Agjencioni floripress.blogspot.com

2022/08/30

Cilat janë emrat e koduar të presidentëve amerikanë?

 Shërbimi Sekret amerikan i angazhuar për sigurinë e presidentëve amerikanë, i cakton një emër të koduar kujtdo që merr detyrën. Për më shumë se 75 vjet, presidentët amerikanë dhe familjet e tyre të afërta kanë marrë pjesë në një traditë të gjatë të mbajtjes së pseudonimeve që kanë ndonjë kuptim simbolik ose që lidhen me personalitetin ose trashëgiminë e tyre.


Kjo praktikë daton në fillim të viteve 1900. Shërbimi Sekret fillimisht filloi të përdorte emrat e koduar për qëllime sigurie, në një kohë kur komunikimet elektronike nuk ishin të koduara.

Megjithëse emrat e koduar përdoren ende sot, qëllimi është të arrihet shkurtësi dhe qartësi në komunikim, ndërsa kjo praktikë është bërë më simbolike pasi presidentët dhe anëtarët e afërt të familjeve të tyre zgjedhin emra të koduar që fillojnë me të njëjtën shkronjë, por kanë kuptime individuale personale për secilin (edhe pse rrallëherë i shpjegojnë publikisht zgjedhjet e tyre).

Cilët janë emrat e koduar më interesantë?

Ish-presidenti amerikan Donald Trump zgjodhi vetë emrin e koduar Mogul si një lidhje me biznesin e tij të pasurive të paluajtshme. Ish-Zonja e Parë Melania Trump u kodua me emrin Muse dhe “vajza e parë” më e ekspozuar Ivanka Trump ishte Marvel.

Lancer ishte emri i koduar për presidentin John F. Kennedy sepse administrata e tij lidhej me legjendën e Camelot-it dhe mbretit Arthur, ku Lancelot ishte një kalorës i famshëm. Për Jackie Kennedy, Shërbimi Sekret përdori emrin Lace.

Searchlight (Projektor) është emri i koduar që për ironi i përkiste presidentit Richard Nixon. Ai dha dorëheqjen pasi u përpoq pa sukses për të mbuluar skandalin Watergate. Sjellja e tij antikushtetuese e vuri pa dyshim në qendër të vëmendjes.

Renegade (Renegat) është emri i koduar që Barack Obama zgjodhi për veten e tij, sepse i pëlqente Kiefer Sutherland në filmin e vitit 1989 “The Apostates”, në të cilin Sutherland luante agjentin e fshehtë Buster McHenry. Michelle Obama gjatë administrimit të bashkëshortit të saj, për Shërbimin Sekret ishte Renaissance (Rilindje).

Presidentëve të familjes Bush, Shërbimi Sekret u caktoi emra si pjesë të filmave aksion. Bush Sr. ishte Timberwolf, dhe gruaja e tij Barbara Bush u kodua me emrin Tranquility (Qetësi). George W. Bush mori emrin sekret Trailblazer dhe Laura Bush si Zonja e Parë u emërua Tempo.

Emri i koduar i presidentit aktual të SHBA-së, Joe Biden, është Celtic (Kelt) për shkak të origjinës së tij irlandeze, ndërsa emri i koduar i Jill Biden është Capri.

Cilat emra të koduar mendoni se do të ishin të përshtatshëm për liderët e Ballkanit?

Cili ishte spiuni më dinak i shekullit 20-të?

 



Qeveria britanike më 1 korrik 1963 pranoi se ish-diplomati i saj Harold Adrian Russell “Kim” Philby, kishte vepruar si agjent sovjetik.
Dezertimi i tij në Bashkimin Sovjetik në janar 1963 ishte një prej momenteve më dramatike të Luftës së Ftohtë. Philby ishte përjashtuar vite më parë nga shërbimi i zbulimit britanik MI6 – ai dyshohej si spiun e tradhtar.
Në rrezik për t’u arrestuar, Philby kërkoi ndihmën e qendrës në Moskë. Në janar 1963, ndërsa punonte si gazetar për “Observer” dhe “Economist”, dhe ndodhej në Liban ai hipi në një anije ruse me destinacion Odesën. Larg nga të priturit si hero, Philby u mënjanua nga KGB-ja sovjetike, e cila frikësohej se ai mund të ishte agjent i dyfishtë i perëndimit. I vetmuar, Philby gjeti shishen si ngushëllim duke u dhënë pas pijes.
Por në aspekte të tjera, ai u trajtua sipas biografëve, më mirë sesa qeveria sovjetike trajtonte popullin e vet: atij iu dha një makinë, një vilë e mobiluar, furnizime me ushqime të përzgjedhura, edhe nga jashtë shtetit, me të gjitha ato që nuk i kishin munguar në Londër, madje edhe grua.
Philby u martua me gruan e tij të katërt, Rufina Pukhova, e cila në kujtimet e saj shkruan se Philby kurrë nuk shprehu keqardhje që u arratis, por mbeti i zhgënjyer kur pa njerëz të varfër dhe kuptoi se “ne po ndërtojmë komunizmin”. Ai gjithashtu tentoi vetëvrasje, por kurrë nuk foli për t’u kthyer në Angli.
Harold Adrian Russell “Kim” Philby vdiq në Moskë në vitin 1988, në moshën 76-vjeçare. Ai cilësohet si një prej spiunëve më dinakë të shekullit 20.

Rreth 40 mijë përdorues të lëndëve narkotike në Kosovë

 

Përdorimi i lëndëve narkotike në Kosovë, shënon rritje. Institucionet shëndetësore ballafaqohen me kufizime në trajtimin e këtyre rasteve. Të dhënat e organizatave flasin se në Kosovë, ekzistojnë rreth 40 mijë përdorues të substancave narkotike. Fakt shqetësues është se në këtë grup dominojnë grup moshat e reja. Mirëpo, institucionet shtetërore nuk disponojnë më të dhëna të sakta të përdoruesve të drogës.
Duke e shënuar Ditën Ndërkombëtare kundër Abuzimit të Drogave dhe Trafikimit të paligjshëm nga Asociacioni i Psikiatërve të Kosovës (APK), thonë se në rritje është edhe numri i atyre që përdorin drogën në nivel botëror.
Valdete Alidema, kryetare e Asociacionit të Psikiatërve të Kosovës, theksoi se abuzimi me drogat sot paraqet një problem mjaft të madh social e mjekësor në të gjithë botën, e rrjedhimisht edhe Kosova.
“Me të prekur me këtë problem janë të rinjtë, të cilët shumë shpesh të shtyrë nga kurioziteti dhe në ndikimin e moshatarëve fillojnë të eksperimentojnë me droga qysh herët, duke mos ditur fare se çfarë mund të shkaktojë përdorimi i tyre. Sot të rinjtë zakonisht për drogat po informohen përmes rrjeteve sociale dhe informohen për mënyrën se si përdoret droga, pastaj në rrjete sociale ekzistojnë edhe video të cilat japin mjaftë informata për efektin pozitiv, por fatkeqësisht nuk informojnë për efektet negative të përdorimit të drogave, tha Alidema.

Sipas zyrës ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për drogën dhe krimin në vitin 2020 gati 275 milionë njerëz përdoren drogën në mbarë botën, me 22 përqind më shumë se nga viti 2010, numri i përdoruesve të kanabisit u rrit për 18 përqind”, tha ajo.
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, e pranoi se kapaciteti aktual i institucioneve shëndetësore ku trajtohen këto raste është i kufizuar.
“Aktualisht në Kosovë nuk ka vlerësime gjithëpërfshirëse për të dhëna përfaqësuese që flasin për numrin e saktë të përdorueseve të drogave. Organet që kanë prezantuar këto të dhëna nga institucionet e shëndetësisë që merren me këtë çështje na tregojnë se përdorimi i drogës është rritur. Numrat që janë dhënë janë 30 mijë deri në 40 mijë përdorues të drogave sa vlerësohet që janë në Kosovë nga të gjitha komunitetet dhe grup moshat e ndryshme, me dominim nga moshat e reja. Shumica e drogave përdoren në shtëpi, tha ministri Latifi.
Ndryshe, në bazë të rasteve të cilët i trajtojnë institucionet shëndetësore të Kosovës, është vërejtur se përdoruesit e lëndëve narkotike nga lagjet urbane janë shpërngulur edhe në fshatrat e largëta. Marihuna është lloji i drogës më i shpeshtë që përdoret. Por, kohëve të fundit sipas të dhënave të ministrisë së Shëndetësisë, së Kosovës, ka rritje të numrit të abuzuesve nga kokaina. Kjo e bënë punën e tyre më të vështirë. Personat të cilët vuajnë nga varësia e lëndëve narkotike aktualisht trajtimin e marrin në repartin Psikiatrisë, i cila ka vetëm 6 shtertër. Në këtë repart, gjatë këtij janë regjistruar 60 pranime.

Sa vite nevojiten për ndërtimin e autostradave dhe korridoreve kryesore në Ballkan?

 

Arsyet e zgjatjes së përfundimit të tyre herë janë objektive dhe herë subjektive. Terrene të paarritshme, male, tunele, trase të dështuara, lëshime financiare, mangësi teknike.... Në vazhdim bëjmë një vlerësim të disa autostradave kryesore në Ballkan.

11 vite për ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër

Autostrada Kërçovë-Ohër në Maqedoninë e Veriut është një nga rrugët që po ndërtohet për më shumë kohë. Kritikët thonë se nëse do të ndërtoheshin dy kilometra autostradë në vit që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut në vitin 1991 e deri më sot, autostrada Kërçovë-Ohër do të ishte gati deri më tani. Sipas dokumentacionit, ajo duhet të jetë me një gjatësi prej 57 kilometrash dhe nëse realizohen njoftimet e fundit, i gjithë projekti për autostradën do të zgjasë nga nëntë deri në 11 vite.

Duke marrë parasysh distancën mes dy qyteteve që duhet të lidhen dhe kohën e përfundimit të punimeve kjo është një lloj kurioziteti.

Ndërtimi filloi në vitin 2014 dhe ishte planifikuar të siguronte një lidhje më efikase me qendrën kryesore turistike në Maqedoninë e Veriut. Parashikimet fillestare ishin se do të ishte gati në vitin 2018, por u konstatuan lëshime në trase dhe afati i ndërtimit u shty deri në qershor të vitit 2021. Projeksionet e fundit të qeverisë thonë se autostrada duhet të jetë gati në vitin 2023. Aneksi i fundit i kontratës për ndërtim, të cilit i referohet ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Blagoj Boçvarski, ka si afat të fundit vitin 2025.

Nga ana tjetër, autostrada Demir Kapija-Smokvica me një gjatë prej 28 kilometrash, e cila është pjesë e Korridorit 10, është në ndërtim e sipër tashmë gjashtë vite.

BeH ka 20 vjet që pret Korridorin C5

Korridori C5 me një gjatësi prej 338 kilometrash është ai për të cilin publiku i Bosnjë e Hercegovinës (BeH) deri më tani ka drejtuar shumë kritika ndaj disa garniturave qeverisëse. Përfundimi po zgjat më shumë se 20 vite dhe është e mundur të vonohet edhe gjashtë të tjera. Ideja është që BeH të lidhet më shpejt me Bashkimit Evropian (BE), respektivisht me Kroacinë dhe Detin Adriatik. Sipas parashikimeve të fundit, për këtë projekt të madh do të shpenzohen dy miliardë marka të konvertueshme ose rreth një miliardë euro.

Afatet po zgjatet vazhdimisht. Në vitin 2013, Damir Haxhiq, në atë kohë ministër i Transportit dhe Lidhjeve të BeH-së, njoftoi se projekti do të përfundonte në vitin 2020. Ish-drejtori i “Autostradave të BeH-së” në vitin 2015 deklaroi se do të duhej të pritet deri në vitin 2022.

Në fillim të vitit të kaluar, ministri Federal i Transportit, Denis Laziq, tha se përfundimi i Korridorit C5 mund të pritet edhe deri në vitin 2028.

Serbia për dy dekada përfundoi autostradën “Horgosh-Beograd-Preshevë”

Një nga projektet më të mëdha kapitale kur bëhet fjalë për Serbinë sigurisht është autostrada A1 ose e njohur si autostrada Preshevë-Horgosh. Ky seksion ka një histori që daton që nga koha e ish-Jugosllavisë kur pjesë të rrugëve të sotme ishin pjesë të autostradës Bratstvo-Edinstvo të ndërtuar në RSFJ.

Ideja e Serbisë, pas rënies së shtetit të dikurshëm, është lidhja e autostradës me Hungarinë dhe Maqedoninë e Veriut. Gjatësia e autostradës është rreth 580 kilometra.
Kilometrat e para të ndërtuara drejt kufirit të Maqedonisë së Veriut, pas përfundimit të luftërave në ish-Jugosllavi dhe embargos ndaj Serbisë dhe Malit të Zi, ishin në vitin 1997. Pjesa Peçenjevce-Grabovica u vendos në funksion në vitin 2005. Në vitin 1997 vazhdoi ndërtimi i pjesës së lidhjes me Hungarinë.

Pjesa drejt Maqedonisë së Veriut deri në pikën kufitare Preshevë është e gjatë 121 kilometra. Ndërtimi ka përfunduar në vitin 2019, përkatësisht 22 vite pas fillimit të ndërtimit.

“Rruga e Arbrit” para përfundimit në Shqipëri

Autostrada “Rruga e Arbrit” është planifikuar të sigurojë një lidhje midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Gjatësia totale e autostradës do të jetë 72 kilometra. Ajo do të shkurtojë distancës midis Tiranës (Shqipëri) dhe Dibrës (Maqedoni e Veriut) për 100 kilometra.

Duke marrë parasysh terrenin e ndjeshëm për punime në pjesën e Shqipërisë përmes zonave malore me gjashtë tunele dhe katër ura, fakti që ndërtimi i autostradës ka nisur në vitin 2017 ndoshta nuk duket aq i tmerrshëm pasi pjesa në këtë vend është planifikuar të përfundojë në vitin 2022.

Në Maqedoninë e Veriut nuk ka asnjë projeksion se kur do të fillojnë aktivitetet për përfundimin e kësaj rruge. Vetëm kur të përfundojë edhe ajo pjesë mund të thuhet se autostrada e ka arritur plotësisht qëllimin e saj.

Kosovës iu deshën pesë vite për autostradën “Arbën Xhaferi”

Situatë e ngjashme është edhe lidhja e Maqedonisë së Veriut me Kosovën. Ndërtimi i autostradës “Arbën Xhaferi” në pjesën e Kosovës, që shkon në pikën kufitare Bllacë me Maqedoninë e Veriut, zgjati pesë vite. Kjo pjesë është me një gjatësi prej 65.5 kilometrash. Pjesë e autostradës, që është ndërtuar nga viti 2014 deri në vitin 2019, është edhe një nga urat më të gjata në grykën e Kaçanikut.

Deri këtu punimet ndoshta janë brenda kufijve të tolerancës për seksione të tilla. Por frenimi i realizimit të plotë të autostradës sërish vjen nga pala maqedonase, edhe atë vetëm për 14 kilometra nga Bllaca në Shkup, që sipas deklaratave të ish-kryeministrit Zoran Zaev duhet të ndërtohet deri në fund të vitit 2023. Kjo do të thotë se autostrada prej rreth 80 kilometrash nga të dyja anët do të jetë plotësisht gati për dhjetë vite.

Përplasjet ndër vite mes Kosovës dhe Serbisë


Përplasjet ndër vite mes Kosovës dhe Serbisë     Foto: TRT Balkan

Mosmarrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë nuk janë përmbyllur, pavarësisht se lufta përfundoi në vitin 1999 me ndërhyrjes e NATO-s. Ndonëse ushtria dhe policia serbe për më shumë se dy dekada është larguar nga Kosova, shteti serb ende nuk pranon t’a njoh realitetin se Kosova është shtet i pavarur dhe i njohur nga më shumë se 100 shtete.

Institucionet e Serbisë, në pothuajse çdo paraqitje të tyre kur bëhet fjala për Kosovën, i referohen si pjesë të territorit të tyre. Deklaratat e tyre i mbështesin në Kushtetutën e Serbisë, e cila thotë se Kosova është pjesë përbërëse e territorit të Serbisë.

Shpallja e pavarësisë në vitin 2008 hapi një faqe të re të raporteve Kosovë – Serbi. Pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me aktin e shpalljes së pavarësisë nga ana e Kosovës, në vitin 2010, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën e cila kërkonte fillimin e dialogut Kosovë-Serbi, nën ndërmjetësimin e BE-së.

Mosmarrëveshjet për “Marrëveshjen e Brukselit”

Marrëveshja e Brukselit e nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë në vitin 2013, edhe pse u cilësua si historike nga zyrtarë të lartë të BE-së, ajo fare pak është zbatuar në praktikë. Përplasjet e viteve të fundit mes këtyre dy shteteve në masë të madhe sillen rreth kësaj marrëveshje.

Serbia insisiton që Kosova t’a themeloj asociacionin/bashkësinë e komunave me shumicë serbe, ashtu siç qëndron në Marrëveshjen e Brukselit. Por, autoritet e Kosovës, thirren në vendimin e Gjykatës Kushtetues, e cila thotë se kjo marrëveshje është në kundërshtim me dispozitat e Kushtetutës së Kosovës. Kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, kategorikisht është shprehur kundër themelimit të këtij asociacioni. Themelimi i një Republika Srpske të dytë në Ballkan, sikurse në Bosnje e Hercegovinë, sipas tij nuk duhet të ndodhë. Kurti pajtohet që në Kosovë, të themelohet Këshilli Nacional i Serbëve, ashtu siç shqiptarët dhe boshnjakët e kanë në Serbi.

Reciprociteti i papranuar për Serbinë

Nga viti 2011 e deri më sot Kosova ndaj Serbisë ka vendosur disa masa reciprociteti. Prej këtyre vendimeve bujë të madhe shkaktoi reciprocitetit që kishtë të bënë me produktet (mallrat) ushqimore. Eksporti i mallrave në Kosovë nga Serbia pa certifikatat fitosanitare ku shënohet emri i Kosvës ishte shkaku i vendosjes së kësaj mase të reciprocitetit, e njohur ndër popull si taksa “100 %”.

Tjetër masë e reciprocitet të cilën Kosova ia vendosi Serbisë, dhe e cila shkaktoi tensione në Veri të vendit vitin e kaluar, kishte të bënë me vendimin për targat. Serbia ndër vite nuk i njeh targat dhe dokumentet e Kosovës. Andaj, në shtator të vitit 2021 filloi zbatimi i kësaj mase të reciprocitetit për veturat që hynin nga Serbia në Kosovë. Me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare u arrit marrëveshje e përkohshme që simbolet shtetërore në targa të mbulohen me ngjitëse.

Në korrik të këtij viti Qeveria e Kosovës miratoi masa të reja të reciprocitet me Serbinë. Ata u paralajmëruan se do të hynë në fuqi më 1 gusht. Por, vendosja e barrikadave dhe përshkallëzimi i situatës në Veri të Kosovës, e prolongoi këtë vendim për 1 shtator.

NATO e interesuar për stabilitet

Sulmet ndaj policisë së Kosovës në fund të korrikut dhe gjatë këtij muaji në Veri të Mitrovicës ka ngjallur reagimin e KFOR-it. Përmes njoftimeve të tyre ata janë shprehur se situatën në Veri të Kosovës e vëzhgojnë së bashku me organizatat e sigurisë nga vendi dhe jashtë. Duke u mbështetur në mandatit e OKB-së, ata janë deklaruar se janë të gatshëm të ndërmarrin masat e nevojshme. Krahas vëzhgimit të situatës në Veri të Kosovës, ditë më parë nga KFOR-i, njoftuan se Ushtarët e KFOR-it nga Republika e Türkiye-s kryen një patrullë të pavarur në Kosovën lindore. Ushtarët e Forcave të Armatosura të Türkiye-s, patrullën e kryen në këmbë përgjatë zonës së tyre të operacionit në Kosovën lindore siç është mandatuar me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së të vitit 1999. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në konferencë për shtyp deklaroi se është detyrë e autoriteteve në Beograd dhe Prishtinë të parandalojnë eskalimin e situatës. Sipas tij, një dialog konstruktiv është mënyra e vetme për t’i zgjidhur dallimet në rajon. Mes tjerash, ai në konferencën për shtyp me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, tha se të gjitha palët duhet të vepruar me përmbajtje dhe për t'i shmangen retorikës së padëshiruar. Çështjet e pazgjidhura, siç theksoi Stotenberg duhet të zgjidhen përmes dialogut. Këtë qëndrim ai paraprakisht, tha se ia kishte kumtuar edhe presidentit Vuçiq.

Kosovë publikojnë lajme për Türkiye-n

 

Mbi 70 për qind e mediave online të cilat i janë përgjigjur një pyetësori të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), kanë aprovuar se publikojnë informacione lidhur me ngjarjet në Türkiye (Turqi).

Nga 18 media online të cilat KMShK i ka pyetur me 34 pyetje te ndryshme për të analizuar mundësitë e dezinformimit dhe dezinformimit me lajme të rreme, ka nxjerrë në pah mangësi të ndryshme të mediave online në Kosovë të përmbledhura në një raport me titull “Keqinformimi, Dezinformimi dhe Lajmet e Rreme në Mediat Online në Kosovë”.

Në kuadër të praktikave të publikimit të lajmeve nga burime jashtë vendit, KMShK ka pyetur mediat online ndër të tjera se a publikojnë informacione lidhur me ngjarjet në Türkiye, ku 77,8 për qind janë përgjigjur pozitivisht, ndërsa 22,2 për qind negativisht.

Mediat të cilat janë përgjigjur pozitivisht kanë arsyetuar se raportojnë, mes tjerash, rreth çështjeve të ndikimit të Türkiye-s në rajon apo edhe rreth diasporës shqiptare në Türkiye.

Gjithashtu, këto media janë arsyetuar se publikojnë lajme nga Türkiye për shkak të interesit të opinionit publik, për shkak të ekonomisë dhe për shkak të shkëmbimeve tregtare Kosovë-Türkiye.

Mediat të cilat kanë thënë se nuk publikojnë informacione lidhur me ngjarjet në Türkiye janë arsyetuar se “publikojnë më shumë lajme vendore dhe nga rajoni” dhe “nuk kanë ndonjë interes”.

Duke folur rreth problemeve të brendshme të mediave online, autori i raportit Qerim Ondozi përmendi faktin që shumica e pronarëve të mediave online janë njëherësh edhe drejtorë të mediave që kanë nën pronësi, mossanksionimin e gazetarëve kur ata qëllimshëm shkruajnë lajme të rreme, mungesën e lektorëve në mediat online, e të tjera.

“Problem tjetër ose gjetje interesante për ne është se nuk kemi parë përqindje të lartë të sanksionimit ose ndëshkimit të gazetarit i cili qëllimshëm e ka prodhuar një lajm të rremë. Në njëfarë forme kjo na shtyn në përfundimin se redaktorët apo pronarët e mediumit janë të interesuar për prodhim të lajmit të rremë”, theksoi Ondozi.

KMShK ka rekomanduar që redaksitë e mediave online në Kosovë duhet të përpiqen t’i zbatojnë sa më shumë standardet profesionale dhe etike të të bërit gazetari, të demantojnë dezinformatat dhe të punojnë më shumë në verfikimin e fakteve.

Shume media, pak pluralizem

 Megjithëse numri i mediave në Shqipëri është i konsiderueshëm, ky numër jo domosdoshmërisht garanton një nivel të kënaqshëm pluralizmi në media. Në fakt, ekspertët e medias mendojnë se vendimi i vitit 2016 i Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar kufizimin e pronësisë të licensave kombëtare i ka hapur rrugën monopolizimit ose të paktën përqendrimit të tregut mediatik në pak duar. Në situatën aktuale katër nga pesë licensat për rrjete digjitale kombëtare janë në pronësi të dy grupeve kryesore në sektorin e mediave private, gjë që shkakton shqetësime për të ardhmen e pluralizmit në fushën e medias. Sipas një raporti të fundit të Qendrës për Pluralizmin dhe Lirinë e Medias dhe Lirine e Medias77 kur bëhet fjalë për Pluralizmin e Tregut skena e mediave shqiptare klasifikohet si me rrezik te lartë (80%) për shkak të mungesës së transparencës në pronësinë e mediave dhe ndikimit të interesave tregtare dhe interesave ekonomike dhe politike të pronarëve të mediave mbi politikën editoriale të mediave. Numri i mediave (mediat tradicionale dhe ato të reja) është i lartë duke marrë në konsideratë madhësinë e tregut të vendit. Numri shume i madh i operatorëve të medias në raport me popullsinë dhe tregun e reklamave, në kushtet kur asnje nuk falimenton, të çojnë në përfundimin se operatorët e medias nuk po veprojnë sipas rregullave të tregut. Sfidat për Shqipërinë duket se është të pasurit më pak, jo të pasurit më shumë. Edhe pse industria e medias po lëviz në internet (Media Online, 19%) me industrinë e gazetave në rënie (13%) -TV mbetet ende lojtari më i madh dhe më i rëndësishëm (64%). Pas 30 vitesh të liberalizimit të tregut të medias, nuk ka patur ndonjë zhvillim të madh në sigurimin dhe publikimin e të dhënave sistematike dhe të besueshme mbi tregun e medias dhe financat e organeve të medias. Mungesa e këtyre të dhënave e vështirëson diskutimin për drejtimin që po merr tregu i medias. Megjithatë, duket qartë se shfuqizimi i kufizimit të pronësisë është një hap prapa për sa i përket garantimit të pluralizmit në media. Në vitin 2018, një studim i Reporterëve pa Kufij dhe BIRN78 Shqipëri tregoi se ka një përqendrim të madh të pronësisë mbi organet e mediave. Sipas të dhënave nga një agjenci sondazhi, arrihet në përfundimin se kemi të bëjmë me një përqendrim mesatar në tregun televiziv ku katër pronarë të mëdhenj arrijnë 48.93 për qind të publikut. Nga ana tjetër, të dhënat e kompanisë së dytë të sondazhit tregojnë për një përqendrim më të madh të tregut në duart e këtyre katër pronarëve që mbulojnë 58.60 për qind të publikut. Edhe llogaritë e kryera në lidhje me përqendrimin në tregun e radios dhe gazetave tregojnë një prirje të ngjashme: kemi përqendrim të lartë me 63.96 për qind të publikut për katër pronarë të stacioneve të radios, dhe 43.29 për qind për katër pronarë gazetash. Nga ana tjetër matja e përqendrimit në bazë të përqindjes së publikut që ndjek këto media paraqet shifra akoma më alarmante: dy familjet kryesore që kanë në pronësi stacione televizive zotërojnë kontrollojnë më shumë se 70 për qind të tregut televiziv, ndërsa katër pronarët që u përmendën më sipër zënë 89,6 për qind të tregut. I gjithë ky përqendrim përkthehet edhe në përqendrim fondesh dhe reklamash, që ngushton edhe mundësinë e operatorëve të tjerë për të pasur financa të mjaftueshme apo të kënaqshme për të mbështetur mediat e tyre. Kjo sjell edhe mundësinë e një ngushtimi të narrativës që paraqitet në media, edhe pse praktika e ka treguar që pasja e fondeve apo konkurenca e ndershme nuk përkthehet medoemos në pluralizëm të përmbajtjes në media. Tregu i reklamave në Shqipëri paraqitet relativisht i vogël, sidomos për numrin e madh të mediave që ekzistojnë në vend. Tregu favorizon qartë televizionet, të cilat marrin pjesën e luanit përsa i përket reklamës. Ndërkohë që shtypi është në një rënie të vazhdueshme, mediat online janë rritur ndjeshëm, edhe pse roli i televizionit nga ana e thithjes së reklamës është më  i konsoliduar se kurrë. Radio vazhdon të ruajë pjesën e vet të vogël, por të konsoliduar në këtë treg reklame. Transparenca në tregun e medias në Shqipëri vazhdon të jetë shumë e ulët, përsa i përket matjes së audiencës dhe shikueshmërisë nga njëra anë, dhe për rrjedhojë edhe kritereve me të cilat ndahet reklama nga ana tjetër. Po kështu, fuqizimi i aktorëve të rinj në skenën mediatike, si agjencitë e reklamave, dhe kompanitë partnere të organeve të medias, e ndërlikon edhe më shumë gamën e faktorëve që ndikojnë ekonomikisht te media. Për pasojë, në mungesën e një tregu të fuqishëm reklame apo mjeteve alternative për mbështetjen ekonomike të medias, të gjithë këta faktorë deri diku ndikojnë edhe në politikat editoriale dhe përmbajtjen mediatike që arrin te publiku. Përpjekjet për adoptimin e legjislacionit për reklamat shtetërore kanë qenë të pakta. Rregullat aktuale nuk garantojnë dot transparencë të plotë të këtij procesi dhe kanë lënë shteg që të hyjnë në lojë për fonde shtetërore nga reklamat dhe fushata publike edhe aktorë të tjerë. Kjo e bën edhe më të vështirë punën për të analizuar dhe vlerësuar mënyrën si shpenzohen fondet publike në lidhje me organet e medias. Po kështu, transparenca e ulët në praktikat e biznesit të kompanive mediatike në administrimin e brendshëm dhe në tregun e reklamave nuk na ndihmon në këtë drejtim.

F.B

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...