Një influencues dhe trajner i fitnesit, i cili ishte shprehur se sipas tij “COVID-19 nuk ekzistonte” ka vdekur në moshën 33 vjeçare, pasi ishte infektuar me coronavirus gjatë një udhëtimi për në Turqi.
Dmitriy Stuzhuk ishte lëshuar nga spitali në Ukrainë (vendi i tij i lindjes), pasi ishte testuar pozitiv – por më pas ai u dërgua sërish me urgjencë pasi shëndeti i tij u përkeqësua me shpejtësi.
Për një milion ndjekësit e tij në rrjetin social Instagram, 33-vjeçari u duk shumë i aftë ndërsa promovonte sportet dhe jetën e shëndetshme, shkruan The Sun.
Por ish-gruaja e tij dhe nëna e tre fëmijëve të tij, Sofia Stuzhuk, 25 vjeçare, e cila njoftoi vdekjen e tij, tha se coronavirusi kishte shkaktuar komplikime në zemër.
Pasi u sëmur, ai u kishte publikuar fansave të tij një fotografi me mbishkrimin: “Unë dua të tregoj se si u sëmura dhe t’i paralajmëroj me forcë të gjithë”.
“Unë isha ai që mendova se COVID nuk ekziston, derisa u sëmura”, shtoi ai.
Influencuesi vazhdoi të shpjegonte: “COVID-19 nuk është sëmundje e shkurtër! Dhe është i rëndë”.
Dmitriy u zgjua në Turqi me një qafë të fryrë dhe vështirësi në frymëmarrje, siç tha ai.
Kur ishte përsëri në Ukrainë, ai u testua pozitiv dhe u shtrua në spital.