Agjencioni floripress.blogspot.com

2022/03/14

Amerika dhe Evropa janë aleatët tanë, por ato nuk sakrifikohen për ne!


NGA Prof. Dr. Enver Bytyçi

Mediet shkruajnë se "Një gjeneral amerikan ia shuan shpresat Serbisë për një sulm ushtarak kundër Kosovës"! Dhe me këtë deklaratë shumica prej nesh besojmë se "jemi nën mbrojtjen amerikane"! Është e mbrojtur Kosova se aty është NATO dhe është e mbrojtur Shqipëria e Maqedonia e Veriut, se ato janë në NATO! Sapo ministrja e Jashtme e Gjermanisë zhvilloi vizitën e saj në Kosovë shumë kush thoshte se "Jemi nën mbrojtjen e Gjermanisë"! Dikush tjetër beson se shqiptarët janë nën mbrojtjen e Britanisë së Madhe, të NATO-s e të strukturave të tjera ushtarake e politike të Perëndimit!

Ok! Këto përralla nga e kaluara mund të ndikojnë te mendjet e injorancës. Por mua më duket se ato janë bërë pronë edhe e politikës dhe sidomos e lidershipit shqiptar në qeverisje. Madje ato marrin një dimension më të gjerë kur politikanët shqiptarë marrin pushtetin. Në opozitë politikanët tanë janë gjithnjë "sovranistë" e me këmbë në tokë. Kur vijnë në qeveri bëhen vasalë, presin prej dikujt tjetër. Vasalë të imagjinatës sonë! Shtetarët tanë në Shqipëri, në Kosovë e gjetkë kur vijnë në qeveri e dorëzojnë gjithçka te NATO, BE dhe aleatët. Sepse nuk kanë dëshirë të merren me punët e kombit e të shtetit! Janë të zënë me hallet e xhepit!

Ndërkohë e keqja lidhet me faktin se mbillet indiferentizmi. Vetë politika është e shkrehur dhe gjithçka e ka lëshuar në duart e NATO-s, BE-së dhe SHBA-ve! Kryeministri i Shqipërisë ditë-natë përmend Aleancën Atlantike në rastin e sulmit rus kundër Ukrainës, duke u thënë shqiptarëve se "Ne jemi të mbrojtur nga NATO"! Edhe pse asokohe kur vendi u pranua në këtë aleancë, kryeministri i sotëm, atëherë në opozitë, thoshte se "Nuk na jep NATO mirëqenie e nuk na i zgjidh NATO problemet tona", tani nuk bën asgjë për sigurinë, mbrojtjen, zhvillimin e mirëqenien e qytetarëve të tij.

Nëse i pyet drejtuesit e qeverisë shqiptare, të thonë: "Nuk ka para"! Nuk ka para për mbrojtjen, nuk ka para për ndihmën sociale, nuk ka para për arsimin, nuk ka para për shëndetësinë, nuk ka para për subvencionimin e bujqësisë dhe lehtësimin e rritjes së çmimeve! Por ka para për luksin qeveritar. Ka para për oligarkët që marrin me 22 milion euro ndërtimin e një kilometri rrugë. Ka para për të paguar 30 këshilltarë për një kryetar bashkie. Ka para për paga 15 mijë eurosh në muaj për këshilltarët e kryeministrit! Ka para për 60 mijë të punësuar në fushatë elektorale në administratën e shtetit! Ka para për Bechehtin dhe sa e sa bechehtë të tjerë që fitojnë gjyqet për shkak të arrogancës së kryeministrit dhe kryetarit të bashkisë së Tiranës! Ka para për Arben Ahmetajn e për firmat pranë qeverisë!

Nuk ka para vetëm për zhvillim e për mirëqenie! Shkurt, Shqipëria, e në një farë mase edhe Kosova, nuk kanë mundësi financiare për të kryer dy funksionet kryesore të shtetit, atë të sigurisë e mbrojtjes dhe atë të mirëqenies dhe zhvillimit!

No comments:

Post a Comment

Çfarë ndodhi më 1 nëntor 2025?

  Serbia ka heshtur lidhur me raportimet se një serb është plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria serbe në territorin e Leposaviqit, në veri...