Kreu i misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport ka vizituar Manastirin e Deçanit me Igumenin Sava Janjiq. Ai ka thënë se presin që tokat ngjitur me Manastir të regjistrohet si pronë e Manastirit në përputhje me sundimin e ligjit.

 

“Misioni i OSBE-së në Kosovë do të mbështesë Kishën Ortodokse Serbe për të ruajtur trashëgiminë e saj kulturore dhe fetare në Kosovë ndërsa ne presim që toka ngjitur të regjistrohet si pronë e Manastirit në përputhje me sundimin e ligjit”, thuhet në shkrimin e tij në Twitter.
Ndërsa, Ambasadat e vendeve të QUINT-it kanë kërkuar nga Qeveria që ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 për regjistrimin e tokës së Manastirit të Deçanit.
Përmes një deklarate të përbashkët, ata thonë se provë kryesore e vendosmërisë së qeverisë së re është zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për tokën e Manastirit të Deçanit.
“Më 22 mars, qeveria e re është emëruar me mandat të fuqishëm për reforma dhe respektimin e sundimit të ligjit. Një nga provat kryesore të vendosmërisë së tij do të jetë zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, i marrë në maj 2016 mbi regjistrimin e tokës së Manastirit të Deçanit. Respektimi i sundimit të ligjit është detyrim për të gjitha qeveritë. Shefat e misioneve të të Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe SHBA-së inkurajojnë fuqishëm Qeverinë e Kosovës që pa vonesa të mëtejshme të vazhdojë me regjistrimin ligjor në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në deklaratë.

E, shefi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka kritikuar institucionet e Kosovës, pasi thotë se nuk po zbatohet vendimi i Kushtetueses lidhur me Manastirin e Deçanit. Szunyog ka thënë se vendimi nuk po zbatohet edhe pesë vjet pas verdiktit të Kushtetueses.

Së fundmi, organizata “Europa Nostra” e ka përfshirë Manastirin e Deçanit në listën e monumenteve më të rrezikuara në Evropë.