Agjencioni floripress.blogspot.com

2021/12/28

PUBLICISTIKA E PROF. SHEFIK OSMANIT, SIDOMOS ARSIMORE DHE PEDAGOGJIKE

 Prof. Murat GECAJ

 

Prof. Shefik Osmani

Prof. Shefik Osmani

Të shkruash e të flasësh për udhën e botimeve arsimore e pedagogjike dhe të autorëve të tyre, duhen faqe të tëra. Por, më shumë mund të lexonim për to, në veprën “Historia e Arsimit dhe e Mendimit Pedagogjik Shqiptar”(Tiranë, 2003). Ajo kishte redaktor përgjegjës, të ndjerin Prof. Bedri Dedja dhe prof. Shefik Osmanin, bashkautor.

Siç dihet, më 1 shtator 1961 nisi udhën e saj gazeta me emrin kuptimplotë “Mësuesi” (tani, revistë, po me këtë emër). Në këto afër 52 vite  vite të jetës së saj, ajo u bë  mjaft e dashur dhe e vyer për mësues e pedagogë, nxënës e studentë, për prindër e mbarë lexuesit shqiptarë. Me rastin e 40-vjetorit të botimit të kësaj gazete, në mesazhin e tij përshëndetës, ndër të tjera, kryeredaktori i parë i saj, prof. Bedri Dedja shkruante: “Gazeta “Mësuesi” zgjoi aftësitë krijuese të dhjetëra mësuesve, gjer në fshatrat më të largët, të cilët nisën të bashkëpunojnë me endje me të…”. Ndërsa, për arsye të ndryshme, ende nuk ka një historik të plotë të kësaj gazete. Por, një ndër ish-redaktorët e kryeredaktorët e saj, Prof.as.Dr. Ilir Kanini ka botuar librin e tij, me titullin “20 vjet, nga jeta e një gazete”(Tiranë, 2004).

Megjithatë, në faqet e gazetës “Mësuesi”, janë të fiksuara puna e djersa e derdhur, nga breza redaktorësh e drejtuesish të saj. Ata janë gjithësej 23 redaktorë, 5 sekretarë kolegjiumi e 9 kryeredaktorë dhe, ndër të parët, ishin emrat e njohur: Prof. Bedri Dedja-Akademik, Mustafa Gerxalliu, Jakup Mato e Sofokli Afezolli e me radhë. Nga  redaktorët e parë, që shërbyen në gazetën “Mësuesi”, ishin: Myzafer Bejleri, Sami Xhango, Bekim Çomo, Dhurata Xoxa, Sadie Agolli, Nako Bezhani, Ramadan Pasmaçiu dhe i ndjeri Muhamet Ndrita. Në vazhdimësi, në  gazetën “Mësuesi” u caktua të punojë redaktor Shefik Osmani (Shkodër,1923-Tiranë, 21 korrik 2012). Ai shkonte aty pas një periudhe relativisht të gjatë pune, në fushën e arsimit dhe të pedagogjisë. Kishte shërbyer drejtues i shkollave pedagogjike, që përgatisnin mësues për arsimin fillor, në Shkodër, Peshkopi e Tiranë . Pra, e njihte nga afër jetën e shkollës sonë, të mësuesve e nxënësve dhe të prindërve. Prandaj në shkrimet, që redaktoi, por edhe në ata që publikoi me emrin e tij, gjatë asaj periudhe, u vërejt pjekuria dhe aftësitë profesionale të një drejteusi, mesimdhënësi, pedagogu e didakti. Nuk është vendi të përmendim të gjithë arsitikujt që ai shkroi në atë gazetë. Por dhe as të flasim për aftësinë e tij të veçantë redaktuese, ku dëshmëroi qartë aftësitë e tij dhe, në një fomë ose në tjetrën, në shkrimet e bashkëspunëtorëve futi e pasqyroi me mjeshtëri edhe shpirtin, mendimin dhe përvojën e tij në fushën e arsimit, pedagogjisë e mësimdhënies. Në ato vite të punës redaktor në gazetën “Mësuesi” ai u dallua edhe për taktin e dshamirësinë e shprehur  jo vetëm ndaj kolegëve dhe bashkëpunëtorëve, por edhe në marrëdhëniet me mësuesit, nxënësit e prindërit, kur shkonte me shërbim nëpër rrethe.

Duke folur për lidhjet e vazhdueshme, që mbajti prof. Shefik Osmani me gazetën e dashur të tij, “Mësuesi” edhe pasi u largua në punë të tjera ose doli në pension,, një nga redaktorët e saj dhe shkrimtari Viron Kona, tani kujton: “Në dhjetëra takime me të, në zyrën e redaksisë së gazetës “mësuesi” ose në kafe, duke shëtitur në këmbë ose në vizita në shtëpinë e tij, gjithnjë e pashë atë Njeri, koleg e mik të mirë, që të lumturohej dhe të ngazëllehej, kur vinte biseda te arsimi dhe librat, te kultura kombetare dhe vlkerat e gjuhësisxë e të shkrimtarisë shqiptare. Arsimi ishte motive I tij udhëheqës e kryesor, deviza e jetës dhe e veprës së tij madhore”.

Në vitet e mëvonshme, prof. Shefik Osmani shërbeu në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor dhe në Institutin e Studimeve Pedagogjike. Siç dihet, në atë periudhë dilnin disa organe tjera shtypi, si “Arsimi Popullor” (më pas u emrua “Revista Pedagogjike”) dhe buletine të ndryshme, me të cilat ai bashkëpunoi rregullisht, pra aty botoi mjaft shkrime e studime. Po të hedhim një vështrim në gazetat e kohës, si  “Drita”, “Bashkimi” e “Zëri i Rinisë” , “Rilindja Demokratike”, por dhe në gazeta të Kosovës  e  Maqedonisë etj. dhe në revistat  tona: “Nëntori”, “Ylli”, “Shkenca dhe Jeta”, “Shqiptarja e Re”, “Studime historike” dhe “Kultura Popullore” , do të gjejmë shkrime e studime  të tij për ngjarje të shënuara arsimore dhe për figura të ndritura të arsimit, kulturës dhe shkencës sonë kombëtare. Të tillë ishin punimet për:  Mësonjëtoren Shqipe të Negovanit dhe Kongresin e Elbasanit,  për shkollën Normale “Drita”  të Bukureshtit, për Kongresin e Arsimor të Lushnjës, për shkollat e para shqipe në Shkodër, për disa konferenca kombatare arsimore e pedagogjike të viteve të fundit të shek. të kaluar, Por ai shkroi edhe  për Universitetin e Tetovës e Fakultetin Filologjik të Shkupit, me mësim në gjuhën shqipe, si dhe për shkollat shqipe me mësim plotësues: në Zvicër, Gjermani, Suedi e tjerë. Gjithashtu, ka shkruar  me dashuri edhe për figura të shquara, që iu përkushtuan  me të gjitha dijet e forcat e tyre, mësimit në gjuhën amtare dhe shkollës sonë kombëtare. Nga ata po përmendim shkrimet e tij për: Ibrahim Frakullën e Beratit, Muhamet Çamin-Kyçykun, Naum Veqilharxhin, Naim Frashërin, Petro Nini Luarasin e Ibrahim Dalliun; për Nikolla Lakon, Daut Boriçin, Luigj Gurakuqin, Hasan Prishtinën e Aleksandër Xhuvanin: për Gaspër Beltojën, Vehbi Dibrën, Hafiz Ali Korçën,  Kolë Kocin etj.

Vëmëndje të veçantë  i ka kushtuar prof. Shefik Osmani, “Mësues i merituar”,  edhe  historikut të hartimit dhe botimit të abetarave për shkollat shqipe. Pra, ai shkroi e publikoi disa punime të tij në këtë fushë, siç janë: “Abetarja shqipe e Anastas Kulluriotit”, “Abetarja shqip e Jani Tërrovës, e vitit 1887”, “Një abetare shqipe e vitit 1911” ose edhe: “Pellazgjika shqip, një abetare pak e njohur deri më sot”, “Vështrim historiko-pedagogjik rreth abetareve, me autor Sami Frashërin”, “Tri abetaret e Parashqevi Qiriazit” dhe më tej: “Abetaret e gjuhës shqipe në Kosovë, Maqedoni e Mal i Zi”, si dhe ato për disaporën shqiptare.

Interes të veçantë studimor e pedagogjik paraqesin punimet dhe studimet e publikuara nga prof. Shefik Osmani, në buletine të ndryshme shkencore të Institutit të Studimeve Pedagogjike ose jo. Të tillë mund të përmendim këtu buletinet: “Probleme të shkollës tetëvjeçare”, “Gjuha shqipe dhe letërsia në shkollë”, “Kultura fizike dhe sporti” etj. Një pasuri interesante dhe më vete përbëjnë mbi 62 “zërat”, që hartoi e u botuan, lidhur me çështje të arsimit tonë kombëtar, për ngjarje dhe figura të shquara  tij, në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar”, botuar më 1985 dhe ribotuar në vitet e fundit.

Për disa vite radhazi, prof. Shefik Osmani ishte edhe në redaksinë e revistës shkencore e kulturore “Univers”, botim i Institutit të Mendimit dhe Qytetërimit Islam, ku publikoi shkrime të vlefshme, nga fusha e arsimit dhe pedagogjisë.

Po t’i shfletosh koleksionet e gjithë atyre botimeve, që përmendëm më lart, aty gjen mjaft artikuj e studime të thelluara të tij, për çështje të mësimdhënies, historisë së arsimit e të mendimit pedagogjik shqiptar, për figura të njohura të arsimit e pedagogjisë etj. Kështu, me mjaft interes janë edhe shkrimet për Pjetër Bogdanin, Pestalocin, Luigj Marlekën e Motrat Qiriazi, të cilëve u kushtoi edhe libra të veçantë. Siç thekson prof. Pajtim Bejtja, në një shkrim kushtuar prof. Shefik Osmanit, një pjesë e artikujve të tij janë botuar si parathënie, hyrje dhe esè, në veprat e autorëve të ndryshëm.

Me inters janë edhe recensionet e shkruara prej prof. Shefik Osmanit, lidhur me temat e disertacioneve, të cilat u shkruan dhe u mbrojtën nga kolegë të Institutit të Studimeve Pedagogjike ose bashkëpunëtorë të jashtëm të tij.

Por, prof. Shefik Osmani nuk kufizohej me shkrimet dhe studimet e tij, vetëm në gazetën e revistat, që përmendëm më lart. Emri i tij u bë i njohur, pothuajse, në të gjitha gazetat e revistat e kohës, si dhe në emisone të radios e televizionit shqiptar. Një pasqyrë të plotë,  të tërë atyre botimeve e shkrimeve të thelluara, gjuhëisht e profesionalisht të larta dhe të bukura, e gjejmë në librin e prof. Njazi Kazazit, ”Në gjurmët e një didakti” (Tiranë,2005).  Ato e kanë zanafillën që në vitin 1940  e 1941 dhe vijojnë, qindra pandërprerje, deri në vitin 2010, kur sëmundja e ndau atë përgjithnjë, nga puna dhe pasioni i veçantë për t’i shërbyer, me atdhetarizëm e përkushtim të dalluar profesional, shkollës sonë amtare, Arsimit Kombëtar Shqiptar.

Edhe me këtë skicim të punës dhe veprimtarisë së gjerë të prof.Shefik Osmanit, si redaktor  dhe bashkëpunëtor i shypi arsimor e pedagogjik, por dhe më gjerë, krijojmë bindjen e një personaliteti të shquar të vendit tone. Prandaj kujtimi dhe vepra e tij do të ruhen gjatë dhe do të çmohen e njihen, jo vetëm sot, por edhe nga brezat pasardhës.

HASAN TAHSINI, BOTOHEN VEPRAT E PANJOHURA TË STAMBOLLIT

 Dhurata HAMZAI

Hoxhë Hasan Tahsini

Hoxhë Hasan Tahsini

TIRANE – Vepra e Hoxha Hasan Tahsinit (1811-1881), këtij personaliteti të shquar shqiptar dhe njëkohësisht drejtues i shquar i Universitetit të Stambollit, në Shqipëri është ende e mangët. Ndërkohë, bëmat e tij akademike dhe atdhetare janë të panumërta, siç janë edhe titujt e veprave shkencore që la të shkruara nëpër bibliotekat e Stambollit. Patrioti me origjinë nga Ninati i Çamërisë (Sarandë), një rilindës i shquar, filozof, matematikan, gjuhëtar në fillimet e shekullit të 19-të drejtonte universitetin ndërkombëtar osman dhe universitetin e parë shqiptar në Stamboll. Hoxha Tahsini qe gjithashtu mësues i Abdylit, Naimit e Samiut, Jani Vretos, Ismail Qemalit etj.

Përsa i përket veprave që la pas, ka qenë trashëgimtarja e familjes Manushaqe Halili, e cila ka bërë dhjetëra udhëtime në Stamboll me iniciativën e saj, në kërkim të varrit, të shtëpisë ku jetoi dhe të librave që shkroi e botoi. Stërmbesa e familjes Tahsini ka fotokopjuar në bibliotekat e Stambollit veprat origjinale dhe duke takuar gjuhëtarë e studiues, ajo vendos që vepra e tij të botohet nga “Onufri”. Një grup studiuesish, përkthyesish dhe redaktorësh kanë punuar që vepra trivëllimëshe e Hoxha Hasan Tahsinit të vij nga turqishtja në gjuhën shqipe.

Çfarë përmbajtje ka vepra e Hoxha Tahsinit

Vëllimi i parë i veprës së Hoxha Tahsinit shoqërohet me një vlerësim të Sami Frashërit, si dhe nga një vlerësim i studiuesit bashkëkohor Moikom Zeqo. Ndërkohë trashëgimtarja e familjes Tahsini, Manushaqe Halili ka shkruar parathënien me titullin “Hoxha Tahsini: Frymëzimi, krenaria dhe përkushtimi im”. Kapitujt kryesorë në vëllimin e parë me mbi 200 faqe janë: “Historia e qenies ose e krijimit”; “Sekretet e ujit dhe ajrit” dhe “Psikologjia”.

Vëllimi i dytë ka afërisht 350 faqe, dhe përmban lëndë të përkthyera nga dy numra të revistës “Mexhmua-I Ulum” (Revista shkencore), ku paraqesin interes “Rregullorja për botimet e zakonshme” dhe bisedat për problemet me shumë interes të kohës së tij, ku shumica janë aktuale edhe sot. Në këtë vëllim të bie ne sy tema “Përparimi i arsimit, historia, klasifikimi dhe frytet e shkencave”. Vëllimi i tretë me afro 300 faqe ka të botuar lëndën e disa numrave të revistës shkencore dhe vijon me “Historia e shkurtër e astronomisë”.

Me botimin e kësaj vepre trivëllimshe në shqip, autori Hoxha Hasan Tahsini, edhe pas më shumë se një shekulli i dhuron audiencës shqiptare teori të vështira, argumente dhe ide përparimtare të mendimit teorik dhe shkencor. Bashkë me veprën botohen edhe vlerësimet e Sami Frashërit, që ka shkruar se: “Hoxha Tahsini ishte nga ata njerëz të mëdhenj, që rrallë nxjerrin shekujt dhe epokat”. Poeti i shquar turk, Abdul Hak Hamidi, ish-nxënës i tij, ka shkruar për Hoxha Tahsinin: “Ishte vëzhgues dhe shkencëtar shumë i ditur, ishte thesar i njohurive shkencore, ndoshta, një botë e tërë dijesh; ishte filozof, letrar,  vjershëtar, i zoti  t’i përgjigjej çdo pyetjeje…”.

HASAN PRISHTINA (1873-1933)


Hasan Prishtina

Hasan Prishtina

Hasan Prishtina është një nga personalitetet dhe figurat më të shquara të Lëvizjes sonë Kombëtare. Ky ideolog i shquar, dhe udhëheqës i palodhur i kryengritjes së përgjithshme për pavarësinë e tokave shqiptare, tërë pasurin e dha për çështjën kombëtare shqiptare. Veprimtaria e tij politike dhe luftarake gjatë muajve maj-gusht 1912 e përgatiten ngritjen e Flamurit në Vlorë.

Familja e Hasan Prishtinës ishte nga treva e Drenicës, përkatësisht nga POLACI i Skënderajt. Fillimisht farefisi i tij njihej me mbiemrin BERISHA, ndërsa tani farefisi i Hasan Prishtinës njihet me mbiemrin VELIU. Familja e tij paraprakisht ishin shpërngulur nga fshati Polac në fshatin Mikushnicë te Mangjollët të cilët janë degë e vëllazërisë Veliu, që kishin prona në fshatin Mikushnicë. Pas tri vitesh, gjyshi i tij Haxhi Ali Berisha ishte shpërngulur në Vushtrri, mbiemrin e ndryshoi nga Berisha në Polaci. Por mbas zgjedhjes së tij deputet në Kuvendin Popullor Turk (1908-1912), ai e ndryshoj mbiemrin përseri, por kësaj here nga Polaci në Prishtina pra, edhe u njoh si Hasan Prishtina.

Studimet politiko-juridike i kreu në Stamboll. Shovinizmi i xhonturqëve kundër shqiptarëve dhe Shqipërisë, nxiti një urrejtje të deputetëve shqiptarë, antarë të Kuvendit Popullor turk, të cilët ndërrmorën një takim të fshehtë për fillimin e Kryengritjes (1909-1912) në Shqipëri. Esat Pashë Toptani mori përsipër krahinën e Shqipërisë së Mesme dhe krahinën e Mirditës, Myfti Beu, Azis Pasha dhe Syrja Beu, morrën përsipër krahinën e Toskërisë. Ismail bej Qemali u nis për në Europë, për të mbledhur të holla dhe armë për kryengritjen. Hasan bej Prishtina morri përsipër organizimin e kryengritjes në Kosovë, bashkë me Barjam Currin dhe Isa Boletinin. Kjo kryengritje do të kurorëzonte më 28 nëntor 1912 shpalljen e pavarsisë së Shqipërisë së zvogëluar. Në vitin 1913 u ngarkua me detyrën e Ministrit të Qeverisë Kombëtare të Vlorës.
Hasan Prishtina ka qenë drejtor i së përditshmes “ZUKRE” (Afërdita) që ka dalë më 1911. Për arësye të gjendjes së jashtëzakonshme brenda dy vjetëve gazeta e ndërroi emrin rreth 20 herë, ku dolën 412 numra. Dhe emri i drejtorit shkruhej gabimisht si; ’’Pessembe Mebusu Hasan’’ (deputeti i së enjtes). Në vitin 1914, kur vjen për të drejtuar Shqipërinë princ Vidi, Hasan Prishtina zgjidhet Ministër i punëve botërore të qeverisë së Durrësit. Më 1918, Hasan Prishtina, Kadri Prishtina (Hoxhë Kadriu), Bajram Curri dhe shumë të tjerë formojnë Komitetin “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” me përfaqësuesit e tyre në Romë dhe në shtetin mëmë Shqipëri, ndërsa në dhjetor të vitit 1919 Komiteti e ngarkoi si kryetar të delegacionit të tij në Konferencën e Paqës në Paris, ku kërkoi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Mori pjesë në përgaditjen dhe organizimin e Kongresit të Lushnjës (1920) dhe në prill 1921 u zgjodh deputet i Dibrës në parlamentin shqiptar. Ai u shqua si luftëtar për mbrojtjen e “zonës neutrale” të Junikut nga forcat serbe dhe ato zogiste, si udhëheqës i Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës kundër sundimit serb. Hasan Prishtina më 7 dhjetor 1921 u zgjodh nga Kuvendi Popullor Shqiptar Kryeministër dhe Ministër i jashtëm, por më 10 dhjetor 1921 ai jep dorëheqjen mbas kundërshtimeve të disa deputetëve që i kryesonte Ahmet Zogu. Kështu, për të shmangur gjakderdhjen midis shqiptarëve, Hasan Prishtina mbetet vetëm deputet i atij Kuvendi.
Me vendosjen e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Mbretërisë Serbo – Kroate – Sllovene më 1922 Qeveria e Ahmet Zogut dhe e Xhafer Ypit u hoqi të drejtën e deputetit në Kuvendin Popullor shqiptar, Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Hoxhë Kadriut dhe shumë udhëheqëve të tjerë nga Kosova dhe filloi ndjekja për eleminimin e tyre. Kjo ishte marrëveshja që bëri kryeministri Ahmet Zogu me ministrin e jashtëm të mbretërisë Jugosllave z. Ninçiç më 1922. Në janar të vitit 1922 qeveria e Tiranës lidhi marrëveshjen që ushtria serbe ta ndiqte Hasan Prishtinën dhe udhëheqësit e tjerë kosovarë edhe brenda territorit të shtetit shqiptar.
Në fund të muajt shkurt 1923, Hasan Prishtina dhe Bajram Curri u ngritën kundër rregjimit serb në Kosovë. Kjo kryengritje u shtyp sepse qeveria e Ahmet Zogut nuk i mbështeti. Mbas kësaj 3500 shqiptarë të Kosovës u përzunë nga trojet e tyre për në Turqi.

Më 26 shtator 1924 krahas Fan Nolit, Luigj Gurakuqit ishin dhe Hasan Prishtina, Bajram Curri, Bedri Pejani në Lidhjen e pestë të Kombeve në Gjenevë. Përfaqësuesit e Kosovës Hasan Prishtina, Bajram Curri dhe Bedri Pejani kundërshtuan për genocidin që ndiqte Beogradi ndaj popullit shqiptar në Kosovë. Mbas rrëzimit të qeverisë së Nolit më dhjetor 1924 dhe ardhjen e Zogut me ndihmën e serbëve, Hasan Prishtina largohet përgjithmonë nga toka e mëmëdheut, për t’u vrarë më 13 gusht 1933 në Selanik nga dorësi i Ahmet Zogut që quhej Ibrahim Çelo. Shumë dekada pas vrasjes së Hasan Prishtinës, eshtrat u sollën nga Selaniku për t’u rivarosur në Kukës, pranë kufirit me Kosovën.

Më 4 maj 2014, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani vlerëson atdhetarin e shquar Hasan Prishtina (pas vdekjes) me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”.

 

PASURIA E HASAN PRISHTINËS NË SELANIK

 

Shkrimi i më poshtëm është marrë nga gazeta greke “Maqedonia e Re” e datës 14 gusht 1933, një ditë mbas vrasjes së Hasan Prishtinës, në Selanik, ku është shënuar se ai është pronar i ndërtesës së sotme “Shkolla e të Verbërve”.
Hasan Prishtina ka qenë shumë i pasur, por pasurinë ai e shkriu për çështjen kombëtare shqiptare. Ai pat mbledhur të holla për të çuar në shkollën normale të Elbasanit’ djemtë shqiptarë nga Kosova. Pasuri e patundëshme që i ka ngelur ende dhe që njihet botërisht është një ndërtesë shumë e madhe që ndodhet në qendër të Selanikut, anës detit në rrugën Vasilis Ollga (dikur zonë e privilegjuar). Ndërtesa është trekatëshe dhe rrethohet prej një oborri gjigant me siperfaqe rreth 1500 m katrorë, vlera e saj në tregun e shitjeve të banesave me truall arrin në shumë milion dollarë amerikan. Sot shtëpia është pronë shtetërore dhe funksionon si shkollë dhe Instuticion bamirës për personat shurdhmemecë dhe të verbër. Kjo ndërtesë për shqiptarët ka një vlerë historike. Vendosja në murin e saj të jashtëm e një pllake memoriale është gjëja më elementare për indentitetin e ndërtesës dhe kujtimin e këtij personaliteti. Është e drejtë dhe detyrë që përfaqësuesit e Kosovës të kërkojnë që kjo pronë e njeriut që nuk e ndali luftën për bashkimin e trojeve shqiptare të njihet dhe të zotërohet. Hasan Prishtina pranoi ma mirë me vdekë nëpër malet e Kosovës, se sa kolltukun e turpit në një ministri në Stamboll. Dhe fitimi i së drejtës do të ishte një shpërblim i merituar, një peng nderimi për këtë burrë të shquar shteti.

HAFIZ ABDULLAH ZËMBLAKU, MËSUES I SHQUAR, FETAR E ATDHETAR

 Dr. Hysen KOBELLARI


Hafiz Abdullah Zëmblaku

Hafiz Abdullah Zëmblaku

“I pështyjmë ata qorrë, që tallen me punët fetare;

Murtaja janë vetë, që t’i hajë fare!…”

H. Abdullah Zëmblaku

Jo rastësisht, por pas një pune hulumtuese disavjeçare nëpër biblioteka, mjedise familjare, dhe, më në fund, në arkivën shekullore të xhamisë “Iljaz Bej Mirahori” të Korçës, arrita të nxjerr mjaft shënime për jetën dhe veprën e Sheh H.A.Zëmblakut.

Kjo figurë shumë e dashur për njerëzit, kudo ku flitet e lexohet shqip e veçanërisht për besimtarët myslimanë, qëndron denjësisht përkrah mikut të tij të shquar, savantit Hafiz Ali Korça, të cilin Zëmblaku vetë e quante vëlla shpirtëror të tij.

Por ndërsa për H. Ali Korçën është shkruar diçka; emrin e tij e mban me krenari një medrese në Kavajë, madje është botuar edhe një monografi për jetën dhe veprën e tij, për Hafiz Zëmblakun pak është folur e shkruar. Të gjithë e njohin “Mevludin” e tij të famshëm, i cili këndohet në raste festash ose përkujtimesh; njohim mjaft vjersha dhe libra bestare në gjuhën shqipe, të vlefshëm edhe sot, pas gati një shekull nga koha kur janë shkruar e botuar. Hafiz Zëmblaku ishte njeri i ditur, shembull i durimit, model i këmbënguljes në punën për përhapjen e fesë së vërtetë dhe arsimit në shqip, në propogandimin e dashurisë për atdheun, diturinë e shkencën, për të vërtetën, paqen dhe mirësinë…

Hafiz Abdullah Zëmblaku e quan veten me krenari “Shërbëtor i Kombit Shqiptar”dhe “Misionar dhe mësues i fesë Islame”. Këto cilësime qëllimlarta ai u përpoq t’i përmbushte me punë të palodhur gjatë gjithë jetës së tij të frytshme, duke shkruar e botuar mbi 30 libra, duke i rënë kryq e tërthor qyteteve e fshatrave të atdheut, për të predikuar falas besimin e vërtetë, diturinë, atdhetarinë, paqen, të vërtetën dhe progresin. Është ndër të parët hartues dhe organizatorë të botimit të librave në gjuhën shqipe me përmbajtje fetare. Librat shkruheshin gegërisht dhe toskërisht dhe shpërndaheshin falas gjatë veprimtarive që organizonte shpesh Hafizi në veri ose në jug të vendit. Në librat e tij gjenden lista të gjata e të hollësishme për dhënësit e ndihmës përkatëse për këto botime nga besimtarë zemërbardhë e dashamirës.

Duke zotëruar disa gjuhë me mundësi të mëdha shprehëse si arabisht, turqisht, persisht, sllavisht, etj. ai formoi një kulturë të plotë jo vetëm fetare, por edhe letrare e shkencore.

Bashkëpunoi me revista dhe gazeta të kohës, si me revistat “Zani i Naltë”, “Kultura Islame”, “Njeriu”, etj., ku botoi shkrime të ndryshme. Përktheu vepra fetare, filozofike e mistike, disa prej të cilave mundi t’i shtypte e t’i shpërndante.

Është ndër bejtexhinjtë e fundit, të cilët poeti ynë kombëtar Naim Frashëri i ka vlerësuar, duke thënë për Hasan Zyko Kamberin se është “Mbreti i Vjershëtorëve” (Revista “Zani i Naltë”, Nr. 8, viti 1938, f.248).

Sheh Zëmblaku është ndoshta bejtexhiu i fundit, i cili u përpoq të kuptonte rrezikun e hyrjes pa doganë të fjalëve turke, arabe, persiane në gjuhën shqipe, të pakuptimta për popullin e thjeshtë, rrezikun e përzierjes së gjuhëve deri në përçudnim. (Xh. Spahiu, Perla, 2005/1 f.17)

Hytbet e mbajtura nga Hafiz Zëmblaku janë model i shkëlqyer i zbërthimit të Kur’anit Famëlartë dhe Haditheve të Pejgamberit (a.s.), shembull arsyetimi dhe gërshetimi me problemet e kohës dhe gjendjen faktike të jetës te ne. Ai propagandonte harmoninë fetare në vendin tonë, duke porositur besimtarët që të respektojnë fenë e tjetrit në të drejtë të tyre dhe duke duke u thelluar në Librin e Shenjtë e Praktikën Pejgamberike…

Edhe sot e kujtojnë Hafizin e shquar për zërin melodioz dhe të ngrohtë, për fjalët e zgjedhura nga burimi shqiptar, për diturinë e pasosur që buronte nga natyra e fesë së vërtetë dhe e kërkimeve të tij të mundimshme nëpër libra, për disiplinën e natyrshme që buronte nga karakteri i tij shembullor. Me bagazhin e dijeve që zotëronte ai ishte mjaft i avancuar krahasuar me nivelin kulturor të njerëzve, ku kishte mjaft analfabetë, gjë për të cilën ai dëshpërohej shumë dhe luftonte në praktikë.

Hafiz Abdullah Zëmblaku ishte edhe një mësues i shquar i gjuhës shqipe. Ka ngritur me qindra kurse verore e dimërore kundër analfabetizmit nëpër qytete e fshatra të ndryshëm të vendit, në një kohë kur pjesa dërrmuese e popullsisë nuk dinin shkrim e këndim dhe jetonte në kushte varfërie e paditurie.

Kurset i organizonte falas, duke siguruar shpeshherë për pjesëmarrësit edhe libra, fletore e lapsa për punë mësimore. Në këto kurse mësohej shqip, por fitohej edhe një kulturë fillestare fetare, si edhe elementë të shkencave të kohës, merrej një edukatë morale e qëndrueshme.

Për të gjitha këto cilësi dhe të tjera, që janë të njohura nga bashkëkohësit e Hafizit, mendoj se kjo figurë shembullore duhet vlerësuar ashtu siç e meriton.

Pak fjalë për paraardhësit

Hafiz Abdullah Zëmblaku u lind dhe u rrit në një familje me tradita të lashta atdhetare dhe fetare islame. Gjyshi dhe babai i tij kanë qenë intelektualë të njohur dhe kanë studiuar nëpër shkolla të famshme të kohës së tyre, brenda e jashtë vendit.

Ndërkohë ata nuk e kanë ndarë diturinë e fituar nga dashuria për vatanin dhe gjuhën shqipe, gjuhën e nënës. Nëna e Hafizit quhej Aishe Mulla Hysein Babani dhe rridhte nga një familje me ndjenja fetare dhe atdhetare. Gjyshi i H.A. Zëmblakut quhej Sheh Hasan Sëmlaku dhe kishte kryer shkollë fetare.

Babai i Hafizit quhej Salih Hulusi dhe ka shërbyer për 30 vjet si mësues shkolle fillore, e quajtur ndryshe Ruzhdie, në disa qytete të Shqipërisë si në Bilisht, Durrës, Ersekë, Krujë, etj. Po ashtu ai ka dhënë mësim edhe jashtë vendit si në Prilep, Allosojë, Ankorë, etj.

Në gjuhët turke, arabe e persiane ai kishte arritur një nivel të lartë përvetësimi dhe lexonte nga origjinali vepra të karakterit fetar, filozofik, shkencor dhe letrar. Po ashtu edhe në gjuhët europiane, sllave e greke. Këtë nivel e trashëgoi edhe Abdullahu i vogël, duke ndenjur vazhdimisht pranë të atit dhe duke marrë mësimet e para dhe kulturën fillestare.

I ati i Hafizit vdiq në vitin 1936 në moshën 77 vjeçare, në qetësi dhe paqe, kur i biri, Abdullahu ishte në kulmin e punës së vet fisnike fetare e atdhetare…

Vitet e para të jetës dhe arsimimit

Hafiz Abdullah Zëmblaku u lind në qytetin e Bilishtit në vitin 1891. Menjëherë familja u vendos në fshatin Zëmblak, rrëzë fushë-kodrës, në të djathtë të rrugës Korçë-Bilisht, me pamje nga hyrja e fushës së Devollit. Ishte fëmijë i urtë e shumë i zgjuar, plot nur.

Kishte dëshirë të meditonte gjatë dhe të dëgjonte me ëndje të atin kur falej dhe këndonte sure nga Kur’ani i Shenjtë. I pëlqente të thurte vargje e të bënte vjersha të shkurtra sipas modeleve të librave që i lexonin prindërit dhe të bejteve që qarkullonin në atë kohë, disa prej të cilave kishin thekse satire dhe ironie, ku fshikulloheshin vese të njerëzve dhe të zakoneve shoqërore e familjare të kohës…

Mësimet e para fillore dhe të mesme të asaj kohe (e mesmja quhej qytetëse), Abdullai i vogël i mori prej babës së vet Sali Hulusiut në kushtet e shtëpisë. Mësoi përveç gjuhës shqipe edhe bazat e turqishtes, arabishtes e persishtes.

Pastaj i vazhdoi studimet teologjike në Medresenë e Prilepit, atje ku ka shërbyer edhe i ati, si mësues Ruzhdieje.

Në vitin 1910, në moshën 19 vjeçare i mbaroi këto studime dhe u nis për të konkuruar në Universitete të Stambollit të Turqisë, kryeqendër e Perandorisë Osmane, qendër e madhe diturie, qeverisjeje, qytetërimi, ku gëlonin virtyte dhe vese të çfarëdollojshme.

Dëshironte të vijonte studimet e larta filozofike dhe fetare dhe u pranua në Degën Ilahijat të Universitetit. Medreseja e naltë ku ai kreu studimet quhej Darulhilafe dhe shkolla e lartë e Stambollit quhej Darulfununi Sherijje (Universitete) (marrë nga shënimi në Mevludi Paq, viti 1940). Aty mori vlerësimet më të larta në teori e praktikë. Tregojnë se në përfundim të studimeve teorike e praktike, studentët hoxhallarë të rinj i çuan në një pyll. U dhanë nga një pulë të gjallë dhe nga një thikë dhe u thanë: “Therrini, duke mos ju parë kush! “Të rinjtë u shpërndanë nëpër pyll dhe secili e kreu punën e ngarkuar, përveç 5 vetave, midis të cilëve edhe Abdullahu. Kur i pyetën përse nuk kishin bërë si të tjerët, A. Zëmblaku shpjegoi në emër të të pestëve: “Nuk mundëm, sepse Allahu shikon gjithçka!” Atëhere drejtuesit e shkollës vlerësuan me nota maksimale të pesë të rinjtë në fjalë, midis tyre, të parin H.A.Zëmblakun.

Sapo përfundoi studimet e larta dhe u diplomua shkëlqyeshëm, për shkak të fillimit të Luftës së Parë të Përbotshme, u mobilizua nën armë nga shteti osman. Pasi shërbeu për disa kohë si oficer rezervist, u lirua dhe u kthye në atdhe, pranë familjes, plot ëndrra të bukura dhe plane për të ardhmen.

Misionar i përkushtuar dhe mësues i palodhur

Ishte koha kur vendi kishte nevojë për njerëz të mësuar e të përkushtuar dhe djaloshi i devotshëm dhe i përgatitur më së miri duhej t’i shërbente popullit të tij. Për disa vjet Hafiz Abdullahu punoi si imam hatib në fshatin Zëmblak. Aty i hyri punës për të zgjeruar njohuritë e tij fetare, shkencore e kulturore, duke lexuar pa u lodhur literaturë të vjetër dhe bashkëkohore, nga botimet që gjendeshin pranë familjes dhe në libraritë e Korçës, Tiranës, madje porositi literaturë edhe jashtë vendit.

Në vitin 1921, me propozim të Ministrisë së Arsimit u emërua mësues në fshatin Kuç dhe Belorta të Korçës. Në këtë detyrë fisnike punoi vetëm tre vjet, pastaj dha dorëheqjen, për t’u përkushtuar tërësisht në veprimtari fetare dhe për të praktikuar arsim të lirë dhe fe pa pengesë.

Tashmë H. Abdullahu e ndjente veten të përgatitur për të nisur punën intensive në lëmin e përkthimeve dhe botimit të librave fetare dhe shkencore në gjuhën amtare, për të cilat kishte mungesa të mëdha dhe kërkesa të vazhdueshme. Hafizi angazhohej vetëm 6 muaj në detyrën e tij si imam në fshatin Zëmblak, ndërsa gjysmën tjetër të vitit linte një zëvendës të përgatitur nga vetë ai dhe shëtiste në të gjithë vendin, duke dhënë mësime, duke shpërndarë literaturë e duke ndihmuar e inspektuar të gjitha shkollat fetare islame të vendit. Për këtë ai kishte edhe autorizimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar dhe të Ministrisë së Arsimit. (Shënimet në ballinën e prapme të librit “Bilbili Besëtar”, viti 1936).

Kryeministri Mehdi Frashëri, mik i vjetër i Hafizit, i ka premtuar: “Hafiz Zëmblaku ligjërisht është i lirët të mësojë Fe dhe për këtë çështje do t’i them edhe Ministrit të Arsimit, që të mos pengohet nga arsimtarët. (Marrë nga libri “Bilbili shpirtnor ose Misionarët myslimanë)

Në punën e tij misionare, që nga viti 1936 merrte edhe vajzën e tij 8 vjeçare, Hedijen, e cila u bënte mësim vajzave, duke u mësuar atyre vjersha, këngë dhe ilahi, lojëra të ndryshme, shkrim e këndim shqip e arabisht.

Disa herë iu bë ftesë për të kryer detyrën e Myftiut në Korçë dhe Kavajë, por ai e shtynte përgjigjen, duke refuzuar, për të qenë i lirë në veprimtaritë e tij të madhe e të palodhur si përkthyes e botues, në shërbim të mbarëvajtjes së fesë Islame dhe të arsimit shqip.

Si rezultat i një pune të madhe, këmbëngulëse e të gjatë në kohë me librin dhe botimet, H.A. Zëmblaku ia doli mbanë të përkthejë, hartojë, shkruajë dhe botojë mbi 30 libra origjinalë dhe të përshtatur, të cilët ishin shumë të kërkuar dhe që u ribotuan disa herë, për të qarkulluar brenda e jashtë vendit.

Në punën e tij fisnike e ndihmoi shumë edhe miqësia që pati me të palodhurin dijetar dhe misionar, Hafiz Ali Korça. Pati bashkëpunim edhe me intelektualë të tjerë të rajonit dhe të vendit, myslimanë ose jo, si edhe me dijetarë të huaj.

Hafiz Abdullah Zëmblaku ia doli të bëhej njëri nga intelektualët më të spikatur dhe më të përkushtuar të kulturës shqiptare, fesë islame dhe arsimit shqip, duke fituar një reputacion të madh brenda e jashtë vendit.

Edhe pas çlirimit veprimtaritë fetare dhe arsimore i vazhdoi, me gjithë kushtet e vështira të kohës dhe pengesat e monizmit. Është dënuar dy herë me burg nga gjykatat komuniste për motive politike. Po ashtu vlen të theksohet se H. Avdullau ka qënë i internuar për disa muaj në Krujë nga qeveria e Zogut, me vetë porosinë e mbretit, për shkak se në një libër pat shkruar “ Ti moj Nëna Mbretëreshe,/ k’to Komuna pse i deshe?…” Tregojnë se pas internimit Mbreti e thirri në Tiranë, ku patën një bisedë kokë më kokë për probleme të ndryshme. Monarku i dha pastaj një shpërblim për familjen dhe Sheh Abdullau u kthye sërish në fshat për të vazhduar punën e vet…

Abdullah Zëmblaku dhe Shkodra

Nuk është e rrastit që H.A. Zëmblaku i ka shkruar një pjesë të veprave të tij edhe në dialektin gegnisht, të cilin e vlerësonte shumë. Ai ka punuar shumë edhe në veri të Shqipërisë duke kryer shërbime, siç thotë ai vetë “… për Hatër të Zotit, jo për hatër të rrogës.”

Shkodra është vendi ku ka punuar më shumë Hafizi, sidomos në periudhën pas mbarimit të shkollave, në verë. “Mësimi shqip plotësohet për pak ditë dhe drita e besimit rrënjoset përjetë”, thodhte ai për këto kurse verore.

Në vitet ’30 të shekullit të 19-të Shkodra kishte 45 xhami, ndërsa shkodranët çmoheshin përgjithësisht si njerëz fetarë e kombëtarë. Në 10 xhamitë kryesore, si në Rus, Guras, Mbret, etj., Hafiz Abdullau organizonte në verë shkolla të mësim- besimit. Fëmijët dhe të rinjtë, vajza e djem, mësonin një javë, ku mblidheshin në shoqëri, merrnin libra e fletore falas dhe mësonin faljet sipas rregullave përkatëse.

“Shkodra fetare – Meka e Shqipërisë; Shkodra e madhe – Stambolli i Shqipërisë”, shkruan për këtë qytet me gëzim e krenari H.A. Zëmblaku. Duke përshkruar misionin e tij fetar të vitit 1936 në të gjithë Shqipërinë, thekson padijen dhe nivelin e ulët përgatitor të klerit mysliman në bazë.

“Në botë ca njerëz turpërohen nga robi, ca nga Zoti, po ca presin vetëm rrogat.” “Në Vlorë ka xhami, po si kafazi pa bilbil – s’ka xhemmat… Peshku, kur qelbet nga koka, zë qelbet edhe nga bishti”, shkruan midis të tjerash Hafizi me theks kritik në librat e tij.

Le të përmendim se për qëndrimin e tij tepër kritik edhe ndaj punëve të qeverisë, H.A. Zëmblaku është internuar pas viteve ’30 të shekullit XX për një muaj në qytetin e Krujës.

Në një vjershë të tij ai shkroi “Ti, moj Nëna Mbetëreshe, këto komune pse i deshe?!…”, duke kritikuar me theks satirik disa reforma të regjimit. Interesante janë mendimet e H.Zëmblakut për të dy dialektet kryesore në vendin tonë. Ai shkruante: “Për me shkurtim gradon Gegnishtja, për me hollësi na duket Toskërishtja, e cila rreh çekan në majë të kokës. Gegnishtja më tepër tingëllon në hundë, përmenet i ndjeri Hafiz Ali Korça, në gjuhën tonë, po të mos përdoren fjalë të huaja, të dy palë dialektet, që janë motra, do të ruhen dhe do të njihen përgjithësisht… ” (Jepet një fjalor i vogël f.83 Bilbili i nëntë – Pëllumbi.)

Vitet e fundit të jetës

H.A.Zëmblaku nuk është marrë shumë me politikë, por edhe indiferent nuk ka qëndruar ndaj saj. Parapëlqente një monarki të tipit perëndimor, ku Liria të harmonizohej mirë me dituritë dhe edukatën fetare. Ai agjëronte gjithë vitin dhe bënte ibadet (falej) vazhdimisht, sidomos në namaz nate.

Ai e kuptonte mirë politikën, ndonëse nuk ju kushtua shumë asaj. Përkrahte por edhe mbështeste e frymëzonte forcat politike të asaj kohe që e urrenin vërtet pushtuesin, pa braktisur traditën dhe pa qenë skllevër të idhujtarisë bolshevike. Miqtë e tij nga Zëmblaku ishin rreshtuar nëpër aradhat atdhetare të traditës, të cilët nuk kishin lidhje me idetë e huaja. Hafizi shpirtërisht i përkrahu ata.

Për rrjedhojë ai u pa me sy jo të mirë nga regjimi i ri monist, që doli pas luftës. Megjithatë Shehu mbeti në sytë e popullit ashtu siç ishte në të vërtetë, i urtë, i ditur e i drejtë, durimtar e atdhetar veteran. Veprimtaria e madhe atdhetare, librat e shumtë të shkruar e botuar dhe jeta e tij shembullore e kanë bërë figurën e tij të pavdekshme brez pas brezi dhe një nga figurat më të shquara të fesë Islame dhe arsimit në trojet shqiptare.

Pas çlirimit të vendit, për shkak të qëndrimit të regjimit të ri monist ndaj fesë dhe klerikëve, përbuzës dhe denigrues përgjithësisht, Hafiz Zëmblaku, si edhe klerikë të tjerë të vendit, vuajtën dhe hoqën keq. Për motive politike dhe fetare Hafizi u dënua dy herë nga gjykata e atëhershme.

Ai nuk lejohej të qarkullonte lirshëm në të gjithë vendin si më parë, nuk i lejohej të botonte libra, si dikur. Kështu që veprimtaria e tij fetare, letrare e shkencore u rrudh, u përqendrua brenda mureve të shtëpisë dhe në xhaminë e fshatit Zëmblak.

Ai shihte me keqardhje se si brezi i ri po e braktiste besimin fetar, po shthurej moralisht, nuk po nderohej pasuria, puna e tjetrit; njerëzit po vetëflijoheshin në arenën e madhe të luftës së klasave, vendi po izolohej gjithnjë e më shumë nga miqtë e dikurshëm nëpër botë dhe në moçalin ideologjik të kohës po lulëzonte ateizmi, literatura bolshevike dhe përndjekja e intelektualëve, për të cilën kishte shkruar dikur me tone alarmi Hafiz Ali Korça.

Hafiz Abdullah Zëmblaku vdiq më 31 gusht 1960, i përcjellë me respekt dhe mallëngjim nga mijëra besimtarë, nga të afërm, shokë e miq, nga vendlindja dhe diaspora.

INTELEKTUALI QË SHKROI HISTORINË DHE BËRI HISTORI

 Afrore SHAIPI



Ibrahim Kelmendi

Ibrahim Kelmendi

Me rastin e 99 vjetorit të lindjes, kujtojmë jetën dhe veprën e intelektualit dhe patriotit të shquar

 

Patriotizëm do të thotë ta duash vendin tënd. Patriotizëm është ta mbrosh atdheun e kombin tënd kudo e kurdo. Me vepra e me fjalë. Ta mbrosh edhe me armë po qe nevoja, po edhe ta respektosh me dije e shkencë për t’ia ngrite ne piedestal kulturën dhe civilizimin e tij. Kushdo që bën një gjë të tillë, pasqyron më sinqerisht ndjenjën e atdhedashurisë. Këta njerëz janë të paktë. E në mesin e tyre ka vend edhe për historianin e parë të Kosovës Lindore, profesorin e shquar Ibrahim Kelmendin.

 

Në gjurmët e të parëve, drejt rrugës së dijes

I lindur më 16 prill 1916, në një familje qytetare dhe arsimdashëse të Preshevës, ai pati një fëmijëri të mundimshme e të vuajtur. U rrit pa kujdesin e plotë familjar, në një vend me probleme të shumta etnike e politike, ku bashkëkombasit e tij urreheshin e përbuzeshin. Nisi të shkollohej në shkolla me propaganda të forta antishqiptare, por ja që kurrë, në asnjë moment nuk ra pre e ndikimit të tyre. Përkundrazi, i kundërshtoi hapur dhe ashpër!

Përkundër rreziqeve e peripecive, qe i vendosur të ndjekë gjurmët e të atit. Iu përkushtua rrugës së dijes e shkollës. Vetëm se i ati kishte studiuar drejtësinë në Universitetin e Stambollit, kurse ky u përcaktua për degën e Historisë në Universitetin e Beogradit (1938). Zgjodhi historinë, sepse donte me çdo kusht ta dëshmonte historinë, origjinën, gjuhën e kulturën shqiptare, që të tjerët mundoheshin vazhdimisht ta fshinin, ta zhduknin apo ta shtrembëronin. Vitin e parë e kreu në Shkup, të dytin dhe të tretin në Beograd, semestrin VII në Peruxhia të Italisë, kurse semestrin VIII në Zagreb, ku edhe diplomoi më 1942. Lëvizi shumë, sepse asnjëherë nuk mund t’i duronte deri në fund ligjeratat propagandistike antishqiptare, me falsifikime e keqintrepretime. Do t’i kundërshtonte gjithmonë, prandaj dhe do të sanksionohej. Por dënimet dhe pengesat se ndalnin dot, se edhe ai vetë pati deklaruar “…do t’i qëndroj gjithmonë besnik gojëdhënave e rrëfimeve që kam dëgjuar që në vegjëli nga familjarët dhe paraardhësit e mi në Preshevë”. Dhe me të vërtetë i qëndroi besnik. Madje arriti edhe t’i dokumentojë në fakte e vepra që do t’i botonte në vitet në vijim.

Njeriu i pendës dhe i luftës

Pas diplomimit, Ibrahim Kelmendi nisi punën si profesor i historisë e pastaj edhe zv.drejtor i Shkollës Normale “Sami Frashëri” në Prishtinë. Jo vetëm si profesor, por edhe gjatë kohës kur ishte student, duke i ndihmuar studentët e tjerë shqiptarë, Ibrahim Kelmendi dha kontribut të paçmueshëm në vetëdijësimin e gjeneratave të reja, për zhvillimin e arsimit dhe kulturës, për të respektuar dhe mbrojtur kombin dhe gjuhën e pastërt shqipe. Ai pati ndikim në shumë njerëz, prandaj dhe gëzoi respektin e shumë prej tyre. Si një antifashist i devotshëm, ishte zgjedhur kryetar i Rinisë së Ballit Kombëtar të Kosovës. Ishte anëtar aktiv i kreut të ngushtë të Komitetit të Intelektualëve  të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, këshilltar i Komitetit të Rinisë Nacionaliste Shqiptare dhe ishte në organin drejtues të Komitetit Demokratik Shqiptar.

Por, atdhedashuria, e mishëruar aq fuqishëm në personalitetin e tij, kishte jo vetëm anën intelektuale, të pakrahasueshme për kohën dhe vendin ku  jetoi, por ngërthente edhe shpirtin guximtar e luftarak për të qenë gjithmonë i gatshëm t’i dalë në mbrojtje vendit të vet. Kjo u pa edhe më 1944 kur si shumë bashkëvendas të tij, me pushkë në dorë mori pjesë aktive  kundër forcave sllavopartizane në përleshjet në Anamoravë, Ferizaj, Gjilan, Malësi të Preshevës e Drenicë. Kelmendi nuk e pranonte asnjëherë robërinë. Do të kërkonte me çdo kusht lirinë dhe prosperimin e popullit të vet. Ky ishte qëllimi i tij parësor dhe s’do të kishte asnjë frymë apo ideologji që do ta ndalte. Një bindje e këtillë, do t’i kushtonte shumë. Gjatë tërë jetës. Shumë herë do t’ia rrëmbente edhe lirinë nëpër burgje e kampe. Do të bëhej viktimë e kërcënimeve, që do t’i sillnin çdo ditë vdekjen më pranë. Por sado pranë të kishte vdekjen, dëshira e madhe për të realizuar ëndrrën e tij, ia shtonte jetën. I jepte kurajo. I jepte vullnet.

Kundërshtar i përjetshëm i komunizmit

Ai gjithmonë vepronte për të mirën e popullit, edhe pse kjo nuk i shkonte përshtat regjimeve të atëhershme. Qëndrimi i tij i palëkundur se“komunizmi është një proces jo natyror” , do ta vendoste atë në anatemën titiste e enveriste.. Si ithtar i përheshëm i idealit të lirisë dhe demokracisë, Ibrahim Kelmendi besonte se vetëm ky parim do të duhej të jetë e ardhmja e shqiptarëve. Ndonëse i përndjekur vazhdimisht, ai e dinte se atdheu duhet dashur e respektuar, edhe atëherë kur udhëhiqet nga njerëz jo të duhur. Sepse ai ashtu e donte edhe vetë. Këtë e dëshmon edhe deklarata e tij në një kohë, kur kompani shqiptare e të huaja po përgatitnin një grup diversantësh shqiptarë që të zbarkonin në Shqipëri për të përmbysur regjimin komunist. Atëbotë, Ibrahim Kelmendi me miqtë e tij të ngushtë patën deklaruar “Ne nuk do të shkojmë kurrë në Shqipëri që të vritemi në luftë kundër shqiptarëve të atjeshëm, apo edhe të vrasim ushtarë shqiptarë. Shqiptarët e Kosovës gjithmonë kanë luftuar dhe do të luftojnë për bashkim me Shqipërinë e jo kundër saj…Nëse dëshironi t’i dërgoni kosovarët ta luftojnë komunizmin diku, atëherë na ndihmoni të shkojmë në Kosovë dhe në Serbi dhe atëherë do të shihni se si luftohet dhe si vdiset për ideale dhe kundër komunizmit”. Pas kësaj vendosmërie të prerë, e vetmja rrugë që i mbeti ishte ajo e mërgimit drejt Australisë së largët.

Zëri i shqiptarëve, nga Australia e largët

Vazhdoi jetën në atë pjesë të botës, shumë larg familjes, miqve e vendlindjes. Por mendja dhe zemra i ngeli përgjithmonë këtu, tek ne. E vetmja mënyrë për t’i ndenjur pranë bashkëkombasve, ishte të vazhdonte aktivitetin e tij politik e intelektual edhe atje. Prandaj dhe botoi me dhjetra shkrime e dokumente nëpër gazetat shqiptare në diasporë si: “Albania” e Bostonit, “Albania” e Romës, “Përpjekja e Jonë” e Nju Jorkut, “Flamuri” i Ballit Kombëtar, “Besa” e Stambollit, “Koha jonë” e shumë të tjera. Gjatë jetës, ka lënë shkrime shumë të rëndësishme për historinë e shqiptarëve si:  “Ilirët në protohistori-origjina,kultura dhe përhapja e tyre”, “Prej Miteve deri në Butmir”, “E vërteta mbi gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavi”, “Përbërja etnike dhe historike e Kosovës”, “Kosova në luftë me komunizmin”, “Perspektiva e imperializmit serb”, “Një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë” e kështu me radhë…

Historiani i parë i Kosovës Lindore

Ndonëse, në kohët e sotme këto dukuri janë studiuar edhe më gjerë, nuk duhet harruar, se për kohën dhe rrethanat në të cilat jetoi Ibrahim Kelmendi, aftësia e tij për t’i realizuar këto studime, mbetet unike dhe e pamohueshme. Kjo e veçon atë nga të tjerët. E bën ndër ilirologët e parë në tërë trevën e Kosovës. E ngre në nivelin më të lartë të intelektualëve të kohës së tij. Profesor Kelmendi, me veprën dhe vet jetën e tij, e nderoi kombin. Dhe sot, pas vdekjes, kombi duhet ta nderojë atë. Ta nderojë me mirënjohje të thellë, për shërbimin që ia bëri. Në luftë dhe në paqe. Me armë dhe me pendë. Më 1979, vdekja i mori trupin, por vepra i ngelet përjetë. Ai do të kujtohet gjithmonë, si një personalitet shqiptar i dalluar, ku mishëroheshin bujaria, guximi, urtësia, arsimimi, idealet dhe patriotizmi. Me një fjalë ai do të mbetet gjithmonë simbol shqiptar i qytetërimit, që Presheva e vogël ia dhuroi Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve.

MEHMET PASHË DËRALLA, NJË JETË KUSHTUAR ATDHEUT

Mehmet Pashë Dëralla

Mehmet Pashë Dëralla i rrethuar në foto

Mehmet Pashë Dëralla është një ndër figurat e shquara të Kombit Shqiptar. Ai lindi në Gradec të Tetovës në vitin 1843. Arsimin fillor e mori në Tetovë, kurse atë të mesëm në Shkup. Ishin vite kur ndjenja e fortë e lirisë dhe e shpëtimit kombëtar po rritej me shpejtësi në të gjitha trojet shqiptare.

Në periudhën e Rilindjes Kombëtare shqiptare familja Derralla, ka qenë në çdo kohë në radhët e para të barrikadës ndaj çdo rrebeshi, të paepur në stoicizmin e tyre, ajo është përballur me hordhi armiqësh ,duke mbrojtur me heroizëm trojet shqiptare. Në familje Mehmet Dëralla mësoi shumë për të kaluarën e popullit shqiptar dhe më pas, kjo ndjenjë e kultivuar do ta bënte një luftëtar të paepur për lirinë e kombit shqiptar.

Mehmet Pashë Dëralla njihet në memorien historike si një ndër protagonistët e Lidhjes së Prizrenit në vitin 1878 dhe ishte një nga nënshkruesit e deklaratës së pavarësisë… Ishte një nga protagonistët kryesorë të qëndresës shekullore përballë sulmeve serbo-malazeze. Nën komandën e tij, luftëtarët shqiptarë i gozhduan forcat serbe në hapësirën ndërmjet Drinit të Bardhë e Drinit të Zi. Arsimin fillor e kreu në Tetovë, kurse atë të mesëm në qytetin e Shkupit. Pas shkollimit në vendlindje, studimet e larta i ndoqi në Akademinë Ushtarake të Turqisë. Pas diplomimit, do të shërbente për disa vite në një regjiment këmbësorie në Anadoll dhe njëherazi, atij do t’i jepej e drejta për të ndjekë shkollën e lartë të Shtatmadhorisë në Stamboll, që ishte niveli më i lartë i arsimimit ushtarak në Turqi. Në moshën 35-vjeçare u gradua Pasha (Gjeneral) i Perandorisë Osmane . Gjenerali i ri u emërua komandant xhandarmërie në Bagdad të Irakut dhe, më vonë, në Halep të Sirisë. Nga Siria u transferua në Selanik, më pas transferohet në vilajetin e Kosovës, ku vendoset me detyrë në kryeqendrën e tij, në Shkup. Në vijim e shohim në funksionin e qeveritarit dhe komandantit të qarkut të Prizrenit që përfshinte edhe Gjakovën, Tetovën dhe Lumën.

Gjenerali i ri, Mehmet Pashë Dëralla, në kulmin e karrierës së tij e hoqi uniformën osmane të pashait, për të mos e veshur më kurrë gjatë gjithë jetës së tij,sepse ishte vënë në dispozicion të Ushtrisë Vullnetare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ai u emërua këshilltar i njërit prej udhëheqësve popullorë të Lidhjes Shqipatre të Prizrenit, Sulejman Vokshit.

Mehmet Dëralla së bashku me babanë e tij ishin në vijën e parë të frontit të luftës për liri. Babë e bir treguan gatishmëri të lartë për të sakrifikuar gjithçka për idealet kombëtare shqiptare.

Lidhja e Prizrenit u shtyp, por Mehmet Pasha nuk hoqi dorë nga idealet e tij. U aktivizua përsëri në Lidhjen e Pejës ,nën drejtimin e Haxhi Zekës. Mehmet Pashë Derallën e internuan në Bagdad për t’i prerë çdo mundësi kontakti me Shqipërinë

Në dokumentat e botuara shkruhet : “Kryengritja xhon-turke e vitit 1908, që u pasua nga një amnisti e përgjithshme, i dha mundësi Mehmet Pashës të rikthehej në funksione të larta në ushtrinë osmane. Në Stamboll mendonin se ai do ta mirëpriste rehabilitimin dhe riveshjen e uniformës së gjeneralit osman. Pas dy dështimesh të hidhura, a nuk ishte rasti që ai të mendonte, më në fund, edhe për veten e familjen e tij, për të ardhmen e tij dhe njëherësh për prosperitetin e të tijve, për një jetë të qetë e të lumtur? Mirëpo për çudinë e shumë turqve dhe të pak shqiptarëve që nuk e njihnin sa e si duhet, Mehmet Dëralla refuzoi duke dhënë përgjigjen e tij befasuese: “U jam mirënjohës për bamirësinë, por tani i takoj tjetërkujt”.

Ai refuzoi, sepse fatet e Shqipërisë i qenë njësuar në vetëdije me fatet e tij. U kthye në atdhe me po atë vendosmëri të viteve të stuhishme të të dy lidhjeve historike shqiptare që mbetën vetëm si gurë kilometrikë udhërrëfyes drejt pavarësisë. E presin triumfalisht në vendlindje pas një mungese të gjatë gati dhjetëvjeçare. Tashmë ai ishte bërë i njohur edhe në qarqet më të larta të Europës. Emri i tij qe cituar edhe nga ministri i Jashtëm i Austro-Hungarisë, konti Bertoldt, për të cilin “Mehmet Pashë Dëralla qe një burrë me kulturë të gjerë dhe ndjenja të pastra kombëtare”.

Në vitet 1908-1912 shtëpia e Derallave në Tetovë do të shndrrohej në një çerdhe të shqiptarizmës. Mehmet Pasha dhe i biri Halimi ishin kurdoherë në krye të lëvizjeve të mëdha atdhetare,duke dhënë ndihmesë jo vetëm me trimërinë,guximin,logjikën por edhe me pasurinë e tyre.Të dy sëbashku ata do të prisnin e do të përcillnin në shtëpinë e madhe në Tetovë, trimat patriotë e atdhetarë si Sali Gjukën, Bedri Pejanin, Bajram Currin, Isa Boletinin, Mid’hat Frashërin, Hamdi Ohrin, Hoxhë Vokën dhe dhjetra atdhetarë të tjerë nga krejt viset etnike shqiptare. Ata do të merrnin pjesë në Kuvendin e Junikut e mandej në fillim të viteve 1912,do të komandonin çetën e parë të luftëtarëve tetovarë, e cila rroku armët për t’u bërë ballë sulmeve turke dhe atyre serbo-bullgare Mehmet Pasha ishte një nga organizatorët më në zë të kryengritjeve të mëdha të Kosovës të viteve 1910, 1911 dhe 1912.

Lufta e vendeve të Ballkanit kundër Perandorisë Osmane kishte objektiv kryesor pushtimin e trojeve shqiptare. Mali i Zi, Serbia, Bullgaria dhe Greqia ishin të interesuara të mohonin ekzistencën e kombit shqiptar, për të realizuar aneksimin e torejeve shqiptare. Në këto ditë të tmerrshme jete ose vdekjeje për shqiptarët. Mehmet Dëralla përkrah atdhetarëve të shquar, ishte ndërmjet radhëve të para që u ngritën në këmbë për mbrojtjen e tokave shqiptare.

Gjenerali Mehmet Dëralla, në luftimet e ashpra me serbët, arriti t’i mbajë trupat serbe në hapësirën ndërmjet Drinit të Bardhë e Drinit të Zi. Një bllokim i tillë krijoi terrenin e domosdoshëm, siguroi kushtet historike për ngjarjen e madhe të ngritjes së flamurit në Vlorë më 28 nëntor 1912.

Mbas Shpalljes së Pavarësisë dhe formimit të qeverisë të parë të Shqipërisë të Pavarur, kryeministri Ismail Qemali , mbështetur në meritat, kapacitetet profesionale dhe atdhedashurinë e zjarrtë të Mehmet Pashë Derallës i ofroi postin i ministrit të ushtrisë kombëtare shqiptare. U formua Ministria e parë e Mbrojtjes që quhej Ministria e Luftës. Ministri i parë i luftës ishte Mehmet Pashë Dëralla. Kjo Ministri kishte një efektiv që përbëhej nga disa oficerë shqiptarë të ish ushtrisë turke, nënoficerë dhe popull të armatosur. Si detyrë kryesore këto forca kishin të organizonin mbrojtjen e qytetit të Vlorës ku ndodhej qeveria e sapo formuar dhe ta mbronte atë nga çdo lloj rreziku.

Mehmet Pashë Dëralla, u emërua Ministër i parë i Luftës , në bazë të mbledhjes së pestë të kuvendit Kombëtar të Vlorës, sipas votave të fituara. “Kjo zgjedhje u verifikua në seancën e pestë, e cila filloi më 3 dhjetor dhe zgjati deri më 4 dhjetor, kur u bë votimi për ministra, ku nga 63 delegatë, të pranishëm ishin vetëm 57, vend i tretë i takoi gjeneralit tetovar me 42 vota, pas Luigj Gurakuqit e Mufid Beut”.

Dita e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, 4 dhjetor 1912, lidhet dhe me emrin e kontributin e Mehmet Dërallas, i cili u bë organizatori dhe frymëzuesi i qëndresës me armë në dorë kundër të gjitha trupave pushtuese ballkanike që po sulmonin Shqipërinë. Ai reformoi trupat vullnetare dhe siguroi sovranitetin e Qeverisë së Vlorës.

HAFIZ ALI KORÇA DHE BOLSHEVIZMA

 Roald A. HYSA

 


Hafiz Ali Korça

Hafiz Ali Korça

Hafiz Ali Korça si askush tjetër në lëvizjen tonë politike ndërtoi një vizion të qartë dhe largpamës për të ardhmen jo vetëm kombëtare, por edhe gjithënjerëzore. Këtë konceptim pak kozmopolit e universal ai e ndërtoi në veprën “Bolshevizma çkatërimi i njerëzimit” 1925. Pikërisht kjo vepër duhet studiuar më gjerësisht për të parë konceptin largpamës dhe të gjerë që e karakterizoi gjithmonë Hafiz Aliun dhe për të cilin pati pasoja të ndjeshme në jetën e tij private. Me kohë Hafiz Aliu do të hetojë rrezikun e bolshevizmit dhe ideve të importuara ruse, i cili e çonte kryet lart në emër të barazisë e drejtësisë, duke krijuar një fuqi të madhe të ashtuquajtur “proletariat” për ta mbisunduar botën. Vepra “Bolshevizma çkatërimi i njerëzimit” (1925) shënon fazën e pjekurisë politike të Hafiz Aliut. Ai përmes shënimeve statistikore, thekson shkatërrimet e mëdha që kishin bërë bolshevikët asokohe në Bashkimin Sovjetik. Në një mënyrë apo në një tjetër, me anë të kësaj vepre ai kërkon shpëtimin e atdheut nga kjo sëmundje e rëndë duke konstatuar: Si çdo atdhetar dëshiron që shtetit dhe kombit të vet t’i shërbejë sipas fuqisë që të ketë. Na duhet të përmendim që një pjesë e mirë dhe e ndjeshme e veprës së tij në dorëshkrim është zhdukur dhe po bëhen përpjekjet për ta nxjerrë përsëri në dritë nga arkivat ku e kishin fshur gjatë kohës së regjimit komunist. Kjo bëhet e kuptueshme si pasojë e rrethanave historike e politike të krijuara, të Shqipërisë së pas Luftës së Dytë Botërore dhe sistemit diktatorial që e pasoi për një periudhë të gjatë gati pesëdhjetëvjeçare. Kontributi i tij është shumëplanësh në jetën kulturore dhe sociale të kombit tonë. Një vend të veçantë nga ana studimore paraqet edhe letërkëmbimi i tij me figura të politikës dhe shkencës. I damkosur nga regjimi komunist si klerik reaksionar dhe pjesëtar i Ballit Kombëtar dënohet nga “Gjyqi i Popullit” me dëbim. Vitet e fundit të jetës i kalon në Tiranë e më pas dëbohet në Kavajë, mu për pikëpamjet e tij antikomuniste, ku edhe vdes në mjerim të plotë ky mendimtar, patriot dhe veprimtar i shquar islam më 1956. Pavarësisht nga paragjykimet politike që i janë bërë ai mbetet një figurë e shquar e plejadës së klerikëve militantë, që ishin të gatshëm të sakrifikonin edhe jetën e tyre për hir të së vërtetës. Megjithëse nga sasia e materialit që paraqet në këtë studim të shkurtër, ajo ka dalë në formën e një broshure dhe për nga ana studimore këtu paraqitet modestisht; me këto faqe Hafiz Ali Korça hyn denjësisht në historinë e mendimit politik, si i pari person që e denoncon publikisht ideologjinë bolsheviko-komuniste. Ai në këto faqe të pakta nëpërmjet disa të dhënave ve në dukje rrezikun që i kanosej nga ideologjia bolshevike, shoqërisë shqiptare, e karakterizuar nga ekuilibre delikate, në të cilën gjendej në atë kohë Shqipëria e sapodalë nga Lufta I Botërore, e cila e dëmtoi shumë vendin. Pikërisht në fillimin e viteve ’20-të të shekullit të kaluar shkëputen lidhjet e Shqipërisë me Turqinë pas rënies së kalifatit dhe shkatërrimit të tij prej Mustafa Qemalit. Në çastet e pasluftës i gjithë Perëndimi kalon në një fazë trazirash me lëvizje tronditëse sociale. Pas fitores së Revolucionit Bolshevik të Tetorit në Rusi me në krye Leninin, gjithashtu do të bënte që ekuilibret botërore të ndryshonin ndjeshëm. Rusia u gjend para ndryshimeve radikale dhe të menjëhershme. “Dekreti mbi tokën” bëri që e gjithë prona private e çifligarëve, carit dhe e institucioneve fetare t’i kalonte sovjetëve të fshatarëve, duke u kthyer në një pronë të përbashkët. Menjëherë pas dy vjetësh po me iniciativën e Leninit në kundërpërgjigje të Perëndimit, i cili përkrahu gjeneralët kozakë: Kollçakun, Denikinin, Judeniçin, Vrangelin etj., hapet në Moskë, Kongresi I i Internacionales III Komuniste. Menjëherë pas kësaj Evropën e përfshin një valë grevash, protestash e revolucionesh bolshevike siç ishin: ai në Gjermani i organizuar nga krerët e PK-së Gjermane, Roza Luksemburg dhe Karl Libkneht kur në prill të 1919-ës e shpallin Landin e Bavarisë, Republikë Sovjetike. Po ashtu Bela Kun, udhëheqësi i komunistëve hungarezë, i përgatitur në Rusi, kryeson Republikën Sovjetike të Hungarisë dhe menjëherë me anë të një fushate ushtarake dhe të disa fitoreve të njëpasnjëshme pushton Çekinë në qershor të 1919-ës dhe ngre një tjetër republikë sovjetike atje. Megjithatë një ushtri rumune e bën atë që të tërhiqet shumë shpejt, por edhe si rezultat i një politike të brendshme të dobët Republika Sovjetike e Hungarisë detyrohet të bjerë dhe Kuni largohet nëpërmjet Vjenës për në Moskë. Atje, pas shumë vitesh qëndrimi akuzohet për trockizëm dhe në një nga spastrimet e bëra nga Stalini ekzekutohet në nëntor të 1939-ës. Po kështu Italia, Franca, Anglia e Amerika përfshihen nga një valë grevash e protestash punëtore në mbështetje të Rusisë Sovjetike, ndërsa në Itali Musolini hip në pushtet me Partinë Fashiste, e dalë fillimisht si fraksion nga radhët e Partisë Socialiste. Po ashtu gjendja e brendshme e Shtetit Shqiptar të dalë pas Kongresit të Lushnjes të vitit 1920 ishte tronditur disa herë radhazi. Qeveria e Lushnjes menjëherë iu desh të ballafaqohej me një luftë të pabarabartë me italianët në Vlorë dhe më pas me disa kryengritje afatshkurtra për të ardhur më pas në të ashtuquajturin Revolucionin Demokratiko-borgjez të Qershorit të 1924-ës, me në krye Fan Nolin dhe me mbështetjen e regjimenteve të Shkodrës me komandant, kolonel Rexhep Shalën dhe ai i Përmetit me komandant, kolonel Kasem Qafëzezi. Si rezultat i politikës së dobët të brendshme dhe të jashtme të Nolit dhe me përkrahjen e Fuqive të Mëdha të Perëndimit, në dhjetor të 1924-ës rikthehet në pushtet Ahmet Zogu. Kjo është pak a shumë në vija të trasha gjendja e jashtme dhe e brendshme në të cilën e pa dritën e botimit kjo broshurë. Pikërisht kjo është edhe merita e Hafiz Ali Korçës që diti të diktojë në ato çaste kush ishte rreziku real, që po i kanosej shqiptarëve, rrezik që po i kanosej edhe tërë Botës. Ai në këtë vepër i bën një analizë të hollësishme bolshevizmit, lidhur me “parimet” njerëzore, drejtësinë, luftën e klasave, punën etj, mbi të cilat ndërtohet sistemi bolshevik. Këtu ai ve në dukje dëmet e ndryshme që i solli pushteti sovjetik popullit të vet, qoftë nga ana morale, apo materiale e shpirtërore. Kjo vepër tregon njëkohësisht edhe pjekurinë politike të Hafiz Aliut. Pasi ka vënë në dukje dëmet morale dhe shpirtërore që solli vendosja e regjimit bolshevik në Rusi, ai me anë statistikash nxjerr në pah dëmet materiale në ushqim, bagëti, njerëz dhe se çfarë i bëri fesë kjo ideologji tashmë shtetërore. Statistikat e dëmeve njerëzore i ka nxjerrë nga Çeka e Feliks Xherxhinskit, embrioni fillestar i KGB-së së mëvonshme. Me këtë ai kërkon t’i paralajmërojë shqiptarët qysh herët për dëmet që sjell kjo ideologji si shkatërruese e të gjitha vlerave njerëzore të mirëfillta, ku ndër to kryesorja është feja dhe familja. Denoncimin e bolshevizmit ai e ka bërë edhe në një vepër tjetër të tijën, e cila e pa dritën e botimit po në këtë vit, 1925, Shtatë ëndrrat e Shqipërisë. Kjo është vepër e një karakteri krejt të ndryshëm nga Bolshevizma, sepse në të paraqet vizionin e tij për të ardhmen e vendit, porse edhe në këtë vepër, e cila do të ribotohej në maj të vitit 1944 ai përsëri do ta damkoste komunizmin si një ideologji shkatërruese. Kontributi i Hafiz Aliut me këto dy vepra është tejet i rëndësishëm edhe nga ana studimore, gjë të cilën është heshtur deri tashti, për shkak edhe të petkut të tij fetar.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...