Agjencioni floripress.blogspot.com

2022/04/22

Zanafilla e shqiponjes ne flamurit kombetar

 


Besafuese: Zanafilla e shqiponjes se flamurit kombetar eshte...

“Flamuri i Kombit Shqiptar; Origjina, lashtësia” është botimi më i ri i shtëpisë botuese “Saras” dhe një kontribut për simbolin kombëtar në këtë 100-vjetor të Pavarësisë. Studiuesi Jaho Brahaj, pas një pune më se 10-vjeçare, duke hulumtuar në arkiva, në artefakte arkeologjike e objekte etnografike, sjell një këndvështrim interesant të zanafillës së shqiponjës dykrenare, simbol që e trashëgojmë edhe sot në flamurin kombëtar. Ky ribotim luksoz(vëllimi i parë i takon vitit 2007), redaktuar nga kryetari i Shoqatës së Koleksionistëve Shqiptarë, Bajram Peçi, është pasuruar me fakte të reja interesante dhe me ilustrime të disa prej flamujve historikë që trashëgojmë sot e kësaj dite. Brahaj e çon zanafillën e shqiponjës dykrenare në shek e VI. p.e.s, duke hedhur poshtë pretendimet që e lidhnin këtë simbol me prejardhjen bizantine. Jaho Brahaj nuk e quan këtë një vëllim të përfunduar, megjithatë, ky është vëllimi i parë që hulumton në përmasa të tilla origjinën dhe lashtësinë e flamurit kombëtar.

“Flamuri i Kombit Shqiptar; Origjina, Lashtësia” vjen si një ribotim luksoz nga shtëpia botuese “Saras”. Cila ishte shtysa për të bërë këtë studim mbi flamurin tonë?

Në vitin 1997 unë kam botuar librin e parë që i kushtohej heraldikës së trashëguar, “Emblema shqiptare”. Atëkohë kisha dyshime për ta botuar, por profesor Dhimitër Shuteriqi më këshilloi se ishte momenti i duhur dhe kishte të drejtë. Libri u prit mirë, i vlerësuar edhe me një çmim nga Ministria e Kulturës dhe Akademia e Shkencave për librin historiko-shkencor. Pjesë e këtij libri ishte edhe një kapitull i shkurtër mbi historinë e flamurit shqiptar, ndaj edhe më lindi dëshira të gjurmoja në arkiva dhe materiale të ndryshme për të krijuar një studim më të plotë. Kërkimi vazhdoi përgjatë 10 vjetëve, deri më 2007 kur arrita të botoj variantin e parë. Ky ribotim që kemi në dorë, është i plotësuar me fakte të reja. Mjafton të përmend që botohet për herë të farë si fotografi harta “Portollane” e Paolo Rosellit e vitit 1459, ku duken portet e Mesdheut dhe në çdo qytet ka flamuj. Flamurin shqiptar e gjejmë në Krujë, duke na dhënë kështu dëshmi autentike se si ka qenë flamuri i Skënderbeut në kohën kur ishte gjallë, pavarësisht se sot nuk e kemi si objekt fizik.

Në fakt, për të prekur boshtin e librit, cila është sipas jush origjina e flamurit shqiptar?

Të flasësh për shqiponjën tonë dykrenare nuk është shumë e lehtë sepse ka pasur shkrime të ndryshme sidomos nga fillimi i shek. XX, por edhe në vazhdimësi që ia atribuonin shqiponjën dykrenare të flamurit tonë Bizantit. Është e vërtetë që Bizanti në shek. IX të erës sonë e këtej ka shqiponjën bizantine në simbolet heraldike, po ashtu e pati edhe kisha ortodokse. Kur u futa në pasurinë e madhe arkeologjike, kultike, gdhendjet artizanale të së shkuarës, na rezultoi që ne(ilirët) e kemi të paktën të dokumentuar saktësisht shqiponjën dykrenare që në shek VI para erës së re shqiponjën dykrenare. Kjo nuk do të thotë se e kishin vetëm ilirët, sepse e gjejmë edhe te hititët, një  perandori që e kanë pasur shtrirjen e tyre në Turqinë e sotme, e po ashtu e kanë pasur edhe iranianët.

Çfarë i dallonte këto shqiponja?

Ne si popull vazhduam ta ruajmë dhe ta mbajë në ornamente, objekte metalike, arkeologjike, ta kemi si kult. Bizanti e ka marrë si simbol nga ato popullsi mbi të cilat u shtri dhe u zhvillua. Pjesë e Bizantit ishte edhe popullsia ilire ballkanase, e duke qenë se ne e kemi të dokumentuar shqiponjën dykrenare në shekullin VI, mund të thuhet se Bizanti e mori nga ne. Ajo ka qenë bashkudhëtare gjatë periudhës historike nga shekulli VI p.e.s deri në ditët e sotme, periudhë kjo e dokumentuar, por mund të ketë qenë edhe më parë tek ilirët. Fati e solli që ky objekt i dashur të ishte emblemë e derës së Kastriotëve, paraardhësve të Gjergj Kastriotit, ashtu siç thotë Barleti. Duke qenë se në mbledhjen e princërve shqiptarë në 2 mars 1444 Skënderbeu u vendos komandant i përgjithshëm, atëherë flamuri ishte edhe flamuri i të gjitha forcave administrative ushtarake të arbërve e prej këtu fillon të jetë flamur përfaqësues i kombit shqiptar, për të mbërritur në ditët e sotme.

Ju folët më lart për një ndryshim të formës grafike të shqiponjës ndër vite. Çfarë e ka kushtëzuar këtë gjë?

Rilindjes shqiptare i kanë rënë detyrat nga më të ndryshme kulturore, shtetformuese etj,. Një nga këto probleme ishte edhe forma grafike e shqiponjës së flamurit tonë, e trashëguar nga dera e Kastriotëve. Meqenëse në atë periudhë kur donin të afirmonin shtetit tonë, shqiponjën dykrenare e kishte Perandoria Austro-Hungareze, Rusia, Serbia, Mali i Zi, Kisha Ortodokse dhe e ashtuquajtura Lidhje e Shenjtë Romake, rilindësve u doli detyra ta zgjidhnin këtë çështje, ndaj ata e ndryshuan shqiponjën për ta bërë të dallueshme nga këto shenja të shteteve të tjera që ishin afirmuar zyrtarisht me flamujt e tyre në fundin e shek XIX dhe fillimin e shek. XX. Shqiponja e Faik Konicës arriti që të ngrihet më 28 Nëntor 1912. Faktorët dhe kushtet historike ishin shumë të vështira dhe na sollën vështirësi edhe në këtë drejtim. Fuqitë e Mëdha caktuan që princ në Shqipëri do të ishte Vidi dhe ai me të drejtën konstitucionale që kishte, ndryshoi edhe flamurin. Sapo filloi të afirmohej shqiponja e Princ Vidit plasi Lufta e Parë Botërore, e cila solli një ndryshim edhe më të madh, duke gjetur një balancë mes shqiponjës së vitit 1912 dhe asaj të Princ Vidit. Pati forma nga më të ndryshme të shqiponjave dykrenare, periudhë e cila vazhdoi deri më 1922 kur kemi për herë të parë nga administrata shtetërore e rikrijuar pas Ismail Qemalit që ka akt administrativ për formën grafike të shqiponjës sonë kombëtare.

Sot vazhdon të ketë një diskutim të hapur për flamurin që është ngritur në Vlorë më 1912. Cila është teza jote në këtë pikë?

Se cili është flamuri që u ngrit në aktin e kuvendit të pavarësisë, kjo vazhdon të mbetet një çështje e hapur. Unë kam dokumente që mbështesin njërën tezë, por duket se ky diskutim tashmë është kthyer në problem pasionesh se sa i bazuar në dokumentacion. Për sa i përket formës së shqiponjës dykrenare nuk ka dyshime, pasi kemi dokumentin zyrtar të qeverisë së Vlorës që e ka botuar në gazetën e saj, e ku bëhen edhe shpjegimet përkatëse, duke treguar se fotografia bardhezi paraqiste edhe disa vijëzime të cilat nuk ishin të vërteta në flamur. Ne e dimë saktësisht se cila është forma e flamurit dhe ajo që na intereson në këtë debat forma grafike e shqiponjës, pavarësisht se ende edhe në këtë rast nuk e trashëgojmë këtë flamur.


Kanuni i Leke Dukagjinit perkthehet ne spanjisht

 

Kanuni i Leke Dukagjinit perkthehet ne spanjisht

Cilat ishin institucionet që funksiononin gjatë periudhës së Kanunit të Lekë Dukagjinit? Mbi çfarë normash dhe dokesh juridike funksiononte shoqëria? Cili ishte foklori dhe etnologjia? Të gjitha këto sot nuk janë më, por mbartin rëndësinë e trashëgimisë së një dokumenti të rëndësishëm ligjvënës për kohën.

Ndërsa tani interes studimi për Kanunin e Lekë Dukagjinit pas një sërë shtetesh ka shfaqur dukshëm edhe Spanja. Duke e përkthyer këtë Kanun në gjuhën e tyre.

“Është hera e parë që kanuni përkthehet në gjuhën spanjolle. Më parë ka qenë përkthyer në gjuhë të ndryshme. Në gjermanisht, në anglisht, në frëngjisht, në serbisht dhe rusisht, dhe kjo ishte hera e parë që lexuesi spanjishtfolës ka mundësi t’i afrohet plotësisht veprës së Kanunit të Lekë Dukagjinit.”, thotë Erisa Ajazi, përkthyese e Kanunit në spanjisht.

Kur përmendim lashtësinë e dokumentit nuk mund as ta distancojmë nga ndikimi  që ende edhe sot ka kanuni mbi popullsinë e malësisë së Shqipërisë, në Kosovë, apo dhe vende të tjera ku janë shqiptarët. Pavarësisht se në kohë ai realitet është I largët.

“Kur flasim për Kanunin nuk flasim thjesht për një tekst, por flasim për një realitet të gjallë, i cili ka qenë përcaktues në jetën e shumë brezave. Përmban një strukturë të detajuar të organizimit dhe funksionimit të shoqërisë së asaj kohe. Përmban shumë emërtime.”, thotë Ajazi.

Asgjë nga ato nuk është më aktuale, ndaj nevoja për ta njohur realitetin e asaj kohe, me shtylla si nderi, mikpritja, sjellja dhe fisi, është ajo që po shtyn nxitjen e përkthimit të Kanunit në shumë gjuhë evropiane.

Lupu ujku shqiptar qe sundoi per 19 vjet Moldavine

 


Lupu, 'ujku' shqiptar qe sundoi per 19 vjet Moldavine

Gazetari Marin Mema, ka publikuar një shkrim që ka të bëjë me “një nga figurat më pak të trajtuara nga historiografia shqiptare”, ajo e Vasil Koçit ose Vasil Lupu, siç njihet më gjerë, njeriu që për më se 19 vjet qëndroi mbi fron si princ i Moldavisë.

Por kush ishte Vasil shqiptari, siç i pëlqente shpesh të identifikohej apo “ujku”

“Ujku” shqiptar që sundoi Moldavinë

Për prejardhjen e familjes Koçi ka disa teza. Njëra prej tyre i identifikon paraardhësit me rrënjë nga Shqipëria Jugore, të emigruar në fshatin Arbanas në Bullgari, ku ende jeton një komunitet shqiptar.

Një tjetër i vendos, pas mbërritjes në Bullgari, në një zonë pranë qytetit Razgrad.

Duke qenë se studimet e mirëfillta për këtë figurë mungojnë, edhe vendi i origjinës së saktë të familjes është i vështirë të thuhet.

Elementi që bashkon të gjithë studiuesit dhe historianët është fakti se rrënjët e tij ishin qartësisht shqiptare, kjo edhe sepse ai identifikohej me origjinën e tij.

Vasili lindi në vitin 1595, duke qenë një nga 8 fëmijët e Nikollë Koçit. Ky i fundit u vendos në territoret rumune pas një kryengritjeje të dështuar, me ndihmën e një prej princërve të kohës, Radu Mihneas.

Pas vdekjes së të atit, familja u vendos në Moldavi, ku nisi rrugëtimin ”ujku” shqiptar.

Vasili pati pozicione të larta gjatë viteve 1626 – 1629 dhe 1633, kur në sundim të Moldavisë ishte Miron Barnovchi.

Në 1634-n, si kundërpërgjigje e fisnikëve vendas ndaj forcimit të konkurrentëve grekë dhe levantinë, ai u zgjodh princ i Moldavisë.

Ky vendim ishte rezultat i vendosmërisë dhe forcës që ai tregoi në revoltën ndaj princit Alexandru Ilias dhe njerëzve të tij.

Vasil Koçi u mbështet mjaft edhe nga një sundimtar tjetër, Matei Basarab, princ i Vllahisë, si dhe pashai turk i Silistrës, Mehmet Abza.

Hipja në fron e sundimtarit shqiptar konsiderohej si një sukses jo thjesht ushtarak, por edhe për vetë reformat modernizuese që ai ndërmori, ashtu si edhe investimet që ruhen ende sot.

Vasil Lupu njihet si sundimtari i parë që kodifikoi ligjet në Moldavi.

Ky dokument i veçantë u quajt Romanesca de Invitatura ose kodi i Vasil Luput dhe i dha prioritet jo thjesht anës juridike, por edhe elementeve të tjera, siç ishte gjuha rumune.

Kjo reformë shënoi kalimin nga ligjet e pashkruara e të bazuara më së shumti në zakonet e kohës tek ato zyrtare, të hartuara dhe publikuara sipas një stili romano – bizantin.

Jo më kot filozofi dhe historiani Dimitrie Cantemir, që jetoi gjatë viteve 1673 – 1723, e konsideronte periudhën e sundimit të Vasil Koçit si atë të rizgjimit dhe rikthimit në dritë nga errësira e barbarive që shtriheshin në vend.

Vasili ishte një drejtues i aftë jo thjesht në politikën e brendshme, por edhe në rrafshin diplomatik.

Ai mbajti marrëdhënie me të gjitha superfuqitë përreth, duke forcuar lidhjet me Vjenën, Varshavën, Moskën etj.

Pozita e tij u bë kaq e rëndësishme sa shpesh ai ndërhyri për të forcuar rolin dhe pushtetin e tij edhe në konflikte, siç është ai në Krime, në vitet 1635 – 1637 apo në krizën turko – ruse për qytetin e Azovit, në vitet 1637 – 1642.

Princi themeloi, në vitin 1640, shkollën e parë, që njihet si Akademia Vasiliane, duke u dhënë mundësi në këtë mënyrë të rinjve vendas të mësonin aty pa u dashur të largoheshin drejt Polonisë, siç kishte ndodhur deri në atë kohë për pinjollët e familjeve të mëdha.

Biblioteka e Universitetit të Lashit ishte gjithashtu vepër e tij, ndërsa shtypshkronja e parë ishte një tjetër investim që u ngrit me mbështetjen e fortë të sundimtarit dhe që shënoi nisjen e një tjetër epoke për publicistikën vendase.

Ai ndërtoi mjaft objekte kulti, ndër të cilat edhe kishën e “Tre Hierarkëve”, një monument i mbrojtur nga UNESCO.

Në fakt, princi Vasil u shndërrua në një mbrojtës të ortodoksisë jo vetëm në territoret e tij, por edhe shumë më gjerë.

Shuma të mëdha parash iu dhanë, me urdhrin e tij, Patriarkanës së Kostandinopojës dhe Jerusalemit, ashtu si manastirit të malit Athos në Greqi.

Më se 30 kisha dhe manastire në Moldavi u ngritën prej tij, ndërkohë që bamirësi të tjera bëri edhe në Poloni, Bullgari etj.

Paralelisht me investimet, Vasil Koçi kërkoi të forconte pushtetin duke u përpjekur të përfshinte nën sundim zotërime të reja.

Nëse me princin e Transilvanisë, Gheorghe Rakoczi I, mbajti marrëdhënie mjaft të mira të bazuara mbi dy traktate të nënshkruara në vitet 1638 dhe 1646, me një ish-aleatin e dikurshëm, princin e Vllahisë, Matei Basarab, që e mbështeti për të hipur në fron, gjërat shkuan ndryshe.

Etja për territore bëri që Vasil Koçi t’i shpallte luftë rivalit të tij. Për këtë qëllim, ai lidhi edhe krushqi me ushtarakun e lartë të kozakëve, Bohdan Chmelnyckij, i njohur ndryshe si Bogdani i Zi.

Princi shqiptar i dha vajzën e tij, Ruksandrën, djalit të Bohdanit.

Pozicionet kyçe nën sundimin e tij i mbanin jo thjesht njerëzit më besnikë, por mbi të gjitha të afërmit.

Mjafton të përmendet fakti se 10 nga 17 guvernatorë ishin familjarë të sundimtarit tregues i kujdesit që Vasil Koçi tregonte për të mos forcuar njerëz të jashtëm që mund t’i cenonin pushtetin, por ishte pikërisht kjo etje për rritje të pushtetit që e rrëzoi.

I forcuar edhe me koalicionin e ri pas martesës së të bijës, Vasili mendoi se do ta kishte më të lehtë të shkatërronte princin e Vllahisë.

Plot tri herë ushtritë u përplasën në 1639-n, në Ojogeni e më pas në Nenisori, e në fund në 1653-shin në Finta. Në të tria rastet, ushtritë e sundimtarit shqiptar u mposhtën. Beteja e fundit rezultoi më fatalja.

Pas kësaj beteje nisi një rebelim i menjëhershëm i fisnikëve moldavë, të cilët 19 vjet më parë e kishin mbështetur.

“Ujku” nuk mundi këtë herë të qetësonte gjërat me dredhitë e tij dhe përfundoi i zëvendësuar në fron nga princi Gheorge Stefan.
Vasili u largua drejt Stambollit, ku jetoi në ekzil për vite të tëra. Ka të dhëna se 5 vite ai i kaloi në një nga burgjet e perandorisë, i arrestuar nga autoritetet osmane.

Ndonëse nuk rreshti për asnjë moment në përpjekjet e tij për rikthimin në pushtet, kjo nuk ndodhi më kurrë.

E megjithatë, Vasili arriti të shihte nga larg, në vitin 1559, hipjen në fron të djalit të tij, Stefan Lupu.

Në vitin 1661, sundimtari i dikurshëm, që kaq shumë ndihmoi në zhvillimin e principatës së drejtuar prej tij, vdiq në ekzil në Stamboll, ndërsa vetëm pak kohë më pas djali i tij ra nga froni.

Stefani, mesa duket, nuk kishte trashëguar aftësitë e të atit për të qëndruar gjatë në pushtet përmes aleancave të ndryshme, duke e mbajtur atë vetëm dy vjet.

Trupi i sundimtarit shqiptar që udhëhoqi Moldavinë për 19 vite sot prehet në katedralen e “Tre Hierarkëve” në Lashi.

Vasil Lupu ishte i pari i një pushteti shqiptar, që më pas vijoi edhe me dinastinë e famshme të familjes Gjika, që drejtuan për breza Vllahinë e Moldavinë apo edhe familjet Duka, Shucu, Balsha etj.

Njihuni me shqiptarin qe i dha lirine Greqise

 


Njihuni me shqiptarin qe i dha lirine Greqise

Ai është Teodor Kolokotroni, ndryshe njihet dhe si “Plaku i Moresë”, u lind më 3 prill 1770 poshtë një peme në Mesininë e vjetër. Gjithë jeta e Kolokotronit, rrjedh midis arvanitasve, pasi i tillë ishte dhe origjina e tij. Kolokotroni ishte bërë vëlla me të krishterin, Marko Boçarin, dhe me një mysliman, Ali Farmaqin. Ushtarët e Kolokotronit ishin arvanitas nga Morea, ose nga Çamëria shkruan konica.al

14 janar 1822 – Lufta greke e Pavarësisë: 1822 – Lufta greke e Pavarësisë: Akrokorinthi (Korinthi i Epërm) merret nga trupat e Theodor Kolokotronit, udhëheqës i Revolucionit grek kundër perandorisë Osmane. Kolokotroni, ky “shqiptar” i quajtur arvanitas, fliste arvanisht (arbërisht), paraardhëse e drejtpërdrejtë e shqipes së sotme.
Me prejardhje arvanitase Greqia ka pasur 9 kryeministra, 1 president, dhe 1 diktator (Gjeneral Theodor Pangalo, 1878–1952). Kolokotroni u bashkua me kryengritësit e Moresë (Peloponez) që kur ishte 14 vjeç; një vit më vonë, ai bëhet “kapetanios” i çetës së tij. Pastaj, Kolokotroni shpallet në kërkim nga osmanët dhe ikën në ishujt e Jonit. Më 1809 i bashkohet këmbësorisë greke në ushtrinë britanike që luftonte kundër ushtrisë perandorake të Napoleonit në ishujt e detit Jon.


Gjatë kësaj kohe, Kolokotroni ndikohet nga idetë e Revolucionit Francez dhe nga Napoleon Bonaparti. Në autobiografinë e tij Kolokotroni shkruan: “Sipas gjykimit tim, Revolucioni francez dhe veprat e Napoleonit i hapën sytë botës. Më parë, kombet nuk dinin asgjë për veten dhe njerëzit mendonin se mbretërit ishin perëndi mbi tokë dhe çdo gjë që ata bënin ishte e përkryer”.


Mbiemri i Kolokotroni është perkthim në greqisht i emrit (vithe+gurë), por mbiemri i tyre i lashtë është Çergjini,mbiemer arbrorë,që do të thot: çer= i meçur dhe gjin(gjinja)= njerez, pra njerez të meçur do te ishte varianti ne standard.


Poema greke “Thourios” (Thirrja) nga poeti i rilindjes greke të shekullit të 18-të – dhe hero kombëtar grek, Rigas Feraios lindur në Tërhallë më 1757 – 1798, përfshin një thirrje për arvanitasit që jetonin në atë kohë në mbarë Greqinë, për t’u bashkuar kundër sundimit Osman. Dhe arvanitasit iu përgjigjën “thourios”; në fakt, gjatë luftës greke për pavarësisë, arvanitasit luajtën rol të rëndësishëm – shumë prej tyre njihen sot si heronj kombëtarë grekë (Kundurioti, Xhavella, Kollokotroni, Boçarët, Bubulina, Miauli, etj.)

A jane shqiptaret aq te vjeter sa mendojne ata? Ja citimet e te huajve...

 


A jane shqiptaret aq te vjeter sa mendojne ata? Ja citimet e te huajve...

Maurico Druon, sekretar i Akademisë frënge: “Shqiptarët i përkasin popujve më të vjetër se vet historia. dhe gjyshërit e shqiptarëve merrnin pjesë në luftën e Trojes, të udhehequr nga Akili (në njërën anë) dhe Hektori (në anën tjetër)”.

Nikolla Jorga: “Populli shqiptar së bashku me baskët, janë më të vjetërit në Evropë”.

Maximilian Lambertz: “Historia e vërtetë e njerëzimit do të jetë e shkruar, vetëm kur ajo do të shkruhet me pjesëmarrjen e shqiptarëve”.

Lamartini: “Ky komb e ky popull nuk merret nëpër këmbë… Kjo është toka e heronjve të të gjithë kohërave… Homeri aty gjeti Akilin, grekët Aleksandrin e Madh, turqit Skënderbeun, njerëz këta të së njëjtës racë, të të njëjtit gjak”.

Huacunthe Hecquard: “Në asnjë vend të botës femrat nuk janë më të respektuara dhe nuk ushtrojnë një veprimtari më të fuqishme se shqiptaret dhe disa nëna shqiptare kanë përzënë prej shtëpisë bijtë e vet pasi ata ishin larguar nga fronti i luftës. Ato i kishin kthyer në fushën e betejës”.

Lord Bajroni: “Shqiptarët me kostumet e tyre bëjnë një peizazh më të mrekullueshëm në botë… Shqiptarët janë raca njerëzore më e bukur që ekziston, trima më të fortë se kështjellat e tyre”.

Henry Noel Brailsford: “…Shqiptari ‘primitiv’, në fakt është ‘Mbinjeriu’ për të cilin Nietzsche ëndërronte”.

Gjusepe Katapangu: “Atllantida e cila është zhdukur para 12.000 vjetësh, ishte tokë e Ilirëve (pellazgëve), të cilët shpëtuan nga përmbytja e Atlantidës dhe filluan civilizimet e reja në të gjitha kontinentet, sidomos në Evropë, Afrikë dhe Azi të vogël”!

Agostino Ribeco: “Te drejtat mijëvjeçare të shqiptarëve, etnografike dhe gjeografike, shtrihen prej kohërave të vjetra në Iliri, Maqedoni dhe Thesali”.

Braisllav Nusic: “Shqiptarët janë autoktonë, të cilët gjatë të gjitha dyndjeve të popujve, e ruajtën tipin dhe karakterin e vet në mënyrë të theksuar. Ata u bënë ballë sulmeve të romakëve, mësymjeve të dendura të sllavëve, të cilët ua pushtuan të gjitha fushat, ultësirat, dhe lumenjtë”.

Dushko H. Konstantinov: “Shqiptarët janë banorë më të vjetër të Gadishullit Ballkanik dhe pasardhës të drejtpërdrejtë të ilirëve të vjetër, të cilët kishin ndërtuar shtetin më të fuqishëm në Ballkan”.

Edvin Jasques: “Ilirët ose shqiptarët, këta bijë të paeupur, ishin luftëtar të shqipes, trashëgimtarë të denjë të Akilit, Filipit, Aleksandrit të Madh dhe Piros së Epirit…”.

Edvin Pears: “Shqiptarët janë pasardhës të racës më të vjetër të Gadishullit Ballkanik, gjegjësisht të racës arjane, duke e nxjerrë këtë fjalë nga dy rrënjët e fjalëve shqipe: Ar dhe Anë, që d.m.th. Njerëz të arit të pastër”.

Maks Myle: “Emrat e mjaft popujve të njohur rrjedhin nga fjala e vjetër shqipe ‘Ar’. Kjo vlen edhe për mjaftë vende të botës.”

Fanulla Papazogllu: “Dardania është njëra nga krahinat antike të Ballkanit ku popullata autoktone është ruajtur më së miri”.

Gos Xhen: “Origjina e shqiptarëve ngjitet deri te koha e pellazgëve dhe kanë origjinë parahelene”.

Gustav Majer: “Shqiptarët janë Ilir të rinj”.

Georg Hahn: “Shqiptarët janë pasardhës të Ilirëve, ndërsa ilirët janë pasardhës të pellazgëve… Shqiptarët janë stërnipërit e Pellazgëve”.
-Haki Pasha: “Po doli në shesh historia e shqiptarëve, Perandorinë Osmane e merr lumi”.

Harold Whitehal: “Hieroglifet egjiptiane, të krijuara para 4.000 vjetësh kanë domethënie shqipe”.

Henri Braisford: “Në Maqedoni, vetëm shqiptarët janë popull autokton”

Johan Georg Fon Han: “Shqipja rrjedh nga ilirishtja dhe ilirishtja nga pellazgjishtja”.

Jovan Cvijiq: “Sllavët e jugut, pas ardhjes në Ballkan, aty gjetën shqiptarët, të cilët nën trysninë e tyre (sllavëve) u tërhoqën jugu dhe në vendet më malore, ku i hasim edhe sot”.

Konstandin Paparigopulos: “Vetëm shqiptaret konsiderohen si pasardhës të racës ilire”./konica/


Muzika e magjishme e sazeve shqiptare ne emisionin legjendar britanik

 


Muzika e magjishme e sazeve shqiptare ne emisionin legjendar britanik

Ansambli shqiptar “Saz’Iso”, performoi për herë të parë në një prej emisioneve televizive legjendare britanike “Later with Jools Holland”.

 

“Ishte një eksperiencë emocionuese të ishim mbrëmjen e kaluar në “Later With Jools Holland”, ku për herë të parë në 25 vjet program u luajt muzikë shqiptare”, shkruhet në rrjetin social Facebook të ansamblit shqiptar.

 

Ndërsa drejtuesi i emisionit Jools Holland është shprehur “dhe nëse keni imagjinuar ndonjëherë që të dëgjoni muzikë popullore shqiptare, atëherë jeni me fat. Sazi’Iso luan një përzierje hipnotike vaji që do t’ju çojë në një natë të magjishme në Gadishullin Ballkanik. Nëse jeni dakord. Albumi i tyre ka një titull brilant ”At Least Wave Your Handkerchief at Me”.

 

Ansambli “Saz’Iso”, prej 9 instrumentistësh dhe këngëtarësh, i krijuar nga producenti i njohur, 70 vjeçari, Joe Boyd, i cili ka bashkëpunuar dikur edhe me Pink Flloyd, është grupi i parë muzikor shqiptar, që e zhvillojë një turne zyrtar në Britani.

 

Turneu u nis nga Kardifi në Uells për të vazhduar në Cambdridge, Bristol, York, Sheffield e deri ne Londër. 

Për shfaqjen e Londrës në të famshmen, qendrën e shfaqjeve, Barbican janë shitur të gjitha biletat.

 

Artistët pjesëtarë të këtij grupi muzikor janë: Donika Pecallari, këngëtare, Adrianna Thanou, këngëtare, Robert Tralo, këngëtar, Aurel Qirjo, violinë dhe këngëtar, Telando Feto, klarinetë, Agron Murat, lahutë, Agron Nasi, dajre dhe Pëllumb Meta, fyell dhe këngëtar.

 

BBC solli në muajin shtator edhe një artikull të shoqëruar me video kushtuar muzikës së mrekullueshme të sazeve shqiptare. “Saz’Iso” interpretuan këngë dhe melodi tradicionale nga qytetet e Shqipërisë Jugore.

 

 

 

“Akademia e shkencave nuk është çështje qeveritare, ajo është çështje kombëtare”

Zgjedhjet per kreun e Akademise se Shkencave hapen nje debat ne te cilin u perfshi edhe vete kryeministri Rama pas letres se akademikut Artan Fuga.


Por Akademia e Shkencave  ka publikuar  kohë më parë amanetin e fundit të Dritëro Agollit ku ndër të tjera ky i fundit shprehet se: “Akademia e shkencave nuk është çështje qeveritare, ajo është çështje kombëtare”.

Letra e plotë

Amaneti i funditAmaneti i fundit i akademikut Dritero AGOLLI për Akademinë e Shkencave.“Akademia e shkencave nuk është çështje qeveritare, ajo është çështje kombëtare”.Akademia e Shkencave është një institucion që duhet të forcohet, jo të dobësohet. Është e gabuar të mendohet se Akademia jonë është një trashëgimi e së shkuarës. Ajo u themelua nga dijetarë të mëdhenj, që ishin formuar në universitete me emër.
 
Akademia e Shkencave gjithnjë ka pasur njerëz të zotë, të ditur e të mençëm. Çdo diskutim, çdo reformë, është me vend vetëm nëse merret për ta bërë Akademinë e Shkencave më të mirë, më të suksesshme.

Shihni çfarë po bëjnë vendet fqinje.A po e dobësojnë apo po e fuqizojnë akademinë e tyre të shkencave maqedonasit, grekët, serbët, malazezët? Edhe Kosova po e fuqizon akademinë e vet dhe mirë bën.Popujt që nuk e kanë bërë ende të njohur plotësisht veten në Europë e në botë akademitë detyrimisht duhet t’i ruajnë e t’i forcojnë.

Po të më pyesnin mua, unë do të thoja se Akademia e Shkencave jo vetëm duhet të bëhet më e suksesshme, por duhet ngarkuar me detyra.Ka shumë pyetje të cilave qeveria nuk mund t’u japë vetë përgjigje. Atëherë kujt do t’ia kërkojë përgjigjen?Reforma është çështje mendimi dhe projekti, jo çështje numrash. Unë besoj se Akademia e Shkencave ka njerëz me mend që mund ta bëjnë vetë reformën, prandaj duhen dëgjuar si thonë ata, sepse ata e dinë më mirë si mund të ndryshojë gjendja dhe si mund të jetë më e dobishme për vendin.

Duhet një reformë që të kemi një akademi më dinjitoze. Dhe kur them kështu kuptoj se Akademia është mpakur e rrudhur më shumë për shkak të qendrimeve të pamençme në reformat politike, se për fajin e vet. Sigurisht Akademia duhet të lëvizë, duhet të bëhet më e gjallë, më energjike, por më parë të bëjmë pyetjen pse nuk është ashtu si e duam.Pse është zvogëluar Akademia jonë?

Floripress

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...