Sot mbushen 22 vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes për demilitarizimin e UÇK-së, ku janë përfshirë në detaje fazat e dorëzimit të armëve, mbajtjes së uniformave, kalimin e një pjese të pjesëtarëve të UÇK-së në polici dhe administratë publike, etj.

Në marrëveshje ishte paraparë formimi i Ushtrisë së Kosovës në vijat e Gardës Kombëtare të SHBA-ve, duke marrë parasysh Marrëveshjen në Rambuje.

E gjithë kjo fazë ka pasur një periudhë 90 ditësh pas së cilës është bërë demilitarizimi i plotë i UÇK-së dhe në shtator 1999 është nënshkruar marrëveshja për formimin e TMK-së, jo si forcë ushtarake, siç ishte paraparë në këtë marrëveshje, por si forcë reaguese në rast të katastrofave natyrore.

Nënshkrues të kësaj marrëveshjeje figurojnë: Hashim Thaçi në pozitën e kryekomandantit të UÇK-së, Agim Çeku në pozitën e shefit të shtabit të UÇK-së dhe është pranuar nga gjenerallejtënant, Mike Jackson, komandant i KFOR-it .

Më poshtë po e publikojmë tekstin e plotë të marrëveshjes të arritur më 21 qershor 1999.

Teksti i plotë i dokumentit:

PËR DEMILITARIZI MIN E UÇK-së

Të dielën në mbrëmje është nënshkruar teksti i dokumentit të demilitarizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të nënshkruar nga Kryekomandanti i UÇK-së, Hashim Thaçi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së Agim Çeku dhe komandanti i KFOR-it, gjenerallejtënanti Mike Jackson. Në vazhdim është teksti i plotë i këtij dokumenti.

  1. a) UÇK-ja përfshin tërë personelin brenda Kosovës, e që është nën kontroll të UÇK-së, me aftësi militare apo paramilitare dhe grupet e tjera apo individët të përcaktuar si të tillë nga Komandanti i KFOR-it.

UÇK-ja, ka në plan që të punojë në përputhshmëri me kushtet e parashikuara në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe në këtë kontekst që komuniteti ndërkombëtar të marrë parasysh kontributin e UÇK-së, gjatë krizës së Kosovës dhe në bazë të kësaj të marrë në konsideratë se:

  1. a) T ë pranojë se derisa UÇK-ja dhe strukturat e saj, janë në proces të transformimit, është e zotuar që të propozojë pjesëtarë aktuale individual që të marrin pjesë në forcat policore dhe të administrimit në Kosovë, duke gëzuar konsideratë të posaçme për përvojën që kanë zhvilluar.
  2. b) Formimi i Ushtrisë së Kosovës në vijat e Gardës Kombëtare të SHBA-ve, si pjesë e procesit politik e cila do të duhet të vendosë për statusin e Kosovës në ardhmëri, duke marrë parasysh Marrëveshjen në Rambuje.

Iniciativa e demilitarizimit të UÇK-së

Kjo iniciativë mundëson armëpushim të UÇK-së, mos angazhim të tyre në zonat e konfliktit, demilitarizim subsekuent dhe rintegrim në shoqërinë civile në përputhje me kushtet e Rezolutës së KS të OKB-së 1244 dhe duke marrë parasysh obligimet e marra në Rambuje dhe zotimet publike të delegacionit shqiptar në Rambuje.

UÇK-ja merr iniciativë, që të heq dorë nga përdorimi i forcës, që t’i përmbushë direktivat e Komandantit të forcës ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë (COMKFOR) dhe që në mënyrë paqësore t’i zgjidh të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me implementimin e kësaj iniciative.