese të qytetit dhe sindikatës së policisë, me rreth gjysmën e këtyre të fundit të pavaksinuar. Lori Lightfoot është kryetare e bashkisë së Çikagos.

SHBA, ulen rastet e infektimit ndërsa hyjnë në fuqi rregullat për vaksinim të detyruar

No media source currently available

0:000:01:340:12
 Direct link 

“Kemi vënë re shumë dezinformata me sindikatën e policisë dhe kryesisht me udhëheqjen e saj. Gjysëm të vërteta dhe sinqerisht gënjeshtra të pasta për të nxitur kundërshtime.”

Qyteti ka njoftuar se atyre që nuk vaksinohen do t’u ndërpritet rroga. Sindikata e policisë ka ngritur padi kundër urdhërit të kryebashkiakes.

Në qytetin Seattle departamenti i policisë po bën përgatitje para afatit të vaksinimit të detyruar të hënën, ku të gjithë policët e vaksinuar duhet të provojnë se janë imunizuar, pasi ka shqetësime se departamenti do të humbasë qindra policë që nuk duan të vaksinohen.

Në Everett të shtetit Uashington, rreth 200 punonjës të kompanisë Boeing protestuan kundër urdhërit për vaksinim të detyruar i cili futet në efekt me 8 dhjetor.

Ndërkohë në San Françsiko janë zbutur rregullat për mbajtjen e maskës. Në disa mjedise nuk kërkohet mbajtja e tyre nëse të gjithë janë të vaksinuar plotësisht dhe nuk ka më shumë se 100 njerëz.

“Është ndjesi e mirë që qyteti mori këtë vendim që ne të heqim maskat dhe të komunikojmë me kolegët tanë si më parë”, thotë një punonjëse.

Ndërkohë një panel i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve do të shqyrtojë rekomandimet për doza përforcuese të vaksinave Moderna dhe Johnson and Johnson.

Popullariteti i Presidentit amerikan Joe Biden, i lidhur me gjendjen e pandemisë

 Presidenti Joe Biden shprehu optimizëm të enjten në lidhje me përparimin që kanë bërë Shtetet e Bashkuara kundër COVID-19. Sondazhet e fundit kanë treguar se opinioni i publikut amerikan për të është i ndërthurur me gjendjen e pandemisë në vend.

SHBA: Popullariteti i Presidentit Biden, i lidhur me gjendjen e pandemisë

No media source currently available

0:000:02:530:00

Ndërsa programi i tij legjislativ mbi infrastrukturën dhe shpenzimet sociale ka ngecur, të enjten Presidenti Joe Biden foli për përparim në luftën kundër pandemisë.

"Në shkallë vendi, rastet ditore kanë rënë me 47%. Shtrimet në spitale gjatë gjashtë javëve të fundit.janë ulur 38% dhe gjatë dy javëve të fundit, gjendja në pjesën më të madhe të vendit është përmirësuar. Ritmi i rasteve është në rënie në 39 shtete dhe normat e spitaleve janë në rënie në 38 shtete", tha presidenti Biden.

Bindja e amerikanëve se administrata e tij po arrin sukses në luftën kundër pandemisë , është e rëndësishme për pozitën politike të zotit Biden.

"Gjatë suksesit të fushatës së vaksinimit në pranverë, mbështetja ndaj tij ishte mjaft e lartë. Por me mbizotërimin e variantit delta, rritjen e konsiderueshme të rasteve dhe rigjallërimin e COVID-it gjatë dy muajve të fundit, kemi parë që zoti Biden ka humbur terren", thotë për Zërin e Amerikës Chris Johnson i kompanisë së sondazheve Ipsus.

Tërheqja nga Afganistani, rritja e çmimeve të gazit, inflacioni, si edhe rritja e fluksit të imigrantëve në kufirin SHBA-Meksikë të gjitha kontribuojnë në rënien e mbështetjes për zotin Biden.

Por sipas të anketuarve, pandemia është faktori kryesor; 49.7 për qind e amerikanëve nuk e miratojnë punën që po bën zoti Biden, krahasuar me 44.7 për qind që e mbështesin, sipas organizatës “FiveThirtyEight” që monitoron anketat për presidentin. Mbështetja për të ka qenë nën 50% për një farë kohe: Që nga 30 gushti, numri i amerikanëve që nuk e kanë miratuar punën e tij është më i madh, sesa i atyre që e miratojnë.

Ky është një sinjal negativ për demokratët ndërsa afrohen zgjedhjet për Kongresin në vitin 2022.

"Këto zgjedhje që përkojnë me mesin e mandatit të presidentit, janë zakonisht një referendum mbi administratën aktuale. Për republikanët ka një ndryshim të madh nëse mbështetja për presidentin është 55 apo 35 për qind", thotë anketuesi republikan Whit Ayres.

Shtëpia e Bardhë ka bërë përgjegjëse pjesërisht rezistencën e republikanëve ndaj masave të shëndetit publik për rritjen e rasteve me COVID-19, përfshirë refuzimin e guvernatorëve republikanë për të zbatuar urdhrat për vaksinimin e detyruar, ose testim javor për punonjësit e kompanive të mëdha dhe për punonjësit e qeverisë federale.

"Urdhri ekzekutiv i Guvernatorit (të Teksasit) Abbott që ndalon vaksinimin e detyruar, si edhe vendimin e Guvernatorit (të Floridës) DeSantis që në thelb ndalon të njëjtën gjë, ndjekin një model që tashmë është i ditur, për të vënë politikën përpara shëndetit publik ", tha Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Anketuesit thonë se votuesve nuk u intereson se kush e ka fajin.

"Shumë amerikanë nuk mendojnë se COVID është nën kontroll. Arsyeja nuk është domosdoshmërisht e rëndësishme - Biden është presidenti, Biden është përgjegjës, në fund të fundit”, thotë zoti Jackson.

Presidenti Biden u bëri përsëri thirrje të enjten 66 milionë amerikanëve të pavaksinuar që të vaksinohen, si edhe bizneseve që të mbështesin udhëzimet e tij për vaksinim të detyruar.

Ish-presidenti Bill Clinton del i shëruar nga spitali

 Ish-Presidenti Bill Clinton doli të dielën nga një spital i Kalifornisë Jugore ku ishte shtruar pas diagnostikimit me një infeksion në gjak, njohur ndryshe si helmim i gjakut, që mjekët besojnë se ka nisur fillimisht si një infeksion i traktit urinar.

Një zëdhës i tij tha se zoti Clinton tha se pjesën tjetër të trajtimit zoti Clinton do ta marrë në shtëpinë e tij në Nju Jork.





Ish-presidenti u largua nga Qendra Mjekësore Irvine e Universitetit të Kalifornisë rreth orës 8 të mëngjesit I shoqëruar nga bashkëshortja e tij Hillary Clinton.

Pyetjes së gazetarëve se si ndihej, ish-presidenti u përgjigj duke ngritur lart gishtin e madh të dorës, si shenjë për të treguar se ishte mirë.

"Temperatura dhe numri i rruazave të bardha të gjakut janë normalizuar dhe ai do të kthehet në shtëpi në Nju Jork për të përfunduar ciklin me antibiotikë", thuhej në një deklaratë të Dr. Alpesh N. Amin të shpërndarë në Twitter nga një zëdhënës i zotit Clinton.

Ish-Presidenti 75 vjeçar, u shtrua të martën në spital me një infeksion që nuk kishte lidhje me COVID-19. Një ndihmës i ish-presidentit tha se Bill Clinton kishte patur një infeksion të traktit urinar që ishte bërë shkak për helmim të gjakut, por në asnjë rast gjendja e tij shëndetësore nuk paraqiste rrezik për jetën.

Zoti Clinton, i cili ka shërbyer si president nga vitet 1993-2001, ka pasur edhe më parë probleme shëndetësore. Ai ka kryer dy operacione në zemër në vitet 2004 dhe 2010, për të hapur një arterie të bllokuar.

Ish-Sekretari i Shtetit Colin Powell humb jetën nga COVID-19

 




Colin Powell, Sekretari i parë afrikano-amerikan i Shtetit dhe një ushtarak i lartë amerikan, vdiq të hënën (18 tetor) në moshën 84 vjeçare si pasojë e ndërlikimeve të shkaktuara nga sëmundja e COVID-19-s. Në një deklaratë në Facebook, ku njoftohej lajmi i vdekjes së zotit Powell, familjarë të tij shkruanin se ai ishte plotësisht i vaksinuar.

"Kemi humbur një burrë, baba, gjysh dhe një amerikan të mrekullueshëm e të dashur", shkruanin familjarët e tij.

Për dekada të tëra zoti Powell ishte një nga figurat më të shquara që përfaqësonin komunitetin afrikano-amerikan në vend. Ai u emërua në poste të larta nga tre presidentë republikanë dhe arriti majat e karrierës në ushtrinë amerikane, në një kohë kur ajo po rimëkëmbej nga trauma e luftës së Vietnamit. Vetë zoti Powell ishte plagosur në atë luftë.

Zoti Powell, një ish-gjeneral me katër yje i ushtrisë , ka shërbyer në detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë nën Presidentin George H.W. Bush gjatë Luftës së Gjirit në vitit 1991, gjatë së cilës forcat e drejtuara nga SHBA-ja dëbuan trupat irakiane nga Kuvajti fqinj.

Në vitin 1996, zoti Powell, një republikan i moderuar dhe pragmatist, po shihte mundësitë për të kandiduar për Shtëpinë e Bardhë, çka do ta bënte atë nëse fitonte, presidentin e parë me ngjyrë të vendit. Por shqetësimet e bashkëshortes së tij Alma, lidhur me sigurinë e tij, bënë që ai të ndyshonte mendje.

Në vitin 2008, zoti Powell doli kundër partisë së tij duke mbështetur demokratin Barack Obama, i cili u bë i pari president afrikano-amerikan në historinë e vendit.

Zoti Powell do të mbahet mend ndër të tjera për fjalimin e tij të diskutueshëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së më 5 shkurt 2003, në mbështetje të qëndrimeve të Presidentit George W. Bush, se Presidenti irakian Saddam Hussein përbënte një kërcënim urgjent për botën për shkak të rezervave me armë kimike e biologjike.

Por më vonë zoti Powell e pranoi se fjalimi i tij ishte i mbushur me pasaktësi dhe informacione zbulimi shtrembëruara, duke e quajtur atë "një njollë" që "do të ishte gjithmonë pjesë e historikut të tij".

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...