Millan Radoiçiq, Zvonko dhe Zharko Veselinoviq, Srgjan Vulloviq, Zhelko dhe Andrija Bojiq dhe Radulle Steviq – të gjithë serbë nga Kosova – janë vënë në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së. Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja, në kuadër të këtij departamenti, publikoi të mërkurën një listë të individëve dhe kompanive të tyre në vende të caktuara, që me një emër quhen “Shtetas të etiketuar në mënyrë të posaçme”.

Me futjen e tyre në listë të sanksioneve, prona e tyre kryesisht bllokohet dhe qytetarëve amerikanë u ndalohet të bashkëpunojnë me ta.

Sipas ueb-faqes së Departamentit amerikan të Thesarit, Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja menaxhon dhe zbaton sanksionet ekonomike dhe tregtare, bazuar në politikën e jashtme të SHBA-së dhe sigurinë kombëtare.

Sanksionet aplikohen kundër vendeve dhe regjimeve të huaja që janë në shënjestër, terroristëve, trafikantëve ndërkombëtarë të drogës dhe atyre që përfshihen në aktivitete që lidhen me përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë dhe me kërcënime të tjera për sigurinë kombëtare, politikën e jashtme ose ekonominë e Shteteve të Bashkuara.

Kush janë serbët e Kosovës të përfshirë në listë?

Lista e zezë përfshin Zvonko Vesellinoviqin dhe vëllain e tij, Zharko, të cilët, sipas agjencisë së lajmeve Reuters, Departamenti i Thesarit i akuzon se kanë bërë marrëveshje me politikanët për t’i ndihmuar partitë e tyre që t’i fitojnë zgjedhjet dhe se u kanë dhënë para kandidatëve.

Në këmbim, politikanët u kanë dhënë vëllezërve Vesellinoviq kontratat më të mira të infrastrukturës, informacione mbi pronësinë për t’i mbështetur investimet e tyre dhe kontroll mbi fusha të caktuara të biznesit të tyre, njoftoi Departamenti i Thesarit.

Sipas tij, në listën e sanksioneve, i lidhur me Zvonko Veselinoviqin është edhe Millan Radoiçiq, nënkryetar i partisë kryesore serbe në Kosovë – Lista Serbe.

Radoiçiq ka lidhje me vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq. Në listë është edhe Zhelko Bojiq, ish-shef i Operacioneve të Policisë së Kosovës për Veriun, i cili gjithashtu është i lidhur me vrasjen e Ivanoviqit dhe kërkohet nga institucionet e Kosovës.

Marko Roshiq, i akuzuar në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, është po ashtu në listë.

Në mesin e tyre është edhe Radulle Steviq, sipërmarrës serb nga veriu, i njohur për fitimin e shumë tenderëve të institucioneve të Kosovës, për projekte të ndryshme infrastrukturore në veri të Kosovës.

Lista përfshin edhe kompani të shumta nga Serbia dhe Kosova, të cilat janë të lidhura me disa nga të përmendurit më lart.

Në mesin e tyre janë shumë kompani që janë të lidhura me Zvonko Vesellinoviqin, si: “Dolly Bell” nga Beogradi, kompania për shitjen e automjeteve “Civija Komerc” nga Shabaci, kompania ndërtimore ‘INCOP’ nga Quprija, kompania e betonit “Aleksinac”, dyqani i pavarur “Prizma” nga Mitrovica e të tjera.

Në listë është edhe kompania “Doo Rad” e Radulle Steviqit në Zveçan, si dhe disa kompani të Millan Radisavleviqit dhe Sinisha Nedelkoviqit, raporton REL.

Kurti : Kjo vërteton legjitimitetin e veprimeve të Policisë së Kosovës në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur shumë të mirëseardhur vendimin që Millan Radoiçiq, Zvonko Veselinoviq dhe 11 serbë të tjerë nga Kosova, janë vënë në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të ShBA-së më 8 dhjetor.

Sipas Kurtit, kjo vërteton legjitimitetin e veprimeve të Policisë së Kosovës javë më parë në komunën veriore të Mitrovicës kundër kontrabanduesve të mallrave ilegale.

“Vendimi i sotëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës vërteton legjitimitetin e veprimeve të Policisë së Kosovës javë më parë në komunën veriore të Mitrovicës kundër kontrabanduesve të mallrave ilegale. Lidhjet e bashkëpunimit ndëretnik të grupeve kriminale dhe fushëveprimit të tyre transnacional do t’i luftojmë nëpërmjet bashkëpunimit të zyrtarëve të institucioneve tona pa dallim etnie dhe bashkëpunimit ndërkombëtar me aleatët e partnerët tanë. Krimi i organizuar është rrezik i sigurisë kombëtare. Republika e Kosovës është e të gjithë qytetarëve të saj. Qeveria e Republikës së Kosovë ka prioritet luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka shkruar kreu i ekzekutivit kosovar në rrjetin social “Facebook”.

Borrell mirëpret sanksionet e SHBA-së ndaj serbëve të Kosovës

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, mirëpriti sanksionimin e disa serbëve nga Kosova, të cilët, sipas Shteteve të Bashkuara janë pjesë e një grupi të krimit të organizuar.

Ai tha se vendosja e sanksioneve ndaj disa serbëve nga Kosova, është hap i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor.

“Shkatërrimi i rrjeteve kriminale transnacionale kontribuon në sigurinë, stabilitetin dhe përmirëson sundimin e ligjit në mbarë rajonin. BE-ja është plotësisht e angazhuar në arritjen e këtij synimi të përbashkët”, tha Borrell.

Veselinoviq bashkëpunonte me zyrtarë të Kosovës

Millan Radoiçiq, Zvonko Veselinoviq dhe 11 serbë të tjerë nga Kosova, janë vënë në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të ShBA-së më 8 dhjetor.

Në komunikatën e Departamentit amerikan të Thesarit, Veselinoviq identifikohet si udhëheqësi i grupit të krimit të organizuar dhe gjithashtu si një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë.  Grupi i krimit të organizuar, sipas këtij Departamentit, është e angazhuar në një skemë ryshfeti në shkallë të gjerë me zyrtarë të sigurisë kosovare dhe serbe.

Sipas tyre, përmes ryshfetit, lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Grupi gjithashtu ka komplotuar me politikanë të ndryshëm në disa marrëveshje quid pro quo, duke përfshirë ryshfetin në fillim të vitit 2019 të zyrtarëve kosovarë të sigurisë për të lejuar operacionet e tyre të kontrabandës ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe ryshfetin e fundit të vitit 2017 të zyrtarëve kosovarë të sigurisë kufitare për të lejuar kalimin e sigurt për kontrabandistët”, thuhet në këtë komunikatë.

Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja në kuadër të këtij Departamenti, publikoi të mërkurën një listë të individëve dhe kompanive të tyre në vende të caktuara që me një emër quhen “Shtetas të etiketuar në mënyrë të posaçme”. Me futjen e tyre në listë të sanksioneve, prona e tyre kryesisht bllokohet dhe qytetarëve amerikanë u ndalohet të bashkëpunojnë me ta.  Këto sanksione ndaj serbëve janë mirëpritur nga liderë të institucioneve të Kosovës.

Në të kaluarën, Bashkimi Evropian disa herë kishte tërhequr vërejtjen se veriu i Kosovës është zonë e cila paraqet sfidë të veçantë sa i përket krimit të organizuar.

Por, kur Policia e Kosovës kishte dërguar në veri njësitë e saj speciale, në një operacion kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar, BE-ja ishte shprehur se duhet të evitohen “veprimet e njëanshme që çojnë deri te rritja e tensioneve”, duke thënë se për operacionin policor 13 tetorit, “nuk ka pasur koordinim”.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka quajtur lajm jashtëzakonisht të mirë vënien në listën e sanksioneve të ShBA-së të grupit të krimit të organizuar në veri, të udhëhequr nga Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq.

Haxhiu ka thënë se njerëz të këtij grupi nuk kanë pasur mbështetjen vetëm të Beogradit, por edhe të Prishtinës.

“Këto grupe kriminale, që hera herës priteshin edhe në zyret e institucioneve tona më te larta, fshihen prapa rezistencës që i bëjnë organeve të rendit për të sjell rend e ligj në atë pjesë të Republikës. Republika e Kosovës është e përcaktuar qartë në luftimin e kriminalitetit në çdo cep te saj, ndërkaq sanksionet e ShBA-ve mbi këto grupe kriminale tregojnë qartë adresat konkrete të vatrave të kriminalitetit që terrorizojnë qytetarët e asaj ane”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.