Agjencioni floripress.blogspot.com

2022/02/27

“Jam zemërthyer”/ Papa Françesku kërkon ndihmë për Ukrainën: Lëshoni armët!

 

Papa Françesku ka bërë thirrje për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, e cila po merr përmasa të mëdha.

Teksa foli para një auditori në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa tha se është zemërthyer dhe armët duhen lëshuar. Ai theksoi se zoti do ata të cilët duan paqen dhe ftoi njerëzit të merrnin pjesë në një ditë ndërkombëtare lutjesh dhe agjërimi për paqe.

“Ata që bëjnë luftën e harrojnë njerëzimin. Nuk vjen nga populli. Ata nuk marrin parasysh jetën e përditshme të njerëzve, por vënë interesat partiake para gjithçkaje dhe besojnë në logjikën djallëzore dhe perverse të armëve, gjë që është më e largëta nga mendja e Zotit. Ata janë vëllezër e motra, për të cilët duhet të hapim urgjentisht korridoret humanitare. Ata duhet të mirëpriten. Le të heshtin armët. Zoti është me paqebërësit, jo me ata që përdorin dhunën… Janë njerëzit ata që janë viktimat e vërteta, që paguajnë marrëzinë e luftës me lëkurën e tyre”, tha Papa

Një ditë më parë ai bëri një vizitë të papritur në ambasadën ruse për t’ia përcjellë ambasadorit të Moskës shqetësimin e tij për pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

Pse ukrainasit kanë urrejtje për rusët?

 



                                             Akademik Prof.dr. Eshref Ymeri


   

Ngjarjet tragjike të ditëve të fundit, kur shovinizmi rusomadh, pasardhës i denj i shovinizmit tradicional rusocarist, ka ndërmarrë një agresion të tipit fashist kundër Ukrainës, kushdo rri e shtron  pyetjen se cila është arsyeja e një urrejtjeje kaq të madhe që Moska ushqen ndaj Kievit?

Në bazë të gërmimeve arkeologjike, dihet që vendbanimet e hershme në territorin e qarkut të Kievit kanë pasë ekzistuar që në epokën e paleolitit të epërm 20-25 mijë vjet më parë. Kievi është themeluar në shek VI. Me këtë rast, në vitin 1982 qe hedhur në qarkullim një pullë postare me rastin e 1500 vjetorit të themelimit të tij. Themelues i tij ka qenë prinvi Kij. Pikërisht në nderim të tij, qyteti u quajt Kiev.

Kievi shpesh herë quhet si “nëna e qyteteve ruse” dhe vlerësohet si djepi i qytetërimit ortodoks sllavianolindor. Rusia Kieviane (ky shtet kështu është quajtur në Evropën Lindore në shekujt e mesjetës) konsiderohet prej të dy vendeve si pararendësja e tyre historike.

Moska është themeluar në vitin 1147. Themelues i saj ka qenë princi ukrainas i Kievit Juri Dollgoruki (1090-1157).

Tradicionalisht, rusëve nuk u ka pëlqyer që Kievi, si kryeqytet i Ukrainës, të konsiderohej si vatra e qytetërimit sllavianolindor. Prandaj shovinizmi rusomadh, gjatë shekujve, Ukrainën e ka parë me syrin e njerkës dhe ka bërë ç’është e mundur për t’ia grabitur historinë, për ta praqitur Moskën si qendrën e një qytetërimi të tillë. Pikërisht këtu e ka themelin hasmëria shumëshekullore që ka pasë ekzistuar dhe vazhdon të ekzistojë mes këtyrte dy kombeve.

Pas dyndjes tataromongole drejt Rusisë Kieviane në vitet 1237-1242, fatet e popullit rus dhe të popullit ukrainas u ndanë përfundimisht nga njëri-tjetri.

Pra, marrëdhëniet mes Kievit dhe Moskës kanë një parahistori të gjatë, e cila është shoqëruar me mjaft ngjarje të rënda që kanë lënë gjurmë të thella në vetëdijen kombëtare të popullit ukrainas. Unë kam një informacion të pasur për natyrën e këtyre marrëdhënieve, të cilat kanë kaluar nëpër një spirale tragjike. Por në këto shënime nuk dëshiroj të shfletoj informacionet personale nga burime të mirfillta ukrainase, në mënyrë që të mos i lë shteg vetes të bëj vlerësime që ndokujt mund t’i tingëllojnë si subjektive, aq më tepë që unë ushqej shumë urrejtje ndaj politikës ruse, e cila tradicionalisht, duke filluar që nga Kongresi i Berlinit, ka mbajtur dhe vazhdon të mbajë një qëndrim tejet armiqësor ndaj kombit shqiptar në tërësi dhe ndaj Republikës së Kosovës në veçanti, deri edhe në ditët tona.

Prandaj e quajta me vend t’u drejtohem ca shënimeve mjaft interesante të një analisti ukrainas, i cili, duke u mbështetur mbi fakte historike, hedh mjaft dritë mbi arsyet e vërteta se pse ukrainasit kanë urrejtje për rusët:

Në vijim, lexuesve të nderuar po u përcjell shënimet e analistit ukrainas:

“Kohët e fundit, rusët gjithmonë e më shpesh po ankohen për faktin se nëpër faqet e internetit po përplasen me shfaqjet e një urrejtjeje “të pakuptueshme” nga ana e “vëllezërve” ukrainas. Se, demek, ngado që hedhin sytë në faqet e internetit, ata gjithandej lexojnë pikërisht sharjet dhe ofendimet e këtyre “vëllezërve”. Se, që ta merrni vesh, më herët, rusët ushqenin një simpati të madhe ndaj ukrainasve (se gati secili në fisin e vet e ka një të afërm ukrainas), kurse tani pyesin veten në hutim e sipër:

“Cila është arsyeja që ukrainasit na urrejnë kaq shumë?”

I dëgjova sa i dëgjova një copë herë të mirë të gjitha ankesat e tyre, të shoqëruara me lot, dhe pastaj i dhashë karar që t’ua shkoqitja mirë e mirë “vëllezërve” tanë se cila është arsyeja që ukrainasit ushqejnë kaq shumë urrejtje ndaj tyre dhe se çfarë duhet bërë që gjithçka të nisë që nga fillimi.

Për fjalë të nderit, mua më habit paksa zemërata e rusëve lidhur me agresionin leksikor dhe me urrejtjen që ukrainasit ushqejnë ndaj tyre. Prandaj po ju drejtohem sikur të isha në një bashkëbisedim me ta:

Tani, që t’i themi gjërat açik, çfarë dëshironi ju? Ju na shisni atë gazin tuaj të qelbur me çmimin më të lartë në Evropë dhe pastaj i hapni sytë kokërdhok se pse ukrainasit ju shajnë nga nëna e nga baba poshtë e përpjetë. Sigurisht që do të shfajësoheni se në këtë mes e ka fajin Putini, se rusët e thjeshtë s’kanë gisht në këtë mesele. Jo more! Po këtë gjel të fryrë kush e zgjodhi president për të tretën herë? Kush e ngre deri në qiell këtë farë burri? Tani atë, sigurisht, nuk e kanë fort qejf, por prapëseprapë në Rusi nuk janë të paktë ata që mendojnë me prapanicë, të cilët i kanë dalë krah carit të mbarë Rusisë në të gjitha nismat e tij, përfshirë këtu edhe politikën që drejtohet kundër Ukrainës.

Por nejse, sikur halli të ishte vetëm te gazi. Por gjelat tuaj të Kremlinit ia kanë bërë trutë dhallë Ukrainës jo aq për atë punën e gazit, sesa për të gjitha gjërat e tjera që kanë të bëjnë me punët tona të brendshme.

Le të marrim qoftë edhe punën e gjuhës. Ç’ju hyn në hesap juve se ç’gjuhë flasin njerëzit në Ukrainë? Si-si? Ju dashkeni që rusët etnikë që jetojnë në Ukrainë të flasin në gjuhën amtare? Jo more! Po ju a ua keni krijuar këtë mundësi ukrainasve etnikë që jetojnë në Rusi? Atëherë çfarë pretendimesh paskeni ndaj nesh? Se që të kërkosh diçka, në fillim duhet të japësh shembullin personal dhe mandej t’u rrokanisësh kokën të tjerëve për të drejtat e veta.

Po ç’thotë historia? Ç’ju hyn në qese juve se cilët janë heronjtë tanë kombëtarë? Ju shikoni historinë tuaj. Heronjtë tanë, së paku, kanë luftuar kryesisht kundër okupatorëve dhe jo kundër popullit të vet. Dhe ç’keni që na qortoni orë e çast për faktin që ne zhvillojmë një politikë antiruse, duke lëvduar ata që kanë luftuar kundër Moskës. Mos ne ju kemi akuzuar gjë vallë për faktin që Rusia zhvillon politikë antiukrainase, duke ngritur në qiell Pjetrin e Parë (1672-1725) që e shkoi në thikë Baturinin (kryeqytet i kozakëve të Ukrainës në shek. XVII-XVIII - E.Y.) dhe shkatërroi qendrat administrative usharake, ose duke i thurur lavde careshës Ekaterina (1729-1796) që likuidoi udhëheqësit ushtarakë ukrainas dhe shkatërroi për herë të dytë qendrat administrative ushtarake dhe vendosi në Ukrainë të drejtën e bujkrobërisë?

Po ç’i keni gjithë këto thirrje për bashkim? Ju menduakeni se ky na qenka qëndrim vëllazëror, të bësh thirrje për bashkim, duke mbjellë frikën me këtë rast me gjithfarëlloj komplikacionesh që mund të lindin për udhëheqësit ukrainas në rast se Ukraina nuk jep pëlqimin për aleancë doganore me Rusinë? Jo, këtij nuk i thonë qëndrim vëllazëror, këtij i thonë qëndrim shtazëror! Po ç’janë ato kërcënime për të dhënë një goditje bërthamore kundër Krimesë në rast se Ukraina bëhet anëtare e NATO-s? Ju e quakeni normal një qëndrim të tillë?

Është e natyrshme që dikush do të thotë se politika nuk duhet të ndikojë mbi marrëdhëniet e popujve. Demek, na qenkan politikanët këta me trurin kryq që provokuakan konflikte, kurse populli i thjeshtë laka duart në këtë mes. Me gjithë mend e keni! Juve ju paska mbetur hatëri për faktin që ukrainasit nuk u shprehkan siç duhet për ju nëpër faqet e internetit. Po ju lexoni në fillim se çfarë shkruajnë për ukrainasit në internet bashkatdhetarët tuaj që vuajnë nga mania e madhështisë dhe nga hemoroidet e shovinizmit rusomadh.

Mos ju menduakeni se neve, ukrainasve, na vjen mirë të lexojmë se, demek, qenkemi popull i paqenë, se paskemi tradhtuar “gjirin”, pardon, emrin e vet “rrënjës”, domethënë “rus” dhe lloj-lloj përçartjesh të tjera? Dhe mandej lini mendjen kur ndonjë ukrainas, “pa ndonjë arsye”, ju shan në themel e në çati?

Ju pyesni se çfarë duhet bërë “për ta kthyer gjithçka ashtu siç ka qenë”? E po, sa për sefte, duhet ta pranoni se “siç ka qenë” asnjëherë nuk ka qenë.

Marrëdhëniet e tendosura mes ukrainasve dhe rusëve kanë qenë të përhershme. Ato nuk janë krijuar sot, ato shkojnë larg, e kanë zanafillën që nga kohët e Rusisë Kieviane, kur princët rusë që gjoja i përkisnin së njëjtës etni, thereshin me njëri-tjetrin që si e si të hidhnin në dorë fronin e Kievit.

Megjithatë, nuk kemi ndër mend të futemi thellë në histori. Do ta fillojmë nga viti 1618, kur hetmani  (komandant i trupave kozake, - E.Y.) ynë lavdimadh Sahajdaçni (1582-1622), së bashku me zaporozhasit e vet të lavdishëm, i kalli datën Rusisë dhe për pak sa nuk pushtoi Moskën. Unë mendoj se pikërisht që asokohe rusët i kanë marr zët ukrainasit. Dhe kjo është e kuptueshme: moskovitët asokohe i mbushën pantallonat.

Mandej pasoi beteja në afërsi të Konotopit (qytet i krahinës Sumskaja në verilindje të Ukrainës - E.Y.), kur një tjetër hetman i shquar, Vigovski (1608-1659) u dha dërrmën trupave cariste. Kanë pas qarkulluar llafe asokohe se cari rus kaq keq i paskej mbushur pantallonat, saqë ia kishte mbathur nga Moska, nga frika se mos kozakët do të shkonin për të hedhur në dorë shpirtin e tij mëkatar.

Paskëtaj kanë qenë jo të pakta betejat e ukrainasve në aleancë herë me polakët, herë me turqit, herë me suedezët, herë me gjermanët kundër rusëve. Prandaj nuk pinë ujë hipokrizitë dhe rrëfenjat me përralla për “miqësinë shekullore mes popujve vëllezër”, sepse, në të vërtetë, nuk ka pas ekzistuar kurrfarë miqësie. Sepse ata, me të cilët ju gjoja keni pasur miqësi, nuk kanë qenë ukrainas dhe djalli e merr vesh se kush kanë qenë ata, sepse ukrainasit e vërtetë asnjëherë nuk hynin në marrëdhënie miqësore me ata që iu kanë bërë të liga.

Po, po! Dhe nuk është nevoja të shtrembëroni turinjtë dhe t’i hapni sytë kokërdhok nga qielli. Ju menduakeni se treqind vjet bashkëjetesë në një shtet të vetëm kanë qenë periudhë idilike fund e krye, se, demek, ukrainasit dhe rusët kanë jetuar në paqe dhe në lumturi? Por ne, ukrainasit, nuk jemi të këtij mendimi. Ne e mbajmë mend shumë mirë sesi carët tuaj, bashkë me careshat tuaja, ndalonin përdorimin e gjuhës sonë, se si ata po e shfarosnin vetvetësinë (identitetin) tonë, duke mos lejuar përdorimin e emërtimit “Ukraina” (që do të thotë krahinë kufitare dhe që në fundin e shek XVIII rusët filluan ta quanin “Rusia e Vogël” - E.Y.) dhe “ukrainas”, duke i zëvendësuar ato me emërtimet idiote “Rusia e Vogël” dhe “rus i vogël”; se si sundimtarët tuaj i torturonin me armën e urisë stërgjyshërit tanë dhe i vrisnin për të vetmen arsye se ata donin të jetonin të lirë në shtetin e tyre të pavarur.

Çdo ukrainas normal e di dhe e mban mend një gjë të tillë. Kurse ata që i mohojnë të gjitha këto fakte, ata vetëm ukrainas nuk janë.

Prandaj, në qoftë se dëshironi që ukrainasit të mos ju urrejnë më, në qoftë se keni qejf ta ktheni atë që nuk ka pas ekzistuar kurrë, ja se çfarë duhet të bëni: cari juaj i gjithë Rusisë Vovoçka Putin le të vijë në Kiev, të kalojë në Sheshin Meidan (ukrainasit e quajnë Majdan, fjalë kjo me prejardhje nga persishtja që emërton çdolloj mjedisi të hapur, parku apo sheshi në tërësi - E.Y.), të bjerë në gjunjë dhe, në emër të të gjithë popullit rus, t’i kërkojë ndjesë popullit ukrainas… Pastaj le të shporret nga toka jonë e shenjtë. Dhe, në ikje e sipër, le të ndalet në çdo qytet, në çdo fshat dhe të kërkojë ndjesë për të gjitha ato të liga që carët, perandorët dhe sekretarët e përgjithshëm kanë bërë në tokën e Ukrainës!

Dhe po të ndodhë me të vërtetë një gjë e tillë (për çka unë dyshoj shumë), ne, ashtu qoftë, do të fillojmë të miqësohemi me ju dhe do t’i harrojmë fyerjet e vjetra. Atëherë mund të flitet për ndofarë lidhjesh ekonomike (dhe për asgjë më tepër). Por kjo nuk përbën fakt se ne do të japim pëlqimin për gjësend tjetër. Sepse ne kështu jemi si popull: të keqen nuk e kujtojmë, por na duhet ta regjistrojmë. Prandaj mos u sillni shumë ashpër me ne: vlerat evropiane ne i kemi shumë më për zemër sesa ato euroaziatke…” (Citohet sipas: Vadim Gontarenko. “Pse ukrainasit kanë urrejtje për rusët”. Marrë nga faqja e internetit “UAINFO”. 22 shkurt 2014).         

Kur mbarova së lexuari këtë analizë interesante të zotit Vadim Gontarenko, menjëherë më erdhi ndër mend një strofë mjaft kuptimplote nga një poezi e poetit të shquar kombëtar ukrainas Taras Shevçenko (1814-1861), të cilin perandori Nikollai I (1796-1855), për përmbajtjen e poemës “Ëndrra”, e pati ndëshkuar rëndë, duke e degdisur në stepat e humbura të Kazakistanit dhe të Kirkizisë për kryerjen e shërbimit ushtarak:

Brune, bëni qejfin tuaj,

Por jo me moskalë*,

Se moskalët janë të huaj,

Kanë për t’ju tallë.

Pra, zanafilla e tërmeteve politike mes këtyre dy shteteve është shumë e hershme. Heroi kombëtar i popullit ukrainas, Bogdan Hmelnjicki (1595-1657), në Kuvendin e Perejasllavit, të mbledhur më 018 janar 1654, shpalli bashkimin me Rusinë, mbi bazën e të drejtave të barabarta në kuadrin e dy shteteve të përbashkëta. Por pas vdekjes së Hmelnjickit, shovinizmi rusomadh e zhduku dokumentin e firmosur prej tij që vërtetonte barazinë e plotë mes të dy shteteve, me qëllim që ta shndërronte Ukrainën në koloni të vetën. Ishte pikërisht pabesia e shovinizmit rusomadh ajo që e detyroi të birin e Bogdan Hmelnjickit, Juri Hmelnjickin (1641-1685), t’i shkëpuste lidhjet me Rusinë. Më vonë Ukraina përsëri ra nën zgjedhën e carizmit rus, zgjedhë kjo që vazhdoi deri në Revolucionin e Tetorit, por që u bë edhe më e egër nën sundimin e komunistëve sovjetikë. Aq e vërtetë është kjo, saqë “në fund të viteve ’20 të shekullit të kaluar, në Ukrainë shpërtheu një lëvizje e fuqishme me prirje nacionaliste që kishte si qëllim kryesor arritjen e pavarësisë me çdo mjet…Në periudhën fillestare të okupimit, komanda gjermane u mundua ta kthente potencialin nacionalistofetar të Organizatës së Nacionalistëve Ukrainas (ONU) kundër pushtetit sovjetik dhe Ushtrisë së Kuqe… Organizata shpërtheu luftën kundër dy armiqve - kundër Bashkimit Sovjetik dhe kundër Gjermanisë” (Citohet sipas: Valer Jaremenko. “Shpërthimet e  separatizmit ukrainas”. Politiçeskij zhurnall, nr. 12 (63), 4 prill 2005, f. 80).      

Kaliforni, 25 shkurt 2022

 

2022/02/26

N ënkryetarit të Këshillit të Sigurimit rus Dimitry Medvedev: Kjo do të jetë përgjigja e Rusisë ndaj kërcënimeve të Perëndimit

 


news image

Pas zhvillimeve dramatike në Ukrainë, ndaj rusëve perëndimi po aplikon vazhdimisht masa ndëshkuese dhe sanksione të ndryshme.

Së fundmi, është paralajmëruar, e në shumë vende të perëndimit edhe ka filluar të aplikohet, konfiskimi i pasurisë së miliarderëve rus nëpër shtetet perëndimore, si masë ndëshkuese ndaj agresionit rus, shkruan Interfax, përcjellë Sinjali.

Nuk ka munguar përgjigja e nënkryetarit të Këshillit të Sigurimit rus Dimitry Medvedev, i cili tha se Rusia do të përgjigjet në mënyrë simetrike nëse kërcënimet e Perëndimit për të konfiskuar asetet e të gjithë rusëve në vendet e huaja bëhen të vërteta. Pra në këtë rast sipas tij edhe Rusia do të konfiskojë të gjitha asetet dhe mjetet financiare të të huajve që operojnë atje.

Ata kërcënojnë gjithashtu se do të konfiskojnë paratë e qytetarëve rusë dhe kompanive ruse jashtë vendit. Dhe gjërave të tilla duhet t’i përgjigjemi në mënyrë krejt simetrike, duke konfiskuar asetet e të huajve dhe kompanive të huaja në Rusi dhe ndoshta duke shtetëzuar pronën e atyre, për shembull të vendeve si Shtetet e Bashkuara, vendet anëtare të BE-së dhe një numër shtetesh anglo-saksone “, tha Medvedev.

Kujtojmë që Dimitry Medvedev ka qenë president i Rusisë nga viti 2008 deri në vitin 2012 ndërsa ka qenë edhe kryeministër gjatë viteve 2012-2020.

Vritet çeçeni Magomed në afërsi të Kievit

 


news image


Gazetari i njohur ukrainas Illia Ponomarenko, ka raportuar se Magomed Tushayev një nga luftëtarët më të besuar të udhëheqësit çeçen Kadyrov, është vrarë nga grupi Alfa i ushtrisë ukrainase sot në Hostomel, në afërsi të kryeqytetit ukrainas.

Ponomarenko ka thënë se grupi elitar i Ukrainës, Alfa po lufton me çeçenët në aeroport.

Kujtojmë që lideri çeçen Kadryov gjatë ditës së sotme deklaroi se asnjë ushtarë çeçen nuk është vrarë gjatë luftimeve në Ukrainë.

Në Kosovë largohen përkohësisht kanalet ruse nga platformat televizive

 


news image

Komisioni i Pavarur i Mediave ka vendosur për largimin e përkohëshëm nga transmetimi të të gjitha kanaleve me origjinë nga Federata Ruse.

Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi të KPM-së në rrjetin social Facebook.

“Me qëllim të parandalimit të propagandës dhe mbrojtjes së sigurisë publike në Republikën e Kosovës, Komisioni i Pavarur i Mediave ka marrë vendim të Urdhërojë të gjithë operatorët e shpërndarjes që përkohësisht t’i largojnë nga transmetimi kanalet me origjinë nga Federata Ruse, me qëllim të parandalimit të propagandës dhe mbrojtjes së sigurisë publike në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se qëllimi i këtij vendimi është parandalimi i propagandës dhe mbrojtjes së sigurisë publike në Republikën e Kosovës dhe jo pengimi dhe cenimi i lirisë së fjalës dhe lirisë së medias.

Ukraina refuzon dorëzimin/ Rusia kërkonte bisedime, por me kusht “kapitullimin”

Dështojnë negociatat mes Ukrainës dhe Rusisë. Kjo e fundit ka njoftuar se pala ukrainase ka refuzuar gjatë orëve të fundit të nisë negociatat dhe në këtë situatë ushtria ruse bën me dije se do të rinisë sulmi.

Lajmin e njoftoi Igor Konashenkov, zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes Ruse.

“Dje, pas shpalljes së regjimit të Kievit për gatishmërinë për bisedime, luftimet aktive u ndalën. Pasi pala ukrainase refuzoi procesin e negociatave, sot të gjitha njësive ju dha urdhër të zhvillojnë përparimin nga të gjitha drejtimet në përputhje me planet e operacionit.”

Ndërkohë mësohet se rusët kërkonin paraprakisht që Ukraina të deklaronte kapitullimin. ishte putin ai që kishte kërkuar të nisnin negociatat por presidenti ukrainas Zelenski i kishte refuzuar, njoftoi zëdhënësi Kremlinit Dimitry Peskov.

Pala ruse propozoi edhe më herët negociata por jo me presidentin Zelensky dhe qeverinë aktuale të Ukrainës. Vladimir putin i bëri thirrje ushtrisë që merrte në dorë fatet e Ukrainës dhe të hynte në negociata me Rusinë.

Thirrje kjo që nuk u dëgjua nga ushtria e Ukrainës. Presidenti i Ukrainës Volodimir Zelensky bën me dije se në territorin e vendit të tij aktualisht janë mbi 100 mijë ushtarë rusë.

Gjatë këtyre orëve në Kiev luftimet janë ashpërsuar pasi pjesa më e madhe e popullatës është larguar nga frika e luftës. në rrugë dëgjohen vetëm të shtëna armësh dhe granatash ndërsa cilvilë të shumtë ukrainas po luftojnë krah ushtrisë së tyre.

Republika Çeke, Holanda dhe Portugalia do të dërgojnë përforcime për të ndihmuar Ukrainën

 

Tre anëtarë të NATO-s kanë njoftuar se do të dërgojnë përforcime për të ndihmuar Ukrainën në betejën e saj kundër Rusisë.

Republika Çeke u zotua të shtunën të dërgojë  armë në Ukrainë me vlerë mbi 8.5 milionë dollarë në një vend të fshehtë të zgjedhur nga ukrainasit.

“Qeveria ka miratuar një dërgesë armësh në Ukrainë. Ne po dërgojmë mitralozë, automatikë, pushkë snajper dhe pistoleta dhe municionet e tyre përkatëse me vlerë 188 milionë CZK”, shkroi në Twitter kryeministri çek Petr Fiala .

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...