Agjencioni floripress.blogspot.com

2022/03/15

Dita e 20 e luftës/ Rusia bombardon aeroporte, banesa dhe stacione metroje. NATO përgatitet, liderët europianë nisen me tren për Kiev

 

Sot është dita e 20 e luftës në Ukrainë. Sipas raportimit të të dërguarit tonë në Kiev, Artur Bibe që prej agimit Rusia ka shpeshtuar bombardimet. Një kompleks banesash u godit këtë mëngjes duke shkaktuar vdekjen e 4 banorëve. Po ashtu u bombardua edhe metroja e Kievit.

13:30 Shkon në 4 numri i viktimave nga bombardimet e forcave ruse

Katër persona u vranë kur një ndërtesë 16-katëshe në Sviatoshynskyi, një zonë banimi në Kiev u bombardua nga forcat ruse. Më parë u raportuan vetëm 2 viktima. Një goditje tjetër në një ndërtesë tjetër në të njëjtin rreth shkaktoi dëme të vogla, thanë shërbimet e urgjencës.Të paktën katër ndërtesa në zonat e banuara në të gjithë kryeqytetin ukrainas – në lindje, veri dhe perëndim të qendrës së qytetit – u goditën nga sulmet ruse brenda një ore të së martës në mëngjes.

13:08 Abramovich nuk e pranojnë në Izrael-avioni ulet në Moskë!

Një avion privat, i dyshuar se përdoret nga oligarku i sanksionuar Roman Abramovich u pa të hënën në aeroportin Ben Gurion të tel Avivit, por miliarderi nuk ka mundur të qëndrojë në shtetin hebre. Ministri i jashtëm izraelit Yair Lapid deklaroi haptazi se vendi i tij nuk është parajsë e sigurtë për biznesmenet rusë, të cilet janë shënjestruar nga sanksionet ndërkombëtare me ngrirje asetesh pas pushtimit të Ukrainës.

13:00 Rusët hedhin në erë aeroportin e Dnipros

Raketat ruse shkatërruan krejtësisht pistën e aeroportit të Dnjipros, në lindje të Ukrainës, teksa fushata e bombardimeve te pamëshirshme mbi vendin paqësor, vazhdon. E gjithë struktura e aeroportit ka pësuar dëme masive, e ka dalë jashtë funksionit.

12:30 “Rusia e ka hipnotizuar NATO-n”, Zelensky akuza të ashpra

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e shprehu dhe një herë hapur zhgënjimin e tij me NATO-n pas refuzimit të aleancës për të vendosur një zonë ndalim-fluturimi, gjë të cilën perëndimi kërkon ta shmangë për të mos u gjendur në një kurs direkt përplasjeje me Moskën.Gjatë një video-telefonate me kryeministrin britanik Boris Johnson dhe liderë të tjerë europiane, Zelensky tha se NATO ishte “aleanca më e fortë në botë” – por “disa nga anëtarët e kësaj aleance janë të hipnotizuar nga agresioni rus”.

Zelensky: Dëgjojmë shumë të flitet për Luftën e Tretë Botërore, se gjoja mund të fillojë nëse NATO do të mbyllë qiellin e Ukrainës për raketat dhe avionët rusë dhe për këtë arsye nuk është krijuar ende zona e ndalim-fluturimit humanitar. Kjo i lejon ushtrisë ruse të bombardojë qytetet tona paqësore e të hedhë në erë blloqe banimi, spitale dhe shkolla. Katër ndërtesa shumëkatëshe në Kiev u bombarduan orët e para të ditës, me dhjetëra janë të vdekurit.

12:00 Tmerri i rusëve: Tre raketat e Perëndimit që shkatërrojnë çdo gjë u del përpara

Perëndimi vërtet nuk dërgoi ushtarë të luftonin në Ukrainë, por veç ndihmës financiare, e furnizoi këtë vend edhe me armë e pajisje ushtarake nga të avancuarat. Tre janë sistemet më të fuqishme raketore në duart e ukrainasve sot, që shkatërrojnë çdo gjë, nga tanket e deri tek helikopterët rusë. Në kohën kur lufta ka hyrë në ditën e 20-të, ushtria e Ukrainës ka përdorur masivisht raketat anti-tank “Javelin” , fjala më e fundit e teknologjisë amerikane. Këto raketa inteligjente nuk i godasin  tanket dhe mjetet e blinduara drejtpërdrejte: nga platforma e lëshimit, ato ngrihen një herë në ajër pastaj bien mbi objektiv në pjesën më të ekspozuar të tij, një kurth nga i cili zor të shpëtohet.

11:30 Ushtarët rusë me duart në kokë: Na falni, na gënjyen

“Na falni, na gënjyen, na tradhtuan edhe ne ashtu si ju”: dikush me duart në kokë, një tjetër që nuk mban dot lotët: konferenca për shtyp e një grupi ushtarësh rusë të kapur rob në Ukrainë, është përhapur me shpejtësi në rrjet. 7 oficerët e zbulimit rus u rrëzuan me avionët e tyre javën që shkoi. Më vone, iu dha mundësia të flisnin për gazetarët dhe të kërkonin ndjesë për veprimet e vendit të tyre.

11:00 Rusia do bëhet më agresive”; Bombardime si në Grozny- strategjia shkatërrimtare!

Lufta e Ukrainës po hyn në një fazë të re të rrezikshme: pas dy javë bombardimesh pa pushim, shkatërrimi të infrastrukturës civile, qindra jetësh të humbura në mesin e tyre, e mbi 2.5 milionë të shpërngulurish që po krijojnë një krizë të re humanitare në Europë, rrënimi që po mbjell Rusia në vendin fqinj nuk është aspak drejt fundit, mendojnë ekspertët. “Pavarësisht performancës së dobët ushtarake të Rusisë, e cila ishte bafesuese për shumëkënd, ne sërish jemi ende në fazat e para të këtij konflikti”, thotë Sara Bjerg Moller, e Seton Hall University.

10:30 “Po ju gënjejnë”/ Gazetarja ruse anti-luftës ndërpret transmetimin

Protesta e saj është gati e paimagjinueshme për kushtet në të cilat ndodhet. Gazetarja ruse Marina Ovsyannikova, hyri në studion e lajmeve të Channel 1 në Rusi gjatë kohës së transmetimit të drejtpërdrejtë, dhe ngriti pas shpinës së prezantues një pankartë ku shkruhej: “Jo luftës. Mos i besoni propagandës. Ata po ju gënjejnë”. Punonjëse e të njëjtit television, gruaja fill pas veprimit të saj u vu në pranga u dërgua në një stacion policie, por avokati i vet thotë se nuk ka mundur ta gjejë klienten e tij, dhe nuk ka më asnjë kontakt me të.

10:00 NATO po përgatitet: Nis 30 mijë trupa, 200 avionë, 50 anije në kufi me Rusinë

NATO ka dërguar dhjetëra mijëra trupa, duke përfshirë Marinsat Mbretërorë britanikë, një aeroplanmbajtëse, një destrojer dhe një nëndetëse sulmi me energji bërthamore në Norvegjinë, anëtare te aleancës që ndan 200 km kufi tokësor me Rusinë. Trupa nga 28 vende në Evropë dhe Amerikën e Veriut po marrin pjesë në stërvitjen që do të zgjasë rreth një muaj. Ajo është pagëzuar me emrin Pergjigja e  Ftohtë, dhe zhvillohet vetëm disa qindra kilometra larg kufirit rus, ndërsa që forcat e Vladimir Putinit vazhdojnë të bëjnë luftë në Ukrainë.

09:51 Kryeministrat e tre shteteve europiane takohen sot me Zelensky

Liderët e tre shteteve europiane do të udhëtojnë për në Kiev për tu takuar me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe kryeministrin ukrainas Denis Shmyhal. Në një njoftim, zyra e shtypit tha se kryeministri polak Mateusz Morawiecki, zëvendëskryeministri Jarosław Kaczyński, kryeministri çek Petr Fiala dhe kryeministri slloven Janez Janša do të vizitojnë kryeqytetin e Ukrainës si përfaqësues të Këshillit Europian.

09:30 Raketat ruse godasin zonat rezidenciale, vdesin 2 persona në Kiev

Dy persona janë vrarë nga goditja e raketave ruse në një zonë banimi në Kievin perëndimor të martën herët në mëngjes, njoftuan Shërbimet e Urgjencës së Ukrainës. Një ndërtesë apartamentesh 16-katëshe në lagjen Sviatoshynskyi u dëmtua ndjeshëm nga shpërthimi që shkaktoi zjarr.

09:00 Parashikimi i këshilltarit ukrainas: Ja kur duhet të përfundojë lufta

Një këshilltar i Qeverisë së Ukrainës tha se pret që lufta në vendin e tij të përfundojë më së voni deri në fillim të majit, kur Rusisë “t’i mbarojnë burimet” për të sulmuar fqinjin e saj. “Unë mendoj se jo më vonë se në maj, në fillim të majit, do të duhet të kemi një marrëveshje paqeje”, tha Oleksiy Arestovich.

08:30 Dy ndërtesa banimi goditen nga bombardimet në Kiev

Dy ndërtesa në zonat e banuara të Kievit u goditën nga forcat ruse në orët e para të mëngjesit të së martës.

Një zjarr ka rënë në një pallat dykatësh por është shuar pak më pas. Nuk raportohet për viktima.

Pak pas goditjes në Osorkorky, një ndërtesë 10 katëshe me apartamente u godit nga një tjetër raketë duke shkaktuar zjarr në pesë katet e para të ndërtesës.

Një person u dërgua në spital për trajtim mjekësor ndërsa nuk dihet nëse ka të lënduar të tjerë.

08:00 Shpërthime të fuqishme/ Forcat ruse godasin stacionin e metrosë së Kievit (FOTO)

Në orët e para të mëngjesit të sotëm janë dëgjuar shpërthime të fuqishme në Kiev. Forcat ruse kanë goditur me raketë një stacion metroje, 500 metra nga qendra.

Me anë të një postimi në Twitter, rrjeti i metrosë së Kievit njoftoi se një nga shpërthimet këtë mëngjes dëmtoi pjesën e jashtme të stacionit Lukyanivska dhe zyrat.

Lukyanivska është mjaft afër qendrës së Kievit. Stacioni është mbyllur për shkak të dëmtimit.

Çfarë ndodhi gjatë orëve të fundit

Gazetari i plagosur: Korrespondenti i Fox Neës, Benjamin Hall, i cili ishte vendosur javët e fundit për të mbuluar luftën në Ukrainë,  është shtruar në spital  pasi u plagos teksa raportonte pranë Kievit. Plagosja e Hall vjen një ditë pasi  Brent Renaud, një gazetar amerikan u vra në qytetin ukrainas të Irpin.

Takimi i liderëve të NATO-s: Liderët e NATO-s pritet të mbajnë një takim të jashtëzakonshëm në Bruksel javën e ardhshme. Takimi pritet të përqendrohet në hapat e ardhshëm të aleancës për të forcuar praninë e saj mbrojtëse në Evropën Lindore në vazhdën e pushtimit rus të Ukrainës.

Protestuesja ruse: Maria Ovsyannikova, punonjëse e Channel One në Rusisë,  mbajti një pankartë kundër luftës për të ndërprerë transmetimin një nga televizionet kryesore shtetërore të Rusisë. “JO LUFTE. Ndaloni luftën. Mos i besoni propagandës, ju thonjë gënjeshtra”, shkruhej në pankartë. Avokati i Ovsyannikova tha se ai nuk është në gjendje të gjejë klienten e tij, pavarësisht raporteve se është në një stacion policie në Moskë.

Sulm në qytete:  Një person vdiq dhe gjashtë të tjerë u plagosën kur një ndërtesë apartamentesh  në lagjen Obolon të Kievit  u godit të hënën. Pothuajse çdo shtëpi e vetme në anën veriperëndimore të fshatit Moschun, pranë Kievit, ka pësuar dëme të konsiderueshme.

2022/03/14

Krimet e tmerrshme të Rusisë do të ndalen - Izraeli me rol kyç/ Shqiptarët e kanë shansin historik të faktorizohen në regjion

 


NGA: IDRIZ MORINA 
Prof. Dr. Rifat Haxhiaj, sociolog dhe profesor i politikave sociale në Universitetin e Fribourgut, Zvicër

Njëri nga bashkëpunëtorët më të afërt të ministrit të vrarë të Mbrojtjes Ahmet Krasniqit, prof.Dr.Rifat Haxhiaj, flet për herë të parë për ndikimet e luftës në Ukrainë, dhe rrezikut nga përhapja e saj eventuale.

Sipas Haxhiajt si pasojë e luftës në Ukrainë, në një fazë tjetër, mund të kyçen në konflikt përpos Gjeorgjisë dhe Moldavisë, edhe shtete të tjera të ish BRSS-së. “Si pasojë e këtij konflikti mund edhe të ketë përshkallëzim të situatës në Siri, në Palestinë, por edhe në Irak e Afganistan”.

Po ashtu duke qenë një profesor i sociologjisë, me të diskutuam nëse kjo luftë, brenda vetes fsheh përplasjet mes civilizimeve, atij Perëndimor dhe Rusisë, lindore. Kulturës trenare perëndimore, dhe asaj binare ruse.

Rifat Haxhiaj: Situata aktuale po dëshmon se “Lufta e ftohtë” nuk ka përfunduar asnjëherë, por ajo vetëm ka marrë forma të ndryshme, varësisht prej zhvillimit të raporteve të fuqive të mëdha. Në realitet, gjatë viteve të ‘90-ta, ish-BRSS-ja ishte në gjendje të vështirë ekonomike dhe atë kohë me shpërbërjen e saj, plotësisht e humbi garën në raport me fuqitë e mëdha, në veçanti atë përballë SHBA-ve. Për këtë, gjatë dy dekadave të fundit, kryetari i Rusisë, përpos në ringritjen e fuqisë ekonomike, ka punuar edhe në forcimin ushtarak të shtetit tij. Ai në të njëjtën kohë, ka punuar paralelisht edhe në ngritjen edhe përforcimin e aleancave të reja. Si rezultat i gjithë kësaj, kryetari i Rusisë ka menduar se është koha e duhur që Rusia të rikthehet si faktor kyç ushtarak dhe ekonomik në botë; këtë duke e demonstruar me fuqinë e shtetit rus dhe duke rikthyer apo marrë nën kontroll disa territore të interesit të tyre strategjik.

“Bota sot”: A është për ju thjesht një pushtim, siç Klauzeviçi -teoricieni i luftës, arrinte në përfundimin, se ajo ndodhë kur shterohen mjetet politike, që nënkupton se ato zëvendësohen me mjete të luftës, apo jemi përtej kësaj teorie dhe përcaktimi?

Rifat Haxhiaj: Këtë që Rusia po e bën tash e gati 3 javë nuk është asgjë tjetër veçse një pushtim klasik i një shteti me sovranitet të njohur ndërkombëtar. Mendoj se Rusia në të vërtetë nuk e kishte për qëllim ta rregulloj situatën me mjete diplomatike, sepse kushtet të cilat ia vuri Ukrainës, preknin direkt sovranitetin e saj dhe si të tilla, ishin të papranueshme. Pra, Rusia përcaktonte kushte duke dëshiruar që ato të refuzohen, për të pasur kështu pretekst të mjaftueshëm për ta sulmuar dhe pushtuar Ukrainën.

“Bota sot”: Në vlerësimin tonë, në disa raste kam shkruar, se kjo është një përballje Lindje-Perëndim, kultura binare ruse (sipas estonezit Lotman 1922-1993) përballë kulturës Perëndimore trenare, si e vlerësoni ju, a është një përballje e tillë qytetërimesh nëse mund të themi?

Rifat Haxhiaj: Sot jetojmë në një realitet ku individualizmi ka marrë përmasa të mëdha. Kultura (normat dhe vlerat) të cilat kryesisht determinohen nga institucionet përkatëse të shteteve, janë gjithashtu të ndikuara edhe nga aspekti i globalizmit dhe i mobilitetit. Këtu një rol të veçantë e ka edhe teknologjia e avancuar, në veçanti ajo e komunikimit. Gjithashtu, në aspektin botëror, është e qartë se ka përballje të theksuar, jo vetëm të kulturave, por edhe të koncepteve të ndryshme rreth vizioneve, perceptimeve sociale, ekonomike, politike, por edhe të atyre ushtarake. Në rastin konkret mund të jetë një tentativë për të rikthyer imazhin e një Rusie të fuqishme, e një shteti, i cili dëshiron ta demonstrojë fuqinë dhe aftësinë për të ridefinuar sferat e interesit në nivelin global.

“Bota sot”: A ishte dhe a është i pashmangshëm një ballafaqim armësh, në një kohë të përparimit të madh, ku kulturat e pamjaftueshme, në përpjekje për t’mos u dorëzuar shkojnë drejt një përplasje të pashmangshme, siç po ndodhë tani, ndonëse mund të jemi para një përshpejtimi të saj nga Putini, që ka shfaqur jostabilitet dhe pasiguri?

Rifat Haxhiaj: Të gjithë jemi të vetëdijshëm se Rusia është një shtet i fuqishëm. Kryetari i saj ka punuar një kohë të gjatë në stabilizimin, përforcimin dhe faktorizimin e shtetit të tij. Sigurisht, i këshilluar edhe nga personat që i ka përreth, ai ka menduar se janë krijuar kushtet për rikthimin e tij të madh, pra, edhe për rikthimin e madh të Rusisë. Mendoj se analizat e tij dhe të stafit të tij nuk kanë qenë objektive. Kryetari Putin nuk ka menduar se populli i Ukrainës që të rezistoj në këtë formë, si dhe nuk ka llogaritur se do të ketë një reagim shumë të shpejtë dhe të qartë nga bashkësia ndërkombëtare, nga bota demokratike.

“Bota sot”: A po dëshmon Rusia dhe Putini, se nuk e kanë problem jo vetëm përplasjen me luftë, por që të provojnë nëpërmjet ‘revolucionit’ ta shkatërrojnë në themelet e saj demokracinë perëndimore, dhe me këtë vetë civilizimin e arritur, siç po bën në Ukrainë?

Rifat Haxhiaj: Këtë çka Rusia po bën në Ukrainë nuk ka asnjë lidhje me revolucionin. Në pyetje është një pushtim klasik i territorit të një shteti sovran dhe të njohur ndërkombëtarisht. Është logjike se ky pushtim do të ndryshojë shumëçka jo vetëm në Rusi, por edhe në rrafshin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Gjithashtu, ky agresion siç po shihni po rezulton dhe do të rezultojë secilën herë e më shumë, në mënyrë edhe më të theksuar në kualitetin e jetës edhe të atyre shteteve, të cilat në mënyrë direkte nuk janë të përfshira në konflikt.

“Bota sot”: Putini dhe me mbështetje jo të hapur krejt nga Kina, a po tenton të imponojë një rend të ri, një rindarje të botës, ushtarake, politike e kulturore?

Rifat Haxhiaj: Përkrahja më e madhe e pritshme për Rusinë nga ana e Kinës, është heshtja e saj. Deri tani Kina nuk ka qenë aktive në kuadër të diplomacisë ndërkombëtare, dhe ky është një indikator i mjaftueshëm, i cili tregon se edhe Kina mund t’i bëjë llogaritë e saja, në përpjekje për të nxjerrë profit sa më të mirë nga situata e krijuar. Kjo do të thotë se lufta në Ukrainë, e cila e armiqësoi Rusinë me shumicën e shteteve si dhe bllokadat e vazhdueshme që ju bën asaj, mund t’i sjellë përfitime Kinës. Pra, Rusia e bllokuar dhe e izoluar si kurrë më parë, ka gjasa të mëdha të orientohet drejt Kinës, duke tentuar zhvillim dhe zgjerim të bashkëpunimit ekonomik. Një zhvillim i tillë do të jetë në dobi të dy shteteve, por në aspektin global ekonomik, domosdoshmërisht mund të ketë pasoja negative në ekonominë e të gjitha shteteve që aktualisht janë të radhitura kundër Rusisë. Kjo do të thotë, izolimi ekonomik nga ana e botës demokratike nuk do të jetë i dëmshëm vetëm për Rusinë, por ai do ta dëmtoj dukshëm edhe gjendjen ekonomike të të gjitha shteteve, me përjashtim të Kinës dhe të disa shteteve të tjera, të rreshtuara si aleate të Rusisë. Por, të mos keqkuptohem, edhe këto shtete aleate të Rusisë, ndoshta me përjashtim të Kinës, shkaku i izolimeve dhe bllokadave që do t’ju bëhen nga bota demokratike, do të ndeshen me probleme të mëdha ekonomike. Pra, do të gjendemi në një realitet të ndarë në tri grupacione; botën demokratike në njërën anë, Rusinë me disa aleat të sajë në anën tjetër, si dhe Kinën, e cila është në pozitën më të mirë strategjike. Ajo duke mos qenë e prekur direkt nga konflikti, mund të diktoj kushtet e bashkëpunimit me të dyja palët ndaras, por gjithmonë në harmoni të plotë me interesat strategjike kineze. Kuptohet, kriza të niveleve të ndryshme do të ketë për të gjithë, gjatë tërë kohës së konfliktit.

“Bota sot”: Cili është roli i Kinës në këtë mes, ajo është vlerësuar si armiku më i madh strategjik i SHBA-ve, vlerësime këto të publikuara para luftës në Ukrainë? A ka rrezik që ajo ta ndryshojë rrjedhën e gjërave në rast të rritjes së përplasjes apo të përhapjes së luftës jashtë Ukrainës?

Rifat Haxhiaj: Siç e theksova, Kina është në pozitën më të mirë në këtë konflikt. Mendoj se ajo mund të shihet si fituesi i vetëm potencial i kësaj situate të zymtë nëpër të cilën po kalon bota. Fakti që Kina kishte një rivalitet të theksuar me SHBA-të, por edhe një rivalitet paksa të heshtur me Rusinë, është në situatë të volitshme për tu përafruar me Rusinë, duke përfituar më së shumti nga ky përafrim. Kuptohet se Rusia është në gjendje të vështirë, sepse lufta është shumë e kushtueshme, por edhe fakti se izolimi do ta dobësoj atë. Në këto rrethana, Kina mund të propozoj rritje të këmbimeve ekonomike, por me kushtet e veta, gjithnjë në dobi të saj. Pra, duke qenë në një situatë më stabile ekonomike dhe komode, Kina është në pozitë të përfitoj më shumë nga këmbimet e ardhshme me Rusinë.

“Bota sot”: T’i kthehemi edhe njëherë agresionit të ashpër rus. Ka vlerësime se Rusia mund të përdorë edhe armë kimike, ndoshta edhe biologjike, sa mund të jenë këto vendimtare për luftën në Ukrainë apo mund të ndodhë skenari më negativ, nëse përfshihet NATO-ja dhe Rusia të përdor bombat taktike-bërthamore?

Rifat Haxhiaj: Ne secilën luftë mund të ketë shumë skenarë dhe shumë koncepte e strategji. Në secilën luftë ka një lloj përdorimi të armëve, të cilat nuk janë të lejuara me konventat ndërkombëtare. Për fat të keq, mendoj se aktualisht në Ukrainë ka dhe do të ketë përdorim të armëve kimike dhe biologjike, por sinqerisht shpresoj se përdorimet e tilla të jenë të përmasave të vogla. Gjithashtu, shpresoj të mos arrij konflikti në situatën kritike, atë të përdorimit të armëve bërthamore. Dua thellësisht të shpresoj se përmasat e çmendurisë së liderëve kyç botëror nuk do të arrijnë në atë nivel, për të prodhuar një konflikt me përmasa shkatërruese të planetit tonë. Në situatën konkrete barra më e madhe e evitimit të çmendurisë i bie palës ruse, këshilltarëve të kryetarit Putin si dhe gjeneralëve kryesor të ushtrisë ruse. Ata në një formë, edhe pse duket paradoksale, duhet të përkujdesen që konflikti aktual të mos arrij nivelin e “çmendurisë institucionale” dhe të evitohet katastrofa planetare.

“Bota sot”: Çfarë prisni nga bisedimet e filluara në Turqi, që po bëhen edhe në nivel të shefave të diplomacive respektive, si do të rrjedhin?

Rifat Haxhiaj: Secili konflikt fillon si dështim i bisedimeve, por edhe përfundon me bisedime. Një element i rëndësishëm i bisedimeve është vendi ku ato ndodhin, kushtet në të cilat ndodhin si dhe cila është pala, e cila ndërmjetëson. Mendoj se Ukraina dhe Rusia kanë dëshirë ta përcaktojnë një vend, i cili mund të kishte ndikim psikologjik në rrjedhën e bisedimeve. Gjithashtu, situata ushtarake në terren do ta definojë dinamikën e bisedimeve. Varësisht se cila do të jetë fuqia reale e palëve të konfrontuara në front, edhe dëshira për bisedime mund të jetë më e theksuar apo më e zbehtë. Përfundimisht, roli i ndërmjetësit të paanshëm do të jetë shumë i rëndësishëm. Në situatën aktuale, roli i Izraelit në bisedimet e ardhshme po qartësohet dhe profilizohet secilën herë e më shumë. Por, është e vështirë për palën e tretë me qenë objektive, ndërkohë që janë dëshmitarë të krimeve të tmerrshme që rezultojnë si pasojë e sulmeve të ushtrisë ruse.

“Bota sot”: Nga autoritete të NATO-s dhe BE-së pohohet se nga përhapja e luftës në Ukrainë janë të rrezikuara Gjeorgjia, Moldavia dhe Ballkani Perëndimor? Çfarë premisash dhe gjasash ka që të ndikojë në Kosovë dhe ta nxisë ndonjë inkursion serb në veri dhe në ndonjë pjesë tjetër kufitare, në ndonjë moment të zhvillimit të ngjarjeve më dramatike, nëse ndodhin nga përhapja e luftës jashtë Ukrainës?

Rifat Haxhiaj: Konflikti ka gjasa të përhapet përreth Ukrainës, në veçanti në ato shtete ku Rusia tash e sa vite prodhon destabilitet. Pra, në konflikt, në një fazë tjetër, mund të kyçen përpos Gjeorgjisë dhe Moldavisë, edhe shtete të tjera të ish BRSS-së. Si pasojë e këtij konflikti mund edhe të ketë përshkallëzim të situatës në Siri, në Palestinë, por edhe në Irak e Afganistan. Sa i përket ndonjë inkursioni serb, për momentin dhe në këtë fazë, nuk mendoj se një gjë e tillë mund të ndodhë. Ne si shtet kemi zhvilluar kapacitete të mjaftueshme mbrojtëse, por edhe kemi fat të madh ta kemi KFOR-in, i cili gjithashtu përkujdeset për sigurinë dhe sovranitetin tonë. Gjithashtu, kryesisht fal një politike largpamëse të presidentit historik Rugova gjatë viteve të ‘90-ta të shekullit të kaluar, jemi shumë me fat të gjendemi në anën e aleatëve shumë të fuqishëm; pikësëpari të SHBA-ve, pastaj të Gjermanisë, Francës dhe Anglisë. Aleancat me këto shtete duhet t’i ruajmë dhe t’i kultivojmë më shumë se çdo gjë tjetër. SHBA-të dhe aleatet tanë strategjik janë garanca më e mirë e ekzistencës tonë.

“Bota sot”: Serbia ka intensifikuar luftën speciale në Kosovë, ajo po e mobilizon mbrojtjen territoriale, duke përfshirë edhe serbët e Kosovës, megjithëse incidente të rënda haptazi nuk ka për momentin, çfarë skenarësh apo veprimesh nga lufta speciale do të mund të ndërmerrte Serbia, e shtyrë edhe nga Rusia?

Rifat Haxhiaj: Është krejt e logjikshme se Serbia nuk do të rrijë duarkryq. Ajo mund të tentoj të përfitoj nga këto rrethana të reja, sa më shumë që është e mundur. Për këtë, edhe organet e shtetit të Kosovës duhet të jenë në një situatë të vigjilencës së vazhdueshme, në çdo provokim të mundshëm të veprojnë me mençuri dhe me maturi. Në raste të tilla, mendoj se bartësit kyç të institucioneve të Kosovës, duhet të koordinohen dhe këshillohen në mënyrë të vazhdueshme me aleatët tanë, në veçanti me SHBA-të.

“Bota sot”: I dërguari i Putinit për Serbinë, këshilltar për inteligjencë, Patrushev ka deklaruar se e kuptojnë situatën momentale të Serbisë, por njëkohësisht ka folur për marrëveshje (të fshehta) Putin-Vuçiq. A nuk nënkupton kjo një rrezik për bashkëveprim serbo-rus ndaj Kosovës duke pasur parasysh edhe nevojën strategjike të Rusisë për ta shpërqendruar Perëndimin dhe forcat e saja?

Rifat Haxhiaj: Është shumë e qartë se interesi i Rusisë është përhapja e konflikteve sa më gjerë të jetë e mundur. Në atë situatë, edhe bota demokratike do të shpërqendrohej nga ajo që ndodhë në Ukrainë. Pra, në një situatë të krizave të ndryshme dhe në vende të ndryshme, qofshin ato edhe të përmasave më të vogla, do të krijonin efekt pozitiv dhe të favorshëm për Rusinë.

“Bota sot”: Sa mund të jetë e kërcënuar edhe Shqipëria, edhe pse anëtare e NATO-s, pasi Rusia e pat dërguar një qarkore, përfshirë Shqipërisë, që të mos shkelte disa marrëveshje ndërkombëtare, dhe e kërcënonte se bashkëveprimi i Shqipërisë me NATO-n mund të ketë pasoja, duke nënkuptuar me gjasë një përfshirë në një luftë Rusi-NATO. Të hënën (7 mars) Rusia e ka futur edhe në vendet ‘jomiqësore’ për shkak të sanksioneve të vendosura, çka nënkuptojnë edhe këto?

Rifat Haxhiaj: Fakti se Shqipëria është anëtare e NATO-s, nuk do të duhej të ndihej e rrezikuar. Reagimi i Rusisë karshi shteteve, të cilat ishin në nismë të bllokadës ekonomike ndaj tyre, ose edhe të shteteve që janë të zëshme kundër agresionit në Ukrainë, janë të pritshme. Tani duhet të jetë e qartë se në situata lufte apo në situata konfliktesh të mëdha siç është rasti në Ukrainë, lufta klasike me armë mund të merr përmasa edhe të luftës ekonomike, psikologjike etj.

“Bota sot”: A mund të kemi ndonjë befasi, që hapat e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe BE të përshpejtohen. Për anëtarësim në BE, sigurisht se procesi do të jetë shumë i vështirë, por për në NATO ka edhe deklarime nga SHBA-të sidomos, DASH-i, nga kongresmenë etj., që të përshpejtohet integrimi i Kosovës në NATO. A mund të ndodhë kjo sidomos në rast të përhapjes së luftës jashtë Ukrainës?

Rifat Haxhiaj: Do të dëshiroja që një gjë e tillë të ndodhë shumë shpejt. Mirëpo, duhet ta kemi të qartë se procedurat administrative për bashkim në aleanca të tilla janë paksa të gjata, pa marrë parasysh situatën në të cilën ndodhemi. Gjithashtu, për të qenë zyrtarisht pjesë e NATO-s edhe FSK-ja do të duhej të përmbushte edhe shumë kritere shtesë, dhe për këtë duhet edhe pak kohë. Një gjë duket e qartë, duke u nisë nga prezenca ushtarake e SHBA-ve dhe aleatëve, Kosova de facto është pjesë e NATO-s. Se kur do të ndodhë edhe ajo që e quajmë de jure, mbetet të shihet.

“Bota sot”: Nga rrethanat që po krijohen, me trend pozitiv për shqiptarët, vëmendja e shtuar e Perëndimit për Kosovën, pozicionimi i Serbisë pro Rusisë (refuzoi të vendosë sanksione në kundërshtim me partneritetin me BE-në) është një moment, në të cilin shqiptarët kanë shansin që me një strategji të duhur, ta ndryshojnë pozicionin e tyre, dhe të përfitojnë nga zhvillimet në pritshmëri?

Rifat Haxhiaj: Mendoj se shqiptaret kudo që janë, në veçanti Kosova dhe Shqipëria, duhet të gjejnë forma sa më të mira të koordinimit të ndërsjellë, duke ndikuar në rritjen ekonomike të dy shteteve, por duke përfshirë këtu edhe Maqedoninë dhe Malin e Zi, për të ndikuar direkt në faktorizimin e këtyre shteteve, por edhe të shqiptarëve si komb. Dhe kur je faktor në regjion, atëherë edhe mundësia e imponimit dhe e ndikimit është më e madhe. Në veçanti, në mes të Kosovës dhe Shqipërisë ka shumë hapësirë të pashfrytëzuar, por dhe mundësi të bashkëpunimit dhe komunikimit të ndërsjellë. Thellimi i këtij bashkëpunimi, në rrafshin e shkollimit dhe edukimit, në rrafshin ekonomik dhe turistik, në atë administrativ, ose edhe ushtarak, do të ndikojë në mënyrë direkte, në atë si të tjerët na perceptojnë. Një situatë e tillë, patjetër se do të kishte ndikim direkt dhe shumë pozitiv edhe në rritjen e mirëqenies së qytetarëve të dy shteteve.

Fundja, në botë konfliktet janë të shpeshta dhe të përmasave të ndryshme. Ne si popull i vogël duhet përqendrohemi esencialisht në ruajtjen e aleatëve tanë si dhe në zhvillimin tonë ekonomik. Aleatët do të na shërbejnë si garancion i vazhdimësisë dhe të jetëgjatësisë së shtetit tonë, por edhe të Shqipërisë, të cilën ne e kemi inspirim dhe synim. Zhvillimi ekonomik, i menduar dhe afatgjatë do të ndikojë drejtpërsëdrejti në ngritjen e mirëqenies së qytetarëve tanë, si dhe do ta zbehë dëshirën e tyre për t’u larguar nga vendi. E potencoj këtë sepse duke u përqendruar në luftëra që janë larg prej nesh, ne si shoqëri, kemi tendencë ta harrojmë “luftën” që e kemi afër, dhe e cila po reflekton negativisht në të gjitha projeksionet e të ardhmes tonë. Nuk duhet të harrojmë se “lufta” me varfërinë, kryesisht shkaktoi migracion viteve të fundit; gjë e cila po ndikon negativisht dhe po rrit në mënyrë drastike moshën mesatare të popullsisë në Kosovë dhe Shqipëri. Shteti i fortë nuk mund të bëhet pa idenë e qartë për të ardhmen e tij. Shteti i fortë nuk mund të bëhet pa popullin, e në veçanti nuk mund të bëhet pa rininë e arsimuar, të ditur dhe të fortë, të përcaktuar për punë të mëdha dhe përplot energji pozitive.

Kryeministri i Kosovës ZT.Albin Kurti për Agjencinë Franceze të Lajmeve: Presidenti despotik Vlladimir Putin është në kërkim të një konference të re të Jaltës

 

Kryeministri Kurti

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka realizuar një intervistë me Agjencinë Franceze të Lajme.

Pyetja: Z. Kryeministër, po fillojmë me krizën në Ukrainë. Agresioni mbi Ukrainën nga Rusia, ta krijon përshtypjen që e ka tronditur, e ka rrezikuar thellësisht rendin ekzistues të sigurisë në Evropë, i cili është krijuar me përmbysjen e Murit të Berlinit. Shumë analistë thonë që bëhet fjalë për një goditje tektonike dhe pyetja jonë e parë është, a mendoni, a ka gjasa, a ka shpresë, që ky sistem të rikthehet, të rikuperohet?

Kryeministri Kurti: Agresioni ushtarak dhe invazioni rus ishin shokues, por jo edhe të befasishëm. Nuk ishin të befasishëm, meqenëse e kemi parë duke u përgatitur dhe duke ndërtuar edhe në aspektin e ligjërimit politik nga Kremlini, por edhe të grumbullimit të forcave të mëdha ushtarake me artileri të rëndë në kufijtë lindor të Ukrainës. Pamjet janë shokuese, është vështirë ta besosh çfarë po sheh, mirëpo askush nuk mund të shtiret se ka qenë i befasuar. Kjo është një luftë e paralajmëruar më herët, për shkak se hegjemonia ruse, imperializmi rus dëshironte me çdo kusht territore të reja, dëshironte zgjerim dhe përballje me Bashkimin Evropian dhe me NATO-n. Presidenti despotik rus, Putin, është në kërkim të një konference të re të Jaltës, por konferenca e re e Jaltës nuk është e mundshme pa luftë. Andaj, edhe kishim këtë agresion ushtarak dhe invazion rus.

Pyetja: Është sulmuar shteti më i madh, vendi më i madh në Evropë. Madje në mesin e observuesve perëndimorë mund të dëgjohet që e konsiderojnë këtë sulm, këtë agresion edhe si sulm mbi civilizimin perëndimor. A mendoni që ky agresioni dhe i gjithë impakti që e ka krijuar ky agresion, i ka bërë të pakuptimta ndarjet në Evropë, në vende të NATO-s, vende jo të NATO-s, vende të Bashkimit Evropian, vende jo të Bashkimit Evropian, domethënë të gjithë i shtrohen rrezikut të njëjtë?

Kryeministri Kurti: Pajtohem. Dallimet, të cilat ekzistojnë brenda Bashkimit Evropian dhe brenda Evropës si kontinent në përgjithësi, janë bërë çështje të dorës së dytë për të mos thënë çështje të dorës së tretë, karshi invazionit rus dhe agresionit ushtarak në Ukrainë. Andaj, nëse Bashkimi Evropian dhe NATO-ja nuk e shfrytëzojnë këtë moment për të qenë të bashkuar, ashtu siç e imponon koha, por unë besoj edhe vullneti i popujve, të drejtat qytetare dhe mirëqenia në kontinentin evropian, atëherë do ta paguajmë shumë shtrenjtë me të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë.

Prandaj, është e domosdoshme që të ketë një unitet të shtuar edhe institucional, ashtu siç është popullor. Unë jam i bindur që tash popujt e Evropës kurrë nuk kanë qenë më të bashkuar, veçse ky lloj bashkimi duhet ta gjejë shprehjen e vet edhe në politikë edhe në institucionet përfaqësuese.

Bashkimi Evropian duhet të jetë i bashkuar, sepse është sulmuar Ukraina, e cila paraqet me territor shtetin më të madh në kontinentin evropian. Pra, nuk ka një shtet tjetër, i cili me gjithë territorin e vet, është në kontinentin evropian, e ka më shumë se 600 mijë kilometra katrorë, siç është rasti me Ukrainën. Pra, shteti më lindor në kontinentin evropian, është njëkohësisht edhe më i madhi me territor dhe tash ndodhet në një sulm shkatërrues, që e dëshiron territorin e Ukrainës për Rusinë, por pa ukrainasit.

Pyetja: Keni thënë që agresioni e imponon bashkimin e Evropës si përgjigje të parë ndaj këtij sulmi mbi një vend sovran dhe të pavarur evropian. A mendoni që kanë filluar të krijohen konditat dhe të imponohen konditat nga agresioni rus, për ngritjen e rendit të ri të sigurisë kolektive, ku do të bashkohen nën të njëjtën ombrellë të gjenden të gjitha vendet evropiane, pa marrë parasysh a i takojnë apo nuk i takojnë mekanizmave të Bashkimit Evropian dhe NATO-s?

Kryeministri Kurti: Evropa dhe perëndimi demokratik në përgjithësi ka nevojë për një koalicion, i cili është i mbrojtjes dhe i sigurisë, por jo vetëm, kundrejt Federatës Ruse. Dhe, ajo çfarë po ngjanë në Federatën Ruse, Evropa mund ta gjej edhe në historinë e vet.

Përshtypja ime e fuqishme është se periudha nga Gorbachevi te Yeltsini paraqiste veçse versionin rus të Republikës së Vajmarit. Kishim një dekadë të Republikës së Vajmarit në Federatën Ruse dhe tash kemi një lider despotik, i cili makinerinë e vet të luftës e ka ndërsyer kundër një populli, i cili as nuk e provokoi dhe as nuk dëshiron luftë. Në këtë kontekst politik e të sigurisë, duhet të përgjigjemi me një koalicion, me ç’rast nuk do të duhej të kufizohemi tek formulat ekzistuese të organizatave ndërkombëtare, por do të duhej që të avancohen ato, e mbase edhe të krijohen të reja, sepse situata është e jashtëzakonshme.

Pyetja: A ka Kosova arsye që të ndjehet e rrezikuar pas agresionit rus, sidomos kur kihet parasysh ekzistimi i marrëdhënieve dhe tensioneve shumë të larta me Serbinë e cila konsiderohet si aleati kryesor i Rusisë në këtë rajon?

Kryeministri Kurti: Presidenti despotik rus po e kërkon një konferencë të re të Jaltës. Për këtë është e nevojshme lufta dhe këtë e bëri, por për këtë është e nevojshme edhe zgjerimi i konfliktit edhe jashtë Ukrainës, e këtë nuk e ka bërë ende. Përshtypja ime është që Putini dëshiron që të ulet në tryezë të negociatave me presidentin amerikan Biden e jo me presidentin ukrainas Zelensky. Synimi i tij është një konferencë e re e Jaltës, Jalta 2, me ç’rast do të ndaheshin sferat e interesit dhe në këtë mënyrë Federata ruse do të synonte të kompensohej për shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Prandaj, meqë ata do të synojnë edhe konflikte të reja, Ballkani Perëndimor në përgjithësi, e posaçërisht Kosova janë të rrezikuar. Në të kaluarën presidenti rus na përmendte një herë në muaj, tash na përmend nga disa herë në javë dhe duket qartazi se Republika e Kosovës është një halë të cilën ai e konsideron që e pengon në projektin e vet. Dy muaj pas çlirimit të Kosovës, presidenti rus u pat bërë kryeministër i Federatës ruse, në gusht të vitit 1999, ndërkaq me rastin e dy vjetorit të ardhjes së trupave ruse në Aeroportin e Prishtinës nga Bosnja dhe Hercegovina në qershorin e vitit 1999, pra në qershorin e vitit 2001 ai pat vizituar Kosovën, për t’i vizituar trupat ruse pikërisht në Aeroportin e Prishtinës. Le të mos harrojmë që është ky president ai i cili edhe i aneksoi Osetinë Jugore dhe Abkhazinë në Gjeorgji, pikërisht në vitin kur Kosova e shpalli pavarësinë, ndërkaq një javë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës u nënshkrua marrëveshja ndërmjet Serbisë edhe Federatës Ruse për dhënien e shumicës së aksioneve të industrisë së naftës në Serbi te Gazprom-i dhe po ashtu të bazenit të gazit në Banatski Dvor në Vojvodinë, sërish tek Gazprom-i. Nga 250 deputetë sa i ka Kuvendi i Serbisë, 151, pra më shumë se 60 për qind, janë në grupin e miqësisë Serbi - Federatë Ruse. Në Kuvendin e Kosovës janë një dyzinë deputetësh në grupe të miqësisë me shtete të ndryshme. Pra, atje mbi 60 për qind të parlamentit janë në grupin e miqësisë me Federatën Ruse. Kur kësaj ia shtojmë edhe faktin që ka ma shumë se një dekadë që Rusia është shumë aktive në Serbi, sidomos me “Qendrën Humanitare Ruse” siç e quajnë ata në Nish dhe me Sputnikun që e ka në rajon qendrën në Beograd, natyrisht që ne duhet të jemi shumë vigjilent, të kujdesshëm, por nuk do të frikësohemi asnjëherë prej tyre.

Pyetja: Nuk ka pas asnjë prononcim të vetëm të liderëve të lartë të Kosovës prej shpërthimit të krizës në Ukrainë, të paktën unë nuk kam parë, ku nuk apelohet për pranimin e Kosovës në NATO. A mendoni që Ballkani si zonë tradicionale e interesit të Rusisë mund të jetë targeti i radhës i Rusisë pasi të përfundojë ky në Ukrainë?

Kryeministri Kurti: Në rastin më të mirë mund të themi që presidenti rus është i paparashikueshëm. Realisht ai është i parashikueshëm. Ai është lider i luftës, nuk është i paqes. Ai është i interesuar që ta marrë gjithë Ukrainën, nëse s’mund ta marrë gjithë atëherë ta ndajë sikurse Bosnjën, ta shndërroj Kievin në një Grozni apo Sarajevë të dytë dhe gjithashtu ta shpërndajë edhe gjetiu konfliktin, ku do t’i përdorë faktorët e aktorët të cilët i kontrollon edhe në Ballkanin Perëndimor. Në këtë situatë të jashtëzakonshme ne nuk mund të sillemi në mënyrë të zakonshme. Andaj, edhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian edhe anëtarësimi në NATO nuk mund të jenë sipas mënyrave të vjetra.

Është tejet e domosdoshme që Brukseli si kryeqytet i dyfishtë, edhe i NATO-s edhe i Bashkimit Evropian ta rimendojë një mënyrë të re për integrimin e brendshëm dhe për zgjerimin në Ballkanin Perëndimor. Ballkani Perëndimor dhe Kosova në zemër të këtij Ballkani Perëndimor është pjesë e kontinentit evropian. Me rastin e integrimit në BE dhe në NATO, kufiri i jashtëm i këtyre dy organizmave më të rëndësishëm të paqes që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, kufiri i jashtëm zvogëlohet për rreth 3 mijë kilometra, që do të thotë edhe për sigurinë është shumë mirë.

Pyetja: Do të thotë mendoni që emergjenca e situatës e imponon edhe emergjencën në procedurë të pranimit, zgjerimit të NATO-s dhe Bashkimit Evropian?

Kryeministri Kurti: Metodat e vjetra të zgjerimit të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian mund të kenë kosto shumë të lartë pas agresionit ushtarak dhe invazionit rus në Ukrainë, i cili unë besoj që synon të mos ngelet vetëm në Ukrainë.

Pyetja: Dhe në fund Kosova dhe Ukraina nuk kanë marrëdhënie diplomatike. Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por përkrahja e deritanishme e Kosovës për Ukrainën, politike, morale, financiare me këto kushtet modeste të Kosovës, e ka bërë Kosovën, të krijohet përshtypja, lidere në rajon në përkrahjen e Ukrainës. Nga buron ky solidarizim me një vend që s’e ka njohur Kosovën?

Kryeministri Kurti: Tek lufta mbrojtëse dhe çlirimtare e popullit të Ukrainës, ne gjejmë shumë ngjashmëri me situatën tonë para një çerek shekulli, kur një fqinj shumë më i madh verior dëshiron të të okupojë, të të shtypë, të të shfrytëzojë, të të diskriminojë, të krijojë aparteid dhe gjithashtu provon edhe gjenocidin, i cili në Kosovë u nis, por u ndalua nga intervenimi i NATO-s, që të mos kishim shfarosje të shqiptarëve në vendin tonë. Pra, ne kishim në njërën anë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila e nisi rezistencën dhe luftën për çlirim e për liri dhe kjo e ndërgjegjësoi opinionin publik ndërkombëtar, diplomacinë botërore për të na mbështetur. Askush sikurse populli i Kosovës nuk e sheh ngjashmërinë e asaj çfarë na ka ndodhur në jetën tonë, jo në librat e historisë, në jetën tonë, me kontekstin aktual në Ukrainë, ku lufta mbrojtëse dhe çlirimtare te popullit të Ukrainës, po gjen një solidaritet dhe admirim të jashtëzakonshëm në botën perëndimore demokratike, sikurse tek ne në vitet 1998 dhe 1999.

Amerika dhe Evropa janë aleatët tanë, por ato nuk sakrifikohen për ne!


NGA Prof. Dr. Enver Bytyçi

Mediet shkruajnë se "Një gjeneral amerikan ia shuan shpresat Serbisë për një sulm ushtarak kundër Kosovës"! Dhe me këtë deklaratë shumica prej nesh besojmë se "jemi nën mbrojtjen amerikane"! Është e mbrojtur Kosova se aty është NATO dhe është e mbrojtur Shqipëria e Maqedonia e Veriut, se ato janë në NATO! Sapo ministrja e Jashtme e Gjermanisë zhvilloi vizitën e saj në Kosovë shumë kush thoshte se "Jemi nën mbrojtjen e Gjermanisë"! Dikush tjetër beson se shqiptarët janë nën mbrojtjen e Britanisë së Madhe, të NATO-s e të strukturave të tjera ushtarake e politike të Perëndimit!

Ok! Këto përralla nga e kaluara mund të ndikojnë te mendjet e injorancës. Por mua më duket se ato janë bërë pronë edhe e politikës dhe sidomos e lidershipit shqiptar në qeverisje. Madje ato marrin një dimension më të gjerë kur politikanët shqiptarë marrin pushtetin. Në opozitë politikanët tanë janë gjithnjë "sovranistë" e me këmbë në tokë. Kur vijnë në qeveri bëhen vasalë, presin prej dikujt tjetër. Vasalë të imagjinatës sonë! Shtetarët tanë në Shqipëri, në Kosovë e gjetkë kur vijnë në qeveri e dorëzojnë gjithçka te NATO, BE dhe aleatët. Sepse nuk kanë dëshirë të merren me punët e kombit e të shtetit! Janë të zënë me hallet e xhepit!

Ndërkohë e keqja lidhet me faktin se mbillet indiferentizmi. Vetë politika është e shkrehur dhe gjithçka e ka lëshuar në duart e NATO-s, BE-së dhe SHBA-ve! Kryeministri i Shqipërisë ditë-natë përmend Aleancën Atlantike në rastin e sulmit rus kundër Ukrainës, duke u thënë shqiptarëve se "Ne jemi të mbrojtur nga NATO"! Edhe pse asokohe kur vendi u pranua në këtë aleancë, kryeministri i sotëm, atëherë në opozitë, thoshte se "Nuk na jep NATO mirëqenie e nuk na i zgjidh NATO problemet tona", tani nuk bën asgjë për sigurinë, mbrojtjen, zhvillimin e mirëqenien e qytetarëve të tij.

Nëse i pyet drejtuesit e qeverisë shqiptare, të thonë: "Nuk ka para"! Nuk ka para për mbrojtjen, nuk ka para për ndihmën sociale, nuk ka para për arsimin, nuk ka para për shëndetësinë, nuk ka para për subvencionimin e bujqësisë dhe lehtësimin e rritjes së çmimeve! Por ka para për luksin qeveritar. Ka para për oligarkët që marrin me 22 milion euro ndërtimin e një kilometri rrugë. Ka para për të paguar 30 këshilltarë për një kryetar bashkie. Ka para për paga 15 mijë eurosh në muaj për këshilltarët e kryeministrit! Ka para për 60 mijë të punësuar në fushatë elektorale në administratën e shtetit! Ka para për Bechehtin dhe sa e sa bechehtë të tjerë që fitojnë gjyqet për shkak të arrogancës së kryeministrit dhe kryetarit të bashkisë së Tiranës! Ka para për Arben Ahmetajn e për firmat pranë qeverisë!

Nuk ka para vetëm për zhvillim e për mirëqenie! Shkurt, Shqipëria, e në një farë mase edhe Kosova, nuk kanë mundësi financiare për të kryer dy funksionet kryesore të shtetit, atë të sigurisë e mbrojtjes dhe atë të mirëqenies dhe zhvillimit!

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...