Agjencioni floripress.blogspot.com

2021/12/26

Botohet romani “Ëndërr në pallatin e kuq”, vepra më klasike në Kinë vjen në gjuhën shqipe. Ymeri: Është gurthemel i letërsisë kineze

 


“Ëndërr në pallatin e kuq”, një prej veprave më të njohura të letërsisë klasike kinezë ka ardhur tashmë në shqip, duke zbuluar një autor të madh të një letërsie ndryshe dhe të një kulture larg prej perëndimit.

Botuesi Petrit Ymeri tha se kjo vepër është e përkthyer në mbi 30 gjuhë në Europë e më gjerë. “Është një nga ato vepra që edhe vetë specialistët e letërsisë në Kinë e cilësojnë si një nga gurthemelet e letërsisë klasike kineze”, tha Ymeri.

Pedagogia Lili Sula tha se “Ëndrrat në pallatin e kuq”, përqendrohet në jetën e një familjeje të madhe dhe të pasur në Pekin të ndarë në dy degë.

“Pallati perandorak me bukuritë e tij mahnitëse, traditat ceremoniale, tempujt budistë, murgjit taoistë, gjykatat e shumta dhe me peshën e rëndë të kryeqytetit zyrtar administrativ, janë disa prej stacioneve letrare të këtij rrëfimi”, u shpreh Sula.


“’Ëndrra në pallatin e kuq’ është një nga veprat më të njohura kineze. Një ndër veprat më të famshme dhe më me ndikim të letërsisë klasike dhe romani im më i preferuar klasik”, deklaroi ambasadori kinez.

Veprat janë përkthyer nga Diana Çuli dhe Venera Domi.

25 vepra në shqip nga letërsia kineze

 Projekti për të përkthyer më shumë letërsi dhe autorë të rëndësishëm nga Republika Popullore e Kinës në gjuhën shqipe dhe po ashtu autorë dhe tituj nga letërsia shqipe në gjuhën kineze, tashmë po bëhet realitet

U nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi për përkthimin dhe botimin e letërsisë, midis zëvendësministrit Song Mingchang dhe Petrit Ymerit, kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë. Në këtë marrëveshje parashikohet që brenda 5 vjetëve të përkthehen dhe të botohen jo më pak se 50 tituj (25 për secilën gjuhë) nga autorë të njohur dhe vepra të shquara të letërsisë së dy vendeve.
Kjo falë një bashkëpunimi midis Shoqatës së Botuesve Shqiptarë dhe Administratës Shtetërore të Shtypit, Botimit, Radios, Filmit dhe Televizionit të Republikës Popullore të Kinës (State Administration of Press, Publication, Radio, Film and Television of the People’s Republic of China).
Për këtë, të dyja palët kanë ngritur grupe specialistësh për përzgjedhjen e titujve dhe autorëve dhe shumë shpejt do të fillojë puna konkrete për realizimin e këtij projekti shumë të rëndësishëm. Të hënën paradite u zhvillua takimi i parë zyrtar midis Shoqatës së Botuesve Shqiptarë dhe Administratës Shtetërore të Shtypit, Botimit, Radios, Filmit dhe Televizionit të Republikës Popullore të Kinës, ku ishte e pranishme edhe ambasadorja e Republikës së Kinës në Shqipëri, znj. Jiang Yu dhe një grup specialistësh kinezë dhe shqiptarë.

Pse u dënua Gjergj Fishta?

 





Si dhe pse u dënua At Gjergj Fishta në konferencën e Tretë të Lidhjes së Shkrimtarëve në vitin 1949? Një dosje e këtij viti ruajtur në AQSh me materiale mbi përgatitjen e kësaj konference përmbledh një mori dokumentesh ku dëshmohet se si po zyrtarizohej nga viti në vit ‘historia e re’ e letërsisë shqipe.

Ndër tezat që po përgatiteshin të diskutoheshin në Konferencën e III-të të Lidhjes parashtrohet dhe kjo analizë mbi veprën dhe aktivitetin e At Gjergj Fishtës, pa autor në fund, ku argumentohet paragraf pas paragrafi se pse ky autor duhej zhdukur njëherë e mirë nga historia e letërsisë shqipe dhe cila ishte fryma “armiqësore” në veprat e tij.

“Gjuha që përdor Fishta është gegërishtja më e egër dhe më e zorshmja për t’u kuptuar. Një gegërishte më e egër s’është shkruar që nga Lidhja e Prizrenit e këtej. Ai me këtë kërkon të luftojë fanatikisht tendencën që kishte marrë gegërishtja t’i afrohet toskërishtes në kohën e Rilindjes, me Vaso Pashën, Filip Shirokën e më vonë me Luigj Gurakuqin…”

Kështu shkruhet në një paragraf të kësaj analize, duke përfunduar pak më poshtë me një varg konkluzionesh mbi pikat, se ku dhe pse duhej dënuar ky autor që nuk i shkonte për shtat regjimit të ri komunist që po instalohej në Shqipëri.

Pjesë nga tezat e Konferencës së Tretë të Lidhjes së Shkrimtarëve

Mrizi i Zanave

– Fishta vijën e tij politike, përmbajtjen poetike, nuk e ndryshon as në vjershat e tij lirike, dhe as që mund ta ndryshonte. Edhe këtu ai u ngre himne feudalizmit dhe imperializmit; edhe këtu ai vjell vrer kundër popujve fqinj, sidomos kundër sllavëve; edhe këtu ai do t’i ngrejë himne “Mbretit”.

Lirikat e Mrizit të Zanave janë në përgjithësi një jehonë e “Lahutës”. Gjenden këtu edhe disa lirika me subjekt jo politik, si “Burrnija”, “Dita e Gjyqit”, “Nji lule vjeshtet”. Në subjekte të tilla Fishta zakonisht bie në retorikë, në reklamacion, në reminishenca dhe imitacione të thata.

Fishta ndjen dhe këndon vetëm ashtu siç është edukuar; ndjen e këndon gjëra të klasës dhe të klikave që e kanë rritur, që e kanë mësuar dhe e kanë madhëruar me dekoratat e titujt “Poet Kombëtar”, “Akademik” etj. si poet lirik Fishtën përgjithësisht nuk e kishte pranuar as kritika zyrtare e së shkuarës; kjo do të thotë se lirika e tij klasës sunduese nuk i kishte sjellë shërbime aq të mëdha siç kishte bërë “Lahuta”.

Aq më pak prandaj do ta pranojmë ne sot Fishtën si poet lirik, kurse lirizmi i tij ose është një jehonë helmuese e “Lahutës”, ose është retorik dhe imitacion i thatë i poetëve të huaj.

Këtë mund ta shohim qartë në lirikën e tij “Nji lule vjeshte” ku Fishta ka imituar njëkohësisht Leopardin, Horacin, Manzonin, Montin dhe Foscolo. Bile në disa vargje ai edhe i ka përkthyer fjalë për fjalë këta poetë. Gjithashtu në lirikat “Burrnija” dhe “Dita e Gjygjit” ai me një retorikë bombastike është përpjekur të imitojë madhështinë universale të koncepteve artistike të Michel Angelo-s, por krijimi personal i tij nuk shihet në to.
Anzat e parnasit dhe Gomari i babatasit

– Në këto dy vepra përmblidhet satira e Fishtës. Është thënë shumë herë, e ndonjëherë edhe në kohën tonë revolucionare, se Fishta si poet satirik është një poet me vlerë dhe si i tillë do të mbetet.

Kjo ide është shumë e gabuar. Në Fishtën ka kontradikta, këtë askush nuk e mohon as që mund ta mohojë, sepse vetë vija politika që ai ndjek në zgjedhjen e temave dhe në trajtimin e tyre, është plot me kontradikta.

Ajo është vija politike e imperializmit dhe e klasave sunduese në procesin historik të vendit tonë. Dhe dialektika ne na mëson se imperializmi dhe klasat sunduese jetojnë si parazitë mbi kontradiktat. Kontradiktat zhduken në sistemin shoqëror ekonomik dhe politik veç me zhdukjen e klasave, e për konsekuencë edhe në art vetëm atëherë do të mund të zhduken këto kontradikta.

Mbi sistemin e kontradiktave më të çuditshme ishte rritur, rronte dhe këndonte Fishta. Është një çudi pra në qoftë se e shohim Fishtën në disa momente të ngrihet dhe të satirizojë Turqinë, Italinë, Anglinë ose ndonjë tjetër shtet imperialist. Ai këto shtete të tjera herë edhe i ka lëvduar. Kështu ai vepronte sipas momentit, sipas situatës politike, sipas interesave të klasës sunduese për të cilën këndonte. Kështu p.sh. të mos çuditemi aspak kur Fishta në poemën heroike-komike “Palok Cuca” vërsulet kundër Italisë dhe shtëpisë Savoia, sepse po ai Fishtë shtëpisë Savoia më 1940 do t’i urojë fitore glorioze në telegramin që i drejton Viktor Emanuelit me rastin e 40-vjetorit të mbretërimit të tij.

Asnjë çudi në qoftë se shohim Fishtën të ngrihet dhe të kritikojë qeverinë e Tiranës në “Gomarin e Babatasit”. Ai këtë bënte në një moment kur Zogu dhe klika e tij po mendoheshin dhe s’po vendosnin dot se cilit imperializëm t’i shiteshin, kurse një klikë tjetër tradhtare, ku bënte pjesë edhe Fishta kishte vendosur që Shqipëria t’i shitej Italisë dhe donte që hapi i parë të fillonte pikërisht aty ku është baza e independencës së një shteti të pavarur, d.m.th. në ekonomi. Ja se ç’thotë Fishta në “Gomarin e Babatasit”:

“Vall, traktatit të tregtis
N’mjest’Shqypnis – edhé Italis,
Qi tash ma se nji motmot
Kjé ba gati, pse dér m’sot
Qeverija s’i vu’ dorë,
Por la fushë edhé malcorë
Me u tha ujet t’ngatët e shpija,
Ke s’u ban pare baktija?…”
(Gomari i Babatasit…, f. 45)
Natyrisht për realizimin e politikës së shitjes së vendit te të huajt duhej vajtur edhe më tutje, duheshin sjellë të huaj që në fillim të ekzistencës së shtetit të ri për t’u futur kudo në administratë, për t’i përgatitur terrenin okupacionit. Ja këshillën që i jep Fishta shtetit të ri shqiptar me satirën tij:
“Për me siellë punët t’ona mbarë,
Ktu duen siellë njerz dijetarë
Prej Europet: profesorë
Edhe eksperta: e ktyne n’dorë
Me jau lshue administratën…”
(Gomari i Babatasit…, f. 55)
Klasës sunduese dhe klikave tradhtare, poeti i të cilave është Fishta, pas Luftës së Parë Botërore kishte mbetur vetëm një padron me të cilin punët u ujdisnin mirë: Italia imperialiste.

Dhe Zogu, përfaqësuesi i kësaj tradhtie të re, nga më të mëdhatë e më të poshtrat që u bënë ndonjëherë në kurriz të popullit shqiptar, ia mbaroi Fishtës që të dyja këto amanete: i dha koncesione ekonomike Italisë, dhe aparatin e shtetit e mbushi me të ashtuquajturit këshilltarë italianë të cilët në bashkëpunim me agjentë të brendshëm si Fishta me shokë i përgatiti popullit shqiptar ditën e zezë të 7 prillit 1939. Pasi Zogu i bëri këto Fishta s’e kritikoi më as atë as xhelatët e tij; për më tepër bile u bë mik i ngushtë i tij, shkroi artikuj lavdërimi për monarkinë e tij, dhe në pallatin e tij hyri e doli si në shtëpinë e vet.

Ja ku qëndron e ashtuquajtura vlerë e kritikës politike që bën satira e Fishtës: kritiko sot atë që s’të vete pas interesit për t’u bërë mik i ngushtë nesër me të në rast se interesat bashkohen. Ja morali, ja parimet mbi të cilat mbështetet edhe satira e Fishtës.

Do të ishte gabim i madh sikur ndokush të donte të pranojë satirën e Fishtës sot si një gjë pozitive: ata që duan të bëjnë një gjë të tillë Fishtën ose nuk e kanë studiuar thellë dhe flasin kështu sipërfaqësisht mbi të, ose e bëjnë këtë gjë me qëllim për t’i lënë kështu Fishtës edhe sot ndonjë qoshe të lirë në literaturën tonë.

Fishta ka qenë konsekuent kudo e kurdoherë në prodhimin e tij letrar me vijën politike e ideologjike që ka ndjekur klasa sunduese e vendit tonë për të cilën ai ka kënduar. Përmbajtja e veprave të tij që nga pjesa e parë e “Lahutës” që u botua më 1905 e gjer në fund të jetës së tij përfaqëson aktivitetin tradhtar të politikës së kësaj klase, me të gjitha lodrat, kapërcimet dhe zigzaget e saj.

Satira shoqërore e Fishtës merret me vese bujarësh të rënë nga gjendja, me vese grash e të tjera punë boshe, dhe është trajtuar në mënyrë që s’lë ndonjë gjurmë kritike konstruktive për shoqërinë.
Arti, stili dhe gjuha
– Natyrisht arti i Fishtës është lidhur ngushtësisht me përmbajtjen e veprave të tij. Prozopopeja, hiperbola, metafora dhe deklamacioni i fjalëve bombastike të shurdhojnë veshët në gjithë poezinë e tij. Natyrisht ai detyrohet të veprojë kështu, pse nën këto ai do të mbulojë figurat e tij jo reale, situacionet fantastike të ngjarjeve, shproporcionet e heronjve të tij antihistorikë. Fishta nuk mund të ishte i natyrshëm, realist në artin e tij. as lënda që ai trajtonte, as shkolla ideologjike dhe estetike ku ai kishte mësuar s’ia lejonin një gjë të tillë.

Lënda që ai trajtonte është një gënjeshtër e madhe. Me këtë ai do t’ua arrijë qëllimeve që janë në kundërshtim me të vërtetën, dhe prandaj arti dhe stili i tij detyrohen të bëjnë përpjekje për të gjetur ekspresionin e tyre jashtë natyrës: Kështu patjetër arti i tij në përshtatje të plotë me përmbajtjen, karshi realitetit të gjërave dhe të historisë njerëzore, ta sublimojë në trajta mbinjerëzore, bie në komicitet; karshi armikut që ai kërkon ta gjejë atje ku s’ekziston, dhe ta luftojë me fanatizëm prej kleriku inkuizitor, bie në monstruozitet. E tërë “Lahuta” e tij është ekzekutuar me një art dhe me një stil të tillë.

Dhe kjo për Fishtën kishte konsekuencë: bazat e artit, ideologjia, ndjenja dhe fantazia e tij ishin edukuar dhe ushqyer shtrembër në gjithë jetën e tij; domosdo shtrembër do të dilte edhe veshja e tyre artistike dhe stilistike. Nuk mund të këndohet realisht e natyrshëm falsiteti dhe e çnatyrshmja, nuk mund të këndohet bukur e keqja dhe monstruoziteti.

Metrika që ai përdor zakonisht është e thjeshtë: e tërë “Lahuta” e tij është shkruar me 8-rrokëshe që i kanë aksentët tonike mbi rrokjen e tretë dhe të shtatë. Në lirikat e në satirën e tij ai ka përdorur edhe vargje të tjera që nga 3-rrokëshi e gjer te 11-rrokëshi. Përgjithësisht metrikën ai e njeh mirë, por gjuha e rëndë që përdor e bën të zorshëm leximin dhe skandimin e vargut të tij. Stili i prozës së tij është i rëndë dhe i ngatërruar, sepse periudha e tij kërkon të ndjekë modelin e periudhës klasike latine dhe italiane, pa marrë parasysh natyrën e thjeshtë të gjuhës sonë.

Gjuha që përdor Fishta është gegërishtja më e egër dhe më e zorshmja për t’u kuptuar. Një gegërishte më e egër s’është shkruar që nga Lidhja e Prizrenit e këtej. Ai me këtë kërkon të luftojë fanatikisht tendencën që kishte marrë gegërishtja t’i afrohet toskërishtes në kohën e Rilindjes, me Vaso Pashën, Filip Shirokën e më vonë me Luigj Gurakuqin. Edhe me anë të gjuhës Fishta bën lodrën e klasës sunduese dhe të armiqve të jashtëm të vendit tonë: hap hendekun e përçarjes edhe më tej se ç’e kishte hapur vetë koha e okupacionit turk.

d) KONKLUZION. – Fishta që e filloi karrierën e tij politike me kompromis karshi okupatorit otoman me himne lavdie dhe dashurie karshi imperialistëve të rinj që po i kërcënoheshin vendit tonë me urrejtje egërsie karshi popujve fqinj, me sublimin të feudalizmit e të patriarkalizmit, me mospërfillje për popullin që shtypej nën një mijë mjerime, Fishta qe ai që realizoi në literaturë të tërë vijën e reaksionit më të tërbuar të vendit tonë. Për këtë meritë, klasat sunduese që morën në dorë sundimin ekonomik dhe politik pas çlirimit të Shqipërisë nga zgjedha otomane, Fishtën e pagëzuan “Poet Kombëtar”. Për këtë meritë të tijën padronët e tij, perandorët, mbretërit dhe papët i dhanë dekorata e tituj akademikë.

Për këtë edhe kritika zyrtare e servilizmit dhe e konformizmit letrar të kohës së Zogut “Poetin Kombëtar” të njëmijë flamurëve e rrethoi me aureola, me thimjane e dafina, dhe veprën e tij të shëmtuar e quajti “epokë letrare”. Klasa sunduese dhe imperialistët e ndryshëm kishin të drejtë ta shpërblenin Fishtën, sepse ai këndoi për të gjithë jetën e tij, vu në dispozicion të tyre të gjithë energjinë e tij artistike dhe kulturore, zhvilloi për to një aktivitet të dendur politik.

Vepra e tij mbetet një dokument tradhtie të pashembullt në literaturën tonë: tradhti karshi independencës së vendit dhe lirisë së popullit. Mbetet një dokument elokuent për egërsinë e mizorinë e mjeteve me të cilat klasat sunduese kanë zakon të realizojnë shtypjen e shfrytëzimin e popujve. Mbetet një dokument barbarie e kanibalizmi, karakteristikë e klerikëve inkuizitorë të Mesjetës.


11:28
29 dhjetor


   

2021/12/24

Shqiptarët me Berishën po përpiqen të mos ripërsërisin historinë e Enverit

.



Duhet të ketë ndodhur kështu edhe 77 vite më parë, kur Enver Hoxha, pasi me gënjeshtra e intriga u ngjit në krye të partizanëve, nisi të krijojë realitetin më të rremë për një popull të tërë. Për të realizuar kafazin që ëndërronte, bëri disa hapa që të mos kishte dëshmitarë: Duhet të zhdukte njerëzit me mend në kokë, aleatë, shtete, që logjikonin skandalozisht me kokën e tyre dhe gënjeshtra nuk i hynte që nuk i hynte në mendje. Ishin të rrezikshëm njerëzit që kishin studiuar jashtë, ata që kishin krijuar një mirëqënie, pasi dija dhe mirëqënia të japin liri dhe për një gënjeshtar që synon të bëhet sundues, kjo gjë nuk shkon: gënjeshtra dhe manipulimi nuk ngjisin aty ku ka dije dhe liri.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anglia me gjithë ndihmën në kohë të luftës, ishin tepër të rrezikshme dhe ato: Liria dhe demokracia ishin një ves që nuk mund të pranohej dhe i dëmshëm për të pasur ushtarë pa ligjikë dhe mendje. Pastaj se si shkuan punët, sidomos ne që jetuam në atë kohë e dimë, të rinjtë mund të shkojnë e të informohen në muzeumet e shumta që kemi sot.

Sali Berisha, që në ditët e para të ngjitjes së tij në pushtet u përpoq të bënte të njëjtat gjëra: eliminim kundërshtarësh, nënshtrim të drejtësisë, përkëdhelje pa kufi për mbështetësit, krijim klani dhe sulme të egra ndaj kujt nuk pranonte bindje. Dhe taktika i funksionoi për 30 vite. Njeriu me më shumë mëkate të pagjykuara asnjëherë, vazhdon të ketë edhe sot humusin e tij personal që në rrethana të tjera do ta bënte një Enver të dytë.

Sharra në gozhdë i ngeci vetëm nga amerikanët, ata “Imperialistët” e Enverit të tij, nuk dihet ende për ç’arsye magjike, e panë lakuriq. Diçka, ende e paqartë për ne të gjithë, bëri që SHBA-të të shohin te ky dashnor i tolitarizmit, më të eturin dhe të egrin njeri politik. Dhe vetëm pas këtij vizioni, që për mrekulli u përputh me ëndrrën dhe dëshirën e shumicës së shqiptarëve për ta parë larg vendimmarrjeve dhe drejtimit një individ të tillë, po bëhet mrekullia në Shqipëri: Të gjithë Berishën dhe të tijët, po i shohin lakuriq! Sikur, të njëjtat rrethana të kishin ndodhur në Shqipërinë e 1944, nuk do të kishim pasur diktaturën më të egër të ish- bllokut socialist.

Alba Malltezi 

Jeta sekrete e Enver Hoxhës, zbulohet puna si kamerier dhe orator në varrime

 


Enver Hoxha


Enver Hoxha kthehet në Shqipëri. Pas dështimit të studimeve në Francë dhe Belgjikë dhe heqjes nga puna si kancelar në legatën shqiptare në Bruksel, i riu Hoxha nis “karrierën” e re në vend: Atë të oratorit nëpër varrime, kryesisht të patriotëve.

Paralelisht punonte edhe si kamerier. Kështu shkruhet në librin e rrallë për Enver Hoxhën nga autori francez me origjinë hungareze, Thomas Schreiber, nga i cili Gazeta “Panorama.al” ka përkthyer dhe sjell për lexuesit e saj pjesët më interesante nga jeta rinore e atij që do të bëhej diktatori i ardhshëm i Shqipërisë.


Jemi ndalur kryesisht në tri vitet e studimit në Monpelie (Montpellier), biseksualitetin e tij, transferimin në Sorbonë dhe më pas në Belgjikë, ku nisi punë si kancelar. “Enver Hoxha – sulltani i kuq” është biografia e ish-udhëheqësit komunist që u botua në vitin 1994 nga Schreiber, nga ku sot po ndalemi në një tjetër kohë nga jeta e tij: rikthimin në vendlindje. Si arriti ai që të dallojë ndër bashkëkohësit, duke bërë një jetë të dyfishtë si zyrtar i regjimit dhe si revolucionar komunist… “Komunizmi i Hoxhës nuk është ai i linjës së ashpër. Ai e konsideron revolucionin si lëvizje sociale, do që ta ngrejë edhe në anë nacionale, që do ta bëjë vendin e tij një shtet modern. Përpjekjet e Hoxhës i sjellin frytet në vitin 1938 gjatë zgjedhjeve vendore në Korçë, ku miqtë e tij dolën fitimtarë.

Por Hoxha ngelet ende një njeri në hije, ose më saktë ai nuk i deklaron hapur idetë e tija. Duke nisur nga ky moment, duhet thënë se ish-studenti bohem i Parisit, kancelari i Brukselit, bën zgjedhjen e tij. Të flasësh për lidhjen e tij me marksizmin është gabim. Pasi kishte dështuar me projektet e tij për shkollim, ai e përdori komunizmin për të ardhur në pushtet. Mund të konstatonim se ky njeri i ardhur nga një familje e mirë nuk ka asnjë lidhje me proletariatin”, konstaton ndër të tjera biografi Schreiber, ndërsa në fund të librit ka të detajuara të gjitha referencat se ku është bazuar për nxjerrjen e konkluzioneve. Sakaq, autori radhit edhe një sërë çudish lidhur me Hoxhën, siç është marrja në mënyrë të papritur e një diplome për Tregti si dhe shndërrimi i tij në një biznesmen.

“Në fakt, shoku Enver që nuk i kishte harruar kafenetë e Parisit dhe Brukselit bëhet pronari i kafene “Florës”, në qendër të Tiranës. E vetmja fotografi e marrë në këtë vend dhe që përdorej nga historianët është e retushuar. Aty është fshirë cigarja që Enveri mbante në buzë me një buzëqeshje narcistike”, shkruan Schreiber, duke vijuar më pas me infiltrimin e Hoxhës në grupet komuniste, ku edhe u dashurua me femrën që do të bëhej gruaja e tij e ardhshme, Nexhmije Xhunglini. Për të zbuluar më shumë rreth kësaj lidhjeje, duhet të lexoni deri në fund…

***

Pranvera e vitit 1936 shfaqet e trazuar. Hitleri avancon në frontin e tij, në Francë fiton Fronti Popullor, në Spanjë nis lufta civile. Por këto ngjarje nuk e trazuan jetën e Enver Hoxhës dhe as praninë e tij në kancelarinë e Brukselit. Por si çdo gjë që e ka një fund, gjithashtu dhe jeta e bukur e tij. Enveri është i detyruar “të bëjë bagazhet”. Pak a shumë në të njëjtin moment në Bolonjë, një tjetër i ri shqiptar i ndërpret studimet, edhe pse premtues, për t’iu bashkuar brigadave ndërkombëtare dhe të shkonte të mbështeste republikanët spanjollë.

Emri i tij ishte Mehmet Shehu, një emër që do të qëndrojë gjatë në kujtesë. Hoxha parapëlqen më mirë të kthehet në Gjirokastër pranë shtëpisë së tij, sesa të rrezikojë jetën në revolucion. Pas kthimit, ai kujdeset që të japë variantin e tij për largimin nga Brukseli dhe nuk merr pjesë në asnjë aktivitet politik. Deri në momentin kur Ali Kelmendi, njeriu që krijoi grupin komunist shqiptar në fund të viteve ’20 në Moskë, shkon në Gjirokastër. (Kelmendi nga Peja e Kosovës erdhi në Shqipëri në vitin 1920. Veprimtar i shoqërisë demokratike Bashkimi, pjesëmarrës në Revolucionin e Qershorit 1924. Pas vitit 1930.

Kelmendi mbajti që në fillim kontakte me Kominternin dhe ishte figura më me autoritet). Në Gjirokastër, Kelmendi flet për fjalët e KOMINTERN-it duke iu afruar klasës punëtore dhe artizanëve, që në atë kohë kishin nisur të organizoheshin. I impresionuar nga kjo figurë, Hoxha e ka takuar Kelmendin, që në atë kohë i flisnin me nofkën “Malësori”. Dy burrat kanë folur për të ardhmen e Shqipërisë dhe nevojën e grupimit të gjithë kundërshtarëve me gjithë përfaqësuesit e Shkodrës, ku ishte një përzierje mes leninistëve, trockistëve dhe anarkistëve.

Gjithnjë i kujdesshëm, Hoxha prezantohej si një “demokrat progresist” dhe merr pjesë vetëm në protestat që vetë regjimi i Zogut mund t’i toleronte. Kështu, me kërkesën e mësuesit të tij Thoma Papapano, ai pranon të mbajë një fjalim gjatë ceremonisë së rivarrimit të eshtrave të luftëtarit Bajo Topulli. Enveri u zgjodh pasi ishte i ri dhe “të vjetrit” e konsideronin si një djalë inteligjent dhe një orator të zotin. Dy muaj më pas, ai merr pjesë në ceremoninë e rivarrimit të shumë patriotëve. Në Shkodër, nga ballkoni i Bashkisë, ai i drejtohet popullit gjatë ceremonisë në kujtim të Çerçiz Topullit. E zgjedhin sërish atë për t’u bërë homazh patriotëve të rënë për liri. Hoxha u bë i kërkuar për shkak të oratorisë së tij, si nga përfaqësuesit e bashkive ashtu dhe nga kundërshtarët, të cilët dukeshin se donin të lëshonin pe. Por oficeri i varrimeve të patriotëve nuk kishte një punë. Prandaj Hoxha vendos të shkojë në Tiranë në fillim të vjeshtës.

Miq të shumtë të fëmijërisë së tij, shumë prej tyre të pasur, nuk flasin përveçse për pasuri dhe për Mbretin që i nderon për këtë shkak. Më vonë, të gjithë këta sipas Hoxhës ishin bërë kolaboracionistë gjatë pushtimit. Për momentin, Enveri ftohej shpesh për dreka e darka. Ai pranon me kënaqësi se gruaja e profesorit Nexhat Peshkëpia është e lidhur me familjen e tij. Ai lidhet dhe me Manushin, vëllain e profesorit, një punonjës banke. Enveri është i kënaqur që pritet nga ky mjedis antizogist dhe antiitalian. Për fat të keq, edhe këta, si shumë shokë të tjerë, gjatë luftës ndjekin rrugën e tradhtisë. Përfundimisht Enveri nuk di të zgjedhë miqtë: të gjithë do të eliminohen pas vitit 1945.

 

***

Situata ekonomike e Enverit do të përkeqësohet dhe kërkimi i tij për punë bëhet një odise e vërtetë. Ai pranon që të bëhet dhe kamerier. Ish-kancelari është në hall. Dhe ja ku nis sërish kërkesa për Ministrinë e Arsimit, në mënyrë që të marrë emërimin si mësues i shqipes apo frëngjishtes.  Por kërkesat mbeten pa përgjigje. Enveri troket sërish në dyert e Ministrisë së Drejtësisë për t’u bërë sekretar në një gjykatë. Për këtë ai përmend eksperiencën e tij në Francë dhe në Belgjikë, por kundërshtohej pasi nuk kishte diplomë. Sipas tij, edhe të diplomuarit nuk gjenin punë, pasi regjimi u druhej të arsimuarve. Edhe pse injoranca dhe analfabetizmi kishin pushtuar vendin, justifikimi i tij nuk dukej i besueshëm. Me ndihmën e disa miqve – të cilët do të pushkatohen më vonë – ai nis punë si mësues zëvendësues në një nga gjimnazet e Tiranës. Në kujtimet e tij, ai nuk flet për eksperiencën e tij pedagogjike. Aty lexohen vetëm ankesa të përsëritura. I paguar me orë, ai nuk kishte mundësi që të përfitonte pushime apo të ikte me leje. I pakënaqur nga puna në Tiranë, vendos të kërkojë punë në Liceun e Korçës.

Në të njëjtën kohë përpiqet të vihet në kontakt me kundërshtarët. Mes të rinjve gjirokastritë të vendosur në kryeqytet është edhe Tahir Kadare, i dalë nga Shkolla e Oficerëve të Rezervës, i cili i flet për lëvizjen komuniste. Por Hoxha nuk i beson historitë e shokut të tij të ri, edhe pse ky i fundit i flet sipas mënyrës së tij për grushtin e shtetit të verës së shkuar. Hoxha e dëgjon pa e marrë shumë seriozisht. Siç ndodhte zakonisht, mendimet e tij ishin gjetkë. Në muajin mars të vitit 1937, atij i komunikohet transferimi në Korçë. Ai kurrë nuk e tha se kush e ndihmoi për këtë emërim. Komenti i tij qe lakonik: “Për mua ishte një sukses, një ngjarje që do të ndikonte në të ardhmen time”. Në ditët e para të prillit, Enveri ndodhet në Korçë, duke sjellë ndërmend kujtimet e adoleshencës. Pritja në Liceun që ai e njeh mirë, ishte simpatike. Drejtori Xavier de Courville e ngarkon që të japë mësime frëngjisht dhe, ajo që është më e habitshme, të jepte dhe edukatën morale. Kështu, “një revolucionar i rrezikshëm” nën regjimin e Zogut t’u mësonte të rinjve të vendit, pasi në Liceun e Korçës shkonin fëmijët e funksionar ëve të lartë të regjimit.

***

Më në fund ai gjen një punë, por është i keqpaguar, pasi vazhdon të paguhet me orë, në pritje të një emërimi që nuk bëhet për shkak të mungesës së diplomës. Enveri shprehet i lumtur që u kthye në Korçë. Gjatë orëve të mësimit ai diskuton shumë me nxënësit dhe u jep shumë rëndësi debateve, duke evituar çështjet politike. Sipas vajzës së ish-mësuesit të tij, André Brégeault: Enveri, adoleshenti i turpshëm, tashmë është bërë krenar dhe i painteresuar për çështjet politike dhe të ndryshme nga mjedisi që e rrethon. Shtëpia e prindërve të zonjës Brégeault është e hapur për të, edhe pse bisedat fillojnë të bëhen pak agresive. “Ju do të përfundoni në minierat e Siberisë. Ja çfarë fituat me bolshevikët”, i thoshte Brégeault. Hoxha iu përgjigj aty për aty: “Proletariati do triumfojë. Borgjezët do shtypen. Populli do marrë pushtetin”.

Çfarë ndodhi? Deputetja në Kosovë i derdh gotën e ujit në fytyrë ministrit të Bujqësisë: Ti je rrugaç

 



 Një situatë pazakontë ka ndodhur ditën e sotme mes politikanëve në Kosovë. Gjatë raportimit në Komisionin për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, deputetja e PDK-së Ganimete Musliu i ka derdhur në fytyrë një gotë me ujë ministrit të Bujqësisë, Faton Pecit.

Kjo situatë e pakëndshme ka ndodhur pas debateve mes dy politkanëve, ku ministri e akuzoi Musliun si të korruptuar.



“Ti përfaqëson me gjuhën e përfaqëson krimin. Qajo pjesa e krimit në Ministrisë së Bujqësisë ka një mbështetje politike dhe kjo pi bije që je ti ajo zyrtare që je në prapavijë”, ka thënë Peci.

Ndërkohë ministrja teksa i ka derdhur ujin në fytyrë e ka quajtur ministrin rrugaç.

“Ti je rrugaç bre, mbylle rrugaç, idiot, kështu e meriton”, tha Musliu.

“Ti je shumë e kulturume, po shihet ajo pjesa e kulturës” ia ka kthyer ministri Peci.

Pas këtij incidenti ka ardhur edhe reagimi i ministrit Peci, i cili ka deklaruar se sa të jetë ai në detyrë, askush nuk do të mund të vjedhë në Ministrinë e Bujqësisë.

“Nuk ka me vjedh askush sa të jam unë ministër. Ndaç gjuni me ujë, ndaç me plumba qysh keni gjujt në të kaluarën, nuk ka birë nane që e ndal Faton Pecin. Sa të jem unë, nuk munden me vjedh dostat e Ganes”, deklaroi ai.

'Zgjoi' drejt nominimit për Oscar 2022, filmi kosovar mes 15 më të mirëve ndërkombëtarë! Historia e Fahrie Hotit që humbi bashkëshortin në luftë

 


 

Filmi artistik nga Kosova, “Zgjoi” (Hive) me regji të Blerta Bashollit është futur në listën e ngushtë për nominim për Çmimin prestigjioz Oscar.

“Zgjoi” është përzgjedhur  mes 15 filmave ndërkombëtare për edicionin e 94-të të Çmimit Oscar.

Filmi "Zgjoi" është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetesën e familjes.

Përpjekjet e saj vështirësohen, teksa gruaja përballet me një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia e gruas për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Por asgjë nuk e ndaloi Fahrijen në misionin e saj, gjë që e intrigoi Bashollin që të realizojë një film të bazuar në jetën e saj. Rolin e Fahrijes e luan aktorja kosovare, Yllka Gashi.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e quajti sukses të jashtëzakonshëm futjen në listën e ngushtë për nominim të filmit "Zgjoi". Ky film është shpërblyer me çmime të shumta përfshirë edhe tri çmimet kryesore në Sundance Film Festival.

Nëse fiton nomimin për Oscar, “Zgjoi” do të bëhej filmi i dytë nga Kosova që do ta arrinte një gjë të tillë, pasi më 2016, filmi “Shok” me regji dhe skenar të një regjisori britanik përfaqësoi kinematografinë e Kosovës në Oscar. Edicioni i 94-të i Çmimit Oscar mbahet më 27 mars, 2022.


Filmi kosovar “Zgjoi” është pjesë e listës së nominimeve për çmimin Oscar 2022. Ky lajm i bukur është përshëndetur edhe nga këngëtarja Dua Lipa, e cila shprehet se ishte lajmi më i mirë për të nisur ditën.

“Lajmi më i mirë për t’u zgjuar”, shkroi Lipa në InstaStory.

Kujtojmë që Dua ishte e pranishme pak javë më parë në premierën e “Zgjoi” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka takuar nga afër regjisoren Blerta Basholli, aktoren Yllka Gashi dhe ekipin realizues.

Postimi i Dua Lipes

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...