2023-03-19

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama : Shpresoj që të mos jetë një tjeter mashtrim ballkanik

 


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar pas negociatave në Ohër të Maqedonisë së Veriut, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Ai përmes një postimi në Twitter, shprehet se pati një marrëveshje, por nuk kishte nënshkrim.

Po ashtu Rama shpreson që kjo të mos jetë sipas tij, një tjetër mashtrim ballkanik.

“Le të shpresojmë që djalli të mos fshihet në detaje sonte dhe që marrëveshja e rënë dakord por e pa nënshkruar të mos jetë një tjetër mashtrim ballkanik! Përndryshe kjo do të ishte një arritje historike që do të shpallte një pranverë të shumëpritur në marrëdhëniet mes dy kombeve më të mëdha të Ballkanit”, ka shkruar Rama në Twitter.

Tutje Rama uron protagonistët dhe uron që marrëveshja e panënshkruar të kthehet në një realitet të pakthyeshëm për marrëdhënien mes Kosovës dhe Serbisë.

“Dhe le t’i urojmë sinqerisht katër protagonistët e tryezës së sotme të Ohrit, duke uruar që së shpejti marrëveshja e panënshkruar të kthehet në një realitet të ri të pakthyeshëm mes Kosovës dhe Serbisë, shqiptarëve dhe serbëve, Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian”, shkruan ai.

Kryeministri Albin Kurti : Serbia iu shmang nënshkrimit të Marrëveshjes në Bruksel e Ohër

 


Kryeministri Albin Kurti ka falënderuar përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, të dërguarin e BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak dhe të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për angazhimin e tyre për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai, në një postim në Twitter, tha se në Ohër shkuan me qëllime të mira dhe se treguan mirëbesim gjatë takimeve.

“Ne kemi ardhur në Ohër me qëllime të mira dhe kemi treguar mirëbesim gjatë takimeve të djeshme. Falënderoj përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, të dërguarin e BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak dhe të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për angazhimin e tyre të palëkundur, si dhe Maqedoninë e Veriut për mikpritjen e tyre të ngrohtë”, ka shkruar Kurti.

Kryeministri Kurti thotë se tani i takon BE-së të gjejë një mekanizëm për ta bërë marrëveshjen ligjërisht të detyrueshme.

“Tani kemi arritur një marrëveshje për një aneks implementues të Marrëveshjes Themelore. Serbia, ashtu si në takimin e fundit në Bruksel, iu shmang nënshkrimit të Marrëveshjes dhe tani edhe Aneksit. I takon BE-së të gjejë një mekanizëm për ta bërë marrëveshjen ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të detyrueshme”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq: Serbia nuk mund të nënshkruajë marrëveshje ndërkombëtare me Kosovën

 


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk e ka nënshkruar aneksin për zbatimin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, “sepse Serbia është shtet i njohur ndërkombëtarisht, ndërsa Kosova nuk është” prandaj, sipas tij, nuk mund të arrihet një marrëveshje juridike ndërkombëtare.

Ai ka folur para popullit më 19 mars, duke diskutuar për takimin që ka zhvilluar në Ohër me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, një ditë më parë, nën ndërmjetësim të negociatorëve evropianë.

I pranishëm në Ohër ka qenë edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili, po ashtu, i ka komentuar si pozitive zhvillimet e së shtunës.

“Askush nuk mund t'ia imponojë Serbisë obligimin për të njohur Kosovën. Serbia mund të punojë në zbatim, deri te vijat e kuqe”, ka thënë ai.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka përshëndetur dakordimin për Aneksin e implementimit të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të arritur të shtunën në Ohër.

 



“Përshëndes arritjen në Ohër të Maqedonisë së Veriut të dakordësimit publik mes Kosovës dhe Serbisë dhe angazhimit për të zbatuar marrëveshjen bazë dhe të aneksit përkatës”.

Ky dakordësim, sipas presidentit Begaj, është një garanci më shumë për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e rajonit në Bashkimin Evropian.

“Besimplotë se garantët e këtij dakordësimi do ta bëjnë atë të detyrueshme e të zbatueshme nga palët. Falenderoj Bashkimin Evropian për ndërmjetësimin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e fuqishme”, ka shkruar Begaj në Facebook

Kosova dhe Serbia u pajtuan më 18 mars, në Ohër, që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur.

Teksti i plotë i propozimit i BE-së

 


Bashkimi Evropian (BE) më 27 shkurt publikoi të plotë tekstin e propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. 

Ky është teksti i plotë i propozimit:

Palët kontraktuese,

Të vetëdijshme për përgjegjësinë e tyre për ruajtjen e paqes;

Të përkushtuara për të kontribuar në bashkëpunimin dhe sigurinë e frytshme rajonale dhe për të kapërcyer trashëgimin e së kaluarës;

Të përkushtuara të kontribuojnë në sigurinë dhe bashkëpunimin e frytshëm rajonal në Evropë;

Të vetëdijshëm për paprekshmërinë e kufijve dhe respektimit të integritetit dhe sovranitetit territorial, si dhe mbrojtja e pakicave kombëtare, janë kushtet themelore për paqen;

Duke vepruar nga fakti historik dhe pa paragjykuar pozicionet e ndryshme të palëve në lidhje me çështjet themelore, përfshirë çështjet e statusit;

Me dëshirën për të krijuar kushte për bashkëpunim midis palëve për të mirën e njerëzve, kanë rënë dakord që:

Neni 1

Palët do të zhvillojnë marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën, mbi bazën e të drejtave të barabarta.

Të dyja palët do t’i njohin dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.

Neni 2

Të dyja palët do të udhëzohen nga qëllimi dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me të drejtat sovrane të shteteve, respektimin e pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën për vetëvendosje, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin.

Neni 3

Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, palët do ta zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre vetëm në mënyrë paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi apo përdorimi i forcës.

Neni 4

Palët nisen nga supozimi se asnjëra nga këto të dyja nuk mund ta përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare apo të veprojë në emër të saj. Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Neni 5

Asnjëra palë nuk do të bllokojë, ose do të inkurajojë të tjerët të bllokojnë përparimin e palëve në rrugët e tyre perspektive drejt BE-së bazuar në meritat e tyre. Të dyja palët duhet të respektojnë vlerat e përmendura në nenin 2 dhe 21 të Traktatit të Bashkimit Evropian.

Neni 6

Përderisa kjo marrëveshje bazë përfaqëson një hap të rëndësishëm të normalizimit, të dyja palët do të vazhdojnë me një shtysë të re në procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja, që do të çojë në marrëveshjen ligjërisht të detyrueshme, gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

Palët bien dakord ta thellojnë bashkëpunimin në të ardhmen në fushat e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit dhe lidhshmërisë, marrëdhënieve në drejtësi dhe zbatim të ligjit, postë dhe telekomunikacion, shëndetësi, kulturë, fe, sport, mbrojtje të mjedisit, persona të zhdukur, dhe fusha të tjera të ngjashme përmes arritjes së marrëveshjeve specifike.

Detajet do të pajtohen në marrëveshjet shtesë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

Neni 7

Të dyja palët janë të përkushtuara në arritjen e marrëveshjeve specifike dhe garancive, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë e ofrimit të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës.

Palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.

Neni 8

Palët do të shkëmbejnë misione të përhershme. Ato do të vendosen në selitë përkatëse të qeverive.

Çështjet praktike që lidhen me vendosjen e misioneve do të trajtohen veçmas.

Neni 9

Të dyja palët vënë në dukje angazhimin e BE-së dhe donatorëve të tjerë për ta krijuar një pako të veçantë ndihme financiare për projektet e përbashkëta të palëve për zhvillimin ekonomik, lidhshmërinë, tranzicionin e gjelbër dhe në fusha të tjera kyçe.

Neni 10

Palët do ta krijojnë komisionin e përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Të dyja palët konfirmojnë detyrimet e tyre për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të dialogut nga e kaluara.

Neni 11

Palët angazhohen të respektojnë udhërrëfyesin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Von Cramon: Aneksi i marrëveshjes, një hap drejt integrimit në BE

 

 Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon pas dakordimit, të mbrëmshëm në Ohër, për Aneksin e implementimit të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se ky tekst i aneksit është më pak e detajuar se sa pritej, por do të sjellë më shumë paqe dhe stabilitet në rajon.

Eurodeputetja Von Cramon, në një postim në Twitter, ka shkruar se shpreson që të zbatohet shpejt kjo marrëveshje.

“Teksti i aneksit. Më pak e detajuar se sa pritej, por nëse e gjithë kjo do të zbatohet me shpejtësi, patjetër që mund të sjellë më shumë paqe dhe stabilitet në rajon. Është një hap drejt integrimit në BE për të dy vendet”, shkruan Viola von Cramon.

Bildt uron për marrëveshjen në Ohër


Carl Bildt: The full transcript – POLITICO(E plotësuar) Ish-kryeministri suedez, Carl Bildt, ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë mbrëmë në Ohër, për aneksin e zbatimit të marrëveshjes bazë.

Ai, në një postim në Twitter, ka uruar Kosovën dhe Serbinë, por edhe Miroslav Lajçakun dhe Josep Borrellin. Bildt tha se nuk duhet të harrohen ‘mësimet e marrëveshjes së 2013-s”.

Ai shtoi se zbatimi i marrëveshjes do të kërkojë monitorin dhe menaxhim shumë të ngushtë në vitet në vijim.

Kosova dhe Serbia u pajtuan më 18 mars, në Ohër, që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur.

RTK

Pasi doli nga SPAK ku ishte për të zbatuar masën e detyrimit me paraqitje Lideri i demokracisë shqiptare dhe Kryetari i PD-së Prof.Dr.Sali Berisha publikoi të tjera përgjime të dosjes “Toyota Yaris’

                          Kërko brenda në imazh                         Shkruan:  Flori Bruqi,PHD Ish-kryeministri dhe njëherësh kryetari i ...