2021-12-14

Millan Radoiçiq, Zvonko dhe Zharko Veselinoviq, Srgjan Vulloviq, Zhelko dhe Andrija Bojiq dhe Radulle Steviq – të gjithë serbë nga Kosova – janë vënë në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së. Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja


Millan Radoiçiq, Zvonko dhe Zharko Veselinoviq, Srgjan Vulloviq, Zhelko dhe Andrija Bojiq dhe Radulle Steviq – të gjithë serbë nga Kosova – janë vënë në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së. Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja, në kuadër të këtij departamenti, publikoi të mërkurën një listë të individëve dhe kompanive të tyre në vende të caktuara, që me një emër quhen “Shtetas të etiketuar në mënyrë të posaçme”.

Me futjen e tyre në listë të sanksioneve, prona e tyre kryesisht bllokohet dhe qytetarëve amerikanë u ndalohet të bashkëpunojnë me ta.

Sipas ueb-faqes së Departamentit amerikan të Thesarit, Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja menaxhon dhe zbaton sanksionet ekonomike dhe tregtare, bazuar në politikën e jashtme të SHBA-së dhe sigurinë kombëtare.

Sanksionet aplikohen kundër vendeve dhe regjimeve të huaja që janë në shënjestër, terroristëve, trafikantëve ndërkombëtarë të drogës dhe atyre që përfshihen në aktivitete që lidhen me përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë dhe me kërcënime të tjera për sigurinë kombëtare, politikën e jashtme ose ekonominë e Shteteve të Bashkuara.

Kush janë serbët e Kosovës të përfshirë në listë?

Lista e zezë përfshin Zvonko Vesellinoviqin dhe vëllain e tij, Zharko, të cilët, sipas agjencisë së lajmeve Reuters, Departamenti i Thesarit i akuzon se kanë bërë marrëveshje me politikanët për t’i ndihmuar partitë e tyre që t’i fitojnë zgjedhjet dhe se u kanë dhënë para kandidatëve.

Në këmbim, politikanët u kanë dhënë vëllezërve Vesellinoviq kontratat më të mira të infrastrukturës, informacione mbi pronësinë për t’i mbështetur investimet e tyre dhe kontroll mbi fusha të caktuara të biznesit të tyre, njoftoi Departamenti i Thesarit.

Sipas tij, në listën e sanksioneve, i lidhur me Zvonko Veselinoviqin është edhe Millan Radoiçiq, nënkryetar i partisë kryesore serbe në Kosovë – Lista Serbe.

Radoiçiq ka lidhje me vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq. Në listë është edhe Zhelko Bojiq, ish-shef i Operacioneve të Policisë së Kosovës për Veriun, i cili gjithashtu është i lidhur me vrasjen e Ivanoviqit dhe kërkohet nga institucionet e Kosovës.

Marko Roshiq, i akuzuar në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, është po ashtu në listë.

Në mesin e tyre është edhe Radulle Steviq, sipërmarrës serb nga veriu, i njohur për fitimin e shumë tenderëve të institucioneve të Kosovës, për projekte të ndryshme infrastrukturore në veri të Kosovës.

Lista përfshin edhe kompani të shumta nga Serbia dhe Kosova, të cilat janë të lidhura me disa nga të përmendurit më lart.

Në mesin e tyre janë shumë kompani që janë të lidhura me Zvonko Vesellinoviqin, si: “Dolly Bell” nga Beogradi, kompania për shitjen e automjeteve “Civija Komerc” nga Shabaci, kompania ndërtimore ‘INCOP’ nga Quprija, kompania e betonit “Aleksinac”, dyqani i pavarur “Prizma” nga Mitrovica e të tjera.

Në listë është edhe kompania “Doo Rad” e Radulle Steviqit në Zveçan, si dhe disa kompani të Millan Radisavleviqit dhe Sinisha Nedelkoviqit, raporton REL.

Kurti : Kjo vërteton legjitimitetin e veprimeve të Policisë së Kosovës në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur shumë të mirëseardhur vendimin që Millan Radoiçiq, Zvonko Veselinoviq dhe 11 serbë të tjerë nga Kosova, janë vënë në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të ShBA-së më 8 dhjetor.

Sipas Kurtit, kjo vërteton legjitimitetin e veprimeve të Policisë së Kosovës javë më parë në komunën veriore të Mitrovicës kundër kontrabanduesve të mallrave ilegale.

“Vendimi i sotëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës vërteton legjitimitetin e veprimeve të Policisë së Kosovës javë më parë në komunën veriore të Mitrovicës kundër kontrabanduesve të mallrave ilegale. Lidhjet e bashkëpunimit ndëretnik të grupeve kriminale dhe fushëveprimit të tyre transnacional do t’i luftojmë nëpërmjet bashkëpunimit të zyrtarëve të institucioneve tona pa dallim etnie dhe bashkëpunimit ndërkombëtar me aleatët e partnerët tanë. Krimi i organizuar është rrezik i sigurisë kombëtare. Republika e Kosovës është e të gjithë qytetarëve të saj. Qeveria e Republikës së Kosovë ka prioritet luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka shkruar kreu i ekzekutivit kosovar në rrjetin social “Facebook”.

Borrell mirëpret sanksionet e SHBA-së ndaj serbëve të Kosovës

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, mirëpriti sanksionimin e disa serbëve nga Kosova, të cilët, sipas Shteteve të Bashkuara janë pjesë e një grupi të krimit të organizuar.

Ai tha se vendosja e sanksioneve ndaj disa serbëve nga Kosova, është hap i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor.

“Shkatërrimi i rrjeteve kriminale transnacionale kontribuon në sigurinë, stabilitetin dhe përmirëson sundimin e ligjit në mbarë rajonin. BE-ja është plotësisht e angazhuar në arritjen e këtij synimi të përbashkët”, tha Borrell.

Veselinoviq bashkëpunonte me zyrtarë të Kosovës

Millan Radoiçiq, Zvonko Veselinoviq dhe 11 serbë të tjerë nga Kosova, janë vënë në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të ShBA-së më 8 dhjetor.

Në komunikatën e Departamentit amerikan të Thesarit, Veselinoviq identifikohet si udhëheqësi i grupit të krimit të organizuar dhe gjithashtu si një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë.  Grupi i krimit të organizuar, sipas këtij Departamentit, është e angazhuar në një skemë ryshfeti në shkallë të gjerë me zyrtarë të sigurisë kosovare dhe serbe.

Sipas tyre, përmes ryshfetit, lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Grupi gjithashtu ka komplotuar me politikanë të ndryshëm në disa marrëveshje quid pro quo, duke përfshirë ryshfetin në fillim të vitit 2019 të zyrtarëve kosovarë të sigurisë për të lejuar operacionet e tyre të kontrabandës ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe ryshfetin e fundit të vitit 2017 të zyrtarëve kosovarë të sigurisë kufitare për të lejuar kalimin e sigurt për kontrabandistët”, thuhet në këtë komunikatë.

Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja në kuadër të këtij Departamenti, publikoi të mërkurën një listë të individëve dhe kompanive të tyre në vende të caktuara që me një emër quhen “Shtetas të etiketuar në mënyrë të posaçme”. Me futjen e tyre në listë të sanksioneve, prona e tyre kryesisht bllokohet dhe qytetarëve amerikanë u ndalohet të bashkëpunojnë me ta.  Këto sanksione ndaj serbëve janë mirëpritur nga liderë të institucioneve të Kosovës.

Në të kaluarën, Bashkimi Evropian disa herë kishte tërhequr vërejtjen se veriu i Kosovës është zonë e cila paraqet sfidë të veçantë sa i përket krimit të organizuar.

Por, kur Policia e Kosovës kishte dërguar në veri njësitë e saj speciale, në një operacion kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar, BE-ja ishte shprehur se duhet të evitohen “veprimet e njëanshme që çojnë deri te rritja e tensioneve”, duke thënë se për operacionin policor 13 tetorit, “nuk ka pasur koordinim”.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka quajtur lajm jashtëzakonisht të mirë vënien në listën e sanksioneve të ShBA-së të grupit të krimit të organizuar në veri, të udhëhequr nga Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq.

Haxhiu ka thënë se njerëz të këtij grupi nuk kanë pasur mbështetjen vetëm të Beogradit, por edhe të Prishtinës.

“Këto grupe kriminale, që hera herës priteshin edhe në zyret e institucioneve tona më te larta, fshihen prapa rezistencës që i bëjnë organeve të rendit për të sjell rend e ligj në atë pjesë të Republikës. Republika e Kosovës është e përcaktuar qartë në luftimin e kriminalitetit në çdo cep te saj, ndërkaq sanksionet e ShBA-ve mbi këto grupe kriminale tregojnë qartë adresat konkrete të vatrave të kriminalitetit që terrorizojnë qytetarët e asaj ane”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Serbia rifillon blerjen e armëve nga Rusia


Dy vjet pasi u paralajmërua se Serbia do të ndërpresë furnizimin me armë, zyrtarët janë duke kontraktuar dërgesa të reja nga Rusia. Këto marrëveshje vijnë në kohën kur të gjithë sytë janë të drejtuar nga Moska dhe tensionet në kufi me Ukrainën, por edhe pas disa paralajmërimeve të Perëndimit për bashkëpunimin ushtarak të Serbisë me Rusinë.

“Furnizimi në fushën e mbrojtjes është vendim kombëtar” – kështu i komentuan në NATO paralajmërimet e Serbisë për furnizim me armë ruse. Megjithatë, NATO bëri thirrje për ulje të tensioneve.

“Njëkohësisht, është me rëndësi që të gjitha palët të kontribuojnë në uljen e tensioneve në rajon dhe të kultivojnë paqe e stabilitet”, thuhet në deklaratën me shkrim të NATO-s, dërguar Radios Evropa e Lirë.

Aty theksohet se Serbia dhe NATO-ja janë partnere të afërta dhe se këtë vit u shënua 15-vjetori i anëtarësimit të Serbisë në Partneritetin për Paqe të NATO-s.

Serbia, siç kanë theksuar disa herë zyrtarët, është shtet ushtarakisht neutral, që nuk pretendon të anëtarësohet në NATO. Krahas bashkëpunimit ushtarak me Rusinë, Serbia bashkëpunon edhe me NATO-n përmes programit të Partneritetit për Paqe.

Krahas Kornetit edhe Panciri

Pas takimit me presidentin rus, Vladimir Putin, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 25 nëntor se nga Rusia në Serbi do të arrijnë së shpejti pajisje të reja ushtarake.

“Fjala është për Kornet, respektivisht pengesa të lëshuara për Kornet dhe raketa Kornet për mjete anti-tank. Jashtëzakonisht të rëndësishme për terrenin tonë”, deklaroi Vuçiq.

Më shumë detaje për këto furnizime, shtatë ditë pas takimit të Vuçiqit me Putinin, dha ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, pas takimit me ministrin rus të Mbrojtjes, Sergey Shoygu. Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se është rënë dakord për blerjen e sistemeve të reja të mbrojtjes kundërajrore (PVO) “Pancir S1” dhe raketave anti-tank “Kornet”.

Këto informata, megjithatë, nuk janë publikuar në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, lidhur me takimin Vulin-Shoygu. Po në të njëjtën ditë, Ambasada e Ukrainës në Beograd njoftoi mediat për rritjen e pranisë ushtarake ruse në kufirin e Ukrainës. Ndonëse në njoftim nuk përmendeshin furnizimet e reja të Serbisë me armatim rus, për të cilat njoftuan zyrtarët serbë, Ambasada e Ukrainës porositi qytetarët e Serbisë:

“Mos dëgjoni çfarë thotë Kremlini, shikoni çfarë bënë Kremlini”.

Në njoftim po ashtu përkujtohej aneksimi i Gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia, në vitin 2014. Për këtë veprim, Rusia ende ndodhet nën sanksionet e Bashkimit Evropian dhe të SHBA-së.

Shormaz: Nuk na duhet bashkëpunimi me Rusinë për mbrojtje

Dragan Shormaz, deputet nga Partia Përparimtare Serbe (SNS) me në krye Aleksandar Vuçiqin, tha për Radion Evropa e Lirë se Serbia nuk ka nevojë të bashkëpunojë me Rusinë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, marrë parasysh se përcaktimi i saj strategjik është anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

“Duhet ta përgatisim shtetin për këtë anëtarësim. Andaj, nuk na duhet bashkëpunimi strategjik me Rusinë”, tha Shormaz, i cili njëherësh është edhe shef i delegacionit të Parlamentit serb në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Ai tha se furnizimi me armatim nga Rusia dhe Kina, bazuar në vlerë, është dukshëm më i vogël në raport me furnizimet nga shtetet anëtare të NATO-s.

“Kjo është imtësi, nuk është ndonjë furnizim i madh dhe nëse e shohim çfarë ndodhi në këto 20 vjetët e fundit, por edhe në një apo dy vjetët e fundit, del se me pajisje dhe gjithçka tjetër që i duhet Ushtrisë së Serbisë, furnizohemi më shumë nga SHBA-ja dhe shtetet anëtare të NATO-së, sesa nga Rusia dhe Kina”, tha Shormaz.

Ai pranoi se qëndrime të këtilla në partinë e tij kanë pak anëtarë. Në pyetjen nëse ka mirëkuptim brenda partisë, nga e cila vijnë ministra dhe zyrtarë që angazhohen për rikthim të politikës së jashtme serbe kah Rusia, Shormaz u përgjigj:

“Derisa askush nuk më kritikon, do të thotë se ka njëfarë pajtimi, nëse jo përkrahje”.

Shuma rekorde që ndahen për mbrojtje

Paralajmërimi për blerjen e armatimit të ri nga Rusia u bë dy vjet pasi që vetë presidenti serb tha se Serbia nuk do të furnizohet më me armatim.

“Do të ketë reforma shtesë të ushtrisë sonë. Do ta bëjmë akoma më mobile dhe më të shpejtë”, deklaroi Vuçiq më 3 dhjetor të vitit 2019, në prag të udhëtimit në Rusi për një takim me Putinin.

Mjetet e Serbisë për blerjen e armatimit të ri, ndërkohë, janë shtuar. Sipas të dhënave nga Rrjeti i Ballkanit për Siguri – portal i specializuar për mbrojtje dhe siguri – brenda këtij viti, “buxheti serb për mbrojtje, për herë të parë, tejkaloi shifrën prej 1 miliard eurosh”.

Në tre vjetët e kaluar, Ushtria e Serbisë bleu nga Rusia pesë helikopterë Mi-17V-5, katër helikopterë luftarakë Mi-35M dhe sistemin raketor PVO “Pancir S1”.

Në po kaq vite, nga Evropa, nga kompania “Airbus” u blenë pesë helikopterë H-145M. Gjatë korrikut të vitit 2020, Serbia, mes tjerash, bleu nga Kina gjashtë fluturake pa pilotë CH-92A e më pas edhe sistemin mbrojtës raketor FK-3.

Çfarë po blen Serbia?

Sistemi rus raketor i artilerisë “Pancir S1” është i destinuar për mbrojtjen e objekteve nga operacionet e zbulimit dhe nga veprimet prej hapësirës ajrore. Në vitin 2019, Serbia bleu një bateri nga Rusia, e cila përbëhet nga gjashtë sisteme. Së voni, një e tillë u përdor në luftën në Siri.

“Panciri” arriti në Serbi vitin e kaluar, në disa pjesë, që u kompletuan në mars.

Për herë të parë në territorin e Serbisë, “Pancir S1” hyri në tetor të vitit 2019. Krahas sistemit raketor rus S-400, ai u prezantua gjatë një manovre të përbashkët ushtarake ruso-serbe. Edhe Brukseli, edhe Uashingtoni reaguan ndaj furnizimit të Serbisë me sistemin raketor rus. Në një deklaratë për Zërin e Amerikës, më 25 shkurt, 2020, zëdhënësi i përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se është e nevojshme që Serbia të harmonizojë politikën e saj të jashtme me politikën e bllokut evropian. Në po të njëjtën ditë, Departamenti amerikan i Shtetit, në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës, u bëri thirrje aleatëve dhe partnerëve “që të heqin dorë nga transaksionet me Rusinë, që do të mund të çonin në sanksione, në bazë të Ligjit për ballafaqim me kundërshtarët amerikanë nëpërmes sanksioneve (CAATSA)”.

Se sa i kushtoi Serbisë “Panciri” është një informatë, të cilën autoritetet po e mbajnë në fshehtësi, njëjtë sikurse shumicën e armatimit që Serbia e siguron nga Rusia. Po ashtu nuk dihet se me çfarë çmimi Serbia do t’i blejë nga Rusia raketat “Kornet”.

A është ushtria prioritet?

Redaktori i Rrjetit të Ballkanit për Siguri, Aleksandar Radiq, tha për Radion Evropa e Lirë se kur blihet armatimi, është e pamundur të shmanget konteksti politik.

“Dyshoj që këtu ekziston atmosfera e atillë që ushtria është prioritet i të gjitha prioriteteve dhe se vërtet ushtria e nevojat e saj janë motivi i vetëm, sepse deri më tani furnizimi me mjete ushtarake ishte i motivuar politikisht”, tha Radiq. Sipas tij, vlera e furnizimit me mjete ushtarake nga partnerët perëndimorë i tejkalon ato me Rusinë dhe Serbia, në këtë aspekt, po tenton që të bëjë njëfarë barazie. Pikërisht për shkak të bashkëpunimit me Rusinë, Serbia është në cak të kritikave nga Perëndimi, sepse si shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ajo nuk e ka harmonizuar ende politikën e saj të jashtme me atë evropiane.

Serbia refuzon që t’u bashkohet sanksioneve që BE-ja i ka vendosur ndaj Rusisë, për shkak të aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë, në vitin 2014. Për Dragomir Angjellkoviqin, analist politik nga Beogradi, rinovimi i marrëveshjes për furnizim me armë nga Rusia është logjik, sepse, sipas tij, “Serbia ka armatim rus në nivel dominues, respektivisht armatim të dikurshëm sovjetik”.

“Sipas mendimit tim, Serbia duhet të blejë mjete ushtarake nga shtetet që janë aleatë tonë në mbrojtjen e integritetit territorial, nga shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe e përkrahin Serbinë sa i përket çështjes së mbrojtjes së Kosovës”, tha Angjellkoviq.

Rusia dhe Kina, të cilat janë anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. I pyetur se si e komenton faktin se Serbia anon kah anëtarësimi në BE, derisa njëkohësisht thellon bashkëpunimin me Rusinë në fushën e mbrojtjes dhe vazhdon të blejë armë dhe mjete ushtarake nga Rusia, Angjellkoviq tha se Serbia nuk ka arsye që të ngarkohet me raportet mes Bashkimit Evropian dhe Rusisë.

“Do të ishte cinike që dikush që e njohu pavarësinë e Kosovës, të presë nga ne që të distancohemi nga Rusia, e cila po na ndihmon lidhur me Kosovën”, tha ai.

Rusia, aktualisht, është nën vëzhgim të vazhdueshëm të Uashingtonit dhe NATO-s, për shkak të tensioneve në raportet Moskë-Kiev. Derisa Perëndimi e akuzon Rusinë se po përgatit pushtim të ri të Ukrainës, Moska e mohon këtë. Zyrtarët e inteligjencës amerikane dhe figura të larta të ushtrisë ukrainase sugjerojnë se rreth 92 mijë ushtarë rusë tashmë janë vendosur në veri dhe lindje të Ukrainës dhe në Krime.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një intervistë në konferencën Reuters Next më 1 dhjetor, paralajmëroi Rusinë që të mos përdorë dhunë kundër Ukrainës dhe shtoi se Moska e di që do të paguajë çmim të lartë përmes sanksioneve dhe hapave të tjerë të Perëndimit, nëse vjen deri te çfarëdo agresioni.

Romani “Eskadronet e vdekjes” i Bardhyl Mahmutit, nje ngjarje e shenuar për letersinë shqipe


 Ka qenë një ndërmarrje shume e guximshme dhe jam i lumtur te pohoj sot se Bardhyl Mahmuti ia ka arritur, duke na dhënë një shembull te lavderueshem se gjuha shqipe është e aftë ta shprehë nje mizori të skajshme pa rënë në patetizëm.

 

Nga Besnik Mustafaj, shkrimtar

Romani “Eskadronet e vdekjes” i Mr.sci. Bardhyl Mahmuti eshte nje ngjarje e shenuar per letersine shqipe bashkekohore. Jane shkruar shume analiza historike si dhe libra me kujtime nga protagonistet lidhur me terrorin genocidal qe ushtroi regjimi i Milosheviçit mbi popullin shqiptar te Kosoves gjate dekades se fundit te shekullit XX. Keto botime kane dhe do te kene rendesine e tyre te pazevendesueshme per te rindertuar dhe sistemuar Historine dhe te verteten e saj si kujtese kolektive. Por, ne dijenine time, asnje shkrimtar nuk i eshte qasur ne keto permasa kesaj te vertete per ta rindertuar ate si lende romaneske. Ka qene nje ndermarrje shume e guximshme dhe jam i lumtur te pohoj sot se Bardhyl Mahmuti ia ka arritur, duke na dhene nje shembull te lavderueshem se gjuha shqipe eshte e afte ta shprehe nje mizori te skajshme pa rene ne patetizem. Nuk di ndonje rast tjeter letrar, ku gjuha shqipe te ishte vene ne nje prove te tille te madhe. Meritat i takojne romancierit Bardhyl Mahmuti. Dua te nenvizoj edhe nje aspekt tjeter ne kete shenim te shkurter. Dihet se Bardhyl Mahmuti ka qene pjesemarres aktiv ne keto ngjarje. Si romancier, ai duhej te perballej gjithe kohen e shkrimit me tundimin e “deshmitarit” te ngjarjeve. Ka qene nje kurth i madh ky. Po te kishte rene ne te, autori do e kishte renduar romanin pashmangshem me emocionet e veta, duke e ngushtuar dashje pa dashje driten qe hesh mbi te verteten njerezore, kombetare dhe politike te protagonisteve te romanit. Shmangia e ketij kurthi eshte nje fitore themeltare per romanin. Meriton vetem pergezime. I ftoj te gjithe miqte e mi ta lexojne dhe shpresoj se Bardhyl Mahmuti do te na vije serish me nje roman te ri.

2021-12-12

Pak gra në uniformë të FSK-së


Forca e gruas në sigurinë e Kosovës

No media source currently available

0:000:04:550:00

Forca e gruas në sigurinë e Kosovës

Në Kazermën “Minatori” të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Mitrovicë, nga rreth 400 ushtarë sa janë gjithsej, 37 prej tyre janë gra.

Në mesin e tyre është edhe 22-vjeçarja nga Skenderaj, Lirijona Bajraktari.

Ajo veshi uniformën në vitin 2019, kur edhe filloi transformimi i misionit të FSK-së nga civil në ushtarak.

“Mbajtja e armës është një përgjegjësi e madhe dhe, pavarësisht që jam e re në FSK, [kjo] është bërë një pjesë e jona edhe e aktiviteteve tona ditore që i kemi. Sigurisht që është ngarkesë, për shkak se shumë shpesh kemi trajnime që kërkojnë përgatitje të lartë, qoftë fizike, qoftë psikike, taktike... Edhe kemi marshime me pesha të rënda, kemi javë të tëra në terren”, rrëfen ajo.

Lirijona lindi më 1999 - në vitin kur përfundoi lufta e fundit në Kosovë.

Thotë se rrëfimet e prindërve për këtë pjesë të historisë, e frymëzuan që një ditë të betohet se do të shërbejë për popullin dhe Republikën e Kosovës.

“Si inspirim për t’u bërë ushtare, ka qenë historia të cilën e kemi kaluar... Në një mënyrë apo tjetër, çdonjëri nga ne është prekur nga historia e fundit. Kështu që kam menduar se ndoshta mënyra më e mirë për t’i shërbyer vendit, është pikërisht duke qenë pjesëtare e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, thotë ajo.

Lirijona, ushtarja e re e FSK-së, thotë se ka shumë paragjykime nëse gratë janë të afta për të qenë pjesëtare të ushtrisë.

“Mendoj se FSK-ja ka dhënë shumë shembuj të pjesëtareve të saj që i kanë sfiduar këto paragjykime. Kam qenë shumë me fat që kam pasur përkrahjen dhe mbështetjen maksimale nga familja ime”, thotë ajo.

Përpjekjet për të rritur përqindjen e grave në FSK

Nga rreth 2,500 sa është numri i përgjithshëm i pjesëtarëve të FSK-së, rreth 300 - apo 11 për qind - janë gra. Prej tyre, me grada kolonele, nënkolonele, majore e të tjera.

Shefi i Komunikimit Strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes, kolonel Sefer Isufi thotë për Radion Evropa e Lirë se kushtet për pranim në FSK nuk lidhen me gjininë, ndonëse thekson se janë bërë disa fushata për të rritur interesimin dhe aplikimin e grave.

“Koncepti i ndërtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës është vetëm në bazë të performancës, shkathtësive dhe aftësive profesionale që demonstron një pjesëtar i FSK-së, pa dallim a është burrë apo grua, pa dallim a është djalë apo vajzë”, thotë Isufi.

Komuna e Dragashit nuk ka asnjë grua në uniformë të FSK-së.

Brikena Avdyli nga Fondacioni Jahjaga, që promovon mundësitë e barabarta për të gjithë qytetarët e Kosovës, tregon se në tetor të këtij viti kanë organizuar një aktivitet me vajzat e Dragashit.

“Vajzat kanë mundur të shohin që ato mund të kyçen në këto profesione, jo detyrimisht ta sakrifikojnë jetën e tyre individuale. Policet edhe gratë në FSK kanë treguar se ato i kryejnë të gjitha punët e tyre dhe vazhdojnë të kthehen në shtëpi dhe të kujdesen për fëmijët, për familjen. Në fund [të aktivitetit], ne e bëmë pyetjen se a do të kishin pasur interesim vajzat në sallë ta konsiderojnë një profesion të tillë dhe goxha disa duar u ngritën”, thotë Avdyli. ​

Shpat Balaj, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), thotë për Radion Evropa e Lirë se Ministria e Mbrojtjes duhet të punojë më shumë për të rritur numrin e grave në FSK, e sidomos në pozita udhëheqëse.

Aktualisht, grada më e lartë që mban një grua në FSK është gjeneral brigade. ​

“Në përgjithësi, kjo sfera e mbrojtjes në Kosovë shihet si diçka që është ekskluzive për burra, e që realisht nuk është ashtu në praktikë. Prandaj, është shumë e nevojshme që përmes edukimit, edhe përmes përfshirjes sa më të gjerë të grave të thyhet kjo, ky perceptim... edhe të bëhen hapa përpara drejt përmirësimit të statistikave në përgjithësi, por gjithashtu edhe përfaqësimit në nivel strategjik të grave”, thotë Balaj.

Nga vendet e rajonit, në Serbi 20 për qind e pjesëtarëve të ushtrisë janë gra; në Shqipëri 18 për qind; në Mal të Zi 14 për qind. Vetëm në Maqedoni të Veriut, përqindja është më e vogël se në Kosovë - 9 për qind.

Një përqindje më të lartë të grave, Kosova e ka në policinë e saj. Nga 9,100 sa është numri i përgjithshëm i policëve, 15 për qind e tyre janë gra.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...